• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

UKRAINË – Merkel: Ende nuk është vonë për zgjidhje politike

March 3, 2014 by dgreca

Kancelarja gjermane, Angela Merkel vlerësoi se ende nuk është shumë vonë për një zgjidhje politike për krizën e Ukrainës për te mënjanuar keshtu mundësitë e ndërhyrjes ushtarake, njoftoi sot zëdhënësi i saj, Steffen Seibert.

“Ende nuk është shumë vonë për të zgjidhur krizën nëpërmjet politikes”, theksoi zëdhënësi gjatë një konference për shtyp në Berlin.
“Ende nuk është shumë vonë që Rusia të dërgojë sinjale që vërtetojnë respektimin e marrëveshjeve nëdrkombëtare dhe të mundësojë qetësimin e situatës në Krime dhe në lindje të Ukrainës”, shtoi ai.
Seibert i referohej memorandumit të Budapstit të viti 1994 që ka të bëjë me respektimin e sovranitetit të Ukrainës

Filed Under: Kronike Tagged With: merkel, Ukraine

Kosova, nga zgjedhjet në zgjedhje

March 3, 2014 by dgreca

Nga Behlul Jashari/ Prishtinë, 3 Mars /.-Kosova ka përmbyllë zgjedhjet lokale, sot KQZ bëri edhe çertifikimin e rezultateve përfundimtare për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune të mbajtura në 23 shkurt në Mitrovicën e Veriut, e cila është e 38-ta në Kosovë, e 10-ta me shumicë serbe.

Tashmë, partitë politike në Kosovë kanë nisur përgatitjet edhe për zgjedhjet parlamentare, pas zgjedhjeve lokale, të parave në gjithë territorin, përfshirë veriun, të mbajtura në 3 nëntor dhe që kanë vazhduar me balotazhin e 1 dhjetorit 2013 dhe me disa rivotime të pjesëshme, si dhe të jashtëzakonshme në 23 shkurt 2014 për kryetar komune në Mitrovicën Veriore, ku fituesi i komunitetit serb kishte refuzuar të japë betimin duke mos pranuar ligjet kosovare.
Zgjedhjet e kaluara parlamentare në Kosovë ishin të jashtëzakonshme pas dorëheqjes së Presidentit të Republikës dhe largimit të LDK-së nga koalicioni qeverisës me PDK-në dhe janë mbajtur në 12 dhjetor 2010, ndërsa disa muaj pa u mbushur katër vjet nga ajo datë, zgjedhjet 2014 pritet të mbahen në qershor, sipas deklaratave pas takimeve të liderëve politikë kosovarë.
Partitë kryesore kanë shpallur mobilizimin e tyre për zgjedhjet nacionale që mbahen brenda pak mujash, ndërsa liderët e tyre kanë paralajmëruar kandidimet për të udhëhequr Qeverinë e ardhshme të Republikës së Kosovës.
“Tashmë është e qartë se emocionet elektorale kanë përfshirë të gjitha partitë politike”, është shprehur këto ditë me atmosferë drejt zgjedhjeve parlamentare kryetari i PDK-së e kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Ai dhe kryetari i partisë më të madhe opozitare kosovare, LDK-së, Isa Mustafa, kanë pasur edhe një takim ku kanë biseduar për reformën zgjedhore e për zgjedhjet e përgjithshme dhe janë dakorduar që të bëhen të gjitha përgatitjet për zgjedhje të lira, demokratike dhe të mbikëqyrura nga vëzhgues ndërkombëtarë, për çfarë edhe do të bëhet kërkesë zyrtare në BE, OSBE etj. Takime janë zhvilluar dhe paralajmërohet se do mbahen edhe mes partive të tjera politike kosovare, me përkushtimin edhe për një provim të demokracisë në shtetin e ri të Kosovës me 106 njohje deri tani e drejt njohjeve të reja dhe integrimeve euroatlantike.
Zgjedhjet parlamentare 2014 janë të dytat pas shpalljes së Pavarësisë, të katërtat në Kosovën e lirë nga qershori 1999, ku të parat zgjedhje u mbajtën në vjeshtën e vitit 2001.
Ndërsa, zgjedhjet e para pluraliste në Kosovë ishin parlamentare dhe presidenciale, të mbajtura para 22 vitesh, në 24 maj 1992, si pjesë e lëvizjes për liri e pavarësi, në rrethana të rënda të okupimit nga regjimi i dhunës serbe. Raportimet nga ato zgjedhje me lidhje telexi, e vetmja e mundshme atëherë nga Prishtina në Tiranë, shënonin fillimet e korrespondencës së ATSH në Kosovë

Filed Under: Featured Tagged With: B Jashari, Kosove, zgjedhje

BISEDE ME HARRY BAJRAKTARIN

March 3, 2014 by dgreca

BAJRAKTARI:LUMTURINË MË TË MADHE E KISHA KUR NGA WASHINGTONI KTHEHESHA ME LAJME OPTIMISTE PËR KOSOVËN DHE SHQIPTARËT/

Nga Beqir SINA/

Me Harry Bajraktarin mund të bisedohesh për shumëçka e gjithçka për Komunitetin Shqiptaro-Amerikan, sepse për më shumë se 25 vjet u ndodh në të gjitha proceset kryesore që shënuan diferencën e thellë progresive në marrëdhëniet e SHBA me Kosovën, me Shqipërinë, me shqiptarët e Maqedonisë, Malit të Zi dhe të Luginës së Preshevës. Harry është nga ata shqiptarë të Amerikës si thonë se ” është si ai thesi i miellit sa herë që e tundë – nxjerr diçka” . Kur ndjek veprimtarinë e tij – në Amerikë, mëson se pak kush nga shqiptarët ka pasur rast, sesa Harry Bjaraktari të jetë akter kryesor dhe, ai njëherëshit, të gjendet disa herë në një tavolinë me persidentë të SHBA-ve, në takime me kongresmenë e senatorë, me përfaqësues të Departamentit amerikan të Shtetit, si dhe me diplomatë të vendeve të ndryshme, të botës që kanë përfaqësitë e tyre në New York dhe Washington.

Të gjitha këto takime i shfrytëzoi në dobi të kombit, për t’a bindur Washingtonin që të jetë në mbështetj të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës dhe në përkrahje të të gjithë shqiptarëve në Ballkan. I tërë ky aktivitet i tij lidhet me vullnetin, motivimin, dëshirën dhe guximin për depërtuar në thellësitë e politikës Amerikane, si e vetmja rrugë për të ndihmuar shqiptarët në zgjidhjen e problemeve territoriale e politike.

Harry Bajraktari, nga të gjithë shqiptarët e Amerikës, shquhet për lidhjet e tija të mira me Kishën dhe Xhaminë, me lider dhe veprimtar të dalluar të komunitetit, afaristë dhe biznesmen, artistë dhe intelektual falë  një kulture dhe qyterimi amerikan.  Trashëgmnisë së familjes së tij – edhe tipareve të bujarisë si tregojnë ata që e njofin qysh në vend origjinën e tij, pra së gjyshit të tij, i cili në shumë raste thonë ata ” veten e lënte keq për ta ndihmuar tjerin”. Në këtë kontekst, zyra e biznesit të tij në Bronx, vizitohet nga shumë politikanë shqiptarë e amerikanë , si dhe njerëz me nevoja të ndryshme.

Në cilin vit filluat angazhimin për Kosovën.  Dhe, si e shihni sot këtë nismë nga kjo distancë kohore, sa ishit optimist për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, në një kohë kur problemi i saj – atëhere s’ ishte i njohur shumë në Washington?

Harry Bajraktari: Kjo ka një histori të gjatë e cila lidhet qysh me fëmijrinë time. Derisa isha në Kosovë kam pasur rast të njihja disa elemente të shtypjes së popullit shqiptar, atje. Atë, që më tregonin prindërit e mi mund të jetë njëri ndër motivet, që unë jam kyçur shumë herët në proceset e komunitetit tonë në New York për t’ i ndihmuar ata njerëz të pushtuar atje nga Serbia. Mbasi, edhe familja ime, ka qenë e terrorizuar nga sistemi komunist jugosllav. Detajet e këtij terrorizimi gjenden në librin “Një jetë mes Kosovës dhe Amerikës”.
Tani dua të lidhem me pyetjen tuaj se : “Në vitin 1988, sipas disa informatave që kishim ne në New York, gjendja në Kosovë ishtë dëshpëruese. Në këtë vit vendosa të shkoj atje(të vijë në Nju Jork) dhe t’ i shoh ngjarjet nga afër. Gjatë qëndrimit tim tre-javësh në Kosovë, vërejta se popullata shqiptare kishte probleme të mëdha politike me Beogradin, sidomos pas ardhjes në pushtet të Sllobadan Millosheviqit. Në Kosovë ishte vendosur një qeveri vasale me shqiptarë dhe serbë, ku terrori shtetëror skishte më cak dhe qëllim. Kishte arritur kulmin e tij. E pashë se njerëzit ishin shumë të zhgenjyer në udhëheqjen e tyre. Aty vendosa që kur të kthehesha në Amerikë, të angazhohem dhe të gjeja mënyrën dhe rrugën për ta ndihmuar Kosovën dhe njerëzit e saj. Në fakt e dija se Washingtoni ishte çelësi kryesor për zgjidhjen e problemit të Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi. Por, çështje ishte se si të arrija atje. Për këtë fillimisht na shëbeu edhe rasti Ivezaj, i cili pas presionit të politikës Amerikanë, ai u lirua. Nga këtu pra e nisa( 1988) dhe ja këtu arrita( 2014).

Kur erdhët në Amerikë sa njihej problemi i Kosovës në Washington, pra në vitin 1988?

Harry Bajraktari: Washingtoni në këtë kohë s’ ishte i njohur me problemet e Kosovës. Ish -Jugosllavia me propogandën e saj mbyllte të gjitha rrugët që kërkesat e shqiptarëve të mbeteshin brenda Jugosllavisë, madje nën ndikimin e saj, krijohej përshtypja se shqiptarët gëzonin të gjitha të drejtat kombëtare, politike dhe të drejtat njerëzore e ekonomike!
Në këtë periudhë filloi një lobim intensiv i komunitetit shqiptaro-amerikan që të ndihmonim Kosovën. Deri në këtë vit vepronin partitë e vjetra si Balli Kombëtar, Legaliteti, Vëllazëria Kosovare, Lidhje e Prizrenit, Blloku Kombëtar, dhe organizata më e vjetër e komunitetit shqiptarë “Vatra” famëmadhe, si dhe klubi “Vëllezërit Gërvalla” e disa shoqata të tjera. Unë vendos të mos merrja pjesë në partitë politike dhe në organizatat që vepronin në këtë kohë në komunitetitin tonë. Në fakt u përcaktova për një formë tjetër që kisha përshtypjen se do të jetë më efikase për çështjen e Kosovës në Washington. Në fillim të vitit 1989 e takova kongresmenin Eliot Engel. Ky binte të kishte zonën e tij elektorale në distriktin ku unë kisha të hapura bizneset e mia. Këtu, pra e ka fillin edhe angazhimi im për Kosovën dhe për shqiptarët. Me kongremenin Eliot Engel, që u bë miku im i madh dhe i shqiptarëve, hapa dyert e Kongresit Amerikan dhe të Shtëpisë së Bardhë në Washington DC.

A ishit optimist se do të bëni diçka të rëndësishme për Kosovën?

Harry Bajraktari:Ta them të vërtetën s’ ishim shumë optimistë se Ish- Jugosllavia në këtë periudhë mbahej ende e fortë në çarqet ndërkombëtare dhe në në Washington, pa marrë parasysh se nuk pajtoheshin me politikën që udhëhiqte Sllobodan Millosheviqi. Në fakt Washingtoni kishte interes t’a ruanta një Jugosllavi, ashtu si ishte, dhe ahstu si e mendonin Amerikanët. Këtë e patë theksuar edhe Sekretari Shtetëror James Baker, në vitet e 90-ta. Përkundër kësaj ne në komunitetin tonë vendosëm të mobilizoheshim dhe të bënim gjithçka që ishte e mundur që çështja e Kosovës të senzibilizohej, të ndërkombëtarizohej jo vetëm në Washington, por edhe në OKB.
Komunitetit tonë në këtë kohë (1989-1990) i printe kongresisti i atëhershëm Joseph DioGuardi, i cili themeloi edhe Ligën Qytetare Shqiptaro Amerikane. Pas dhunës sistematike dhe terrorit shtetëror që po bënte Serbia për një kohë të gjatë dhe suprimimi të të gjitha të drejtave dhe lirive kombëtare e njerëzore dhe pas dramës së ngujimit të minatorëve në galeritë e Kombinatit “Trepça”, rrënimit të Kushtetutës së vitit 1974, ne me DioGuardin, Jim Xhemën, Rexhë Xhaklin, Prof. Sami Repishtin, Din Dertin, Sejdi Biticin, Shaqir Gashin, Bruno Selimajn, Osman Osmanin, Salih Nezën dhe Rrustem Geci , përmjet kogresmenit Tom Lantos, që udhëhiqte atë kohë marrëdhëniet për politikë të Jashtme në Kongresin Amerikan, arritëm të organizonim “Seancë Dëgjimi – Hearing ” në Kongres, kundër politikës shoveniste të Beogradit. Në këtë Seancë Dëgjimi morën pjesë 20 intelektualë nga Kosova në krye me Dr. Ibrahim Rugovën dhe mund të them se ishte ngjarje historike, për shqiptarët në këtë kohë.

Ju keni shumë miq amerikanë. Cili ështe miku i juaj i parë dhe kush janë të tjerët? Sa keni arritur të ndikoni tek këta kongrsmenë dhe senatorë në dobi të çështjes kombëtare, sidomos për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës ?

Harry Bajraktari: Miku im, siç thashë më parë, është kongresmeni i Bronx-it, Eliot Engel, mandej zura miq të tjerë, senatorin e fuqishëm Bob Dole, kongresmenët Tom Lantos e Ben Gilman, John Porter, Susan Molinar, Alfanse D’amato, etj.  Këta ishin të parët. Me këta fillova. Kam qenë i kyqur drejtpërdrejt në dërgimin e Bob Dole në Kosovë, në verën e vitit 1990. Qëllimi ynë ka qenë që ai ta shihte gjendjen atje nga afër. Dy ditë para se të nisej kam qëndruar në Washington me DioGuardin, Jim Xhemën dhe me anëtarët tjerë të Lobit shqiptaro-amerikan LQSHA. Mendoj se gjatë këtyre 25 viteve të fundit nga komuniteti ynë kam luajtur rolin kryesor për pavarësinë e Kosovës dhe për avancimin e shumë proceseve të shqiptarëve në Ballkan. Kam qenë person me ndikim të madh tek presidenti Bill Clinton e deri të kongresmenët, senatorët dhe personalitetet tjera në Shtëpinë e Bardhë dhe në Kongres.
Për 25 vite të shkuara kam bashkëpunuar edhe me presidentin Bush, me Hilary Clinton, kjo e fundit ishte për vizitë edhe në shtëpinë time, me Joe Biden, Wiliam Broomfild, Madeleine Olbright, Alfonse D’ Amato, Richard Holbrooke dhe profesor David Phillips. Pra, mund të them se nuk jam ndalur për asnjë moment.
Kur u mbajt konferenca e Rambujes më 1999- me mikun tim kongresistin Eliot Engel, Sue Kelly dhe me një grup të Këshillit Kombëtar Shqiptaro- Amerikan, shkova atje për të ndihmuar delegacionin e Kosovës që përballej në bisedime tejet të vështira me delegacionin serb.

Po gazeta Illyra! si erdhët deri tek nxjerrja në atë kohë të një gazete shqiptaro amerikane ?
Harry Bajraktari: Në kontekst të aktivitetit tim kombëtar dëshiroj t’i them dy fjalë edhe për gazetën Illyria. Për ta ndihmuar Kosovën në vitet e 90-ta vendosa të nxirrja këtë gazetë në gjuhën angleze dhe shqipe, e cila krahas aktivitetit të komunitetit tonë, isha i bindur se të luante rolin e saj në afirmimin e të gjitha proceseve pozitive për Kosovën në Washington. Kjo gazetë në këtë kohë ishte aq e nevojshme, saqë roli i saj mbetet gjithënjë historik. Për shkak të rëndësisë, Illyria u dërgohej senatorëve dhe kongresmenëve, shumë personaliteteve në Shtëpinë e Bardhë dhe ambasadave të huaja në Washington e New York, në mënyrë që të informoheshin për dhunën serbe mbi shqiptarët në Kosovë. Mendoj se kjo gazetë mori një përgjegjësi të madhe në ndërtimin e çështjes kombëtare, në Amerikë.

Cilin moment e vlerësoni më të rëndësishëm në veprimtarinë tuaj në relacionin Washington – Prishtinë- Tiranë ?

Harry Bajraktari: Detyrë dhe obligim i imi ka qenë se si ta bindja presidentin e SHBA Bill Clinton, që, pas gjithë atij masakrimi dhe dëbimi të popullatës shqiptare nga Kosova, të jipej drita e gjelbër nga Washingtoni për bombardimin e makinerisë ushtarake të kriminelit Millosheviq. Investimi për më tepër se 10 vjet në disa nga figura kryesore të politikës amerikane, duke përfshirë edhe presidentin Clinton, administratën e tij, senatorë e kongresmenë- jam i kënaqur dhe i lumtur se u shpërblye në mënyrën më fantastike, sepse në krizën më të madhe të shqiptarëve në Kosovë, u dha urdhëri për bombardimin e caqeve ushttarake serbe. Mbajë mend se si ” E luta presidentin amerikan që popullata e Kosovës të mos përjetonte atë që përjetuan boshnjakët në Bosnje”. Kujtojë me këtë rast kur i thashë “Zot shpëtoje popullin tim” dhe “Ju mund ta bëni këtë, zoti President!”.
Unë kam bërë një lobizëm të fuqishëm tek miqtë e mi Amerikanë edhe për Shqipërinë, sidomos, kur ajo u bë anëtare NATO-s. Në krah timin, për ta ndihmuar Shqipërinë që t’ i bashkohej kësaj organizate më të fuqishme ushtarake, kanë qenë edhe miku im Jim Xhema, Rrustem Geci, Vëllezërit Bitici, Bruno Selimaj, Ekrem Bardha, profesor Repishti, e të tjerë. Këta ishin edhe për çështjen e Kosovës. Këtu dëshiroj të theksoj edhe angazhimin shumëvjeçar të veprimtarit të njohur Antonio Athanas në të gjitha proceset kombëtare. Ishte një njeri i palodhshëm me një reputacion të madh tek amerikanët. Pak pas përfundimit të luftës, edhe pse ishte në moshë të shtyrë, ai së bashku me disa miq te tjere vizituam Kosovën. Kujtojë sot se ai “Ndjeu kënaqësi të jashtëzakonshme për lirinë, por edhe dhimbje kur pa shkatërimet nga lufta”.
Ju keni shoqëruar shumë delegacione të Kosovës dhe Shqipërisë në Washington.Si i keni përjetuar të gjitha këto bisedime? Në këtë kontekst a mund të dalloni ndonjë si më të veçantin?

Harry Bajraktari: Delegacioni i parë, siç e theksova më lartë, ka qenë në prill të vitit 1990. Në krye të këtij delegacioni ishte presidenti Rugova dhe 20 intelektualë të tjerë nga fushat e ndryshme nga Kosova. Unë kam qenë në shoqëri të këtij delegacion me shumë të tjerë nga Liga Qytetare – Shqiptaro Amerikane me në krye Joe DioGuardin. Sa herë që ka ardhur presidenti Rugova në Washington dhe në New York, e kam shoqëruar në të gjitha bisedat që ka pasur. Kam shoqëruar, gjithashtu edhe Dr. Bujar Bukoshin, Dr. Alush Gashin, Dr. Sali Berishën dhe politikanë të tjerë nga trevat shqiptare. Me presidentin Rugova kam qenë në Washington, në Shtëpinë e Bardhë në pritjen që pati ai me Presidentin Bill Clinton.E kam shoqëruar edhe në takimin me sekretarin e atëhershëm të shtetit Werren Christopher(1993-1997), pastaj me Madeleine Albright, gjithashtu ish Sekretare e Shtetit. Në këtë kontekst dëshiroj të përmend edhe takimin me ambasadorin Richard Holbrooke në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Në të gjitha këto takime presidenti Rugova ishte pritur si personalitet shtetëror. Kosova ishte e vetmja temë.
Cili ka qenë lajmi më i gëzueshëm për ju?

Harry Bajraktari: Ambasadori Holbrook në mars të vitit 1999 udhëtoi nga Washingtoni në Beograd për t’ i dhënë ultimatumin e fundit kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqit, se NATO-ja do ta bombardonte nëse nuk do të ndalte agresionin ndaj Kosovës, dhe nëse nuk do ta nënshkruante marrëveshjen e Rambujes. Mirëpo, Millosheviqi porosinë e Holbrookut dhe të bashkësisë ndërkombëtare se përfilli, as të parën as të dytën. Ai, me gjasë, nuk besonte se mund të ndodhë një kërcënim i tillë. Mund të them se patëm fat të madh që Serbia s’ pranoi asnjërën nga këto marrëveshje dhe Kosova realizoi ëndrrën e saj njëqindvjeçare.
Pas përfundimit të këtij takimi që kishte pasur Holbrooke me Millosheviqin(vetëm tri ditë para se të nisej fushata e bombardimeve) nga aeroporti i Beogradit, më telefonoi dhe me tha se Millosheviqi nuk e kishte pranuar ultimatiumin. Në mënyrë decitive më tha:”Serbia do të bombardohet nga forcat e NATO-s. Për këtë mund t’u tregosh shokëve në New York dhe popullit në Kosovë”. Pra, ky ishte lajmi më i gëzueshëm për mua, pasuan edhe lajme të tjera të gëzueshme, liria dhe pavarësia e Kosovës. Edhe pse s’ jemi pajtuar gjitherë me amasadorin Holbrooke, ai e ka ndihmuar shumë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Është fakt i pamohueshëm se ju keni takuar të gjithë liderët politikë të Kosovës, shumë edhe nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës.  Si e shpjegoni ju këtë gjë që ju takoheni me të gjithë akterët politikë shqiptarë ? Përse e bëni ju këtë ?

Harry Bajraktari: Pyetje bukur kjo! Interesi im ka qenë dhe mbetet gjithmonë  kontributi im për çështjen kombëtare. Përpiqem t’i ndihmoj të gjithë ata që i ka zgjedhur populli atje, si në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe në Luginë të Preshevës. Kam qenë dhe jam i gatshëm të takohem me të gjithë për interesat kombëtare. Mua s’ më lidh interesi partiak, por interesi i përgjithshëm: zhvillimi ekonomik, zhvillimi i demokracisë në bazë të kritereve të standardeve evropiane dhe prestigji i shqiptarëve në botë. Për këtë çështje s’ kam kursyer dhe s’ do të kursej asnjëherë. E ndiej veten shumë të lumtur që kam ndihmuar dhe kam mundësi t’i ndihmoj edhe më tej shqiptarët në Ballkan.

Ju jeni edhe një biznesmen i sukseshme. Mund të na zbuloni sekretin e biznesit tuaj? dhe a e kishte menduar ndonjëherë se do të arrinit deri këtu ?

Harry Bajraktari: Po e filloi nga fundi përgjigjen e kësaj pyetje – E kisha menduar dhe i kisha vënë detyrë vetes qe kur mora rrugen drejt Amerikës, mbasi vetëm në këtë vend të bekuar kisha shpresuar se do të isha e suksesshëm në jetë . Filozofia e biznesit tim mbështetej në disa gjëra të cilat vetëm në Amerikë mund t’i arrija. Unë me këtë rast dëshiroj t’ i përmend vetëm dy-tri nga ato. Faktori më i rëndësishëm është puna e ndershme dhe sa më korrekte me shtetin Amerikan. Kam punuar edhe 7 ditë të javës, dy punë. Tani punoj gjashtë ditë në javë, 12 deri në 14 orë në ditë, pa u lodhur fare. Në këtë kontekst, askush s’ mund ta përcaktojë më parë suksesin, përveçse punës që ka bërë dhe e bëjë çdo ditë. Mbasi ju e dini si gazetar se “Nuk është aq thjesht dhe aq lehtë” sa mund t’a mendojë dikush që nuk ka biznes. Në biznes duhesh të jesh i fjalës, komunikativ dhe bashkëpunues. Gjithëherë duhesh të jesh aty ku është biznesi dhe të kesh bashkëpuntorë të mirë në menagjim. Vetë natyra e biznesit ka tension për atë që mirret me këtë veprimtari. Kurrë s’ mund të jesh i qetë. Investimet e mia janë afatgjate. Mendoj se duhesh të kesh edhe pak fat…apo Jo!
Sa rëndësi u jepni shqiptarëve në kompaninë tuaj ?

Harry Bajraktari: Gjysma e punëtorëve në kompaninë time janë shqiptarë, ndërsa gjysma tjetër janë të komuniteteve tjera që jetojnë në New York. Në kompanin time ka diverzitet komunitetesh. Mund të them se të gjithë të punësuarit këtu janë të ndërgjegjshëm dhe unë vlerësoj angazhimin dhe punën e tyre.

Si arrini të menaxhoni gjithë këtë biznes – në të njëjtën kohë merreni gati me çdo veprimtari në Komunitet ?

Harry Bajraktari: Jam i lidhur ngusht me punën dhe biznesin tim. Pa këtë biznes s’ do të isha këtu ku jam dhe ky që jam. Ky biznes më ka plotësuar dëshirën time më të madhe për t’i ndihmuar shqiptarët në Kosovë, në Shqipëri, shqiptarët në Maqedoni, në Mal të Zi, si dhe ata në Luginë të Preshevës. Mendoj se për 25 vjet rresht kam kryer misionin tim si veprimtar në mënyrën më të ndërgjegjshme ndaj atdheut dhe lidhur me këtë s’ jam ndalur kurrë. Për këtë gjitherë kam gjetur kohë dhe sot ndihem tepër i lumtur për këtë që kam bërë.

Si mendoni se po reflektohet biznesi shqiptar në Amerikë – ku kontributi i biznesmenëve shqiptaro- amerikanë, jo pak herë, është vlerësuar edhe nga prisedentët, senatorët dhe kongresmenët Amerikanë?

Harry Bajraktari:  Kudo në SHBA bizneset shqiptare janë të shumta dhe të ndryshme, si të tilla janë vlerësuar lart nga qarqet amerikane: nga presidentët, nga kryetarët e qyteteve, kompanitë e mëdha dhe të vogla, dhe nga distriktet e ndryshme. Shqiptarët janë punëtorë të zellshëm, komunikativë dhe të përkushtuar për të arritur sukses, secili në biznesin e tij, në drejtimin e tij. Dhe pothujase të gjithë biznesmenet shqiptarë në Amerikë, fatmirësisht janë dhe veprimtarë të dalluar të çështjes kombëtare. Ata janë pjesë e sa fushtave për ngritjen e fondeve. Sot kemi shumë biznese të afirmuara  që kanë ndikim në zhvillimin e ekonomisë amerikane. Me këto suksese jemi bërë të njohur në mesin e shumë komuniteteve që janë shmë më të mëdha se ne.Sot komuniteti ynë Shqiptaro-Amerikan ka mundësi më të mëdha sesa në të shkuarën. Është shtuar numri i shqiptarëve në Amerikë, i atyre që kanë kryer e po kryejnë shkolla e specializime në fusha të ndryshme. Pra, sot kemi një potencial të madh njerëzor.

Për kontributin që keni dhënë si biznesmen dhe veprimtar, jeni falenderuar nga shteti amerikan, nga Kosova dhe Shqipëria? A mund të flisni diçka lidhur me këto mirënjohje?

Harry Bajraktari: Për punën time shumëvjeçare kam marr mirnjohje dhe falenderime nga shteti dhe institucionet amerikkan, nga Kosova dhe Shqipëria. Këtu po përmendi vetëm disa nga këto: në vitin 2006 presidenti i SHBA George Bush më dekoroi me mirënjohje për shërbim dhe pjesëmarrje qytetare. Kjo medalje (që e kam në zyrën time), u jepet personave për angazhim dhe forcim të kombit Amerikan nëpërmjet shërbimit vullnetar me motivacionin : ” Ju keni demonstruar karakter të jashtëzakonshëm të Amerikës dhe keni ndihmuar në forcimin e vendit”. Jam dekoruar edhe nga Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Ajo më dekoroi me Medaljen Presedenciale të Meritave për veprimtari dhe angazhim në afirmimin e çështjes së Kosovës. Jam shpallur qytetar nderi i komunës Bujan në Malësi të Gjakovës, gjithashtu me rastin e shënimit të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Për kontributin tim qytetar jam dekoruar edhe nga Qyteti i New York-ut me Proklamatën e qytetit.
Për ju dhe familjen tuaj është shkruar një libër “Një jetë mes Kosovës dhe Amerikës”, ndërkohë që edhe vetë keni botuar shumë shkrime në shtypin shqiptar.  A keni ndërmënd të botoni në ndonjë libër?

Harry Bajraktari: Shkrimet e mia, të botuara në gazetën “Illyria”, në “Bota Sot”, në gazetën “55”, në “Panorama”, në “Telegraf” të Tiranës dhe të Prishtinës, në “ Lajm” të Maqedonisë, dhe në disa gazeta të tjera të përditshme në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, e diasporë dhe në revista të ndryshme, si dhe disa fjalime që i kam mbajtur në Washington i kam përmbledhur në një vëllim. Këto shkrime kapin një periudhë 25 vjeçare dhe kanë të bëjnë kryesisht  me aktivitetin e shqiptarëve të Amerikës në mbështetje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës dhe me demokratizimin e zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Besojë se lexuesi do të ketë rast të njihet edhe me takimet e mia me ish presidentin Clinton, Hilary Clinton, Holbrooke, Joe Biden, Bab Dole, Eliot Engel e me personalitete të tjera amerikane. Libri ka mbi 300 faqe dhe mendoj se në këtë pranverë do ta nxjerrë nga shtypi.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Beqir Sina, BISEDE ME, HARRY BAJRAKTARIN

Porosi rilindase në pasaportën shqiptare

March 3, 2014 by dgreca

Nga Idajet  Jahaj &  Arshi  Ymeri?

Çdo qytetar i botës ka një dokument identifikues. Në çdo pikë të globit ku ai ndodhet, sa herë e shfleton këtë dokument, përndritet nga rrezet e vendlindjes, të atdheut. Ne në Shqipëri kemi edhe një emërtim me shumë për atdheun. Equajmë atë  edhe “mëmëdhe”. Pra emërtim i dyfishtë, dhe, rrjedhimisht, edhe dashuri e dyfishtë ndaj dheut- mëmë. Prandaj pretendojmë se e duam shumë vendin tonë. Sa herë leçitim këto emërtime për atdheun, na vijnë ndërmend vargjet e Sen- Poetit NAIM;                   

Shqipëri, o jetëgjatë,

Ty të kemi mëmë e atë…..

Dielli rilindas i ngrohu palcën këtij kombi. E jo vetëm palcën, por edhe idealet, fytyrat,  ballet e brezave të tij. Rilindja e ndriti këtë komb. I dha atij breroren etnike, kurorën e qetësisë, aurorën në këtë glob. E pajisën me krenarinë e ligjshme. Sa i zbatuan shtetet tona të shekullit XX këto mësime të rilindasve? Mirë apo keq, këta shtete kanë udhëtuar. Kanë lënë pas tyre edhe pjesë të mira, sikurse kanë lënë edhe fragmente blozë…..Pas ditës së Ismail  Qemalit, erdhi shteti monarkist i Zogut, më pas diktatura komuniste, e pas  saj- demokracia……

Sa rreze rilindase kanë  kanë pasqyruar ato?…..

….Në shtetin e Zogut, në vitet 30-të  të shekullit të kaluar, në pasaportën e qytetarve “ të MBRETËNISË’  në një faqe të sajë, shkruhen disa kujtesa. Ja ç`ishin ato;

Të jesh i sigurtë se fatbardhsia e lumturia e jetës gjendet në Shipëri, e cila të jep nder, të fal emrin shqipëtar.

Ruaje mirë karakterin kombëtar dhe kryelartësinë shqipëtare….. Bindju ligjeve dhe urdhrave të vendit kudo që të jesh.

Çdo shqiptar është vëllai  yt . Nderoje dhe ndihmoje kurdoherë që të ketë nevojë.

Mos e përbuz gjuhën e nënës. Mos folë në gjuhë të huaj kur s`është nevoja.

Kush nuk e nderon shenjën e atdheut- Flamurin, – ai tjetërson veten e vet.Dashuria për atdhe ndjehet më shumë në mërgim…..

A nuk janë këto disa nga rrezet e diellit rilindas.? Dh janë shprehur me vargjet e poetëve tanë – ikona;  Naimi, Fishtës, Konicës. Porositë vijojnë për karakterin, krenarinë, nderimin për flamurin. Pra ja një pasqyrë rilindasve – të shteti monarkist  { i paraçlirimit}.  Por, a nuk ka çdo shtet pasqyrza të tilla ? T`i bashkojmë ato e të formojmë diellin e traditës, për të na ndriçuar rrugën përpara.Vetëm kështu do të ndërtohet familja e madhe që quhet popull ose komb.Vetëm kështu do të çelim e lulëzojmë pemën e madhërishme të jetës që quhet ` Evropë` këtu në perifrinë e sajë. Dhe kënga “ Insieme” do tingëllojë më e bukur së bashku me tingujt e madhërishëm të hymnit tonë kombëtar. Atëherë ne do të  përndritemi siç e deshën rilindasit, si një gurë i çmuar, si një rubin me prizma…..Anuk ka mundësi që edhe në pasaportat tona të sotme të shkruhen këto porosi të arta, siç ishin në pasaportat e qytetarëve shqiptar në vitet  30-të të shekullit të kaluar? !

Vlorë , 1 mars  2014

 

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Arshi Ymeri, Idajet Jahaj, pasaporta, Porosi rilindase

Gjermani: Shoqata “Kadri Zeka” suksesshëm kremtoi 6 vjetorin e pavarësisë së Kosovës

March 3, 2014 by dgreca

Nga Asllan Dibrani/

Në Kirchheim –Teck të Gjermanisë, më 1 mars 2014 solemnisht në praninë e disa qindra mërgimtarëve, morën  pjesë edhe Ministri i Diasporës z.Ibrahim Makolli, konsulli Faket Kajtazi me seli në Stuttgart, dhe shumë veprimtarë të njohur të çështjes tonë kombëtare.Programi u hap me tri valle nga trevat tona shqiptare, nga nxënësit e shkollës shqipe “Dardania” në Backnag, nën drejtimin e zonjës Miradije Gashi, arsimtare.

Pas këndimit të Himnit të Kosovës dhe atij kombëtar, nga moderatorja Filloreta Shahini, të pranishmit u ftuan të qëndronin në këmbë, për të nderuar të rënët për liri dhe pavarësi, me një minutë heshtje.

Të pranishmit dhe mysafirët i përshëndeti nënkryetari i Shoqatës Selami Morina,si;  Ministrin e Diasporës z.Ibrahim Makolli, konsullin z. Faket Kajtazi,Hasan Qyqalla, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve,  Artistëve dhe Krijuesve Shqiptar për Diasporë,Fran Tanushi, sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve , Artistëve dhe Krijuesve Shqiptar për Diasporë, Emin Fazlija, kryetar i Besëlidhjes Demokratike Kombëtare Shqiptare,Miradije Gashi, arsimtare dhe publiciste në Stuttgart, Maxhun Smajli, reporter lufte dhe veprimtar, Mentor Thaqi, sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve , Artistëve dhe Krijuesve Shqiptar për Gjermani, Tefik Ramadani, ish i burgosur politik, publicist dhe veprimtar, Asllan Dibrani, ish i burgosur politik, publicist dhe veprimtar,Jahja Gashi, Kryetar i Shoqatës,”Nëna Terezë” në Göppingen, Hazir Beqaj , Kryetar i Shoqatës,” Malësia”  në Hechingen, Abaz Imeri, kryetar i Këshillit Organizativ Kombëtar në Heilbronn dhe  Sabit Muli, arsimtarë në Mössingen.

Fjalën e rastit e lexoi Hasan Qyqalla, cili vërtet shkelqej duke treguar mirënjohje ndaj të gjithë atyre që kontribuuan për pavarësinë dhe lirinë e Kosovës, e në veçanti dalloi kontributin e madh të presidentit të parë të Kosovës dr.Ibrahim Rugova dhe të Komandantit  Legjendar Adem Jashari, për vlerat e UÇK-së etj.

Ministri I.Makolli fillimisht foli për figurën e ndritur të heroit Kadri Zeka, të vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla, të Enver Hadrit e të Vehbi Ibrahimit, të gjithë këta të vrarë nga UDB-a jugosllave. Makolli foli edhe  për ndërtimin e shtetit të Kosovës, kontributin e Diasporës, të Presidentit Ibrahim Rugova, të Komandantit Legjendar Adem Jashari, e të komandantëve Salih Çekaj, Agim Ramadani, Fehmi e Xhevë Lladrovci-Krasniqi siç ceku    ndër të tjera etj.

Minsitri Ibrahim Makolli në shenjë respekti për kontributin e tyre kombëtar, nderoi z.Emin Falija dhe Xhafer Leci me nga një mirënjohje të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të nënshkruar nga Kryetari i Kosovës Fatmir Sejdiu, Kryetari i Parlamentit të Kosovës Jakup Krasniqi, Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe zyrtarë-nënshkrues  të tjerë të shtetit të Kosovës.

Edhe konsulli z.Faket Kajtazit përshëndeti të pranishmit duke ua uruar pavarësinë e Kosovës, dhe duke falënderuar mërgimtarët për kontributin e tyre, si dhe Shoqatën “K. Zeka”  për aktivitetet dhe veprimtarinë e tyre shumëvjeçare, si dhe për nderimin që i bëri Shoqata me këtë rast me ndarjen e Mirënjohjes…
Xhafer Leci, kryetar nderi i Shoqatës “K.Zeka” në shenjë respekti për kontributin e tyre kombëtar të dëshmuar me punë, ndjerës dhe mund, në emër të Shoqatës ua ndau dhe nderoi më 11 Mirënjohje, këta  njerëz te lëmive të ndryshme;

-Faket Kajtazi, Hasan Qyqalla, Miradije Gashi, Idriz Zeqiraj, Tefik Ramadani Martin Çuni, Maxhun Smajli, Neki Lulaj,  Mentor Thaqi, Agim Gashi dhe  Asllan Dibranin.
Tefik Ramadani ish i burgosur ,politik , me profesion doktor aktual në Manheim, në emër të atyre që u nderuan me mirënjohje, falënderoj Shoqatën “Kadri Zeka” kryesinë dhe anëtarësinë e zgjeruar,në krye me kryetarin e saj Taxhidin Bakiun, duke falënderuar edhe Xhafer Lecin, siç u shpreh ai për kujdesjen dhe nderimet që po ua bënë ai  gjithherë nëpër organizimet dhe aktivitet e zhvilluara në kuadër të Shoqatës “Kadri Zeka” vegimtarëve të çështjes tonë kombëtare, duke i përshëndetur, falënderuar e nderuar për punën e tyre të pa lodhshme për çlirimin dhe ndërtimin e vendit tonë.
Tefik Ramadani në pa mundësi për pjesëmarrje, solli përshëndetjet për pjesëmarrësit dhe Shoqaten “K.Zeka” të z.Idriz Zeqiraj ish i burgosur politik dhe të arsimtarit z.Çerkin Bytyçi. T. Ramadani çmoi lart edhe kontributin e Nanë Terezës, me ç’rast përmendi edhe vizitën e ish Presidentit Bill Clinton, duke u përkulur para varrit të Nanë Terezës në Kallkuta të Indisë,  Clinton i kishte pëshpëritur asaj para varrit: “E nderuara  Nanë Trereza, e kreva amanetin tënd, tash vendi dhe populli ytë Kosova është i lirë”!
Dhe tash Ju e dashur Nanë Tereza pushoni e qetë!

-Rapsodët e udhëhequr nga Osman Loku, u  prezantohen me dy këngë popullore.

-Recituan;  Mentor Thaqi, poet dhe Fran Tanushi, gazetar e poet, Tanushi përshëndeti të pranishmit duke ua uruar 6-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, dhe njëkohësisht falënderoi Shoqaten “K.Zeka” për organizimet e shumta e të suksesshme të saj mbi dy dekada.  Z. Tanushi, sekretar, në emër të Lidhjes së Shkrimtarëve , Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë për Diasporë, me vete kishte sjellur edhe Vendimin e Lidhjes së Shkrimtarëve , Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani, ku shkruante:

“VENDIM”   si ma poshtë në tekst:  Heroin e mërgatës shqiptare, “Kadri Zeka” ta shpallë anëtar nderi, post mortum! Për veprimtarinë e tij në fushën e gazetarisë, dhe në angazhimin e tij kolosal për çështjen kombëtare. Të nënshkruar dhe vulosur nga Kryetari i LSHAKSH-në Gjermani z.Hasan Qyqalla, Koblenc, shtator 2012.

Përsëri në skenë u paraqiten me disa recitime nxënësit e shkollës shqipe  me mësim plotësues “Dardania” në Backnag, të udhëhequr nga arsimtarja Miradije Gashi, këta nxënës të talentuar e të disiplinuar, duke recituar për heronjtë, dëshmorët dhe luftëtarët e lirisë të të gjitha trojeve tona, u mirëpriten me duartrokitje të gjata nga pjesëmarrësit në këtë festë të madhe kombëtare.

Po shtoj edhe   fjalën e  zonjës Miradije Gashit  mesa vijon:Të nderuar kryesues të Shoqatës “Kadri Zeka” z. T. Bakiu dhe z. Xh. Leci ne emër të shkollave shqipe “Bashkimi Kombëtar” ju falënderoj për ftesën.
“Zonja dhe Zotërinj  mërgimtarë, krijues, gazetarë, prindër, nxënës dhe gjithë të pranishëm, jam e nderuar, që sot ju përshëndes për 6 vjetorin e pavarësisë së Kosovës martire e cila nëpër shekuj ka shkruar faqe të lavdishme me gjakun e bijve e të bijave të saj për të fituar gjënë më të shenjtë, lirinë, që ne festojmë sot bashkë.
Edhe pse larg, mërgata shqiptare, asnjëherë s’e ka ndarë shpirtin dhe zemrën nga Kosova jonë e shtrenjtë, por vazhdimisht ka qenë mbështetëse dhe pjesëmarrëse në krahë të luftëtarëve të UÇK-së, deri sa vendi ynë pa dritën e vërtetë të lirisë. Le të bashkojmë zërin me ta dhe të brohorasim për Kosovën e lire. Rroftë për jetë, Kosova jonë e lavdishme! Rroftë populli shqiptar”e përfundoj nder te tjera z. Miradije.

Programi vazhdoj deri në ora 24.00 me këngëtarët e njohur Silvana Dollapi,  Gazmend Kumanova, dhe instrumentistin Nazmi Aliu.

Siq na informoi z. Xhafer Leci, për këtë manifestim kontribuon ; anëtarët e kryesisë Kryetari Taxhidin Bakiu, nënkryetari, Selami Morina, sekretari Ramadan Zuka, arkëtari Fatmir Krasniqi, veprimtari Islam Shahini, dhe moderatorja Filloreta Shahini  e cila shkëlqeu me modelimin  e saj , duke folur rrjedhshëm gjuhen shqipe sikur të ishte lindur, shkolluar e rritur në Kosovë, e jo në Gjermani Kontribut në vete  dha edhe   fotografistja  Katarina Griser e cila   po  grumbullon     albume nga aktivitetet e shqiptarëve nëpër klube , festa ,  dhe aktivitete tjera.

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Emigracion Tagged With: 6 vjetori, asllan dibrani, pavaresia, Shoqata Kadri Zeka

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4810
  • 4811
  • 4812
  • 4813
  • 4814
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT