Nga Arben Çejku/ ish-Ambasadori shqiptar në Shkup/
Shqiptarët duhet të punojnë më shumë përmes diplomacisë, madje duhet t’i kërkojnë faktorit ndërkombëtar, Strasburgut, dërgimin e një misioni të posaçëm monitorues për të ndjekur nga afër gjithçka ka ndodhur së paku përgjatë dy vjetëve të fundit, në marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni.
Kështu ka deklaruar për “Ora News”, ish-Ambasadori shqiptar në Shkup, Arben Çejku, sipas të cilit shqiptarët në Maqedoni duhet të shfrytëzojnë këtë moment për të lobuar për të drejtat e tyre.
Përsa i përket kërcënimit të bërë orët e fundit nga ish-komandantët e UÇK-së për të rikrijuar grupimin ushtarak për të mbrojtur popullatën shqiptare, Çejku theksoi se tani shqiptarët nuk kanë nevojë për konflikte e tensione të tjera. Ish-kryediplomati shqiptar në Shkup tha se kërcënimet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së thjesht i hedhin më shumë benzinë zjarrit, por në rast të çfarëdolloj konflikti, shqiptarët do të duhet të kuptojnë se do të jenë vetëm.
Sipas Arben Çejkut, protestat edhe ngjarjet e viteve të fundit mes shqiptarëve dhe maqedonasve, kanë lënë një shije të hidhur për të ardhmen e tyre. Çejku apeloi për mbajtjen e një tryeze për reformën në drejtësi, mes shqiptarëve dhe maqedonasve, me fokusin mbi të gjitha, tek proceset gjyqësore ndaj shqiptarëve.
“Lente” për sytë
(sipas mikes sime,M. L.)/
Pështjellim letrar/
Nga Përparim Hysi/
Nuk ka gjë që më “ngacmon” më shumë se sa sytë kur shoh një femër. Ky verb “ngacmon” duhet marrë pak me koificent korregjimi: më sakt duhet të shprehesha kështu: “… djalërisë sime ndodhte kështu”. E humbja prej syve. Kështu ka ndodhur me mua në dashurinë e parë dhe kështu ka vazhduar deri sa sytë e mi “që mos i paça”, zënë e kërkojnë një palë sy. Tani sytë e mi e kanë humbur atë “sensin” e gjuetisë si puna e atij zagarit të vjetër që humbet nuhatjen, e , megjithatë, sa shoh një palë sy që të “verbojnë” lëshohem hergjele. Punë huqi, sigurisht. Se huqi del me shpirtin. Por këtë “pështjellim” nuk e shkruaj për vete. Jo. E shkruaj për një mjek (as mos prisni që mjekun ta lakoj me emër), që, ashtu si unë djalërisë së largët, e humbi nga një palë sy.
***
Mjeku i kish parë ata sy kalimthi dhe kish thënë me vete:- Kot thonë që është ngjallur veç Krishti! Se kjo që pashë ( e kish fjalën për sytë e saj), a nuk i ka sytë aq të bukur si Elizabet Tejlorit? Të tillë i ka,- ngulmoi mjeku,- se o është ringjallur diva e madhe e Holliwoodit o nuk jam unë në vete! Dhe,ashtu mëdyshur në hamëndësinë e tij, mjeku kish ngrirë si një statujë mu tek dera e spitalit. Ai kish “ngrirë” dhe me sy ndiqte “Tejllorin” e ringjallur. Kur dëgjoi që kjo”Sytejllori” po pyeste për repartin e okulistikës, mjeku “shkriu” siç shkrin dëbora nga dielli dhe nxitoi të bëhej ai “Ciceroni” apo siç thuhet në popull, kallauzi që t’i tregonte pavijonin e syve. Sado që nxitoi, u sëmbua kur një infermiere ( si në ato garat” më i shkathti, më i shpejti” e ndihmoi “Tejllorin” që të gjente pavijonin që kërkonte. “Dhija mish e cjapi tavë”,- lëshoi një proverbë kënaqësie mjeku i syve. Jam me fat,- përkëdheli veten. Kur qe në qejf, mjeku okulist, qe makazinë proverbash. Nuk kish nevojë të mendohej shumë. I thoshte ato jo ashtu “tymëse”, por qenë si gozhdë trari të tilla që mund t’i ngulje pa frikë dhe në mur.
” Nuk shkoi Muhameti tek mali, por vjen mali tek Muhameti”. Duke menduar se nuk kish se pse të hallakatej, ngjiti shkallët tërë shend dhe hyri në kabinetin e vet. “Tejllorin” e pa, por nuk duhet ta vinte re. Thëllëza do vinte vet: drejt e në kafaz. Për pak, gati t’ia merrte një kënge. Ashtu, në zë, si për vete, ia tha: ” Syçkat si ato të tuat/ nuk gjenden në dynja”. E dinte mirë se si vazhdonte kënga dhe, tek priste që “Tejlori” i ringjallur të hynte brënda, bëri si bëri dhe i tha dhe dy vargje të tjerë: “lum ai që i ka shijuar/ frikë nga vdekja më nuk ka…
* * *
Trokiti dera dhe hyri thëllëza. Mjeku që, tanimë, i “kish shijuar ata sy”, u bë serioz dhe hyri në lëkurën e profesionit.
-Përse jini munduar?
– Për sytë. Ndjej dhimbje, sidomos, kur lexoj,- u ankua pacientja.
Mjeku,pasi e kish ulur në poltronën e vizitave, filloi vizitën. Qëndroi për një kohë goxha të gjatë, duke u sjellë dhe risjellë, pranë atyre syve dhe, sikur veç këtë kishte për të vizituar tërë ditën mbarë, po e “ngiste makinën e memories” si “afolio” për të bërë një studim sa më preçiz.
Ajo, shtrirë si një pafajësi e bukur dhe e dlirë si dëbora në një majë mali ku nuk e arrin kush, dhe doktori që “vete e vjen” nëpër këtë dëborë virgjine. Si mbaroi këtë vizitë “made in maratonë”, tha mjeku me vete,- filloi t’i shpjegonte pacientes.
– Ju kini nevojë për lente,- tha doktori.
– Për lente!- përsëriti pacientja.
– Janë të domosdoshme dhe mirë që kini ardhur me kohë.
– Doktor,- tha “Tejlori”, po dua të di çmimin,se…
-Çmimi është i diksutueshëm,- tha doktori.
– Si i diskutueshëm?- ndërhyri pak e skuqur.
– Jemi vërtet privat, por, para së gjithash, jemi dhe njerëz. Edhe ne jetojmë në tokë.
***
Kur shkoi për së fundi, doktori i tha:
– Këtë “operacion mjekësor” e ke falur nga unë.
-Doktor, të lutem, mos më bëj që të skuqem.
– Jam unë që po skuqem,- pohoi doktori. Jam mahnitur nga sytë tuaj. Më mjafton që i pashë dhe ky” vizion” imi për sytë tuaj, është “haraçi” që do paguani. E zënë si në çarg nga ky pohim kaq i çiltër,”Tejllori” sikur po thyhej. Ai e kundronte si një fajtor pa faj dhe, për të qetuar veten, kujtoi ca vargje të një kënge “… epo mirë,atëhere puthmë/ pa marr leje fola unë”. I kujtoj ai, po vallë a kish dëgjuar “Tejllori” për një këngë të tillë? Sa mirë do të qe!
– E mira pret,- u dha fund hamendësive kur u nda me sytë e “Tejllorit”.
Tiranë, 3 korrik 2014
Sofra e Diellit- Tri poezi nga Agim Xh. Dëshnica
FORT PO SHNDRIT E PAK PO XE’!/
Vërviten dallgët një mbi një,/
në ag, kur befas drita shkrep./
Herë hiqen mbrapsht në largësi,/
herë shtyhen hovshëm për në breg./
Këtu të qeta, më tej me bujë,/
atje më sipër ngadhnjimtare,/
pa vezullojnë, ndërrojnë ngjyrë/
me valëzime ledhatare./
Si marrin frymë në thellësi
i derdhen tokës përmbi shkëmb,
buçimë e tyre këngë e moçme
këtu si gaz, atje si brengë.
Ah! sikur të isha ajër-ajër
mbi male tej dallgësh, nën re,
te lugjet e lahutave, ku
“fort po shndritë njaj diell e pak xe’!
borë e madhe që ka ra
p’e merr frima rrapin e Jutbinës
rrandojnë ahet për me u thye” 1)
prej rrungajash e suferinës..,
1-Vargjet në thojza janë të përshtatur
nga rapsoditë
e veriut.
SHKEMBI DHE LUMI
Turbull, turbull lumi, rrjedh në çaste zgjimi
përplaset brigjeve në vrull vërshimi.
Turbull lumi, ndesh, uturin nën urë,
zhyten, brofin e shtyhen, drurë e gurë.
Gjeratoret shtillen e kridhen nën shkëmb,
ujrat mal ngrihen e bien me gjëmë.
E sipër valësh vjen me vërshëllim,
thëllimi i stoçenit nëpër mjegullim,
drejt shkëmbit dëshmitar
në shekuj, dramash,
të vërtetash tragjike e bëmash.
ku ujrat, kohrat e fati i mbrapsht,
gdhëndin legjendat e misterit të lashtë,
për qytetin e bardhë e të përgjakur,
që jeton mbi lumë i ri e i plakur.
ÇEKBEN, ÇEK BEN!*
Çekben! Çek beni!
Shi, rrufe, erë, furi,
sulen, çajnë përmes resë
rrahin shkëmbin e pabesë.
Çekben, Çekben!
Ç’ësht’ një hije, shket në lumë,
kur gjithçka hesht në gjumë?
Kthehet lajmësi si nata,
purpurantët flenë mbi shpata.
Një litar i zi si gjarpër,
natën zbret nga shkëmbi ashpër.
Çek beni!-dëgjohet zëri,
kapet, ngjitet lart asqeri.
Çek beni! Çek beni!
Shkëmb i zymtë i prapësisë,
Çekben i pabesisë,
nga rrufetë ditën nxin,
nga thëllimi natën ngrin.
Çekben! Çekben!
Ndihen zëra nëpër terr:
Skënderbe! Skënderbe!
Vjen pashai, vret ushtria!
Prapa shpine pret tradhtia!
Ah! Çekben Çekben i nëmur!
Mure e Kulla të përnëmur!
Purpurantët e përgjakur
tok me djemtë e përflakur
mbetën n’atë tragjedi,
mes zjarreve për liri
në kujtime mot e jetë,
afër lumit, që nuk hesht,
dhimbje e mallkim
nëpër valë e uturimë.
2014
———————-
*Çekben-(Më terhiqni!- turq.) një shkëmb në Kalanë Beratit, nga zbriti me litar ushtari osman, gjatë marrëveshjes së armëpushimit dhe njoftoi Portën e Lartë për rrethimin e kalasë nga ushtria e Skënderbeut. Ushtari u kthye dhe u ngjit me litar me thirrjen ”Çek beni!“ (më tërhiqni!) Pas tij, një ushtri e shumtë në numur nën komandën e Isa bej Evrenozit mbërriti pa pritur dhe masakroi ushtarët shqiptarë të shpërndarë e të shkujdesur në pritje për rifillimin e luftimeve, ndërsa Skenderbeu ndodhej për vizitë në një këshjellë diku pranë.
I RRITUR ME THËRIME BUKE, I DHURON BUKË TËRË KOSOVËS
Nga Esad GJONBALAJ*/
Realisht për të shkruar për humanizmin duhet ta ndjesh vërtetë atë dhe të kuptosh në esencë se donatorët e dhuruesit më të mëdhenj të ndihmave janë ata që në haprimet e tyre jetësore përjetuan skamjen dhe vuajtjen. Personazh i këtij shkrimi është një nip dhe bashkëvendas i jonë nga Plavë-Gucia, me emrin Skënder Thaçi.
Para se të fillojmë të flasim për veprat dhe humanizmin e Skënderit duhet të hedhim dritë në ca fakte që edhe për mua, si artikullshkrues, ishin enigmatike: Kush është ky bashkëkombas nga Plavë-Gucia me mbiemrin Thaçi?! Pse vallë angazhohet kaq shumë dhe pa hezitim për këtë trevë dhe për të mirën e saj, dhe çka e lidhën personazhin tonë me Plavë-Gucinë?
Skënder Thaçi u lind në vitin 1959 në qytezën e Gucisë.
Imer Thaçi, babai i Skënderit, ka ardhur nga Puka, i martuar me Bade Elez Ulaj nga Vuthajt.
Imer Thaçi ishte me gradën toger në kohën e Shqipërisë së Mbretit Zog. Pas Luftës së Dytë Botërore ishte drejtues i Komitetit “Shqipëria e Lirë” me qendër në Romë, për Ish Jugosllavinë. Në vitin 1953, Imeri burgoset bashkë me vllaun e tij, Rrustem Thaçin, dhe me tre bashkëmendimtar në Podujevë të Kosovës. Ata dënohen me nga tre vjet burg në burgun famëkeq të Nishit.
Në vitin 1957, dy vëllezërit Thaçi, pas daljes nga burgu, shkojnë në Guci.
Golgota e familjes Thaçi fillon tragjikisht në vitin 1961 kur në fshatin Krushevë të Gucisë, UDB-ja Jugosllave e ekzekuton pa gjyq Rrustem Thaçin, axhën e Skënderit. Menjëherë, pas tri javësh, UDB-ja Titiste e likujdon edhe Imer Thaçin, babain e Skënderit, në burgun famëkeq të Andrijavicës.
Kjo familje tradicionale ishte e dëshmuar si atdhetare nacionaliste shqiptare. Ky ishte edhe shkasi i vetëm që të jenë në shënjestrën e agjenturave të huaja, të udbashve serbosllavë dhe kuislingve të tyre. UDB-ja duke praktikuar metodën e dënimit kolektiv i arrestojnë të dy familjet e vëllezërve Imer e Rrustem Thaçi dhe, duke mos respektuar kurrëfarë norme humane e njerëzore, i mbajnë ato në burg edhe me fëmijët që ende nuk ishin as në bankat shkollore.
Ndër ta ishte edhe Skënder Thaçi dhe vllai binjak i tij, Nerim Thaçi.
Duhet cekur se bashkëshortja e axhës së Skendërit, e martirit të ekzekuar Rrustem Thaçi, lindi në burgun e Nikshiqit në Malin e Zi. Nëna e Skënderit, atë kohë, e pagëzoi me një emër të veçantë: Burge.
Në vitin 1965 familja e Rrustem Thaçit deporton në Shqipëri, ndërkaq familja e Imer Thaçit vazhdoj të qëndroj në Vishnjevë dhe Guci e, pastaj, në Kosovë.
Skënder Imer Thaçi arrin që vuajtjet e përjetimet e tij familjare dhe personale t’i shndërroj në humanizëm dhe bamirësi duke parë dhe ndjerë thellë në shpirtin e tij vuajtjet e të tjerëve. Këto ishin një frymëzim e kalitje e personalitetit të tij të fortë e human, ndihmën e të cilit patën rastin ta presin me mijëra familje shqiptare të Kosovës.
Nuk do ishte korrekte nëse nuk ia dhurojmë lexuesit të këtij shkrimi një pjesë të fakteve të tërë veprimtarisë së Skënderit: Rreth 120 projekte të realizuara në Shqipëri. Gjatë Luftës në Kosovë ka ushqyer 62.500 familje kosovare. Sjell nga Austria 1.870 tonë ushqime. Rindërtimi i Drenicës me 560 shtëpi! Ndihmë emergjencë për dy vjet për tërë popullatën e Drenicës. Dhe 8 projekte sociale nëpër Kosovë etj!
Skënder Thaçi është Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës Austri-Shqipëri, që nga viti 1992. Për veprimatrin e tij Skënder Thaçi ka marrë shumë mirënjohje e dekorime nga Shqipëria e Kosova, nga qytete e fshatra nga të gjitha trevat shqiptare.
Tani është duke punuar intensivisht që vendlindjes së tij, Plavë-Gucisë t’ia kthejë gjallërinë duke i promovuar vlerat dhe potencialin e bollshëm që Plavë-Gucia ka në lëmin e Turizmit Alpin.
Duke parë tërë këtë thesar atdhedashurie dhe sakrifice të një familje tipike shqiptare mbesim me shpresën e realizimit të projekteve të tij ideore për Plavë-Gucinë, projekte që do ia kthenin shpresën dhe gjallërinë vendlindjes tonë të përbashkët.
Esad GJONBALAJ
President i Fondacionit Plavë-Guci në SHBA
New York, 4 korrik 2014
I PAPËRSËRITËSHMI I SKENËS SË TEATRIT TË SHKODRES ARTISTI ZEF JUBANI 1910-1958
Nga Fritz RADOVANI/
Artisti i madh i skenës së teatrit të Shkodres, aktori i papërsëritëshem i Shek. XX, Zef Jubani, ka lé në Shkoder në vitin 1910 dhe ka vdekë në vitin 1958.
Aty nga viti 1952, ishe fëmijë kur një shok i imi Nikolin Prendushi na çoji në një shtëpi të vjeter shkodrane, në rrugicen e kinema Verorës, tek Cin Jubani. Pritja e asaj familje bujare na dha shkas me shkue edhe herë të tjera… Shtëpia kishte një oborr të madh dhe me pemë frutore. Kalonim orë tue luejtë n’ atë ambjent të bukur e terheqës.
Një ditë porsa mërrijtëm na doli tek dera axha i Cinit, aktori i teatrit Zef Jubani, dhe na drejtoi nga një pemë e madhe me fiq… Poshtë kishte ndertue Ai vetë disa vija uji, ku kishte vue edhe disa anije të vogla prej druni që dukeshin se po lundronin nder ata vija lumejsh mbi të cilat, me shumë kujdes ishin vendosë edhe dy ura. Nga një cep i atyne vijave Zefi hidhte ujin me një kovë dhe kalimi nder kthesa tue marrë me vete edhe anijet e vogla, krijonte një lojë aq të kandshme per moshat tona, sa Zefi na dukej se edhe Ai tashti, ban pjesë në shoqninë tonë. Ishte knaqësi e madhe kur qeshej me shpirtë!
Gjithnjë mendonte per një tjeter lojë të panjohun prej nesh! I dashtun, i pritun, i palodhun dhe dashamirës tej mase e shpesh, edhe “moshatarë” me né!
Mbas pak vitesh, mërrijta me kuptue se kush ishte në skenen e teatrit Ai Artisti që lonte tre ase kater vjet perpara me ne fëmijët në oborrin e shtëpisë së Tij! Shfaqja e parë që e kam pa në skenë Zef Jubanin, asht kenë “Koprraci” i Molierit… As atëherë, as sot, nuk mund të pershkruej emocionet që u sillte gjatë shfaqjes spektatorëve shkodranë!
Ndoshta, pershtypjet tona që nuk kishim pa shka bahet nder skenat jashta vendit tonë, asnjëherë nuk do të percaktojnë kush ishte aktori Zef Jubani? Ndersa, nga shumë intelektualë të njohun si Profesorët Simon Rrota, Gasper Ugashi, Kolë Ashta, Don Mark Hasi etj., që kanë pa edhe skenat e teatrit t’ Italisë, kam ndigjue pothuej nga të gjithë se: “Po të ishte artisti Zef Jubani nder skenat e tyne, dhe të lonte rolet që ka luejtë si aktor në Shkoder, Ai do të lente gjurmë të Pavdeksisë së Tij edhe nder skenat e tyne atje!”
Vlersimet per rolet dhe interpretimet e Zef Jubanit, pothuej nuk kanë mungue…
Po, nuk besoj, se mund të kishte ngja në një tjeter vend t’ Europës, që dy ditë para se të inaugurohej një teater i ri nder ata qytete, me vdekë në skenën e atij teatri një artist kaq i madh sa Zef Jubani, dhe mbas dy ditësh teatrit të rij me i vue emnin e një prej shkrimtarëve që nuk besoj se ka mendue me kenë ndonjëherë “artist”!?
Migjeni si shkrimtar ka vlerat e veta, dhe as nuk kam nder mend me i analizue ata, po, në skenen e teatrit të qytetit të Shkodres, nder ata “germadha” që kanë mbetë deri nder ditët tona, janë krijue vepra të mëdha, janë interpretue dhe kanë lanë gjurmë aty artistë që nuk i vijnë kurrma Shkodres, janë trashigue brez mbas brezi të gjitha ato vlera që nuk po persëriten asnjëherë, dhe mbi të gjitha edhe pse temelet e artit teatral në Shqipni ishin të vueme mbi Gurët e Rozafës Ilire, prapseprap “antishkodranizmi” i terbuem nuk u denjue me nderue me Emnin e Zef Jubanit, as teatrin e ri… Kjo nuk asht pakujdesi ase imponim, po asht injorancë e shartueme me fanatizem!
Ata ngjarje që po “lulzojnë” në Shkoder, janë shumë tronditëse!
Po Rinia Shkodrane, a do të pajtohet neser me veprat e baballarëve të vet?!
Nuk besoj! Bashkia e Shkodres nuk asht “hotel”…
Zgjohuni! Veni Emnat e Nderuem aty ku duhet!
Melbourne, Korrik 2014.