• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ÇERÇIZ TOPULLI,KAPEDAN I JUGUT QË U VRA NË VERI TË SHQIPËRISË

March 25, 2014 by dgreca

Shkruan:Eugen SHEHU/

   “MILAZIM LARGO TABORRE/

 SE TË KUQ,TË BËJ ME BOJË/

ÇERÇIZ TOPULLI MË THONË » /

 Në një lagje të qytetit të Gjirokastrës,ende sot qëndron si një kështjellë krenare,shtëpia e Topullarëve.Ago Topulli,ai burrë i mençur e trim i cili pat bashkëpunuar me Abdyl Frashërin,pati plot 18 fëmijë,të cilët i edukoi me dashurinë për Gjirokastrën dhe krejt  tokën arbërore.Me pasurinë e vet,Ago Topulli,do t’i vinte në ndihmë sidomos mikut të ngushtë të tij,Koto Hoxhit i cili ishte shndrruar në pishtar të çeljes së shkollave shqipe në gjithë jugun e Shqipërisë.  Çerçiz Topulli lindi në vjeshtën e vitit 1880,në ate shtëpi të madhe që ushtonte nga zërat e shumtë të fëmijëve,të miqve dhe dashamirësve të Ago Topullit.Ai që në fëmijëri u shqua si djalosh guximtar dhe ndonëse vazhdonte shkollën osmane të qytetit,do të ishte përkrah punëve të vështira të atit të tij.Natyrisht ai do të kishte një model ku mund të mbështetej,një dasiuri të shenjtë ku mund të guxonte të hynte,ky ishte vëllai i tij më i madh Bajo Topulli,i cili asaj kohe mësonte e jetonte në Stamboll.Ndër ditët më të lumtura të fëmijërisë së Çerçizit,ishin pikërisht ato,kur në shtëpinë e madhe në Gjirokastër,vinte Bajo i cili i fliste sidomos për takimet e tij me Naim Frashërin dhe Koto Hoxhin.Duke dëgjuar fjalët e ngrohta të Bajos,për ato burra të shquar të Shqipërisë,Çerçizi ndjente t’i rritej në shpirt,flaka e shqiptarizmës.Dalëngadalë,ndonëse larg,Bajo, përpiqej të mbante lidhje me vëllanë e vet i cili po i lutej ta merrte me vete në Stamboll.Por qëndrimi i Bajos në Stamboll,në vitet 1901-1903,ishte tejet i rrezikshëm.Ai ishte lidhur ndërkaq me Shahin Kolonjën,Gjergj Qiriazin,Grigor Cirkën,Mid’hat Frashërin,Ibrahim Temon e patriotë të tjerë shqiptarë të cilët parashihnin në fundin e Perandorisë osmane,një lëvizje të domosdoshme autonomiste për shqiptarët.Vetëm kështu mund të përballej rreziku i madh që i vinte Shqipërisë pothuaj nga të katër anët.Ngase ka rënë në sy të spiunëve të Stambollit,Bajo,merr rrugën për në Manastir dhe fillon punë aty si mësues.Më pas në vitin 1905,Bajon do ta shohim në krye të atdhetarëve shqiptarë për krijimin e Klubit të fshehtë të Manastirit.Ngase reputacioni i tij ishte i madh sidomos në Kolonjë,Korçë dhe Gjirokastër,ai dërgohet atje për të formuar degët e klubit Qendror të Manastirit.Ka qenë pikërisht ky mision i cili ka bërë të mundur bashkimin e dy vëllezërve Topulli,me ç’rast vetëm vdekja mund t’i ndante.Bajo,shkon në Gjirokastër dhe bisedon me të vëllanë,Çerçizin,tashmë 25 vjeçar,trupgjatë, syshqiponje,me një mjekër që i kishte hije,Çerçizi nga ana e tij i tregon se pas tij mund të shkonin 40-50 djem trima të jugut,të gatshëm për të luftuar e për të dhënë jetën për atdheun.

“Pas disa ditësh,Bajua largohet fshehurazi nga Gjirokastra,sepse mytezarifi po dergonte aty forca ushtarake,Bajua duke kaluar në Korçë së bashku me Çerçizin dhe luftëtarë të tjerë,ndalet në Humelicë të Gjirokastrës në familjen e Papa Kristo Negovanit ku i thonë familjarëve se çeta e tyre do të merrte hakën e patriotëve të vrarë”.(J.Dilo”Çerçiz Topulli me shokë”Tiranë 1961,faqe 14).

Papa Kristo Negovani,ky dëshmor i shkronjave shqipe,pat rënë i mbuluar prej gjaku,nga dora vrastare e dhespotit të Korçës,grekomanit Foti.Dhe shpagimi nuk vonoi,Vetëm shtatë ditë,pasi u përshëndetën me familjen e mësuesit Papa Kristo Negovanit,dhespoti i Korçës,Foti,u shtri si qen përdhe,nga plumbat e luftëtarëve.Shtypi i asaj kohe,duke dashur të intrigojë për vrasjen e dhespotit,shkruajti për ndikime vllehe apo bullgare në çetat shqiptare.Por përgjigjja që ua dha Çerçizi,në fshatin Starje të Kolonjës,në prani të dhjetra trimave,ishte se plumbi që pat shtrirë në tokë dhespotin e Korçës,kishte dalë prej pushke shqiptare dhe ajo pushkë nuk do të pushonte,deri në çlirimin e plotë të gjithë trevave shqiptare.Ndërsa në vjeshtën e vitit 1906,Çerçizi dhe Bajo Topulli shkojnë në Gjirokastër,për të organizuar aty në fshehtësi,çetat e jugut.Por bëmat e tyre kanë alarmuar Stambollin dhe katër vëllazërit Basriun,Dautin,Banushin dhe Halilin nuk i gjejnë në shtëpi.Me urdhër të mytezarifit të qytetit,ata ishin lidhur me pranga dhe ishin dërguar në burgun famkeq të Janinës.Arrestimet nuk i trembin dy vëllezërit,dy trimat ndaj ata porositin vëllezërit e tjerë të bëjnë kujdes dhe vetë nisen sërish në fshehtësi për në Manastir.Gjatë udhëtimit çeta e Çerçiz Topullit bie disa herë në prita nga ushtritë osmane duke luftuar trimërisht.Por turqit i ndjekin trimat këmba-këmbës,edhe në trevat e Manastirit,Strugës e Resnjës, Tetovës e Shkupit dhe falë komiteteve të këtyre trevave,Çerçiz Topulli mbëriti në Sofje,ku i pritën me madhështi nga shqiptarët e shumtë që jetonin aty,me ç’rast u mblodhën për të përshëndetur trimat.E vërteta është se për mbrritjen aty të vëllezërve Topulli,shkruajti edhe shtypi i kohës,duke bërë me dije krejt Evropën se Shqipëria do ti dalë zot fateve të saj me komitat e vet trima dhe të mençur.Natyrisht se Bajo dhe Çerçizi,do të ishin atje,më së shumti,në shoqërinë e Shahin Kolonjës.Ata do të diskutonin me te jo vetëm fatet e Shqipërisë por edhe rrugët e mundshme të organizimit të lëvizjes kombëtare shqiptare.Çerçizi pos të tjerave do të ndikonte në këtë lëvizje edhe me idetë e tij përparimtare.Në faqet e gazetës “Drita” protesta e tij kundër Portës së Lartë do të ishte e fuqishme.Në një prej artikujve të shumtë pos të tjerave Çerçiz Topulli do të shkruante : “E fëlliqura Turqi,shqiptarët i ka rrjepur dhe i ka varfëruar kaqë shumë,sa mund të themi se carfëri si e shqiptarëve nuk gjendet gjëkundi.Pa shtëpi pa bagëti,pa mësim e pa më të voglën shpresë kanë mbetur.Dhe prap pagesatë brenda i paguajnë Turqisë e cila i merr ushtarrë që të venë e të vdesin nga klima dhe nga shigjetat e Mahmut Jahjait,ndë Arabi”.

( Gazeta “Drita “ Nr. 86 , dhjetor 1906 ). Dhe po në këtë artikull duke u bërë thirje bashkëkombasve të vet që t’i lanë menjanë përçarjet dhe dasitë fetare,shkruan tekstualisht ; “Duhet të bëjmë kurban,sakrifice e gjdo gjë që kemi,që të shpetojmë nga Turqia.Dua prap të them,se vdes per nji shqiptar të krishterë,se ay është gjak prej gjakut tonë dhe se ka eshtra prej eshtravet tona,ndersa me turqit ndryshojmë si dita nga errësira,si jeta nga vdekja !”.

  Në janarin e vitit 1907,me porosi të Shahin Kolonjës dhe Bajo Topullit,Çerçizi shkon në Bukuresht.Edhe aty një grup shqiptarësh i mblidhen rreth kapedanit të Gjirokastrës duke e respektuar.Aty Çerçizi takohet edhe me atdhetarin tjetër shqiptar,Mihal Gramenon,me të cilin do të ndanin paskëtej gëzimet,shpresat dhe zhgënjimet e çetës së tyre.Në fillimin e shkurtit të vitit 1907, Çerçiz Topulli e Mihal Grameno,hartojnë së bashku një thirrje drejtuar popullit shqiptar ku flitet për njëmijë e një të zezat e nga sundimi osman.Thirrja përfundon me fjalët ; “Rroftë kryengritja e Shqipërisë së robëruar e cila do t’i sjelle asaj lirinë dhe mirëqenien”.

Në marsin e po këtij viti,Grameno së bashku me Çerçizin,marrin rrugën për në Itali,pse vetëm nëpërmjet detit,do të kishin më të lehtë të hynin në atdhe.Në Beograd,arrestohen dhe serbët duan t’i nisin për në Stamboll.Ka qenë sigurisht ndërhyrja e dy-tri patriotëve shqiptarë,me ç’rast trimat u lanë të lirë.Pas kësaj me nxitim udhëtuan për në Itali dhe prej aty,më 1 maj 1907 mundën të shkonin në Shqipëri,të malluar sa s’ka më për trojet ku patën lindur.Prej majit të vitit 1907 e deri në dhejtor,Çerçiz Topulli  i ndejkur këmba këmbës nga hafijet dhe çetat osmane,do të luftonte sa në Vlorë aq në Delvinë,sa në Gjirokastër aq në Kolonjë,sa në Përmet aq në Tepelenë.Pas trimit të madh,ishin me dhjetra djem të jugut,të cilët mundën të zhvillojnë luftime të mëdha,ndonëse nuk kishin armë moderne e fishekë të shumtë.Në librin me kujtime të Mihal Gramenos,i cili gjatë kësaj kohe ndiqte në çdo hap çetën e Çerçiz Topullit,dëshmohen dhjetra episode trimërie e guximi ku bijtë e shqipes dhanë edhe pranverat e tyre të njoma për lirinë e Shqipërisë.Çeta e Çerçiz Topullit, pos luftimeve kundër ushtrisë osmane,do të mbronte edhe shkollat shqipe të sapoçelura që u ngjanin luleve të pranverës.Çerçizi do të ishte mik e vëlla me Sevastinë,Parashqevin e Gjergj Qiriazin,në përpjekjet madhore të tyre për mbajtjen çelur të shkollave së vashave në Korçë e cila rrezikohej të mbyllej prej shovenëve grek.Madje edhe Katerina Cilka,bashkëshortja e Gligor Cilkës,do të bashkohej me çetën e Çerçiz Topullit,kundër synimeve të mbrapshta greke.Në kujtimet e veta Grameno pos të tjerave shkruan ; “Kjo interesohet për luftëtarët tanë.U qep këtyre nga një qese të madhe për të vënë bukën dhe u thotë që thërrimet t’i mbledhin me kujdes,se mund t’u duhen kur të jenë ngushtë”. ( Mihail Grameno “Kryengritja Shqiptare “ faqe 71 ).

   Nga kujtesa e luftëtarëve,nuk do të mund të harrohet lehtë,trimëria e Çerçiz Topullit në qytetin e Përmetit.E vërteta është se për shumë ditë çeta e tij qendroi në teqenë e famshme të Frashërit,vetë Lidhja shqiptare e Prizërenit.Në këtë faqe Çerçizin e bëjnë me dije se në Përmet ka mbërritur peshkopi i Korçës i cili kërkon të përçajë shqiptarët në ortodoksë e mysliman duke dashur në fakt të përçajë vet lëvizjen kombëtare shqiptare.Natyrisht të hyje në qytetin e Përmetit për të luftuar ishte e vështirë pse garnizoni rruhej nga forca të konsiderueshme.Çerçiz Topulli ndërkaq vishet me uniformën e kapidenit të ushtrisë osmane,dhe fill vetëm futet në Mitropolinë e qytetit.Kur gjendet përballë peshkopit,i thotë këtij se është vetë Çerçiz Topulli dhe kësaj radhe “vetëm sa të këshilloj të heqësh dore nga punët e liga,ndërsa radhën tjetër ju e kuptoni si do t’ju flas”.Me këtë rast,konsulli austriak njoftonte Vjenën se “komitat si Çerçiz Topulli bëjnë gjëra që nuk rrëfehen”.(Arkivi i Institutit të Historisë Tiranë.Sipas dokumentave të Vjenës,shkresa dt.4 dhjetor 1907 ).

Në shtëpinë e Çerçiz e Bajo Topullit,në Gjirokastër,turqit arrestuan të gjithë burrat,ndërsa për kapjen e Çerçizit,Mytezarifi i Gjirokastrës dhe ai i Janinës patën dërguar mjaftë ushtarë.Në kushte të disa luftimeve të ashpra që çeta e Çerçizit zhvilloi në Përmet e Kolonjë (ku mbetën të vrarë edhe disa trima) kapedani i Gjirokastrës i dërgon një korier,mikut të vet,atdhetarit të Çamërisë, Musa Demi,që ky t’i gjnete ndonjë vend për të strehuar çetën disa kohë.Është interesante përgjigjja që Musa Demi i dërgon,me anën e një letre,ku pos të tjerave i shkruan Çerçiz Topullit :

“I turpëruar të shkruaj se sot për sot,s’është koha që të vish këtu,nga shkaku që ka një muaj që kanë ardhur dy koshadhe turke,të cilat janë vetëm për komita,nuk vështrojnë gjë tjetër.Nuk është puna se mos pësojmë ne,ndonjë të ligë,por Zoti mos dhëntë,pëson zotëria juaj ndonjë të ligë,pastaj s’na mbetet sy e faqe të dalim në sy të shqiptarëve”. ( Arkivi Qendror i shettit – Tiranë. Fondi 101, dosja 27,fleta 3).

Pikërisht në këto kushte binbashi turk,Musa Beu,urdhëronte repartet e tij që të gjurmojnë se kush e fsheh dhe mbron Çerçizin,madje burgos disa prej tyre në kalanë e Gjirokastrës.Me këtë akt ai do të mjell terror,dhe siguron Portën e Lartë për qetsinë e vendosur.Madje ai mban të lidhur me zinxhirë edhe të vëllanë e Hajredini Tremishtit,bashkëluftëtarit të Çerçizit duke dashur të shtjerë në dorë,këtë të fundit.Futja e Çerçizit në qytet ishte e pamundur pasi tashmë ai njihej prej të gjithëve.Për këtë vendoset që në Gjirokastër,të hyjnë të veshur si fshatarë dy prej trimave më të afërt të Çerçizit, ndërsa çeta do të mbronte tërheqjen e tyre në disa gurë e shëkëmbij,poshtë teqesë së famshme të qytetit.Trimat janë përqafuar (mund të mos shiheshin më) dhe kanë pritur bimbashin turk të dalë prej shtëpie sa hap e mbyllë sytë,në çastin kur bimbashi dhe rojet e tij,kanë dalë nga shtëpia ai ishte qëlluar drejt e në zemër nga plumbat e trimave.Xhandarmët,të lebetitur janë vënë në ndjekje të trimave por në gurët poshtë teqesë ka shpërthyer beteja e madhe.Pas kësaj trimat e udhëhequr nga Çerçizi i janë drejtuar fshatit Mashkullore.Në javët që erdhën më pas,kundër çetës së Çerçiz Topullit,Porta e Lartë mobilizoi gati dy batalione me ushtarë dhe oficerë.Por trimi i Gjirokastrës, linte dy-tri shokë të tij të shkrepnin ndonjë batare maleve dhe së bashku me trimat e tjerë ndërmerrte inkursione të tjera luftarake,pikërisht në rrethina të qytetit duke dëshmuar edhe një herë guximin e madh të tij.Ndonëse këta trima e dinin se qeveria turke kish paguar florinj për kokën e tyre,ata nuk trembeshin.Është me vend të sjellësh këtu,një letër të Çerçiz Topullit,shkruar enkas për Shahin Kolonjën,por që ky i fundit,me disa shkurtime e boton në Sofje,në gazetën e tij.Pos të tjerave,Çerçizi aty shkruan : “Kishin ndërmend që këtë dimër ta shkonim jashtë Shqipërisë,po muarrëm vesh se Islam Bej Këlcyra i është zotuar Hilmi Pashës,se dotë zëre të gjallë,ose të vrarë dhe se Maliq bej Vila përpiqet të na bënjë varrë.Nga ky shkak nuk do të dalim jasht Shqipërisë,le të bëjnë ata ç’të duan”.( Gazeta “Drita” – Sofje më 15 shkurt 1908 ). Ndërsa vetë Shahini në numërin tjetër të “Dritës”,dy javë më pas,duke analizuar ngjarjen në fjalë shkruante : “Ta zëmë se këta shqiptarë ia arritën qëllimit t’i vrasim këta djem që ndodhen në mes të zjarrit,për lirinë e Shqipërisë… Une nga ana ime u jap një këshillë : hiqni dorë nga tradhëtia e poshtër,mblidhni mendjen e rrini urtë,përndryshe nuk u shpëton dotë as sulltani dhe as pengameri,sikur edhe në brinjët e buallit të futeni”.

Merret me mend që në letrën e Çerçizit,dërguar Shahin Kolonjës,është folur edhe për shumë halle që kalonte çeta e trimave,në male të Labërisë.Me ushqime bëhej si bëhej sepse shqiptarët e ndanin kafshatën e fundit me djemtë e tyre,por mungonin veshjet,armët,municionet.Disa shpresa të pakta kishin pasur prej shqiptarëve që jetonin në Rumani,(miq të dikurshëm të Mihal Gramenos) sa vinin e shiheshin.Ndonëse aty formalisht kishte edhe një komitet që merrte porosi nga komiteti Qendror i Manastirit,por ndihma e tij,për çetën e Çerçizit,ishte shumë e vogël,krahasuar me hallet që kalonin luftëtarët.Me të drejtë patriotët shqiptarë,lidhur me këtë shkruanin:”Një komitet i tillë nuk duhej askujt”(Arkivi Qendror i shtetit,Tiranë fondi 9 , dosja 30 fleta 302 ).

Megjithatë çeta e udhëhequr nga Çerçiz Topulli nuk e ndërprehu aktivitetin luftarak të saj.Lufta e Mashkullores mbetet ende sot,një epope e ndritur e guximit dhe trimërisë shqiptare,ku 300 burra me fishekë të numërruar luftuan për 32 orë rresht kundër 2000 e ca ushtarëve dhe oficerëve turq.Po ashtu,vlen të përmenden edhe luftimet e ashpra të zhvilluara në Frashër,Delvinë dhe fshatin Labove.Të udhëhequr prej kapedan Çerçizit,trimat e jugut,ndofta se patën menduar se do të hynin qysh herët në këngët e popullit të tyre.Kështu pas betejës në Delvinë,kur Çerçiz Topulli pat paralajmëruar komandantin turk të mos i zinte pritë,në fund të betejës ku numëroheshin dhjetra turq të vrarë,populli ngriti këngën ;

                                                     “ Milazim largo taborre

                                                       Leri djemt e mij të shkojnë

                                                       Se të shkuq të bej me bojë

                                                       Çerçiz Topulli më thonë “

Korriku i vitit 1908,do të sillte ngjarje të reja për krejt lëvizjen kombëtare shqiptare.Turqit e rinj,duke qenë të interesuar për të marrë pushtetin në duart e tyre,nuk munguan të deklarojnë disa liri aq shumë të kërkuara prej shqiptarëve.Në këto kushte,nga  atdhetarët shqiptarë të Manastirit,u parapa si domosdoshmëri një organizim i çetave të komitëve të cilat ishin vënë plotësisht në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare.Nga Komiteti i Manastirit,dërgohet urdhëri që Çerçiz Topulli duhet të takohet patjetër me Nijazi Resnjën,edhe ky një tjetër patriot në trevën e Maqedonisë shqiptare.Të dy çetat e komitëve,takohen në pyllin e Pirgut,pranë Pogradecit,më 20 korrik 1908.Takimi ka qenë i ngrohtë dhe dy burrat kanë mundur të bisedojnë gjatë mbi fatet e Shqipërisë.Në fund të këtij takimi,pos të tjerave u ra dakord që : “të luftohet bashkarisht për rrëzimin e regjimit autokratik”.(Mihal Grameno “Kryengritja Shqiptare” faqe 106). Pas takimit me Nijazi Resnjën,Çerçiz Topulli ndihmon të formohen çeta të reja të luftëtarëve shqiptarë,sidomos në trevat e Korçës dhe Kolonjës.

Prania e Çerçizit në Kongresin e Manastirit,do të ishte një ngazëllim i madh për te.E vërteta është se ka qenë Bajo Topulli,si përfaqsues i Gjirokastrës në këtë kuvend,por kjo nuk ka penguar patriotët e mbledhur aty,të përfaqsohen dhe njihen nga afër me trimëritë e Çerçizit.Gjatë ditëve të zhvillimit të Kongresit të Manastirit,fjala e Çerçiz Topullit do të dëgjohej me respekt,sidomos në pikëpamje të organizimit të çetave të luftëtarëve.Edhe në vitet që rrodhën më pas,1909-1912,çeta e bijve të Gjirokastrës,do të jetonte në hallet e popullit të vet,do të luftonte për t’i shuar ato halle.

Ndërsa në ngjarjet pas ngritjes së flamurit në Vlorë,më 28 nëndorë 1912,Çerçiz Topulli dhe trimat e tij,i shohim në beteja të mëdha,në ruajtje të kufijve jugorë të Shqipërisë.Nëse furitë e andartëve greke,u ndaluan me dhjetra e dhjetra herë në Tepelenë,Vlorë,Korçë e Kolonjë,kjo nuk e harroi askurrë vendin e vet në male të Shqipërisë , në krye të trimave të vet.Këtu do ta kishte gjithmonë vendin,ky bir i Gjirokastrës edhe kur rrëmbeu armët dhe vrapoi në Shkodër,të luftonte kundër forcave malazeze që pushtuan qytetin.Në fushë të Shtoit,më 15 korrik të vitit 1915,binte nga dora vrastare kapedani i jugut,trimi i paepur Çerçiz Topulli.Ai binte,por populli i Shkodrës,duke e përcjellë për në varr,me mijëra ,betohenin se do të ecnin në rrugën e ndriçuar prej tij,për liri e bashkim kombëtar,nga jugu në veri,nga lindja në perëndim,një komb e një shtet.

Bern-Zvicër

Filed Under: ESSE Tagged With: Cerciz Topulli, Eugen Shehu

LARGOHET NGA FERRI ELENI LEKA

March 25, 2014 by dgreca

Nga Bedri Blloshmi/Eleni Rrodhe e bija e deputetit dhe tregtarit më të madh të qytetit të Korçës, vatranit të orëve të para, (Kol Rrodhe, i cili dha shpirt në burgun e Burrelit) pushoi së rënkuari. Zhuli do mbaronte për mësuesi dhe fati e hodhi në shkretëtirat e Librazhdit, si mësuese. Në atë shkollë u njoh me një djalë nga Bërzeshta, Genc Bardhi Leka edhe ky mësues. Njohja dhe biografia bëri që këta dy të rinj të krijojnë familje. Forcimi dhe egërsia e luftës së klasave, që zhvillohej ndaj klasës sonë të përmbysur nga orteku i kohës, bëri që të dy të pushohen nga arsimi, në vitin 1967. Të heshtur e kokë ulur, duke iu bindur fatit të zi dhe të pafuqishëm për ta ndryshuar, bënë çdo punë të rëndomtë për një intelektual. Grykësia komuniste bashkë me sigurimin gjakatar, ju vunë këmba – këmbës Gencit që nga viti 1959 deri ditën që e arrestuan më 31gusht 1976.  Eleni lindi dy fëmijë, Petrikën dhe Eglantinën. “Kuajt” e Komitetit Qëndor vendosën që Genc Lekën dhe Vilson Blloshmin, do i pushkatonin duke u lënë të parit dy fëmijë dhe të dytit një fëmijë jetim. Mbas 17 korrikut 1977 ditën që Zhulit ia copëtuan, shkatërruan jetën duke pushkatuar Gencin, iku nga sytë këmbët duke marrë nën sqetull fëmijët jetimë si klloçka që merr zogjtë. Duke qarë dhe ulëritur e duke shkulur flokët për hatanë që e gjeti, vendoset në qytetin e lindjes në një kthinë pa  çati. Aty jetoi si gjarpri nën gurë pa ia dhënë dorën askush. Ashtu nën brengën, nën dhimbjen e vuajtjet që i shtoheshin përditë, shpesh kjo grua me një shall dhe shami të zezë e me dy fëmijë kapur përdore, merr rrugën për tek varrezat e Librazhdit. Aty nga mesi i parcelës të binin në sy dy varre gati të përbashkët dhe mbi pllakën e ftohtë të mermertë janë dy fotografi me emrat e tyre. Genc Leka lindur më 23 mars 1941 dhe pushkatur  më 17 korrik 1977. Krahë kësaj fotografie është dhe fotografia tjetër Vilson Blloshmi, lindur më 18 mars 1948 dhe pushkatur më 17 korrik 1977, pra kanë të përbashkët fundin e tyre. Zhuli mbasi i përkëdhel të dy fotografitë me dorë, u pastron pluhurin, ulet përballë tyre e vazhdon të fshijë lotët që i bien mbi buzët e thara e i dridhen vazhdimisht. Qëndron e heshtur dhe pa iu përgjigjur pyetjeve që i bëjnë fëmijët, sepse nuk ka dëshirë, mbasi ata janë akoma të vegjël për të mësuar tragjedira të tilla, që janë vënë në skenë në regjimin diktatorial. Për t`ju shmangur, ngrihet me fëmijët për dore e largohet me shikimin nga mbrapa, derisa shikimin ja zë një kodër e zhveshur dhe e rrjepur nga erozioni i viteve. Para më shumë se një vit kjo zonjë e plakur nga pesha e halleve, nuk e merr më rrugën për të ardhur më e ta shohë apo të bisedojë me njeriun që lidhi jetën dhe krijoi familjen dhe komunistët e dërguan në dhe para kohe, sepse i vuri shpatullat shtratit, për të mos u ngritur më. Lëngoi e lëngoi, ashtu zvarrë – zvarrë vjen me shpirt ndër dhëmbë, për të fundit herë me disa tufa me lule, i vendos dhe i mbulon me lule. Në krah të varrit të bashkëshortit të saj, është dhe një varr tjetër me fotografinë e një zonje, mbuluar gjysmën e ballit me një sharp të zi. Shikimi i kësaj hallëmadheje, tretet e tretet me një vëmendje që duket se pret një përgjigje. Ky shikim është drejt njeriut të saj të dashur, bashkëshortit Bardho Leka, i cili ka ndërruar jetë në korrikun e vitit 1968 dhe prehet në varrezat e Prizrenit, nën krahët e pishave shekullore. Ja pra se si e pësuan familjet atdhetare, që deshën dhe luftuan për vendin e tyre, shumë nga këta atdhetarë patriotë shqipëtarë të zhuritur për mallin dhe dhimbjen e familjeve të tyre, treten në largësi marramendëse, larg deteve e oqeaneve dhe me sigurinë që kurrë nuk do të kthehen më në vendlindje. Eh histori? Si thua, do i shkruash, do i thuash ndonjëherë këto të vërteta? Ngrije zërin dhe thuaje të vërtetën, e mos i lër më nën pluhurin e harresës.

Bedri: “Mbrëmë më vdiq nëna. E tretur, e rrudhosur nën rënkimin e sëmundjes, na thirri pranë krevatit e me ballë të djersitur na shikonte me rradhë, mua, Tinën dhe dy fëmijët e mi. I përqafoi. i puthi, më bëri shenjë me vetullat e lodhura. Me sa kuptova unë duhet ta ngrija nga pozicioni që ishte. E ngritëm, i vendosëm një jastëk tek koka e krevatit, mbas shpine. Mbasi e rregulluam, duke menduar se do gjenta rehat në atë pozicion, e pyeta: hë mama, je mirë kështu?  Ajo nuk po rënkonte më dhe nuk ktheu asnjë përgjigje… . e përqafova përsëri kur vura buzët tek faqet e rrudhosura,ato kishin filluar të ftoheshin. Të gjithë sa ishin filluan të qanin”.

Po, Zhuli ishte larguar nga kjo botë e zhgënjyer . . .

Filed Under: ESSE Tagged With: Bedri Blloshmi, ELENI LEKA, LARGOHET NGA FERRI

TË BASHKUAR KUNDËR AGRESIONIT RUS

March 25, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Të hënën, Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama u takua në Hague me udhëheqsit e grupit G-7 të vendeve më të industrializuara të botës.  Udhëheqsit e  Kanadasë, të Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara , si dhe Presidenti i Këshillit të Europës dhe Presidenti i Komisionit Europian lëshuan të ashtuquajturën, ”Deklaratë e Hague-ës”, me të cilën shprehën qëndrimin e përbashkët në mbështetje të sovranitetit, integritetit territorial dhe të pavarësisë së Ukrainës dhe njëkohësisht dënuan agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës.  Si ndëshkim ndaj Moskës, ata njoftuan gjithashtu edhe përjashtimin e Rusisë nga G-8 me arsyetimin se “ky grup ishte formuar për shkak të  vlerave, qëndrimeve dhe përgjegjësive të përbashkëta”, duke thënë se veprimet e Rusisë javët e fundit ndaj Ukrainës, nuk janë në përputhje me këto vlera.  Udhëheqsit e G-8 njoftuan gjithashtu mos pjesmarrjen e tyre në takimin e nivelit të lartë të G-8 që ishte në plan të mbahej në qytetin rus Soçi, duke thënë se do të anullojnë pjesmarrjen në formatin e G-8 dhe në vend të saj do të takohen si G-7 në Qershor, në Bruksel.

Në deklaratën e tyre, udhëheqsit e 7 vendeve më të industrializuara të botës thanë se ligji ndërkombëtar ndalon grabitjen me forcë të territorit të një shteti, dhe dënuan përpjekjet ilegale të Rusisë për aneksimin e Krimesë, si një masë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe me detyrimet ndërkombëtare.  Në deklaratën e tyre ata theksuan qendrimin e përbashkët se masat e Rusisë do të kenë pasoja të rënda, duke thënë se si shtete individe dhe si grup kolektiv, ata kanë vendosur një seri sanksionesh kundër Rusisë, personave dhe entiteteve që janë përgjegjës për situatën e krijuar në Ukrainë.  Udhëheqsit e G-7 thanë gjithashtu në deklaratën e tyre, se ata janë të gatshëm të shtojnë masat ndëshkuese ndaj Rusisë, duke përfshirë sanksionet që do të prekin sektorë të ndryshëm të ekonomisë ruse, nëqoftse Moska nuk fillon të qetësojë gjëndjen, duke përdorur kanalet diplomatike, që sipas tyre mbeten të hapura për bisedime.  Ata nënvijuan se “Rusia ka një alternativë të qartë…Rusia duhet të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, dhe njëkohësisht të fillojë bisedimet me qeverinë e atij vendi dhe të jetë e hapur dhe e gatëshme për ndërmjetsim ndërkombëtar për zgjidhjen e shqetsimeve legjitime që ajo mund të ketë.”

Grupi G-8 njëherazi ritheksoi qendrimin e tyre të “vendosur, në mbështetje të popullit ukrainas, i cili po përpiqet të rivendosë unitetin, demokracinë, stabilitetin politik dhe prosperitetin ekonomik të vendit”.

Pyetja është nëse kjo deklaratë e udhëheqsve të vendeve më të industrializuara, G-7, e bërë të hënën në Hague, është e mjaftueshme ose jo për të ndryshuar masat që Vladimir Putini ka ndërmarrë deri tani dhe nëse do të mund të parandalojë zbatimin e planeve të mëtejshme të tij për të grabitur territore të tjera të Ukrainës, ose ndonjë vendi tjetër në periferi të Rusisë.  Dhe nëse sanksionet e njoftuara deri tani nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Bashkimi Europian (BE), do të kenë ndonjë efekt negativ në ekonominë ruse, apo janë vetëm simbolike?

Paul Ivan, një analist i Qëndrës Europiane për Politikë në Bruksel tha për BBC-në, se “Rusia mund të humbasë shumë nga sanksionet. Rusët janë më të varur nga ekonomia europiane se sa varemi ne nga ekonomia e tyre”, shtoi Paul Ivan dhe nënvijoi se më shumë se gjysma e buxhetit të Rusisë vjen nga gazi dhe nafta që ajo shet në Europë dhe se sanksionet perëndimore ndaj këtij sektori të ekonomisë ruse mund të jenë më shumë se simbolike.  Për më tepër, Bashkimi Europian ka njoftuar se është duke marrë masa për të qenë më pak i varur nga burimet energjetike të Rusisë, megjithëse sipas burimeve nga kjo organizatë, vetëm 25% e gazit që përdorin vendet e BE-së importohet nga Federata Ruse.

Ndërsa, vërejtës të tjerë mendojnë se, historikisht, sanksionet nuk janë aq të efektshëme. Një ndër ta është Ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bildt, i cili thotë për REL se këtu kemi të bëjmë me të ardhmen e Ukrainës dhe se gjëja më me rëndësi tani është që të ndihmohet Ukraina, ekonomikisht dhe politikisht, që demokracia e re në atë vend të dalë me sukses. “Çdo ndihmë për Ukrainën”, sipas kryediplomatit suedez, “është një shkop për Moskën”.

Ndërkaq, edhe nga kjo anë e Atlantikut, Senati amerikan zhvilloi dje një debat duke avancuar një projekt ligj me 78 vota në favor dhe 17 kundër, për të imponuar sanksione amerikane kundër Rusisë dhe për të ndihmuar Ukrainën ekonomikisht dhe politikisht, si dhe për të promovuar demokracinë dhe sigurimin në atë vend.  Shtëpia e Bardhë e mirëpriti masën e ndërmarrë nga Senati amerikan, duke thënë se është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të luajnë rolin kryesor për të ndihmuar Ukrainën.

Por ka edhe zëra të tjera, kryesisht kritikë ndaj politikës së administratës së Presidentit Obama karshi gjëndjes së krijuar në Ukrainë si edhe për zhvillimin e marrëdhënjeve amerikano-ruse, në përgjithësi. Njëri ndër analistët e njohur amerikan Çarlës Krauthamer – komentet e të cilit lexohen anë embanë Amerikës — tha për rrjet televizionit Fox se Shtetet e Bashkuara duhet ta bëjnë Vladimir Putinin të mendojë mirë mbi koston e agresioneve të tjera, duke  sugjeruar se Shtetet e Bashkuara duhet t’i ishin përgjigjur pozitivisht asaj që thuhet se ishte një kërkesë   nga Ukraina për furnizim me armë.  Komentatori amerikan shtoi se Shtetet e Bashkuara nuk po ofrojnë asnjë masë konkrete që t’a bëjnë Putinin të mendojë mirë se çfarë mund të ndodhë, nëqoftse ai ndërmerr ndonjë agresion tjetër kundër sovranitetit territorial të vendeve në periferi të Rusisë, dhe kjo sipas tij, në vetëvete është një skandal.

Ndërsa profesori Timothy Snyder pranë Universitetit Yale këtu në Shtetet e Bashkuara, në një kryeartikull për CNN thotë se nëqoftse Rusia lejohet të kapërdij Ukrainën, atëherë sistemi europian ka marrë fund.  Ai shkruan se kriza në Ukrainë po i detyron europianët të mendojnë përsëri për periudhën e idhët të viteve 30-të të shekullit të kaluar, si dhe mbi origjinën dhe shkaqet e Luftës së Dytë Botërore.   Profesori amerikan Timothy Snyder shkruan se, ashtu siç justifikon sot Putini agresionin e tij në Ukrainë  për të mbrojtur pakicën ruse atje, edhe Hitleri më 1938 në Austri pretendonte të mbronte pakicat etnike gjermane.  Me rënjen e Austrisë, shkruan ai, udhëheqsit europianë tradhëtuan Çekosllavakinë dhe pjesa tjetër është histori. Profesori Snyder përfundon duke nënvijuar se grabitja e Krimesë nga Rusia putiniste kishte për qëllim të paraqitej si një sfidë ndaj Europës — për të provuar se vlerat Europiane nuk mund të mbrojnë as vetveten.

Ky është një moment historik, sidomos për Europën, por edhe për botën. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian duhet të mbështesin paqën në Europë nepërmjet një politike dhe masash të forta për të kundërshtuar agresionin e Rusisë putiniste në Ukrainë dhe më gjërë. Së bashku, duhet t’ia bëjnë të qartë Moskës se ata nuk do të injorojnë faktet e historisë, për të cilat flet më lartë profesori amerikan Timothy Snyder, dhe as nuk do të injorojnë politikën agresive të një udhëheqsi të çmendur që dëshiron të ri-krijojë atë që Presidenti amrikan Ronald Reagan ka quajtur, “perandoria e së keqës”. Kjo është një luftë midis të mirës dhe të keqes, e cila duhet të fitohet nga forcat e paqës në Europë dhe të stabilitetit në botë.

Filed Under: Editorial Tagged With: Frank shkreli, TË BASHKUAR KUNDËR AGRESIONIT RUS

DY HARRESAT E 22 MARSIT

March 25, 2014 by dgreca

22 MARS 2014 – U FESTUA SULLTAN NOVRUZI – U LANË NË HARRIM RILINDASIT BEKTASHINJ DHE 22 MARSI 1992!
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

22 Marsi sivjet në Shqipëri u festua me një shurdh-memecëri  të plotë. Në kalendarin zyrtar kjo datë nuk është e përfshirë. Ku do të duhej të kremtohej si festë zyrtare e Shqipërisë, me të gjitha detyrimet.Kjo datë përkon me festën e Sulltan Novruzit, një degë e fesë islame që ka si doktrinë përsosjen e shpirtit njerëzor. Por politika shqiptare nuk ka as shpirt dhe as ndërgjegje, është e pashpirt dhe me ndërgjegjeblozë. Në kalendarin e Shqipërisë kjo është një festë fetare zyrtare.

Më 22 Marsin e 2014, në ditën e fitores të përmbysjes të diktaturës, e cila do të duhej të ishte një festë kombëtare, për ta kremtuar të gjithë, nuk u fol gjë tjetër veç për hashure me rrush të thatë e arra, për kurbane dhe byrek me jeshillëqe, në ngjyrë të togës të kryebektashiut që ka zëvendësuar të ndjerin Haxhi Reshat Bardhi.Si ditë e bektashizmit që kudërmonte nga era e kanellës mbi hashure, ishte rasti që të frymëzoheshe e të kujtoje vëllezërit e Rilindjes Frashëri. A nuk do të shkonte shumë bukur sikur  tek porta kryesore e selisë të Kryeqyshatës botërore bektashiane të lexoje të fiksuar nga kamerat një nga amanetet e Naim Bej Frashërit për shqiptarët: “Jeni të mirë, vetijpastrë, doni mëmëdhenë dhe gjuhën tuaj!” Politikanët shqiptarë e kanë kthyer përmbys në antitezë të plotë amanetin që nuk e tret as dheri, ata janë të liq, ndërgjegjexirë, nuk e duan as vendin, as gjuhën e as kulturën.

Nuk u kujtua as 22 marsi 1992 dhe as humanistët bektashianë të Rilindjes. Në memecërinë e surrealit shqiptar, më 22 mars 2014 askush nuk recitoi ndonjë poezi të Naimit, askush nuk deklamoi ndonjë varg nga Begati e Bujqësi apo “Fjalët e Qiririt”. Shikoni sa bukur tingëllojnë: Në mes tuaj kam qëndruar/E jam duke përvëluar,/Që t’u ap pakëzë dritë,/Natënë t’ua bënj ditë. /Do të tretem, të kullohem,/Të digjem, të përvëlohem,/Që t’u ndrinj mir’ e të shihni,/Njëri-tjatërin të njihni. /Për ju do të rri të tretem,/Asnjë çikë të mos mbetem,/Të digjem e të qanj me lot,../ /Unë zjarrit nuk i druhem /Dhe kurrë s’dua të shuhem,/ Po të digjem me dëshirë,/Sa të munt t’u ndrinj më mirë./Kur më shihni se jam tretur,/Mos pandehni se kam vdekur;/jam i gjall’ e jam ndë jetë /jam në dritët të vërtetë,/Unë jam në shpirtin tuaj,/Mos më kini për të huaj,/ M’është falurë durimi, /Andaj po digjem si trimi….” Në Tiranë nuk u mbajt asnjë takim përkujtues për Samiun dhe veprën e tij “Shqipëria ç’ka qenë, ç‘eshtë dhe ç’do të bëhet”, që këtë vit mbush plot 105 vjet nga drita e botimit; askush nuk e kujtoi as Abdyl Frashërin, ideologun e Lidhjes së Prizrenit, edhe ai bektashi. Pa Vëllezërit Frashëri s’ka kuptim Sulltan Novruzi, sepse feja e shqiptarëve është shqiptaria!

Por tani kur themi Rilindje nënkuptojmë partinë dhe anasjelltas. Ndërsa kur themi 22 Mars e çfarë kujtojmë?

E para që do të duhej të kujtonte 22 marsin 1992 duhej të ishte PD- e cila nuk u ndie fare. Vetëm Berisha e nisi ditën e djeshme fejsbukiane, duke uruar në fillim Sulltan Novruzin e pastaj  22 Marsin 1992 duke sjellë fotografi që e çonin në një kohë që e bënte të psherëtijë e murmurijë: “O tempora e mores”.

Normalisht, si një vend sekular që është Shqipëria, dita duhet të niste duke i blatuar respekte lirisë dhe humanistëve të Rilindjes.

Unë isha atë 22 mars. Raportoja si gazetare e bëja pjesë në oqeanin mbarëpopullor, kur populli shqiptar ia dha votën lirisë. Në vesh më ushtojnë ende meloditë e çmendura nga gëzimi të klaksonëve të veturave, ardhur nga Kavaja që përshkonin Bulevardin Dëshmorët e Kombit me dritare të hapura nga ku era e ngrohtë e marsit dukej se do t’i merrte me vete flamujt e kuq shqiptarë, flamujt amerikanë me yje dhe vija, dhe flamujt blu të PD-së. Ishim të dehur nga aroma e lirisë dhe të mbushur me shpresa, të cilat tani 22 vjet pas 22 marsit 1992 janë kthyer në iluzione dhe deluzione. Populli shqiptar ka mbetur i kryqëzuar dhe i lidhur si Prometeu prej politikës të mbrapshtë për 22 vjet.

Por megjithatë, të gjitha zhgënjimet dhe pësimet së bashku nuk e cënojnë bukurinë dhe magjinë e ringjalljes të sovranit atë 22 mars 1992. 22 marsi 1992 është dita e kauzës të lirisë. 22 marsi 1992 është dita ku vullneti i popullit u shpreh për të rrëzuar sistemin e kalbur nga lufta e klasave, urrejtja, ndasitë, izolimi, Gulagët shqiptarë, burgjet dhe vrasjet politike me motivacion ideologjik përmes vëllavrasjes.

22 marsi 1992 është bekuar jo se i dha pushtetin një grushti njerëzish, të cilët u sollën si despotë të gjithëpushtetshëm, por sepse demonstroi pushtetin që ka oqeani i uraganit popullor.

Prandaj politika e mban jashtë kalendarëve zyrtarë këtë datë të historisë moderne shqiptare. Festohet 29 nëntori 1944 që njihet si dita e pushtimit të Shqipërisë nga diktatura, ndërsa 22 marsi 1992 ende jo.

Edhe Festa e Sulltan Novruzit festohet në mënyrë të tillë ku dekulturimi i zë plotësisht vendin vlerave të kulturës dhe traditës. Nga qielli shqiptar na vërejnë bektashinjtë më të famshëm të të gjitha kohërave, ata që përbëjnë kuintesencën e Rilindjes Kombëtare, ata që u dogjën e përvëluan për të na lënë ne shqiptarëve trashëgiminë e tyre filozofike, kulturore dhe kombëtare, që mjerisht tashmë duket se gjatë këtij tranzicioni makabër nën dirigjimin e politikës është çrrënjohur nga trolli jonë plotësisht.

Jam dëshmitare e fitores të 22 marsit 1992 që përkoi me ardhjen e pranverës, ringjalljen e natyrës e Festën e Bajramit, si për të thënë se edhe Zoti e Natyra ishte bashkë me votën e shqiptarëve, verdikti i së cilës u hapi Shqipërisë dhe shqiptarëve dyert për t’iu bashkuar Europës.

Po ku janë sot shqiptarët, 22 vjet pas asaj dite të bekuar? Diktatura i mbajti në bunker për gjysmë shekulli, tranzicioni po i mban prapë të margjinalizuar dhe të penalizuar për një çerek shekulli tjetër. Dinozaurët e diktaturës dhe tranzicionit ua kanë ngrënë kohën shqiptarëve. Prandaj klasa politike e ka hequr nga kalendari këtë ditë e datë të shenjtë, duke e futur në karantinë. Por 22 marsi 1992 është dhe do të jetë, edhe për të na kujtuar se jemi të vonuar, edhe për të na treguar rrugën e lirisë.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Elida Buçpapaj, U LANË NË HARRIM RILINDASIT BEKTASHINJ

Një jetë e jetuar me pasionin për artin dhe letërsinë….

March 25, 2014 by dgreca

Intervistë me Aurora Ndreu Cakaj-vajza e shkrimtarit dhe publicistit të mirënjohur salariot,  Ferhat Cakaj./

Paradokohësh u nda nga jeta Shkrimtari dhe Publicisti Ferhat Cakaj,  i cili ishte dhe do të mbetet, si një nga figurat më të spikatura të letërsisë shqipe mes dy epokave;-  të  shekullit 20-të  dhe  të 21-ë. Fitues i disa cmimeve në letërsi si Mjeshtër i rrëfimit  në gjininë e romanit  dhe i dekoruar me “Urdhërin Naim Frashëri”, erudicioni, urtësia dhe mëncuria e Ferhat Cakaj, do të mbeten  në historinë e letrave shqipe, për stilin e vecantë në përshkrimin e realitetit të dhimbshëm, sidomos i ngjarjeve të mëdha historike dhe sociale në rregjimin komunist. Sot gjithsecili nga ne, pavarësisht gjeneratës që i përkasim,  kemi obligimin qytetar e intelektual, në publikimin e këtyre vlerave me prirje të forta qytetarie, intelektuale e krijuese  të shoqërisë shqiptare.  Në këtë intervistë me vajzën e Shkrimtarit dhe Publicistit Ferhat Cakaj, ajo na rrëfen udhën e vështirë, të bukur e të dhimbëshme, mbresëlënëse e historike, të Atit të Saj të shtrenjtë, se si nga një  i lindur në jug të Shqipërisë në Salari të Tepelenës,  dhe i rritur në shtëpinë e fëmijës, u bë mësonjës, përcues i dijes dhe arësimit në Kukësin verior –të cilit,  realiteti jetësor dhe historik i kësaj treve, dashuria dhe mëncuria e kuksianëve, e frymëzuan për të shkruar dhjetra romane, esse dhe publicistikë, ashtu sikundër patën frymëzuar Migjenin e Madh, të shkruante në Vrakë e Pukë kryeveprat e tij. Ikja e Ferhat Cakaj ishte e heshtur dhe plot shpresë,  se në shpirtin e cdo njeriu gjithmonë ka pranverë, sikundër pati gjithmonë pranverë në shpirtin e Mjeshtrit  të  romanit, Shkrimtarin e Publicistin Ferhat Cakaj.

 “….ka një pranverë në shpirtin e njeriut. Ajo lulëzon atje, në thellësi të tij, në sytë a tij, ndjehet tek buzëqeshja e fëmijëve, tek njerzit e dashur. A beson se do të vijë ndonjëhere kjo stinë? Unë besoj. Do të vijë një kohë, kur në të gjithë Shqipërinë, njeriu për njeriun do të jetë si një yll. Bota do ti kthej sytë tek ne, ndoshta edhe në atë qytezën ku jetoj unë sot dhe do të shikoj e cuditur shpirtin e madh shqipëtar. Kjo pranverë do të vijë më duket se e shikoj….”(F.Cakaj te “Pranvera do të vijë”-roman.) Për më shumë ndiqni intervistën.

 

 

Bisedoi: Raimonda MOISIU

-Zonja Aurora, vitin që kaloi u nda nga jeta Ati tuaj i shtrenjtë shkrimtari dhe publicisti Ferit Cakaj, një personalitet i shquar intelektual dhe vlerë kombëtare e letrave shqipe. Pranoni ngushëllimet e mija, – Si ishin momentet e fundit të tij?

Në fillim duke ju falenderuar për intervistën,do doja të tregoja shkurtimisht kush ishte Ferhat Cakaj. I lindur në Salari të Tepelenës më 2 Prill 1935, në Shkodër  kryen shkollën e mesme pedagogjike, kurse studimet e larta në fillim për Gjuhë -Letërsi dhe më pas Fakultetin  Histori Filologji, degën gjuhë letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës .Në fillim e emëruan mësues të letërsise në gjimnazin e Kukësit, ku u pensionua në vitin 1991.Me letërsi filloi të merrej, që kur ishte në shkollën e mesme. Ka shkruar novelat”Mësuesi i cmendur”,1967,”Kështu është”1969, përmbledhjet me tregime “Lugina e nuseve “, 1969, “Në korie mes lisash”, 1972, romanet “Njerëzit e qytezës në mal,1976, “Nesër do të jetë vonë”, 1976, “Jam bir i popullit tim”,1978, “Zemërimi” 1980, “Përmendorja”,1985, dramën “Kosovarët,1987,  “Bardhyli kërkon Gjergj Elez Alinë”,  refleksion eseistik  “E vërteta mbi eposin Serb”,  “Të gjallë e të vdekur”, duke përshkruar  në një farë mënyre  krijimtarinë e 50 vjet punë, lodhje, pagjumësi,  nga njëra anë, por dhe gëzim i papërshkrueshëm kur i botoheshin romanet dhe  merrte përgëzime nga të gjithë njerëzit,  lexuesit e tij, nxënësit,  ku jepte mësim, një jetë e jetuar kjo  me  pasion të vecantë për artin e bukur të të shkruarit, deri në momentet e fundit të jetës së tij. Isha mësuar të shkoja cdo ditë pranë tij,  t’i jepja ilacet. Atë ditë kthehesha nga puna si zakonisht dhe do merrja rrugën për në Qytetin Studenti,   ku jetonin prindërit e mi. zkishte më shumë se dhjetë ditë që babai doli nga spitali, ku qëndroi rreth dy muaj e gjysëm. Kam qëndruar pranë tij, gjithë kohën,  duke i shërbyer deri në fund. Bie telefoni  dhe për disa minuta u gjendëm në  urgjencë, ishte shumë rëndë  dhe mezi mbushej me frymë. Momentet e fundit ne i kaluam tek spitali Q.S.U.T “Nënë Tereza, ku pas një ataku të dytë kardiak, megjithë përpjekjet e ekipit shëndetësor të mjekëve, fatkeqësisht  nuk u arrit të mbahej në jetë. Nuk më hiqet nga sytë ajo pamje, kur më mbante dorën shtrënguar, duke luftuar  me vdekjen dhe u shua ngadalë para syve të mi dhe të familjarëve. Ajo mbrëmje do mbetet në memorien dhe kujtesën time sa të kem jetën.

– Çfarë mendoni se janë elementët thelbësorë që e bëjnë Atin tuaj  të çmuar e të vlerësuar për kontributin e tij nga bota shqiptare?  Si do ta përshkruani erudicionin  krijues në fushën e shkrimtarisë, poezisë, publicistikës, dramave dhe botimeve të tij?

–Jetoi për një kohë të gjatë në Kukës, larg  kryeqytetit, por do thoja  a ndikoi kjo në krijimtarinë e tij. Do tju kujtoj vetëm një gjë; Migjeni i shkroi  kryeveprat e tij në Shkodër, Vrakë dhe Pukë, Nekrasovi poemat e tij të mrekullueshme  i shkroi në internim, Ukrahinasi Shefcenko, gjithashtu.është  relative varësia e veprës  nga jetesa  ose jo në Tiranë. Në Kukës vërtet mungonte biblioteka kombëtare, kontaktet me inteligjencën, por këto u plotësuan nga biblioteka  e tij në rusisht, në takimet e shpeshta  në Degën e Lidhjes  në Tiranë duke mundësuar  lidhjet  me  shkrimtarët më të mirë, nga lidhjet e vazhdueshme me njerëzit në të gjitha trevat verilindore,dashurinë e nxënësve të tij  dhe gjithë popullit të cilit i thërrisnin të gjithë “ profesor Ferhati”. Mënyra  se si fliste dhe afronte cdo njeri  të cdo profesioni, duke  i rrahur shpatullat  të impononte respekt të vecantë ,dhe  të gjithë  rendnin pas tij  duke e adhuruar si mësuesin  më të mirë të Letërsisë, shumë nga nxënësit  i sillnin fletoret në shtëpi me vjersha  dhe mbaj mend  që i priste me buzë në gaz, si një njeri me zemër të madhe, i inkurajonte  dhe shumë prej tyre sot  kanë botuar veprat e tyre. Ai  ishte  trupshkurtër, me flokë të thinjur,  që i shkonin dhe  e tregonin shumë fisnik, i mbajtur mirë dhe i veshur me sqimë.  Gjithmonë e mbaj mend me  këmishë  të bardhë  me kravatë në cdo moment i rregullt, i qeshur, i mëncur dhe me sytë e tij të vegjël që shkelqenin  në cdo kohë. Nuk e hiqte  stilografin  nga  dora , gjithmonë  shkruante në  studion e tij i rrethuar nga libra të pafund  vendosur  me rregull  në raftet e bibliotekës. E mbaj mend gjithmonë  shkruante natën, pasi muzgu  mbulonte  atë qytet të vogël në veri të Shqipërisë,  ku shkroi romanet e tij të para, i rrethuar mes miqsh të shumtë, kaloi pjesën më të madhe të jetës në qytetin e  Kukësit. Kukësi ishte vendlindja e tij e dytë, ishte ky qytet  i pranishëm në të gjashtë romanet e tij, në novelat dhe në tregimet. Kukësi i dha dashurinë e thellë njerëzore dhe padyshim  dhimbje. Ai i fali atij qyteti  rininë, burrërinë, aftësitë intelektuale dhe akademike,  duke qenë një mësonjës sic e donte Kukësi, duke qënë shpesh  këshilltar përherë në mbrojtje të qytetarëve,  shkrimtar  që nuk e ndante  krijimtarinë  nga njerëzit e atij rrethi aq të pasur dhe aq të varfër. Njerëzit, folklori popullor kuksian, larmia shumëngjyrëshe shprehëse kuksiane, historia e lavdishme dhe e re e fiseve të Kukësit, gjithshka e atij rrethi ishte e tij, ishte dhe mbeti në librat e tij. Ferhat Cakaj është autor i romaneve që kanë pasur një objekt krejt të vecantë: rolin e fisit në shoqërinë totalitare uzurpimin  prej tij të administratës dhe të ndërmarrjeve. D.m.th fisin,  një forcë konservatore, regresive. Prandaj romanet e tij”Njerëzit e qytezës në mal”,”Nesër do të jetë vonë”,”Përmendorja”,”Zemërimi”,”Të gjallë e të vdekur”, kanë  tendenca të vecantë realiste. Ai rrëfen fuqinë e fisit në epokën komuniste pushtetin, tentakulat e të cilit  shtriheshin ngado, Megjithëse romanet janë shkruar në një mënyrë positive, sipas modelit të realizmit socialist,  që ishte metodë zyrtare,  këmbëngulja e tij  ishte, për të përshkruar me hollësi  gëlimin e kudogjendshëm e të pa asgjesueshëm të klaneve  në gjirin e shoqërisë shqiptare. P.sh tek romani “Pranvera do të vijë” ,tregon mundësitë dhe të papriturat ekzistenciale të individit dhe të familjes shqiptare në regjimin komunist e në kapërcyell të sistemeve politike. Jeta sjell shpesh vuajtje, zhgënjime dhe goditje  të forta të fatit, por ajo meriton të jetohet me dashuri dhe shpresë. Dhe ketë ai e shpreh që në titull e deri në fund të librit, me historinë e jashtëzakonshme të Neritanit e të Virgjinës.

-Si e keni mësuar se Ati Tuaj ishte pasionant i letërsisë? Si e keni përjetuar këtë nismë e pasion të tij dhe cila është poezia apo tregimi i parë që keni lexuar prej tij?

–Ai u rrit në shtëpinë e fëmijës që nga viti 1945 në Gjirokastër pastaj po në shtëpinëe fëmijës  në Tiranë  e në Shkodër. Me letërsi, kish filluar të merrej, që kur ishte nxënës në shkollën e mesme dhe krijimet e para i botoi në faqen letrare të“Zërit të rinisë” etj.Është marrë me prozë për lexuesit e rritur,  dramaturgji dhe me ndonjë studim letrar. Pasionin për letërsinë dhe gjuhën shqipe ja transmetoi dhe vajzave,  ku dy prej tyre kanë mbaruar  studimet e larta për Gjuhë –Letërsi. Në shtëpinë tonë,  në studion, ku ai shkruante, kishte libra pafund, shumica e librave  ishin botime të herëshme  që i kish blerë që në rini të tij,  që nga vitet 1950-ë dhe shumica e tyre ishin botime  në rusisht. Ishte njohës  shumë i mirë i gjuhës ruse, mbaj mend kur na lexonte  me zë, recitonte pjesë nga poemat më të bukura ruse, duke i lexuar jo një por disa herë  shumicën prej tyre. E kam adhuruar gjithmonë  babin tim, për mënyrën e rrallë si sillej me librin,kujdesin që ai tregonte për to. Më pas kur u rrita, lexoja Servantesin, Heminguejin, Olldingtonin, Shollohovin, Brehtin apo Faladen, Kuperin-kryeveprat e letërsise botërore. Libri i parë që kam lexuar prej tij ka qenë “Jam bir i popullit tim”një roman për fëmijë jashtëzakonisht shumë i bukur i vitit 1978, i përkthyer më vonë  dhe në greqisht në vitin 1981,gjithashtu dhe radio dramë nga  Teatri Popullor me regji të Andon Qesarit. Ky roman ishte vepra e tij e parë për fëmijë, është shkruar kundër mëshirës, përbuzjes dhe neverisë, në raportin e njeriut jetim me shoqërinë. Sepse shpeshherë shoqëria e hedh tutje këtë fëmijë, Si fabul ngjarja zhvillohet në Shtëpinë e fëmijës në Shkodër, Ai roman u vlerësua me cmimin e parë të Republikës, cmim i cili ju dorëzua nga i madhi Dritero Agolli në Lidhjen e Shkrimtarëve. Ndërsa për pasionin për letërsinë,  mund të them që edhe sot tregohet  nga nxënësit e tij, “Kur Ferhat Cakaj shpjegonte  Migjenin në orën e letërsisë  nxënësit nuk pipëtinin,duke dëgjuar mënyrën e bukur dhe të vecantë, atë shpjegimin  me pasion që dinte ta bente vetëm ai.”

 

-A ka lënë dorëshkrime ? Kush do të  kujdeset për mbledhjen e botimin  e tyre?

Gjithmonë e përfytyroj me stilografin e tij,i përkulur mbi makinën e tij të shkrimit,duke shkruar  gjithmonë ditën dhe natën, cigarja që harrohej  dhe digjej ngadalë, duke përjetuar cdo moment ngjarjet dhe personazhet,  që mernin jetë  nëpërmjet  shkrimeve të tij. Janë shumë dorëshkrime në gjininë e tregimit, novelës, romanit, si dhe të publicistikës. Jam kujdesur për to,  që kur babi ishte në jetë, dhe mendoj që është një mision jetësor i imi dhe i motrave, që me anë të botimit të shkrimeve të pabotura, të vazhdojmë dhe të mbajmë gjallë krimtarinë e babit dhe shkrimtarit Ferhat Cakaj. Do bëjmë të mundur  botimin e tyre, si shkrime të papublikuara akoma, pasi janë shkruar para shumë kohësh  dhe janë aktuale  dhe për ditët e sotme, gjithashtu  dhe  shkrime  të cilat janë shkruar tani vonë. Nëpërmjet shkrimeve të tij, ai do të vazhdojë të mbetet  i gjallë për lexuesit e tij të dashur  dhe për  shumë vitet me radhë.

-Një situatë  të  vështirë të babait tuaj?

Do thosha  fëmijëria,  një familje me gjashtë fëmijë, dhe me një gjendje ekonomike shumë  të dobët, Në vitin 1941 i vdes nëna, ishte vetëm 5 vjec dhe kishte  një motër më të vogël. I kaloi vitet e luftës në varfëri dhe  skamje dhe për më tepër pa nënën. Në vitin 1945 bashkë me tre femijë të tjerë  nga fshati Salari ku u lind,u dërgua në shtepinë e fëmijës në Gjirokastër, ku vazhdoi dhe shkollën  ku u cilësua  si një nga nxënësit më të mirë.Një fëmijë i rritur pa prindër ka nevojë për veshje, për ushqim, për punë e mbi të gjitha ka nevojë për dashuri njerëzore. Sepse ajo i mungon. Shumë njerëz nuk kishin kushte për të jetuar  dhe u grumbulluan në këto shtëpi fëmijësh, dhe tregohesh kujdes derisa  dilnin në jetë.

-Një situatë  mbresëlënës?

– Kurorëzimi i një pune  krijuese, në mësimdhënie,”Urdhëri Naim Frashëri” i klasit te III-të si mësues dhe edukator, 1976, Urdhëri “Naim Frashëri” kl II-të si shkrimtar e romancier, viti 1982, Titulli “Mësues I Merituar” viti 1989, mund të shtoj që shpërblimi më i madh i jetës së tij ka qenë respekti dhe dashuria, gjatë 39 viteve, e popullit  të Kukësit. Mund të them  që ai vetë ishte mbresëlënës  për të tjerët. I dashur,  gojëëmbël me të gjithë, gëzonte dashurinë dhe respektin e të gjithë  atyre që e kanë njohur, dhe kanë patur fatin ta takojnë qoftë dhe njëherë në jetë. Në vitin 2010, me rastin e 75 vjetorit të tij kam organizuar ditelindjen më të bukur e të vecantë të jetës së tij, duke i ftuar të gjithë shokët, miqtë, familjarë, gazetarë, studiues, shkrimtarë, shumë i gëzuar,  me lot ne sy, i rrethuar nga miqtë, përjetoi   me emocion  të madh  përshendetjet e miqve duke ë uruar suksese  në krijimtari dhe në jetë.

-Kush është Aurora Ndreu-Cakaj, për lexuesit e kësaj interviste?

Vajza e dytë e Ferhatit, aktualisht  ekonomiste  pranë Tirana bank. Mendoj që profesioni,  që kam zgjedhur,  nuk ka shumë lidhje  me librin, por  unë trashëgoj nga babai artin e të shkruarit. Kam në dorë një libër me tregime ende të papërfunduar  me tematikë  sociale. Ky libër ka një pjesë të shpirtit tim human, kjo jam unë. Libri përfshin  jetën në metropol, Tiranë, histori  të vërteta njerëzore, ku përfshihet jeta e individit të harruar  nga shoqëria, të gjymtuar në trup e në shpirt, histori  me të cilat ne përballemi cdo ditë, Gjithashtu mendoj  që së shpejti të hap një ekspozitë në pikture, punime të cilat  janë të parat për mua, ku për të gjitha këto kam mbështetjen e madhe  të familjes sime, bashkëshortit dhe dy fëmijëve. Kam qenë gjithmonë e privilegjuar, kam lindur dhe jam rritur në një familje intelektuale mësuesish, e edukuar  më së miri  nga prindërit e mi të shkëlqyer, të cilët më dhanë  shkollimin, edukatën,  më mësuan rregullin  estetikën  dhe cfarë është më e rendësishme  edukatën e punës. Kam punuar që e vogël  dhe njëkohësisht kam vazhduar shkollën dhe mendoj,  që kjo ka  influencuar  në edukimin  dhe formimin tim. Pas humbjes së babait, mendoj që e rëndësishme  dhe parësore  për mua e  për familjen time është  botimi i veprave  të lëna përgjysëm nga babai,  duke bërë të mos harrohet  dhe të mbetet i gjallë për lexuesit e tij dhe për shumë kohë .

-Cfarë dëshironi të shtoni në fund të kësaj interviste?

Do dëshiroja t’ju falenderoja me gjithë shpirt  për intervisten, ju zj.Raimonda që bëtë të mundur  dhe më dhatë mundësine  që të flas  për jetën dhe veprën e babit tim të dashur  dhe të paharruar  shkrimtarit e publicistit -Ferhat Cakaj.

Bisedoi:Raimonda MOISIU

Filed Under: Interviste Tagged With: Ferhat Cakaj, interviste me Aurora Ndreu Cakaj, Raimonda Moisiu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4741
  • 4742
  • 4743
  • 4744
  • 4745
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT