• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AMERIKA NUK DO T’I IMPONOJË SHQIPËRISË SHKATËRRIMIN E ARMËVE KIMIKE TË SIRISË

November 12, 2013 by dgreca

Iniciativa e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për t’i paraqitur Këshillit të Sigurimit propozimin që Siria vet të shkatërrojë armët kimike brenda territorit të saj, e transferon zgjidhjen e këtij problemi në prak të derës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, aty ku edhe e ka vendin dhe njëkohsisht ka mundësi të zgjidhë dilemën përballë të cilës gjëndet qeveria shqiptare në lidhje me këtë çështje./

Nga Frank Shkreli/

Siç është njoftuar dhe komentuar ditë e fundit në median shqiptare dhe botërore, Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar bisedime me Shqipërinë dhe me disa vende të tjera europiane për të ndihmuar në shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë.   Janë bërë komente se Shtetet e Bashkuara do t’ia imponojnë Shqipërisë një gjë të tillë, pasi Shqipëria na qenka ”vasale” e Shteteve të Bashkuara dhe se autoritetet shqiptare gjithmonë i thonë, ”Po” Amerikës për çdo kërkersë që ajo u bën atyre, pa marrë parasyshë interesat e vendit.   E vërteta është se Shqipëria si anëtare e NATO-s është tani në valle dhe si e tillë konsultohet dhe shqyrtohen mundësitë për kontributin e saj për sigurinë e përbashkët të vendeve aleate dhe të paqës në botë.  Por  Shtetet e Bashkuara nuk do t’ia imponojnë Shqipërisë, as ndonjë vendi tjetër shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë.   Ky është dhe duhet të jetë një vendim, ekskluzivisht, i popullit shqiptar dhe i qeverisë që e përfaqëson atë, bazuar në sigurinë dhe interesat kombëtare të vendit.  As NATO as Shtetet e Bashkuara nuk do t’ia imponojnë Shqipërisë shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë në territorin e saj, nëqoftse Tirana zyrtare e konsideron një gjë të tillë si diçka që është kundër interesave të saja.   Nuk është në natyrën e NATO-s që t’i imponojë gjëra të tilla një vendi anëtar, as nuk është në natyrën e Shteteteve të Bashkuara që t’i imponojnë një gjë kaq serioze një vendi mik si siç është Shqipëria.  Ështe e pa-imagjinueshme që Shtetet e Bashkuara të tërheqin armët kimike nga Siria për të shpëtuar sirianët dhe t’i dërgojnë ato  në Shqipëri për të dëmtuar shqiptarët.   Siç tha edhe ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu gjatë një vizite dje në Kukës, në lidhje me këtë, nuk është marrë asnjë vendim, por sipas tij, “Gjëja jetike është që Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë mike e Shqipërisë dhe shqiptarëve”  duke shtuar se, “mirëqenia e popullit shqiptar,  është një ndër konsideratat më të rëndësishme të Amerikës. Dhe kjo përfshin edhe dinjitetin e vendit e të qytetarëve të tij”, tha përfaqsuesi amerikan në Tiranë.

Por siç sugjeron edhe ish-ministri jashtëm i Shqipërisë, Marko Bello në faqen e tij në “Facebook”, se këjo zhurmë e madhe në lidhje me këtë çështje mund të jetë shkaktuar nga zelli i tepëruar i  autoriteteve shqiptare, duke zmadhuar dhe ekzagjeruar situatën.   Këjo situatë bëhet edhe më e vështirë nga mungesa e transparencës zyrtare në lidhje me këtë çështje, pasi në një boshllëk të tillë informacioni, të pavërtetat dhe thashë-e-themet përhapen shumë shpejt dhe bëhen realitet.  Jam i sigurt se qeveria shqiptare, në konsultime me aleatët në NATO dhe me Shtetet e Bashkuara – dhe nëqoftse i kërkohet një gjë e tillë zyrtarisht — do të arrijë vendimin e duhur, në interesin e shëndetit dhe mirëqenjes së qytetarve si dhe  në interesin e kombit dhe të marrëdhënjeve të mira me aleatët dhe njëkohsisht të paqës dhe të një bote pa armë kimike.  Shkaërrimi i armëve kimike në Shqipëri mund të jetë një ndërmarrje tepër e madhe për mundësitë logjistike dhe teknike që ka Shqipëria në këtë fushë, e nëqoftse është kështu, atëherë autoritete qeveritare në Tiranë duhet t’i thonë, JO qoftë dhe mikes më të ngushtë, Amerikës dhe NATO-s, duke thënë në mënyrë transparente për publikun, se nuk kemi mundësi të bëjmë një gjë të tillë, për këtë e këtë arsye.  Jam i sigurt se Shtetet e Bashkuara, NATO dhe Bashkimi Europian nuk do e përdorin këtë refuzim kundër Shqipërisë në të ardhmen.

Por siç ndodhë gjithmonë me probleme të mëdha rajonale ose botërore, janë Shtetet e Bashkuara ato që — në mungesë të të tjerëve, ose kur të tjerët rrinë duar kryq — marrin përsipër zgjidhjen e sfidave ndaj sigurimit botëror dhe në mbrojtje të drejtave të njeriut anë e mbanë botës, siç është  shkatërrimi i armëve kimike të Sirisë.  Dhe si rrjedhim Uashingtoni akuzohet për motive të mbrapshta që nuk kanë të bëjnë me realitetin.  Armët kimike në Siri janë një problem i madh për të gjithë botën, sepse nëqoftse këto armë bien në dorë të terroristëve dhe personave ose orgnizatave të pa-autorizuara, pasojat janë të pa-parashikueshme për të gjithë.   Si e tillë këjo është një emergjencë — jo vetëm për Amerikën, NATO-n,  Bashkimin Europian, Shqipërinë dhe vendet e tjera me të cilat po bisedohet për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë, por është një çështje edhe  e sigurimit ndërkombëtar, pikërisht një çështje me të cilën, që po të ishte e mbara, do të merrej Organizata e Kombeve të Bashkuara. Ndonëse ishte Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, ai që shtatorin e kaluar miratoi rezolutën për të siguruar dhe për të shkatërruar armët kimike të Sirisë me qëllim që t’i tërheqë ato nga zona e luftës.

Vendimi për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë e ka adresën, jo në Tiranë as në ndonjë vend tjetër të Europës, por tek Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, megjithë shantazhet e Rusisë dhe të Kinës brenda këtij këshilli.  Në lidhje me këtë, agjencia japoneze e lajmeve Kyodo citoi dje Sekretarin e Përgjithëshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon se ai është duke marrë në konsiderim  t’i kërkojë Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të mbështetë një propozim të tijin që Siria vet të shkatërrojë armët e saja kimike, brenda territorit të saj.  “Jam duke marrë në konsideratë që t’i bëjë thirrje Këshillit të Sigurimit që të kërkojë menjiherë transferimin e armëve kimike të Sirisë në qendra të sigurta mbrenda Sirisë ku mund të vendosen dhe ku njëkohsisht mund të shkatërrohen ato armë.”  Ban Ki Moon, sipas agjencisë japoneze të lajmeve, shprehu gjithashtu zemërimin e tij në lidhje me ndasitë dhe përçarjet, si dhe pamundësitë dhe paralizimin brenda Këshillit të Sigurimit për të marrë ndonjë vendim të përbashkët mbi krizën në Siri, ndërkohë që Rusia, aleate e dikatorit sirian Assad dhe Kina kanë përdorur veton ndaj tri rezolutave mbi Sirinë, ndërsa deri tani në atë vend kanë humbur jetën më shumë se 110,000 njerëz.

Iniciativa e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për t’i paraqitur Këshillit të Sigurimit propozimin që Siria vet të shkatërrojë armët kimike brenda territorit të saj, e transferon zgjidhjen e këtij problemi në prak të derës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, aty ku edhe e ka vendin dhe njëkohsisht ka mundësi të zgjidhë dilemën përballë të cilës gjëndet qeveria shqiptare në lidhje me këtë çështje.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: amerika, Frank shkreli, nuk do ta detyroje, per armet kimike, shqiperine

KA MBETË EDHE NJË COPË “SHQIPNI”…QË KA NEVOJË PER TYM…

November 12, 2013 by dgreca

Ju lutem mos e harroni porosinë e Nanës Tereza, në vitin 1997 në Rinas: “O Zot hiqi mallkimin Tand Popullit Shqiptar!”…/

Nga Fritz RADOVANI/

Plot 100 vjetë janë ba që me 13 Qershor 1913, i Madhi At Gjergj Fishta vendosi në kompanjelin e Kishës së Fretenëve të Gjuhadolit të Shkodres, jo ma të vogel se kater meter të madh Flamurin e Gjergj Kastriotit, me Shqipen dykrenare mbi shtroje të lame me Gjakun e Atdhetarëve Shqiptarë, që dhanë jeten per Liri dhe Shqipni të Pavarun…

Kur malazezët gjuenin me top nga të kater anët Shkodren, u gjet një tradhëtar që ua shiti per pare pothuej krejt Veriun, e ky katil, kje me emnin Esad Pashë Toptani…

Shko një Esad, e eja një tjeter si ai…Po bahen 100 vjet, që historia persëritet…

Tragjedia që shkatrroi Shqipninë me kulm e temel filloi me Enver Hoxhen në 1941, dhe sot po vazhdon me pasuesit e pandreqshëm të atij sistemi perbindsh!

Atëherë, kur gjithë Europa Lindore po thente pllakat e hekurta të “Murit Berlinit” per me u bashkue me Europën e shumdishrueme…dhe me u rikthye në gjiun e vet…bash Shqipnia… Ah Shqipnia, e shkretë!.. Me 2 Dhjetor 1992, angazhohet në një tjeter pakt…të menduem nga tradhëtari Ramiz Alia, e “pakti” ishte “Konferenca Islamike”!

Pa kalue dy javë që Erdogan i Turqisë e ndinë veten në Prizren, si në “Turqi…” dhe mbarë Populli Shqiptar i të gjitha trojeve “ngritët në kambë”, vjen edhe një tjeter “sihariq” nga agjensitë europjane se, Belgjika, Norvegjia apo Shqipnia, në njenin nga këta shtete… po diskutohet “shkatrrimi i armëve kimike të Sirisë”.

Flitet (e ku asht za, nuk asht pa gja!), se Shtetet e Bashkueme t’ Amerikës, kanë pasë kontakte me qeveritarë shqiptarë per këte çeshtje. Sigurisht, idea e tyne ka një bazë mbi të cilen asht ndertue kjo perpjekje e amerikanëve, per me ardhë me “shkatrrue” atë sasi të konsiderueshme armësh në Shqipni. Gatishmënia me pritë të burgosunit nga Guantanamo, apo “210 vllaznit e gjakut e t’ armëve” nga Irani, tregojnë se “shqiptarët”, kanë dhanë prova para Botës se janë të aftë me “strehu, gostitë e sigurue” kedo përveç, Shqiptarëve, që ma shumë se 1.500.000 Shqiptarë, janë shpërnda nder të gjitha vendet e skutat e kontinentëve, vetem per me sigurue “buken” dhe qetsinë shpirtnore…

E verteta asht se Shqiptarët ka 100 vjet që japin prova se janë t’ aftë jo vetem me shkatrrue armët kimike, po edhe depot e armëve të veta…si në vitin 1997, e po kje se e lypë nevoja, ata per me i ba nder Sirisë, shkatrrojnë edhe Shtetin Shqiptar… Mjafton që:

Mos të harrojmë kurrë porosinë e Ramiz Alisë: “Ne komunistët reformatorë,do të zbatojmë strategjinë tonë në ekonomi, sipas së cilës kapitalistët dhe pronaret e ardhshëm në një vend socialist, të jemi Ne dhe njerëzit tanë. Me këtë strategji,brenda dy-tre legjislaturash, do të arrjmë që nga klasa komuniste të krijojmë klasën kapitaliste, e cilado të na përjetësoi në pushtetin politik të së ardhmes, që e kemi planifikuar dhe po e përgatisim vetë... Shqipërinë do ta gëzojme Ne dhe fëmijët tanë.

Mjerë Ata që do të guxojnë të na dalin përpara e të na kundërvihen.

Përveç aleatëve ideologjikë, nëse do të jetë nevoja, do të kemi edhe mbështetjen e aleatëve të Perëndimit, me të cilët kemi ruajtur fijet e lidhjeve të vjetra për hir të interesave të mëdha… Për këte jeni të garantuar sot e përgjithmonë… në fund të fundit rëndësi ka pushteti, që do të jetë plotësisht yni.”

***

Fitimi i “disa shqiptarëve”, nuk ka me kenë i vogel! Janë disa “vullnetarë” që po luftojnë perkrah “vllezërve të vet” në Siri… Këta ua çojnë prap sirianëve dhe ata, i sjellin prap në Shqipni…Këta ço… E ata bjeri prap… “Ma mirë kështu, se me gomone…”

E sa mund të paguhen këta qeveritarë me shkatrrue Shqipninë dhe t’ ardhmen e Popullit Shqiptar që asht Rinia…me shkatrrimin e ambjentit dhe me pasojat katastrofike, që sjellë pasiguria e armëve kimike në Shqipninë e mbrapambetun të Europës?

Po cili qeveritarë, po mendon per Popullin, Rininë e Shtetin…tash 100 vjetë?

“Po mbushin xhepat…” e… “Shqiptarët” do t’ ua ndertojnë maozoleumet e tyne!

Lexues të nderuem!

Ju lutem mos e harroni porosinë e Nanës Tereza, në vitin 1997 në Rinas:

“O Zot hiqi mallkimin Tand Popullit Shqiptar!”…

Melbourne, Nandor 2013.

Filed Under: Opinion Tagged With: Fritz radovani, Ka mbete dhe nej cope, Nene Tereza, per tym, qe ka nevoje

Polici serb: Shqiptarët vriteshin pa shkak

November 12, 2013 by dgreca

Slobodan Stojanoviq, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se për të gjitha veprimet, të cilat i kanë bërë pjesëtarët e forcave serbe në terren, në Kosovë, kanë qenë të informuar eprorët e lartë, përmes zinxhirit komandues i cili ka ekzistuar në njësitet e përfshira në, siç e quan ai, “pastrimin e terrenit”./

Autoritetet ligjore në Serbi nuk i mohojnë akuzat për krime lufte, të cilat i ka bërë publike Slobodan Stojanoviq, komandant i pensionuar i policisë serbe, ish-pjesëtar i Çetës së katërt të Togës së njësive të veçanta të policisë dhe dëshmitar i mbrojtur nga shteti serb.

Gjatë vitit 1998, si pjesëtar i Policisë të Serbisë ai kishte marrë pjesë në një numër aksionesh, për të cilat ai dëshmon se kjo polici i ka ndërmarrë kundër civilëve shqiptarë në pjesë të ndryshme të Kosovës.

Slobodan Stojanoviq, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se për të gjitha veprimet, të cilat i kanë bërë pjesëtarët e forcave serbe në terren, në Kosovë, kanë qenë të informuar eprorët e lartë, përmes zinxhirit komandues i cili ka ekzistuar në njësitet e përfshira në, siç e quan ai, “pastrimin e terrenit”.
Ai thotë se ka parë mjaft tmerre, të cilat i kanë kryer forcat serbe dhe kjo kishte ndikuar që ai të largohet nga policia.
Stojanoviq shpjegon një nga rastet që kishin ndodhur dhe që sipas tij ishin rutinë.
“Gjithkah kam shkuar dhe kur kam parë se çfarë po ndodhë, unë jam tërhequr. Thjeshtë, pa asnjë arsye, u afroheshin njerëzve dhe i kërcënonin duke ju kërkuar para. Në qoftë se nuk kishte dikush para, e vrisnin, pa asnjë arsye tjetër”, tha Stojanoviq, duke shpjeguar se dinte edhe emra të njerëzve të caktuar që kishin vrarë të pafajshëm duke thënë se ”shqiptar i mirë është vetëm shqiptari i vdekur”.
Sipas tij, gjatë “pastrimit të terrenit” fillimisht ushtria grasatonte për orë të tëra dhe më pas futej policia dhe ushtria, të ndarë në njësi të vogla me nga 20 njerëz, të cilët merreshin vesh me komandantët e tyre lidhur me veprimet që i bënin.
Ai akuzon komandantin e tij, Nenad Stojkoviq, për djegien e fshatrave mbi Mitrovicë dhe krimet që kishin ndodhur atje.
“Nenad Stojkoviq, është përgjegjësi kryesor për punën që bënim në Mitrovicë. E djegin gjithë fshatin… ja se çfarë bënin. Vetëm merrnin urdhër dhe ato ishin fjalë të shkurtuara. Do të thotë, kur merrnin fjalën ‘shkrepës’ atëherë do të thoshte se duhej djegur gjithë fshatin, nëse ishte fjala ‘goma’, atëherë nënkuptonte se duhej vrarë. Kur thoshte komandanti Mitroviq ‘dërgoje për rrezitje’, kjo nënkuptonte se duhej vrarë ai njeri shqiptar”, shpjegon Slobodan Stojanoviq.
Ai ka rrëfyer edhe raste tjera, të cilat, sipas tij, ishin krime, për të cilat askush nuk është përgjigjur deri më sot.
Akuzat për krimet, të cilat, sipas Stojanoviqit, i kanë kryer forcat serbe në Kosovë, i pohojnë edhe autoritetet ligjore në Serbi. Prokurori i Gjykatës speciale për krime lufte i Serbisë, Bruno Vekariq, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se është i sigurt për krimet që i përshkruan Stojanoviq, por, sipas tij, ky i fundit u ka bërë shantazh autoritetet për interesa personale.
“Për ato që ai flet, jam i sigurt se kanë ndodhur ato krime. Prokuroria e ka nisur procedurën, bazuar në deklaratat e tij dhe tash jemi në fazën fillestare. Kur ne e kemi nisur procedurën, ai ka qenë në programin për mbrojtjen e dëshmitarëve. Gjithçka ka funksionuar si duhet deri në një moment kur ai (Stojanoviq) ka filluar të kërkojë nga ne shërbime të caktuara, të cilat ne nuk mund t’i japim në atë program të mbrojtjes, madje as për dëshmitarin e mbrojtur, i cili për ne është i shenjtë”.
“Në kontratë nuk qëndron se ne duhet t’ia punësojmë gjysmën e familjes. Nuk qëndron në kontratë që ai të jetë krye shef i policisë së Leskovcit. Esenca është se ai vet ka dalë nga programi i mbrojtjes dhe atë për të cilën na kishte premtuar se do të na jepte, nuk na e dha. Do të thotë, ne nuk mund ta shfrytëzojmë, sepse nuk kemi pasur dëshmi, të cilat na ka premtuar se do të na i japë në procedurën kundër atyre njerëzve”, ka shpjeguar prokurori serb Vekariq.
Ai ka shtuar se aktualisht është iniciuar procedura kundër Stojanoviqit sepse ai ka kërcënuar zëvendës-prokurorët për krime lufte.
Ndryshe, Stojanoviq thotë se për të gjitha krimet që kishte parë, kishte informuar ministrin e Brendshëm të Serbisë, në vitin 2000, si dhe disa organizata joqeveritare.
Por sipas tij, askush nuk kishte dashur ta dëgjojë.
“Të gjithëve ju kam drejtuar. Por, në fund, janë detyruar që si kryeshef të stacionit policor të më fusin edhe në programin për mbrojtjen e dëshmitarëve, kinse më është rrezikuar jeta nga ana e policëve dhe se ata mund të më vrisnin. Ata më komprometuan”.
“Kur hyra në program, gruaja dhe fëmijët u traumatizuan, ndërkaq në analizën që ma bënë të gjakut, kinse është gjetur droga. Unë u thash, pse po flisni marrëzira? Ndërkaq, ata janë të gjithë kriminelë që kanë qenë në Kosovë dhe kanë vrarë e prerë popullin shqiptarë. Mu ata njerëz kujdesen për ne në programin për mbrojtjen e dëshmitarëve”, ka theksuar Stojanoviq.
Në anën tjetër, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë, ka vlerësuar se dëshmia e Slobodan Stojanoviqit, përmes medieve, është paksa e vonë.
Drejtuesi i këtij këshilli, Behxhet Shala, vlerëson se kjo dëshmi e Stojanoviqit është vetëm një mbështetje për deklaratat, materialet dhe kallëzimet penale që i kanë bërë organizatat joqeveritare nga Kosova dhe nga Serbia, për mizoritë që i kanë kryer forcat paraushtarake, policore dhe ushtarake serbe në Kosovë.
“Ai është dëshmitarë i dorës së parë, i cili në njëfarë mënyre është edhe pjesë e krimit, sepse ka reaguar vetëm pasi kanë kaluar më shumë se 13 vjet, ndonëse ai thotë që i ka dërguar një letër ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë dhe e ka informuar për ato që kanë ndodhë. Mirëpo, nuk e ka bërë publike. Do të thotë, kjo është një argument pas së cilit prokuroria në Beograd duhet t’i fillojë hetimet. Besoj që do të merret me rastin”, tha Shala.
Ai ka shtuar se organizatat joqeveritare në Kosovë, por edhe institucionet, nuk janë në pozitë që të ushtrojnë presion mbi Beogradin zyrtarë për hapjen e hetimeve lidhur me krimet e luftës.
“Ne nuk mund të bëjmë asgjë. Ne nuk jemi në pozitë që t’i bëjmë presion akujt, sepse ne jemi në pozitë që i nënshtrohemi presionit. E dyta, thjeshtë, mungon vullneti politik për t’u arrestuar apo gjykuar ata të cilët janë përgjegjës për krime luftë. Ata që munden, ata nuk e bëjnë këtë. Këtë mund ta bëjnë vendim-marrësit të cilët janë në Bruksel dhe në Uashington. Por, ata e analizojnë gjendjen politike dhe e shohin nëse ja vlen të merren me të kaluarën, atëherë merren. Në qoftë se jo, atëherë heshtin”, ka theksuar Shala.
Sido që të jetë, ish-pjesëtari i policisë serbe, Stojanoviq, duke folur edhe për mediat serbe, ka rrëfyer episode, siç i ka quajtur ai, të tmerrshme të luftës në Kosovë dhe krimeve ndaj shqiptarëve.
Siç ka treguar ai, një person, identitetin e të cilit Stojanoviq e di, ka prerë kokat e një shqiptari dhe një shqiptareje të vdekur, duke i shndërruar ato më pas në abazhur tavoline.

 

Filed Under: Rajon Tagged With: Rrefimi i policit Serb, Slobodan Stojanovic

PRESIDENTI Nishani me të Rinjët: Demokracia sistemi më i mirë, Kontribuoni!

November 12, 2013 by dgreca

Presidenti Nishani pret në takim nxënësit pjesëmarrës në projektin e OSBE për rolin e shoqërisë civile në vendimmarrje/

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti  në një takim nxënësit pjesëmarrës të projektit të OSBE “Forcimi i rolit të shoqërisë civile në procesin e vendimmarrjes në nivel lokal e qëndror”.Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Florian Raunig, falenderoi Kreun e Shtetit për mbështetjen e këtij projekti, ndërkohë 4 nxënësit fitues i dorëzuan Presidentit të Republikës esetë e tyre studimore me temë “Çfarë është demokracia për mua?”.

Presidenti Nishani vlerësoi kurajon e të rinjve, vullnetin për të ofruar kontributin e tyre dhe për të qenë të angazhuar në zgjerimin e hapësirave të demokracisë dhe vendimmarrjes.

“Demokracia është mundësia më e mirë sot për njeriun, për qenien njerëzore, për shoqërinë në tërësi, për botën, për t’i shfrytëzuar hapësirat, për t’i parandaluar problematikat që i vijnë dhe për të gjetur zgjidhjet më të mira të mundshme” – u shpreh ndër të tjera Presidenti Nishani.

Duke evidentuar faktin se shpeshherë nga opinioni publik politika konsiderohet si një mekanizëm i ngurtë dhe i mbyllur, Kreu i Shteti theksoi se megjithatë demokracia është sistemi më i mirë i mundshëm dhe pikërisht përmes politikës duhen gjetur edhe zgjidhjet.

Presidenti Nishani inkurajoi nxënësit pjesëmarrës në projekt që të jenë këmbëngulës në paraqitjen e qëndrimeve të tyre mbi demokracinë.

“Unë dëshiroj që të vlerësoj maksimalisht jo vetëm këndvështrimin tuaj, përgjegjshmërinë që keni, por mbi të gjitha kurajën dhe inspirimin që dëshironi t’i përcillni shoqërisë dhe sesa e rëndësishme është këmbëngulja juaj, moslodhja, mosndalimi asnjë moment. Mos mendoni se nuk ju dëgjon kush. Mund të duket sikur për një moment nuk ju dëgjojnë, mund të duket edhe sikur herën e dytë apo të tretë injorohet fjala juaj, injorohet tentativa juaj, dëshira juaj, por të jeni të sigurt se sa më këmbëngulës që të jeni, sa më të qëndrueshëm që të jeni, aq më i madh dhe më i mirë do të jetë rezultati që ju prisni të merrni nga angazhimi që keni”.

Takimi u mbyll me pyetje drejtuar Presidentit të Republikës nga nxënësit pjesëmarrës në projektin e OSBE.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: presidenti Nishani, takim me te rinjet

MANASTIRI QENDËR E LËVIZJES KOMBËTARE SHQIPTARE DHE REFORMAT E MYRSTAGUT

November 12, 2013 by dgreca

Nga Prof. Dr. Vebi XHAMAILI*/

Me shpalljen e reformave në krahinën e Maqedonisë nga viti 1903, kishte filluar të rritej tensioni, pikërisht në trevat e Shqipërisë Lindore. Ndërsa diplomacia e huaj do të shënojë  se: ”Aksioni i shteteve të Mëdha për dhënien e reformave  ka pasur për qëllim që t’i pengojë lëvizjet revolucionare të popujve të nënshtruar dhe ta ruajnë status quonë në Ballkan”.[1] Në gusht të atij viti shpërtheu ajo që quhej Kryengritja e Ilindenit, e cila u shtyp ashtu si e kishin parashikuar bejlerët shqiptarë, shumë shpejt dhe në mënyrë të ashpër. Pra, ashtu si kishte deklaruar paria shqiptare, në takimin e tyre me përfaqësuesit austro-hungarez. Me këtë rast, Fuqitë e Mëdha intensifikuan trysninë e tyre për vrasjen e dy konsujve të tyre. Rusia dërgoi disa anije lufte, kurse pak më vonë austriakët dhe italianët do të bënin edhe ata një demonstrim detar përballë Selanikut. Mbi të gjitha do të kulminojë takimi i dytë midis Austro-Hungarisë dhe Rusisë, mbajtur në Myrstagë më 22 tetor 1903, në këtë takim të dy fuqitë u morën vesh më në fund për të vendosur një status quo, ku hartuan një program reformash për krahinën e Maqedonisë, që do të thotë jo për të gjithë, por për një pjesë  të tre vilajeteve të Kosovës, Manastirit dhe Selanikut.[2] Ky program solli rritjen e pranisë së huaj në terren, meqenëse në vitin 1904 u dërguan në Maqedoni oficerë të xhandarmërisë ruse, austriake, franceze, italiane, gjermane dhe angleze.  Pra nga 6 oficerë të Fuqive të Mëdha.[3]     Politika turke kërkonte me këmbëngulje që të ndëshkuarit të dënoheshin shumë rëndë, ose të internoheshin. Për këto veprime, një nacionalist shqiptar dënohej me mbi tre vjet burg, ndërsa një bullgar për vendosjen e një bombe dënohej vetëm me disa muaj heqje lirie.

Në këtë kohë, vilajeti i Manastirit u bë një ndër qendrat më të rëndësishme të nacionalizmit shqiptar. Shumë veprimtarë të shqiptarizmit e kishin origjinën nga Vilajeti i Manastirit. Në këtë kohë më aktivë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në Manastir ishin: Halit Bërzeshta dhe Fehim Zavalani.[4] Ky vilajet në fillim të shekullit XX, sipas statistikave osmane, kishte popullsi shqiptare myslimane e ortodokse që kapte numrin prej mbi 460 mijë, kundrejt 240 mijë sllavo-maqedonasve, 40 mijë grekëve e vllahëve dhe 8 mijë pomakëve.[5] Në këtë kohë nga organet qeveritare turke u akuzua edhe drejtoria e shkollës, në krye me Nuçi Naçin, i cili u arrestua, me pretekstin se drejtoria e vajzave të shkollës së Korçës kishte kërkuar nga konsulli August Kral që të siguronte për shkollën hartën  Shqipërisë të përpiluar nga Faik Konica. Në këto rrethana tejet të tendosura politike ndërhyri edhe diplomacia austro-hungareze në Manastir. Në këtë kohë me të madhe ndihmonte lëvizjen shqiptare konsulli Kral, i cili në tetor 1903 ndërhyri te autoritetet turke, kur ata e mbyllën shkollën shqipe të vajzave në Korçë.[6] Në këtë shkollë kanë ligjëruar edhe motrat  nga Manastiri Sevatia dhe Parshqev Qiriazi.[7]

Udhëheqësit shqiptarë e dinin tanimë “se kjo lojë shahu nuk është në favor të tyre”, prandaj kurrë nuk i pranuan këto reforma të shpallura prej Fuqive të Mëdha “si humane”. V.Xh).

Në Stamboll përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha kishin diskutuar edhe rreth viseve të banuara me shqiptarë. Lidhur me këtë, përfaqësuesi diplomatik i Serbisë i shkruan Ministrisë së jashtme, se atasheu ushtarak i Rusisë i ka treguar se Komisioni i Fuqive të Mëdha duke trajtuar çështjen e reformave ka propozuar të formohet një sanxhak i veçantë në “Serbi të Vjetër”, që do të përfshinte Prizrenin, Novi Pazarin, Plevlën e vende të tjera. Si shkas për  formimin e këtij sanxhaku qenka marrë përbërja etnike e popullsisë.[8] Shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë Lindore i bënë rezistencë të gjitha këtyre pazarllëqeve rreth tokave të tyre. Por Turqia për të zbatuar këto reforma të dedikuara nga Fuqitë e Mëdha, filloi ndjekjen dhe eliminimin e udhëheqësve të lëvizjes shqiptare.[9]

Rrethanat e reja politike në Ballkan bëheshin dita më ditë më të nxehta, kjo vinte nga reformat e dedikuara me forcë kundra Turqisë që ushtronin Fuqitë e Mëdha e në veçanti involvimi direkt i Rusisë dhe Austro-Hungarisë, me theks të veçantë zbatimin e tyre në pjesën e Turqisë evropiane. Këto tensione politike kundrejt Turqisë dhe sulltanit  e aktivizuan pamasë diplomacinë serbe në krye me Nikolla Pashiqin. Nisur nga këto fakte, Pashiqi e porositi Milenko Vesniqin në Paris të kontaktojë me Dervish Himën që të shohë disponimin e qarqeve të jashtme shqiptare, pasi Dervishi në këtë kohë në Evropë njihej si figura më e vendosur me kërkesat e tij për autonominë e Shqipërisë. Lidhur me bisedimet që zhvilloi me Vesniqin, Dervish Hima i paraqiti këtij një memorandum.[10] Në këtë  memorandum, pos të tjerash, ai shkruan: Çështja shqiptare është shumë e rëndësishme për të gjitha qeveritë që e rrethojnë e që kanë nevojë të kenë lidhje me këtë popull të denjë për bashkëpunim, popull punëtor, i zgjuar e trim, mbi të cilin mjerisht disa qëllimkëqij, pa marrë parasysh rëndësinë dhe rolin e tij patriotik, përhapin lajme plotësisht shpifëse, të zmadhuara dhe pa kurrfarë mbështetjeje”.[11] Por ka pasur edhe mendimtarë sllavë, si Drashkoviqi, që popullin shqiptar e kanë pranuar si më të ngritur se popujt tjerë midis Ballkanit.[12]

 

 

 

Dervish Hima, duke folur për interesimin e shteteve fqinje që t’i tërheqin shqiptarët në sferën e politikës së tyre, thotë: ”Askush nuk ka marrë, as nuk do të marrë asgjë nga ky popull, mbasi mjetet e veprimit janë të njollosura me propozime korruptuese, në kurthin e të cilave nuk pranojnë të bien shqiptarët, tentativa këto që nuk kanë dhënë frute as për Greqinë, as për Bullgarinë, as për Italinë e sidomos për Serbinë’’.[13]

Me këto fjalë, Dervish Hima i lente të  kuptojë Nikolla Pashiqit se mënyra siç janë duke vepruar shtetet fqinje ballkanike ndaj shqiptarëve nuk është e sinqertë, se ka prapavijën e saj politike dhe se nuk ia dëshirojnë të mirën popullit shqiptar. Megjithatë, ai i jep mundësi që Serbia, nëse dëshiron sinqerisht të bashkëpunojë me shqiptarët, të tregojë veten: ”Në qoftë se Qeveria serbe dëshiron të sigurojë mirënjohjen e këtij populli, duhet të ndërmarrë një iniciativë serioze, kështu që të merret vesh mbi çështjen e arsimit publik që të mund të luftojë në mënyrë radikale influencën bullgare”.[14]

Me këtë Dervishi dëshironte ta vërë në sprovë gatishmërinë e Qeverisë  serbe, se sa realisht është e interesuar për çështjen shqiptare, prandaj në vazhdim shkruan: “Po qe se Sh. J. beson se Qeveria e tij është e gatshme të merret seriozisht me këtë çështje, do t’ ju dërgoj një raport plotësues dhe mund të bëjmë një takim në të cilin do të merrnim masat e ngutshme që i kërkon çështja dhe situate e acaruar”.[15] Po ashtu, në vazhdim bënë fjalë për aktivitetin e Komisionit evropian, që u takua për ta vënë në jetë nenin 23 të Traktatit të Berlinit në verë të vitit 1880 dhe flet se vetëm përfaqësuesi i Britanisë së Madhe lordi Ficmoris pati propozim objektiv, “duke i cekur si shembull krahinat shqiptare, doket dhe nevojat e të cilëve kërkonin një administrim krejtësisht tjetër nga ajo e provincave të tjera, ngriti çështjen shqiptare, e cila u bë subjekt kryesor i diskutimeve të Komisionit”.[16]

Dervishi vazhdoi të flasë edhe për qëndrimin e delegatit rus, të atij austro-hungarez dhe francez, duke theksuar se të gjithë ata deklaruan haptas dhe e kundërshtuan themelimin e autonomisë së Shqipërisë. Në këtë mënyrë Dervishi ia bëri me dije Pashiqit se shqiptarët e njohin mirë historikun e lëvizjes së tyre dhe se ata po luftojnë për liri e pavarësi, e që këto përpjekje të fundit janë vetëm vazhdim i përpjekjeve të shqiptarëve që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Ai theksoi se qëllimi primar i shqiptarëve është bashkimi i tokave shqiptare dhe çlirimi i tyre nga zgjedha e huaj, por ata në këtë luftë dëshironin të bashkëpunonin sinqerisht me fqinjët e tyre, por vetëm në baza të sinqerta dhe të barabarta.[17]

Në këtë kohë dy shtete fqinje: Mali i Zi dhe Serbia,  që në vitin 1902 ishin marrë vesh për ndarjen e Shqipërisë. “Serbia kërkonte që t’i takojë Vilajeti i Kosovës, ndërsa Malit të Zi kërkonte që t’i takojë Shkodra me rrethinë. Serbia kishte rënë dakord me Bullgarinë për ndarjen e krahinës së Maqedonisë. Ndërsa me Greqinë ishin marrë vesh që asaj t’i takojë jugu i Shqipërisë.[18]

Që nga vitet 1902-1904, Dervish Hima dhe Ibrahim Temo, disa herë  u ishin drejtuar Fuqive të Mëdha, pra edhe Austro-Hungarisë me anë të konsullit të saj në Manastir lidhur me aksionin e reformave në Maqedoni, duke ia përkujtuar që mos t’i harronin edhe interesat e popullit shqiptar. “Kjo çështje maqedonase që do të kallë atdheun tonë, mund të jetë vetë Evropa e cila mbjell aq shumë urrejtje ndërmjet popujve dhe e cila, jo vetëm që duhej ta shkurtojë dorën tiranike të qeverisë osmane, por duhej njëkohësisht t’i presë edhe gishtërinjtë e pansllavizmit. Në qoftë se ndërpritej njëri, mbetej tjetri, i cili bëhej më i fortë se i pari dhe nuk mbeti kështu, një çast qetësie në Evropë.”

Dinjiteti i Evropës mbi të gjitha, është shtypi francez, i cili e ka për borxh të merret me të vërtetën, do me thënë me çështjen e Turqisë evropiane dhe jo me çështjen maqedonase (të imagjinuar- sipas rezultateve të fjalimit të Zt. Pressense), Maqedonia nuk ekziston, nuk është e vërtetë fakti se revolucionarët bullgarë gjenden në terr e tirani, përkundrazi, nëqoftëse qenësorja është t’i shërbej njerëzores, nuk duhet dëgjuar  francezët që punojnë për zbutjen e një Maqedonie të ashtuquajtur Maqedoni, duke i lënë Shqiptarët të banojnë njërën nga pjesët më të bukura të Evropës dhe fishkëllejnë ç’prej moti rrugën e turqve mbi një urë pushtuese të Evropës nga ana e Italisë.[19]

Kjo dëshmon edhe një herë se Ibrahim Temo dhe Dervish Hima edhe në momentet më të vështira të jetës së tyre, e mbronin me argumente çështjen shqiptare dhe gjithmonë ushqenin ndjenja atdhedashurie dhe patriotizmi ndaj popullit të vet dhe ndaj trojeve në të cilët jetonin shqiptarët, e që në këtë kohë ishin bërë mjet pazarllëqesh midis Fuqive të Mëdha dhe shteteve ballkanike.[20]

Nga raportet e diplomacisë austro-hungareze mund të konstatojmë se në vjeshtë të vitit 1904, Dervish Hima i kishte bërë një vizitë shokëve dhe miqve të tij në Rumani, dhe pastaj përsëri ishte kthyer në Paris, i vendosur që edhe më tej ta botojë revistën Albania në Paris dhe Gjenevë, edhe pse ndjente mungesë të madhe të mjeteve financiare. Mu për këtë, diplomacia e Vjenës e përcillte me kujdes, që në ato momente të vështira ta fusë rrjetin e propagandës së saj.[21].

Gjatë vitit 1907, në Hagë do të mbahej Konferenca e njohur e Hagës, prandaj shoqëria shqiptare e Kostancës ku kujtonte dhe vepronte Dr. Ibrahim Temo, vendosi që si përfaqësues të vetin ta dërgonte atdhetarinë e palodhur Dervish Himën, i cili do të mund ta përfaqësonte në mënyrë të denjë. Qeveria osmane bëri çmos që kërkesat shqiptare të mos dalin para këtij tubimi ndërkombëtar, por Dervish Hima arriti ta informojë botën e qytetëruar se Kombi Shqiptar kërkon jetë të lirë qytetare dhe njohjen e kombit dhe të kishës kombëtare. Pra ai kërkoi që edhe shqiptarëve t’u njihen të gjitha ato të drejta që u janë njohur edhe kombeve të tjera, të cilat jetonin në Perandorinë Osmane, si dhe arsimimin në gjuhën amtare.[22]

Deri në kohën e ngadhënjimit të Revolucionit xhonturk vazhdoi të veprojë në Evropë. Pas ngadhënjimit të Revolucionit, xhonturqit shpallën amnistinë për ata që ishin të ndjekur nga pushteti absolut i  sulltanit dhe që ishin detyruar ta braktisin atdheun e tyre. Shumë të tillë u kthyen pas shpalljes së amnistisë, e në mesin e tyre ishte edhe Dervish Hima, i cili nga Evropa erdhi për herë të parë në Shkodër.[23] Lidhur me arrestimin e Dervish Himës ka mjaft shënime si në gazetat e kohës, ashtu edhe në raportet diplomatike, e gjithë kjo kontribuoi që emri i tij të njihet edhe më tepër.

Lidhur me arrestimin e Dervish Himës, gazeta “Kombi” që botohej në Boston shkruante: “Dervish Hima është i njohur tek shqiptarët nga veprimet e tij patriotike. Ky u hodh në fushën e luftës për të drejtat e kombit të vet me një kurajë të fortë e të rrallë. Qëndrimi i fundit ishte në Bruksel të Belgjikës, ku nxirrte të përkohshmen Shqipëria (l’Albania) në gjuhën frëngjishte.[24] Dervish Hima ishte i pari që pati kurajën të quhet shqiptar me ndjenja kombëtare”.[25]

Vilajeti i Kosovës përbënte rreth 60% shqiptarë prej popullsisë së përgjithshme që kishte prej 1.060.000 banorësh.[26] Vilajeti i Kosovës kishte popullsi shqiptare e katolike  rreth 600 mijë frymë, kundrejt 161 mijë serbëve dhe 220 mijë sllavo-maqedonasve, 79 mijë turqve e tjerë. Në atë kohë vilajeti i Kosovës përfshinte edhe territore të Shqipërisë Lindore (Maqedonisë së sotme) me qytetet: Tetovë, Gostivar, Shkup, Veles, Shtip, Kratovë deri në Qystendil.

Ibrahim Temo ishte një ndër misionarët e parë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, i cili publikisht kërkoi arsimim për shqiptarët në gjuhën shqipe. Ky mbronte idenë që arsimi fillor të kryhej në gjuhën amtare. Prandaj ky hartoi edhe një memorandum ku paraqiste  kërkesat gjuhësore dhe kulturore.

Ky si vizionar trumbetonte pandërprerë rrezikun që u paraqitej shqiptarëve nga copëtimi pansllavist. Ky në një letër që dërgonte Ishak Skutit, i deklaronte:  “Nëse Turqia donte të vdiste, shqiptarët në shumicë myslimanë donin t’i shpëtonin kësaj fatkeqësie. Në një letër dërguar mikut të vet në vitin 1900, thuhej: Pasi Turqia nuk është në gjendje të na mbrojë, me qëllim që të pengojë dëbimin tonë që këndej së bashku me turqit, ne do të luftojmë me të gjitha forcat tona pavarësinë e Shqipërisë”.[27]

Ibrahim Temo ka bashkëpunuar me Nexhip Dragën, Shahin Kolonjën, pasi i kishte “cimerë” në shkollën e administratës në Stamboll, bashkë me Jashar Erebarën. Temo pasi mori rrugën e ekzilit për në Rumani, u lidh edhe me Nikolla Naçon nga Korça. Temo së bashku me Dervish Himën dhe Nikolla Naçon, Shahin Kolonjën, si “cimerë” në shkollën e administratës në Stamboll ku bashkë me ta ishte edhe Jashar Erebara. Temo së bashku me Dervish Himën dhe Nikolla Naçon  mori pjesë në një lëvizje antigreke dhe antibullgare.

Ky bindi Naçon, kryetarin e Shoqatës  Shqiptare “Drita”, se duhej të fillonte të organizonte klubet shqiptare me prirje xhonturke për të kërkuar të drejtat e tyre.  Në anën tjetër, Dervish Hima ishte shumë i afërt me Ibrahim Temon, pikërisht për arsye se ishin me origjinë nga e njëjta krahinë që bënte pjesë në  Shqipërinë Lindore, shqiptarizmi dhe xhonturkizmi i ndërthurën në një mënyrë edhe më të qartë.[28]  Në janar dhe shkurt të vitit 1899, shqiptarët e Kosovës në Pejë bënë përpjekje për ringjalljen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Atje u mbajt Kuvendi i “Besa-Besës”. Vendimet e aprovuara në atë kuvend, më vonë do të përsëriten në shkurt të atij viti në Kuvendin e Dibrës, duke kërkuar nga Porta e Lartë njohjen e autonomisë së Shqipërisë. Në maj 1899, në Bukuresht u botua në gjuhën turke  një traktat që kishte përmbajte programore me titull: “ Ujanallëm”(Të zgjohemi). Autorë i këtij traktati ishte Dervish Hima.[29]

Dervish Hima si intelektual i ri  që kishte filluar studimet në  shkollën e mjekësisë ushtarake në Stamboll, pastaj në Bukuresht, ku shkoi në ekzil, u bë një nga publicistët më aktivë të diasporës, duke vazhduar udhëtimet në Rumani, Itali, Zvicër, Francë dhe Belgjikë, ku kishte denoncuar regjimin hamidian dhe kishte kërkuar një autonomi  për Shqipërinë në bashkëpunim me qarqet e shqiptarizmit, ashtu edhe me ato xhonturke. Pasi kishte mbështetur kërkesa ekstreme në organin  e tij të parë të titulluar “Pavarësia shqiptare”,  (Bukuresht 1898-1899), Dervish Hima bëri angazhim kundër absolutizmit të Sulltanit, për hapjen e shkollave shqipe dhe eventualisht për krijimin e një vilajeti shqiptar autonom.

Tani më edhe dy Fuqitë e Mëdha më të interesuara për Ballkanin, Austo-Hungari dhe Italia, tani më ishin  bindur se kishin dështuar në politikën e jashtme, në veçanti ishin tej mase të dëshpëruar me reformat e shpallura të Myrstagut në vilajetin Manastirit dhe Kosovës, pasi me këto reforma me të madhe u shtua influenca ruse në Manastir, një ndër qendrat më të mëdha në Ballkan.  Kjo ishte një ndër arsyet pse diplomacia austro-italiane e kishte shtuar interesimin e saj drejt autonomisë dhe hapjen e shkollave shqipe në Shqipëri, kjo u pa edhe në bisedimet që u zhvilluan midis Gollubosvskit dhe ministrit italian Titoni në Vendik, në prill të viti 1905, ku ranë dakord për avancimin e çështjes shqiptare drejt autonomisë së Shqipërisë.[30]

Përgjithësisht veprimtarët e shqiptarizmit quheshin patriotë ose atdhetarë, ose thjesht shqiptarë. Shqiptari ose “shqiptari i vërtetë” ishte një veprimtar i shqiptarizmit, një shqiptar që punonte për kombin e tij. Në Perandorinë Osmane disa personazhe morën madje nofkën “shqiptari”, për shkak të aktiviteteve të tyre në favor të gjuhës shqipe. Si rrjedhim u krijua termi shqiptarizëm, që donte të thoshte “patriotizëm” ose “nacionalizëm”.[31] Në veçimin e kombit shqiptar rol të veçantë ka luajtur Islami, që në të vërtetë kishte një rol vendimtar në dallimin  shqiptar-grek ose shqiptar-sllav. Mbi të gjitha, islami mendohej se kishte favorizuar shtrirjen e hapësirës shqiptare. Ndërsa në epokën e Skënderbeut, sllavizmi ishte i pranishëm në zemër të Shqipërisë, siç e tregonte edhe toponimia në këtë fillim të shekullit XX, fronti tashmë gjendej në Manastir, Shkup, Mitrovicë, ose më tej deri në Novi Pazar. Kombi shqiptar, në fillim të shekullit XX filloi të kombëtarizohet  dhe vështirë ishte të ç’kombëtarizohet. Tanimë krahina të tëra, si ajo e Ulqinit, Shpuzës, Podgoricës, Mitrovicës, Vrajës, Kurshumlisë dhe të krahinës së Maqedonisë, bënin pjesë në Shqipërinë Etnike.  Shqipëria ishte mbrojtëse e një propagande të përbashkët dhe të një qëllimi të njëjtë. Shqiptarët dhe maqedonasit, arumunët e Maqedonisë, ishin ilirët e vjetër, ushtarët e Piros, të Aleksandërit dhe të Skënderbeut. Së bashku kërkonin autonominë  e një shteti Shqipëri-Maqedoni nën pushtetin e Sulltanit, me qëllim që të zmbrapseshin armiqtë e Turqisë. Ideja e krijimit të një shteti shqiptaro-maqedonas, të dëshiruar në mënyrë të zjarrtë nga të gjithë shqiptarët, maqedonasit-rumunë dhe maqedonasit e sllavizuar.[32]  Por, më vonë, politika bullgare arriti ta shkëpusë nga ndikimi shqiptar një pjesë të Maqedonisë ilire-shqiptare. Mossuksesi i propagandës sllave, ishte kontribut i atdhetarëve myslimanë shqiptarë, që me të madhe kishin penguar invadimin sllav në trojet etnike shqiptare V.Xh), si dhe nga greqizmi helen në jug të Shqipërisë, ku u pa qartë se “Lidhja Kombëtare ishte më e fortë se lidhja fetare”.[33]

Në vitin 1908, Komiteti i “Bashkimit dhe Progresit” po përgatiste “revolucionin” më 1908, duke nisur nga Selaniku dhe Manastiri. Krahas këtyre zhvillimeve, edhe nacionalizmi shqiptar do të merrte kahje të reja. Në Manastir u krijua një komitet i fshehtë shqiptar, ndërkohë që u shfaqën edhe çetat e para nacionaliste. Shqiptarizmi i viteve 1896-1908 u transferua dhe u kanalizua në mënyrë të konsiderueshme. Përveç  evoluimit të gjendjes së jashtme dhe të brendshme politike, bëri që vatra e nacionalizmit shqiptar të zhvendosej nga Vilajeti i Janinës në Vilajetin e Kosovës dhe të Manastirit. Rrënjët e këtyre transformimeve gjenden në ndryshimet që pëson shoqëria osmane  dhe në mënyrë të veçantë shoqëria shqiptare dhe udhëheqësit e saj myslimanë, e ardhmja e së cilës në Shqipëri po bëhej problematike.  Zhvillimi i arsimit, rritja e burokracisë në të cilën po integroheshin gjithnjë e më shumë njerëz, formimi i një “klase të mesme” të arsimuar që rivalizonte me bejlerët dhe agallarët pronarë tokash, autoritarizmi i sulltanit dhe shfaqja e lëvizjes opozitare, rritja e theksuar e fenomenit të emigracionit, të gjitha këta faktorë  ushtruan peshën e tyre mbi zhvillimin e nacionalizmit në mesin e brezave të rinj shqiptarë. Kjo periudhë e re kohore u karakterizua me paraqitjen e të rinjve të arsimuar në fushën e shqiptarizmit, midis të cilëve edhe shumë myslimanë. Kësisoj do të kemi formulime të reja të shqiptarizmit, siç shihet në përmbajtjen e botimeve me frymë patriotike për myslimanët shqiptarë. Fjala ishte që këta veprimtarë të këmbëngulin për të kërkuar një identitet evropian, një identitet mysliman evropian. I ndryshëm nga ai i myslimanëve turq, duke synuar kështu të legjitimonin në trevat e tyre, kur Perandoria Osmane do të detyrohej të tërhiqej nga Ballkani. Rrjetet e veprimtarëve të shqiptarizmit u bënë më të larmishme, sidomos në funksion të grupeve fetare dhe rajonale. Më në fund shqiptarët hynë në një fazë kompetente për të udhëhequr kombin e tyre drejtë pavarësisë. V.Xh).

Ne Foto: Eshte nje fotografi e rralle me nje grup anetaresh te klubit shqiptar te Stambollit, midis te cileve Dervish Hima, Dr.Ibrahim Temo, Mihal Shan Tepelena, Toli Arapi etj.



[1] Arkivi i Serbisë. Fondi i  Gjoka Simiqit, 1903-1906. V. Çoroviç, Diplomatska prepiska, f. 545; “Albanija”, Beograd 1903.

[2] Nathaliye Clayer, vep. e cit. 305.

[3] Emin Pllana, Kosova dhe reformat në Turqi, vep. e cit. f. 189.

[4] Kristaq Prift, Lidhja Shqiptare e Pejës,  Tiranë 2002, f. 177.

[5] Historia e popullit shqiptar II, vep. e cit. f. 258.,

[6] HHStA, PA XIV/20, LIASS XII; Historia e arsimit dhe e mendimit  pedagogjik shqiptar, Tiranë 2003, f. 170.

[7]  Qerasim Qiriazi, “Kristomaci”, Lublanë 1991, f. 352.

[8] DASIP; Raporti i përfaqësuesit diplomatic të Serbisë nga Stambolli, 30. I (13.II), 1904.

[9] V. Stojançeviç, Drushtveno-politiçke prilike megju Albancima o Kosovskom vilajetu na poçetoku XX veka i Albanski otpor protiv turski reforma  1902-1903, “Istoriski çasopis” Kn/XI , Bograd 1961,  f. 206.

[10] Këtë memorandum në tërësi e ka botuar Gjorgje Mikiq, në ‘’Gjurmime albanologjike’’ Seria historike III, Prishtinë 1973.

[11] Gjorgje Mikiq, Memorandumi i Dervish Himës mbi çështjen shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XIX, “Gjurmime albanologjike” Seria; III-1973, Prishtinë 1975. f..207.

[12] “Bashkimi i Kombit” (Nacionalno Edinstvo), Shkup , (pa vit), f. 32.

[13] Po aty.207.

[14] Gjorgje Mikiq, punim i cit. 208.

[15] Po aty; Dervish Hima në vazhdim të memorandumit e paraqiti historikun e zhvillimit të çështjes shqiptare që nga luftërat serbo-turke 1876 dhe ruse-turke 1877, duke folur për qëndrimin e Rusisë ndaj çështjes shqiptare, e cila e formoi Bullgarinë e Shën Stefanit në dëm të tokave shqiptare, si dhe për vendimet e Kongresit të Berlinit, duke e theksuar se me nenin 23 të Traktatit të Berlinit është paraparë që provincave të Turqisë Evropiane t’iu sigurohen institucione administrative që do t’u garantonin të drejta të plota politike pa dallim besimi dhe race.

[16] Gjorgje Mikiç, punim i cit.  f. 210.

[17]Gjorgje Mikiç, vep e cir. f. 211-212; Interesim të madh për Dervish Himën kishte shprehur edhe diplomacia austro-hungareze. Ajo me shumë kujdes e vëmendje i përcjell sjelljet e tija si dhe shkrimet që i publikonte në revista dhe gazeta të ndryshme. Pikërisht për këtë, në arkivat e Vjenës gjenden burime diplomatike që flasin për këtë patriot të dalluar shqiptar.

[18] Branko Horvat, Kosovsko pitanje, Lubjanë 1989, f. 35.

[19] Ibrahim Themo Më 15 shkurt të vitit 1903 merr pjesë në Paris, si i deleguar shqiptar në Konferencën e dedikuar “Çështjes së Maqedonisë”. Kjo konferencë u mbajt në Teatrin Chateau d’ Esu (Shato Doy) në Paris. Pasi folën shumë pjesëmarrës e merr pjesë edhe  një francez me emrin Pressense (Presenëse). Ky orator dëshironte ta shpjegojë çështjen e Maqedonisë ashtu si dëshironin të tjerët, pa e njohur mirë as Turqinë Evropiane e as nacionalitetet që jetonin në territorin e Maqedonisë, por duke u mbështetur vetëm në statistika arbitrare.

[20] HHSHA, Albanien,XXI,Raport nga Vjena pa datë.

[21] HHSH, Albanien, XIX, Raport nga Vjena, 28 nëntor 1904. Mirëpo, Dervishi nuk hyri në këtë grackë dhe vazhdoi aktivitetin e tij në Paris dhe Gjenevë, e prej vitit 1905-1907 në Bruksel të Belgjikës, vazhdoi të botojë revistën e tij “L’Albania” në frëngjisht.

[22] Shukri Rahimi, Lufta e shqiptarëve për autonomi 1897-1912. Prishtinë 1978, f 133; H. Kaleshi, Dr. Ibrahim Temo osnivac “Mladoturskog Komiteta, ‘’Kombi’’ nr. 47 më 1 gusht, Boston 1907.

[23] Archives du Ministere des Affaires efrangeres Paris, Raport i konsullit francez nga Shkodra nr. 39, më 31 gusht 1908. Ky shënon se disa mysliman kanë dyshuar se ai ka bërë lidhje midis katolikëve dhe myslimanëve dhe për atë arsye është arrestuar.

[24] ‘’Kombi’’ nr. 101, 11 shtator 1908. ‘’Rrufeja’’ Kajro, nr. 1 kallnor 1909.

[25] Po aty. “Kombi”.

[26] Historia e popullit Shqiptar II…, f. 258.

[27] Kristaq Prifti, “Ibrahim Temo”, Tiranë 1996,  f. 14 dhe 139: Ibrahim Temo i lindur në Strugë në vitin 1865, i kreu studimet e larta në Stamboll.

[28] Emri i vërtetë i Dervish Himës,  ishte Ibrahim Naxhi Spahiu, i lindur 1872 në Ohër. 

[29] Ismet Dërmaku, Rilindja kombëtare shqiptare, f. 217; Historia e popullit shqiptar, II, f. 283.

[30] Lumo Skendi, Mendimi politik dhe veprimtaria kryengritëse shqiptare…, f.12.

[31] Hysni Myziri, Historia e shqipërisë dhe e shqiptarëve Prizren 2001, f.  166-167.

[32] Natalie Clayer, vep. e cit, f. 459.

[33] “Drita” nr. 57, 11.02.1905.

Filed Under: Histori Tagged With: Kombetare, Manastiri, qender e Levizjes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5077
  • 5078
  • 5079
  • 5080
  • 5081
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT