• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Me 17 shkurt, protestë gjithëshqiptare para selisë së BE-së në Bruksel

February 16, 2014 by dgreca

Të ndalet padrejtësia kundër shqiptarëve. Protestë për njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së, për integrimin e Kosovës dhe ndaljen e aparthaedit serb kundër shqiptarëve të Kosovës Lindore./

Me 17 shkurt (2014) organizohet një protestë para selisë së Parlamentin Evropian, ku do të kërkohet qe shtetin e Kosovës ta njohin edhe pesë shtet tjera të BE-së, e me këtë t’i hapet rruga e integrimeve shtetit më të ri në Evropë. Sipas Këshillit Organizativ, gjatë protestës do të kërkohet qe nga BE-ja qe të kenë trajtim më realist dhe me kredibil ndaj shtetit të Kosovës, sepse Bashkimi Evropian po e amniston Serbinë për krimet e veta ndaj popullit shqiptar të Kosovës e bashkë me këtë, por i man nën pushtim edhe nëntë komuna të Kosovës me popullsi shumicë serbe. Republika e Kosovës në këto nëntë komuna nuk posedon shtrirjen e autoriteteve të veta, juridike-kushtetuese e as nuk valon flamuri i Republikës së Kosovës. Është e çuditshme se si Evropa po e favorizon Serbinë në të gjitha fushat e integrimeve, e as nuk kërkon qe Beogradi t’i kthejë rreth 1.800 të zhdukurit e Kosovës. Qe 15 vjet Kosova mbahet si vrimë e zezë, si geto e sanksionuar nga të gjitha të drejtat njerëzore të kombit shqiptar të kësaj ane të Dardanisë, andaj kërkohet qe me 17 shkurt 2014 edhe njëherë të dëgjohet zëri shqiptar, duke kërkuar nga BE-ja, qe të trajtojë Kosovës si shtet sovran, pa asnjë modalitet me komuna autonome serbe. Po ashtu edhe Kosova Lindore, vuan nën terrorin e policisë dhe xhandarmerisë serbe, dhe Evropa në vend që të sanksionojë Serbinë për egërsinë e saj, Brukseli po i jep të gjitha favoret shtetit serb duke e amnistuar edhe nga e kaluara e saj kriminale, por edhe nga apetitet e fundit të saja hegjemoniste e fashiste. Pra, kërkohet me 17 shkurt 2014 të gjithë shqiptarët të tubohen para selisë së PE-së në Bruksel dhe t’i tregojmë Evropës se shqiptarët nuk durojnë padrejtësinë, por kërkojnë që të trajtohen të barabartë me gjitha kombet etjera evropiane./ Petrit Rudi, standardi)

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Bruksel, Kosove, per pavaresine, proteste

Pavarësia,ditë feste dhe reflektimi

February 16, 2014 by dgreca

Urime Kosovë, Familje e nderuar Jashari dhe gjithë bashkëkombësve,6 vjetori i Pavarësisë!/

Për shqiptarët kudo 28 Nëntori si datë e madhe kombëtare, mbetet përjetë shkruar me germa të arta në histori, përkrah të cilit në bashkërrugëtim për çlirim dhe pavarësinë e trojeve etnike, tash e 6 vite me radhë, shkëlqen edhe 17 shkurti i Pavarësisë së Kosovës.

Përvjetor me rëndësi ky i cili numëron vitlindjen e gjashtë, të njërës prej pjesëve më kryengritëse dhe vitale e të paepur të tokave tona në përgjithësi, të njohur edhe si shtëpia e fisit të lashtë dardan, e cila sivjet kujton me krenari edhe 15 vite çlirimi nga Serbia.

Për të ardhur deri këtu,nëse kihet parasysh fakti se zhvillimet historike kalojnë nëpër faza strategjish e kalkulimesh ndërkombëtare ku pothuajse gjithmonë,për luftën,paqen,humbjet dhe fitoret e popujve të vegjël,më tepër vendosin qëndrimet e fuqive të mëdha për balancim interesash, dhe jo dëshirat e të voglit për drejtësi, i cili si viktimë e pamundësisë çdo herë zgjidhet për barazim hesapesh ndërmjet fuqive vendimmarrëse,gjithandej planetit, shqiptarët kësaj radhe duke pasur krah Amerikën, ishin më me fat se kurdoherë më parë, ndaj edhe fituan këtë betejë historike për liri dhe çlirim.

Amerika e madhe, të cilën qysh pas luftës së parë botërore, njerëzimi e njohu si fuqi të re globale dhe mbrojtëse të denjë të popujve të vegjël,ngjalli shpresat për mbijetesë të shqiptarëve,kombi i të cilëve po mbytej pa asnjë ndihmë në detin e pafund të armiqve që e kishin vërshuar nga të gjitha anët. Të dërmuar e të  pa krahë ashtu siç ishin,ata zgjatën duart e vetmuara në drejtim të Amerikës, e cila jo vetëm se u përgjigj me ndihmë konkrete dhe dashamirësi, por SHBA disa herë doli hapur dhe me qëndrim të prerë,në mbrojtje të Shqipërisë dhe shqiptarëve, me të cilën, komunistët padrejtësisht për kohë të gjatë, ngrinë njëanshëm të gjitha marrëdhëniet.

Megjithatë,duke iu falënderua luftës së shenjt të popullit shqiptar, heroizmit të Familjes Jashari,bijë e bijave më të mirë -heronj e dëshmor të kombit tonë, e veçanërisht presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova i cili në emër të popullit shqiptar nën pushtim, me seriozitetin e një burrështetasi të kujdesshëm dhe qëllimin e mirë të një engjëlli shpëtimtar, jo vetëm se ripërtëriu e forcoi pashkëputshëm lidhjet e vjetra me mikun e sprovuar dhe më të madhin e të gjitha kohëve për vendin tonë të vogël- SHBA-të,por kësaj radhe bindi ato që më 24 mars të vitit 1999,për 78 dit me radhë, të fusnin edhe duart në zjarr për lirin e kësaj pjese të popullit shqiptar.

Ndaj,me këtë akt të lartë dhe të shenjt dashamirësie,që Amerika jo vetëm më 1999 me Presidentit Klinton por edhe 80 vite para kësaj ngjarje, përmes presidentit Wilson Wodrow,në Lidhjen e Kombeve më 1919, kishte bindur shqiptarët përfundimisht, se pa ndihmën e një aleati të madh si SHBA,para epsheve të shfrenuara të vendeve hegjemoniste fqinje të cilat gjithmonë gëzuan përkrahjen e Rusisë dhe shumicës së fuqive të mëdha të kohës, jo vetëm se ishte e pamundur të arrihej çlirimi i trojeve të mbetura etnike nën sundim të huaj, por do të bëhej shumë e rrezikshme, e vështirë e ndoshta edhe e pamundur, mbrojtja nga copëtimi edhe i asaj pak toke të mbetur brenda kufijve të gjysmështetit shqiptar.

Të njëjtat qëndrime, të po të njëjtave shtete hegjemoniste, të cilat nuk u pajtuan atëherë siç  nuk pajtohen as sot, për krijimin e një shteti unik kombëtar,bënë që shqiptarët ende të mos çlirohen tërësisht dhe të mos arrijnë që ti bashkojnë trojet e mbetura nën pushtimin sllav dhe grek deri më tani.

Copëtimi i tokave tona filloi po me nxitjen e Rusisë, qysh para 137, vitesh, në dimrin e madh të vitit 1877,disa muaj para nënshkrimit të së ashtuquajturës paqja e “Shën e Stefanit” arritur në mes të Perandorisë Turke dhe asaj cariste Ruse, më 3 mars të vitit 1878.

Serbia megjithëse në vitin 1830,jetonte vetëm një autonomi të pjesshme nga Perandoria turke,dhe nuk ishte shtet më vete,ajo qysh atëherë kishte filluar përgatitjet e planeve për zgjerim drejt jugut me zhdukjen e shqiptarëve nga trojet e tyre etnike. Ndaj që në vitin 1844, Ilija Garashanini,kishte përgatitur platformën e ashtuquajtur “Naçertanija”që parashihte zhbërjen e elementit shqiptar  dhe u praktikua në Sanxhakun e Nishit, Toplicë dhe Kurshumli, të cilat më 1877,edhe do ti pushtonte Serbia.

Ndaj, e frymëzuar nga “Naçertania” apo plani për asgjësimin e shqiptarëve,qeveria serbe do të zgjidhte pikërisht dhjetorin,si muajin më të vështirë të atij dimri të madh, që të niste dëbimet masive të cilat nuk ishin asgjë tjetër, përveç se një dënim makabër për vdekjen kolektive të shqiptarëve,shumica e të cilëve do të ngrinin rrugës,nga të ftohtit dhe uria, pa arritur të kalonin gjallë në pjesët e brendshme të atdheut,që atëherë ishte Kosova e sotme.

Ky planë jo vetëm se nuk do të përfundonte shpejt por do të vazhdonte edhe për rreth 4 vite tjera përfshi vitin 1878,e deri më 1881,kohë kjo kur do të zhbëheshin hiq më pak se 700 fshatra shqiptare dhe ktheheshin në një tragjedi kombëtare për popullin tonë, përmasat e së cilës nuk i kishte përjetuar përgjatë gjithë historisë së tij,deri më atëherë.

Megjithatë,përveç ndonjë lëvizje sporadike siç ishte ajo e trimit Sefë Kosharja, i cili ishte kthyer nga shërbimi si oficer në ushtrinë turke, për të mbrojtur shqiptarët nga shfarosja dhe tokat e atdheut të tij me bashkëluftëtarët vullnetar, vetëm pas formimit të Lidhjes së Prizrenit më 10 qershor të vitit 1878,shqiptarët arritën të krijonin qëndresë të organizuar dhe kundërvënie me armë, Perandorisë Turke dhe  fqinjëve grabitqar.

Lufta dhe përpjekjet e popullit tonë do të zgjasnin mbi 34 vite pareshtur,deri më shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912,njohja e pjesshme e së cilës do të arrihej rreth 8 muaj më vonë,nga fundi i korrikut të vitit 1913,në Konferencën e ambasadorëve në Londër,por edhe aty do të pranohej pavarësia e vetëm gjysmës së trojeve tona etnike, si shtet kombëtar në Ballkan.

Atëbotë, përveç kundërshtimit të fort rus dhe shteteve hegjemoniste fqinje,mospajtimet më të mëdha do të vinin nga Perandoria Turke, e cila edhe në grahmat e fundit të ekzistencës së saj, jo vetëm se nuk do të pranonte shkrirjen e 4-ter vilajeteve tona në një shtet autonom shqiptar brenda kufijve të perandorisë, por edhe pas përzënies së forcave turke me luftë, nga trojet tona etnike si dhe shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë,ajo ende kundërshtonte me të gjitha fuqitë, krijimin e një shteti kombëtar shqiptar.

Vetëm falë, konstelacionit politiko-strategjik të fuqive të mëdha dhe diplomacisë së vendosur Austrohungareze e cila arriti të fitonte edhe përkrahjen e Gjermanisë,duke i siguruar Shqipërisë edhe një princ (Princ Widin) për udhëheqës të përkohshëm,gjë që ishte e rëndomtë për kohën dhe kishte ndodhur më parë edhe me shtetet tjera ballkanike,si Greqinë,Rumaninë e Bullgarinë,sado dhembshëm që u përjetua,mbetja e hapësirave aq të mëdha të trungut kombëtar, jashtë kufijve të shtetit të ri, formimi i tij edhe aq sa ishte, duke mos pasur zgjidhje më  të favorshme, nga shqiptarët u pa si periudhë kalimtare drejt lirisë së pjesëve tjera të atdheut.

Kështu që, lufta dhe përpjekjet e filluara nga formimi i Lidhjes së Prizrenit më 10 Qershor të vitit 1878,vazhduan edhe pas 28 Nëntorit të vitit 1912,si dhe pas Korrikut të vitit 1913, me ç`rast një pjesë e mundit dhe sakrificave të  shqiptarëve,do të shpërblehej pas afro një shekulli, kur para 15 vitesh, me ndihmën e NAT-os, u arrit të çlirohet Kosova, e njohur si Ëma e Kryengritjeve Kombëtare,për lirinë dhe bashkimin e të gjitha trojeve etnike shqiptare.

Megjithatë,për fat të keq,vuajtjet,vrasjet dhe shpërnguljet e shqiptarëve,edhe pas përfundimit të luftës,as në Kosovën e lirë nuk do të pushonin, madje vite pas çlirimit dhe brenda vet territorit të saj edhe ashtu të ngushtuar,më 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000,pas vrasjes së 10 shqiptarëve dhe plagosjes së dhjetëra tjerëve, nga bandat kriminale serbe, vetëm brenda dy-ditësh,do të dëboheshin me dhunë mbi 1564 familje me më tepër se 11370 shqiptar,për tu përsëritur këso vrasjesh makabre dhe përndjekje të ngjashme shqiptarësh edhe më 2004,po nga Veriu i Mitrovicës.

Ndaj, Kosova edhe këtë 17 shkurt, feston përvjetorin e 6-ashtë, të pavarësisë së saj, jo pa emocion e dhembje, si për ngjarjet e lartcekura edhe për shtypjen dhe padrejtësitë që vazhdimisht ushtrohen ndaj bashkëkombësve tanë në trojet e tyre nën pushtim,duke mbetur përherë me sy të kthyer nga pjesët e paçliruara të etnisë sonë.

Kështu që, përveç festimit e cila është gjëja më e lehtë, e arsyeshme dhe e dëshirueshme për tu bërë, shqiptarët duhet ti ruajnë me shumë kujdes e përkushtim miqtë e vërtetë, tolerancën e njohur dhe traditën vendore, ta duan të kaluarën e tyre, ngritin e lartësojnë heronjtë kombëtar,të krenohemi dhe kujtojmë me pietet të gjithë bashkë, ngjarjet e mëdha dhe të gëzojmë e festojmë me zemër datat e shënuara të historisë sonë.

Ndaj, ky përvjetor, përveç Urimit të sinqertë për Pavarësinë e Vendit, është edhe  një rast i veçantë krenarie për t’i nderuar, jo predikuesit antishqiptar si krasniqët, irfanët, ramiqët e ndonjë “iq” tjetër ,bashkëpunëtor e shpirtshitur të UDB-s, që kanë marrë kaq turr theqafjesh mbi çdo gjë kombëtare në Kosovën e lirë, por ata luftëtar e  heronj të merituar të kombit, pa të cilët ky vend dhe popull nuk do kish ç’të kujtonte as festonte sot as në të ardhmen,në këto troje,të vetëdijshëm se vetëm kështu ne mund të arrijmë bashkimin dhe urojmë e gëzojmë- përgjithmonë Pavarësinë!

Gani Qarri   Cyrih,17 shkurt 2014

 

Filed Under: Opinion Tagged With: dite feste, Gani Qarri, pavaresia, reflektimi

Të gjitha këngët i thamë,Por më të mirën e lamë

February 16, 2014 by dgreca

(Nëntë pyetje dhe nëntë përgjigje)/

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/Santa Barbara, Kaliforni/

  Në faqen e internetit albcameria të datës 15 shkurt 2014, ishte botuar një material me titull “Fronti Demokristian Shqiptar”. Materialin e botonte zoti Alban Daci. Materiali ishte botuar si intervistë apo autointervistë e zotërisë në fjalë, meqenëse nuk përmendej emri i  intervistuesit. Në këtë material, zotëria Alban Daci prezantohej si këshillëtar politik i këtij formacioni të ri politik. Kjo qenka një parti e re që qenka themeluar në Diasporë.

Të bën përshtypje fakti që zotëria Alban Daci ka qenë figurë me shumë peshë në formacionin politik “Aleanca Kuq e Zi”, të themeluar prej zotit Kreshnik Spahiu. Megjithëse zoti Kreshnik Spahiu, dikur, në një intervistë, dhënë gazetarit të mirënjohur Bashkim Hoxha, pati deklaruar se deri në festimin e 100-vjetorit të Pavarësisë, “Aleanca Kuq e Zi” do të kishte në radhët e veta 1 milion anëtarë, në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 rezultoi se e vërteta qëndronte ndryshe: ky formacion politik nuk arriti të fitonte dot as edhe një deputet të vetëm. Pra, rezultoi një flakë kashte.

Gjatë kohës që “Aleanca Kuq e Zi” vazhdonte aktivitetet e veta nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë para zgjedhjeve të 23 qershorit, jam njohur me mjaft shkrime dhe intervista të zotit Alban Daci, të cilat i kam vlerësuar për përmbajtjen e tyre. Dukej që zoti Alban ishte një figurë me një kapacitet të admirueshëm kulturor. Kryerja e studimeve të larta jashtë vendit kishte lënë gjurmë në formimin e tij si intelektual. Dihet që “Aleanca Kuq e Zi”, në themel të programit të vet kishte ribashkimin e trojeve etnike shqiptare në një shtet të vetëm kombëtar, duke nisur fillimisht me ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Pas zgjedhjeve të 23 qershorit, “Aleancës Kuq e Zi” i ra gjuha e këmborës dhe pothuajse nuk ndihet më për “e gjallë”. Në këto kushte, zotëria Alban Daci e paska braktisur dhe qenka përfshirë në një tjetër formacion politik, me qendër në Diasporë, në Frontin Demokristian Shqiptar.

Nga nëntë pyetjet e intervistës, dy prej tyre më bënë më shumë përshtypje, bashkë me përgjigjet që jep zotëria Alban Daci:

A është Fronti Demokristian Shqiptar një lëvizje politike lokaliste?

Përgjigje: “Fronti Demokristian Shqiptar duke qenë se në gjirinë e tij ka shumë shqiptarë nga Diaspora e duke poseduar një shtrirje që cek tre kontinente, është lëvizje politike kombëtare. Megjithatë, ajo është në koherencë me proceset e globalizimit. Kështu, misioni i Frontit Demokristian Shqiptar është të mbrojë e të nxjerrë në pah vlera lokale, të cilat për shkak të anarkisë sociale që po kalon vendi, shumë herë janë harruar e ndonjëherë janë edhe asimiluar”. 

Hajde ta kuptosh përgjigjen e zotërisë Alban Daci se Fronti Demokristian Shqiptar na qenka një lëvizje politike kombëtare, por na qenka edhe në koherencë me proceset e globalizimit! Çdo të thotë kjo përgjigje? Kjo, me sa duket, do të thotë: do të hyjmë në Evropë të globalizuar dhe s’është nevoja të mendohet për problemin më jetik që qëndron para kombit shqiptar: ribashkimin e trojeve etnike që Evropa na i copëtoi padrejtësisht në vitin 1913. Kur ishte në strukturat drejtuese të “Aleancës Kuq e Zi”, zotëria Alban Daci kishte përqafuar platformën kryesore të saj: ribashkimin e trojeve tona etnike, duke nisur nga ribashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Tani ky zotëri e paska kthyer pllakën dhe, si këshillëtar politik i Frontit Demokristian Shqiptar, fillon të propagandojë globalizimin, ashtu siç deklaron Tirana zyrtare, sipas së cilës ribashkimi i trojeve tona etnike do të bëhet në Bruksel! Idenë e globalizimit, zotëria Alban Daci e përforcon edhe më shumë në përgjigjen e pyetjes së mëposhtme:

Kush është pozicioni i Frontit Demokristian Shqiptar në raport me BE?

Përgjigje: “Fronti Demokristian Shqiptar ka të njëjtin qëndrim me atë që ka familja e madhe demokristiane europiane. Për Frontin Demokristian Shqiptar edhe nëse nuk do të ekzistonte BE, do ta kishim krijuar një të ngjashëm për të jetuar të bashkuar, në harmoni dhe për të menaxhuar më mirë e së bashku kontinentin tonë, ku ne si popull shqiptar kemi lënë ndoshta gjurmët e para si banorë të tij”. 

Vajmedet ç’na gjeti! Edhe sikur të mos ekzistonte Bashkimi Evropian, këtë do ta shpikte Fronti Demokristian Shqiptar, për hir të të ashtuquajturit globalizim! Domethënë, t’i largohemi sa më shumë ëndrrës shekullore të kombit shqiptar për ribashkimin e trojeve tona etnike dhe të shkrihemi në globalizimin evropian!

Nga nëntë pyetjet dhe nga nëntë përgjigjet e zotërisë Alban Daci, nuk preket absolutisht Çështja Kombëtare Shqiptare: ëndrra e ribashkimit të trojeve tona etnike.

Nga intervista e lartpërmendur, paçka se deklarohet që Fronti Demikristian Shqiptar qenka themeluar në Diasporë, nuk thuhet asgjë se kush janë nismëtarët e krijimit të tij, cila është qendra e këtij Fronti. Sepse vetvetiu lind pyetja: si qenka e mundur që këtyre nismëtarëve të thmelimit të Frontit në fjalë në Diasporë, nuk iu interesuaka absolutisht Çështja e Ribashkimit Kombëtar, ndërkohë që Diaspora Shqiptare, sidomos Diaspora Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka qenë dhe vazhdon të mbetet vatër e pashuar e Çështjes së Ribashkimit Kombëtar? Sipas këndvështrimit tim, Federata “Vatra” është ylli i karvanit i Diasporës Shqiptare, e cila ribashkimin e trojeve tona etnike e ka në themelin e veprimtarisë së vet patriotike. Prandaj e quaj të arsyeshme t’u përmend lexuesve të nderuar një fakt konkret për qëndrimin e Federatës “Vatra” ndaj Çështjes Kombëtare Shqiptare:

“Në intervistën për gazetën “Shqiptare” në mars 2012, kryetari i Vatrës Dr. Gjon Buçaj, interpreton mendimin: “Fjala nacionalizëm tek ne nuk ka kuptimin e ekstremizmit, por është sinonimi i shqiptarizmit të kulluar…Zgjidhja e çështjes çame dhe bashkimi kombëtar, janë dy fillime ende të paarritura!..” (Citohet sipas: Neki Babamusta. “Çamëria, problem ndërkombëtar që kërkon zgjidhje”. Gazeta “Dielli”. 14 shkurt 2014).

Nuk ishte e rastësishme fjala e Kryeministrit shqiptar, zotit Sali Berisha, i cili, pikërisht në kohën e duhur, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, në Shkup dhe në Vlorë, si edhe në disa qytete të tjera, dekalaroi botërisht për domosdoshmërinë e ribashkimit kombëtar, brenda kufijve natyralë të Shqipërisë Etnike.

Prandaj më vjen keq që Çështjen Kombëtare Shqiptare, Fronti Demokristian Shqiptar nuk e paska absolutisht në rendin e ditës. Ky fakt të bën të dyshosh se Fronti në fjalë duhet të jetë krijuar me frymëzime jashtëshqiptare. Këtë dyshim ma përforcon më shumë fakti që Vatikani, sipas faqes së internetit të zotit Feliks Taho të datës 29 tetor 2013, ka deklaruar botërisht: “Kosova, djepi i Kishës Ortodokse Serbe”.

Kjo deklaratë skandaloze, me të cilën mohohet një e vërtetë e shenjtë për historinë e kombit shqiptar, të bën të hamendësosh se miqtë e ngushtë të Serbisë në Vatikan, kanë vënë në lëvizje Selinë e Shenjtë për krijimin e Frontit Demokristian Shqiptar, i cili pretendon se përfaqësuaka Diasporën Shqiptare në kuadrin e këtij formacioni të ri politik.

Tani nuk është çudi që nesër, pasnesër, me frymëzime dhe nxitje jashtëshqiptare, të na dalin në skenë formacione të tjera politike, me emrin Fronti Ortodoks Shqipar, Fronti Mysliman Shqiptar, Fronti Protestant Shqiptar, Fronti Bektiashian Shqiptar e ku ta di unë se çfarë frontesh të tjera. S’ka asgjë për t’u çuditur. Nuk është hera e parë që armiqtë tanë tradicionalë, interesat kombëtare shqiptare janë munduar t’i varrosin me përçarjen ndërshqiptare edhe me duart e vetë shqiptarëve antishqiptarë.

Me sa duket, paria e Frontit Demokristian Shqiptar, e yshtur me drogë jashtëshqiptare, i paska mbushur mendjen vetes se, që të fitojnë dashurinë e Bashkimit Evropian, shqiptarët duhet të “demokristianizohen” dhe të “antinacionalizohen”. Ç’ka Bashkimi Evropian, problemet nacionale brenda vetes i ka zgjidhur me kohë e me vakt, kurse me kombin shqiptar sillet ndryshe: pasi e copëtoi në një mënyrë kriminale në vitin 1913, vazhdon të ngulë këmbë që tapitë e tokave shqiptare që ua dorëzoi sllavogrekëve, këta të mos i lëshojnë kurrë nga dora.

Prandaj, kur mbarova së lexuari intervistën e zotërisë Alban Daci për krijimin e Frontit Demokristian Shqiptar, menjëherë më erdhën ndër mend dy vargjet e para të një kënge të vjetër labe, me të cilët titullova këto shënime:

Shumë “këngë” përmëndi zotëri Alban Daci në intervistën e vet, por nuk përmendi atë “këngën” kryesore: Çështjen Kombëtare Shqiptare – ribashkimin e trojeve tona etnike në një shtet të vetëm kombëtar, me një stemë dhe me një flamur.

Santa Barbara, Kaliforni-15 shkurt 2014

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: por me te miren e lame, Prof. Dr. Eshref Ymeraj, te gjitha i thame

“Vizatimet me dritë”

February 16, 2014 by dgreca

 … të  dorës së Pikaso-s, apo të aparatit të Milit?!/

Nga Qerim VRIONI/ Michigan/
Dihet se vizatimi përbën gërmat e para të alfabetit “pikturë“, dhe njëkohësisht  shërben edhe si dëshmi në se dikush duhet t’i hyjë mësimit dhe lëvrimit të saj ose jo. Historikisht,  vizatimet e para, siç thonë  studiuesit, janë shenjat e pëllëmbës së dorës së njeriut të lyer me baltë e të vendosur mbi sipërfaqet e mureve të shpellës. Kjo bëhej për të shikuar se si riprodhohej dora, por ndoshta edhe fare rastësisht. Më pas, po në muret e shpellës, njeriu parak nisi të gërvishtëte, me gur më të fortë, më vonë edhe me qymyr druri, subjekte të ndryshëm si kafshë, armë primitive dhe  skena gjahu, duke realizuar vizatimet e para të njeriut. Disa prej këtyre vizatimeve dolën mjaft jetëgjata dhe  kanë mbërritur të paprishura edhe në ditët tona.  Nga Shqipëria, le të përmendim vizatimet e hershëme (petroglifet) në guvat e Trenit (Korçë), Mesaplikut (Vlorë) dhe të Rubikut (Mirditë).

Vizatimet e mëvonëshme, me mjete të përmirësuara dhe mbi sipërfaqe më të përshtatëshme, të realizuara nga njerëz me aftësi të veçanta dhe shkollim përkatës, do vinin sot nga largësitë e shekujve si të ishin bërë para fare pak kohe, duke na krijuar ndjesi estetike. Edhe në ditët e sotme vizatimi lëvrohet shumë, pavarësisht veglës ekzekutuese (qymyr ose karbon, laps ose grafit, penel, majë e mprehtë çeliku etj.) dhe sipërfaqes rrafshe ku bëhet (letër, dru, xham, plastikë, mur, kanavacë etj.) dhe, që përgjithësisht pasqyron një subjekt të caktuar.

Piktori spanjoll, Pablo Pikaso, aty nga fundi i viteve ’40,  kishte  arritur njohje e prestigj të madh në botë. Për këtë, përveç vlerave të spikatura estetike të punëve të tij, ndoshta e ndihmoi edhe një vizatim (litografi) i një pëllumbi të bardhë, që shërbeu si poster i Kongresit Botëror të Paqes që u mbajt në Paris në prill 1949. Më pas, ky pëllumb  u kthye nga lëvizje pacifiste  (sidomos në Europë) në simbol paqeje, duke e quajtur “pëllumbi i paqes”.  Në këtë kohë (1949), Gjon Mili, fotografi amerikan me origjinë dhe vendlindje shqiptare, i cili kishte mbi dhjetë vjet që punonte për revistën amerikane “LIFE”, kishte marrë detyrë të fotografonte artistë të shquar europianë. Fotografi këtë mision e priti me dëshirë të madhe, sepse  vet Mili do të shkruante me vonë se, “kisha kënaqësinë të punoja me disa nga artistët më të mëdhenj të shekullit”.  Kështu, objektivin e aparatit të tij e nëpërkaluan njeri pas tjetrit imazhet e piktorëve të njohur Raoul Dufy, Georges Braque, Henri Matisse, Giorgio de Chirico, violonçelistit të shquar Pablo Casals etj, për të mbetur  në histori edhe përmes këtyre fotoportreteve tradicionale.

Me Pikaso-n, fotografi kaloi nga një rrugë tjetër, të re dhe të guximëshme. Gjon Mili, fillimisht mendonte të realizonte me të disa fotoportrete klasike, siç kish bërë me të tjerët. Por jo. Fotot me piktorin nuk do ishin të zakonëshme. Më vonë, ato do zinin vend në shumë albume dhe libra fotografie në botë e do të quheshin “Vizatime me dritë“.

Në fotografinë botërore,  foto me pasqyrimin  e lëvizjes së një burimi drite hasen qysh prej fillimit të shekullit XX (1914), madje në vitet ’30, artisti amerikan i fotografisë Man Ray realizoi një seri fotosh të tilla me titull, “Space Writing” (Shkrimi i Hapësirës). Natyrisht edhe Mili mund të jetë ndikuar nga paraardhësit, por rëndësi ka fakti se përvojës së të tjerëve ai u ka veshur “stofin e vetë”. Historia e arteve është shkruar edhe nëpërmjet përdorimit të ndikimeve të të vjetërve nga të rinjtë në mënyrë krijuese.

Fotografia përgjithësisht përkufizohet edhe si “veprimi fiziko-kimik, që ndalon çastin”. Thënë edhe me pak fizikë, ajo përngrinë një pamje gjatë një ndërmjetësie kohore shumë të vogël, pjesë të sekondës, kurse fotot për të cilat flasim, ngurtësojnë pamjen në zhvillim e sipër, pra përgjatë një hapësire kohore prej disa sekondash. Me këtë teknikë, fotografia ndalon lëvizjen, veçse jo atë në përgjithësi, por të një burimi drite. Një status i ri ky, më i përparuar, i “dhomës së errët” dhe, në një farë mase, në kundërshtim me përcaktimin teorik tradicional të fotografisë. Kjo i ngjallte  kënaqësi, por dhe e nxiste për të arritur më shumë.

Para takimit të planifikuar me Pikaso-n, Gjon Mili, kaloi një mbrëmje në Paris me Javier Vilato, nip i piktorit. Biseda midis tyre i ndryshoi planin e tij të fotografimit të Pikaso-s: vetëm me mënyrën tradicionale. Mili, përmend në kujtimet e tij se nipi e kishte njohur me thënien e të ungjit se, “nëqoftëse do të vizatosh, duhet të mbyllësh sytë dhe të këndosh”. Duke dëgjuar këtë, imagjinata e fotografit do ketë shpejtuar e, pasi e ka kaluar dy-tri herë nëpër mendje, ka ndalur tek fjalët, “të mbyllësh sytë“, pra në terr. Fotografi kujton në shkrimet e tij se duke pasur në mendje piktorin, “unë vendosa, pse të mos vizatoi në errësirë, me një dritë në vend të lapsit ?”

Ka të ngjarë, që atë natë fotografi të mos ketë fjetur i qetë, dhe me të drejtë, do fotografonte një artist të shquar, madje me një mënyrë të re. Mbase dalëngadalë iu sendërtua ideja dhe iu krijua bindja se të nesërmen do realizonte diçka të re. Për këtë, ndër fotot që kishte marrë për t’ja treguar piktorit, përzgjodhi ato që kishte bërë disa vite më parë me një patinatore duke i vendosuar dritëza në patina. Në to ishte përngrirë lëvizja e patinave në akull dhe ajër, lëvizje e shënjuar në fotografi në vijat e ndërlikuara të dritëzave. Imagjinata e Milit, duke punuar vetëm për fotot e nesërme, gjeti lidhje ndërmjet vijave të patinave me ato që do bënte në ajër dora e Pikaso-s.

Fotografi e gjeti piktorin në një plazh të Francës jugore dhe sapo u përball me të, mendoi “qenka shumë i shkurtër”, siç shkruan në kujtimet e tij. Ndoshta dhe piktori nga ana e tij kur e ka parë mund të ketë  thënë me vete “sa i gjatë ky” për fotografin. Pas sekondave të shkëmbimit të “matjeve me sy”, Mili i propozoi t’i bënte një portret, por Pikaso me një shprehje të ftohtë të fytyrës i përgjigjet, “Ou, ec, ec, vazhdo”, kujton Mili në shkrimet e tij. Fotografi e përtypi ftohtësinë e Pikaso-s dhe me një farë këmbëngulje i tregon një nga fotot që i kishte bërë sportistes së akullit, marrë enkas për piktorin. Fotoja e tërhoqi piktorin që, menjëherë dhe pa e fshehur interesin, kërkon t’i shikojë të gjitha fotografitë. Fantazia dhe mjeshtëria e fotografit të shtrira në letrën e fotove, tretën si me magji dimrin e çasteve të para midis tyre, duke vënë në lëvizje temperamentin e tij të piktorit.  Madje, Mili shkruan se Pikaso,  “filloi të vizatonte në ajër vetëm me gishtin e tij disa vija intriguese”. Kaq mjaftoi, që fotografi nën peshën e minutave të para t’i propozoj të bënin vetëm një seancë 15 minutëshe, gjë që piktori e miratoi shpejt. Në të vërtetë u bënë pesë séanca dhe të gjitha më të gjata se nga 15 minuta. Gjatë tyre në u realizua dhe fotoja më e njohur, “Pikaso duke vizatuar me dritë“. Bashkëpunimi midis Pikaso-s dhe Milit, që filloi me këto foto  dhe në këtë plazh, krijoi më pas dhe miqësinë tyre të ngrohtë disavjeçare që është pasuar edhe nga një letërkëmbim i dendur midis tyre. Fatkeqësisht, letrat që piktori i dërgoi fotografit u shkrumbuan në zjarrin e vitit 1966 që  dogji studion fotografike të këtij në Rrugën 23, në Nju Jork.

Piktori Pikaso kishte vizatuar dhe herë të tjera në sipërfaqe  të ndryshme, si tabelën e zezë, në rërën e plazhit,  zhdukeshin me fshirje ose mbulim pas disa sekondash a minutash, kurse vizatimet me dritëzën në dorë sikur i përfytyronte me vështirësi. Të parat i mendonte dhe i shikonte, qoftë disa sekonda, por këto…. Po ashtu, atë e kishin fotografuar shumë të tjerë, por me një mënyrë të tillë ende nuk e kishte provuar. Këto vizatime humbisnin sapo krijoheshin, ose…treteshin gjatë ngjizjes së tyre! Atëherë si mund të fotografoheshin, kur nuk mbetej gjë fizike, aq më tepër që nuk shfaqeshin në ndonjë rrafsh të ngurtë? Ndoshta, kureshtja e artistit i dha durim  për të pritur përfundimin. Fotografi i gjatë, i hollë  me mustaqe të zeza e temperament kolerik, duhanpirës, i veshur pa kujdes të madh dhe që fliste një anglishte me theks, sikur e kishte hipnotizuar, aq sa mund të ngjit kjo fjalë tek piktori më i madh i shekullit XX.

Pa e zgjatur shumë, të dy u nisën për në  poçerinë e piktorit (në Vallauris), rregulluan një kthinë që mund të errësohej plotësisht  dhe pa u vonuar, filluan shkrepjet. Përfytyrojmë çka ndodhur teknikisht atë ditë vere të vitit 1949 në poçerinë Madoura të spanjollit në Vallauris të Francës jugore. Fotografi vendos aparatin me gjithë flash-n mbi trekëmbëshin prej druri, kuadron pamjen e zgjedhur dhe vendos kohën e mbajtjes së obturatorit tek shenja B, që tregon se ai qëndron hapur deri sa të mbahet shtypur butoni. Fillimisht në errësirë të plotë, piktori vizaton në ajër për disa sekonda me “penelin ndriçues” në dorën e djathtë, gjë që  përngrihet në film si vijë e ndritëshme dhe e ndërlikuar. Pjesa tjetër e kuadratit mbetet e zezë, por e virgjër, sepse ende nuk ka marrë dritë. Mandej, sapo mbaron vija e ndritëshme e piktorit,  pa lëvizur pozën, me obturator të hapur, fotografi shkrep flashin, që ndriçon të gjithë mjedisin bashkë me piktorin. Të dy imazhet bashkohen tanimë njeri me tjetrin, mbivendosen, duke  arritur në një kuadrat filmi shembëllimin e dëshiruar. Fotograf Mili, inxhinier ndriçimi me përvojë dhe imagjinatë, këto veprime i kryen pa vështirësi, por jo pa emocione. Gjithsesi, si rëndomë në fotografi, nuk mjaftohet me një shkrepje, po vazhdon sa sigurohet për arritjen e synimit.  Ngulmimi dhe natyra e gjallë e fotografit e kishte vënë piktorin e madh disi në rolin e nxënësit të bindur. Natyrisht, nga bashkëpunimi i dy krijuesve të tillë të shquar, s’do kishte veçse  fryte të rralla.

Si fillim, ishin disa vija të çrregullta të pakuptimta që realizoheshin nga një dritëz (si e patinatores) në dorën e djathtë të Pikaso-s. Mili prej vitesh kishte realizuar  foto të ngjajëshme, që nga ajo me dritëza në majat e skermave (1942),  tek patinat e sportistes (1945), ku gjurmat në letrën fotografike (fiziogramat) nuk paraqisnin diçka,  veçse ca vija me shumë lakime e përdredhje, që ende nuk mund quheshin “vizatime me dritë“.

Gjon Mili, përfytyroi shpejt se dritëza e vendosur në dorën e piktorit nuk duhej të bënte vija që s’përfaqësonin asgjë, por të vizatonte diçka që mund të lexohej e kuptohej nga shikuesi. Mbase ky,  i propozon artistit të mos bëjë vija kot së koti, por të vizatoj ndonjë gjë  konkrete. Piktori pranon, por,  nuk i shkon mendja të vizatonte “pëllumbin e paqes”, por diçka tjetër, një kafshë mitologjike, një egërsirë, centaurin (gjysëm burrë e gjysëm kalë), si të thuash të kundërtin e shpendit paqësor. Ndërkohë, i pari, pëllumbi, dukej në pankarta të mëdha, ballina revistash e gazetash, kartolina e pulla poste në mjaft vende të botës. Madje, këtë (centaurin), e paraqet jo duke qëndruar a ecur, por me këmbët e para në ajër, si të përgatitej për t’u përleshur me dike, veprimi simbolik i kafshës egërshane të mitologjisë. Çudi kjo përzgjedhje e piktorit, ose asfare çudi kur bëhet fjalë për Pikaso, i njohur për natyrën ekscentrike dhe trillet e tij të zakonëshme.

Fotoja e Pikaso-s duke vizatuar me dritë centaurin, u botua menjëherë në revistën “LIFE”, duke tërhequar vëmendjen e publikut. Gjithsesi, mendojmë se paraqitjen më dinjitoze fotoja bashkë me të tjera të serisë, e pati në ekspozitën fotografike “On Picasso” ( Pikaso) të hapur në MoMA (Muzeu i Arteve Moderne) të Nju Jorkut nga janari deri në mars të vitit 1952. Autorë të saj ishin Gjon Mili dhe miku i tij, fotografi me origjinë hungareze, Robert Capa, simboli i fotografisë së luftës për shekullin XX. Të dy e  kishin fotografuar mikun e përbashkët, Pikaso, në verën e vitit 1949. Fotoja u botua më vonë edhe me tituj të ndryshëm, deri sa mbriti tek “Pikaso duke vizatuar me dritë“, që shoqëron, thuajse sa herë botohet në albume ose shtyp. Ndonëse ishte një emërtim shumë afër të vërtetës, nuk dukej si diçiturë – pjellë fantazie të shëndoshë, sepse…vërtetë, a mund të vizatohet me dritë?! Në të vërtetë, fotografi tregoi se kjo mund të bëhej dhe e arriti këtë në mënyrën më të mirë të mundëshme.

Kështu, Mili ynë realizoi me një proces të ri fotografimi dhe fantazi të epërme vetjake fotot “vizatim me dritë“. Fotoja “Pikaso duke vizatuar me dritë“(1949), shërben në mjaft libra dhe revista të fotografisë si shembulli “ikonë“për këto lloj shkrepjesh. Madje, edhe shumë të tjera të kësaj serie, ku duket gjithmonë Pikaso që vizaton me “penelin ndriçues” në dorën e djathtë. Sot, në botë, këto lloj fotosh të Milit paraqiten dhe komentohen në shumë botime dhe artikuj revistash e gazetash të specializuara për fotografinë. Përmendim se një foto e tillë e Gjon Milit, me ekspozim trefish të figurës së piktorit, është pasqyruar në një botim përmbledhës të revistës amerikane “TIME” të para dy muajve, me titull “TIME” -A History of World—December 2013”. Ajo, është vendosur aty si simbol i kapitullit “Arts&Entertainers” (Arte dhe Artistë), ku përveç Pikaso-s, shkruhet edhe për Louis Armstrong, Marilyn Monroe, The Beatles, Frank Sinatra, Elisabet Taylor etj.

Nuk mund të thuhet se fotoja do dilte e tillë ose jo, po të vizatonte një piktor tjetër dhe të fotografonte një tjetër fotograf, fakti që fotoja ka këto vlera tregon se dyshja, Pikaso-Mili, rezultoi  mjaft e suksesëshme. Fantazia, thuajse hyjnore e Gjon Milit, bëri që këto vizatime të cilat humbisnin gjatë krijimit të tyre, të përjetësoheshin në letrën fotografike, për t’u shikuar sot mbas mbi  gjashtëdhjetë vjet  pas realizimit të tyre, dhe po ashtu të vazhdojnë të kundrohen e shijohen, deri sa të ketë njerëz që pëlqejnë fotografinë.

Në botime të ndryshme fotot e Milit, por edhe të të tjerëve që paraqesin lëvizjen e një burimi drite, quhen rëndom “vizatime me dritë“. Ndoshta nuk u takon të gjithave ky emërtim.Më saktë mbase do ishte që përveç atyre të Pikaso (mundet dhe të ndonjë piktori tjetër), të tjerat të quhen me termin shkencor “fiziograma”, që përbën pasqyrimin e lëvizjes mekanike të një burimi drite në errësirë. Madje, edhe fotot e Milit ku pasqyrohet lëvizja e harkut të violinës (me dritëz në maj) të instrumentistit të shquar, Jasha Heivetz (1952) mund të emërtohen fiziograma të violinës. Tjetër gjë kur lëvizjet e burimit të dritës bëhen nga  dora e piktorit, këto janë vizatime sepse paraqesin diçka me kuptim e subjekt, si njeri, send, kafshë etj, të cilat mund  të quhen  “vizatime me dritë“.

Kthehemi në fillim të shkrimit, tek përkufizimi i vizatimit, duket sikur ka një farë mospërputhje ndërmjet tij  dhe emërtimit të këtyre fotove të Milit. Kjo, sepse vijat e Pikaso-s krijohen në hapësirë tripërmasore, pra jo në sipërfaqe dy përmasore , aq më tepër rrafsh të drejtë. Sado aftësi të shpaloste piktori, nuk  mund t’i shënonte vijat mbi një sipërfaqe rrafshe (pra të bëj një vizatim), sepse nuk e ka lejuar përmasa e tretë, thellësia. Bash, këtë përmasë që shqetëson përkufizimin tonë, e shmang fotografia, e cila arrin ta tresi dhe, vijat e dorës së piktorit të shfaqen në një rrafsh të drejtë (letra fotografike) dhe ta meritojnë plotësisht  cilësimin “vizatim”, madje shoqëruar edhe nga vegla e veçantë, “me dritë“. Fotografia, dihet se një nga tiparet themelore ka zhdukjen e thellësisë së objekteve, pra të përmasës së tretë, dhe këtu qëndron merita e saj që vijat e piktorit në hapësirë të shikohen të shtrira përfundimisht dhe përgjithmonë në një sipërfaqe. Tek e fundit edhe në sajë të aftësisë përfytyruese të Gjon Milit.

Ndoshta nuk ka ndodhur më herët në historinë e arteve pamore që të ruhet një vepër e cila zhduket gjatë krijimit të saj si këto vizatime me dritë të Pikaso-s, të fotografuar nga Mili. Po ashtu, Pikaso është mbase i pari që ka vizatuar në hapësirë dhe jo në sipërfaqe rrafshe, dhe vizatimet të mbeten. Themi ndoshta, sepse para tij mund të kenë vizatuar edhe të tjerë, por të tijat kanë mbetur për t’u shikuar me kënaqësi, madje në një art tjetër pamor siç është fotografia.

Gjon Mili e kishte fotografuar dhe më parë lëvizjen me teknikën stroboskopike duke realizuar edhe foto të njohura si  “Nudo duke zbritur shkallët” (1942) dhe “Pas de Bourre”(1945), por në këto fotografi subjektet janë të copëzuara (fragmentarizuar). Për të arritur tek “vizatimet me dritë“ Milit i është dashur të mendoj, si të gjithë fotografët  me anën e përfytyrimit, një shqisë shtesë, në mund ta quajmë kështu, që u bëhet atyre organike gjatë krijimtarisë artistike.

Mili e fotografoi rishtas Pikaso-n,  me këtë teknikë, edhe pas 18 vitesh (1967). Edhe këto foto, përgjithësisht kishin piktorin në qendër të tyre, por në disa syresh duken vetëm imazhe kafshësh, vazo lulesh, germa kapitale, madje dhe nënshkrimi i tij. Në këto të dytat, fotografi e ka lënë në terr piktorin, pra ka kryer vetëm pjesën e parë të procesit të fotografimit. Vizita e dytë dhe fotot e realizuar në të, ishin siç thotë vet Mili, “shkaku i botimit të përmbledhjes së tyre në një album”. Kështu, në vitin 1970, ai botoi  albumin me titull “Picasso’s third dimension” (Përmasa e tretë e Pikaso-s), që më pas u botua dhe në frengjisht. Në të, përveç fotove “vizatim me dritë”, fotografi ka paraqitur edhe imazhe të punimeve artistike të piktorit të madh në qeramikë e materiale të tjera të forta. Mili, i shoqëron shpesh fotografitë e albumit  edhe me komente, që flasin për nivelin e mirë estetik të tij.

Kjo përmbledhje, do pasohej 10 vjet më vonë me botimin prej “New York Graphic Society” (Shoqata  Grafike e Nju Jorkut) të albumit-monografi “Gjon Mili—Photographs&Recollections” (Gjon Mili-Fotografi dhe Kujtime). Vetë fotografi, përveç fotove të zgjedhura, ofron të dhëna për jetën dhe krijimtarinë e tij, pra ka edhe karakter jetëshkrimor, por të trajtuar me sensin e një letrari të aftë.

“Vizatimet me dritë“ janë të ngjajshme me skicat e shpejta me laps që praktikojnë rëndomë piktorët, veçse këto të fotografuara nga Gjon Mili, kanë dalë nga mendja dhe dora e Pablo Pikaso-s, më të madhit piktor të shekullit XX.

Sot në botë janë përhapur mjaft fotografitë “vizatim me dritë“, me teknika e mënyra të shumta e të ndryshme. Por, gjithsesi, ende nuk është realizuar ndonjë foto që të ketë popullaritet  të përafërt me atë të “Pikaso duke vizatuar me dritë“(1949) të fotografit amerikan me origjinë shqiptare, Gjon Mili, i cili u nda nga kjo jetë më 15 shkurt 1984, plotë 30 vjet më parë.

Michigan, ShBA,  janar 2014

Filed Under: Kulture Tagged With: apo te aparatit te Gjon milit, Qerim Vrioni, Qerime ne drite, te dores se Pakaso-s

NË QYTETIN E AUCKLANDIT, ZELANDE E RE, U SHËNUA DITA E PAVARËSISË

February 16, 2014 by dgreca

Si gjithandej botës edhe këtu në Zelandën e Re shqiptaro-zelandezët kremtuan Ditën e Pavarësisë. Shqiptarët me ketë rast u mblodhën në parkun e bukur të qytetit në drekë të përbashkët që nga ora 11:00 e ditës. Shtruan tryezën me pije, fruta e gatime tradicionale tona dhe ashtu  së bashku kokë më kokë përgëzuan njëri tjetrin për festën, folën për hallet e jetës, vendlindjen qeshën e u kënaqën deri në orët e vona të ditës. Silva Tërnava dhe Ilir Hoxha krijuan e ngjallën atmosferë emocionuese tek të pranishmit duke recituar poezitë e tyre. Duhet përmendur këtu edhe Osman Lleshin, që tamam si artist estrade për disa minuta me humor nga Gjakova i argëtoi manifestuesit.

Sabit Abdyli, Auckland, 16 shkurt 2014

Filed Under: Komunitet Tagged With: fesrohet 6 vjetori, ne Auckland, pavaresise se Kosoves, Sabit Abdyl

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4858
  • 4859
  • 4860
  • 4861
  • 4862
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT