• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqiptarët nuk guxojnë të nëpërkëmbën

October 24, 2013 by dgreca

“Ky komb e ky popull nuk merret nëpër këmbë… Kjo është toka e heronjëve të të gjithë kohrave… Homeri aty gjeti Akilin, Bota Aleksandrin e Madh, Europa Skenderbeun, njerëz këta të së njejtës racë, të të njejtit gjak”(Lamartini)/

Shkruan: Fahri XHARRA/

Shpesh kombit tonë iu janë djegur bateritë dhe për atë shkak kemi mbetur në terr ; një terr shekullor. Kur syri mesohet me terrinë atëherë e ka të veshtirë të adaptohet në driten e vërtetë; por nëse befas haset me dritë atëherë vjen  edhe deri te verbimi.A jemi të verbër apo po shtihemi si të tillë? Nëse e merr vullnetin e njeriut të thjeshtë e shef se ai është i flakët që të shporret nga verbimi shekullor ; kurse nëse i analizon disa ”profesora” e ke të vështirë të kupton se ku biejnë. Çka është duke u përgatitur ,kur shef që ”jazegjitë” po shtohen përditë e më shumë. Qielli i tyre po mbushet për ditë e më tepër me yje të reja të cilat rrezatojnë errësirë ,prapambeturi , largim nga vetvetja dhe kulmojnë me vetmohim të përgjithëshëm.

Një ditë një mik më këshilloj që nëse në rrugë mirresh me çdo qen endacak atëherë  e rrezikon  humbjen e kohës tënde më të mirë qe i ke ofruar vetës për shetitje.Por edhe  nëse i lejon që ata ”endacakët” të të miklojnë nëpër këmbë dhe me lehjet e tyre të ta prishin qetësinë prap është një kohë e humbur. Paramendoni ,një kafshim i një endacaku të tillë e sidomos kur nuk është i vakcinuar sjellë pasoja shumë të mëdha te i kafshuari.

Tani me ligjet e reja më humanitare propozohet që këta të rrugëve të cilët nik e kanë gjetur asnjë përkrahës që të iu ofron strehim ,duhet të grumbullohen dhe në qendra të psaqme të bëhet kastrimi (tredhja ) e tyre që mos së paku të shumëzohen. Ata si të tillë  janë shumë të rrezikshëm për fëmijtë e pa mbrojtur ; për nënat e tyre ,për prindërit e rinj dhe pgjithisht p gjeneratat në rritje.

 

Tjetra..

 

Retina është karrika kryesore e të pamurit. Ajo e mveshë krejt kokërdhokun e syrit përmbrenda, dhe si e tillë përbëhet nga qelizat dritë-marrëse (foto-receptorë) të quajtura shkopthat. Shkopthat e zbërthejnë dritën e cila fokalohet. Pastaj informata pamore bartet në tru nëpërmjet nervit optik, një zgjatje e retinës.

Edhe populli i yne e kemi retinën tonë-intelektualët, të cilët duhet të zbëthejnë të mirën dhe të keqën që na rrethon, dhe të dërgon sinjale ne trurin e popullit në mënyrë që të dihet se çka të bëhët më tutje.

Retina  e syrit si e tillë, përveq tjerash është e ballafaquar edhe me një mundësi fatale të dëmtimit t`ashtuquajturën  shkoqitje e retinës (Lat. Ablatio Retinae). Kjo ndodhë kur një pjesë e saj çkoqet (shkulet) nga mbajtësi i saj –epiteli pigmentor. Kjo është një hata e keqe e cila kulmon me humbjen e fukcionit pamor të syrit, shikimin e turbulltë ,njolla të zeza dhe përfundon me verbimin e përherëshëm.

Deshta të bëj analogji me retinën –intelektualet tonë (kuptohet disa),të cilët përditë e më këmbëngulës janë në shkuljen e tyre vullnetare nga kokërdhoku i kombit me ide dhe teori nga më të ndryshmet, të cilat përditë e më tepër, po krijojnë bindjen se ne me të vërtetë jemi një popull pa origjinë. Një përforcim të ides së shkulitjes së kombit shqiptar nga trungu i tij mijëravjeqar.

Me shkrimet e tyre, përditë e më tepër më bëjnë të besojmë që na jemi një popull – mushkë.

Popujt Mulat, janë nëpër botë, ka bile edhe shumë. Por, për shqiptaret as bëhët fjalë. Etymologjia e fjalës Mulat rrjedhë nga gjuhet  spanishte dhe potugeze “mulato” e cila vet ajo rrjedhë nga fjala latine mūlus që do të thotë Mushkë, një rrjedhojë e bashkimit të pelës me gomarin. Edhe arabishtja e ka këtë fjalë Muwallad, që shprehë pjellën e mashkullit Arab me një të femër të huaj jo arabe.

A jemi ne në tokat tona shqiptare rast i “vegëshit të shkrierjes” ?

Çka do me thënë kombi multietnik ? Ku janë qëllimet e këtij propagimi nga ana e retinës sonë të shkulitur nga kokërdhoku i kombit?  A duhet të brengosemi me këmbëngulësinë e tyre?

Pse ata janë aq të zëshëm ? Ku dhe nga kush e kanë përkrahjen? Apo po punojnë në krye në vete për të zbuluar diçka që i bën të mbesin në  shportën e historisë? A ka pasoja nga kjo propagandë shumë agresive ?

Multietniciteti i një kombi monoetnik ( shqiptarët) është një teori afatgjate e cila e drejton kombin drejt multikulturalizmit (harrimit të vetvetës) me qëllim asimilimi. Asimilimi më i quditëshmi në botë që kurr nuk ka ndodhur.

Krijimi i shtetit të dytë shqiptarë në botë  ,ua humbi torruan qarqeve të huaja dhe të mbrendshme antishqiptare.Llogaritjet dhe planet e përgaditura më herët për humbjen e identitëtin shqiptar të shqiptarëve të Kosovës iu ranë në ujë. Duhej aktivuar plane dhe strategji të reja  ,të cilat e kanë të njejtin qëllim asimilimin e popullit shqiptarë. Me kend? Me vetveten ,me vetë shqiptarët.

Si planifikohet kjo ? Thjesht. Bile shumë thjesht. Mohimi i së kaluarës, mohimi i historisë ,historija pa heronj.Multikulturalizmi dhe multietniciteti –  nga një popull me një kuturë të gjerë ,me një gjuhë nga më të vjetrat në botë, me qellime të pastërta të mbijetesës,dhe me një histori mijëra vjeqare. Të gjitha këto çojnë ujë në mullirin e asimilimit dhe zhbërjës së vetvetës ,më një qëllim të caktuar të krijimit të një kombi “ mameluco ,ose caboclo ose girmitts “  apo një kombi të ri të ardhmërisë , popullit  X  të Kosovës.

Teorija e “vegëshit të shkrierjes” trumbeton, që ne, mos ta harrojmë historinë tonë (?) ,por me kusht që ajo të jetë e shkruar nga të huajt, të ruajmë ca fletë nga vetëvetja në mënyrë “”sallata e zhbërjes “ të përmbanë edhe diçka të tonën. Që në të  quhemi vetëm qytetar Kosovarë,dhe kënaqemi  vetëm me ate që këtu kemi lindur.

Rrjepja nga historija e jonë dhe krijimi i popullit “mullat” nga vetë teoreticienët tanë.nuk bënë gjë tjetër vetëm se e trashë  idenë atyre që me të madhe trumbetojnë se kur erdhën këtu nuk gjetën civilizim, nuk gjetën njerëz por gjusmë njerëz që posa kishin zbritur nga drunjët. Kures për ne thuhej:”  Albert Dymo thotë se ”nuk ka racë më të vjetër se shqiptarët në Evropë”. Ilirët gjendeshin në qendrën e saj para se të lindte nocioni i Evropës.”

A jemi në Shqiparët ,kudo që jetojmë të detyruar të pranojmë Transkulturalizmin ,si metodë të re të asimilimit me vetehtën? Nga cila kulturë ,duhet të marrim ato  që duhetpër të na zhbërë më shumë. A mos po na kërkohet shumë?

Si shërohet shkulitja e Retinës ?, në të njejtën mënyrë   duhen të shërohen edhe intelektualët tanë ,në mënyrë që shikimi i tyre mos të jetë i turbullt me anim kah verbimi i përherëshëm.

 

Tjetra.

Nuk e di as vet se si më erdhi në mendje të bëj një krahasim të infektimit mendor të shoqërisë sonë shqiptare, me një infektim trupor që vjen nga një bakterje  e quajtur Enterococcus faecalis. E gjeta ngjajshmërinë  në shumë aspekte .

Të shkojmë rradhazi . Enterococcus faecalis është një  bakterje gram-pozitive ,e pa lëvizëshme dhe e rrumbullakët . Kërkoj falje nga mjekët që po iu ndërhyjë në shkencën e tyre, por kjo m`u duk mënyra më e mirë të spjegoj dhe të godas një infektim shoqëror, nga një bakterje e njohur.

Enterococcus faecalis, shkurt” koki” ,mund të gjendet i vetëm  apo në çift që më së shpeshti haset në zorrën e trashë të njeriut. “Koki “mund të krijon infektime të cilat mund të jenë kërcënuese edhe për jetën.

Si mund t`a përshkruash qëndrimin  mohues, nihilist i  disa individëve nga disa rangje të shoqërisë shqiptare përpos se një infektim  nga një Koki .

Është për tu habitur një frymë e tmerrshme që i ka pushtuar historianet shqiptar, për të gjetur tek çdo monument të kombit “njolla të zeza”(A.B.)  Nga iu vijnë idetë për të njollosur çdo gjë të vlerëshme të kombit ? Sigurisht që” Koki” iu është futur në trup dhe si bakterje  e tillë që është,sjellë infektime të mëdha   në të tërë kombin.

Mu atëherë kur jemi më të nevojshëm të kemi një shëndet të plotë për një ardhmëri e cila na  ballafaqon, kolonitë e “koki”ve tonë fillojnë të rrëmbejnë pjesën më të ndritëshme të historisë sonë, të të mëdhenjëve tonë që kanë krijuar epoka, e që krijojnë nderë për kombin ,dhe në mënurën më tinzake  e grryejnë shëndetin  e kombit me të gjitha infektimet e mundëshme.

“Simptomat e  Enterococcusve, janë ethet, infektimet e kanaleve të urinës,gjer të infektimet me plagë të hapura.. Simptomat tjerë janë edhe ulja e shtypjes së gjakut, rritja e rruzave të bardhe në gjak ,frymëmarrja e shpeshtuar dhe konfuzioni mendorë”

Çfarë bashkërastësie me gjendjen e shoqërisë sonë mbarëkombëtare.? -Konfuzioni mendor.

“ Enterococcus faecalis, është një bakter me aftësi të madhe qëndrueshmërie. Mund të mbijetojë një kohë shumë të gjatë në kushte të ndryshme të rrethit (ambientit) ,merrni mend mbijeton 90 ditë në lirin e ndotur, 77 ditë në papastërti të ndyshme, 180 ditë në djathë dhe disa vjetë në minus 70 gradë Celcius.”

Prap ,krahasimi i mrekullueshëm me “kokit” tanë. Të mshefur në njëqind mënyra, të tjerët të treguar si loajal të çdo rezhimi,  ,të  tjerë duke i çfrytëzuar të mirat dhe më të mirat e shoqërisë me grada   universitare dhe akademike, sot  e gjetën trupin tonë ,falë një klase të pa aftë politike për përballafaqim me rreziqet e mëshefura e gjetën shoqërinë tonë pa imunitet ndaj sëmundjeve ,pa qëndrueshmëri ndaj baktereve dhe ”kokit” e filluan kolonizimin e tyre me të pavërteta, me mohime,me shtermbërime, me nihilime.

Konica thoshte se pendimi i vonuar është i kotë. Pendimi i vonuar të jepë vetëm mundësi të pendohesh,asgjë më tepër.

“Kokit”  e përdorin logjikën e kundërshtimit dhe e mohimit të së vërtetës pa prova, pa fakte, pa realitet, e përdorin alibinë e paracaktuar e qëndrimeve nihiliste të skajshme të tiveta për të çuar mendjen e të gjithëve në anarki.

Kurse, për të realizuar qëllimet e tyre të errëta, të pabindshme dhe të paarsyeshme, me shkrimet e tyre krijojnë kushte për krijimin e anarkisë morale dhe që është mjeti i vetëm që e kanë njerëzit të cilëve u mungon logjika në kohë të caktuar.

Neve na duhet diçka që të shërbejë si mbërthyese, si kapëse që nuk lë të shkoqet asgjë nga trungu gjithëshqiptar. Mbërthimi kombëtar ka qenë gjithmonë i nevojshëm, dhe kokave të ndërsyera nga një pikëpyetje e madhe duhet t’iu japim rastin që të vetmbërthehen e të mos lejojnë t’i kundërvihen interesit madhor.

Dhe në fund:

“Ky komb e ky popull nuk merret nëpër këmbë… Kjo është toka e heronjëve të të gjithë kohrave… Homeri aty gjeti Akilin, Grekët Aleksandrin e Madh, Europa Skenderbeun, njerëz këta të së njejtës racë, të të njejtit gjak”(Lamartini)

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Fahri Xharra, Lamrtin, neperkembjen, shqiptaret nuk guxojne

Kosova një shtet pa zot shpije, ku kullosin turq e shkije

October 24, 2013 by dgreca

Shkruan: Mr.sc.Nue Oroshi/

Ka kohë që personalisht kam ndezur këmbanën e alarmit përmes opinioneve të mia, të botuara kohë më parë nëpër gazeta e revista si dhe portale informative shqiptare, rreth dominimit të politikes serbe dhe turke në Kosovë. Ky alarm i imi ishte shqetësues për atdhetarët shqiptarë kudo në botë, por nuk u prit mirë nga qarqet politike në Kosovë, e që janë përques të dominimit të politikës turko-serbe në Kosovë. Kohë më parë kisha njoftuar opininin shqiptarë me këto shkrime si, „Dy re të zeza mbi Prizrenin“, „Udhëkryqet shqiptare në mes perëndimit dhe lindjes apo Bashkimi Kombëtarë si rrugë e vetme në 100 vjetorin e Pavarsisë“, „Pse Evropa e ka harruar Kosovën“, Me Beslidhje Kastriotike drejt Shqipërisë Etnike“, apo dhe, „Mallin e shkret e hanë kuajtë e verbër“, „Në Kosovë vriten atdhetarët e perfitojnë pushtetarët“, apo, „Punon fatkeqi e han barkdreqi“, dhe shumë paraqitje të tjera që kishin qëllim parësorë vetëdisimin e shqiptarëve, e që mos ta pranojnë dominimin e politikës serbo-turke në Kosovë. Personalisht e dhashë edhe një shembull konkret të mospranimit të këtyre dy politikave serbo-turke në Kosovë, ku me fakte demantova vendimin e Parlamentit të Kosovës mbi ligjin famëkeq mbi Qendrën Historike të Prizrenit i aprovuar nga Parlamenti i Kosovës i cili jepte kompetenca të paparashikueshme ndonjëherë Kishës Ortodokse serbe, si dhe për një kohë të gjatë e mbrojta logon e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e ku në kët rast ishte direkt e involvuar politika turke e Erdoganit, për heqjen e kësaj logo të shenjtë, sepse i pengonte dhe sot e kësaj dite i pengon politikës turke Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Edhe në këtë rast fatkeqsishtë Asambleja Komunale e Prizrenit e pranoi këtë shëmti, të paparë ndonjëherë tek shqiptarët e vertetë. Aty kam vërtetuar përsonalisht se Politika e Kosovës është nën ndikimin e politikës serbe dhe turke, dhe mua s‘më mbeti gjë tjetër përveç që publikisht të deklaroj dorëheqjen time të parevokushme nga detyra e këshilltarit Komunal në Prizren, dhe të njoftoj opinionin e gjerë shqiptarë, se Asambleja Komunale e Prizrenit është një Asamble e cila është si një Asamble e një Lagjeje periferike të Stambollit, e cila komplet punon për Interesa Turke në Prizren. Fatkeqishtë koha e vërtetoi, se unë kisha të drejtë. E them fatkeqsisht për faktin se kisha dëshirë që mos të kisha të drejtë dhe që politika e Kosovës në përgjithësi, e ajo e Prizrenit në veçanti të orientohen drejtë integrimit të Kosovës në Evropë, por politika në Kosovë tani ka marrë kahje komplet në të kundërten, – pra, ka marrë kahje Aziatike, më një dominim të fortë ruso-serb në këtë politikë. Vizitat e kohëpaskohëshme që bëjnë zyrtarët serbë në Kosovë, Daciq, Vuliç dhe ndonjë tjetër, ku deklarojnë haptas, se Kosova është Serbi, dhe nuk mirret asnjë masë nga udhëheqsit politikë të Kosovës, për tu penguar këto vizita, përveç se ndonjë deklaratë e Hajredin Kuqit që ka për qëllim të bëj biznes politik, dhe që e demanton vetën ende pa dalë ditën tjetër në mjetet e informimit, ende pa le dielli në mëngjes fjalet e Hajredin Kuqit i merr era, dhe ato fjalë tani më janë shëndrruar në objekt talljeje tek populli shqiptar në Kosovë, ku thuhet se: “Kur flet Hajredin Kuqi, në mes të pranverës bie dushku”. Ky veprim i tij është një papërgjegjësi e plotë e fjalës publike të një politikani kontravers që e luan rolin e një politikani të dirigjuar, sikurse të ishte një figurë shahu që lëvizet në çdo drejtim nga shefi i ti Hashim Thaçi. Derisa politikanët serbë për çdo ditë bëjnë propagandë politike në Kosovë pa u penguar fare, sikur Kosova të mos ketë fare institucione shtetërore, këtë propagandë zgjedhore tani e kanë filluar edhe politikanët Turqë. Në fjalimin e djeshëm elektoral në Prizren Erdogan deklaroi publikisht, se Kosova është Turqi, Daciq deklaron, se Kosova është Serbi, dhe unë e njoftoj opinionin e gjër shqiptar, se Kosova tani është mbetur pa zot shpije ku kullosin turqë e shkije. Për këtë tubim elektoral ne Prizren mjetet e informimit njoftojnë, se “Thaçi, Rama dhe Erdogan nuk janë ndalur së shprehuri se janë vëllezër, edhe gjatë vizitës së tyre në Prizren, ku u priten nga shumë qytetarë. Meqë i gjithë ky organizim u bë në kohë fushate, në këtë tubim, në secilin fjalim të tyre, përkrahje iu dha Ramadan Mujës, i cili është kandidat për kryetar të kësaj komune. Kryeministri i Turqisë tha se e falënderon Mujën që personalisht e ka ftuar të marrë pjesë në këtë tubim”. Prandaj, tanimë, elektorati shqiptar në Kosovë, e sidomosë ai në Prizren, duhet ta ketë të qartë, se çdo votë që iu ipet PDK dhe AKR, në Kosovë e në veçanti në Prizren, është votë që Kosovën e largon nga rruga e nisur drejtë integrimitë të Kosovës në Bashkimin Evropian, është votë e cila Kosovën e afron edhe më shumë me politikat serbo-turke, është votë që shqiptarët i orienton drejtë shkrepave të Azisë ku fatkeqsishtë në këto shkrepa tani kemi edhe djemë shqiptarë që po e humbin jetën pa nevojë për pazare të politikës ditore Aziatike, siç është rasti i Sirisë. Dhe për fund shpirtërishtë do ta ndjeja vetën shumë keq, sikurse që mosë ta njoftoja opinionin shqiptar në përgjithësi për një marrëveshje të dytë, që është bërë kohë më parë në mes të Turqisë dhe Serbisë, sepse, për të parën tani opinioni i gjërë shqiptarë është i njoftuar e cila solli pastrimin e trojeve shqiptare dhe dëbimin e shqiptarëve në Turqi, ku Qeveria e asaj kohe e Turqisë aq “respekt” që kishte për shqiptarët, ku për çdo shqiptar që mirrte në shtetin e saj i ipte ish qeverisë jugosllave një mushk. Pra shqiptarët e dëbuar nga toka e Arbërisë shkonin në Turqi me vlerën e një mushke! Ndërsa në marrëveshjen tjetër politike që është tani në veprim në mes të Turqisë dhe Serbisë, Turqia ka marrë obligim që të shtrijë ndikimin politik, ekonomik dhe fetar mbi Kosovën, dhe Kosovën sërish ta kthej nën kthetrat e Serbisë. Prandaj neve Shqiptarëve s‘na mbetet rrugë tjetër përpos ringjalljes së ndërgjegjës Kastriotase, themelimit të një Beslidhje Kastriotike, lidhjes së kësaj Beslidhje me botën Përendimore në përgjithësi e në veçanti me politikën Gjermane. Nëse nuk bëhet kjo, shumë shpejtë Kosova do të vazhdon të mbetet pa përkrahje ndërkombëtare, Evropa mund të shihet vetëm në ëndërr, ndërsa nëpër fushat e Kosovës, sikur hije do të kullosin turqë e shkije.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: kosova, kullosin turq e shkije, Nue Oroshi, shtet pa zot shpie

SIMPOZIUM PËR PETRO MARKON NË KRAJOVA TË RUMANISË

October 24, 2013 by dgreca

Shkruan: Mira Skënderi/Bukuresht/

100 vjetori i lindjes së shkrimtarit Petro Marko ishte motivi i organizimit të simpoziumit “Petro Marko dhe letërsia bashkëkohore shqiptare”, në kryeqëndrën e krahinës së Oltenisë, në Krajova të Rumanisë. Simpoziumi iu kushtua jetës dhe veprës së autorit shqiptar, rast me të cilin u bë edhe promovimi i librit në prozë “Njerëz dhe ujqër„  të Petro Markos, i përkthyer në rumanisht nga përkthyesi i mirënjohur dhe njohësi i letërsisë shqipe, Marius Dobresku.

Midis të tjerash, Dobresku tha: “Shorti i këtij shkrimtari të talentuar ilustron më së miri karakterin vrasës të komunizmit shqiptar, të komunizmit në përgjithësi: gjithmonë dhe kudo, regjimi likuidoi në radhë të parë fëmijët e vet, ata idealistë që mendonin se ëndrra për një shoqëri më të mirë mund të bëhet realitet. Shqipëria është një shembull domethënës në këtë kuptim: duke filluar nga shokët e luftës antifashiste, e duke përfunduar me kryeministrin Mehmet Shehu, Enver Hoxha likuidoi një brez të çmuar pjesëmarrësish në luftën antifashiste, intelektualë, shkrimtarë etj. Petro Marko ishte një nga viktimat”.

Shkrimtari dhe përkthesi Marius Dobresku, gjithashtu, u foli të pranishmëve për peripecitë dhe dramën e shkrimtarit Petro Marko, për ngjitje-zbritjet, për sukseset e shënuara, por dhe dështimet e dhimbshme, duke lënë nga pas “veprën e tij jetëgjatë, që tejkaloi qartazi peizazhin letrar të kohës. Është një vepër e cila, me siguri, do të mbetet në vite, si dëshmi e talentit dhe forcës shprehëse të këtij krijuesi të denjë”.

Që në fillim të daljes në dritë, tregimet e Petro Markos gjetën vlerësimin e lexuesit rumun, ashtu sikundër edhe autorë të tjerë shqiptarë në zë, të përkthyer nga Marius Dobresku si Ramiz Gjini, Arber Ahmetaj, Fahri Balliu, Gjekë Marinaj, Ermir Nika etj. kanë zgjuar vazhdimisht interesin e këtij lexuesi.

Në kumtesën e tij, studiuesi i letërsisë, Dr. Luan Topçiu, u shpreh se: Duke qënë një nga pjesëmarrësit në Luftën Civile të Spanjës (1936-1939), duke pasur kontakte të drejtpërdrejta me letërsitë dhe gjuhët perëndimore, Petro Marko ka qënë i markuar me frymën e kohës dhe nga disa modele kulturore europiane, që kanë pasur një short të ngjashëm. Ishte pikërisht kjo frymë perëndimore që nuk u tolerua nga komunizmi shqiptar, i cili, nuk  fali as veprën e tij, por as vetë shkrimtarin. Në një radhë tjetër idesh ai u shpre se: “Marko hapi ulli të reja në prozën shqiptare, prozë e asfiksuar nga metoda zyrtare e realizmit socialist, duke i thyer normat e kësaj metode, me fuqinë e fjalës, me lirizmin e tij, me frymëmarrjen e lirisë, që e bëjnë prozën e tij të pëlqyer dhe të lexueshëm dhe sot e gjithë ditën.”

Në këtë aktivitet, kushtuar kujtimit të Petro Markos, organizuar nën patronazhin e shoqatës Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë, morën pjesë deputetja Oana Manolescu si dhe një audiencë e interesuar e përbërë nga shkrimtarë, njërez të kulturës, gazetarë etj. Aktiviteti u ndoq me interes nga të pranishmit, që manifestuan interes për të mësuar sa më shumë detaje rreth letërsisë shqiptare, rreth krijimtarisë së Petro Markos dhe aspekte të tjera të kulturës shqiptare. Ngjarja u transmetua nga dy stacionet televizive lokale si dhe nga gazetat më të rëndësishme lokale.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Bukuresht, Mira Skenderi, simpozium per Petro markon

KUR DO TE NDODHE QE ZERI I ARSYES TE BEHET EDHE ZERI I QEVERISE?

October 24, 2013 by dgreca

PROF. DR. ROMEO GURAKUQI: SHKARKIMI I ZJ.NIKA VEPRIM I PAJUSTIFIKUAR PËRKUNDREJT FRYMËS SË SHTETIT, LIGJIT, RENDIT E PËRGJEGJSHMËRISË QEVERITARE, RESPEKTIT NDAJ INTELEKTUALIT/

NGA ELIDA BUÇPAPAJ/

Në fushatën e shkarkimeve ndërmarrë nga qeveria e re, që opozita e ka denoncuar si fushatë hakmarrjeje, është edhe ajo e zonjës Nevila Nika, drejtore e Arkivit të Shtetit e cila u zëvendësua me Gjet Ndoj, kryetar i partisë “Aleanca Arbnore Kombëtare”, ish koordinator i aleatëve me ish-kreun e opozitës dhe kryeministrin aktual, Edi Rama, para zgjedhjeve të 23 Qershorit.
Pra që me vështrimin e parë duket se zëvendësimi është bërë politik.
Duke shkuar në websitin e Komisionit Qendror Zgjedhor – partia AAK që drejton Gjet Ndoj, ishte e 18 në listën e Aleancës për Shqipërinë Europiane, e cila ka arritur të mbledhë vetëm 3575 vota ose 0.21%, një rezultat shumë minimal për t‘u shpërblyer me një post të rëndësisë të tillë.
Në lidhje me këtë shkarkim morëm mendimin e Prof.Dr.Romeo Gurakuqi një figurë e shkëlqyer me background akademik, shumë aktiv në lidhje me debatin e shtetformimit dhe shtetit të së drejtës, që në Shqipëri lë kaq shumë për të dëshiruar dhe është larg standardeve të një shteti Perëndimor. Sepse në Shqipërinë e këtyre 23 viteve tranzicion, sa herë ka rotacion politik, ka edhe rotacion të administratës publike. Ja cilat janë disa nga pyetjet që i drejtuam Prof.Dr. Romeo Gurakuqi: „Do t‘ju lutesha në lidhje me shkarkimin e drejtoreshës të Arkivit të Shtetit –zonjës Nevila Nika mendoni se largimi i saj është në funksionin të justicionalizmit partiak? Mendoni se emërimi i saj në krye të këtij institucioni ishte apolitik? Duke nisur nga fakti se gjatë diktaturës në krye të këtij institucioni emëroheshin njerëz të besuar të sistemit, dhe nisur nga fakti i drejtuesave që ka patur gjatë tranzicionit ky institucion, a mendoni se ka një vijimësi, pa marrë parasysh ndryshimin e sistemit? Gjet Ndoj, emërimi i ri që ka bërë PS, që ngjan një veprim i pastër politik a nuk bie ndesh me premtimet e z.Rama për rilindje?”Më poshtë po ju përcjellim prononcimin e Prof.Dr. Gurakuqit: „Di te them vetem se Nevila Nika ka qene nder njerezit me te pergjegjshem dhe me te ndergjegjshem te administrates shqiptare. Nje sherbyese dinjitoze e shtetit dhe njerezve te thjeshte; nje profesioniste e shkalles me te larte, nje partnere serioze e institucioneve anologe, qe ka garantuar staturen e institucionit te rendesise se veçante te Arkivave te Shtetit Shqiptar.
Ajo eshte profesioniste qe eshte rritur ne ate institucion, qe per here te pare garantoi hapjen e tij per publikun e gjere dhe veçanerisht per studiuesit. Ne rrethanat e veshtira ne te cilat gjendet institucioni persa i perkete financimeve shteterore, ajo beri çfare ishte e mundur qe ky institucion te modernizohej dhe te krijohej mundesia e perdorimi te teknikave bashkekohore te vjeljes se rekordeve nga ana e studiuesve.
Aftesite e saj komunikative jane te spikatshme te nje shkalle shume te larte, gje per te cilen vuan e gjithe administrata e shtetit shqiptar. Kesisoj, largimi i saj nga kjo detyre e larte eshte nje veprim i papershtatshem, i pajustifikuar dhe perkundrejt frymes se Shtetit, Ligjit, Rendit dhe pergjegjshmerise qeveritare.
Une e kam te qarte se gjeneratat e administrates do vijne nje dite qe te nderrohen, por per disa punonjes te tille te spikatur, Shteti ka nevoje gjithmone, Publiku ka nevoje gjithmone mbasi ato jane veshtiresisht te zevendesueshem.
Mbi te gjitha menyra se si eshte kryer ky zevendesim, dhe menyra se si eshte zevendesuar statura e saj publike e arritur me shume pune sistematike dhe shkencore dhe komunikim, eshte nje fyerje e rende jo vetem per personin e saj te respektuar, por per te gjithe intelektualet shqiptare, punonjesit kerkimore, publikun e gjere, qe kane gjetur tek ajo nje sherbenjese te pangjashme ndaj kerkesave te natyrave te ndryshme dhe kane pare nje kujdestare perfekte te pasurise dokumentare te Shtetit Shqiptar.
Ne kohen kur prisja qe ekipi i ashtuquajtur rilindas te ekspozohej ne publik me nje plan te detajuar per investimin ne shkalle te gjere ne Institucionin e Arkivave, per zgjerimin e bazes infrastrukturore, te ndertesave dhe sigurise se tyre, per ngritjen nje kompleksi dinjitoz te Nationa Archives, ne rritjen e shkalles se sigurise, modernizimin dhe digitalizimin e sistemit, rritjen e shkalles se cilesise se sherbimit, hapjen edhe me te madhe ndaj interesave studimore, sjelljen nen strehen e ketij institucioni te fondeve te arkivave te huaja, per te cilat vuan shkenca shqiptare, publiku dhe dokumentacioni pronesor i shtetit, ndodh nje sjellje e pangjashme per prestigjin e seriozitetin e nje qeverije te europianizuar, te hapur dhe pa paragykime politike, sic eshte pretenduar.
Shkarkimi ne kete menyre i Nevila Nikes, eshte nje fyerje per forcat intelektuale, punonjesit e atij institucioni, historianet dhe profesoret universitare. Nje levizje e tille nuk mund te kryhej pa nje shpjegim edhe ndaj nesh nga Kryeministri aktual, pa nje shpjegim ndaj Publikut, nqs pretendohet se sjellja kryeministrore tashme eshte e ndryshme; e hapur, transparente, ne kahun e te mires publike dhe ne konsulence me forcat intelektuale.
Une e kuptoj se Shqiperia eshte ende nje vend anormal dhe brenda ketij anormalitetit eshte edhe menyra bizantine e ketij ndryshimi, mungesa e kurajos per t’i dale ne balle njerezve me shpjegim mushamendes dhe deri edhe paaftesia per te korigjuar nje gabim, apo mungesa e kurajos per te kerkuar PARDON.
Nuk jemi mesuar deri me sot qe nje Prime Minister Office te tregohet e vemendshme ndaj kritikes publike. Por nqs mendohet qe te fillohet nje stil i ri komunikimi dhe degjimi ndaj Publikut, eshte momenti per te treguar se, kur eshte e nevojshme qe gabimet te korigjohen, kjo mund te ndodhe dhe zeri i arsyes te behet ze i qeverise. »
Këtu përfundon prononcimin e tij Prof.Dr. Romeo Gurakuqi në lidhje me shkarkimin e zonjës Nevila Nika nga vendi i drejtores të Arkivit të shtetit.”

Filed Under: Komente Tagged With: Elida Buçpapaj, Prof. Romeo Gurakuqi, shkarkimi i Nevila Nikes

Histori: Çfarë ka ndodhur më 23 tetor?

October 23, 2013 by dgreca

Me 23 tetor 1871 – Lindi në Fishtë, Dajç, Lezhë, Shqipëri (në atë kohë Perandori Osmane), Gjergj Fishta; studioi për filozofi e teologji; prift i shuguruar katolik edhe poet i madh; në vitin 1902, merr drejtimin e gjimnazit françeskan në Shkodër; vepra i tij madhore (1937) Lahuta e Malcis prej 17-mijë vargjesh – quajtur ndryshe edhe Iliada Shqiptare./

Nga Astrit LULUSHI/

42 pes – Lufta civile romake: Trupat e Mark Antonit dhe Oktavianit mposhtin ushtrinë e Brutit. Bruti kryen vetëvrasje. Por cili ishte shkaku i luftës?  Dy vjet më parë (44 pes), Qezari ishte vrarë pabesisht nga një grup senatorësh ku bënte pjesë edhe miku i tij, Markus Brutus. Oktaviani, djali i birësuar i Qezarit, i cili ndodhej për studime në Apolloni të Ilirisë, sapo mori vesh lajmin u nis për në Romë dhe u vu në ndjekje të vrasësve. Sipas historisë, Qezari fillimisht u rezistoi sulmuesve, por kur pa Brutin mes tyre, iu dorëzua fatit, duke thënë “Et tu, Brute?” – “Edhe ti, Brut?”; fjalë që vazhdojnë të jenë subjekt debatesh mes dijetarëve dhe historianëve.”Et tu, Brute?” është frazë latine që arriti në kohët tona ndoshta falë Uilliam Shekspirit i cili e përdori atë në tragjedinë Jul Qezari (1599). Shprehja pason traditën e historianit romak Suetoni, i cili thotë se “Et tu , Brute?” është kalk e një greqishtjeje “Kai su, teknon?”- “Edhe ti, biri im?” dhe merret si tregues se Bruti ishte djal jashtë-martese i Qezarit. Ndërsa, Plutarku thotë se Qezari nuk foli fare por kur pa Brutin mes komplotistëve, mbuloi kokën me pelerinën e vet dhe e la t’a godiste. Kohët e fundit janë shtuar argumententet se “Et tu, Brute?”, mund të interpretohet si mallkim apo kërcënim; atëhere mallkimimet në greqisht mes romakëve ishin bërë proverbiale, dhe Qezari mund të ketë thënë: “Edhe ti, biri im, do ta provosh shijen e fuqisë” ose “Edhe ti Brut? Në ferr shkofsh!”.
Një pjesë nga tragjedia “Jul Qezari” e Shekspirit
-nga fjalimi i Mark Antonit –
(shqipëroi Fan Noli)

“Ne qe me te vërtetë Bruti që goditi;
Se Bruti, e dini, ishte éngjelli i Qesarit.
Ti, Zot, ti vet’ e di me Q’ mall e desh Qesari.
Kjo ishte gpojtja m’ e pashpirtme nga të gjitha.
Kur pa Qesari q’e goditi dhe ai,
Mosmirenjohja, me’ e fortë se q’do krahe
Tradhetori, e mundi dhe ia theu zcmren.
Ahere si pështolli faqen nënë toga
Mun rrëzë monumeulit të Pompejit,
…
Oh po! tani po qani, edhe ju vjen keq;
Dhe lotët që po derthni rjedhin drejt nga zemra.
Si? Qani, vllezër, se i patë vetëm togën
Qesarit të plagosur? Shihni atë vetë
Q’e kanë bërë shoshë thikë tradhetorësh.”
1812 – Gjenerali francez Claude François de Malet, arratiset nga burgu dhe organizon një komplot për të përmbysur perandorin Napoleon Bonaparte, duke përhapur lajmin se perandori vdiq gjatë fushatës në Rusi dhe e shpalli veten komandant të garnizonit të Parisit. Lajmi u besua nga të gjithë, por kur një polic e pa Maletin duke bërë betimin para Senatit, ai e njohu dhe bërtit “është Malet, i arratisuri!”. Pas kësaj, ai u kap, u çarmatos dhe u dërgua përsëri në burg.
1821 – Demetrio Camarda (Dhimitër Kamarda) lindi në Horën e Arbëreshëve (Piana degli Albanesi) – Si gjuhëtar, poet dhe mbledhës e botues i folklorit shqiptar,  Kamarda eci në udhën e hapur nga dijetari i madh arbërësh para tij, Jeronim De Rada. Kamarda kishte njohuri shkencore edhe në fushën e gjuhësisë indo-evropiane dhe doli me idenë se shqipja lidhej me greqishten e vjetër, duke iu kundërvënë tezës së vërtetuar nga Franz Bopp se shqipja ishte degë e veçantë në familjen Indoevropiane. Vepra kryesore e Kamadrës, Provë e Gramatikës Krahasuese mbi Shqipen, vlersohet si i pari punim shkencor në fushën e studimit krahasues historik të shqipes. Kamarda njihet edhe për kontributin në përhapjen e alfabetit të përgjithshem shqip në vitin 1869. Ai vdiq ne Livorno të Italisë me 1882.
1871 – Lindi në Fishtë, Dajç, Lezhë, Shqipëri (në atë kohë Perandori Osmane), Gjergj Fishta; studioi për filozofi e teologji; prift i shuguruar katolik edhe poet i madh; në vitin 1902, merr drejtimin e gjimnazit françeskan në Shkodër; vepra i tij madhore (1937) Lahuta e Malcis prej 17-mijë vargjesh – quajtur ndryshe edhe Iliada Shqiptare. At Gjergj Fishta ishte kryetar i komisionit në Kongresin  e Manastirit më 1908, që miratoi alfabetin. Ishte përkthyes i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919, pastaj, sekretar i delegacionit. Në fund të vitit 1920, Shkodra e zgjodhi deputet të saj në parlamentin shqiptar. Pas vendosjes së regjimit të Zogut, Fishta u vetë-mërgua në Itali në vitin 1925 /1926, para se  se të rifillonte punën si mësues, poet dhe shkrimtar në Shkodër; vdiq më 30 dhjetor 1940. Fishta ishte redaktor i revistës “Hylli i Dritës” (1913 ) dhe gazetës “Posta e Shypnisë” gazetë (1916-1917). At Gjergj Fisha ishte gjithashtu shqiptari i parë kandidat për çmimin Nobel për letërsi. Ja disa vargje nga një prej poezive të tij:

“Shqypnia”

Edhè hâna do t’ a dijë,
Edhè dielli do t’ két pá,
Se për qark ksaj rrokullije,
Si Shqypnija ‘i vend nuk ká!
…..
Ato male të madhnueshme,
Ato, po, kanë mûjtë me pá
Se sa forca e pafrigueshme
N’ turr t’ Shqyptarit pît ka rá.
Dridhet toka e gjimon deti,
Ndezen malet flakë e shkndija,
Ka’ i frigueshëm, si tërmeti,
Atje rrmben kû e thrret Lirija.
…….
Shkundu pluhnit, prá, Shqypní,
Ngrehe ballin si mbretneshë,
Pse me djelm, qi ngrofë ti n’ gjí,
Nuk mund t’ quhesh, jo, robneshë.”
1874 – Lind në në Janjevë  afër Prizrenit etnografi, folkloristi, shkrimtari, ndoshta arkeologu i pare shqiptar, Mëhill Kostandin Gjeçi-Kryeziu, i njohur si Shtjefën Gjeçovi. Ai u arsimua nga françeskanët në Bosnjë (nën kontrollin e Austro-Hungarisë ) shërbeu në vitet 1905 – 1920 mes fiseve malësore (kryesisht Mirditë) si famullitar, mësues dhe mbledhës folklori. Gazeta Albania e Faik Konices u bë platforma e shkrimeve te tij. Gjeçovi u vra nga serbet në vitin 1929, në fshatin Zym afër  Gjakovës, ndërsa shërbente si prift dhe mësues i shqipes në atë famulli. Shtatore sot ai ka  në Zym dhe një shtëpi muze në fshatin e lindjes. Më 1929, mbreti Zog protestoi ashpër pranë qeverisë së Beogradit kundër vrasjes se tij. Gjeçovi mblodhi dhe shkroi Kanunin e Lekë Dukagjinit, një sërë ligjesh zakonore shqiptare të trasheguara gojarisht ndër shekuj. Ato u botuan pas vdekjes, në vitin 1933. Një botim shqip – anglisht nga Shtëpia Botuese Gjonlekaj, Nju Jork ne vitet 1980, tërhoqi vemendjen e studiuesve të huaj të cilëve për here të pare u binte në dorë një botim anglisht i këtij kanuni.
1892 – Vdiq Abdyl Frashëri, 53 vjeç, një prej ideologëve te parë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ai ishte me i madhi në moshë mes 3 vëllezërve Frashëri, Naimit e Samiut. Abdyl Frashëri njihet si nismëtar dhe udhëheqës i Lidhjes së Prizrenit (1878) – konsiderohet gjithashtu si i pari që hodhi idenë e një autonomie (përfshirjen e trojeve shqiptare në një vilajet të vetem) – pas shtypjes së Lidhjes (1881),  dënohet me vdekje nga gjykata osmane; dënimi iu kthye në burgim të përjetshëm; qëndroi në burg 3 vjet dhe në internim 20 muaj; për arsye shëndetësore u lirua me kusht që të hiqte dorë nga veprimtaria politike.
1911 – Përdorimi i parë i avionëve në luftë: Një piloti italian niset nga Libia për të vëzhguar vijat e frontit të ushtrisë turke gjatë Luftës turko- italiane.
1912 – Lufta e Parë Ballkanike :Fillon beteja e Kumanovës midis forcave serbe dhe ushtrisë osmane. Kjo betejë ishte vendimtare për rezultatin e luftës në rajon. Pas 3 ditësh, trupat osmane u thyen keq, lanë qytetin dhe u detyruan të tërhiqeshin edhe nga Shkupi, ndërsa forcat serbe u nisën për të marë Manastirin.
1946 – Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara mblidhet për herë të parë, në një auditorium në Queens të qytetit Nju Jork.
1956 – Mijëra Hungarezë ngrenë krye kundër qeverisë dhe kontrollit sovjetik. Ky zhvillim (i njohur si Revolucion hungarez, në perëndim; dhe Kundër-Revolucion, në lindje, u shtyp në 4 nëntor).
Mendim i ditës
“Disa gjëra janë aq serioze, sa që është mirë të qeshësh me to”.
Niels Bohr

(Kortezi-VOA)

Filed Under: Histori Tagged With: 23 tetor, Astrit Lulushi, cfare ndodhi, Fishta, Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5120
  • 5121
  • 5122
  • 5123
  • 5124
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT