• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PERKUJTOJME TE NDJEREN DRANDE KUQANI

August 25, 2014 by dgreca

PERKUJTIMORE/
Si sot 10 vjet ma pare, me 25 Gusht 2004, pushoi se
rrahuri zemra e bashkeshortes sime DRANDE KUQANI, qe plot per 37 vjet me radhe -qe prej 25 Gushtit te vitit 1967, diten kur vume kunore, dhe dderi me 25 Gusht te vitit 2004 -nji koincidence e rrall kjo- ; ajo zemer rrahu pa pushim, cdo dite dhe cdo ore me nji dashtni te pakufishme per mue dhe per djelmt tone, Antonin, Gencin dhe Davidin. Ajo zemer pushoi se rrahuri e djegun prej mallit sidomos per Antonin dhe Davidin qe u ndodhen mijra kilometra larg.
Ne shej Nderimi te thelle dhe me nji mirenjohje te perjeteshme, perulemi para kesaj krijese fisnike te Vermoshit qe sakrifikoi gjithshka per ne, tue mbete nji simbol i rrall vlerash virtyti dhe morale.
Me kete raste falnderojme edhe nji here te gjithe shoket dhe miqet e sidomos njerezit e far’e fisit te saj qe paten ardhe ne “Te Pame” edhe prej Detroitit te larget.
Falnderojme gjithashtu edhe nji here me mirenjohje te pa harrueshme te gjithe shoket dhe miqet e far’e fisit tem dhe te Saj, qe paten ardhe edhe prej Vermoshit per te marre pjese ne varrimin e te ndjeres ne Shkoder.

Bepi, Antoni Genci dhe Davidi

Filed Under: Komunitet

A është Turqia shtet mik?

August 25, 2014 by dgreca

Tru shpërlarësit- oficerë të zbulimit me veladonin e hoxhallarëve e të shoqatave myslimane, përpiqen të vënë në zbatimin teorinë e Davutogllusë për ringjalljen e kufomës së osmanizmit apo fantazmës se neotomanizmit./
Shkruan: Gani MEHMETAJ/
1. Pak histori të hidhur/
Perandoria osmane gjatë pesëqind vjetësh sundimi u shqua me mizori të pashembullta ndaj shqiptarëve. Edhe në fazën e shthurjes, kur ushtria otomane tërhiqej nga tokat shqiptare, nuk tregoi mëshirë ndaj të okupuarve, por i luftonte me egërsi formacionet e armatosura shqiptare që përpiqeshin t’i dalin para ushtrive të koordinuara serbe, malazeze e greke. Në vend të mëshironte tokat e pushtuara të cilat po i braktise, duke ua lëshuar okupatorëve të rinj edhe më mizor, otomanët dogjën qindra katunde e qytete shqiptare, bombarduan me artileri lokalitete duke lënë pas vetës shkrumb e hi. Ua lehtësuan pushtimin armiqve tanë, prandaj nuk e patën vështirë trupat serbe, greke e malazeze të merrnin që në sulmet e para territoret shqiptare, sepse shqiptarët ishin dërmuar nga ushtria qyqare turke që po tërhiqej nga sytë këmbët para serbëve e grekëve më të fuqishëm.
Perandoria turke ua fali më traktate të paqes njëzetë vjet para se të tërhiqej mbi 30 mijë kilometra katrore të territorit shqiptarë Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, pa e përfillur vullnetin e shqiptarëve. Për t’ua bërë qejfin Rusisë, Serbisë e Greqisë, Turqia, e shoi me gjak Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, sepse shqiptarët donin t’u dilnin zot tokave të tyre.
Më dashamirës ndaj shqiptarëve nuk u treguan as qeveritë e mëvonshme civile apo juntat ushtarake që ndërroheshin njëra pas tjetrës. Turqia moderne e ndihmoi Serbinë e Greqinë të dëbonin sa më shumë shqiptarë, duke nënshkruar traktate për shpërnguljen nga Kosova e Çamëria. Traktatet e Paqes me Jugosllavinë ende nuk janë shfuqizuar, ndërsa janë shpërngulur me dhunë disa milionë shqiptarë. Në Turqi shqiptarët e shpërngulur i sistemuan kolonë në tokat kurde, duke i armiqësuar me ta për llogari të shtetit turk.
2. Ku ndryshon Turqia e Edogani nga otomanët?
Mendësia e qarqeve konservatore turke nuk ndryshoi as pas 100 e ca vjetësh. Edhe më tutje kanë ëndrra budallaqe për pushtimet sulltanore dhe për raja. Pas luftës së vitit 1999 në vend të futeshin në Kosovë si Perëndimi: më promovim të demokracisë, me fonde që e rindërtuan vendin, që nga themelet, Turqia promovoi mendësi mesjetare, ndërtoi qindra xhami, ndërsa i kishim me tepri, duke ua zënë vendin shkollave për të cilat fëmijët tanë patën aq shumë nevojë. Pastaj u shpërndau ndihma vetëm myslimanëve, duke i diskriminuar katolikët e protestantët, i kushtëzuan ndihmat e hurmave e bakllavave me lutjet fetare islamike, agjërim, iftarin etj. Shumica e xhamive të ndërtuara në periudhën e pasluftës nuk kanë leje ndërtimi, nuk përfillen plane urbanistike, nuk respektuan ndalesën e zhurmës së lejueshme të altoparlantëve që çirren në kupë të qiellit sa të çmendin, duke shkaktuar kaos e nervoz në mesin e popullatës shqiptare.
Qindra shoqata islamike turke nuk ndihmuan si bota e qytetëruar, por e sollën islamizmin më të egër që e ka njohur ndonjëherë toka shqiptare. Përmes këtyre shoqatave rekrutuan e dërguan shqiptarë për luftërat fetare në Siri e Irak, që është kapitulli më i turpshëm i shqiptarëve në 100 vjetet e fundit, nxiten përçarje fetare dhe ndërsyen fundërrinat shqiptare (ish spiunë të Serbisë, UDB-ist, hajdutë e mashtrues, mercenarë me petkun e fesë, gazetarë e akademikë të shitur më parë të jugosllavët e të ri blerë nga turqit, islamikë profesionist etj) kundër shumicës shqiptare laikë e besimtarë.
Derisa evropianët sollën ekspertë të ekonomisë, politikës e të bujqësisë, Turqia me vendet arabe sollën ekspertë të fesë e “hafuza” të kuranit. Ndërkaq, këta “ekspertë” me hoxhallarët e rekrutuar vendës më shumë ngjasonin me oficerë zbulimi që merreshin më punë të dënueshme se sa devotshmëri feje.
3. Kur oficerët e zbulimit veshin veladonin e hoxhës
Si shpjegohet që imami i xhamisë së Prishtinës, ku u fal kryeministri turk, dhe kryeministri i Kosovës, kapet me armë (snajperë, pistoleta me silencier, granata dore etj) që është veprimtari terroriste, ndërsa nuk gjykohet as nuk ndëshkohet. Është nën mbrojtjen e kryeministrit të Turqisë apo të shërbimit sekret të këtij shteti? Si shpjegohet që një shoqatë e “myslimanëve të Kosovës” (e mbështetur nga Turqia me ish spiunë jugosllavë) kërcënon se do t’i dëbojë shqiptarët katolik përtej detit si para 500 vjetësh, ndërsa asnjë gazetë nuk reagoi, asnjë prokuror nuk e arrestoi kryetarin e tyre. Jemi në Turqi e Serbi apo në shtetin e shqiptarëve të Kosovës? Ende do të na kërcënoj Turqia me dëbimin përtej detit përmes shoqatave myslimane? Shefat e kësaj shoqate që vazhdimisht kërcënojnë shqiptarët në shtetin e shqiptarëve, tërë ditën rrinë në xhamin ku u fal kryeministri turk e kryeministri kosovar. Kjo xhami është bërë çerdhe e antishqiptarëve më të tërbuar që veprojnë si oficerë zbulimi të disa shteteve, kryesisht të Turqisë e Serbisë.
Shoqatat turke e arabe, nën petkun e bamirësve, me sjelljet e veprimet e tyre nuk ndryshonin nga ish- zyrtarët xhonturq: arrogantë e primitiv, fodull e me qëndrim fyes ndaj traditës, kulturës e heronjve shqiptarë. Kudo tjetër ata do të dëboheshin nga vendi, ashtu si do të dëboheshin “edukatorët” e shkollave të mesme që erdhën nga Anadolli, themeluan shkollat e tyre, ndërsa fëmijëve shqiptarë ua shpërlajnë trurin. Nxënësit e shkollave anadollake në debate ta kthejnë me cinizëm: është e dyshimtë a jemi shqiptar a jo, sepse atëbotë otomanët bënë shumë përdhunime! Fatkeqit e tillë tru shpërlarë pranojnë të jenë djem të nënave të përdhunuara e të baballarëve përdhunues që t’i bëjnë turqit vëllezër! Janë të sëmurë psikik këta djelmosha, apo ua kanë shpëlarë trurin me acid? Kthyer ndryshe kjo tingëllon sikur po supozojmë nxënësit shqiptarë qe vijojnë shkollat serbe të thoshin: serbët i kemi vëllezër, sepse serbët përdhunuan mijëra femra shqiptare!
I kemi turqit e serbët vëllezër? Ka mjerim më të madh të shqiptarëve tru shpërlarë? Mund të ndërtohet vëllazëria mbi këto postulate monstruoze?
4. Tru shpërlarësit
Këtë punë të ngulmët antishqiptare, kundër interesave të vendit pos dhjetëra shkollave po e bëjnë shoqatat e hurmave e bakllavave së bashku me hoxhallarë gjysmë analfabetë, të cilët mezi e kryen medresën, sepse ishin nxënës të dobët në shkollën fillore, prandaj nuk i pranoi asnjë shkollë e mesme shqiptare. Ata s’kanë tru as vetëdije kombëtare. Ndërkaq, oficerët e zbulimit me veladonin e hoxhallarëve e të shoqatave myslimane, përpiqen të vënë në zbatimin teorinë e Davutogllusë për ringjalljen e kufomës së osmanizmit apo fantazmës se neotomanizmit. Të frymëzuar nga kjo teori, por të paguar mirë nga shoqatat islamike, disa kanë nis të vënë në kokë në falje bajrami fes turk, calik anadollak dhe dolloma qesharake. Duan t’ua bëjnë qefin turqve të Davutogllusë, ndërsa duken palaço cirku, nesër po i pagoi Serbia do ta bartnin edhe “shajkaqen” serbe.
Tru shpërlarësit pas vitit 1999 rekrutuan mijëra mercenarë jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri e Maqedoni. Është e habitshme se si qeveritarët tonë i toleruan. Janë të shitur? U kanë bërë shantazhe? Apo janë nën tutelën e tyre?
Ka edhe veprime të tjera të çoroditura në rinovimet e objekteve kulturore e të trashëgimisë. Ajo që habitë është paralajmërimi që pas rinovimit të një xhamie në Prishtinë të pagëzohet me emrin e një sulltani gjakatar. Kjo i bie sikur të kërkonte Serbia të rinovonte kishën në Prishtinë të cilën e ndali në gjysmë të ndërtimit NATO dhe ta pagëzonte me emrin e kriminelit Milosheviq. Ka absurd më të madh?
5. Bizneset turke në Kosovë
Çfarë të themi për bizneset turke në Kosovë? Nuk e bënë asnjë investim për të qenë. Njëqind herë më shumë investuan në Serbi e Maqedoni (në pjesën sllave) se sa në Kosovë, por e zhvatën palcën kurrizore të ekonomisë sonë: privatizuan për një shumë qesharake Elektro ekonominë e Kosovës dhe Aeroportin e Prishtinës. Kosova u shërbeu si deponi e mbeturinave: zbrazen depot e mallrave të tyre dhe i shitën të ne. Cilësia e mallrave perëndimore i nxori nga tregu, sidomos në teknikë e teknologji, por pjesa e varfër e popullatës i blen gjërat ushqimore serbe e turke, sepse janë më të lira. Cilësinë e mallrave serbe e turke nuk e kontrollin askush.
Industria ushqimore turke e serbe ia ka zënë frymën bujqësisë në Kosovë, Shqipëri e pjesën shqiptare të Maqedonisë.
6. Në BE apo peng i Turqisë?
Kosova është bërë sanxhak i Turqisë. Besa edhe Shqipëria gati në këtë gjendje është, duke ia shkel syrin edhe Serbisë e Greqisë. Pjesa shqiptare e Maqedonisë është territor nën veprimin e grrmrrit-shkombëtarizimit. Sa të jenë këto kohorta islamike shkombëtarizuese, Perëndimi do ta mbështes shtetin e dhunshëm maqedonas e policinë e tyre kriminale kundër shqiptarëve.
Deri kur do të jemi peng i Turqisë? Me veprimet turke në Ballkan (Kosovë, Shqipëri, Maqedoni) dhe më servilizmin e qeveritarëve tonë, po e rrezikojmë qenien tonë shtetërore e kombëtare, po rrezikojmë të mos futemi në BE. Nëse mbesim jashtë BE-se, do të na mbërthej shtjella e kaosit lindor. Turqia e Edoganit nuk i takon Evropës, prandaj pse duhet ta lidhim fatin me te. Interesat e grupeve tona politike nuk janë interesat e shtetit e të kombit, ata janë korruptuar, prandaj na shtyjnë drejtë kaosit. Por duhet ta shkëpusim nga ky orbitë edhe pjesën shqiptare të Maqedonisë të cilën e kanë mbërthyer islamikët si qeni mishin.
Meqë garniturat politike shqiptare të korruptuara shpejt mund të bien, Turqia duhet ta rishqyrtoj rrënjësisht qëndrimin ndaj shqiptarëve në të tri shtetet. Armiqësia që po e nxisin brenda shumicës shqiptare mund t’u hakmerret. Erdogani me Davutoglllunë nuk do ta kenë kurrë simpatinë e shumicës shqiptare me këtë lukuni mercenarësh.
Brezi i ri i shqiptarëve Turqinë e njohin përmes oficerëve të zbulimit që sillen vërdallë xhamive, përmes ndërmjetësve që i rekrutojnë shqiptarët në Siri e Irak, përmes hoxhallarëve me mjekra e pa mjekra, në vend se ta njihnin përmes Orhan Pamukut, Aziz Nesinit, Jilmaz Gynejit, Nuri Bilge Ceylan e personaliteteve të tjera mëdha të kësaj kulture.
7. Sërish kërkojmë ndihmën e Perëndimit
Prandaj qe të mos lahemi në gjak në emër të islamit e neotomanizmit si në Irak e Siri, që të mos na rrëmbej shtjella e kaosit islamik si në gjithë botën arabe, që të mos e humbasin trenin e fundit për Bashkimin Evropian, ku e kemi vendin me origjinë, traditë, kulturë e qytetërim, është e domosdoshme të shkëputemi nga orbita turke e islamike, ku na futi kasta e papërgjegjshme dhe e korruptuar. Druaj që edhe kasta që po i mpreh dhëmbët për pushtet nuk ka këllqe të na nxjerr nga bataku, prandaj duhet ta kërkojmë sërish ndihmën e SHBA-ve e të Evropë Perëndimore, ashtu sikurse kërkoi para njëzetë vjetësh Ibrahim Rugova, kur gati na mbyti okupatori serb.

Filed Under: Opinion Tagged With: Gani mehmetaj, hoxhallaret, Shtet mik, Turqia

Humbja e radhës e Isa Mustafës

August 25, 2014 by dgreca

Se nuk ka pas influencë politike në marrjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila shpalli të pavlefshëm zgjedhjen e Isa Mustafës për Kryeparlamentar, tregon shembulli konkret se gjyqtar kryesor ishte amerikani Carolan, që pos tjerash raportoj se nuk pasur jo vetëm shkelje procedurale, por edhe përmbajtësore/
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Nga zgjedhjet lokale e deri në ditën e sotme lideri i LDK-së, Isa Mustafa, po shënon vetëm humbje të njëpasnjëshme. Në të parë sikur kjo nuk po i lë përshtypje fare. As vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ia prek sedrën këtij njeriu që ka humbur në mjegullnajat e karrierës politike. Asgjë nuk po kupton apo shtirët se nuk po sheh asgjë se çfarë po ndodh rreth tij. Tashmë opinioni i gjerë, por edhe anëtarësia e LDK e ka marrë vesh se Isa është verbuar pas posteve udhëheqëse, ndaj edhe shtrojnë pyetjen se ku janë organet e këtij subjekti që nuk reagojnë ashpër, shumë ashpër ndaj këtyre apetiteve të sëmura të këtij politikani të dështuar që aq shumë po e dëmton, në rend të parë, LDK-në. Edhe çfarë duhet të ndodh, edhe çka tjetër duhet të pësoj Isa Mustafa që më pas të mirren me të organet më të larta partiake. Kjo shkurtpamësi nga askush nuk po mund të kuptohet. Athua i ka kap aq fort për “fyti” përfaqësuesit e organeve udhëheqëse apo është aq i “ aftë” që me ato dredhitë, manipulimet e lajkat e tij t’i qetësoj gjakrat që tashmë kanë filluar të ngritën bukur shumë.
Në post udhëheqës nuk arrihet duke shkelur Kushtetutën
Isa Mustafa ia është dashtë me kuptuar deri me tash se nuk është shkruar që të zgjedhet në postet e synuara, ia kurrë më. Po duhet ta dish more “ i gëzuar” se për të arritur me u ulur në karrikën e vendit udhëheqës nuk shkon me zor. Por as kokrrat nuk i fituat. Aq më shumë nuk shkon duke shkelur Kushtetutën. Ju këtë e bëtë. Edhe pse shumë herë deri me tash është dashur që të jepni dorëheqje, vendimi i fundit i Kushtetueses ka arritur kulmin e përgjegjësisë suaj për gjithë këto pësime e dështime që po i “ korrni” në dy vjetët e fundit. Prej se jeni zgjedhur lider i LDK-së asnjëherë nuk ta pa hajrin ky subjekt politik, asnjëherë nuk ia dhe një lajm të mirë, një sukses të arritur në planin e brendshëm. E humbe Kryeqendrën, i humbe zgjedhjet nacionale, e humbët përballjen me PDK-në në Gjykatën Kushtetuese. Çka po pret më o “ i gëzuar. Dorëzohu se nuk kë kah t’ia mbash. Nuk po ta donë dhe pikë. Bëhu i fort se askush liderizmin nuk e ka me tapi. E as ti nuk e kë kafshatë goje këtë post. Ka o “ i gëzuar“ LDK-ja ka kuadro edhe shumë më të mençur e më të dobishëm se ti. Pas këtij vendimi të institucionit kredibil nuk të ka mbetur më se çka të thuash, pos që të thërrasësh Kryesinë e LDK-së dhe të ofrosh dorëheqje të parevokueshme. Kjo do të jetë fitorja jote më e madhe për ju e shumë më shumë për LDK-në. Beso shumë më lehtë e më mirë do ta këtë LDK-ja pa ty. Pas teje, besoj shumë, se ky subjekt politik kurrë më nuk do të pësoj debakle të tilla në skenën politike të Kosovës. Po ta përkujtoj se edhe nuk është ligështi me dhanë dorëheqje sepse iu i lëshoni rrugë të tjerëve, atyre që kanë ide e projekte më të mira, ide e projekte më të avancuara. Kjo sjellje e papërgjegjshme do të mbahet mend për jetë e mot në historinë e LDK-së e sidomos me uzurpimin e të gjitha posteve më të rëndësishme shtetërore për veti, duke qenë kështu pengesë kryesore në nominimin e personaliteteve të shquara dhe të ecjes përpara të partisë së parë shqiptare në Kosovë, e cila ishte formuar e udhëhequr nga Presidenti Dr. Ibrahim Rugova. Isa Mustafa po ia bën sikur “ Komargjija” i cili duke u munduar t’i kthej parat e humbura, lënë tesh e kotesh, shtëpi e tapi peng, ndërsa ky politikan i dështuar po e shkatërron me vetëdije të plotë subjektin të cilin po e udhëheq me gabime trashanike vetëm e vetëm që ta rehatoj vetën. Pra, ai nuk merakoset fare se sa fort po e degradon e po e përbuzë LDK-në, të cilën e ka dërguar buzë greminës. Me rëndësi për të është siç thotë një fjalë popullore” ku rafsha mos u vrafsha”. Po ti Isa Mustafa nuk po vrahesh fizikisht, por nga kjo grykësi që kë për pushtet je i lënduar moralisht dhe këtë duhet ta kuptosh.
Kushtetuesja nuk ndërhyri por mbrojti ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Isa Mustafa, në Facebook na u paraqitë me do fjalë që nuk i ha hiq pazari. E lavdëron Vjosa Osamnin deri në qiell për prezantimin që bëri, duke vazhduar se blloku opozitar nuk do të dorëzohet dhe në fund e prish krejt duke konstatuar se as nuk ka të humbur e as fitues. Po si nuk ka të humbur or “ i gëzuar”. Po ti je humbësi kryesor sepse zgjedhja e juaj ishte e pavlefshme, në kundërshtim me rregulloren e Parlamentit. Kësaj i thonë shkelje e Kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë. Kjo është humbje me tupan e nuk po e merr vesh. Nuk kë faj se lajmi i keq për ty nga Kushtetuesja ta ka humb kontrollin dhe nuk po di se çka po thua, çka po flet e çka po ndodh. Mbaje mend kur ta marrish vesh, do të jetë shumë vonë.
Po flitët shumë se vendimi i Kushtetueses na qenka i ndikuar politikisht, e posaçërisht këtë marifet po e thonë ata të bllokut opozitar të inatit, të cilët të zënë për muri po mundohen të manipulojnë me qytetarët dhe anëtarësinë e partive të tyre. Se vërtetë nuk kishte kurrfarë ndikimi nga jashtë tregon shembulli i gjyqtarit kryesor Carolan, që ishte amerikan, dhe që raportoi për këtë rast në seancën shqyrtuese të lëndës që e kishte kërkuar PDK-ja. Sipas raportit të tij seanca inauguruese e Parlamentit të Kosovës kishte jo vetëm shkelje procedurale, por edhe përmbajtësore. Bile siç shkruajnë mediat kosovare ky gjyqtar nga qenka mik i mirë i Steven Shook këshilltarit të Kryetarit të AAK-së.
Dhe krejt në fund. Po deklarohen edhe përfaqësuesit e tjerë të bllokut opozitar të inatit duke pretenduar se Gjykata Kushtetuese nuk mund të vendos shumicën në Parlament. Kjo është e vërtetë. Por e vërtetë më e madhe është se nëse edhe njëherë veproni ashtu siç vepruar në seancën e parë inauguruese, prapë do të këtë vendim të njëjtë nga Kushtetuesja. Ndoshta vendi do të detyrohet të shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilën gjë nuk e dëshiron askush. Më së miri është të mbretëroj logjika e arsyes dhe subjektet politike të merren vesh për ndërtimin e institucioneve shtetërore që janë më së të nevojshme. Kushtetuesja nuk ndërhyri në punën e Kuvendit, siç po thojnë përfaqësuesit e bllokut, por mbrojti veprimet që ishin në kundërshtim me aktin më të lartë juridik të vendit, Kushtetutën.

Filed Under: Opinion Tagged With: humbja e rades, Isa Mustafa, Xhavit Citaku

LARGIMI

August 25, 2014 by dgreca

Nga Albert Z. ZHOLI/
Burrë e grua kishin mbi një orë që shihnin, të heshtur, akrepat e orës. Ai rrinte i shtrirë, me këmbën e djathtë të prerë deri mbi gju dhe ajo rrinte në karrige, aty pranë. Kur vinte ndonjë zhurmë nga koridori, ata sytë i mbërthenin te dera. Ora shënonte 23-30. Emanuela, fëmija e vetme, ende nuk ishte kthyer. Në dy-tre muajt e fundit, qyshkur babai kish prerë këmbën, ajo kthehej gjithmonë e më vonë. Pas mbarimit të gjimnazit e ndaloi vazhdimin e shkollës, por edhe punë nuk po kërkonte. Nëna e kish parë disa herë me një rom-grek, një mustaqelli të zi, këmishëlëshuar e gjithmonë në shregullt, siç duken të gjithë romët e botës. Ulërima e motorit “JAMAHA” para shtëpisë dhe ajo pamje e romit mbi motor e tërbonin nënën e Emanuelës. Disa herë i kish bërtitur të bijës, por më kot. Kur ora donte edhe tre minuta të shkonte 24 u dëgjua “ulërima” e motorit. Dy-prindrit u lehtësuan disi, në heshtje dhe sytë akoma nuk ia ndanin derës. Dera u hap dhe vajza hyri pa thënë asnjë fjalë. I pa të dy në sy dhe i dha një qeshje buzës së poshtme.
-Pse më shihni sikur do më hani të gjallë?
-Si u flet kështu prindërve?
-Sikur të jem kriminele, ç’ju kam bërë?
-Ende nuk po e kupton? Në shkollë nuk po shkon, në punë-jo, bredh e nuk mblidhesh në shtëpi…
-Dhe shoqërohesh me një njeri që nuk ka asgjë të përbashkët me ne-vazhdoi nëna.
-Ai ka para dhe më trajton mirë.
-Si të mos të të trajtojë mirë, ku do gjente një vajzë të tillë?!
-Pse të mos gjejë kur ka para. Me para sot blihet shteti e jo një femër.
Ata pane njëri-tjetrin në sy. Nuk mund të kuptonin logjikën e atyre fjalëve. Ajo fliste me siguri të plotë.
-Po ne kemi tjetër moral moj bijë, ne gjithmonë kemi bërë jetë të qetë e të varfër-dhe fërkoi këmbën e cunguar.
-Atëhere ishte ndryshe jeta, ishte tjetër sistem. Nuk kishte as celular, as vetura, as vila, as xhinse, as banane pa le koka-kola.
-Ne robëtohemi në punë për të të siguruar ti jetën. Babai mbeti sakat për tërë jetën-foli nëna duke lotuar.
-Ç’më kini dhënë?!Ju punoni sa për qeranë e shtëpisë e për të ngrenë, pse kjo është jeta?!
-Por aq janë mundësitë tona, me punë të ndershme nuk mund të vesh miliona.
-Dhe unë nuk duroj dot që shoqet e mia ta jetojnë jetën e unë vetëm të shikoj. Kur më lindët nuk e menduat?!
Babait i erdhi dhoma rrotull. Këto fjalë si mund t’i dëgjonte nga goja e vajzës së tij. U ngrit në të ndenjura dhe i bërtiti:
-Turp, turp të kesh! Nuk e meriton të jesh vajza jonë-dhe pështyu në drejtim të saj.
-Turp për juve që nuk jini të zotë t’i siguroni një jetë normale vajzës së vetme,-foli ajo dhe u ngrit – unë s’kam për të shkelur më në këtë shtëpi. Doli. Burrë e grua mbetën me sytë nga dera…
Ajo derë tashme u dukej si nje bunker hermetik.

Filed Under: ESSE Tagged With: Albert Z. Zholi, Largimi

Ja si u vra Pandeli Sotiri nga gruaja e tij në bashkëpunim me Patriarkanën

August 25, 2014 by dgreca

NGA VEPROR HASANI/
Pandeli Sotiri, theror i Mësonjëtores për shpëtimin e Korçës nga helenizimi
Nga Vepror Hasani
Pandeli Sotiri nuk e dinte që gruaja e tij do t’i përgatiste kurthin e vdekjes. Edhe sikur këtë gjë t’ia thoshte dikush tjetër, “ Pandeli ki kujdes nga jot’shoqe”, nuk kishte për ta besuar. Ai nuk kishte dyshuar kurrë te gruaja e vet. Mbi të gjitha e donte. Edhe ajo, sa herë që gjente rastin, nuk rrinte pa ia shprehur dashurinë e saj. Kur Pandeli Sotiri i tha se së shpejti do të të linte Stambollin dhe të nisej për në Korçë për të hapur Mësonjëtoren e parë shqipe, ajo nuk u shpreh kundër, edhe pse ishte mbesa e një prej dhespotëve të kishës ortodokse greke, e rritur në Fanar. (Ideja për vrasjen e të shoqit do t’i lindte më vonë.) Ajo vetëm kishte pyetur: “Pse në Korçë?” Pandeli Sotiri ishte nga fshati Selckë i Lunxhit ntë Gjirokastrës. U lind në vitin 1843. Studioi në shkollën Normale greke të Qestoratit. Aty pati fatin të mësonte edhe gjuhën shqipe nga mësuesi i madh, Koto Hoxhi. Pas vrasjes së prindërve, i ndihmuar nga të afërmit, Pandeliu u nisdrejt Austrisë. Studioi për mjeksi në Vjenë. Aty nga viti 1870, kur ishte rreth 27 vjeç, shkoi në Stamboll. Në këtë këtë qytet të madh e të zhurmshëm, ku Porta e Lartë dhe Patriarkana mbretëronin herë si dy motra dhe herë si dy rivale, mjeku i ardhshëm do të njihej me gruan e tij. Tashmë ishte 44 vjeç. Kishin vite që ishin martuar, por ende nuk e kishin një fëmijë. Githçka do të dukej normale, nëse ai do të nisej për në Gjirokastër, kurse Pandeliu së shpejti do të udhëtonte dejt Korçës.
Pse në Korçë?
Një shkollë shqipe mund të hapej edhe në Gjirokastër, edhe në Përmet, madje edhe në Elbasan a diku tjetër, por më shumë se në çdo qytet tjetër, Korça po humbiste njerëzit e vet dhe këtë gjë Pandeli Sotiri e dinte mirë. Propaganda greko-fanariote po shndërronte në grek çdo ortodoks të këtij qyteti; çdo ditë helmonte shpirtin e fëmijëvë që ndiqnin shkollat greke, ndaj atij i duhej të nxitonte pikërisht drejt këtij qyteti. Shqiptarët po rrezikonin të humbisnin një nga qytet më të rëndësishme të vilajtetit të Manastirit dhe nëse humbisnin Korçën do të humbisnin edhe një sërë qytetesh të tjera. Një mundësi e tillë e tmerronte Pandeli Sotirin, madje gjithë shqiptarët. Humbja e këtij qyteti duhej të ndalohej me çdo kusht. “Vetëm në qytetin e Korçës, në vitet 80 të shek. XIX, kishte 3 shkolla në gjuhën turke, 4 shkolla në gjuhën greke, ndër këto një gjysmë gjimnaz, një shkollë fillore vllahe (themeluar më 1885) dhe një bullgare (themeluar më 1891). Me anën e shkollës në gjuhën greke, të kishës dhe klerit grek e grekoman në popullsinë ortodokse të Korçës prej kohësh përhapej greqishtja dhe propogandoheshin politika dhe ideologjia panhelenistike greke. Megjithse propaganda dhe politika greke nuk kishin mundur t’ia arrinin qëllimit final – helenizimit të plotë të kësaj popullsie, efektet e saj ndjeheshin në shtresa të ndryshme të popullsisë ortodokse shqiptare si në borgjezinë e pasur ortodokse e cila lidhej edhe me interesat ekonomike me Greqinë, në klerin vëndës, në një pjesë të intelektualve të arsimuar në shkollat greke të Shqipërisë dhe të Greqisë dhe në ndonjë pjesë të shtresës së ulët të popullsisë së paditur dhe të trullosur nga idologjia fetare fanariote”. (“Shkollat e para kombëtare shqipe”, Hysni Myzyri,Tiranë 1973, f. 43)
Vetëm 1/4 e ortodoksve
Gjendja në Korçë ishte kritike. “Prej të krishterëvet, një e katërta pa dyshim janë shqiptarë të vërtetë. Edhe në mest të këtyre kartë-këmbyerja bënetë më shumë shqip.”, Kështu i shkruante konsulli austro-hungarez i Manastirit, ministrit të Jashtëm në Vjenë më 1901. Sipas këtij raporti, klerikët grekë kishin gëlltitur ¾ e ortodokësve të Korçës. “Zgjedhja e Korçës si qendër e përhapjes së shkrimit dhe shkollës shqipe diktohej pra nga arsye ekonomike dhe shoqërore – si një qytet i zhvilluar në Shqipërinë e Jugut – nga arsyet politike që ishte rrahur shumë nga propaganda e Athinës dhe e Fanarit dhe synohej të shndërrohej në një bazë për zgjerimin e politikës aneksioniste greke në të gjithë popullsinë ortodokse të Shqipërisë, si edhe nga një farë tradite që ishte krijuar tashmë në këtë krahinë në fushën kombëtare”. (“Shkollat e para kombëtare shqipe”, Hysni Myzyri, Tiranë 1973, f. 44) E vetmja siguri ishte e lidhur me faktin se Korça rrethohej së paku nga 100.000 banorë të krahinës që e urrenin politikën aneksioniste të Greqisë. Megjithatë Pandeli Sotiri duhej të nisej drejt Korçës.
Thimi Marko
Pandeli Sotiri nuk kishte asnjë dyshim; në Korçë nuk do ta kishte aspak të lehtë. Me të mbërritur atje do të nisnin edhe përgatitjet për vdekjen e tij. (Vdekjet e parapërgatitura janë gjithmonë të frikshme). Por ai nuk e kishte menduar kurrë që njerëzve që i dëshironin vdekjen do t’u bashkohej edhe gruaja e tij. Të tilla intriga dinin të thurnin vetëm agjentët e Athinës dhe klerikët e Patriarkanës. Ata nuk do t’i toleronin kurrë ndërhyrjet e shqiptarëve në Korçë. Ajo tashmë ishte e tyre. U ishin dashur kohë e vite për t’ia mbërritur kësaj dite. E kishte provuar këtë edhe Thimi Marko, anëtar i shoqërisë së Bukureshtit dhe u bind për gjendjen që ekzistonte në Korçë. Një vit më parë, në pranverën e vitit 1886, ai u nis për atje. Do të merrte takim me pleqësinë e Mitropolisë (dhimogjerondinë). Për këtë iniciativë ishte marrë edhe mendimi i Sami dhe Naim Frashërit, sepse hapi që do të hidhej duhej të ishte i menduar mirë. U mendua të shfrytëzohej edhe autoriteti i Anastas Lakçes, njërit nga njerëzit më të pasur të shqiptarëve të Rumanisë. Kur mbërriti në Korçë, me t’u gjendur përballë dhimogjerondëve u tha që vinte në emër të të gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, me kërkesën që Mitropolia të pranonte përdorimin e gjuhës shqipe dhe të librave shqip edhe në shkollat greke dhe në kishë. Dhe pas kësaj ai priti të shihte reagimin e tyre. Pa se dhimogjerondët kishin mbetur syhapur, të ngrirë, të habitur, madje nuk po u besonin dot as veshëve nëse kishin qenë të vërteta ato që kishin dëgjuar nga goja e Thimi Markos. Të ishte çmendur vallë ky njeri? Ajo që kishin dëgjuar kishte qenë një gjëmim në qiell të hapur. Si mund të bëhej një kërkesë e tillë!
Në lojë me kartën e Anastas Lakçes
Thimi Marko kuptoi se po gjendej para një muri që nuk mund të çahej. Si ndenji një çast i heshtur, u tha se ishte i autorizuar edhe nga Anastas Avramidh Lakçe. Dhimogjerondët përsëri mbetën të shtangur. Mbase kësaj radhe edhe më shumë. Nuk donin të besonin që Thimi Marko kishte autorizimin e Lakçes. Nisën ta vështronin me dyshim. Për ta, Thimi Marko po mashtronte. Heshtjen e prishi sërish Marko, nxori një letër nga xhepi dhe e zgjati drejt tyre. Letra ishte shkruar nga vetë dora e Anastas Avramidh Lakçe. E njihnin shkrimin e tij. Lakçe ishte një nga më të pasurit e shqiptarve te Bukureshtit, Mitropolia merrte gjithnjë fonde prej tij për kishën dhe shkollat greke. Të ktheje mbrapsht fjalën e Lakçes do të thoshte të humbisje shumë. Askush prej dhimogjerondëve nuk dinte ç’qëndrim të mbante. Lakçe në letrën e tij shkruante: “…Interesi e donte që të futej gjuha shqipe në shkollat e komunitetit të Korçës që të mësohej nga çunat e vajzat.” (Nuçi Naçi: “Shkolla shqipe në Korçë”, në “Dituria” vëll II, nr. 5, viti 1927, fq. 166). Palët gjendeshin në një pikë kritike. Pleqëisa mund të votonte “pro” edhe për hir të Lakçes. Pritej përgjigjja. Një fjalë e vetme mund të sillte humbjen ose fitoren, ose diçka që s’ishte as humbje, as fitore
Vani Cico Kosturi
Kur Thimi Marko ende shpresonte, gjithçka u përmbys krejt pa pritur. Foli dhespoti i Korçës, Filotheos. Sipas tij, gjithë bota duhej të fliste greqisht, mësimi i gjuhës shqipe ishte mallkim! Shqipen nuk e kuptonte as Zoti! Por që edhe Lakçe të mos ndihej i fyer, u gjet një përgjigje që nuk thoshte asgjë. Sipas tyre, për këtë kërkesë duhej pyetur Patriarkana e Stambollit. Patriarkana tha se duhej pyetur Silogu i Madh. Silogu tha se duhej pyetur Porta e Lartë. Porta tha se kjo ishte kompetencë e Patrirakanës e gjithçka mbeti në një rreth vicios. Thimi Markos iu dha një përgjigje me shkrim ku thuhej: “…Një kërkesë e tillë nuk rridhte nga dëshira e popullit, po nga disa njerëz të blerë prej propagandës austriake e nga disa protestantë.” (“Dituria”, vëll. II, nr. 5, viti 1927, fq. 166).Sigurisht, për Thimi Markon përgjigjja nuk kishte qenë edhe kaq e papritur. Në vitin 1885, Nikolla Naço, anëtar i shoqërisë “Drita”, kishte shkuar katër herë në Stamboll, ku kësaj të fundit i bëri të ditur se Patriarkana po përpiqej të bashkonte shqiptarët me Geqinë dhe po cënonte interesat e Perandorisë, ndaj kërkohej që në kishat dhe shkollat greke të hynte gjuha shqipe, por përgjigjja që mori ishte negative. Megjithatë Thimi Marko arriti të bënte diçka: Vani Cico Kosturi dhe disa mbështesë të tij, braktisën mbledhjen e dhimogjerondëve të revoltuar. Muri i dhimogjerondëve pësoi çarje. Që nga ajo ditë Vani Cico Kosturi mbështeti gjuhën shqipe. Megjithatë, shumë shpejt u mësua se Anastas Lakçe i kishte braktisur shqiptarët e Rumanisë dhe u ishte bashkuar grekomanëve. Ndërsa Thimi Marko një vit më vonë do t’u shkruante shokëve në Bukuresht: “ Unë këtu (në Korçë) gjendem në shumë brenga. E para është që unë nuk rri nat’ e ditë, dyke përkujdesur për të shenjtëruarën punë… që të vihet në udhë (çështja e shkollës shqipe); e dyta jam në pa rehat se grekomanët këtu më lëftojnë shumë, dhe unë dua dua t’u qëndroj kundër gjer sa t’u thyhet qafa…”(V. Dodani “Memoriet”, fq 37: Letër e Thimi Markos dërguar nga Korça Visar Dodanit në Bukuresht më 3 shkurt 1887) Të gjitha këto Pandeli Sotiri i dinte, por ai ishte i vendosur të shkonte në Korçë. Pandeliu do të nisej bashkë me të vëllanë, ky i fundit do të çelte shkollën shqipe në Pogradec.

Mësonjëtorja e parë shqipe
Pas disa ditësh, Pandeli Sotiri bashkë me vëllanë e tij Kostandinin (Koço ose Koto, siç e thërrisnin shkurt), u nisën për në Shqipëri. Më 7 mars 1887, Pandeliu çeli në qytetin e Korçës, mësonjëtoren e parë shqipe. Pandeliu nuk po u besonte dot syve, kur pa që fëmijët e vegjël po vinin drejt shkollës, varg njëri pas tjetrit. U bënë gjithsej 35 nxënës. Kishin ardhur të shoqëruar nga prindërit e tyre; kush me nënën e vet e kush me t’atin. Shkolla ishte çelur si për fëmijët myslimanë ashtu sikurse dhe për ortodoksët. Ishte herë e parë që në të njëjtën bankë do të uleshin bashkë një mysliman me një të krishter, një i pasur me një të varfër, një i ardhur nga fshati me një nga qyteti. Bashkë do të uleshin edhe një djalë me një vajzë, sepse, deri sa u hap shkolla e vashave edhe çupat frekuentuan mësonjëtoren e parë shqipe. Kurrë më parë nuk kishte ndodhur kështu. Deri atë ditë, njëri kishte mësuar greqisht e tjetri turqisht. Edhe varrezat i kishin të ndara. Edhe kafenetë i kishin më vete. Edhe vendbanimin nuk e kishin të njëjtë; ortodoksët jetonin më të djathtë të lumit në fshatin Peskëpi, ose siç u quajt më vonë Varosh, ndërsa myslimanët në “Kasaba”, (qyteti i Korçës). Në këtë shkollë nuk do të mësonin shkrim e këndim në gjuhën shqipe vetëm të vegjëlit, por edhe të rriturit. Kjo ditë e shënuar po i bënte të gjithë bashkë në një festë që do të mbetej e paharrueshme. Nuk piptinte asgjë. Dëgjoheshin vetëm fjalët e tij. Kishte ardhur aty gjithë Korça. Megjithatë herë pas herë, rreth shkollës viheshin re lëvizje të dyshimta. Klerikët e kishës kishin nisur të thurnin plane të errta për vdekjen e Pandeli Sotirit.
Vetëm tre mëmëdhetarë…
Si ia kishin mbërritur shqiptarët kësaj dite të madhe? Mëmdhetarve u ishte dashur të sakrifikonin për vite të tëra me radhë.Gjithkujt i dukej e pabesueshme. Të ishte vallë e vërtetë? Të gjithë mëmëdhetarët ishin aty. Megjithatë kjo madhështi jepet pak a shumë kështu: “Me përpjekjet e këtyre shoqërive sëlargu (shoqërisë së Stambollit dhe të Bukureshtit – shënimi ynë) dhe të patriotëve Thimi Marko, Orhan Pojani dhe Vani Cico Kosturi… u çel shkolla në ndërtesën e dhuruar prej vëllazërisë Kristaq Terpo…”. (“Petro Nini Luarasi”, përgatitur nga prof Alfred Uçi, f. 40). Kjo frazeologji e përmendur më sipër, përsëritet si në kor në të gjitha librat e botuara në kohën e diktaturës. Treshja Thimi Marko, Orhan Pojani, Vani Cico Kosturi nuk është gjë tjetër veçse një shpikje e asaj kohe. Ajo pati vetëm një qëllim: të mos lejonte të përmendej asnjë emër tjetër, pasi ata që kontribuan për çeljen e mësonjëtores së parë shqipe në Korçë, vinin kryesisht nga shtresat e pasura. Kërkohej me çdo kusht harresa e familjeve të mëdha. Mbi të gjitha kërkohej vdekja e kohërave të mëdha që sollën mësonjëtoren. Lavdia duhet të fillonte nga nëntori i vitit 1941. Ndaj sa herë lexon libra të kësaj periudhe, që flasin për mësonjëtoren, ndihesh sikur udhëton përmes një shkretëtërirë të pafundme.
Të harruarit
Sigurisht, treshja e përmendur më sipër nuk mungoi. Por, pa asnjë dyshim, nuk mund të rrinin pa ardhur aty anëtarët e Komitetit të Fshehtë që ishte krijuar në Korçë një vit para çeljes së mësonjëtores. Do të ishin aty edhe ata që pak muaj më vonë nga çelja e mësonjëtores krijuan shoqërinë “Mesimi Shqip”. Në krye të saj u vu Alo Dishnica. Ishin të gjithë mbështetësit e shkollës shqipe dhe të Orhan Pojanit, të cilët u bënë iniciatorët e krijimit të shoqërisë “Dituria Shqip”. Drejtuesit e kësaj shoqërie ishin: kryetar nderi, Ymer bej, kryetar Orhan Pojani, arkëtar Idhomene Kosturi; pleq: Thomaq Eqimi, Qani bej Dishnica, Hafëz Ali (Korça), Çikozi Miçe, Ismail bej (Leskoviku) Tefik efendi (Panariti) (Gazeta “Korça”, e enjte, 26 vjesht’ e III-të 1909). Te shoqëria “Përparimi”, gjejmë këta mëmdhetarë: “…Kryetar zoti Orhan Pojani, nënkryetar z. S.Karoli, këshillonjës: Behar Hafiz Ali, Sami Pojani, shkronjës z. Mihallaq Gramenoja. (Gazeta “Korça”, 21 vjesht’ e I-rë 1909). Edhe pas 25 vjetësh (1887-1912), përpjekjet për shkollën shqipe vijojnë. Në vitin 1912 u krijua “Shoqëria shkollore”. “Anëtarët me vota të fshehta u zgjodhë këta zotërinj: Kryesonjës, Karaman beu, Stavre P. Taçi arkëtar, dhe këshillonjës: Faik Emin, Muharrem Rexhep, Nikolla Rodhe; Koço Grameno shkronjës, edhe Hasan Shaqir, Thoma Avrami edhe Vasil Ilias Kole kontrollorë (Gazeta “Koha”, e shtunë, 22 vjesht’ e I-rë 1912). Kjo shoqëri nuk e pati jetën të gjatë, pasi drejtuesi i saj, braktisi shoqërinë dhe mori armët. Pas kësaj, shoqëria u drejtua nga këta mëmëdhetarë: “Kryetar, Orhan bej Pojani, Islam bej Këlcyra, Mina Frashëri, Abedin efendi Tuxhari, Stavre Karole, Riza efendi Dërsniku, Idhomene Kosturi dhe Andrea N. Katundi. (Gazeta “Koha” e shtunë, 22 vjsht’ e I-rë 1912) Që të gjithë mëmdhetarët e përmendur më sipër, por edhe shumë të tjerë që ne ende nuk i dimë, i dhanë jetë shkollës shqipe në Korçë.
Mësim dhe libra falas
Gjithsesi, çelja e shkollës ishte një çudi e madhe. Tashmë edhe shqiptarët kishin mësonjëtoren e tyre. “Shkolla e Korçës në fillim kishte katër klasë, përveç klasës përgatitore… Lëndët kryesore që do të zhvilloheshin ishin: shkrim dhe këndimi shqip, gramatika e gjuhës shqipe. historia, gjeografia, arithmetika, mësimi i natyrës etj…”. “Nxënësve, librat u jepeshin pa të holla dhe të varfërve u jepeshin edhe fletore shkrimi, pena, lapsa e ndonjëherë edhe këpucë ose opinga”. (“Shkollat e para kombëtare shqipe”, Hysni Myzyri, f.87, Tiranë 1973) Mësimi jepej falas. Megjithatë fillimisht u përdorën dërrasa e zezë dhe pllakat, sepse pati vështirësi edhe në tekste. Me qenë se mësonjëtorja u çel në mars, viti i parë shkollor 1886-1887 do të ishte i shkurtër, vetëm tre muaj. Pandeli Sotiri mbeti për një farë kohe mësonjës i vetëm i shkollës. Pak kohë më vonë erdhi Ibrahim Efendiu, si mësonjës i gjuhës turke. Në muajin maj erdhi Thanas Sina nga Postenani i Leskovikut, si ndihmës i Pandeli Sotirit dhe si mësues i gjuhës greke. Në mësonjëtore u fut edhe gjuha frënge. Tashmë përveç gjuhës shqipe, Pandeli Sotiri do të jepte edhe frëngjishten të cilët e zotëronte mirë. Me vendosjen e gjuhës greke, në shkollën shqipe nisën të vinin edhe nxënës që deri atë ditë kishin frekuentuar shkollat greke. Pas kësaj numri i nxënësve po rritej, fëmijët po braktisnin shkollat e huaja e po ktheheshin te shkolla shqipe. “Me interes është fakti se shumica e këtyre nxënësve braktisën shkollat greke apo vllahe që ndiqnin deri atëherë dhe u regjistruan në shkollën shqipe. Nga një numur i kufizuar, rreth 35 nxënës që u regjistruan në fillim, në fund të vitit shkollor, d.m.th., pas tre muajve, arriti të kishte rreth 60 nxënës”.( “Shkollat e para kombëtare shqipe”, Hysni Myzyri, f.64, Tiranë 1973
Hapja e shkollave shqipe
Vetëm një javë më vonë, më 14 mars 1887, vëllai i Pandeli Sotirit, Koço Sotiri, çeli mësonjëtoren shqipe në Pogradec. Shkolla u mor në mbrojtje nga Kajo Babieni dhe Riza Minarolli. Ndini dhe Gjergji Gusho përgatitën çeljen e saj. Shkolla shqipe u çelën edhe në Ohër, në Rekë dhe në Treskë. Nisën përgatitjet në Elbasan, në Leskovik, në Ersekë etj. Në Polenë, në Luaras etj kishte filluar mësimi dhe shkrimi në gjuhën shqipe. Në një letër që i dërgohej nga Shqipëria “Fiamurit të Arbërit” në korrik 1887, thuhej, deri sot janë gjithsej gjashtë (shkolla). Në gusht të vitit 1887, me iniciativën e Petro Nini Luarasit në Ersekë u çel një shkollë shqipe private e cila vazhdoi dy vjet. Shkolla shqipe u hapën edhe në fshatrat e Vakëfit (zona e Panaritit). Përpjekje për çelje shkollash u bënë edhe në Berat, në Përmet, në Vlorë dhe në Gjirokastër, por për shkak të pengesave te shumta greko-turke nuk u bë e mundur çelja e tyre. Gazeta “Shqiptari” e Bukureshtit shkruante: “Të pakat tona shkolla shqipe, megjithë që gjenden në nisje, po zëri i tyre dëgjohet i fuqishëm për paravajtjen (përparimin). Kjo kohë e ëmbël, ky mëngjes kaq i bukur dhe i shkëlqyer u vret sytë ortodoksve dhe më tepër grekëve… Greku vë të gjitha të mbodhisurat mbi udhët të popullit shqiptar që të mos zhvillohet. Ay e di që po të zhvillohet shqiptari do të dalin… Istoritë në faqe dhe atëherë do të humbasin të drejtat që kanë rrëmbyer” (Gazeta “Shqiptari” e Bukureshtit, viti I nr. 13, datë 14 janar 1889, fq.2)
Leja për shkollën shqipe
Pandeli Sotiri e ndjente veten me fat që leja për çeljen e Mësonjëtores shqipe ishte nxjerrë në emër të tij. Autoritet turke kishin vendosur qe leja për çeljen e shkollave shqipe mund t’u jepej vetëm të krishterëve, myslimanët dëshironin t’i mbanin jashtë lëvizjeve të tilla. Me sa duket kishte qenë e vështirë gjetja e një mësuesi ortodoks nga Korça. Të nënshtruar prej mitropolisë askush nuk guxonte të bëhej drejtor i një shkolle shqipe. Gjendja në Korçë ishte e vështirë. Kjo bëhet edhe më e kuptueshme nga një rrëfim i Nuçi Naçit. Kur Pandeli Sotiri u largua nga Korça, Petro Nini Luarasi erdhi në Korçë që të zinte vendin e tij. Petroja u ndal te një han: Ja çfarë rrëfen Nuçi Naçi: “Këtë vjet unë vinja në shkollën greke. Një ndajnatë-herë të një dite janari, zbriti në han të Kovit një kolonjar. Dyke u ngrohur pranë mangallës po i tregonte mikut të tij qëllimin e ardhjes. Do të bëhej drejtor në shkollën shqipe. Qe mbushur me idealizëm të flaktë. Dhe unë tek e dëgjonja, u mbusha me inat dhe s’durova dot; ç’më kishin thënë në shkollën greke kundër shqipes ja flaka fytyrës që të gjitha këtij njeriu, që po vinte mësonjës në shkollën shqipe. E shava sa munda – dhe mbarova. Ay heshti; po më parë se të shkonja, më pyeti: “A mendon se në ç’gjuhë me shave?” Ika, po më kapi pendesa. Pas pak kohe, u bëra nxnënës i Petros…” . Edhe ky rrëfim i shkurtër tregon se helmi i Patrirkanës kishte pikuar në çdo shpirt ortodoksi. Nga 6 drejtorët e parë të Mësonjëtores së parë shqipe, tre ishin ngja Gjirokastra: Pandeli Sotiri nga fshati Selckë, Janko Minxha, dhëndri i Koto Hoxhit nga fshati Qestorat dhe Kristqa Vaja nga Gjirokastra; një ishte leskoviqar, Thanas Sina nga Postenani; një ishte nga Kolonja, Petro Nini Luarasi nga fshati Luaras dhe vetëm një nga Korça, Nuçi Naçi.
Dhespoti, Filotheos shpall mallkimin
Po atë ditë që u hap mësonjëtorja dhe fëmijët e vegjël shkuan në shkollë, dhespoti i Korçës, Filotheos Kostandinidhis dhe priftërinjtë shpallën mallkimin e gjuhës shqipe. Ditët që do të vinin, për pandeli Sotirin do të bëheshin gjithnjë e më të vështira. Gruaja e tij kish filluar t’i kërkonte me ngulm që të linte Korçën dhe të kthehej sa më parë në Stamboll. Në krye të intrigave qëndronte Mitropoliti i Kosturit Grigori, pasardhës i Qirillit. Sipas tyre, pas mallkimeve të shpallura, një gjëmë e madhe kishte për të ndodhur. Qiejtë do të çaheshin dhe rrufetë do të shkreptinin. Vdekja do të rrëmbente çdo njeri që mësonte shqip. Shqipja ishte shpallur gjuhë e mallkuar. Më të vjetërit, besimtarë të zotit, mbetën të tmerruar. Prisnin të ndodhte hataja e madhe. U mallkua Pandeli Sotiri, u mallkuan mësonjësit e mësonjëtores së parë shqipe, u mallkuan kujdestarët e saj, u mallkuan prindërit që çuan fëmijët në shkollë dhe prapë dhespoti i Korçës ngrihej dhe ngrysej duke mallkuar me kryq në dorë. U dha urdhër që asnjë prift të mos shkelte tek familje që çonin fëmijët në shkollë. Asnjë ceremoni fetare nuk do të kishte për ta. As në pagëzime, as në kurorëzime dhe as në varrime nuk do të kishin praninë e Zotit (priftërinjve) Të vdekurit nuk do të varroseshin në varret e të krishterve. Mihal Grameno në kujtimet e tij shkruan: “Me t’u hapur kjo shkollë, dhespoti dhe të gjithë priftërinjtë mbanin “llogo” (fjalim) në kishë duke mallkuar ata që përkrahnin këtë shkollë si dhe gjuhën shqipe…”(AQSh, Fondi Mihal Grameno, dos. 1: Kujtimet e nënës sime nga Mihal grameno, fq.13 ). Gjuha shqipe ishte një tmerr për ta. Megjithatë Pandeli Sotiri vazhdonte t’u gëzohej fëmijëve që vazhdonin të vinin në shkollë. Do të kuptonin përfundimisht që nuk ishin grekë, por shqiptarë nga një fis i lashtë.

Lajmërohet Athina dhe Patriarkana
Dhespoti i Korçës nuk u mjafta me kaq vuri në dijeni edhe Athinën dhe Patriarkanën. Pandeli Sotiri duhej të zhdukej nga faqja e dheut.“Tepër të shqetësuar nga këto përparime të shpejta të lëvizjes kombëtare, Mitropolia dhe kisha greke lajmëruan të alarmuar Athinën dhe Patriarkanën e Stambollit për ato që ngjisnin në Korçë dhe sipas udhëzimeve filluan të kundërveprojnë. Patriarkana me anën e Mitropolitit të Korçës u dërgonte të krishterve ortodoksë letra “këshilluese” duke i porositur që të largoheshin sa më parë nga bashkëveprimi me myslimanët në çështjen e shkrimit shqip sepse gjoja detyrat e larta të fesë e ndalonin këtë gjë (!) Njëkohësisht prej Athine iu dërguan letra lajkatare parësisë ortodokse të Korçës duke i quajtur pjestarët e saj “patriotë grekë” dhe duke këshilluar të tërhiqeshin nga çdo shoqëri apo bashkëpunim me “otomanët” (d.m.th, shqiptarët myslimanë), që punonin në dobi të shkollës shqipe. Letrat shoqëroheshin edhe me dekorata “të çmuara”, të cilat iu shpërndanë gjithashtu krerëve të fuqishëm, korçarëve ortodoksë”.(S. Luarasi, “Petro Luarasi” – jeta dhe vepra, Tiranë, 1958, fq. 241 nga “mallkimi i shkronjave shqipe”). Priftërinjë kishin trokitur edhe te dera e shtëpisë ku banonte gruaja e Pandeli Sotirit. I çonin dhurata te kushtueshme dhe i kërkonin që Pandeli Sotiri të braktiste mësonjëtoren. Mallkimi nisi të jepte fryte. Shumë njerëz u tronditën. Zoti po i mallkonte. I gjendur mes kërcënimesh të shumta dhe intrigave të pafundme, Pandeli Sotiri u largua nga Mësonjëtorja dhe u nis drejt Stambollit. Ai nuk e dinte që po udhëtonte drejt vdekjes

Vrasja e Pandeli Sotirit
Sipas të gjitha gjasave Pandeli Sotiri u vra në vitin 1991.Ngjarjet e asaj kohe rrodhën kështu: Viti i parë shkollor (1887-1888) pati drejtor Pandeli Sotirin, mësues të turqishtes Ibrahim efendiun dhe për greqishten Thanas Sinën nga Postenani i Leskovikut. Viti i dytë mësimor (1888-1889) pati të njëjtin staf pedagogjik, por Pandeli Sotiri, për shkak të kërcënimeve u largua pa përfunduar viti shkollor, ndërsa Thanas Sina që zuri vendin e tij, dha dorëheqjen në përfundim të vitit mësimor. Të gjitha këto ndodhën për shkak të kërcënimeve. Viti i tretë mësimor (1889-1890), fillo me drejtor Petro Nini Luarasin, me mësuesin e turqishtes Belul Efendiun (avokat) dhe Kristo Karagjozin (Vodica), i cili u jepte mësim fëmijëvë të vegjël. Viti i katërt shkollor (1890-1891) u çel sërish me drejtor Petro Nini Luarasin, por me përfundimin e vitit shkollor edhe Luarasi u largua nga Mësonjëtorja dhe shkoi në Kolonjë. Edhe për Petron qëndrimi në Korçë ishte bërë i rrezikshëm. Mësonjëtorja e parë shqipe hyri në vitin e saj më të vështirë. Shkolla kishte mbetur pa drejtor. Askush nuk ishte i sigurtë nëse do të gjendej një tjetër. Dhespoti i Korçës më në fund ia kishte arritur qëllimit. “Një qëndrim të tërbuar antishqiptar mbajti dhespoti i Korçës, Filotheos Kostantinidhis nga Ksanthi, i cili sipas vlerësimit të një bashkëkohësi ishte “zbatues i denjë i direktivave greke… prototipi i njeriut më antipatik dhe më i neveritshëm që mund të imagjinohet – mbrojtës fanatik i interesave greke.”(AQSh, fondi i de Radës Dos. 54/2: Letër e Gjergomiles dërguar De Radës, origjinali dorëshkrim italisht pa datë, (rreth vitit 1887). Kështu vlerësohej ai nga patriotët shqiptarë. Përpjekjet e atdhetarëve për gjetjen e një drejtori duhet të kenë qenë të mëdha e të vështira. Të gjendur në këto rrethana, nuk përjashtohet mundësia mundësia që t’i jetë kërkuar ndihmë edhe Pandeli Sotirit, i cili do të jetë treguar i gatshëm, por Patriarkana dhe gruaja e Pandeli Sotirit nuk do ta lejonin kurrsesi rikthimin e tij në Korçë. Atë kohë ai jetonte në Selanik, por padyshim që shkonte edhe në Stamboll. Përpjekjet e patriotëve u bënë gjatë pushimeve të verës. Pikërisht në këtë kohë duhet të ketë ndodhur dhe vrasja e Pandeli Sotirit. Atë e hodhën nga kati i tretë i shtëpisë ku banonte në Stamboll
Sipas Nuçi Naçit
Në revistën “Dituria”, Nuçi Naçi shkruan: “Pandeli Sotiri kishte grua greke nga Fanari; ajo e shtërngojti të largoheshe së këtejmi (nga Korça) … Pandeli Sotiri u hoq nga Stambolli, ku pas ca kohësh gjeti vdekjen e tmerruar. E kishin flakur nga penxheret e shtëpisë trekatëshe, ku rrinte; thanë se këtë vdekje të tmerruar ia pregatiti e shoqja dhe i vjehri”, revista “Albania” e Brukselit, viti I-rë, shtesë e nr 8 të vitit 1897 fq. 143, pasi tregon për mënyrën e korruptimit që përdori kisha greke ndaj së shoqes së Pandeli Sotiri dhe për dhuratat e çmuara që ju bënë asaj, shton …: pas ca ditësh mësohej se i gjori Pandeli kishte rënë nga një dritare e katit të tretë të shtëpisë së tij dhe se në këtë rënie “aksidentale” ai kishte gjetuar vdekjen”; po këtë afirmojnë edhe revista “Illyria”, nr 52 shkurt 1936 dhe Nikolla Lako në zëri i Popullit dt 7 mars 1959 etj. Të dhënat e mësipërme e bëjnë të qartë se kush kanë qenë shkaktarët e vdekjes së parakohshme të Pandeli Sotirit. Përsa i përket vitit të vdekjes janë dhënë mendime të ndryshme, por më i pranueshëm duhet të jetë viti 1891”. Së fundi, për për vitin shkollor të radhës u gjet Janko Minxha, dhëndri i Koto Hoxhit nga fshati Qestorat i Gjirokastrës. Ai ishte njeri i studiuar, njihte mirë frëngjishten dhe turqishten. Kishte studiuar në shkollën sulltanie, veçse ishte i dhënë pas alkoolit, ndaj në përfundim të vitit shkollor u pushua. Pas tij erdhi Nuçi Naçi, i cili qëndroi deri në vitin 1895. Gjatë viteve 1895-1897 Mësonjëtorja e parë shqipe u drejtua përsëri nga një gjirokastrit, Thanas Vaja. Gjithsesi, Pandeli Sotiri do të mbahet mend për çeljen e Mësonjëtores së parë shqipe në Shqipëri, theror për shpëtimin e Korçës nga helenizimi
Vepror Hasani
Për hartimin e këtij shkrimi u shfrytëzuan këto materiale:
“Shkollat e para kombëtare shqipe”, Hysni Myzyri, Tiranë 1973, Petro Nini Luarasi (Mendimtari martir i Rilindjes Kombëtare), përgatitur nga Alfred Uçi si dhe gazetat “Korça”. “Koha” dhe “Lidhja ortodokse.
Shenim: E dergoi per Diellin-Raimonda Moisiu

Filed Under: Histori Tagged With: Pandeli Sotiri, Patriarkana, Vepror Hasani, vrasja nga Gruaja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4447
  • 4448
  • 4449
  • 4450
  • 4451
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT