• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

EDI RAMA MOS LUAJ ME ZJARRIN – PENSIONISTËT PRESIN T’UA PAGUASH GJELIN E VITIT TË RI!

December 17, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

„Harram vota jonë nëse nuk na paguan gjelin“. Kështu mallkoi sot një pensioniste nga Gjirokastra përmes emisionit shumë popullor të Bashkim Hoxhës „Ora për t’u zgjuar“ – tek News24.
Ka 23 vjet që të gjitha qeveritë e Shqipërisë tallen me popullin shqiptar, sidomos me shtresën më vulnerabile që janë pensionistët. Popullsia e moshës së tretë që përbën rreth gjysmë milioni votues mbijeton me 100 Euro në muaj. Me 100 Euro mund të mbash vetëm frymën gjallë, si skllav por jo si qytetar. 
Të jetosh me 100 Euro do të thotë të jetosh nën diktaturën e varfërisë.
Ka dy lloj diktaturash. Diktatura e frikës nga regjimet totalitariste dhe diktatura e varfërisë nga regjimet e korruptuara, të vendeve në tranzicion, si Shqipëria, ku klasa politike pasurohet ndërsa populli shkon në zgrip të varfërisë.
Ka 23 vjet që klasa politike e ka shpërdorur votën e popullit shqiptar, e sidomos të pensionistëve të Shqipërisë, duke u pasuruar në kurriz të shtresës më të përvuajtur të shoqërisë.
Pensionistët e Shqipërisë, ose një e gjashta e popullsisë së mbetur në Shqipëri, pasi 3 milionë të tjerë jetojnë në emigracion, janë prindërit tanë të cilët mbijetuan kalvarin e diktaturës dhe tani në vend që të gëzojnë qetësinë e merituar në kapitullin e fundit të jetës, kur i kanë kryer të gjitha detyrimet si prindër e shtetas, u duhet të luftojnë për bukën e gojës.
100 Euro sa paguhen në muaj pensionistët, për deputetët, ministrat dhe klasën politike të Shqipërisë është një fjalë goje, një kapriçio e vogël nga jeta e tyre e mbuluar nga lluksi dhe kamja përmes taksapaguesve, abuzimi me pushtetin dhe korrupsioni.
100 Euro për klasën politike të Shqipërisë kushton një kollare, një palë të brendshme Victoria Secret, apo një mani-pedicure, manikyri për duart e këmbët në një sallon bukurie, ndërsa për pensionistët e Shqipërisë 100 Euro do të thotë torturë, sepse duhet të ndahen në 30 ditë të muajit, me të cilat duhet të paguajnë ushqimin,energjinë elektrike, telefonat, veshjet dhe gjithçka.
100 Euro për klasën politike kushton qeni apo macja nëpër vilat dhe apartamentet e tyre, ndërsa për pensionistët janë ankthi i çdo muaji, në epilogun e jetës së tyre.
100 Euro për klasën politike janë lojë fjalësh, ndërsa për gjysmë milioni shqiptarë, të shtresës vulnerabile janë luftë për ekzistencë!
Qeveria e mëparëshme i mëshironte pensionistët e Shqipërisë dhe u paguante nga 50 $ me rastin e festave të fundvitit, për të blerë gjelin dhe për të festuar! Vitin e fundit gjelin e bëri gjysmagjel. Dhe kryeministri i atëhershëm krenohej me këtë gjest të tij bamirësie!
Çfarë ironie! Pushtetarët e Shqipërisë të mbuluar në lluks prej taksave dhe shpërdorimit të pushtetit, u hedhin pensionistëve si lëmoshë gjelin e Vitit të Ri! Dhe pastaj krenohen sikur t’ua kenë falur nga xhepat e tyre të fryrë si derrat e dhjamosur.
Por klasa politike e Shqipërisë harron kryesoren se pushteti i tyre do t’i ketë gjithnjë orët e numëruara kur populli vuan dhe ata pasurohen!
Klasa politike e Shqipërisë ta vari vath në vesh se pensionistët e Shqipërisë nuk lypin mëshirë! Pensionistët e Shqipërisë lypin të drejtat e tyre. Pensionistët e Shqipërisë kanë të drejtë të jetojnë një jetë me dinjitet.
Sepse rroga mujore e një deputeti, ministri apo kryeministri, përveç përfitimeve dhe privilgjeve, është mesatarisht të paktën sa pensioni mujor i 20 pensionistëve të Shqipërisë. Po ashtu, vendet e punës, privilegjet i përfitojnë familjarët e pushtetarëve, rrethi i ngushtë klientelist e kështu hendeku midis pakicës profitere prej votës të popullit edhe vetë popullit bëhet i tillë ku populli kthehet në skllav dhe pushtetari në skllavopronar.
Tani Edi Rama ka vendosur që t’ua heqi edhe gjelin e Saliut pensionistëve, e t’i lejë pa festë e festime, ndërsa vetë të zdërhallet, i përkëdhelur nga shpura e servilëve të rinj të pushtetit!
Si ai do të zdërhallen edhe klasa politike e Shqipërisë, pas së cilës vjen mallkimi i asaj zonjës pensioniste nga Gjirokastra, që i tha Edi Ramës, „harram votën që të dhamë më 23 qershor“. 
Edi Rama të mos e harrojë se ai fitoi më 23 qershor 2013, jo se populli votoi për të, por sepse populli votoi kundër regjimit të korruptuar të Sali Berishës. Nëse Edi Rama do të jetë kopje e atij regjimi, aq më keq, do të jetë kopje e keqe, sepse mesa duket po kërkon që të mbushë gropat e krizës, duke u prerë paret e gjelit pensionistëve, është e sigurt se kësisoj do të presë ditët e tij si kryeministër i Shqipërisë!
Shqiptarët kanë 23 vjet që rrëzuan diktaturën totalitariste, tani do t’u duhet të rrëzojnë diktaturën e varfërisë, shkaktuar nga shpërdorimi i votës, shpërdorimi i besimit, shpërdorimi i pushtetit! 

Filed Under: Komente Tagged With: Elida Buçpapaj, gjelin e vitit te ri, mos luaj me zjarrin, pensionistet presin

Mërgimtarë:Ju lutemi paguani, para se të hyni në atdhe!

December 17, 2013 by dgreca

Shkruan:Gani Qarri/

Sado që mërgimtarët,nuk kanë të drejt vote,nuk gëzojnë trajtim të barabartë as konsideratë të mirëfilltë nga pushteti aktual,ata asnjëherë nuk mundën ta hiqnin nga zemra atdheun e vet. Ndaj,si çdo herë edhe tani,vazhdojnë të punojnë e kontribuojnë dhe bëjnë krejt çka munden për te. Megjithatë,bijtë e syrgjynosur të tij, të cilët që me kohë janë përbetuar për ti dal krah në të gjitha situatat, vendit të të parëve, jo rrallë, ndjehen të zhgënjyer me zhvillimet e pazakonshme të cilat ndodhin, kohë e pa kohë,nga njerëz eminent në atdheun e tyre.Është jo vetëm për të ardhur keq, por edhe për tu brengosur shumë,kur në njërën anë sheh se si pamja e hartës politike të Kosovës po ndryshon dhe mbi te po vizatohen entitete kërcënuese për të tashmen dhe të ardhmen e popullit tonë,kurse në anën tjetër, ata të cilët do duhej ta ngrinin zërin kundër këtyre dukurive negative me pasoja të paparashikueshme për Kosovën,janë hedhur në luftë për acarimin edhe më keq të  gjendjes politike dhe nxitjen e konflikteve të reja ndërshqiptare, duke dëshiruar t`ua vjedhin dhe përdhosin bashkëkombësve nga kujtesa, identitetin shumëvjeçar-organizativ, kombëtar e politik, të të gjitha kohëve,vetëm pse ata personalisht nuk dominojnë me emrat tyre edhe në këto histori.

Madje,përkundër verdiktit të zgjedhjeve të fundit, të cilat patën disa efekte pozitive, pushtetarët e konsumuar dhe udhëheqës të hedhur,pothuajse gati tërësisht- jashtë përdorimit, assesi të mbushen mend dhe ti kthehen realitetit. Mjerisht,me gjithë humbjet e bastioneve të sunduara për shumë vite në mënyrat që vetëm ata i dinë, ambiciet e tyre për të sunduar me çdo kusht këtë vend, nuk u zbutën as zbehën për asnjë çast.

Risi më vete që vlen për tu përmendur-është vendosja për herë të parë, e një femre si kryetare dhe riatdhesimi triumfalist i dy mërgimtarëve të suksesshëm,si udhëheqës të dy komunave me rëndësi në Kosovë, si dhe fitorja e ish udhëheqësit të “frymës së re” në kryeqytetin e vendit.

Megjithatë, përveç ndryshimeve të vogla kozmetike dhe të kufizuara pozitive, përkundër mijëra vërejtjeve nga shumica e popullsisë shqiptare, përjashto këtu partitë politike të cilat pothuajse që të gjitha si në kor,dhanë pëlqimin e tyre dhe pranuan pjelljen e sërpskës”, fatkeqësisht në Kosovë u “natyralizua edhe e keqja më e madhe e këtij shekulli- siç është ” republika sërpska”.

Ndaj,tani e tutje, pas konstituimit të saj,vetëm një Zot mund ta di se çfarë problemesh do ti sjell- ajo sajesë e rrezikshme- këtij vendi edhe ashtu të vogël e të pa konsoliduar si duhet, provokimet e së cilës ,vetëm sa kanë filluar në komunën “veriore” të Mitrovicës.

Por,për fat të keq edhe në këto në momentet më të këqija dhe çaste dramatike për Kosovën, të hutuar nga tymi e mjegulla që pa shkas e arsye, shpërndan Adem Demaqi, askush tjetër përpos përfaqësueses së Nënës sonë Amerikë nuk mori mundimin, ti kujtonte as ftonte shqiptarët për kujdes të shtuar! në mënyrë që krijesa kanceroze për vendin, e ashtuquajtura “sërpska” të mos “rrëshqas” nga asociacioni në Republikë!!!

Ndaj,ne deshëm s`deshëm, si populli i këtij vendi,që si çdo herë brengosemi vetëm për fatet e atdheut dhe nuk preferojmë pagesa as oferta,për tu kthyer në shërbyes të politikave ditore,duke përcjell me dhembje lazdrimet e pakuptimta të atyre që u ka kaluar koha e lojërave fëmijënore, kësaj radhe detyrohemi ti bashkohemi Urimit të famshëm të Doktor Ibrahim Rugovës, ritual që ai e përsëriste me shumë të drejtë: Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj, Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe miqtë tanë ndërkombëtar! sepse nga e gjithë ajo sa u pa deri më tani nga 14-15, vitet e kaluara, Kosova dhe shqiptarët,me pushtetarë të tillë, i kanë la duart që moti.

Kjo vërtetohet edhe një herë më tepër,kur sheh se si sot rrugët në fshatra dhe qytete si dhe vendbanime të tëra gjithandej Kosovës, janë mbushur me emra e statuja car-lazarësh, krajl pjetrash e  karagjorgjeviqësh sllav, deri te nominimet me emra të kriminelëve serb, shkruar me qirilicë dhe ngjyra e flamuj të Serbisë kudo,e jo vetëm në Veri, siç dëshiron dikush qëllimisht ta përkufizoj.

Duke nisur nga Albaniku e Zubin Potoku dhe vazhduar në Graqanicë e Shtërpcë e deri në Gorë të Dragashit, pra gjer e gjatë Kosovës, që nga kufiri me Serbinë në veri deri te kufiri aktual, me FYROM-in dhe Shqipërinë, gjithkund shtohen përditë e më shumë emërtime të tilla,por megjithatë dikush nuk dëshiron ti shohë këto fenomene shkatërruese,ndaj në vend të tyre, gjuan me gur e dru të vdekurit shqiptar në varre, ani-pse të shkuar para shumë kohësh në amshim!

Lind pyetja,çfarë marifeti është ky,nga kush është porositur një qëndrim i tillë dhe kujt i bëjnë nderë këto halucinacione të orkestruara pa shkas as arsye, në këto momente kur neve na dalin qindra probleme tjera më të mëdha të cilat kërkojnë kundërvënie, bashkim veprimesh dhe vendosmëri…Pse dhe për çfarë arsyesh, mu tani shpërtheu me kaq eufori një  “takat-vogël”,me kritika më të mëdha se vetvetja, kundër një personaliteti të paarritshëm për shumëkënd edhe pse të vdekur para mese 7-8, vitesh?!

Është i nxitur ai që të veproj kështu,ka detyrime ndaj bosëve të tij-para fiaskos që pësuan në zgjedhje, dhe duhet të defiloj me kësi far gjestesh, në mënyrë që ta ushqejnë dhe mbajnë edhe më tej me benificione apo ndjehet i kënaqur me krijimin e “republika sërpskës” në trupin edhe ashtu të cunguar të Kosovës, tokat e së cilës në një të shkuar jo fort të largët, nuk i shihte si shtet më vete,por si pjesë të “Ballkanisë”…

A ka mundësi që si atëherë edhe sot,heroi ynë me vlera, të mos favorizojë Republikën dhe shtetin e Kosovës?!..por në vend të saj, të preferoj edhe tani, të ashtuquajturën “Ballkani” të famshme, si pjellë ideore vetëm e tij personalisht ?!…Apo si ti kuptojmë këto shkelmëqitje në erë dhe  zbrazëtirë, kur koha kërkon kundërveprim ndaj rreziqeve reale të “sërpskës” siç tërheq vërejtjen edhe ambasadorja amerikane Tracey Ann Jacobson….por jo edhe Demaqi and Co….

Mos, ndoshta mendon zotëriu,se pas kalimit të disa moteve nga mbajtja e zgjedhjeve të viteve të 90-ta, në Serbi kur, kundër-kandidat i Millosheviqit ishte Drashkoviqi, me ç`rast disa shtete evropiane, kërkonin daljen në votime edhe të shqiptarëve të Republikës Rugoviane të Kosovës, bashkëkombësit tanimë kanë harruar tendencat e tij, për nxjerrjen e shqiptarëve në votime në kuadër të Republikës së Serbisë.

Me gjithë intervenimet nga jashtë, atëbotë vetëm “antiheroi” Rugova i refuzonte me vendosmëri ato,i cili deklaronte se Republika e Kosovës nuk ka të bëj me zgjedhjet e vendeve fqinje dhe se ato janë vetëm çështje e brendshme e shtetit Serb?!…

 

Çfarë arsye mund të ketë ky njeri, që të hedhet kaq furishëm përpjetë, në këto momente të rrezikshme,dhe mu në kohën kur po konstituohet jetësimi praktik i “republika sërpskës” në vendin tonë,derisa dihet nga të gjithë se “sërpskën” nuk na e solli “tradhtari” Rugova, por nxënësit dhe përkrahësit e heroit Demaqi, të cilët sot i ka Bos të gjallimit politik dhe mbijetesës financiare, të paktën.

Sa herë e sprovoi veten në votimet e mbajtura në Kosovë ai,për të matur vlerësimin që mund ti bënte populli në emër të të cilit flet. Ç`përkrahje ka personalitetit i tij udhëheqës, politik e organizativ,derisa nuk i fton njerëzit në sheshe dhe rrugë për të kundërshtuar pjellën e dreqit si “srpska” në vendin tonë, por ngrihet në maje të gishtërinjve para dhjetëra pjesëmarrësve në tubime komemorative për të sha të vdekurit shqiptar, edhe pse tubimet si këto, nuk do duhej të ktheheshin në politikë.

Ku e merr  ai gjithë këtë guxim të flasë në emër të miliona shqiptarëve dhe përdhosë ndjenjat e shumicës së tyre, pa e provuar  veten me asnjë plebishit popullor, sesa përkrahje gëzon ai me idetë e tij.

Shqiptarët tanimë e dinë se jo vetëm ai, por edhe partitë politike të vendit të cilat flasin me aq pompozitet për bëmat e tyre të “mëdha”, shpërndajnë premtime marramendëse dhe të paarritshme,përdorin retorik të paargumentuar nacionaliste, thirren në emër të luftës,interesave të popullit dhe shtetit të Kosovës,por që të gjitha pa dallim,pozitë dhe opozitë ,asnjëherë nuk ditën as mundën të mbrojnë sa dhe si duhet, interesat e këtij vendi.

Poashtu,ky popull i shumëvuajtur e di mirë se “republika sërpska” në vendin tonë, nuk është pjellë e Rugovës, por  produkt i përbashkët i të gjithë faktorit politik aktual-shqiptar, sajesë e stisur e një grupi ,politikanësh të dështuar,vendimet e të cilëve, herët a vonë, pa tjetër duhet të shfuqizohen në kuvend.

Pjesë e këtij grupi famoz, nuk mund të mos jetë edhe z.Demaqi, derisa hidhet me kaq ashpërsi, në kamuflimin e këtyre fatkeqësie që e kanë gjetur Kosovën dhe popullin e saj.

A nuk e ditka z.Demaqi se nga këto zgjedhje e tutje,sërpska e zyrtarizuar e Daçiqit,të gjithë neve,do të na flas pareshtur kërcënueshëm me gjuhën kriminele të pushtuesit për ndarje të Kosovës,siç kishte përpjekje edhe në kohën e Millosheviqit, të riaktualizuara tanimë nga Vulini e Daçiqi.

Shembulli më eklatant dhe fatkeqësi më vete e kohëve të fundit mbetet komuna e Artanës-Novobërdës, e cila nga rreth 7000 banor sa ajo ka, mëse  55 % të popullsisë janë shqiptar, por me përkrahjen e vet partisë apo partive heroike (të luftës siç kanë dëshirë ta quajnë veten ato),për kandidatin serb- i cili edhe ai nuk e njeh as pranon shtetin e Kosovës- zgjedhjet i fitoi ky përfaqësuesi i “sërpskës” dhe humbi kandidati shqiptar.

Ndaj,dëshiroj shumë që heroi i vërtetë, edhe për këtë rast, ta shajë Rugovën, ngase patjetër ai duhet të jetë fajtor, pse lista sërpska fitoi 10 komuna, aq sa ka edhe PDK, me ndihmën e votave të së cilës fitoi kandidati i sërpskës …..pasi që “heronjtë e vërtetë” e kanë liruar veten nga çdo faj dhe përgjegjësi, kush tjetër mund të jetë fajtor, përpos të vdekurve dhe “antiheroit” Rugova….

Zotëri, siç e cekëm më lartë, kjo far lista sërpska e sponsorizuar direkt nga Serbia, me ndihmën që i ofruan asaj partitë “heroike” shqiptare, pas fitores në Partesh, arriti me vetëm 22-23 mijë vota të fitoi hiq më pak se në 10 komuna, dhe këtë jo vetëm në veri por anë e mbanë Kosovës,duke kaluar LDK-n, dhe barazuar me partinë e parë në Vend- PDK-në, ani-pse secila prej këtyre dy partive shqiptare, kanë nga disa qindra mijëra votues në Kosovë.

Ndaj, çfarë të thonë tjetër shqiptarët e mjerë, përpos nëmës ndaj atyre “heronjve”, që Kosovës ia sollën ujkun në torishtë, nëse u lejohet të paktën, kaq dhe jo më shumë…

Si ta kuptojë ky popull heshtjen tuaj, edhe nëpër tubimet komemorative, ku të paktën aty do duhej të përmendeshin si viktimat edhe të kidnapuarit e luftës,nga të cilët 1700 e më tepër sosh, ende nuk janë kthyer, pjesë të të cilëve gjenden kudo, si tani në varrezën masive, ish kënetën e Rashkës,e cila pas mbushjes me trupa të kidnapuarish shqiptarë, është mbuluar me mbeturina e beton të trashë si dhe ndërtuar shtëpi shumëkatëshe mbi trupat e tyre.

Nuk e shihni as dëgjoni ju se, derisa shqiptarët e Kosovës lindore, vuajnë nën robërinë klasike serbe, njëjtë si mandatarët e tjerë ilegal edhe Krstimir Pantiç ish funksionar paralel, tani kryetar i “zgjedhur” i Mitrovicës së veriut me votën e “lirë”, pas “fitores” deklaron hapur se nuk do ta njoh pavarësinë as institucionet shtetërore të Kosovës,se flamuri i saj nuk do të valoj kurrë në veri të vendit dhe se ai me bashkëpunëtorët e tij, do të punojë vetëm për Serbinë.

Madje, zoti Demaqi, nuk e patë ju se çfarë ftesash kishte përgatitur ai për delegatët shqiptar të Mitrovicës së veriut?!.. ku përveç vënies së rezolutës 1244,etj… ato i kishte lulëzuar edhe me Fusnotë, apo lulen e Serbisë,marrë dhuratë për Kosovën, nga përfaqësuesja fuqiplotë e qeverisë zonja Tahiri.

 

Megjithatë, e shqetësuar nga deklarata të tilla, dhe gjendja e krijuar në vend,vetëm ambasadorja amerikane Tracey Jacobson, doli hapur dhe kërkoi në mënyrë publike nga shqiptarët që të parandalojnë shndërrimin e të ashtuquajturit asociacion të komunave serbe, në “republika sërpska” derisa Adem Demaqi, edhe në këto situata gjen kohë për aktrime, me qëllim që ti mbuloj të gjitha këto fatkeqësi dhe rreziqe të shkaktuara nga përkrahësit e tij,duke e bërë bërllok pa shkas as arsye, dhe shpërndarë tym e mjegull në të gjitha anët, me klithma e piskamë denigruese kundër një të vdekuri që tash e sa vite nuk ekziston më në mesin e të gjallëve, për të cilin përpos hipotezave partiake e ideore,ende nuk ka fakte të vërtetuara se edhe sa ishte gjallë, ai u përlye me krim e korrupsion apo rrezikoj shqiptarët.
Ofendimet si këto,pa asnjë pardon, kundër një Presidenti tani e mbi 7 vite të ndjerë,vërtetë kanë çoroditur gjithë opinionin, madje për aq më keq, sa herë që dikush guxon ti dal krah ish Presidentit,me dhjetëra “Kim il suna” turren me drapër e çekan në dorë, për të hequr koka shqiptarësh duke mbytur çdo frymë demokratike dhe shprehje të mendimit të lirë, sikur shqiptarët të jetonim në Koren e veriut dhe askush përveç përkrahësve të z.Demaqi, të mos e kishte njohur dhe ditur se kush ishte Ibrahim Rugova.
Në të gjitha vendet e botës, politikanët serioz,për tu dashur dhe pranuar nga populli që kanë dëshirë ta  përfaqësojnë,së pari duhet dëshmuar si familjar të mirë,duke u bërë shembull para kombit që i takojnë edhe me vlera prindërore, dhe dalë publikisht me gruan e fëmijët, qoftë edhe një herë të vetme dhe në një shëtitje të thjeshtë, gjatë kohës së lirë.

Ndaj, shumë më e ndershme do të ishte si për Adem Demaqin edhe përkrahësit e tij, që para se tu mbaj “ders” moral e patriotik të tjerëve, ti sqarojë raportet e lartcekura, për të cilat është i interesuar i gjithë opinioni të dijë, dhe nëse ky opinion i vlerëson ato të pranueshme, sigurisht shumica prej tyre, do ti bashkoheshin atij në mallkimet dhe rrebeshet që ai shkarkon kundër Rugovës,për ta sha atë ndoshta me babë e nënë, më tepër se vet heroi i padiskutueshëm, z.Demaqi…

Por,edhe nëse shqiptarët nga keqardhja nuk e thonë publikisht, duhet të kuptohet dhe kihet parasysh,se edhe ata si gjithë popujt tjerë normal,vlerësojnë shumë mënyrën e sjelljes dhe qëndrimin e politikajve ndaj familjes, si gjëja më e vlershme për njeriun.

Në të kundërtën, cilido kuadër publik, mbetet ende i parritur, për tu marrë seriozisht me punët e popullit. Ndaj pa marrë parasysh se çfarë mendimi rezervojnë njerëzit e tillë për vete, nga populli ata mund të konsiderohen vetëm si vogëlushë simpatik, të denjë  për ceremonitë argëtuese,që organizohen me rastin e festave të fund-vitit.

Por,këto sa u cekën dhe të tjera të këtij lloji, nuk janë xhevahiret e vetme të funksionarëve të pa faj e të pandëshkueshëm të “kombit”. Siç është e njohur për opinionin, “idealistët e mëdhenj” të vendit, mërgimtarët që dikur përndiqeshim dhe dëboheshim edhe nga pushtuesit tanë, tani në liri  konsiderohen si makina parash dhe janë kthyer në objekte përfitimi për pushtetarët aktual. Diskriminimi i tyre fillon që në kufi, ku nisë ngarkimi me detyrime e pagesa, të pashembullta për vendet tjera ballkanike dhe evropiane.

Megjithatë, kushedi-ndoshta edhe ky është patriotizëm i llojit, dhe shumica e mërgimtarëve e “meritojnë” dënimin, si-ish, përkrahës të Rugovës.

Apo ndoshta Idealistët e mëdhenj janë të tillë! Ata mbajnë luftën gjallë kundër atyre që munden dhe jo kundër atyre që duhet. E nëse është kështu,derisa dihet se heronjtë tanë tanimë kanë natyralizuar “sërpskën” dhe refugjatët serb nga Kroacia e Bosnja, por megjithatë mërgimtarët shqiptar i konsiderojnë ende të huaj, “Të mirë për të paguar, e të këqij për të votuar” do të ishte shumë më reale, që sa më parë në të gjitha pikëkalimet kufitare, në vend të shprehjes mirësevini, me shkronja sa më të mëdha dhe Parulla të dukshme e Vezulluese -të shkruhet:

Të dashur mërgimtarë-“MIRËSEBINI”- Para, në vendin tuaj!

Ju lutemi paguani-para se të hyni në Atdhe !!!

 

Gani Qarri  Cyrih, 16 Dhjetor 2013

 

Filed Under: Featured Tagged With: Gani Qarri, mergimtare, miresebini para

KONFERENCA E BUJANIT DHE TELLALLËT E SAJ

December 17, 2013 by dgreca

Shkruan:Eugen SHEHU/

Në vjeshtën e vitit 1943,dashur pa dashur,shqiptarët u gjendën përballë të papriturave të mëdha. Teatri i luftës botërore,ushtronte ndikim të fuqishëm në krejt fatin e Shqipërisë,si në viset e shtetit amë,ashtu edhe në ato etnike.Ky ndikim nuk mund të ishte pa pasoja edhe në jetën politike të vendit tonë,në të cilën po konturohej gjithnjë e më shumë lufta antagoniste midis nacionalistëve dhe nacionalçlirimtarëve.Mukja pat shërbyer si mollë sherri midis shqiptarëve të shitur tek serbi dhe atyre që e donin me të vërtetë Shqipërinë Etnike.Kjo luftë vëllavrasëse po shtrihej tanimë dalëngadalë edhe në trojet veriore shqiptare,si për t’u kujtuar të gjithëve se drama do të ishte e tmerrshme dhe pafund.Ndërkaq,në fundnëndorin e vitit 1943 u mbajt në Jajce (29 nëndor 1943) mbledhja e dytë e AVNOJ-it.Radioja “Jugosllavia e Lirë” nuk vonoi të kumtonte nëpërmjet valëve të saj,vendimet “historike” të AVNOJ-it,të cilat në kundërshtim të plotë me deklaratat komuniste për vetëvendosje të popujve,patën vendosur që menjëherë pas luftës të krijohej Republika Federative Jugoslave.Këtu,mendohet të jetë lindur zhgënjimi i  parë i madh i nacionalçlirimtarëve shqiptar  të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit,të cilët deri asaj kohe ishin përkundur të qetë në ëndrat për “vëllezërim e bashkim “të popujve ballkanik.Në këto momente kaq dramatike,ku çështja kombëtare shqiptare po lihej si dhuratë në duar të komunistëve serbosllav,nga nacionalçlirimtarët e Kosovës u  menda të thirrej menjëherë takimi i Bujanit.Ndër detyrat themelore që do të zgjidhte ky tubim,të parat sigurisht që ishin,mënyra e zgjedhjes së çështjes kombëtare si edhe përcaktimi në rrafshin konkret të organit më të lartë udhëheqës të luftës “çlirimtare” të Kosovës e cila ishte ingranuar në luftën e  përbashkët  me aleatët kundër boshtit Berlin-Romë.Historiografia shqiptare e postdiktaturës,ka vërejtur me të drejtë se komunistët e Rrafshit të Dukagjinit kërkuan mbështetjen e nacionalçlirimtarëve nga shteti amë.”Komunistët bashkëvepruan e bashkëpunuan me atdhetarët për arsye se ata ishin fare të pakët (komunistët shqiptar disa dhjetra vetë në gjithë kosovën).Ndikimi i tyre në popullin shqiptar ishte pothuaj i papërfillshëm për shkak edhe të politikës sektare ndaj shqiptarëve.Ndërsa autoriteti i atdhetarëve shqiptarë ishte i madh dhe i palëkundshëm”.( R.Gjata, “Aspekte politike e juridike…” “Konferenca e Bujanit”,faqe 17 ).

Mendoj se është me vlerë të kujtojmë se pothuaj në program të konferencës së Bujanit më 4-6 nëndor 1943,u mbajt në Malësinë e Sharrit,tubimi i komitetit krahinor të Partisë Komuniste Jugoslave për Kosovë e Rrfash të Dukagjinit ku u analizuan veprimet politike dhe luftarake të nacionalçlirimtarëve shqiptar.Ky tubim,u drejtoi krejt shtresave të popullit shqiptar,një thirrje për t’iu bashkuar Frontit të Përbashkët Antifashist.Në proklamatën e shpërndarë prej këtij tubimi,pos të tjerave lidhur me konferencën e ardhme që do të mbahej thuhej : “Duhet patur kujdes që të marrin pjesë në konferencë njerëzit e vendosur,përfaqsuesit e të gjithë popujve dhe përfaqsuesit e të gjitha rrymave politike dhe shtresave,të cilët qëndrojnë energjitikisht në pozitat e luftës kundër pushtuesit.Në këtë mënyrë do të formohet një forcim përfaqsues politik,në luftën e sotme nacionalçlirimtare në Kosovë e Dukagjin dhe do të përgadisë kryengritjen e përgjithshme të armatosur kundër pushtuesve dhe bashkëpuntorëve të tyre”.(A.Hadri,këshillat nacionaçlirimtare në Kosovë”-Prishtinë 1974 , faqe 68 ).

Të duket pak naive kjo thirrje,kur mendon se vullneti i bashkimit të shqiptarëve në luftë kundër pushtuesit,u duk më së miri,qysh në Mukje.Por serbet,të cilët patën krijuar udhëheqjen komuniste shqiptare,nuk mund të paramendonin dot termin “Shqipëri Etnike” ndaj e goditën ate foshnjë të lindur në Mukje,ende pa u bërë ajo dy muajshe.Prandaj duket naive kjo thirrje e Sharrit, e cila sidoqoftë mbante me vete mesazhin e mirëkuptimit reciprok.Menjëherë pas tubimit në Sharr,u formuan edhe disa komitete partiate si edhe këshilla të reja nacionalçlirimtare.Detyra e tyre kryesore ishte organizimi për zgjedhjen e delegatëve në konferencën e ardhme.Sa i përket çështjes së bashkëpunimit të komunistëve të Rrafshit të Dukagjinit,me nacionalistët shqiptarë,kjo është një temë e gjërë dhe mjaft interessante.Kjo thirrje për bashkëpunim,u drejtohej në radhë të parë nacionalistëve shqiptarë të cilët,në 16 shtatorin e vitit 1943 patën krijuar të famshmen,Lidhja e Dytë Shqiptare e Prizërenit.E vërteta është se ndonëse në rrethana krejt të pafavorshme,kjo Lidhje politike dhe ushtarake, e udhëhequr prej ajkës së intelektualëve nga Kosova,mundi të organizoj në 2-3 muaj,një mbrojtje të fuqishme të krejt trojeve etnike shqiptare.Ndonëse e anatemuar prej komunistëve shqiptaro-serbosllav të asaj kohe e më vonë,Lidhja e Dytë e Prizërenit,në një hapsirë të shkurtër kohore,mundi  të ringjallë shpresat e kahmotshme të shqiptarëve,për realizimin e Shqipërisë në kufijtë e saj natyrorë,pra asaj Etnike,dhe aspak të asaj “Shqipërisë së Madhe” siç pretendonin serbosllavët..Ngase gëzonin respekt të madh në popull,prej nacionalçlrimitarëve,iu bënë thirrje të veçanta të merrnin pjesë në konferencë,mjaft nacionalistë të njohur të Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit,por askush prej tyre nuk e pranoi ftesën duke kuptuar se në fund të fundit, çështja e zgjidhjes së problemit kombëtar shqiptar nuk mund të zgjidhej me gjuhën sllave dhe përmes Beogradit.Duke ditur se nacionalçlirmtarët shqiptar,në fund vitin 1943,ishin lidhur plotësisht pas qeres së Titos,ata refuzuan pjesmarrjen në Bujan e për më tej të lidheshin me komunistët,që veç patën hapur luftën civile.Të tillë ishin Muharrem Bajraktari,Shaban Polluzha, Gjon Sereçi,Bedri Peani,Qazim Bllaca,Selman Riza,Sokol Dobroshi,Xheladin Deda etj,të cilët tek e fundit as që e njihnin  gjuhën sllave mbase në Bujan u fol në gjuhën serbosllave. Historiografë nga Kosova kanë vënë në dukje ,lidhur me këtë problem se :

“Në bisedën që pati Zekerija Rexha me Bedri Pejanin,intelektualë dhe patriot i mirënjohur,lidhur me pjesmarrjen e këtij të fundit në Mbledhjen e Bujanit,kujtojmë se në mënyrë më profetike shpjegohen arsyet e mosangazhimit të një dore njerëzish autoritativ në anë të LNAÇ.Sipas dëshirave të Prof.Sami Pejës,i cili e ka shoqëruar Zekerija Rexhën me këtë rast,Bedri Pejani i ka thënë se “Çështja shqiptare është e parealizueshme nëpërmjet sllavëve”.( Gazeta “Bujku” Prishtinë 31-XII- 1992,faqe 9 ).

Ngase komunistët e Rrfashit të Dukagjinit,dështuan në përpjekjet e tyre për të tërhequr rreth vehtes nacionalistë  të atyre visive,ata ndërmuarën nismën për thirjen e nacionalistëve shqiptarë që jetonin brenda kufijve të shtetit amë.Për më tej,këta nacionalistë u përpoqën t’iu spjegonin nacionalçlirimtarëve të kosovës se ata duhet të kuptonin përfundimisht që liria dhe pavarsia e Kosovës asesi nuk mund të arrihej duke bashkëpunuar me serbosllavët qoftë edhe në një luftë të tillë kundër pushtuesit fashist..Mendoj se është mjaft profetike,letra që i madhi Mid’hat Frashëri i dërgonte në prag të konferencës së Bujanit,atdhetarit Sali Manit i cili pat marrë përsipër që ky tubim të zhvillohej në kullën e vet.Pos të tjerave,në këtë letër miqësore,Mid’hat Frashëri këshillon :

“ Zoti Bajraktar Sali Mani

Shqipni e Lirë më 26 – 12-1943

I ndershmi Zotni

Zotnija juej e dini fare mirë se komunizmi asht i rrezikshëm për Shqipninë,sepse punon ndën urdhnat e serbëvet dhe të huajvet të tjerë,të cilet perpiqen t’a çdukin kombin e ta çfarosin familjen shqiptare.Mbasi populli,pra i madh e i vogël, e ka kuptue rrezikun e komunizmit për Shqipninë,Partia Komuniste po na del në shesh tash jo si parti komuniste po si parti nacional-çlirmitare.Komunistët me këtë emën të ri po duen me mashtrue popullin e me ba për vedi tue i thanë se gjoja punojnë për Shqipni e për Atdhe,kurse në të vërtetë kjo Nacionalçlirimtarja nuk asht tjetër veçse partija komuniste vetë,qi asht bashkë me serbët e malazezët,edhe merr urdhna prej tyre për me na prishë Shqipninë.Prandaj ju lutem të mos i zini besë Nacional-çlirimtarës,se ata ju mashtrojnë me fjalë të bukura.Kemi besim të plotë se Zotnija juej,si atdhetar qi jeni,do të punoni në rrugën e nacionalizmit të vërtetë dhe do të përpiqeni për nji Shqipni të lirë e me kufij qi t’i mbledhi të gjithë shqiptarët mbrenda.

Shpresojmë se zotnija juej do t’i ndihmoni e do t’a përkrahni organizatën tonë nacionaliste Balli Kombëtar,sepse kjo organizatë atdhetare përpiqet për krijimin e Shqipërisë Etnike,asht nji ball i fort luftarak,ku asht mbledhun i gjithë kombi shqiptar për shpëtimin e Atdheut,për Shqipninë e Shqiptarëvet”.

Shum të fala e nderime

                                                                                                                                Mid’hat Frashëri

( Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë , Fondi 36 , fleta 17 ).

Në shtëpinë e Sali Manit,në Bujan,mbërritën në mbrëmjen e 30 dhjetorit të vitit 1943,49 delegatë që përfaqsonin viset e Kosovës dhe Rrfashit të Dukagjinit.Në të vërtetë,në mjaft dokumente të asaj kohe në shohim numrin 51,me ç’rast mund të bëjmë edhe një spjegim të vogël.Munguan në datën 31 dhjetor 1943,Ali Shukriu nga Mitrovica dhe Millan Zaqari nga Ferizaji.Por që disa ditë më parë ata patën dërguar lajm për mundësinë e vonesës së tyre objektive duke dhënë gjithashtu pëlqimin se do të ishin dakord me të gjitha vendimet që do të merreshin në Bujan.Sipas regjioneve,pjesmarrësit në Bujan ishin ndarë në këtë mënyrë : Prizëreni 8 delegatë, Gjakova 7, Malësia e Gjakovës 7, Peja 6,Plava e Gucia 6,Reka e Keqe 1,Deçani 1,Istogu 1, Drenica 2, Pristina 4, Gjilani 1, Brigada kosovare-maqedonase 1. Ndërsa ,në pikpamje të strukturës kombëtare, shqiptarët përbënin 84 përqind,kundrejt 16 përqind që e përbënin serbët dhe malazezët.

Në mbas ditën e 31 djetorit 1943,delegatët e Bujanit u ulën për të zhvilluar bisedime,në odën e madhe të Sali Manit e cila në kundërshtim me rastet e tjera,nuk e kishte flamurin kuqezi të varur në oxhak.Mungesa e flamurit kombëtar u komentua prej komunistëve të Rrafshit të Dukagjinit dhe të Kosovës se gjoja nuk donin të acaronin delegatët e konbësive sllave.Por me sa duket,ata e përjashtuan faktin që konferenca mbahej në Bujan,brenda kufijve politike të shtetit amë,ku flamuri kombëtar,ky simbol për çdo komb,nuk kishte pse të fshihej,për t’i bërë qejfin 6-7 serbo-malazezëve.

E vërteta është se në tri ditët e zhvillimit të konferencës së Bujanit,fryma e mirëkuptimit komunist ka qenë e nivelit.Nacionalçlirimtarët e Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit,bënë një ekspoze të punës dhe luftës të komiteteve dhe këshillave krahinorë,kundër fashizmit.Por në këto diskutime ndihet lehtësisht,dominimi i ideve bollshevike.Në mjaft prej diskutimeve,u fol me ashpërsi prej komunistëve shqiptar e serb,lidhur me grupimet nacionaliste shqiptare.Ndërkaq edhe delegatët e tjerë të cilët nuk kishin të bënin deri asaj kohe me Partine Komuniste,nuk u tha asnjë fjalë lidhur me veprimet e guximshme të nacionalsitëve,ngase këta kishin provuar përfundimisht idenë për të luftuar nën komandën e nacionalçlirimtarëve.Burime të ndryshme të historiografisë sonë,bëjnë me dije se mjaft prej dokumentave të konferencës së Bujanit janë përgaditur nga Mehmet Hoxha i cili pat qenë i pari kryetar i këshillit Nacionalçlirimtar për Kosovë e Rrafshin e Dukagjinit.Por ka edhe burime të tjera historike që flasin se Mehmet Hoxha ka bashkëpunuar më së shumti në hartimin e këtyre dokumentave,me Svetozar Vokmanoviç Tempon.Ky fakt mund të merret plotëisht i besueshëm ngase në pjesët kryesore të Rezollutës së Bujanit,flitet me tone tejet të ashpra ndaj nacionalistëve shqiptarë të cilët luftonin për Shqipërinë Etnike.Është i njohur tanimë fakti që dokumenti i Rezollutës,i cili u miratua në Bujan,ishte shkruar dhe u lexua në gjuhën shqipe dhe ate serbe.Menjëherë pas miratimit unanim të këtij dokumenti,(sipas kujtimeve të pjesmarrësve të Bujanit) të gjithë delegatët u çuan në këmbë dhe nisën të këndojnë internacionalen.Komunistët e Kosovës dhe Rrfashit të Dukagjinit me këtë akt donin të rreshtoheshin në krahun e aleatëve duke menduar se pas mbarimit të luftës,ata do të uleshin në tavolinën e fitimtarëve dhe do të vendosnin vetë për fatet e popullit të tyre.Ky naivitet i tyre u kushtoi rëndë mijëra shqiptarëve të kosovës e Maqedonisë shqiptare,të cilët u masakruan në vitet 1944-1947,ngase të zhgënjyer prej internacionalizmit proletar u hodhën në mbrojtje të lirive themelore të tyre.Jo pa qëllim unë mendoj të sjell në këto radhë,disa pjesë nga Rezolluta e Bujanit ku nën maskën e internacionalizmit shqiptar,hidhet baltë mbi figura të ndritura të nacionalizmit shqiptar.Të krahasosh bie fjala Xhafer Devën me Drazha Mihajlloviqin është e kuptueshme se dora e qëllimshme e Beogradit është zgjatur ,padyshim deri në Bujan.Për më tepër,kur në këtë Rezollutë i thuren hymne Ushtrisë Jugosllave dhe Titos,çdo shqiptar i ndershëm se ka të vështirë të kuptojë qëllimin e vërtetë të nacionalçlirimtarëve.

Pos të tjerave në këtë Rezollutë thuhet :

“ POPUJ TË KOSOVËS DHE METOHIS”

“Konfernca e parë e Këshillit nacjonal-shlirimtar të Kosovë-Metohisë ka rëndësi historike.Këtu delegatët në frymën ma fisnike të vllaznimit e bashkimit kanë demaskue dhe dënue manevrat e okupatorit dhe klikat reaksionare,të cilat bajnë gjithshka që ; njena palë të sigurojë kthimin e kohës së vjetër dhe pala tjetër me përjetsue robnin fashiste.Prandaj lufta kundra okupatorëve gjermano-bullgar duhet të përfshije njësoj edhe luftën kundra të gjithë atyne,të cilët i shërbejnë.Këta janë trathtarët e ndryshëm si : Xhafer Deva,Sefedin Begu,Pop Millosh Vujosheviqi,Xhevat e Rifat Begu,Sava Miliceviq etj.Lufta tashmë nacjonal-shlirimtare kundra fashizmit asht e domosdoshme dhe e vetmja rrugë për shlirim e jetë të lumtun të popujve t’anë.Kjo asht garancija që popujt t’anë do të munden me vendosë për fatin e avenirin e vet,pa kurrfare përzimje nga jashtë.

VLLAZEN : SHQIPTAR,SERB E MALAZEZ

  Për ne e kaluemja duhet të jetë shkollë.Na nuk e duem rendin e vjetër dhe ata të cilët ndodhen në shërbim t’okupatorit.Na e duem lirinë e plotë dhe të drejtën që vet populli të vendosi për fatin e vet me të drejtën e vetvendosjes e shkëputjes.Përfaqsuesat e popujve të Kosovë-Metohis, e përshëndesin me gëzim formimin e komitetit nacional të shlirimit të Jugosllavisë me Marshallin Tito në krye dhe qëndrimin ndaj qeverisë trathtare n’emigrim me mbretin Peter i II në krye.Ky vendim asht akt i gezueshëm për të gjith popujt e Kosovë-Metohis sepse ky asht fakti cili verteton drejt për së drejti se asht vorrosë nji herë e përgjithmonë Jugosllavia e Versajës,vendi i shtypjes nacjonale,sociale e politike.

VLLAZEN

  Sod janë grumbullue agjentat e ndryshëm rreth okupatorëve gjermano-bullgar në luftë kundra popullit.Ata i mobilizojnë popujt t’anë për interesat gjaksore t’okupatorit,për kampe të punës e ushtri,per luftë kundra Ushtrisë nacjonal-shlirimtare të Jugosllavis.Ata po ashtu dergojnë banda mercenarësh në krye me Xhafer Devën kundra UNC të shqipnis.Po keta agjenta punojnë n’interes t’okupatorit e simbas dëshirës së Drazha Mihajlloviqit,anmikut të perbetuem të popullit.Në këtë menyrë po shihet qartë se tradhëtarët e sherbetorët e okupatorit,pa marrë parasysh kombësin,janë animq të njëllojtë të popujve t’anë.Po shihet se asht detyrë me zhvillue luftën e njejtë kundra të gjithë anmiqve të bashkuem e të perbetuem të popujve t’anë.Njena palë nën parullën e “Shqipnis së madhe” e pala tjetër nën parullën e “Jugosllavis së madhe” bajnë per interesa t’okupatorit krime e terror të pashembullt.Ata i përkushtojnë të gjitha fuqit për me zgjatë robnin.Kot thërrasin sod me tanë zanin agjentat e Ballit Kombëtar për rrezikun nga Serbët e Malazezët.Populli e ka pa se ato janë vetëm mashtrime,sepse po ata trathtar i dergojnë bandat e veta kundra UNC të Shqipnis po ashtu sikurse edhe kundra UNC të Jugosllavis”.

( Konferenca e Bujanit – Prishtinë 1998 , faqe 190-191 ).

Komentet ndaj kësaj  janë të tepërta.Këto ide të Rezollutës së Bujanit,nxjerrin edhe një herë në pah,servilitetin politik të nacionalçlirimtarëve shqiptarë,nadj Partisë Komuniste Jugosllave e cila ashtu si në vitin 1941,ishte ulur këmbëkryq në krye të lëvizjes komuniste shqiptare.Ky servilitet politik është sidomos i prekshëm në figurën e Enver Hoxhës të këtij udhëhqësi me prirje makiaveliste,i cili,për hir të karikes mund të shiste jo vetëm atdheun e kombin por edhe familjen më të ngushtë të tijën,kështu duke  lënë në duar të serbosllavëve fatin e gjysmës së shqipërisë dhe kombit të vet.Kjo u duk sidomos me rastin e vendosjes së pushtetit ushtarak në Kosovë më 1944,pushteti i cili mohonte jo vetëm të drejtat legjitime të shqiptarëve në Kosovë dhe vise të Maqedonisë shqiptare,por edhe masakroi me dhunë çdo të drejtë për vetvendosje,në bazë të kartës së Atllantikut.Hoxha dhe klika e tij komuniste e Tiranës heshtën,duke mos u kujtuar asnjëherë Bujanin,për dy arsye.E para,dhe më kryesorja,është se ajo klikë e pat shitur Kosovën,që kur pranoi të udhëhiqej nga komunistët serb,gjoja për pjekurinë e madhe dhe frymën interancionaliste të tyre.Për më tej,dihet se në vitet 1944-1945,klika e Tiranës,pat qenë e gatshme që edhe vetë shteti amë,Shqipëria,të inkuadrohej si Republika e shtatë më veti në kuadër të Federatës Jugosllave.Muaji i mjaltit midis komunistëve serbosllav dhe atyre shqiptarë,do të zgjaste gjatë,në kuriz të fatit të popullit shqiptar.Por edhe kur marëdhëniet shqiptaro-serbe u acaruan,edhe kur Hoxha nuk la letër pa nxjerë për Titon,sërish konferenca e Bujanit nuk u përmend.Kjo sepse E.Hoxha nuk donte të nxirte në shesh të palarat për shitjen e Kosovës dhe të Maqedonisë shqiptare.Nëse do të përmendej Bujani,sigurisht klika komuniste e Tiranës do të shfaqej në formën e saj të vërtetë,jo siç ka pretenduar,si e pafajshme për ndarjen e madhe midis “vëllezërve”,por si fajtorë kryesorë në këtë tragjedi shqiptare.

Ajo ç’ka parashihte Mid’hat Frashëri për Konferencën e Bujanit,ajo çka thanë Bedri Pejani,Fuad Dibra apo Xhafer Deva,u vërtetuan plotësisht pas Bujanit.Dhe profecia e tyre nuk zgjati as me vite dhe as me decenie por vetëm me ditë.Vendosja e regjimit ushtarak pas “Fitores” së nëndorit 1944,në Kosovë e Maqedoninë shqiptare,vërtetoi fjalën dhe mendimin e pjekur të nacionalistëve shqiptar,ashtu siç bëri hi dhe pluhur “ëndrrat” e nacionalçlirimtarëve internacionalistëte proletare.

“Të venë në mes dy zjarreve të brigadave partizane jugosllave dhe brigadave partizane shqiptare,popullsia shqiptare e kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit,mbas një rezistence heroike që i kushtoi jetën e më shumë se 36 mijë personave,përjetoi 50 vjet diktaturë komuniste dhe shtypje serbo-malazeze,maqedonase”(Prof.Sami Reptishti,kumtesë e mbajtur në DeBEl-Gardens, Nev Jork, më 2 janar 1994 ).

  E vërteta është se Bujani nuk vlen të paragjykohet prej asnjë force politike të sotme,shumë pjesmarrës të asaj konference,natyrisht u ngritën drejt një misioni fisnik duke menduar për fatet e Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit.Por ata nuk kishin mundur asesi të kuptonin se internacionalizmi proletar i trumbetuar nga bollshevikët,do të thoshte në fund të fundit,rendje drejt ideologjive dhe zhvillimeve rrënuese në rrafshin nacional.Sot e kësaj dite,Bujani na grish të lëmë menjanë teoritë vullgare të integrimeve të çfardolloj se gjoja i tillë ka ardhur mijëvjeçari i ri.E vërtet është se fati ynë si komb,do të mund të ndryshojë,vetëm atëherë kur ne të jemi të bashkuar,në krejt trojet tona natyrore,vetëm atëherë kur problemin nacional tonin,ta shohim brenda zemrave tona. Atëherë nuk do të ofshojmë më për Bujanin.

Bern-Zvicër

Filed Under: Histori Tagged With: Eugen Shehu, Konferenca e Bujanit, tellallet e saj

SËRISH NË KANADA

December 17, 2013 by dgreca

Përshtypje udhëtimi, Otava-Dhjetor 2013/

Nga Luan Çipi/

 Ishte e përsëritur dhe këmbëngulëse thirrja e fëmijëve të mi, të përndarë nëpër botë, për t’i vizituar e takuar në një guidë turistike në Holandë, Kanada e Amerikë. Edhe ata e kuptojnë se, pa i pyetur, vitet ikin vrullshëm dhe prindërit e tyre, që kanë hyrë prej kohe në ”moshën e trete”, nuk kanë më kohë për t’u gëzuar e argëtuar, mandej janë drobitur e lodhur, duke numëruar vitet pafundësisht…Pas shumë përsëritjesh me thirrje e porosi në korin e madh me djalë e vajza, nipër e mbesa, më së fundi, më bindën për t’u shkulur e larguar nga Vlora, pasi më premtuan se do mblidhen diku, në një nga shtetet e mëdha, të gjithë së bashku. E cili prind, veçanërisht i moshës tonë, nuk do që t’i mbledhë pasardhësit, si dikur rreth vetes? Po ne, të përkohshëm në këtë jetë, nuk lemë rast festash pa u mbledhur me shokë, miq e farefis, në gëzim të çastit. Unë, kur jam në Vlorë, apo në Tiranë, ku ri i alternuar në stinët e beharit dhe të dimrit përkatësisht nga 6 muaj, çdo ditë mblidhemi e pimë kafe me shokët. Kështu, pse mos “sakrifikoj” dy muaj për t’u takuar me “Barkun e Shën Mërisë”?

Përfundimisht, mora vendim të lëviz jashtë atdheut bashkë me gruan, që nga ana e saj kishte vendosur për këtë, qysh me thirrjen e parë “begenisëse” të sinqertë.

Gjitonët tanë të Tiranës në katin e gjashtë, unik e tjetërsoj të shkueshëm, Fori, Mani dhe Koli familjarisht, të dashur e të veçantë si përherë, si dhe nipi i gruas time Valter Haxhiraj, që banon mbi katin tonë, kur morën vesh se largimi dhe vizita jonë do ishte e shkurtër, peshuan “qarin me zararin”, e pranuan largimin dy mujor dhe me këtë rast më ofruan peshqeshe të çmueshme e ndihmë për transportin deri në Rinas me mjetet e tyre.

Shokët e mi vlonjatë me banim të hershëm në Tiranë, me nismën e akademik Bardhyl Golemit, Niko Gjyzarit, Axhem Gjonajt, Sadedin Gjokes dhe të tjerëve, njëzëri e pa përjashtim, për të  njëjtën arsye, organizuan një darkë përcjellëse me raki, verë  e peshk “Narte”, porositur enkas te “Bar Restorant VLORA”, në Shallvare të Tiranës. Poeti Perparim Hysi, aty për aty me këtë rast thuri dhe poezinë dashamirëse, që e deklamoj po aty, në formë dollie:

 

Mirë që shkruan, por prapë udhëton
Si udhëtar gjithë botën bredh
Si djalosh në moshë të vonë
E, Luan Çipi! Sheh dhe hedh…

Hedh me shkrime ç’të sheh syri
Je “turist” që ke licencë
Këtu “doli”, atje “hyri”
Jetë e tij: k o n v a l e s h e n c ë…

 

Duhet të nisesha datë 1 dhjetor 2013, po katër ditë para u shfaq një befasi e llojit specifik Shqiptar: Kompania ajrore “Beller”, ku në mënyrë elektronike fëmijët kishin prere e paguar biletat Tirane-Holandë e kthim, kishte “shpallur falimentin” dhe nuk merrte përsipër as kthimin e shpejt te pagës.“Shkuan për lumë” rreth 600 euro dhe ne, ripaguam bilete me tjetër kompani. Kaluam për Amsterdam, pasi ndërruam avionin në Mynih, duhet thënë në një fluturim të këndshëm dhe pa i prekur bagazhet, detyrë që e kreu Kompania Ajrore serioze “Lufthansa”.

Pasi ndenjëm 7 ditë të gëzuara te vajza e vogël në Holandë në qytetin Krimpton, fare afër Roterdamit, nisemi direkt në udhëtimin me avion nga Amsterdami i Holandës për Toronto të Kanadasë dhe prej andej me automjet ndalojmë afër kryeqytetit Otava, në qytezën Chesterville.

Udhëtimin me avion Amsterdam-Toronto, unë e kam përshkuar edhe tjetër herë, E veçanta e udhëtimit të fundit me Kompaninë Ajrore Mbretërore Holandeze “KLM” ishte, kohëzgjatja 8 orë  dhe udhëtimi komod pa asnjë turbulencë apo tjetër lloj shqetësimi, ku dukej kujdesi dhe shërbimi model i personelit dhe ushqimi disa herë, mjaftë cilësor dhe i bollshëm. Patëm kontroll të imtë në Amsterdam dhe asnjë lloj pengese e ndalese tjetër, një ulje e pa ndjerë e avionit gjigant dhe ne, drejt e te bagazhet. Në dalje na prisnin njerëzit tanë të dashur dhe surpriza e parë ishte: Për nderin tonë me punonjësit e biznesit të vet privat, vajza ime kishte organizuar një takim, ku me rastin e Krishtlindjes jepej një darkë falas si dhe kryhej shpërblim i posaçëm monetar ose dhurata. Ceremonia kaloi me dolli, përshëndetje e falënderime, aq sa ne nuk e ndienim lodhjen dhe nuk e kuptuam si kaluan 3-4 orë në  atë atmosferë gazmore me njerëz të dashur, që na u duk sikur të ishim njohur prej vitesh.

Pasi fjetëm një natë në qytetin Brampton, pranë Aeroportit të Torontos, të nesërmen nisëm të përshkonim autostradën 401, padyshim “halluej” më i gjatë në Kanada. Na duhet të përshkonim  me automjetin tonë komod me shpejtësi 100 km/ore mbi 500 km. Rrugës na u desh të ndalemi  në disa vendpushime tepër të organizuara, të quajtura “Tim Hortons”, me emrin e themeluesit, hokeistit të famshëm për kohën e vet. Tje kishte komoditet dhe ushqim të bollshëm dhe ndërsa jashtë ishte temperatura nën zero, në çdo mjedis kishte ngrohje, ndriçim dhe ajrosje të këndshme.

Në distancën e pafundme të autostradës 401, qëndruam dhe pushuam dy here dhe serish e ngado rrugë të asfaltuara, shtruar me cilësi e me disa korsi.

Nga të dy anët e rrugës bien në sy fusha të pafundme të lëna djerë, pyje gjysmë të zhveshura e të lëna pa kujdes. Rrallë, shfaqen qyteza të reja të ngritura me shtëpi të drunjta të stilit karakteristik kanadez dhe të vret sytë ndonjë fermë e vjetër thuajse e braktisu, me sillosët e lartë dalëboje të drithit dhe stallat e çapëluara të bagëtive apo rrethimet e drunjta të dëmtuara të kuajve. Të krijohet përshtypja e lënies pas dore dhe e largimit të banorëve nga fermat për të gjetur burime më të lehta jetese ndër qytetet e shumtë të shtrirë më shumë në të djathtë të autostradës gjigande, në gjatësinë e pafundme të Liqenit të Madh jetëdhënës. Pak qendra të banuara shtrihen majtas autostradës, po kalimet dhe nënkalimet të lejojnë pa ulur shpejtësinë të futesh në bajpaset përkatëse dhe të kalosh lirshëm nga të dy anët, pa e kufizuar shpejtësinë.

E lamë autostradën e gjatë dhe u kthyem djathtas, duke kaluar në një rrugë të asfaltuar (nuk bëhet fjalë për shtrime rrugësh të llojeve të tjera të rëndomta me gurë e çakëll, po çdo metër traseje është i asfaltuar mirë dhe i mirëmbajtur, pa asnjë gropëzim, apo gungë). Rruga ku u futëm është me dy kalime të vijëzuara, ku nga të dy anët duken qendra të banuara dhe fshatra të mëdhenj e të vegjël, shtëpi  me një, dy e tre kate, hangarë, garazhe, stalla padoqe e depo. Ndërtimet edhe këtu janë me konstruksion të thjeshtë, veshur në lartësi me dërrasë dhe mbuluar me tjegulla kanadeze (letër katrama) dhe më rrallë me llamarinë, çka tregon se kanadezet kudo janë unik dhe kanë zgjedhur konstruksionet që ndërtohen shpejt, lehtë dhe me kosto të ulët. Kudo përdoret energjia elektrike për ndriçim dhe gazi për ngrohje.

Kthehemi në të majtë të rrugës dhe qëndrojmë. Me sa duket më së fundi mbërritëm në destinacion, rreth 40 km. para Ottawës, në qendrën e banuar Chesterville, me rreth 10 mijë banorë, ku të bie në sy një spital i madh rajonal shumëprofilësh..

Dalim nga makina të lodhur, po pamja e mrekullueshme e mjedisit na çlodh si me magji. Para nesh shtëpia dhe qendra e biznesit e dhëndrit tone kanadez, një kompleks i bukur përrallor:

Kur e pash vilën e bukur nga jashtë dhe qendrën e biznesit me tej me depo, zyra e garazhe,

rrethuar me shatërvan me gurë të gdhendur masiv, pemë dekorative e lule të çmueshme, si dhe shtëpizën e posaçme të lojnave të fëmijëve, ndjeva kënaqësi të madhe, për atë që me mund e përpjekje, brenda 13 vjetësh, kishte arritur ime bijë. Kur u futa brenda dhe sodita në të tre katet, disa dhoma gjumi të kompletuara, si dhe dhomën e gatimit me frigoriferë dhe të gjitha pajisjet e kohës, dhomën e bukës me tavolinën e gjate 8 metro, sallonet e pritjes dhe të ndenjes me kolltukë të rehatshëm, të ngritshëm e të lëvizshëm, televizorët e mëdhenj digjital, studion me pajisjet kompjuterike, banjat, dhomën e nikoqires me pajisjet larëse-tharëse, depot e deri sallën e lojnave, bilardon e palestrën, si dhe dhjetëra piktura e portrete në mure, unë vërtet u mrekullova. Në atë çast për të parën herë në jetë përkraha mendimin e emigracionit duke e konsideruar atë si mjet nxitës e përshpejtues për një nivel më të lartë jetese e botëkuptimi dhe si model e faktor zhvillimi të shpejtë dhe për vendin tonë. Aty për aty mendimi më ktheu vite më parë, te Atdheu im nën komunizmin dhe thash, se ish beu, agai dhe pasaniku i asaj kohe, nuk kishte as minimumin e këtij niveli dhe po të dispononte këtë pasuri atje, ime bijë do ishte shpallur “kulake”, do shpronësohej e do persekutohej.

Ime bijë dhe fëmijët e saj, tashmë të rritur e të shkolluar si ajo, në nivel universitar, kishin programuar gjithçka për pritjen tonë dhe që kohën e qëndrimit këtu në Kanada, ta organizonin sa më bukur. Shumë nga pikat e programit për ne,  nuk u deklaruan se ngelen surprizë, por një gjë u bë e qartë: Krishtlindja dhe Viti i Ri këtë radhë do jetë i veçantë dhe do mbahen mënd sa të rrojmë.

 

Otava-Kanada, 15 dhjetor 2013

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Luan Cipi, serish ne kanada

AMERIKANET QE KENDOJNE DHE KERCEJNE SHQIP

December 17, 2013 by dgreca

*Raif Hyseni :  130 insterumentistë, këngëtar dhe vallëtar, interpretues amerikanë këndojnë e vallëzojnë si shqiptarë, veshur kuq e zi – Nuk janë shqiptarë, por këndojnë shqip më mirë se ne! shqiptarët

* Intervistë e posaçme me mjeshtërin e fisarmonikës Raif Hyesni

NEW YORK CITY : Mbaroi dhe edicioni i Seminarit Folklorik në Taxas – TIFD-së 2013, i cili sivjet prezantoi magjinë dhe larminë e këngës dhe valles popullore shqiptare, nga Ansambli i parë dhe i vetmi shqiptaro amerikan; të udhëhequr nga Raif Hyseni dhe Merita Halili . Janë 80 insterumentistë, këngëtar dhe vallëtar, interpretues të, të gjitha moshave nga disa shtete të SHBA, që këndojnë e vallëzojnë si shqiptarë, veshur kuq e zi.

Si në shfaqjen e parë në vitin 2012, në New York, ku për herë të parë me këtë Ansambël jemi njohur  në Festiavlin Folklorik të Kishës Katolike Zoja e Shkodrës, ku ky Ansambël u prezantua me një potpuri popullore  të këngëve “”Ti ti ti matanë, Laje – Laje kryet si rosa, Çësht ma bukur në kyt bot, Oh ku po shkon moj rrushja e lalës”,  edhe sivjet gama e stileve të këngëve shqiptare popullore ishte shumë e pasur – dhe të mrekullonë .     

    “Deri me tani në Ansamblin tonë, kanë mësuar rreth 3000 apo më shumë student nga Amerika, Japonia, Australia dhe Europa” tha ai eskluzivisht për gazetën Bota sot, mjeshtri i fisarmonikës Raif Hyseni, i cili së bashku me bashkëshorten e tij Merita Halili janë udhëheqësit e këtij Ansambli që po preformon anë mbanë Shteteve të Bashkuara.

  Raif Hyseni dhe Merita Halili janë ambasdorët e muzikës popullore shqiptare, në botë. Ata të dy me grupin muzikor që kanë në New York, mund t’i shohësh në çdo aktivitet dhe veprimtari muzikore kulturore e artistike, ngjarje kombëtare, festë apo gåzim më shumë nga të gjitha grupet muzikore. Ata me profesionalizëm dhe mjeshtëri, me muzikën tonë burimore, kalojnë një pjesë të madhe të vitit në Amerikë, por edhe ndonjëherë edhe në Shqipëri, Kosovë e viset shqiptare. Dashuria e tyre dhe pasioni për muzikën popullore shqiptare s’ka kufij …..!

    Raif Hyseni, tha në këtë intervistë se: ” Unë që i ri kam pas dëshirë t’i tregoj botës që ne kemi vlera, por nuk kemi pas mundësi t’i shpalosim, promovojmë, dhe t’i ndajmë me poupjt e civilizuar për shkaqe politike. Shansi i parë që mu dha unë së bashku me Meritën, shokët, dhe miqt e mi Amerikan  e bëra këtë ëndërr  realitet. Në bluzën  me Shqiponjën dykrenare, unë e kam shkruar një thënie “ Where music starts and never really ends”, “ Ku muzika fillon, dhe në të vërtet kurrë nuk mbaron” Albanian-American Ensemble.”

Për më shumë ndiqni intervistën me gazetarin e tonë, në New York, Beqir SINA, me udhëheqësin e Ansamblit shqiptaro amerikan – mjeshtrin e fisarmonikës Raif Hysenin !:

Beqir Sina: Fillimisht një koment lidhur me sminarin  folklorik Taxas  TIFD-së 2013

R. Hyseni : Ishte her-a e parë që ne ishim të ftuar në këtë  seminar. Ky seminar (workshop) është themeluar në vitin 1950, që nga ky vit është krijuar  takimi apo seminari tradicional – që mbahet për çdo vit në javën e Falenderimeve (Thanksgiving) të çdo muaji Nëndor të çdo viti. Ne na shoqeronin edhe dy vallëtarët Amerikan,  Steven dhe Susan Kotansky, që mbajtën leksione për vallet Hungareze dhe ato Shqipëtare.

Beqir Sina: Raif çfarë mund të na thoni rreth  atij koncertit në se do të quanim kështu, pra të Ansamblit shqiptaro-amerikan në Texas Camp TIFD-së 2013, të udhëhequr nga ju dhe Merita Halili ?

R. Hyseni : Në Texas na pritnin rreth 80 student, këngëtar, muzikantë, valltarë, studiues dhe adhurues të muzikës Shqipëtare. Si zakonisht unë ju mësoj  pjesën instrumentale të këngëve dhe valleve dhe e dirigjoj Ansamblin, ndërsa  Merita ju mëson këngët,d.m.th shqiptimin e teksteve, këndimin e tyre, dialektin së bashku me kuptimin e këngëve të përkthyera nga gjuha Shqipe në Anglisht, ndërsa Steve Kotansky, ju mëson vallet, nga vijnë si kërcehen, si dhe historikun e tyre.

Beqir Sina: Në mos gabohem kjo nuk është her-a e parë që ju dhe Merita organizoni ngjarje të tilla muzikore me Ansamblin shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës !

R. Hyseni :   Po! është e vërtet, jemi në vazhdën e realizimit të një plani gati 20 vjeçar që kemi bërë unë dhe Merita, dhe juve e dini që çdo rrugë e re, është e vështirë dhe gjithmonë në ndërtim, edhe ne jemi në ndërtim e sipër.

Beqir Sina: Për herë të parë me këtë Ansambël u kemi parë në Festiavlin Folklorik të Kishës Katolike Zoja e Shkodrës, ku ju u prezantuat me një potpuri popullore  të këngëve “”Ti ti ti matanë, Laje – Laje kryet si rosa, Çësht ma bukur në kyt bot, Oh ku po shkon moj rrushja e lalës”, dhe përsëri ju keni zgjedhur një potpuri tjetër. Përse, këto potpuri a mos vallë është me lehtë për t’i mësuar nga muzikanët Amerikan ?

R. Hyseni : Më vjen shumë mirë që juve ju ka ra në sy kjo dukuri, dhe se juve jeni i pari gazetar që i keni dhënë vëmendje. Ngase koha gjatë seminarit është e shkurtër d.m.th një javë, në punojmë shumë që të nxjerrim në pah vlerat e muzikës tonë, shumë të pasur, dhe e shrytëzojmë këtë rast në maksimum që patjetër të përfshihen të gjitha vendet ku Shqipëtarët jetojne sot në Ballkan, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Çamëri, dhe ky relief edhe gjeografik , po ashtu edhe relief  gjeo-muzikor  e bën shumë më tërheqës edhe vet studjuesin Amerikan.

Beqir Sina: Sa e vështirë është të krijoshë  një Ansambël shqiptaro-amerikan në Amerikë, me muzikan amerikan ?

R. Hyseni : Juve e dini më mirë se unë që asgjë nuk është lehtë, as juve nuk e kishit të lehtë t’i bëni këto pyetje, po e marr si shembull. Në fillim Merita, ka pas vetëm dy student, unë asnjë, pastaj vetëm me punë, sinqeritet, sakrificë, korrektësi, dhe impenjim arritëm që t’a bëjmë Ansamblin më të madh në krejt Amerikën që luan muzike Shqipëtare me 130 anëtarë.

Beqir Sina: Z. Raif, ju jeni krijues dhe udhëheqës artistik i këtij grupi. A mund të na flisni diçka mbi fillimet e këtij grupi ? dhe si ju lindi kjo ide ?

R. Hyseni : Në fillim Merita jepte këngët, ndërsa unë vetëm fis-harmonikën. Me punën që bëm numri i adhuruesve tanë filloj të rritet kështu që unë propozova, që të jap dy klasë, atë të fis-harmonikës, si dhe klasën e Ansamblit. Deri me tani në Ansamblin tonë kanë mësuar rreth 3000 apo më shumë student nga Amerika, Japonia, Australia dhe Europa.

Beqir Sina: Sa janë të integruar në muzikën popullore shqiptare, këta muzikan amerikan ?

R. Hyseni : Janë shumë. E njofin muzikën tonë, vallet, traditat, kulturën, historinë, mentalitetin, muzikën e politikën.

Beqir Sina:  A ju pëlqen atyre muzika jonë popullore ? dhe çfarë i tërheq më shumë ?

R. Hyseni :  Po, ju pelqën shumë. Në fakt  pëlqejnë edhe muzikën e kombeve tjera në Ballkan. Me së shumti ju pëlqen origjinaliteti pa marrë parasysh si ndërtim muzikor, krahinor apo regjional. E pëlqejnë vlerën, e çmojnë vlerën, e respektojnë vlerën, e promovojnë vlerën, dhe padyshim që e ruajnë atë.

Beqir Sina: Ç’farë mesazhi përcillni me Ansamblin shqiptaro-amerikan  në këto festivale?

R. Hyseni : Mesazhi  është shumë deminsional. Për shembull, pasuria, vlerat, historia, tradita e një kombi të lashtë siç jemi ne. Për ata që mendojnë që muzika popullore, folklorike nuk ka vlerë le të marrin mësim nga ky Ansambël. Në Ansamblin tonë të  Kalifornisë,  ka luajtur  me ne në kontrabas edhe ish basisti i Madonës, pastaj muzikant të njohur të jazzit, muzikës klasike e të lloj lloj zhanrëve. Mesazhi është më domëthënës dhe ja rrit vlerat këtij Ansambli – kur vitin e kaluar kishim rreth 12 fëmijë Amerikan të moshave 5-13 vjeç që këndonin Shqip. Do të vijë koha që një ditë Shqipëtarët  nga Europa do të vijnë të mësojnë muzikën e tyre kombëtare në Amerikë.

Beqir Sina: Në të dy festivalet, kostumet e Ansamblit janë kuq e zi apo edhe me shqiponjën dy krenare natyrishtë që është shumë domethënëse dhe emocionale. Ky është edhe mendimi juaj besoj apo jo!

R. Hyseni : Po, natyrisht që Shqiponja do të fluturoj sa të dojë, ku të doj, sa herë të doj deri sa të ketë Shqipëtar në këtë planet. Unë që i ri kam pas dëshirë t’i tregoj botës që ne kemi vlera, por nuk kemi pas mundësi t’i shpalosim, promovojmë, dhe t’i ndajmë me poupjt e civilizuar për shkaqe politike. Shansi i parë që mu dha unë së bashku me Meritën, shokët, dhe miqt e mi Amerikan  e bëra këtë ëndërr  realitet. Në bluzën  me Shqiponjën dykrenare, unë e kam shkruar një thënie “ Where music starts and never really ends”, “ Ku muzika fillon, dhe në të vërtet kurrë nuk mbaron” Albanian-American Ensemble.

Beqir Sina: Gjatë këtyre aktiviteteve tuaj në SHBA a mund të na flisni diçka mbi aktivitetet e tjera kryesore ku keni marrë pjesë me grupin tuaj artistik dhe a keni marrë ndonjë çmim?

 R. Hyseni : Ky Ansambël tani për tani ka karakter edukativ, promovues, mirëpo anëtarët e këtij Ansambli marrin pjesë në festivale të ndryshme, si dhe përfaqësojnë muzikën Shqipëtare në Universitete, Kolegje, dhe festivale të ndryshme të Amerikës.

Beqir Sina:  Së fundi : Cilat janë projektet e Ansamblit shqiptaro amerikan tuaj për të ardhmen?

R. Hyseni : Në 20 vitet e ardhshme në çdo shtet të  Amerikës të ketë nga një Ansambël Shqipëtar të përbër nga muzikanët Amerikanë.

Intervistojë Beqir Sina

 

Filed Under: Kronike Tagged With: amerikanet qe kendojne, kercejne shqip, Merita Halili, Raif Hyseni

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5006
  • 5007
  • 5008
  • 5009
  • 5010
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT