• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Bukurite e natyres shqiptare: Syri i Kaltër, aty ku natyra mplekset me legjendën

April 2, 2014 by dgreca

Nga Nikolla Lena/Syri i kaltër është një vend turistik shumë i bukur që ndodhet pranë rrugës midis Sarandës dhe Gjirokastrës. Është një luginë shumë piktoreske ku nga një burim i kaltër me origjinë karstike nga Mali i Gjerë del një ujë i kristaltë. Nga thellesia e burimit uji merr ngjyrën e kaltër nën rrezet e djellit dhe hijes së pemëve. Eshtė burimi mė i madh dhe mė interesant ndėr 18 burimet qė shpėrthejnė rrėzė malit tė gjerė. Eshtė shpallur monument natyre. Forma e tij ėshtė ovale e ngjashme me formėn e njė syri, shpėrthen nga toka i errėt nė mes dhe i kaltėr anash. Thellėsia e tij ėshtė tepėr e madhe arrin deri nė 45 m thellėsi. Ndodhet pėrballė fshatit Krongj, 45 m nėn nivelin e luginės sė Drinos dhe ėshtė shkarkim kryesor i malit tė gjerė. Eshtė burim me ujėra tė freskėta dhe tė ėmbla i rrethuar me bimėsi tė dendur dhe me gjelbėrim tė pėrhershėm.

Burimi i lumit të Bistricës, që përshkon një pjesë të jugut të Shqipërisë, i shëmbëllen vërtet një syri të madh rrumbullak me diametër afro dhjetë metra. Bebja e syrit, një gropë e thellë pus, nga ku uji ngjitet lart si në një kazan që sapo ka filluar të vlojë ka një ngjyrë blu në të zezë. Ajo vjen e rrethohet pastaj nga pjesa e kaltërt e syrit që bëhet e tillë ngaqë thellësia e burimit aty është më e pakët.

Bukuria e kërkuar nga shumë prej nesh gjendet pikërisht  aty buzë rrugës nacionale Sarandë-Delvinë-Gjirokastër.Nëse udhëtimi ndjek të kundërtën e rrjedhës së Bistricës, arrin në burimin e Syrit të Kaltër, aty ku gjelbërimi shkrihet në ujërat që rrjedhin.

Tabela ftuese shënon ”Syri i Kaltër, mirë se vini”. Një ndalesë e vogël për të hyrë në parkun që administrohet nga ndërrmarrja pyjore Delvinë, në një rrugë gjarpëruese, paralel me basenin e madh të burimit..Gjithë uji i ëmbël i burimit rrethohet nga një bimësi e shumëllojshme. Kënga e zogjve, aromat e gjelbërimit dhe fëshfërima e rrepeve mbetet grishëse.Këtu vizitorët e huaj ndalen, fotografojnë, shijojnë ujin e burimeve që rrjedhin, si dhe gatimet në dy lokalet turistike. Madje mund të zgjedhin të zgjohen aty, në shtëpizat e drunjta hotelerike.Klima  e veçantë dhe afërsia me Sarandën dhe detin Jon, Delvinën e pasur dhe pak më tej Muzinës, me Gjirokastrën, e bën të kërkuar burimin me prurjen nga nëntoka. Një habitat i pasur zogjësh e insektesh, rendin mbi petalet e  luleve, ndalen në gjethet e rrepeve dhe vazhdojnë vallen marramendëse në ajër. Autobuzat me vizitorë parkohen në hyrje të parkut dhe mysafirët përhapen në shtigjet e gjelbërta, drejt burimit magjik, bashkë me gurgullimën e ujërave që shprishin qetësinë, me zërat e njerëzve dhe në pasthirrma habie në gjuhë të ndryshme, ku fitojnë më së shumti fjalët mister dhe magjepës.

Për Syrin e Kaltër, një nga 18 burimet karstike të Malit të Gjerë, ka në rrjedhën e kohës rrëfimet për një dragua dhe vashat e bukura.

Në vitet e ndërtimit të puseve të naftës, një inxhiner e përafroi me sytë e të dashurës ngjyrën e ndryshueshme të burimit, e kështu historia e një dashurie u bë refreni i një pastërtie ujërash dhe kthjelltësie marramendëse.

Sipas legjendës në ato zona sundonte një dragua që rrëmbente vajzat, ndalte ujin dhe ua kishte bërë tejet të vështirë jetën banorëve. Derisa më në fund e vranë dhe, kur e vranë, nga syri i dragoit buroi ky ujë i kulluar që vazhdon të rrjedhë teposhtë në formën e lumit të Bistricës duke ushqyer atypari një bimësi të rrallë për nga dendësia e forca dhe duke dhënë më tej dritën që ndriçon qytetet dhe fshatrat e Jugut.

Një dragua që ndal ujin dhe rrëmben vajzat është i urryer, kurse fakti që syri i këtij dragoi të vrarë shndërrohet në burim jete sikur të çorienton emocionalisht duke shkrirë në një të vetme të mirën dhe të keqen. Megjithatë, kuptimi i kësaj legjende, si i shumë të tjerave të ngjashme me dragua, është i qartë. Ajo simbolizon përpjekjen e njeriut për të mposhtur të keqen, apo forcat e  natyrës dhe për t’i hapur rrugën jetës; por edhe varësinë e tij prej natyrës. “Ne nisi parendo vincitor” (nuk mund ta nënshtrosh veçse duke iu nënshtruar) thotë Bekoni për natyrën.

Syri i Kaltërt me gjithçka përreth tij është tamam një tempull natyror që i kushtohet misterit të jetës, luftës së njeriut për të mbijetuar në natyrë dhe njëherësh pandashmërinë e tij prej saj. Një tempull ku në vend të kolonave prej guri, rreth altarit (syrit), ngrihen rrepet e lartë qindravjeçare që e marrin fuqinë nga uji. Gjithcka aty përreth të imponohet me forcën e asaj që shpesh e quajmë “e shenjta” e cila herë shfaqet me nuanca magjike, herë me misterin dhe frikën që të ngjall, herë me respektin dhe madhështinë, por gjithmonë me forcën për ti qëndruar pranë.

Veç natyrës së bukur,është edhe mikëpritja e vendasve,gastronomia karakteristike e krahinës,qetësia e natyrës që  e detyrojnë vizitorin të ndalet e të kërkoj paqe për disa orë në këtë parajsë natyrore

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Syri i Kalter

Dy tabllotë e Gauguin dhe Bonnard të humbura para 44 vitesh në Londër u gjendën në Romë

April 2, 2014 by dgreca

Dy tabllo, njëra e Gauguin dhe tjetra e Bonnard, të cilat ishin vjedhur në Londër në vitet 1970, u gjetën nga karabinierët italianë, deklaroi sot ministri italian i Kulturës.Një konferencë për shtyp, ku do të tregohen të gjitha peripecitë për gjetjen e dy tabllove të mjeshtërave francezë të rrymës impresioniste, do të mbahet sot në Romë, në prani të ministrit të Kulturës, Dario Franceschini.

“Gjenerali Mariano Mossa, në krye të karabinierëve të ngarkuar me ruajtjen e patrimonit kulturor, ekspert botëror i artit të gjetjes së veprave të vjedhura, do të bëjë bilancin e aktivitetit të shërbimit të tij për vitin 2013″, saktëson ministri në një komunikatë.

Në janar, gjenerali Mossa, me rastin e inaugurimit të disa qindra veprave të artit të gjetura nga agjentët e tij, përmendi se “shifrat që gjenerohen nga tregëtia e paligjshme e veprave të artit renditen në vend të katërt në rang botëror, pas atij të armëve, të drogës dhe të produkteve financiare”.
Kjo ekspozitë e titulluar “memorja e rigjetur, thesare të rekuperuara nga karabinierët”, u mbajt më 16 mars në Quirinal, selia e presidentit të Republikës së Italisë.

Eksperitza e karabinierëve italianë, që kanë bankën më të madhe të të dhënave në botën e veprave të artit të vjedhura (rreth 5,7 milionë objekte), është e njohur në të gjithë botën që prej 45 vitesh.
Një pjesë e madhe e tyre udhëtojnë rregullisht nëpër vende të tjera për të trajnuar kolegë policë që të rikuperojnë trashëgimitë kulturore të vendeve të tyre, të vjedhura ose të eksportuara ilegalisht.(Ne Foto”Metamorfoza”, tablo e Gauguin)

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Bonnard, Dy tablote, Gaugen, gjenden en Rome

Jacques Le Goff – studiuesi më i madh i Mesjetës

April 2, 2014 by dgreca

“Europa sot ende duket bërë dhe duhet menduar. E shkuara propozon por nuk zotëron. E tashmja është e përcaktuar, sa prej rastit dhe prej arbitrit të lirë, aq edhe nga trashëgimia e së shkuarës”/

Nga Arjan Th. Kallço/Studimet historike europiane këto ditë humbën një prej njerëzve më të shquar të kërkimeve historike, edhe pse francez ai dha një kontribut të rëndësishëm jo vetëm për vendlindjen e tij, por edhe për gjithë kontinentin. Ia dedikoi jetën e vet Mesjetës dhe ngjarjeve historike të kohës, duke sjellë në vëmendjen e të gjithëve mendimin e vet. Shtypi i huaj e konsideron si Historianin më të madh francez që me punë  e tij shkencore, së cilës i bashkoi edhe atë përhapëse, e bëri Mesjetën të gjallë dhe popullore, duke i apasionuar edhe lexuesit e zakonshëm. Dhe mendja detyrimisht na shkon tek historia jonë dhe moria e studiuesve të cilët në këtë kohë, të shumtë si kërpudhat, të kapur nga kushedi se çfarë ethesh, në vend që të ndjekin shembullin e historianëve, si Jacques Le Goff, bëjnë të kundërtën, duke dashur ta prishin imazhin e historisë sonë me një arbitraritet të pashoq. Historia si dhe shumë shkenca kanë nevojë për një studim të gjatë dhe të hollësishëm, ku ngjarjet të mos studiohen në sipërfaqe, por në brendësi të tyre. Historia e shkuar e largët nuk ka gojë, por ka dëshmi të gjalla të ruajtura në memorjen e një kombi, fakte dhe të dhëna të cilat duhet të studiohen drejt, të kuptohen dhe interpretohen nga një mendim i pjekur dhe autoritar, duke mos i lënë vend amatorizmit apo studimeve të përcipta dhe me karshillëqe. Në histori ka patur dhe do të ketë gjithmonë edhe mendime të kundërta për ngjarjet e së shkuarës, por gjithësesi këto duhet të mbeten larg imponimit të komanduar nga politika, sepse dihet që politika është e kapur nga interpretime jo të drejta dhe të pranueshme që detyrimisht lidhen me interesin e vet dhe të paraardhësve të tyre. Një histori e politizuar do të ecë gjithmonë me dy kahe, njëri pro përpjekjeve të popullit dhe patriotëve që, në shumicën e rasteve, dalin fitimtarë dhe tjetri me humbësit. Historia jonë e shekullit të kaluar që nga viti 1900 ka shumë probleme për të zgjidhur dhe për të hedhur dritë mbi ngjarjet, por kurësesi nuk mund ta fshijë boshtin themelor të ecurisë së saj. Një popull me histori të përçarë dhe me dy kahe, do të mbetet gjithmonë i ndarë dhe pa asnjë qartësi në ngjarjet që i siguruan mëvetësinë dhe lirinë. Por po i kthehemi modelit të historianit francez që dje e nderoi jo vetëm Franca. Përse e nderuan? Sepse në punë e vet ai u udhëhoq nga puna e tij plot pasion, pra një historian nëse nuk ka pasionin në punë, por thjesht është robot, kurrë nuk do t’i marrë seriozisht gjërat. Së dyti kërkohet një qëndrim i pavarur në lidhje me ngjarjet dhe faktet, ndryshe do të bjerë nën ndikimet e këtij apo atij grupimi politik. Së treti në mendjen e tij duhet të ekzistojë vetëm e vërteta historike, natyrisht racionalizmi të jep mundësinë t’u afrohesh atyre, por dihet, pa mundur kurrë ta zbulosh në tërësinë e pakundërshtueshme të tyre.

Historiani francez pati edhe fatin që të ishte jetëgjatë në dy kohë si të Luftës dhe të paqes në Europë dhe kjo i krijoi mundësitë që të punonte i çliruar nga presionet dhe konjukturat e kohës. Le Goffi lindi në Tolonë më 1 janar 1924, më vonë ishte nxënës i Shkollës Normale të Lartë dhe më pas, në vitin 1950, u bë profesor i asociuar i historisë në Universitetin e Parisit. Më pas u zhvendos në Lilë dhe në gjithë vitet ’60 ishte studiues në Qendrën Kombëtare të Kërkimeve Shkencore të Parisit. Në atë kohë u bë edhe koordinator i revistës së famshme Annales. Sipas shtypit italian ishte një prej figurave të shquara që doli nga shkolla e “Annales” franceze që drejtoheshin nga  mjeshtërat Ferdinand Braudel dhe Maurice Lombard. Mendimi i tyre karakterizohej nga gjithështrirja e vëmendjes së tyre ndaj problemeve të ditës dhe jo vetëm ndaj ngjarjeve të mëdha; ndaj bashkimit të historisë dhe gjeografisë me optikën sociologjike dhe antropologjike, për një rindërtim historik dinamik që e kthen vëmendjen ndaj lindjes së ideve, zakoneve, modifikimeve të modeleve ekonomike.

Në vitin 2000 mori Honoris Causa në Filozofi në Universitetin e Pavias. Në Francë ai

konsiderohet babai i Historisë së re, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në të vërtetat hsitorike të Mesjetës. Ka botuar shumë vepra dhe ese’, ku mund të përmendim ato që i dhanë famën e një studiuesi tepër të përkushtuar dhe të drejtë,  si Intelektualët e Mesjetës, Fillimet e Mesjetës, Qytetërimi i Perëndimit mesjetar, Tregje dhe bankierë të Mesjetës, E mrekullueshmja dhe përditësia në Perëndimin mesjetar etj. Por veprimtaria e tij i kapërceu kufijtë francezë dhe mbërriti në Itali, ku kishte bashkëpunim shumë të mirë me Einaudin për librin Historia e Italisë, por në të njëjtën kohë kishte edhe shumë miq, midis të cilëve historianë dhe intelektualë,  veçanërisht mund të përmendim studiuesin Umberto Eko, i cili e atashoi si ekspertin e padiskutueshëm të Mesjetës tek filmi Emri i Trëndafilit..

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Arjan Kallco, Jacques Le Golff, Mesjeta

SHOQERI E OKUPUAR NGA PUSHTETI I HASHIMIT

April 2, 2014 by dgreca

Opinion nga Faik KRASNIQI/Gjashtë vite pas pavarësisë së Kosovës, vendin po e gjen totalisht të okupuar si shoqëri nga klanet mafioze, të zhytura në kriminalitet, shpërlarje parash, korrupsion, nepotizëm, dhe me intenca të okupimit me çdo kusht të institucioneve më vitale shtetërore. Defenitivisht që pas marrjes së pushtetit nga Hashim Thaçi më 2007 kemi degradim enorm pothujase në çdo pore të jetës. Kjo strukturë qeverisëse okupoi institucionet më profitabile dhe më të rëndësishme të shtetit, si: PTK-në, Aeroportin, Universitetet Publike, policinë, gjykatat, prokuroritë, ministritë, ndërrmarrjet publike, RTK-në, bizneset, parregullësi të mëdha me tenderët dhe me qindra-mijëra abuzime të tjera.

Veriu i Kosovës vazhdon akoma të mbetet nën duart e kriminelëve serb të dirigjuara nga Beogradi zyrtar.

Kosova për të dalur nga kjo gjendje e rëndë në të cilën gjindet tash – kuptohet me Qeveri të ndershme dhe me intelektualë të mirëfilltë, dhe jo me çobanë dhe analfabetë që sot fatkeqësisht po e udhëheqin Kosovën – duhet të veprojë kështu! Shtrohet pyetja se si të dilet nga kjo situatë?!!!

Çdo njëri prej nesh tash e 15 vite i bëjmë vazhdimisht pyetjes vetes pse jemi katandisur kaq keq, pse jemi në këtë gjendje të rëndë. Fare e thjeshtë, derisa udhëhiqemi nga kjo klasë e qelbur politike, e konsumuar, nga këta analfabetë, si mund të ndryshojë gjendja në të cilën ndodhemi?! Kosova për të dalë nga kjo gjendje e rëndë në të cilën ndodhet, duhet të udhëhiqet nga intelektualët e rinjë dhe të ndershëm, të përgjegjshëm dhe që kanë vizion për të çuar vendin përpara.

Në Kosovë ka intelektualë të mirëfilltë që janë të dijshëm, të rinjë, të ndershëm, të përgjegjshëm, të guximshëm, vizionarë, me programe kombëtare dhe ekonomike-shoqërore që do të mund, jo vetëm ta ndalin këtë teposhtëze, po të fillojnë ta ngirisin Kosovën për një kohë jo shumë të gjatë.

Duhet të fillojmë nga vetja, secili nga ne.

Duhet të fillojmë të kuptojmë se shteti ka ligje!

Duhet të kuptojmë se ligjet duhet të respektohen!

Duhet të kuptojmë se të gjithë qytetarët kanë të drejta, por edhe detyra dhe përgjegjësi!

Pra, na duhet një vetëdijësim.

Kosova nuk ka nevojë për njerëz të konsumuar, kur ka intelektualë të rinjë e energjikë, por politika e vjetër nuk iu ka dhënë hapësirë për t’u dëshmuar.

Kosova nuk ka nevojë për politikanë analfabetë, kur ka njerëz të mençur që e çojnë vendin përpara.

Kosova nuk ka nevojë për politikanë kriminelë dhe të korruptuar, kur ka njerëz të ndershëm.

Një shkrepsë e harxhuar nuk të ndihmon ta ndezësh zjarrin!

Ka ardhur koha që Kosova të udhëhiqet nga intelektualët e rinjë dhe të ndershëm.

Duhet t’u ipet rasti intelektualëve të mirëfilltë, të rinjëve vizionarë, njerëzve të ndershëm, të përgjegjshëm, përndryshe na mori lumi! (Autori është publicist nga Prishtina dhe anëtar i ”Nismës për Kosovën”)

 

Filed Under: Opinion Tagged With: faik Krasniqi, Hashim Thaci, opinion, shoqeria kosovare

2 PRILL 1991 – 2014…

April 1, 2014 by dgreca

Fotomontazh: Arben Broci 21 vjeç, Besnik Bishanaku 22 vjeç, Nazmi Kryeziu, 38 vjeç dhe Besnik Ceka, 21 vjeç/

KËSHTU  THA…  RAMIZ  ALIA: “VETËM N’ FUTA E DEGERMIA…   ZBUKUROHET SHQIPËRIA !”/

Nga  Fritz RADOVANI/Plot 23 vjet…Si sot kujtoj shkrehjet e armëve gjakatare të terroristëve komunistë, që para se me ngordhë, dita e ditës, po vajiseshin me gjak Rinije Shqiptare të pafajshme… Ishte një kujtesë për të gjithë “ata” që kishin “harrue” shprazjet e automatikëve në mëngjez heret në Zallin e Kirit pranë Rrëmajit në Shkoder…Ai mëngjez i bukur prilli, me atë diell aq të kandshëm, që porsa kishte fillue me ndriçue godinat e vjetra të Shkodrës, për pak minuta u terratis tue mbulue kokat e pesë Nanave Shkodrane përjetsisht me shejin e zisë, “degermijat” e mnershme, që për mbi 47 vjet mbulonin edhe muret e Rozafës…Një turmë e madhe qytetarësh shkodranë piskatnin në Fushën e Çelës të zemruem  n’ atë mbasdreke të 1 Prillit 1991: “Komunistët hajdutë na kanë vjedhë votat!”… E pa u errë ende, u nisën nga qendra e gjaksorëve, ku kurdiseshin arrestimet, vrasjet, torturat, e ku nuk pushonin një minut thurjet e tragjedive, që kishin mbizotnue psikologjinë e çdo njeriu që mund të harronte për një çast fjalën  marksist – leniniste të diktatorëve tanë: “Frikë”, të shkrueme që nga data 29 nandor 1944 ndër majat e maleve, ndër fushat e kooperativat bujqësore, ndër fermat e t’ interrnuemëve, ndër hymjet e fabrikave e deri tek dyert e të gjitha maternitetëve tona, ku çdo fëmijë, edhe para se të lindte, duhej të dridhej në barkun e nanës kur të ndigjonte fjalën “komunist”! Komiteti i PPSh ishte çerdhja e tyne!…

Në orët e vona aty shkoi edhe Kryetari i BSPSh së Shkodres Ferdinand Temali, e mbas pak kohe demostruesit u shpërndanë tue i urue njenitjetrit “natën e mirë!”…

Kur kemi shkue bashkë me Arben Borshin nga ora 21.30 nuk kemi gjetë njeri. Aty dukej sikur ka ra “heshtje”…, po e nesërmja në mëngjes tregoi se aty ishin sajue edhe vrasje të shëmtueme, që do të brengosnin Nanat Shqiptare… Në mbramje kishte ardhë nga Tirana edhe zv. Ministri i punëve të mbrendshme…dhe, bashkë me kryetarin e degës së mbrendshme të Shkodres Çapajev Taçin, shefin e policisë Dilaver Paparen dhe policin vrasës Gjekë Celin, kishin projektue mënyren e “sigurimit të komitetit PPSh”, me vendosje të forcave të rendit, snajpërve ndër godinat përrreth, sambistëve të droguem në të gjitha ato godina ku mendohej me krijue trazime dhe ku punohej për me realizue vrasje dhe terror.

Pikërisht në apartamentin mbas poliklinikës ishte edhe gjuejtësi i djaloshit të zgjedhun për “kurban”, studenti Arben Broci, që vetë Presidenti gjakatarë Ramiz Alia në takimin e organizuem me studentë në Pallatin e Brigadave i kishte vue shenjën e vrasjes.

Kur studentët e shkollës së mesme “Jordan Misja” ishin të ulun karrshi komitetit, në barin e lulishtës, dhe posa Arbeni, ka arrijtë aty nga rruga e qendres së qytetit… pa u afrue mirë tek studentët, asht ndigjue krizma e snajperit që e ka goditë mu në krahun e majtë, mbi kerdhokël, tue i shkaktue vdekjen në çast… ramja e tij në asfalt ka dhanë sinjalin, mbas të cilit u vranë Nazmi Kryeziu, 38 vjeç, Besnik Ceka, 21 vjeç, Besnik Bishanaku 22 vjeç dhe u plagosen mbi 89 vetë, listen e të cilëve e kishte Ferdinand Temali. Dij se shpejtë ka vdekë edhe Artur Gila. Gjuejtja me snajper u ba nga godinat perreth sheshit…Dij se Arben Broci asht vra nga dritaria e apartamentit, pranë derës së Frano Preçit, që me ka tregue Ai vetë.

Frano, sa ka dëgjue të shtimet e para, ka dalë tek dera dhe ka gjetë 2 sampistë që gjuenin…

Kur urdhni i Presidentit ishte zbatue përpiknisht, dhe mbasi dhuna ishte prezent në çdo qoshe të qytetit, hipokriti i Shkodres, “bilbili i partisë”, kishte mendue me vue edhe maskën e tij si zakonisht veprojnë vrasësit, tue “nxi surratin në ikje mos me u njohë kush asht gjaksi” i dha flaken komitetit të partisë, tue u mundue me krijue idenë se “vrasjet erdhën pasojë e djegëjes së selisë së PPSh”…një trillim pa rezultat që u shue pa lindë… “tymi dhe bloza e arshivave të partisë komuniste nuk e mbuluen faqen e zezë të tij…derisa ngordhi!”.

Edhe pse u banë sa mbledhje në komitetin ekzekutiv të Shkodres, filluen greva, u ndalue puna e u mbyllen fabrika, erdhën nga Tirana hetuesë e prokurorë, jurist’ e spijunë, dhe u mendue me ua lanë “preshin” në dorë disa thasëve pa markë…Asnjëherë nuk asht arrijtë me u mendue “pafajsia” e organizatorëve të masakres së 2 Prillit 1991 në Shkodër!

Ajo ishte një veper tipike terroriste komuniste me të gjitha shfaqjet e mësheftësitë e veta që nga organizimi, realizimi dhe zvarrisja me zbulue të vërtetën, gja e cila nuk ka asnjë rasë që asht dënue në atë sistem përbindsh e tiran siç ishte komunizmi në Shqipni.

Të gjitha “misteret” janë vepra të diktaturës komuniste, të cilat mbulohen për aq kohë sa ai sistem barbar të sundojë mbi popullin e pambrojtun, ashtu si asht Populli Shqiptar, përderisa vrasësit, torturuesit, kriminelët dhe tiranët, jo vetem nuk dënohen për krimet që kanë krye dhe vazhdojnë me ba çdo ditë, por edhe qiten e priten ndër shtete që krenohen për “demokracinë dhe arritjet e saja” në vendet e tyne. Përderisa të mos vihen në bankën e të akuzuemve, por të lihen të lirë vrasësit e kriminelët e diktaturës komuniste shqiptare, që asht një nga ma tipiket e atij sistemi në botë, të gjitha idetë e lirisë dhe të demokracisë, nëse nuk janë përmbysë ende, s’ asht e largët koha e ringjalljes së diktaturës së pashpirtë! Koha po tregon se “ringjallja” po nxitet dhe po afrohet me “ringjalljen e diktatorëve” të pashpirtë.

2 Prilli 1991 në Shkoder asht vazhdë e krimeve që komunistët kanë krye ditën për diell e natën për hanë për 47 vjet pa ndërpremje. Që nga viti 1944 krimet e tyne janë legale, të njohuna dhe të jashtaligjëshme ashtu si ishte vetë organi i sigurimit të shtetit që zbatonte jashta të gjitha normave njerzore e juridike vendimet e partisë komuniste. Kriminelet e diktaturës 47 vjeçare vazhdojnë me kenë “heronjë”…Kuvendi Popullor asht dakord!

Shteti Shqiptar nëse vazhdon mos me dënue kriminelët apo “meritat” e njohuna zyrtarisht nga organet e paligjshme të diktaturës, tue fillue nga Enver Hoxha, Ramiz Alia, Nexhmije k…siç asht thirrë nga turma në vorrimin e 17 vjeçarit Pllumb Pllumbaj, i vramë në kufi në korrikun e vitit 1990, domethanë se jo vetëm që Shteti sot pajtohet me ato krime të shëmtueme të komunizmit gjakatar, por edhe asht pasues i vepres së tyne.

Populli Shqiptar nuk duhet të heshtin dhe as të mendojnë se “armët e diktaturës” ndryshken vetvetiu, përderisa, ai të jenë pre e atyne armëve që për 70 vjet vazhdojnë me vra Bijtë e Atij Populli, që asnjëherë nuk ka pushue luftën e vet për Liri e Demokraci!

Demokracia asnjëherë nuk mund të ndërtohet mbi rrenojat e krimit e barbarizmit!

Melbourne, Prill 2014.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, Masakra e 2 prillit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4718
  • 4719
  • 4720
  • 4721
  • 4722
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT