• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rehabilitimi i Enver Hoxhës

December 7, 2014 by dgreca

Rehabilitimi i Enver Hoxhës dhe bllokmenëve të tjerë nga Edi Rama, kthim drejt të shkuarës por dhe drejt putinizmit!/
Nga Dr. Sali BERISHA/
Dy ditë më parë ministrat e jashtëm te BE pralajmeruan Vladimir Putinin dhe Rusine te qendrojne larg Ballkanit Perendimor. Ky ishte nje paralajmerim shume serioz i bazuar ne perpjekjet e paskrupullta te Vladimir Putinit per te rilindur te gjitha llojet e lidhjeve te fetare, ideologjike, politike, ushtarake, kulturore, tregtare etj, te Rusise jo vetem me Serbine e njohur historikisht ne rajon edhe si “little Russia”, por dhe me vende te tjera te rajonit me rajonin. Ketu, natyrisht lidhjet me te para jane ato fetare me vendet me shumice ortodokse te rajonit nen moton e pansllavizmit apo “bratja sllavjani”.
Ne epiqender te ketyre perpjekjeve padyshim eshte Serbia, e cila historikisht eshte njohur jo pa arsye si “litlle Russia”. Po rikujtoj ketu se ne viziten e tij ne Beograd ne vitin 1990 Mihail Gorbachov i vleresoi si gjenetike lidhjet midis rusve dhe serbeve. Jo pa domethenie eshte ne kete kontekst vizita pompoze e Putinit ne Serbi shoqeruar me nje parade ushtarake te stilit rus te spostuar dhe te mbajtur 4 dite para afatit ne nder te Carit te ri te Rusise. Po ne kete drejtim shkon edhe mbeshtetja e hapur e Moskes per Dodic, i njohur per serbomadhine e tij.
Shqiperia dhe Kosova nuk jane ne grupin e vendeve “bratja sllavjani”. Mirepo vet Putin, per te justifikuar pushtimin e Krimes, iu referua disa here Kosoves jashte çdo konteksti, sikunder Gorbaçov ne 25 vjetorin e renies se murit te Berlinit u shpreh se pavaresia e Kosoves dhe anetaresimi i Shqiperise ne NATO kane qene gabime te perendimit, pra qe kane ndikuar ne ekuilibrat midis NATO-s dhe Rusise.
Por ne rast se Shqiperia dhe shqiptaret nuk kane lidhje fetare dhe historikisht kane patur tek ruset dhe serbet armiq te eger te qenies dhe ekzistences se tyre, mjerisht ka patur nje periudhe qe na bashkoi dhe vllazeroi me armiqte tane shekullor, dhe kjo periudhe ka qene diktatura komuniste. Edi Rama, sipas burimeve zyrtare publike ruse, ministri i pare i jashtem qe takoi ne OKB, vetem dy jave pas votbesimit te tij, ishte Ministri Lavrov. Madje ne ate kohe mediat shkruan se Rama me se pari i premtoi atij dhe me pas aleatit tone kryesor shkaterrimin e armeve kimike ne Shqiperi. Luften e Dyte Boterore dhe te renet e saj i nderojne te gjithe popujt qe luftuan kunder boshtit nazifashist, por klika Rama – Meta zgjodhen per te nderuar luften e shqiptareve per liri kombetare, rehabilitimin e Enver Hoxhes, Hitlerit shqiptar te Pasluftes, armikut me mizor te lirise se shqiptareve, armikut me te eger te çeshtjes sone kombetare, njeriut qe renditi Shqiperine me armiqte e saj shekullor dhe kunder miqve tane tradicional perendimor. Ata, gjate nje viti, si per te sfiduar NATO-n dhe aleatet tane, festuan Luften e Dyte nga qyteti ne qytet me portrete te Enver Hoxhes duke perdhosur keshtu Luften dhe gjakun, idealet e te reneve tane.
Reagimit te drejte te Ambasadorit Amerikan, mikut te tij, qe u detyrua me vendosmeri te reagoje me te drejte kunder festimit te ngjarjeve te Luftes me portrete te Enver Hoxhes dhe e quajti Enver Hoxhen monster, Edi Rama iu pergjigj ketij qendrimi flake per flake duke shnderruar ne muze per Enver Hoxhen nje bunker te kohes se Luftes dhe duke e stolisur jo vetem me fotot e diktatorit, tashme te marra direkt nga arkiva familjare e Hoxhes, por dhe sende e objekte te tjera personale qe kurre ndonjehere nuk kishin ekzistuar aty. Madje duke bere personalisht guiden per ate dhe per diplomate e ofiqar ne muzeun e monstres.
Keshtu sot, vetem Skenderbeu dhe Enver Hoxha kane muzete e tyre shteterore. Gjate nje viti, i vetmi evokim qe i beri ndihmes se aleateve perendimore per Luften ishte citimi i pacipe i trillimit te Enver Hoxhes per palet e kepuceve te dyja te nje kembe, te kembes se djathte. Ne kuadrin e rehabiltimit te nomenklatures Hoxhiste, Edi Rama ka dekoruar mbi 1000 ish ministra bllokmene, xhelate persekutor te shqiptareve, agjente te sherbimeve ruse dhe jugosllave, dhe Vito Kapo eshte vetem njera prej perfaqesueseve me tipike me te larte te ketyre te dekoruarve. Nje festim te tille Luftes se Dyte e ka bere vetem Lukashenko. Duke rikthyer dhe evokuar me miresim diktaturen, kohen e afrise sone fatale me armiqte tane, Rama çon uje ne mullirin e tyre!

Filed Under: Editorial Tagged With: i Enver hoxhes, Rehabilitimi, Sali berisha

Pse po vetëvriten njerëzit në Ferizaj?

December 7, 2014 by dgreca

Ferizaj tronditet sërish me vdekjet nga shumëkatëshet.
Të dielën, rreth orës 13:00, ka ndodhur një rast tragjik, ku ka humbur jetën i riu U.M.,16 vjeçar, duke u hedhur nga kati i 6-të i një ndërtese afër rrethit në rrugën e “Gjilanit”.
“Edhe pas përpjekjeve të ekipeve të emergjencës së spitalit të Ferizajt, adoleshenti ka ndërruar jetë.
Prokurori pas shqyrtimit të rastit dhe me kërkesën e familjarëve, ka lejuar që trupin e pajetë ta marrë familja, sepse sipas të gjitha të dhënave, kemi të bëjmë me vetëvrasje”, pohoi për gazetën “Koha Ditore”, eprori policor, nënkoloneli Basri Shabani.
Ky është rasti i tretë brenda periudhës dy muajshe kur viktimat kanë rënë nga ndërtesat në Ferizaj.
Kjo vetëvrasje e këtij të riu e ka çuar numrin e vetëvrasjeve në Komunën e Ferizajt në shtatë person vetëm brenda dy muajsh.(GM)

Filed Under: Kronike Tagged With: në Ferizaj?, njerëzit, Pse po vetëvriten

KUSH ISHIN 42 KANDIDATURAT E SELEKSIONUARA PER GUVERNATORIN BSH-së, KU U PERZGJODH GENTI SEJKO?/

December 7, 2014 by dgreca

*Genti Sejko, kandidatura e Presidentit Bujar NISHANI, për postin e Guvernatorit të BSH-së/
* Kreu i Komisionit te Ekonomise ne parlament, socialisti Erjon Brace citohet te kete thene se nuk mund te merret kandidatura e Governatorit jashte Keshillit Mbikqyres./
Presidenti i Republikës Bujar Nishani i propozon Kuvendit emrin e Genti Sejkos për postin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë
“Zoti Gent Sejko i propozohet Kuvendit të Shqipërisë për t’u zgjedhur Guvernator i Bankës së Shqipërisë. Ky dekret hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në dekretin e bërë publik në faqen online të Presidencës.
Presidenca njofton se për postin e Guvernatorit të ri të BSH-së depozituan kërkesat e tyre 42 aplikantë, të cilat iu nënshtruan një proçesi vlerësimi nga ana e Institucionit të Presidentit të Republikës për plotësimin e kushteve dhe kritereve ligjore.
Arsyetimi i Dekretit “Për Propozimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë”
Presidenti i Republikës, bazuar në nenin 161, pika 2 të Kushtetutës, pas vendimit të Kuvendit të Shqipërisë për shkarkimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, njoftoi fillimin e proçedurës së emërimit të Guvernatorit të ri.
Për këtë qëllim, përmes një njoftimi të bërë publik, Presidenti i Republikës ftoi të gjithë shtetasit shqiptarë, përfshirë dhe ata nga diaspora, të shprehnin interesin e tyre pranë Institucionit të Presidentit të Republikës për të kandiduar për këtë funksion, në përputhje me kushtet dhe kriteret e përcaktuara në Ligjin nr. 8269, datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
Në përfundim të kësaj faze, depozituan kërkesat e tyre 42 aplikantë, të cilat iu nënshtruan një proçesi vlerësimi nga ana e Institucionit të Presidentit të Republikës për plotësimin e kushteve dhe kritereve ligjore.
Në vijim, bazuar në listën e kandidatëve që plotësonin kushtet ligjore si dhe me synim arritjen e standardeve më të larta për përzgjedhjen e kandidaturës së Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Presidenti i Republikës zhvilloi një proçes informimi dhe diskutimi me përfaqësuesit më të lartë të shtetit dhe opozitës.
Në përfundim të këtij proçesi, duke vlerësuar me seriozitetin maksimal kandidaturat e paraqitura vendosa të dekretoj propozimin e zotit Gent Sejko në pozicionin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.

KUSH ËSHTË GENTI SEJKO

Në kandidaturën e zotit Gent Sejko, si një konkurrues që vjen nga rradhët e sistemit bankar, vlerësova përvojën menaxheriale, formimin e lartë profesional, edukimin dhe integritetin moral, të cilat në mënyrë të përmbledhur paraqiten më poshtë:
Zoti Sejko ka mbaruar studimet pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë, Tiranë, përgjatë periudhës Shtator 1987 – Gusht 1991, ku është diplomuar për ekonomist industrie. Gjithashtu, zoti Sejko ka kryer studimet pasuniversitare dhe zotëron diplomën Master në Kontabilitet Ndërkombëtar dhe Menaxhim Financiar (MAcc) të kryer pranë Universitetit të Glasgow-t, Departamentit të Kontabilitetit dhe Financës, Skoci, Mbretëri e Bashkuar, përgjatë periudhës Shtator 1996 – Tetor 1997 ku ka mbrojtur temën e dizertacionit për: “Roli i bankave dhe privatizimi i bankave në ekonomitë në tranzicion”.
Zoti Sejko ka punuar pranë Bankës së Shqipërisë në periudhën 1993-1995 në Departamentin e Mbikëqyrjes, në pozicionin e Inspektorit të Mbikqyrjes, duke u angazhuar për ekzaminimin e bankave private apo Joint venture që operonin në Shqipëri.
Përgjatë periudhës Qershor – Gusht 1996, Zoti Sejko ka qënë pjesëmarrës në ekzaminimet e Bankave tregtare në SHBA, Iowa, Chicago, përkatësisht në Federal Reserve Bank, Departamenti i Mbikëqyrjes.
Përgjatë Tetor 1997 – Janar 1998 ka punuar pranë Bankës së Shqipërisë, në Departamentin e Mbikëqyrjes, në pozicionin e Kryeinspektorit të mbikëqyrjes, si përgjegjës për përgatitjen e raporteve të mbikqyrjes bankare sipas sistemit CAMELS.
Zoti Sejko ka punuar pranë firmës DELOITTE & TOUCHE, në periudhën janar 1998 deri në dhjetor 2000, si auditor i lartë dhe konsulent, ku ka mbuluar detyrën e përgjegjësit për menaxhimin e procesit të auditimit.
Në periudhën janar 2001 deri më gusht 2001 ka punuar në Bankën Amerikane të Shqipërisë si Drejtor i Divizionit të Auditimit të Brendshëm dhe Përputhshmërisë duke qënë përgjegjës për procesin e Kontrollit të Brendshëm të Bankës dhe për përputhshmërinë me kuadrin rregullator.
Zoti Sejko ka punuar për hapjen e degës së Bankës Amerikane në qytetin e Vlorës, në pozicionin e Drejtorit të kësaj dege në periudhën Shtator 2001 – Qershor 2002.
Në periudhën Qershor 2002- Qershor 2004, zoti Sejko është rikthyer të punojë pranë Bankës së Shqipërisë, në Departamentin e Mbikëqyrjes, në pozicionin e shefit të sektorit të ekzaminimeve në vend.
Zoti Sejko ka pasur eksperiencë pune pranë Bankës RAIFFEISEN në periudhën Korrik 2004 – Maj 2007 në pozicionin e Drejtorit të Divizionit të Auditimit të Brendshëm, Përputhshmëria dhe Marrëdhëniet me Qeverinë.
Në vijim, ka punuar në RAIFFEISEN LEASING. Sh.A., në periudhën qershor 2007 – nëntor 2008, në pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm.
Ndërsa në periudhën nëntor 2008 – korrik 2010 ka punuar si Drejtor i Divizionit të Korporatave pranë Bankës RAIFFEISEN BANK, ku krahas detyrave të poshtëshënuara ka qënë dhe Anetar i Komitetit të Kreditit të Bankës, Anëtar i Komitetit të Menaxhimit të Aktiv Pasiveve, Anëtar i Këshillit Mbikqyrës të Raiffeisen Leasing dhe Anëtar i Këshillit Mbikqyrës të Fondit të Pensioneve.
Korriku i vitit 2010 dhe aktualisht e gjeti zotin Sejko në pozicionin e Zëvendës Drejtorit të Përgjithshëm dhe Drejtor i Divizionit Retail dhe Rrjetit të Degëve, pranë Bankës “SOCIETE GENERALE ALBANIA” ku mbulon një seri detyrash dhe është anëtar i Komitetit të Menaxhimit të aktiv-pasiveve, anëtar i Këshillit Mbikqyrës të SG Leasing dhe anëtar i Komitetit të Kreditit të Bankës.

42 KANDIDATURAT,7 TE SELEKSIONUARA
Arjan Kadare, Genti Sejko dhe Nik Markola mbërritën në fund të procesit të seleksionimit nga ana e presidentit, të mbi 40 CV-ve të paraqitura në aplikimin online për Guvernatorin e ri të Bankës Qendrore. Arjan Kadare është një emër i njohur në fushën e ekonomi-financës në vend. Ai aktualisht është pedagog në një institut privat në Tiranë dhe më herët ka qenë anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Genti Sejko është zv/drejtor i një banke të nivelit të dytë në Tiranë. Nik Markola është drejtor menaxher i “Field Point Bank& Trust Gree-nwich” në Nju Jork, SHBA.
Kreu i shtetit, Bujar Nishani, zhvilloi ditë më parë konsultime me figurat kryesore të politikës Rama, Meta e Basha, për çështjen e Guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, bëri të qartë se mazhoranca nuk ka një emër për postin e guvernatorit, por ka vullnet për të gjetur konsensus. “Natyrisht që ne do të respektojmë të drejtën kushtetuese të presidentit dhe shpresojmë dhe do të ofrojmë të gjithë bashkëpunimin tonë që ky emër të jetë një garant i drejtimit profesional të Bankës së Shqipërisë dhe i ruajtjes së pavarësisë së këtij institucioni. Është një proces vullnetmirë për të shkuar drejt konsensusit”, deklaroi Meta.
Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar katër takime me presidentin për çështjen e guvernatorit, ndërkohë që kreu i opozitës, Lulzim Basha, ka zhvilluar dy takime për këtë çështje me kreun e shtetit.
Erjon Brace citohet te kete thene se nuk mund te merret kandidatura e Governatorit jashte Keshillit Mbikqyres.

Filed Under: Featured Tagged With: Genti Sejko, Guvernatorit, kandidatura e Presidentit Bujar NISHANI, për postin e, të BSH-së

Shpresa Krasniqi:Ne vinim ne shkolle,por nuk dihej ne ktheheshim te gjalle apo jo?

December 7, 2014 by dgreca

*Bisede me mësuesen veterane znj.Shpresa Krasniqi nga Prizreni historik të bijën e patriotit të shquar, humanistit dhe mësuesit përparimtar Haxhi Krasniqit/
*Është kënaqësi të shpjegosh historinë e popullit tënd dhe t’u thuash nxënësve ne Prizren:- shikoni monumentin dhe Muzeumin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nga dritarja!/
Nga Keze Kozeta Zylo/
-Mësuese Shpresa ju përshëndesim nga Nju Jorku i largët dhe ju falënderojmë për bashkëbisedimin.
Cila ka qenë fëmijëria juaj në Prizren, dhe disa nga momentet më të spikatura gjatë kësaj periudhe?
-Unë, Shpresa Krasniqi-Doda rrjedh nga një familje qytetare , bujare dhe gjithnjë e rreshtuar drejt në Lëvizjen tonë Kombëtare. Përkatësisht unë jam fëmija i parë i Haxhi dhe Alie Krasniqit, ose siç më quante babai ‘’Lulja ime e parë’’. Prindërit e mi i kanë rritur dhe edukuar tetë fëmijë (gjashtë vajza dhe dy djem), respektivisht Shpresa, Shqipja, Afërdita, Teuta, Pranvera, Vlora, Shkelzeni dhe Fatosi.
Jam rritur dhe edukuar në një mjedis të qetë dhe të lumtur, kohë të cilën edhe sot e kujtoj me nostalgji. Për jetën e lumtur në fëmijëri, meritat u takojnë prindërve të mi të mrekullueshëm. Ata na mbollën virtytet më të larta.
Babai im (Haxhi Krasniqi) ishte person publik, mësues i popullit, bujar dhe humanist në shpirt, por mbi të gjitha ishte atdhetar i flaktë dhe dashamir i librit në përgjithësi dhe i folklorit në veçanti. Unë u brumosa dhe u kalita me idetë përparimtare të babait, ide këto të cilat i reflektova te nxënësit e mi.
Më kujtohet si sot, babai më regjistroi në Shkollën e Ulët të Muzikës, në seksionin për piano, u pranova në klasën e pedagoges Nexhibe Elezi. Babai më përqafoi duke më uruar suksese dhe dëshirë që të bëhem pianiste e famshme e Shqipërisë Etnike. Kam marr pjesë në shumë programe në festat e ndryshme, si në recitime, këngë, skeçe etj. Ndonjëherë shkruaja edhe poezi, të cilat botoheshin në revisten ‘’Pionieri’’.
Pra,si fëmijë i talentuar tregoja interesim për artin në tërësi. Mbi këtë bazë,babai i entuziazmuar,më regjistroi në Sh.K.A ‘’Agimi’’ në seksionin e folklorit, por edhe në teatrin e qytetit si aktore amatore. Duartrokitjet e publikut më gëzonin dhe më bënin të lumtur. Por,dëshiroj të theksoj se kënaqësinë dhe suksesin më të madh e kam arritur duke lexuar libra në bibliotekën e shtëpisë. Periudhën kur isha nxënëse e shkollës fillore e kujtoj me shumë nostalgji. Mbrëmjet në shtëpinë tonë ishin shumë të hareshme. Ne,fëmijët tuboheshim rreth babait dhe ai me dashurinë e pastër prindore na fliste për librin,për historinë e popullit tonë, për idealin kombëtar, për luftërat dhe krenarinë kombëtare.
Ai na thoshte:- Duhet të kemi gjithmonë ndërmend se librat e lartësojne, e edukojnë njeriun dhe e bëjnë të lumtur atë.
Babai na caktonte se cilat libra duheshin lexuar. Sipas rekomandimit të tij, në moshë shumë të re i lexova librat ‘’Afërdita’’ dhe ‘’Afërdita përsëri në fshat’’ nga S.Spasse, libra këto që u bënë udhërrëfimi i jetës sime. Unë ndoqa rrugën e Afërdites, u bëra mësuese, profesion ky i shenjtë për t’iu mësuar fëmijëve abc-në dhe ardhmërinë.
Ju keni mbaruar universitetin për mësuesi në periudhë shumë të vështirë për Kosovën, pasi Kosova ka qenë e pushtuar nën pushtetin sërb, çfarë kujtoni kur keni qenë studente dhe si e keni përballuar diskriminimin apo forma të ndryshme që përdoreshin në atë kohë nga regjimi serb?
-Përpjekjet tona për Liri, Pavarësi dhe dinjitet kombëtar e njerëzor ishin të ligjshme dhe të natyrshme, ndërsa përpjekjet e Serbisë që të sundojë, që të na mbajë të pushtuar ishin të kundërligjshme dhe kundër natyrore. U munduan të na asimilojnë dhe të na zhdukin si komb, por bashkëkombasit e mi me pushkë e penë, me urti e guxim ia dolën t’i ruajnë gjuhën dhe zakonet, kompaktësinë etnike. Kohët nën regjimin serbo-sllav ishin të vështira në çdo pikëpamje. Fatbardhësisht studimet i mbarova në gjuhën shqipe, por me literaturë të cunguar dhe të kontrolluar në kontinuitet nga regjimi i kohës. Pjesa dërrmuese e shkrimtarëve shqiptarë ishin të cenzuruar. Pra, nuk e kishim lirinë e plotë të studimit. Në atdheun tonë trajtoheshim si të huaj. Rrjedhimisht synimi ynë ishte të mësojmë sa më shumë, për t’i shërbyer bashkëkombëtarëve dhe atdheut, veçanërisht në lëminë e arsimit.
Si mësuese prizrenase dhe si patriote si e përjetuat luftën e Kosovës me bishën serbe veçanërisht gjatë kohës së mësimit me nxënësit tuaj të dashur?
Keni pasur midis tyre në klasë nxënës nga nacionalitete të ndryshme, po serb?
-Motoja e Naimit si mësues i kombit është mësimi dhe përkushtimi ndaj atdheut. Dukurinë e luftës, më bukur e ka shprehur Cajupi ynë i madh,kur thotë: ‘’Luftën që e prish dynjanë nuk do ta doja kurrë. Por,në më prektë dikush kufinë, do të luftoja si burrë’’.
Kujtoj vitin 1981, kur ky vit shënoi ngjarje të mëdha për popullin tim. I tërë populli shqiptar u aktivizua në demonstrata, duke kërkuar, Liri dhe Pavarësi. Por, protesta e studentëve ishte e vendosur në kërkesat e tyre per lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, e cila bëri jehonë të madhe në qarqet kombëtare dhe ndëkombëtare.
Gjatë periudhës së viteve 1975 – 2001, kam punuar si mësuese në qytetin e Rahovecit, respektivisht në SHFMU “Isë Boletini”. Rahoveci është i banuar kryesisht me shqiptarë, por ka edhe minoritete (serb dhe romë). Edhe në shkollën ku unë punoja, pos nxënësve shqiptarë, mësimet i vijonin edhe fëmijët serb dhe romë. Mbi këtë bazë nxënësit serb mësimet i vijonin paradite, gjersa nxënësit shqiptarë vijonin pasdite. Ne, mësuesit shqiptarë duhej të ishim shumë të kujdesshëm në ligjerata, klasat duhej të kontrolloheshin para dhe pas orës së mësimit, respektivisht për të zbuluar ndonjë ‘’pamflet nacionalist’’ që do të kishte pasoja për personelin arsimor, fëmijët dhe per prindërit.
Zyrtarët e UDB-ës,na përcillnin në çdo hap.Ata i kontrollonin edhe hartimet e nxënësve. Ndaj duhej të ishim tepër të kujdesshëm në ligjerata, në temat e hartimeve etj.se mos mbase po ngjallet nacionalizmi shqiptarë.
Vlen të theksohet se planprogramet ishin të reduktuara,veçanërisht në lëndët : histori,letërsi shqipe, muzikë, art figurativ etj. Pra,rrjedhimisht na mohohej e drejta për t’a mësuar historinë kombëtare, letërsinë dhe muzikën shqipe.
Në vitet e luftës 1998-99, ishte tepër vështirë për t’u zhvilluar procesi edukativo-arsimor. Për çdo ditë policia dhe ushtria serbe malltretonte në mënyrat më çnjerëzore, dhunonte dhe vriste popullatën me të vetmin gabim se ishin shqiptarë. Ne shkonim në shkollë, por nuk ishim të sigurtë se a do të kthehemi të gjallë në shtëpi. Pra ishim te pafuqishëm për t’i mbrojtur as nxënësit e as veten. Ishim në shënjestër të Sigurimit shtetëror (UDB-ës).
Në shkurt të vitit 1989, minatoret e Trepçës në shenjë revolte për gjenocidin që bëhej ndaj shqiptarëve u futën në zgafellë, përkatësisht në horizontet e fundit. Aty qëndruan me ditë të tëra në kushte të jashtëzakonshme. Ngjarja e minatorëve të Trepçës e tronditi tërë botën. Dhe unë si mësuese, në tubimin e arsimtarëve të shkollës sime, kërkova që të solidarizohemi me minatorët, për t’i ndihmuar familjet e tyre me nga një mëditje nga paga mujore. Mirëpo, propozimi im u prit shumë keq nga kolegët e minoritetit serb. Ata reaguan menjëherë duke kërkuar suspendimin tim nga procesi mësimor.
Ne kontinuitet, unë dhe bashkëshorti im, Hetem Doda, edhe ai arsimtar në të njejtën shkollë, kemi qenë në përcjellje të UDB-ës. Për veprimtarinë e tij kombëtare, bashkëshorti im, ka qenë i arrestuar tri herë nga organet e sigurimit shtetëror serbo-sllav.
Ndaj në këto rrethana, ne ishim të padëshirueshëm për pushtetin e kohës dhe mbi këtë bazë u detyruam të largohemi nga nxënësit, nga shkolla dhe nga Kosova. Përkohësisht u strehuam në Ulqin.
Punën në procesin edukativo-arsimor e vazhdova me nxënësit tanë, të cilët ishin të përndjekur bashkë me familjet e tyre nga terrori serb që bëhej në Kosovë.
Duhet theksuar se Qeveria e Malit të Zi në bashkëpunim me të deleguarin special të UNICEF-it për shtetet e ish Jugosllavisë z.Stiven Allen dhe shefit të Zyrës UNHCR-it për Malin e Zi,z.Robert Brin,e nënshkruan memorandumin e mirëkuptimit për krijimin dhe fillimin e vitit shkollor për mësim joformal për 2000 nxënës kosovarë të shkollave fillore të strehuara në Ulqin dhe rrethinën e tij.
Ndaj duke mbrojtur arsimin dhe shkollën shqipe, ne e mbronim sovranitetin kombëtar ne lëmin më të rëndësishëm të jetës dhe punës, pra aty ku krijohet dhe formohet njeriu, ndjenja kombëtare morali i një populli.
Dhe së fundi, çdo tërbim i ka ditët e numëruara, pra edhe ai i shtetit policor serbo-sllav poashtu.
Një jetë në arsim,që mund të quheni me plot gojën veterane e edukimit të sa e sa brezave,me flisni ju lutem për marrëdhëniet tuaja me nxënesit, punën e palodhshme me ta dhe a mund ta ndani ndonjë episod nga më mbresëlënësit për publikun që do t’ju lexojë?
Plot 39 vite punë e sakrificë ia kushtova arsimimit të shumë brezave. Nëntë gjenerata kaluan nëpër duart e mia, qindra nxënës.
E ushtrova me shumë dashuri dhe pasion këtë profesion.Jam krenare dhe e lumtur që nxënësit e mi kam pasur rast t’i kem edhe kolegë pune, poashtu edhe fëmijtë e tyre t’i kem nxënës .
Sot, ish nxënësit e mi janë mësues, profesorë, mjek, piktorë, inxhinierë, arkitektë e shumë profile të tjera, të cilat ata i ushtrojnë me shumë dashuri.
Njëzet e gjashtë vite punë kam shërbyer në qytetin e Rahovecit, respektivisht në SHFMU “ Isa Boletini”, për t’u transferuar pastaj në qytetin tim të lindjes, Prizren, në SHFMU “ Mati Logoreci”, në vitin shkollor 2001-02, në të cilën edhe sot punoj me shumë dashuri dhe vullnet.
Me nxënës kam qenë dhe jam shumë e lidhur, e afërt, kërkoj (gjurmoj ) thellësisht në imagjinatën e tyre për t’ia zbuluar talentin. Pastaj sipas talentit të tyre, edhe përgatis aktivitete të ndryshme, si: këndin e letrarëve të rinj, vizatuesit e vegjël, recitatorët, aktruesit, sportistët e dalluar…etj. Në çdo festë kombëtare apo në fund te vitit shkollor me nxenës përgatis program të larmishëm për spektatorin dhe prindërit.
Kam mjaft raste të përjetuara me nxënës gjatë këtyre viteve.
Ishte një periudhë sa e bukur aq edhe e vështirë kur fillova punën për herë të parë si mësuese në qytetin e Rahovecit (jo larg nga Prizreni). Qytetarët e Rahovecit flisnin (edhe sot pothuaj e flasin) një gjuhë ndryshe, te veçantë, nuk kishte te bëjë aspak me gjuhën shqipe, ndërsa janë shqiptarë, por edhe me gjuhën serbe nuk ka të bëjë, se serbishten e njihja nga se e kisha mësuar si lëndë në shkollë, unë atë gjuhë fare s’e kuptoja!!! Të gjithë e përdornin atë gjuhë në shtëpitë e tyre. Dalloheshin ato familje që ishin martuar me një grua fshatare të rrethit të Rahovecit, fëmijët e të cilëve e njihnin gjuhën shqipe, ndërsa rahovecianët pothuaj fare!
Ishte punë dyfish e vështirë për ne mësuesit, sepse fillimisht duhej t’ua mësonim nxënësve gjuhën shqipe, pastaj alfabetin, dhe kjo kërkonte kohë e durim.
Kjo veprimtari vazhdoi me vite të tëra, mirëpo dita- ditës populli vetëdijësohej, shkollohej dhe gjendja përmirësohej dukshëm në këtë qytet.
Sot, nje numër i vogël iqytetarëve e përdorin gjuhën ”rahoveciane”.
Gjatë punës sime shumëvjecare më ka rastis të kem shumë nxënës pa njërin prind, sidomos pa nënë, të cilëve iu kishte vdekur nëna apo ishin me prind të ndarë. Kjo ishte më e dhimbshmja. Duhej të isha dy herë më e kujdesshme me këta nxënës. I luaja dy role, edhe të nënës edhe të mësueses.
I afroja shumë pranë vetes, hyja ne botën e tyre shpirtërore dhe mundohesha t’i kuptoja sa më shumë. Shpeshherë i merrja në shtëpinë time, punoja me ta edhe jashtë orarit mësimor, vetëm e vetëm që t’i bëja të lumtur dhe të aftë për jetë që mos ta ndjenin aq mungesën e nënës.
Një gjë që e kisha dhe e kam shumë të vështirë ta bëjë si mësuese, është që sa herë kam në plan-program ndonjë poezi apo këngë për festën e nënës, unë kam shumë emocione në atë orë që të flas për rolin e nënës tek fëmijët, apo të parashtroj pyetje nxënësve në lidhje me nënën. Mezi nxjerrë nga goja fjalën ”NËNË”, nuk di, ndihem në një situatë shumë të palakmueshme para këtyre nxënësve. Si mësuese në arsimimin dhe edukimin e fëmijëve, kisha parasysh se ata duhet t’i edukojmë në frymën e shëndoshë familjare, me një edukatë dhe kulturë të mirë njerëzore dhe mbi të gjitha me një edukatë të mirëfillte kombëtare. Pra,fëmijët marrin një edukatë të mirë familjare, njerëzore dhe kombëtare, ata kur të rriten, pa mëdyshje do të bëhen familjarë të mirë dhe, mbi këtë bazë do t’i vejnë bazamentet e shëndosha të shtetit të tyre.
Si i organizoni aktivitetet e ndryshme me nxënësit? Ju keni pranë shkollës, shtëpisë suaj, Lidhjen e Prizrenit dhe shumë muzeume të ndryshme që kanë se c’të mësojnë nxënësit. Si e përjetojnë ata historinë e popullit tonë autoktonë kur i vizitojnë apo gjatë mësimit kur ju i shpjegoni historinë tonë?
-Ne, qytetarët e Prizrenit jemi krenarë, por edhe të privilegjuar që jetojmë në këtë qytet-muze. Është ndjesi e papërshkruar kur gjendesh para Lidhjes së Prizrenit, apo kur gjendesh në kalanë e Prizrenit. Është kënaqësi të shpjegosh historinë e popullit tënd dhe t’iu thuashë nxënësve:- shikoni monumentin nga dritarja! Unë, sa herë që e shpjegoj historinë, kam emocione te veçanta dhe këto emocione mundohem t’i bart tek nxënësit sepse janë emocione të bukura. Ndjesi e papërshkruar është kur ne dalim dhe i vizitojmë ato, i prekim, na duket sikur patriotët, pjesëmarresit e Lidhjes së Prizrenit na presin aty, na shikojnë dhe na flasin, na rekomandojnë te bëhemi të ditur,t’a duam vendin tonë, t’a ndërtojmë, t’a mbrojmë gjithmonë, t’a vazhdojmë punën e tyre, sepse ata dhanë jetën për tokën shqiptare.
Nxënësit janë shumë kureshtarë të mësojnë historinë e kombit të cilit i takojnë,sepse i takojnë një populli shumë të lashtë,gjurmët e të cilit i gjejnë në qytetin e tyre të lindjes.
Qyteti ynë vizitohet nga nxënësit e tërë Kosovës dhe jashtë saj, sepse është qytet me vlera historike e kombëtare, i pasur me shumë vlera, është qytet me bukuri natyrore e njerëzore, është qytet i mikëpritjes,i bujarisë.
Ju jeni e bija e të ndjerit Haxhi Krasniqi, një mësues, edukator, aktivist i dalluar i çështjes kombëtare,cila është trashëgimia e tij për familjen dhe brezat,a keni ndonjë libër monografie apo projekt për pasurinë e babait tuaj?
-Babai im, Haxhi Krasniqi la pas vetes një trashëgimi mjaft të pasur . Ai, pos që punoi si mësues me përkushtim të madh dhe me shumë dashuri, ishte edhe bibliotekist i zellshëm për pune, ku i dha shpirt, jetë dhe rol të drejtë funksionimit të librit si rrezatues i dijes, kulturës dhe arsimit. Kontributin e tij e dha edhe në fushën e gjuhësisë, ishte luftëtar i denjë për mbrojtjen e idealit kombëtar, folklorist i pasionuar, aktivist i pajtimit të gjaqeve.
Ai mbajti lidhje intelektuale me shumë personalitete të shquara të kulturës e shkencës. Përmes letrave zhvilloi një korrespondencë të dendur me: Eqrem Cabejn, Zekeria Rexhën, Sterio Spassen, Aleks Budën, Zekeria Canën, Aleksandër Stipçeviçin, Zihni Sakon, Qemal Haxhihasanin, Anton Cettën, Idriz Ajetin, Adem Demaçin, Rexhep Qosjen, Kadri Halimin,etj.
Përvec korrespondencës me penat më të shquara të kulturës dhe shkencës shqiptare, ai mbajti korrespondencë edhe me shumë burra shtetërorë të superfuqive botërore,si me: Xhorxh Bushin (plakun),Toni Blerin ,Shroderin, Bill Klintonin , Jozef Diogardin,duke u dërguar letra për zgjidhjen e shumë çështjeve kombëtare shqiptare, prej të cilëve me respekt të veçantë mori edhe përgjigje përkatëse.
Pas vdekjes së babait tim-Haxhi Krasniqit, katër autorë (punonjës shkencorë të Institutit Albanologjik) : Dr. Mehmet Halimi, Dr.Adem Zejnullahu, Dr.Daut Bislimi dhe Mr.Naser Pajaziti, duke bërë një punë të organizuar ekipore, në marrëveshje me neve familjarëve të Haxhi Krasniqit, të cilëve u ofruam ndihmë të pakursyeshme, dhe pa kursyer veten e as mundin e tyre, i kushtuan një monografi me titull ‘’NJERIU SKOFIAR’’ Jeta dhe vepra e Haxhi Krasniqit, e cila u botua në vitin 2004, në Prishtinë
Këto ditë u përurua në Tiranë në Muzeun Kombëtar libri i tretë me titull : Cereni- Historia dhe Tradita, me autor Dr.Shefqet H.Domi, ju jeni mbesa e tij, cfarë keni trashëguar prej dajës suaj dhe cili është aktiviteti i tij konkret?
-Më 19 Tetor të këtij viti, në Tiranë në Muzeun Kombëtar u përurua libri i tretë i Dr Shefqet H. Domi, me titull : Cereni-Historia dhe Tradita, ndërsa dy librat e tjerë të tij, janë : “ Zogu i Artë “ ( përralla për fëmijë ), botuar në v. 2009 dhe “ Kalaja e Dodës apo Qafa e Bilbilit “, botuar në v. 2012, si dhe ka në përgatitje librin e fundit “ Kujtime dhe autobiografi- 67 vjet me bluzë te bardhë “.
Libri “Cereni-Historia dhe Tradita, është një vëllim me përshkrime, ngjarje,etnografi e folklor nga fshati Ceren. Në materialin e mbledhur të këtij vëllimi, janë dokumentuar fise (të hershme dhe të vona), përkatësisht janë njerëzit që kanë përfaqsuar komunitetin e Cerenit brenda dhe jashtë tij, deri në dyert e perandorive, janë ritet në festa e gezime familjare, janë tradita të veçanta e të përbashkëta me fqinj e më tej, janë vendet, arat, kufinjtë, banorë që jetojnë në atë vend e që janë larguar, pra, mund të themi, një enciklopedi për Cerenin. Mesazhi i tij është : Njeriu, toka që prek nën këmbë, siguria, krenaria, janë identitet që nuk duhet nënvlerësuar. Libri i tij i dyte: “Kalaja e Dodës apo Qafa e Bilbilit”, u vlerësua si një vepër Monument i përjetësisë së Kalasë së Dodës. Kjo vepër është një trashëgimi e madhe historike, një kontribut historik për brezat e ardhshëm, një det i thellë kujtimesh, një vështrim politik, atdhetar, njerëzor, libër për dinjitet e krenari kombëtare, një galeri personalitetesh me vlera të mëdha,çka tregon se rrënjët nuk humbasin. Duke lexuar veprat e Dr. Shefqet H. Domit nga kapitulli në kapitull, shohim se autori nuk është vetëm mjek human, por Ai na prezantohet gjeograf-topograf-etnograf-arkeolog-historian-folklorist-poet-ekonomist e diplomat. Dr.Shefqet H.Domi, ka lindur me 5 Prill 1929, në Ceren të Kalasë së Dodës. Ka kryer studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës dhe është diplomuar mjek i përgjithshëm.Ka kryer profilizimin në specializimin pasuniversitar të Tiranës në degën e Kimisë klinikale. Ka punuar për 45 vite rresht, deri në pension, si mjek në spitalin e Peshkopisë dhe si shef i shërbimit laboratorik të spitalit – poliklinikës në rrethin e Dibrës. Që nga viti 1995, largohet bashkë me familjen nga Peshkopia dhe vendoset në Tiranë. Me licencë nga shteti, ka hapur Qendrën laboratorike private “ Domi “,ku punon nga viti 1995 dhe vazhdon të punojë me shumë vullnet e dashuri edhe në moshen 85 vjecare.
Cilat janë disa nga projektet tuaja si mësuese me nxënesit tuaj në të ardhmen?
-Projektet e mia për nxënesit në te ardhmen ( në rast se më jepet mundësia, kuptohet) janë: Formimi i klasës së shekullit 21
Në kuadër të bibliotekës së shkollës, edhe një sallë leximi për nxënësit.
Si ne ( mësuesit ), ashtu edhe nxënësit, kemi dëshirë që mjedisi ynë i punës të jetë sa më tërheqës. Ai duhet të jetë i rehatshëm dhe mik për fëmijët, kështu që fëmijët të ndjehen të lumtur dhe të motivuar për të nxënë. Pastaj, të nxënit aktiv mundëson që të gjithë nxënësit të mësojnë si të rritur :
-të bëjnë përmbledhje si hulumtues të vërtetë;
-të studiojnë formula dhe relacione si matematikanë të vërtetë;
-të bejnë eksperimente si shkencëtarë të vërtetë;
-t’i përpilojnë vet raportet dhe videot e veta si gazetarë te vërtetë;
-t’i shkruajnë vet poezitë dhe tregimet si autorë të vërtetë;
-t’i përdorin kalkulatorët dhe kompjuterët si punonjës të vërtetë;
-të jenë kreativ si artistët; dhe
-të jenë plot risi si ndërmarrësit.
Kjo ua mundëson të gjithë nxënësve të punojnë në formë të bashkëpunimit, të bëjnë zbulime dhe të ndjehen krenarë me punën e tyre.
Një proverb e vjetër kineze thotë:
Dëgjoj…..harroj/ Shoh…….mbaj mend/ Bëj……….kuptoj
Ndërsa në projektin tim të dytë, lidhur me hapjen e një salle të leximit në kuadër të bibliotëkës së shkollës, qëllimi im është qe nxënësit të fitojnë shprehinë e të lexuarit, dashurinë ndaj librit dhe analizën e saj.
Për t’i realizuar këto projekte, duhet angazhimi aktiv i mësimdhënësve, prindërve, drejtorit të shkollës, komunitetit dhe biznesit vendor, por rolin kryesor e ka Ministria e Arsimit.
Bisedoi Keze Kozeta Zylo
Dhjetor, 2014-Prizren, Kosovë

Filed Under: Interviste Tagged With: Bisede, nga Keze Zylo, Shpresa Krasniqi

NIKOLLË LOKA: TË KOFTË E MIRË DITA, PENA !

December 7, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Doktorant Nikollë Loka, njëherash poet e publicist, me emrin e tij, me veprat e tij, i bën nder Mirditës, Kohës, Kombit.
Veprat e tij “Dinastitë iliro-shqiptare me famë botërore”, “Dyzet e dy perandorë ilirë të Romës” apo “Ilira Biblike” (bashkuautor, juristi Gjet Kola) – që flet për shenjtorët shqiptar të Krishtërimit, si dhe të tjerat: “Kuvendi i Fanit…”, “Imzot Nikollë Kaçorri…”, “Preng Bibë Doda i Mirditës”, “Bajraktari Prengë Marka Prenga, Flamurtari i Mirditës”, “Llesh Zef Doçi i Lurës…”, etj. janë një enciklopedi shqiptare e hapur, janë lartësi të autorit, janë akte e mezazhe për brezat, janë medalje-emblema në gjoksin e udhët e autorit dhe në ditët tona.
Vitet e fundit po shohim se Nikollë Loka po punon si një akademi. Ky studiues me vlera e me gjithë këto vepra të botuara po duket si një “industri pune” krijuese e studimore.
Kësaj here, në kit’ ditë promovimi, në sallën UNESCO të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, po vjen me një vepër të re: “Studime historike, Recensione, Publicistikë”, botim i entit të njohur botues “EMAL” – me botues elitar, Astrit Muçën. Është vëllimi i parë. Të tjerë do të vijnë pas. Duket se Nikollë Loka ka shumë për të thënë e po na i thotë mirë.
2.Kjo vepër, në vetvete, ka vlera që duken tek mbledhja e punimeve shkencore si metodë.
Autori na sjell një praktikë të njohur, por me risitë e tij që do të shpalosen në këtë kolanë veprash që ka gjasa të vazhdojnë gjatë në vite jete e pune të tij.
3.Studiuesi Nikollë Loka në këtë vepër punon njëherash njësoj: për vete dhe për të tjerët.
Studimet e tij rrokin dhe piedestalojnë në një hapësirë të madhe në kohë e në kit’ libër. Është pjesë e thuktë ku punon për vete si doktorant, me punime shkencore që do iu qëndrojnë kohës si vlera të mirëfillta shkencore.
Autori në pjesën tjetër, ku punon për të tjerët, iu bën vend, nder, vlerësime atyre. Qoftë me libra autobiografik si në rastin e librit të Zef Pepajt. Ashtu dhe në librin monografik si në rastin e monografisë Bibë Doda i Luigj Martinit.

4.Nikollë Loka në kit’ vepër, në vëllimin e parë të saj, synon dhe ia mbrrin me sukses të evdentoj pjesë historie dhe personalitete.
Ndër aspektet historike është ndalë në proçesin historik të formimit të krahinës së Mirditës, ku, aty, jep disa veçori karakteristike të treevave të saj, të bajrakëve të saj.
Si karaktëristikë e Mirditës del qëndresa e gjatë e saj, e cila në kushte të caktuara historike shpërblehet me atë që në Historinë e Shqipërisë është quajtun “Vetëqeverisja kanunore e Mirditës”. Autori Loka thekson me të drejtë se karakteristikë e veçantë e qëndresës në Mirditë me Malësitë e tjera të Veriut është se mundi të sigurojë një vetëqeverisje më të avacuar. Ky ishte një realitet historik praktik në bajrak të Shqipërisë së Veriut, pasi siç konstaton dhe prof. dr. Kahreman Ulqini, këta zotëronin një shkallë vetëqeverisje krahasue me pjesët e tjera të vendit.
5.Trajtimi shkencor i dy familjeve shqiptare princore Blinishtët e Spanët përbajnë një arritje, një kontribut, një nga kulmet e mendjes e penës së doktorant Nikollë Lokës.
Ai merret veçmas, thellësisht e tërësisht me këto dy familje princore, pasi këto, në një mënyrë e tjetër i kanë lidhjet e veta me Mirditën.
6.Në kit’ vepër Nikollë Loka ka kontribute në fushën e arsimit, pasi aty trajtohen disa nga themeluesit e arsimit kombëtar shqiptar.
Një prej tyre është Lazër Çefa, baba i Anton Çefës, ish sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit e drejtor i gjimnazit të Tiranës. Ishte një nder themeluesit e administratës shqiptare në fillimet e shtetit shqiptar. Ishte diplomat. I dekoruar nga Franca me Urdhërin e Kalorësit. Ishte dhe shkrimtar, përkthyes, autor tekstesh, etj.
Tjetri është Kolë Margjini, një nga specialistët e parë me diplomë pedagogjike që iu përgjigj thirrjes së Qeverisë së Vlorës për të kontribuar në fushën e arsimit. Ky, ma vonë, do të jetë drejtori i parë i gjimnazit shqip të Prizrenit dhe drejtues i kursit përgaditor të mësuesve në Prishtinë, nënkryetar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, i vdekur në burgjet serbe. Sot, Mësues i Popullit.
Ndue Paluca është një ndër themeluesit e arsimit kombëtar shqiptar, sekretar i Komësisë Letrare Shqipe në Shkodër, drejtor i gjimnazit të Shkodrës e të Tiranës, baba i Artistes së Popullit, Marie Kraja. I emigruar në Austri e, pastaj, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Një tjetër kontributor i arsimit kombëtar shqip është Preng Kaçinari, Mësues i Popullit. I diplomuar për sociologji në Universitetin e Lionit në Francë. Punoi në gjimnazet e Shkodrës, Tiranës e Durrësit. Ishte antifashist, pjesë e Ballit Kombëtar Shqiptar. I arrestuar në rrethana të pasqaruara krejtësisht. I gjykuar në një proçes politiko-juridik sëbashku me Arshi Pipën. Lirue për shkak të një sëmundje të pashërueshme. Pati një traumë psikologjike. Iku me një vdekje tragjike. Sot, Mësues i Popullit.
Historiani Nikollë Loka na e sjell në faqet e këtij libri edhe një nga mësuesit mirditor të njohur, Zef Shkorreti. Ai kishte një formim akademik modest, po me një vullnet të jashtëzakonshëm për të përballue vështirësitë e shumta e të mëdha të Mirditës në vitet 1945-1960. Ai vdiq në krye të detyrës.
7.Studiuesi doktorant Nikollë Loka në kit’ vepër të tij të sodit na i sjell disa figura historike nga Mirdita. Këto figura vijnë si kontribute studimore të autorit apo si recensa për librat e autorëve të tjerë.
Në recensën për veprën “Bibë Doda” të dr. Luigj Martinit studiuesi Nikollë Loka thekson se përveç karakterit luftarak të Bibë Dodës del dhe personaliteti diplomatik e politik i tij.
Ai, gjithashtu, nëpërmjet figurës së Preng Marka Prengës na jep krejt historinë politike të Mirditës në gjysmën e dytë të shek. XIX dhe gjysmën e parë të shek. XX.
Në recensën për librin autobiografik të Zef Pepës, nënprefekt në kohën e Mbretnisë Shqiptare e të pushtimit të mavonshëm, nëpunës në periudhën e komunizmit, autori Nikollë Loka del me përfundimin se periudha e Luftës është e ndërlikuar dhe për të arrit’ në gjykime të drejta për personalitete të caktuara duhet t’iu qasemi atyre individualisht. Antifashizmin nganjiherë e gjejmë edhe në zyrtarët e angazhuar në administratën nën pushtim.
Një recensë të veçantë i bën Nikollë Loka librit të përgaditur nga nxanësi, atëherit 17 vjeçar, Gerald Duka, që flet për Hasburgët e Austrisë dhe rolin e tyre në Cështjen Shqiptare.
8.Ky libër i doktorant Nikollë Lokës me trajtesa shkencore e informime shumëplanëshe, që duhen thellue në të ardhmen e punës së tij akademike, publicistike, pedagogjike, në të gjitha dimensionet e tij na e jep mësimin e madh të jetës: Ta duash Atdheun, Kombin Tënd, me gjithë zemër e të bësh më të mirën për Të në rrethanat në cilat ndoshesh, ta zbatosh ligjin dhe ta përdorësh atë për të ndihmuar njerëzit.
E në përmbyllje, një urim për autorin mirditor” Të qoftë e Mirë Dita, Pena, jeta, veprat!

Filed Under: ESSE Tagged With: NIKOLLË LOKA: TË KOFTË E MIRË DITA, PENA !Ramiz Lushaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4242
  • 4243
  • 4244
  • 4245
  • 4246
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT