• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KA RA BORË NË TROPOJË

November 27, 2013 by dgreca

Ramiz LUSHAJ/

I thinjur, po më merr malli të lodroj si fëmijë mbi borë,/

Si dikur, me kluca me i nxanë tricat me i trohë bukë./

Po peni nyjelidhun i kësaj kohe më ndjek çdo orë,/

Vet vitet e jetës e hapat në rrugë më kanë fut në klucë…/

 

Dua të rrëshqas me koritë druri mbi Alpe e hapësirave të globit,

Mbi thinjat e mija  çapërpik në letra e në orbitat e kohës.

Pas çdo boheme drejt Tiranës, Johanesburgut e Nju Jorkut.

T’i rikthehem engjëllor e mëkatar,  i ri e i mplakur, Tropojës.

 

Dua të ngjitem mbi kullen time alpine me e çplue prej borës.

Aty lotët e mallit deri në maje të oxhakut kallkin janë tuj ngri’

O, më kanë mbetë vetëm kulla e fëmijëria në fijatje të kohës.

Shpesh rikthehem i thinjur, me mirësi, si Babagjysh i Vitit të Ri.

 

Dua t’i mbathi rrathët e borës e të fluturoj mbi borën e dimrit alpin.

Të luaj me topa bore në Tropojën hyjnore si dikur kur isha fëmi.

T’ia shkrijë sa të muj ortiqet e politikës që i dalin para në udhëtim.

Të gjuaj me topa akulli ata që vendlindjes m’i bahen zhingaxhi…

 

26 Nëntor 2013

 

Filed Under: Featured Tagged With: Ramiz Lushaj

Masakra është e ndaluar në fenë Islame

November 27, 2013 by dgreca

Nga Ervin SHKULAKU/

Para disa ditesh doli video ku kryetari i partisë AAK në një pronocim në një media te huaj tregonte diçka nga jeta e tij personale rreth besimit në Zot. Fatkeqësisht menjëherë filluan debatet në Kosovë. Menjëherë grupet fetare filluan që të bejnë komentë fyese në drejtim të kryetarit të kësaj partie. Gjithashtu për shkak të klimës zgjedhore edhe partitë e tjera po kënaqen nga ky sulm ne drejtim të kryetarit në fjalë.

Unë i kam dy fjalë në drejtim të kryetarëve të grupeve fetare. Fillimisht në fene Islame nuk ka dhune në fe. Por po ndodh e kundërta me ju kryetarë që çdo dite dilni duke u munduar që të krijoni një “perëndimfobi” në Kosovë. Ju ftoj të shikoni videot në Youtube ku grupet fetare në emër të Zotit  në Siri po bëjnë vrasjet më mizore. Këto lloj vrajse nuk janë bërë kurrë në luftrat e kohës së profetit. Atëherë pse po luftojnë shqiptarët që kane shkuar në atë luftë? Ata të gjorë u mashtruan sepse nuk e dinin që atje është luftë civile. Pamjet tregojnë qarte qe duke jua prere kokat njerëzve bertasin emrin e Zotit. Masakra është e ndaluar në fenë Islame, prandaj ju bej thirrje shqiptarëve myslimanë mos u mashtroni nga tregimet shumëshekullore, mos lejoni që të tjerët tju frikësojnë me Zot’in. duajeni Zotin dhe mos lejoni të tjerët tju frikësojnë me Zotin. Askush prej atyre drejtuesëve te grupeve fetare nuk k ate drejtë të bëjë thirrje për luftë e ti çojë njerëzit në luftë për të vdekur. Nëse ju besoni që ka xhihat atëherë bëjeni xhihatin duke mesuar, duke lexuar libra. Mos u bëni pjesë e grupeve fetare sepse në këtë mënyrë ideologjia e tyre do ju bëjë më agresivë dhe do ju bëjë që të mos I doni njerëzit që janë pjesë e saj. Merrni shembull Sirinë ku sot është future në një rrugë pa krye. Njërëz të të njëjtit besim po vriten me njër, tjetrin. Shikoni dhe analizoni gjëndjen e sotme dhe jo nostalgjinë e shumë shekujëve më parë. Nëse mendoni që bota pot ë udhëhiqet nga myslimanë do të jetë e drejtë gaboheni. Bota asnjëherë nuk do jetë me atë drejtësi që degjoni nga prijësit fetarë. Do të jenë përseri këta prijës që do të udhëheqin dhe në emër të Zotit do të bëjnë shumë ekzekutime. Por edhe sot mos mendoni që myslimanët janë të varfër. Sot njerëzit më të pasur në botë janë Arabë. Po po arabë janë por ju do thoni që këta Arabë janë mashtruar nga perendimi. Nuk është e vërtetë sepse pikërisht këta njërës po lejojnë që të bëhën vrasje masive në shtetet Arabe. Edhe janë po këta njerëz që I financojnë të gjitha grupet fetare.

Nëse sot feja Islame ka një imazh të keq, shkaku I këtij imazhi të keq nuk ka faj perëndimi por pikërisht “perëndimfobia” që është krijuar në lindje.

Sot Siria po shkon në ndarje. Në një pjesë e saj po krijohet pjesa Kurde, gjithashtu sipas një shkrimi të djeshëm të gazetës Turke Taraf grupet Selefi, po masakrojnë fiset Turkmene në kufirin midis Irakut e Sirisë. Arsyeja e masakrimit është që keto fise kanë dalë nga feja pavarësisht se janë të besimit Islam. Gjithashtu sipas tyre femrat e tyrë merren robëresha sepse kështu janë rregullat e fesë.

Gjithashtu në fenë Islame lirija e besimit respektohet. Por gjithmonë del në media ku nuk respektohet besimi në Evropë. Po në Lindje sa respektohet liria e besimit? Fatkeqësisht është pothuajse shumë pak. Nëse sot një katolik shkon për vizitë në Irak, Siri, Afganistan, Liban, Somali etj, ai ka shumë pak mundesi te jetojë biles

Prandaj që çdo njeri ka të drejtë që të respektojë besimin e tjetrit, qoftë ky edhe kryetar partie.

* Bashkepunetori i Gazetes Dielli, Ervin Shkulaku eshte Korespodent  i gazetes  ZAMAN/Turqi

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Ervin Shkulaku, turp te keni

NË HESHTJE

November 27, 2013 by dgreca

Urim për festën e At-Dheut tim!

Nga DRITA LUSHI/

Sa zhurmë!/

Sa zhurmë!/

Të bërtasësh më shumë, s’do të thotë se do më shumë./

Të bërtasësh më shumë, s’do të thotë se di më shumë./

Mund të duash në mënyren tënde, me heshtjen e qetësinë tënde,shtëpinë, familjen, Atdheun.

Nuk ështe e nevojshme të bërtasësh për të treguar që je.

Mund të shfaqesh bukur, edhe pa fjalë të mëdha. Ndonjëherë zërat të pengojnë të bësh atë që ndien, duke të marrë në jehonën e tyre e duke te çuar larg, atje ku s’të ndjen e sheh njeri.

E dua Atdheun sipas mënyres time.Nuk pranoj  këshilla se si  të dua Vendin që se kam braktisur për më shumë se dyzet vjet.

E dua Atdheun jo vetem në festa, e nuk marr trumbeta të bërtas fort e t’i them :”Eejjj të dua!”, ose tu tregoj të tjerëve “Ejjj e dua At-Dhe-un”.

E dua pra në heshtje, por së pari dua shtepinë time, punën time, vendlindjen time…

Ndërsa Atdheun e konsideroj një trup, që s’e dua për formën e tij, nuk i dua sytë dhe fytyrën, këmbët apo flokët.

I dua çdo qelizë që më jep frymë e më mban hapat e mij tash’ e mot-mote që ecin mbi të, të vendosur.

Flamurin para se ta var në shtëpi, ballkon apo ambjent pune  e mbështjell në zemër.

Para se të mbështjell trupin në foto reklamusese, mbështjell me të shpirtin dhe dashurinë.

Sa zhurmë!

Sa Zhurmë!

Dashuria për At-Dhé  ka nevojë për… dashurinë tonë.

Le t’ia falim çdo ditë nga pak, jo vetëm sot.

Jo vetëm…!

Gëzuar Dheu im!

@ Drita LUSHI

27 Nëntor 2013

Filed Under: Featured Tagged With: Drita Lushi, ne heshtje

28 NËNTORI SHPALLJA E PAVARSISË DATË EMBLEMATIKE NË MEMORIEN E KOMBIT

November 27, 2013 by dgreca

Shkruan

Shkruan:Eugen SHEHU

  28 nëntori i vitit 1912,do të mbetet për ne shqiptarët si një kryedatë e pamortshme.Ajo do të shërbejë kurdoherë për ne si një tempull në pragun e të cilit,përpara se të hyjmë do të dëgjojmë sigurisht gjëmimet shekullore të historisë.Paskëtej pas trokitjes sonë në këtë tempull,do të na shfaqet e madhërishme ajo epope të cilën e quajmë ende sot “Mëvehtësia e Shqipërisë”. 28 nëntori i vitit 1912 tregoi tek e mbramja se populli ynë edhe pse i robëruar nëpër shekuj,nuk ishte pajtuar me këto robëri në dejet tonë zgjohej liria,në shpirt,kuraja dhe guximi i madh për sakrifica e sublime. Se sa është dimensioni i saj tek e fundit u provua me rastin e 100 vjetorit një hegjemonizim i paparë i kombit tonë , sikur tu rrëfente pushtuesve dhe armiqëve tanë që nga ajo kohë e gjerë më sot dhe në të ardhmen se dimensioni patriotik e atdhetar i shqiptarëve është i pashuar i një trupi që i mungojnë gjymtyrët e prera padrejtësisht dhe dinakërisht,ishin mesazhet e përcjella nga Vlora, Prizëreni e Shkupi se Kombi ynë nuk do ti flakë tapitë e përgjakura për pronat që na i ka falur Zoti.

 SHTEGU NGA VINTE DATA 28

 Mendoj se në këtë shteg,të parat hapa i hodhën burrat e Lidhjes Shqiptare të Prizërenit.Iljaz Pashë Dibra,Abdyl Frashëri,Jakup Ferri,Sulejman Vokshi,Ymer Prizëreni ideuan pavarsinë e trojeve arbërore.Guximi i tyre i pashoq,në thelb do të ishte zjarri i pashuar i shqiptarizmës,do të ishte klithma e lirisë në muzgun e gjatë.Hapat e tyre të parë,do të ftonin në këtë rrugë të gjatë e të vështirë,krejt ata shqiptarë në zemrat e të cilëve rilindete ideali i shenjtë i mëvehtësisë.Ata ishin të parët.Pas hapave të tyre ngarendën me mijëra që nga Plava në Prevezë,që nga Vlora e në Mitrovicë nga Shkodra e në Shkup.Gjaku i lidhte shqiptarët jo vetëm nëpërmjet shungullimave të historisë por sidomos në emër të së ardhmes që trokiste.Në qershorin e vitit 1911,në Gërçe u firmos prej krerëve të Malësisë së Shkodrës e Kosovës memorandumi i cili do të merrte më pas emrin e vetë Gërçes.Aty Ded Gjo Luli e trimat që e rrethonin,bashkuan gjokset dhe pushkët duke treguar tek e mbramja se ndryshimet e mëdha do të vijnë përmes ideve,shpresave por edhe flijimeve të mëdha. Kërkesat e memorandumit të Gërçes ishin ultimative dhe krejtësisht të shprehura për “Mëvetsinë e Shqipërisë”.Ato kërkesa suallën përshtjellime të mëdha në rrjedhat politike të Portës së Lartë e cila mbante peng lirinë e popullit tonë në saj të manipulimeve dhe qëllimeve të vërteta të Fuqive të Mëdha si edhe interesave të tyre në Ballkan.Por zgjimi me krisma tashmë kish pushtuar krejt Kosovën.Isa Bolentini në krye të trimave të tij,po merrte pëllëmbë për pëllëmbe tokën e shenjtë të Mitrovicës.Kalaja e tij,atje në Boletinin e largët ishte kthyer në bastion të patundur.Mbi supet e atyre kullave ranë rrëbeshet e topave dhe predhave të Xhavit Pashës.Muret u rrënuan po thmelet mbetën.Brenda imazhit të atyre themeleve,brenda atij zjarri dhe hiri të mbetur,gjalloi kurdoherë pema e lirisë.Sythet e kësaj pene kanë në farën e tyre hovet e jetës shqiptare.

Ndërkaq në Shkup,Hasan Pristina,Nexhip Draga,Sali Gjuka e Bajram Curri,kanë firmosurr një peticion ku i drejtohen Evropës se lufta e shqiptarëve nuk bëhet për hesap të askujt,veç të pavarsisë të trojeve arbërore.Tashmë edhe Evropa duhej të kujtonte se era e re e ndryshimeve që kish nisur të fryjë në Ballkanin e trazuar,nuk mund të kishte epilog tjetër veç lirinë aq shumë të ëndëruar si një Komb i shtypur dhe i sunduar. Dervish Hima dhe Faik Konica,me pendën e tyre i drejtoheshin forcave përparimtare të kohës që të mbështetnin moralisht Shqipërinë,ngase Rusia,Serbia,Greqia e Franca,hidhnin mjergull pa ndërprerë mbi të shkuarën dhe të ardhmen shqiptare.Fehmi Zavallani e Gjergj Qiriazi nuk munguan të ngrenë në trevat shqiptare të Maqedonisë,Komitetet e Shpëtimit duke propaganduar në popull idetë e mëdha të rilindjes sonë kombëtare.Ndërsa Luigj Gurakuqi do të ndërmerrte fushata në Rumani,Itali e Stamboll,duke i thirur ndërgjegjes së shqiptarëve të atejshëm që këta të grumbullonin para e të mblidhnin armë për kryengritjen që po trokiste.Ka qenë pikërisht kjo veprimtari e gjërë atdhetare që ka sensibilizuar atdhetarët brenda dhe jashtë Shqipërisë:kështu,në një letër që Françesko De Rada (nipi i Jeronin De Radës) i dërgonte Luigjit, thuhej ; “Sytë e botës janë sjellur nga ju dhe ,nëse do arritni të bëni një lidhje,Turqia pa tjetër do largohet”.(Arkivi Qendror i Shtetit,fondi L. Gurakuqi,dosja 36,dok.74,letra 14 qershor 1911).

Në Shkodër e në Vlorë në Manastir e Ferizaj,deri në Korfuzin e largët,populli i revoltuar u ngrit në këmbë.Ai parandjente furtunën që do të niste.Ai kërkonte armë,ai u thoshte bijve të vet trima ; Përpara në udhëhiqni,aty ku do hidhet hapi i juaj,aty është besa e jonë,është ndera dhe jeta jonë ! Historia po thërriste këta burra.Shumë prej tyre u përgjigjën.Në shtator të vitit 1912,Porta e Lartë e thirri Ismail Qemalin duke i propozuar postin e Ministrit të Jashtëm të Perandorisë.Mirëpo burri i shqipërisë iu përgjigj ; “ Ju falenderës.Nuk mund të pranoj pse ka ardhur ora që Shqipëria të shkunde zgjedhën”.Dhe burri i Shqipërisë,linte kolltukun gjithë ate nderë të Perandorisë, e merrte udhët e Evropës.Ai donte të bindëte këtë Evropë se shqiptarët vlejnë të fitojnë lirinë e tyre,meqë këtë liri ata askurrë se pritën si dhuratë nga askush por kurdoherë ngarendën drejt saj duke lënë prapa lumenj të tërë gjaku.Po ndërsa Evropa i fliste burrit shqiptar me gjuhë diplomatike, bashkëatdhetarët e tij i ngrinin moralin duke u  bashkuar me ide dhe veprime.Nuk mund të jetë e rastit që me 5 nëntor 1912,Ismail Qemali nga Bukureshti,telegrafonte në Durrës ; “E ardhmja e Shqipërisë është e siguruar.Telegrafoni kudo,të kenë besim të plotë,ndë fatin e atdheut”(Arkivi Qendror i Shtetit fondi 245/1,dosja 1,fleta 14 ).

Bijtë e Shqipërisë erdhën nga çdo vis i largët për në folenë e tyre.Së thelli,në shpirt ata ndjenin drithërimat që u falte çasti i madh.Vinin lugjeve vinin maleve,herë në këmbë,herë në kuaj e në qerre,herë përmes pusive të ngritura.Se pusitë e errëta  nuk mund të duronin dritën që do të buronte pas asaj dite fatlume.Vinin të lodhur prej brengave,prej halleve por me besimin e madh në shpirt se këto brenga të tyre personale do të shëndroheshin një ditë në gazin madhor të nënlokes së tyre.Vinin edhe pse e dinin se plumbi mund t’ua merrte jetën.Por ata ç’prej bëlbëzimeve të para,ç’prej ninullave të para të djepit,jetën e tyre ja patën falur Shqipërisë.me këtë rast,revista “Ylli i Mëngjezit” do të citonte ; “ç’ka bërë Ismail Qemali sot për Shqipërinë,ç’nder i do bërë dhe ku duhet ngritur emri i tij,ate mund ta gjykoje vetëm ai njeri që pa veprat e tij… Kur dualën nga Durrësi ishin 40-50 shpirt,të gjithë të armatosur me malihere.Udhës pastaj hasën në të tjera delegatë nga vise të largëme dhe u bënë qindra.Duke shkuar nëpër fushat e Myzeqesë në të cilat,veç ujrave dhe baltarvet kemi edhe vise të bukura që s’gjenden në botë,arritëm në 13 të vjeshtës së tretë,me 11 të natës allafranga në Vlorë “.(Revista “Ylli i Mëngjezit” faqe 198 – 30 nëntor 1913 )

Fund nëntori i Vlorës së vitit 1912,njëherazi do të shërbente si një ogur,i bardhë në kapërcyell të dy epokave.Këtë e parandjenë krejt shqiptarët dhe jo vetëm ata që ishin në Vlorë.Kudo në çdo vis të atdheut tonë,ndërsa vraponte lajmi për rrëzimin e mbrame të despotizmit osman sheshet gjëmonin nga thirjet për Flamurin.Mezi e prisnin bashkëkombasit e mij këtë ditë ngase me flamurin kuq e zi lidhje jo vetëm e sotmja e tyre por edhe  e kaluara e largët,e hidhur,e zezë si nata.Simbolika e Flamurit tonë,i kish kapërcyer prej kohësh kornizat e thata të ceremonialeve,kjo simbolikë ishte lidhur me një simbiozë të çuditshme me egzistencën fizike të shqiptarëve në trojet e tyre.Por,e parë në një rrafsh më të gjërë,data e 28 nëntorit e vitit 1912 pos të tjerave zbuloi edhe një mit të përgjumuar e të dhunuar të shqiptarëve siç ishte ai i bashkimit ndër vedi.Dhe kjo përgjumje ka arsyet e veta.Kur Turqit e vjetër e të rinj,kur carët e vjetër e të rinj,kur knjazët e vjetër e të rinj,nuk na i dualën dot me pushkë e me topa,ata përdorën njëmijë e një dredhi duke infiltruar ndër ne,përçarje fetare,fisnore e krahinore.Mirëpo duhet të pranojmë se jo pak gjak u derdh prej hakmarrjes së verbër e të imponuar, në udhët që të shpinin në kullat tona.Odat e tyre të larta e të ftohta e ruajnë ende në kujtesë klithmën e gjakut,klithmën e jetës së prerë në mes të vllaut prej vllaut. Vlora e vitit 1912,i mblodhi burrat shqiptarë,i brohoriti e derdhi lot dashurie për ta,ngase pa se flamuri kuq e zi vinte në duart dhe shpirtërat e bashkuar të tyre në agim të shekullit të ri,shqiptarët i flakin tutje mëritë,historitë mëkabre të gjakut duke dëshmuar rilindjen shpirtërore të kombit të tyre.Duart e shtërnguara të tyre flakin një të kaluar të nëpërkëmur në emër të një të ardhmjeje dinjitoze.

“Na u duk sikur dera e zotit e këputi zinxhirin e skllavërisë,sikur dullëm nga terri në dritën e bekuar të diellit,zemrat na u mbushën me gaz e shpresë.Qysh të mos lindësh këtë ndjenjë duke parë sqenën e prekshme të vëllazërimit : Myftiu i Dibrës Vehbiu që u përqafua me Ipeshkivin e Durrësit Don Nikoll Kacerrin,ortodoksi beratas Bab Dud Karbunara,mjekër – gjati,që puthi në ballë katolikun shkodran Luigj Gurakuqi, Isa Bolentini që puthi dorën Ismail Qemal Beut të Vlorës… A s’ishte për të derdhur lot gëzimi ? “. ( “Skënderbeu “ 1468 – 1968 – Boston , faqe 156 ).

 

 

 

VIZATIM PËR AKTIN MADHOR

 

  Ndërsa burrat e Shqipërisë,shkonin në Vlorë,të tjerë trima kishin nisur përleshjet me serbo-malazezët.Bajram Curri dhe Elez Isufi,shkruanin faqe të reja heroizmi në anët e drinit dhe Hasan Ferri në krye vullnetarëve të Plavës e Gucisë,kundërsulmonte forcat disa mijëshe të Knjaz Nikollës e Idriz Seferi tmeronte shkijet e krajlëve,derisa Isa Boletini përparonte drejt Vlorës.Porta e Lartë e Dyzuar në vendimet  e saj për pavarsinë e Shqipërisë,mbante të mbyllur në burgun e Kalemejdanit në Beograd,Hasan Prishtinën,Nexhip DragënDed Gjo Lulin dhe dhjetra luftëtarë e prijsa të Kosovës.Në rrafsh të Dukagjinit e në Pejë,në Drenicë e Tetovë,çetat e komiteteve shqiptare,në thirjet e tyre të dala shpirti kërkonin një orë e më parë që në qiejt shqiptare të valvitej flamuri Kuq e Zi. „E ëndëruar nga vjershtëtarët dhe e dëshiruar nga zemrat e djeguna të disa pakë atdhetarëve,që vuanin e digjeshin nëpër burgjet e errëta e që qanin e renkonin nëpër shkretinat e largëta,të ndjekun e dëbuem prej Atdheut të dashun,mëvehtësia e Shqipërisë na dukej të gjithëve si një dëshirë e paaritshme,si një dhuratë tepër e çmuarshme për varfërinë tonë,si një pemë e ëmbël dhe e shijshme“

(L.Gurakuqi,Mëvehtësia e Shqipërisë,“Përlindja e Shqipërisë“ nr.26 vjeshtë e tretë 1913 ).

Kësisoj po afronte ora e madhe.Disa kalorës dibranë lajmërojnë se për në Dibër duhen flamurë shqiptarë ngase serbët hidhen në sulm me preteks të turqisë.Disa dhjetra ushtarë serb mbërijnë edhe në Krujë por këtu,atdhetarët shqiptarë u dalin përpara me flamurin kuq e zi duke u treguar fqinjëve grabitqarë të tyre se ata vetë janë në luftë me Perandorinë.Serbët e kuptojnë nga ky moment se jetët e tyre s’kanë më vlerë..Në mesditën e 28 nëntorit,tellalli me një zë ndryshe nga ditët e tjera,lajmëronte nëpër rrugët e Vlorës se do të shpallet Shqipëria më vehte.Njerëzit mezi prisnin të mbaronte fraza e tij, e kapnin për supe e përqafonin,s’mungon t’i hidhnin edhe ndonjë lekë për lajmin e mirë që paraprisnin.

„ Kuvendi Kombëtar i përmbledhur prej delegatëve të të gjitha viseve të Shqipërisë këtu në Vlorë,u hap sot n’orën 4 pas dreke në shtëpi të z. Xhemil Beut. Z. Ismail Qemal Beut si nisjator i parë i mbledhjes mori flaën e i tregoi delegatëvet qëllimin e kuvendit,domethënë që të përpiqen së bashku e të marin masat e nevojshme për të shpëtuar Shqipërinë mag rreziku i madh ku ndodhet sot.Si e kërkon rruga e zakoni u nis pastaj vërtetimi i kartave të delegatëve emrat e të cilëve janë këta :

Nga Berati : z.z. Iljaz Bej Vrioni,Hajredin Bej Cakrani,Xhelal Bej Skrapari,Dud Karabunara,Taq Tutulani, e Sami Bej Vrioni,ky i fundit pritet të vije.

Nga Dibra :z.Myfit Vehbi Efendiu

Nga Durrësi: z.z.Abaz Efendiu,Mustafa Agai e Jahja Efendiu,i cili pret të vijë.z.Don Nikollë Kacerri nga ana e Arqipeshkopit të Durrësit për të Shqiptarët katolikë që ndodhen nën urdhërin e tij.

Nga Elbasani : z.z. Shefqet bej Daiu,Lef Nosi,Qemal Beu e Mid’hat Bej Frashëri.

Nga Gjirokastra me telegrame :z.z. Azis Efendiu,Veli Efendiu,Elmaz Efendiu.

Nga Ipeku (Peja,vrej.ime):z.z.Rexhep Beu,Bedri Beu,Sali Gjuka, e Mid’hat bej Frashëri.Këta zotërinj janë edhe delegatët e Gjakovës të Plavës e Gusinjës.

Nga Kruja : z.z.Abdi Bej Totani e Mustafa Asim Efendiu.

Nga Lushnja : z.z. Qemal Beu,Ferid Bej Vokopola,Nebi Efendi Sefa.

Nga Ohri e Struga : z.z. Xhemal Beu,Ymer Beu e Ibrahim Efendiu.

Nga Tirana : z.z. Abdi Bej Totani e Murat Bej Totani.

Nga Vlora : z.z. Ismail Qemal Beu , Zyhdi Efendiu ,Aristidh Ruci,Qazim Kokoshi, Jan Minga,Eqrem Beu…Si u mbaruan këto punë z. Rexhep Beu mori fjalën e tha që si Kryetar i Kuvendit të zgjidhet z.Ismail Qemal Beu,si shkronjës i parë z.Luigj Gurakuqi e si shkronjës i dytë z.Shefqet Bej Daiu. Delegatët e pëlqyen këte kërkim dhe emëruan të propzuarit me të përplasur duarsh “

( Gazeta “ Përlindja e Shqypnisë “ , viti i dytë , datë 31 janar 1914 ).

Pas kësaj,përfaqsuesit e krejt trevave shqiptare në këtë kuvend madhor,do të dilnin në ballkonin e shtëpisë,të brohoritur prej turmës disa mijëshe të popullit të Vlorës.Kësulat e bardha vlonjate tundeshin në ajër dhe thirrjet për flamurin përplaseshin me shushurimën e dallgëve të detit.I thellë posi deti,do të mbetej  gëzimi i këtij muzgu në memorjen historike të vlonjatëve.Sado që stuhitë u përpoqën për ta shkulur,valvitja e tij u ndje në gjoksin e shqiptarëve ashtu si klithma e pulëbardhës në gjoks të detit. Në ballkonin e shtëpisë dykatëshe,burrat vunë në mes kryetarin e sapo zgjedhur të Kuvendit.Me duar që i dridheshin prej emocioni,me zërin pothuaj mallëngjyes,plaku Ismail Qemali do të bënte që njerëzit të lotonin dersa kumtonte ; “ Vëllezër Shqiptarë !

 Oh sa të lumtur e ndjej vehten sot,që shoh,këtu në Vlorë,kaq burra shqiptarë të mbledhur tok duke pritur me kureshtje dhe padurim përfundimet e kësaj mbledhjeje historike për fatin e Atdhgeut tonë të dashur.Plot me gaz e me lot në sy nga mallëngjimi,pra,po dal këtu para jush që tju gëzoj me sihariqin e madh,se sot,edhe këtë minutë,kongresi spalli Mëvehtësinë e Shqipërisë,duke lajmëruar gjithë botën mbarë,për këtë punë e duke më ngarkue mua Kryesinë e Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë së Lirë… Duke përfunduar,nuk më mbetet gjë,veçse t’i drejtojë një lutje Zotit të Madh,që bashkë me bekimet e Tij,që i lyp të na jap,për të qenë të denjë të kësaj dite,të pranoje që këtej e tutje të jem unë dëshmor i parë i Atdheut,ashtu si pata nderin e fatin që të jem i pari të puth e të bëj të valvitet i lirë Flamuri i ynë në Atdheun tonë të Lirë.Rroftë Flamuri,Rroftë Shqipëria !.

( Ismail Qemali , Kujtime , botuar në Toronto , faqe 254 ).

Askush më pas këtyre fjalëve nuk mund ta përmbante do vehten.Flamuri nisi të rrihte palët nën erërat e vjeshtës së tretë dhe shqiponja në te dukej nga çasti në çast  se do të niste fluturimin për në qiellin e lirë të Shqipërisë.Ndërsa delegatët kishin mbështetur duart tek njëri tjetri,në litarin e flamurit,prej  sheshit u shtuan thirjet : “Rroftë Flamuri i Shqipërisë,valoftë për gjithë jetë,sa të rrojë bota !.Një orë më pas,në portin e vogël të Vlorës,u ngrit një tjetër Flamur Kuq e Zi.Edhe pse u qëllua prej disa vaporeve të Perandorisë nga deti,Flamuri rrahu palët duke shtuar së tepërmi entuziazmin e njerëzve.Një javë më pas,duke nisur nga numëri i votave të fituara prej delegatëve,me votim të fshehtë,u formua Qeveria e cila përbëhej : “ Ismail Qemali – Kryeministër dhe i punëve të jashtme,Mehmet Pashë Kallkandelleli – Ministër i Luftës. P.Poga Gjirokastra – Ministër i drejtësisë.Myfit Bej Libohova – i Punëve të Brendshme. L.Gurakuqi – Ministër Ministër i Arsimit.Abdi Bej Totani – i financës.Pandeli Cale – i Bujqsisë.Mit’hat Frashëri i Punëve Botërore. Lef Nosi – i Postavet “.(Arkivi Qendror i Shtetit,Fondi 71 , dosja 1 , documenti nr. 2-4043 ).

 

POST VLORE

 

  Lindja e shtetit të parë shqiptar do të gëzonte së pari vetë kombin.Ky akt i ngjante lindjes së një fëmije të bukur të një shtëpie të madhe ku sejcili don të shohë,ta prekë,t’i gëzohet.Dhjetra telegrame urimi mbërritën nga gjithë viset shqiptare,dhjetra fjalë zemre u nisën madje edhe prej kolonive shqiptare në mërgim.Në urimin e tyre,nxënësit dhe mësuesit e kolegjit të Shën Mitër Koronës shpreheshin :”Ju kini zbukurue shpirtin me virtyte patriotike e qytetënimi e ju lutemi me i shfaqun Qeverisë suej lavdat për veprën energjike”.(Arkivi i Institutit të Historisë,dok,historike 1924. nr. 11 faqe 339 ). Megjithatë ky entuziazëm qe fare i shkurtër.Fuqitë e Mëdha duke u ndodhur përpara faktit të këtyre,menduan të ridiskutonin mbi kufijtë e Shqipërisë.Në këtë riparje të tyre strategjike dhe ato të ditës.Nga ana tjetër,aleanca krishtere ballkanike nuk rreshtën invazionet luftarake duke dashur të mbysin që në djep  foshnjën e lindur.Flota luftarake greke e cila patrullonte disa milje larg Gjirit të Vlorës,nuk lejonte asnjë anije të huaj të ankërohej në portin e Vlorës,mandej në disa raste (kuptohet me porosi të Athinës) ajo godiste pa  asnjë shkak qytetin e bukur të Vlorës i cili skish mundësi me çfarë ti përgjigjej këtij agresioni. Edhe forcat serbe nisën sulme të rrepta sidomos në anët e Drinit duke mos kursyer as foshnjat  në djep.Qeveria e sapodalë nga kuvendi historik,filloi të organizojë ushtrinë ,xhandarmërinë,të çelë shkolla e të marë në duar pushtetin.Por arka ishte bosh,askush nuk ndihmonte,Europa plakë përkundej në mendimet e zeza se shqiptarët nuk dijnë të qeverisin.Plaku i urtë Ismail Qemali,së bashku me Isa Boletinin dhe Luigj Gurakuqin,muarrën rrugët e Europës të shtyrë prej iluzioneve të bukura,por dinakëria Franko-Ruse kishte bërë të veten.

“Ne menduam se duhej të shpresonim që një popull që paraqiste vlera të veçanta për shkak të vjetërsisë,guximit dhe shërbimeve që i kish sjellë Evropa…do të lejohesh më së fundi që të bëhesh zot në shtëpinë e vet dhe do të ruante pavarsinë kombëtare”.(Ismail Bej Vlora, Kujtime,faqe 271).

Anipse u sulmua,dita e 28 nëntorit e vitit 1912,ajo ri ndezur e do të rijë ndezur edhe në ardhmërinë e kombit tonë.Kjo datë emblematike rezonon jo vetëm si simbol por si thirrje që nuk hesht kurrë për bashkimin dhe prosperitetin  e kombit tonë.Andaj kujtesa kombëtare vetëm mund të fyhet prej indiferencave të tilla konjukturale politike.Por gjithsesi ajo nuk haron të dënojë,28 nëntori,sot e nesër pret realizimin e saj.Për komunistët ma i rëndësishëm është 29.nëntori ditë që i bashkon me armiqët tanë shekullorë srbosllave që e quajnë si “ditë e bardhë” se sa 28.nëntori.i lavdisë kombëtare. Datat komuniste janë datat e zisë kombëtare,që duhen flakur një orë e ma parë.Urime 28.nëntori.për jetë të jetëve deri në realizimin e aspiratave tona Një Komb Një Flamur Një Shtet.

Bern-Zvicër

Filed Under: Analiza Tagged With: 28 nentori, date emblematike, Eugen Shehu, pavaresia

PËRVEÇ MESILA DODËS, PD HARRON TESTAMENTIN E OLLDASHIT DHE VAZHDON STILIN QË DENONCOI SOKOLI MË 14 NËNTOR

November 27, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

I kam ndjekur me vemendje atë që ka ngjarë pas vdekjes aksidentale të Sokol Olldashit. Përpiqem të jem sa më e drejtë në vlerësimin e situatës. Për hir të së vërtetës Sokol Olldashi ka qenë një nga njerëzit të cilin Sali Berisha e ka vlerësuar, nisur nga faktet se ka qenë për dy mandate ministër me portofole të ndryshme dhe kandidati versus Edi Ramës në zgjedhjet lokale të 2007. 

Pas humbjes të 23 qershorit, dihej se Sali Berisha mbështeti për kryetar të PD-së kandidaturën e Lulzim Bashës. Me të gjitha mënyrat, me shtyp, gazeta, jo në mënyrë të drejtë për drejtë, por implicite.

Secili ka mendimet e tij, simpatitë e tij. Deri këtu shtyhet. Problemi nisi tek gara, e cila nuk përmbushi asnjë standart për të qenë free and fair.

Menjëherë pas rezultatit që e shpalli Lul Bashën fitues, Sokol Olldashi deklaroi se “Përzgjedhja e kreut te ri të PD u bë përmes një procesi tëtërisht të deformuar. Në asnjë çast nuk u qartësua procedura e përgatitjes të listave dhe, për më tepër në asnjë moment listat nuk u vunë në dispozicionin tim. Do të thotë që në mënyrë anormale unë garova pa e ditur se cili ishte korpusi i votuesave. Dita e votimit provoi se mijëra demokratë nuk gjeten emrat në lista. Procesi që m’u premtua se do ishte jashtë ndikimeve, nuk ishte i tillë. Intimidimi u kurorëzua me fletën e numerizuar të votimit që e bënte lehtësisht të mundur identifikimin e votuesit”, vlerësoi Olldashi. “Kjo ishte një energji e tepert e harxhuar brenda nesh që do duhej në fakt ta kishim shpenzuar më 23 qershor dhe jo më 22 korrik.” “Unë mbetem i vendosur të përfaqësoj me gjithë energjitë e mia njerëzore dhe politike militantët e Partisë Demokratike në misionin për ta bërë Partinë Demokratike më të mirë”, deklaroi ai.

Këtu kemi parë për herë të parë përballjen publike midis Sokol Olldashit dhe Sali Berishës e Lulzim Bashës, të cilët nga ana e tyre e ngritën në qiell procesin. Ndërkohë, edhe pas fitores të Bashës, PD nuk iu kthye analizave, por vazhdoi me stilin e vet shantazhist që i bën jehonë luftës të klasave deri në qelizat e familjes. Kur PD nuk i respekton rregullat e lojës për të garantuar një proces zgjedhor free e fair brënda partisë, e si mund të guxojë të protestojë me 20 mijë lekësha në Parlament!

Kur kam komentuar zgjedhjet e 23 qershorit, e kam paraparë humbjen dhe fajtorë të saj kanë deputetët e PD, përfshi edhe Sokol Olldashin, por fajtori kryesor është Sali Berisha.

Kam pritur që Sali Berisha të bënte një mea culpa. Por ai u mjaftua me dorëheqjen de jure, ndërkohë që ka marrë drejtimin e PD pas quintave, sepse i duket vetja i pamposhtur, ndërsa po ta shohësh në facebook ka një varfëri të tmerrshme idesh. Ka mbetur i fiksuar pas krizës greke të Papandreut, por edhe këtë e ka të huazuar. Pra është tmerësisht i lodhur.

Në aksidentin tragjik të Sokolit nga sa pamë, lidërshipi i PD-së u gjend shumë i befasuar – sepse nuk kishte paraparë që Olldashi të kishte këtë përkrahje midis njerëzve të thjeshtë. Që u pa në telefonatat televizive, rrjetet sociale dhe në turmën e pafund për ta përcjellë deri në banesën e fundit.

Aty njerëzit u kujtuan se Sokol Olldashi kishte një CV personale. E kishte mbështetur PD që adoleshent dhe pastaj nuk i ishte ndarë. Vinte nga një familje e persekutuar, kishte provuar dramat monstruoze shkaktuar nga regjimi dhe kishte luftuar në mënyrën e tij, duke qenë nxënës e student i shkëlqyer, pastaj duke iu bashkangjitur gazetarisë, tek Albania, tek një TV që mbështeste PD në vitet më të trishta pas 1997, deri kur më 2001 u zgjodh deputet. 

I përfshirë në euforinë e fitoreve dhe posteve të larta Sokol Olldashi nuk e kishte vënë re se ku ishte katandisur PD, ose ndoshta e kishte vënë re, por ishte bërë pjesë e së tërës. Deri kur e provoi vetë zhgënjimin, atëherë i thirri ndërgjegjes si politikan. Pas procesit që e konsideroi farsë, ku kandidoi për kreun e PD-së, e njohu Lulzim Bashën si lider të PD, por mendoi se kishte ardhur koha e reformimit, për garë dhe konkurencë të ndershme.

Por lideri historik i mësuar me pushtet për 23 vjet, të gjitha ëndërrat i sheh në zyrën e kryeministrit. Ai nuk pranon as të lëshojë frenat e partisë dhe as të reformojë partinë. Dhe me synimin për t’u rithyer, ka zgjedhur një zëvendësues kukull që përsërit si papagall çfarë i thuhet. 

Ndërkohë deklarimi i hapur i Sokol Olldashit për deformimin e procesit zgjedhor për kreun e PD më 23 korrik 2013, e shndërroi atë në të padëshiruar dhe “djalin plamgprishës” për lidërshipin e PD-së. Në fjalimin e tij të 14 nëntorit, vetëm gjashtë ditë përpara tragjedisë, ai akuzoi politikën shqiptare që ka sjellë në Parlamentin e Shqipërisë, deputetë që i blejnë votat. Nuk ka akuzë më të madhe për Institucionin më të rëndësishëm të vendit. Askush nuk ia kundërshoi ato që ai tha. 

Fjalimi i Olldashit i 14 nëntorit do të duhej të kishte shkaktuar tërmet në të gjitha institucionet e vendit, mediat, shoqërinë. Por kaloi në heshtje të plotë, të cilën e theu mesnata e 20 nëntorit kur u lajmërua se Sokoli humbi jetën në një aksident automobilistik.

Fjalimi i Sokol Olldashit ishte tërmet i vërtetë për trafikantët e votave, të cilët qëndrojnë rrejshëm si përfaqësues të popullit, pasi votën e blerë ata e përdorin për pasurimin dhe degjenerimin e demokracisë së brishtë të këtij vendi që sot rradhitet si vendi më i korruptuar në Europë.

Në ditët kur ai jetonte, ne nuk pamë asnjë reagim ndaj fjalimit të tij, as nga PD, as nga Lul Basha, as nga Sali Berisha, as nga shtypi dhe as nga mediat. Këto janë metoda staliniste të përshtatura në epokën e NATO-s, që bënë sikur nuk e kanë dëgjuar Olldashin, sikur Sokoli atë fjalim e kishte shqiptuar në Hënë e jo aty në mes të Parlamentit të Shqipërisë.

Fjalimi i Sokol Olldashit më 14 nëntor 2013 ishte fillimi i projektit të tij.Ai ishte 40 vjeç, me plot idé, shpresë e besim se PD dhe politika shqiptare mund të ndryshojë.

Aksidenti tragjik nuk i la kohë.  Ndërkohë ajo që u vu re menjëherë që kur u lajmërua tragjedia, ishte tendenca për ta njollosur Sokol Olldashin, duke ngritur dyshime se bashkë me të në makinë udhëtonte një person i dytë, shkurt e dashura e tij.

Ca moralistë të shpifur që sa e ishte gjallë Sokol Olldashi, kishin patur mundësi të plotë t’i botonin dhe afishonin pretendimet e tyre, gjetën rastin që të na tregonin nivelin për tokë të nderit të tyre, kur villnin vrerë për Sokolin, ndërsa atë po dërgonin në banesën e fundit dhe ditëve të zisë.

Megjithëkëtë, asnjë intrigë politike nuk ia cënoi dot ditën e përcjelljes Sokol Olldashit. Kishte aq shumë shqiptarë që dëshironin t’i jepnin nderimet e fundit, sa shteti e shpalli me të drejtë ditë zie, qeveria dhe deputetët e majtë u bashkuan me të djathtët dhe e qanë dhe e nderuan bashkë. Po kështu, në prononcimet për publik thanë për Sokol Olldashin fjalët më të mira, fjalë që nuk kishin asnjë tingull, në krahasim me nderimin popullor që iu bë Olldashit, i cili ishte krejt spontan, dmth ata njerëz që vinin aty, vinin me kokën e tyre e jo të partisë.

Pas ditës të zisë dhe flamurit gjysmë shtize, rifilloi jeta parlamentare në Shqipëri. Vendosën lule në vendin e tij në Parlament, recituan fjali, por përsëri askush nuk iu referua fjalimit të fundit të Sokol Olldashit, i cili sot konsiderohet si « Testamenti i tij politik » – O ta shpëtojmë vendin – o fundosja është e pandalshme. 

Vetëm Mesila Doda, një nga studentet e dhjetorit, kolege dhe shoqe e Sokol Olldashit e ngriti zërin dje dhe kujtoi tek Sokol Olldashi, atë që të tjerët e harrojnë me qëllim. 

Aktualisht lidërshipi i PD është i angazhuar për të krijuar një alibi, që bie ndesh me pretendimin që deklaroi para disa ditësh Sokol Balla, sipas të cilit, Sokol Olldash pikërisht të hënën që shkoi do të dilte e të shpallte lëvizjen e re politike.

Ndërsa, si rastësisht Lul Basha tregoi se si të dy kishin pirë kafe a verë tek Rogneri, në një ambient me pak ose me aspak njerëz, ku Sokol Olldashi kishte premtuar se nuk do të largohej nga PD!

Cilin të besojmë – Sokol Ballën – apo Lul Bashën! Por nga mënyra se si PD e ka harruar Fjalën e Fundit të Olldashit, na mbetet të besojmë Sokol Ballën.

Por e trishtueshme është se Partia Demokratike po ec në një rrugë të mbrapshtë, duke thelluar metodat antidemokratike brënda partisë si dhe luftën e klasave deri në familje, si në kohën e diktaturës.

Situata është shumë dramatike. Ose duhet të ketë ngritje ose do të vazhdojë rrëzimi dhe coptimi përfundimtar i PD-së. Partia është nocion abstrakt. Atë e bëjnë njerëzit me zë të fuqishëm, me zë të besueshëm. Siç ishte zëri i Sokol Olldashit, që i hoqi siparin skenës dhe tregoi llumin e politikës shqiptare. Një zë i tillë është edhe ai i Mesila Dodës dje në parlament që denoncoi sjelljen e papërgjegjëshme të politikës. Ja si ju drejtua Mesila Doda deputetëve të të gjitha ngjyrave, përfshi edhe atyre që kanë ngjyrën e saj: „Mjaft më hipokrizi perbeniste, shuka me baltë që ia hedhim fytyrës së tjetrit, kur do duhet në fillim të pastrojmë tonën. Unë kisha faj! Unë kisha faj ato dhjetra, ato qindra herë kur tentova të isha politikane e mirë, oratore e shkëlqyer dhe harrova që u afrova në politikë jo se më duhej një rrogë e as se më duhej dashamirsia e eproreve por e doja politikën, që të sillja ndryshimin, të mundësoja një botë më të mirë. Ju kishit Faj! Kishit Faj kur e late Sokolin të vetëm në përpjekjen e tij titanike e solitare për të ndryshuar të djathtën shqiptare, për të bërë një forcë politike me militantë që afrohen nga zemra e jo nga xhepi pranë politikës. Kishit të gjithë faj se e latë vetëm, madje shumë herë dhe e qëlluat dhe e përbaltët dhe e bëtë të ndjehej fajtor pa faj.“

Mesila e nis me „unë kisha faj“. Dhe ne si qytetarë duhet të themi të njëjtën gjë « ne kemi faj » sepse lejuam që demokracia shqiptare të metamorfizohet në trafik të votës që është i barabartë si trafiku i drogës apo i qenieve njerëzore.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, Olldashi dhe mesila Doda, opoziat

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5047
  • 5048
  • 5049
  • 5050
  • 5051
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT