• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Diskurset e fotografisë së luftës së Kosovës në spektrin filozofik të një libri

October 2, 2014 by dgreca

Shkruan: Dr Fatmir Terziu/Londer/
Libri më i suksesshëm i pas luftës së Kosovës, ndoshta më i veçanti i këtij lloji, “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999” i autorit Pr. Dr. Nusret Pllana, ka dhe një arsye tjetër të jetë më i ndjeshmi. Është i tillë, jo thjesht si dokumentim, as edhe si një memorje e trishtë, por si një ftesë globale në këtë dimension logjik për diskursin e luftës. Ka një histori të luftërave që bëhet më pas një histori kujtese. Dhe kjo ndodh në tërë dimensionin diskursiv që mbart arsyen e përcjelljes mes mbishkrimeve në rreth shtatë gjuhë të ndryshme, edhe pse gjuha e fotografisë ka vlerën e saj më të madhe. Në këtë shkrim shqyrtimi i retorikës vizuale të këtij libri dhe një tjetri me temë akademike “Nato dhe intervenimi në Kosovë” kanë një kapërcim mediatik dhe ndjehen të arsyeshëm në mjedisin e një diskutimi logjik, ku përfqësimi dhe imazhet në cilësimin e fjalëve kanë më shumë se sa një mesazh. Të dy tregojnë për atë rezistencë dhe për atë mbijetesë. Fotografitë kanë gjuhën e tyre, po aq sa edhe të thënat e të pathënat, me syrin mjeshtëror të Profesor Pllanës. Por në planin transmetues pyetjet janë në kalibrin tjetër. Çfarë tregojnë fotografitë? Çfarë bëjnë këto fotografi të sugjerojnë në lidhje me legjitimitetin e veprimeve të pushtuesve dhe atyre që bënë ato masakra?
Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve mjafton të shfletosh me durimin dhe guximin më të madh mbi gjashtëqind fletët e një formati të madh e të rëndë të librit “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999”. Për mbledhjen e të dhënave ka qenë vetë aktiviteti i përkushtuar i luftëtarit Pllana, por edhe arsyeja e tij akademike për të bërë globale një memorje që s’duhet të shuhet. Periudha që pasoi dhe që pason atë periudhë është edhe një kronologji akademike në të dy librat. Rrënjët janë kudo dhe memorja flet.
Para se të diskutojmë për imazhet fotogazetarske të realizuar nga vetë autori në më të shumtën e rasteve, por edhe të mbledhura nga një ekip që drejtohej dhe ideohej prej tij, duhet të flasim në lidhje me vlerën e lajmeve dhe mesazheve të tyre.
Disa prej fotografive në korpusin tonë janë ato imazhe të rralla dhe tronditëse të momenteve ekstreme. Ato janë zakonisht të ndjeshme, të kualitetit të dobët në disa raste, framuar në mënyrë të keqe e të fokusuara si në terren lufte e në viktima, të vështira për tu parë nga të gjitha moshat. Mjaft janë si vetë kohë lufta dhe realizimi me kamera vëzhgimi. Por ato janë jo thjesht mes faqeve të librit, janë duke lëvizur kudo ku ai krim u bë dhe ngado nga ato duar u zgjatën e bënë krimin.
Jo më kot para publikut londinez, Profesori James Pettifer, historiani i dalluar britanik dhe njohësi i mirë i Ballkanit, theksoi rëndësinë e dokumentimit të krimeve në funksion të prezantimit të së vërtetës. Kjo e vërtetë që vjen nga diskursi i fotografisë së luftës. Kështu promovimi në Londër i kësaj vepre madhore publicistike dokumentare: “Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844-1999” dhe filmit dokumentar: “Rrugëtimi i një libri nëpër botë” të autorit Prof. Dr. Nusret Pllana, solli arsyen diskursive në një mjedis të ndjeshëm akademik, ku ishin mjaft personalitete akademike si Stephanie Schaëandner-Slevers dhe James Pettifer etj. Diskursi fotografik i këtij libri i cili dokumenton krimet e kryera ndaj shqiptarëve nga regjime të ndryshme serbe përgjatë historisë u bë në ambientet e Regent’s University. Promovimi u organizua nga Ambasada e Kosovës në Londër në bashkëpunim me Bashkësinë Shqiptare ‘Faik Konica’ në Britani të Madhe.
Ambasadori Greiçevci e vlerësoi punën e palodhshme të autorit në evidentimin e të kaluarës së hidhur dhe tragjike të kombit tonë. “Dokumentimi dhe hulumtimi i krimeve të luftës nuk duhet të mbetet vetëm përpjekje akademike, por edhe obligim për të gjithë ne për të mirën e gjeneratave që do të vijnë. Siç thotë një thënie e urtë, ata të cilët nuk mësojnë nga e kaluara, e kaluara u përsëritet”, pohoi ambasadori Greiçevci. Të pranishmëve u folën edhe Ambasadori i Shqipërisë në Mbretëri të Bashkuar, Mal Berisha, dhe Talat Pllana, kryesues i Bashkësisë Shqiptare ‘Faik Konica’ në Britani të Madhe.
Në fjalimin e tij enkas për librin që për herë të parë po shpalosej para publikut londinez, historiani i dalluar britanik dhe njohësi i mirë i Ballkanit, James Pettifer, theksoi rëndësinë e dokumentimit të krimeve në funksion të prezantimit të së vërtetës. Puna të cilën z. Pllana e ka bërë, tha Pettifer, është mënyra më efikase për t’iu kundërvënë përpjekjeve për rishkrim të historisë. Të pranishmit patën rastin ta shohin edhe një dokumentar që paraqiste rrugëtimin e këtij libri nëpër kryeqendra të ndryshme të botës. Në fund të promovimit, autori foli për rolin dhe rëndësinë e dëshmive dhe të dhënave të përfshira në librin e tij, si dhe paraqitjen para audiencës ndërkombëtare. Në këtë kontekst, ai falënderoi organizatorët e këtij promovimi, si dhe të gjithë pjesëmarrësit.
Të dy librat e autorit, dokumentari dhe fjalët e këtj evenimenti sollën në skenë me të madhe një arsye të rëndësishme për orët e historisë shqiptare të Kosovës. Orët e historisë shqiptare të Kosovës mes këtij diskursi folën me një gjuhë globale, atë të respektit dhe kujtesës ndaj asaj që ka ndodhur për të mos u rikhtyer e për të mos harruar.

Filed Under: ESSE Tagged With: Fatmir Terziu, Londer, Nusret pplana, terrori i serbise

TRIPTIKU I DASHURISË

October 1, 2014 by dgreca

Trilogjia romanore e Amedeo Baçit/
Nga Prof. dr. KLARA KODRA/
Një studiuese bashkëkohore Kristianë Montko, në artikullin e vet “Emergjenca e një “romani të zi” në Shqipëri” pohon se: palitra e romanit nuk ofron veçse dy ngjyra, rozën dhe të zezën që shfaqen si evidente, kur i krahason me çiftin shpresë/dëshpërim.
Në historinë bashkëkohore shqiptare mbizotëron e zeza, dramatizmi në caqet e tragjizmit dhe një lloj pesimizmi ekzistencial që shprehin krizën e sotme të vlerave njerëzore. Një shembull tipik për këtë janë romanet e Fatos Kongolit, por mund të përmendim edhe romane ta Virion Graçit, Ridvan Dibrës, Agron Tufës, Roland Gjozës, etj.
Te trilogjia e romaneve të Amedeo Baçit “Mes dhimbjes dhe dashurisë”, “Peng i dashurisë”, “Dashuri dhe dëshpërim”, vepër e një autori që shfaqet në mënyrë befasuese në horizontin e letërsisë, do të thoshnim se, megjithëse s’i mungon dramatizmi, ekziston një zonë rozë e cila mëshirohet nëpërmjet leitmotivit të dashurisë si ndjenjë e madhe njerëzore. Ky leitmotiv shfaqet që në titujt e romaneve që përbëjnë një triptik me një fjalë-çelës, “dashuri”.
Kjo trilogji romanore shkon “kundër rrymës”, në kuptimin që nuk përfshihet në prirjet moderniste dhe pasmoderniste të romanit bashkëkohor, por i kthehet realizmit, duke e pasuruar me një lloj “energjie romantike” e trashëguar nga drejtimi letrar i romantizmit, i cili i përket tashmë historisë.
Në këtë trilogji ndërthuren disa zhanre: romani dokumet ose dëshmi, ku realja mbizotëron mbi “fiction”, romani autobiografik, “romani i formimit” (meqënëse ndjek hap pas hapi procesin e formimit të personalitetit të protagonistit, Paridit, që nga fëmijëria në pjekuri). Por, në këtë trilogji nuk gjejmë dy llojet klasike me të cilat përfundon ky lloj romani në letërsinë europiane: fundi i lumtur, zakonisht me martesë, në të cilin përmbylleshin romanet e shekullit të tetëmbëdhjetë, të karakterizuar nga optimizmi iluminist dhe “fundi tragjik” me vrasjen a vetëvrasjen e heroit ose me “vdekjen shpirtërore” të tij, që ka qenë karakteristikë për shekullin romantik të 19-të. Autori anon më tepër nga një finale “e hapur”.
Amedeo Baçi ka shfaqur guxim duke u rikthyer tek romani tradicional me subjekt të përcaktuar, ndjekje të vijës kronologjike, personazhe të përcaktuar qartë, madje me një protagonist që lufton për disa vlera, në vend që të përplaset andej-këndej nga era e jetës. Në fakt, në letërsinë bashkëkohore mbizotërojnë “njerëzit pa cilësi” që i kundërvihen “heroit pozitv” famëkeq të realizmit socialist. Krijimi i këtyre figurave shpreh humbjen e besimit te njeriu që dallon shkrimtarët e sotëm, pra, është fjala për një skajshmëri të krahut të kundërt.
Paridi i Amedeo Baçit, përkundrazi, ndonëse është larg së qëni i përsosur dhe mishëron një njeri të thjeshtë në virtyte, po edhe në të meta të zakonshme njerëzore, beson te disa vlera, si dituria, puna, dashuria në kuptimin e ngushtë dhe të gjerë të fjalës, dhe familja. Nuk është një personazh që kalon në një proces degradimi dhe as një personazh që përjeton ndonjë “ndriçim” moral. Autori e piketon atë duke i qëndruar larg, si idealizimit, ashtu edhe skematizmit. Duke qenë fjala për një roman autobiografik, shkrimtari identifikohet pothuajse deri në shkrije me protagonistin.
Figura e rrëfimtarit në roman nuk rikthehet te rrëfimtari i dikurshëm i “gjithëdijshëm”, por është një rrëfimtar që di po aq sa personazhet, madje në ndonjë rast më pak. Zhvillimi i ngjarjeve dhe karakteret shihen përmes optikës së rrëfimtarit/hero që e njohim fëmijë, adoleshent dhe të pjekur. Tërë trilogjinë e përshkruajnë konfliktet midis individit dhe shoqërisë, idealit dhe realitetit, të kaluarës dhe të ardhmes, e cila shihet me sytë e zemrës dhe në të cilën, me gjithë zhgënjimet, protagonisti beson.
Autori ka ditur të pikturojë në pjesën e parë të trilogjisë poezinë naive, spontane dhe të çiltër të botës fëmijërore, duke na dhënë në mënyrë të besueshme protagonistin fëmijë. Aty spikasin disa episode të këndshme që përshkohen nga humori, si biseda e vogëlushit më nënën e vajzës për të cilën ndien dashurinë e parë në fëmijëri dhe dëshirën e tij “për të ngrënë shtatë furrë me bukë brenda një kohe sa më të shkurtër” veç të arrijë dëshirën fëmijërore për ta pasur të vetën shoqen e vogëlisë ose mospranimi i lëvizjes së tokës në dialogun me të motrën .
Dashuria e pafajshme fëmijërore për Janën, shoqen e tij të vogël, zë mjaft vend në pjesën e trilogjisë që i kushtohet fëmijërisë së protagonistit. Autori përshkruan me kujdes mikrokozmosin që rrethon Paridin fëmijë, duke vizatuar tablo të peisazhit të vendlindjes së tij dhe portrete fizike e morale të njerëzve që e rrethojnë, midis të cilëve spikatin figurat e Hetit dhe të Xhekit, babait dhe nënës së tij.
Xheki, e ëma, karakterizohet përmes një detaji kuptimplotë që shpesh optimizon dhe vitalitetin e karakterit të saj, “të qeshurën karakteristike që kur i dilte nga kraharori, ngjante me një buçimë ushtuese që dëgjohej deri te komshinjtë dhe madje tek fqinjët e tjerë përreth” dhe që “linte përshtypjen se bënte të dridheshin edhe xhamat e dritareve, dhe se pas gjithë atij gazi të pafund do të binte përdhe pa frymë”. Autori nënvizon edhe bukurinë e saj fizike, duke e përshkruar përmes imtësive konkrete. “Nëna kishte një fytyrë të bardhë në dimër dhe ngjyrë mjalti të ëmbël në verë. Sytë e saj ishin të bukur, në ngjyrën e gështenjës, ndërsa flokët e zeza e të drejta, të cilave, herë pas here u jepte forma të ndryshme, duke i dredhur e përdredhur sipas dëshirës”.
Autori e karakterizon këtë personazh edhe nëpërmjet qëndrimit në një moment të vështirë të jetës, kur rrezikon të humbasë fëmijën e vet dhe mendon për vetëvrasje. Ngjan se këtu ka një kontradiktë midis karakterit të saj të gëzueshëm dhe një dëshpërimi të tillë të skajshëm, por në të vërtetë këto dy aspekte shprehin një karakter të pasionuar që e përjeton thellë edhe gëzimin edhe dhimbjen, duke qenë i aftë për një dashuri tepër të thellë amësore.
Në portretizimin e personazhit të të atit të protagonistit mbizotëron aspekti moral: ai jepet skajshmërisht i drejtë dhe i ndërgjegjshëm siç zbulohet në episodin kur orvaten ta korruptojnë me dhurata dhe ai i qëndron besnik bindjeve të veta. Ai jepet edhe me mendime relativisht të përparuara për kohën, gjersa nuk i ndërhyn të shoqes në mënyrën e veshjes dhe të zbukurimit.
E shoqja, Xheki, ndonëse është mishërim virtytesh të larta prej gruaje, nënë dhe bashkëshorte, jepet edhe me dobësitë e veta njerëzore, një naivitet që i rrjedh nga natyra e saj e sinqertë dhe një farë patriarkalizmi të imponuar nga mjedisi që e bën të ndërhyjë në të drejtat e fëmijëve për të zgjedhur shokun e jetës. Autori sheh te prindërit e vet mishërimin e virtyteve tradicionale të kombit shqiptar që rrezikojnë të zhduken në kohën e sotme, po edhe kushtëzimin nga një shoqëri patriarkale… Një vëmendje e veçantë i kushtohet personazhit të Verës, motrës besnike, mishërim i dashurisë për vëllanë dhe shpirtit të sakrificës, udhëheqëse shpirtërore e vëllait të vogël në fazat më delikate të jetës.
Në roman spikasin gjithashtu figurat e vajzave dhe grave që hyjnë e dalin nga jeta e protagonistit: Jana, dashuria e fëmijërisë, Zana, dashuria e adoleshencës, Viktoria dhe Esmeralda të dashurat e rinisë, dhe Eleona Bushati, dashuria e gjithë jetës, e parealizuar për një kohë të gjatë. Dy të parat janë rrethuar me një aureolë romantike, po prapëseprapë reale me çiltërsinë e tyre, naivitetin dhe aftësinë, ndonëse në moshë tepër të njomë për të dashuruar thellë. Linja e dashurisë me Zanën hedh dritë të veçantë në vetëdijen dhe nënvetëdijen e protagonistit, duke paraqitur konfliktin shpirtëror të tij mes dashurisë dhe vetëdijes se kjo dashuri është e lidhur pashmangësisht me dhimbjen, një konflikt mes altruizmit dhe egoizmit. Esmeralda dhe Eleona Bushati janë më të ndërlikuara si karaktere, të dyzuara midis dashurisë dhe ndikimit nga mjedisi, Viktoria është e dyzuar midis dashurisë dhe karrierës, një personazh i afërt me figura grashë të realitetit aktual shqiptar, ndonëse i përket të kaluarës.
Mandej vjen figura e Violës, gruaja me të cilin protagonisti lidhet pa dashuri, një vajzë e zakonshme që për shkak të egoizmit të tepëruar përjeton një evolucion negativ dhe bëhet shkak për prishjen e martesës. Të gjitha këto figura i shohim nëpërmjet optikës së protagonistit. Ato janë paraqitur nëpërmjet dialogjeve dhe veprimeve, pra, së jashtmi. Nuk kemi mundësi t’i shohim tërësisht nga brenda për shkak të vetë strukturës së romanit, ku rrëfimtari është edhe personazh. Pra këto personazhe, nga një anë, në dritën subjektive të ndjenjave të dashurisë apo mërisë të protagonistit/rrëfimtar ndaj tyre, nga tjetra, siç thamë, në dritën relativisht objektive të fjalëve dhe veprimeve, veçanërisht të këtyre të fundit, meqënëse fjala mund të shërbejë për të fshehur mendimin, por thelbi i njeriut shfaqet përmes veprimit.
Një fill i kuq që përshkon tërë trilogjinë është dashuria. Dashuria në kuptimin specifik të erosit që mishërohet në kërkimet e vazhdueshme të heroit për të gjetur shoqen e jetës dhe që u kundërvihet nga një anë tabuve të shoqërisë patriarkale, nga ana tjetër puritanizmit hipokrit të diktaturës, e cila pretendon se mbron dashurinë dhe familjen, po ia nënshtron politikës; dashuria në kuptimin e gjerë, dashuri për prindërit, motrën, vëllain, shokët dhe shoqet e shkollës, mësuesit dhe diturinë. Në dhënien e tablove erotike, autori, ndonëse jep disa detaje, i shmanget erotizmit banal me skena të rënduara sensuale që i dallon disa romancierë të sotëm.
Një nga tiparet tërheqëse të protagonistit është dashuria ndaj librit, e kultivuar që në moshë tepër të njomë (episodi i leximit të librave fshehurazi) dhe që i shërben atij për krijimin e një bote virtuale, më të bukur dhe më të thellë se realiteti që përjeton. Protagonisti nuk jepet si i ndërgjegjësuar për çfarë përfaqëson në thelb diktatura, por instinktivisht e ndjen se ky lloj regjimi politik shtyp individin.
Një meritë e veprës është të dhënit e realitetit të kohës jo të ngjyrosur veç me bojë të zezë, siç është një prirje e përgjithshme në veprat letrare që e rikrijojnë atë kohë, po në kompleksitetin e saj, ku përzihen ngjyra të ndryshme. Kështu me realizëm jepet tabloja e jetës së shkollës dhe jeta dinamike kulturore-sportive e Bushatit, vendlindjes së autorit, kur vlerësohet puna fisnike e mësuesve.
Në këtë trilogji romanesh realiteti i jetës përzihet me “fiction”, ku autori i qëndron besnik fakteve reale dhe paraqet tipa realë, por natyrisht i përzgjedh dhe i filtron nëpërmjet fantazisë. Saktësia e kronikanit ndërthuret me imagjinatën e shkrimtarit. Trilogjia e Amedeo Baçit ka diçka nga romani-dokument i Truman Kapotit dhe diçka nga realizmi klasik i Dikensit ose Balzakut, që shkrimtari përpiqet ta ringjallë.
Triptiku romanor nuk është një kronikë e thjeshtë që mund të kalonte lehtësisht dhe të bëhej i mërzitshëm për lexuesit. Shkrimtari di ta mbaj të tendosur vëmendjen e lexuesit me befasira të papritura. Ai i kushton vëmendje intrigës që jepet në mënyrë të dallgëzuar me ngjitje dhe zbritje. Ana më e mirë e romaneve qëndron në çiltërsinë e protagonistit, në gërshëtimin e përshkrimit të jetës së zakonshme me ngjarjet tronditëse dhe të pazakonshme.
Autori synon të komunikojë me një publik sa më të gjerë, prandaj i është shmangur thërmimit të subjektit dhe copëzimit të personazheve që janë karakteristike për romanin modernist dhe pasmodernist. Madje i është shmangur edhe relativizmit të kohës dhe hapësirës, që e bën të veçantë këtë roman. Siç thamë, ai ka treguar guxim në rikthimin e traditës dhe, për të mos rënë në anakronizëm, ai është mbështetur në ngrohtësinë komunikuese që e dallon romanin në vetë të parë dhe në rëndësinë që ka personazhi si karakter në këtë zhanër.

Filed Under: ESSE Tagged With: Klara Kodra, TRIPTIKU I DASHURISË

E bekuar qoftë mendja e shqiptarit! Dhëntë Zoti!!!

October 1, 2014 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/ Disa ditë më parë lexova një opinion gazete dhe, mes të tjerash, më ra në sy një koment i shkurtër, por kuptimplotë, rreth një shkrimi, ku thuhej edhe: “E gjithë kjo katrahurë është pasojë e skamjes sonë mendore!”. Se ky koment ishte pronë e mbamendjes së ndonjë studenti, arsimtari apo dikujt tjetër, nuk është me rëndësi, për ne është me vlerë fakti se kjo fjali reflekton një filozofi, por po aq dhe një urtësi popullore. Thonë se skamja materiale disi mund të kapërdihet, “por skamja mendore” assesi nuk mund të tejkalohet, pasi kjo e fundit i pjell të gjitha skamjet e tjera, qofshin ato materiale, morale, kulturore, gjuhësore, arsimore, historike, filozofike, politike e të tjera. Parashtrohet pyetja, a mos vallë kjo thënie sot e gjithë ditën e Perëndisë duhet të ngelë jashtë vëmendjes a ndërgjegjes sonë kolektive…, a mos vallë është një mendim i shtrembëruar a i sajuar ose, në instancë të fundit, kështu siç lakohet duhet t’i vihet pika. Gjithsesi, jo. Pavarësisht si mund të interpretohet kjo e thënë, ne besojmë se i shkon këtij vështrimi gazete të radhës, ndonëse, miqtë që m’i lexojnë mendimet më thonë se në aspekt të fjalorit gazetaresk, (“kinse”) i kam paksa agresive a të rebeluara. Edhe përtej faktit se ata kohë pas kohe më “paragjykojnë” dhe me të “drejtë reagojnë”, ne do të vazhdojmë t’i nderojmë me opinionet në fjalë deri sa ata nuk do të bezdisen e nuk do të thonë mjaft më. Nëse ne kemi të drejtë, të vazhdojmë të shkruajmë, atëherë do t’i referohemi datës 14 qershori të motit 2014, kur në një rrjet social, deputeti Nard Ndoka, përçoi a e bëri të ditur këtë haber: “Një lajm shumë i mirë për besimtarët katolikë dhe për Shqipërinë, më datë 21 shtator, Papa Françesku do ta vizitojë vendin tonë. Vëmendja e gjithë botës do të jetë te Shqipëria, bekimi i Papës Françesku do të jetë për ne”, shkruante Ndoka në Facebook.
“Arabaxhiu” i nderuar më tha: “Kur Papa Françesku vajti në Tiranë kishte ndërmend që shqiptarëve toptan t’u përcjellë mesazh paqeje, pavarësisht se ata janë katolikë, myslimanë, ortodoksë, bektashinj dhe afetarë, mesazh për “piktorin”, mesazh urimi për “doktorin”, për “Lulin”, për “pasanikun”, për “fukaranë”, për gegët, për toskët, për fusharakët, për malësorët, për veriorët a për jugorët, për të katandisurit, për gjyqësorin e korruptuar, për ata që janë pronarë të kioskave ku shesin “gazeta fakultetesh” dhe për shumë të tjerë (jo) të tillë si ata. Pos këtij mesazhi, ai edhe i bekoi gjithë shqiptarët (Eh, punë e madhe se Papa Françesku i paskësh bekuar shqiptarët, kur këta nuk bekojnë njëri-tjetrin!?). Paçka se Papa Françesku bekoi edhe ata që ndihen inferiorë, edhe ata që ndihen të kompleksuar, edhe ata që janë të anashkaluar, edhe ata që “padrejtësisht” ndihen të privilegjuar, edhe ata që parapëlqejnë ta transmetojnë fjalën e lirë a atë fjalën a mendimin ndryshe. Ani se Ai, bekoi edhe njerëzit apo “djajtë me fytyrë engjëllore a të veshur me kostumin e njeriut me shpirt të pastër!”…, ani se uroi dhe bekoi njerëzit mendjemëdhenj të cilët nuk parapëlqejnë dhe denjojnë të identifikohen me njerëzit e rëndomtë…, ani se bekoi njerëzit që fëmijët e tyre nuk duan t’i identifikojnë me ata të fukarasë, paçka se i bekoi fëmijët e jetimores së Tiranës, kur atyre edhe më tej u mungon ajo përkujdesja serioze institucionale, ani se i bekoi edhe ata fëmijë të cilët gjithë ditën bredhin rrugëve për të mbledhur kanoçe, paçka se bekoi fëmijët romë me buzë të mavijosura, kur ata edhe më tej frekuentojnë udhëkryqet e kryeqendrës në kërkim të njerëzve që japin lëmoshë, ani se i uroi edhe i bekoi zyrtarët që vodhën lekët që Evropa ua kishte destinuar të pastrehëve, paçka se bekoi viktimat a të përndjekurit dhe të burgosurit politikë të Enverit që sot e kësaj dite nuk gëzojnë të drejtën e dëmshpërblimit, ani se i bekoi (post mortum) klerikët që pësuan në vaktin e diktaturës, qofshin ata përkrahës e pasues të katolicizmit, qofshin myslimanë, bektashinj dhe ateistë…, ani se i uroi dhe i bekoi njerëzit që kanë me bollëk dhe që të marrin për fukara dhe për injorantë…, ani se i uroi dhe i bekoi shqiptarët nga Kosova, kur atyre nuk ua njeh sovranitetin e shtetit të tyre, paçka se u tha se kjo çështje nuk është e protokolluar në agjendën e vizitës së tij dhe shumë të tjera “paçka a ani se”.
Se këtë mesazh paqeje dhe këtë bekim e kishte me tamam, nuk e kishte, pasi ditën që braktisi vendin e shqiponjave, nuk i doli “hesapi” as atij, por as neve, as Partisë Socialiste të kryeministrit Edi Rama, as Partisë Demokratike të Lulzim Bashës, po as partive të tjera minore…, paçka se i uroi dhe i bekoi të përzgjedhurit e popullit, kur ata në parlamentin a kuvendin e Republikës së Shqipërisë, bënë hallakamën, aty ku turfulluan atë zhurmën e mbytur, të zgjatur e të rëndë, aty ku shfrynë tërë inatin e tyre të akumuluar kundër kundërsh-tarit, kundër vëllait, motrës, kundër gjithsecilit që mendon ndryshe. Ani se Papa Françesku uroi dhe bekoi edhe njerëzit e veshur me kostumin politik, kur këta të fundit në institucionin ligjdhënës e shndërruan mendjen e shëndoshë në grushte, në fyerje më të ulëta, në mendje të trazuar, në fjalor rrugaçërie, ani se i bekoi deputetët kur këta, në vijimësi anashkalojnë a deformojnë edhe atë pak imazh të shtetit, që pretendon strukturat euro-atlantike…, paçka se i bekoi deputetët e inatosur dhe me mendje të trazuar, deputetë të cilët në vijimësi “ i shkojnë pas avazit të sherreve”. Punë e madhe se na solli paqe mes fesh, mes komunitetesh fetare, kur mungon ajo paqja partiake a politike, apo ajo filozofia e politikëbërjes së mirëfilltë, çka se na bekoi, kur neve na mungon ndjenja vetjake a kolektive e përgjegjësisë morale për sjelljet dhe veprimet ndaj të tjerëve dhe atdheut, çka se i marrim uratat, kur ato në vijimësi i përqeshim a i tallim (Fjala e urtë popullore thotë: “S’bëhet vreshti me urata, po me shata e me lopata”…, po edhe me urtësi)…, paçka se na uroi, kur neve përherë na mungon llogaridhënia përpara sovranit dhe votës së tij deliberative.
Paçka se ne vazhdojmë të shkruajmë për këtë mesele, paçka se Papa Françesku na uroi e na “lavdëroi” për paqen, tolerancën dhe mirëkuptimin në politikën shqiptare, kur në kuadër të “… debatit të Komisionit të Ligjeve degjeneroi përleshja fizike mes deputetëve të shumicës dhe opozitës. Në atë sherr u përfshinë deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri dhe socialistët Xhemal Qefalia dhe Armando Prenga. Sherri u konsumua në korridorin e kryesisë së Kuvendit , ndërsa mes Prengës e Strazimirit pati edhe përplasje fizike. Zanafilla e përplasjes mes ligjvënësve erdhi pas deklaratave të deputetit demokrat Gent Strazimiri në Komisionin e Ligjeve!?”. E bekuar (dhe e lavdëruar) qoftë mendja e shqiptarit! Dhëntë Zoti!!!

Filed Under: Opinion Tagged With: Fadil Lushi, levdatat, Papa francesku, Parlamenti, sherr

Anija e Rojes Bregdetare,ARCHAngel, P-02 shpëton ekuipazhin e peshkatores “ANA”

October 1, 2014 by dgreca

Nga Shefqet Kërcelli/
Në orën 04.30, te 30 shtatorit, anija e gatëshme, Archangel P-02 me vendbazim në ishullin e Sazanit mori një sinjal nga QNOD, {Qendra Operacionale Ndërinstitucionale Detare}, se trageti i linjës Vlorë-Bari “Europian Voyager Limassol”, në distancën 2.3 milje në Jugperëndim të kepit të Sazanit, ka goditur aksidentalisht peshkatoren “ANA”, {port regjistrimi Durrës}, me pasojë mbytjen e peshkatores. Menjëherë Anija P-02, me Komandant KapitenLt. Elton Kasëmi shkoi në vendin e ngjarjes për kërkimin dhe shpëtimin e peshkatores me kapiten Qemal Lata, dhe ekuipazh Aranit e Julian Lata. Peshkatorja pas përplasjes ishte zhytur menëhere në thellësitë e Jonit dhe 3 peshkatarët qëndronin mbi zadren e shpëtimit. Mbas goditjes Trageti ndaloi dhe nisi kërkimin për gjetjen e njerëzve në det. Në oren 05.18 anija e Rojës Bregdetare , P-02 pas kërkimeve të kryera gjeti zadrën me tre peshkatarët dhe i solli në portin e Vlorës, jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë nga komandanti i anijes së Rojes Bregdetare u plotësua dokumentacioni përkatës dhe deklarata e peshkatarëve. Tashmë institucionet e tjera shtetërore të qytetit Vlorë po kryejnë procedurat përkatëse për të tilla raste.

Filed Under: Kronike Tagged With: Anija e Rojes Bregdetare, ARCHAngel, e peshkatores “ANA”, ekuipazhin, P-02 shpëton, Shefqet Kercelli

PO SHKRIHEN AKUJT NE LUGINEN E GUCISE

October 1, 2014 by dgreca

Nga Rexhep DEDUSHAJ/
Me ne fund edhe nga Plave – Gucia po vijne lajme shpresedhenese:
– Filloi ndertimi i rruges Decan – Plave
– Filloi zgjerimi i rruges lokale Guci – Vuthaj
– Po vazhdon ndertimi (?) i rruges Guci – Hani i Hotit
– U zgjodh udheheqesia e Komunes se Gucise etj.

Ishte emocionale per banoret e asaj krahine fillimi i ” lidhjes se shqiptareve te Kosoves me ata te Malit te Zi ” – sic u shpreh kryeministri H. Thaci ne trasene e posafilluar te ndertimit te rruges Decan – Plave.Per rendesine e saj kam shkruar disa here ,kane shkruar edhe shume te tjere autor,prandaj s’po e shoh te nevojshme te shkoj me gjate! Dhashte Zoti e s’ nderpritet por perfundon sa me shpejt ky aksion ne permasa kombetare…
Pothuajse pernjeheri u perhap lajmi edhe per fillimin e zgjerimit te rruges lokale GUCI – VUTHAJ , 6 km.e gjate.
Kete nuk e filloi shteti por nje VUTHJANE ,Dr.AHMET ISA ULAJ,.I lindur ketu dhe i rritur e i shkolluar ne Tirane .qe pas renjes se kufirit te mallkuar shqiptaro – shqiptar u kethye ne vendlindje dhe po bene mrukullira :Duke i ndertuar kullate e veta dhe duke i dhene impuls zhvillimit ekonomik te kesaj krahine.
Ahmeti me vellezer ,dhe prof.AVDYL SH. DEDUSHAJ – qe pas 50 vitesh u kethye dhe ndertoi nje kulle ne vendlindje ,jane shembulli me i mire se si duhet vendlindja.
Keto shembuj duhet ti nxisin edhe te larguarit tjere nga keto ane:Ti largojne muret e arave e ta lajojne zgjerimin e rruges se filluar.Dhe,pasi te kryhet rruga Guci- Vuthaj,duhet dikush prej ” parelive ” te shumte te New Yorkut ta ndertoi nje minihotel apo ca vicendica ( si rugovasit p.sh.)ne Vuthaj.Kur dihet se per dite e me shume ka vizitor te huaj e te krahinave tona perreth qe shkojne nga Gucia ne Theth e Tropoje dhe e kunderta.
Veren e kaluar e takova te xhamia e Vuthajve ambasadorin e Ekuadorit me nje zyrtar te vetin qe kishin ardhur nga B.Curri ,kishin fjetur ne Theth e kerkonin vend me u ushqyer e fjetur te ne.
I mora me kerr e i cova deri ne Guci.Sepse s’kishte vendqendrim ne Vuthaj?!!Gjate bisedes kerkoi te dinte se :A jane “Boshnjaket “e Gucise te njejte me ata te Bosnjes?Une ia sqarova se “Boshnjaket” e Gucise deri ne vitin 1948 ishin shqiptar pothuajse te gjithe…
Pra,sa s’eshte vone duhet te pregatitemi ti presim turistet e huaj dhe vendor para se te kryhet rruga DECAN – PLAVE – GUCI – SHKODER ( Dhashte Zoti e te kryhen sa me shpejte se jane vonuar teper!!)
Me ne fund pas ca ngerceve qe dijme tia siellim vetevehtes ne shqiptaret ( shih situaten ne Kosove f.v.)u zgjodh edhe udheheqsia e komunes se riformuar te Gucise:
Sic dihet Gucia ka qene qender administrative qe nga koha e Ilireve.Tanipertani nuk disponojme me shenime te shkruara se kush ishte themeluesi apo sundimtaret ne te sic ka f.v.per Plavenqe e ngriti Perandori Romak me origjine Ilire- PLAVIUSI ( Shih lib.E.Jasque “Shqiptaret nga origjine e gjer me sot” SHBA,)
Dihet se kah fundi i viteve 50-ta apo fillimi i vit.60-ta te shek XVII,veziri i Shkodres,Sylejman Pashe Bushati e dergoi sundimtar ne Guci dhendrrin e vet SHABAN AGEN nga Gruemira e Shkodres.I cili u shpall Kapedani i pare i keshtjelles se Gucise.Pas tij vijne:Ali Beg Shabanagaj,Mehmet Pasha ( i vellai i tij), Gjyl Begu,Hasan Begu Shabanagaj dhe ALI PASHE GUCIA.
Pas shkuarjes se Ali Pashes ne Peje ( 1881) ishte perseri edhe Prefekt i Nenprefektures se Gucise deri ne vrasjen e tij me 1885.
Ne kohen e sundimit te A>H.nje kohe te shkurter ishte kryetar ISMAIL NIKOCI e me vone ADEM OMERAGAJ.qe rrjedh nga fisi Shale Qe te parte e kishin pranuar fene islame ne Guci dhe ishin bere agallar.( E jo themeluase te Gucise sic po del koheve te fundit ne ca shkrime te ca “historianeve “sharllatan).
Pas vendosjes me hekur e zjarr te sundimit te Karagjorgjeviqeve,ne keto ane.populli i Gucise e vendosen kryetar te saj djalin e HASAN BAJRIT NIKOCAJ ( qe i pat thene Avro Cemoviqit:LARGOU SHKJA GEJAT JE AFRUA..Percka e pati derguar ne ” strelishten “e Qafprevise!!) SALI NIKOCIN.i cili sundoi deri ne vitin 1944.Dhe mbahet mend si sundimtari me popullor i te gjitha koherave.
Ne Kohen e Shqipnise (1941-1944) Sali e kishte caktuar sekretar te komunes se Gucise nje kelmendas nga Martinajt:ISUF SYLEN BALIDEMAJ.Ashtu sic u zgjodhe keto dite edhe nje kelmendas tjeter nga Vuthaj :ENVER A. DEDUSHAJ.
Enveri eshte i nje familje Vuthjane,me nje histori te paster,atdhetare qe cdohere kane qene ne balle te lufterave per liri …Njeri i duhur,ne vend dhe kohe te duhur
Udheheqesia e re e komunes se Gucise duhet ti siguroi kufijte e komunes,Ata kufije qe i kishte kjo komune ne kohen e Sal Nikocit.
Duhet ti perciell dhe ti nxis punimet ne ndertimin e rrugeve te lartepermendura. dhe te bjer ne kontakt ( nepermes te nje komisioni te posacem e permanent)me biznismenete e shumte e te pasur ,me origjine nga keto ane per ti joshur ata t’investojne ne kete komune duke ua siguruar kushtet e nevojshme,kuptohet..

Filed Under: ESSE Tagged With: E GUCISE, NE LUGINEN, PO SHKRIHEN AKUJT, rexhep dedushaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4375
  • 4376
  • 4377
  • 4378
  • 4379
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT