• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Soprano Ermonela Jaho rrethohet me dashuri e vlerësim

April 5, 2014 by dgreca

“Nuk ka emocion më të madh dhe kënaqësi të jashtëzakonshme kur ndihesh e rrethuar me dashuri dhe vlerësim”, u shpreh të shtunen në mesditë , sopranoja e njohur Ermonela Jaho gjatë ceremonisë së nderimit me medalje nga Kryeministri Edi Rama.

Gjatë fjalës së saj sopranoja Ermonela Jaho theksoi se  falenderonte pjesëmarrësit dhe kryeministrin Rama.

“Doja të thoja se nuk ka emocion më të madh dhe kënaqësi të jashtëzakonshme, kur ndihesh e rrethuar me dashuri dhe vlerësim. Mendoj se vlerësimi për njëri- tjetrin është çelësi kryesor i suksesit të çdo lloj ndërmarrje. Këtë gjë provova me rolin tim në operën “Madame Butterfly” në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë”, tha sopranoja e cila  vite qe kendon  ne skenat më prestigjioze të botës me shumë sukses.

“Gjithmonë kemi menduar dhe këtu flas në emër të shumë artistëve me të cilët kam folur jashtë Shqipërisë, që e kemi vështirë të vlerësojmë e bashkëpunojmë me njëri tjetrin, por në momentin kur  i gjejmë çelësin zemrës, respektojmë, vlerësojmë bashkëpunojmë me njëri tjetrit.  Ne shqiptarët bëjmë mrekullira, siç ishte  mrekullia kur bashkuam të gjithë zemrat,  në operën “Madamme Butterfly” . Ishte ky  rezultat , që bëri që njerëzit donin të vinin jo për të parë këngëtaren, por për të ndjerë diçka të vërtetë e të sinqertë, që vinte nga ky bashkim zemrash që bëmë ne artistët shqiptarë”, nënvizoi sopranoja Jaho.
Duke shprehur falenderimet për dhënien e kësaj medalje, sopranoja Ermonela Jaho nënvizoi se “ky është hapi i parë që një artist duhet të bëjë për vendin e tij”.

Sopranoja e njohur  Ermonela Jaho u rikthye në skenën shqiptare me operën “Madam Butterfly” në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë pas shtatë vitesh mungesë.

Ajo ka interpretuar dhe vazhdon të shënojë në kalendarin e saj artistik,  skenat më të njohura operistike si Opera Mbretërore e Londrës, Teatri i Scala-s të Milanos, Opera Metropolitan e Nju Jork-ut, Teatri i Champs-Elysees,etj.

Rama: Të integrojmë Shqipërinë, si Ermonela na integroi me zërin e saj

Sopranoja shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho, u nderua sot me Medalje Nderi nga kryeministri Edi Rama, në një ceremoni që u zhvillua në selinë qendrore të Qeverisë, ku morën pjesë, anëtarë të kabinetit qeveritar dhe personalitete të larta të politikës, artit dhe kulturës në vend.

Në fjalën e tij, kreu i qeverisë vlerësoi lart vlerat artistike dhe kontributin e sopranos Ermonela Jaho, në përshfaqjen dhe ngritjen e imazhit të Shqipërisë në piedestalet e artit botëror.

Ndërsa iu referua shprehjes “Arti nuk ka atdhe por atistët kanë”, Rama tha se “jam krenar që Ermonela Jaho e cila i takon gjithë botës dhe që atdhe ka Shqipërinë, është këtu me ne për të na dhënë kurajo dhe besim që edhe Shqipëria do të jetë një ditë përkrah Francës, Austrisë, Britanisë së Madhe, njësoj siç është në axhendën e këngëtares së madhe”.

Ndërsa e cilësoi Jahon si artiste të kategorisë superiore, Rama tha se ajo është sot një ndër ambasadoret më të mira të Shqipërisë dhe imazhit të saj në botë.

“Politikanët dhe ambasadorët kanë punë me shumë rëndësi për të bërë, por të mos harrojmë që ambasadorët tanë nuk janë vetëm ata që nëpër botë paraqiten me kostumin e diplomatit. Zëri i Ermonelës është zëri shqiptar që përcillet si rreze drite në artin botëror, ndaj dhe Shqipëria është me fat që ka një ambasadore të tillë, të cilën do të na e kishte zili çdo vend në botë”, vlerësoi Rama.

Nderimi që iu bë sot sopranos së madhe nga kreu i Ekzekutivit, mund të konsiderohet ndër më të lartët, pasi medalja që iu akordua asaj, rezervohet ekskluzivisht për krerë shtetesh.

Kumbaro: Ermonela Jaho i fal publikut dridhje të rralla zemre

Sopranoja me famë botërore, Ermonela Jaho, u nderua sot me medalje nga Kryeministri Edi Rama në një ceremoni të organizuar në ambientet e kryeministrisë.
Në ceremoni ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, drejtori i Teatrit të Operës dhe Baletit, Ilir Kerni, sopranoja Ermonela Jaho, artsitë e dashamirës të artit etj.
Në fjalën e saj, ministrja Kumbaro, theksoi se “Ermonela Jaho i fal publikut shqiptar gëzimin e patreguar dhe mundësinë të jetojë dridhje të rralla zemre”.
“E kam ndierë si të rrihte zemra, sepse skena jonë të tërhiqte me një tjetër emocion të veçantë atë të vendit ku kuptove sa e zonja je, emocionin e dashurisë së parë të mësimit të parë , të sfidave të para, por edhe të dëshirës për ta zmadhuar vetë këtë skenë, jo vetëm për vete por sidomos për të rinjtë e Shqipërisë duke u dhënë atyre modelin e suksesit përballë, me atë çka ti vetë je dhe cdo fjalë më shumë do t’ia zbehte shkëlqimin.Po aq me emoconin e përqafimit artistik me një publik ndryshe, jo thjesht një publik që vjen të shoh divën , por një publik të cilit ti i jep gëzimin e patreguar dhe mundësinë të jetojë dridhje zemre të rralla”.
“Një publik që tregoi natën e provës gjenerale tek mbushi shkallët e teatrit me trupa, lot dhe emocione se di të dashurojë artin ka nevojë për vlera të vërteta artistike dhe ngjarje kulturore nga ato që trondisin qyetetin dhe ky qytet tregoi që të do fort”, tha e emocionuar ministrja Kumbaro.

Drejtori i TOB-it, Ilir Kerni, duke falenderuar Kryeministrin Rama për nderimin sot të artistes së madhe u shpreh se ” Ermonela bëri vetëm detyrën dhe ky është shembull që duhet ta ndjekin të gjithë artistët. Doja që qeveria të kishte një vëmëndje dhe më të madhe për TOB-in, për një rikonstruksion ose një opera e re do të ishte një gjë e madhe për vendin, sepse ky vend e meriton”.
Mësuesja e parë e solfezhit, Sonja Sulo, duke sjellë kujtimet në kohën kur Ermonela ndiqte liceun artistik tha se “Ermonela 14 vjeç erdhi në lice dhe studionte gjithë ditën në piano, ne u lidhëm shumë me njëra tjetrën. Nuk do të flas për meritat se puna jote i ka treguar shumë mirë. Jam e gëzuar shumë që sot Ermonela më kënaq me shpirt”.

Ndërsa Profesor Vangjo Kosta, duke përshkruar punën e palodhshme të sopranos Ermonela Jaho gjatë studimeve në Akademinë e Arteve, tha se “duke parë punën e saj mendoja se kjo vajzë do të ecë përpara, por që do të arrinte deri këtu nuk e besoja. Jaho ishte këmbëngulëse, sistematike dhe tepër e përzemrët”.
“Unë isha në provën gjenerale të “Madame Butterfly”, jam shumë i lumtur që një nga studentet tona arriti kaq lart, sepse këto do të jenë pedagoget e vërteta të këtij vendi për të nxjerrë breza të tjerë që po ndritin faqen kudo në botë

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: rrethohet me dashuri e vlerësim, Soprano Ermonela Jaho

Shqiptarët e Ukrainës, të rinjët pro Ukraines Pro perëndimore

April 5, 2014 by dgreca

Sikurse ka bërë të ditur rrjeti Balkan insight, një numër i konsiderueshëm i komunitetit të shqiptarëve që  prej kohësh jetojnë në zona të ndryshme të Ukrainës nuk kanë një mendim të përbashkët lidhur me raportin e Rusisë me Ukrainën. Balkan Insight ka vizituar një rajon, të banuar nga bullgarët, moldavët, shqiptarët dhe rusët dhe konkretisht qytetin Bolhrad dhe rrethinat e tija. Valery Peikov, një bullgar etnik, flet lirshëm gjuhën shqipe, publikon agjencia, që më tej vazhdon raportin:

“Gjyshja ime fliste pesë gjuhë: rumanisht, shqip, bullgarisht, gagauzian dhe rusisht,” thotë Valery. “Ne gjithmonë kemi qenë tolerantë dhe paqedashës.

Për këtë arsye më pak se një e katërta e popullsisë këtu janë pro- Rusisë”, thekson ai. Ndërsa shqiptari Pyotr Kirpik, 55 vjeç, do që të jetë pjesë e Rusisë.

“Ne kemi 11 kombësi të ndryshme në këtë rajon dhe nuk kemi pasur kurrë probleme me njëri- tjetrin, pasi jemi si vëllezër. Por gjithmonë i kemi folur njëri- tjetrit në rusisht dhe duam që të flasim në këtë gjuhë. Ndaj dua të jemi pjesë e Rusisë. Ukraina perëndimore dhe ajo lindore janë dy kultura, dy kombësi të ndryshme,” thotë Kirpik, që vazhdon të arsyetimin.

“Ne nuk jemi kundër Ukrainës. Por kur Ukraina u nda nga Bashkimi Sovjetik, pyesja gjithmonë veten se përse u bëmë të pavarur. Tani nuk dua të jemi më pjesë e kësaj Ukraine”.

Pyotr Kirpik ankohet se qeveria e re po imponon mësimin e ukrainishtes në shkolla dhe përdorimin e saj në jetën publike.

Një tjetër shqiptar, Max Kirchev, nga Bolhrad, por që jeton e punon prej vitesh në Kiev, thotë se gjenerata e tij mbështet një Ukrainë pro – perëndimore.

“Në vendin tonë, shumë të moshuar akoma besojnë në fuqinë e Bashkimit Sovjetik dhe akoma i kujtojnë ato kohë.

Natyrisht jo shumë prej tyre i kujtojnë ato si kohë të ëmbla, por këta njerëz janë pro- rusë, kurse shumica e të rinjve janë pro- Ukrainës. Ata duan të jetojnë në një vend demokratik me mirëqenie europiane. Shumica e miqve të mi janë dakord me këtë”, shton ai.

 

Filed Under: Rajon Tagged With: shqiptaret e Ukraines, të rinjët pro Ukraines Pro perëndimore

Kombi “kosovar” sipas modelit të kombit jugosllav!

April 5, 2014 by dgreca

Nga Gani MEHMETAJ/

Pas vitit 1999 një grup mercenarësh shqipfolës filluan të bëjnë zhurmë të madhe për krijimin e kombit të ri, kombit “kosovar”. Model e kishin – kombin jugosllav. Propaganda integraliste e ish-Jugosllavisë arriti të sajojë surrogatin serb të “jugosllavistëve” nga martesat e përziera, nga joshja që u bënte jo serbëve për karrierë politike dhe nga presionet e tjera. Paralelisht më ta u sajua edhe kombi mysliman dhe kombi maqedonas, pjellë e imagjinatës së Titos dhe titistëve. Të gjithë këta flisnin serbisht, i takonin në pjesën më të madhe kulturës serbe ose kroate (më përjashtim të “maqedonasve” sllav që ishin diku në mes të bullgarëve, serbëve dhe vllehve të sllavizuar ). Megjithatë, kombi “jugosllav” dhe “mysliman” ishin sajesa politike, prandaj dështuan për faqe të zezë: myslimanët pësuan tragjikisht nga mungesa e identitetit dhe bredhja herë nga Lindje, herë nga Perëndimi; jugosllavët me shpartallimin e Jugosllavisë u fshehën skutave nga frika e kombeve reale që dolën në sipërfaqe me identitet të sforcuar, apo jugosllavët në pjesën më të madhe u bënë serb militant. “Maqedonasit” sllav ende përpëliten në mes të bullgarëve, vllehve dhe serbëve, por që të përbashkët e kishin dhe e kanë urrejtjen patologjike ndaj shqiptarëve.

Përderisa dy sajesat e para i takojnë historisë, sajesa e tretë “maqedonasit” sllav ende qëndrojnë në mes të Shiles e Harribdes, por zor se do t’i përballojnë historisë: kombet nuk sajohen në shekullin XX dhe nuk bëhen me dekret.

Sikur nuk mjaftoi dështimi i sajesave myslimane e jugosllave, disa mercenarë, apo minoritete me prejardhje aziatike po përpiqen të krijojnë një frankeshatjn gjuhe; kosovarishtën dhe kosovarët. Po kombi i ri “kosovar” cilën do ta ketë gjuhë zyrtare? “Kosovarishtën” që nuk do të jetë gjuha standarde shqipe, ndërsa nuk do të jetë as dialekti puro gegë, por një trajtë e të folmes lokale të periferisë me sllavizma e turqizma të bollshme, apo e të folmes së pakodifikuar, ku secili do të sjell në medie e në institucione publike gjuhën e pagdhendur të katundit të vet me  pasthirrma e klithma malësorësh, me gjysmën e shkronjave të ngrëna. Ndërsa “kosovaristët” e kryeqytetit të Kosovës flisnin një shqipe të zvetënuar, në pjesën më të madhe të përkthyer nga serbishtja, me sintaksë të çoroditur sa sllavisht aq edhe anglishten e çalë si të Tarzanit të xhunglës, ku dëshirorja është fshirë  nga përdorimi. Asnjëri prej këtyre kosovaristëve nuk të thotë kalofsh mirë, sikurse gjyshja e tyre dikur, por të urdhërojnë: kalo mirë! Shtresa urbane, bijë të “elitës jugosllave” apo të shtresave të socializmit vetëqeverisës kanë nostalgji të ndjeshme ndaj serbokroatishtes. Ata duan ta përjashtojnë shqipen letrare jo vetëm nga e folmja e përditshme, por edeh nga mediet. Çdo shprehje a togfjalësh që e përdorin në zhargonin e përditshëm, e kanë përkthyer nga ish metropola e tyre ideologjike.

Kush qëndron prapa kësaj propagande? Është vështirtë të thuhet, sepse në mjedisin prej nga vijnë nuk kanë mbështetje, por megjithatë kanë ca fonde. Disa shenja tregojnë se kryesisht nisma është e ish-integralistëve jugosllavë, pastaj e majtistëve dhe mercenarëve të të gjitha ngjyrave që i shfrytëzojnë fondet e ndryshme ndërkombëtare, me burime të dyshimta. Mjafton të thuash se do të angazhohesh për propagandimin e gjuhës lokale, të ndryshme nga gjuha që flitet në Shqipëri dhe fondet i ke të garantuara, në qarqet politike ndërkombëtare, që duan të krijojnë hendek të madh në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, në propagandistët të cilët dikur ishin të zhurmshëm në luftën kundër nacionalizmit e irredentizmit shqiptar etj. Por një pjesë e tyre këtë gjë e bëjnë edhe nga ekscentrizmi, përkatësisht nga kompleksi i inferioritetit: “përtej alpeve bashkëkombësit tonë nuk na duan, na shpërfillin, na nënçmojnë, prandaj o burra ta bëjmë “gjuhën tonë , lëshojnë kushtrimin ata, që flasim e ta shkruajmë pa rregulla, pa shenja pikësimi, të kënaqemi duke ia bërë qefin vetës se, jemi më të mirët, më të mençurit dhe më të bukurit”. “Kosovaristët” mbështetjen më të madhe e patën nga disa medie elektronike të majta në Tiranë e në Prishtinë. A është fjala, sepse këto medie duan të nxisin debate apo për kuriozitet mediatik, është vështirë të thuhet. Mbase edhe ndonjë fond të dyshimtë nuk bënë të përjashtohet. Mediet tona marrin gjithandej fonde dhe askush nuk e di se nga vijnë.

Elementi jo shqiptar i integruar në mjedisin shqiptarë të Kosovës (shqiptar gjak përzier   me prejardhje jevge e aziatike) janë më të zhurmshmit për kombin “kosovar’, ashtu sikurse që të kësaj përkatësie janë edhe ata që e propagandojnë më së shumti ideologjinë e beduinëve të shkretëtirës në emër të fesë.

Të përpiqesh të sajosh komb në shekullin XXI, përkatësisht të përpiqesh ta ndash kombin e konsoliduar, është më shumë se veprim prej Donkishoti, është përpjekje të bësh punën e Beogradit. Të përpiqesh të rekrutosh njerëz për kombin e ri nga pjesëtarët të cilët ndjenjën kombëtare e kanë më të theksuar se asnjë komb tjetër në Ballkan, është veprim i joshqiptarëve që nuk na e duan të mirën. Natyrisht ata ndërkombëtar që e mbështesin këtë nismë, veprojnë nga prizmi pragmatik: duan të zbusin ca mllefin e Serbisë, mbase duan të integrojnë serbët në shtetin e ri, por mbi të gjitha duan ta largojnë vëmendjen e shqiptarëve nga gjakimi për bashkim kombëtar. Ndërkaq orientalët dua që në këtë mënyrë të shprishin gjaku shqiptar, ashtu sikurse po përpiqen që ta shprishin përmes përpjekje për nxitje të përçarjeve fetare. Fondet antishqiptare nuk prajnë se derdhuri nëpër xhepat e shqipfolësve.

Përpjekja e sajimit të kombit “kosovar” është përpjekje e pakuptim, shpenzim i panevojshëm i energjive dhe sakrificë e madhe: për  hir të 2-3 për qind të serbëve, të cilët megjithatë nuk do ta pranonin këtë sajesë dhe nuk do ta flisnin kurrë as gjuhën “kosovarishte’. Është më e drejtë që ne ta flasim gjuhën tonë dhe ata gjuhën e tyre, se sa të bëjmë eksperimente koti që na kushtojnë.

Euforia e festimit të 100-vjetorit të pavarësisë pata përshypjen se do të këndellte edhe një herë përgjumjen e asaj shtrese të shqiptarëve të Kosovës e të Shqipërisë që sikur iu bë zhguall breshke përkatësia kombëtare. Të topitur nga varfëria pesëdhjetëvjeçare, të molepsur nga ca ndihma humanitare me hurma e sheqerka, të vënë nën presionin e fqinjëve agresivë e shovinist, një pjesë e tyre turpëroheshin apo e fshihnin të qenit shqiptar. Të tjerët sikur po harrojnë ke e patëm mik e ke armik, kush na gjymtoi dhe kush ishte shkaktar i këtij gjymtimi. Të tretët iu kanë qepur internacionalizmit dhe kozmopolitizmit, pikërisht sepse e kanë ngarkesë të qenit shqiptar.

Euforia e theksimit të 100 –vjetorit të pavarësisë duhet të përseritet çdo vjet. Nuk mjafton vetëm tundja e flamujve, as vetëm fjalimet patetike, por lipset ringjallje e frymës së rilindësve, vënia në pah e vlerave kombëtare, e heronjve tonë, e luftës që bëmë gjatë historisë kundër pushtuesve dhe e përpjekjeve që duhet të bëjmë tash dhe në të ardhmen në forcimin e kombit tonë të bashkuar me përkatësi e mirëqenie evropiane.

Nuk është turp të jesh nacionalist, është turp ta mohosh kombin tënd e të shpikësh kombe të paqena, është jonjerëzore të shtypësh të tjerët.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gani mehmetaj, jugosllav!, Kombi “kosovar” sipas modelit, te kombit

Protesta e shqiptarëve në Uashington, dëshmi e pakënaqësisë për shkeljen e të drejtave!

April 5, 2014 by dgreca

Demostrata e 8 Prillit në Ushington , vjen në radhën e protestave të mëdha prej atyre që janë mbajtur në Amerikë,  për Kosovën – Ndërkohë, që protesta e fundit ndaj Milo Gjukaniviqit, është mbajtur në “Mënegjesin e Lutjeve” në 3 Shkurt 2006, në Uashington me moton “Te drejtat e shqiptarve nën Malin e Zi – Ose Bashkim me Shqipëri”/

NGA BEQIR SINA – New York/

WASHINGTON D.C: Shoqatat shqiptare me origjinë nga trojet tona etnike në Mal të Zi, me veprimtari në SHBA, janë të bashkuara si asnjëherë tjetër më parë, për të marrë pjesë në demonstratën e madhe, që do të organizohet në Washington DC me datën 8 Prill 2014, me rastin e vizitës të kryeministrit malazias Gjukanoviq. Demonstrata do të mbahet në fillim para Shtëpisë së Bardhë dhe pas do të marrshohet drejt ambasadës së Malit të Zi.

Ashtu siç është njoftuar – por edhe ashtu si pritet, të martën 8 prill 2014 – Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq do të pritet në Uashington gjatë vizitës së tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara dhe takimin e paralajmëruar me Nën/presidentin Joseph Biden, me protestat paqësore të  shqiptarëve nga Mali i Zi.

Kësaj proteste i janë bashkëngjitur me një mbështetje të jashtëzakonëshme dhe pa rezerva simbas njoftimeve të deritanishme, në rrejtet sociale, edhe një numër i organizatave dhe shoqatave të komunitetit shqiptar në SHBA, të cilat pritet të vijnë nga Detroiti, Çikago, Nju Jorku, Nju Xhersi, Kenektiket, Pensillvenia, Washingtoni, Virxhinia, Karolina e Jugut dhe e Veriut, Florida, Teksasi, Arizona, Kalifornia , Wisconsin, Ohio, Bostoni, dhe Toronto – Kanada.

Demostrata e 8 Prillit në Ushington , vjen në radhën e protestave të mëdha prej atyre që janë mbajtur në Amerikë,  për Kosovën – Ndërkohë, që protesta e fundit ndaj Milo Gjukaniviqit është mbajtur në “Mënegjesin e Lutjeve” në 3 Shkurt 2006, në Uashington me moton “Te drejtat e shqiptarve nën Malin e Zi – Ose Bashkim me Shqipëri”

Kurse, kjo parashihet të jetë demostrata më e madhe, e cila po mbahet kësaj rradhe kundër rregjimit siç e kan quajtur organizatorët në thirrjen e tyre “regjimit anti shqiptar të Kryeminisrit të Mali të Zi Milo  Gjuka-noviqit”.

Organizatorët, për këtë demostrat thonë se kan siguruar transportimin me autobus të të gjithë protestuesve në linjën vajtje – ardhje, nga vend-nisja e tyre, Nju Jork dhe Detroit, në Uashington e anasjelltas.

Arsyet e protestës të cilat janë të shumta janë paraqitur duke u renditur edhe në një letër si dhe në thirrjen që ka bërë organizatori i kësaj proteste me moton “O sot u kurrë! në faqen e interrnetit . Ku thuhet se :” Motivimi për të kërkuar të drejtat e tyre ka çuar shqiptarët e Mali të Zi, në Amerikë, të ngrihen në protesta të fuqishme kundra qëndrimeve anti shqiptare të kryeministrit Gjukanoviq ndaj shqiptarëve në Mal të Zi, të cilat, vazhdimisht po i zvogëlojnë të drejtat më themelore të popujve pakicë, në këtë shtet, që thuhet se “nuk do të kishte qenë kurr shtet i pavarur – poqe se nuk do të ishin shqiptarët – votat e tyre”.

Në krye të kësaj proteste janë vendosur deri tani tetë shoqata(Shoqata ” Ana e Malit ” New York, Shoqata ” Dedë Gjon Luli ” New York, Fondacioni ” Dom Simon Filipaj ” New York,Fondacioni ” Plavë-Guci ” New York,Fondi Humanitar ” Malësia ” New York,Shoqata Atdhetare ” Malësia e Madhe ” Detroit Shoqata  Atdhetare ” Kraja ” New York, Shoqata ” Ulqini ” Çikago, të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të gjitha me origjinë nga vendbanimet e tyre historike në Mali i Zi – që do të organizojnë protestën më 8 prill gjatë vizitës së kryeministrit Milo Gjukanoviq, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke pasur si nga hera edhe mbështetjen edhe të disa organizatave dhe shoqatave të tjera shqiptare si: Rrënjët Shqiptare dhe Kombi  nga Usteri – Massachusetts .

Simbas axhendës, është para-parë, që protestuesit në fillim në orën 10 të paradites do të mblidhen për të protestuar në parkun përballë Shtëpisë së Bardhë në segmentin e rrugës “Pennsylvania” -“Lafayette Park”. Aty për dy orë do të mbahen fjalime dhe kundërshtojnë me parrulla praninë e Kryeministrit Gjukanoviq- në SHBA. Më pastaj në orën 12 të mesdrekës protestuesit duke marrshuar në rrugët e Uashingtonit, do të qëndrojnë për dy orë duke protestuar para ambasadës së Malit të Zi – në lokacionin : 1610 New Hampshire Avenue, Northwest, Washington, D.C. 

 Shqiptarët e Amerikës, thonë se ata nuk pajtohen në asnjë mënyrë dhe nuk besojnë më tek Kryeministri Gjukanoviq – i cili sipas tyre ka qe 23 vjet që vetëm i gënjen shqiptarët, duke i margjinalizuar dhe neglizhuar ata – duke i nëpërkëmbur dhe duke ua zvogëluar edhe të drejtat më themelore të popujve pakicë, siç janë shqiptarët në Mal të Zi.

“Gjukanoviqi, simbas dekleratës që ka dhënë për median njëri prej organizatorëve të protestës së 8 prillit në Uashington, është kreu më i fuqishëm i partisë së Malit të Zi për 25 vjet, e cila është në krye të qeverisë dhe shtetit, e cila shqiptarëve vetëm u ka dhanë premtime para zgjedhjeve, por asgjë konkrete nuk e bëri kurrë.”

Ndërkohë, organizatori ka ditë që i ka bër  thirrje komunitetit shqiptar të SHBA-së, thuhet në njoftimin e tyre të gjithë shoqatave me origjinë nga trojet tona etnike  me veprimtari në SHBA, që ta përkrahin këtë demonstratë, të marrin pjesë masive dhe të solidarizohen me vëllezërit tanë që gjinden në Malin e Zi !

Ngaqë kjo demonstratë, thuhet në thirrjen e tyre  organizohet për të ngritur zërin e protestës kundër politikës diskriminuese të cilën, aparati shtetëror malazias ushtron vazhdimisht kundër bashkëkombasve tanë në vendlindje.Kjo demonstratë organizohet, për të ngritur zërin e protestës kundër politikës diskriminuese, të cilën aparati shtetëror malazias ushtron vazhdimisht kundër bashkëkombasve tanë në vendlindje.

Në fund të thirrjes thuhet se :”Me këtë rast u bëjmë thirje të gjithë shqiptarëve që ti përgjigjen në mënyrë masive kësaj demonstrate, sepse vetëm kështu do të merret vesht se vëllezërit tanë në vendlindje po përjetojnë një diskriminim të nivelit të lartë. Është koha që më në fund ta ngrisim zërin kundër regjimit totalitar të Gjukanoviqit, i cili në takimin në Washington vjen për të fituar përkrahjen e SHBA-ve, për integrimet euro-atlantike. E kemi obligim kombëtar, që të pengojmë inkuadrimin e Malit të Zi në Europ, pa u dhënë të drejtat, të cilat i takojnë pakicës autoktone shqiptare.”

Është koha kur politikës dhe strategjisë së dyfishtë të shtetit të Malit të Zi, ti dilet përpara me demonstratë masive.Është koha kur shtetit të Malit të Zi t’i thuhet “ NDAL “ kundrejt përdorimit të politikave të flliqta ndaj shqiptarëve

Nisja bëhet në mënyrë te organizuar me autobus në ora 4:30am prej Staten Island, vendi i takimit do të jetë në South Beach boardwalk parking lot në rrugën Father Capodanno Blvd pranë Restaurantit Vanderbillt.

Per rezervimin e vendeve në autobus si dhe për çdo informatë në lidhje me organizimin e demonstratës mund të kontaktoni në numrat e telefonave ; I. Kurti (347) 723 5016, A. Llunja (917) 417 7498, Xh. Zeneli (917) 470 7325, F. Kallaba (917) 692 1939, Z. Kraja (917) 502 5039.   ,

Në Bronx, Arthur ave para lokalit të Gjergj Dedvukaj “Giovanni”në orën 4am, kontaktoni Agim Rugova 917 291 0138 dhe Fahredin Kukaj 201 304 1113 dhe në Brooklyn në kryqezimin Church dhe McDonald, në orën 4am , Mustaf Ahmetaj 917 548 6273

Detroit- Nisja behet ne mënyrë te organizuar me autobus , nga oborri i Kishës së Shën Palit në Rochester Hills, ditën e Hënë, me 7 Prill, 2014, në ora 8 të mbrëmjes.

Për rezervimin e vendeve ju lutemi telefononi: 586-530-0373 dhe 586-929-9062.

Teksa apelojnë tek të gjithë të interesuarit që ti bëjnë rezervimet për udhëtimin me autobus sa më shpejt.

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Beqir Sina, protetsta ne Washington

Mirëserdhe Ali Bej Këlcyra

April 5, 2014 by dgreca

Në kudrin e kthimit të eshtrave në atdhe/

Nga Reshat   Kripa/

Mirëserdhe Ali Bej! Mirëserdhe në tokën që të lindi! Kemi shumë kohë që të presim. Kemi shumë vite që ëndërrojmë kthimin tënd në atdhe. Shpresonim të ktheheshe menjëherë pas ndryshimeve demokratike, por kjo nuk ndodhi. Ti ishe larg nesh, atje në dhe të huaj, megjithse ai dhe të priti dhe të nderoi ashtu siç e meritoje. Ti nuk ishe midis nesh që të na këshilloje me fjalën tënde të ëmbël, që të na drejtoje në rrugën e drejtë që duhej të ndiqnim. Megjithatë ne e kemi ndjerë zërin tënd të ngrohtë,  e kemi ndjerë  shumë vite më parë, kur  së bashku me Themistokli Gërmenjin ishe nismëtar i ngritjes së çetave të para patriotike kombëtare, kur më 1918, së bashku me shokë të tjerë themeloje në Vlorë “Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare”, kur merrje pjesë në kongresin historik të Lushnjes dhe zgjidheshe në Kuvendin Kombëtar si deputet i prefekturës së Gjirokastrës. E kemi ndjerë kur më 1920 merrje pjesë në luftën patriotike të Vlorës, kur rreshtoheshe ne krahun demokrat në parlamentin shqiptar si përfaqësues i qendrës së djathtë dhe angazhoheshe në Partinë e djathtë “Bashkimi Kombëtar”, me kryetar Sotir Pecin, kur ishe njëri nga themeluesit, së bashku me Sejfi Vllamasin dhe Qazim Koculin, të organizatës “Bashkimi Kombëtar në Bari në vitin 1925, kur në vitin 1926 fitoje titullin Doktor i Shkencave Juridike. E kemi ndjerë kur së bashku me një grup intelektualësh të njohur si Mid-hat Frashëri, Hasan Dosti, Kol Tromara e të tjerë do të përpilonit tezat e programit që titullohej “Nacionalizma Shqiptare Balli Kombëtar” që në maj 1942, në një mbledhje të zhvilluar në shtëpinë tënde, në Tiranë, së bashku me Mitat Frasherin, Fuat Dibrën, Kol Tromarën,  Nuredin Vlorën, Hasan Dostin, Faik Qukun, Isuf Luzajn,  Faslli Frasherin, Musine Kokalarin, Selman Rizën, Lec Kurtin, Thoma  Orollogajn, Lef Nosin dhe të tjerë do të quhej “Organizata e Ballit Kombëtar” dhe do të zgjidhte si kryetar, Apostullin e Shqiptarizmës, Mid-hat Frashërin, kur më 1944 nga tribuna e Kongresit të Ballit Kombëtar do të shtroje edhe një herë nevojën për t’u bërë thirrje komunistëve të hiqnin dorë nga lufta civile dhe do të hidhje idenë e krijimit të një fronti kombëtar për t’i bërë ballë luftës në dy krahë. E kemi ndjerë edhe kur zgjidheshe nga kryetari i Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, Rexhep Krasniqi, si këshilltar dhe mbeteshe për vite pjesëtar i delegacionit shqiptar që emërohej ne hapjen e punimeve të Parlamentit Europian në Strasburg.

Figurën tënde e kishim si simbol të lirisë dhe demokracisë në vitet e rënda të sundimit totalitar komunist. E kishim si udhërrëfyes të demokracisë pas përmbysjes së madhe. Ne krenoheshim me ty. Ti ishe nderi ynë dhe i gjithë Shqipërisë. Shumë u munduan të errësonin figurën tënde. Shumë u munduan të të diskriminonin. Dhe ky diskriminim vazhdoi jo pak, por  shtatëdhjetë vjet plot. Megjithatë nuk ia arritën qëllimit. Ti u lartësove si një Promete, ndërsa ata u fundosën në llumin që kishin përgatitur vetë. Dhe nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Një jetë e tërë në shërbim të kombit nuk mund të hidhej poshtë me një të rënë të lapsit. Këtë gjë po mundohen të bëjnë pseudohistorianët servilë, pjella të sistemit të përmbysur, por nuk do të mundin kurrë ta realizojnë. Ti i shpërtheve dyert e errësirës komuniste dhe dole në dritën e demokracisë,  asaj demokracie së cilës i kishe kushtuar jetën. Ti u ktheve përsëri në atdhe, kësaj here fitimtar, ashtu siç janë fitimtare edhe idetë e tua për të cilat kishe luftuar për vite të tëra. U ktheve në tokën që të lindi dhe të edukoi me frymën e atdhedashurisë. Eshtrat e tua të lënduara sot prehen më në fund në atdhe. Mjaft lëngove në dhe të huaj. Vendi yt është Shqipëria. Për atë u sakrifikove dhe ajo, më në fund, të dha shtratin e prehjes tënde.

Por kam disa brenga.  Medet, për ty  s’ka një shtatore. Do të doja të ishe në çdo qytet të Shqipërisë. Do të doja të të shikoja nëpër libra dhe gazeta, nëpër radio dhe televizione, nëpër shfaqjet teatrore dhe kinematografike, nëpër tekstet shkollore që mësojnë fëmijtë tanë. Do të doja të të shikoja të përjetësoheshe në përmendore në një nga sheshet  kryesore të kryeqytetit. Do të doja që emrin tënd ta mbanin institucionet më të rëndësishme të vendit.

Do të doja, gjithashtu, të shihja të preheshin në atdhe eshtrat e kollosëve të tjerë të atdheut, Mid-hat Frashërit, Hasan Dostit, Rexhep Mitrovicës, Xhafer Devës, Ago Agajt, Ernest Koliqit, Rexhep Krasniqit dhe plot burrave të tjerë të shquar, emrat e të cilëve janë shkruar me gërma të arta në historinë e këtij kombi.

Do të doja të kishte një varr, ku familjarët të vendosin një tufë me lule ose të derdhin dy pika lot, për eshtrat e Lef Nosit, Patër Anton Harapit, Bahri Omarit, Fejzi Alizotit, Kol Tromarës, Abdyl Sharrës, Kujtim Beqirit, Sheh Karbunarës, Selaudin Totos, Sami Qeribashit, Qenan Dibrës, Zalo Xhomaqit e të tjerë, të ekzekutuar nga kuçedra e kuqe apo të Koço Kotës, Xhevat Korçës, Koço Tasit, Sulejman Vuçiternit, Mirash Ivanajt, Teme Shehut, Gjergj Kokoshit dhe plot të tjerëve të vdekur nëpër qelitë e errëta të sigurimit apo të burgjeve të tmerrshëm.

Së fundi do të doja të ngrihesh një varrezë madhështore e veçantë për të gjithë martirët e sistemit totalitar komunist, një varrezë dinjitoze ku të preheshin eshtrat e tyre dhe ku të nderoheshin nga një komb i tërë.

A do të realizohen këto brenga vallë?

 

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Ali Bej Këlcyra, Mirëserdhe, reshat kripa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4710
  • 4711
  • 4712
  • 4713
  • 4714
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT