– Gjatë pritjes tradicionale të Vitit të Ri organizuar nga Presidenti Nishani –/
-Gjatë pritjes, Presidenti i Republikës nderoi gazetaren Enkelejda Skënderasi (pas vdekjes) me titullin “Për merita të veçanta civile”, me motivacionin ‘Për kryerjen me përkushtim të lartë të detyrës duke sakrifikuar dhe jetën’./
TIRANË, 8 Janar/Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, organizoi mesditën e sotme në Presidencë pritjen e përvitshme me përfaqësues të medias shqiptare. Në fillim të saj, Kreu i shtetit i ftoi të pranishmit të mbajnë një minutë heshtje në nderim të viktimave të shkaktuara nga sulmi terrorist në selinë e revistës satirike Charlie Hebdo në Paris.
Në fjalën e tij para gazetarëve, Nishani e vlerësoi vitin që kaloi si ‘intensiv e të mbushur me ngjarje’ duke veçuar peshën e mbajtur nga njerëzit e medias. Ngjarje me tension dhe tragjike, tha Presidenti, janë konsumuar në harkun e vitit që kaloi, por falë jush ato i kanë mbërritur opinionit publik në kohë reale.
“Edhe pse na kritikoni shpesh, ne njerëzit që drejtojmë institucionet e vendit dhe të politikës, jam thellësisht i bindur se heshtja juaj do të ishte shqetësim. Për mua ajo është një mundësi më shumë për të shikuar veten në raport me shoqërinë, institucionet, Kushtetutën dhe nevojat e këtij vendi. Jeni ju ata që përmirësoni mënyrën tonë të përditshme të komunikimit, të informimit dhe standardeve demokratike të Shqipërisë sonë”, iu drejtua ai gazetarëve të pranishëm.
Presidenti Nishani në fjalën e tij vlerësoi arritjet e medias në këto 24 vite, e cila, në sajë të investimeve cilësore teknologjike, ka marrë një zhvillim të paimagjinueshëm më parë dhe kjo arritje duhet inkurajuar shtoi ai.
Nishani e konsideroi një obligim të madh të tij që të kontribuojë në garantimin e lirisë së shprehjes. “Ju me fjalët dhe kamerat tuaja posedoni një pushtet dhe përgjegjësi të madhe. Ndaj sa më shumë i shmangeni tundimit për sensacion, duke mbajtur në referencë vetëm të vërtetën, atëhere pushteti juaj që konsiderohet i katërti, bëhet i pari”, iu drejtua Presidenti Nishani gazetarëve. Ai i këshilloi përfaqësuesit e medias që në punën e tyre të respektojnë të drejtën e individit për privaci, duke mos ngatërruar të drejtën private me atë publike. “Vetëm kështu ju shndërroheni në partnerë të besueshëm të shoqërisë dhe avokatë publikë të interesave të saj”, tha ai.
Gjatë pritjes, Presidenti i Republikës nderoi gazetaren Enkelejda Skënderasi (pas vdekjes) me titullin “Për merita të veçanta civile”, me motivacionin ‘Për kryerjen me përkushtim të lartë të detyrës duke sakrifikuar dhe jetën’.
Gazetarja Skënderasi u nda nga jeta disa muaj më parë pas një aksidenti tragjik në rrethin e Korçës.
Umberto Eco: ISIS është nazizmi i ri
Çfarë duhet të thotë njeriu i shkretë përpara fakteve të tilla?” Së pari, Umberto Eco nxiton të sqarojë se nuk e ka lexuar ende “Nënshtrimin”, romanin e ri të Michel Houellebecq, e si pasojë nuk mund të flasë: “Bota është e mbushur me njerëz që flasin për libra të cilët nuk i kanë lexuar, bashkë me ata që thonë se e njohin Kur’anin, ndërkohë që nuk e kanë lexuar asnjëherë”. Por, në lidhje me kushtet prej ku buroi atentati i Parisit ka ç’të thotë që çke me të. “E sigurtë është se kanë ndryshuar modalitetet e luftës”, thotë Eco. “Po zhvillohet një luftë dhe ne jemi brenda saj deri në fyt, ashtu sikurse kur unë isha i vogël dhe i jetoja ditët e mia nën bombardimet që mund të vinin nga një moment në tjetrin, pa e ditur. Me këtë lloj terrorizmi, situata është ekzaktësisht si ajo që kemi përjetuar gjatë luftës”. Romani i ri i Ecos, Numri Zeri, që pritet të dalë sot, hyn në kategorinë e fantapolitikës edhe pse përqëndrohet në të kaluarën e afërt (sezoni i Duarve të Pastra) dhe jo në një të ardhme të afër, si romani i Houllebecq. Dhe nuk janë gazetarët kurajozë të revistës satirike Charlie Hebdo, por të tjerë lloje gazetarësh, shumë më pak të nderuar.
Edhe buja që ka shkaktuar një libër, si “Nënshtrimi”, sigurisht që nuk është e paprecedentë: “Në historinë e njerëzimit e kemi parë shumë herë. Edhe dënimi me vdekje i Salman Rushdie, për librin e tij Vargjet Satanikë lidhej me një roman… Dhe nuk ishte risi as atëherë. Njerëzit janë masakruar gjithmonë për një libër: Bibla kundër Kur’anit, Ungjilli kundër Biblës etj. Luftërat e mëdha kanë shpërthyer prej feve monoteiste për një libër. Keni parë ndonjëherë animistë që janë përpjekur të pushtojnë botën me armë? Janë fetë e librit që provokojnë luftëra për të imponuar idenë që përmbajnë tekstet e tyre. Luftërat pagane ishin të gjitha lokale. Ndoshta pak edhe ato romake… Por kartagjenasit luftuan për arsye tregtare, dhe jo për të imponuar kultin e Astartit”.
Umberto Eco ka shkruajtur romane dhe libra, që nga “Emri i Trëndafilit” deri tek më i fundit “Histori e tokave dhe vendeve legjendarë”, që ka në qendër fantazitë perverse (dhe të dhunshme) të shkaktuara nga disa vepra, letrare apo jo, që ndoshta në krye të herës nuk aspironin të paraqiteshin si të vërteta absolute: “Ka dy mijë vjet – thotë – që marrim seriozisht “Eneidën”: Augusti na ka vendosur mbi themele pretendimesh të rëndësishëm. Ka me qindra tekste që janë shndërruar në fantazma të rrezikshme, mbi të gjitha për shkak të atyre që nuk i kanë lexuar”.
A e ndan Eco analogjinë e përshkruar nga Emmanuel Carrere, autor i romanit “Mbretëria” (ngjarjet zhvillohen në dekadat e fillimit të Kristianizmit), një analogji mes kohës që kalojmë dhe epokës që çoi nga qytetërimi greko-romak, tek ai judeo-kristian? “Më duket e pranueshme, ndodh ajo që fatkeqësisht ka ndodhur gjithmonë, vetëm se tani jemi edhe ne brenda… Tridhjetë vjet më parë kam shkruajtur një artikull, ku thoja se ndodheshim përballë jo më një emigrimi si ai i italianëve në Amerikë apo në Zvicër, por një migrimi, dhe migrimet janë globalë, janë shumë të përhapur në hapësirë dhe zgjasin shumë. Që atëherë shkruaja se deri kur të mbërrinim në një ekuilibër të ri, do të derdhej shumë gjak. Qytetërimi perëndimor, e ka apo jo forcën për të qëndruar, por gjendet përballë një procesi kolosal migrimi, ashtu si i ndodhi Romës shumë shekuj më parë”.
Paradoksi për të cilin flet Houellebecq është që bota myslimane nga pikëvështrimi social është më pranë të djathtës ekstreme, e cila dëshiron ta shtyjë me të gjithë forcat. “Nuk më duket e drejtë që të flitet me përgjithësi duke thënë “myslimanë”, ashtu si nuk do të ishte korrekte të gjykonim Krishtërimin mbi bazën e metodave të përdorura nga Cesare Borgia. Por sigurisht që mund të thuhet për ISIS-in, që është një formë e re nazizmi, me metodat e veta të shfarosjes dhe vullnetin apokaliptik për të marrë kontrollin e botës”.
Perspektiva që qytetërimi perëndimor në krizë, të bëhet aleat me vende arabë, a është thjeshtë një fantapolitikë romanesh? “Shkrirja në një e qytetërimeve është një gjë që mund të ndodhë falë migrimeve. Kur në Itali të ketë 50 milionë jashtëkomunitarë dhe 10 milionë italianë, do të ndodhë ndoshta ajo që ka ndodhur dy mijë vjet më parë. Në fund të fundit ka ndodhur më parë në Azi dhe gjetkë: mongolët në Kinë etj”.
Nuk mund të mohohet që është një version i cili shkakton frikë, kur e mendon sot: “Eshtë e qartë se të gjithë ndryshimet e mëdhenj na terrorizojnë. Shikoni, mua pak vite jetë më mbeten, por kam nipër, dhe uroj që të mësojnë të jetojnë me këto perspektiva. Pastaj, nuk do të ishte aq terrorizuese të imagjinonim një outlet në vend të Duomos, për shembull”.
Ky është një vizion që edhe mund të materializohet: “Sigurisht, dhe ka nga ata që me siguri do të kënaqeshin”.(Kortezi:Koha Jone)
Tetovë-Monumenti që po “vdes” duke pritur drejtësinë
Rrënojat e mureve të disa objekteve dëshmojnë më së miri pasojat e rënda që vuan monumenti pesëqind vjeçar që identifikon qytetin e Tetovës – Arabati Baba Teqe. Shteti tanimë nuk e ka në dorë këtë kompleks, por nuk i jep tapitë pronarëve të vërtetë. Arsyetohet se nuk mund t’ua kthejë pronat, pasi nuk janë të regjistruar si komunitet bektashian, ndërsa kërkesat e tyre për regjistrim i hedh me arsye nga më të ndryshmet. Arsye tjetër përmendet edhe se, Baba Edmond Brahimaj, dikur në krye të Gjyshatës së Maqedonisë, tanimë Haxhi Dede në krye të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane me seli në Tiranë, nuk ka shtetësi të Maqedonisë
Arben ZEQIRI/*
Tetovë, 5 dhjetor – U deshën dhjetë vite për ta ndërtuar (1538-1548), mbijetoi mbi 450 vjet pa humbur as edhe një vijë nga koloriti i pasur me të cilin u bë i njohur në mbarë botën dhe në fund – mjaftuan 10 vjet për të filluar shkatërrimin, djegien dhe së fundmi – edhe rrënimin. U ndërtua nga Sersem Ali Dede, kunati i Sulltan Sulejmanit të Madhërishëm (vëllai i Mahidevranit, bashkëshortes së parë të Sulltanit) dhe më pas mori emrin Arabati Baba. Kjo është teqeja e Tetovës në të cilën që në periudhën e hershme të ndërtimit të saj, do të fillonte lulëzimi i veprimtarive të ndryshme, krijimtari në shumë sfera, ndërsa me zgjerimin e kompleksit me ndërtime të shumë objekteve të tjera, përveç se si seli e njohur e kultit Islam Bektashian, ky kompleks shërbeu edhe si qendër reprezentative në sferën fetare edhe në atë kulturore, arsimore e të tjera. Të gjitha objektet që për një dekadë u ngritën në oborrin e teqesë janë të integruara në një tërësi unike të harmonizuar. Zbukurime të llojllojshme, stoli, ornamente, relieve, vitrina, qoshqe strehe e tjera i dhanë një pamje orientale arkitekturës së këtij kompleksi. Godinat, përpos zbukurimeve të shumta – janë të pasuruara edhe me më shumë mbishkrime të përmbajtjeve të ndryshme. Të gjitha këto pasuri dhe ato që i kishte falë natyra, gjelbërimin, florën dhe pozita gjeografike rrëzë malit Sharr e bënë këtë kompleks një nga stacionet më të kërkuara të turistëve të huaj që vizitonin Maqedoninë.
Duke pritur pronarin e vërtetë
Në periudhën 1947-1957, për një dekadë zgjati procesi i nacionalizimit të rreth 1200 hektarëve që ishin në pronësi të Teqesë duke e kthyer këtë kompleks në pronësi të shtetit të atëhershëm, Ish Republikës Federative të Jugosllavisë. Që atëherë e deri më sot, dy dekada nga pavarësimi i Maqedonisë dhe pluralizmi politik e fetar, Teqeja Arabati Baba ende nuk ka një pronar. Shteti i e posedon në letër, por jo edhe fizikisht, pasi nga konflikti i vitit 2001 aty u mbyll edhe restoranti i vetëm “Teteks” që ishte hapur pas nacionalizimit që i ishte bërë Teqesë. Por edhe përkundër faktit që shteti nuk mund ti fusë duart përsëri në këtë Teqe, ata nuk heqin dorë nga posedimi formalo-juridik. E duke pritur pronarin e vërtetë juridik që do të mund ti dilte zot këtij monumenti të rëndësishëm kulturor e historik, Teqeja Arabati Baba ka filluar tanimë të “lodhet” e të rrënohet. Objekti në të cilin ndodhet edhe varri i Sersem Ali Dede dhe shumë objekte të tjera janë rrënuar në mungesë të restaurimit, ndërsa konakët dhe objektet e tjera i ka mbuluar pluhuri dhe myshku po për të njëjtën arsye, nuk ka një dorë që ti shpëtojë. Drejtuesit e Komunitetit Bektashian në Maqedoni posedojnë vetëm një pjesë nga i gjithë kompleksi i Teqesë së Tetovës. Gjatë një vizite në këtë kompleks nga ekipi i gazetës KOHA, që u prit edhe nga Haxhi Dede Edmond Brahimaj, tanimë kryegjysh i Kryegjyshatës Botërore me seli në Tiranë dhe nga Arben Sulejmani, personi i emëruar në krye të gjyshatës së Maqedonisë, si dhe pjesëtarët e tjerë të Teqesë. Të rrethuar nga fotografi dhe piktura me motive orientale, kryesisht të tarikatit bektashian, nikoqirët mbanin afër vetes edhe një grumbull dokumentesh të cilat i kishin grumbulluar nga golgota mëse dhjetëvjeçare në përpjekje për të denacionalizuar pronën që u ishte marrë nga ish sistemi komunist. Sistemi i tanishëm, sipas rrëfimit të vetë drejtuesit e komunitetit bektashian u ka shkaktuar atyre edhe më tepër lodhje dhe telashe duke i endur nga një sportel në tjetrin, nga një gjykatë në tjetrën dhe në fund duke i lënë duar zbrazur. Kësaj radhe loja ishte luajtur në mënyrë më tinëzare. Haxhi Baba Edmond Brahimaj thotë se shteti i Maqedonisë luan një lojë të shpifur. Prona e Teqesë mbahet peng i regjistrimit të Komunitetit Bektashian, për të cilin në vitin 2007 – shteti i kishte rënë pishman pasi i kishte rënë ndërmend se duke mos regjistruar këtë komunitet, atyre do ta kishte më lehtë t’ua mohojë edhe pronësinë. “Në vitin 2007, Qeveria na çregjistroi nga regjistrimi që kishim bërë në vitin 2006 falë angazhimit të PDSH-së, e cila ishte në Qeveri në atë kohë. Tani kishin nxjerrë dy mënyra të reja për regjistrim të komuniteteve fetare, regjistrohen komunitetet që ishin regjistruar para vitit 1998 dhe mënyra e dytë ishte përmes procesit gjyqësor. Por edhe përmes procesit gjyqësor ne kaluam të gjitha instancat në Maqedoni – Gjykatën Themelore, Apelin dhe atë Supreme dhe nuk patëm rezultat”, sqaron Baba Edmond Brahimaj. Pasi nuk kishin figuruar në periudhën para vitit 1998, drejtuesit e Teqesë së Tetovës kishin qenë të detyruar që ti qasen procedurës gjyqësore. Por aty, gjyqësia e Maqedonisë kishte shkaktuar një lëmsh të vërtetë me përgjigjet që ju ishin dhënë, gjithmonë si arsye për përgjigjen negative. Më e rrezikshmja, sipas Arben Sulejmanit, personit të autorizuar nga Baba Edmond Brahimaj, si drejtues i Teqesë, ishte përgjigja me të cilën atyre u ishte kërkuar të heqin dorë pikërisht nga Teqeja e Tetovës. Nëse do të pranonin këtë ‘kusht’, do të regjistroheshin si komunitet, ndërsa 1200 hektarët e kompleksit të Teqesë Arabati do ti ngeleshin përfundimisht shtetit. “Një herë na thanë se nuk ka një regjistër ku do të na regjistronin, as ne si kuptuam. Pastaj na kërkuan që të ndërrojmë adresën e selisë dhe nuk na pranonin Teqenë e Tetovës”, sqaron Sulejmani. Përveç këtyre dy arsyeve, arsyeja e tretë që ishte plasuar në opinion kishte qenë shtetësia e Baba Edmond Brahimajt, i cili është nga Shqipëria, ndërsa nga i ndjeri Haxhi dede Reshat Bardhi ishte emëruar si gjysh i Gjyshatës së Maqedonisë. Për të evituar këtë arsye, Brahimaj kishte emëruar doktorin e shkencave të historisë, Arben Sulejmani si drejtues të Teqesë së Tetovës me qëllim që të vazhdojë procedura e regjistrimit dhe rikthimit të pronës. Por Sulejmani thotë se edhe në këtë pikë vetë shteti kishte qenë kontradiktor, pasi dy herë më parë – në dy shkresa zyrtare me vulë kishte njohur de fakto edhe me dokument komunitetin bektashian dhe Baba Edmond Brahimajn si drejtues të komunitetit. “Edhe përkundër lojës diplomatike që bënin me opinionin se gjoja Baba Edmond Brahimaj nuk ka shtetësi, vetë Qeveria është ajo që zyrtarisht dhe me vulë ka dhënë pëlqimin që Edmond Brahimaj mund të ushtrojë detyrën e drejtuesit të komunitetit Bektashian në Maqedoni. Pra edhe kjo arsye atyre ju bie në ujë”, thotë Sulejmani. Pasi kishin shterur të gjitha rrugët juridike në Maqedoni, drejtuesit e komunitetit bektashian në Maqedoni i janë drejtuar Gjykatës evropiane për liritë dhe të drejtat e njeriut në Strasburg. Atje kanë ngritur tre padi që kanë të bëjnë me mospranimin e komunitetit, njohjen e vazhdimësisë dhe diskriminimin dhe mosnjohjen e të drejtave të individit dhe njëherësh përgjegjësia e shtetit që nuk merr në mbrojtje pjesëtarët e këtij komuniteti. Si argument kryesor, thotë Arben Sulejmani, ata kanë vendimin e ish sistemit komunist për ekspropreimin e parcelës së Teqesë. “Në ekspropreimin që është bërë nga viti 1947-1957 në të gjitha dokumentet zyrtare të asaj kohe thuhet se 1200 hektarë i merren Arabati Baba Teqesë. Dhe ne nuk kërkojmë asgjë më shumë, por kjo parcelë ti kthehet pronarit që figurën në ato dokumente, pra Teqesë tonë”, thotë Sulejmani.
Zjarri mbi Teqenë nuk “dogji” këmbënguljen
Persona deri më tani të panjohur për autoritetet zyrtare, katër vite më parë kishin tentuar të djegin Teqenë Arabati Baba dhe për “habi”, objekt i sulmit kishte qenë pikërisht zyra e Baba Edmond Brahimajt ku ndodhen edhe dokumentet zyrtare dhe tapitë e Teqesë. Tanimë kryegjyshi i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane me seli në Tiranë, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, thotë se ka dyshimet e tij për sulmuesit e Teqesë, por ai nuk e ka ndërmend të qërojë hesape personale me ta. Edhe sulmuesit, sipas tij, janë në shërbim të shtetit përderisa këta të fundit nuk e zbardhin rastin, por lënë hapësirë për dhunë dhe hakmarrje, sipas tij, mes muslimanëve dhe shqiptarëve. “Ata që dëmtojnë pronën tonë janë në njëfarë mënyre në shërbim të shtetit qoftë edhe pa vetëdije. Ne nuk e kemi ndërmend të merremi me askënd, aq më pak me shqiptarët dhe muslimanët. Komuniteti bektashian nuk do të jetë shembull i dhunës, por vetëm shembull i paqes, dashurisë dhe do të respektojë ligjet qofshin edhe ata në dëm të komunitetit bektashian”, thotë Brahimaj.
Xhamia sunite në oborrin e Teqesë
Përballë selisë së Komunitetit Bektashian që ndodhet në kompleksin e Teqesë Arabati, në të njëjtin oborr tanimë ndodhet edhe një xhami sunite. Pa minare, por me një faltore të adaptuar për faljen e pesë vakteve sipas ritit sunit, shqiptarët musliman i drejton në këtë xhami një hoxhë i deleguar nga Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë. Ndërkaq Komuniteti Bektashian edhe përkundër ekzistimit të shumë informatave për një kontest me BFI-në, thonë se me këta të fundit nuk kanë asnjë problem. Me BFI-në jemi të njëjtë në besim, por të ndarë në administratë. Jemi të afërt dhe me llogari të pastra, thotë Arben Sulejmani, përgjegjësi i Teqesë së Tetovës. “Ne jemi musliman dhe vëllezërit tanë sunit janë musliman, ne kemi profet Muhamedin a.s. ata kanë profetin e njëjtë, si ne edhe ata lexojnë Kur’an. Por neve na dallon tarikati që është një nga katër shtyllat e islamit (sheriati, tarikati, marifeti dhe hakikati). Ne i kemi punët e pastra me BFI-në dhe jemi të ndarë në aspektin administrativ. Ne kemi baba, dervish, ndërsa komuniteti suni ka hoxhë, muezin, ne kemi teqetë dhe ata kanë xhamitë”, thotë Sulejmani.
BFI: Teqeja dhe bektashinjtë, pjesë e jona
Nga ana tjetër, edhe Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë i ka dalë zot pronësisë së kompleksit Arabati Baba Teqe. Ashtu si drejtuesit bektashian, edhe BFI thotë se posedon dokumente (tapi) me të cilat dëshmon se e gjithë prona është marrë nga ata dhe atyre duhet t’ju kthehet. “BFI është i vetmi subjekt juridik që përfaqëson muslimanët në Maqedoni dhe për të njëjtin kemi tapi (të vitit 1929) por edhe më herët, si dhe vakëfname të vet ndërtuesit, por edhe vetë shteti e nacionalizoi atë nga BFI e ish Jugosllavisë. Procedura e kthimit të Arabatit është zgjatur shumë, pa ndonjë arsye konkrete, mirëpo ne arritëm që të njëjtën me vendim të shkallës së parë, ta kthejmë në pronësi të Myftinisë së Tetovës. Ndaj këtij vendimi është ankuar Avokati i Shtetit, besoj ju kujtohet ajo loja e ping-pongut. Kështu luan shteti me ne. Organ i shtetit na e kthen në pronësi, organ i shtetit ankohet. Mirëpo, edhe përkundër ankesave nga Avokati i Shtetit, e drejta është me ne dhe shumë shpejt Arabati do të bëhet pronësi e vakëfit, në fakt pronësi e BFI së Maqedonisë”, shprehet Driton Dikena, udhëheqës i shërbimit të vakëfit të BFI-së. Ai thotë se një pjesë e madhe e pronës së Teqesë tani edhe defakto është në menaxhim të BFI-së, ndërsa besimtarëve bektashian u është lënë një pjesë që shërben për kryerjen e riteve të tyre. Dikena madje thotë se BFI nuk i pengon pjesëtarët e tarikatit bektashian që të kryejnë ritualet e tyre fetare. Por çdo kush tjetër që do të pretendonte se i takon Arabati si kompleks, Dikena thotë se do të binte ndesh qoftë me Amanetin e vakëflënësit (ndërtuesit të teqesë Sersem Ali Dede), por edhe me Kushtetutën e BFI, ngase në Maqedoni i vetmi subjekt juridik që mund të pranojë vakëf është BFI dhe askush tjetër. “Bektashizmi është pjesë e pandarë e islamit që me paraqitjen e tij si tarikat dhe si të tillë i trajtojmë, si pjesë e jona. Çdokush që do të dëshironte ose do të provonte të sjell një situatë ndryshe , do ti ngjante atij hapit kur tenton që thoin ta ndash nga mishi”, deklaron Dikena, udhëheqës i shërbimit të vakëfit në BFI.
*E dergoi per Diellin, Mynyr Nazifi, suportues I VATRES, qe nga viti 1972
KOSOVË, DASHURIA IME E PARË
Nga Rrustem Geci,Dortmund */
Letërsia i përket atij që krijon, ndërsa historia atij që jeton. Jeta njerëzore përherë ka nevojë të çlirohet, të ndërtoj, dhe me çaste të dehet. Polibi, historinë e quan shkollë të së vërtetës, shkollë që parapërgatit dhe përgatit shtetin. Krijimtaria poetike, dhe ajo historike e Prof.dr. Sabile Keçmezi- Basha, është e gjerë dhe e thellë. Në poezi Sabilja rrëmon të bukurën, të magjishmen, shpirtin e përgjakur të dhimbjes, ndërsa në histori, ajo mëton kuptimin e luftave dhe të betejave, dhe hapin e pandalshëm të kohërave.
Është lëngu i thellësive që i pjek drithërat, që i lulëzon pemët, që zambakët i bënë me lule, dhe gurin e shndërron në trëndëfil. Gjaku i shkruar i poetëve dhe shkencëtarëve vete tek gjithsecili njeri, i heshtur dhe mizor. Edhe njeriut, edhe historisë, jo rrallë i shkyhen këpucët, i vjetrohen rrobat, e kaplon trishtimi. Udhët në jetë janë të pafund, por mbërritjet herë-herë vonohen, lexoj në një petale të lagur peme. Historia s´ guxon të harron, shprehet Sabilja. Janë shumë pikat e gjakut që na thërrasin t´i lexojmë, ti trajtojmë dhe ti vejmë në libra. Harresa bën dëm si vërshimet, edhepse ne me të jemi të afërm.
Sabile Keçmezi – Basha, është autore e 17 veprave shkencore. 21 veprave letrare, dhe 300 publikimeve në gjini të ndryshme, 34 fejtone, dhe gjithë vepra e saj mund të përmbledhet në në 38 libra, me rreth 10 mijë faqe tekst të shkruar. Sabile Keçmezi-Basha u lind në vitin 1954, në Koretin të Dardanës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Dardanë.
Shkrimtarja, Shkencëtarja dhe publicistja Sabile Keçmezi-Basha, Fakultetin e Shkencave Politike e kreu në Beograd, ndërsa Magjistroi dhe Doktoroi në Shkencat Historike, të Universitetit të Prishtinës. Sabile Keçmezi – Basha, është Shkencëtarja, dhe Shkrimtarja më prodhimtare në Kosovë.
Veprat shkencore dhe letrare të Sabiles, janë kreshta të një shpirti krijues, dhe me shumë talent. Në peisazhin e veprave të Sabile Keçmezit Bashës, lexuesi has në të gjitha ngjyrat e ylberit. Vreshta poetike e Sabile Keçmezit-Basha, është përplotë veshul të të gjitha kohërave. Ah, kjo ëndërr e çastit / në mungesë të letrës / ngeli dhe pa bar / ngeli dhe pa fushë të blertë …Poezia e Sabile Keçmezit-Basha, është e ardhë nga terrinat e shpirtit, dhe nga dallgët shpërthyese të përroit të jetës.
Në këtë fillim shekulli, shprehet poetja Keçmezi- Basha, mbërritja mbërriti e munduar dhe në fytyrë na erdhi pak me ca pikëla. Rruste, poezisë jo rralë sytë i mbushen me lot e revoltë të paparë. Bota poetike por edhe ajo shkencore e Sabile Keçmezit-Basha, është e gjerë dhe e thellë. Dy botët e saj, poetikja, dhe historikja, rendin në një qerre, historia tek betejat, dhe poezia tek e bukura, sublimja dhe shpirtërorja.
S´dua të jem peng i së tashmes së shkaparderdhur, Poezia dhe historia janë në ADN e gjakut tim, shprehet Sabile Keçmezi-Basha. Në kraharorin tim ( shprehet shkrimtarja ) , bëhet luftë e madhe, luftë për lulen që s´dinë ta mbajnë veten, dhe luftë për lulet që vyshken përpara se të lulëzojë. Unë rrëfen Sabilja, detin e shikoj edhe nga bregu i detit, por, bregun e shikoj edhe nga thellësia e detit. Në këtë mynyrë, poezia tek unë hapur i ka të gjitha dritaret. Me poezinë shprehet shkrimtarja Basha, unë jam e vet-përgjakura e vargjeve të mia. Ndryshe bima poetike, bima që e krijoj unë s´do kishte as rrënjë, as trung dhe as degë.
Rruste, me historinë mua më bashkon qëndresa, qëllimi, kryengritjet, burrrëria e luftave dhe betejat të pareshtura të popullit tim. Letrat e pabotuar të kryengritjeve, të luftave dhe të aspiratave të popullit tonë për mbijetesë, ( që flejnë ende nëpër arkiva të ndryshme të botës) janë drama që zhvillohen në kraharorin tim. I nderuar, edhe historisë i shkyhen këpucët, i vjetërohen rrobat, dhe paqja herë- herë, atë e bën të mërzitet. Historia shprehet Sabile Keçmezi – Basha, vazhdimisht armatoset, dhe vet-armatoset, duke marr në dorë vet flamurin në luftat globale.
Ajrgjaku i jetës sime është poetik. Njëherë në kopsht ( kur isha moshë e re ) desha ta prek një zog, por zogu u tremb, duke më thënë, mos m´prek, prekja jote më le gjurmë. Unë e habitur, u skuqa nga përgjigjja e zogut krah shkruar. Prandaj, që nga ai çast rinor, natyra mbetet poetika ime. Lulet femra dhe lulet meshkuj unë i pëlqej shumë. Motivet me ushtarë të historisë, dhe me prijës të saj, më stërngarkojnë të rrëshqas Kutia e Pandorës nga anija e dhimbjes, dhe nga hamaj të hamallosur.
Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha është veprimtare e palodhur e çështjes kombëtare. Deputete në legjislacionin e parë të Parlamentit të Kosovës. Ambasadore e Paqes, dhe anëtare e Akademisë Evropiane të Arteve. Anëtare e Këshillit të Shkencës në MASHT, anëtare e kryesive të shumë shoqatave shkencore e letrare, anëtare e disa redaksive dhe revistave. .
Prof. dr. Sabile Keçmezi – Basha, është e vlerësuar me shumë çmime të para dhe mirënjohje nga institucione e shoqata të ndryshme. Sabilje Keçmezi- Basha, është anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve në Itali. Ajo deri më tani ka marrë pjesë në mbi 70 tubime shkencore në vend dhe jashtë vendit. Shumë vepra të Prof. dr. Sabile Keçmezit – Basha, janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Figura krijuese e Prof. dr. Sabile Keçmezi Basha me 38 vepra, 300 publikime, 38 fejtone të botuara, dhe me rreth 10 mijë faqe tekst të shkruar, Prof Sabile Keçmezi-Basha, lirisht mund të quhet, krijuesja, Nder i Kombit.
Kontributi letrar dhe shkencor i Prof. dr. Sabile Keçmezit- Basha është kreshtë vullkanore. Autorja e 38 veprave letrare dhe shkencore është sukses i talentit dhe pasionit të saj për artin dhe shkencën. Unë kujtoj se nuk ka një të parë në Kosovë, që të mos krenohet me krijimtarinë poetike dhe shkencore, të Prof.dr. Sabile Keçmezit – Basha. Veprat e Sabiles, „Këmishë e Atdheut“, „Metafora“, „Kujtesën e ka kapur skleroza“, „Natyra pa kornizë“, „Malli për Itakën“, „Kodi i pritjes“, „Lëkura e grisur“,…dhe dhjetra vepra të tjera, janë kështjella të palëkundura përballë erërave të kohës. Mungesa e disa pjesëve të mohuar dhe të pashkruara të historisë sonë, shprehet shkrimtarja dhe shkencëtaraja Sabile Keçmezi-Basha, kraharorin ma bën të digjet dhe të tymojë. Itakë, gërsheti im i përgjakur, më le të dua, më le të përqafoj, tek ti kam një pik të gjakut tim, të stërgjyshërve të mi të mohuar. Suksese, dhe jetë të gjatë autores!
*(Ne Foto: Prof.dr. Sabile Keçmezi- Basha)
Tregim i dhimbshëm nga QKUK
Më mirë do të ishte të emërohet nga një zëvendës minister se sa nga dy dhe ato para derdhën në Klinikën Onkologjike, në të cilën pacientët janë të shtrënguar që vetë t’i sigurojnë barnat që janë shumë të shtrënjta/
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Sa keq. Për më tepër e dhimbshme. Shumë e dhimbshme. Pos sëmundjes këtë dhimbje edhe më shumë po ua shton shteti dhe institucionet përkatëse, të cilat nuk po janë në gjendje që një kërkesë elementare t’ia plotësoj qytetarit të saj në momentin më të vështirë të jetës së tij. Nuk ka mundësi apo nuk ka vullnet për t’iu dalë në ndihmë të sëmurëve rëndë që i ka kapluar kanceri. Vërtetë është tregim i dhimbshëm gjithë ai informacion që delë nga Klinika Onkologjike e QKUK: gjatë tërë vitit të kaluar pacientët janë përballur me mungesën e ilaqeve për të bërë terapin e domosdoshme për ta izoluar eventualisht shtimin e mëtejm të kësaj sëmundjeje vdekje prurëse.
Për darka, dreka e lukse tjera mjete ka sa të duash
Në mungesë të barnave në këtë Klinikë pacientët ishin të shtrënguar që ato t’i sigurojnë vetë, të cilat faktikisht mund t’i blej vetëm ai që i ka punët mirë ekonomikisht. Ndërkaq, të tjerët duhet të futën në borxhe apo edhe të shesin tokë e shtazët shtëpiake për të siguruar barnat që ua cakton mjeku përkatës. Pa këto barna është e pamundshme që të zhvillohet terapia e domosdoshme për ta izoluar sado pak apo edhe eventualisht për ta shëruar këtë sëmundje, së cilës fatkeqësisht u janë nënshtruar një numër i madh i pacientëve.
Drejtuesit e kësaj klinike më të drejtë fajin ia hudhin Ministrisë së Shëndetësisë e cila nuk ka ndarë mjete sipas kërkesave reale për furnizim. Dhe ç’është edhe më keq personeli thekson se ky trend i keq, përkatësisht i kësaj gjendjeje do të vazhdoj edhe gjatë këtij viti. Derisa këta pacientë vuajnë nga kjo sëmundje e rëndë kanerogjene dhe mungesën e parave për të siguruar barnat, në anën tjetër qeveritarët tanë për dreka, darka e lukse tjera kishin mjete sa të duash. Po ashtu, sipas disa informacioneve merret vesh se emërimi i dy zëvëndësminstrave për çdo ministri qeverisë do t’i kushtoj vetëm për të ardhura personale mbi 11 milion euro po aq sa i nevojitën Klinikës Onkologjike. Së këndejmi, më mirë është që ato mjete të derdhën për nevojat emergjente që ka ky institucion shëndetësor në mënyrë që kjo barrë e rëndë që iu është ngarkuar pacientëve jo vetëm të sëmundjeve koncerogjene të zgjidhet njëherë e mirë. Me një fjalë, nëse ka vullnet e dëshirë për të zgjidhur këtë problem të madh, mjetet mund të gjenden në çdo kohë. Ndryshe, një shtet që nuk është në gjendje të kujdeset për shëndetin e qytetarëve të saj, ai nuk mund të quhet shtet në kuptimin e plotë të fjalës.