• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

E vërteta dhe riëndërrimi i së shkuarës…..

February 7, 2014 by dgreca

Mendime rreth vëllimit poetik  “ Fundi, i një fëmijërie tjetër”, i poetit dhe publicistit Prec ZOGAJ/

Shkruan: Raimonda MOISIU/

Poetët përtej gjithë aftësisë, pasionit e talentit të tyre,  brenda lëkurës poetike, nënkuptojnë  rrjedhat dhe   tendencat e mendimit filozofik, që i japin formë psikikes  e shpirtit artistik,  nga e cila rrjedhin fjalët e shkruhen vargjet. Poeti dhe publicisti Prec Zogaj, në vëllimin poetik “Fundi, i një fëmijërie tjetër”, i sapo botuar nga shtëpia botuese Tirana & Times, – ka demonstruar një përsosmëri të rrallë filozofike dhe ndjeshmëri  artistike, ka ndërtuar urën emocionale dhe intelektuale ndërmjet “ së vërtetës” dhe “riëndërrimit të së shkuarës”. Pasioni dhe intimiteti i identitetit poetik, vjen jo vetëm  nga  trashëgimia e traditës poetike e vëndlindjes së tij,  -Lezha- e njohur si”vendlindja e poezisë” që ka prodhuar poetë si Gjergj Fishta, Ndoc Gjetja, Mark Simoni, Rudolf Marku, Agim Isaku, Pjetër Jaku, Elinda Marku, Shpresa Rama,etj.,  por edhe nga përvojat jetësore e njerëzit që e rrethojnë, ura e harmonisë me ta e natyrën, me të mirat e të metat e shoqërisë, dhimbjen e dashuritë e saj. Në këtë vëllim, autori Zogaj me dritën poetike ka penetruar ndjeshëm në kontrastet shoqërore, mes mendimit të pakufi të filozofisë së autorit dhe pikëpamjes së gamës së problemeve, konseguencave, evolimit të tyre, mes  formimit shumëdimensional e pasurimit ideor, meditimit e dinamizmit, forcës sociale dhe ngarkesës emocionale, duke përfshirë edhe  vecantitë e personalitetit të tij,si pjesë e së tërës,-universit njerëzor e shpirtëror dhe dukurive të tyre psikollogjike,  besimi në të vërtetën e sfidës për mbijetesë-riëndërrimin e dashurisë për jetën e me jetën.

Vëllimi poetik, “Fundi, i një fëmijërie tjetër”- nuk është i ndarë në cikle dhe “ngjan”  si një poemë e tërë. Autori Prec ZOGAJ për nga forma e poezive është unik me stilin e tij të zakontë në të pazakonëshmen, dhe i konsideron natyrën e njeriun thelbësore, i gëzohet reales, të dukëshmes e të padukshmes,  emocionit të castit, duke i dhënë frymë poetike – ekzistencës njerëzore. Kemi poezi të llojit ritmik me rimë e kadencë, me lirizëm të hollë dhe realizëm të spikatur,tharmin e tyre realist e modern, ku ka dashuri, mall, brengë, ndjenjë e ngrohtësi, brishtësi, ironi e sarkazëm, i vetëdijshëm e i guximshëm, poezi me ton historik, patriotik, qytetar, social, intelektual  dhe kombëtar, sepse i tillë është dhe vetë personaliteti i autorit.

Vëllimi fillon me poezinë  e titulluar; “Me një lëmsh në grykë/po shkon dhe kjo verë” (f.3). Duke ndjekur nga afër fabulën e kësaj poezie, poeti është në përpjekje për të  eksploruar vetëdijen njerëzore dhe hiperbolizon gjëndjen e brendëshme shpirtërore.

“Flatra pas flatrash era e Shëngjinit/ gjethe më gjethe ngrihet/valë me valë./C’u bënë gjithë ata diej?/Kaluan, kaluan…/C’u bë gjithë ajo kredhje, ai kthim verbues/I prehjes e endjes në zanafillë?

Poeti Prec Zogaj  me delikatesë ka fituar epërsinë harmonike dhe metafiziken  e  natyrës dhe humanes në pemën e jetës, të përjetuar mes vargjesh me vizionin meditativ, baladës, filozofik, artistik e njerëzor,  ka krijuar negotacionin delikat në kufijtë e ëndrrës, riëndrrës  e shpresës. Me një incident  “dramatik të natyrës” dhe të mahnitëshmen – nga flatra pas flatrash, diejt dhe  valë më valë,- poeti demonstron  idetë nëpërmjet tingujve lirikë dhe të artit, me natyrën e vërtetë të dashurisë, filozofisë për jetën dhe vazhdimësisë së saj.

Përsa i përket vargut “gjallë e esëll në këto brigje”, poeti na jep  një periudhë të caktuar kohore dhe në të njëjtën kohë  dallimin fillestar; “Bota trembet të dëgjojë kumte”- midis një të kaluare të idealizuar,–“sa e vjetër është,/sa të lashtë jemi.”. Idealizimi i së kaluarës i ka shërbyer poetit për të sfiduar, “ sa të  lashtë jemi”-si një periudhë idilike, heroike,  peisazhit dhe figuracionit poetik, – poeti u këndon edhe detajeve; “gjallë e esëll në këto brigje”, pra “ne-(të lashtët)” ende frymojmë, punojmë, jemi gjallë  për të kryer vepra –vargje këto që i këndojnë ndjenjës më të bukur  misionit të gjallimit të jetës–-përpjekje kjo e autorit për të provuar se të gjallët rritin e mëkojnë dashurinë-ardhmërinë.

Me pas poeti kombinon shpirtin e lirë të një vajze,  heroine lirike  që “Me sy nga deti një vajzë e re/shkrehet në vaj./Kush vallë e di hallin e saj?/Me një lëmsh në grykë po shkon kjo verë?-Ky version  në fund të poezisë është i dallueshëm nga vargjet e tjera edhe pse në të ka momente melankolie të ndjeshme, sozia e një shpirti që vajton.. Meditacioni i poetit  është sa i zakonëshme në të pazakonshmen, një koncept mistik e besnik, që të fal emocionin poetik. Poeti na ka dhënë një figurë romantike dhe  komplekse –vajzën me brengë e dhimbje, me vajin dhe lotët e saj, mendimet,  maturinë, pastërtinë e shpirtit, paqja shpirtërore dhe pafajsia e saj, që “tingëllojnë”  pikëllimin e saj,  si në sinfonitë e Bethovenit. Ajo e kërkon me sytë nga deti, dashurinë e humbur ndoshta, blasfemon në emër të instiktit njerëzor, apo pengun, brengën, mallin dhimbjen e jetës, pasionit shpirtëror, në emër të asaj, dhimbjes së bukur që quhet -dashuri. Lirizmi i këtyre vargjeve bëhet botëkuptimi i kësaj poezi, që  të mrekullon sado njeri i zakonshëm të jesh.  Ky është botëkuptimi i poetit, ku nocionet e figurat letrare ruajnë identitetin krijues të tij. Autori Prec Zogaj e ka kthyer Shëngjinin në një Itakë, -me flatrat e erës, valët e detit, të lashtët e të tashmit, vajzën me sytë nga deti, diejt që kanë kaluar nëpër erërat e kohës nëpër të-autori vargëzon të vërtetën, irealen, mistiken e dashurisë njerëzore, duke na dëshmuar kështu pavdekësinë e saj. Jo pa qëllim, Zogaj e fillon vëllimin me këtë poezi, sepse ai e di shumë mirë që asnjë historian nuk mund të tregojë historinë aq shkurt e modestisht,  sa e  rrëfejnë poetët me  poezitë e tyre.

“Vdekja është e ardhmja ime”(f.11)-poezi e bukur, një  klithmë e butë për imazhin e hirtë të vdekjes, vargje që   tronditin mendërisht e shpirtërisht për dhëmbshurinë njerëzore;

“Atëhere kur gjithë të dashurit, të dashurat/në cift thjeshtohen dhe mbetet/vetëm plaga e madhe -/fletë zambaku hapur në zemër/fije të holla  lidhur në eshtra.”

Poeti Zogaj  mundohet të përshtatet me rrethanat e reja, mënyra e vetme kjo për t’u  ngushëlluar, biseduar me vende dhe njerëzit e dashur, na flet për ata që ikën nga kjo botë dhe të vdekurit  që kurrë nuk do mund t’i shohë  e takojë përsëri.Ai nuk dëshiron kurrsesi t’i harrojë të dashurit, -dhe në fund poeti ju thotë “plaga hyjnore që zëvendëson plumbin në rrugën/ drejt fundit…./Vdekja është e ardhmja ime.”

Vargje këto që  autori me mjeshtëri artistike e filozofike, maturinë dhe urtësinë hyjnore të shpirtit, hyjnizon  “kremten” e gamës së emocioneve me brishtësinë dhe intensitetin e tyre, i konverton të vdekurit në heronj mistikë paëndrra, në shenjë zie kjo  e ngushëllimi për ta dhe vazhdimësinë e jetës. Zogaj rrëfen  të fshehtën e pazbuluar, mistiken e irealen, se cdo gjë që lind e rilind, edhe atë ëndrrën e rrëmben vdekja, -kjo është pavdekësia, se një ditë edhe unë do të vij pranë jush. Te poezia “Vdekja ka frikë të më godasë” (f.110), poeti Zogaj dëshmon psikiken e botës së brendëshme të  ekzistenvcës njerëzore, që ka qenë dicka, por normale. Në përpjekjen e tij  për t’u përballur me të kaluarën nga vdekjet dhe humbjet, poeti vazhdon të jetojë, të shkruajë kujtimet, ëndrrën, shpresën dhe riëndërrimin e tyre. Poeti idealizon të kaluarën për të sfiduar atë si një periudhë idilike e heroike, si një përpjekje për të provuar dashurinë e tyre dhe të tijën,;”Perëndesha ime mbrojtëse/është maturia ime./Vdekja ndoshta e di këtë/Prandaj më ka caktuar/Një fund të butë, të ëmbël/Në gjumin e pleqërisë së thellë/Ku të më marrë si një insekt/Me një lugë të vogël/Dhe të më hedhë matanë/Pa shpenzuar asgjë vec pritjes/ Që gjithashtu nuk i kushton asgjë/ të pavdekshmes vdekje.”

“Shkëndija e dashurisë” –është një poezi me melodi e muzikalitet të ëmbël e të ngrohtë, dashuria reale e mitike regëtin brenda shpirtit njerëzor. Dashuria është si vala e detit dhe trupi një anije që lundron në brishtësinë e këtij emocioni  të fuqishëm: Ku shkrep shkëndija e dashurisë/prej sysh që s’mund të fshehin asgjë, /Afërdita shënon shenjën e një tempulli,/Mbresa shpall vendin e shenjtë/në jetë të jetëve.”

Dashuria në këtë poezi nuk është përfaqësuar si një ndjenjë rigoroze e perceptimeve të jashtëme apo të cekët të bukurisë, ajo shënon shenjën e tempullit të dashurisë në kuptimin më të sinqertë e të pastër të njerëzores e shpirtërores, ashtu sikundër e shpreh edhe vetë poeti “Vetëm dashuria është botë tjetër”(f.6)-poezia “Në qytetin e dashurisë”. Në këtë poezi Zogaj ka përdorur imazhe specifike, të freskëta dhe formulimi i tyre artistik, gjetjen e fjalëve të duhura brenda konteksit  të tyre artistik, psikik  e filozofik, që  lexuesi të kuptojë metamorfozën  e forcës së dashurisë, në kohë e hapësirë, nga e dukëshmja në të padukshmen, -nga fundi, i një fëmijërie tjetër.

“Urat janë plot me vajza/S’më besohet se pikërisht këtu ka dhënë shfaqjen e saj magjia:/ Ne duke ikur,/në drejtime të kundërta,/padalë kurrë prej vështrimit,/kurrë prej mallit/kurrë prej dëshirës.”

-Poezia jep dhimbje e mall, dëshirë e pasion,të prekëshmen, bujarinë, urtësinë, maturinë, dashurinë e pafundësinë e një realiteti në një realitet të interpretuar- në një kuptim të ri simbolik; metafora e simbolit të dashurisë  njerëzore.

“Kthehem./Dielli vizion me vizë të zjarrtë/kufijtë e thyer të atdheut/sic janë në hartë/Pres, pres, pres të zbres/(f.97)-poezia “Vajtje-ardhje”.

Subjekti poetik këtu shëndrrohet në vargje medituese e vajtuese, vlerat e vërteta që na rrethojnë, për fatin e atdheut e të shoqërisë, me forcën e inteligjencës e sociales. Trajtimin e kohës, Zogaj e vë në funksion,  të na  pohojë të vërtetën e kujtimeve dhe riëndërrimin e të shkuarës, ndërsa trajtimi  i hapësirës të na pohojë jetësën e lidhjes humane e materiale brenda realitetit e  identifikimit të këtij realiteti.

“Duke u pëballur trimërisht, njerëzisht/me vështrimin e butë të vajzës tënde-/Asgjë, asgjë, asgjë s’ka ndodhur!/Katastrofa, një zgjim trëndafilash/si vullkan po ngrihet nga brenda./Me dashtë duke qarë/pa lot e pa fjalë. (f.135).

Fjalët; trimërisht, njerëzisht, vajza e butësia e brishtë e saj, katastrofa, vullkani, trëndafilat shprehin metaforikisht subjektin baladesk të këtyre vargjeve, kuptmin e tyre, ndërsa  loti pastron shpirtin e vemtuar apo të braktisur, loti del nga dhimbja e trishimi, gëzimi e lumturia e shpirtit njerëzor, është inspirim e forcë poetike. Vëllimi poetik “Fundi, i një fëmijërie tjetër përmban poezi për natyrën, njerëzit, pafundësi ndjenjash e perceptimesh, ankth e frikë, nderim e përcmim, nostalgji e mall, vlerë e antivlerë, groteske dhe shpresë, ndjenja që zbulojnë mirësinë, mirëqënjen e plagët e shoqërisë.Vëllimi  përmban vargje lirike për vendlindjen, mërgimin, dashurinë e dhimbjen, balada dhe monologun e shpirtit njerëzor. Prec  Zogaj është shëmbulli i qytetarisë dhe inteligjencës me principe thellësisht demokratike; Poet, Publicist dhe Politikan. E gjithë filozofia e mjeshtërisë poetike të tij është kuptimi metaforik, emocional e njerëzor i një fëmijërie të pafund- i vazhdimësisë së jetës,–përceptime e ndjesi këto që rrëfejnë të vërtetën dhe riëndërrojnë të shkuarën e dhimbjes më të bukur –dashurisë njerëzore.

Filed Under: Kulture Tagged With: fundi i nje femijerie tjeter, Prec Zogaj, Raimonda Moisiu

Ju izraelitë e palestinez, merrni shënime nga Kosova…

February 7, 2014 by dgreca

Kolumnisti i mirënjohur i gazetës numër një në botë, Roger Cohen, në një kolumne të tij që do të botohet nesër në ketë gazetë, në mes tjerash, i fton arabet dhe jahuditë që të ndjekin shembullin e shqiptarëve dhe serbëve. Ndoshta ky shkrim është vula për cmimin Nobel për paqe?/

Nga Roger Cohen/ New York Times/

Gazetari është një i huaj që lëvizë në drejtim të kundërt me masat, drejt rrezikut. Pse, pyesin ata, ti po shkon përtej vijave? Pse ti po e kërkon një këso vetmie? Në kërkim të një kuptimi korrekt, ti thua, e ata e shkundin kokën. Nuk ka nevojë asgjë për t’u kuptuar, ata insistojnë, vetëm raportoje të vërtetën!

Por te vërtetat janë shumë dhe ky është një problem. Kujtesa është e pabesë. Cdo luftë zhvillohet bazuar në kujtesë. Nacionalizmi i dhunshëm është një kujtesë e ringjallur e manipuluar si një e vërtetë e sapozbuluar.

Konflikti inkubohet hë të “vërtetat” e kontestuara që nami lë trashegim e kaluara. Pyetjet sillet: Kush erdhi i parë në ketë toke, kush i mbolli këta ullinjë mijëravjecar, kush e vrau kënd i pari, nëse xhamia apo kisha daton e para, dhe cka me sinagogën që mund t’u ketë paraprirë të dyjave.

Identitetet krijohen copë pas cope. Cdo pikë e derdhur e gjakut, cdo copë e granatës në mur, është i shënuar në Librin e Mosfaljes. Në Balkan dhe Lindje të Mesme ngjarjet e të kaluarës mijëravjecare mund të duken aq të freskëta sikur të kishin ndodhur dje. Armiqtë serb e kosovar, arab e jahudi, mund të kërkojnë që kujtesa, sikurse fitili për bomben, te farkohet për një ekslodim maksimal. Mirëbesimit nuk rezistojnë dot më shumë se sa një ombrellë e lirë në një stuhi.

Unë për herë të parë u takova ballë për ballë me fuqinë e mitit për të gjeneruar lufëra në Ballkan, në Fushë Kosovë, në “Fushën e Mëllenjave”, ku serbët ishin mundur prej turqve otoman në vitin 1389. Prej asaj kohe, kjo betejë, është shndërruar në një lajtmotiv për nacionalizmin serb, një humbje që u shndërrua në simbol te heroizmit serb dhe te sakrificave të pashoqe.

Këtu, para nja 25 vitesh, në kohën kur Lufta e Ftohtë po plasaritej, lideri nacionalist serb Sllobodan Milloshevic, deklaroi: “Tash e gjashtë shekuj, heroizmi i Kosovës e ka inspiruar kreativitetin tonë, e ka ushqyer krenarinë tonë, një ndër të paktet që në humbje qëndruam të pamposhtur. Gjashtë shekuj me vonë, sot, ne jemi në një betejë”.

Pjesa tjetër tash është histori: dekada me luftëra, cthurje të Jugosllagosë; pastrime etnike te muslimanëve të Bosnjës përmes kampeve te përqëndrimit; më shumë se 100 mijë të vrarë; Sarajeva e Srebrenica; intervenimi i NATO’së në Kosovë; dhe dalja në skenën europiane e disa shteteve të reja të pavarura, e fundit prej tyre Kosova në vitin 2008. Për Serbinë, adrenalina e egër nacionaliste u kthye në humbje të dhimbshme, asnjë më e rëndë se sa ajo e Kosovës, popullata e të cilës është shumicë shqiptare në territorin e të cilës ndodhen shumë vende të shenjta për serbët.

Dhe, pas gjithë kësaj, unë u desht ti fshija sytë kur në Konferencën për Siguri në Mynih, pamja më e jashtëzakonshme ishte ajo e Kryemintrit serb, Ivica Dacic, dhe Hashim Thacit, Kryeministër i Kosovës, të ulur së bashku në të njëjtin panel, plot buzëqeshje, duke folur se si ata i kanë tejkaluar problemet, sipas fjalëve të Thacit: “vështirësia e vetme më e madhja ishte që ta lironim vetën prej të kaluarës”.

Ju izraelitë e palestinez, merrni shënime.

Në mes te dy liderëve po qëndronte Catherine Ashton, shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Europian dhe dilpmatja më e paçmuar në botë. Ndërmjetësimi i saj i suksseshëm në bisedimet serbo – kosovare që filluan në vitin 2011 dhe kontributi i saj për arritjen e një marrëveshje për Iranin shënojnë dy arritje të jashtëzakonshme. Në Ballkan “faktori tërheqës” i Bashkimit Europian – atraksioni magnetik për popujt që kërkojnë stabilitet dhe liri – edhe njëherë ka dhënë sukses. Serbia dhe Kosova u desht që ti zgjidhin mospajtimet për të pasur mundësinë për tu inkuadruar në BE, dhe kështu ata janë në rrugë të mire. Kështu që Bashkimi Europian malicioz është akoma një maqinë paqëbërëse.

Normalizimi nuk ishte i lehte. Dacici ka lindur në Kosovë. Ndjenjat e popullit të tij për kështjellën e civilizimit të tyre janë të larta. Ai e tha troç: Serbia beson që Kosova është pjesë e saj. Kosova nuk beson. Kosova përbëhet prej 90 për qind të shqiptarëve. Ekonomia e Serbisë është stërkequr. “Kush mund të ndjekë politika të tilla? Varet prej nesh nëse dëshirojmë që të lëvizim përpara ose të ngelim peng të së kaluarës”.

Serbët dhe kosovarët kanë vendosur. Ata janë pajtuar për një shkallë të autonomisë për dhjetëra mijëra serbë që jetojnë në veri të vendit. Ata janë të hapur për tregti. Ata kanë mbajtur zgjedhje të lira. Ata i kanë prerë dallimet e jashtëzakonshme që i kishin. Ata e vendosen vetën në rrugë për në Bashkim Europian.

Above all they set aside the potent symbolism of The Field of Blackbirds in favor of progress, discarded myth to discover commerce, and reasoned their ëay out of the prison of passionate certainties and revealed “truth.”

Para së gjithash ata e kanë shmangur simbolin e fuqishë, të Fushës së Mëllenjave në favor të progrsit, e përjashtuan mitin e përqafuan tregtinë, dhe i thirrën arsyes për të mos mbetur të burgosur të pasionuar të rizbulimit të “vërtetës”.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Ashton, Dacic, New York Times, Thaci

“KENI QENË DHE MBETENI YLLI I PASHUAR E DRITËPLOTË I KËNGËS DHE ARTIT SHQIPTAR”

February 7, 2014 by dgreca

-Nderim për zërin himn dhe ujëvarë mali, të Vaçe Zelës-/

Nga Murat Gecaj/

1.

Ndjesi trishtimi e hidhërimi përjetuam të gjithë këto ditë, kur morëm vesh lajmin e ndarjes përgjithnjë nga jeta të këngëtares së shquar dhe të paharruar, Vaçe Zela, nderuar me titujt me të lartë, “Artiste e Popullit” dhe “Nderi i Kombit”. Është e natyrshme për secilin, që e ka njohur, tani të risjellë në kujtesë mbresat e takimeve me të.Me detyrën e gazetarit, në shtypin e kohës, kam patur kënaqësinë dhe nderin ta njoh e ta takoj edhe unë këngëtaren lushnjare, por që shpejt u bë e tërë Shqipërisë e Kombit tonë, Vaçe Zelën. Natyrshëm, kur një njeri ndahet nga jeta, fliten e shprehen fjalë të mira për të. Por, në rastin konkret, nuk mjaftojnë fjalët e Fjalorit të Shqipes, për të evidentuar cilësitë e larta morale e njerëzore të Vaçes sonë, si: dashmirësinë e zemërgjerësinë, thjeshtësinë e sinqeritetin, karakterin e fortë dhe shpirtin e butë njerëzor, zemrën e madhe të saj, pa përmendur këtu talentin brilant të zërit të saj, që ia dhuroi Zoti e diti ta shfaqë, me aq profesionalizëm, në skenat shqiptare, por dhe në ato jashtë Atdheut.

E kam ndjekur shpesh atë në koncertet e ndryshme, me kitaren në dorë, që nga ato në sallat e ndryshme dhe deri te festivalet në RTSH-së. E, kurdoherë, kam ndjerë se sa i bukur ishte zëri i saj, him dhe ujëvarë mali, i cili jehonte fuqishëm në këngët për Shqipërinë dhe në ato me tematikë familjare ose shoqërore etj. Ashtu si të gjithë dëgjuesit e shikuesit tjerë, jam emocionuar pa masë, kur ajo këndoi me zërin e saj aq melodioz, këngën “Fëmija i parë”, ndjekur pastaj nga këngët me theks të dallueshëm atdhetar, “Gonxhe në pemën e lirisë”, “Nëno, moj, do pres gërshetin”, “Shoqet tona ilegale”, “Valsi i lumturisë” etj.etj.

2.

Rasti e ka sjellë që i kam vizituar disa herë trojet shqiptare të Ballkanit, si Shkupin, Preshevën, Prishtinën e Ulqinin. Kudo emri i nderuar i Vaçe Zelës ishte i pranishëm dhe  shumë i respektuar. Në një udhëtim, me disa kolegë të Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare, më qendër në Tiranë, bashkë me poetët e shkrimtarët Zyba Hysa, Namik Selmani e Shefqete Goslaci, bëmë një vizitë në shtëpinë e këngëtares së madhe kosovare, Naxhmije Pagarusha. Gjatë bisedës sonë, ajo na foli me dashuri për Vaçe Zelën dhe, siç thotë populli, e “ngriti në qiell”, për cilësitë njerëzore të saj dhe talentin e rrallë të këngëtares. Pas atij udhëtimi, kam botuar një libër modest, me shënime e përshtypje. Duke u ndalur në takimin e mësipërm me Pagarushën, aty kam nënvizuar këto radhë domethënëse: ”…Por i trgoj edhe se, para disa ditësh, “Artistja e Popullit” Vaçe Zela kishte ditëlindjen, që e festoi atje në Zvicër. Për këtë arsye, me ndërmjetësinë e mikut tim në Gjenevë, Alfred Papuçiu, i dërgova asaj një mesazh përshëndetjeje dhe urimi. Nexhmija më dëgjon me vëmendje për këto, që i flas dhe thotë se Vaçja është këngëtare e madhe dhe se është e udhës që  kurrë të mos harrohen këngëtarët as artistët, të cilët me zërin dhe shpirtin e tyre iu përkushtuan Atdheut tonë të përbashkët”(“Rrahin zemrat arbërore”, Tiranë, 2011, faqe 57).

3.

Duke patur njohuri për gjendjen e rënduar shëndetësore të Vaçes, por dhe me respektin e pashkëputur për të, në pranverën e vitit 2011, pra afër 3 vjet më parë, shkëmbeva mesazhe me kolegun e mikun tim, Alfred Papuçiu, me banim familjarisht në Gjenevë. Siç e përmenda më lart, në atë kohë,  Vaçja kishte përvejtorin e lindjes dhe, meqenëse e dija se ai mbante lidhje familjare me të dhe unë nuk e kisha e-mailin, iu luta që t’ia dërgonte asaj një urim timin. Tani, kërkoj mirëkuptimin e lexuesve, që po e publikoj, për herë të parë, mesazhin tim, dërguar këngëtares sonë të madhe, Vaçe Zela, e cila jetonte familajrisht në Bazel të Zvicrës. Pra, ja teksti i plotë i përshëndetjes sime:

“VAÇE ZELËS: MESAZH  NDERIMI E URIMI, NË 72-VJETEORIN E DITËLINDJES

E nderuara dhe e respektuara Znj. VAÇE ZELA,
Njeriu i mirë, Artiste e Madhe e atdhetare e shquar,
“Artiste e Popullit” dhe “Nderi i Kombit” – ZVICËR
Ju përshendes nga zemra dhe ju uroj gjitha të mirat e kësaj bote, në 72-vjetorin
e ditëlindjes suaj!
Ashtu siç e keni shprehur dhe ju shpresën e zjarrtë, për ta parë edhe një herë Shqipërinë, vendlindjen tuaj te dashur, dhe unë kam dëshirën e madhe që kjo ëndërr e bukur t’u realizohet sa me shpejt dhe ju të ndodheni përsëri ndërmjet artdashësve të panumert dhe popullit tuaj, që aq shumë ju do dhe ju respekton.

 
Që në vitet e rinisë sime, ashtu si për intelektualët e tjerë dhe mijëra e mijëra shqiptarë, ju mbaj mend e ju kujtoj, se keni qenë dhe mbeteni Ylli i pashuar dhe dritëplotë i këngës dhe artit shqiptar.
Jam i bindur se zëri dhe shpirti juaj i ndjeshëm, është prekur aq shume gjatë jetës, sa dhe ua ka kufizuar, sadopak në vitet e fundit, gjendjen tuaj shendetësore. Por jam i sigurtë, se ju keni qenë dhe jeni një Shqiponjë, gjithnjë në fluturim dhe e paepur, pra do t’i mposhtni me guxim, si deri tani, të gjitha kufizimet e moshës e të sëmundjes dhe keni për të mbetur përherë e re, në mendjet dhe zemrat e të gjithë atyre shqiptarëve, që e kanë përjetuar e dëgjuar zërin tuaj brilant dhe këngën tuaj aq frymëzuese për jetën.
Me dëshirën që mos t’u lodhi me këtë mesazh timin, përfundoj pa u zgjatur, duke ju uruar edhe një herë, shpirtërisht:
Shëndet të plotë e jetëgjatesi, sa ua dëshiron zemra dhe lumturi të pafundme familjare!
Me nderime dhe shumë respekt për Ju:
Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues, Tiranë, 8 prill 2011”.

…Në mbyllje të këtyre pak radhëve, dëshiroj të shprehem se emri, zëri dhe kujtimi për Vaçe Zelën do të mbeten kurdoherë të paharruar e do të ruhen në mendjet dhe zemrat e brezave të shqiptarëve, në të gjitha trojet amtare e në diasporë.

Tiranë, 7 shkurt 2014

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Murat Gecaj, Vace Zela

PPD DORËZOI KËRKESËN NË GJYKATËN THEMELORE TË TETOVËS

February 7, 2014 by dgreca

Partia për Prosperitet Demokratik (PPD) dorëzoi sot pranë Gjykatës Themelore në Tetovë kërkesën për riregjistrimin e këtij subjekti politik, që doli me nismën për riaktivizimin e PPD-së në kuvendin e mbajtur më 24 janar në Tetovë, ku kryetar u zgjodh Abdylhadi Vejseli dhe kryetar i kuvendit të përgjithshëm, Nevzat Halili.

Përfaqësuesi i autorizuar i PPD-së, prof.dr. Zemri Elezi i shoqeruar edhe nga Teuta Llalla, Mevlan Tahiri.

Pas dorëzimit prof.dr.Zemri Elezi deklaroje per mediat e shumta te cilat ishin te pranishem.

“Sot dorëzuam dokumentacionin me kërkesën për regjistrimin e partisë ppd në regjistrin e gjykatës në Tetovë qu themelua në kuvendin e 24 janarit 2014. Kërkesa jonë është  bazuar në Ligj dhe e plotësuar në përputhje me ligjet për themelimin e partive. Ne dorëzuam dokumentacionin e plotë dhe ishin gjithë dokumentet që kërkoheshin. Ne sot i kishim të kompletuara mbi 1050 nënshkrime të plotësuara, me të gjitha dokumentet përcjellëse që është kushti thelbësor.  Prej të hënës PPD do të regjistrohet dhe do të rikthehet fuqishëm në skenën politike.

Pas kësaj edhe fillon konsolidimin në terren nëpër degë, nëndegë në të gjitha komunat e vendit”.

Tetovë, 7 shkurt 2014

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: arben llalla, Gjykata e Tetoves, PPD

A ËSHTË UKË RUGOVA DJALI PLANGPRISHËS?! DYSHOJ!

February 7, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Pas arrestimit të Ukë Rugovës kam lexuar komente turlifare nga gazetarë që me kohë e kanë shitur profesionin, nderin dhe integritetin e tyre. Lidhjet klienteliste me politikën i kanë bërë ata bosë të kamur nga pseudogazetaria e tyre e trafikuar që u ka prodhuar mirëqënie, bollëk dhe përfitime. Kokëmajmur dhe qafëmajmur prej darkave, drekave dhe zdërhalljeve, ata tani japin leksione për drejtësinë, kur në fakt janë përçudnues të saj.

Ndërkohë, pozita e gazetarisë klienteliste, u ka hequr atyre të drejtën të flasin në emër të drejtësisë. Pa asnjë fakt, vetëm me akuza. Po a është e mundur që gazetaria investigative të bëhet nga çajtoret dhe kafenetë e Tiranës e Prishtinës apo nga zyrat lluksoze të politikanëve, nga ku prodhohen fabrikate për t’ia shërbyer pastaj shabllon një lexuesi thellësisht të politizuar, që e di se punë dhe bukë gjen vetëm kur je ose militant ose zagar i partive dhe sidomos i politikanëve.

Unë dyshoj tek ato që thuhen për Ukë Rugovën, sepse kam parasysh se kundër tij në prag të zgjedhjeve të 2010 e para u ngrit LDK, kur Uka ishte vetëm 30 vjeç dhe posa ishte kthyer nga një shkollim në SHBA. Nuk e donin në LDK pikërisht ata që e shkatërruan LDK-në nën flamurin e rrentë të rugovizmit.

Atëherë ata a e urrenin Ukë Rugovën për fajin e vetëm se ishte i biri i Ibrahim Rugovës dhe duke qenë i ri në moshë nuk kishte kaluar si ata nëpër të gjitha ndyrësitë e periudhave të jugosllavizmit, titizmit dhe ish-jugosllavizimit e ish-titizmit. Ata kishin për Ukën një urrejtje të sëmurë të barabartë me atë të armiqve të Ibrahim Rugovës. Që atëherë m’u krijua bindja se kundër Ukë Rugovës posa kishte nisur një gjueti shtrigash nga klani më famëkeq i Kosovës që ka pushtuar LDK-në pas vdekjes së Rugovës.

Dyshoj në përfshirjen në krim të Ukë Rugovës dhe në kapjen e tij si fajtor, sepse prej 1998 e deri sot në Kosovë flenë mijra dosje të krimeve të pazbardhura, të cilat presin drejtësinë e vonuar dhe të harruar.

Janë vrarë gazetarë, politikanë, biznesmenë dhe deri më sot nuk është kapur asnjë autor. Janë akuzuar dhe burgosur si fajtorë që pastaj kanë dalë të pafajshëm, ndërsa fajtorët bëjnë qejf.

Modus Vivendi në Kosovë e Shqipëri është se zyrtarët e lartë e të korruptuar janë peshkaqenët që nuk i kap kurrë rrjeta e drejtësisë, sepse drejtësia operon me grepa që të zgjedhur për të kapur vetëm cironka.

Bashkimi Evropian në vend që të obligojë kritere reciprociteti, i ve si objektiv Hashim Thaçit përnbushjen e detyrimeve ndaj minoritetit serb, duke lënë totalisht në harresë shqiptarët, që do të thotë shumicën e gërryer nga papunësia dhe pasojat që lindin prej kësaj plage. Thaçi kësisoj synon të përfitojë lobimin e serbëve, sepse ai i ka djegur të gjitha shanset për të fituar në zgjedhje.

Autorja e këtyre rradhëve kërkon barazi midis të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa marrë parasysh se çfarë etnie dhe religjioni kanë, pa harruar kurrë se shqiptarët janë viktima të dala pas një pushtimi mizor dhe lufte.

Për çfarë faji penalizohet shumica e popullsisë në Kosovë, dmth shqiptare, që nuk përfiton ende nga marrëveshja Schengen? A mos populli i thjeshtë i Kosovës ka bërë trafik vizash që trajtohet nga BE si qytetar i dorës së fundit në Europë dhe burgoset me izolim duke u getoizuar?!

Prandaj dyshoj në drejtësinë e cila është në një krizë të plotë morale.

Pastaj shkencërisht është e ditur se baza që i lind kriminelët zakonisht krijohet nga kushtet sociale mizerabël, prej injorancës, ekstremizmave dhe varfërisë, kushte të cilat Ukë Rugova nuk i përmbush. Ai është rritur, edukuar nga një baba të cilin Uka e quan Heroi im. Ne i kemi parasysh të gjithë bijtë e njerëzve të shquar. Ata janë pasardhës të denjë të etërve dhe gjyshërve të tyre. Përjashtim bën vetëm Djali Plagprishës.

Por mua më kujtohet prilli 1999 kur në redaksinë tonë na vinin e këmbëngulnin – më kot – të na impononim të botonim lajme sipas të cilave thuhej se Rugova kishte bërë pakt e shtrëngonte duart me Milosheviçin, ndërsa ne u thoshim me bindje se Ibrahim Rugova ishte peng lufte.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, Uke Rugova

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4885
  • 4886
  • 4887
  • 4888
  • 4889
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT