• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Maskat dhe mbulesat për fytyrë-Si na mbrojnë?

July 27, 2020 by dgreca

shkruan: Dr. Pashko R. Camaj, Doktor i Shkencave të Shëndetit Publik **–

Derisa koronavirusi vazhdon të përhapet në të gjithë globin, njëra nga pyetjet kryesore, në luftën për ta ngadalësuar atë mbetet: a na mbrojnë maskat? Përgjigja e thjeshtë është, po, maskat në fytyrë në kombinim me masa të tjera parandaluese, siç është larja e shpeshtë e duarve dhe distanca fizike, ndihmojnë në ngadalësimin e përhapjes së virusit dhe të na mbajnë të shëndetshëm. Shpesh mund të dëgjojmë se maskat, ose mbulesat e fytyrës, nuk ju mbrojnë, dhe se ato mbrojnë njerëzit e tjerë nga mikrobet tuaja. Kjo është e vërtetë, por ne gjithashtu e dimë se maskat mund t’ju mbrojnë nga viruset që përndryshe mund të jenë në ajrin rreth nesh. Pra, këtu janë disa informacione, shpresoj të dobishme, për mbrojtjen që ju bëjnë maskat dhe mbulesat.

Një pyetje e qartë është, pse nuk u rekomanduan maskat në fytyrë nga zyrtarët e shëndetit publik në fillm in e pandemisë? Ekzistojnë disa faktorë që u përfshinë në këtë vendim: së pari, shqetësimi mbi furnizimin e kufizuar të maskave kirurgjikale dhe respiratorëve N95, që duhej të ruhen për punonjësit e kujdesit shëndetësor. Një faktor tjetër ishte që nga ana kulturore, nga se ne Shtetet e Bashkuara (Sh.B.A.) nuk ishin me të vërtetë e përgatitur për të përdorur maska, ndryshe nga disa vende në Azi, ku praktika është më e zakonshme. Por faktori më i rëndësishëm ishte se në atë kohë, ekspertët e shëndetit publik nuk e dinin plotësisht se në çfarë mase njerëzit me Covid-19 mund të përhapnin virusin, përpara se të shfaqeshin simptomat e infeksionit. Infeksionet virale, si gripi sezonal, përhapen nga njerëzit simptomatikë. Në ndryshim nga kjo, në rastin e Covid-19, virusi mund të përhapet nga njerëzit në fazat e hershme të infeksionit, kur nuk kanë simptoma. Këto zbulime i shtynë grupet e shëndetit publik që të bënin një maskë për fytyrën. Organizata Botërore e Shëndetit dhe Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve te Sh.B.A-së (CDC) tani, në rekomandimet e veta, përfshin përdorimin e maskave të fytyrës, për ngadalësimin e përhapjes së virusit.

Pra, maskat dhe mbulesat e fytyrës janë bërë një pjesë e jetës sonë të përditshme. Ato janë thelbësore dhe njerëzit duhet t’i perdorin kur të dalin në vënde publike, si në pazar, ose kur të shkojnë në aktivitete shoqërore. Maskat i shohim në forma dhe ngjyra të ndryshme. Por në përgjithësi, ekzistojnë dy lloje mbulesash mbrojtëse: maska të nivelit mjekësor dhe mbulesa jo-fromale apo ‘shtëpiake’ të fytyrës. Maska të nivelit mjekësor përfshijnë maska kirurgjike dhe respiratorë N95. Ato kirurgjike, për fytyrën përdoren për të bllokuar grimcat e mëdha dhe pikat qe qitën gjatë frymëmarrjes (në ajër kur dikush kollitet ose teshtit). Maska prej rrobash nuk janë të njëjta me maskat kirurgjikale ose maskat e frymëmarrjes N95, të cilat përdoren nga punonjësit e mjekësisë në rrezik të lartë për t’u ekspozuar në koronavirus. Ata mund të mos ju pengojnë të thithni të gjitha grimcat që mbajnë koronavirusin. Por kjo nuk do të thotë se nuk ia vlen të veshësh një.

Si na mbrojnë maskat: Si e dime, koronavirusi është përhapur kryesisht përmes pikave që dalin nga goja, ose hunda e njerëzve kur kolliten, teshtijnë ose flasin. Maskat e thjeshta prej rrobave veprojnë si një pengesë fizike për të mbajtur pika të mëdha nga spërkatja në ajër, ku dikush tjetër mund t’i marrë frymë brenda dhe të infektohet. Maska e fytyrës zvogëlon sasinë e virusit të cilit i ekspozoheni. Nëse jeni mjaft i pafat për të hasur një person infektiv, perdorimi i çdo lloj mbulese të fytyrës do të zvogëlojë sasinë e virusit që mund të thithni. Në toksikologji, ne kemi një thënjë, që “sasisja dhe koha” përcaktojnë toksicitetin. Kjo do të thotë, sa prej sa, dhe për sa kohë jemi të ekspozuar ndaj një agjenti të dëmshëm. Siç rezulton, kjo është shumë e rëndësishme. Pra, marrja e një sasie të vogël të virusit, dhe per nje kohe te shkurtër, mund dhe të mos shkaktojë sëmundje ose infeksion, por dhe nese shkaktohen, efektet mund të janë shumë më të lehta. Ndoshta, kjo është arsye kyçe që disa të infektuar pësojnë simptoma të buta, ose dhe aspak simptome. Por thithja e një vëllimi të madh të grimcave qe permbajne viruse, mund të rezultojë në sëmundje serioze ose dhe vdekje. Ne, po ashtu e dimë se edhe mosha e përgjithshme dhe gjendja shëndetësore e personit të ekspozuar ndaj virusit, janë faktorë përcaktues në rezultatin e sëmundjes. Të moshuarit dhe ata në gjëndje të dobësuar shëndetësore janë goditur më rëndë nga ky infeksion.

Në mbyllje, në kombinim me metoda të tjera të parandalimit të virusit, si higjiena e mirë dhe distanca fizike, mbulesat për fytyrën si maskat kirurgjikale të fytyrës, respiratorët N95 dhe madje edhe mbulesat e fytyrës të bëra në shtëpi, mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut të përhapjes së virusit, ose infektimit, dhe mbajtjen tuaj të shëndetshme. Prandaj, ju lutem, vazhdoni t’i praktikoni këto!

** Nënkryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës -VATRA

Filed Under: Emigracion Tagged With: dr. Pashko Camaj, Maskat, mbulesat e fytyres

LAZER STANI PER DIELLIN: KOLIQI DHE CAMAJ, MAJA TË LETËRSISË SHQIPE

July 27, 2020 by dgreca

Shkrimtari Lazër Stani komenton ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, debatin mbi figurën e Martin Camajt dhe Ernest Koliqit ku shprehet se dokumentet dhe dosjet e përpiluara nga sigurimi i shtetit, ky aparat monstruoz dhe kriminal, nuk mund të trajtohen si dokumente historike. Sigurimit nuk i ka interesuar kurrë e vërteta, po vetëm goditja, eleminimi, asgjesimi e diskreditimi i atyre që ai i konsideronte si kundërshtarë politikë të regjimit. Me Lazër Stanin bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA. 

BALTË MBI ERNEST KOLIQIN DHE MARTIN CAMAJN. PSE PIKËRISHT SOT KY DEBAT?

Nuk mund të them se është debat. Në këtë rast nuk ke se për çfarë të debatosh. Në këtë rast vetëm mund të refuzosh me përbuzje, riciklimin e akuzave të hartuara nga Sigurimi i Shtetit Komunist që synonte të denigrojë dhe të defaktorizojë dy prej personaliteteve kulturore më të rëndësishëm shqiptarë në shekullin e shkuar. Eshtë një praktikë e njohur kjo e përdorur nga shërbimet sekrete Lindore, ndaj personaliteteve kulturore disidentë, që nuk pajtoheshin me regjimet e dhunshme të instaluara në këto vende. Vlerësimi për Ernest Koliqin, Martin Camajn, por edhe Arshi Pipën, Petro Markon e ndonjë shkrimtar tjetër nuk mund të bëhet duke përdorur trillimet e Sigurimit të Shtetit ndaj tyre. Vepra e tyre letrare është dëshmia më e mirë e personalitetit të tyre letrar të padiskutueshëm, por edhe dëshmi e atdhedashurisë, e lidhjes se tyre shpirtërore me kombin dhe gjuhën shqipe. Joseph Brodsky shkruan se “për shkrimtarin ekziston vetëm një lloj patriotizmi, qendrimi i tij ndaj gjuhës.” Nëse i shohim në këtë kontekst, unë nuk di patriotë më të mëdhenj se Koliqin dhe Camajn. Të dy kanë shkruar një shqipe të mrekullueshme. Nëse e lexon krijimtarinë e këtyre dy shkrimtarëve, gjen një lidhje shpirtërore të fuqishme me gjuhën, arketipin, shpirtin dhe identitetin shqiptar, të pandotur nga rrjedhat e historisë. Vetëm një njeri që e do shumë vendin e vet, gjuhën e vet, kombin e vet, mund të shkruajë një letërsi të tillë. Në Shqipëri nuk kemi shumë gjëra për të cilat mund të krenohesh, por emrat e këtyre dy shkrimtarëve, gjithmonë më kanë bërë të ndjehem krenar për vendlindjen time, vendin tim. 

PSE SULMOHEN SHKRIMTARËT KUNDËRSHTARË TË REGJIMIT? PO ATA QË I SHËRBYEN REGJIMIT KOMUNIST?

Në librin tim të fundit “”Rugë pa krye” në njërën nga esetë kam shkruar ndër të tjera: “Dosjet e policisë sekrete, dosjet e sigurimit të shtetit patën tmerruar njerëzit për dekada me radhë. Njeriu në këto dosje gjymtohej, shtrembërohej, tjetërsohej, ngarkohej me një mijë e një të zeza, faje e krime të pabëra kurrë, deri sa një ditë ky njeri i dosjes e çonte njeriun e vërtetë në bankën e të akuzuarve, e shndërronte në viktimë të ndëshkimeve dhe dënimeve të padrejta”. Pikërisht kjo ka ndodhur, dosjet e përpiluara nga Sigurimi i Shtetit kërkojnë të çojnë edhe tani pas tridhjetë vjetësh, në bankën e të akuzuarve dy prej personaliteteve më të shquar të kulturës shqiptare, dy maja të ndritshme të letrave shqipe. Duket se “studimi” i prezantuar me dokumente të manipuluar dhe raporte të shkruara nga Sigurimi” është vetëm vazhdim i punës së nisur shumë vite më parë për të goditur këto personalitete, që me emrin dhe veprën e tyre i bënin hije shkëlqimit të rremë të diktaturës. Unë mendoj se dokumentet dhe dosjet e përpiluara nga Sigurimi i Shtetit, ky aparat monstruoz dhe kriminal, nuk mund të merren si dokumente historike. Sigurimit nuk i ka interesuar kurrë e vërteta, po vetëm goditja, eleminimi, asgjesimi e diskreditimi i atyre që ai i konsideronte si kundërshtarë politikë të regjimit. Dosjet e përpiluara prej tij janë të mbushura me shpifje, intriga, shtrembërime, falsifikime e manipulime të së vërtetës. Ato dosje vetëm se dëshmojnë se sa kriminal, monstruoz dhe antinjerëzor ishte regjimi në të cilin kemi jetuar; një ferr për njeriun dhe një parajsë për të ligun, kriminelin, të pashpirtin, intrigantin, manipulatorin, gjithfarë lloj monstrash që për fat të keq toka jonë i ka prodhuar me shumicë. 

ÇFARË PËRFAQËSOJNË CAMAJ E KOLIQI NË LETERSINË E KULTURËN SHQIPTARE?

Koliqi dhe Camaj janë individualitete krejt të veçantë të letrave shqipe, vijnë si zë autentik i shpirtit shqiptar, të pandotur e të papërçudnuar nga masakra që iu bë kulturës shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit të njëzet. Eshtë kjo arsyeja ndoshta që ata urrehen nga bartësit ende aktivë të ideologjisë së diktaturës.

A E DËMTON SHOQËRINË DHE SHKENCËN KJO HAPJE ARKIVASH NGA NJERËZ JO KOMPETENTË?

Shoqërinë e dëmton sigurisht. Akte të tilla poshtëruese i bëjnë njerëzit të demotivohen, të ndjehen të zhgënjyer në vendin e tyre. A këta jemi ne? Nëse jemi kështu, e meritojmë këtë fat që kemi, ndaj hajt të ikim nga sytë këmbët, të shpëtojë kush mund të shpëtojë, në mos veten, të paktën fëmijët. Ndërsa për shkencën është vështirë të flitet. Ajo qëndron përtej këtyre banaliteteve.

ÇDO TË THOTË TË SULMOHEN MITET LETRARE TË NJË KOMBI?

Historia jonë është e mbushur me barbarizma të tilla. Eshtë përçmuar letërsia e vjetër shqipe dhe krijuesit e saj, autorët e Rilindjes, Faik Konica dhe Gjergj Fishta, At Anton Arapi dhe Ernest Koliqi e shumë e shumë shkrimtarë të tjerë. Komunizmi si filozofi në ADN-në e vet ka urrejtjen, sepse është i mbështetur mbi urrejtjen klasore dhe konfliktin që lind midis klasave të një shoqërie për shkak të kësaj urrejtjeje. Kjo ka sjellë shumë shkatërrime në vendin tonë, Shqipërinë. Dhe që për fat të keq është ende e pranishme, si sindromë, si lëngatë, që bren vlerat dhe virtutet e kombit. Një komb matet me njerëzit e tij të shquar, shkruante Ernesto Sabato. Nëse ne si komb i asgjesojmë njerëzit tanë më të shquar, e në mes tyre edhe Koliqin e Camajn, atëherë me çfarë do të matemi, me partizanin e vogël Velo? Megjithatë, në fund dua të shtoj se letërsia e mirë është superiore, është e paasgjesueshme. Të tillë janë edhe Koliqi e Camaj si autorë të një letërsie të tillë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Koliqi-Cama-Maja e letersise, lazer Stani, Sokol Paja

NE SOFREN POETIKE TE DIELLIT-BAJAME HOXHA – ÇELIKU

July 27, 2020 by dgreca

DASHURIA/

Dot më s’do takohemi, sa më mungon ngushëllimi,     

Timbri yt i ëmbël mungon s’kam më lot gëzimi.

Ëndrrën, flakën e ndezur, ndjenjat s’i mori dot era,

Do t’më shkrijnë ajsbergun kur të vijë pranvera. 

Ah, kjo dashuri që asgjë s’e tret tani sa shndërrohet,

Nëpër pritje të gjata në dhimbje e lëngatë!

E ndjej shpirtin tim të thyet, të griset të pendohet,

Jo, asnjëherë s’gabuam e s’ramë në mëkat!

Dielli kur fshihet reve, rrufeve kur zbret ngatërruar,

Rrufeshëm më ndez shpresën eh, ditën e lënduar!

Mos vallë është shenjti që zbret ylberit ngazëlluar?

Mos vallë je ti, ai yll që po më ndrin vezulluar? 

E di, sonte s’do mbyll sy, do bëj me qindra pyetje,

Nxitur nga e papërsëritshmja ndjenja qiellore.

Atij buzagazit tënd të dëlirë do t’i hap çdo dritore.

Që të më josh luhatjen e brishtë shpirtërore.

Thellësisht më mungon e s’do takohemi përjetësisht,

Ky shpirt si duron, më thuaj, kam shumë frikë!

Orët e ftohta, nga dashuria që më përthith tërësisht,

Ngrohen, digjen, pastaj pres agimin t’më ndrit! 

Ah, sot

Sot nuk i shkula sytë nga gjelbërimi

I fushave ngazëlluese të vendit tim.

Sa dukej malli, vuajtja dhe pikëllimi, 

I viteve ku s’ndihej gëzimi im!

Të gjitha vuajtjet, kujtimet janë shtjellë,

Lëndinave, pranverave të praruara.

Rinia faqendezur paska humbur thellë,

Tek vitet tona të dashuruara!

E ndjeva me zemër pasionin përsëri,

Ah, sa  hyjnor shpërthimi rinisë!

Kthjellë e shoh qiellin, yjet po ndrinë,

Zot im, dhuroji paqe vendit tim!

FILIZAT E DASHIRISË

Të adhurova marrëzisht

Përmes belbëzimeve,

Përmes pasionit tënd të furishëm.

Dhe të dashurova fuqishëm.

Por, s’vonoi erdhën shirat me ujë të tërbuar

Përtej çdo caku,

Përtej çdo prove,

Përtej çdo dhimbje.

E megjithatë,

Filizat e dashurisë 

Lulëzuan ndër ne,

Po me atë forcë,

Po me atë pasion,

Po me atë siguri.

Lulëzuan filizat 

Përjetësisht,

Lulëzuan

Tek të dy!

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: BAJAME HOXHA - ÇELIKU, cikel poetik, dashuria

SHUHET ARBËRESHI REGIS PHILBIN – LEGJENDA E TELEVIZIONIT AMERIKAN

July 26, 2020 by dgreca

Nga Mal BERISHA-

Regis Philbin, një legjendë e televizionit amerikan, ka ndërruar jetë dy ditë më parë. Emri i tij është shumë i njohur, jo vetëm në televizionin amerikan por edhe në botë, pasi karriera e tij e gjatë përbën një shkollë më vete për të gjithë televizionet e vendeve demokratike, perëndimore.

Vdekja e tij, natyrshëm ka prekur ndjenjat e miliona fansave të tij, anë e mbanë  botës. Për ne shqiptarët emri i tij ka një rëndësi tejet të veçantë. Ai është i biri i një nëne arbëreshe nga fshati Greci i Italisë, e cila quhej Filomena Boscia dhe ishte një emigrante italiane nga Campania. Përkatësinë e tij arbëreshe nga e ëma ai e ka deklaruar shumë herë në televizionin amerikan. Ai e vuri emrin e tij në median amerikane në vitin 1999, kur shqiptarëve nga të gjitha trojet tona arbnore iu bashkuan edhe arbëreshët e Italisë, sidomos ata në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të ndihmuar çlirimin e Kosovës. Regis Philbin në atë kohë, demonstroi mbështetjen për Kosovën pasi e dinte mirë se emri i tij i madh ndikonte tek opinioni amerikan. Në një nga emisionet e tij të asaj kohe, në një intervistë me kompozitoren Kara DioGuardi, ai deklaroi se ishte lindur nga një nënë arbëreshe madje shqiptoi edhe fjalët shqipe që ia kishte mësuar e ëma në fëmijëri.

Ky personalitet i madh amerikan me gjak arbëresh e ka një degë të rrënjeve të tij nga fshati arbëresh Greci. Ai fshat është i njohur për bashkësinë arbëreshe si dhe për figurat që ka nxjerrë. Ndër to shquhen ish Kongresmeni amerikan, Joseph DioGuardi, i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për çështjen shqiptare në Shtetet e Bashkuara si dhe e bija, Kara DioGuardi, një kompozitore bashkëkohore shumë e njohur në atë vend. Më parë nga ai fshat kishte dalë edhe Leonardo De Martino. 

Regis  Philbin ka lindur më 25 Gusht 1931 në New York dhe është një ndër personalitetet më të shquara të medias amerikane. Ai ishte aktor, këngëtar, mjeshtër i bisedave dhe shfaqjeve televizive. 

Philbin  njihet si punëtori më i madh i show biznesit në Amerikë dhe mban edhe rekordin e Rregjistrimeve të Gines Botërore, si njeriu që ka kaluar më shumë kohë përpara kamerave televizive në transmetim të drejpërdrejtë në historinë e televizionit. Deri në vitin 2010 ai kishte qëndruar 16100 orë në transmetim.

Philbin ka studjuar në Universitetin Notre Dame dhe ka shërbyer në ushtrinë amerikane. Ai ka filluar të shfaqet në televizionin amerikan në vitin 1950 në programin “Show i Natës Vonë”. Pasi provoi, eksperimentoi dhe performoi një numër programesh, të gjitha më të shikuarat në Amerikë, ai erdhi tek emisioni i drejpërdrejtë “Regis & Kathie” dhe më pas “Regis & Kelly”. Ai ka drejtuar versionin amerikan të emisionit: “Kush dëshiron të bëhet milioner?”,  “Fjalë-kalimi – një milion dollarësh” dhe sezonin e parë të emisionit “America Got Talent”.  

Priit Vesilind, një ndër autorët më të njohur të revistës “The National Geographic Magazine”, e ka vizituar Grecin dhe i ka kushtuar një artikull të posaçëm historisë së atij fshati në atë revistë, në vitin 2000. Ai  tregon edhe se si është ruajtur tradita gjuhësore dhe kombëtare shqiptare aty. Ai shënon se ka zona të tëra në  Sicili, Kalabri, Kampania dhe Puglia që banohen nga arbëreshët. Gjatë shekujve, thotë ai, arbëreshët kontribuan në jetën italiane me një Papë, tre kardinalë si dhe kryeministrin e burreshtetasin Francesco Crispi. Ata e ruajtën kulturën shqiptare gjatë sundimit otoman dhe studiuesit e tyre ishin ndër të paret që e shkruan Gjuhën Shqipe. Nga Italia arbëreshët u shpërndane anë e mbanë botës. Këtu Priit Vesilind tregon edhe historinë e familjes së ish kongresmenit Joseph DioGuardi dhe lidhjet e tij me fshatin e babait të tij Greci, emigrant në Bronx të New Yorkut. DioGuardi udhëton atje dhe mëson për “Gjakun e Shprishur”. 

  Me interes është të shihet sesi Martin Camaj në një shkrim rreth vizitës së tij në fshatin Greci në vitin 1961  shprehet:

“Përpara se të lëvizja për në Monaco, gjatë ditëve të para të Janarit të vitit 1961, në murin e dhomës së apartamentit tim të vjetër, në periferi të Romës, kisha një hartë të fshatrave shqiptaro-italiane. Unë kisha vendosur t’ja dedikoja një pjesë të jetës time studimit të gjuhës dhe zakoneve të arbëreshëve. Sytë e mi shpesh ndalonin në një emër në hartë, një vend i izoluar diku në pjesën verilindore, me emër Greci.  Mblodha informacion për të nga bibloteka të ndryshme dhe zbulova se At Leonardo de Martino, një prift françeskan dhe shkrimtar i njohur, i cili e kaloi gjithë jetën e tij në Shqipërinë e veriut si mësues, e sidomos mësues i poetit të madh shqiptar Gjergj Fishta, ishte nga Greci. 

Më lejoni të shpreh diçka për vlerën atdhetare shpirtërore të atij fshati. Greci është unik në botë dhe në fakt në asnjë fshat nuk flitet ekzaktësisht siç flitet në Greci.  Greci është një fshat shqiptar dhe unë jam Shqiptar po ashtu.”Martin Camaj, Ph.D”.

Mendohet se të ardhurit e çuditshëm arbëreshë të kohës pas Skënderbeut, banorët vendas italianë i morën për grekë. Kështu ata i vunë fshatit emrin Greci, por që në fakt nuk ka asnjë lidhje me Greqinë.

Artistë të mëdhenj amerikanë e kanë deklaruar origjinën e tyre arbëreshe siç është rasti i Roberto de Niros.  Në fakt vdekja e Regis Philbin, përbën një ndër humbjet e mëdha dhe dëshminë e rradhës së lidhjes së diasporës italiane në Amerikë me arbëreshët e Italisë, pas humbjes së emrave të tillë të mëdhenj, si sopranoja Licia Albanese, e cila vdiq në vitin 2014, në moshën 105 vjeçare.

Mal Berisha 

Filed Under: Featured Tagged With: Mal Berisha, SHUHET ARBËRESHI REGIS PHILBIN

KU PO SHKON TURQIA MODERNE E QEMAL ATATURKUT-VEND ANETAR I NATO-s?

July 26, 2020 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj-

Nuk është fake fotoja e Rexhep Erdogan me qylaf imami!

Perendimi ka mbetur i shtangur kur presidenti aktual i Turqisë me mikrofon si një lider fetar ka filluar të recitojë pjesë nga Kurani në Kishën e Shën Sofisë që e ka kthyer sa hap e mbyll sytë, me një të rënë të lapsit në xhami, duke përmbysur atë çka kishte vendosur Presidenti i Turqisë moderne Qemal Ataturk!

Turqia është Republikë laike, çka do të thotë se feja duhet të jetë e shkëputur nga shteti!

Kisha e Shën Sofisë prej 1935 është një monument historik dhe muzeum i trashëgimisë kulturore i mbrojtur nga UNESCO.

Me moshë mbi 1500 vjeçare Shën Sofia është dëshmitare e rrëzimeve dhe ngadhnjimeve të perandorive, e asaj që ka ndodhur nëpër shekuj.

E ndërtuar në Kostandinopojë (Stambolli i sotshëm) nga Perandori romak i Bizantit me prejardhje ilire, Justiniani I,  nga 537 deri në 1453 ishte katedrale kristiane, në fillim katolike pastaj ortodokse. Kthehet në xhami nga 29 maji 1453 deri në fund të vitit 1931.

Më 1935, presidenti i parë turk dhe themeluesi i Republikës së Turqisë moderne, Mustafa Kemal Atatürk, e shndërroi ndërtesën në një muze si simbol i paqes, harmonisë dhe tolerancës fetare.

Gjatë kësaj periudhe, përdorimi i kompleksit si një vend adhurimi ishte rreptësisht i ndaluar.

Kisha e Shën Sofisë për 85 vjet ishte një atraksion turistik, si profili i Turqisë laike.

Papa Vojtila ishte i pari Papë që kishte hyrë në Kishën e Shën Sofisë më 2001.

Në 2006 gjatë vizitës së tij në Turqi, do ta vizitonte Shën Sofinë edhe Papa Benedikti XVI.

Pak para vizitës së tij, qeveria turke vendosi që në kompleksin e muzeumit të ishte një dhomëz si vend lutjeje për të gjitha fetë.

Papa Benedikti XVI në respekt të traditave zbathi këpucët kur hyri në Shën Sofi. Ai shoqërohej nga Myftiu i Madh, i cili duke iu referuar shtypit të kohës, i lutet Atit të shenjtë të ndaleshin një moment për të medituar, ndërsa Shenjtëria e tij raportohet t’i jetë drejtuar Myftiut të Madh duke i thënë:  “Kjo vizitë do të na ndihmojë ne të gjithëve për të gjetur rrugën e paqes në të mirë të gjithë njerëzimit.”

Por rrjedha e ngjarjeve është devijuar dramatikisht dhe muzeu simbol i harmonisë fetare, krijuar prej Qemal Ataturkut para 85 vitesh, rikthehet në xhami, sikur në kohën e Perandorisë otomane që mori fund së ekzistuari një shekull më parë për t’i lënë vendin Turqisë moderne.

Presidenti turk si përfaqësues i unitetit kombëtar do të duhej të respektonte vullnetin e Ataturkut. Sepse nuk mundet ta kthejë rrotën e historisë të Turqisë mbrapsht. E megjithatë ai po përpiqet dhe më 10 korrikun e vitit 2020, me një dekret dekret presidencial pas 85 vjetësh e kthen rishtas Shën Sofinë në xhami!

Një veprim padiskutueshëm arbitrar që do ta ngrinte nga varri Qemal Ataturkun!

Përpara një skene surreale, ku presidenti i Turqisë laike me qylaf imami këndon syre të Kuranit në publik, çdokush ka të drejtë të pyesë: quo vadis Turqia, shtet europian dhe vend anëtar i NATO-s ?!

Filed Under: Histori Tagged With: Elida Buçpapaj, Kisha e Shën Sofisë, Mustafa Kemal Ataturk, Turqia NATO, Xhami

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 453
  • 454
  • 455
  • 456
  • 457
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT