• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“VULLNETI I TYNE I FUNDIT !..”

April 23, 2014 by dgreca

Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë…/
“Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’eme. Rrnoftë Krishti Mbret, Rrnoftë Papa, Rrnofshin Katolikët, Rrnoftë Shqipnia! U baj hallallë gjyqit dhe ato që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!” (At Mati Prennushi, Dosja 1302/A, ArkivMM)/
Nga Fritz RADOVANI/
Ky ishte vullneti i fundit të njenit prej Martirëve ma të mëdhej të Kishës sonë në vitin 1948, në Zallin e Kirit të Shkodres, pranë vorrezave të Rrëmajit.
U shkrue nga dora gjakatare e gjykatësit komunist Misto Bllaci, per të cilin mbas sa vjetësh tregon i biri se çka i thonte atij diktatori anadollak Enver Hoxha: “Prokurorët e vendosur si ti janë maja e shpatës së diktaturës së proletariatit, shoku Misto.
I tmerrove klerikët me pretencat e tua, që s’njohin dënim tjatër veç atij me vdekje. Uroj që edhe Agimi të eci në gjurmët e tua.”
Në vitin 1464 Papa Piu II donte me vizitue Shqipninë dhe me kunorzue Mbret me doren e vet Gjergj Kastriotin, mbrojtësin e Trojeve Ilire nga robnia turke, po, që njëherit, njihej nga Europa “Mbrojtësi ma i rreptë i Krishtenimit” nga kamba ma dhunuese e atyne shekujve osmanllinjtë. Papritmas Papa vdiq në Ankona me 15 Gusht 1464.
Në vitin 1911 nder Malet e Hotit Burri i pathyeshem i Bjeshkëve të Nêmuna, me Flamurin e Kastriotit në dorë, Heroi i Pavdekshem Dedë Gjo’ Luli, trandi perandorinë otomane dhe njëherit i tha komshijve serb se “kanë mbetë edhe grusht Shqiptarë!”
Hakmarrja e tri palëve ndaj Këtij Burri kje e mnershme! Serbët, me otomanët dhe tradhëtarët e shitun të Esad Pashë Toptanit e vranë dhe i dhunuen edhe kufomen… Po, nuk u ngopën me aq, tue i vra djelmët e tue i shfarosë Fisin deri në vitin 1946, me të Pathyeshmin Gjelosh Luli, por nga dora tradhëtare e një turkoshaku tjeter të shitun tek po ata serbë, diktatorit Enver Hoxha, që punoi 50 vjetë bashkë me trashigimtarët e vet per shfarosjen dhe shitjen e shkatrrimin perfundimtarë të Atyne Alpeve kreshnike.
Shqipnia e Pavarun e Ismail Qemalit, Don Nikollë Kaçorrit, Luigj Gurakuqit, Isa Boletinit, At Gjergj Fishtës, Bajram Currit, Imzot Luigj Bumçit, Hasan Prishtinës, Imz. Mjedjes, Mustafa Krujës e sa Atdhetarëve tjerë, plot 70 vjetë ma parë u permbytë nga një perbindsh e diktator i renditun në “100 Tiranët” e mbi 3000 vjetëve; Enver Hoxha.
Imzot Luigj Bumçi porsa filloi detyrën e Kryetarit të Delegacionit Shqiptar në Paris, ishte i pari që protestoi tek Presidenti Willson për krimet që po kryenin serbët mbi popullsinë Shqiptare të Pejës, Gjakovës, Plavës, Gucisë dhe i dorëzoi Atij listën me emnat e viktimave në krahinën e Rugovës.

Imz. Bumçi, mbasi vëren një mungesë të madhe sinqeriteti nga delegati italian në Paris, Ministër i Jashtëm i Italisë, me të cilin Ai u takue me datën 26 tetor 1919 për marrveshjen “Titoni – Venizellos” mes Italisë dhe Greqisë, në dam të tokave Shqiptare, Imz. Luigj Bumçi u takue edhe me delegatin francez dhe amerikan, tue nxjerrë nga këta bisedime një aksiomë filozofike që mund të shpikej vetëm nga koka e Imz. Bumçit: Me 29 Dhetor 1919 Ai arrinë në Vatikan dhe në ditët e para të Janarit 1920, u takue me Papen Benedikti XV, të cilit i tha: “Tash pra Shejtni, të gjithë Misat e Dergatës Shqiptare që janë në Paris e që shumica asht myslimane, më kanë çue këtu përpara Shejtnisë s’Uej e të gjithë për njëgoje Ju lutën që me fuqinë Tuej morale e me influencën e madhe që keni në Botën mbarë, të na jepni ndihmën Tuej të vlefshme sikur dini Ju vetë, që na të pështojmë dy provincat Shqiptare, Korça e Gjinokastra, të cilat janë në rrezik prej akordit Titoni – Venizellos.” Papa i shpjegoi Imz. Bumçit se Vatikani nuk kishte marrdhanje të mira me Francën dhe Italinë, por do të takohej urgjentisht me ambasadorët anglez dhe amerikan në Vatikan, të cilëve, Ai do t’u kërkonte me qendrue në përkrahje të Popullit Shqiptar…dhe, e mbajti premtimin, Korça dhe Gjinokastra mbetën Tokë Shqiptare!
Një dishmi e At Jakë Gardinit, jezuit italian që mbijetoi dhe erdhi në Shqipni në vitin 1992, tregoi: “Mbreti i Shqipnisë Ahmet Zogu ka pas thirrë Delegatin Apostolik, në vitin 1925 që ishte në Shkodër, dhe i ka pas kërkue me dijtë se shka mendon Vatikani për lidhjet me né, në kjoftë se né mund të hyjmë në “Konferencën Islamike”, mbas një kërkese që i ishte ba Atij nga ana e tyne ato ditë.
Delegati tue u ndodhë para një kërkese të papritun prej Mbretit i kishte kërkue dy javë kohë, sa me shkue deri në Vatikan dhe me sjellë mendimin e tyne për këtë punë. Mbreti asht kenë dakord. Delegati ka shkue tek Papa Piu XI, dhe i ka tregue kërkesën e Mbretit. Papa i asht përgjegjë Mbretit nëpërmjet të Delegatit, me këto fjalë: “Në kjoftë se doni me ruejtë edhe atë pak Shqipni që ka mbetë, ju, nuk duhet të angazhoheni me vendët e Lindjës. Na gjithmonë kemi thanë se Shqipnia asht vend Evropian.
Ju, mund të veproni si të doni. Ky asht mendimi i ynë!”.
Delegati asht këthye në Shqipni dhe i ka tregue Mbretit përgjegjën e Papës. Zogu asht kenë i squtë dhe nuk ka hy në asnjë lidhje me shtetët e Lindjës.” (Dishmi A.J.Gardin)
Me 5 Maji 1945 qeveria Tiranës, e kryesueme nga Enver Hoxha po, e mvarun kambë e kokë nga shovenistë sllavokomunistë të Titos nxjerr jashtë Delegatin Apostolik të Vatikanit në Shqipni Imz. Leone Nigris… (shkresa e largimit nga qeveria shqiptare u ba me 25 maji…). Imz. Frano Gjini, Abat i Mirditës u caktue nga Vatikani si zevendës i Tij. Me kenë se Imz. Frano Gjini nuk pranoi me shkëputë Kishen Katolike Shqiptare nga Vatikani, u arrestue me 15 Nandor 1946 dhe u pushkatue me 11 Mars 1948.
Ja dhe vullneti i Tij i fundit i shkruem nga krimineli Misto Bllaci: “Rroftë Krishti Mbret, Feja Katolike dhe Katolikët në botë, Rroftë Papa, gjaku dhe trupi i em mbetët këtu, por Shpirti dhe zemra është tek Papa. Rroftë Shqipnia!” (Dosja 1302/A, Arkivi).
Edhe pse me 1 korrik 1951, gazeta komuniste shqiptare “Zëri i Popullit” bani të dijtun se Kleri Katolik Shqiptar “i ka pre mardhanjet me Vatikanin”, tue nenshkrue një “Statut”, per të cilin Ata që e kundershtuen u burgosën dhe Don Ejëll Kovaçi (1958) e Don Dedë Malaj (1959) u masakruen nder hetuesi dhe u pushkatuen, Papa Piu XII, me
3 shtator 1951 urdhnoi Sekretarinë e Shtetit të Qytetit të Vatikanit, që Radio Vatikani të flasë edhe në Gjuhën Shqipe. Udha e saj nisi me: “Udhën e Kryqit”, program i cili asht drejtue nga Don Zef Shestani dhe At Daniel Gjeçaj, gjatë gjithë “Udhës së Kryqit” që ka vazhdue me ba Populli Shqiptar deri në 1991, nën Gjenocidin komunist të E. Hoxhës.
Plot 55 vjet perpara Papa Gjoni XXIII, ditën e Pashkëve, nga Vatikani, kur i bani urimet popujve të Botës, ishte Papa i parë që na uroj nga zemra në Gjuhen Shqipe, të gjithë Popullit Shqiptar “të harruem e të coptuem”: “Per shumë mot Pashkët!”…
Në vitin 1980 asht Papa Gjon Pali II, nga Otranto i Italisë, që drejton mesazhin e Tij per grigjen e vogel Shqiptare të martirizueme nen thundren komuniste:
“Sot nuk mund të mos e hjedh vështrimin përtej detit, ku Kisha heroike në Shqipni tronditet thellë nga persekutimi i gjatë, por edhe pasunohet nga dëshmia e Martirëve të saj: Ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë e rregulltare, e besimtarë të thjeshtë”.
Në vitin 1993 asht Ky Papë, që puthi Token e rijtun me gjak të burgosunëve që kishin ndertue Aeroportin e Rinasit, të Tiranës, per të cilin çast më asht shpreh Prof. Sami Rrepishti: “Sa herë shoh foton e Papës Gjon Pali II tue puthë token në Rinas, më kujtohen ata bashkvuejtës që vdiqën dhe që janë të vorrosun nen atë tokë…” (2013)

Papa Gjon Pali II dhe Nanë Tereza 1993.

Në darken e 25 Prillit 1993, Papa Gjon Pali II, në Sheshin “Skenderbej” të Tiranës tha: “Ajo që ka ngja në Shqipni, të dashtun Vllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit… Drama e Juej, Shqiptarë të dashtun, zgjon interesimin e gjithë Kontinentit Europian dhe asht e domosdoshme që Europa mos t’ Ju harrojë.
Dhe, në fakt, ky duhët të jetë pikësynimi sot, me këthye shpejt fletën tue mos harrue atë që ka ekzistue, për me shikue përpara. Pikëpamje kjo, që në një prizem vështrimi asht e drejtë e madje, e domosdoshme, por me një kusht që me mbetë gjithmonë në kujtesën tonë ajo që ngjau në të kaluemen. Në të vërtetë ky asht kusht i domosdoshëm për mos me u rikthye tek të njajtat gabime të përlotuna dhe asht shtegu ma i mirë për një proçes pajtimi të vërtetë… Një demokraci pa vlera, – kam shkrue në Enciklikën Centesimus Annus – mund të shndërrohet lehtësisht në një totalitarizëm të hapun ose të fshehtë, si po na e tregon historia…Në emnin tand Popull Shqiptar, po i drejtohëm këtu, Komunitetëve Ndërkombëtare që ta këthejnë vëmendjen e tyne vepruese ndaj kërkesave të zhvillimit tand të përgjithёshëm. Vetëm kështu, mund të mëkambët Paqa në këte zonë të Ballkanit, të përgjakun nga konfliktet vëllavrasëse të ulta e të pakuptim…”
Papa Gjon Pali II, në mesazhin e tij “Urbi et Orbi”, pikërisht, për Pashkët e vitit 1999, ka thanë:”I lutem Zotit të Ringjallun t’i japë dhuratën e paqes, së pari tokës së martirizueme të Kosovës, ku lot e gjak vazhdojnë të përzihen në një skenar dramatik urrejtjeje dhe dhune. Mendoj për ata që janë vra, për ata që kanë mbetur pa shtëpi, për ata që janë largue me forcë nga familjarët, për ata që janë detyrue të ikin larg…”
***
Edhe pse Toka Shqiptare asht ma e aferta me Vatikanin (tue perjashtue Italinë), qeveritarët tanë vazhdojnë me u largue sa ma larg… E, mundsisht, me “harrue” të gjitha këto perpjekje shekullore të Papëve per vendosjen tonë në Vendin e merituem në shekuj!
Edhe pse Gjaku i Martirëve tanë vazhdon me vlue!.. Ai nuk shuhet kurrë, ashtusi, nuk shuhet as thirrja e Tij: “Rrnoftë Papa, Rrnoftë Shqipnia!’
Vetë Papa Françesko, me Flamurin e Gjergj Kastriotit dhe Nanë Terezës në qafë, tregon se, Papa, si gjithmonë edhe SOT, vazhdon rrugen e Paraardhësve të Tij:
Rrnoftë Shqipnia Europjane e Gjergj Kastriotit !
Melbourne, 24 Prill 2014.

Filed Under: Opinion Tagged With: “VULLNETI I TYNE, Fritz radovani, I FUNDIT !..”

NE I THEMI”JO” GJYKATES SPECIALE KUNDER KRIMEVE TE LUFTES NE KOSOVE

April 23, 2014 by dgreca

Deklaratë për mjetet e informimit e Shoqatës “Atlantiku” me seli në New York të SHBA-së/
Në mbledhjen e saj mbajtur me 22 prill 2014 në New York Kryesia e Shoqatës “Atlantiku”, e cila përfshinë veteranët e Batalionit “Atlantiku” që luftoi në kuadër të UÇK-së për çlirimin e Kosovës dhe qindra simpatizues shqiptaro-amerikanë në mbarë Amerikën, vendosi të dalë me këtë deklaratë për media mbi planin për Gjykatën Speciale kundër Krimeve të Luftës në Kosovë./
Ne si shqiptaro-amerikanë iu bashkëngjitëm luftës së UÇK-së dhe NATO-s kundër regjimit pushtues serb për të ndaluar që populli shqiptar të vazhdonte të ishte viktimë e fashizmit të Milosheviqit. Agresori në Kosovë ka qenë shteti serb dhe shteti serb duhet të jep llogari për vrasjet, dëmet dhe shkatërrimet që solli lufta. Në historinë e luftërave çlirimtare nuk ka ndodhur ndonjëherë të themelohet Gjykatë Speciale për palën çlirimtare, por për atë agresore dhe pushtuese. Lufta e UÇK-së ka qenë luftë që ka respektuar të gjitha ligjet dhe konventat ndërkombëtare dhe ka kaluar edhe nëpër shoshitjen e drejtësisë ndërkombëtare në sistemin e Tribunalit të Hagës, prandaj formimi i një Gjykate Speciale për Kosovën është një sulm politik që si qëllim ka kontrollimin e sovranitetit të shtetit të Kosovës, disiplinimin dhe frikësimin e popullit të saj që të veprojë duke u bazuar në vullnetin dhe të drejtat e tij sovrane. Mijëra krime serbe në Kosovë kanë mbetur të pa hetuara. Këto krime dhe krimet nga kushdo qoftë duhet të hetohen dhe gjykohen nga sistemi i drejtësisë së Kosovës. Mos lejoni lojëra politike me luftën çlirimtare dhe sakrificat titanike të popullit shqiptar për liri sepse kështu do të preket e kaluara e lavdishme por edhe e ardhmja e Republikës së Kosovës. UÇK dhe NATO kanë qenë aleate në çlirimin e Kosovës dhe asnjëra nuk kanë kryer krime lufte. Ne si organizatë e veteranëve të luftëtarëve të UÇK-së nga Amerika i themi JO Gjykatës Speciale dhe thërrasim deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe sidomos qeveritarët e Kosovës të mos i nënshtrohen imponimit të askujt dhe t’i thonë JO Gjykatës Speciale.

Kryesia e Shoqatës “Atlantiku”

New York
SHBA

Filed Under: Komunitet Tagged With: Gjykates Speciale, Ju, ne Kosove, Shoqata Atlantiku

Fitorja plebishitare e opozitës shqiptare është e vetmja atlernativeë në këto zgjedhje

April 22, 2014 by dgreca

Opinione mergimtaresh/
Me 27 prill 2014 mbahen zgjedhjet Presidenciale (rrethi i dytë) dhe Parlamentare në Maqedoni. Diaspora për Shqiptarët e Maqedonisë (DSHM) si lëvizje e shqiptarëve të Diasporës për këto zgjedhje shumë kohë përpara ka paraqitur qendrimet e veta. Një nga qendrimet kryesore të angazhimeve tona ka qenë refuzimi i sistemit unitarist, që është baza e diskriminimit të shqiptarëve, bojkoti i zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, pasi nuk përmbushin standardet demokratike dhe nuk janë të lira, fer dhe demokratike.
Sot, kur e dëgjon nga gjuha e kupolës së dështakëve të BDI-së në krye me Ali Ahmetin: “Pse shqiptari të mos jetë Kryeministër, Kryetar shteti dhe Kryeparlamentar” vjen si rezultat i presioneve të DSHM-së që kanë zhvilluar një kampanjë për vetëdijësimin e shqiptarëve për më shumë se dy vjet. Duhet të potencojmë se Ali Ahmeti me rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2011 shiti interesin e votuesve shqiptar dhe nuk kushtëzoi “Qeverinë 3” të Gruevskit para formimit të qeverisë, njejtë sikur i shiti idealet e atyreve që i nxiti për luftë të pakuptimtë në vitin 2001. Ky dështim i Ali Ahmetit nuk ka qenë i pari, as nuk do të jetë i fundit, përderisa ky njeri, duke shfrytëzuar rrethanat e politikave rajonale dhe globale në lidhje me integrimet e Maqedonisë, veten e ka shpallur se ka qenë shkatrrues i Jugosllavisë, kurse në këto zgjedhje u tha shqiptarëve të Diasporës “ejani e mbjellni sallata dhe patate” dhe mburreshte me misionet e dështuara me servilë të tipit të Izet Mexhitit, Fatmir Deharit, Ruzhdi Latës, Azis Pollozhanit, etj. se janë djemtë e BDI-së që harxhojnë paratë e shqiptarëve të varfër nëpër Diasporë, por harronte të tregonte se misionarët e tij ku shkonin ndesheshin me rezistencën e vizionit shqiptar në Diasporë dhe me DSHM-në.

Ideja e Ali Ahmetit për President konsensual dhe bojkoti vetëm i zgjedhjeve presidenciale ka qenë një ide hipokrite, një marrëveshje e tij me “Car Nikollën” për përkrahje në heshtje të Ivanovit. Agjenturat e tij bolshevike, lidhjet e tij marksiste-titiste, në Kosovë dhe jashtë, eksponentët e tij, që shumica janë bijë të komunistëve, në televizione, gazeta dhe portale u angazhuan që dështimet e tyre 12 vjeçare t’ia atribojnë vetëm një njeriu, e ai ishte Menduh Thaçi, kryetari i partisë më të madhe opozitare shqiptare, i cili ushtron këtë detyrë me përgjegjësi nga viti 2007.
DSHM bën dallim mes kohës së Arbër Xhaferit dhe Menduh Thaçit, prandaj kur ka zgjedhje në Maqedoni të gjithë ngriten dhe bashkohen për ta demonizuar kryetarin e PDSH-së, z. Menduh Thaçi, për ta paraqitur si gogol në sytë e shqiptarëve dhe fajtorë kryesor për të gjitha dështimet e BDI-së dhe gjoja se ky po mbanë peng opozitën shqiptare në Maqedoni. Ky fabrikim, kjo kampanjë gebelsiane në vitin 2014 kundër Opozitës duke edemonizuar figurën politike të Menduh Thaçit, u dekonspirua pikërisht nga DSHM-ja dhe shumë veprimtarë të tjerë shqiptarë, por edhe thirrjet e Menduh Thaçit ndihmuan për këtë dekonspirim drejtuar Ali Ahmetit “O, Ali, eja e bëhemi bashkë e t’u ndihmojmë shqiptarëve!” “O, Ali, eja dhe i bojkotojmë zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, bllokojmë sistemin” e shumë tjera. Në të gjitha këto thirrje përgjigjia e Ali Ahmetit ishte: “Jemi parti me përgjegjësi të shtetit unitar” “Nuk duhet shqiptarët të ndërtojnë politika nacionaliste, nuk duhet të jenë bashkë” edhe pse kupolla e krimit të BDI-së bashkimin e shohin sipas dioptrisë së njëmendësisë bolshevike të klanit të Zajazit, Ali Ahmeti, Fazli Veliu dhe Musa Xhaferi, të cilët me shumë përkushtim madhërojnë figurën e diktatorit Enver Hoxha në Kërçovë.

Nisur nga këto fakte, DSHM doli në mbrojtje të kandidatirës së shqiptarit Iljaz Halimi dhe 40 mijë votat shqiptare për Ilaz Halimin ishin votat më shqiptare, pasi ishin të hapura dhe në çdo lagje, rrugicë ishin të kërcënuara nga agjenturat bolshevike, bandat kriminele të Ali Ahmetit, kurse shenja e ngjyrës në gishtin e madh ishte shenja sikur e kampeve naciste të Hitlerit ose internimeve të Stalinit. A ka më keq se të kërcënosh një shqiptar me vend punë në shekullin 21? A ka ma keq se kur dëgjon nga goja e analfabetëve të BDI-së, që janë kandidatë për gipsa në Parlament dhe 40 mijë shqiptarët që votuan Iljaz Halimin në rrethana të trysnive të mëdha, t’i quajnë se nuk kanë gjak shqiptari? A ka ma keq kur edhe pas 13 vjetëve, pas të gjitha tradhëtive, përdorin luftën e vitit 2001? Kjo farë e analfabetëve, që macen prej përsheshit nuk mund ta nxjerrin, që kanë uzurpuar me manipulim vullnetin e shqiptarëve në vitin 2001, që nuk kanë dije as elementare për të ndërtuar shtetin e shqiptarëve në Maqedoni, por edhe ndarjen, patjetër të ndalen dhe shqiptarëve t’u kthehet liria, dija dhe profesionalizmi!

DSHM ka përcjellë me vëmendje çdo situatë të krijuar rreth dhe për këto zgjedhje, dhe kemi disa qendra ku na vijnë informata edhe nga Kërçova, disa vende nga Shkupi, Kumanova dhe Tetova, ku shqiptarët janë të gatshëm të denojnë politikën kapitulluese të kupellës së klanit të Zajazit, që ka manipuluar me BDI-në për 12 vite rresht, përkundër presioneve, shantazheve dhe kërcënimeve të racës vasale të BDI-së.

Prandaj, duke pasur parasysh të gjitha këto fakte, duke e kuptuar indinjatën e thellë të shqiptarëve me BDI-në, duke e respektuar lirinë dhe verdiktin e qytetarëve, kërkesën e madhe për ndryshime në skenën politike në Maqedoni, qendrimin opozitar të shumë intelektualëve, pasi shqiptarët e Maqedonisë kanë vendosur të votojnë në zgjedhjet parlamentare, DSHM-ja, edhe pse nuk do të pranojë asnjë rezultat nga Kërçova dhe disa vende tjera, siç janë disa njësi zgjedhore në Shkup, Tetovë dhe Gostivar, përkrah fuqishëm opozitën shqiptare, anëtarësinë e partisë më të madhe opozitare PDSH dhe kryetarin e saj, z. Menduh Thaçi, sikurse përkrah edhe partinë tjetër opozitare RDK-në dhe kandidaturën e Xhezair Shaqirit. Prandaj, ata që mundohen të mbrojnë kupollën e klanit të Zajazit në BDI, duke demonizuar angazhimin politik të kryetarit të PDSH-së, kanë alternativë, le të dalin e të votojnë opozitën shqiptare, që fitorja të jetë plebishitare me votën e lirë të shqiptarëve, pasi çdo veprim tjetër është vazhdimi i agonisë bolshevike që personifikohet me emrin Ali Ahmeti.

DSHM
Musa Lamallari (Tim Shkupi), Angli
Natmir Hazbi Ismaili, Suedi
Agron Bajrami, Belgjikë
Imer Rrahmani, Chicago, USA
Zaim Buçi, Hollandë
Hadi Osmani, Zvicër
Ibrahim Sherifi, Angli
Chahil Neziri, Texas, USA
Minci Akija, Gjermani

Filed Under: Mergata, Opinion Tagged With: Fitorja e opozites, ne zgjedhjet ne Maqedoni, Opinione mergimtaresh

POLITIKA DHE SISTEMI I DREJTESISE NE SHQIPERI

April 22, 2014 by dgreca

OPINION NGA AJET DELAJ/NEW YORK/
Qe “drejtesia” ka qene ne sherbim te diktatures e diktatorit komunist Hoxha kete besoj se nuk e konteston kush. Per te verteten drejtesia ne kohen e diktatures ka pasur vetem emrin pasi realisht nuk ka ekzistuar fare .
Kane dale prova te shumta qe vendimet gjygjesore merreshin mbasi viktimat i kishin mbutyr xhelatet komunste si ne rastin e bombes ne Ambasaden Ruse apo edhe te tjera, ku zakonisht beheshin arrestimet pastaj fabrikoheshin provat.
Eshte shikuar nga shqiptaret me ze e figure se si diktatori Hoxha deklaronte ne plenumet e partise ndaj te eliminuarve te radhes se partia te arreston.
Pra partia te arrestonte e te denonte dhe kukullat e drejtesise vetem vinin firmen mbi gjoja vendime kur realisht vendimet jepeshin ne komitet te partise apo nga Enver Hoxha sipas peshes se viktimes se radhes.
Situata e drejtesise ne Shqiperi ka pase shkuar deri atje sa per nje periulle te gjate eshte kene suprimuar edhe vete Ministria e Drejtesise pra nuk ka pasur as Ministri Drejtesie e as system avokatie kishte vetem xhelate qe te dregoni ne nivelin e tete nen toke se peshperisje se buka eshte e keqe.
Ne kete situate e gjeti 90ta sistemin e drejtesise ne Shqiperi. Dihej gjithashtu se kush e merrte te drejten per te studiuar drejtesine e partise para 90tes dhe kush ishin realisht jurstet qe filluan te punonin ne stemin e drejtesse pas 90tes gjoja ne respect te lirive dhe te drejtave njerore tashme te pranuara ne Shqiperi.
Nese i shtojme kesaje stuate edhe faktin se politika e pas 90tes stopoje reformat e nisura brenda vetes duke i ngjare gjithnje e me shume sistemit qe gjoja lame pas atehere per sistemin e drejtesise postkomuniste ndryshoje vetem padroni ku vendin e Sekretarit te Pare e zuri Presidenti “democrat” apo “Kryemisistri” i radhes.
Per 24 vitet e fundit jane promovuar punonjesit e sistemit te drejtesise ne te tera nivelet sipas shkalles se sherbimit ndaj politikes e jo sipas profesionalizmit e pamvasise se tyre qe ju a garanton Kushtetuta.
Rastet jane te shumta por po shkohet deri atje sa hapur qeveria po deklaron se jane promovuar ne kundershtim me ligjet ne fuqi gjygjtare e prokurore qe kane shkuar per shkelje ne KLD apo Ministri te Drejtesise.
Eshte denuar me burg lideri i opozites se kohes z Nano dhe ka marre parate e burgut sapo u be Kryeminister. Prove me te mire te sherbimit te “drejtesise” ndaj politikes nuk mundet te kete.Ku ndollen gjygjtaret e te dy rasteve. Natyrisht ne system akoma kur njera pale duhej me se paku te dilte nga sistemi per shkeje te rend te se drejtes.
Bejne e zhbejne ligje ne sherbim te politikes e aprovojne amnisti ne nje shtet gerdalle per te shpetuar sherbetoret e mashet e krimit politik e ordiner duke shkuar der tek denimi i krimeve te komunzmit per filxhanet e kafese. Vritet populli, politikanet, biznesmenet tamam si ne kartelet e droges ne qender te Europes behet zhurme politike tre dite e te vrasin e varrosin bashkerisht per 9 ore dhe asgje.
Paguajne trajnime e iniciatica ligjore nderkombetaret dhe punonjesit e drejtesise vetem trashin qafen e mbushin xhepat pasi jane ne sherbim te politikes se dites dhe as qe e prishin terezine pasi keshtu kaus i intereson politikes. Bejne marveshje me zhurme mediatike midis krereve te nstitucioneve te rendesishme te shtetiti per te denuar rreptesisht fshataret qe hedhin nje tel ne shtylle dhe per vete shkojne deri ne Gjermani me first klas per te shikuar nje ndeshje futbolli.
Duhet thene se shteti funksionon si nje i tere dhe eshte demagogji e paster nese te tera baterit i shprazim mbi drejtesine, policine, apo segmente te tjera te shtetit kur pergjegsi sponsorizuesi e konstituesi i tere sistemit eshte vete politika. Pra nje politike kriminale qe nuk ndalet as para shkeljes se kushtetuese kurre nuk mundet te dertoje shtetin demokratik, shtetin ligjor te se drejtes.
Shikoni politikanet tane me filozofi diktatoriale se si i kane kthyer partite politike sikur ti kene kopshtet e tyre private qe ju nevoiten vetem per demagogji pasi sunduesi i partise i ben te tera qe nga caktimi i kryetarve te komunave e deri tek zenendesit e tije ne maje te piramides qe pa dyshim te tere kane vlere 0 tamam si ne sistemin diktatorial.
Statut , zgjedhje, program filozofi lirie e respektim e drejtash jane terma ne gjuhe te huaj qe nuk e kane ditur kurre dhe nuk kane nder mend ta mesojne ndonjehere lideret tane te perjetshem. Vijne ne krye te partise dhe largohen prej saje vetem kur te largohen per ne boten tjeter edhe kur bejne sikur.
Por a ka ndonje mundesi dhe metode qe drejtesia jo vetem te clirohet nga politika por edhe te ndihmoje qe politika te pastrohet? Sigurisht qe ka.
E para eshte pervoja e fundit ne Kosove ku Amerikanet kane inicuar e po ndertojne Gjykaten Penale nen juridiksionin e Kosoves por me gjygjtare e prokurore perendimore nje krijese qe duket se do te funksionoje nese nisemi nga frika dhe ankthi qe shperndan politika kosovare ne opinion e media qe si edhe ne Tirane i ka monopol..
Por ka edhe nje metode tjeter po Amerikane ku titullaret e institucioneve te drejtesise nga baza deri ne maje te votohen nga populli duke pranuar edhe persona kredibel me arsim te larte te fushave te ndryshme qe munden te konkurojne. Nese i shtojme kesaje premtimin per te afruar ne system djem e vajza te reja qe kane mbaruar jurisprudence ne perendim atehere shanset e suksesit rriten. Duhet thene se jane me qindra shqiptare qe kane mbaruar universitete prestigjoze ne perendim.
Pervoja Amerikane nuk mbaron ketu pasi Amerika ka jurite popullore per ceshtje penale e administrative se bashku me prokuroret e pamvarur e agjentet investigative te licensuar atehere duket dhe madje eshte e garantuar se sistemi do te funksionoje pasi eshte e provuar se funksionon.
Po perse politika ne tersine e saje ne pozite e opozite as qe i ze me goje keto reforma te domosdoshme? Nuk i di? Sigurisht i di madje edhe me mire se une por shikoni si u mllacit politika kosovare deri sa erdhi kercenimi domethenes o aprovojeni ju o do e aprovojme ne ne Keshillin e Sigurimit gjykaten penale me personel te huaj.
Edhe ne Shqipei gjendja nuk eshte aspak me e mire e natyrshem politika kriminale do rezistoje per te mos ecur ne drejtim te vendosjes se shtetit ligjor te se drejtes e natyrshem mekanizmi funksionues i Keshillit te Sigurimit nuk funksionon si ne Kosove.
Se pari duhet thene se nese ekziston vullneti i nje populli per drejtesi perparim e progress askush nuk mundet ta ndali e ne te njejten kohe gjenden rruge e metoda efikase funksionale qe te tjeret para nesh i kane perdorur dhe i kane permbushur keto objektiva madhore ne vendet e tyre.
Dihet qe media e Tiranes eshte ne traditen e saje ne 24 vitet e fundit qe eshte monopol i qeverise dhe cfare tepron i krerve te opozites e per popullin nuk tepron asgje aq sa edhe komentet ne botimin online ne gazetat e tranes nganjehere behet e pamundur nese nuk je sahanlepires i pushtetit apo sherbetor I pronarit te opozites edhe pse shqiptaret votojne dicka me shume se 50%. Pra shumica e heshtur ashtu duhet te qendroje sipas politikes shqiptare.
Mirpo keto kushte kufizuese nje rol te madh qe ka marre per shoqerite modern komunikimi elektronik dhe zhvillimi i teknologjise ben qe kjo situate e pafavorshme kapercehet lehtesisht mjafton qe njerzit te kene predispozicion per ti sherbyer Shqiperise pamvarsisht se ku jeton e punon. Si fillim duhet provuar predispozicioni i klases politike shqiptare per reforma te qensishme ne sisemin e drejtesise e pse jo edhe te vete politikes.
Rrjetet sociale realizuan revolucione ne Afriken e Veriut e jo te mos realizojme ne shqiptaret nje hop cilsor duke e shtyre politiken te hedhi hapa domethenes ne drejtim te demokratizimit te shtetit e shoqerise pasi shoqeria shqiptare eshte nje shoqeri e re dhe e mireshkolluar ne tersine e saje.
Perpara se shqiptaret te ofendojne njeri tjetrin ne forume e te bejne tifozllek te semure e te pabereqetshem ti drejtohen kreut te qeverise dhe atij te opozites sipas besimit politik e preferences per veprime konkrete per nje reforme te plote ne drejtesi duke marre ne considerate pak a shume keto qe thashe une apo dicka tjeter me te mencur por asnjeri te mos e perjashtoje veten por te tere te shkruajne ne nje fushate nje mujore.
Dua ti paralajmeroj te tere qe te mos behen xhelos pasi tere cfare kam propozuar eshte pervoje Amerikane qe funksionon sot e kesaj dite dhe asgje nuk eshte made in Albania apo me tej akoma made in Ajeti.
Nese mbas nje muaji intensiv kontaktesh me perfaqesuesit politik shqiptar , thirrjet e shqiptareve per veprim bien ne vesh te shurdher qe ka bere vaki edhe me pare atehere ti drejtohemi masivisht Brukselit dhe Washingtonit dhe te jeni te bindur se do funksionoje.
Nje gje duhet te dine shqiptaret si buken qe hane se politikanet qe vjedhin edhe vrasin. Askush nuk duhet ta ndieje veten te lumtur dhe te sigurte as atyre qe ju marrin buken e femijve ne tavoline gje qe nuk jane as ata bisnesmene qe bejne para ne bashkepunim me politiken kriminale pasi do ju marrin jeten neser sic edhe ju a kane marre dhe vazhdojne t’ju a marrin perdite.
Nese shqiptaret qe jetojne ne Shqiperi politika kriminale i kercenon me buken e femijve kete fushate munden ta udheheqin shqiptaret e diasporas pasi jane tashme edhe shtetas perendimore dhe duke ju drejtuar njekohesisht qeverive te tyre behen edhe me rezultative.
Mundem t’ju garantoj se ketu ne Amerike gje qe nuk besoj se eshte ndryshe edhe ne Europe se cdo leter apo e-mail qe ju dergohet institucioneve Amerikante jo vetem merret ne konsiderte por ne te shumten e rasteve i pergjigjen derguesit pasi ketu eshte realisht ne funksion e system pushteti i votes.
Shqiptaret besoj se jane te bindur se pa drejtesi nuk ka shtet e pa shtet ka kaous e ne kaus nuk ka jete, nuk ka buke nuk ka te neserme . Shqptaret duhet te punojne e perpiqen qe te fitojne te nesermen. Zoti na ndihmofte.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ajet Delaj, Nju Jork, Politika, sistemi Drejtesise

UNË KOSOVARI, QË ÇDO FUNDMARSI JAM NË DURRËS

April 22, 2014 by dgreca

Nga Kadri TARELLI/
Një telefonatë nga kolegu im Bajram Gashi, ish drejtor i shkollës së Shënavlashit:
– Ka ardhur Dush Zeqiraj nga Peja. A je për kafe?
Nuk u çudita, por më kishte dalë nga mendja, se miku ynë nga Kosova e ka bërë ligj për vetveten, që në çdo fund Marsi, do të lerë çdo punë e hall dhe do të niset të vijë në Durrës. Deshiron të takojë e të përshëndetet me miqtë, që këtu e 15 vjet të shkuar, e pritën me aq dashuri e bujari, pikërisht në motin e keq të shpërnguljes masive të shqiptarëve të Kosovës, si rezultat i genocidit serb. Nuk di, a ka tjetër njeri që e bën çdo vit një ritual të tillë?. Deshira ime është të mos jetë i vetmi, sepse është fisnikëri dhe shpreh mirënjohje.
E prita me kënaqësi kët takim me mikun e vjetër. Pasi u falëm me shëndet, biseda nisi shtruar, si fillim për shëndetin dhe hallet e ditës, e më pas vetiu në kujtimet e atyre ditëve aq të ngarkuara me dhimbje e urrejtje bashkë. Viti 1999, prag kapërcyelli të shekullit njëzet. Më e madhja tragjedi e kohëve moderne u luajt mbi popullin shqiptar në truallin e Kosovës. Në pak kohë u pleksën egër, në njërën anë lufta dhe dhuna e agresorit serb, që shkaktoi viktima të shumta mbi popullsinë e pambrojtur dhe që detyroi një popull të tërë të marrë udhën e largimit nga trojet stërgjyshore. Shpërngulje popullsie me përmasa biblike, që u dynd drejt Shqipërisë ku u pritën aq bujarisht. Në të njëjtën kohë rezistenca e armatosur e UÇK-së dhe ndërhyrja urgjente dhe e vendosur e SHBA-së dhe fuqive të botës demokratike, që sollën fundin llogjik: çlirimin e Kosovës dhe kthimin e të shpërngulurve në shtëpitë e tyre.
– Ka kaluar 15 vjet që atëherë. – flet shtruar miku nga Kosova. – Nuk është shumë, por edhe jo pak, për të kujtuar e kuptuar çka ndodhi. Si në një filmë dokumentar më kalojnë ndodhitë e atyre ditëve të mbushura me tmerret e luftës. Sado që mundohem t`i harroj, është e pamundur. Thonë se koha bën të vetën, domethënë i zbeh, i fashit dhe i mbyll plagët. Unë mendoj se hiri i kujtesës e mbulon zjarrin, zbut zemërimin, por mjafton ta zbulosh dhe ai të djeg e përcëllon, ndërsa plagët dhembin sikur më parë. Unë kam 15 vjet që le çdo punë apo hall që të kem, dhe nisem nga Peja ku banoj e vij këtu në Shënavlash të Durrësit. Më së shumti, jo për të risjellë në kujtesë të shkuarën, por për të takuar e nderuar familjet dhe familjarët që na u ndodhën në ato dit reziku, në ato kohë aq të vështira ku s`dinim ku të përplaseshim e të fusnim kokën.
Sot, – vazhdon Dushi, – duke biseduar e pirë kafe këtu pranë detit, mbase duket jo aq e trishtë, sidomos për të rinjtë, ajo që përjetuam atëherë. Vetëm ne që e provuam e dime çdo të thotë të lesh vatanin, të ikish vetëm me plaçkat e tupit, pa ditur se ku dhe çdo të ndodhte më tej. Shpesh them me vete se vetëm guri dhe druri mund ta durojë vuajtjen e shpirtit të nënave dhe baballarëve, kur kishin humbur fëmijët dhe s`i gjenin dot. Kur rri e gjykoj në qetësi, pyes: A mund të shterrej loti i familjarëve që, kur u kthyem në Kosovë gjetën vendin të shkretuar, shtëpitë e djegura, gjithëçka e rrënuar. A mund të ndalej vaji dhe kuja e nënave kur gjetën trupat e fëmijëve të tyre të masakruara e të pa kallura në dhe. Ç`zemër burri e duroi dhimbjen kur nxorri nga pusi vajzat e mbytura. Kur bëj këtë bisedë me veten, më del parasysh miku im Enver Lipaj nga fshati “Kamenicë”, komuna e Istogut, i cili sapo u khtye në shtëpi, (ishte si ne i shpërngulur), kërkoi rreth e qark e, kur s`gjeti gjurmë njeriu, u drodh sapo i shkuan sytë tek pusi. Nxorri që aty dhjetë kufoma, mes tyre edhe trupin pa jetë të nënës dhe dy vajzave të tij. Unë solla një rast, po sa e sa të tjera ka!?
Si shumë i trazuar fati dhe kjo historia e kombit tonë. Megjithatë rrjedha e jetës ndjek udhën e saj. U kthyem gjithë gëzim në vatrat tona dhe gjetëm lemeri. Sot ne i gëzohemi pavërsis. Lëvizim të lirë, shkojmë e vjijmë sa herë të duam këtu. Duam s`duam nuk e çbëjmë atë që u bë mbi ne. Shkatërrimet janë ndrequr, po plagët e zemrave a janë mbyllur? Vështirë!! Nuk kam ç`t`u them, pasi ju i kini parë vetë sa lapidarë dhe përmendore janë ngritur për gjatë rrugëve të Kosovës. Të gjithë janë aty për të na thënë: “Mos harroni”. Por unë kam një merak tjetër që dua ta zbraz, ndaj vij këtu çdo vit. Mbase nuk më dëgjojnë të gjithë, por ata që i takoj u shpreh mirënjohjen më të thellë dhe këtë ua them me fjalë shpirti: A e dini se ç`fisnikëri e ç`pasuri shpirtërore fshihet në zemrën e popullit të Durrësit, që hapi portat për ne muhaxhirët, jo për dhjetë – pesëmbëdhjetë, por për mijëra familje. E në ç`kushte do të thoni ju, që i dini më mirë se unë!? Pa ardhur këtu, shumica nga ne në Kosovë e përfytyronin Shqipërinë, si vendin me bukuri e begati përrallore, ku perëndia vjen e bën pushime.
– Çudi! – ndërhyra unë, – Tek ju në Kosovë kishin ardhur shumë nga ne, por edhe nga Kosova kishin ardhur shumë nga ju.
– Propaganda tek ne dhe frika juaj këtu, kishin bër vend, – Dushi e treti shikimin larg në det dhe e nisi përsëri fjalën. – Unë kisha dëgjuar, por s`e besoja sa të varfër ishit. Vetëm kur e pashë me sytë e mi, u binda për skamjen dhe kushtet e vështira të banimit ku u kishte katandisur diktatura. Ç`halle kishit ju e ç`telashe u shtuam edhe ne! Megjithatë na pritët dhe s`duhet ta harrojmë. Kur Bajrami më tregon disa fotografi të vjetra, të atyre ditëve që qëndruam në shtëpinë e tij në Shënavlash, mallëngjehem dhe pa dashje më më mblidhet në grykë një lëmsh që më mek frymën. Unë nuk mërzitem, por seç ndiej një lehtësim në vetvete kur vij këtu. Çmallem, takoj e bisedoj me miqtë e mi të cilët nuk i njihja më parë, veç emrin ua kisha dëgjuar nëpër biseda odash. Ja që “Çdo e keqe ka edhe një të mirë”, siç thotë një fjalë e moçme. Lufta solli çlirimin tonë, por edhe na krijoi mundësi të shkojmë e të vijmë, të takohemi, të lidhemi e ta njohim njëri-tjetrin, ndërsa “Rruga e kombit”, na krijoi lehtësi për lëvizje, na bashkoi. Urime nga shpirti atij që e ideoi dhe atyre që e ndërtuan.
Mos ma merrni për të qeshur, pasi do t`u rrëfej një ndodhi të vogël, -miku ynë rrëfimtar po na shikonte buzagaz: – Jo më larg se dje, në fisin tonë ndodhi një vdekje. E ne, sipas zakonit i ndjekim shumë këto adete. Shkova pasdite për ngushëllim, por nuk prita deri nesër që të bëhej edhe varrimi. Thashë me vete: “Në atë botë, ai shkon edhe pa mua”, ndërsa unë nuk do ta thyej zotimin që i kam bërë vetes, që çdo 29 – 30 Mars do të jem në Durrës. U ngrita që në sabah pa gdhirë, i hipa autobuzit dhe për katër orë isha në Durrës. Kisha qejf që kafen e mëngjezit ta pimë bashkë. Hë, si thoni, a nuk është bukur kështu!?
Qeshëm dhe uruam: Vizita të tilla në Durrës mos reshtin kurrë!
Ju mirëpresim!

Ne Foto:Currila-Durres.Majtas. Bajram Gashi, Dush Zeqiraj. Kadri Tarelli

Filed Under: ESSE Tagged With: JAM NË DURRËS, Kadri Tarelli, QË ÇDO FUNDMARSI, UNË KOSOVARI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4669
  • 4670
  • 4671
  • 4672
  • 4673
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT