Pavarësia e Kosovës në retrospektivë/
Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë në mars të vitit 1999 kishte shkaktuar reagimin e ashpër të disa intelektualëve dhe politikanëve në Europë që mbronin tezat serbe dhe orientonin opinionin publik kundër politikës dhe qëndrimeve amerikane.
Lobingu serb, me mbështetjen e Rusisë, ishte i fuqishëm në qarqet diplomatike dhe mediat europiane sa që ishte krijuar një debat i fuqishëm ndërmjet kampit të pro-ndërhyrjes ushtarake për të stopuar gjenocidin e shqiptarëve dhe krizën humanitare dhe kampit të kundërt.
Ndërkaq, askush nuk jepte një prognozë të rezultatit të goditjeve të NATO-s dhe çfarë do të ishte zgjidhja e krizës politike e diplomatike. Konferenca e Rambujesë kishte dështuar për shkak të palës serbe dhe Rezoluta 1244 e OKB-së ishte ende larg parashikimeve. Çështja e pavarësisë për Kosovën ishte një tabu që asnjë politikan apo diplomat europian nuk guxonte ta konsideronte. Në atë kontekst, PLL bëri një fushatë intensive në qarqet diplomatike dhe mediatike në mbrojtje të interesave të Kosovës dhe popullit shqiptar duke kërkuar publikisht edhe njohjen e Pavarësisë të Kosovës si zgjidhja e vetme e krizës.
Në këto ditë të kremtimit të 6-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë të Kosovës, sjellim më poshtë artikullin e botuar më 7 prill 1999 në gazetën prestigjioze belge “La Libre Belgique” nga Z. Sulejman Gjana, sot kryetar i PLL.
Çfarë të ardhmeje do të ketë Kosova
Serbët duhet ta ndajnë mendjen me e njohë pavarësinë dhe sovranitetin e e saj
Nga Sulejman Gjana
Partia “Lëvizja e Legalitetit”
Marrë nga “La Libre Belgique” – 07.04.1999
Goditjet e NATO-s kanë vijuar dhe madje janë shpeshtuar përballë intransigjencës së Millosheviçit dhe vendosmërisë së serbëve për të shpënë deri në fund planin e pastrimit etnik të Kosovës. Duke shpërfillur thirrjet e arsyeshme të bëra nga shumë krerë shtetesh europiane dhe SHBA-së, Sllobodan Millosheviçi është treguar prapë edhe njëherë, e pa dyshim më shumë se kurrë, i vendosur t’u imponojë ligjin e tij kancelerive perëndimore.
Me fushatën e tij të pastrimit etnik, Millosheviçi ka vrarë me një gur dy zogj: ia ka dalë të dobësojë shqiptarët në Kosovë, por ai ka provuar sidomos se ka fuqinë të destabilizojë fqinjët e tij dhe të përmbysë ekuilibret tashmë të brishta të Ballkanit.
Millosheviçi është një strateg i mprehtë dhe një manipulator i jashtëzakonshëm. Dhe për më tepër ai është një komunist i devotshëm. Duke provokuar goditjet e NATO-s, ai mblodhi pas vetes gjithë popullatën serbe, që, ndërkaq, ishte shkëputur prej politikës së tij sidomos për shkak të krizës ekonomike, që vijonte prej kohësh në Jugosllavi qyshkur ndaj saj u vendos embargoja.
Përmbledhtazi, pavarësisht humbjeve materiale që kanë pësuar në aparatin e tyre ushtarak dhe mbi disa ndërtesa zyrtare, serbët shfaqen si fituesit e parë të kësaj ndeshjeje taktike.
Shqiptarët, vetë, po paguajnë çmimin e rëndë duke u dëbuar nga shtëpitë e tyre, që janë shkatërruar radhazi; duke u tërheqë zhag rrugëve në kërkim të një strehe për të siguruar kokën në Shqipëri, në Maqedoni apo në Mal të Zi; duke lënë pas vetes të shkuarën, historinë e tyre. Popullsitë e shpërngulura gjithmonë kanë paguar një haraç të rëndë për përkatësinë e tyre shoqërore, racore apo fetare. Rasti i Shqiptarëve të Kosovës na kujton, në fakt, fatin e trishtueshëm që kanë pësuar viktimat e mizorisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Prandaj është çmeritëse të dëgjosh ngritjen e disa zërave në Europë që kritikojnë aty e këtu ndërhyrjen e NATO-s, duke nxjerrë si pretekst se e drejta ndërkombëtare nuk lejon ta bësh këtë kundër Jugosllavisë. Butësia dhe kortezia ndaj akteve barbare duhet të gjykohet prej popujve të civilizuar me të njëjtën vendosmëri ashtu siç gjykohen dhe autorët e akteve. A mos duhet t’u kujtojmë këtyre individëve që e drejta ndërkombëtare nuk gëzon aspak një forcë hyjnore? Ajo u krijua nga njerëzit për hir të ngjarjeve dhe përvojave të kaluara. Kësisoj, asaj mund t’i bëhen ndryshimet dhe ndërhyrjet e duhura në mënyrë krejt legjitime. Sidomos kur është rasti për t’i ardhur në ndihmë një populli të rrezikuar, (le të kujtojmë që mos-përkrahja ndaj personave në rrezik, dënohet me masa të rënda nga drejtësia në shumicën e shteteve moderne).
Siç e nënvizonte kohët e fundit Aleksandër Adler, konflikti në Kosovë nuk ka asgjë të krahasueshme me konfliktin në Kurdistanin turk, apo gjetiu në botë. Në fakt, turqit gjithmonë kanë dashur t’i kenë kurdët, si qytetarë me të drejta të plota të shtetit të tyre. Kurse Shqiptarët e Kosovës janë konsideruar gjithmonë si qytetarë të kategorisë së dytë. Dhe ata kanë jetuar si në kategorinë e dytë. Kanë jetuar pa bërë zë në apartejdin jugosllav. Janë poshtëruar. Përderisa ata nuk kanë pranuar kurrë ta braktisin truallin e vet, pavarësisht gjithë vuajtjeve që kanë pësuar prej serbëve, ja ku po i shpërngulin sot, sa kohë që nuk janë torturuar përpara se t’i ekzekutojnë. Kemi mbërritur në një pikë pa kthim në Ballkan.
Mes serbëve e shqiptarëve është çelur një hendek i madh dhe ata nuk mund të bashkëjetojnë më mes tyre. Shqiptarët nuk do të pranojnë kurrë të jetojnë nën zgjedhën serbe, qoftë edhe si entitet federal i shtetit jugosllav.
Koha e pavarësisë ka trokitur. Nëse Europa, SHBA, NATO, OKB kërkojnë një paqe të qendrueshme dhe stabilitet në Ballkan e Europë, nëse duan ta ndalin katastrofën njerëzore, ata duhet të vendosin për të njohur pavarësinë e Kosovës e sovranitetin e saj. Ata duhet t’i vënë serbët para faktit të kryer dhe t’i bëjnë të kuptojnë që fushata e tyre në Kosovë nuk do t’ia dalë kurrë të ketë sukses as politikisht, as ekonomikisht, as etnikisht.
Çdo opcion tjetër do të forconte serbët në vendosmërinë e tyre për të zhdukur shqiptarët e Kosovës dhe do të keqësonte katastrofën humanitare viktimat e së cilës janë kosovarët.
RROFT MBRETI!