• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PLAGËT E LUFTËS PËR LIRI

April 1, 2014 by dgreca

Poemë për masakrën në Tivar/

Nga Rrustem GECI/
Ai muaj ishte mars, ishte prill/
ai vit ishte 1945, dhe ajo luftë/
Kosovën e nxorri të humbur/
me 35 mijë djem të pushkatuar/

Këtu një kufomë, aty një tjetër/
dhe një tjetër ,.. dhe një tjetër,../
dhe një tjetër,..o zot, me mija,../
djem të Kosovës të pushkatuar/

Për atë kasaphane në Tivar
Kosova pyet, pyesin familjarët
pse djemtë tanë na i masakruan
dhe plisin në Tivar na e shkelën

2 )
——————————————

A ka faj Tivari apo prejardhja
për vrasjen e 3785 regrutëve tanë
shih, edhe dhimbjes m´ i dalin lot
e gojës m´i merret fjala e qan

Të pushkatuarit shqiptar në Tivar
Të pushkatuar nga xhelatët serbë
pyesin, përse duhet të vritemi
përse kjo pusi e serbëve në Tivar

Kosovë o zemër, mos më mallko
Ish zëri i të plagosurit, Avdiu
Se duar e këmbë i kam të lidhura
Fytyrën me thika ma kanë prerë

Krimi në Tivar mbetet gjenocid
vrasja regrutëve i duhej Serbisë
vendim i qarqeve në Beograd, ish
edhe një Mollë të kuqe ta vriste

3 )
—————————————–

A kishte faj Udhëheqja Kosovës
për masakrën në Tivar, them po
mobilizimin e regrutëve shqiptar
Shtabi i Kosovës e kishte bërë

Krimi në Tivar ishte i menduar
ai vazhdoi pastaj në Dubrovnik
vazhdoi në Likë, Nish, e Beograd
Deri më 17 shkurt të vitit 2008

Ç´po ndodhë vall me Kosovën
qanin gjyshet dhe gjyshërit tanë
Kosova na mbeti fare pa djemë
pa burra për ta mbrojtur vendin

Tivari ishte një varr i projektuar
se varre të reja hapeshin çdo ditë
për ta gjunjëzuar Kosovën , që
Kosova të mbetej nën Serbi

4 )
————————————–

Regrutët i vrau ushtria serbe
Me një vendim të Jugosllavëve
Ata u pushkatuan të lidhur
që Kosova të mos vetëmbrohej

Krimi në Tivar mbetet i gjallë
sado që atë e varrosën thellë
në Tivar nuk ka një gur varri
për 3785 regrutë të pushkatuar

Nga Kosova e deri në Tivar
rruga ishte më e keq se në varr
në atë udhë të mundimshme
shumë nga tanët vdiqën rrugës

Mes plagëve dhe bajonetave
pashë në ëndërr vajzën time
kjo masakër duhet të kujtohet
për të gjithë brezat e Kosovës

5 )
————————————–

Nuk njerizohen serbët xhelatë
as Garashaninët, Andriçët, Rankoviçët
ata vranë gjithandej Toplicën
dhe regrutët tanë një nga një i therën

Të pushkatuarit e Tivarit thërarsin
që gjaku i tyre të mos thaj
Kosovë, mblidh gjakun tënd
Mblidhe se është gjak i të rënëve

Për atë krim të Serbisë në Tivar
Kosova e Tivari duhet të ulurasin
në të gjitha kancelaritë e Evropës
që t´ i bëhet një gjyq Serbisë

Serbia me pamje të njeriut
herët a vonë do të përgjigjet
për krimet mbi popullin tonë
për gjenocidin e padënuar serbë

6 )
————————————–

Pushtimi i Kosovës nga sllavokomunistët
Bëri që të ndodhë Tivari
serbët vranë 35 mijë shqiptar
për të aneksuar Kosovën!..

Prejardhja dhe pushtimi i Kosovës
Ishin shkallët e pushkatimit
fliste në zjarrmi Alimaloku
pak çaste përpara se të vdiste

Ne s´kemi vrarë, as s´kemi vjedhur
i thoshte Preni plagës së tij
ne po vdesim krejt të pavarrosur
dhe pa një ceremoni varrimi

Tivari ishte vetëm një varr
varre të reja hapeshin çdo ditë
që Serbia të dërgojë kolonët
mbi hipoteka të shqiptarëve

7 )
—————————————-

Ah, sikur të isha pa pranga
dhe duart e mia t´i kisha të lira
do të luftoja edhe me thikat, që
të vdisja me gishtin në këmbëz

Kosovë, heshtja s´ paska duar
por, ngrite zërin për të rënët tuaj
Thërrasin nënat dhe baballarët
Kosova, dhe të ardhshmit e saj

Kosovë, mblidhe gjakun tënd
Se njëgjakësh jemi shqiptarët
Këtu një kufomë, aty një tjetër,..
Djem të Kosovës të pushkatuar

Gjenocidi i organizuar i Serbisë
nuk ishte kontroll dokumenti
po ekzekutim i atypëratyshëm
ndëshkim, ndjekje, pushkatim

8 )
——————————————

Shumë nga regrutët tanë të therrur
zorrët e tyre i mbanin nëpër duar
ata fluturonin nëpër qiejt e tyre
por fjalë nuk nxjerrnin nga goja

Në atë pusi tragjike për Kosovës
Na u mor Tivari, na u mor Ulqini
të pushkatuarit në Tivar,ishin gjak
i shtetit të ardhshëm të Kosovës

Mbi lirinë e shkelur të Kosovës
Serbët vranë me plumb e bajonetë
me mija jemi gjysmë të vdekur
dhe me mija jemi të pavarrosur

Pushtimi serb shumë na ka vrarë
xhelatët serbë edhe tani vrasin
ata po shtien në të gjitha anët
edhe pas një shekulli krimesh

9 )
————————————–

Për pushkatimet në Tivar
dhe aneksimin e Kosovës, nga
ushtria serbo-sllave e Titos
shkrimet e mirëfillta mungojnë

Qëllimi i pushkatimit në Tivar
kujtoj se ishte prejardhja jonë
ndarja e Kosovës nga Shqipëria
dhe pushtimi i tokave shqiptare

Në atë kasaphanë çnjerëzore
prilli i detit e mban mend
ai do të flasë në çdo kohë
për serbët me pamje të vrasësit

Gjenocidi i padënuar serb
vazhdon mendësinë e vjetër
se krimin mund të varrosësh
gropave të fshehta të kohës

10 )
——————————————

Ky homazh prushi dhe zemërimi
për Kosovën e vitit 1945, për
regrutët e pushkatuar në Tivar
nga ushtria dhe fallangat serbe
do ta quaja plagën më të patharë
për të gjithë brezat e popullit tonë
Ky homazh prushi dhe zemërimi
për gjakun tonë të gjithmonshëm
bëri që liria të jetë e pakënaqur
bëri që Kosova të jetë në luftë
edhe për Tivarin, edhe Manastirin
Prandaj, ky homazh për regrutët
të vrarë të lidhur dhe nën pranga
edhe fjalën e bëjnë të qaj e uluras
por, kini durim; ata do të zgjohen
posa t´ i mbushin njëqind vjet
ata do të ngrihen e do të flasin, se
ishin gjak i shtetësisë së Kosovës
gjak i njësimit dhe i përbashkimit!..

Rrustem Geci, poemë nga libri i poemave “Heroika ”

 

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: PLAGËT E LUFTËS PËR LIRI, Poemë për masakrën në Tivar, Rrustem Geci

SHTEGTIMI

April 1, 2014 by dgreca

Tregim nga Hazir MEHMETI/ Nën pikat e ftohta të shiut vjeshtak, mbi krahët e bardhë të avionit, shpërthyen shtëllunga reshë drejt qiellit të kaltër. Rrezet e diellit shkëlqenin në horizontin pa kufi. Muzika e mjeshtrit të klasikes i jepte shpirt pamjeve që ngjallnin fantazinë e pakufishme.

Liqeni i Poradecit vinte në pamjen e Shtërgut, ku në një ditë si kjo do të nisej drejtë jugut, atje ku dielli jep jetë. Por jo, sot  fluturimi i veçantë drejt Qytetit të Vaut. Shtërgu shijonte  amshimin e përmotshëm në botën engjëllore, prapa qiellit mbi retë shtëllunga të bardha.
“Sa më lartë të jesh  përmallshëm i ndien përjetimet në tokë bashkë me dëshirën të kthehesh në fortësinë e saj”,- mendoj ai.
Kur avioni shponte me shpejtësi errësirën e reve të zeza përplot shi, ndjeu dëshirën ta shihte Poradecin e tij, edhe pse e dinte se pas reve është krejt një qytet tjetër, i një bote tjetër. Karrigia e vjetër, para derës së shtëpisë stërgjyshore, që mezi mbahej nga pesha e moteve, ishte ngulitur në ninëzën e syrit bashkë me ndriçimin e rrëzëthyerjeve nga liqeni përballë.
Miku shtrëngoi dorën. Shtergu kërceu pragun. Shkallët e trenit dukeshin të larta në hapat e vegjël të atyre që udhëtimin me tren e kishin një privilegje në vendin e tyre. Derisa vagoni si një djep i madh lëkundej bashkë me pasagjerët, Miku lexoj në aiped drejtimin e cakut pesë kilometra e dyqind metra.
Arritja e cakut, Haben Sie das Ziel erreicht, tingëlloi fuqishëm në vorbullën e dëshirave të kamotshme për zbulimin e horizonteve artistike gjithë njerëzore. Para dukej një rrugë e gjerë me trotuar të ngushtë dhe e shkurtër rreth njëqind metra, e zbrazët dhe e rrethuar me shtëpi trikatëshe, muret e të cilave të kufizuara me drunjtë të gdhendur mirë, krijonin katërkëndësh të shumtë. Kulmet e larta, dritare të ngushta e të zgjatura pingul çatisë, tregonte për hapësirat e banimit brenda tyre që në shekuj.  Ashtu siç ishte parë nga pamjet satelitore, rruga e shtruar me gurëkatrorë, më të vjetër se vetë shtëpitë e banorëve trashëgimtarë gjeneratash që ecnin mbi të. Ishte hera e parë që takonin  një arkitekturë tipike të rajonit të rrjedhës së Moin-it, i cili rridhte shekujve mes fushave e kodrave nga të cilat dallohej Römerbergu me Katedralen e Paulusit dhe  gjithë historinë e saj.
Shtërgu iu afrua portës në të cilën shkëlqente një dry i verdhë në parmakët e metaltë mbrojtës. Nuk i besohej, ishte ëndërr apo zhgjëndërr. “Sa e vogël tani bota, e tëra në një shtëpi, në një dhomë apo në një kuti, e cila lidhet me gjithësinë dhe i di të gjitha”. Një ndjenjë nga brenda shqetësuese ia përshkoi trupin.
“Nuk ka vizitë”,- lexoi duke lëvizur buzët me një zë që nuk u dëgjua.
Në çast atij iu duk sikur dëgjoi një vaj foshnje të sapolindur, derisa mushkëritë i mbusheshin me ajrin e jetës. O zot, mendoj ai, dhe shkundi veshin me dorën e majtë në mëdyshjen, se ishte zë apo i bënin veshët.
“Tani merr frymë njeriu i shekullit të lirikës e artit që nuk njeh kufi e as moshë”, – mendoi duke soditur Goette Haus nga pragu i portës deri në oxhakët ngulitur në qiellin e trazuar përplot re të cilat sfidonin ngrohtësinë e diellit drejt nesh.
-Mik, dëgjon ti vaj foshnje  apo më bëjnë veshtë?
Derisa priste fjalën e Mikut, zëri i foshnjës u dëgjua në këndin e rrugicës, ku tani dukej karroca e mbuluar nga vinte zëri  gjithnjë më fuqishëm. Pa shqetësime afrohej një zonjë bionde, nën këmbët e së cilës dëgjohej kërcitja e takeve kalldrëmit të gurtë. Në moment iu kujtua Ana e Yllit të Zemrës. Shtërgu shikoj nga bashkudhëtari i tij i habitur sikur ndihej fajtor për atë, përse kishte pyetur i nxituar. Ndjenjat brendshme tani qetësoheshin pranë mureve të ftohta të pajetë të një shtëpie shekullore, të cilën e kishte parë disa herë në marrjet navigatorë. Mbështeti ballin për muri, mbylli sytë të qetësohej në heshtjen e murit brenda të cilit  kishte filluar një dritë e re në artin e poetikës.
Për një çast iu kujtua shkrimgërvishtja e poetit në muret e burgut të Spaçit “Mehr Licht”. Prej atëherë e kishte menduar se pikërisht ky do të ishte tregimi më i shkurtër në botë, e jo ai i Ubicolës: “Ubicolës: “Cuando desperto, el dinosaurio todavio estaba alli”. Kush do ta kuptoj Mehr Licht, që ta korrigjoj historinë e tregimeve të jetës më mirë se sa i vuajturi qelive të errëta me rrjetë hekurash në robërimin e dritës. Çuditërisht,  dielli nuk u hidhërua në Zeusin ashtu si dikur në parahistori.
Kohët e përplasura kalldrëmeve bashkë me gjuhën e akullnajave kishin ftohur çdo gjë. Asgjë nuk ishte si dikur, as ajri, as kënga ndaj dashurisë, e cila ishte bërë monedhë e përbaltur shkëlqimeve të asfalteve përplasur qelqanave të pallateve qiellore. Tani engjëjt nuk zbritnin më në kalldrëmet e dikurshme, ku i këndohej dashurisë për njeriun e zemrës, rrinin lart në pavlerën e mjegullinës së ftohtë e të tejmbyllur.
Derisa mendonte kështu Miku ishte larguar dhe mezi vërehej, i bëri shenjë me dorën e ngritur lart që ta përcjell pas. U nis sikur të ishte i sapo zgjuar nga gjumi. Për herë të parë i pa këmbët e tij mbi gurët e ftohtë dhe gati sa nuk thirri: Hej, të kujt janë ato opinga, dhe filloi para syve të vinin pamjet e kasolles, aroma e pogaçes së ngrohtë sapo e shpaluar nga çerepi, pamja e gjyshes me grushtin e kripës. Sikur nuk besoj se do largohej pa hyrë në shtëpinë e lindjes së shkrimtarit të madh gjerman Goette. Ngushëllimi se do qëndronte dhe dy ditë në fundjavën e parë të Muajit Historik sikur e sollën në trastën e tij të praruar nga leckat e shtresuar njëri mbi tjetrin, nga të cilët i fundit i zi si futa.
Era  krijonte melodi fërshëllimash të panumërta kthinave mes shtëpive e rrugicave të shtruara me kalldrëm si dikur që s’i dihej koha. Moini i disiplinuar me të turbulltën e tij  rridhte poshtë luginës, e cila lakohej e përcjellë me shinat e hekurt dyfish sipër të  telëzuara. Nga dritaret e A- Rosa, krijoheshin pamje të Grüngürtel, me gjelbërimin e zverdhur nëpër të cilat gjarpëronte asfalti, aty këtu mbi të cilin dukeshin drita që ecnin pa cak të njohur.
-“Sheshi i Goettes”- u dëgjua altoparlanti. “Prapa statujës, është qendra më e njohur bankare e botës”.
Të gjithë drejtuan sytë andej, me përjashtim të një grupi vendës, të cilët  luanin letra dhe nuk iu bënte përshtypje fjala e udhëdrejtuesit. Shtërgu përcillte konditat e motit dhe tani vinte shtypja e ajrit prekshëm më e ulët në ekranin përballë.  Loja e erës u hapi rrugë reve përplot shi të ftohtë vjeshte që ngrinte degëve e aty- këtu ndonjë gjethe e mbetur majë së cilave dalloheshin pikat që zmadhoheshin dhe binin poshtë pa ndërprerë në heshtjen lëvizëse. Lëkundjet e anijes pasqyronin  thyerjet e dritës nga qelqanat gjigante përballë.
Miku mbështeti veshin në xhamin e lagur e të ftohtë, sikur donte të dëgjonte frymëmarrjen e anijes, e cila luhatej para nisjes së re. Iu duk sikur i erdhi zëri nga thellësia e lumit (ëndrronte thellësinë e Liqenit të Poradecit), se dielli po lindte kujdesshëm pas fjetmadhës pesë shekullore. Hija tjetër e hënës po largohej bashkë me erëstepën dhe pluhurin e verdhë të saj.
Moini i fryrë tani na barte në shpinë lakadredhave të tij drejt bashkimit me  Reiniin e gjerë e të njohur për huqet e tij shekujve.
“ Rein- i lumi më me shumë lundruese në Botë”,- lexoi Miku në fletë itinerarin ku tani sapo përfundonte njëri emër dhe fillonte tjetri më i fuqishëm e rrëmbyeshëm.
-Pamjet magjepse që vinin tejxhamave nën thyerjet e pikave të shiut, zëra rosash të egra, zhaurma kuzhine, erëmirë ushqimesh e mbushnin hapësirën. Tani dukej udhëtimi më i lehtë, Motorët fuqizuan rrotullimin e tyre.
Pas kodrës së parë u hap horizonti e një fushe kufiri i së cilës nuk dukej nga errësira e reve vjeshtake dhe pikave të imta të shiut. Çatitë e shtëpive të qytezës dukeshin të bashkuara me retë dhe nga larg dukej sikur pesha e tyre binte vetëm mbi to.

Shtegtarët u gjenden në qytezën Koblenz buzë jo larg lumit me famë. Një ndërtesë e stilit kështjellë me mure të trasha e shumë dritare të vogla krijonin  përshtypje hijerëndë e cila u thye nga pritja miqësore e personelit që në takimin  e parë me emrashkruhesit e bujtinës. Monitori i gjerë informonte gjithandej mbi mysafirin e sapo ardhur. Kësaj radhe emrat luanin lojën e kohës së tyre me domethënien absurde të jetës sonë në Gadishullin Ilirik. Kuptimi i tyre shpjegohej përtej Bosforit, atje ku Dardanelet flasin me historinë e tyre të mbytur në det.

– Këta janë poetët e krijuesit shtegtarë nga trevat shqiptare, tha Miku.
– Janë vetëm shtegtarë apo më shumë se kaq,-  pyeti Shtërgu, i cili çuditërisht nuk e dinte se ishte i ftuar edhe ai.

-Shtegtarë,- vazhdoi Miku.

Ishte dimër i ashpër, mbijetesa e racës ishte në rrezik. Çdo gjë rrënohej nga furtuna, edhe lisat më të fuqishëm bashkë me foletë e ngritura nëpër mote. Kullat e gurta me frëngji ishin nxirë nga tymi i barutit dhe bota shihej vetëm deri tek shënjestra,- shtoi Miku me gjysmë zëri.

-Shtërgu, me fytyrën e vrenjtur nuk foli. Nga xhepi nxori çibukun bashkë me “Taraboshin” e verdhë si këmba e sokolit. Sapo deshi ta mbushë, në veshin e djathtë dëgjoi pëshpëritjen, “Nuk lejohet tymosja zotëri”.
-“Dashuria do ta shpëtoj botën”,- tha  Nëna e Madhe shtegtare përtej Kulmit të Botës me krahët e saj gjithë andej globit ku jeta ishte dhembje. “Shtegtarët u  takojnë njerëzimit. Kënga e tyre tejshkon male e oqeane, krijon miq të cilët aq shumë na duhen në ecjen tonë”- foli Shtergu.  Një hije engjëllore shkëlqeu në copëza krahësh mes kaltërsisë së horizontit. Çibuku lëshonte dredha tymi në shikimin tonë të kujdesshëm.

Vendlindja priste shtegtarët e shpresës shekujve. Shtërgu e Miku ishin aty.

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Hazir Mehmeti, shtegtimi, Tregim

ORGANIZATORET E DEMONSTRATES NE WASHINGTON, THIRRJE PER PJESMARRJE MASIVE

April 1, 2014 by dgreca

THIRRJE PER DEMONSTARTË/

Shoqatat shqiptare me origjinë nga trojet tona etnike nën Mal të Zi, me veprimtari në SHBA-së,të bashkuar si asnjëherë tjetër më pare,ju bëjnë thirrje që të merrni pjese në demonstratën,që do të organizohet në Washington DC me datën 8 Prill 2014, me rastin e vizitës të kryeministrit malazias Gjukanoviq në Washington DC. Demonstrata do të mbahet para Shtëpisë së Bardhë dhe Ambasadës së Malit te Zi .

1.   Shoqata “ Ana e Malit “ – New York
2.   Shoqata “ Dedë Gjon Luli “ – New York
3.   Fondacioni “ Dom Simon Filipaj “ – New York
4.   Fondacioni “ Plavë-Guci “ – Nmew York
5.   Fondi Humanitar “ Malësia “ – New York
6.   Shoqata Atdhetare “ Malësia e madhe “ – Detroit
7.   Shoqata Atdhetare “ Kraja “ – New York
8.   Shoqata “ Ulqini “ – Chikago
9.   Rrënjët Shqiptare (Albanian Roots) – New York

10. VATRA – New York

11. Shoqata Rugova – New York

12. Shoqata Kosova Lindore – New York

13. Albanian American Foundation – New York

I bëjmë thirrje komunitetit shqiptar në SHBA-së,Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Këshillit Shqiptaro Amerikan dhe gjithë shoqatave me origjinë nga trojet tona shqiptare me veprimtari në SHBA-së, që ta përkrahin këtë demonstratë, të marrin pjesë masive dhe të solidarizohen me vëllëzërit tanë që gjinden nën Malin e Zi ! Kjo demonstratë organizohet për të ngritur zërin e protestës kundër politikës diskriminuese të cilën, aparati shtetëror malazias ushtron vazhdimisht kundër bashkëkombasve tanë në vendlindje. Është koha që të parandalojmë integrimet e Malit të Zi në botën demokratike, është koha që ne shqiptarët autoktonë nën Mal të Zi të kërkojmë me forcën e arsyes, që t’i gëzojmë të gjitha të drejtat, sipas konventave të botës demokratike. Është koha kur shtetit të Malit të Zi t’i thuhet “ STOP “ aplikimit të politikave të dyfishta ndaj shqiptarëve. Nisja behet ne mënyrë te organizuar me autobus , ne Bronx, Arthur avenue para lokalit te Gjergj Dedvukaj “Giovanni” dhe ne Brooklyn kryqezimin Church dhe McDonald, ditën e Merkure me daten 8 Prill 2014, ne ora 4:30AM. Apelojmë tek te gjithë te interesuarit qe ti bëjnë rezervimet për udhëtime me autobus sa me shpejt. New York – Për rezervimin e vendeve ne autobus ju lutem telefononi: per Bronx, Agim Rugova 917 291 0138 dhe Fahredin Kukaj 201 304 1113, Brooklyn, Mustaf Ahmetaj 917 548 6273. Detroit- Nisja behet ne mënyrë te organizuar me autobus, nga oborri i Kishës së Shën Palit në Rochester Hills, ditën e Hënë, me 7 Prill, 2014, në ora 8 të mbrëmjes. Për rezervimin e vendeve ju lutemi telefononi: 586-530-0373 dhe 586-929-9062.

Ju faleminderit per mir kuptim,

Mustaf Ahmetaj

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Demonstrata ne Washington, thirrje per pjesmarrje

Qyteti i New Yorkut, është duke u përgatitur për kremtimin e Pashkëve

April 1, 2014 by dgreca

275 skulptura vezë që do të jenë të fshehura për rreth qytetit nga data 1 deri në 17 prill , si pjesë e Faberge Big Veza Hunt . Vezët janë rreth 2 metra e gjysmë të larta dhe janë krijuar nga artistë të famshëm dhe designers si Tommy Hilfiger dhe Jeff Koons/

Nga BEQIR SINA, New York City/

NEW YORK CITY :   Pashka (ose pashkët) e cila  është kremtimi më i madh i kalendarit liturgjik të Kishës Katolike dhe të kishave të tjera të krishtera që kremtojnë Ringjalljen e Jezusit të Nazaretit ndodhur, sipas Besëlidhjes së Re, tre ditë pas vdekjes së tij në kryq, këtë vit në metropolin e botës New York, duket se do të kremtohen me një mënyrë krejt të veçantë.Data 20 prill – e cila është dita e parë e Pashkëve, për këtë vit, do të shënohet nga artistët njujorkez me një vepër interaktive arti dhe do të prezantohet në të 5 njësitë bashkiake . Qyteti prezantoi sot një numër vezësh gjigande, të cilat janë gati për t’u vendosur nesër zyrtarisht në disa nga sheshet më kryesore të 5 njësive bashkiake, thanë autoritetet e qytetit të New Yorkut.

Aktualisht çdo vezë ka një peshë 1 ton dhe janë duke pritur për t’u zbuluar , me nji ceremoni që do të organizohet me këtë rast dhe zyrtarisht fillon nesër më 1 prill.

Kjo është pjesë e simbolikës, që kanë vezët me ngjyra në kremtimin e pashkëve, anembanë botës, thotë kompania kuratore  Faberge Big Egg Hunt, e cila më parë shpërndau në të 5 njësitë bashkiake me qindra skulptura me lopë( të të gjitha racave) , por që me vezë , kësaj rradhe duket se kan sjell një element më interaktive, thonë ata .

Gati janë 275 skulptura vezë që do të jenë të fshehura për rreth qytetit nga data 1 deri në 17 prill , si pjesë e Faberge Big Veza Hunt The . Vezët janë rreth 2 metra e gjysmë të larta dhe janë krijuar nga artistë të famshëm dhe designers si Tommy Hilfiger dhe Jeff Koons .
Një aplikim i lirë i shkarkueshm me smartphone do të lejojë publikut për të kontrolluar në çdo kohë për të gjetur një vezë se ku është vendosur . Vendet e vendosjes së  vezëve ‘”do të mbeten sekret” deri sa 10 njerëz që përdorin app – smartphone kan për të gjetur të njëtën vezë . Në kë pikë vendndodhjen e saj dhe do të paraqiten në një hartë interaktive , duke u bërë publik . Pjesëmarrësit e këtij konkurimi do të kenë të drejtë për shpërblime, thonë organizatorët .
Çdo vezë është unike . Përveç  Hilfiger dhe Koons, designersit e vezëve janë të përfshirë edhe architect Zaha Hadid, kreatori Martin Handford, artisti Julian Schnabel, “Lego brick” artisti Nathan Sawaya dhe modelistet e njohura Carolina Herrera dhe Ralph Lauren..

Ekspozita në ankand

Në ndërkohë nga  data 18 prill deri në 25 prill , ditë e Pashkëve të gjitha vezët do të mblidhen për një ekspozitë të lirë në Rockefeller Center .Ato pastaj do të dërgohen në një ankand nga Sotheby dhe ankandi në internet Paddle8 për të përfituar çmimin nga Elephant Family , një organizatë e konservimit , dhe Studio në një shkollë , një program që sjell artet vizuale për të shërbyer fëmijët e New York City .Të njëjtin ekspozim me vezët në ditët e pashkëve më parë i priti Londëra me vezët e Big Hunt në vitin 2012 , ndërsa Glasgow , Liverpooli, Manchesteri dhe Dublini i priti ato në vitin 2013. Faberge Big Veza Hunt është bashkëorganizator dhe sponsorizues me Elephant Familja dhe Studio Shkollë, një program ky që sjell artet vizuale në shkollat publike të Nju Jorkut .

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Beqir Sina, Nju Jorku, per Pashket, po pergatitet, vezet me ngjyra

RAMUSH HARADINAJ: MISION I PAMBARUAR

March 31, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/1.Në historinë e botës ka familje që kanë nxjerrë lider epokal, ushtarak epope, po askund nuk gjen një të tillë sui generis: dera, kulla Hilmi Haradinaj i ka dhanë kombit tre gjeneralë të luftës të veçantë të Kosovës. Dy prej tyre heronj të lirisë, gjeneral Luan Haradinaj (6 maj 1997), gjeneral-kolonel Shkëlzen Haradinaj (19 prill 1999). Si emrat e tyre edhe vet jeta, betejat e rënia heroike.

Tjetri vlla, gjeneral Ramush Haradinaj, një legjendë e gjallë. Përndryshe, edhe “Kalorës i Lirisë”, si e çmon  denjësisht një titull nderi dhanë këto ditë pranvere nga UAKSH. Ishte komandant i ZO të Rrafshit të Dukagjinit. Kreu detyrën e nënkomandantit të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK). Prej 29 prillit 2000 kalorës edhe i politikës: kryetar i partisë së re Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Prej 3 dhjetorit 2005, mbi tre muaj, edhe kryeministër i Kosovës.Ky burrështetas panshqiptar, pas triumfalizmit ekselencial në Hagë, i nderuar nga Presidenti i Shqipërisë me Urdhrin e lartë “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, po pegason në vizione e aksione të Rilindjes Kombëtare Moderne Shqiptare si një maratonamak kombëtar politik shqiptar i dy shekujve të fundit.

2.Deçani ka frymën e vet pellazgjike, si tokë etnike dardane në çdo kohë ka lind luftëtar e heronj yjetar në qiellin e historisë shqiptare të brezave.Kësaj ane, kah magjistralja e sotme Pejë-Gjakovë, legjendat flasin se trokoi heroi Gjergj Elez Alia me fustanellë e me kalin e bardhë të betejave. Në Grykën e Deçanit thonë se kanë luftue kreshnikët Muja e Halili të ramun nga pellget natyrore të Plavë-Gucisë shekuj ma herët se serbët e Nemanjasë të ngrinin mbi tokën e shqiptarit Hasi Kuçi e me projekt të protomjeshtrit katolik Vita i Kotorrit, mbi themele të kishës katolike të Gashit të Xërxës, manastirin ortodoks të Deçanit që sot UNMIK-ohet me 23 ha sipërfaqe kishtare. Hyu-t pellazgjik, Deçanit, edhe mbretër të Serbisë mesjetare si Stefan Uroshi III deshën me e marrë emrin për mbiemër përvetësor, pasi e ndjenin veten të vogël pa këtë madhështi dardane në brigje të Lumabardhit e lartësi alpine të Gjerovicës.

Heroi i Popullit Sulejman Vokshi, rrënjas nga visi i Vokshit të Deçanit, ka luftuar edhe në Preshevë e në Mitrovicë, si kundër sllavëve edhe otomanëve. Heroi i Popullit Isa Boletini (Maksutaj) i Mitrovicës ka djeplindje të tij Isniqin e Deçanit, po shkoi krah Ismail Qemalit në Vlorën e Flamurit të Pavarësisë, derisa vritet nga hjekësia e pushka malazeze në urën e Ribnicës në Podgoricë. Heroi i Popullit Asim Vokshi, i trungut vokshian, u vra për Spanjën në luftë internacionale. Luftëtari gjoks lufte Demë Ali Pozhari i Deçanit mori pjesë në beteja për mbrojtjen e Sanxhakut Shqiptar në Tregun e Ri dhe në Plavë-Guci po i përndjekur nga serbët u detyrua të emigrojë deri në Turqi.

Rrallëkush e din se kah fundmarsi 1998, pas Drenicës së Adem Jasharit, forca policore e (para)militare të Serbisë e mësynë përflakshëm e përgjakshëm kullën historike të Haradinjave në Gllogjan të Deçanit, ku hasën në një qëndresë luftarake krahinore. Gjatë luftimeve ballëpërballë plagoset randë gjeneral Ramush Haradinaj e, në ato kushte të vështira lufte në Rrafshin e Dukagjinit, shpëtoi mirësisht vetëm nga mjekime me ilaçe tradite, si pshere djathi, etj. Tevona, prapë, për herë të dytë, merr plagë nga plumba të ushtarëve rusë. Sllavët e stepave e të shkrepave e kanë në thep si luftëtar kombëtar. Ramush Haradinaj me plagë, pranga, hapa, vizione, pegason në luftë e paqe në historinë kombëtare e politike panshqiptare e më përnget si një Gjergj Elez Ali modern.

Në shek. XXI bota nuk ka askund tjetër si Ramush Haradinaj lider me plagë të luftës për liri e pavarësi që të jetë njëherash e kohëpaskohe: gjeneral lufte, lider i partisë parlamentare AAK, kryeministër përkohor i vendit të tij, të ketë shkuar në GjND në Hagë, të jetë me mision kariere politike të pambaruar, të hapur, për ardhmërinë e Kosovës, për bashkimin kombëtar.

3.Ramush Haradinaj në 8 vite emigrant kryesisht në Zvicër kontribuoi në (i)legalitet me sakrifica në përgaditjet për Luftën e Kosovës, të Maqedonisë e të Preshevës, sëbashku me Ali Ahmetin, Hashim Thaçin, e gjithata të tjerë të diasporës shqiptare.Ramush Haradinaj ishte nga ata strategë ushtarak që kur drejtonte e luftonte me UÇK-në në Rrafshin e Dukagjinit, në kohë “Betejën e Koshares”- në këtë “Termopile Shqiptare”, i kontribuoi thyerjes më 9 prill 1999, pas një gjysëm shekulli, të kufinit shqiptaro-shqiptar në mes Shqipërisë e Kosovës.Ramush Haradinaj me 8 vite  qëndrestari e apologji në GjN në Hagë, pas dy burgosjeve e gjyqeve të gjata, me lirinë e pafajësinë e tij, u kthye në një tjetër fakt/or  (ndër)kombëtar të çertifikimit të luftës të UÇK-së në Kosovë.Ramush Haradinaj ka plot një çerek shekulli veprimtari kombëtare politike kontributore meritore në Zvicër e Hagë, në Deçan e Prishtinë, në çdo vis të Kosovës, si edhe në gjithato vise të trojeve etnike shqiptare në Ballkan, në disa diaspora shqiptare në botë, saqë është kthye, si e portretizon saktë edhe ish-deputeti e presidenti i UAKSH, Azgan Haklaj, në një “De Gol Shqiptar”.

4. Ramush Haradinaj, tri herë gjeneral: në luftë, në Hagë, në politikë; është një politikan i formatit të madh (ndër)kombëtar.Kur ishte kryeministër me mandat të papërfunduar, kur shkoi në Hagë herën e parë dhe herën e dytë, kur u kthye në Kosovë, ka marrë gjithato vlerësime ndërkombëtare si nga ish ministra të jashtëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Madlen Ollbrajt, i Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe, Robin Kuk etj. Disa herë edhe ish senatori e tani Zëvendës President i ShBA, Joe Biden ka mbajt qëndrime të drejta për mirë ndaj Ramush Haradinaj, edhe kur u thirr në Hagë qyshse herën e parë, edhe kur u lirua i pafajshëm në bankën e nga dyert e saj.Një grup kryengritësish revolucionarë i “Aleanca Forca Demokratike” në Uganda e ka lyp “gjeneralin e politikës” Ramush Haradinaj në shkurt 2009 që të jetë ndërmjetës në bisedime ndërmjet tyre e Qeverisë Ugandase në Kampala. Gjithato qytete në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, etj. e kanë shpallë “Qytetar Nderi” të tyre si Kruja e Skënderbeut, Vlora e Ismail Qemalit, Tropoja e Sali Berishës, etj.

Ramush Haradinaj në qënien e tij, në vetëdijen e udhën e tij, ka një lumë “Lumabardh” e një mal “Gjerovicë”. Askush nuk mund ta ndalin të jetë një “lumabardh” i kohës, ashtu sikurse e vështirë ta pengojnë të bahet një “gjerovicë” apo një nga “gjerovicat” e Kosovës e të Kombit Shqiptar.

5.Ramush Haradinaj, i deçanas, kryetar i partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe qytetar i lagjes “Arbëria” në Prishtinë, është nga ato personalitete kombëtare, nga ta burrështetas shqiptar, që qëndron vargni e lartësi tek germa “A” e Lirisë e Pavarësisë, zhvillimit e progresit të Kosovës së sotme.Lideri historik e biblik Ramush Haradinaj ka një mision të pambaruar: Vetëm 96 ditë ndejti kryeministër i Kosovës. Nuk e plotësoi as 100-ditëshin e parë të qeverisjes, “100 ditëshin Ruzveltian” të përcaktuar sipas presidentit amerikan Franklin D. Ruzvletit (Ruzvelti i LDB). Nuk ia mbrrini me e ba  bilancin e mirë të  punëve të tij si kryeministër. Nuk pati kohë e mundësi të na e baj publike ai vetë, sepse shkoi vullnetarisht në Hagë, në një mision tjetër për Kosovën e Kombin.

Ramush Haradinaj është një nga emblemat kombëtare, politike, ushtarake e shoqërore të Kosovës që në rrugëtimin e tij bashkëkohor burimon energji e vitalitet, prodhon ide, udhëheq veprime, ka plot vizione për të shkrue Alfabetin e tij politik deri tek germa “Zh”.

Ramush Haradinaj i pandalur nga plumbat e luftës me Sllavët e Jugut, i papenguar nga prangat e GJN në Hagë,  ka asish e kësish që duan ta rrethatojnë tek germa “Z” në pamundësi reale e imagjinare për ta ndalë krejt, qoftë edhe në hapin e parafundit, para finales politike horizont hapur.

Kjo simbolika politike “Z” në historinë moderne shqiptare është “Zona Asnjanëse e Junikut”, e krijuar juridikisht me vendim të Konferencës së Ambasadorëve në Paris në nëntor 1921 si zonë ndarëse mes Shqipërisë Londineze e Mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene (MSKS). Kjo “Z.A.J” (që përfshinte 18 fshatra të Junikut, Deçanit, etj. në mes të cilëve edhe Gllogjani i Ramush Haradinajt). Kjo  qëndroi si e tillë nën mbikqyrjen e Këshillit të Lidhjes së Kombeve deri në caktimin përfundimtar të kufirit në mes këtyre dy shteteve nga delegatë komisionierë të Anglisë, Francës, Italisë e Japonisë. Zona Asnjanëse e Junikut” ishte vis e vatër e mbi 2.000 atdhetarëve shqiptarë me prijës Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Azem Galicën e të tjerë që kërkonin bashkimin kombëtar shqiptar, por në janar 1923, edhe nga diplomacia e Fuqive të Mëdha pushoi së ekzistuari e u aneksua nga Serbia.

A thue kësisoj, këso forme, po iu lypset Prishtinës zyrtare a ndokujt tjetër me e kantonue në një oaz politik  në “Zonën Junik-Deçan” edhe gjeneralin e luftës e të paqes, të kombit e politikës, Ramush Haradinaj?! Iu duket kundërshtarëve se ia mbrrinë kësaj “fitoreje” ndaj tij në zgjedhjet lokale 2013 në Kosovë, ku u “rrudh” në vetëm dy komuna: Deçan e Junik, e me vende për këshilltarë të AAK në disa komuna të tjera. Mirëpo kjo i avitet “Fitores së Pirros”.

Ramush Haradinaj i ka thye disa herë kufijtë: e “theu” kufinin e Serbisë e shkoi në Zvicër (1990); e theu kufinin mes Shqipërisë e Kosovës në Koshare (9 prill 1999); e “theu” kufinin prangor të Hagës me pafajësinë e tij, e theu kufinin…me Preshevën, me Maqedoninë edhe përtej Marrëveshjes së Ohrit. Po e “thyen” kufirin me Malin e Zi në mënyrë institucionale shtetërore me hapjen e rrugës së munguar Deçan-Plavë.  Në zgjedhjet e sivjetme Parlamentare në Kosovë Ramush Haradinaj me partinë e tij, me aleancat e tij, ka me e thye këtë kufi politik “Z” të përkohshëm të “Lokaleve, 2013”, si dikur në marsin 1998 të Gllogjanit, në pranverën 1999 të Deçanit, në dimrin e 3 dhjetorit 2005 të Prishtinës, në nëntorin 2012 të Hagës, e ka me mbrri deri tek germa Zh”…

“Lumabardhi” Ramush Haradinaj, apostull biblik i Kosovës e Kombit qyshse në Zvicër, Ante në rritje me plagët e luftës në trup, kreshniku “Gjergj Elez Alia” i kohës moderne, “Prometheu” i Hagës, “De Goli Shqiptar”, gjenerali i luftës e i paqes, i ka vargit “Gjerovicat” e veta. E pret Kosova në piedestale të reja, sepse ky njeri epope e epokal, i lartësive e vazhdimësive, tashma është kthye në Simbol, është Institucion më vete, ka emrin e mbiemrin e tij: “Ramush Haradinaj i Deçanit, i Kosovës, i Kombit”.

 

Filed Under: Featured Tagged With: RAMUSH HARADINAJ: MISION I PAMBARUAR

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4722
  • 4723
  • 4724
  • 4725
  • 4726
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT