Nga Mr. Delvina Kërluku*/
Historia e rilindjes së ndjenjës kombëtare të shqiptarëve ortodoks në Republikën e Maqedonisë, është histori e përsëritur te një numër i madh popujsh, ose pjesë të tyre. Rrethanat shoqërore dhe historike, siç janë trysnitë, masat gjenocidale dhe asimiluese, joshjet e ndryshme, presionet ekonomike, etj., ndikojnë në tjetërsimin kombëtar apo fetar të popujve, sidomos nëse për një kohë të gjatë gjenden nën sundimin e ndonjë pushtuesi superior në planin ekonomik, ushtarak apo kulturor. Këtë fat e kanë përjetuar edhe shqiptarët ortodoks të krahinës së Rekës, territor ky që gjendet në mes të Gostivarit dhe Dibrës. Këta banorë kanë të njëjtën gjuhë, histori, kulturë me shqiptarët e tjerë, por ata nuk i përkasin të njëjtit besim fetar të cilit i përket shumica e shqiptarëve të kësaj ane, atij mysliman. Pra, janë të besimit ortodoks. Dhe pikërisht kjo ishte thembra e Akilit, nga ku u sulmua komponenti kombëtar i tyre. Por jo vetëm ky. Por, ç’është e drejta, kjo çështje kërkon një hulumtim më të gjithanshëm dhe këtë duhet ta bëjnë njerëz me dije përkatëse dhe me guxim shkencor e njerëzor. Kushtet shoqërore kanë ndryshuar dhe më kryesorja është rizgjimi i tyre dhe deklarimi i tyre. Por, atyre patjetër që u duhet përkrahje permanente nga forca konstruktive dhe nga organe shoqërore, qarqe shkencore, shoqëria cilivile etj. Ky proces nuk duhet të kuptohet si fushatë dhe as të veprohet si në kushte fushate. Kjo çështje tani më nuk është kufizuar vetëm brenda kufijve të Maqedonisë dhe e shqiptarëve të kësaj republike. Se kjo çështje ka gjasa të jetë kuptuar si obligim mbarëkombëtar, flet edhe interesimi i masmedias nga Tirana. Rilindja kombëtare e këtij komuniteti po preokupon qarqe të ndryshme shkencore dhe shoqërore. Edhe këta njerëz, por edhe ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se vetëdijesimi është proces shumë i vështirë, aq më tepër kur rrethanat shoqërore, nuk janë aq të favorshme. Reagimi i qarqeve politike maqedonase, nuk është miqësor, të mos përdorim edhe ndonjë kualifikim më të papërshtatshëm. Këtu duhet të kemi parasysh edhe reagimin ekstrem negativ të Kishës Maqedonase rreth propozimit për themelimin e Kishës Ortodokse Shqiptare në Maqedoni. Habia bëhet aq më e madhe, kur dihet se sa e ndjeshme është kjo çështje, pasi ata po e vuajnë mbi shpinë prej 5-6 dekadash. Shtrohet pyetja: përse këto qarqe kishtare, pse jo edhe politike, janë ngritur peshë kundër një vendimit të një komuniteti për t’u kthyer në identitetin e vërtetë, duke zhveshur petkat e prera e të imponuara nga qarqe dashakeqëse, pse mos themi edhe shoviniste. Ka vetëm një përgjigje: të rritet me çdo kusht numri i radhëve të tyre, e të zvogëlohet ai i të tjerëve. Më në fund, vetëdijesimi i shqiptarëve ortodoksë ka edhe komponentin human. Ata zgjohen nga kllapia, duke zhdavaritur iluzionin e imponuar se janë ata që s’janë dhe se duhet të sillen sipas një kodi të huaj për ta. Dhe, që ky gjumë ka zgjatur kaq gjatë, një pjesë të fajit e kemi edhe ne shqiptarët e besimit myslimanë, që gati-gati i kemi flakur nga vatha jonë vëllezërit tanë. Ne, me vetëdije apo pa të, hoqëm dorë nga trashëgimia kulturore dhe historike e përbashkët. Por, derdhja e lotëve për të shkuarën nuk të shpie kund. Tani vala e kthjellimit duhet të na zgjojë të gjithëve, duke na obliguar të bëjmë secili aq sa mundet. Por, është shumë me rëndësi, që në këtë rrugëtim e veprim, të mos na bashkëngjiten pseudo shkencëtarët, pseudo dashamirësit, pseudo kontribuuesit, ata që duan të përfitojnë, në çdo aspekt, ndonjë trofe nga kjo luftë e gjatë, e vështirë, e ndershme, konstruktive.
Për lexuesin e interesuar do ishte mirë që këtu të nënvizohet edhe fakti që këtë betejë e ka filluar Shoqata “Josif Bageri”, e cila botoi librin mbi Josif Bagerin, mbi shqiptarët e Rekës me autor Branislav Sinadinovksi, organizoi konferenca shkencore, tribuna dhe aktivitete të ndryshme, për të hedhur dritë mbi këtë çështje, duke dashur ta sensibilizojë edhe opinionin më të gjerë. Ajo që bëri shoqata mbase mund të konsiderohet edhe modeste, por në kohën kur e filloi betejën, ishte ngjarje. Këtu nuk duhet harruar edhe kontributin e gazetarëve shqiptarë të televizionit të Shkupit, të cilët në një kohë shumë më ndryshe se kjo jona, guxuan të flasin për këtë kauzë. Kontribut për të ruajtur vlerat artistike dhe kulturore kanë dhënë edhe mbledhësit e folklorit dhe veshjeve kombëtare të kësaj krahine shqiptare, të cilat, bashkë me poezinë e rilindësit Josif Bageri, flisnin dhe flasin aq qartë për përkatësinë e trungut të përbashkët tonë kombëtar shqiptar. Kontributi i çdo njërit në zgjimin dhe afirmimin e këtij zgjimi, i kalon kufijtë e një kontributi normal – ai merr përmasat e misionit.
*Autorja ka qenë kryetare e parë e Shoqatës “Josif Bageri”
Zotimi i Thaçit: Do punoj për njohjen e Kosovës nga 2/3 e vendeve në OKB
Prishtine- Hashim Thaçi flet si ministër i Jashtëm. I emëruar me këtë post në qeverinë e Isa Mustafës , ish kryeministri Hashim Thaçi prezantoi objektivat: “Njohja ndërkombëtare e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës do të jenë në fokus të diplomacisë së Kosovës, duke lobuar fuqishëm me qëllim të forcimit të pozicionit ndërkombëtar të Kosovës, për të vendosur marrëdhënie diplomatike me shumicën e shteteve anëtare të OKB-së”.
Përmes një postimi në facebook, paraditen e sotme Thaçi u shpreh se diplomacia e Kosovës do të synojë dhe do të punojë që gjatë këtij mandati të arrijë njohjen nga 2/3 e shteteve anëtare të OKB-së.
Ramush Haradinaj: Kam bërë gabime në politikë
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës pranon se ka gabuar dhe paralajmëron reformë të politikave dhe organizative.
Në një fjalë të mbajtur në takimin me strukturat e përgjithshme drejtuese të AAK-së, Haradinaj u shpreh se Aleanca ka vendosur të pastrojë oborrin e vet.
Sot zhvilluam takimin me strukturat e përgjithshme drejtuese të AAK-së, tha kreu i Aleances Haradinaj.
Aleanca nuk do të jetë më e njëjtë, duke më përfshirë edhe mua. Kam bërë gabime në politikë.
Por, do të reformohemi dhe do të ndryshojmë. Fuqishëm dhe pandalshëm. Ky ndryshim do të jetë i plotë: Reformë e politikave dhe reformë organizative.
Ne e vlerësojmë mbështetjen e qytetarëve që na është dhënë për 15 vjet me radhë. Do të angazhohemi për të ndërtuar një momentum të ri. Do të përgatitemi intensivisht për të merituar besimin të plotë dhe të fuqishëm të qytetarëve.
Do të fillojmë menjëherë me punë për të ndërtuar një forcë politike për të gjithë qytetarët e Kosovës, ngado që janë, të të dy gjinive, të të gjitha moshave, të të gjitha profesioneve.
Do ta intensifikojmë qysh tash angazhimin për të ndërtuar ekipin e ri. Kërkoj angazhimin tuaj. Të të gjithëve. Të seciles dhe secilit që ka vendosmëri për të sjellë ndryshimin e vërtetë.
Ne do të ndërtojmë Aleancën e të gjithë qytetarëve të ndershëm dhe të përkushtuar për jetë të mirë. Të të gjithë atyre grave e burrave të Kosovës që besojnë në demokraci, shtet ligjor dhe funksionim të shtetit.
Po ju them krejt publikisht:
– Aleanca nuk ka vend për asnjë shkelës të ligjit.
– Aleanca nuk ka vend për gangsterë që përfitojnë në emër tonin e të Aleancës.
– Aleanca ka vendosur të pastrojë oborrin e vet.
– Aleanca i shpallë të përjashtuar qysh sot këdo që ka keqpërdorur detyrën zyrtare apo buxhetin qoftë në nivel komunal, qoftë në nivele tjera.
– Për Aleancën, kushdo jashtë strukturës apo brenda strukturës së Aleancës, që mënyrë të jetës e ka haraçin dhe fajdet është kriminel dhe duhet të shkojë në burg.
Po u them sot të gjithë njerëzve të tillë publikisht:
Largoni këmbët e duart larg nga zyrat e strukturat e Aleancës. Nuk na duhet vota juaj, nuk na duhet vota e kriminelëve!
Harrojeni, kushdo që jeni, se mund të silleni me papërgjegjësi para qytetarëve e duke u thirrë në emër të Aleancës. Kushdo, ama kushdo që sillet ashtu, nuk është Aleancë. Nuk ka qenë kurrë Aleancë dhe nuk do ta lejojmë afër nesh.
Personat e tillë duhet ta kenë vendin në burg, jo në Aleancë dhe askund nëpër parti politike. Fatkeqësia është se shteti nuk po funksion, sepse përndryshe të papërgjegjshmit dhe gangsterët do të përballeshin me ligjin!
Po ju them qartë dhe prerë:
Aleanca nuk është streha e profiterëve. Asnjëherë nuk ka qenë, por ndoshta ndokush edhe brenda strukturave të Aleancës nuk e ka kuptuar këtë!
Përkundrazi:
– Aleanca po përgatitet për të ndryshuar Kosovën, por së pari do ta ndryshojmë veten.
– Po e hapim partinë për intelektualë, për profesorë e aktivistë të shoqërisë civile.
– Po e hapim partinë për nivelin më të lartë të dijes në Kosovë.
– Po e hapim partinë për të gjithë.
Anëtari i Aleancës duhet të jetë:
– I ndershëm
– I pakorruptuar
– I sinqertë
– I arsimuar dhe kompetent
– I gatshëm për të shërbyer për popullin.
Ky është anëtari apo anëtarja e Aleancës. Dhe, të tillë Kosova ka shumë. Qytetarët e Kosovës janë të mirë, të ndershëm, punëtorë. E tillë do të jetë Aleanca e Ndryshimit. E mirë, e ndershme, punëtore.
“Performanca” një dramë që flet në emër të lirisë
*Flet aktori Marsias Lila/
-Sot nuk e ndiejmë dorën e ngrohtë të aktorëve të vjetër/
-Preferencat sot në teatër kanë më shumë natyrë politike/
-Mungesa e teatrove bën që të trokasim në dyer të mbyllura/
-“Performanca” një dramë që flet në emër të lirisë/
– Filmi nuk po arrin të mbushë boshllëqet e aktorëve/
– Sot është shumë e ë vështirë të jetosh me art dhe pse arti na ka çuar me kohë në Europë/
Nga Albert Z. ZHOLI/
Me origjinë nga Tepelena por që prej vitit 2002 jeton në Tiranë . Mbaroi studimet për aktrim në vitet 2002-2006. Monodrama “Performanca” e cila u vu në skenën e Teatrit Metropolit për dy net në sallën Shekspir, ka pasur një impakt për publikun. Komentet janë nga më të ndryshmet, pasi aty çdo njeri ka gjetur veten e vet. Drama përshkruan temën e lirisë, demokracisë, ekzistencializmin e njeriut në shekullin e 21-të, dimensionet e lirisë së njeriut
Regjia Edlira Baholli, autor Odise Kote, skenograf, Beqo Nana, muzika Florian Hoxha, dhe producent Marsias Lila
Ku ishte vështirësia në realizimin e kësaj monodrame?
Vështirësia e parë ishte gjetja e sallës, e ambientit për shfaqje. Duhet të trokasësh gjithkund për sallë, kur shikon që në sallat tona shfaqen edhe drama apo komedi pa atë nivel që kërkohet. Pra vërehet se antivlera po mbyt vlerën. Kjo ndodh në shumë kategori sociale qoftë dhe në institucione arti. Vështirësia e dytë është buxheti, financimi, pasi kjo ishte një iniciativë e lirë e jona si grup. Jetojmë në një sistem ku iniciativa e lirë mbetet primare dhe pse arti i kalon kufijtë e vetvetes dhe ka karakter edukues mbarë botëror.
D.m.th teatri dhe aktorët s’po e gjejnë vetveten?
Di të them se për ne të rinjtë është shumë e vështirë të çash. Nuk po gjejmë atë dorë të ngrohtë nga të vjetrit. Ende për ne hapësirat janë shumë larg. Në TK, të rinjtë janë fare të pakët, por nga ana tjetër shohim se në këto institucione të rëndësishme të artit futen si pjesëtarë të trupës aktorë që herë i përkasin një bindje politike, herë një tjetre. Drejtuesit e këtyre institucioneve shikojnë brenda kornizave partiake. Ky është mendimi im.
Çfarë do të thotë kjo?
Është fare e qartë. Nuk ka një konkurrencë reale. Pra afrimi pranë këtyre trupave bëhet me njohje, bindje politike, kjo është dominonte. Politika ndikon dhe në emërime. Krijohen qarqe të shkurtra. Sot politika ka hyrë dhe brenda në familje. Po çahen familje për bindje politike. Janë ndarë fise për vite që nuk flasin. Kështu bëhet kur politika vihet në plan të parë . Ne duhet të heqim dorë nga kjo mendësi, pasi sot nuk flet as vëllai me motrën për bindje politike.
Ku e sheh veten më mirë Marsiasi, në dramë apo në komedi?
Unë veten e gjej më shumë në dramë. Por disa herë komedia gjendet edhe brenda dramës, gjatë interpretimit dhe gjetjes së detajeve. Në disa drama ka probleme sociale që spektatori i sheh si hallin e vet, si pjesë e problematikë së tij të përditshme. Halli im, në rol, në fakt përbën hallin e dikujt në sallë që ai shpërthen në të qeshura.
Përse në Shqipëri vihen më shumë drama të huaja se shqiptare?
Sepse në kësi rastesh, regjisorët e kanë më të lehtë plagjiaturën, e kanë më të lehtë strukturën, pasi e kanë atë të gatshme dhe lodhen shumë më pak dhe nuk vënë në funksion idenë, mendimin, njohuritë e tyre.
Kush e ka më të vështirë sot të çajë në teatër, një femër apo një mashkull?
Mund të them se nuk ka përcaktim, nuk shoh asnjë preferencë gjinie por partie. Pra të dyja kategoritë e kanë të vështirë të gjejnë punë jashtë preferencave të bindjeve politike.
Cili është mesazhi kryesor i dramës “Performaca” që ju vutë në skenë në teatrin “Metropol”?
Mesazhi i kësaj vepre është lidhja me problematikat e kohës dhe liria e njeriut. Së pari rëndësi në vepër i është dhënë përmbajtjes, por më tej edhe formës. Të dyja këto elementë të alternohen dhe kështu çdo njeri mund të gjejë mrekullinë e jetë s. Pra liria fitohet me dituri, arsim, me punë me mos nënshtrim, me art.
Ju e zhvendosët shfaqjen menjëherë në Ferizaj? Pse drejt Kosovë s?
Ndoshta Kosova si shtet i ri ka më shumë nevojë për art, për drama njerëzore. Ata ende si popull janë më idealist, pasi bënë një luftë heroike në shekullin e XXI. Kosovarët janë të dashuruar me artin dhe mund të them se ka shumë aktivitete të ndryshme të tilla që ata i ofrojnë me shumë dëshirë. Aty gjen një shtrat të ngrohtë për artin në përgjithësi por sidomos për dramën në veçanti, pasi mbi trupin e tyre kanë kaluar drama të pabesueshme.
Keni ndonjë peng në fillimet e para të karrierës suaj?
Pengu qëndron tek mos afrimi i brezit të vjetër. Mos gjetja e dorës së ngrohtë. Nuk e shohim dritën jeshile, ku të gjejmë veten tonë tek ata. Nuk po shikoj përpjekjet e tyre që ata të na futen në botën tonë, në dëshirat tonë , në ëndrrat tona. Ndoshta dhe se ata kanë vështirësitë e tyre që të ruajnë vendin e punës, sepse është fenomeni i zëvendësimit, ku gjithkush e sheh veten të rrezikuar.
Po filmi shqiptar a ka hapësira për aktorët e rinj?
Besoj se hapësirat në film janë shumë më të pakta se në teatër, pasi filmi ka shumë shpenzime, prodhohen shumë pak filma dhe filmat nuk jepen drejtpërdrejt. Dhe pse kam marrë pjesë në disa filma mund të them se filmi shqiptar është në krizë. Aktualisht dihet se sa fila prodhon QKF dhe se si procedohet.
A mund të jetosh sot me art?
Sot ne kemi shumë nevojë për artin. Arti është i përbotshëm. Në psikologjinë time, mënyra më e lehtë për të edukuar njeriun, për të afruar njerëzit me njeri-tjetrin, për të zbutur problemet e shoqërisë është arti. Por sot është e vështirë të jetosh me art. Sot arti ka bërë atë që Shqipëria të jetë krenare për artin, pasi ja ka ngritur lart emrin.
“POTPURI DARDHARE” NGA ROZI THEOHARI
Nga Prof. Murat Gecaj/
1-Megjithëse nuk është aq e rëndësishme për lexuesit e këtyre radhëve, po tregoj se me autoren e librit të ri, “Potpuri dardhare-Kujtimet e mia nga fëmijaria dhe jeta e shkollës”(Tiranë, 2014), jam njohur këtu e 50 vite më parë. Jemi takuar jorrallë në redaksi revistash e gazetash të kohës, me të cilat ne bashkëpunonim. Atëherë, ajo ishte dhe redaktore e revistës “Shëndeti”. Sigurisht, më pas, jeta na hodhi në udhë të ndryshme dhe ka vite që Rozi Theohari (Çeku) jeton në Boston të Amerikës dhe përsëri unë, në Tiranë.
Po edhe po të mos ishin ato, që shkrova më lart, tani ne na lidhë bashkëpunimi në faqet e Internetit, sidomos “Bota e Re” e korçarëve (ku kam hyrë paksa “ilegalisht”, pasi nuk jam nga ai rreth). Sidomos në vitet e fundit, kemi shkëmbyer e vazhdojmë të shkëmbejmë mesazhe miqësore, por dhe të lexojmë shkrime e krijime të njëri-tjetrit. Kështu, para pak ditëve Rozi më shkroi se kishte lënë për mua një libër të saj, te shtëpia botuese “Email”, e mikut tim të kahershëm, Astrit Muça. Dhe ja, tani këtë libër e kam ndër duar dhe dëshiroj ta shfletojmë së bashku, jo me synimin për të bërë një recension të mirëfilltë.
2.
Ky libër ka gjithësej 500 faqe e format të madh. Atë, Rozi ia ka kushtuar nipit “gjysëmshqiptarit të vogël, Jan Sommer, me dëshirën, shpresën dhe urimin që ta mësojë e ta dojë shqipen dhe vendin e origjinës së gjyshes shqiptare”. Por ajo, një emigrante shqiptare e shekullit të 20-të, përtej Oqeanit Atllantik, në hyrje ka shkruar me dhimbje edhe këto radhë: “Nënat dhe gjyshet tona dardhare u thinjën, duke pritur tërë jetën që t’u ktheheshin shëndosh e mirë bashkëshortët, nga Amerika”. Ndërsa aty autorja ka bërë pak sqarime për lexuesit, duke nënvizuar se: “Nën efektin e kësaj klime, ka rrjedhur edhe ai varg ngjarjesh, ku kam qenë e përfshirë edhe unë, në kohën time, me të cilat në mënyrë figurative i kam emërtuar “potpuri dardhare”. Pasqyrimi i tyre mëton të tregojë jo thjesht jetën e një vajze, por edhe vlerat e gjithanshme natyrore, atdhetare, morale e njerëzore të Dardhës, fshatit tonë të dashur.Janë ato vlera, që përbëjnë magjinë e paparsëritshme të atij këndi të bekuar, në prehër të Moravës”.
Tërë ky libër jetëshkrimor (autobiografik) është ndarë në 40 pjesë e në fund shoqërohet me epilogun e “fjalorthin” dhe me disa letra, nga miq e lexues. Gjithashtu, aty janë vendosur mjaft fotografi, si nga jeta e autores Rozi Theohari dhe e familjarëve tjerë ose miqëve të saj. Faqe pas faqeje, duke sjellë në kujtesë jetën e vet e të familjarëve të sotëm dhe të paraardhëseve, shkruan me frymëzim e pasion, me nderim e krenari të ligjëshme, për çdo gjë të bukur e të mahnitshme të vendit të saj, Dardhës së njohur të Korçës. Se ajo është e ndikuar fuqishëm edhe nga malli e nostalgjia e një emigranteje, tanimë, në një moshë disi të shkuar. Prandaj flet me dhimbje, si për emigracionin e kaluar dhe për atë të ditëve të sotme, duke nënvizuar vargjet e një poezie: “Zgjohen mëngjset e mërgimit,/ me mallin për erën e Moravës…”. Ishte viti 1890, kur u vendosën në Boston e gjetkë në Amerikë, dardharët e parë, si Misto Millona e Dhamo Çeku…Vetë Rozi shkruan me mjaft nostalgji për fshatin e vendlindjes së vet, Dardhën dhe për paraardhësit, deri sa ndalet në ato radhë, kur tregon se aty “u lind një vajzë syzezë”.
Në kujtimet e fëmijërisë kanë mbetur mjaft ngjarje, për të cilat rrëfen Rozi, pas kaq vitesh. Ishin ato vite pushtimsh të huaja e lufte për liri, të cilat sollën edhe shumë dhimbje, lotë e tragjedi për familjet shqiptare. Pastaj përshkruan periudhën e paslufts, gjithashtu e mbushur me ngjarje dhe mjaft probleme jetësore. Ashtu si të gjithë fëmijët, ajo e ruan të pashlyer në kujtesë gjyshen e vet Katerinë, nënën e “babain kapitalist” dhe të afërm tjerë të saj. Dhe erdhi koha, kur ajo e nisi me dëshirë jetën shkollore, në atë vatër drite e diturie, e cila quhej “idhulli i fshatit”. Ato ngjarje të bukura e të paharruara, ndër të cilat ishte dhe takimi me profesorin Spiro Konda, autorja i ka gërshetuar mjeshtërisht me festat e stinëve të vitit dhe ato në shkollë, me fejesa e dasma familjare etj.
Një jetë e re për Rozin ishte fillimi i mësimeve në Gjimnazin “Q.Stafa”të Tiranës, në vjeshtën e vitit 1954. Një ndër kujtimet e paharruara për të, ishte njohja dhe miqësia me këngëtaren e ardhshme, Vaçe Zelën. Pjesë e tyre është dhe fletorja, me kujtimet e viteve në atë shkollë të mesme, por dhe më tej, në Institutin e Lartë Ekonomik, ku u shqua në veprimtaritë me rininë. Sigurisht, jeta e kryeqytetit ishte e mbushur me shumë ngjarje, të cilat ajo i përshkruan me dëshirë e pasion. Megjithatë, kurrë nuk do ta harronte Dardhën e saj të dashur, ku do të kthehej përsëri e përsëri edhe kur, shumë vite më vonë, do të nisej që nga Bostoni i largët, përtej Oqeanit Atllantik…
3.
Në mbyllje të këtij shkrimi të thjeshtë informues, dëshiroj të tregoj diçka përmbledhurazi për autoren e këtij libri, Rozi Theohari (Çeku). Ka nisur të shkuajë, në poezi e prozë dhe të botojë në vitet ’60-të të shekullit të kaluar, në gazetat e revistat e kohës, si “Drita”, “Hosteni”, “Shqiptarja e Re”, “Fatosi” etj. E prirur në fushën e humorit dhe satirës, botoi disa libra në poezi, si: “Telashe nga emancipimi”(1969), “Në mungesë të gruas sime”(1973) e “Shoku Ndriçim hapi kasafortën”(1977); novelat “Pa diagnozë”(1978) e “Teto Kalina”(1990). Ndërsa në vitin 1987, shkroi skenarin e filmit të njohur, “Familja ime”. Me dëshirë ka shkruar edhe për të vegjëlit, “Ne shkuam pranë babait”-tregime (1971) e “Lule, lule kuqëlon”-vjersha(1978).
Por e pasur është edhe krijimtaria letrare e Rozit, pas vitit 1994, kur emigroi familjarisht në Amerikë. Në Tiranë, kishte studiuar për ekonomi e letërsi dhe atje përfundoi degën “Artet Liberale”, në Lynn-Mass. Duke iu përkushtuar krijimtarisë letrare, shkroi e botoi disa libra të tjerë, në poezi e prozë dhe shqip e anglisht, duke e çuar numrin e tyre në 18, me librin “Kur çelin magnolet, në Boston”, të cilit iu dha Çmimi “Fan Noli”(2012). Por me çmime janë vlerësuar edhe libra të tjerë të mëparshëm, si “Mbi thinja fryn erë”, me Çmimin “Pena e Artë”(2005) etj. Dëshmi e vlerës së librave të kësaj autoreje është fakti, se gjashtë libra të saj ndodhen në Bibliotekën e Kongresit Amerikan.
Krijuesja e pasionuar Rozi Theohari është dhe një veprimtare e njohur, ndërmjet Bashkësisë Shqiptare në Amerikë; bën pjesë në disa klube të shkrimtarëve amerikanë; shkruan në gazetat shqip-anglisht, “Illyria” e “Dielli” etj. Me këtë rast, e përshëndesim dhe e urojmë përzemërsisht për librin e ri, për të cilin folëm shkurtimisht më lart, si dhe për tërë krijimtarinë e saj të pasur dhe interesante, letrare e publicistike, duke i dëshiruar: Shëndet të mirë, botime të tjera, gëzime dhe lumturi, si për veten e familjen!