• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ende ka vend për reflektim pozitiv të zgjidhjes së ngërçit politik

September 10, 2014 by dgreca

Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Sa vjen e afrohet dita kur duhet të mbahet vazhdimi i mbledhjes konstituive të Parlamentit, ndarjet ndërmjet koalicionit të PDK-së dhe LAN-it vetëm sa po thellohen edhe më shumë. Kështu nuk do të duhej të ndodhte, përkundrazi nga vendimi i gjykatës e deri me tash secili është dashur të vënë gishtin në kokë dhe të mendoj mirë e fort se a është më me rëndësi një post udhëheqës apo mirëqenia sociale e popullit, siç kemi dëgjuar aq shpesh ta thonë këtë këta liderë. Por, fatkeqësisht këta udhëheqës partiak në asnjë rast , jo që nuk lëvizin nga pozicionet e tyre të ngurta, dhe nuk i përmbushin premtimet e dhëna për bashkëpunim e marrëveshje për të ndërtuar institucionet e shtetit në afatet ligjore e kushtetuese,por edhe më tej thirrën në të drejtën e tyre për zgjedhjen e Kryeparlamentarit dhe më pas edhe të qeverisë së Kosovës. Kjo nuk shkon kështu dhe nuk ka lidhje as me demokraci e as me parlamentarizëm , i cili pretendohej se po zhvillohej në vendin tonë.
Të mësuar me ndërhyrje ndërkombëtare
Qytetarët janë shumë të dëshpëruar me këtë cirk paszgjedhor dhe tepër të paknaqur me këtë gjendje të krijuar, përkatësisht me këtë krizë politike, e cila erdhi në shprehje, në rend të parë, për shkak të apetiteve të sëmura karrieriste të liderëve politik. Dhe me të drejt ata pyesin se athua di kush ta gjej fijen e lëmshit aq shumë të ngatërruar nga kjo grykësi për pushtet. Prapë përgjigja është e tyre. Përgjigje e drejt e dëshmuar edhe herave të tjera. Thonë: jena mësuar me ndërhy të huajt se sa për neve, siç po shihet, shkon dimri e vjen vera kush që mund të bëj diçka të hajrit kurrë. Është për të ardhur keq. Por kjo është e vërtetë, është edhe një argument i fort se qytetari tashmë e ka humbur besimin në shumicën e këtyre liderëve që nuk dinë tjetër pos të “ lidhin besën” se ose do të zgjedhen në postet e synuara, bile edhe duke shkelur rregulloren dhe Kushtetutën ose nuk bën ndryshe. Aq shumë iu ka dalë “ fala” këtyre lakmitarëve. Por që do se ata po bëjnë sehir se pari me vetë vetën e më pas po u hedhin hi syve elektoratit dhe në përgjithësi popullit kinse për të drejtën e tyre të “ patjetërsueshme ” se për këtë vendosi sovrani. Janë këto dokrra që tashmë nuk po pinë ujë se populli e ka kuptuar se cili është qëllimi i fundit i tyre. Përse faktori ndërkombëtar i instaluar në Kosovë nuk po e bën as edhe një hap të vogël për t’i ulur në një tryezë liderët tanë, kjo nuk po mund të kuptohet, por ndoshta lufta e filluar në Ukrainë, pastaj ballafaqimi me ISIS dhe të shumë problemeve tjera në tërë rruzullin tokësor, Kosova ka mbet në margjina të interesimit sepse tek fundit kjo për ta nuk është diçka që çon peshë aq të madhe. Megjithatë, mendoj se një ndërhyrje qoftë edhe e “ lehtë” do të ishte e mirëseardhur sepse edhe ata janë të bindur se liderët kosovar asesi nuk do të mund të merren vesh për shkak të, sidomos, urrejtjes së skajshme që është e pranishme ndërmjet tyre.
Deputetët nuk mund të bëjnë çka të duan
Në një intervistë për medie të një personaliteti të shquar ndër të tjera lexova të këtë thënë, sigurisht i revoltuar tej mase, se deputetët janë ata që vendosin për ndërtimin e institucioneve shtetërore pa u përzie as Gjykata Kushtetuese apo ndokush tjetër. Për këtë edhe unë pajtohem. Ata përfaqësojnë organin më të lartë legjislativ dhe në të gjitha demokracitë e zhvilluara kështu veprohet. Mirëpo nuk mund të pajtohem me konstatimin se ata mund të bëjnë çka të duan apo më mirë me thënë se duke shkelur rregulloren e bazuar edhe në aktin më të lartë, Kushtetutën, të ndërtohen institucionet e shtetit pavarësisht se a e ka dikush shumicën apo pakicën. Shi për këtë, është e formuar Gjykata Kushtetuese për të vepruar dhe për të mos lejuar të vjen në shprehje anarkia. Pajtohem, po ashtu, me konstatimin se ka shumë të meta edhe në rregulloren e Kuvendit të Kosovës, por edhe në Kushtetutë sa i përket sistemit zgjedhor dhe instalimit të institucioneve pas përfundimit të zgjedhjeve. Megjithatë, për shkak të këtyre të metave, që janë “ fryt” i përbashkët i të gjitha partive politike, rregullorja nuk bën të shkelet, por duhet të respektohet në tërësi. Kështu u shpreh edhe Ambasada amerikane se duhet të përfillet ligji, Kushtetuta dhe vendimi i fundit i Kushtetueses.
Për pushtet nuk duhet të “prishen” me aleatet kryesor të Kosovës
Nga krijimi i bllokut opozitar të inatit nuk kemi dëgjuar diçka të rëndësishme të thonë për vendin liderët e tij, pos që ata nuk heqin dorë për të ardhur në pushtet dhe pikë. Madje për t’i marrë postet e synuara liderët e këtij blloku as që qajnë kokën se mund të prishen marrëdhëniet ndërmjet aleatëve tanë pa ndihmën e të cilëve Kosova nuk do ta kishte fituar lirinë që kemi sot. Kjo u vërejt edhe tekstin e marrëveshjes me VV-në, në bazë të së cilës pos tjerash Albin Kurti do t’i udhëheq bisedimet me Beogradin e jo Kryeministri siç ishte praktikuar deri me tash. Për mua kjo nuk do të ishte aq e rëndësishme se kush dhe si do t’i udhëheq këto bisedime, këtë do të mund ta bëj edhe lideri i VV-së, por më e rëndësishme është se sa kjo marrëveshje do të ndikoj negativisht tek partnerët tanë strategjik, të cilët do të ndihmojnë në ecjen tonë përpara në të gjitha fushat. Gjithë ky “ lëshim” po bëhet vetëm e vetëm për të ardhur në pushtet duke mos parë më shumë se deri të hundët se sa negativisht do të ndikoj për të ardhmen e Kosovës kjo grykësi aq e madhe për pushtet. Në vend të kësaj rruge të pakrye liderët do të duhej të kishin qasje konstruktive për një bashkëpunim të mirëfilltë me të gjitha subjektet politike, pavarësisht se a mund të lidhet farë koalicioni tjetër apo qeverisje tjetërfare që vendin do ta shpetonte nga zgjedhjet e jashtëzakonshme. Në politik, së paku haptas, liderët nuk do të duhej që para popullit të shprehin tërë atë mllefin e urrejtjes që kanë ndërmjet vete, të xhelozisë, të inatit. Kjo nuk është e moralshme. Ka ende kohë për të menduar e punuar ndryshe dhe të zgjidhet ky ngërç politik në mënyrë demokratike duke ia dhënë rastin e mundësinë për të shkuar para në ndërtimin e institucioneve të shtetit aq të nevojshme aktualisht. Nëse këta liderë nuk ia arrijnë t’i marrin postet aq shumë të dashura për ta, vendi në asnjë rast nuk duhet të trazohet, kjo do të ishte porosia e popullit.
I ka apo nuk i ka votat PDK?
Partia fituese PDK edhe pse po bën përpjekje për të krijuar institucionet sipas rezultatit të arritur në zgjedhje, këtë nuk po mund ta bëj për shkak të bllokadës nga subjektet tjera politike. Është e natyrshme se secila parti që fiton zgjedhjet nuk dëshiron që në tavolinë të humb marrjen e pushtetit, të cilën gjë po e thotë edhe PDK. Mirëpo, në këtë situatë të krijuar apo më mirë më thënë të kryeneçësisë së liderëve tanë vështirë se do të mund të përfundoj ky cirk në mënyrë të rregullt dhe pa probleme gjatë seancës inauguruese të Parlamentit. Nëse PDK këmbëngul që Kryeparamentari i takon vetëm asaj bazuar edhe në vendimin e Kushtetueses, e në anën tjetër nëse nuk do t’i këtë votat atëherë vendi mund të shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme. Disa herë u deklaruan përfaqësues të partisë fituese se i kanë numrat për zgjedhjen e Kryekuvendarit, por sa do të jetë kjo reale pritet të shihet me 12 shtator. Mirëpo, nëse sërish blloku opozitar vepron ngjashëm sikur herën e parë atëherë Kushtetuesja prapë do të veproj. Dhe për këtë dikush do të duhej të merret në përgjegjësi. “ Ilaqii” dhe “ terapia” më e përshtatshme do të jetë ndërhyrja ndërkombëtare.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ende ka vend, për reflektim pozitiv, politik, së ngërçit, të zgjidhjes, Xhavit Citaku

NJE LETER E KAHERSHME PER KOSTUMET E SHKODRES

September 10, 2014 by dgreca

FESTIVALI I GJINOKASTRES DHE SHEMTUESIT E KOSTUMIT KOMBTAR SHQIPTAR/
Ne Foto: Rrëmaji, 11 Nandor 1990…”Liri…Demokraci !”/
Vazhdoj me korespondencën:
Nga Fritz RADOVANI/
Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë/
Akademia e Shkencave/
Instituti i Folklorit/
Tiranë, me 16.XI.1978/
Shokut Gjon Kamsi/
Shkodër/
Letren tuaj në lidhje me vrejtjet rreth kostumeve të grave shkodrane e mora.
Ju falemnderit. Shënimet tuaja janë interesante, por që ato kanë probleme që duhen studjuar.
Si duket nga shënimet tuaja ju keni njohuri të mira për kostumet e qytetit të Shkodrës.
Do t’ ju sugjeroja që ato ti zhvillonit në një punim më të gjatë, me ilustrime e vizatime me ngjyra.
Nga ana tjetër të mund të gjenit fotografi në banorë të Shkodrës, dhe një kopje t’ ia dergonit sektorit të etnografisë pranë Institutit të Historisë, që ka punonjës që merren me veshjet. Unë si Kryetar i Komisionit për veshjet kombëtare, letrën tuaj do t’ ua kaloj etnografëve të sektorit të etnografisë, të cilët mund t’u sugjerojnë për metoden e studimit mbi veshjet për të cilat bëni fjalë, si dhe për të dhenat rreth mjeshtrave që kanë prerë, qepur e qendisur kostume të tilla.
Drejtor
(Zihni Sako)
firma, vula.
Zotni Gjon Kamsi,
Mendoj se: Perderisa ka probleme që duhen studjue, duhet t’ ishte në festival, mbasi nuk besoj se ka ndonjë kostum që s’ka probleme…
Sugjerimi për një studim ma të gjatë asht i vlefshem per studjuesit e sektorit etnografisë së Institutit të Historisë, të cilëve, do t’ jua kishte anda me e marrë gati, bile edhe me ilustrime, vizatime e materiale fotografike.
Etnografët e sektorit etnografisë, të cilët, mund t’ ju sugjerojnë metodat e studimit, do të bajshin mirë me e lexue nja 3 herë letren Tuej, e mandej me mësue prej saj.
Ju falnderoj per kopjon e dorshkrimit të këtij materiali, të cilin, unë do t’ a studjoj me shumë kujdes, do të punoj vizatime dhe do t’ a ruej shumë, mbasi per kohen e ardhëshme ky asht brilant i kostumit shkodranë.
Me shumë respekt Fritz Radovani.
Shkoder, 30 Maji 1981.
Shenim nga FR: Duhet shenue se n’ aktet Burrnore të Shkodranit nderuem Gjon Kamsi, mbetet në fletët e Historisë së qytetit Martir të Shkodres, letra e Tij, drejtue në maje të kupoles së terrorizmit komunist anadollak, per “shpetimin e shkatrrimit të Vorrezave të Rrëmajit”; një projekt disa herë i menduem dhe i projektuem nga shteti…mbas 1967.
Kenja e atyne Vorrezave sot, i dedikohet guximit të pashoq t’ Atdhetarit Gjon Kamsi.
Melbourne, 2014.
* Pjesa e V

Filed Under: Opinion Tagged With: Festivali i Gjirokastres, Fritz radovani, Gjon Kamsi, veshjet e Shkodres, Zihni Sako

KUSH ISHIN 43 PREFEKTËT E QARKUT TË VLORËS GJATË NJË SHEKULLI

September 10, 2014 by dgreca

Nga Gëzim Llojdia/
1.43 prefektë nëpër udhë përshkimin 100 vjecarë të studiuesit Enver Memishaj Lepenica nga vitet 1912-2012, kanë qeverisur qarkun jugperëndimor të Vlorës.
Trandje historike megjithë gjatësinë e shekujve të tyre kanë datime. Ato zbresin,në fakt varen nga mjegullinat nëpër kohën tonë,mbi 100 vjet më parë, zbradhen.Atëherë, Vlora në suazë të qafës së Topit dhe detit ka ruajtur formën e vet,qyteti dhe qarku deri në kilometrin e fundit.Qarthuar brenda këtij elipsi gjërash,horizonti shfaqet në orbitë.Studiuesi Enver Memisha Lepenica ka sjell dokumente të reja për ata që kanë qeverisur qarkun e Vlorës. Të 43 prefektët e qarkut të Vlorës.
Për 500 vjet llogaritet guaska e rëndë e perandorisë osmane.
Gjatë kohës se pushtimit te Shqipërisë nga Turqia,shkruan E.M.Lepenica, Vlora ka qene nënprefekture (Kaza), qe varej nga Berati qe ishte prefekture (Mutesarifllek) dhe Berati vete varej nga Janina qe ishte vilajet.Sipas sistemit administrativ të asaj perandorie, në ndarjet administrative të sipërme, funksiononte një këshill i përberë prej nëpunësve të lartë, të vendit, dhe prej katër anëtareve te zgjedhur prej popullit me vota te tërthorta. Kjo forme e këshillit administrativ funksionoi afërsisht edhe në kohën e mbretërisë shqiptare. Në vitet e fundit të pushtimit të Vlorës nga Perandoria. Në vitet e fundit të pushtimit të Vlorës nga Perandoria Otomane, thotë E.M.Lepenica,shërbyen në Vlore si kryetare bashkie:Në vitin 1900, Shahin Kolonja. Në vitin 1902, Ali Spahi Malindi. Në vitin 1905, Ali Radhima. Ne vitin 1906 – 1908, Abas Mezini. Në vitin 1908,Ibrahim Abdullahu. Në vitin 1909- 1912, Xhemil Bej Vlora.Në vitin 1912,Jakup Agalliu dhe kryekatundar.Ibrahim Abdullahu.
Në vitin 1911, para shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, prefekt i Vlores ka qene Ajet bej Libohova. Emërimin e tij prefekt e shpjegon Prof. dr. Pellumb Xhufi: “Myfit bej Libohova ka pare gjithnjë interesat e tij dhe asnjëherë interesat e atdheut të tij. Në vitin 1911, kur shqiptaret në Jug, morën armët dhe kërkuan lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, Myfit bej Libohova me ndjenja osmanofile dhe nën ndikimin e qarqeve shoviniste greke, ndërhyri për të sabotuar kryengritjen duke mashtruar me premtime krerët e sajë. Myfit beu që ishte deputet, i shkruante Portës: “Toskëria është me ju!” Për këto merita Porta e Larte pranoi të hapte një shkolle fillore ne Gjirokastër dhe te emëronte vëllain e tij Ajet bej Libohovën, kajmekam, prefekt, të Vlorës”.”
Me rënien e guaskës osmane kur pritej të ndodhte riparimi i kohës,vërshuan,fqinjët serbet,ushtri që infektonin vdekje. Pushtime pushtuesish ndërmerren ekspedita ndëshkimore në tokat e shqiptareve.
Grekët,malazezet, austro-hungarezët,francezët,italianët vërshuan nëpër kohën turbulluese të viteve ‘14-‘20,kurse në kohën pushtuese të luftës së dytë, fashistët e përtej detit dhe nazistët e Rajhut të tretë. Në këtë babiloni pushtuesish,pushtimet sillnin kohë të tmerrshme pushtimi .Ata,që janë të pushtuar e dinë se çfarë ngjyre ka në të vërtetë,pushtimi. Në këto kushte, çdo popull do ta kishte humbur toruan. Dhe e humbën mjaftë kombe. Ndërkaq mbijetuam deri së fundit ata të Kosovës ,viti intervenimit të NATOS ,përpara këtyre katastrofave,ku riparimi bëhej gjithmonë e më i vështirë,e shtuan qëndresën duke shtuar edhe shumëzimin.
Duke vijuar më tej studiuesi Lepenica sjell kohën e shpallesh së indipedencës së shtetit :Pavarësia dhe hapat e pare te shtetit shqiptar. Qeveria e Vlorës proklamoi ne gazetën zyrtare te saj “Perlindja e Shqipërisë”, dt. 22 nëntor- 13 dhjetor 1913,”Kanuni i përshtatshëm i administratës civile te Shqipërisë”.Kanuni përcaktonte ndarjen administrative: prefektura, nënprefektura, krahina. Prefekti ishte titullari me i larte i prefekturës. Autori na sjell në vëmendje:Vlora është shpallur për here te pare prefekture, duke pasur ne administrim edhe Fierin, nga qeveria e përkohshme e Ismail Qemalit në vitin 1912 dhe po këtë vit u emërua edhe prefekti i pare i saje ne Shqiperine e pavarur, Refo Capari nga Cameria, i cili nuk mundi te arrinte ne Vlore per shkak te bllokimit te rrugëve nga Greqia, ne këtë situate u emërua Ahmet Durmish Xhafaj nga Karbunara e Vlorës. Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit hartoi kushtetutën e pare te shtetit shqiptar qe u quajt” Statuti Organik i Shqipërisë” i përbëre nga 17 kapituj. Sipas kësaj kushtetute, vendi ndahej ne 7 sanxhaqe: Elbasani,Shkodra, Dibra, Durrësi, Berati qe përfshinte dhe Vlorën, Korca dhe Gjirokastra. Kjo ndarje administrative mbeti ne fuqi edhe kur erdhi në Shqipëri princ Vidi, pra Vlora ishte nënprefekturë, qe varej nga Berati. Ky veprim i revoltoi vlonjatet. Patrioti Muco Qulli aso kohe në Vlore shkruante: „Vlora pas shume te’ mirave qe ka, kurdoherë e ka dëftyer sheshazi dashurinë patriotike dhe guximin trimëror. Vlora e përshëndeti, Vlora i tha tungjatjeta flamurit te shenjte” te Shqipërisë qe ishte kthyer prej Durrësit kryeunjur. Vlora i tha: lartësohu o shenje e bekuar e kombit”.
Pavarësisht nga kundërshtimet me 25 prill 1914 u publikua ndarja administrative e Shqipërisë në shtatë prefektura: 1.Shkodra, 2.Elbasani, 3. Durresi, 4. Berati, 5. Korca, 6. Gjirokastra, 7. Drini. Vlora mbetej nënprefekturë dhe varej nga Berati si ne kohen e Turqisë. Me pas me datën 2 maj 1914, me urdhër te Mbretit Princ Vidit Vlora u shpall prefekture dhe prej asaj kohe mbeti e tillë.
Gjate kohës se pushtimit nga Italia 1915 – 1920.Vlora u pushtua prej Italisë me 25 dhjetor 1914 dhe gjate kohës pushtimit, aktet e prefekturës nënshkruheshin nga prefekti, këshilltari italian, sekretari i përgjithshëm Ali Asllani dhe prej Imer qe ishte caktuar si sekretar i këshillit administrativ; por që ne Këshill nuk ekzistonte, pasi vendimet dhe aktet e prefekturës interesin e pushtuesit Italian. Në prefekture, si përkthyes ishte një ermen i quajtur Enriko Komaski ish gjyqtar në kohen Turqisë. Rishpallja e Pavarësisë se Shqipërisë në vitin 1920. Në përfundim të Luftës së Pareë Botërore, shqiptaret për të shpëtuar Shqipërinë nga copëtimi i fqinjëve, në janar te vitit 1920, mbajtën Kongresin e Lushnjës dhe bënë Luftën e Vlorës, 5 qershor deri 2 gusht 1920, duke rishpallur Pavarësinë Kombëtare. Ata formuan qeverinë me në krye Sulejman Bej Delvine dhe morën masa për riorganizimin e brendshëm të vendit.Ligji i pare organik “Për prefektin”, u hartua ne vitin 1923. Prefekti sipas atij ligji varej nga Ministria e Punëve te Brendshme.
2.
Dokumenti më i rëndësishëm është jo vetëm jetëshkrimi i personaliteteve, që kanë udhëhequr qarkun jugperëndimorë, por edhe të dhënat, që flasin për :Prefektët që vdiqën në atdhe,prefektët që u pushkatuan pa gjyq dhe me gjyq. Prefektët që vdiqën në burgjet komuniste. Prefektët që vdiqën në emigracion.Prefektët që ranë dëshmorë për lirinë e atdheut.
Në kategorinë e parë studiuesi Lepenica ka përfshirë të gjithë prefektët që vdiqën në atdhe. Lista që sjell studiuesi E.M.Lepenica përfshinë:Ahmet Durmishi 1937; Rauf Fico 1944; Fehim Leskoviku 1954, i internuar; Osmen Haxhiu 1937, i persekutuar; Zenel Prodani 1969, i burgosur; Faik Bregu 1972, i internuar nga fashistet, i persekutuar nga komunistet; Halim Gostivari 1927; Rustem Ymeri 1972, i persekutuar; Rasim Kalakula 1938; Abedin Nepravishta 1975, i internuar nga fashistet, i burgosur dhe internuar nga komunistet; Abdurrahim Hoxha, 1946, i persekutuar; Tafil Boletini 1970, i persekutuar nga UDB-ja dhe komunistet shqiptar. Në një listë tjetër janë përfshirë :Prefektët që u pushkatuan pa gjyq dhe me gjyq.
Në territorin e kësaj liste janë emrat :Qazim Koculi 1943,Niman Ferizi 1937, Qazim Bodinaku 1939,Zef Kadarja 1945,Lele Koci 1943,Vizhdan Risilia 1947.
Prefektët që vdiqën në burgjet komuniste. Qazim Kokoshi 1947; Ismet Kryeziu 1952; Sadik Metra 1955. Prefektët që vdiqën në emigracion.Refo Capari 1944; Nexhip Basha 1952; Bajram Fevzi 1928; Vasil Kalluci ?; Faik Quku 1963; Vehip Runa 1957; Ahmet Myftari ? Prefektët qe ranë dëshmorë për lirinë e atdheut.Johan Thomson 1914, Seit Qemali me te birin Sezaiun 1944, Dulejman Cela 1943.
Lista e prefektëve të Vlorës në 100 vjetët e fundit.

PREFEKTÈT E QARKUT TE VLORES GJATE 100 VJETEVE 1912 – 2012

Periudha 1912 – 1938, ngritja dhe konsoiidimi i shtetit shqiptar

Refo Capari (autor i tekstit te Hymnit te Federates “VATRA),Camèri, 1884- 1944
Nuk e ka ushtruar detyren.
2 Ahmet Durmishi Karbunare, Vlorc. 1872-1937 1912- Gusht 1913
Rauf Fico Jemen, Arabi, 1881-1944 1.2.1914-30.4.1914 – 1925
Nexhip Basha Peje, 1877 – 1952 1.5.1914-30.10.1914
Fehim Leskoviku Leskovik, 1861 – 1954 Gusht 1913-1.5.1914
Osmèn Haxhiu Vlore. 1885 – 1937 1.11.1914- 22. 2.1917
Seit Qemali Kaninc. Vlorè. 1881 – 1944 22.2.1917- 1.9.1920 ■
Qazim Kokoshi Vlorc, 1882 -1947 15.6.1920-5.4.1921
Qazim Koculi Kocul, Vlorc, 1883-1943 1921
Bajram Fevziu Kolonjè, 1884 -1928 22.1.1922-10.8.1923
Zenel Prodani Kolonjè, 1886-1969 1.11.1922
22.12.1927-25.8.1930
1 Faik Bregu Libohovè, 1884- 1972 11.8.1923 – 11.10.1923
Halim Gostivari Gjakove, 1878 -1927 18.1.1924- 30.6.1924
Niman Ferizi Gjakove, 1892 – 1937 1.7.1924-31.12.1924
Qazim Bodinaku Tirane, 1894- 1939 Shtator 1922-1.11.1922
17.5.1925 -24.2.1926 – 1927
Dulejman Cela Patin. Burrel, 1894 – 1943 Zévendès 1926 – maj 1926
Rustem Ymeri Dibcr. 1897 – 1972 Mai 1926-23.12.1926
Vasil Kalluci Lunxhcri, 1885 – ? 1.1.1925 -20.1.1925
23.12.1926-8.4. 1927
Rasim Kalakula Gjirokaster, 1884-1938 9.4.1927»
Zef Kadare Shkodèr. 1892 – 1945 22.12.1927-25.8.1930
Ismet Kryeziu Gjakove. 1888 – 1952 1928 – 31.12.1930
2 Abedin Nepravishta Kuc. Vlore, 1889 -1975 1931 – 10.9.1933
Sadik Metra German, Mat, 1884-1955 1 1.9.1933 -1936
Abdurrahim Hoxha 1878 – 1946 1937-qershor 1939
Periudha 1939- 1944 pushtimi nazitashist

Faik Quku
Shkodèr, 1899 – 1963 .6. 1939-31.7.1941
Tafil Boletini Boletin, 1888- 1970 1.8.1941 -30.10.1941
Lele Koci Labovè, 1891 – 1943 19.1.1942-5.1.1943
Veip Runa Nivic, Kurvelesh. 1895-1957 1942
Ahmet Myftari Mat, ? 6.1.1943-30.9.1943
Vizhdan Risilia Risili, Vlorc, 1900 – 1947 1.10.1943 -1.11.1944

Periudha 1945 — 1990, gjate diktaturés komuniste

Periudha 1991-2012, gjate ndérrimit te demokracise

Bahri Shanaj Gracan, Mallakaslér. 1943 1.7.1994-15.1.1997
Afrim Haci Borsh, Sarandè, 1933 15.1.1997-31.5.1997
Tare Hamò Vlore, 1945 1.8.1997 -30.11.2001

Filed Under: Histori Tagged With: 43 prefetktet, e vlores, Enver Lepenica, Gezim Llojdia, gjate nej shekulli, kush ishin

PRESIDENTI WILSON-ËNGJËLLI MBROJTËS I SHQIPËRISË

September 10, 2014 by dgreca

Nga KOLEC TRABOINI/
Thomas Woodrow Wilson u lind në qytetin Stauton, Virxhinia të Amerikës më 28 dhjetor 1856. Gjatë shkollimi dallohej si një nxënës i zellshmën dhe orator i mirë, kreu studimet dhe mori disa diploma universitare. Ka qënë një udhëheq i lëvizjes për progres. President i Princeton University nga viti 1902 në 1910 si dhe Governator i New Jersey nga 1911 në 1913. Në maj 1906 ai pësoi një goditje në zemër që do të përbente një shqetësim shëndetësor gjatë gjithë jetës së tij.
U zgjodh President i i 28-t i Shteteve të Bashkuara detyrë që e filloi në 4 mars 1913 deri më 4 mars 1921. Ishte mbrojtësi më i flaktë i shtetit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore kur Greqia, Serbia, Italia, Franca e disa vende të tjera ishin të gatshme për copëtimin e Shqipërisë, për ta ndarë mes aleateve fitues të luftës dhe për të krijuar një minishtet në Shqipërinë e Mesme nën sundimin e Esat Pashë Toptanit.
Por qe fat i madh për shqiptarët që Wilson-i ishte president në këtë periudhë historike dhe ai i preu rrugën çdo ambicioni për copëtimin e Shqipërisë që siç shkruante Faik Konica, Shqipëria “ishte dënuar me vdekje, dënimi do të zbatohej doemos, asnjë rreze shprese s’ndritte gjëkundi. Po e papritura ngjau dhe kjo e papritur erdhi nga qëndrimi i Woodrow Wilson-it”.
Të mos harrojmë se kishte shumë faktorë që kishin ngjallur dashurinë e Presidentit Wilson për shqiptarët. E një nga këto ishte edhe Charles Richard Crane (1858–1939) bir i një industrialisti amerikan në Çikago, që ndihmoi në zgjedhjen e presidentit Woodrow Wilson në fushatën e vitit 1912. Po si e në çfarë rrethana kish lindur kjo lidhje e këtyre amerikanëve të shquar me shqiptarët? Në pranverë të vitit 1911, kur vazhdonte Kryengritja e Malësisë së Madhe, kishte bërë një udhëtim në qendër të Perandorisë Osmane, Charles Richard Crane u nis nga Stambolli në drejtim të Shqipërisë. Ministria e Jashtme Perandorake e shqetësuar për jetën e milionerit amerikan e këshilloi të mos e bënte atë udhëtim me rreziqe në vilajetet shqiptare, por kur pa këmbënguljen e amerikanit e shoqëroi atë me një grup ushtarësh turq. Kur grupi hyri në territoret shqiptare i dolën në rrugë shqiptarë të armatosur pjestarë çetash atdhetare. Ata e ndaluan karvanin duke urdhëruar kthimin e ushtarëve turq. Ishte një situatë e vështirë që mund të përfundonte me luftim. Milioneri amerikan nuk donte të kthehej prapa, atëherë shqiptarët e morën përsipër ta shoqëronin në të gjithë viset shqiptare nën besën e rojen e tyre. Charles Richard Crane u besoi, e jo vetëm aq, por ai u bë shumë shpejt mik me këta trima që e ruanin dhe ishin gati të bënin sakrificën më të madhe për ta mbrojtur. Kështu ai udhëtoi i qetë nga Shqipëria e Jugut në Veri, kaloi nëpër territoret ku bëheshin luftime, në Malësi të Madhe dhe deri në Podgoricë. Ishte një udhëtim që mund të konsiderohej fatlum. Ai kurrë nuk do t’i harronte këta shqiptarë me cilësi të larta, trimëri e bujari të pashoqe.
Në Podgoricë atë kohë kishte mbi 20 mijë malësorë shqiptarë të ikur nga shtëpitë e veta nga ekspedita mizore e Shefqet Turgut Pashës. Shihet se interesi i amerikanëve për çfarë ngjante në Shqipëri ishte i madh. “New York Times” botonte reportazhe mbi luftën e kryengritësve shqiptarë kundër zgjedhës otomane.
Ishte një fat për shqiptarët që pikërisht ky vizitor që e strehuan dhe e zunë mik, të ishte pjestar dhe figurë e rëndësishme e delegacionit amerikan në Konferencën e Paqes në Paris. Ai i dinte problemet e shqiptarëve dhe ambicjet ballkanase për ta copëtuar shtetin shqiptar. Padyshim ai ka dhënë një kontribut të madh në krijimin e bindjes së Presidentit Wilson që Shqipëria duhej mbrojtur me çdo kusht. Charles Richard Crane, i cili i njihte atdhetarët shqiptarë i kishte edhe miq ata, si Kristo Dakon dhe Fan Nolin e atdhetarë të tjerë.
Duhet kujtuar se më 4 korrik 1918, kur ende bota ishte në Luftën e Parë Botërore, i cila kishte filluar më 28 korrik 1914, Fan Noli në funksionin e kryetarit të “Vatrës” arriti të takonte presidentin Wilson në Mount Vernon. Ja se e kujton Noli këtë moment në një letër që i dërgoi vatranëve “Udhëtimi im këtu triumfoi. Fola dy herë me Presidentin Wilson, i cili më dha shpresa të mëdha . .” dhe më tej: “Gjatë kthimit unë si lutës i përulur iu afrova dhe i thashë ta shpëtonte këtë racë heroike dhe të pashpresë dhe t’i kthejë asaj bukën e jetës, lirinë. Dhe përgjigjja e tij fisnike ishte: “Unë do të kem një zë në Konferencën e ardhshme të Paqes dhe atë do ta përdor në favor të Shqipërisë”.
Studiuesi Peter R. Prifti ka shkruar: “I impresionuar thellë nga idealizmi i Wilson-it, Noli u bë një përkrahës i pasionuar i demokracisë wilsoniane. Drejtësia ndërkombëtare, vëllazërimi njerëzor, simpatia për të dobëtit.”
Lufta e Parë Botërore përfundoi më 11 nëntor 1918. Presidenti Wilson shkoi në Paris dhe megjithëse kishte këmbëngulur që Shqipëria të mos prekej, me largimin e tij në Amerikë, delegacionet e shteteve fituese të luftës sërish iu kthyen planeve të vjetra për copëtimin e Shqipërisë. Delegacioni shqiptar dhe miqtë amerikanë të Shqipërisë u shqetësuan dhe ia paraqitën gjëndjen Presidentit Wilson, i cili edhe pse i sëmurë mori sërish rrugën për Paris. Ai u bë shpëtimtar i Shqipërisë, nën ndikimin e tij të fuqishëm u vendos që Shqipëria nuk do të prekej në kufijtë e saj të njohur para lufte, aq më tepër se Shqipëria nuk konsiderohej shtet i mundur që të paguante pasojat e një lufte ku ajo nuk kishte qënë pjestare aleancash, përkundrazi shtetet ndërluftuese e kishin bërë territorin e saj shesh betejash kundër dëshirës së saj. Delegatët e shteteve iu bindën më së fundi vullnetit të hekurt të Presidentit Wilson dhe veç atëherë kur ai u sigurua për fatin e Shqipërisë, u kthye në Amerikë.
Duke shpallur 14 pikat e Konferencës së Paqes së Versajës, që do të sillnin krijimin e Lidhjes së Kombeve presidenti amerikan do të bëhej një figurë shumë popullore në botë si kampion i Paqes. Por pikërisht kur po krijohej Lidhja e Kombeve plot entuziazëm nga Europa, Kongresi Amerikan nuk e aprovoi hyrjen e Amerikës në këtë forum të ri ndërkombëtar, çfarë solli dhe një zhgënjim tek Presidenti Wilson, i cili kaloi goditjen e dytë në zemër dhe përkeqësimin e gjëndjes shëndetësore. Pikërisht në këtë vit atij iu dha çmimi Nobel për Paqe.
Mbas tetë vjetëve në drejtim të shtetit amerikan, la Shtëpinë e Bardhë më 4 mars 1921.
Është shumë domethënëse një ngjarje për të treguar lidhjet shpirtërore të Presidentit Wilson me shqiptarët. Pasi kish mësuar se në Shqipëri populli në këngët e tij përmendte mikun e madh të shqiptarëve Wilson, në një letër që presidentit Woodrow Wilson i dërgonte profesorit amerikan Elmer J. Jones i shkruante: -“S’ ka dyshim se më gëzohet zemra kur mësoj për ndjenjat e bukura që ushqejnë kundrejt meje në Shqipëri… Kujtoj se çdo takim me të tilla kombe na sqaron më së miri pikëpamjen tonë përmbi rastet dhe përgjegjësinë tonë kombëtare.” Ky mik i madh i shqiptarëve mbylli sytë në Washington D.C. më 3 shkurt 1924.
Janë të mrekullueshme fjalët e Fan Nolit për vdekjen e Wilsonit:
“Pranë Amerikës merr pjesë në këtë zi edhe Shqipëria e cila qan në fytyrën e amerikanit të madh, idealistin bujar dhe mbrojtësin e tij më të fortë.’
“Wilson bëri më tepër se çdo njeri për indipendencën e Shqipërisë.”
Ndërsa në Kuvendin Themelor të Vatrës Fan Noli u shpreh:
“ – Kur Shqipëria u qas në Lidhjen e Kombeve në Dhjetor, 1920,
– kur unë si delegat i Shqipërisë ndënja në një radhë me përfaqësonjësit e shteteve të tjera të qytetëruar të botës në Gjenevë,
– kur indipendenca jonë u njoh përsëri zyrtarisht,
– kur vendi ynë shpëtoj nga makthi i invazioneve të huaja,
– kur u vendos një mjet paqësor për të regulluar konfliktet e kufirit tonë,
– kur populli ynë mori vehten dhe pa një ditë të bardhë pas aqë mjerimesh dhe vojtjesh të patreguara, ndjeva një emër që ka fituar mirënjohjen e gjithë zemrave Shqiptare, emri i Presidentit Wilson.”
Faik Konica nga ana e tij do të shprehej:
“Gjithë shqiptarët duhet t’i ngrenë Wilsonit një monument të pavdekur në zemrat e tyre.”
Çfarë edhe ndodhi shpirtërisht e realisht. Një shtatore madhështore e Presidentit Wilson qëndron në sheshin kryesor të Tiranës së Re që mban emrin e tij. Miqësia e shqiptarëve me Amerikën kaloi nëpër sprova të mëdha historike e jo vetëm në 1919 por edhe në çlirimin përfundimtar të Kosovës më 1999, ndaj dhe mirënjohja është e përjetshme.

Filed Under: Histori Tagged With: i Shqiperise, Kolec Traboini, presidenti, WILSON-ËNGJËLLI MBROJTËS

SERBIA DUHET T’I JAPË QARKUT TË KUKËSIT RRETH NJË MILIARDË USD DAMSHPËRBLIME PËR LUFTËN

September 9, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
Kjo duhet të jetë çështje diplomatike, juridike e administrative e radhës edhe në takimin e pritshëm Rama-Vuçiç në këtë fundshtatori apo nëntor 2014
1. Agjensia Serbe e Lajmeve “Danas” ban me dije botnisht se në zyrën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ka mbrri ftesa e homologut të tij serb, 45 vjeçarit Aleksandër Vuçiç, për një vizitë të pritshme në Beograd në kit’ shtator 2014. Prej nga viti 1947 do të jetë i pari kryeministër i Shqipërisë Londineze që shkon në Beograd. Kjo vizitë mund të shtyhet si dhe një herë tjetër apo deri pas formimit e betimit të Qeverisë së re në Kosovë. Ndoshta edhe pas 1 nëntorit kur fillanis zyrtarisht detyrën e tij Jean-Claude Juncker si President i Komisionit Europian dhe do të vijë në BE një “Ashton” tjetër. Sidoqoftë, kryesore është çka do të çojnë në tavolinën e bisedimeve e nënshkrimeve kryeministri shqiptar, Edi Rama.
Patjetër, “çanta diplomatike” e tij do të jetë mjaft e fryrë nga çështjet e problematikat e prejkohshme e të sotme ndërmjet dy vendeve tona ballkanike dhe (ar)mike. Gjithësesi mendoj se tashma ka ardhë ora e fundme kur të hapet sipari i bisedimeve dypalëshe për damshpërblimet e Serbisë ndaj Shqipërisë, përkatësisht ndaj Qarkut të Kukësit (Tropojë, Has, Kukës) për damet e shkaktueme gjatë e pas Luftës së Kosovës (1999).
2.Serbia e Millosheviçit përgjatë 79 ditëve të Luftës së Kosovës (mars-qershor 1999), përveçse përballjen me NATO-n, kishte edhe një tjetër “Luftë të (Pa)shpallur” me Shqipërinë Londineze.
Ushtria serbe në vitin 1999, e përqendruar edhe përgjatë 120 km të vijës kufitare Tropojë-Has-Kukës, ka gjuajt me 3.350 predha artilerie deri në 25 km në thellësi të territorit shqiptar sovran.
Serbia gjatë Luftës së Kosovës (1999) i minoi 102 zona në 39 fshatra të Qarkut të Kukësit: 14 në Tropojë, 14 në Has dhe 11 në Kukës.
Kjo zonë e minuar me mina antinjeri, antitank, municione të paplasura, etj. në tre rrethet e këtij Qarku përfshinte mbi 15 km2 apo, ndryshe, pothuaj sa tri herë sipërfaqja e ishullit gjeostrategjik të Sazanit në bregdetin e Vlorës.
3.Më 25 mars 1999, një ditë pas fillimit të Luftës së Kosovës, ndodhi aksidenti i parë i përgjakshëm në Qarkun verior të Kukësit, i shkaktuar nga ushtria serbe brenda kufirit të shtetit sovran të Shqipërisë.
Nëpër zona të minuara të Qarkut të Kukësit, në 79 ditë të kësaj lufte të madhe, u vranë 23 shqiptarë dhe u plagosën 68 të tjerë.
Nga gjuajtjet e artilerisë serbe në krejt Qarkun u dëmtuan 130 shtëpi, nja 1.000 objekte social-kulturore si shkolla, qëndra të komunave, kabina elektrike, etj., sistemi ujitës, infrastruktura rrugore, etj. Artileria e luftës e minat e hedhuna gjithandej u dëmtuan edhe 800 kokë gjedhë e njëthundrakë, 3.000 kokë bagëti të imta, 1.200 koshere bletësh, etj.
Këto ishin humbje të mëdha në ekonominë shqiptare e të këtyre tre rretheve Tropojë, Has, Kukës. Vetëm në sistemin ujitës shenjohen mbi 26 milionë USD.
4. Minat e hedhuna në fushëbeteja të luftnave, si në rastin e 39 fshatrave të brezit kufitar të Qarkut të Kukësit, janë “Luftë pas Lufte”.
Vetëm në 79 ditë të Luftës së Kosovës e pas saj, përgjatë vitit 1999, sipas të dhanave që i ka OKB e institucione të saj, pati 187 aksidente në mina. Në burime të tjera flitet për numër ma të lartë të aksidenteve të tilla. Sidoqoftë edhe viti 2000 pati shumë: 35 aksidente. Deri në vitin 2006, sipas të njëjtit burim të OKB-së, kemi 272 aksidente. Sigurisht janë edhe ma shumë, pasi kanë kalue plot 8 vite. Ka pasë edhe aksidente të tjera. Në ditën e parë të shtatorit 2014 në Krumë ndodhi një aksident tragjik me pasojë vdekjen. Të tjera aksidente priten të ndodhin në muaj e vitet e ardhshme. Shifra rritet çdo ditë. Ndoshta janë mbi 300 aksidente. Flitet edhe për mbi 60 të vdekur. Sidoqoftë priten saktësime në të ardhmen.
Nga 272 aksidente në Qarkun e Kukësit (1999-2006) numrin ma të madhe ka Tropoja: 133 prej tyre. Hasi ka 93 aksidente, ndërsa Kukësi 40 aksidente. Nga këto 272 aksidente (me listë emërore) i kemi 34 prej tyre me humbje jete: 14 Tropoja, 12 Hasi, 7 Kukësi dhe 1 nga Kosova.
Bota njeh 130 lloje minash. Serbia ka hedhur në Qarkun e Kukësit dhjetra prej tyre gjatë Luftës së Kosovës. Ato ishin edhe të formave të ndryshme si karamele, flutura, stilolapsa, etj. Sipas statistikave që kanë institucione të OKB-së del se nga 272 aksidente të ndodhura në vitet 1999-2006 janë 181 raste apo 67 për qind nga minat antinjeri të Serbisë. Kjo tregon se serbët kanë pasë qëllim kryesor të vetin vrasjen e shqiptarëve në anën tjetër të kufinit, në Qarkun e Kukësit të Shqipërisë Londineze. Vetëm 53 prej rasteve të aksidenteve apo 19 për qind e tyre kanë ardhë nga municionet e paplasura të lëshuara me artileri nga Serbia në rrethet Tropojë, Has, Kukës. Nga këto raste aksidentesh 72 prej tyre janë fëmijë.
Në këto aksidente janë plagosë e vrarë fëmijë, gra, të moshuar, barinj, fermerë, policë, ushtarakë, etj. Thuhet se një aksident kap shifrën mesatare rreth dy milionë USD për rast. Në koft se ecim sipas kësaj llogjike del se duhen shifra tejet të larta.
Minat kanë kosto të vogla në prodhim e të mëdha në dëmtime, për heqjen e tyre, etj. Një minë antinjeri për t’u prodhue kushton nga 3-30 USD, ndërsa për t’u heq nga toka ku është hedhur si në rastin e Serbisë në Qarkun e Kukësit, duhen 1.000 USD për një minë të vetme.
Serbia qyshse në vitin 1998 kur e minoi kufinin Shqipëri-Kosovë me fusha të minuara, grupe minash e mina të veçuara. Vetëm në 79 ditë të Luftës së Kosovës ka hedh me artileri 3.350 predha artilerie… Ushtria serbe nuk i dorëzoi asnjëherë hartat e fushave të minuara prej saj në Qarkun e Kukësit.
5. Shteti Shqiptar ka projektet e veta edhe në Qarkun e Kukësit, i ka llogaritë e veta për të saktësue damshpërblimet e Serbisë, janë strukturat përkatëse shtetërore për kryerjen e obligimeve të këtilla. Veçse duhet dit’ edhe kjo: në 15 vite kjo çështje është ngrit disa herë e nuk ka pasë rrugëzgjidhje astenjëherë.
Thuhet se damshpërblimi që ka për të dhanë Serbia për Qarkun e Kukësit, për tri rrethet Tropojë, Has e Kukës, shkon deri në një miliardë USD (rreth 1.000.000.000 USD). Sigurisht nuk janë pak. Këto rrethe janë në nevojë. Mjaft familje me të aksidentuar janë në kushte të varfërisë ekstreme.
Dihet se Qarku i Kukësit është ma i varfëri në të gjithë Shqipërinë Londineze e veçanarisht familjet që kanë pasë aksidente gjatë e pas Luftës së Kosovës, që iu kanë dëmtue pasuritë hipotekore, etj.Shqipëria Londineze, qoftë edhe me ndërmjetësi ndërkombëtare si Bashkimi Europian, etj., duhet të fillojnë bisedimet në Beograd e në Tiranë ose në Bruksel e gjetkë për damshpërblimin e Qarkut të Kukësit me rreth një miliardë USD. Tirana zyrtare, qyshse në takimin e parë Rama-Vuçiç duhet të ketë kushtet e saj ballore edhe në kit’ çështje tejet të madhe. Shqipëria Londineze duhet të ngrihet në lartësi diplomatike ndërshtetërore të Malit të Zi, që po iu vno kushte Kosovës e Hashim Thaçit tue e lidh njohjen e komunitetit malazez në Kosovë me vendosjen e selive të ambasadave të tyre në Podgoricë e Prishtinë dhe lejimin e Rrugës Deçan-Plavë, pas “demorkacionit” – vijës kufitare Mali i Zi- Kosovë, etj. Tjetër kusht i Shqipërisë ndaj Serbisë së Vuçiçit duhet të jetë bllokimi i hyrjes në Shqipëri të mallrave serbe (qoftë dorë e parë apo e dytë ose tretë në tregtimin e tyre), të cilat po e tejngopin e do ta groposin tregun shqiptar në Tiranë e Prishtinë.
Qeveria Shqiptare e Tiranës, kryeministri i saj Edi Rama, duhet t’i kërkojë Serbisë damshpërblimin me rreth një milionë USD dëmtime në njërëz e pasuri gjatë e pas Luftës së Kosovës. Tekefundja nuk ka randësi dhe aq të madhe shuma po akti shqiptar i Tiranës. Sot jemi të vonuar në këtë çështje. Nesër do të jemi të gjykuar nga historia e brezat tanë për mos kryerje të saj. Qarku i Kukësit pret damshpërblimin nga Serbia. Nëse nuk iu dha Çmimi Nobel ti jepet të paktën damshpërblimi që i takon prej mbi një dekadë, që e pret edhe nga Diplomacia e Drejtësia Ndërkombëtare e së parit nga Qeveria e vet.

Tiranë, 9 shtator 2014

Filed Under: Editorial Tagged With: 1 miliarde dollare, Ramiz Lushaj, Serbia, te demshperbleje Kukesin

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4414
  • 4415
  • 4416
  • 4417
  • 4418
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT