Ambasadori Arvizu zbulon lajmin: Vizat në SHBA për shqiptarët do të bëhen 3-vjeçare/
Gjatë një interviste televizive në mbrëmjen e se enjtes në Top Channel, pak ditë para largimit pas mbarimit të mandatit diplomatik nga Shqipëria, ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu ka dhënë intervistën e tij të fundit.
Ai ka zbuluar një lajm të mirë për shqiptarët, atë të zgjatjes së afatit të vizave për shqiptarët që duan të shkojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas kryediplomatit amerikan në Tiranë, vizat 1-vjeçare që jepeshin nga SHBA-të, tashmë do të bëhen 3-vjeçare.
“Duke nisur nga nesër, do të kemi një politikë të re që do të zbatohet, – tha Arvizu. – Deri më sot, shqiptarët janë kualifikuar, B1, B2, vizat turistike, vizat e studentëve për një vit, por në ambasadë, ne kemi punuar me Byronë e Çështjeve Konsullore në Departamentin e Shtetit, që të lehtësonim kushtet e lehtësimit të vizave. Jam shumë i kënaqur, që duket nisur që nesër, për të gjithë ata shqiptarë që kualifikohen për vizë studentore apo vizë vizitori, vlefshmëria e tyre do të jetë 3 vjet dhe jo 1. Kjo do të kursejë para, sepse njerëzit nuk janë të detyruar të aplikojnë çdo vit. Në këtë rast, nuk do të ketë ndryshime sa i takon kërkesave për numrin e vizave”.
Lidhur me liberalizimin e vizave me SHBA-të, Arvizu u shpreh se kjo gjë është praktikisht e pamundur: “Do të ketë një rrugë të gjatë që Shqipëria të bëjë pjesë në vendet të cilët hyjnë pa viza në SHBA”, – pranoi Arvizu. (Shqiptarja.com)
NE PERCJELLJE TE ROZIT….
ROZI, KJO TRENDAFILE E RRALLË, E BUKUR, PA GJËMBA!/
“Ndërroi jetë Rozi Theohari” ishte një lajm I hidhur që mori dhenë dhe arriti dhe brigjet e Pacifikut.
Ngushëllime familjes së saj, farefisit, miqëve dhe botës krijuese letrare, artistike e intelektuale shqiptare – e – amerikane, te cilës ajo i takoi me dinjitet dhe të cilën e ndriçoi me nje drite te veçante krijuese dhe idiome artistike te spikatur.
Ajo, ne udhetimin e saj jetesor, ngado qe shkoi, la shenja te rralla të imagjinatës artistike, intelektuale e morale, që buruan nga origjina e saj e fisme dardhare, nga thesari i trashëgimisë së pasur kulturore shqiptare, si dhe nga pasioni dhe përkushtimi i saj i shkëlqyer për t’a bërë këtë botë njerëzore më të bukur seç e gjeti, kur u lind, më të pasur e më shpresëdhënëse për breznitë e sotme e të nesërme.
Në dy dekadat e fundit, në SHBA, ajo e gjeti VATREN e saj dhe DIELLIN e vet, si një forcë natyrore shpërthyen e lulëzuan fuqite e saj krijuese ne një pranverë te dytë të jetës.
Shkrimtarja, edhepse vepron e shkruan në vetmi, ka një status të privilegjuar, sepse mund të krijojë miq e adhurues në anë të ndryshme të ruzullit, të cilët nuk i ka parë ose takuar ndonjëherë.
Rozi, me shkrimet dhe veprat e saj, krijoi miq e adhurues an’e mbanë botës. Dhe unë isha dhe jam një mik e adhurues i heshtur i shkrimeve të saj. Nuk pata fatin t’a takoj ndonjëherë. Por e takova dhe do t’a takojë në shkrimet e saj përherë.
Tani që dielli i saj perëndoi n’ Oqeanin e Amshimit, Rozi, kjo trëndafile e rralë, e bukur, pa gjëmba, e la aromën e saj arbërore si një dhuratë të shtrenjtë botës…
Ja, po e ndjejë aromën e petaleve të zemrës së saj, të cilat bien një nga një, si përshëndetje e fundit lamtumire! Ato janë fshehur e palosur me kujdes midis faqeve të Librit të Jetës së saj, dhe të atij artistik, që vazhdon të jetojë në DIELLIN dhe VATRËN e trashëgimisë së shtrenjtë arbërore e njerëzore.
Lamtumirë, Rozi! Trëndafile e rrallë e bukur pa gjëmba!
Shpirti i saj i pastër u prehtë në paqe e n’ përjetësi!
Ferhat Ymeri
Kent, Washington
E mërkurë, 17 dhjetor 2014
Emigrantët
Nga Ilir Levonja/
Rreth orës 3 të mesnatës një makinë tepër luksoze, hyri në varrezën nr 234 Boca West, në shtetin e Floridas. Aty po lëshonin trupin tim. Eshtë dt 18 dhjetor, dita e 352 sipas kalendarit Gregorian, e vitit 2014. Në të njëjtën kohë, dita botërore e emigrantit. Çudia më e madhe e imja qe fakti se, përse në varrimin tim mungonin miqtë, përfshi këtu gjithë të gjallët e njohur e të panjohur. Vetëm një shofer që më transoprtoi, një burrë me uniformë që më priti dhe më groposi më këmbë. Më tutje asgjë…, mangot kaba dhe natyra e shuar nga hapësira, buzë një rrjedhe të qetë lumi, që ikte i shuar drejt oqeanit. Mu kujtua një tregim i shkrimtares emigrante A. Mëlyshi Lifschin, mbi vdekjet amerikane. Pak a shumë, habia e personazhit, (emigrantit apo emigrantes shqiptare) se si ishte e mundur që të vdiste fqinja, apo fqinji, dhe t’i e merrje vesh pas tri-katër ditësh?! Asnjë lloj gjëme, asnjë lloj hapje shtëpie, asnjë lloj ndarje kafeje e cigaresh, apo edhe hallva e të dyzetave. Nuk e keni idenë se mall ndjeva për shpalljet nëpër shtyllat e rrugëve, pemët ku koriçkat e mandat’njoftimeve, i ngjanin relieveve të maleve argjilore, tabelat në këndet kryesore të qytetit etj.
Thua askush nuk ndau njoftime për mua?
Nga ana tjetër, zura të kundroja listat se kujt i kisha shkuar dhe kujt jo, në vaki apo gjëma të tilla. Përse nuk më ka ardhur filani? Përse nuk më ka ardhur fisteku. Punë hesapesh? Dhe si ishte e mundur që, mungon edhe fqinji i ri, këtu? Por me këtë mungesë nuk u lodha shumë, sepse u kujtova që këtij, nuk i kam shkuar në ndonjë vaki. Biles as ai vet nuk shkoi kur i vdiq e ëma. Vendosën bashkë me të vëllain ta konservonin trupin e saj në një morg duke lënë një datë tjetër për ceremoninë kishtare. Pastaj, shty data- datën, dhe dita- ditën, derisa e ndjera u varros po njësoj si unë. Me dy njerëz, trasnportuesin dhe groposësin. Njeriut me valixhe në dorë, me aeroporte nën këmbë, me gjithë të mirat e tjera. Dhe sa për statistikë sot në botë, kjo kategori njerëzish kap shifrën e 232 milionë. Mesazhi nga kombet e bashkuara erdhi i tillë që, shoqëritë të jenë hapura, për mundësi dhe jetë më me dinjitet të emigrantëve kudo që ndodhen.
Në fakt duhet të jetë dita edhe ndjesës së madhe. Për ata që në vende të ndryshme, për arsye absurde, u vranë në kufijtë me tela me gjemba. Për ata që ngrinë në mallet me dëborë. Për ata që shkrumbuan nën kubetë e kamionëve kontrabandë. Për të mbytyrit e Otrantos. E sa e sa, histori të tjera që nuk i dimë. Lista është e përbotshme.
Gjithsesi t’i kthehemi varrimit tim. Që të mos zgjatem më tutje, nga e gjithë kjo vdekje mësova kuptimin e termit emigrant. Njeriut me valixhe në dorë, me aeroportet nën këmbë, me gjithë të mirat e tjera. Duke ia kompesuar, dikujt ekonominë, e dikujt lirinë.
Veç kurrsesi miqësinë.
VJEDHJA E PRONËS PRIVATE NË ULQIN KONSIDEROHET SI NGJARJE E VITIT
E Drejta e pronës është e drejtë e njeriut/
Nga Frank Shkreli/
Sipas një njoftimi në portalin e Komunës së Ulqinit, të martën u nënshkrua në hapësirat e komunës së atij qyteti marrveshja, midis Kryetarit të komunës, Fatmir Gjekaj dhe përfaqsuesit të kompanisë turke “Aqua Park & Entertainment”, Sahret Hajdarpasic, për ndërtimin e një akva parku që konsiderohet se do të jetë më i madhi në Ballka i këtj lloji. Thuhet gjithashtu se në bazë të kësaj kontrate, kompania turke e cila sipas lajmeve për këtë projekt do të investojë 7 milionë e gjysëm dollarë, paska “marrë me qira” për 30-vjetë tokën ku do të ndërtohet parku. Në sipërfaqe, ky duket një lajm i mirë për atë zonë e cila ka shumë nevojë për investime dhe për një zhvillim ekonomik. Deri këtu gjithçka në rregull.
Por ajo që lexuesi nuk mëson nga njoftimi zyrtar i komunës së Ulqinit dhe madje as nga mediat të cilat dhanë njoftimin në lidhje me këtë marrveshje, është se toka e cila thuhet se kompania turke “ka marrë me qira”, është pronë legjitime me dokumentacion tapie e familjes Rudaj nga Shtoji i Ulqinit dhe se pronarët e tokës nuk kanë dhënë miratimin e tyre për këtë projekt. Familja Rudaj ka bërë një deklaratë për publikun me të cilën kundërshton vendosmërisht këtë marrveshje midis komunës së Ulqinit dhe kompanisë turke “Polin”, për të ndërtuar akva parkun në tokën e tyre që ua kanë lënë të parët, andaj marrveshja nuk ka miratimin e tyre dhe si e tillë marrveshja nuk ka vlerë. Familja Rudaj thotë se si rrjedhim i shkeljes së të drejtave të saj të pronësisë, ajo do të kërkojë të drejtat e veta në nivel vendor, shtetëror dhe ndërkombtar. Ja edhe Deklarata e familjes Rudaj në lidhje me këtë situatë të krijuar në komunën e Ulqinit:
“Ju njoftojmë se parcela kadastrale nr. 2088 në sipërfaqe prej 25.541 metër katrorë është pronë kontestuese e familjes Rudaj në Shtoj të Ulqinit. Këtë e dëshmon vendimi i Komisonit për këthim dhe kopmensim Nr. 030-ul-6-97-05, e datës 17.09.2014, i lëshuar në Tivar si dhe nga vëndimi i Ministrisë së Financave të Malit të Zi, e datës 20.05.2011.
Nga Drejtoria shtetërore për patundshmëri, posedojmë gjithashtu vendimin Nr. 954-1470/11, të datës 5.12.2011, me të cilin lejohet regjistrimi për ndryshimin e asaj pjesë të parcelës. Këtë tokë na e ka marrë shteti komunist në vitin 1949.
Ne familjarët posedojmë madje edhe dokumentin e shitblerjes së kësaj toke, nga viti 1857, të nënshkruar nga kadia Shaqir Isuf, autoriteti vendor turk i asaj kohe.
Kuvendi Komunal i Komunës së Ulqinit ka marrë vendimin që në këtë pronë të ndërtojë akva parkun. Ne si familje nuk e kemi pranuar këtë vendim, për të cilën gjë, zyrtarisht i kemi njoftuar drejtuesit e Komunës së Ulqinit dhe investitorin. Por, ata janë këmbëngulës në aprovimin e vendimit të tyre dhe nuk kanë marrë parasysh kërkesën tonë. U bëjmë thirrje institucioneve ndërkombëtare që të ndërhyjnë në zgjidhjen e këtij problemi.”
Ulqin, 15 dhjetor 2014 Familja Rudaj
Kjo ishte deklarata informuese për publikun nga familja Rudaj e lëshuar të hënën, në prak të nënshkrimit të marrveshjes për ndërtimin e akva parkut në Shtoj të Ulqinit, duke nënvijuar njohjen zyrtare, jo një herë, por dy herë se toka ku është në plan të ndërtohet akva parku, është në të vërtetë dhe legjitimisht toka e familjes Rudaj.
Ky rast në rrethin e Ulqinit duket si një shembull i qartë i asaj që mund të quhet vjedhje e pasurisë private nga shteti. Është kjo një traditë e regjimeve naziste dhe komuniste të cilat gjatë shekullit të kaluar grabitën pasurinë private pa asnjë konsideratë për pronarët legjitim, për të pasuruar veten. Fatkeqsisht, kjo trashëgimi e këtyre regjimeve është ende gjallë në disa raste, pasi në pjesën më të madhe, ndonëse në këto 25-vitet e fundit ç’prej shembjes së komunizmit, prona private e cila ishte konfiskuar nga regjimi komunist, tashmë i është këthyer të zotit. Përveç vendosjes së lirisë dhe demokracisë, këthimi i pronës private tek i zoti, ishte në të vërtetë një prej përfitimeve nga shëmbja e komunizmit dhe si i tillë më vonë u konsiderua, sidomos nga ana e Shteteve të Bashkuara por edhe nga BE-ja, si një kriter me rëndësi për të vlerësuar përparimin e ish-vendeve komuniste për antarësim në organizatën e NATO-s dhe në Bashkimin Europian. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë deklaruar shpesh se këthimi i pronës private të vjedhur dhe të konfiskuar nga shteti, është edhe një provë e zhvillimit të një shteti ligjor e demokratik, dhe janë shprehur njëkohsisht se ligjet jo-diskriminuese mbi pronësinë, janë tepër të rëndësishme edhe për zhvillimin e një ekonomie të tregut të lirë.
Besoj se një ndër ato shtete që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian thonë se, “duket se e kanë të vështirë të administrojnë rivendosjen e të drejtave të pronësisë pronarëve të cilëve u takon toka”, është edhe Mali i Zi dhe rasti konkret i familjes Rudaj në Shtoj të Ulqinit. Ajo tokë nuk është as e komunës së Ulqinit as e qeverisë malazeze, por me tapi e dokumentacion i takon familjes Rudaj. Sipas deklaratës së mësipërme, familja Rudaj me të drejtë ka vendosur që të luftojë për të drejtat e saj ligjore dhe kushtetuese për të marrë pronën që i takon asaj gjysh pas gjyshi dhe të vendosë vet mbi përdorimin e asaj parcele prej 25,5 mijë metra katrorë, ashtu si dëshiron dhe sipas interesave të veta.
Këthimi i pronave të konfiskuara nga cilido shtet qoftë, është i ndërlikuar ndërsa përbën gjithmonë një proces të rënduar dhe si rrjedhim duket se përpjekjet e familjes Rudaj për këthimin e tokës së tyre nuk do të jenë aspak të lehta duke amrrë parasyshë se do t’i duhet të luftojë jo vetëm Podgoricën yzrtare, por edhe autoritetet vendore, përgjegjësia e të cilave në rend të parë është të mbrojnë interesat e qytetarve të vet. Gjatë nënshkrimit të marrveshjes midis Komunës së Ulqinit dhe kompanisë turke, Polin për ndërtimin e akva parkut në mallin e familjes Rudaj, Kryetari i Komunës së Ulqinit Fatmir Gjeka e paraqiti marrveshjen si një mesazh të mirë për investuesit tjerë, duke shtuar se, ”Ulqini nuk ka kohë të presë. Na nevojiten investimet, vendet e reja të punës, klimë e mirë investuese”, tha kryekomunari ulqinak. Kjo që thotë kryekomunari i Ulqinit mund të jetë e vërtetë, por kjo nuk mund dhe nuk duhet të arrihet në kurriz të pronarve të ligjshëm të tokave dhe kundër vullnetit të tyre. Është për tu çuditur se sipas shtypit vendas, gjatë nënshkrimit të marrveshjes, dëshmitarë të këtij uzurpimi të të drejtave të pronësisë së familjes Rudaj në Shtoj të Ulqinit, ishte pothuaj e gjithë përfaqësia politike shqiptare në Ulqin, përfshirë kryetarët e PDS-së dhe PSD-së në Ulqin, Loro Nrekiq dhe Selim Resulbegoviq, Lidhjes Demokratike dhe Iniciativës Qytetare “Perspektiva”, Mehmet Bardhi dhe Amir Hollaj, si dhe drejtori ekzekutiv i UBA, Ibrahim Milla.
Komuna e Ulqinit me shumicë dërmuese shqiptare është lënë tepër gjatë pas dore ekonomikisht, gjë që gjithnjë po detyron shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e tyre autoktone të asaj zone. Gjithkush i dëshiron investimet që do të ndihmonin në përmirsimin e jetës, sidomos të shqiptarëve në atë rajon. Por, të nderuar përfqsues politikë të shqiptarëve në Mal të Zi, duhet të jeni të sigurtë se nuk mund të ringjallet ekonomia dhe as nuk mund të tërhiqni investitorë të huaj duke u premtuar atyre rrëmbimin në mënyrë arbitrare të pronës private dhe përdorimin e pasurisë private që i përket tjetër kujt. “Asnjë fuqi në botë nuk ka të drejtë të rrëmbejë pasurinë tonë, pa miratimin tonë”, ka thënë John Adams, njëri prej themeluesve të Shteteve të Bashkuara dhe një tjetër burrshteti amerikan, John Jay ka deklaruar se, “Prona është me siguri një e drejtë aq e rëndësishme për njerëzimin sa edhe vet liria”. Është thënë edhe se e drejta e pronës private është e drejtë e njeriut. Kur të humbni të drejtën e pronës, kini humbur të gjitha të drejtat e njeriut dhe çdo gjë tjetër. Dhe kjo është pikërisht arsyeja se pse përfaqsuesit politikë të shqiptarëve në Mal të Zi duhet të mbrojnë të drejtën e pronësisë private të qytetarëve të vet, e jo ta shkelin dhe ta abuzojnë atë.
Humbi jetën 16-vjeçarja shqiptare në Pennsylvania
BENSALEM, PANNSYLVANIA : Duke iu referuar një video të trasmetuar, dje, prej kanalit 6 televizivë – WPVI-TV abc, thuhet se policia – po punon duke ndërtuar skemën e vdekjes së një vajze 16 vjeçare e goditur me makinë e tipit Ford Bronco- cila drejtohej nga një 18 vjeçarë, në qytetin Bensalem në Pennsylvania, te enjten pasdite. pasdite.
Shefi i policisë së qytetit ka pranuar se policia po punonë për të ndërtuar skemën një çështje penale, të ngritur kundër një shoferi 18-vjeçar, i cili solli dhe vdekjen një vajze 16-vjeçare – e cila në momentin që u goditë nga makina – ishte duke marrë autobusin e shkollës së saj – pikërishtë, dje të mërkurën në mëngjes.
Fatkeqësishtë, mësohet se viktima e këtij aksidenti tragjikë, është një vajzë shqiptare e quajtur Minete Zeka, një i studente në Shkollën e Mesme Bensalem, e cila gjeti vdekjen pas përplasjes së automjeteve në kryqëzimin Bensalem Boulevard dhe Bridgewater Road. .
Megjithëse, deri tani thotë televizioni abc, nuk ka pasur asnjë akuzë të ngritur kundër shoferit 18 vjeçar – studenti i Shkollës së Mesme Buck County Technical, por policia thotë se automjetiti të tij mbas inspektimit i janë gjetur probleme të shumta, që lidhen edhe me goditjen e vajzës 16 vjeçare.
Një zyrtar i policisë e përshkroi automjetin SUV tipi Ford Bronco, si një “makinë me shumë probleme të rënda.”
Burimet e televizionit thonë atij i mungonte edhe “uji shkrirës” që lanë xhamat e makinës – mbasi në atë moment të aksidentit xhamat e automjetit mund të kenë qenë të mbuluar me akull.
Televizioni i kanalit të 6 televizivë – WPVI-TV abc, ka mësuar automjeti nuk mund të ketë qenë edhe i regjistruar ligjërisht.
Policia, thotë simbas hetimeve se shoferi as nuk e ka parë viktimën – përderisa ai ka ” injoruar dritat e ndezuara të cilat janë shenja për të ndaluar dhe hapur krahun për autobusin e shkollës kur është i ndalur duke marrë ose zbritur nxënsit e shkollës.
Hetuesit, thonë se kanë konfiskuar edhe telefonin celular të shoferit për të përcaktuar nëse ai kishte qenë në përdorim në kohën e aksidentit.
Stacioni i Policisë në qytetin Bensalem ka hedhur një numër telefoni dhe kushdo që mund të ketë qenë dëshmitarë i këtij aksidentit – mund të kontaktojë hetuesit në këtë numër : 215-633-3719.
Në natën e mërkurë, pra dje miqtë dhe familja u mblodhën për të kujtuar Minete Zekën, në vendin ku ajo mbeti e vdekur si pasojë e këtij aksidenti tragjikë, duke ndezur qirinjë, dhe u lutur për shpirtin e saj duke vendosur edhe lule tek fotografitë e saj në anë të rrugës.
Në një postim në rrjetin social facebook Shoqata “Bijte e Shqipes”, në Philadelphia, shkruan se ndjehet shumë e tronditur nga njofimi për vdekjen aksidentale të vajzës 16 vjeçare Minete Zeka, e bija e Selim Zekës nga Kosova – me banim në Bensalem,
Kurse shton se “Duke shprehur ngushëllimet për familjen dhe gjithë të afërmit e saj, Shoqata “Bijtë e Shqipes” bëhet pjesë e kësaj dhimbje dhe njëkohësisht lutet që – familja Zeka të gjejë forcë për t’a përballuar këtë humbje të madhe të vajzës së tyre të dashur./B.Sina/