• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DEZINFEKTIM I UDBASHËVE….

October 29, 2014 by dgreca

Triptik- PJELLORIA MAHNITËSE/
(Një lehtësi lapidare sundimi)/
Nga Rexhep KASUMAJ/Berlin-Prishtinë/
1. Analogjia trishtuese
Teksa një ditë zbrisja shkallët e banesës sime në Prishtinë (Kodra e diellit), do t’më binte në sy një lajmërim a ofertë e shkruar si parullë në xhamin e korridorit që, fillimisht, mu duk se thoshte: “Bëjmë dezinfektimin e udbashëve”!
Për një çast ndala hapin i habitur dhe, njëkohësisht, i mrekulluar. O Zot, thashë me vete, kur qenkësh gjetur një bar i tillë?Ja zbulimi që do ta njerëzojë njeriun, sidomos njeriun e popujve të shtypur apo të posadalë nga nata e gjate e robërisë!
Ndërkaq, me tu afruar, do të vëreja i zhgënjyer se ajo nuk paskësh qenë veçse ftesë për “dezinfektimin e bubashvabave”. Por zhvendosja e gërmave nga avujt, rënja e ngjyrës dhe irnosja, e kishin deformuar atë në pamjen e arritjes madhore që do të emërtonte epokën tonë.
Megjithëse ngjan ende a, mbase, përjetë e pamundshme shpikja gjeniale, nuk do më shqitej një kohë përshtypja e një analogjie spontane mes insektëve të neveritshëm dhe spiunëve të pabotë. Dhe, natyrisht, në përballjen e ashpër të tyre për fronin e së keqes, do të fitonin këta të fundmit, urrejtësit e gëzuar të krijesës së vet!

2. Rrethi imbyllur
“Kur humbet kuptimi i jetës, aherë humbet dhe e drejta për jetën”, shkruante rebelshëm Niçe, ky shpirt i shkumëzuar i Europës.
Dhe tani, qindravjet më pas, e gjejmë të konformohet, ndoshta, mendimi i tij i pamëshirë në miljeun politik shqiptar: ndër dy Shqipëritë e jashtme përplot heronjë – të Ohrit që nëpërkëmbet dhe të Rambujesë që vetëpërtallet!..
Vërtetë, ç’kuptim ka jeta dhe e drejta për të, nën hekurat e pushtimit që shtrëngojnë me formulën klasike apo nën darët e dinastëve të mafiokracisë nacionale që, thuase, i kanë ndërruar të keqes veç petkun etnik?!
Imperialiteti nuk ngrihet gjithmonë mbi kontrollin fizik të një territori të huaj, por, shpesh, është i mjaftë kontrolli virtual i resurseve të tij.Këtë përskajim, në fakt, do ta bëj H. Münkler në „Logjikën e sundimit të botës”, tek jep mjeshtërisht panoramën dhe filozofinë e perandorizmit ç’prej Romës e këndej.
Ndaj, rrjedhimisht, vetë jetesa sovrane do të cilësohet e përmbaruar kur Instanca shtetërore të ushtrojë të dy kontrollet bashkë: edhe mbi tokën edhe mbi të mirat e saj. Natyrisht, duke presupozuar legjitimitetin demokratik të elitës dhe barazinë e të gjithëve në shansin për fat e lumni.
Ndërkaq, a bëjmë ne tutje?Përgjigja ngjan, ndonjëherë, deshpëruese, sepse, me gjasë, gjendemi ende brenda definicionit të sipërthënë. Në shpalesën e tij negative, mjerisht!

3. Lehtësia e padurueshme e sundimit

“ Papa Xhulio i dytë ishte aq i rrëmbyer dhe koha kur jetonte kje aq e përshtatshme për këtë sjellje, saqë ai realizonte gjithmonë qëllimet e veta”, shkruan Nikolo Makiaveli, një borgjez laik, diplomat e ushtarak fiorentinas në “Princin” e famshëm (1513), këtë libër të librave mbi moralin e politikën.
Që në hyrje, tek i drejtohet prijësit Lorenco de Mediçi, të cilit i kushtonte veprën e tij, thotë përvujtërisht se s’mund ti ofronte madhërisë princërore diç më tëmirë, se sa mundësinë për të përfituar në pakditë atë që ky kishte mësuar tërë jetën.
Pastaj, në hullinë e mendimit të sipërdhënë, nënvizonte më poshtë se është i suksessshëm, prandaj, vetëm ai Princ që i shkon për mbarë fryma e kohës.Rrjedhimisht, po të rronte dhe ca Papa i hallakatur e, njëherësh, koha të ndërronte trillet papritur, do të ndëshkohej rëndë prej saj…
Këto janë ligjet e historisë.Të kryehershme dhe eterne.Por a nuk njohin dhe atovetë të drejtën e përjashtimit? Natyrisht! Kosova është prova e shquar e këtij urdhëri, këtij mallkimi të përjetshëm të dialektikës.Sepse, ndryshe, nuk shpjegohet dot përse koha e saj ka një pjellorimahnitëse për të ngjizur e fryrë kurorën e së Keqes!
Behnin këndej rend tufanesh të përgjakura Vali e Zhupan, Hazjajin e Komitetar, Vozhd e Mëkëmbës dhe, të gjithë e përherë, gjenin në motet e saj atë frymën ideale të Nikolos, përprishur e shprishur çdo gjë: me doktrinë e mort, plaçkitje e dëbim biblik. Ata vinin e shkonin dhe kohët dukej se lëviznin shenjën, ornamentin a ideologjinë, por, sërish, secilit që fronsohej i dhuronin lehtësinë e padurueshme të sundimit që fatkeqësonte jetën e brezave të flijuar.
A nuk është kështu dhe sot? Republika e mosvarme vijon me një kurajo e bujari të askund parë përshtatshmërinë e përsosur: që frymën e fatittë vet ta bëj të shtruar e truar për guvernantët fillhumbur, tashmë, të stolisur me petkun joshës të mashtrimit kombëtar!
Makiaveli pohonte se kohët, duke ndryshuar, ndëshkojnë princat që vuajnë mungesën e intuitës dhe marrëzinë e ndërkryer. Mirëpo, mjerisht, kohët e Kosovës shqiptare, megjithëse ndryshojnë shpesh, ruajnë me besë esencën, tharmin konstant ndër shekuj: pllenimin frytbartës përdemonët politikë që, dhe në cikël perëndimesh të tyre, alternohen paprerë në role e misione të zinj, si vetë nata e saj!

Filed Under: Analiza Tagged With: DEZINFEKTIM I UDBASHËVE, Rexhep Kasumaj

Unë i nënshkruari bëj me dije se prona…e armikut të popullit…

October 29, 2014 by dgreca

DEKLARATE/
ZOTËRINJ TË TRUPIT GJYKUES/
Nga Flamur Harri/
… Jam këtu përpara jush, unë shtetasi Flamur Sulejman Harri, i datëlindjes 24 nëntor 1945, lindur dhe banues në Elbasan, për të mbrojtur denoncimin tim në drejtim te gjyqtarit Zihni Shahu, në lidhje me gjykimin e tij për njohjen e pronës së familjes Harri.
Ju bëj me dije se prona e luajtshme dhe e paluajtshme e “armikut të popullit” Sule Harri, plus dënimit me burgim të përjetshëm, u pasua dhe me konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme nga Gjykata Ushtarake më 29 dhjetor 1947.
Sot, Sulë Harri është dekretuar “Mësues i Popullit” që nga viti 1993. Në Elbasan është ndërtuar një shkollë e re që mban emrin e Sulë Harrit.
Rehabilitimi moral e politik është bërë. Problem, kemi dëmshpërblimin për 10 vjet burg Burreli, dëmshpërblim për pronën e luajtshme dhe ajo më e rëndësishmja kthimin fizik të pronës së paluajtshme .
Pushtetarët dashakeqë e të korruptuar i kishin të gjitha mundësitë juridike e materiale për t`a zgjidhur problemin që në vitin 1993 e jo të na fusni në një kalvarë vuajtjesh shpirtërore e material 22 vjecare.
Në zbatim të direktivave të Katovicës na kanë hedhur sa në një komision në tjetrin, deri sa A.K.K.K.P.P Tiranë e në vitin 2008 e dërgoi cështjen për gjykim në Elbasan, ku gjykata të shprehej në se është apo jo prona e pretenduar e familjes Harri. Shorti i ra, apo ia dhanë gjyqtarit Zihni Shahu, kunati I të cilit Riza Duli është kushuri me gruan time.
Meqënëse Zihniu kishte luajtur një rol negative në ndarjen e pronës së gruas time me motrën e vet takoj kunatin e Zihniut e i them:
“Shiko, shorti për të vërtetuar se prona e konfiskuar e familjes Harri është e jona apo jo i ka rënë Zihniut. Ai ka bërë shumë zullume, po të them ty si kushuri i Bardhës (gruas time) që të mos bëjë ndonjë pisllëk.”
Rizai m`u përgjigj: -“Flamur, ai e di se kush je ti » .
Zihniu kishte « harruar » se c`bëri me dy motrat dhe mua më konsideronte si « armik », e të pa zot, bëhet fjalë për kohën para viteve 1990, bëri atë që ka bërë.
Fillon gjyqin në fillim të 2009 dhe e mbaron më 12.02.2010. Për mendimin tim gjyqi duhej të përfundonte për 3,4 seanca. Çuditërisht ky njëri e tirte dhe tirte duke bërë seanca në zyrën e tij 3-5 min dhe më datë 12.02.2010 i jep fund gjyqit, pa lexuar vendim, por duke pyetur juristin e A.K.K.P.P Elbasan Z.Eduart Jani : -« Ju keni gjë për të thënë ? – « Jo » – i përgjigjet ai.
Vlen të theksoj këtu se gjatë gjithë seancave ky gjyqtar nuk më pyeste asnjëherë mua, unë cuditesha dhe i thoja :
-« Ore, po mua pse s`më pyet, përse jam unë këtu ? »
– « Rri ti rri, se i di unë ato punë ».
Seancën e fundit, ky nuk lexoi vendim, pas insistimit tim të fuqishëm më thotë: “Ik ore ik, se në favorin tënd është”
E po mendova se duke parë ndryshimin politik demokratik, e familja jonë nuk trajtohej si armike, por filloi të respektohej e të nderohej, “mëkatari kishte ndryshuar”.
Por isha gabuar. Ujku qimen e ndërron, por zakonin kurrë. Kështu na ndodhi neve me Zihni Shahun.
Për proçesin gjyqësor u angazhuan tre ekspertë topografë:
1.Nazmi Muça: U tërhoq që në fillim me arsye të konfliktit të interesit (kishte qenë ekspert në A.K.K.P.P Elbasan dhe në trajtimin e dosjes Harri, ai kishte deklaruar:
“Ju mund të thoni çdo gjë, por të thonë se kjo nuk është pronë e familjes Harri këtë nuk jua pranoj.”
Si pasojë e këtij qëndrimi, Nazmiun e larguan nga ajo punë.
2.Ibrahim Dulja “eksperti sekser” me gjyqtarin Zihni. Në një seancë në Korrik 2009 kur dolëm së bashku nga gjykata, Ibrahimi meqë ne kishim një farë njohje më hodhi dorën në supe e më tha :
-« Flamur, do t`a marrësh pronën ?
-“Çfarë flet” -i thash
-“Epo ti duhet të paguash fondin e garancisë.
-“E ç`është ky fondi i garancisë ? – e pyeta unë.
-“Ja –tha. Sa lek bën prona jote”?
-“300 milionë”- ja futa unë pa bërë llogari.
-“Atëherë ti duhet të paguash 30 milionë.
E mora vesh ku e kishte “hallin” dhe iu përgjigja:
“Dëgjo këtu ti Hale: Unë të bëj ……….ty dhe atij plehrës që është lart, atë që s`ta bën Perëndia”.
Të nesërmen “sekseri topograf” i dorëzon Zihniut kërkesën me shkrim për dorëheqje se për arsye shëndetsore do të largohet jashtë atdheut.
3.Hysni Bahiti, e çmoj për profesionalizmin e tij. Ai dashje pa dashje ka vërtetuar e fiksuar në hartat veprat penale të Mentor Tolës.
Me vendimin që ka marrë gjyqtari Zihniu e vetë penalizon veten, Atë vendim ai duhej t`ja përcillte institucionit që e çoi çështjen në gjykim , konkretisht A.K.K.K.P.P. Tiranë e jo me nxitim në Z.V.R.P.P. Elbasan.
Duke marrë kompetencat e një institucioni tjetër Zihniu i vinte në ndihmë grupit tjetër kriminal që vepronte në atë zyrë në drejtimin e regjizorit Zihni Shahu.
Dokumentet shkresore dhe hartat e vërtetojnë plotësisht krimin. Dhe Zihniu për mendimin tim nuk ka një vepër penale, atë të mos leximit të vendimit, por dhe veprimet e mëtejshme të tij.
Me vendimin e qëllimshëm Zihniu arrin në përfundimin se prona në fjalë është e familjes Harri dhe unë Zihniu “Kryetar” i A.K.K.K.P Tiranë i kthej familjes Harri 960m2 dhe 1350m2 , të kompensohet nga shteti.
Ky farë gjyqtari e futi veten dy herë në mëkat: 1 herë me ne dhe një herë me shtetin.
Meditoja dhe psherëtija: “Pse e bëri kete veprim Zihniu? Mos ka marrë urdhër politik që duke mos e lexuar vendimin të na hiqte mundësinë e ankimit në nivelet më të larta të gjyqsorit e deri në Strasburg? Jo! Ai e ka marrë atë vendim në detyrim të bashkëpunimit me zyrtarët e korruptuar të Z.V.R.P.P Elbasan, për të përfituar nga elementët e inkriminuar që kanë përfituar pronësime e trualli tonë.
Kohë më parë “Teveqeli Klevis”, në bisedë me disa të rinj elbasanas, i ndodhur ngushtë nga pyetja “More qysh e bëre ti këtë punë, i hoqe pronësinë e truallit Flamurit e ja dhe atyre të ardhur nga fshati”.
-“Ja bëra unë atyre se dhe ata ma kanë bërë mua, dhe unë nuk kam frikë se më mbron motra atje lart”. Para dy vjetësh një miku im më tregonte: “Ka dhjetëra denoncime për Klevisin në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Elbasan, por se pse s`veprojnë, unë nuk e di.
Vlen të theksohet se Zihniu dhe Klevisi kanë lidhje të afërta familjare.
Unë jam në një tjetër proces gjyqsor në Gjykatën e Lartë, ate te rivendosjes ne afat . A nuk përbën vepër penale ndërhyrja e Klevisit dhe e Zihniut? Nuk mund të ndryshosh titujt e pronësisë pa një vendim të institucioneve kompetente.
I bëj një pyetje zyrtarëve të Z.V.R.P.P Elbasan: “Ku është regjistri themeltar i pronës së vitit 1974 Nr. 276 datë 16.04.1974 që flet për pronën time”?
I bëj pyetje Zihniut: “Pse më kërkove mua çertifikatë pronësie (pronën e kisha të bllokuar) nga kredia që kisha marrë në fondacionin “Besa”, për disa vjet me rradhë”?
“Pse nuk kërkove vërtetim pronësie nga të tjerët në pronën tonë? – Se ato nuk kishin.”
Klevisi në mënyrë djallëzore, i mësuar patjetër nga ti, më dha një vërtetim pronësie të ndryshuar nga 6/33 truall 376m2 nga kjo 100 m2 ndërtesë me vërtetim pronësie 6/213 pronarë ndërtese e jo trualli. Nxitimit tënd për të dërguar vendimin, ia nxjerr bojën harta përfundimtare në dosje. Ke rënë brenda ti me gjithë grupin kriminal në Z.V.R.P.P. Elbasan që shpejt e shpejt kanë pajisur me vërtetimet e reja banditët në truallin tonë.
Veprimin e gjyqtar Zihniut unë e kallëzova në prokurorinë e Elbasanit, e cila për arsye të konfliktit të interesit ja delegoi prokurorisë së Kavajës, ku drejtonte Durim Bedini, shoku dhe miku familjarisht i Zihni Shahut. Durimi po e zvarriste çështjen, e takoj në zyrë dhe i them : – Pse po vonohet? Ai thirri prokurorin Bujar Memia që kishte çështjen në shqyrtim dhe e nxiti. Bujari më mori në zyrën e tij dhe më tha: “Po, t`i ke të drejtë”.
Mbas 2-3 ditësh njoftohem zyrtarisht se denoncimi im nuk kishte element për vazhdim hetimesh. Një mik i imi në Tiranë më këshilloi: “Hidhi në gjyq në Kavajë”, dhe ashtu bëra. Mbas një jave takoj Bujar Memine e i them: – “Po ti ç`pate?”Pse nderrove mendim?
“Urdhësi i shefit” (Durimi), të tjerat në vazhdim. Më çuditi qëndrimi i Gjyqtar Valbon Cekrezit (me gjysh te pushkatuar).
Në vitin 2002 ka dhënë vendim te drejte ne drejtim të pronës tonë dhe 10 vjet më vonë më 2012 mban qëndrim të kundërt për të njëjtën cështje, si duket nuk i ka shpëtuar virusit korruptiv në sistem.
Ish kryetari i Gjykatës së Lartë Avni Shehu, i blerë nga F.G rrëzoi në Rekurs 2004 Vendimin e Apelit Durrës te vitit 2002.
Më vonë do t`i shprehej një miku tonë të përbashkët: -“Nuk e dija se kush ishte familja Harri. Ato kanë plotësisht të drejtë.”
Po e mbyll këtë deklaratë me thirrjet e vazhdueshme të SH.B.te Amerikës dhe Bashkimit Europian :
“Pronësoni të shpronësuarit nga Komunizmi, Zotërinj gjyqtarë, vendosni drejtësi qe të hyni në histori për mire, se ka dhe gjyqtarë si Zihniu që duhet të goditet pa mëshirë për bëmat e gjëmat që ka bërë.

Filed Under: Opinion Tagged With: deklarate, Flamur Herri, trupit gjykues

Grabitqarja tronditëse Mira Meksi

October 29, 2014 by dgreca

Esse nga Novruz Xh. Shehu/
Ndërsa thyhej me rropamë gjysmë shekulli komunist, emri i Mira Meksit u lakua në publicistikën e Amerikës Latine e të Spanjës si “Lulja pirate e Gabosë”, kolumbianit të famshëm Gabriel Garsia Markez.
Markezi i letrave nuk shqeu sytë, siç bënë menaxherët e tij të kujdesshëm, vendosi duart në mes dhe qeshi aq fort sa që i ra mbi tavolinën e punës një portret origjinal i Francesko Gojes.
Diku Garsia Markez kishte lexuar se në vitet 1936-1939, një grup shqiptarësh ishin radhitur krah luftëtarëve të Spanjës në përballje të diktatit e terrorit. Një prej tyre ishte poet dhe kishte emrin Pietro, i cili kishte shqyer betonin në këmbët e urës së lumit Ebro dhe kishte strehuar aty një përmbledhje vargjesh me titullin “Kënga në kohërat e kolerës”.
Ndoshta ky akt meriton piraterinë e “Dashuria në kohën e kolerës” prej bashkë-atdhetares së tij, mendoi Markezi.
Këngë, dashuri, kohë, kolerë…
Markezi fshiu lotët që i detyroi e qeshura ndërsa ftoi të ulej shqiptaren rebele në sallonin e rezervuar enkas për pritjen e personaliteteve të shquar të planetit.
“Si një bletë që përndjek polenin nga mijëra kilometra larg e që sa afrohet të jep tronditjen e bukur…” mendoi rishtas duke shënuar “vërtet tronditje e bukur që dinë të ta falin engjëjt shpërndarës të mesazheve universale”.
E KUQJA
Nuk u shëndrrua në emblemë vetëm se është ngjyra e gjakut të Krishtit. Mijëra Jezus në komunitetin njerëzor investuan para tij atë që quhet Gjak.
E kuqja është gjaku në buzët e toreadorit në puthjen kafshim prej mbretëreshës së seksit.
Është gjaku në shpatullat e demit që vërsulet me energjinë thuajse kozmike të vjelë duartrokitjet e arenës dhe turmës, të komunikojë me vështrimin e gjaktë në vështrimin aq të gjaktë të toreadorit.
Është prishja e virgjërisë te piklat e rënë në ankthin e rinimit të adoleshencës me tërë ankthin e rrënimit të Murit të Berlinit.
Është në petalet e trëndafilit që thërret bletët me alfabetin e saj, e në Papaver Rhoeas që ndez grunjërat e fantazinë me opiumin që mbart nëpër enët e venave.
Është balta e Beratit mbas vrasjes së mijëra ushtarëve në betejën e Skënderbeut mbi turqit 500 vite më parë.
Është ajo ngjyrë e blatuar në mijëra ikona të Spanjës e të Botës e në ikonat e kryemjeshtër Onufrit, ngjyrë që e kapi në ajrin universal shkrimtarja e talentuar Mira Meksi duke e blatuar në arkitekturën e romanit “E kuqja e demave”.
ARENA
Mira, është nusja e çuditshme e fisit të çuditshëm të Meksajve të Labovës së Tepelenës, që për pesë shekuj i ka dhënë qindra personalitete kulturës dhe historisë kombëtare e evropiane. Ndoshta në arenën e toreadorit Antoniu Manuelit me mbretëreshën e seksit Maria Vitoria e me mbretëreshën Teuta ajo ka patur parasysh gjeneralin me bukuri të jashtëzakonshme Petro Meksi. Gjeneral Petro në mesin e shekullit hyri të teorodojë në arenën e Erosit me dy mbretëresha: të Greqisë e të Francës. Të dyja e dashuruan marrëzisht e Athina përjetoj mijëra kopje te letrave të tij, të ngjitura sokakëve si armë beteje prej mbretëreshave të përfshira nga tmerri xhelozisë.
Kjo arenë është ajo e luftës së brigadave internacionale në Spanjë (1936-1939) ku dhanë emblemën e gjakut jo pak djem nga Shqipëria.
Kjo arenë është ajo e Skënderbeut kundër turqve dhe e mijëra betejave të tjera që siguruan ngjitjen e popujve në shkallët e historisë.
Kjo arenë e luftës së jetës me vdekjen, së dashurisë me urrejtjen, së marrëzisë me urtësinë, së injorancës me diturinë, së paqes me mirësinë, së humanizmit me krimin, është ajo arenë e përjetshme ku arti kryen misionin e tij të përjetshëm.
STILI
Ajo nuk e ka shkruar, ajo e ka qëndisur me filigramë këtë vepër, që çuditërisht nuk i ra në sy dopio Markut, kryetarit të komisionit emblemë në Ministrinë e Kulturës së nënës sonë të shtrenjtë Shqipëri.
Mira Meksi ka një stil të vetin brenda konstruktit klasik të romanit. Ajo di të rrëfejë si një aristokrate:
Me kujdes me fjalë të zgjedhura të madhërishme ku në idilin e dashurisë spanjolle shpërfaq në sallonet evropiane kulturën dhe personalitetin e artit shqiptar.
Aty këtu ajo preferon realizmin magjik duke kapërcyer kështu kohërat dhe kombet, të gjallët e të vdekurit, mistikën e realen, duke kaluar nga manastiri Vernelas në Spanjë te Kastro e Beratit në Shqipëri, nga shek.XXI në shek.XV e anasjelltas nga arena e Onufrit në botën e ngjyrave tek Antonio Manueli në arenën e demave.
GJUHA
E përzgjedhur çdo fjalë e fjali, me elegancën dhe kujdesin e një femreje elegante. E ndërsa fshihen jo pak herë fjalë arkaike, ajo i preferon ato në emër të qëndisjes së prozës së saj me relike duke ja rritur kështu ndjeshëm vlerat.
Ka disa fjalë të reja që ajo i ka realizuar duke zbatuar me korrektësi ligjësinë e fjalë formimit të gjuhës Shqipe e duke pasuruar fondin e saj: vetmevete, gatizëshme, ditë e vapët, qiellin të tejlartë, të shumësigurt, rrëzëkofshën, zëzërima, makthi i flurthët, të pavakishme, shtizime, kursyerazi, të njëmijfaqëta, fillbiseda etj.
Përngjitja e fjalëve shqipe në mënyrën e duhur i jep asaj vlera të reja dhe është shqipja kjo gjuhë magjike që ta jep këtë mundësi.
…
A mund të shtohet diçka në ribotimin e mundshëm të “E kuqja e demave”?
Në rast se do të kemi parasysh zbulimin e fundit të një ditari të shkruar në pllaka balte prej Onufrit, besoj se arena e Erosit të tij me ngjyrat dhe ikonat do të theksojë dhe shtojë arkitekturën dhe përmasat e romanit në ribotim.
…
Mira Meksi e njohur më shumë si përkthyese e shquar, që ka sjell në Shqipëri, Markezin, Sabaton, Cortazar-in, Dumas-in, Borges-in, Nerudan etj. Tani më është konsoliduar si shkrimtare e mirëfilltë. Mendoj se nuk gaboj se kjo vepër është ndër tre romanet e saj më të arrirë e pse jo e mundshme për tu paraqitur me dinjitet në fondin e letërsisë evropiane.
Të shkruash është e thjeshtë të bësh art është thuajse e pamundur e po qe se u bë e mundur kjo realizohet vetëm nga engjëjt e artit e të fjalës së mesazheve universale.

Filed Under: ESSE Tagged With: grabitqarja tronditese, Mira Meksi, Novruz Xh. Shehu

RREFIMI I ALBERT VERRISE

October 29, 2014 by dgreca

AKTORI NIKOLIN XHOJA PARTIZANI QË LUFTOI NË KOSOVË, SËBASHKU FITUAM KINOPROVËN E “KAPEDANIT”/
NGA GËZIM LLOJDIA*/
1.Frymëmarrjen e fundit, artisti i popullit Nikolin Xhoja e dha në një ndër muajt e trishtë të vitit 1987. Atje nën ftohtësinë e baltës larg tokës që e rriti, shkoi ish-partizani që luftoi për çlirimin e viseve shqiptare në luftën e dytë botërore, aktori i madh,Artisti Nikolin Xhoja. Ajri përreth. Kishte zënë të mugej. Siluetë e heshtur. Frymë-hapësira e ngushtuar. Muzgu i pikëlluar përcolli kështu në heshtje, në varrezat publike, largimin nga bota të një artisti kinemaje, të këtij vendi të vogël ballkanik.
2.Ai erdhi nga toka përtej detit. Por në qiellin e shpirtit,nuk ishin zhdukur retë e bardha të vendlindjes. Ai erdhi nga toka që quhet :Brindisi (shqiptimin italisht: [Brindisit] (dialektin lokal: Brìnnisi; latin: Brundisium) është një qytet në rajonin Apulia të Italisë, kryeqyteti i provincës së Brindizit, në brigjet e detit Adriatik. Historikisht, qyteti ka luajtur një rol të rëndësishëm në tregti dhe kulturës, për shkak të pozicionit të tij në Gadishullin italian dhe portin e tij natyrore në detin Adriatik.
Nikolin Xhoja këtu ndjeu rrezet e para të diellit të jetës. Ishte muaji maj dhe viti 1926. Ky djalosh shkoi një ditë me çetat partizani,ndërkaq që fashizmi dhe më tej nazizmi pushtonin troje dhe robëronin kombe të qytetëruar,në sytë e këtij dheu.
Djaloshi Nikolin Xhoja u bë pjesëtar i ushtrisë nacional-çlirimtare shkoi deri në viset e largëta shqiptare për të luftuar nazizmin dhe për ta larguar nga votrat shqiptare . Deri në Kosovë shkeli këmba dhe ndër vise tonë të Gjakovës, Sanxhakut, Mitrovicës, Gostivarit, Ohrit. Thuhet se këtu, ky djalosh këtu shpalosi aftësitë e tij grupet njësiteve luftarake dhe me pjesët dhe komeditë e shkurtra si:” Daj Ceni”, “Këpucari”, “Po vijnë partizanet” etj.
“Pas çlirimit –shkruhet në wikipedia ,te vendit dhe kthimit ne Durrës, vijoi te luante me tej si aktor amator pranë grupit qendror te Shtëpisë te Kulturës. Është nga aktoret themelues te teatrit “Aleksandër Moisiu” te Durrësit, me 11 janar 1955. Roli i tij i pare si aktor profesionist ishte ai i Kostës ne komedinë Vajza nga fshati e Fatmir Gjatës. Ka luajtur 54 role ne teatër, kryesisht te planit komik e satirik, gjithashtu ne 11 premiera te estradës se Durrësit si dhe ne 7 filma artistike. Një nga arritjet e tij me te spikatura, gjerazi e njohur ne aktrimin shqiptar, ishte roli i Qazim Mulletit ne komedinë Prefekti (1968) e Besim Levonjes. Ai njëmendësoi plot shpoti dhe mjete te holla humoristike fytyrën e kuislingut, e frikacakut, sidomos atë te zyrtarit te korruptuar e sharlatan, fale nej përshtatjeje qe e bënte edhe me te dukshme sjelljen dyfytyrëshe : mburrjen dhe panikun, kinse ndershmërinë dhe natyrën prej grabitqari, vrazhdësinë dhe shpirtin gjoja prej babaxhani. Me këtë rol loja e N. Xhojes mbërriti ne një nga vlerat sipërore te aktrimit shqiptar, i barasvlershëm me cilësinë aktoriale te Mihal Popit po te ky rol”.

Filmografia:
Në prag të jetës – (1981)
Thirrja – (1976)… Baca Leka
Udhëtim në pranverë – (1975)… Magazinieri
Çifti i lumtur – (1975)… Babai i Vajzës
Kapedani – (1972)… Xha Beqoja
Horizonte të hapura – (1968)… Kuzhinieri
Mundej të ishte shtegtari natën me hënë pa yje,ose gjuhëtari në detin me perla guackash. Që të limitojmë qartazi gjërat,bota jonë është shurdhmemece, e verbër është.
3.Artisti i Popullit ,Albert Verria ka qenë partner me Artistin e popullit Nikolin Xhoja në kinokomedinë shqiptare:”Kapedani “të cilësuar si një ndër realizimet brilante të kësaj qendre prodhimi kinematografik ,megjithëse kanë kaluar gjysmë shekulli kjo kinokomedi vijon të mbetet ndër më të shikuarat.
Kjo kinokomedi është vlerësuar kështu:Një tjetër figure plot kripe e humor ishte ajo e xha Beqos ne filmin Kapedani (1972). Këtu ai skaliti me mjeshtëri te larte dhe sens te holle njeriun shpirtmire, gazmor, te gjindshëm, disi te leshte port e dashur e te ëmbël, duke krijuar se bashku me aktorin tjetër, Albert Verria ne rolin e Sulos, një nga dyshet aktoriale me harmonike, si nga pikëpamja e sendërtimit te marrëdhënieve, ne mënyre fare te natyrshme, ashtu edhe nga pikëpamja e ndjersjelljeve, e kundërshtive dhe e përplotësimeve reciproke ne karaktere, ne dialogët dhe ne gjendjet e tyre shpirtërore”.
A.Verria rrëfen: Që të limitojm qartazi gjërat,bota jonë është shurdhmemece, e verbër është. Përpara asaj, krijuesit i shfaqet një vizion Sapo mësova që kisha kinoprovë me Artisin Nikolin Xhoja thashë se do të bëja të pamundurën për ta fituar atë rol. Në kinostudio kishte ditë që kishin filluar kino-provat për të fituar nëj rolë në një ndër kino-komedit, që pritej të xhirohej atë vit. Kishte një dualizëm të theksuar për rolet kryesore.
Filmi “Kapedani” ,skeda e filmit:
Titulli shqip :”Kapedani”
Viti i prodhimit 1972
Koha (Zëri) – (PAL/DVD) 95:21
Ekipi realizues
Regjia Muharrem Fejzo
Fehmi Hoshafi
Liri Brahimi – ass.
Skenari :Skënder Plasari
Muzika e filmit : Tasim Hoshafi
Kameramani : Ilia Teprini
Drejtori artistik Teodor Siliqi
Prodhuesi i filmit: Shqipëria e Re
Xha Beqo ishte roli ku u ftuan të realizojnë kinoprovë Nikolin Xhoja përball Mihal Popit dhe Xan Zyberit .
Albert Verria ishte përball Pandi Raidhit dhe Myqerem Ferrës.Nikolin Xhjoa fitoi rolin e xha Beqosë dhe Albert Verria rolin e xha Sulos. Skenat në të cilën ata luajtën për kino-provën ishte i dehuri. A.Verria rrëfen:Ishin mbi 150 vetë që ndiqnin xhirimin dhe që mbanin të qeshurën për të mos ndërprerë një ndër krijimet më të spikatura të të dy aktorëve.
Aktorët që do të luanin në këtë kinokomedi:
Albert Verria……XhaSulo
Nikolin Xhoja……Xha Beqo
Flora Mërtiri
Zagorka Shuke
Ismail Zhabjaku
Lazër Filipi
Robert Ndrenika
Hyrije Ahmeti
Ferit Gjevori
Haxhi Sejko
Melpomeni Çobani
Në role pisode:
Dario Llukaçi
Meropi Xhoja
Reshat Arbana
Fatbardha Lalo
Saimir Kumbaro
Rauf Pojani
Tefta Hamzaraj
Valbona Simixhiu
A.Verria tregon:Kinokomedia u xhirua në këto ambiente. Në Tiranë u xhiruan mjaftë skena, brenda kinostudios dhe jashtë saj. Pjesët që luanin në teren u xhiruan në fshatrat Borsh,Piqeras,Lukovë.
Pjesa që Nikolini gjuante më çifte ,ndërkaq q ë thyen xhamet u xhirua në Piqeras. Gruaja që thërriste me të madhe për dëmin e shkaktuar a e njihni kush ishte: Meropi Xhoja,ose ndryshe bashkëshortja e Nikolinit .Ndërsa ecjen nëpër ato shkallët e fshatit tatëposhtë është xhiruar në një rrugicë të fshatit Lukovë. Nikolini ishte një aktor i madh. Nikolini ishte rreth 50 vjeç kur realizoi rolin e xha Beqosë. Unë isha rreth tredhjet vjeç ose 20 vjet më i vogël se ai. Rrathët ishin rrudhat e tyre të pleqërisë. Në të vërtet,ishin copëra vitesh të mbetura pas.
Deri në fund kishe ndërmend ta shpinte marrëveshjen më kohën xha Sulo?
-Jo sepse ju nuk dini dicka të habitshme. Bashkëshortja ime në film ishte : Zagorka Shuke ,aktore e teatrit të Pogradecit. Zagorka ishte rreth 45-501 vjeç që do të thoshte rreth 20 vjet më e madhe, mirëpo ende nuk është kuptuar ky ndryshim moshe dhe po e zbulojë këtu. Rolet ishin të përsosura sakaq nuk u dallua fare ndryshimi i moshës time me aktorë më të mëdhenj në moshë sa imja deri në 20 vjet.
1.3 e filmit u xhirua në fshatë. Xhirimet i kryem gjatë verës,kryesisht muaji gusht.
Ne i kishim vendstrehimet tona ku flinim në kabinat e plazhit në Borsh te deti,ndërkaq që ditëve udhëtonin drejt fshatrave të bregut për xhirime ditore. Një pjesë e gjërave janë të pandriçuara dhe është mirë, që shikuesi ti njohë rreth 50 vjet më vonë. Duken se të gjitha skenat janë xhiruar në një fshatë të vetëm ,gjë që në realitet nuk ka ndodhur kështu .Mirëpo montazhi dhe përpikëria janë të këtilla që nuk lënë asnjë shteg për dyshim. Skena e gjyqit të Xha Sulos pas vendosje së fletërrufesë është xhiruar në një fabrikë vaji në Sasaj të Sarandës,ndërsa shumëkush e quante se edhe ajo dhe të tjera i përkasin fshatit të Borshit. Nikolini ishte babaxhan njeri me humor dhe të bënte për vete. Megjithëse fizikisht i shëndosh ai i përballonte me sukses skenat apo episodet, që dubloheshin mese njëherë. Ai besonte në çdo gjë që do të realizonte mjeshtërisht deri në përsosmëri. Nikolini edhe bashkëshorten me të cilën janë njohur në rreshtat e çetave partizane e ka aktore, ndërsa vajza e tij është një ndër pianistet e suksesshme shqiptare në Brindisi.
Xhirimet në terren u përkisnin banesave tradicionale të kohës në fshatrat Borsh,Piqeras,Lukovë. Skenari ishte shkruar mjeshtërisht nga Skënder Plasari. Por, ai përmbante një mesazh të fortë edhe për ditët e sotme.
Me Niklon Xhojën ne takoheshim edhe më vonë por më shpesh nëpër sheshe-xhirimesh. 5 vite më vonë ne u takuam te filmi: “Thirrja”. Viti 1976) me rolin e Baca Leka,Nikolni përbënte atë pjesë të shkëlqyer të artistëve shqiptarë .Ikja e një artisti,por ne ndjejmë ndërkaq, mungesën e reve të shiut.
Kisha dëgjuar se pasqyrë të shpirti artistë në përgjithësi kanë sytë,ata fshihnin një shtresim misteri. Është kjo hija e asaj pjese të pandriçuar,që megjithatë mbetet e pa lexueshme. Edhe flokët,ruanin një shtrirje tjetër. Madje flitet edhe për një nur bukurie,që i mbulon. Ata vetë janë të pavetëdijshëm për këtë,por të pavullnetshëm për ta rrëzuar.
Ca vite më parë stacioni i fuqishëm italian RAI3 mbriti nga toka e çizmes,përtej detit,drejt tokës së shqiponjave. Misioni i kineastëve televiziv ishte një dokumentar për vendin tonë por edhe për ndikimin e figurave të shquara italiane në kulturën shqiptare. Mbërritën te unë ,thotë Vërria për të kërkuar prononcimin tim për aktorin me origjinë italiane ,Nikolin Xhoja me të cilin kishin interpretuar në kinokomedinë shqiptare :”Kapedani”, që na bëri të famshëm. Artistë ose bëhesh ose nuk je ti këtillë.Nikolini i ishte i këtillë,unë e njoha atë në kohë-xhirimet e Kapedanit në atelietë dhe fshatrat e jugut kur bëmë një film të kohës që shikohet edhe sot .
Kështu më rrëfeu Artisti Albert Verria,fragmente të jetës për artistin e madh, Nikolin Xhoja.

Filed Under: Featured

Miqtë e Mark Gjonaj në fushat për rritjen e fondeve

October 29, 2014 by dgreca

Mark Gjonaj, i pari Assemblyman shqiptaro-amerikan në Nju Jork, merr mbështetjen për një mandat të dytë nga të gjitha komunitetet në Qarkun 80-të – të qytetit të Bronxit
Nga Beqir SINA Bronx New York City/
BRONX – NEW YORK : Natën e martë, 28 tetor , 2014, Assemblyman i Qarkut 80-t, në New York, Mark Gjonaj – mbajti një fushatë – fondesh me mbështetësit e tij – për zgjedhjet e 4 Nëntorit 2014. Zonën elektorale ku ai rikandidon dhe ka shumë mundësi të fitojë një mandat të dytë – mbasi deri tani nuk ka asnjë kundërshtar. Veprimtaria e mbrëmëshme tërhoqi dhjetëra mbështetës të tij, nga të gjitha komunitetet, përfshirë shqiptarët, miqtë dhe të afërmit, shokët dhe politikanëve të lartë vendorë, çka tregon punën e tij dhe respektin në këtë zonë elektorale..
Ngjarja u mbajt në lokalin e njohur Don Coqui Restorant, zonën bregdetare e quajtur City Island, në Bronx – New York.
Gjonaj – i cili është biri i dy emigrantëve shqiptarë, i lindur dhe rritur në Bronx, i kushton një pjesë të madhe të jetës së tij për aktivitetet e komunitetit, si dhe duke ndihmuar komunitetin shqiptaro-amerikan në të gjithë zonën e New Yorkut. Ai mori detyrën në Asamblenë e Shtetit të New York-ut, më 1 janar 2013, duke sjellë me vete përvojat e tij – si biri i një emigranti – një pronari të biznesit të vogël dhe praktikat e vështira për të jetuar dhe punuar nëlagjen Bronx. Ai është i pari shqiptarë i Amerikës, në historinë e emigracionit që zgjidhet me votat elektorale në një detyrë kaq të lart në shtetin e New Yorkut.
Në mandatin e tij të parë si Assemblyman i Qarkut të 80-t, Gjonaj – thuhet se ka ndihmuar shtetin e New Yorkut, të bëjë përparime të mëdha në fushën e mbulimit afatgjatë të sigurimit të kujdesit shëndetësor, të shtetësisë dhe të emigracionit, të shërbimeve të tjera sociale për shtresat e varfëra, duke ndihmën e tij në sistemin e arsimit, dhe atë të shërbimit civil.
Si një Assemblyman i mandatit të parë, në shtetin e New Yorkut, Qarku 80-të në Bronx, Mark Gjonaj – simbas shtypit lokal – ka luajëtur një rol aktiv në Albany dhe në Qarkun 80-të, për të krijuar vende pune dhe të mirë paguar,strehim të përballueshëm për qiramarrësit, arsim cilësor në shkollat publike, zgjerimin e objekteve të kujdesit shëndetësor në qytet, mbrojtjen dhe sigurinë e lartë në qendrat socialepër të bërë rrugë të sigurta në të gjitha lagjet,dhe një cilësi më të mirë e jetës për të gjithë komunitetet.
Gjatë fushatës së tij, Assemblymani Gjonaj ka premtuar se do të jetë i pranishëm në të gjitha ngjarjet e planifikuara në Qarkun e 80-të, duke u gjendur pranë të gjitha komuniteteve, prej nga hispanikët, ata me ngjyrë, kinezët, arabët, rusët, italianët dhe të tjerët.
Ai mbajti mbrëm një fjalim entusiast, para dhjetëra mbështetësve të tij në Restorantin Don Coqui – duke thënë në fillim të fjalës së tij , se ai do të donte të falënderoj të gjithë për mbështetjen e tyre në fushatën për rritjes së fondeve. “Në fund të fundit, tha Gjonaj – një zyrtar i zgjedhur nuk është asgjë pa mbështetjen e komunitetit, ku ai është zgjedhur, poqese ai nuk është i lidhur me hallet e problemet e zgjedhësve të tij. Unë jam i kënaqur për gjithëçka kam bërë, gjatë këtij mandati për ju dhe duke punuar së bashku me ju “.
Assemblyman Mark Gjonaj – gjatë kësaj darke për rritjen e fondeve financiare të fushatës së tij për zgjedhjet e 4 Nëntorit, mori dhe mbështetëjen nga Kongresmeni demokart e New Yorkut, Elliot Engel, Senatores së Shtetit Ruth Hassel Thompson, Jr dhe Senatorit të Shtetit Jeff Klein, Kontrollorin e Qytetit Scott Stringer, Këshilltarit James Vacca, Senatorin e Shtetit Jose M. Serrano, Assemblyman Jeffrey Dinowitz, Këshilltarin AndrewCohen, Councilwoman Annabel Palma , Robert Fannuzi (CB8), Bob Bender (CB8), Christina Taylor (FVCP), disa lider të komunitetit dhe më shumë figura të njohura të komunitetit shqiptarë.
Kongresmeni demokart e New Yorkut, Elliot Engel, tha në fjalën e tij se ishte aty në këtë fushat për rritjen e fondeve sepse, ai po e mbështetëse fuqishëm asambleistin Mark Gjonaj – edhe në një mandat të dytë. “Prej kur ai u zgjodhë për herë të parë, tha Engel – unë kam patur shumë besim se Marku do të jetë një përfaqësues i mirë i zërit tuaj në Albany – dhe se ai tashmë është njeriu i duhur edhe për një mandat tjetër për të gjitha komunitetet në Bronx” tha Engel – duke shtuar se si i pari asambleist shqiptarë, në New York, unë dhe Mark Gjonaj – kemi qenë present në shumë ngjarje të komunitetit shqiptarë”.
Kontrollori i Qytetit Scott Stringer, tha se “Ju sot nuk po mbështesni vetëm një asambleist të New Yorkut – por ju po mbështetni atë sensin që ka Mark Gjonaj – për të përfaqësuar ju në qytetin tonë”
Mark Gjonaj përfaqëson Qarkun 80-të të Kuvendit të Nju Jorkut, i cili përfshin lagjet e Allertona, Bedford Park, Morris Park, Mosholu Parkway, Norwood, Pelham Gardens, Pelham Parkway dhe Van Nest në Bronx, lagje këto ku jeton dhe një numër i madh e familjeve shqiptare.
Ai është i lindur dhe rritur në Bronx. Mark, aktualisht banon në Pelham Parkway me gruan e tij, Roberta një infermiere, dhe dy bijtë e tij Nicholas, një nxënëse i shkollës së lartë dhe Jozefi, i cili është i regjistruar aktualisht nënjë shkollë publike në Bronx . Ai është biri i dy emigrantëve shqiptarë – nga Reçi i Ulqinit, të modeli i emigrantëve shqiptarë në emigrim të cilët kan punuar në punët më të vështira për të ndërtuar një të ardhme sa më të mirë për fëmijët e tyre.

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4331
  • 4332
  • 4333
  • 4334
  • 4335
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT