“Charlie Hebdo” pushton Parisin, disa stenda boshatisen që në orët e para të mëngjesit/
“Charlie Hebdo” jeton sërish. Revista satirike franceze mbërriti nëpër stendat kryesore të shitjes së gazetave mëngjesin e së mërkurës, pikërisht 1 javë pas agresionit të terroristëve në zyrat e saj, duke lënë të vdekur 12 persona, mes të cilëve edhe karikaturistët më të shquar të saj.
Në 10 minuta e mbaruan të gjithë stokun tonë – rrëfeu për Le Figaro shitësja në një kioskë pranë stacionit Auber në kryeqytet. Njerëzit e kishin pritur daljen e të përjavshmes prej 6 orësh. 3 milionë kopje janë shpërndarë në të gjithë Francën, por edhe në shtete të tjera, plot 50-fishi i tirazhit të përjavshëm të revistës në të kaluarën, prej 60 mijë kopjesh.
“Charlie ka edhe më shumë miq tashmë”, pretendon një letër në faqen e dytë të numrit të ri. Letra falënderon “miliona” mbështetësit “të cilët janë vërtet në anën e gazetarëve, e që ndihen sinqerisht dhe thellësisht ‘Charlie’”, duke i bërë një tjetër jehonë sloganit “Unë jam Charlie”, i cili është i gjithëpranishëm në kryeqytetin francez.
Një prej karikaturave të numrit të së mërkurës është i titulluar “Ruani qetësinë dhe mbani gjallë Charlie-n”, një rimodelim i shprehjes britanike “Ruani qetësinë dhe vazhdoni në rrugën tuaj”.
Edhe disa parizienë, të cilët përbuznin në të kaluarën pozicionet sekulariste të revistës dhe ndonjëherë edhe karikaturat e turpshme, kanë thënë se do të blejnë një kopje të këtij numri, si një reagim kundër akteve terroriste të javës së kaluar.
Shifrat e shitjes nuk mund të bëhen menjëherë të ditura, por disa kioska tregtare dhe stenda të shitjes së gazetave në Paris thuajse janë boshatisur që në orët e para të mëngjesit. Madje tregtarë të ndryshëm kanë kufizuar sasinë e shitjeve në vetëm një revistë për person, kjo për shkak të radhëve të gjata.
Kopertina e revistës është një ilustrim i Profetit Muhamed të përlotur, i cili mban në duar një parrullë “Unë jam Charlie”, të shoqëruar edhe me fjalët “Gjithçka është falur tashmë”.
Karikaturistët e Muhamedit janë tepër kontroversialë në botën muslimane. Portretizimet e Profetit në numrat e kaluar të revistës kanë qenë edhe motivi i agresorëve të masakrës së javës së kaluar.
Kopertina e re është pritur me emocione të përziera: disa muslimanë janë të fokusuar te e drejta e revistës për t’u shprehur lirisht, ndërsa disa të tjerë kanë kritikuar atë si provokuese pa arsye dhe tepër ofensive.
Papa Françesku telegram Presidentit Nishani: Paqe e bekim mbi Shqipërinë
Papa përshëndet vendet mbi të cilat fluturoi gjatë udhëtimit drejt Azisë/
Shkruan: Gjergji Mima/ – Gjatë fluturimit me avion nga Roma drejt Kolombos (Sri Lanka), Papa Françesku, siç është traditë, u dërgoi telegrame përshëndetjeje Krerëve të Shteteve të atyre vendeve mbi cilat kaloi gjatë udhëtimit apostolik. Pastaj në avion përshëndeti gazetarët që e shoqëronin gjatë këtij udhëtimi aziatik.
Sipas “Radio Vatikanit”, atmosfera në avion qe e përzemërt dhe familjare, siç di të krijojë Papa Françesku, me një risi: kësaj here nuk ishin gazetarët që shkonin për ta përshëndetur Papën, por qe Ati i Shenjtë Françesku, shoqëruar nga drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, ai që shkoi personalisht tek 76 gazetarët shoqërues, prej vendeve të ndryshme.
Me një buzëqeshje të veçantë Papa Bergoglio u tha: “Ju falënderoj për shoqërimin tuaj e ju uroj udhëtim të mbarë. Keni shumë punë! Ju falënderoj shumë, faleminderit edhe një herë për shoqërimin tuaj”.
Papa Françesku pastaj deshi t’u shtrëngonte dorën çdonjërit gazetarë, duke u ndalur për pak çaste në bisedë. Për sa i përket protokollit, gjatë udhëtimit u nisen telegramet e Papës drejtuar vendeve mbi të cilat fluturonte avioni.
Pas përshëndetjes drejtuar presidentit italian e bekimit apostolik për Italinë, Papa u drejtoi përshëndetjen e tyre edhe Shqipërisë e Turqisë, shoqëruar me lutjet e tij së bashku me kujtimin e vizitave të fundit apostolike.
Paqe e gëzim Papa i uron edhe Greqisë e qytetarëve të këtij vendi. Paqe e prosperitet, së fundi, edhe për Iranin, Emiratet e Arabisë, Omanin e Indinë.
Telegrami i Papës për Presidentin e Shqipërisë
Si zakonisht, gjatë kalimit të avionit në hapësirën ajrore të vendeve të ndryshme, Papa Françesku u dërgon një telegram përshëndetjeje të gjithë krerëve të shteteve përkatëse. Kështu ndodhi edhe kësaj radhe, gjatë udhëtimit të Atit të Shenjtë për në Sri Lankë e Filipine. Avioni papnor kaloi edhe sipër Shqipërisë. Ja telegrami drejtuar presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani:
“Shkëlqesisë së Tij, Bujar Nishani
President i Republikës së Shqipërisë
Përshëndes përzemërsisht Shkëlqesinë Tuaj, ndërsa fluturoj mbi Shqipëri në udhën drejt Sri Lankës dhe Filipineve. Duke kujtuar ngrohtësisht vizitën time në vendin tuaj, ju siguroj rishtas lutje për kombin dhe popullin.
PËLLUMB KULLA NGATËRRON FJALIMET NË FESTËN E DITËLINDJES
Në festën e 75 viteve, Pëllumb Kulla lexon fjalimin e 90 vjetorit/
10 janar 2015 SAN MARINO – SOHO, New York,NY/ nga Dalip Greca/
Manhattan, NY- Ditëlindja e 75-të e Pëllumb Kullës është konceptuar si një festë më shumë se familjare,me pjesmarrje të artistëve dhe gazetarëve, ku surpriza apo sekreti nuk i kanë rezistuar dot deri fund tundimit të vetë Pëllumbit, por edhe organizatores. Edhe pse ftesat e miqëve janë bërë telefonike, fshehurazi Pëllumbit, duke i “vjedhur” atij numrat e telefonave, duket se ka qenë aktori Zef Mosi, ai që e zbuloi, (gjë që vetë Pëllumbi e kundërshtoi seriozisht). Në pritje të ardhjes së vonuar të Pëllumbit në San Marino restorant, thashethmnaja lakoi për nxjerrje sekreti edhe emrat e Gazmir Shtinos, Gëzim Gjyrezit, Gavrosh Levonjës, Bujar Verzivollit, Valentin Veizit, por asgjë nuk u vërtetua. Madje, nuk u vërtetua as hipoteza se sekreti doli nga familja,-Xhuli e lau veten duke thënë se ende nuk e dinte se ditëlindja e kujt po festohej, ndërsa për Erën, të bijën e artistëve, doli garant Flladi. Ditbardhi duke qenë se filmonte, nuk u përzie në debate.
Po ç’rëndësi ka se kush e nxori sekretin?! Surprizat nuk munguan. Festa e 75 vjetorit të regjisorit, shkrimtarit, publicistit Pëllumb Kulla, u organizuar me 10 janar 2015 në restorantin San Marino me pronar shqiptarin Sammy Gashi. Restoranti ndodhet në pjesën e poshtme të Manhattanit, zonë shumë e preferuar, veçanërisht nga artistët.
KRONIKË E EKRANIZUAR
Për të ruajtur ”sekretin” Pëllumbi erdhi i fundit në festën e ditëlindjes së tij të 75-të, por për pak mbeti pa karrige… Era, e bija, organizatorja, që formalisht tentoi ta ruante sekretin edhe pasi festa filloi, gëlltit vërejtejet e pazëshme të të atit. Por shumë shpejt e bija do të fitonte duartrokitje e të pranishmëve, madje edhe buzëqeshjen e Pëllumbit dhe duartrokitjet e Xhulit, tek do të shfaqte një video-foto montazh, që shpalosi me humor jetën 75 vjeçare të babait të saj. Fotografitë dhe filmimet nisin që nga 10 Janari i vititit të lindjes(1940), kur Pëllumbi erdhi në këtë botë pa dashjen e tij dhe me të qarat e parreshtura trembi Zemblakun. Edhe pse ishte kohë lufte, të qarat e Pëllumbit shurdhuan krismat e luftës. Me tekst dhe pamje plot humor, shfaqen fotografi që nga fëmijëria e Pëllumbit, ku përkrah parakalojnë edhe portrete të njerëzve të famshëm, që kanë lindur po me 10 Janar 1940, më pas fotografitë shpalosin kronikën e Pëllumbit,- fëmijë i praptë, shkollar i devotshëm, punëtor nga halli,- Gjyshi i pushkatuar nuk e lejoi të kalonte pengesën për në Akademinë e Arteve në vitin 1959, por një vit më pas ai arrin të kualifikohet, edhe pse gjyshi mbeti prapë i pushkatuar, pas akademisë- regjisor në estradën e Vlorës, por shfaqet sërish hija e gjyshit të pushkatuar, që nga dashuria e madhe që ka për nipin, nuk e lë rehat që nga varri, dhe e shtyn në “braktisjen” e skenës, për “ degdisjen” në guroren e Shashicës; pasi u kalit në gjirin e klasës punëtore emrohet në estradën e Fierit, ku shkëlqeu për 18 vite, duke u bërë Kulla i humorit shqiptar. Në vitin 1990 ai do të linte Fierin për të shkuar pedagog në Akademinë e Arteve, ku mezi e patën pranuar, për t’u bërë edhe Dekan, ndërsa dy vite më pas nisi rrugën e diplomatit; më 1992 Sekretar për Kulturën dhe Shtypin në Ambasadën e Shqipërisë në Bonn, Gjermani dhe një vit më pas Ambasador në Misionin Shqiptar pranë OKB, në Nju Jork (1993-1997).
Rruga e jetës shoqërohet me fotografi, filmime, intervista me humor, batuta, që të shkulin së qeshuri… Duket se grupi që ka punuar për paraqitjen e rrugëtimit të Pëllumbit, ka qenë mjaft i impenjuar dhe ka punuar kolektivisht; ata kanë gjetur mundësi që të intervistojnë edhe amerikanë, që flasin për shkrimtarin e publicistin Kulla, madje edhe pakistanezo-amerikanët, paskëshin dëgjuar për madhështinë e penës së Pëllumbit! Jo vetëm kaq, por për ditëlindjen e tij paskej dëgjuar edhe Kryeministri rus Putin, edhe presidenti amerikan Obama (që këndoi për Pëllumbin “Happy Birthday To You”, edhe udhëheqësi i Koresë së veriut Kim Jong Un, ky i fundit dërgoi mesazh special).
HUMOR MJESHTROR NGA AKTORË E AMATORË
Festimi i ditëlindjes të regjisorit dhe shkrimtarit më kulmor të humorit dhe satirës nuk mund të konceptohet pa humor. San Marino kthehet kështu në një skenë të improvizuar ku aktorë dhe jo aktorë, ish profesionistë dhe amatorë, kanë krijuar një situatë të ngarkuar me humor. Krahas Xhuli Kullës, Zef Mosit, Pranvera Veizit, konkurojnë Alba Bungo, Vili , Era e Flladi Kulla. Eksperimenti është i sukseshëm. Të qeshurat shoqërojnë çdo batutë. Alba Bungo duket se ka marrë përsipër të zëvendësojë mungesën e të atit, Lekës, (që ka shkuar në Shqipëri të këshillojë Kryeministrat dhe Pëllumbi betohet se të gjithë ata që marrin këshilla nga Leka kanë fund të palavdishëm). Leka u ka dhënë nerv e të qeshura përvjetorëve të tjerë të shokut të tij, veçanërisht atij të 70-vjetorit, edhe pse Pëllumbi në shtyp e paditi për shpifje Lekën… Humori nga jeta e përditshme interpretohet bukur dhe të qeshurat nuk kanë të pushuar. Zef Mosi me Pranvera Veizin duartrokiten gjatë. Vili duket se i ka shkuar kot talenti, Flladi është i lirshëm dhe i sigurtë, Alba, po ashtu. Tekstet plot humor duket se aktorët i kanë zgjedhur pa ndihmën e autorit të njohur të cilit po i festojnë ditlindjen, si për t’I thënë “estradat e Shqipërisë ta kanë nevojën, por jo ne!”
Thumbat dhe satira kanë mbetë për në fund. Era ka menduar një lloj “hakmarrje” ndaj të atit që nuk ia ruajti sekretin e kësaj feste. Ajo e sulmon Pëllumbin me komentet nga gazetat e Tiranës, që nuk i lënë gjë pa i thënë,për shkrimet që boton, duke gjuajtë herë me të majtën e herë me të djathtën. Kur gjuan të djathtën, shahet se shpërdoroi shpërblimin si ambasador, kur shan të majtën, i kujtojnë se ka ngrënë edhe në kohë të Enverit dhe e ka bërë për të qeshur atë….Nuk ka nevojë që të sajojë, Era i ka marrë batutat të gatshme nga gazetat online, komente te lexuesve militantë. Pëllumbi vetëm qesh…
PËLLUMBI NGATËRRON FJALIMET, LEXON ATË TË 90 VJETORIT
Qershia mbi tortën e ditëlindjes së 75-të ishte vetë fjalimi i Pëllumbit. Duke qenë se ai nuk ishte dakord me këtë darkë festive,tha se nuk ishte parapërgatitur. Ai jep sqarime për të ftuarit se kur ishin mbledhë si familje e kishin lënë se festa nuk do të bëhej.Ky ishte vendim i formës së prerë. Por fëmijët dhe zonja kishin marrë përsipër të aplikonin stilin surprizë. Ai betohet se e ka marrë vesh lajmin vetëm një ditë më parë.Të gjithë e besuan.
Pëllumbi rrëfehet: “Nga një anë u bë mirë që e mora vesh (edhe pse me vonesë), nga ana tjetër jam lodhur duke bërë prova se si të befasohem. Se unë jam aktor i keq dhe m’u desh të hap sytë, të bëj sikur hutohem, sikur emocionohem që të mos ua prishja qejfin fëmijëve. Po, siç e patë, e luajta keq. Unë prandaj u bëra regjisor se jam aktor i dobët. (Në fakt këtë e ka thënë Leka Bungo). Të gjithë aktorët që nuk bëjnë hajër, bëhen regjisora dhe çuditërisht, sa më aktor i keq të jesh, aq regjisor më i mirë bëhesh. Nga ne, hiqjani rolin e Sali Protopapës, aktori më i keq ka qënë Piro Mani. Ju e keni parë se çfarë regjisori ka dalë ai! Zeusi i regjisorëve!… Belaja më e madhe pas dështimit në provat për habinë e surprises,” vazhdon jubilari, “është se nuk pata kohë të bëja një fjalim për falenderim, për ju që do të më vinit, një fjalim përmbledhës për jetën time. Se nuk kisha një për 75 vjetorin. Nuk e mendoja se do t’i lodh duke i mbledhur miqtë njëherë në pesë vjet. Ama, si sistematik që jam, kisha përgatitur fjalimet për 80 vjetorin deri 100 vjetorin.… Mos habitet njeri se tërë jetën më kanë uruar u bëfsh 100 dhe unë nuk ua prish miqve. Aq më tepër që “u bëfsh 100” më kanë uruar dikur, kur ishim tonët edhe dy Presidentë republike! Dhe urimi i komandantëve nuk është urim, por urdhërim. Kështu gërmova për fjalimet, por i kemi bërë valixhet rrëmujë se përgatitemi për trasferim në Florida dhe nuk e dija ku m’i pat vënë Xhuli. Gjeta vetëm njërin nga ata, dhe atë do t’ju lexoj. Atë të 80 vjetorit!… Jo, qënka i 90 vjetorit! Nuk ndryshon gjë, se edhe atëherë të ftuar po ju, do të jeni. Sinqerisht nuk pata kohë për një fjalim sonte!”
Dhe ai nis të lexojë fjalimin që ka përgatitë për vitin 2030:
“Të dashur miq!
Viti 2030 na ka hapur udhën dhe ja ju prapë u lodhët …(Ëh?! Duhet të jetë “u mblodhët”) të festojmë ditlindjen time. Ju faleminderit! Ja vitet kalojnë sa hap e mbyll sytë. Unë vërtet jam rënduar pak, por do pajtohem me gjendjen. Nuk do të jem më ai llastari i hollë, elegant siç isha kur isha 75 vjeç. Aha, ai trup më del në ëndërr por nuk e arrij ta kem më! Por edhe në këtë moshë kam plot me se të gëzohem…”
Fjalimi më pas bëhet konkret në emra. Pëllumbi parashikon të ardhmen e familjarëve dhe miqëve të vet që ka sonte në festë se si do të jenë ata në 90 vjetorin e Pëllumbit. Prashikon suksesin e nipit dhe të mbeskave, por humori i shkon së shoqes, Xhulit….” Ime shoqe edhe në këtë moshë të avancuar 84 vjeçare,dha provat e mori më në fund patentën e automobilit. (Pëllumbi nuk do të jetë më i punësuar si shofer i saj). Pas një trainingu 40 vjeçar. Po e mori patentën atë ditë që na mbaroi leesa dhe dorëzuam makinën. Edhe nuk e rinovojmë dot se … se ashtu e kemi punën! Xhuli thotë “ta kishim edhe ca ditë vetëm ta parkonja njëherë, se ëndërr e kisha dhe në kurs isha më e mira në parkim paralel….”
Më pas, Pëllumbi, i drejtohet një miku të vet ish të përndjekur: Zija Lepenica dje (në 2030-tën) na gostiti në Arthur Avenue se sapo mori këstin e dytë për vitet e burgut dhe flitet që kryeministri I maxhorances aktuale të 2030 Ilir Meta do të japë brenda këtyre pesë vjetve që vijnë, këstin e tretë”…. Dhe humori vazhdon; ai sheh në 90 vjetor Gavrosh Levonjën, që në 2030-tën kuron gazetën më të madhe shqiptare online dhe vetë sapo mbaroi librin me kujtimet nga turnetë e kombëtares së basketbollit. Ai e pati të lehtë se kujtimet ia plotësonin kolegët e tij basketbollistë të emigruar në Amerikë, Kujtim Kasmi, Lulzim Tela e të tjerë. “Siç e vutë re,” thotë Kulla, “gjatë tranzicionit, kategoria më e suksesëshme e shqiptarëve, ishin basketbollistët shtatlartë. Ata bile arritën që njërin prej tyre për nja dy vjet ta nxjerrin deri kryeministër”…
Në fjalimin e Pëllumbit parakalojnë me nota humori miqtë e shokët… Ai i sheh ata me sytë e 2030-tës: “Gazmir Shtino e ka shtuar humorin. Vazhdon u tregon barzeleta pensionistëve amerikanë dhe ata shkulen së qeshuri. Ia kam zili Gazit e nuk ia kuptoj sekretin: gjen barzeleta shumë të bukura, apo amerikanët gajasen se ai ua tregon në anglisht?”…
Të qeshurat dhe duartrokitjet nuk rreshtën gjatë gjithë darkës…. (Fotografite i shihni ne facebook)
VIDHET HISTORIA E QYTETIT ILIR TË SHASIT
Nga Frank Shkreli /
Portalet elektronike të lajmeve nga Ulqini, “ulqonline” dhe “lajmengaulqini”, njoftojnë lajmin tronditës se dëshmitarë, të cilët kohët e fundit kanë vizituar gërmadhat e qytetit të lashtë ilir të Shasit afër Ulqinit, kanë venë re se persona të pa identifikuar po vjedhin gurët e prerë dhe të çmuar nga muret që kanë mbetur ende të ndërtesave, kryesisht kishave të atij qyteti antic shqiptar. “Ndërsa po shkonim të vizitonim Kalanë e Shasit, shoh një makinë të ngarkuar me gurë nga muri rrethues i qytetit të vjetër!! Pyeta dhe më thanë që kështu i marrin gati dhe s’kanë nevojë t’i thyejnë!!!”, citojnë portalet ulqinake të lajmeve, dëshmitarin Ilir Taflaj. Mediat ulqinake e cilësojnë kjëtë ngjarje si të “tmershme”
Shasi antik, historia e të cilit mbetet ende për tu zbuluar dhe studiuar, ka një histori të lashtë dhe të bujshme për kombin shqiptar dhe të para-ardhësve të tij, ilirëve. Pamjet, nga ajo hapësirë e ish-qytetit që e ka zanafillën nga koha e ilirëve, megjith rrënojat, madje edhe sot janë mbresëlënse dhe flasin për një të histori qytetërimi tepër të zhvilluar. Shasi, si qytet i lashtë, është një monument i gjallë i autotoktonisë shqiptare dhe të trashgimisë historike të shqiptarëve, që fatkeqsisht po shkatërrohet dal ngadalë. Fatkeqsisht, si kudo tjetër anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkan, trashëgimia kulturore dhe fisnore e shqiptarëve gjëndet nën dhe e pa zbuluar dhe e pa studiuar, ndërsa numri i madh i monumenteve që ende mbijetojnë dhe dallohen mbi dhe e që flasin qartë për kulturën dhe autoktoninë shqiptare në ato troje siç është Shasi, po shkatërrohen dhe po zhduken nga mos kujdesi zyrtar, nga rrethanat politike ose nga hajdutë që vjedhin ditën për diell, pasurinë kulturore dhe shpirtërore të kombit shqiptar, siç është rasti i fundit i vjedhjes së gurëve të qytetit të lashtë shqiptar afër Ulqinit, për të cilin raportojnë portalet e lajmeve të Ulqinit.
Shasi i vjetër, shtrihet në një zonë tashti nën Mal të Zi, midis Shkodrës dhe Ulqinit. Aty gjënden rrënojat që ende bërtasin — për ata që duan të dëgjojnë — për trashëgiminë e lashtë të kulturës së iliro-shqiptare në ato troje. Qyteti i dikurshëm i Shasit, ishte njëri prej qyteteve satelite të Shkodrës që njiheshin si “Arbëria Veneciane”, e që kishte arritur një nivel zhvillimi ekonomik dhe humanist të përmasave të rilindjes europiane. Thuhet se në Shasin antik ilir, si një qytet qëndër ipeshkvnore, dikurë qëndronin 365 kisha katolike, aq sa ditë ka viti, diçka që përputhet me gojëdhanën popullore që banorët e fshatit Shas thonë ”se të gjitha kishat në fillim ishin katolike” shqiptare. Kjo histori gojëdhanore përputhet, sipas disa shënimeve në internet, edhe me një citim nga një autor i panjohur i dorëshkrimit “Dulcigno secondo l’antica descrizione…”, ku thuhet se “në këtë trevë gjëndej qyteti shumë i vjetër i quajtur Shasi, ku duken gjurmët e 365 kishave, larg nga Ulqini 15 milje”. Nëqoftse kjo mund të dokumentohej si e vërtetë nga hulumtimet e historianëve, rasti i Shasit do të ishte një rast unik në botë me një numër aq të madh kishash dhe me një lashtësi prej më shumë se 1300-vjetësh në trevat autoktone shqiptare.
Sipas të dhënave historike, zhdukja barbare e këtij qyteti fillon në periudhën kur ai pushtohet nga Stefan Nemanja, ndërsa pëson sulmet e egëra nga mongolët dhe më në fund Shasi që njihej si edhe si qënder e madhe tregtare, shkatërrohet dhe shkretohet përfundimisht nga pushtuesit turq më 1571. Si rrjedhojë, ç’prej asaj periudhe e sot njihet si një “qytet i vdekur”. Jo vetëm, por një qytet ilir, të cilin sllavët gjatë gjithë historisë e deri në kohërat moderne, janë përpjekur ta fshehin Shasin antik nga vëmëndja e historianëve dhe e studiuesve vendas dhe të huaj për qëllimet e tyre të shtrëmbërimit ose të mohimit të historisë së shqiptarëve dhe të autoktonisë së tyre në trojet e veta. Ndërsa nga koha në kohë, sidomos Kisha ortodokse serbe është përpjekur t’i përvetësojë këto kisha duke vendosur simbole fetare ortodokse sllave në disa prej gërmadhave të Shasit, siç kishte ndodhur më 2004, gjë që me të drejtë shkaktoi indinjatë dhe protesta nga banorët dhe autoritetet vendore shqiptare.
Qyteti i lashtë i Shasit, gjatë shekujve u shkatërrua nga sllavët, nga otomanët edhe nga mongolët, ndërsa në ditët e sotëme duket se gjurmët e këtij thesari të trashëgimisë së historisë dhe të kulturës së vjetër të kombit shqiptar, fakeqsisht nuk po zhduken nga të huajt, ndonëse do të dëshironin të bënin një gjë të tillë, por po zhduken nga hajdutët vendas që po vjedhin gurët e çmuar të këtij qyteti shqiptaro-ilir. Është për të ardhur keq që, siç duket, vet shqiptarët vendas i janë vërsulur shkatërrimit të këtij monumenit historik duke vjedhur gurë e themeleve të gërmadhave të Shasit. Duket se kjo ngjarje është vetëm një vazhdim i tragjedisë së historisë së këtij qyteti të vjetër.
Ndërkohë, që Shasi është një kujtesë e lavdisë së historisë së vjetër iliro-shqiptare, ai është gjithashtu edhe një simbol i tragjedisë historike nepër të cilën është përshkuar kombi shqiptar gjatë shekujve. Historia e Shasit antik është një histori sulmesh e okupimesh nga hordhitë sllave, mongole e otomane, të cilat, me barbarizmat e tyre kundër një popullësie të vjetër autoktone, hodhën në humerë atë kulturë e traditë të vjetër të kombit shqiptar, të asaj toke arbërore ku Lindja i hapet Perëndimit dhe Perëndimi Lindjes. Është fatkeq fakti se Shasi i vjetër po kalon nepër një periudhë tjetër tragjedie, ku hajdutët vendas po tërheqin me kamionë gurët e themelit të këtij monumenti të lashtë të historisë mija vjeçare të kombit shqiptar, duke zhdukur kështu mëtej nga ato troje, gjurmët e qytetërimit të lashtë e autokton të këtij kombi fisnik.
Nuk mund ta marr me mend se si mund të ndohdë një gjë e tillë, por falënderës medias ulqinake që e venë në dukje një gjë të tillë, duke ia bërë të ditur këtë situatë opinionit publick vendas dhe më gjërë, me shpresë së personat fajtorë do të kapen dhe situate atë tilla të mos përsëriten më. Nevoja për ruajtjen e trashëgimisë së kulturës dhe historisë shqiptare në Shasin antik duhet të jetë një obligim, jo vetëm i autoriteteve vendase, por mbarëkombëtar. U takon ekspertëve shqiptarë dhe qeverive përkatëse nga të gjitha trojet, që të ndërmarrin projekte arkeologjike për të shpëtuar dhe për të dokumentuar sadopak nga ato gjurmë të të qytetërimit të lashtë iliro-shqiptar që kanë mbetur aty, para se hajdutët e gurëve të shlyejnë çdo rrënjë të asaj kulture e historie të mbrekullueshme, vlera e së cilës nuk mund të matet me para. Shasi antik simbolizon një dimension vlere kulturore jo vetëm shqiptare, por edhe europiane dhe mund të themi e qytetërimit biotëror. Prandaj, vlerat historike të Shasit i përkasin jo vetëm mbarë shqiptarëve por edhe gjithë njerëzimit dhe si të tilla duhet të ruhen dhe të mbrohen si vlera të përbashkëta e të jashtzakonshme edhe për brezat e ardhëshëm. Identiteti kulturor historik e kombëtar i shqiptarëve nuk duhet të lihet në dorë të hajdutëve!
XHEXHA…
(Kujtim i përjetshëm për doajenin e arkitekturës shqiptare në Kosovë)/
Nga: arch. Ylber Vokshi-Ylli/
Iku nga ne edhe njëri nga arkitektët e parë shqiptar të Kosovës Rexhep Vula të cilin ne në Gjakovë e kemi njohur me emrin Xhexha. I lindur në një familje të vjetër gjakovare në vazhdën e luftës së dytë botërore (1943),i frymëzuar me ideale të larta për të bukurën,e vijoj rrugën e paraardhësve të vendlindjes së tij,që vetëm i arsimuar dhe me dituri dhe punë të pa lodhshme,mundet ma së shumti të kontribuoi për kombin e tij. Në kohën kur popullit shqiptar të Kosovës iu lejua shkollimi,pas atyre viteve represive nëpër të cilat kaloi pas luftës së dytë botërore,ai së bashku me disa shoke e shoqe të tjera ndoqi rrugën e shkollimit dhe morri titullin arkitekt,që për rrethanat tona atë kohë ishte profesion i huaj,por i një rëndësie të veçantë,që së bashku me arkeologjinë ishte e ndaluar për shqiptarët,posaçërisht në hulumtimin e trashëgimisë arkitektonike dhe arkeologjike,që duhej të tregonte dhe dokumentonte rrënjët shekullore të popullit shqiptar (pellazgo –ilirët) në këto troje të Evropës.
I frymëzuar nga ndikimet e rilindësve të çështjes kombëtare,i ndikuar nga artistët e mëdhenj shqiptarë që kishin vepruar si arkitekt të mëdhenj në tërë botën, si ishin arkitekt Sinani,Andrea Alessi-Durraci i cili veproi në Dallmaci apo Qemal Butka i cili veproi së bashku me gruan e tij arkitekte Celila në Shqipëri, Turqi,Egjipt dhe së fundit në SHBA (në grupin e projektimit të kullave Binjake në New York,në aeroportin Kennedy e shume objekte tjera të projektuara në Amerikë). Në vitet e shtatëdhjeta u formësuar si arkitekt i rinj u kthye në Gjakovë e pastaj në Prishtinë,për të kontribuar në përhapjen e ideve progresive të kohës, të udhëhequra nga arkitektët e njohur ndërkombëtar si Le Corbusier,Frank Lloyd Wright si dhe profesori i tij Juraj Neidhard.
Pas përfundimit të fakultetit të arkitekturës në Sarajevë kishte oferta joshëse të vazhdon karrierën profesionale atje,si dhe në Angli (Londër nga ishte edhe gruaja e tij),por ai e ndjeu peshën e obligimit moral që e kishte ndaj popullit të tij,i cili kishte nevojë të madhe për profilet e profesionit të tij dhe u kthye të veproi në Kosovë,për të kontribuar sado pak në arkitekturën dhe në urbanistikën e qyteteve kosovare. Pasi ishin kërkesat e mëdha për këta profesionist menjëherë u angazhua në sferën e ndërtimit, arsimimit dhe projektimit së pari në vendlindje e pastaj edhe në Prishtinë dhe qytetet tjera në Kosovë.
Duhet theksuar se për të vepruar dhe zbatuar kriteret e profesionit në ato vite, ishte jashtëzakonisht vështirë në tërë Kosovën,ishin kushtet specifike të zanatit të cilat duhej përballuar. Kur filluan disa investime kapitale në Kosovën e rehabilituar,pas shumë katrahurave nëpër të cilat kaloi populli ynë,ai dha kontribut të çmueshëm me angazhimin e tij profesional,ishte prijesetarë në ekipet e pakta profesionale që vepronin në Kosovë. Ishte i detyruar të ballafaqohej me problemet elementare të funksionimit të një komuniteti të cilat në aspektin arkitektonik dhe urban ishin të huaja për ata.
Në ato vite nevojitej angazhim maksimal në të gjitha fushat e profesionit të cilat me sukses i kryente,si në projektime arkitektonike të shumë objekteve,si dhe zgjidhjeve urbanistike të zonave të ndryshme urbane në disa qytete të Kosovës të cilat i ka realizuar. Njërën nga fushat e rëndësishme në të cilën ka punuar dhe kontribuar me dekada ishte ajo e trashëgimisë arkitektonike,arkeologjike dhe historike,të cilës iu ishte përkushtuar me pasion të madh duke e ditur rëndësinë e kësaj fushe për popullin shqiptar të Kosovës. Identiteti arkitektonik dhe urban i objekteve dhe tërësive urbane në Kosovë ishte obsesion i tij e për të cilin shumë shpesh bisedonim dhe polemizonim me orë të tëra.
Pas vitit 1999 shumë çështje në mënyrë të çuditshme ndryshuan,mungoi ajo vazhdimësia arkitektonike,urbane dhe hapësinore që gjenerata e Xhexhës,e neve ma të rinjve,që me vështirësi të mëdha i kishim mbrojtur me sakrifica të mëdha. Ai nuk mund të pajtohej me atë se arkitektët u dirigjuan dhe u nënshtruan nga politik-bërja, vendimmarrësit kosovar dhe grupet e ndryshme të interesit, ata u “dhunuan” që ketë profesion të shenjët dikur ta degradonin në ekstrem të pa para në shekujt e kaluara në këto territore.
Ishte i brengosur dhe i zhgënjyer në veprimet e pa përgjegjshme posaçërisht të kolegëve të profesionit – arkitektëve dhe të atyre që kanë vepruar në fushën e urbanistikës në të gjitha qytetet e Kosovës me theks të veçanet në Prishtinë. Për këto çështje shpesh kemi diskutuar,në qarqe të caktuara intelektuale të cilat edhe sot janë të pakta. Theksonte se tërë shoqërinë kosovare e ka kapluar një defetizëm i cili do të na dërgon në vet shkatërrim urban, nëse nuk dalin forcat progresive të gjeneratave të reja të arkitektëve për të ndryshuar ketë gjendje. Të kota ishin apelet e heshtura dhe publike ndaj të gjitha këtyre dukurive të shëmtuara në katrahurën urbane të Kosovës,interesat individuale ishin dhe si duket ende do të jenë më të rëndësishme se ato të përbashkëta. Janë këto dukuri të cilat ishte dashur të tejkalohen që në shekullin e kaluara e për fat të keq pjesa ma e madhe e shoqërisë kosovare ende i preferojmë vetëm për interesa të mjera personale.
Posaçërisht ishte i indinjuar në ndasitë e arkitektëve,të cilat u manifestuan edhe me “demonstrata” të inskenuara vetëm e vetëm për të arritur disa qellim të pa arsyeshme për te. Shpesh kemi diskutuar se si mundemi të tejkalojmë ketë situatë e cila ende edhe sot vetëm se vjen e ashpërsohet. Për ketë ai brengosej dhe nuk e kishte të qartë se përse kjo ndasi pasi komuniteti i arkitektëve në Kosovë nuk është i madh. Ishte ëndërr e gjeneratës së tij të kanë me këndë të diskutojnë problemet urbane dhe arkitektonike që lindin gjatë punës, si në çdo shoqëri të civilizuar. Disa herë apeloi të kthehemi kah realiteti,të korrigjohemi,në demokraci problemet të zgjidhen me dialog,që çështjet e hapura te debatohen,mospajtimet të shqyrtohen dhe të zgjidhen në mënyrë transparente së bashku,në frymën e ligjeve ekzistuese,në kuadër të institucioneve shtetërore,në mënyrë që të mos kemi këso veprimesh të pa kontrolluara si ka ngjarë në kohën e fundit. Iku në amshim pa i arritur këto synime humane.
Vajza e tij Lala Meridith – Vula dizajnere dhe fotografe e njohur, që jeton dhe vepron në Anglinë, mënyrë dinjitoze dha kontribut të madh për kulturën shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri, natyrisht me instruksionet dhe këshillat e babit të saj. Vitet e fundit të jetës së tij u anatemua nga pjesa ma e madhe e bashkëmendimtarëve, jetoi në varfëri materiale,por nuk i tradhtoi idealet e tija prej një intelektuali të madh dhe doajeni të arkitekturës shqiptare.
I tillë ishte dhe shkoi në rrugën e pa kthim me një breng të thellë në veprimet e pa kontrolluara të shoqërisë kosovare në fushën e planifikimit hapësinor dhe urbanistik, pasojat që të gjithë ne po i përjetojmë sot dhe do ti ndiejnë edhe gjeneratat e ardhshme, pasi këto veprime janë prezentë në të gjithë vendbanimet kosovare dhe janë të kapshme pasi vërehen.
Prishtinë arch. Ylber Vokshi-Ylli
13.01.2015 arkitekt i pavarur
ylberv@gmail.com
Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK),