Nga Frank Shkreli/
Ministrat e Jashtëm të 28 vendeve anëtare të Bashkimit Europian (BE) vendosën t’i japin Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Ky është një vendim i rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë drejtë antarësimit të plotë eventual të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kjo, sigurisht, nuk do të jetë një rrugë e lehtë siç vihet në dukje edhe në njoftimin e BE-ës, pasi Shqipëria, sipas Këshillit të Bashkimit Europian gjithnjë ka nevojë për reforma në administratën qeveritare dhe në gjyqësorin, për luftën e vazhdueshme kundër korrupsionit, dhe për marrjen e masave kundër trafikut të qenieve njerëzore. Dhe mbi të gjitha, theksohet si faktor i rëndësishëm, në mos jetësor, dialogu me opozitën dhe zhvillimi normal i diskursit politik midis palëve.
Megjithëse Shqipëria mund të jetë ende larg nga antarësimi i plotë i saj në BE-ën, vendimi i sotëm pasqyron në sytë e Europës, përparimin e bërë deri tani si dhe vullnetin e Shqipërisë për të bërë edhe më shumë progres në këtë drejtim dhe në fushën e reformave të nevojshme, të cilat kërkohen nga të gjitha vendet që aspirojnë antarësimin në BE. Megjithëkëtë, Shqipëria meriton urimet tona për këtë hap të rëndësishëm drejtë Europës – aty ky e ka vendin, rreth sofrës së përbashkët me kombet e tjera europiane. Urimet tona të gjithëve, qeverisë së tanishme dhe qeverisë së mëparshme, pasi progresi i bërë dhe i njohur nga BE-ja në dhënjen e statusit-kandidat që u njoftua të martën, është një përfundim i një pune të gjatë dhe është meritë e të gjithëve, dhe jo vetëm e palëve politike, por e të gjithë shqiptarëve, përfshirë edhe shoqërinë civile dhe institucionet e tjera shtetërore dhe jo qeveritare. Pasi jemi në atmosferën e botërorit, nuk vërejmë së në ndeshjet për çmimin e madh të botës në futboll të ketë vetëm një lojtar që të dalë fitues kundër një skuadre të tërë. Burri i mirë me shokë shumë, thotë një fjalë e vjetër. Prandaj, edhe arritjet e deritanishme të Shqipërisë drejtë BE-së janë merita dhe përfundim i kontributeve që kanë dhënë të gjithë gjatë viteve në këtë drejtim e të cilat rezultuan, në njoftimin pozitiv të BE-së për dhënjen e statusit kandidat Shqipërisë.
Është e natyrshme që njëra ose tjetra palë politike të përpiqet të marrë kredinë për këtë arritje. Por fakti është se ky vendim i Europës, as nuk ishte marrë dje dhe as nuk do të angazhohej Europa që të vazhdonte për të mbështetur Shqipërinë në përpjekjet drejtë antarësimit të plotë të saj në BE, po të besonte se progresi i bërë deri tani të jetë vetëm meritë e njërës ose tjetrës palë. Në të vërtetë, Shqipëria nuk mund të shkojë drejtë e Europës e përçarë dhe as nuk do të pranohet si e tillë nga Europa. Edhe në njoftimin e djeshëm, BE-ja theksoi si gjithëherë më parë, dialogun politik midis palëve si një faktor i rëndësishëm, duke e ngritur atë në të njëjtin nivel me luftën kundër korrupsionit dhe me reformat në administratën qeveritare dhe në gjyqësor – duke nënvijuar se dialogu i qëndrueshëm politik është jetësor për konsolidimin dhe vazhdimin e reformave. Europa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dëshirojnë që klasa politike e Shqipërisë të jetë e bashkuar me mendime dhe në qëllimet e objektivave të interesave kombëtare të shqiptarëve. Antarësimi i plotë dhe sa më i shpejtë i Shqipërisë në Bashkimin Europian është në interesin e kombit shqiptar, drejtë të cilit duhet të punojnë të gjithë, pa marrë parasyshë animet ose interesat politike.
Besoj se asnjë shqiptar, kudo qofshim të përhapur nepër botë dhe në trojet e veta në Ballkan, nuk mund të fshehi kënaqësinë dhe gëzimin për vendimin njëzëri të njoftuar dje nga Ministrat e Jashtëm të 28 vendeve anëtare të Bashkimit Europian, duke aprovuar raportin e Komisionit Europian për t’i dhënë Shqipërisë statusin kandidat. Është ky një hap i madh për Shqipërinë dhe për kombin shqiptar dhe si i tillë edhe duhet të velërsohet. Është një vendim që vërteton parimet, qytetërimin dhe kulturën e kombit shqiptar si pjesë dhe në përputhje të plotë me vlerat europiane. Është ky një vendim gjithashtu i cili përputhet plotësisht me synimet dhe objektivat e Gjergj Kastriotit-Skënderbe dhe të Rilindasve të kombit, të cilët treguan rrugën që duhet të ndjekë kombi shqiptar për tu ulur në të njëjtën tavolinë me kombet europiane, me nder, me përgjegjësi dhe privilegje të barabarta, me vendet më të përparuara të botës.
Uroj që ky moment në historinë e kombit shqiptar të shënojë perëndimin e politikave të errëta dhe të fatkeqsive kombëtare të së kaluarës dhe njëkohsisht edhe të dëshmojë fillimin e një hovi të pranverave të reja për kombin shqiptar, si pjesë përbërse dhe e pandarë e një Europe në paqë, të lirë e demokratike, por pa u larguar dhe pa u xhveshur kurrë nga traditat dhe kultura e shëndosh stërgjyshore e shqiptarizmës. Drejtë Europës, me virtytet shqiptare!
BE, me Konsensus, i dha statusin kandidat Shqipërisë
Shqiptaret po gezojne. Ne rrjetet sociale urimi pushton virtualisht Boten Shqiptare, ne trevat etnike dhe ne emigrim. Njoftimi u bë nga komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle: “Eshtë vlerësim i përpjekjeve për reforma”/
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit europian vendosën te marten me 24 Qershor 2014, t’i japin Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Këtë e bëri të njohur komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle, ndërkohë që në Luksemburg vazhdonte mbledhja e Këshillit për Çështjet e Përgjithshme. “Urime Shqipërisë: bëhet fjalë për një vlerësim të përpjekjeve për reforma dhe një inkurajim për të vazhduar në këtë rrugë”, është shprehur komisioneri Fyle.
Këshili i Ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg vendosi te Marten me 24 Qershor 2014, me konsensus për statusin e vendit kandadit për Shqipërinë, ndërsa vendimi final do të jetë në dorën e liderëve të Bashkimit Europian të cilët mblidhen të premten në Bruksel.
Ky është një hap përpara në marrëdhëniet e Shqiperisë me BE. Duke reflektuar progresin e bërë nga Shqipëria në rrugën e integrimit europian dhe në implementimin e reformave të domosdoshme.
Vendimi i sotëm nënvizon se BE vazhdon të mbështesë në mënyre kronike, të vazhdueshme angazhimin e Shqipërisë për të arritur objektivat e saj.
Për Shqiperinë, vendimi i sotëm duhet të përkthehet në zbatimin me vendosmeri të të gjitha reformave dhe këto duhet të mbizotërojnë axhendën e saj.
“Shqiperia duhet ende të plotësojë dhe te intensifikojë prioritetet kyçe, në veçanti me fokus në reformen per administratën shtetërore, dhe reformën në gjyqësor,luftën kunder krmit të organizuar, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të theksuara edhe në mbledhjen e muajit dhjetor të Këshillit të Ministrave. Mandej, një dialog konstruktiv dhe i vazhdueshëm mbetet prioritet dhe thelbësor në konsolidimin dhe vazhdimin e reformave.
Statusi i vendit kandidat nuk do të thotë se BE do të nisë automatikisht proçesin e negociatave me Shqiperinë, që sigurisht është një hap domethenës në proçesin e integrimit, për të cilin për të qenë i suksesshëm nevojitet plotësimi i reformave kyçe.
Bashkë me vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria është njohur si një vend potencial për anëtaresim në BE që në vitin 2003.
Marrëveshja e Stabilizimit dhe Asociimit hyre në fuqi ne 1 prill 2009, në të njëjtin muaj, Shqipëria përmbushi edhe aplikimin e saj per tu bërë pjesë e BE.
Komisioni Europioan rekomandoi se Shqiperia duhet te marrë statusin e vendit kandidat në tetor të 2013. Komisioni rikonfirmoi rekomdandimet e saj në fillim të muajit qershor 2014, në raport progresin e Këshillit.
BE i thotë PO Shqipërisë, Fyle: Urime për statusin
Komisioneri për Zgjerimin e BE-së Stefan Fyle përcjell lajmin e mirë për Shqipërinë.
Fyle icili nëpërmjet një statusi në Twitter ka shkruar: Urime për statusin e kandidatit, miratuar nga Ministrat, njohje e përpjekjeve për reforma, nxitje për më shumë.
Shqipëria ka bindur të gjitha vendet e Bashkimit Europian madje edhe ato që kanë qenë skeptike për të votuar pro statusit të vendit kandidat.
Ndërkohë që më herët përpara se të fillonte mbledhja e Këshillit të Ministrave të BE janë shprehur në mbështetje të statusit për Shqipërinë.
Ora 10:00 Zyrtatë të Gjermanisë dhe të Danimarkës kanë shprehur mbështetje për statusin e Shqipërisë. Ndërsa Sekretari italian i Shtetit për Çështjet e Evropës, Sandro Gozi ka deklaruar se “Është thelbësore të miratohet statusi për Shqipërinë”.
Statusi kandidat nuk do të thotë se, Bashkimi Europian automatikisht do të nisë negociatat për anëtarësim në union me Shqipërinë. Ky proces (hapja e negociatave) është hap pasues i veçuar, i procesit të integrimit në BE. Për këtë hap nevojiten kushte shtesë.
Por, çfarë është në praktikë “statusi kandidat”?
E njohur si vend kandidat në BE ka shumë ndikime për Shqipërinë. Ky është një sinjal i rëndësishëm politik për Shqipërinë dhe qytetarët e saj, që tregon se vendi po ecën në fazën tjetër të procesit të integrimit evropian. Për nga perspektiva ekonomike, statusi kandidat do të inkurajojë investimet e huaja, dhe si rezultat do të çojë në krijimin e vendeve të punës.
Statusi i kandidatit, ngre në një nivel më të lartë marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së: Shqipëria tani do të marrë ftesa për mbledhje të Këshillit, të hapura për vendet kandidate. Qasja e saj dhe bashkëpunimi me agjencitë e BE-së do të jetë më e lehtë – për shembull pjesëmarrja e saj si vëzhguese në Agjencinë e të Drejtave Themelore të Njeriut.
Komisionet e përbashkëta midis Shqipërisë dhe Komitetit të Rajoneve, si dhe Komitetit Ekonomik dhe Social mund të ngrihen. Si vend kandidat, Shqipëria do të vazhdojë të përfitojë nga fondet e BE-së në kuadër të Instrumentit të Ndihmës së Para-Aderimit (IPA), në mënyrë që të kryejë reforma të gjithanshme dhe investime strategjike, dhe do të përfitojë nga pjesëmarrja në programet e BE-së.
Hapi i ardhshëm
Komisioni Europian do të vazhdojë të punojë nga afër me Shqipërinë për të mbështetur reformat e saj dhe për ta përgatitur për hapin e ardhshëm në procesin e integrimit, që është hapja e negociatave. Hapja e negociatave për anëtarësim në BE varet nga reforma konkrete dhe të gjata në Shqipëri. Për hapjen e negociatave, nevojitet marrëveshje nga të gjitha vendet anëtare të BE-së si në rastin e dhënies së statusit kandidat.
Shqipëria merr statusin, “Urime Albania” pushton rrjetet sociale
Pas marrjes së statusit të vendit kandidat të Shqipërisë, rrjetet sociale janë pushtuara nga urimet.
I pari që përcolli urimin ishte Stefan Fyle më pas rrjetet sociale janë pushtuar nga urimet për Shqipërinë.
VATERLOJA POLITIKE E TIRANËS
– Bosat e shtetit/
nga KOLEC TRABOINI/
Jemi kësisoj si në kohën e triumviratit të Jul Çezarit me një pushtet që shfaqet si një kurorë mbajtur në tre gozhda e ku gozhda e Saliut nuk ka gjasa të zhgulet në të gjallë të tij. Veç Zoti mund ta ndryshojë këtë raport. Por Zotit nuk i intereson politika e shqiptarëve dhe i lë gjërat të rrjedhin siç duan njerëzit. Përfundimisht mund të themi se shteti shqiptar është i përqendruar në tre shtylla Rama, Meta dhe Berisha (presidenti është inekzistent ndoshta jo plotësisht për fajin e tij), ku Meta qëndron në mes dhe është forca ekuilibruese e triumviratit të ri shqiptar prej të cilit kurrnjë të mirë nuk pret ky popull.
Kalkulimi për goditjen e Lazaratit është bërë në marrveshje të plotë me emisarët e BE dhe të Ambasadorit Arvizu. Sado të përpiqen ta mohojnë maja e aisbergut duket dhe pjesa e nënujshme fare lehtë përftyrohet. Dhjetë ditë më pare se të ndodhte ndërhyrja e shumëpërfolur, ministri i brëndshëm kishte një platformë tjetër, të një zgjidhje europiane, gjithëpërfshirëse, si është e mundur pra që po ky ministër bën një zgjidhje të një goditje rrufe që më shumë se stil europian të jep përshtypjen e një inkursioni hollivudian stil Rambo. Pra hezitimit të gjatë të qeverisë shqiptare për të ndërhyrë me trupa speciale, ju gjëndën pranë ndërkombëtarët për dy arsye. Arsyeja e parë ka të bëjë me fasadën, që të krijohet përshtypja se Qeveria shqiptare e ka gjëndjen nën kontroll dhe ësht ë në rrugë të mbarë. Pra një show për të kënaqur europianët të cilët e dinë mirë se Shqipëria nuk plotëson asnjë kusht të vërtetë për të qënë pjesë e integrimit europian, dhe përgjegjësia është së pari e politikës. Natyrisht politika duhej ndihmuar, duhej shpëtuar sepse refuzimi i tretë do ti të varroste politikën shqiptare përfundimisht dhe nuk mbetej veç të shiheshin aleanca lindore në segmentin Turqi Kinë, mirëpo kjo nuk u interesonte të dërguarve europianë. A nuk e shihni çfarë bën Europa për të tërhequr Sërbinë nga prëhëri rus? Tani në Beograd shkon dhe Toni Bler. Anipse Lazarati nuk ishte në asnjë nga 12 pikat e kushteve, papritur shqiptarët e politikës dhe emisarët e huaj e vunë si pikë të parë krejt e paqënë. Sepse ishte i vetmi kusht që mund ta realizonin dhe atë gjithësesi me vështirësi sepse u vunë 1000 policë kundër 15 antarëve të një bande të armatosur nga të cilët u arrestuan vetëm kush u dorëzua, të tjerët ikën në drejtim të paditur. Si ti përpinte dheu. Kjo tani shitet si sukses kur kurrfarë suksesi nuk është sepse kjo mund të bëhej pa patur nevojë të pushtohej ushtarakisht Lazarati dhe të turpërohej policia, megjithëse propoganda po e shet disfaten si lavdi.
Arsyeja e dytë ka të bëjë me Ambasadorin Arvizu i cili tashmë nuk e honeps Berishën, dhe me të drejtë sepse është brënda konceptit amerikan, kur je në pushtet je gjithçka, kur zbret nga pushteti je një qytetar i thjeshtë. Kështu do të thjeshtëzohet edhe Arvizu në Amerikë kur të lëshoj postin për një tjetër. Por Arvizu nuk mund të puqet me mendimin se ndërsa ai do të shkojë e do të thjeshtëzohet në SHBA, Berisha do të vazhdojë të jetë faktor dhe i përnatshëm në qëndër të vëmëndjen në Shqipëri. Por përtej ndjesive personale ndaj atij që e quajti “burrë shteti”, ka edhe pasigurinë se socialistët nuk do të dijnë të mbajnë pushtetin përballë një dinosauri politik si Berisha që manipulon gjithçka në këtë vend, ndaj jo më kot ia zgjatën mandatin që i ka skaduar si ambasador Aleksander Arvizut, për eleminimin politik përfundimtar të Berishës për ti lënë krah të lirë Lulzim Bashës. Për realizimin e kësaj ai mesaduket ka menduar për një sërë masash që duheshin marrë për ti dobësuar pushtetin politik Berishës. Ai e ka dëgjuar Ministrin e Brëndshëm Tahiri në intervistën televizive mbi zgjidhjen e problemit të Lazaratit në plan europian dhe ka mbetur i pakënaqur duke i sugjeruar zgjidhjen e problemit në stil amerikan. Dhe kështu të bindurit tanë e kanë pranuar goditjen me stil Rambo mbi Lazaratin. Por llogaritë nuk dolën siç u menduan me shkakun se ato 1000 policë shqiptarë, ca thonë edhe specialiste italianë ndërhyrjesh, nuk patën sukses me blicin e tyre sepse u frenuan nga 15 njerëz, kaçakë të armatosur, mercenarë fshatarë këta të bosave të droges, të cilët rezistuan në pesë ditë por nuk vranë njeri, ikën nga sytë këmbët në drejtim të paditur duke ua lëshuar fshatin policisë që hyri si triumfatore e lodhur e raskapitur deri në palcë. Ca thonë edhe e uritur. E për ti dhënë një gjallëri e publicitet aksionit nxorrën në foto dhe një vajzë të bukur, e dënjë për Mis Albania, me uniformën e policit dhe automatik në dorë. Tani në internet të rinjtë po çmënden pas kësaj fotografie që vërtetë është e admirueshme por gjithësesi policja e bukur nuk e përballon suksesin e betejës së pesë ditëve kuturisje, por propoganda është propogandë ajo do bëjë punën e saj sa të shuhet zhurmënaja e betejës e pjatave e pirunëve në Padam dhe beteja raskapitese në Lazarat.
Gjithësesi qëllimi politik u arrit, klanit të Berishës ju pre mbështetja financiare nga bastionet e Lazaratit dhe si e tillë ai tashmë financiarisht mbetët i dobët. Fakti se kryetari i fshatit Lazarat gjithnjë është gjëndur nëpër grevat e metingjet e PD tregon shumëçka për lidhjet e kësaj partie me republiken e kanabisit. Por megjithë se kjo zgjidhje me goditje të përqendruar policore është në interes të kryeministrit dhe të Ambasadorit që duan shmangjien e Sali Berishës nga skena politike, ose të paktën dobësimin e tij maksimal, kjo nuk i shkon për shtat politikës së LSI-s me Ilir Metën që e ka në shtrungë partinë e vet. Atij i intereson të vazhdojë aleancën me PS dhe Ramën por jo dhe aq sa këta të fundit të forcohen aq shumë sa të mos ja ndjejnë më nevojën LSI dhe Metës, aq më tepër ai nuk do që PS të jetë plotësisht e sigurtë se Metën tashmë e ka prapavijën e vet. Meta nuk është nga ata që rrin nga pas, ambicja e tij është të rrijë në krye. Meta gjithashtu dëshëron që aleati gjithmonë të jetë me frikën e ikjës së tij nga aleanca, ndaj nuk i intereson eleminimi i plotë e Berishës nga skena politika. Me Berishën e lidhin shumë gjëra që dihen e nuk kanë nevojë për koment. Berisha e shpëtoi Meten, gjyqi u kthye në një farsë dhe ja ku është edhe më lart në rolin kyç të politikës shqiptare, një nga tre burrat e shtetit me peshë më të madhe se vetë presidenti. Meta me mjeshtri gjeti rastin kur Berisha i nxehur përsëriti ato çfarë i kishin sjellë informatorët e vet nga darka që u hëngër ligsht në “Padam”, por që ishin mbajtur jashtë vëmëndjes së publikut. Pra përfitoi dhe e ndaloi Berishën në foltoren e Kuvendit, një sinjal ky besnikërie ndaj Ramës duke e siguruar se në kuvendin që drejtonte ai, Meta, nuk guxon njeri të prekë kryeministrin, por nga ana tjetër, Meta i frikësuar( nuk ka trima në politikë, ka vetëm dhelpra) se Berisha do ti priste të gjitha lidhjet me të e do ti përfliste gjyqin Meta-Prifti, deshi s’deshi bëri një deklaratë publike duke thënë se e kishte dobësi Saliun dhe do të kishte kënaqësi ta dëgjonte edhe më tej në kuvend. S’ka më bukur. Me një gur Meta vrau dy zogj, jep siguri tek Rama por jo siguri maksimale dhe kësisoj e zbut Berishën duke i dhënë të kuptojë se mirësinë që i ka bërë nuk ja harron e në ditë të vështira do ti gjëndej në krahë.
Jemi kësisoj si në kohën e triumviratit të Jul Çezarit me një pushtet që shfaqet si një kurorë mbajtur në tre gozhda e ku gozhda e Saliut nuk ka gjasa të zhgulet në të gjallë të tij. Veç Zoti mund ta ndryshojë këtë raport. Por Zotit nuk i intereson politika e shqiptarëve dhe i lë gjërat të rrjedhin siç duan njerëzit. Përfundimisht mund të themi se shteti shqiptar është i përqendruar në tre shtylla Rama, Meta dhe Berisha (presidenti është inekzistent ndoshta jo plotësisht për fajin e tij), ku Meta qëndron në mes dhe është forca ekuilibruese e triumviratit të ri shqiptar prej të cilit kurrnjë të mirë nuk pret ky popull. Pa daljen e Sali Berishës, Fatmir Mediut dhe grupimit ish qeveritar në gjyq dhe zvogëlimin e rolit të Metës në shkallët e pushtetit, nuk ka shpresë që Shqipëria të kthehet në normalitet. Por kjo mjerisht nuk ka asnjë gjasë të ndodhë me këto raporet e aleanca që janë krijuar, prandaj shqiptarët të mos jetojnë me iluzione kultesh por të kuptojnë se është koha për të nxjerrë në skenë forca e individ të një fryme të re e me energji pozitive në politikë që i tejkalojnë këto konspiracione që e kangrenzojnë shoqërinë shqiptare, që më shumë të kujtojnë klanet mafioze se sa politikën e shtetit të ligjit dhe të së drejtës.
23 qershor 2014
“Java e Çamërisë”, në Prishtinë e Tiranë
Deputeti Shpëtimi Idrizi në Prishtinë:“Ne po e ndjejmë nga këtu që kombi sot rreh njësoj, frymon njësoj”, tha ndër të tjera Idrizi./
Komuna e Prishtinës pati nderin që sot të nis Javën e Çamërisë, në 70 vjetorin e gjenocidit dhe diskriminimit të shqiptarëve të Çamërisë. Sivjet, për herë të parë, ky aktivitet filloi njëkohësisht në Prishtinë dhe Tiranë, duke synuar kështu vetëdijesimin e të gjithë kombit për çështjen çame.
Komuna e Prishtinës, së bashku me delegacionin nga Shqipëria të përbërë nga Shpëtim Idrizi, Aqif Rakipi, Tahir Muhedini, Omer Mamo dhe Dashamir Tahiri, bëri hapjen e kësaj jave.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se çështja çame mbetet një nga padrejtësitë më të mëdha jo vetëm në kombin shqiptar por në gjithë Evropën. “Duhet ta bëjmë vetëdijesimin e të gjithë kombit për këtë padrejtësi kaq të madhe që i është bërë shqiptarëve. Kam kënaqësinë që sot pritëm si pesë deputetë të Republikës së Shqipërisë, që ta shënojmë së bashku fillimin e kësaj jave, që të gjithë qytetarëve të Prishtinës e Kosovës t’ua kujtojmë këtë çështje aq të rëndësishme”, tha Ahmeti.
Ai shtoi që gjenocidi i 70-100 viteve më parë ka vazhduar edhe pas vitit 1944 kur janë dëbuar të gati të gjithë shqiptarët nga Çamëria por tash jemi më të fortë se kurrë në ngritjen e kësaj çështjeje. “Sheshet e Prishtinës sot janë të mbushur me flamuj kombëtar, si dhe me flamujt e simbolikës së kësaj jave, “Unë e dua Çamërinë”, shprehje kjo që e thotë çdo shqiptar sot”, tha në fund Ahmeti.
Deputeti nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, Shpëtim Idrizi falënderoi Kryetarin Ahmeti dhe përmes tij të gjithë qytetarët e Kosovës për organizimin e parë institucional në Prishtinës për shënimin e Javës së Çamërisë.
“Çamëria është pjesë shumë e rëndësishme e gjymtyrës së kombit shqiptar. Është 9.500 kilometra në katror, me histori e kulturë, e që ka pësuar një nga gjenocidet më të mëdha që njeh historia. Ky gjenocid ka filluar që nga lënia jashtë e trojeve shqiptare të Kosovës dhe Çamërisë, dhe ka njohur një valë shpërnguljes. Si valë e fundit është masakra e Luftës së Dytë Botërore, ku brenda një jave, 20% e popullsisë është vrarë është masakruar dhe pjesa tjetër është dëbuar drejt Shqipërisë së sotme”, shpjegoi deputeti Idrizi, duke shtuar se kjo javë jo vetëm se do të përkujtojë ata shqiptarë që dhanë jetën vetëm pse ishin shqiptarë, por mbi të gjitha do të tregojë që harta e kombit shqiptar duhet të plotësohet edhe me Kosovën edhe me Çamërinë.
“Ne po e ndjejmë nga këtu që kombi sot rreh njësoj, frymon njësoj”, tha ndër të tjera Idrizi.
ALUSH AGË LUMA,PUSHKË E NXEHTË NGA BICAJ E LUMËS
Shkruan:Eugen SHEHU/
Shirat dhe borërat e Lumës dikur janë qetsuar.Ato ja kan lënë vendin pranverës ku era e lirisë endej nëpër kullotat alpine dhe sytë e lumjanëve.Por stuhitë e luftërave s’janë qetsuar askurrë në Lumë.Veçanërisht në shekullin që lamë pas,Luma ka qënë simbol i qëndresës dhe i guximit të trevave veriore të shtetit amë shqiptar.Nëpër kullat lumjane gjalloi kurdoherë ideja e pavarsisë dhe kufijve etnike shqiptare.Ato vatra shqiptarizmi përcuallën nga generata në gjeneratë jo vetëm shpresën por edhe vendimet e marra aty,në devizën “Liri o Vdekje !”.Në një prej këtyre kullave të mënçura e trimërore të lumës,lindi,jetoi e luftoi deri në fund edhe Alush Aga,krenaria e Lumës.
U lind në vitin 1860,në fshtin Bicaj.Ishte djali i dytë që gëzonte kullën e Nuhri Agës.I pari,Shabani,në vitet e stuhishme 1878-1881,ishte zgjedhur përfaqsues ushtarak i Lidhjes Shqiptare të Prizërenit,për zonën e Lumës,duke u shëndrruar në krah të djathtë të Ymer Prizrenit,Mic Sokolit dhe atdhetarëve të tjerë,të shquar shqiptarë që parapanë rrezikun e coptimit të trojeve arbërore.Shaban Aga,do të priste me plot nderime në Bicaj edhe vetë ideatorin e lidhjes emblematike shqiptare,Abdyl Frashërin dhe Alushi,asaj kohe vetëm 15-16 vjeçar,do të ruante krejt jetën e vet në kujtesë,fjalën e mençur dhe trimërore të Frashëlliut të madh.Me shtypjen e egër që Porta e Lartë,i bëri Lidhjes Shqiptare të Prizrenit,familja e Nuhri Agës në Bicaj do të kallej disa herë përmes flakëve.Por,sërisht bijtë e Nuhri Agës,Shabani dhe Alushi do të ringrinin kullën përmes rënojave ashtu siç rilindëte zogu mitologjik feniksi,prej hirit të vet.Përballja e Alush Agës,20 vjeçar,me forcat osmane do të ishin mësimet e para që ai mori,më pas në ag të shekullit të njëzetë,kur në Lumë nisën të çelen dyert kulla-shkolla të shqiptarizmës,Alushi bëri ç’ishte e mundur të shkruante gjuhën e bukur shqipe,dhe jo vetëm kaq,ai do të mbetej kurdoherë në krahun e atyre burrave shqiptarë të cilët askurrë nuk e ndanë pushkën nga pena.Alush Aga,prashihte në ardhmërinë e kombit të vet,si faktor të rëndësishëm,sidomos paisjen e gjeneratave të reja me dije.
“Më 1903,në shtëpinë e Kamber Kasamit,Alush Aga ishte mes 18 nënshkruesve patriotë,të “Masbatas” së njohur ku i njoftohej Stambollit se Luma nuk njihte asnjë pushtet tjetër pos atij të përfaqsuesve të saj.Mu për këtë arsye u arrestua dhe u burgos në Prizren së bashku me Islam Spahinë,ndërkohë që të tjerët u internuan në Kastamoni.Lëvizjet e mëdha kombëtare,janë zgjeruar,kordinuar e mbështetur me ato krahinore për të mobilizuar masën e gjërë të popullit e për të realizuar programet e tyre.Në këtë kuptim nuk mund të kuptohet historia e Lumës pa pjesmarrjen direkt të Alush Lumës”.( Gazeta “55” – Tiranë , 16 janar 2003 ).
Në fillim të vitit 1908 atëherë kur për arsye që dihen,Turqit e Rinj bënë disa lëshime ndaj shqiptarëve,në bashkëpunim sidomos me Islam Spahinë,Alush Agë Luma,ngritën komitetin sipas modelit të klubit të fshehtë të Manastirit.Duke bashkëpunuar edhe me atdhetarë të tjerë dibranë,këta dy burra u përballën me elementë fanatik të regjimit osman,sidomos në rrafsh të alfabetit të gjuhës shqipe.Fjala e tyre zinte vend jo vetëm në kullat e Bicajve por edhe më tej,në Kolesjan, Ujmisht, Lusën,Golaj e deri në Gjakovë.Ngase dera e Alush Agës quhej “derë e madhe” në Bicaj nuk mungoi të shkonte dikur aty edhe nënprefekti turk,për t’i mbushur mendjen këtij burri se gërmat latine ishin të mallkuara prej kuranit.Alush Aga,pasi e kishte pritur mikun sipas zakonit,i pat thënë ; “Jo hej lum miku.Gjuhën e nanës s’ka kush të drejtë me e mallkue,kto janë fjalë zogjsh që i merr era !”.Ka qenë kjo ndër arsyet që kur binte fjala për Alush Agën,thoshin ; “Fjala e tij,peshon rëndë si guri”.E vërteta është se falë përpjekjeve të burrave të tillë si Alush Agë Luma,qoftë Kongresi i Manastirit (1908) qoftë i Dibrës (1909) arritën përmes mundimesh gjithfarë të çelin udhën e alfabetit të gjuhës shqipe me gërma latine,duke e radhitur popullin tonë në vargun e popujve që donin të bashkoheshin në krah të civilizimit botëror.Në vitet 1910-1911,Alush Agë Luma,në krye të rreth 120 burrave të Bicajve do të ishte në krah të burrave të tillë si Mic Sokoli,Bajram Daklani,Sulejman Vokshi, Islam Spahia etj,sa në Cerraleve aq edhe në Kaçanik,sa në Gjakovë aq edhe në Jerzerc.Në këto beteja që zgjatën dy vjet,pushka e trimit nga luma këndoi kurdoherë në duart e tij,për pavarsinë e trojeve etnike shqiptare,për ëndrrën shekullore jo vetëm të lumjanëve por krejt viseve arbërore që nga Preveza deri në Mitrovicë e Manastir.Në sfond të zhvillimeve ballkanike në vitet 1910-1911, këto beteja të zhvilluara sidomos në trevat veriore shqiptare,paracaktuan fatin e kombit tonë,drejt kuvendit madhorë të Vlorës,më 28 nëndorë 1912.Megjithatë,ndonëse shqiptarët bënë çfar ishte e mundur të fitonin pavarsinë e tyre,konjukturat ballkanike përgjithësisht lëviznin drejt interesave të Fuqive të Mëdha.Këto fuqi e kishin projektuar të ardhmen e Ballkanit në kuadër të zgjidhjeve sa më të favorshme për vete anipse fatet e kombeve të vegjël përplaseshin në fortunat e historisë. Kështu,interesat e Rusisë,sidomos pas perëndimit të perandorisë osmane,ishtin që sllavët të dilnin në Adriatik.I yshtur prej këtyre ideve pansllaviste që më 1844,Garashanini,në “Naçertanien” e tij famkeqe,midis të tjerave pat shkruar tekstualisht ; “Qeveria duhet të baj hapin e parë duke gjetur dhe emëruar një agjent tregëtar në Ulqin,i cili prej andej do t’i tregonte me gisht tregtarit serb se nga duhet të shkojë.Ky agjent duke hyrë në komunikim me tregtarët tanë të vendit,do të studionte në mënyrë të shëndoshë se si tregëtia jonë do të drejtohej atje me përfitim… Nga ky veprim do të pasonte që çmimi i prodhimeve serbe të eksportuara në Jug do të ngrihej në Veri,kurse çmimi i mallrave që sillen nga serbi nga veriu do të ulej nga konkurenca e mallrave të sjella nga Jugu.Thënë shkurt në këtë mënyrë serbi do të shiste më shtrenjtë e do të blinte më lirë.Edhe në pikpamje politike ky mjet do të kishte një rëndësi jo të vogël,sepse agjenti i ri serb do të gjendej midis popullatës serbe në Malin e Zi,ky rast do të përcillte një ndikim të madh të Serbisë në shqiptarët e Veriut.Këta janë pikërisht ata popuj që mbajnë çelsat e dyerve të Bosnjës,Hercegovinës dhe vetë detit Adriatik”.( “Vjetari Godishnjak “ XXIV / 88 – Prishtinë 1988 ).
Parë në dritën e këtij dokumenti del qartë se kush ishin në të vërtetë ideatorët dhe kasapët e Shqipërisë në vitin 1913.Për më tej po nëpërmjet këtij dokumenti,rrëfehet pse Serbia nuk u kënaq me coptimin që iu bë trevave etnike shqiptare,por kërkonte ende të pushtonte territore të tjera.Bicaj,ndonëse si një qendër e nënprefekturës i mbeti shtetit amë shqiptar,do të ishte sidoqoftë vija e parë e kufirit të ri politik.Burrat e saj,veçanërisht në vitet 1913-1914 do të jetonin sërisht përmes zhurmave të betejave,tymit e flakëve,tanimë të sulmuar jo më nga ushtritë osmane por nga shovenistët sllav,çetat e burrave të Bicajve edhe kësaj radhe të udhëhequr prej Alush Agë Lumës,mundi të përballej me dhjetra herë kundër ushtrisë së rregullt serbe,duke i shkaktuar asaj humbje të mëdha,si në njerëz ashtu edhe materiale luftarake.Veçanërisht do të përcillej i pavdekshëm heroizmi i luftëtarëve të Artit Ushtarak Popullorë,me guximin e shqiptarëve, shkruan një prej epopeve më të lavdishme të atyre trevave.
Dihet tanimë se gjatë viteve të luftës së Parë Botërore 1914-1918,Shqipëria u shëndrrua në një shesh të ballafaqimit të interesave të ndryshëme të Fuqive të Mëdha,ashtu edhe të monarkive ballkanike.Veçanërisht e dukshme në trevat veriore të shtetit amë,ishte “përkujdesja” austrohungareze,perandori e cila i frikësohej intervenimit të hapur serb në shqipëri.Duke dashur të kishte gjëndjen nën kontroll të plotë,Austro-Hungaria dërgoi formacione të xhandarmërisë së saj,deri në Lumë,por u duk se këtu qe gabuar.Lumjanët edhe kësaj radhe treguan se nuk mund të jetonin asesi të komanduar prej të huajve ndaj ngritën krye dhe kërkuan të ruanin vetë qetësinë dhe kufijtë e tyre.Alush Agë Luma shkoi edhe më tej,duke urdhëruar formacionet e rregullta austrohungareze të largoheshin një orë e më parë nga nënprefektura e Bicajt.Ka qenë kjo arsyeja që në tetorin e vitit 1916,Alush Agë Lumën së bashku me të birin e tij,Rexhepin e arrestojnë dhe rreth dy vjet burri i Lumës provon jetën e vështirë të burgjeve.Me krijimin e qeverisë shqiptare dalë prej Kongresit të Lushnjës në janar të vitit 1920,Alush Agë Luma do të virej plotësisht në mbështetje të kësaj qeverisjeje kombëtare anipse pat shkuar decenie të tëra lufte e përpjekje.Këto trauma nuk e patën friguar askurrë trimin e Lumës,përkundrazi e patën rritur ate famën e tij si ortek i borës së maleve e bjeshkëve shqiptare.Këtu,burri i Lumës do të niste bashkëpunimin me Ministrin e Brendshëm të asaj kohe Ahmet Zogu,sidomos për ruajtjen e kufive politikë shqiptarë.Por nuk do të mungonte kontributi i Alush Agës,as kundra tentativës pushtuese shoveniste serbo-sllave të Dibrës në vitin 1920.Së bashku me dy djemtë e tij,Gafurin dhe Rexhepin duke qenë kurdoherë në krye të çetës së luftëtarëve të Bicajve,Alush Agë Luma për dy javë rresht,do të merrte pjesë krah forcave të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare,ndaj forcave të rregullta të ushtrisë pushtuese jugosllave.Që nga ky moment e deri në çastin e mbramë,midis burrave të Lumës,Alush Aga dhe atij të Matit,Ahmet Zogu do të lidhej miqësia e përjetshme.Është njohur fakti që kryeministri Ahmet Zogu,në vitin 1922-1923 sidomos për prijësit e çetave në kufijtë e Shqipërisë dha disa grada,madje u paguante rrogë këtyre pasi roja kufitare shqiptare nuk ishte në gjendje të mbronte krejt kufijtë e Shqipërisë.Në këtë kuadër Alush Agë Luma mori gradën e kapitenit,me ç’rast do të ishte i pranishëm në çdo luftim që forcat territoriale ndërmerrnin sa kundër serbëve aq edhe kundër malazezëve.Në çdo moment burri i Lumës ka bërë kujdes jo vetëm të vigjëllonte përgjatë kufirit të Kukësit,por sidomos t’u vinte në ndihmë vëllezërve të tij të gjakut,të cilët fati i zi i detyroi të jetonin nën dhunën pushtuese makabre shoveniste serbosllave.Janë me dhjetra rastet kur Alush Aga dilte vetë në kufij,me djemtë e tij dhe priste atdhetarë nga kosova, të cilët ndiqeshin nga egërisrat sllave.I mbante këta me javë e muaj të tërë në shtpeinë e vet dhe pasi sigurohej se kthimi i tyre në Kosovë ishte vdekje e sigurtë,ndërhynte tek miku i tij,kryeministri shqiptar Ahmet Zogu për t’i sistemuar familjarisht këta trima të Kosovës martire.
Në qershorin e vitit 1924,ndërsa Fan Noli kryente puçin ushtarak për marrjen e pushtetit,Alush Agë Luma,parandjeu se qëndrimi i tij në Bicaj mund të ishte shkak për gjakderdhje midis shqiptarësh.Për këtë arsye,së bashku me djemtë e tij dhe dhjetra lumjanë të tjerë,largohen nga Shqipëria së bashku me Ahmet Zogun.Vetëm dy muaj pas marrjes së pushtetit,më 21 gusht 1924,qeveria bollshevike”demokratike” e Fan Nolit e cila pat filluar eleminimin e kundërshtarëve politik sipas modeleve të revollucionit bollshevik të vitit 1917 në Rusi,urdhëron djegjen e shtëpisë së Alush Agë Lumës dhe “internimin e menjëhershëm të pjestarëve të familjes së tij”.(Arkivi Qëndror i shtetit.Fondi “Revulucioni i Qershorit”urdhër data 21 gusht.Ministri Brendshëm)
Atë kullë dy katëshe në Bicaj të cilët e patën djegur dy herë turqit më pas serbët,tani erdhi radha t’i vinin zjarrin “demokratët” e Fan Nolit.
Në lëvizjen e dhjetorit të vitit 1924,ajo që me të drejtë u quajt “Triumf i Legalitetit”,Alush Agë Luma,morri një barrë të rëndë mbi supe.Në bashkëpunim të ngushtë me Hysni Demën dhe Muharrem Bajrakatarin,burri i lumës në krye të qindra atdhetarëve të tjerë u përgadit të sulmonte kufirin politik shqiptar në drejtim të Kukësit,për t’i çelur udhë rikthimit në atdhe të Ahmet Zogut.Megjithatë,luftimet këtu u bënë të rrallë e pothuaj fragmentare,pasi oficerët e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare,duke parë lëvizjet e gabuara politike të Fan Nolit,sidomos në rrafsh të problemit shqiptar,shpejtuan të hapin kufijtë duke dashur të jenë nën urdhërat e burrit të Matit.Në shkurt të vitit 1925,Alush Agë Luma emërohet nga shteti shqiptar si nënprefekt i trevës së Lumës,me ç’rast do të përballej me mijëra halle që kalonte Shqipëria e varfër dhe e prapambetur e asaj kohe.Në këtë detyrë,në ditët e para,shumë prej lumjanëve,të cilët patën qenë kundërshtarë të vendosur të Ahmet Zogut,menduan se tani do të dergjeshin burgjeve siç bëri Fan Noli me kundërshtarët e tij.Por ndodhi krejt e kundërta.Pikërisht me këto kundërshtarë,Alush Agë Luma u lidh akoma më shumë dhe me mendimin dhe fjalën e matur,mundi që shumë prej tyre t’i kthente në miq të përjetshëm të Ahmet Zogut.Ndërkaq Alush Agë Luma nuk mund të ndahej lehtë nga ëndra e kahreshme e tij për arësimimin e lumjanëve deri në fshatrat më të largëta.Për këtë,duke patur edhe ndihmën e atdhetarëve të tjerë të Lumës,në verën e vitit 1925,nis puna nga rindërtimi i një kulle, e cila u shndrrua në një shkollë tejet efektive në Bicaj.Në ditët e fundit të shtatorit 1925,në bangat e kësaj shkolle do të uleshin rreth 20 nxënës,ndërsa mësuesit e saj të ardhur deri nga viset e Shqipërisë së Mesme,do të ishin miqtë e parë të kullës së Alush Agës.Lidhur me këtë,në Ministrinë e Arësimit Shqipatr në arkivin e vitit 1925,gjendet edhe dokumenti i mëparshëm;”Kemi nderin t’ju njoftojmë se inspektoria e arësimit të prefekturës së Kosovës,me shkresën e saj nr.96,më 29-10-1925,na njofton se me rastin e të ngrehurit të ndërtesave shkollore të atij qarku,pleqësia e katundit Bicaj e veçanërisht Alush Agë Luma,ka kontribuar për ndërtimin e shkollave.Lutemi prandaj që me anën e prefekturës së Kosovës të dërgoni nga ana e juaj letër lavdërimi e mirënjohjeje për sjelljen e tij të lavdishme”.Askurrë në funksionin e tij si nënprefekt i Lumës,apo kapiten i xhandarmërisë shqiptare,Alush Agë Luma,nuk tregoi forcën e pushtetit apo të armëve.Përkundrazi ishte fjala e tij vepra më mirëbërëse e cila e udhëhiqte në çdo veprim.Kur Mbreti Zog në vitin 1929 bëri një amnisti për kundërshtarët e vet politik,Gjyqi i naltë në Tiranë u përpoq të mbante në burg disa kaçakë të Lumës,të cilët e patën penguar në punën si nënprefekt edhe Alush Agën.Familjarët e këtyre kaçakëve një natë bujtën në kullën e Alushit në Bicaj,duke e pyetur se si do të veprohej me fatin e të afërmve të tyre,Alushi atë natë nuk dha ndonjë përgjigje por të nesërmen mori udhën për në Tiranë,drejt tek Mbreti.Vetëm tri ditë më pas,kaçakët lumjanë lanë qelitë e Tiranës dhe duke shkuar pranë vatrave familjare falenderuan në heshtje Alush Agën,i cili madje gëzonte edhe respekt të madh dhe në rrethinat e Tetovës dhe Gostivarit,ku ai kishte lënë jo vetëm gjurmë luftërash e bashkëpunimi me kaçakët e këtyre viseve shqiptare por kishte edhe një motër të martuar në Tetovë. Madje ky respekt lidhej edhe me atë se,Alush Agë Luma,pat ndihmuar me bukë kur kjo mungonte,u pat çelur shkolla kur ato nuk egzistonin,u pat falur gjakmarrjen kur ato rrëmbenin jetë të pafajshëm,i pat nxjerë nga qelitë e burgut kur qeveria donte t’i mbante akoma brenda.
Në fillim të viteve 30-të të shekullit që lamë pas,vuajtjet e viteve do ta lodhnin së tepërmi burrin e Lumës.Jeta e tij më së shumti prej kaçaku e pat lodhur dhe mosha e thyer bënë që të tërhiqej në vatrën e ngrohtë familjare.Kur Mbreti Zog mori vesh se Alush Agë Luma ndodhej i sëmurë dha urdhër ta dërgonin menjëherë në Tiranë dhe aty u kujdes për trimin.Por mosha bënte të sajën.Më 25 dhjetor 1934,ai mbylli sytë.”Më 26 dhjetor në audiencë,mbreti ngushëlloi nipin dhe dy djemtë e tij për vdekjen e mikut,bashkëpuntorit dhe besnikut të veçantë.Ai u tha;”Mu më ka vdekur Baba Alush!”.( Gazeta “55” – Tiranë më 16 janar 2003 ).
Në varrimin e burrit,në Bicaj e përcillnin për në banesën e fundit me mijëra lumjanë, prizrenas, gjakovarë,dibranë,gostivaras,tetovarë.Alush Aga ndahej nga jeta për t’u futur në tregimet trimërore të veriut shqiptar,ata të cilat Mbi të gjitha vënë Kombin dhe Atdheun.
Bern-Zvicër