• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Imami Kalaja: “Asnjë shqiptar s’duhet të shkojë në Siri. Xhihadin e kemi këtu”

February 19, 2014 by dgreca

Ahmed Kalaja, imami dhe ligjëruesi i njohur fetar është i bindur se konflikti sirian nuk duhet të përfshijë shqiptarë të asnjë treve. Kalaja thotë gjithashtu se bashkëjetesa fetare është një vlerë bazë për Shqipërinë. “Problemi ynë kryesor si komunitet – pronat”!

Nga Skënder Minxhozi*/

Zoti Kalaja, së fundmi po flitet shumë në media për pjesëmarrjen e shqiptarëve në luftën e Sirisë. Si e konsideroni këtë tendencë, nëse mund ta quajmë kështu, të daljes vullnetarë në një luftë që zhvillohet disa mijëra kilometra larg territoreve të banuara nga shqiptarët?

Kalaja- Në radhë të parë do të dëshiroja t’ju falenderoja për mundësinë që të ndaj me ju mendimet e mia rreth kësaj çështje, e cila ka kohë që flitet ne media. Me të drejtë ju ngrini një pyetje mbi pjesëmarrjen e shqiptarëve larg territoreve te banuara nga shqiptarë. I ngacmuar nga pyetja do të dëshiroja të shihnim disa fakte historike mbi Sirinë. Pa asnjë dyshim shqiptari më i njohur në Siri është Ibrahim Pasha, i biri i Mehmet Ali Pashës së Egjiptit. Ky vuri nën administrimin e tij gati të pavarur gjithë Sirinë e sotme. U njoh për reformat e thella mes të cilave edhe lirinë e fesë. Vetëm nën sundimin e tij të krishterët mund të hipnin në kalë dhe të mos vishnin rrobat detyruese që i diferenconin ata nga shumica myslimane. Një nga të krishterët më të njohur të vendit, Hana Bahkri, ishte i pari ndër ta që jo vetëm u bë ministër i Financave, por edhe mori titullin bej. Gjë e padëgjuar deri më atëherë në Sirinë e kohës. Në periudhën e sundimit të Ibrahim Pashës kemi shtimin më të madh të pranisë shqiptare. Në 1832 numërohen rreth 15 mijë shqiptarë në ushtrinë e Ibrahim Pashës. Në 1844 duket se ata ishin aq shumë saqë një kryengritje kundër mobilizimit të përgjithshëm ushtarak që ndodhi në 1844 është quajtur si “kryengritja e shqiptarëve”. Në gjysmën e dytë të shekullit XIX guvernator i Halepit ishte Pashko Vasa, ndërsa në 1890 vali i Bejrutit dhe Damaskut ishte vetë Ismail Qemali, babai i Pavarësisë sonë, 1912-1914. Nga komuniteti “arnaut” shqiptar kanë dalë shumë njerëz të njohur të arteve dhe politikës. Shumë vepra duke përfshirë edhe Ismail Kadarenë janë risjellë për publikun sirian të përkthyera nga shqiptarët atje. Do të doja të sillja edhe shembullin e luftëtarëve tanë në Spanjë duke iu bashkuar luftës për liri të popullit spanjoll.

Sa e saktë është teza se Xhihadi po fillon të gjejë përkrahësit e tij mes shqiptarëve? Sa ndryshim ka mes Shqipërisë, Kosovës apo Maqedonisë, sa i përket përfshirjes së shqiptarëve në të tilla misione?

Jemi ndeshur shpesh në media me termin “xhihad”, e cila për fatin e keq ka humbur kuptimin e vërtetë të fjalës. Nga arabishtja fjala Xhihad vjen nga fjala xha-ha-da që do të thotë përpjekje dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me luftën. Ajo është vetëm një pjesë shumë e vogël e kësaj fjale, e cila përfshin gjithçka duke filluar që nga vetvetja. Xha-ha-da përpjekje për të rregulluar vetveten, familjen, shoqërinë. Pra çdo qeveri në çdo vend të botës përpiqet të luftojë dhe të sjellë të mira për popullin, i cili e ka votuar, në platformën që ajo mendon ta çojë vendin përpara. Ndaj xhihadi jonë si shqiptarë është rregullimi i vendit tonë, rregullimi i imazhit përballë sfidave europiane të cilat na presin. Harmonia fetare që padyshim është vlerë e të gjitha feve në Shqipëri, tradita më e vyer, është padyshim dhe roli konstruktiv i myslimanëve si maxhorancë e këtij vendi. Sfidat tona janë edukimi i shoqërisë, të kemi më pak krime, më pak dhunë në familje, të kemi më pak pyje që na digjen, të kemi më pak njerëz të varfër nëpër rrugë. Ne duam që kjo harmoni fetare të shtrihet mes shtresave të shoqërisë, sepse siç thotë Profeti ynë: “Bamirësia asnjëherë nuk e varfëron atë që jep …” Ndaj ne si xhami “xhihadin” tonë e kemi përqendruar në ndihmë të komunitetit dhe njerëzve në nevojë. Ne kemi marrë pjesë në akt-dhurime duke iu bashkëngjitur thirrjeve në kohën e përmbytjeve, të bllokimit nga dëbora dhe për këtë nuk kemi kërkuar asnjëherë media sepse qëllimi ynë gjithmonë ka qenë ndihma, edhe pse jemi të varfër, ne nuk duam askënd ta shohim të vuaj.

Kemi mbështetur në mënyrë demokratike dhe me lutje që ato pamje të fëmijëve të vrarë në mënyrë barbare nga regjimi i Asadit të marrin fund, për këtë kemi mbështetur dhe përpjekjet e çdo qeverie për t’i dhënë fund kësaj dhune të pashoq. Komuniteti Mysliman ka qenë më se i qartë dhe në prononcimin në media që asnjë shqiptar nuk duhet të shkojë Siri. Cilado qofshin arsyet, historike, ekonomike apo fetare, Siria e ka humbur tashmë busullën e saj dhe askush nuk duhet të përdoret për t’u dërguar dhe luftuar në një vend të huaj. Për Kosovën dhe Maqedoninë vende të cilat kanë kaluar dy konflikte nuk mund të them se cilat janë arsyet, por mendoj se edhe atje komunitetet fetare kanë qenë të qartë në qëndrimet e tyre.

Si i komentoni zërat për shfaqjen edhe në Shqipëri të tendencave të para të një islami integralist? Sa prezent është sot ky fenomen mes besimtarëve islamë shqiptarë?

Në përgjithësi ne po punojmë shumë me institucionin e Komunitetit Mysliman dhe deri tani në të gjitha xhamitë e Tiranës që njihen nga Komuniteti Mysliman nuk kemi shfaqje të tilla. Mundohemi t’u shpjegojmë njerëzve se feja është paqe dhe thelbi i saj është rregullimi i vendit ku jetojmë. Tradita jonë e harmonisë fetare e burrave patriotë si Vehbi Dibra, Ibrahim Balliu, Zyber Hallulli duhet të jenë shembujt e islamit në Shqipëri. Ne gëzojmë akoma veprat patriotike apo bamirësisë së tyre që nga shtet-formimi shqiptar deri tek normalja Elbasanit apo Shtëpia e Fëmijës, të cilat as diktatura nuk mundi t’i zhdukë. Falë atyre burrave ne sot gëzojmë një tolerancë fetare unike që e gjithë bota nuk e ka. Dua të përmend një thënie të kryeministrit të Malit të Zi Mark Milani. “Sa herë që u munduam të fusnim konflikt në Shkodër ndërmjet katolikëve dhe myslimanëve, apo e kundërta, gjithmonë kemi dështuar”. Ndaj trashëgimia jonë është sfida e të gjithëve së bashku për ta ruajtur të pastër këtë vlerë hyjnore të tolerancës dhe synimi i ynë i përbashkët janë arritjet e vendit tonë, të cilin Zoti na e ka falur aq të bukur dhe të begatë…

Nëse do t’ju duhej të jepnit një mesazh për ata të rinj që mund të tentohen eventualisht nga dalja vullnetarë në një konflikt si Siria apo diku tjetër ku luftohet, çfarë do t’u thoshit?

Ne jemi një vend demokratik me rregulla të qarta në respektim të ligjit të Zotit dhe të shtetit, kemi një institucion që na udhëheq. Të gjithë besimtarët duhet të dëgjojnë Institucionin dhe imamët e xhamive përkatës dhe mos humbin në thirrje që u drejtohen nëpërmjet internetit dhe as mos emocionohen përballë padrejtësive të regjimit të Basharit, me qetësi vuajtjeve të popullit sirian t’u përgjigjen me lutje që Zoti t’ua lehtësojë. Xhihadi i gjithsecilit fillon nga vetja e tij, me rregullimin e familjes se tij, komshiut, lagjes ku jeton, qytetit dhe mbarë vendit. Nëse ne si popull do të besojmë më shumë do të kemi më pak krime, më pak dhunë, më pak aksidente, ndaj detyrë e çdo myslimani është të jetë model në shoqëri, të ndalojë një të keqe, të mbjellë një pemë, të shpëtojmë një jetë, të ndihmojmë një të varfër, ta duam njëri-tjetrin, këto janë porositë hyjnore që Zoti dëshiron nga ne, ndaj sukseset e Shqipërisë janë sukseset e kujtdo, i cili ka kuptuar mirë islamin, si fe e paqes dhe bashkëjetesës fetare…

Si e gjykoni bashkëjetesën fetare në Shqipëri? A vijon ajo të jetë një vlerë bazë e shoqërisë tonë?

Bashkëjetesa fetare në Shqipëri jo vetëm që është vlerë bazë e shoqërisë, por edhe një pasaportë me vlera për mbarë botën. Të jeni të sigurt që askush nuk e ka, Shqipëria është vendi që nuk ka njohur asnjëherë konflikte fetare. Teologët tanë në histori kanë ditur ta ushqejnë këtë harmoni dhe detyra jonë si komunitete fetare është t’i promovojmë këto figura për t’i kthyer në referencë për rininë. Këtu do të ndalesha dhe do të kërkoja dhe mbështetjen e politikës, të mediave për të pasqyruar vlerën e këtyre figurave fetaro-patriotike. Ata janë dhe duhet të kthehen në referencë e të ardhmes fetare në vendin tonë. Sa më shumë ne do të promovojmë harmoninë dhe figurat tona aq më e pacenueshme do të jetë harmonia fetare. Ne si xhami në bashkëpunim me Komunitetin Mysliman kemi zhvilluar shumë aktivitete për Ibrahim Dalliun, Vehbi Dibrën, Ali Korçën dhe tek rinia jonë është shfaqur një interes i jashtëzakonshëm për t’u njohur me kontributet e tyre për vendin.

Një çështje delikate për komunitetet fetare ka qenë ai i përdorimit të simboleve fetare nëpër institucionet arsimore e shtetërore. Ju çfarë qëndrimi mbani, për shembull, për përdorimin e perçes në shkolla dhe institucione?

Qëndrimi i komuniteteve fetare ka qenë mjaft i qartë pasi këtu ka një specifikë të veçantë. Ajo që në media quhet simbol, në të vërtetë është komponent i besimit dhe si pjesë e saj nuk mund të quhet thjesht simbol. P.sh rasti i perçes i trajtuar në media duhet të sqarohet se nuk bëhet fjalë për perçe pasi me të njihet mbulimi i fytyrës, ndërsa ajo që ne diskutojmë është shamia, e cila mbulon vetëm kokën. Është e ngjashme me shaminë e Nënë Terezës e cila mbahet në zyrat e institucioneve shqiptare. Ndaj unë laicitetin e shikoj në programet e institucioneve dhe jo tek individët në besimin e tyre. Pasi në institucion njeriu mund të sillet si laik dhe nuk i lejohet të bëjë propagandë fetare, por çdokujt i lejohet të shfaqë fenë e tij e cila mbrohet me kushtetutë. Unë arrij të kuptoj që vendi ynë vjen nga një ateizëm i pashoq dhe laicizmi ndonjëherë merr dhe ngjyra ateiste, mendoj që ka ardhur koha ta kalojmë këtë moment të errët të diktaturës. Në shtëpinë e Bardhë kemi këshilltare me shami, në parlamente të ndryshme, në forume ndërkombëtare Në vende të zhvilluara si Anglia kemi police femra, të cilat brenda uniformës mbajnë shami…etj. Sot ne diskutojmë mbi Sirinë, por nëse ne nuk do t’u japim mundësi femrave të shkollohen do të na prodhohet një brez i pashkolluar që do të përdoren lehtësisht në të ardhmen. Shqipëria është një vend me traditë dhe harmoni të shkëlqyer dhe historia ka treguar që feja gjithmonë i ka ardhur në ndihmë vendit dhe asnjëherë e kundërta.

Ka pasur dhe ka një debat në lidhje me ndërtimin e xhamisë së re. Cili është pozicioni juaj ndaj projektit aktual të mbetur në mes? Si do t’i përgjigjeshit atyre qytetarëve që kanë shprehur shqetësime për zhdukjen e parkut që gjendej pranë Kuvendit?

Historia e xhamisë së madhe daton që nga viti 93’ dhe historia e saj ka pasur zhvillime të ndryshme por asnjëherë ndërtimin e saj. Në xhaminë tonë njerëzit falen në trotuar, duke u kërkuar ndjesë qytetarëve për bllokimin e trotuarit gjatë minutave të predikimit të së premtes. Ne nuk kemi ku të falemi. Xhamia e re do të zhbllokonte situatën e rënduar të shumë xhamive, besimtarët e të cilave falen nëpër trotuare. Por pyetja që shtrohet do ta analizoja në një aspekt tjetër, a ka nevojë shoqëria shqiptare për një xhami? Them se po. Xhamitë janë institucione paravepruese dhe edukuese, ne jemi dëshmitarë të shumë të rinjve të cilët më parë kanë pasur një jetë jo të rregullt dhe shteti ka shpenzuar shumë për edukimin e tyre, ndërsa xhamia e ka bërë shumë thjesht këtë nëpërmjet besimit, duke normalizuar jetët e tyre. Ata sot punojnë punë të ndershme dhe kjo është një fitore për të gjithë shoqërinë. Para se të flasim për ndotjen e ambientit apo të pemëve, për cilësinë e jetës duhet të flasim për garancinë për të jetuar. Shumë krime na ndodhin në fshatra si shkak i formimit, por pemët atje edhe pse janë të shumta nuk e ndalojnë dot krimin në masë. Ne si xhami kemi një projekt për mbjelljen e 1000 pemëve në kodrat e Tiranës, sepse më shumë se kushdo ne e kuptojmë dobinë e një peme. Profeti i Zotit a.s thotë : “Edhe nëse e shikon që po ndodh Kijameti (fundi i botës) vazhdo dhe mbille pemën”. I mirëkuptoj ambientalistët, por shumë qytetarë janë pro dhe pas ndërtimit të dy kishave, ndërtimi i xhamisë do të mbyllte trekëndëshin e tolerancës fetare. Kam bindjen se sot ndërtimi i xhamisë ka vullnetin e të gjitha palëve, ndaj xhamia është ogur i mirë i harmonisë në të gjitha aspektet e jetës.

Cilat janë problemet kryesore që shqetësojnë sot Komunitetin Mysliman të Shqipërisë?

Komuniteti Mysliman i ka shfaqur shpesh në media problemet, por ai më kryesori janë kthimi dhe kompensimi i pronave. Nëse duam një komunitet të fortë, do të duhet që ai të jetë i fortë ekonomikisht çka do të sjellë një komunitet më afër traditës shqiptare, asaj të dhurimit, të dashurisë. Askush nuk mund t’i kuptojë shqiptarët më mirë se ata njëri-tjetrin ndaj fuqizimi i institucionit i shërben vendit dhe të ardhmes, i shërben synimeve të vendit në rrugën e saj të nisur drejt Europës…

*Marre nga “JAVA”

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Ahmed kalaja, Asnje shqiptar ne Siri, Xhihadin e kemi ketu

FESTOHET NE DALLAS 6-VJETORI I PAVARËSISË SË KOSOVËS

February 19, 2014 by dgreca

Në 6-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Dallas morën pjesë edhe  Konsulli i Përgjithëshmë i Republikës së Kosovës në Nju Jork, Ambasadori Bekim Sejdiu, dhe Kyetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Dr. Enver Hasani, si dhe të ftuar të tjerë/

 Nga Beqir SINA/

DALLAS TEKSAS : Një kremtim i bukur i 6të vejtorit të Pavarësisë së Kosovës është realizuar në qytetin më të largët të SHBA, Dallas – Teksas, nga komuniteti shqipëtarë, atje ku pati një pjesëmarrje të madhe. Festën e gjashtëvejtorit të pavarësisë së shtetit më të ri të Kosovës, e nderuan me pjesmarrjen e tyre edhe disa veprimtarë të dalluar të këtij komuniteti, lider fetar, dhe të komunitetit, autoritetet vendore, qytetarët me orgjinë nga Kosova, Shqipëria, dhe viset e tejra shqiptare si dhe studentë që vazhdojnë studimet në universitetet amerikane. Festa për Kosovën, u mbajtë më 16 shkurt, ditën e diel, në një nga lokalet e njohura në Dallas, dhe në të morën pjesë disa dhjetëra vetë. Me këtë rast  njofton media shqiptare, është mbajtur edhe mbrëmje festive për të shënuar gjashtë vejtorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Në mbrëmjen festive e organizuar nga Qendra Kulturore Shqiptaro-Amerikane, si mysafirë nderi morën pjesë edhe Konsulli i Përgjithëshmë i Republikës së Kosovës në Nju Jork, Ambasadori Bekim Sejdiu, dhe Kyetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Dr. Enver Hasani, si dhe të ftuar të tjerë.

Gjatë mbrëmjes u mbajtën fjalime rasti dhe u shfaqë një program kulturor, me këngë dhe valle shqipëtare nga të gjitha trevat.

Në emër të diasporës shqiptare në Dallas, mbrëmjen e hapi Kryetari i Qëndrës Kulturore Shqiptaro Amerikane dhe afaristi i njohur Nazar Mehmeti. Ai shprehu emocionet e veçanta të shqiptarëve të Teksasit, sa herë që përmendet Kosova dhe kremtohet ditëlindja e shtetit të Kosovës. Ai shprehu falenderim të veçantë për pjësëmarrjen e përfaqësueseve të Kosovës në mbrëmjen kremtuese të organizuar nga diaspora shqiptare në Dallas, duke i dhënë një vlerësim të veçantë këtij kumoniteti, që ka bërëaq shumë me kontributtet tij për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.
Në fjalimin e tij, Konsulli i Përgjithshëm Sejdiu shprehur mirënjohjen e thellë të shtetit të Kosovës për kontributin e paçmuar të diasporës shqiptare, në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë edhe këtë në Dallas – Teksas, për lirin edhe pavarësinë e Kosovës, sidomos gjatë luftës për çlirimin e Kosovës. Ai u shpreh se diaspora shqiptare në SHBA ka qenë jo vëtem krah i fortë i popullit të Kosovës në përpjekjet titantike për liri dhe pavarësi, por edhe një burim fyrmëzimi, sepse ka dhëne shëmbullin më të mirë se si duhet dashur kombin dhe si duhet t’i dilet zot atij në momentet më të vështira të historisë kombëtare.

Konsulli i Përgjithshmë zoti Sejdiu nënvizoi se diaspora shqiptare në SHBA mbetet ura më e fortë lidhëse në mes të Kosovës dhe të shqiptarëve në Ballkan, me SHBA-te; me këtë shtet kampion të lirisë dhe demokracisë në botë, i cili ka dëshmuar madhështinë e tij me mbështetjen e madhe që i ka dhënë përpjekjeve për liri dhe pavarësi të Kosovës. Për ç’gjë Kosova dhe shqiptarët do jenë  mirënjohës përgjithmonë.

I ndodhur në Teksas, për të mbajëtur një ligjëratë para trupit të profesorëve dhe studentëve të shkollës së Drejtësisë, SMU Dedman School of Law,. i ftuar si mysafirë nderi për këto festime të gjashtë vjetoit të shpalljes së pavarësisësë Kosovës – 17 Shkuritit 2008, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Prof. dr. Enver Hasani.

Sipas njoftimeve nga Dallasi në fjalimin përshëndetës, z. Hasani, ka shprehur një falenderim të veçantë për këtë komunitet për Kosovën – duke vënë në pahë me këtë rast edhe kontributin për përkrahjen e madhe që ka patur në vazhdimësi nga diaspora shqipëtare në SHBA si dhe shteti amerikan duke vlerësuar edhe komunitetin e Dallasit, për kontributin e tyre për liri dhe pavarësi..

Me këtë rast në kuadër të nismës të që ka marrë Konusllata e Përgjithëshme e Kosovës Në New York, për shëpërndarjen e Abetares së unifikuar dhe teketeve të tjera shkollore për mësimin e gjuhës shqipe, në komunitetin shqiptarë në Shtetet e Bashkuara, vlen të përmendet se gjatë vizitës në Dallas, Konsulli i Përgjithshëm, Ambasadori Bekim Sejdiu dhuroi një kontigjent të tyre edhe për shkollën me meëim plotësues në gjuhën shqipe në Dallas, e cila ka disa vjetë që funksionon në kuadër të Qendrës Kulturore Shqiptaro-Amerikane në Dallas – Teksas. /Beqir SINA/

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: 6 vjetori, Bekim Sejdiu, Beqir Sina, Festohet ne Dallas, i pavaresise se kosves

UKRAINE: 25 TE VRARE: Urdhër për zbarkimin e trupave parashutiste

February 19, 2014 by dgreca

Ministri ukrainas i mbrojtjes, Pavlo Lebedev, lajmëroi sot se ka urdhëruar dërgimin e trupave paraushtarake në Kiev, skenë e përleshjeve të përgjakshme ndërmjet policisë dhe protetuesve anti-qeveritar. Lebedev bëri të ditur se po zhvendos trupat parashutiste nga qyteti lindor Dnipropetrovsk për në kryeqytet, për t’i ruajtur depot ushtarake, ku janë të magazinuara sasi të armatimit dhe municionit.

Ish-ministri i mbrojtjes Anatoly Hrytsenko shkroi në rrjetin social Facebook se 500 forca nga Brigada e 25-të Parashutiste e Dnipropetrovsk do të zbarkojnë në Kiev.
Kjo është hera e parë që ushtria përfshihet në protestat që kanë dridhur Ukrainën prej nëntorit të vitit të kaluar, të cilat u nxitën nga refuzimi i presidentit Viktor Yanokovych që të përafrohet me Bashkimin Evropian.
Ndryshe, së paku 25 vetë janë vrarë në përleshjet e mbrëmshme ndërmjet protestuesve antiqeveri dhe policisë. Në mesin e viktimave janë edhe 7 policë, për të cilët thuhet të jenë vrarë nga të shtënat me armë.
Presidenti i Ukrainës, Viktor Yanukovich, ka kërkuar nga liderët e opozitës që të distancohen nga “radikalët”, duke u tërhequr vërejtjen se nëse këtë nuk e bëjnë, ai do të “bisedojë ndryshe” me ta.
Në deklaratën e zotit Yanukovich theksohet se disa pjesëtarë të opozitës e kanë kaluar kufirin, kur ata, siç ka dyshime, kërkuan nga mbështetësit të sjellin armë për demonstruesit në sheshin kryesor në kryeqytetin Kiev.
Presidenti Yanukovich këta njerëz i cilësoi si “kriminelë”dhe tha se ata do të ballafaqohen me drejtësi në gjykatë.
Ai ka theksuar se “ende nuk është shumë vonë për ta përfunduar konfliktin”.

Filed Under: Featured Tagged With: 25 te vrare, Ukraine

Ilir Meta takon Konsujt

February 19, 2014 by dgreca

Meta:  Roli juaj, me rëndësi për përmirësimin e imazhit të Shqipërisë/

Edhe pse kanë kaluar vetëm pak ditë nga krijimi i saj, Shoqata e Konsujve të Nderit në Tiranë është mjaft aktive në harmonizimin e vetëfunksionimit, por edhe në raportet me institucionet shqiptare.Si një ogur të mbare, takimin e parë Shoqata e Konsujve e zhvilloi me kreun e Kuvendit, Ilir Meta.Për të nisur rrugëtimin e një udhe të fortë bashkëpunimi, kryeparlamentari priti në kryesinë e Kuvendit 18 Konsuj Nderi, në një takim të kërkuar nga Kryekonsullli dhe Kryetari i Shoqatës, Ylli Ndroqi.

Numri një i Kuvendit, vlerësoi rolin e rëndësishëm që Konsujt luajnë në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë në vendet që ata përfaqësojnë dhe premtoi se jo vetëm ai, por i gjithë Kuvendi do të jetë një derë e hapur bashkëpunimi për Shoqatën.

Edhe pse ishte mes një përfaqësie diplomatësh, kryetari i Kuvendit vendosi të mos jetë diplomat, por i drejpërdrejtë kur tha se:

“Është i rëndësishëm kontributi i konsujve në marrëdhëniet mes vendit tonë dhe shteteve që përfaqësojnë. Roli juaj është me rëndësi për përmirësimin e imazhit të Shqipërisë në botë Në shumë raste koha ka treguar se roli juaj është më i rëndësishëm se i Ambasadorëve”.

Duke vlerësuar gatishmërinë e Kreut të Kuvendit për të mirëpritur në takim Konsujt e Nderit nga e gjithë bota, kryetari i Shoqatës, Ylli Ndroqi, i cili përfaqëson shtetin e Meksikës në Tiranë tha se Shoqata do të jetë një urë e fortë lidhëse mes Shqipërisë dhe 28 shteteve që përfaqësohen me Konsuj ne Shqipëri.

Dimension primar i Shoqatës do jetë forcimi i lidhjeve të biznesit, në një mjet për të shtuar investimet në vendin tonë.

“Qëllimi i Shoqatës së Konsujve për të forcuar lidhjet e biznesit mes Shqipërisë e vendeve që përfaqësojmë. Veprimtaria jonë është një kontribut vlerash të mëdha.Shoqata e Konsujve, një lëvizje e madhe për bashkëpunim mes Shqipërisë e vendeve që përfaqësojmë” u shpreh zoti.Ndroqi.

Edhe Dekani i Shoqatës, Konsulli i Nderit të Austrisë në Tiranë, Gjergj Liqezja, vuri theksin tek roli që do ketë Shoqata në lidhjen e marrëveshjeve të bashkëpunimit, jo vetëm në sektorin ekonomik, por edhe në turizëm, etj.

Për të fiksuar këtë takim të parë, kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, iu dhurua simbolika e këtij unioni të krijuar rishtazi, logoja e Shoqatës së Konsujve të Nderit në Tiranë.

Takimi miqësor vijoi për afro 30 minuta, ku kreu i Kuvendit u njoh me veprimtarinë e deritanishme të kësaj, por edhe objektivat e saj në të ardhmen.

Në unison Konsujt shprehën vendosmërinë e tyre për të dhënë kontribut maksimal në imazhin pozitiv të Shqipërisë nëpër botë, por nga ana tjeter vlerësuan se duhet bërë edhe më shumë për të përmirësuar të drejtat dhe privilegjet e tyre si Konsuj Nderi.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Ilir Meta, imazhi i shqiperise, konsujt e nderit

Berisha sqaron gazetarët për protestën e nesërme

February 19, 2014 by dgreca

Rama shpalli votën si shuplakë për opozitën/

Një ditë para marshimit protestë të paralajmëruar nga opozita, në përkujtim të përvjetorit të rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha, ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë një analizë të ngjarjeve të fundit të ndodhura në vend, duke shpjeguar dhe arsyet e protestës. Berisha tha se kryeministri Rama po noton në të njëjtat ujëra me paraardhësit e tij, duke e akuzuar se që në ditën e tij të parë të instalimit si Kryeministër i shpalli luftë opozitës . Sipas tij, 5 muaj qeverisje kanë faktuar se Rama dhe qeveria e tij çdo gjë e bazojnë mbi mashtrimin, fallsitetin dhe dhunën ndaj opozitës dhe qytetarëve.

“Ata që përmbysën me 20 shkurt të ’91, ata votën e konsideronin plumb për armikun. Në atë sistem vota e qytetarëve shpallet me parulla të mëdha si plumba për armikun. Për ironi të fatit por jo pa lidhje, 23 vjet më vonë forca politike që fitoi zgjedhjet në 23 qershor dhe kryetari i saj shpalli votën pro tyre si shuplakë për opozitën. Ishte më i njerëzishëm nuk e quajti plumb, por shuplakë. Mbi bazën e 1 milion shuplakave bazoi qëndrimin dhe strategjinë ndaj opozitës dhe kur konsideron votën pro teje shuplakë ndaj kundërshtarit, automatikisht kundërsharin e ke armik, ka vetëm një platformë, vereviktis( mjerë i munduri). Kjo është platformë e pushtuesve në kohërat e hershme, kjo është platforma që adaptoi Edi Rama që ditën e parë të instalimit të tij në pushtet. Populli opozitar, demokratët , u përballën me një platformë e cila në shumë aspekte ngjasonte me platformën e regjimit komunist ndaj opozitës. Ne në opozitë pranuam humbjen në mënyrë më të civilizuar, bëmë rrotacionin e pushtetit, shfaqëm vullnetin tonë për një bashkëpunim pa kushte në projektin numër një të shqiptarëve , integrimin.Por ne një afat kohor më pak se 5 mujor, Edvin Krisraq Rama, është faktuar sëbashku me qeverinë e tij një kryeministër që bazon çdo gjë mbi mashtrimin, fallsitetin dhe dhunën ndaj opozitës dhe qytetarëve. Kanë ndodhur shumë gjëra, por më kryesore është mashtrimi që Edi Rama u bëri qytetarëve shqiptarë duke përmbysur platformën e tij elektorale dhe duke vepruar në drejtim të kundërt. Këtu fillon delitigjimimi i shpejtë dhe i sigurtë i kësaj qeverie. 23 vjet më parë përmbysëm shtatoren e diktatorit dhe bustet e gjalla pasi në 45 vite çuan në mjerim të paimagjinueshëm sot një popull përmes terrorit dhe mashtrimit. Asgjë nuk lëndon, rrënon më shumë dinjitetin e njeriut sesa mashtrimi” tha ai.

Berisha tha se Rama po vendos me shpejtësi të rrufeshme monopolet dhe familjes dhe të klanit të tij dhe po e kthen në Shqipërinë në Republikën e Skafeve.

“Vendimi i qeverisë për ndalimin e furgonëve taksi ka për qëllim të fusë monopolin e Koços në transportin e furgonëve. Katandisi Shqipërinë si të ishte Republika e skafistëve. Nëse nuk ngrihemi për të vendosur dinjitetin tonë Shqipëria kurrë zgjedhje nuk do të jenë më. Do të jenë thjesht panair i mashtrimit, do i fitojë ai që gënjen në shumë”- tha Berisha duke ftuar në protestë popullin opozitar por edhe atë të zhgënjyerit nga qeverisja e kryeministrit Rama për t’u bërë pjesë e protestës së nesërme antiqeveritare që është parashikuar të zhvillohet në sheshin “Skënderbej”.

Ish-Kryeministri akuzoi shefin e qeverisë, Edi Rama, se e ka kthyer kryeministrinë në klinikë për t’u shëruar.

” U dha poste burrave e grave të tij. Burri i Belinës bëhet ministër. Burri i Lindës emërohet drejtor i rëndësishëm në një firmë të Ahmetit. Kryeministrinë e ka shtëpinë e Kristaqit.Zotëria mendon si kryeministër kryeministria dhe shteti është pronë e tij. Ka 6 muaj që punon dhe gdhend zyra, hap klinika brenda kryeministrisë sepse e ka të rëndë të kurohet aty ku kurohen të tjerët. Po vendos me shpejtësi të rrufeshme monopolet dhe familjes dhe të klanit të tij”- tha Berisha.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Berisha takon, gazetaret, nje dite, para protestes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4847
  • 4848
  • 4849
  • 4850
  • 4851
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT