• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SOJE TË LARGËT…

February 23, 2014 by dgreca

Nga cikli “Takim me arvanitët”/

Nga Abdurahim Ashiku /

Ata ishin pranë e pranë, ulur në karrige të drunjta, me nga një filxhan kafe përpara. Na prisnin, ndaj kishin dalë në qendër të fshatit, aty ku nuk i shpëton syrit asnjë lëvizje, as nga fshati, as nga rruga që zbriste drejt ultësirave të Livadhjasë. Lami mbante në krah të djathtë një shkop me vegjën e çobanit kur kap delen apo qengjin për këmbësh. Jorgoja thjesht qëndronte me qeshjen që pasi merrte ujin e shpirtit e reflektonte atë në buzë e në fytyrë. I fiksova të dy në fotografi siç do fiksoja dy lisa rrënjëthellë në tokë e degëkërkues në qiell. I pari, Lami, ishte “njëqind pa tre” kurse Jorgoja “nëntëdhjetë edhe tre” vjeç…

Lam Qefalain  e përcollëm në një bisedë të re dhe të vjetër, një bisedë në Saranti, kohë më parë, dhe një bisedë në Kukuri, ditë më parë…

Jorgo Qefalain po e përcjellim sot në qendër të fshatit Kukuri, në një bisedë ku shqipen e nxjerr nga shekujt dhe ta ve përpara për ta gjerbur bashkë me kafenë…

*   *   *

Si je me Lamin?

Jam Soji i largët.

Sa vjet je?

Sa vjet jam? Enja dhe një.

Nëntë dhe një?

Jam nani nëntëdhjetë e një.

Sa fëmijë ke?

Tre. Dy vasha dhe një djalë. Po nani janë shumë. Janë njëzet.

Janë njëzet?

Plakën nuk e kam. E kam bartur (varrosur) gruan. Nani kam katër pesë vite që e kam bartur.

E ke bartur…Si edhe Lami?

Po.

Sa vjet ndeje me gruan?

Sa vjet ndenja me gruan? U martuasha ikoshi hronja (njëzet vjeç). Dhe tani kam pesë vjet që e kam bartur. Të bëjmë një llogari. Jesh ikoshi hronja ku u martuash. Deri në eneninda (nëntëdhjetë). Janë evdhominda (tetëdhjetë). Kam pende hronja (pesë vjet) që bëra. Eksinda pente (gjashtëdhjetë e pesë) bëmë me gruan.

Dhe bëre me gruan tre fëmijë?

Tre. Tre fëmijë.

Sa nipër ke?

Nipër kam…

Sa nipër dhe mbesa?

Nipër dhe mbesa? Kam tërë e tërë…Katër ka vajza e madhe. Di ka djali, di vasha, njëra e martuar ka di djelm e një vajzë. Jemi ikoshi ena (njëzet e një) tërë e tërë ikogjenia (familja).

Njëzet e një?

Po, njëzet e një. Jemi tërë ikogjenia nani. Kemi bartur edhe një djalë, na vdiq…

Me se je marrë? Çfarë pune ke bërë?

Ç’ë punë kam bërë? Katër vite bëra stratiot (ushtar), më muarnë në polemi (luftë). Pasandaj erdha këtu bëra me dhen. U bë çoban. Martova familjen. Në evdhominda ena (shtatëdhjetë e një) i shita dhentë dhe vajta në një ergostasio (punëtori) që është në Thivë. Atje bëra dhekapente hronja (pesëmbëdhjetë vjet) dhe mora sintaksë (pension) nga IKA. Edhe rri nani.

Me dhen kush merret tani? Ke dhen?

Jo, fare. Nuk kam më dhen. S’kam të bënj që kur i shita në evdhominda ena. Martova djelm. Mbeta me gruan. Gruan e kish sëmurë, nuk më ndiq dot dhe i shita dhentë. Kështu vajta në ergostasio. Edhe atje mora sintaksën dhe nani rri.

Mbani mend ndonjë këngë apo poezi në gjuhën arvanite?

Nuk e kuptoj

Këngë, që këndonin…

Që këndonin? Unë jesh çoban. Që të gjegjesh vejë por të bëj ato nuk bëj.

Jo, kështu, me fjalë…

Me fjalë thom. E nuk e thom dot. Ki do të marri gjëra po unë nuk di.

Ndërhyn Lami. Ka një këngë.

Kukurati gropa – gropa

i ka vashat po si lopa.

E kam dëgjuar këtë në Salaminë. Atje këndonin:

Ambelaqi gropa – gropa

I ka vashat posi lopa.

Pse e thonë këtë?

I ka të mira. I ka prodhuese.

Qesh me shpirt.

Çfarë pemësh rriten në katund ?

Si?

Çfarë sojesh?

Dardha, molla, migdale (bajame), qerese (qershi), vishna, arrë. Dardhë, kumbula…

Po në pyje, çfarë sojesh ka ?

Pyje?

Dhasos…

A ! Bredh, dushqe…

Me se merren ato që rrinë në katund?

Kanë mbet ca çobanë të pakët se palja (më parë) jeshëm tërë çobanë. Tani janë pakësuar. Janë pesë gjashtë djelm çobanë. Palja më të shumtët jeshën çobanë. Dimrit vejë tërë poshtë në Saranti, në vrri. Nejëm atje. Këtu mbeteshim të pakë. Shkonim me tërë ikogjenjë (familje), me djem të vegjël tërë poshtë.

*   *   *

Ndërsa bisedonim, tek ngrinte e gjerbte kafenë, më tërhoqi vëmendjen një gisht i prerë. Nuk e pyeta. Mendova se ishte nga ato plagë që lidhen me punën e rëndë të çobanit apo në ndërmarrjen ku kishte punuar…

E lexoi vështrimin tim dhe ma tha vetë…

Ishte një “dhuratë” nga Lufta e Dytë Botërore. Avionët gjermanë e kishin bombarduar disa herë fshatin në kërkim të jetëve të partizanëve grekë që për strehë kishin Kukurin, fshatin e vogël midis maleve, larg, një ditë larg më këmbë nga qyteti i Thivës…

Një cifël nga bombat që dogjën e shkatërruar fshatin i kishte prerë gishtin…

Kukuri, 9 gusht 2008

Abdurahim Ashiku 

Nga libri: “Njerëz që i dua vol. 3”

Filed Under: Emigracion Tagged With: Abdurrahim Ashiku, Soje te larget, Takim me arvanitet

Çfarë të ardhmeje do të ketë Kosova

February 23, 2014 by dgreca

Pavarësia e Kosovës në retrospektivë/

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë në mars të vitit 1999 kishte shkaktuar reagimin e ashpër të disa intelektualëve dhe politikanëve në Europë që mbronin tezat serbe dhe orientonin opinionin publik kundër politikës dhe qëndrimeve amerikane.

Lobingu serb, me mbështetjen e Rusisë, ishte i fuqishëm në qarqet diplomatike dhe mediat europiane sa që ishte krijuar një debat i fuqishëm ndërmjet kampit të pro-ndërhyrjes ushtarake për të stopuar gjenocidin e shqiptarëve dhe krizën humanitare dhe kampit të kundërt.

Ndërkaq, askush nuk jepte një prognozë të rezultatit të goditjeve të NATO-s dhe çfarë do të ishte zgjidhja e krizës politike e diplomatike.  Konferenca e Rambujesë kishte dështuar për shkak të palës serbe dhe Rezoluta 1244 e OKB-së ishte ende larg parashikimeve. Çështja e pavarësisë për Kosovën ishte një tabu që asnjë politikan apo diplomat europian nuk guxonte ta konsideronte.  Në atë kontekst, PLL  bëri një fushatë intensive në qarqet diplomatike dhe mediatike në mbrojtje të interesave të Kosovës dhe popullit shqiptar duke kërkuar publikisht edhe njohjen e Pavarësisë të Kosovës si zgjidhja e vetme e krizës.

Në këto ditë të kremtimit të 6-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë të Kosovës, sjellim më poshtë artikullin e botuar më 7 prill 1999 në gazetën prestigjioze belge “La Libre Belgique” nga Z. Sulejman Gjana, sot kryetar i PLL.

Çfarë të ardhmeje do të ketë Kosova

Serbët duhet ta ndajnë mendjen me e njohë pavarësinë dhe sovranitetin e e saj

Nga Sulejman Gjana

Partia “Lëvizja e Legalitetit”

Marrë nga “La Libre Belgique” – 07.04.1999

Goditjet e NATO-s kanë vijuar dhe madje janë shpeshtuar përballë intransigjencës së Millosheviçit dhe vendosmërisë së serbëve për të shpënë deri në fund planin e pastrimit etnik të Kosovës. Duke shpërfillur thirrjet e arsyeshme të bëra nga shumë krerë shtetesh europiane dhe SHBA-së, Sllobodan Millosheviçi është treguar prapë edhe njëherë, e pa dyshim më shumë se kurrë, i vendosur t’u imponojë ligjin e tij kancelerive perëndimore.

Me fushatën e tij të pastrimit etnik, Millosheviçi ka vrarë me një gur dy zogj: ia ka dalë të dobësojë shqiptarët në Kosovë, por ai ka provuar sidomos se ka fuqinë të destabilizojë fqinjët e tij dhe të përmbysë ekuilibret tashmë të brishta të Ballkanit.

Millosheviçi është një strateg i mprehtë dhe një manipulator i jashtëzakonshëm. Dhe për më tepër ai është një komunist i devotshëm. Duke provokuar goditjet e NATO-s, ai mblodhi pas vetes gjithë popullatën serbe, që, ndërkaq, ishte shkëputur prej politikës së tij sidomos për shkak të krizës ekonomike, që vijonte prej kohësh në Jugosllavi qyshkur ndaj saj u vendos embargoja.

Përmbledhtazi, pavarësisht humbjeve materiale që kanë pësuar në aparatin e tyre ushtarak dhe mbi disa ndërtesa zyrtare, serbët shfaqen si fituesit e parë të kësaj ndeshjeje taktike.

Shqiptarët, vetë, po paguajnë çmimin e rëndë duke u dëbuar nga shtëpitë e tyre, që janë shkatërruar radhazi; duke u tërheqë zhag rrugëve në kërkim të një strehe për të siguruar kokën në Shqipëri, në Maqedoni apo në Mal të Zi; duke lënë pas vetes të shkuarën, historinë e tyre. Popullsitë e shpërngulura gjithmonë kanë paguar një haraç të rëndë për përkatësinë e tyre shoqërore, racore apo fetare. Rasti i Shqiptarëve të Kosovës na kujton, në fakt, fatin e trishtueshëm që kanë pësuar viktimat e mizorisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Prandaj është çmeritëse të dëgjosh ngritjen e disa zërave në Europë që kritikojnë aty e këtu ndërhyrjen e NATO-s, duke nxjerrë si pretekst se e drejta ndërkombëtare nuk lejon ta bësh këtë kundër Jugosllavisë. Butësia dhe kortezia ndaj akteve barbare duhet të gjykohet prej popujve të civilizuar me të njëjtën vendosmëri ashtu siç gjykohen dhe autorët e akteve. A mos duhet t’u kujtojmë këtyre individëve që e drejta ndërkombëtare nuk gëzon aspak një forcë hyjnore? Ajo u krijua nga njerëzit për hir të ngjarjeve dhe përvojave të kaluara. Kësisoj, asaj mund t’i bëhen ndryshimet dhe ndërhyrjet e duhura në mënyrë krejt legjitime. Sidomos kur është rasti për t’i ardhur në ndihmë një populli të rrezikuar, (le të kujtojmë që mos-përkrahja ndaj personave në rrezik, dënohet me masa të rënda nga drejtësia në shumicën e shteteve moderne).

Siç e nënvizonte kohët e fundit Aleksandër Adler, konflikti në Kosovë nuk ka asgjë të krahasueshme me konfliktin në Kurdistanin turk, apo gjetiu në botë. Në fakt, turqit gjithmonë kanë dashur t’i kenë kurdët, si qytetarë me të drejta të plota të shtetit të tyre. Kurse Shqiptarët e Kosovës janë konsideruar gjithmonë si qytetarë të kategorisë së dytë. Dhe ata kanë jetuar si në kategorinë e dytë. Kanë jetuar pa bërë zë në apartejdin jugosllav. Janë poshtëruar. Përderisa ata nuk kanë pranuar kurrë ta braktisin truallin e vet, pavarësisht gjithë vuajtjeve që kanë pësuar prej serbëve, ja ku po i shpërngulin sot, sa kohë që nuk janë torturuar përpara se t’i ekzekutojnë. Kemi mbërritur në një pikë pa kthim në Ballkan.

Mes serbëve e shqiptarëve është çelur një hendek i madh dhe ata nuk mund të bashkëjetojnë më mes tyre. Shqiptarët nuk do të pranojnë kurrë të jetojnë nën zgjedhën serbe, qoftë edhe si entitet federal i shtetit jugosllav.

Koha e pavarësisë ka trokitur. Nëse Europa, SHBA, NATO, OKB kërkojnë një paqe të qendrueshme dhe stabilitet në Ballkan e Europë, nëse duan ta ndalin katastrofën njerëzore, ata duhet të vendosin për të njohur pavarësinë e Kosovës e sovranitetin e saj. Ata duhet t’i vënë serbët para faktit të kryer dhe t’i bëjnë të kuptojnë që fushata e tyre në Kosovë nuk do t’ia dalë kurrë të ketë sukses as politikisht, as ekonomikisht, as etnikisht.

Çdo opcion tjetër do të forconte serbët në vendosmërinë e tyre për të zhdukur shqiptarët e Kosovës dhe do të keqësonte katastrofën humanitare viktimat e së cilës janë kosovarët.

Filed Under: Featured Tagged With: cfare te ardhmje, ka Kosova, Sulejman Gjana

Kosovë, Shefi i Misionit të OSBE-së viziton qendrat e votimit në Mitrovicë të Veriut

February 23, 2014 by dgreca

Nga B.Jashari/.-Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, vizitoi sot qendrat e votimit në Mitrovicë të Veriut. Schlumberger do t’iu përgjigjet pyetjeve te gazetarëve në mesdite  për të vazhduar me pas me nje vizitë ne shkollën fillore “Aziz Sulejmani” në Suhodoll të Ulët, njoftoi  Misioni  i OSBE-së në Kosovë.

OSBE po i lehtëson zgjedhjet lokale në katër komunat në veri të Kosovës në perputhje me marrëveshjen e Brukselit.

Zgjedhjet lokale të Kosovës, të parat në gjithë territorin – në 38 komunat, përfshirë veriun, janë mbajtur në 3 nëntor dhe kanë vazhduar me balotazhin e 1 dhjetorit 2013 dhe me disa rivotime të pjesëshme.

Në Mitrovicën Veriore po votohet sot përsëri për kryetarin e komunës në zgjedhje të jashtëzakonshme, pasi fituesi, i komunitetit serb, refuzoi të japë betimin duke mos pranuar ligjet e Kosovës. Betimin e dhanë të gjithë të zgjedhurit tjerë në komuna në gjithë territorin e vendit.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Mitrovica e Veriut, OSBE, Shefi i Misionit

“Hekuba”, e Vefi Rredhit në Festivalin Ndërkombëtar të Sarajevës

February 23, 2014 by dgreca

Nga Harilla Koçi/.-Tragjedia “Hekuba” e Euripidit, një nga më të njohurat e antikitetit vënë e skenë nga regjisori me origjinë shqiptare, Enke Fezollari dhe protagoniste, aktoren nga Vlora, Vefi Rredhi, do të përfaqësohet në Festivalin Ndërkombëtar të Sarajevës(The InternationalFestival Sarajevo,“Sarajevska zima”), që nis të dielën në mbrëmje në kryeqytetin e Bosnje Hercegovinës.

Në një prononcim për ATSH-në, aktorja Rredhi, thotë se, “ndihem mirë  që marr pjesë në këtë festival”. “Hekuba” është në gjuhën greke, por këngët e vajit në Sarajevë do të jenë në shqip”, thekson ajo. Për aktoren që jeton e interpreton prej vitesh në Greqi, pjesmarrja në aktivitete të tilla është kënaqësi të dyfishtë, sepse është mundësi për të prezantuar vlerat e vendit të saj. “Kudo që paraqitem sjell diçka nga vendi im, sjell mënyrën se si qajnë në Vlorë…dhe kur dhimbja të mbyt..ne  këndojmë gërshetuar me vaj…Në një moment vaji unë them…u mbush deti me të rinj, o bir i nënës o bir…të nisi nëneja larg…për një jetë më të mirë o bir..”; Kështu shprehet Rredhi, një ditë përpara këtij festivali, që është një nga aktivitetet më të rëndësishme teatrore që zhvillohen sot në Evropë.

Premiera e tragjedisë “Hekuba”, me regji të Enke Fezollarit dhe protagoniste Vefi Rredhit, u shfaq për artësashësit grekë pranverën e vitit të kaluar. Për disa muaj artëdashësit grekë, ndoqën me interes në Teatrin “Thision”, të Athinës, këtë premierë, që sjell një nga tragjeditë më të njohura të antikitetit.

Kjo shfaqje u realizua me regji të artist të  talentuar me origjinë shqiptare, Enke Fezollari dhe në të interpretuan emigrantë nga vende të ndryshme, që jetojnë e punojnë ne vendin fqinj.

Por, në imazhin e artëdashësve, figura e Hekubës, mbretëreshës trojane, mbeti dhe do të mbetet i pashlyer nësajë të intepretimit plot ndjenjë e realizëm, në një nivel profesional, nga aktorja vlonjate, Gjenovefa Rredhi, e cila jeton prej vitesh në Greqi.

Roli i Rredhit, gjen mishërim jo vetëm në staturën e Hekubës, por edhe në mesazhet e fuqishme që përcjell, në aktualitetin ku dhimbja, largimi dhe harresa, përzihen bashkë. Këtu qëndron  veçantia e veprës, e mirëpritur jo vetëm nga artdashësit grekë, por edhe nga kritika, e cila ka vlerësuar aktoren vlonjate, që përcolli në skenë një Hekubë që flet për të shkuarën dhe për të tashmen, një Hekubë që qëndron mes dy kohëve, ndonëse të largëta nga njera tjetra.

Sot, njerëzimi po përjeton një nga krizat më të vështira. Emigracioni është më i ndjeshëm se asnjëherë tjetër. Në këto kushte, kuptimi “I tjetrit”, “I të huajit”, ç’rrënjëzimi, që cilësohen në tragjedi, janë në këto momente reale, sa asnjëherë tjetër në botë dhe në Greqinë e sotme. Njerëz të ndryshëm, në kushte dhe për arsye të ndryshme, detyrohen të lenë vendin e tyre, shtëpitë, jetën e tyre dhe të emigrojnë në vende të tjera, për një jetë më të mirë. Në atdheun e tyre, mund të ishin mjekë, arsimtarë, artistë, por nevoja për të jetuar i çoi në vend tjetër ku shpesh, detyrohen të punojnë në profesione dhe në punë që as nuk i kishin menduar kurrë më parë. Këta janë personazhe realë sot. Ata vërtiten në skenë,në sfondin e saj, diku dhe gjithkund. Këtë pasqyron Hekuba. Rënia e një mbretëreshe, që bëhet skllave dhe detyrohet të lusë kundërshtarët dhe…përfundon të jetë “e huaja”.

“Në realitetin e sotëm, Hekuba është një nënë që e shohim përreth,është nëna e djalit nga Pakistani, nëna nga Siria që vrapon mes plumbave me foshnjë në krahë, është nëna e djemve të rinj që aq shpesh tani, deti i nxjerr të mbytur. Është nëna, motra, (unë jam nga Vlora) e gjithësecilit prej tragjedisë së Otrantos”, thotë për ATSH-në, aktorja Gjenovefa(Vefi) Rredhi. Sipas saj, figura “e tjetrit” është gjithësecili prej nesh sot, që kemi ikur,jemi larguar nga vendi. Por, shton ajo, në këto kohë të vështira, në këtë pozita janë sot edhe grekët. Në këto kushte, Hekuba nuk është vetëm një nën, është një vend i tërë, një atdhe i humbur, ose i shkatërruar, një atdhe që shpesh humbet bijtë e tij, sepse i detyron të ikin larg.

Duke sjellë në kujtesë vargjet e poetit grek, Jani Rico, Rredhi thotë se, “ne nuk këndojmë për t’u veçuar, vëllai im, nga bota (nga të tjetrët). Ne këndojmë të bashkojmë botën”. “ Po . Arti ekziston që të ndihmojë bashkimin dhe të jetuarit në paqe”, shprehet aktorja vlonjate për ATSH-në.

Rrethi thotë se, “Është hera e parë që interpretoj në gjuhën greke dhe theksoj në rolin e Hekubës, një rol me kërkesa, një rol që flet në vite”.  Ajo veçon drejtimin regjisorial të regjisorit Enke Fezollari, që sot jeton në Athinë. Ajo nuk harron ndihmën e grupit mbështetës dhe të theatrologes së njohur greke,  Natali Minioti, që u konkretizuan me arritjen e kuptimit të plotë të tragjedisë së Euripidit dhe realizimin e saj me një këndvështrim bashkëkohor. Përdorimi i të dy gjuhëve, ndërhyrjet me këngë dhe të qarët në shqip, plotësuan më bukur Hekubën dhe vështrimin e saj bashkëkohor. “Ndjehem shumë bukur dhe e pasur të jem rritur mes dy kulturave dhe dy gjuhëve qe së bashku më ndihmuan tek Hekuba…të mendoja si qajnë në Vlorë, si këndojnë kur ikën vajza..Por dhimbjet e shpirtit, dhimbjet njerëzore, nuk kanë kombësi. Ato janë një..”, vijon në prononcimin e saj, aktorja nga Vlora.

Gjatë vitit të kaluar, shfaqja e tragjedisë “Hekuba” u dha në Teatrin ”Thision” nga 4 shkurti deri në fund të muajit maj. Po shfaqjet vijuan edhe në qytetin e Selanikut, në 8 dhe 9 qershor, në përfundim të Festivalit të Kulturës të organizuar nga Ministria e Kulturës e Greqisë membështetjen e BE-së.

Duke vlerësuar këtë shfaqje dhe rolin e Hekubës, shkrimtari, regjisori dhe përkthyesi grek Ahilea Kiriaqidis, shprehet: “U emocionova me të vërtetë nga tragjedia e antikitetit,ashtu siç e dëgjova dje në mesa vajeve dhe këngës së dasmës nga Shqipëria, si dhe me vargje nga Kavafi e Seferi. Interpretime të nivelit të lartë nga ana e aktorëve.Kush përjetoi eksperiencën tronditëse teatrale, nuk do të harrojë kurrë Hekubën e Rredhit, teksa ndërronte njëmijë fytyra dhe njëmijë shprehje të fjalës, kur vajtonte, ose mallkonte, ose kur shtronte planin e hakmarrjes”.

Ndërkohë, me nota të larta vlerësimi u shpreh edhe gazetari i njohur grek, Niko Dilavera. Sipas tij, “Në rolin e Hekubes, aktorja Vefi Rredhi, jep me interpretim cilësor, pathos dhe ndjeshmëri, emocionet e rënies nga vajtimi në shpresë, nga shpërthimet emocionale në “diplomacinë”e logjikës,nga dëshpërimi në hakmarrje të mbretëreshës së dërrmuar, me një mënyrë interpretimi,që të rrëmben”.

 

Filed Under: Featured Tagged With: festival, Hekuba, sarajeve, Vefi Redhi

Revolucioni tretë

February 23, 2014 by dgreca

Nga Gani Qarri /             

Populli ukrainas që sa kohë është hedhur në demonstrata nga më të përgjakshmet me dhjetëra të vdekur e qindra të plagosur, gjaku dhe plagët e të cilëve,nga sot ndryshuan Ukrainën.Acarimi i gjendjes në vend arriti kulmin,kur qeveritarët në pushtet provuan të miratonin një ligj për forcimin e të ashtuquajturave masa të sigurisë kundër protestuesve me ç`rast një grup demonstruesish më agresiv, tentuan të hynin me forcë edhe në godinën e parlamentit.Por heroi i ngjarjeve, dhe lideri i opozitës, boksieri me famë botërore Vitali Klitqko, karriera e të cilit bashkë me atë të të vëllait- Vlladimirit, lulëzon me sukses për shumë vite në Gjermani, ku që të dy u bënë kampion të shumëfishtë botëror në kategoritë e rënda të boksit profesionist, i mësuar me gjakftohtësinë dhe prakticitetin e diplomacisë perëndimore,parandaloi ndërhyrjen e dhunshme të protestuesve radikalë, në këtë institucion shtetëror.

Madje,për të shmangur gjakderdhjet e mëtejme në mes protestuesve dhe policisë,ai u pajtua me ngritjen e një komisioni ndërparlamentar për zgjidhjen e krizës së krijuar.

Sado që Vitali nuk është ndonjë politikan karriere dhe as ka përgatitje të veçanta shkollore e diplomatike,i shtyrë ndoshta edhe nga Kancelarja Gjermane, Angela Merkel dhe politikan tjerë euro-perëndimor me të cilët gjatë gjithë kohës sa zgjatën demonstratat në Ukrainë,vazhdimisht konsultohej,ai përfundimisht la kushtet jashtëzakonisht të mrekullueshme që ka krijuar me mundin,djersën e punën e tij shumëvjeçare në Gjermani,dhe shkoi për të udhëhequr e mbajtur nën kontroll demonstratat përvëluese të Ukrainës,duke vepruar me shumë maturi dhe mbi parimet e një demokracie të njëmendët, të cilat pa heroin e tyre, vështir se do të zhvilloheshin kështu.

Ndaj,Kliqko edhe po nuk erdhi asnjëherë në krye të udhëheqjes ukrainase, vet angazhimi dhe i gjithë mundi që dha për ndryshimet pa gjakderdhje dhe masakra edhe më të mëdha me ndërhyrje forcash shtesë policore e ndoshta edhe atyre të ushtrisë, ai do të hyjë në historinë e popullit të vet, si pishtar ndryshimesh dhe udhërrëfyes human e njerëzor i demokracisë në vendin e tij.

Si për vëzhguesit e brendshëm dhe ata të jashtëm, përshtypje jashtëzakonisht të madhe bëri vet pjesëmarrja në protesta, e një njeriu me pasuri dhe famë botërore si Vitali Kliqko në të ftohtin dhe acarin e netëve të errëta të dimrit të këtij viti, i cili në Ukrainë është më i ashpër se në shumë vende tjera evropiane.

Të vihesh në ballë të protestave ukrainase pas një kohe të gjatë që nuk ke jetuar as ushtruar ndonjë profesion atje,me siguri kjo dëshmon se ai është një hero i vërtetë, i cili jo vetëm se është boksier i fortë e i pamposhtur në ring, por edhe atdhetar  trim, i vendosur e i pathyeshëm edhe në protesta.

Ukraina me siguri ka shumë figura të njohura politike dhe intelektuale,megjithatë ishte Vitali ai që në çastet vendimtare të vendit, pranoi sfidën, mori përsipër sakrificën dhe me angazhimin e tij, qoi misionin deri në fund, pa pyetur për pasojat dhe rreziqet të cilat mund ta kërcënonin apo merrnin edhe jetën si shumë demonstruesve tjerë në protesta.Ndaj, përderisa ky popull ka njerëz të tillë, me gjithë infiltrimin e parave të shumta dhe ndikimet e mëdha ruse mbi Ukrainën,nuk çuditet askush në botë sesi ukrainasit vetëm brenda 20 vitesh ,realizuan tri revolucione të njëpasnjëshme, për rrëzimin pa pardon, të tri qeverive të korruptuara në vend.

Dhe për fund,bashkëkombës të nderuar, paramendoni vetëm një herë- një krahasim sado të vogël,duke marrë shembull udhëheqësit partiak e shtetëror shqiptar,se si ata mbrojnë të drejtat e qytetarëve të cilët derisa janë në opozitë i lënë të demonstroj vetën,kurse menjëherë pas ardhjes në pushtet, bashkëqeverisin pa fije turpi mu me ata kundër të cilëve dje ftonin qytetarët të vdisnin në protesta, duke keqpërdor, vjedhë e rjepur këtë popull të shkretë të gjithë bashkë. Gjendje për keqardhje të pafund-Mjerim!

         Cyrih, 22 Shkurt 2014

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Gani Qarri, i trete, Revolucioni

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4835
  • 4836
  • 4837
  • 4838
  • 4839
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT