• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Njohuri mbi shenjtorët Flori dhe Lauri

August 22, 2014 by dgreca

Nga Arben LLALLA/
Zhurma e bërë për kishën e gjetur në Kosovë ku deklarata e shefit të arkeologëve turku Haluk Cetinkay deklaroj se “Një pjesë e Kishës u zbulua më 2013, sivjet e kemi zbuluar të tërën. Është ndër më të vjetrat ndonjëherë të zbuluara. Jam i bindur, sipas testeve shkencore, kjo faltore u kushtohet dy shenjtëreshave Flora dhe Laura që e kanë prejardhjen nga Konstandinopoja, pra Stambolli i tashëm”, tha Cetinkaya. Pra, nga deklarat mësojmë se emrat janë të gjinisë femërore, por zhurma e madhe nëpër forumet në internet dhe media të tjera thonë se bëhet fjalë për Shenjtorët Flori dhe Lauri, martirë të krishterimit në shek.2.
Kush janë Shën Flori dhe Lauri
Shënjtorët Flori dhe Lauri sipas legjendës ishin binjakë dhe punonin gurëgdhëndës. Ata ishin me origjinë nga Konstandinopoja, por ishin vendosur në Ulpianë, Dardani, (sot Kosovë) që i përkiste Ilirisë. Flori dhe Lauri zanatin e gurëgdhëndësit e kishin mësuar nga dy ustallarë Maksimus dhe Proculus, të cilët ishin të krishterë.
Sipas legjendës, Likaion, prefekti i Ilirisë i punësoj dy vëllezërit në ndërtimin e një Tempulli pagan. Pasi mbaruan punën të hollat që fituan Flori dhe Lauri ua dhanë të varfërve. Pas disa kohësh plagoset djali i priftit të qytetit i quajtur Mamertin nga një gurë që i ra nga Tempulli që ndërtuan Flori dhe Lauri. Të dy vëllezër e shëruar djalin e priftit dhe pas kësaj prifti pagan me familje e tij u konvertuan në të Krishterë. Gjatë viteve në Tempullin që ndërtuan Flori dhe Lauri vini shumë të krishterë të cilët prishën të gjitha statujat pagane duke vendosur mbi Tempull një kryq gjigantë. Si pasojë i këtij veprimi të dhunshëm nga ana e rreth 300 të krishterëve me në krye Flori dhe Lauri, autoritetet vendore dogjën priftin pagan i cili ishte kthyer në i krishterë bashkë me djalin e tij. Ndërsa Flori dhe Lauri u hodhën në një pus të thatë dhe u mbuluan me dhe.
Më tej legjenda thotë se në gërmadhat e pusit janë gjetur relikat e vëllezërve Flori dhe Lauri e më tej një shoqatë e martirëve i dërgoj me kuaj në Konstandinopojë. Për ekziston e këtyre relikave ka dëshmuar në vitin 1200 një pelegrin i quajtur Antonio. Ndërsa Stephen Novgorod i ka parë kokat e dy martirëve më 1350 në Manastirin e Pantokrator.
Shën Flori dhe Lauri respektohen në Rusi të treguar në ikona të hipur në një kalë. Në ditën e e tyre të festës fshatarët rus nuk i dërgojnë kuajt në punë nga frika e mallkimit, por i dërgojnë në kishë për ti bekuar prifti për shërimin e plagëve nëse kanë.
Në Kiev gjendet Manastiri Florovsky që i kushtohet martirëve binjak Shën Flori dhe Lauri.
Kush janë shenjtoret Flora dhe Laura
Ashtu siç e thamë më lartë shefit të arkeologëve turku Haluk Cetinkay deklaroj se bëhet fjalë për dy shenjtëreshave Flora dhe Laura. Pra, gjinia femërore. Shën Laura u vra nga osmanët më 1453, kur ra Konstandinopoja. Shën Laura lindi në Greqi në një familje Fisnike latine, babai i saj ishte kalorës i quajtur Michael Trasci-Trashi dhe nëna e saj ishte shqiptare nga Pulati i Shkodrës. Emri i saj i vërtetë ishte THEODOLINDA – ZOTI DO LINDË. Ajo u bë e para murgeshë në një Manastir abaci. Më 29 Maj 1453, otomanët dogjën Laurën bashkë me 52 motra të tjera murgesha të Manastirit. Dita e 29 Majit është festa e Shën Laurës. Shën Laura respektohet dhe festohet shumë në Spanjë.
Shën Flora është një murgeshë që ka lindur në Francë më 1309. Ajo u bë murgeshë më 1324 dhe u dërgua me shërbim në Jeruzalem ku edhe vdiq. Thuhet se në varrin e saj kanë ndodhur shumë mrekullia. Shën Flora ska të bëj fare me kishat në Kosovë.
Përfundimi
Prandaj mendoj se kisha e gjetur nga arkeologët turq në Kosovë ka të bëj me dy vëllezërit binjak Shën Flori dhe Lauri, besoj se gjatë intervistë do të jetë bërë ndonjë gabim në shprehje për Shën Flora dhe Laura. Megjithatë si do që të jetë kemi të bëjmë me fakte të pamohueshme se Kosova është një vend i pazbuluar nga arkeologët.

Filed Under: Histori Tagged With: arben llalla, Flori dhe Lauri, Njohuri mbi shenjtorët

KU U GABUA?

August 22, 2014 by dgreca

I parë nga të gjitha standardet e botës moderne, nga zhvillimi ekonomik, niveli i edukimit apo arritjet shkencore, qytetërimi islam, dikur i fuqishëm, sot ka mbetur shumë prapa. Mjaft njerëz në Lindjen e Mesme ia hedhin fajin faktorëve të jashtëm. Por problemet e botës muslimane përgjithësisht kanë në bazën e tyre një arësye të thjeshtë: mungesën e lirisë./
NGA BERNARD LEWIS/*
Gjatë shekullit të 20, u bë e qartë se në Lindjen e Mesme, në fakt në të gjitha vendet ku sundon Islami, gjërat kishin shkuar shumë keq. Krahasuar me Krishtërimin, rivalin e tij qindravjeçar, bota e Islamit ishte dobësuar, kishte rënë në varfëri dhe injorancë. Perëndimi kishte dalë në vend të parë dhe dominimi i tij ishte i dukshëm. Ai ishte shtrirë në çdo aspekt të jetës publike të muslimanëve, madje çka ishte më e dhimbshme, kishte hyrë edhe në jetën e tyre private.
Ithtarët e modernizimit me reformë apo me revolucion të botës islame i përqendruan përpjekjet në tre aspekte: ushtarake, ekonomike dhe politike. Por rezultati ishte zhgënjyes, për të thënë më të paktën.Përpjekjet për të arritur fitore me ushtri moderne sollën një sërë disfatash të hidhura.Edhe përpjekjet për zhvillim ekonomik nuk patën sukses.Në disa vende ato çuan në ekonomi të varfëra dhe të korruptuara, që vareshin te ndihmat e huaja.Në disa vende të tjera sollën varësinë te nafta si burimi i tyre i vetëm.Madje edhe nafta e tyre nxirrej me anë të shkencës perëndimore dhe shfrytëzohej nga industria perëndimore. Herët a vonë, ajo është e destinuar të shterrojë ose ndoshta të anashkalohet nga përdoruesit e energjisë, tani që komuniteti ndërkombëtar po e kupton gjithnjë e më tepër ndotjen që ajo i sjell tokës, detit dhe ajrit gjatë përdorimit ose transportit, po e kupton se nafta e lë ekonominë botërore në mëshirë të një klike autokratësh kapriçozë. Më e keqja e të gjithave janë rezultatet politike: përpjekjet e gjata për liri kanë lënë në Lindjen e Mesme një sërë tiranish mjerane, duke filluar nga autokracitë tradicionale e deri te diktaturat, të cilat janë moderne vetëm në aparatin e tyre të shtypjes dhe të indoktrinimit.
Për shërimin e gjendjes u provuan formula të ndryshme: armatime dhe uzina, shkolla dhe parlamente, por asnjëra nuk dha rezultatin e dëshiruar. Aty-këtu ato çuan në ndonjë zbutje të problemeve dhe për disa elementë të kufizuar të popullatës sollën ndonjë përfitim.Por ato nuk e ndreqën, madje as që e frenuan disbalancën në rritje mes Islamit dhe botës perëndimore.
Dhe kjo nuk ishte e gjitha.Muslimanët ndiheshin keq që, pas shumë shekujsh pasurie dhe fuqie, ishin bërë të varfër e të dobët, që kishin humbur pozitën udhëheqëse, të cilën e konsideronin si të drejtën e tyre dhe që kishin përfunduar në rolin e ndjekësve të Perëndimit. Por shekulli i 20, sidomos gjysma e tij e dytë, u solli një poshtërim të mëtejshëm, kur ata e kuptuan se nuk ishin më as në radhët e para të këtyre ndjekësve, por po mbeteshin prapa në sërën e gjatë të vendeve që po modernizoheshin sipas shembullit të Perëndimit, sidomos atyre në Azinë Lindore. Ngritja e Japonisë ishte një inkurajim por edhe një qortim.Ngritja e mëvonshme e fuqive të tjera ekonomike aziatike solli vetëm qortim.Trashëgimtarët krenarë të qytetërimeve të lashta ishin mësuar tashmë të paguanin firma perëndimore për të realizuar gjëra që teknikët dhe kontraktorët e tyre nuk i bënin dot.Sundimtarët dhe biznesmenët e Lindjes së Mesme e panë tani të udhës të ftonin kontraktorë dhe teknikë nga Koreja, e cila vetëm pak dekada më parë kishte dalë nga sundimi kolonial japonez. Nuk është mirë të ndjekësh dikë nga pas, por është shumë më keq kur e ndjek duke çaluar. I parë nga të gjitha standardet e botës moderne, siç janë zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të punës, niveli i shkollimit, arritjet në edukim dhe shkencë, liria politike dhe respekti për të drejtat e njeriut, ky qytetërim dikur i fuqishëm, tani ka rënë mjaft poshtë.
“Kush na e bëri këtë?” është reagimi më i natyrshëm i njerëzve kur punët nuk shkojnë mirë.Këtë pyetje e kanë bërë dhe e bëjnë shumë njerëz në Lindjen e Mesme.Zakonisht është më e lehtë t’ua hedhësh fajin të tjerëve për hallet e tua.Për një kohë të gjatë, fajtorët më të zakonshëm ishin mongolët. Pushtimeve mongole të shekullit të 13 u hidhej faji për shkatërrimin e fuqisë dhe të qytetërimit islam si dhe për dobësinë dhe stanjacionin që pasoi. Por pas një farë kohe, historianët, muslimanët dhe të tjerët kuptuan se ky argument kishte dy të meta: Së pari, disa nga arritjet më të mëdha kulturore të Islamit, sidomos në Iran, erdhën pas dhe jo para pushtimeve mongole. Së dyti, një fakt më i vështirë për t’u pranuar, por i pamohueshëm ishte se mongolët përmbysën një perandori, e cila tashmë ishte e dobësuar për vdekje; përndryshe është e vështirë të kuptosh se si perandoria dikur e fuqishme e kalifëve mund të kapitullonte përpara një hordhie kalorësish endacakë që vinin nga stepat e Azisë Lindore.
Rritja e nacionalizmit, që në vetvete ishte importuar nga Europa, solli perceptime të reja.Arabët mund t’ua hidhnin fajin për problemet e tyre turqve, që i kishin mbajtur nën sundim prej shekujsh. Nga ana e tyre, turqit mund t’ua hidhnin fajin për stanjacionin e qytetërimit të tyre peshës së vdekur të së kaluarës arabe, në të cilën kishin mbetur të paralizuara energjitë krijuese të popullit turk. Persët mund t’ia hidhnin fajin për humbjen e lavdisë së tyre të lashtë arabëve, turqve dhe pjesërisht mongolëve.
Në shekujt e 19 dhe 20, dominimi britanik dhe francez në një pjesë të mirë të botës arabe solli një element të ri dhe të pëlqyeshëm ku mund të kërkohej faji: imperializmin perëndimor. Në Lindjen e Mesme ka patur mjaft arsye ku mund të bazohej një akuzë e tillë. Dominimi politik perëndimor, depërtimi ekonomik i Perëndimit dhe sidomos ndikimi i tij kulturor, që ishte më i gjatë, më i thellë dhe më tinzar se gjithçka tjetër, ia ndryshuan faqen rajonit dhe transformuan jetën e popujve të tij. Ky element u solli atyre drejtime të reja, zgjoi shpresa dhe shqetësime të reja, krijoi rreziqe dhe pritshmëri të reja, të papara në të kaluarën e tyre kulturore.
Por dominimi anglo-francez ishte relativisht i shkurtër dhe mori fund gjysmë shekulli më parë, ndërkohë që tatëpjeta e Islamit kishte filluar shumë kohë më parë dhe vazhdoi parreshtur pas kësaj.Në mënyrë të pashmangshme, roli prej fajtori që u atribuohej britanikëve dhe francezëve u zëvendësua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, krahas aspekteve të tjera të lidershipit perëndimor.Përpjekja për ta transferuar fajin tek Amerika ka fituar mbështetje të konsiderueshme, por, për arsye të ngjashme, nuk është bindëse edhe sot e kësaj dite. Sundimi anglo-francez dhe ndikimi amerikan, ashtu si edhe pushtimet mongole, ishin pasojë dhe jo shkak i dobësive të brendshme të shteteve dhe shoqërive të Lindjes së Mesme. Disa vëzhgues, brenda dhe jashtë rajonit, kanë vënë në dukje se ka patur diferenca në zhvillimin post-kolonial të ish zotërimeve britanike, për shembull mes Adenit në Lindjen e Mesme dhe Singaporit apo Hong Kongut, ose mes viseve të ndryshme që dikur ishin pjesë e Perandorisë Britanike në Indi.
Një tjetër element europian në këtë debat është anti-semitizmi dhe hedhja e fajit hebrejve për të gjitha problemet. Hebrejtë, në shoqëritë islamike tradicionale kanë provuar kufizimet normale dhe rreziqet e herëpashershme që sjell statusi i të qenit pakicë. Para lindjes dhe përhapjes së tolerancës perëndimore në shekujt e 17 dhe 18, ata jetonin më mirë nën regjimet muslimane se në ato të krishtera, në aspektet më të rëndësishme. Me përjashtime të rralla, aty ku në traditën islame ekzistonin paragjykime armiqësore ndaj hebrejve, përgjithësisht shoqëritë islame ushqenin më tepër përbuzje dhe mospërfillje se sa dyshime apo fiksime kundër tyre. Prandaj, ngjarjet e vitit 1948, dështimi i përpjekjeve për të penguar krijimin e shtetit të Izraelit, u pritën me tronditje. Siç vinin në dukje disa autorë të asaj kohe, të mundeshe nga fuqitë e mëdha imperialiste të Perëndimit ishte poshtëruese; të pësoje të njëjtin fat në duart e një bande të përbuzur hebrejsh ishte e padurueshme. Anti-semitizmi dhe imazhi i tij për hebrejtë si një monstër e ligë që thur vazhdimisht plane të fshehta, u kthyen në një antidotë për të qetësuar dhembjen.
Deklaratat e para anti-semite në Lindjen e Mesme u bënë nga pakicat e krishtera dhe u ngjanin atyre që e kishin zanafillën në Europë.Ndikimi i tyre ishte i kufizuar.Për shembull, gjatë gjykimit të çështjes Dreyfus në Francë, kur një oficer hebre u akuzua padrejtësisht dhe u dënua nga një gjykatë që u tregua armiqësore ndaj tij, komentet e muslimanëve zakonisht ishin në favor të hebreut dhe kundër përndjekësve të tij të krishterë.Por helmi vazhdoi të përhapet dhe, duke filluar nga viti 1933, Gjermania naziste bashkë me agjenturat e saj, ndërmorën një fushatë të orkestruar dhe përgjithësisht mjaft të suksesshme për të nxitur anti-semitizmin e stilit europian në botën arabe. Lufta për Palestinën e lehtësoi mjaft pranimin e interpretimit anti-semit të historisë, duke i bërë disa njerëz t’ia atribuonin çdo të keqe në Lindjen e Mesme, madje në të gjithë botën, komploteve të fshehta të hebrejve. Ky interpretim ka mbizotëruar një pjesë të mirë të diskursit publik në rajon dhe kjo pasqyrohet mes të tjerash në arsim, në media madje edhe në botën e argëtimit.
Një argument që përdoret herë pas here është se shkaku i ndryshimit të marrëdhënieve mes Lindjes dhe Perëndimit nuk qëndron te rënia e Lindjes së Mesme por te ngritja e Perëndimit, te zbulimet dhe revolucionet shkencore, teknologjike, industriale dhe politike që e transformuan Perëndimit dhe e shtuan mjaft pasurinë dhe fuqinë e tij. Mirëpo, një argument i tillë të shtyn ta shtrosh pyetjen ndryshe: Përse atëherë zbuluesit e Amerikës u nisën nga Spanja dhe jo nga ndonjë port musliman i Atlantikut, nga të cilët për hir të së vërtetës ka patur përpjekje në kohë më të hershme? Përse zbulimet e mëdha shkencore ndodhën në Europë dhe jo, siç mund të pritej, në botën më të pasur, më të përparuar dhe në disa aspekte më të iluminuar të Islamit?
Një formë më e sofistikuar e lojës së fajit i gjen fajtorët brenda dhe jo jashtë shoqërisë islame. Një fajtor i tillë është feja, madje për disa, është vetë Islami.Por, t’ia hedhësh fajin Islamit është zakonisht e rrezikshme dhe përpjekje të tilla nuk bëhen shpesh, nuk është as shumë bindëse si arsye.Gjatë pjesës më të madhe të Mesjetës, qendrat kryesore të qytetërimit dhe përparimit nuk ishin as kulturat e vjetra të Lindjes dhe as ato të reja të Perëndimit, por ishte bota e Islamit.Atje u rigjallëruan e u zhvilluan shkencat e vjetra dhe u krijuan të reja; atje lindën industri të reja, prodhimi dhe tregtia u përhapën në nivele të papara.Atje qeveritë dhe shoqëritë fituan një liri të tillë mendimi dhe shprehjeje që i bëri hebrejtë e përndjekur madje edhe disidentët e krishterë të iknin nga Krishterimi për të kërkuar strehë në Islam. Në krahasim me idealet moderne, madje edhe me praktikën moderne në demokracitë më të përparuara, bota mesjetare islamike ofronte liri të kufizuar, por kjo ishte shumë më tepër se sa ofronte çdo paraardhës i saj, shoqëritë e tjera të kohës apo shumica e atyre që do ta pasonin.
Shpesh bëhet pyetja: Nëse Islami është pengesë për lirinë, për shkencën dhe për zhvillimin ekonomik, atëherë si ka mundësi që shoqëria islame në të kaluarën ka qenë pioniere në të treja këto fusha dhe kjo kur muslimanët ishin shumë më afër në kohë nga burimet dhe frymëzimi i besimit të tyre se sa janë tani? Disa e kanë formuluar pyetjen ndryshe; jo “Çfarë u ka bërë Islami muslimanëve?”, por “Çfarë i kanë bërë muslimanët Islamit?” dhe janë përgjigjur duke ua hedhur fajin dijetarëve, doktrinave dhe grupeve konkrete.
Për ata që sot njihen si islamistë dhe fondamentalistë, dështimet dhe mangësitë e vendeve moderne islamike kanë ardhur për shkak se ato kanë përqafuar nocione dhe praktika të huaja.Ato u shkëputën nga Islami i vërtetë dhe kështu e humbën madhështinë e dikurshme. Ata që njihen si modernistë apo reformatorë kanë pikëpamjen e kundërt dhe e shikojnë shkakun e kësaj humbjeje jo tek braktisja, por tek ruajtja e mënyrave të vjetra e sidomos tek qëndrimet e palakueshme të klerit islamik. Sipas tyre, kleri i gjithëpranishëm islamik është përgjegjës për vazhdimin me këmbëngulje të besimeve dhe praktikave që mund të ishin krijuese dhe përparimtare njëmijë vjet më parë, por nuk janë më të tilla.Taktika e zakonshme e modernistëve është të mos e dënojnë fenë, aq më tepër Islamin, por ta drejtojnë kritikën te fanatizmi.Sipas tyre, është fanatizmi dhe sidomos autoritetet fanatike fetare, që i kanë zënë frymën lëvizjes shkencore islamike, dikur madhështore, dhe përgjithësisht lirisë së mendimit e të fjalës.
Një mënyrë më e zakonshme e trajtimit të kësaj teme ka qenë ajo e diskutimit të një problemi konkret: vendi i fesë dhe i eksponentëve të saj në rendin politik. Në këtë pikëpamje, një shkak kryesor i përparimit të Perëndimit është ndarja e fesë nga shteti dhe krijimi i një shoqërie civile që funksionon me ligje shekullare (laike). Një pikëpamje tjetër e gjen fajtorin kryesor te pozita e ulët që i jepet gruas në shoqërinë muslimane, gjë që e privon botën islame nga talentet dhe energjitë e gjysmës së popullatës dhe ia beson edukimin e gjysmës tjetër nënave analfabete dhe të nëpërkëmbura. Bëhet fjalë për formimin në vitet e para të rritjes, që është me rëndësi vendimtare.Produktet e një edukimi të tillë, thuhet, kanë prirjen të bëhen ose arrogantë ose të nënshtruar, pra të papërshtatshëm për një shoqëri të lirë e të hapur. Pavarësisht se si mund të gjykohen pikëpamjet e shekullaristëve dhe të feministëve, suksesi ose dështimi i tyre do të jetë një faktor kryesor që do të ndikojë mbi të ardhmen e Lindjes së Mesme.
Disa zgjidhje, që dikur mbështeteshin me pasion, sot janë harruar.Dy lëvizjet mbizotëruese në shekullin e 20 ishin socializmi dhe nacionalizmi. Që të dy janë diskredituar, i pari nga vetë dështimi i tij, i dyti nga suksesi dhe më pas ekspozimi që iu bë si i paefektshëm. Liria, e interpretuar në kuptimin e pavarësisë kombëtare, u pa si hajmalia e madhe që do të sillte të gjitha përfitimet e tjera. Shumica dërrmuese e muslimanëve sot jetojnë në shtete të pavarura, por kjo nuk ka sjellë zgjidhjen e problemeve të tyre.Nacional-socializmi, shartimi i të dyja ideologjive, vazhdon të bëjë ligjin në disa shtete që kanë ruajtur stilin nazifashist të qeverisjes diktatoriale dhe të indoktrinimit përmes një aparati të gjerë sigurimi dhe të sundimit të një partie të vetme.Këto qeveri kanë dështuar në çdo drejtim, me përjashtim të mbijetesës, dhe nuk kanë sjellë asnjë nga përfitimet e premtuara. Madje, infrastrukturat e tyre janë më të vjetëruara se sa ato të shteteve të tjera muslimane, ndërsa forcat e tyre të armatosura kanë si qëllim kryesor terrorin and shtypjen.
Sot për sot, dy përgjigje për pyetjen “Çfarë nuk shkon?”, secila me diagnozën dhe recetën e saj, gëzojnë mbështetje të gjerë në Lindjen e Mesme. Njëra ia atribuon çdo të keqe braktisjes së trashëgimisë së shenjtë të Islamit dhe kërkon kthimin tek e kaluara, reale apo imagjinare. Kjo është rruga e revolucionit iranian dhe e të ashtuquajturave lëvizje apo regjime fondamentaliste në vende të ndryshme muslimane. Tjetra dënon të kaluarën dhe është për demokracinë shekullare, të mishëruar më së miri në Republikën Turke, që u shpall në vitin 1923 nga Qemal Ataturku.
Për qeveritë shtypëse dhe të paefektëshme që sundojnë në një pjesë të madhe të Lindjes së Mesme, gjetja e arsyeve për të shkarkuar fajin i shërben një qëllimi të dobishëm, madje thelbësor, sepse kështu ato shpjegojnë varfërinë që nuk kanë mundur ta zbusin dot dhe përligjin tiraninë që kanë vendosur. Ato përpiqen ta devijojnë zemërimin në rritje të qytetarëve të tyre drejt elementëve të tjerë, të jashtëm.
Por njerëzit në Lindjen e Mesme gjithnjë e më shumë po përqafojnë një qëndrim më autokritik.Pyetja “Kush na e bëri këtë?” ka çuar veçse në fantazira prej të marrësh dhe në teori komploti. Ndërsa pyetja “Çfarë bëmë gabim?” natyrshëm ka shtruar pyetjen tjetër: “Si mund ta përmirësojmë gjendjen?”. Pikërisht te kjo pyetje dhe te përgjigjet e ndryshme që do të gjenden, qëndrojnë edhe shpresat për të ardhmen.
Për një vëzhgues perëndimor, që është shkolluar në frymën e teorisë dhe praktikës së lirisë perëndimore, është pikërisht mungesa e lirisë – liria e mendjes nga detyrimi dhe indoktrinimi, liria për të shtruar pyetje dhe për t’u shprehur; liria e ekonomisë nga korrupsioni dhe keqdrejtimi; liria e gruas nga shtypja e burrit; liria e qytetarëve nga tirania – që përbëjnë bazën e shumë problemeve të botës muslimane. Por rruga drejt demokracisë, siç e tregon qartë përvoja perëndimore, është e gjatë dhe e vështirë, është plot kurthe dhe pengesa.
Nëse popujt e Lindjes së Mesme vazhdojnë në rrugën e tanishme, kamikazet mund të bëhen një metaforë për krejt rajonin dhe nuk do të ketë shpëtim nga spirali i urrejtjes dhe inatit, i zemërimit dhe i vetëkeqardhjes, i varfërisë dhe i shtypjes.Herët a vonë kjo mund të kulmojë me një tjetër sundim të huaj, ndoshta nga një Europë e re që i kthehet zakoneve të vjetra, ndoshta një një Rusi që kërkon shpagim, apo nga ndonjë superfuqi në Lindje që kërkon zgjerim.Por nëse ata lenë mënjanë grindjet dhe viktimizimin, zgjidhin mosmarrëveshjet dhe bashkojnë talentet, energjitë dhe burimet në një përpjekje krijuese me pjesëmarrjen e të gjithëve, ata mund ta bëjnë përsëri Lindjen e Mesme ashtu sikurse ishte në lashtësi dhe në Mesjetë, një qendër madhështore të qytetërimit.Sot për sot zgjidhja është në dorën e tyre.
* REVISTA THE ATLANTIC-Janar 2002

Filed Under: Analiza Tagged With: Bernard Lewis, Islami, KU U GABUA?

ARDIAN KYCYKU “QYTETAR NDERI I POGRADECIT”

August 22, 2014 by dgreca

Nga Novruz Xh Shehu/
Në kuadrin e 45 vjetorit të lindjes, në Pogradec, në 23 gusht, nga Bashkia e atij qyteti, nën kujdesin personal te zotit Artan Shkëmbi, ju dorëzua titulli “Qytetar Nderi” shkrimtarit të shquar Ardian – Christian Kycyku.
Shkrues sa në gjuhën rumune, po aq në gjuhën shqipe (16 romane shqip e po aq rumanisht), botues i revistes letrare e kulturore Haemus, rektori i një prej universiteteve më prestigjioze të Bukureshtit, Ardiani është i njohur në jo vetëm në hartat rumanisht e shqipfolëse por, i përkthyer në 12 gjuhë, ai ka arritur të bëhet ndjeshëm i proferuar nga lexuesit elitar në tërë kontinentin europian.
Një nga arsyet e kthimit të vëmëndjes nga ky shkrimtar me talent të pazakontë, është fakti se ai po shkruan në një stil pothuaj krejt të ri, me të njëjtën përgjegjesi në shqip e rumanisht, duke vendosur në arkitekturën e veprave kulturën, historinë, frazeologjinë, psikologjinë e temperamentin e peroonazheve sipas vëndeve përkatës.Këtë nuk mund ta bëj vetëm thjesht një krijues pa qenë studjues e personalitet më horizont të gjerë kulturor.
Simbolika, esseja, filozofia, humori deri në ironi therëse, janë tipare dalluese të prozës së autorit.
Në Rumani është vlerësuar nga kritika, ndër tre shkrimtarët më të mirë të atij vendi, ndërsa në Shqipëri, në vitin 2013, u vlerësua nga Ministria e Kulturës me cmimin “Penda e argjendët”.
Salla në Bashkinë e Pogradecit ish tejet e mbushur me personalitete të letërsisë , artit, kulturës si dhe familjarët e autorit. Vajza e tij Julia është me talent mjaft premtues në prozë e në fotografinë artistike.U pritën me interes fjala e z.Raqi Margeri, Skender Demolli, Novruz Xh Shehu etj.Zoti Shehu e Ferdin Licaj erdhën posacërisht nga Tirana për këtë aktivitet.
Fotot e bëra tek Lasgush Poradeci e Mitrush Kuteli ishin jo vetëm thjesht një nderim ndaj këtyre personalitteve të shquar por edhe për faktin se i përkasin një pemeje të njëjtë gjenealogjike, me rrënjë qindra vjet më parë në Mokër.

Filed Under: Kulture Tagged With: ARDIAN KYCYKU, I POGRADECIT”, Novruz Xh. Shehu, qytetar Nderi

NË KONFERENCËN PËR SHTYP KRYEMINISTRI RAMA I VURI NË GJUMË GAZETARËT DHE NERVOZOI PUBLIKUN

August 22, 2014 by dgreca

Opinion Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Opinioni publik e priti me interes daljen e kryeministrit Rama në konferencë për shtyp e cila u paralajmërua edhe si një bashkëbisedim me komunitetin e rrjeteve sociale Facebook, Twitter, gjë nuk u përmbush dot. Pasi Edi Rama nuk e paska një ekip që t’i kishte përgatitur një skemë-komunikimi ndryshe nga rutina.
Që në fillim, ai shkeli ku nuk duhej. Nisi të bënte narracion për sukseset e ekipit të tij në pastrimin e plazheve apo për arritjet katrastrofale të turizmit në vitin 2014, duke përmendur si shifër faktin se Shqipëria ishte vizituar nga 1 milionë e ca vizitorë jo rezidentë, që në fakt nuk janë turistë të huaj, por shqiptarë të emigruar gjatë tranzicionit apo shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë etj.etj.
Për të pare se ku është Shqipëria sa i përket turizmit, po ju jap një statistikë nga Zvicra. Turizmi në Zvicër përbën 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ose thënë ndryshe Zvicra ka rreth 40 milionë turistë në vit, ku 20 milionë janë vetë zviceranët dhe rezidentët që lëvizin nëpër konfederatën helvetike dhe 20 milionë janë të huajt. Dhe Zvicra gjithmonë synon më shumë e më shumë.
Të flasësh për turizëm dhe investitorë të huaj është si të ecësh në zonë të minuar. Shqipëria do të ishte një destinacion për miliona e miliona banorë të Europës, të cilët në vend që të zbarkojnë në Shqipëri, zbarkojnë me miliona në plazhet e Turqisë dhe Greqisë.
Dhe dihet se përse nuk vijnë. Për shkak të sigurisë. Nuk ndihen të sigurt në një vend ku vritet drejtori i Bankës private shqiptare.
Edhe investitorët e huaj nuk vijnë në Shqipëri, për të njëjtat arsye. Sepse kur vidhet Banka e Shtetit dhe sistemi është i përçudnuar nga kasta klienteliste-nepostiste, ata s’kanë kurrëfarë garancie për paratë e tyre.
Edi Rama e kaloi kalimthi reformën territoriale dhe atë arsimore, të cilat janë premtuese, ndërsa tek Lazarati nuk u ndal fare, që në fakt është sukses i shtetit.
Edi Rama i vuri në gjumë gazetarët në sallën e Konferencës për shtyp. Ashtu si na vuri në gjumë edhe ne të tjerët që po e ndiqnim prej televizorëve. Fliste pa ritëm, pa elokuencë, paçka se e ritha se është njeri i letrave, ndërsa shtirej se nuk e kishte idenë fare se koha ecte. Aty pranë kishte një femër tip këshilltare me flokë të ngjyera terr të zi e cila nuk pipëtinte gjumshëm.
Pra, kryeministri i Shqipërisë dukej sikur e kishte humbur nocionin kohë. Koha rrjedh dhe nuk pret e pyet askënd. Nuk do t’ja dijë se je kryeministër. Koha vepron me ligjet e veta të pamëshirëshme të cilat i tregojnë Ramës se viti i parë i mandatit të tij po mbushet.
Ose Edi Rama, duke parë natyrën e pyetjeve edhe përmes rrjeteve sociale, për t’iu shmangur temave të nxehta, kishte vendosur që të zvarritej në një prolog të pafund i cili u bë tmerrësisht monoton dhe i mërzitshëm.
Opinioni publik priti që Edi Rama të përballej direkt me realitetin e vrazhdë shqiptar, ku përfshihen edhe dy skandalet më të fundit, i BSh dhe skandalit i punësimeve të ish-sekretarit të deputetit të PS.
Por Edi Rama prapë heshti dhe hezitoi të fliste. Heshti në emrin e pavarësisë së institucionit, siç është Banka e Shtetit dhe bëri memecin nga pozitat e qytetarit. Ai mund të thosh atë që tha e të shtonte atë që duhej. Se si ndihet ai, Edi Rama si një qytetar i Shqipërisë kur përballej me faktin se Guvernatori që merr 100 fishin e rrogës të një pensionisti nuk arrin të përmbushë detyrimin si guardiani i institucionit të shtetit që drejton.
Edhe kur iu bënë pyetje rreth ekipit të Kokëdhimës në vend të një qëndrimi të prerë vazhdoi me kalambure, sipas të cilave edhe ai si kryeministër mund të mbante ekip në Vlorë, po të kishte para. Po ku t’i gjente paratë kryeministri? Po ku t’i gjejnë paratë deputetët që të paguajnë ekipe me nga 12 vetë? Kokëdhima ka para. Nëse Kokëdhima ka para, ai nuk mund të veprojë në kundërshtim me ligjet e shtetit, që do të thotë se nuk mund ta përdorë paranë e tij siç e përdor sepse aty ka konflikt interesi.
Në këtë konferencë për shtyp, pritej të paktën që Edi Rama të ishte i sinqertë me publikun. Ai nuk e bëri as këtë. Ishte i kontraktuar.
Vetëm në fund të konferencës për shtyp, kur besoi se i kishte shpëtuar ankthit të pyetjeve rreth Bankës të Shtetit dhe ish-sekretarit të Kokëdhimës, Rama doli nga rutina 23 vjeçare e kryeministrave të Shqipërisë në këtij tranzicion gati perpetual, kur papritmas, kur nuk e priste askush, filloi të tregonte për takimin e tij me Kancelaren Gjermane.
Po e sjell ad literam se çfarë tha kryeministri rreth takimit të tij me Angela Merkel:
„Ishte momenti, tregoi Edi Rama, kur Kancelarja më pa në sy dhe më tha: ….“ Më thuaj me të njëjtën ndershmëri dhe të njëjtën këmbëngulje, a mund të jetë Shqipëria, vend i BE nëse ka këtë sistem drejtësie?” Sigurisht që “Jo”-ja ishte e lehtë për t’u thënë, por ka qenë një nga rastet që do ta mbaj mend në jetën time politike që më ka ardhur turp kur më është dashur të flas për vendin që i krijon vetes këtë kosto, për shkak të bandave të veshura me petkun e pushtetit gjyqësor….“
Dhe pikërisht këtu nga do të duhej ta niste, Kryeministri e mbylli si epilog konferencën e për shtyp.
Por, të paktën dialogu Merkel-Rama i zgjoi gazetarët nga gjumi, ndërsa opinioni publik i nervozuar, nga ana e tij i tha – „Hë mo dhe ti Edi Rama je si të tjerët, deri tani na bëre vetëm demagogji“.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, gazetaret, kryeministri

U shua një yll në qiellin e albanologjisë

August 22, 2014 by dgreca

Nga Kolec Topalli/
Më datën 16 gusht ndërroi jetë njëri nga albanologët më të shquar të ditëve tona, prof. Besim Bokshi, anëtar i dy akademive shqiptare, në Kosovë e Shqipëri, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, autor i shumë veprave shkencore e letrare, njëri nga aktivistët më të spikatur për lirinë e Kosovës dhe vendosjen e demokracisë, deputet në Kuvendin e Kosovës, përfaqësues i denjë i kulturës, shkencës dhe letërsisë shqiptare në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarë. Mbarë Gjakova ku kishte lindur e Prishtina ku jetonte, tërë Kosova e Shqipëria, shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë e kudo në diasporë, e ndjenë humbjen e thellë që la largimi i këtij dijetari, shkencëtari të mirëfilltë, poeti e veprimtari. Jeta e tij qe një përpjekje e vazhdueshme për të ngritur gjithnjë e më lart shkencat albanologjike, vullneti i tij ishte një shembull për të gjitha ata që la pas.
I lindur në Gjakovë më 1930, u shkollua në Tiranë, në vendlindje, në Prishtinë e Beograd. Dha kontributin e tij në fushën e arsimit e të shkencës, si profesor gjimnazi dhe drejtor i tij, në shkollën e lartë Pedagogjike, në Institutin Albanologjik si punonjës shkencor, pedagog i historisë së gjuhës në Universitetin e Prishtinës. Në Akademinë e Shkencave dha kontribute të mëdha në fillim si anëtar korrispondent, pastaj anëtar i rregullt, më vonë si nënkryetar dhe kryetar i saj. Ka mbajtur ligjërata e kumtesa në Kosovë e jashtë saj, në universitete e qendra shkencore të Europës. Në fushën politike si kryetar i Partisë Socialdemokrate, qe luftëtar për të drejtat e njeriut, për lirinë e demokratizimin e vendit të tij. Si poet shquhet për elegancë, figuracion e meditime të thella. Por kontributin më të madh e ka dhënë si shkencëtar albanolog në fushë të historisë së gjuhës, duke studiuar sistemin emëror e nyjor, vetor e foljor me vepra të thella për nga përmbajtja, të plota për nga argumentet, të sakta për nga shembujt. Veprat e tij i kapërcejnë kufijtë e albanologjisë duke dhënë kontribute të vlefshme në fushë të ballkanistikës, romanistikës, sllavistikës dhe indoeuropianistikës. Kultura e gjerë, njohja e shumë gjuhëve të huaja, këmbëngulja për të zgjidhur probleme të vështira e të ndërlikuara të historisë së gjuhës shqipe e vënë këtë dijetar në radhën e më të mirëve të kohës sonë. Veprat e tij, si: “Ndryshimi i strukturës së temave emërore të shqipes” (1971), “Rruga e formimit të fleksionit të sotëm nominal të shqipes” (1980), “Prapavendosja e nyjës në gjuhët ballkanike” (1984), “Pjesorja e shqipes” (1998), “Për vetorët e shqipes” (2004), “Periodizimi i ndryshimeve morfologjike të shqipes” (2010), si edhe një shumicë artikujsh shkencorë, janë një kontribut me rëndësi të veçantë në fushën e historisë së gjuhës shqipe.
Sot ky dijetar i përmasave jo të zakonshme, nuk është më. Ai prehet i qetë në tokën e lirë të vendlindjes, për të cilën punoi aq shumë, shpeshherë në kushte të vështira. Pranë varrit të tij prehet një kolos tjetër i albanologjisë, prof. Selman Riza, daja i tij, prej të cilit mësoi shumë ai dhe të tjerë, që vazhdojnë rrugën e tyre. Por vdekja nuk mund të mposhtë njerëz të përmasave të tilla. Ata mbeten të gjallë përmes veprave të tyre dhe kontributeve, që e çojnë shkencën përpara. Besim Bokshi do të përmendet sa kohë të ketë albanologji, sa kohë të ketë shqiptarë.

Filed Under: ESSE Tagged With: albanologjisë, Besim Bokshi, Kolec Topalli, në qiellin e, nje Yll, u shua

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4453
  • 4454
  • 4455
  • 4456
  • 4457
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT