• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

POLITIKA SHQIPTARE NËNSHTRUESE NDAJ INTERESAVE HUAJA

October 22, 2013 by dgreca

…Sa ironik është fakti që Kryeministri i Turqisë, pasardhëse e Perandorisë Otomane, Z.  Rexhep Taip Erdogan kërkon të shkojë në Prizren së bashku me dy kryeministrat shqiptarë, aty në Prizrenin e Abdyl Frashërit, aty në zemrën dhe në shpirtin e Lidhjes së Prizrenit, aty ku shqiptarët e të gjitha krahinave i deklaruan botës së ka Shqiptarë  dhe se ka Shqipëri, aty ku u dha kushtërimi për bashkim qëllimi  e ideje.  Sado tërheqse që të jenë premtimet  për ndihma financiare dhe investimet nga të huajt, siç ka thënë edhe Midhat Frashëri me një rast, “Përpjekja për Atdhe nuk është si puna e ryshveteve, që njeriu bën hesap a del a s’del, behet hesap a fitohet a humbet — por jo në çështjen kombëtare.”/

Nga Frank Shkreli/

Gjatë disa viteve të fundit Turqia ka ndërmarrë një fushatë, që disa e quajnë si një ofensivë të gjithanshme, diplomatike, politike, shoqërore dhe fetaro-kuturore në Ballkanin perëndimor, kryesisht e përqëndruar në vendet me shumicë myslimane, si Shqipëria, Kosova dhe Bosna-Hercegovina.  Siç duket në frymën e kësaj fushate diplomatike, Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan do të vizitojë Kosovën të Mërkurën, ë 23 tetor.  Mediat e Prishtinës  njoftojnë se zyrtarisht udhëheqsi turk po viziton Kosovën për të inauguruar  terminalin e ri  të aeroportit, “Adem Jashari” në kryeqytetin e Kosovës, por sipas të njëjtave burime, Z. Erdogan do të vizitojë edhe Prizrenin, kryeqytetin e të gjithë shqiptarëve, i shoqëruar nga Kryeministri i Kosovës, Z. Hashim Thaçi.  Dhe ajo që e bën këtë vizitë në Prizren edhe më interesante, është fakti se Kryeministrit të Turqisë dhe atij të Kosovës do t’i bashkohet edhe Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama, e gjithë këjo gjatë një fushate elektorale për zgjedhjet vendore në Kosovë, gjë që disa analistë e kanë cilësuar si një përpjekje për të influencuar zgjedhjet në favor të partisë në pushtet dhe për më tepër si një ndërhyrje në punët e mbrendshme të Kosovës.

Fatkeqsisht, influencat e huaja ashtu si edhe në të kaluarën, po gjëjnë edhe sot mbështetje në trojet shqiptare, për arsye të përkohëshme politike, ekonomike e të tjera.  Duket se asgjë nuk është mësuar nga historia.  Fushata diplomatike turke e viteve të fundit për të ushtruar një influencë dominuese, sidomos në vendet me shumicë myslimane si Shqipëria dhe Kosova po bëhet me një zhurmë të madhe dhe në një mënyrë arrogante sa që kërkohet edhe rishqyrtimi i historisë së okupimit 5-shekullorë të trojeve të kombit shqiptar nga otomanët.   Ndërkohë, Rusia një perandori tjetër të cilës shqiptarët gjithmonë ia kanë pa sherrin, influenca politike dhe financiare e së cilës gjithnjë vjen e shtohet në Ballkanin Perëndimor, ka thënë se çdo përkrahje për pavarësinë e Kosovës është ilegale dhe imorale, ndërkohë që sa për sy e faqe zhvillon bisedime me Prishtinën në Bruksel.   Në këtë boshllëk të një politike dhe diplomacie të vendosur dhe të bashkrenduar mirë ndaj interesave kombëtare nga Tirana dhe Prishtina — Kryeministri serb Daçiq — deklaroi ditët e fundit se  është duke menduar që në vend të bisedimeve të Brukselit — dialogun ta vazhdojë me Kryeministrin e ri të Shqipërisë, Z. Rama.  Kemi të bëjmë gjithnjë me arrogancën e atyre që për shekuj donin të zhduknin racën shqiptare nga Ballkani.  Në prak të vizitës në Kosovë, Kryeministri turk Erdogan deklaron se,“Turqia dhe Kosova kanë marrëdhënie miqësore dhe vëllazërore që rrjedhin nga thellësitë e historisë, por është e vogël dhe nuk ka të drejtë të flas kundër Islamit,”  ka thënë  Erdogan për televizionin turk TRT.
Kosova, është tepër e vogël për të folur kundër Islamit!  Se kush në Kosovë është duke folur kundër Islamit, veç ai e di, por në të vërtetë është duke thënë se Kosova është tepër e vogël për çdo gjë dhe si e tillë  është nën mëshirën e tij.  Por megjithkëtë, shqiptarët në përgjithësi dhe shqiptarët e Kosovës në veçanti, ashtu siç i shkruan Z. Erdogan në prak të vizitës së tij në Kosovë, edhe deputetja e pavarur e Kosovës, Alma Lama, “Ne në Kosovë, por shqiptarët edhe më gjerë jemi shumë të interesuar të kemi raporte të mira me shtetin e sotëm turk pavarësisht nga e shkuara jonë e hidhur.  Krijimi i raporteve të mira do të thotë në radhë të parë respekt reciprok, do të thotë respektim i kulturës dhe traditës së tjetrit.  Ne, si ish-pjesë e perandorisë turke, të pushtuar prej saj jo vetëm politikisht por edhe kulturalisht e fetarisht, para një shekulli bëmë përpjekje të jashtëzakonshme si komb për të rilindur vetveten.  Ia dolëm. Sfida numër një për ne ishte pikërisht feja.  Vendosëm që asaj të mos i jepnim rëndësi të dorës së parë, por kombi të ishte formula jonë e ekzistencës. U përcaktuam për këtë dhe ecëm përpara. E kundërta do të na kishte fundosur.  Ashtu sikurse mund të na fundosë tani, nëse ne nuk tregohemi të vëmendshëm”, i shkruan deputetja e Kosovës Alma Lama, Kryeminsitrit turk në vigjiljen e vizitës së tij në Kosovë.

Edhe udhëheqsi serb Daçiq, ndërsa sa për sy e faqe zhvillon bisedime në Bruksel me Kryeministrin e Kosovës, në një ëndërr teatrale të tijën, ai nënçmon udhëheqsit shqiptarë të Kosovës duke deklaruar se për fatin e Kosovës, ose më mirë të themi, për ndarjen e Kosovës, tani ai dëshiron të flasë me Tiranën zyrtare, pikërisht me Kryeminsitrin e ri, Z. Rama.  Hajde dreq e merre vesh këtë punë.   Edhe Greqia nga jugu i kufijve të kombit, vazhdon me politikën e saj të pandërprerë anti-shqiptare.   Asnjë përgjigje as deklaratë zyrtare as nga Prishtina as nga Tirana! Quo vadis, Kombi Shqiptar?

Shqiptarët gjatë gjithë historisë së tyre nuk kanë sulmuar askënd as nuk kanë pretenduar toka e territore të tjerëve, nuk kanë imponuar fenë dhe as nuk gjykojnë historinë e të tjerve.  Shqiptarët megjithë vuajtjet e tyre nga pushtime të ndryshme nga fqinjtë dhe mbështetsit e tyre, sot më shumë se kurrë janë tepër të interesuar për marrëdhënje të mira me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë Turqinë, Serbinë dhe Greqinë.  Por siç thotë edhe deputetja e Kosovës Alma Lama në letrën drejtuar Z. Erdogan, një gjë e tillë kërkon mirëkuptim të dyanshëm.  “Ne nuk mund t’ju akuzojmë ju për atë që kanë bërë paraardhësit tuaj” thotë deputetja shqiptare, “por në momentin që na kërkoni që ne të ndërrojmë historinë, që të zezës t’i themi e bardhë, të përgjakshmes lulëzim, në momentin pra kur ju nuk distancoheni nga prapësitë e paraardhësve tuaj, por përkundrazi na kërkoni që edhe ne t’i shohim me sytë tuaj, atëherë mos pritni prej nesh mirëkuptim.”

Duke shprehur ato që unë mendoj se janë ndjenja të shumicës së shqiptarëve kudo, deputetja e Kuvendit të Kosovës, në letrën e saj drejtuar Kryeminstrit Erdogan thotë gjithashtu se, “Ne si komb kemi luftuar shumë hegjemoninë e të tjerëve, dhe tani që po shijojmë lirinë, kurrsesi s’mund të pranojmë që dikush, sado i fuqishëm, të na e shkruajë historinë sipas qejfit të vet.  Asnjë shtet perëndimor, as ata që na çliruan nga pushtuesi tjetër Serbia, nuk na ka ardhur me një kërkesë të tillë primitive. Primitive, pasi së pari historinë e shkruajnë historianët, jo politikanët, aq më tepër politikanët e vendeve ish-pushtuese; dhe së dyti, sepse bie tërësisht ndesh me fondamentin tonë, iluminizmin dhe të vërtetat që burojnë nën dritën e tij”, shkruan deputetja e pavarur në Kuvendin e Kosovës.

Sa ironik është fakti që Kryeministri i Turqisë, pasardhëse e Perandorisë Otomane, Z.  Rexhep Taip Erdogan kërkon të shkojë në Prizren së bashku me dy kryeministrat shqiptarë, aty në Prizrenin e Abdyl Frashërit, aty në zemrën dhe në shpirtin e Lidhjes së Prizrenit, aty ku shqiptarët e të gjitha krahinave i deklaruan botës së ka Shqiptarë  dhe se ka Shqipëri, aty ku u dha kushtërimi për bashkim qëllimi  e ideje.  Sado tërheqse që të jenë premtimet  për ndihma financiare dhe investimet nga të huajt, siç ka thënë edhe Midhat Frashëri me një rast, “Përpjekja për Atdhe nuk është si puna e ryshveteve, që njeriu bën hesap a del a s’del, behet hesap a fitohet a humbet — por jo në çështjen kombëtare.”

Në takimin e Prizrenit me kryeministrin turk, kryeministrat shqiptarë duhet të jenë të vetdijshëm dhe ndërgjegjës ndaj parimeve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që shqiptarët pas pesë shekuj robërie, më fund të vendosnin vet fatin e tyre, që të shpëtonin Shqipërinë dhe Shqiptarët.  Obligimet e tyre morale dhe politike ndaj këtyre parimeve si përfaqsues të kombit shqiptar sot, janë po aq të rëndësishme dhe historike sa ç’ishin edhe më 1878.
 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: e interesave, Frank shkreli, nenshtruse, Pilitika shqiptare, Prizren, te hauja

NEKI LULAJ-GJERMANI- MYSAFIR SPECIAL NE SOFREN POETIKE TE DIELLIT

October 22, 2013 by dgreca

Neki Lulaj/

 DRITË SHEKULLI/

 (Për  ditëlindje  Mark Krasniqit me rastin e 93 vetorit)/

 Fatos i lartë dritë shekulli që bën shtegëtim triumfal/

Me hekurat e rëndë rreth qafe të ushtarakëve sadistë/

Tringëllima të kaliti nëpër mote si gurë në lapidar/

Mes Cikloneve forcë fjala dhuratë hyjnore për ty o mik./

 Litar i lidhur nyje aq fort për tokën e shenjtë

Besë e shkulur  që zemrën e ka  zgafellë kudo në Dardani

Trungu i dijës  me 93 ashkla shkallë jete

93 vravashka drite qe i dha krah fjalës mendimit dijës

 Fjala magjike me peshë mali që të vjen pas lavdia

Enciklopedi e gjallë për sokolat dhe sokoleshat e shqiptareë

 Gurgullon kroi i kristaltë nga Jenipazari e Mitrovica

Etjen e bjeshkëve ta shuajnë në Tivarin e etur për shkronjën shqipe

 Të dehurit prej etjeve barbare të ushqyer nga paradigmat e vjetra

Vjen fjala e Titanit të mendimit si Drini Vardari e Buna

Me “Kujtime e përjetime”sjell  lajmin e fitoreve të reja

Për ditëlindje uroi Skënderbeu në Krujë,  Tereza Kalkut  mali e gurra

 Në krahët e zogut në Koshare Bogdani flen në Velani në tokëm amtare

Përuruan dëshmorët e herojt në permendore

Me butësinë e shpirtit tënd paç jetë të gjatë sa Alpet shqiptare

 

SHAJAK PLISI IM

 Nga ëmbëlsira e djersës shajak veshja ime e lashtë

Plisi rrugëton  në Hartën e Pellazgëve nëpër shtigjet e botës

Në mes të reve qiell i grisur   bricë e eshkë bashkë ….

 E unë bëhem flamurtar që nuk ndaloj asnjëherë udhëtimet

 Askush nuk e zuri hijen në labirintet e mendimeve

Ikën….e lanë nga pas pluhur dhe terr mbi sirtarë

Fjala shqip ndër shekuj ish dhuratë nga hyjnitë pellazgjike

Kur stërgjyshërit e mi   bëheshin për lirinë farkëtarë

 

Ata patën bekimin e Yjeve që ishin bërë si vello në qiej

Buzë shtratit të lumit në shtegtim vezullonte shenja e Zotit

Ylli tetë cepësh pranë Pllakës me Epikën e Gillgameshit në pritje

Kish ngritur lapidarinei mendjes së ndritur  që moti

 

 PËR FESTA

 Për festat tona mblidhnim lule pranverore

Bashkë vraponim ne livadhe mes bjeshke

Sajonim dhurata gazi që i shtrëngonim mes dore

Ne, të bekuarit e kësaj toke mes njerëzve

 

Dollitë i mbushnim me fat e shpirtërat me shpresë

Kur zogjtë zdrigjeshin në horizont tek sheshi

Në bëheshim lule me aromë e në Vjosë bëheshim vesë

Në lëndinat e Dardanisë bënim një fjongo mëngjesin

 TA KTHEJ MËRGIMIN

 Eci si në barkun e zogut dhe mbi re kam të magjishmin Ylber

 mbi shpatulla  kam mjegulla me këmbë sikur prek  retë

Ohhh,  paskam mall  e brinjët sot po me therin në çdo vend

Nuk të  ndal kufiri  nuk të ndalon as mallkimi i rëndë

 Jam dirigjent e një Simfonie mbi pentagramin e zemrës

Notat mbi tingujt e kitarës  rrahin si qerpikët që duan qetësi

Buzagaz malli vjen e vendlindja zgjohet nga gjumi i ëndrrës

Jeta ecën mbi jele kali në një revan të fortë që nuk ka mbarim

 Çerdhet e dallëndysheve varen  mbi trarët e fortë të pritjeve

Tjerrin vargje,   ani pse dhimbshëm kullon korniza e mallit

Ta kthej mërgimin në bashkim si të ishte një diel në rrëzëllitje

Për freskimin e shpirtit për të prekur  dhe majën më të lartë të malit

 

 VESË MBI GUR

 Një pikë vese mbi gurin e nuses kridhen legjendat e moçme

Nëpër  shekuj e dekada  nuk i pinë koha  s’thahet plaga 

Testamentin ne arkë të ma ruani,kështu pat thenë Sofë shkodranja

Nese fjala ime thrret  lindje dashurinë  ma ruani si sytë e një lehone

 Një pikë loti rrëshqiti lugut  ra mbi gur e guri  se piu

Ishte  ngopur nga lot shekulli gur i shenjët fortë qendron mbi mur

Nuk lotoi kurrë krenaria n’shpirt trazuar nga nga padretësia

Nepër breza rritëm shtatin duke ja pasë besën gjoksit e malit

 Gjatë ndriqoi hëna nëpër re duke e pritë agimin e bardhë

Që ta zhdukë errësirën e vjetër dielli i ngrohët te na puthë në ball

E puthi nana e bekoi kombi një Shall të Rugovës n’besë të Kastriotit

Sot lëshon rreze parajse ndertoi urë mbi Atlatik akitekti Dardanisë së lashtë

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: cikel poetik, ditelindja e Mark Krasniqit.., neki Lulaj

Fey ironizon shqiptaret

October 22, 2013 by dgreca

Nga Mimoza Dajçi/

Ne Foto: Aktorja amerikane Tina Fey (greke nga e ëma) tek rapsodia “Girls” përpiqet të ironizojë femrat shqiptare./

Me shami mbi flokë e shall mbi supe në rolin e Blertës, aktorja amerikane Tina Fey (greke nga e ëma) tek rapsodia “Girls” përpiqet të ironizojë femrat shqiptare. Në një nga këto episode, bazuar në versionin origjinal televiziv “Girls” ajo mundohet të vërë në lojë vajzat shqiptare. Me këtë interpretim ajo kërkon të ulë personalitetin, kulturën e traditat e çmuara të femrës shqiptare.

Por nuk ka si të ndodhë ndryshe, sepse znj. Fey me nënën greke do të shkojë pa tjetër në origjinën e saj duke sulmuar e ofenduar shqiptaret në të gjitha fushat e jetës. Konkretisht asaj i ka ardhur “zogu” në dorë e do të injorojë shqiptaret, duke vendosur shami mbi kokë e supe, e duke dialoguar ashtu siç i intereson asaj. Nuk fyhemi aspak për vendosjen e shamisë nga ana e saj, sepse nganjëhere edhe vajzat e gratë shqiptare i vendosin ato jo vetëm për traditë, por edhe për sharm, për tu dukur më bukur e me shije të hollë në kohë dimri apo edhe në vjeshtë.

          Mos të harrojmë se shamitë apo shallin krahëve e hidhnin dikur edhe zonjat e mëdha nga vende të ndryshme të botës. Besoj edhe ajo në jetën e përditshme duhet të jetë si çdo femër tjetër përdoruese e rregullt e shalleve me ngjyra mbi flokë e supe. Kam bindjen se edhe e ëma e saj greke e gjyshja hedhin krahëve një mbulesë të tillë krahëve.

Po çfarë ka këtu për tu çuditur znj. Fey, e për të venë në lojë, apo vetëm sepse jemi shqiptare, e ti pa tjetër duhet të shfrytëzosh emrin e karrierës tënde duke u tallur me një studente shqiptare nën emrin e Blertës? Megjithë respektin që kam për ju si aktore humori po ju them se, vajzat e gratë shqiptare janë femrat më famoze në botë e kanë lenë gjurmë të mira në historinë botërore.

Po e filloj me Nënë Terezën. Besoj se të kujton diçka ky emër, apo jo? Humaniste e bamirëse  shqiptare me shall të bardhë me viza blu mbi kokë e rreth qafës, fiituese e Çmimit Nobel për Paqen, me të cilën krenohen shqiptarët e që vendlindja e saj është Shqipëria.  Vazhdojmë me artiste e aktore të tjera që në dejet e tyre rrjedh gjak shqiptari. Këngëtarja e njohur italiane me origjinë shqiptare Ana Oxa. Aktorja amerikane Sandra Bullock, që kohëve të fundit aludohet se i ati i saj është me origjinë shqiptare. Sopranoja me famë botërore Inva Mula. Eliza Dushku, e cila ka luajtur përkrah Robert De Niros (edhe ky me origjinë shqiptare) dhe Leonardo Di Caprio-s në filmin “Historia e një djali”. Emina Cunmalaj supermodelja me origjinë shqiptare, e cila është shpallur ylli i ri i revistës së famshme të fotomodeleve “Elite & Vague” në SHBA.  

Regjisorja franko – shqiptare Liria Begeja,  Laura Mersini Houghton shkencëtare, është kozmologe dhe një nga femrat e pakta në botë që meren me shkencë. Zana Nehani Bezhani violiniste virtyoze e me shumë emër nëpër botë, ka një karrierë të shkëlqyer artistike si në Shqipëri ashtu edhe jashtë vendit, fituese e disa Çmimeve, aktualisht është pedagoge violine në një nga universitetet më prestigjoze të Turqisë. Laureta Meci, ka përfunduar shkollën e aktrimit “Stella Adler” në New York dhe po avancon në karrierën e saj.

Kristine Elezaj e njohur nga fansat e saj me emrin Kebe është një këngëtare shqiptare – amerikane, është bërë mjaft  e njohur në SHBA, para disa vitesh ka lançuar këngën e parë “Let You Know, ndjekur nga “Souvenirs”. Elizaj gjithashtu  ka dolë e 53 –ta në Çmimet “Grammy”. Eda Zari, lindur në Tiranë, jeton prej vitesh në Gjermani. Eshtë këngëtare, producente dhe kompozitore mjaft e famshme. Elsa Lila, këngëtare në Itali, fituese e disa çmimeve në Shqipëri, është bërë e njohur edhe në Itali veçanerisht pas pjesëmarjes së saj në festivalin e Sanremos.  

Personalitete dhe figura të shquara të femrës shqiptare kemi akoma e do të kemi përsëri, por për të mos u zgjatur më shumë do të ndalem vetëm tek fakti i fundit, ku dy bukuroshet shqiptare njëra nga Shqipëria Fjoralba Dizdari dhe tjetra nga Kosova Mirjeta Shala nuk do të marin pjesë në konkursin  Miss Universe 2013 që do të zhvillohet këtë vit në Moskë. Shkak për këtë është bërë një vendim i autoriteteve ruse për të mos lejuar përfaqësuesen e Kosovës të konkurojë në finalen e më të bukurave të universit, pasi Rusia akoma nuk e ka njohur Kosovën si shtet. Fotografi i njohur shqiptar Fadil Berisha që është edhe fotografi zyrtar i këtij evenimenti pas kësaj ka deklaruar tërheqjen e menjëhershme edhe   të Miss Universe Shqipëria Fjoralba Dizdari.

Pra siç e shikoni znj. Fey, Rusia e Greqia kanë frikë edhe nga bukuria dhe inteligjenca e femrës shqiptare. SHBA e kanë vlerësuar gjithmonë femrën shqiptare, duke i dhënë edhe shumë Çmime të larta, si Gruaja e Guximshme e të tjerë tituj, dhe emra për të përmendur kemi plot; Valdete Idrizi nga Kosova –  Drejtuese e Organizatës Community Building Mitrovica (CBM). Invalidja Bardhylka Kospiri nga Shqipëria – sot zv/ministre e arsimit, Humanistja Znj. Rita Saliu, nga Kosova me banim në Amerikë, të cilës i janë dhënë shumë Çmime si në SHBA, Shqipëri, Kosovë e nëpër botë, apo siç është edhe rasti i fundit ku Kongresi Amerikan i akordoi për herë të dytë Znj. Ermira Babamusta – Çmimin e Lartë me Titull; “ Gruaja Humanitare Ndërkombëtare 2013”  

New York, Tetor 2013

Filed Under: Kulture Tagged With: Fey, ironizon shqiptaret, Mimoza Dajci

Voskopoja, “Viena” Shqiptare, shtëpia e diturisë dhe “Shtëpia e Duarve të Arta”

October 22, 2013 by dgreca

Nga Korça Beqir Sina/

VOSKOPOJE : Gjatë këtyre ditëve të kësaj vjeshte “pranverore” në udhëtimin tim të gjatë nëpër trojet shqiptare – në Shqipëri, rasti e solli të viizitoj qytetin e “serenadave”  Korçën, e cila gjendet në skajin juglindor të mëmëdhehut të shqiptarëve – Shqipërisë. Një miku im më tha se  “nuk ke parë asgjeë në se shkon në Korçë dhe lë  pa vizituar Voskopojën – qoftë dhe disa orë”. Mbasi sipas tij ky është vendi që i ka dhënë kryeqendrës së juglindjes themeluesit e tij, ndërsa vetë jeton mes të shkuarës së bazilikave dhe kishave magjepëse, shtëpive karakteristike, rrugëve me kalldrëm por dhe një klime të rrallë, që do ta dëshironte çdokush. Sidomos ne që vijmë nga Amerika, dhe e kemi ëndërr një klimë të këtillë kaq të pastër….. 

“Voskopoja, sipas një djali të ri, banorë i këtij fshati, i cili mori rolin e ciceronit, dukë më shpjegur gjithëçka,  thotë se ka ndryshuar shumë, dhe sidomos kur flitet per dekadën e fundit, nga invistetimet që janë bërë nga ish- pushteti qëndror, fondet e ndryshme, të të huajve por edhe vendasit dhe kurbetçinjët të cilët fitimet e tyre i kanë “hedhur” në zhvillimin e këtij fshati alpin që ngjason shumë me bukuritë e rralla të Austrisë, Insburgut, Tirolit, Gracit dhe të tjera.”

 Vizitën në Voskopojë e filluam nga zyra e komunës, ku Kryetari i komunës, zoti Nexhip Bacelli, na priti me plotë respect. Ai tregon se Voskopoja popullohet me rreth 1 mijë banorë, ndërsa fundjava duket se është dhe më e begata pasi më shumë se 300 shtretër të hoteleve dhe turizmi familjar, ka bërë që të zihen nga vizitorët e shumtë që adhurojnë turizmin malor.”Këtë verë tha zoti Bacelli, Voskopojën e kanë vizituar deri tani afro 100 mijë turistë të huaj dhe vendas”

 Kryetari i komunës, zoti Nexhip Bacelli, foli edhe për investimet, të cilat gjatë këtij viti kanë qenë të shumta, ndërsa pas përfundimit të rrugës Korçë-Voskopojë, tha ai tani kemi filluar shtrimin me kalldrëm të rrugëve të qëndrës dhe instalimin e ndriçimit,

 “Ne po kujdesemi për ambientin dhe rregullin e një pastërtie të dëshirueshme nga të gjithë, duke u treguar tejet të kujdesshëm në ndërtimet, që janë të vrullshme, sidomos në këto vitet e fundit.” thotë zoti Bacelli.

 Ndërsa, kaloi kalldrëmeve të rrugëve të Voskopojës, të kënaq aroma e likove të reçelit të ftoit dhe kumbullave, që gratë e fshatit ziejnë së bashku shtëpi më shtëpi….

 Rrugë me emra te Kujteses se Voskopojes…

Voskopoja,  është e mahnitëshme çdo gjë është ndërtuar si në fshatrat alpine. Rrugët janë me sinjalistikë dhe me emra. Voskopja dikur ka qenë një qendër e rëndësishme e Shqipërisë, sot vjen ndryshe me rrugët e tij karakteristike të cilat mbajnë emërtimet e vendosura. Një nismë e veçantë kjo nga komuna, për të mos lënë pas edhe 8 nga 26 kishat e dikurshme.

Të habit fakti se janë më shumë se 14 rrugë që kanë emërtime të figurave të njohura të kujtesës voskopojare. Rruga e vëllezërve Zografi, rruga e David Selenicës, Teodor Kavaljoti etj. Janë shumë por të shoqëruara me sinjalistikën bashkëkohore bëhen edhe më intriguese.

Në këtë vend mes sfidës së historisë dhe rikthimit të një qendre të rëndësishme si shekuj më pare, nuk mund të humbasësh. Rrugët janë ato që të çojnë padyshim në zemër të tij. Por nëse ato shoqërohen me emërtesa që vijnë nga e shkuara e ndritur, çdo ecje në këto kalldrëme të hijshme bëhet gati gati e paharrueshme.

 Historia trashëgimnia natyrore dhe kulturore

 Voskopoja ndodhet rreth 21 kilometra larg Korçës ka pasur lulëzimin e saj në fillimim të shekullit të 18-të kohë në të cilën u ndërtua Akademia e re, biblioteka, shtypshkronja, një spital, një azil për të varfrit etj.Voskopoja ka qenë një vatër e rëndësishme kulturore jo vetëm për Ballkanin, por dhe me gjërë. Shkollate këtij qyteti, biblotekat dhe shtypshkronja ishin institucione të rëndësishme dhe me njohje të gjerë në atë kohë.

Sipas studiesve “Akademia e re” e Voskopojës zinte në atë kohë vendin e dytë në perenadorinë osmane. Ajo I takon viti 1760 dhe në të mësoheshin të gjitha shkencat , ndërkohë që një ndihmë të madhe për themelimin e saj dhe edhe gjuhëtari Kavalioti.

Fshati është bërë I njohur për qytetërimin e tij shumëshekullor, pesiazhin mahnitës, kishat dhe afresket e shumta të cilat bartin në vetvete një trashgimni të çmuar kulturore si dhe dallohet për p[nimet e dorës nga gratë , qendisjet dhe trikotet e leshit me shtiza, ushqimet e gatimet tradicionale të Voskopojës.

Punishtia e “Dorë artave” grave të fshatit, është një vend ku gratë artizane mund të shpalosin talentin e tyre në drejtim të prodhimeve të punëve me dorë dhe gjallërojnë aspekte të traditës dhe kulturës.

Me të cilat Voskopoja tashmë ka bërë një indentitet të plotë të njohur edhe në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.Voskopoja, kështu është një nga pikat e rëndësishme turistike dhe kulturoretë Korçës. Pozicioni i favorshëm gjeografik, peizazhi përherë mbresëlënës në të gjitha stinët nuk mund të marrin kuptim pa historinë gati legjendare të këtij qyteti të dikurshëm. Voskopoja mendohet të jetë themeluar rreth shekullit të XIV.

Kulmin e lulëzimit të saj e arriti në shekullin XVIII periudhë që pati dhe zhvillimin më të madh tregtar dhe kulturor. Gjatë kësaj kohe ajo renditet si qyteti i dytë më i madh i Perandorisë Otomane pas Stambollit, tregojnë dokumentet e kohës.

Pikërisht në këtë periudhë në të numëroheshin rreth 50 mijë banorë, ndërsa numëroheshin 26 kisha nga të cilat sot kanë mbetur vetëm 8. Qyteti ishte formatuar me rrugë me kalldrëme, trotuare dhe kanalizime. Tregtarët voskopolitë, siç thirreshin asokohe, frekuentonin tregjet e qendrave kryesore të Ballkanit dhe Evropës.

Teodor Kavaljoti, Sevasti Leontiadhi, Mihal Gora, Grigor Moskopoliti janë disa nga personalitetet e shquara të Voskopojës të shekullit XVIII. Fundi i shkëlqimit të saj erdhi së bashku me shkatërrimin total të qytetit gjatë viteve 1769, 1772 e 1789. Por goditjen përfundimtare Voskopoja e mori në vitin 1916 gjatë Luftës së Parë Botërore. Që atëherë ajo pësoi një transformin të dhimbshëm duke u kthyer në një fshat me pak rëndësi nga ana ekonomike.

 Voskopoja, një qytet me shumë famë në mesjete sot është një fshat me 24 kisha. Shumë pasuri ndodhen në këto kisha të dëmtuara rëndë gjatë kohërave, por dëmtimin më të madh e përjetuan gjatë periudhes komuniste, ku Enver Hoxha, i kthue për 45 vjet në depo patatesh dhe prodhimesh të tjera.
Voskopoja është vendbanim shqiptar që ndodhet rreth 21 km larg nga qyteti i Korçës mbi një pllajë 1160 metra mbi nivelin e detit. Voskopoja është një vendbanimmesjetar i hershëm që daton prej vitit 1330. Nga Shën Prodhomi hapet para vizitorit një pamje e mahnitshme nga duken majat e Lënies dhe Ostrovica, me një lartësi prej 2246 metra. Lulëzimin më të madh Voskopoja e ka pasur në vitin 1764, atëherë kur popullsia e saj arriti në rreth 30 mijë banorë. 
Në atë periudhë kishte 25 kisha me afreske nga më të lakmuarat, ndërsa tani nuk kanë mbetur më shumë se 8 kisha. Në të njëjtën periudhë në këtë qytetërim ka pasur Akademi, Bibliotekë, Shtypshkronjë, 1720, artizanat të zhvilluar e tekstile dhe shërbeu si urë lidhëse jo vetëm brenda vendit, por edhe midis vendeve fqinje Greqi e Turqi. 
Shkatërrimin e parë e ka pasur në vitin 1769, të dytin më 1789 dhe të tretin në 1916. Voskopoja ruan vlera të mëdha të artit mesjetar. Zhvillimi në Voskopojë i profesioneve të zejeve të kohës së vet u bë një nxitës real konkurencë në të gjithë Ballkanin duke dhënë shenjat e para të një kulturë paraindustriale që do të sillte padyshim një zhvillim parakapitalist të domosdoshëm për zhvillimin e rajonit. 
Mallrat që prodhoheshin në Voskopojë kanë qenë të famshme dhe ndonjëherë për t’u dalluar mbanin të gdhendur shqiponjën siç ndodhte me sënduqet Sipas Aurel Plasarit, “Në qytet kishte 14 korporata. “Mund të themi pa e zmadhuar, se historia e qytetit është historia e korporatave të saj”. Në një studim gjeografik të botuar në Vjenë nën kujdesin e Daniel Jeronomakut dhe Gregor Jerodjakut pohoet se voskopojarët qenë grupuar në 14 korporata, që përfaqësonin kategoritë e mëdha industriale dhe tregtare; interesante është vërejtja e tyre: “me një fjalë ekziston në Turqi një qytet i pajisur me gjithë sa është pajisur një qytet europian” Por duke pasur parasysh se në Perandorinë otomane, profesioni i tregtarit ishte një profesion të krishterësh dhe ebrenjsh është e kuptueshme që paria e qytetit ishte një pari e krishterë. Elementi më i çuditshëm i Voskopojës ishte standarti demokratik i administrimit. Ajo drejtohej nga borgjezia tregtare dhe zejtare në mënyrë të pavarur nga Porta e Lartë nëpërmjet parimit të votimit. Këtë e konstatojnë shumë studiues të huaj (të cilat citohen edhe në librin “Historia e Perandorisë Osmane” nën drejtimin e Robert Mantranit, f. 314) Voskopoja ishte një qytet autonom brenda Perandorisë Otomane i përbërë nga shqiptarët, grekët dhe vllehët. Po ti referohemi referimeve të studiuesit Aurel Plasari, “Voskopoja nuk ekzistonte as në Suret Defter-in e Sanxhakut Arvanid”,. Nuk përjashtohet mundësia që Voskopoja të jetë trajtuar prej autoriteteve osmane “jashtë Shqipërisë”; rast i ngjashëm do të ishte ai i vilajetit të Përmetit, i vënë në dukje nga vetë Inalciku: ky vilajet “iu dha si shtojcë Jakub Beut, të birit të Teodor Muzakës” dhe si i tillë, “kjo krahinë konsiderohej jashtë Shqipërisë”. i cili i përckton Voskopojën si një qytet “jashtë pushtetit të Portës” i cili në fakt ishte një “qytet tentakular në kuptimin e plotë të fjalës” i cili tërhiqte rreth vetes gjithë sa i vlente: tregtarë, afaristë, intelektualë të kohës, rini të fshatrave”. 
Ky është fakti më kuptimplotë që Voskopoja ishte shqiptare sepse duke qenë një qytet tentakular që thithte mes trojeve shqiptare një popullsi prej dhjetra mijë banorësh, kuptohet që elementi joshqiptar nuk mund të ishte kurrë minorancë. Po ti referohemi dy kronikanëve të besueshëm të kohës, historianit Peyfuss dhe konsullit francez në Perandorinë Otomane, Pouqueville, përcaktimi i popullsisë shkon nga 20.000 në 40,000 banorë madje deri në 60,000 banorë. Po t’i referohemi përsëri Plasarit, mbi hiearkinë urbane të popullsisë, dhe rregullave themeluese të qytetit, sipas studiuesit K.H. Skënderes rritja e popullisë solli krijimin e lagjeve të reja e që përbëheshin nga banorë themelues e të ardhur. 
Patriarkati i vendasve, koxhobashët (paria korporative e banorëve të vjetër) kishin përcaktuar disa rregulla të vështira integrimi për të ardhurit e rinj por duke pasur parasysh numrin e popullsisë dhe rolin tentakular të qytetit është e kuptueshme që kemi të bëjmë me një qytet me mazhorancë shqiptare, fakt i mohuar nga shumë studiues grekë dhe rumunë por jo europianë perëndimorë të kohës. Prof. Aleks Buda shprehet “unë nuk ngurroj ta quaj këtë epokë dhe këtë lëvizje që na jep Voskopoja në fund të shek. XVIII Iluminizëm i hershëm dhe një stad që nuk do të thotë ende rilindje kombëtare, qoftë edhe vetëm në fillimet e saj, por që e përgatit atë me siguri”. 
Sipas Robert Elsie “Akademia e Re ose Hellênikon Frontistêrion ishte një qendër e dijes e themeluar më 1744, e ngjashme me akademitë që dihet se kanë qenë në Bukuresht, Jash, Konstantinopojë, Mecovë, Janinë, në Malin Atos dhe Patmos”. Akademia e Re, Biblioteka dhe e vetmja Shtypshkronjë e Perandorisë së asaj kohe, ka qenë një trekëndësh kulturor unikal në Ballkanin e mesit të shekullit XVIII. Për aq kohë sa Voskopoja lulëzoi, një numër shumë i madh të rinjsh shqiptar, grekë dhe vlleh u shkolluan dhe formuan një identitet europian të mbrujtur me idetë iluministe të dijeve pozitiviste. 
“Diplomantët e atyshëm e siguronin me lehtësi hyrjen në universitetet e kryeqyteteve europiane, kryesisht studimet si mësues, doktorë, ekonomistë, filozofë dhe juristë.” Arti dhe kultura patën një zhvillim të paparashikuar duke e kthyer Shqipërinë në një far që ndriçonte të gjithë Ballkanin otoman. David Selenica, ka qenë artisti më influent i Rilindjes së të gjithë artit ballkanik dhe ndikimi i tij u ndje në të gjithë artin ortodoks të Ballkanit sepse ai dha shenjat e para të kapërcimit të klisheve të pikturës zyrtare të Malit Athos (qëndra e ortodoksisë kishtare të kohës). Në fakt shqiptarët e njohin David Selenicën si piktorin e filmit “Kohë e largët” që e helmoi Mirush Kabashi eremit. 
Por pika më e fortë dhe njëkohësisht më e dobët e Voskopojës ka qenë pa dyshim shtypshkronja e saj. Po ti referohemi studiuesit të mirënjohur Bernard Lewis (“Islami dhe Perëndimi”, f.49), shtypshkronja e Voskopjës ishte e vetmja në të gjithë Perandorinë Otomane sepse shtypshkronja tjetër e Stambollit që u hap nga Said Mehmet Efendiu në 1727, 7 vjet pas Voskopojës, u mbyll që në 1740. Nga të dhënat e copëtuara dhe të keqpërdorura që vijnë sot, rezulton se Voskopoja po projektonte për të parën herë krijimin e një gjuhe të shkruar shqipe. Teodor Kavaljoti (1710 – 11 gusht 1789) ishte shqiptar me origjinë nga Kavaja (siç i referohet prof. Dhimitër Shuteriqi dëshmisë që vjen nga i biri i tij, Anastas Kavaljoti, të cilit i referohet studjuesi i shek. XIX Gjergji Roza), përgatiti të parin alfabet shqip dhe shkroi traktate si “Logjika” (1749), “Frika” (1752) dhe “Metafizika” që janë zhdukur përgjithmonë. “Po t’i referohemi filologu gjerman Von Hahn (Lexicon Tetraglossan), Kavaljoti kishte shpikur një alphabet gërmat e të cilit i cili mund të identifikoheshin si si “analoge me ato të glagolitishtes ilire” (Shqiptarët – Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme, Edwin Jacques, f. 315). Ky alfabet që është zhdukur në rrënojat e Voskopojës (apo mbahet i fshehur në ndonjë arkiv grek apo rumun), u kurorëzua me aktin më të rëndësishëm të kohës së vet: përkthimin e të parës Dhjatë të Re nga gjuha greke në gjuhën shqipe (G. Von Hanh v.II, f.320). 
Sipas Prof. Dhimitër Shuteriqi, “Kavaljoti u shqua si perkrahes i ideve iluministe dhe shkroi nje sere veprash, qe per fat te keq jane zhdukur, ku shpreh pikpamjet e veta filozofike. i paisur me kulture te gjere ai u be udheheqesi i levizjes kulturore jo vetem ne Voskopoje por edhe ne krahinat e tjera te Shqiperise se Mesme e te Jugut. Ai eshte nje nga dijetaret shqiptare te kohes qe beri perpjekje per t’i dhene kishes ortodokse te Shqiperise nje karakter shqiptar. Vete Kavaljoti per kete qellim, sikurse thuhet, ndermori perkthimin e ““Dhjates se re” ne shqip”. Gjithashtu edhe Zëvendësrekori i Akademisë së Re, në vitin 1762, Grigor Voskopojari (nga Berati që ka vdekur në 1772), kishte përfunduar shqipërimin e të dyja Dhiatave (të së Vjetrës e të së Resë). “Ishte ky një aksion shumë i madh, që kishte të bënte me përkthimin në gjuhën e vendit të librave bazë të kishës. Liturgjia në kisha pjesërisht thuhej me kohë edhe në shqip. Kjo vazhdoi edhe në shek. XVIII, edhe më pas. Në procesin mësimor të shkollës së drejtuar nga kleri hynte dhe shqipja, së pari përmes teksteve fetare, që zinin vendin më të madh në programet, por edhe përmes lëndëve të tjera. Në tekstin e Theodhor Bogomilit (njohur më shumë si Anonimi i Elbasanit), i shek. XVII, përfshihet edhe një predikim i lirë fetar. Dhaskal Tod’hri na ka lënë edhe një fabul të shqipëruar të Ezopit. Edhe Kostë Ikonomi hartoi tekste tri gjuhësh (në greqishte të vjetër, në atë të re dhe në shqip). Këto tekste i ka përdorur edhe mësuesi vithkuqar Kostë Cepi (shek. XVIII-XIX), prej të cilit i njohim të kopjuara. Ai ka dhënë mësim jo vetëm në vendlindje, por edhe në Elbasan e gjetiu.” Grigor Voskopojari shkruante me një alfabet origjinal, si edhe Bogomili, që e kishte shpikur vetë për shqipen që shkroi. Të njëjtën gjë bëri edhe Dhaskal Todri, ndofta nën ndikimin e Bogomilit, por edhe të Grigorit, të cilin e pati mësues në Voskopojë. Edhe ky përdori një alfabet origjinal, që e shpiku vetë e që u përhap edhe në njerëz të tjerë në Elbasan.”
Kështu, Voskopoja ishte edhe qendër e lëvrimit të shqipes. Këtë gjuhë nuk e shkruanin vetëm Kavaljoti, Adam Haxhiu dhe Grigori, por edhe të tjerë, duke arritur të shqipëroheshin Dhiatat në atë qytet, të përdorej jo vetëm alfabeti grek, por edhe një alfabet i krijuar posaçërisht për shqipen. Kjo do të shërbente pikërisht si bazë për krijimin e identitetit shqiptar dhe bazën për kalimin nga një identitet protonacional drejt një identiteti nacional dhe që do të ndikonte në krijimin e nacionalizmit shqiptar para grekëve, serbëvve dhe bullgarëve. Voskopoja po kthehej kështu pak nga pak në një fanar ndriçues dhe orientues drejt nacionalizmit dhe pavarësisë shqiptare jo vetëm nga Perandoria por edhe nga Patriarkana Helene e Stambollit. Kjo ishte edhe pika e dobët e Voskopojës. Sepse Gjuha shqipe ishte kulmi por edhe vdekja e Voskopojës. Sepse gjuha shqipe e folur në atë kohë deri në rrethinat e Athinës plot xhami (që sot janë zhdukur), po të shkruhej, do të shkruante ndryshe historinë e territoreve të Shqipërisë dhe të Greqisë.

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Beqir Sina, nga Voskopoja, reportazh

SOFRA POETIKE E DIELLIT-JET’ NJERËZORE

October 22, 2013 by dgreca

Cikel Poetik nga Lumturi Ymeri Bersava/

 E artë ndriti/
në ninëzat e syve/
të mi, të tutë/
të gjithkujt/
buzëqeshja, sovrane ndaj botës./

      ***
Stinët u përkundën/
Vitet u lëkundën/
Farëzat u shkundën/
humbën në krisjet e çarjet e kohës./

  ***
Monotoni e grijtë. . .
Zemra kërkon jetë
Sytë duan dritë
Limfa do rrëmujë
shpirti, aventurë në skajet e tokës.

*
Përtej supit tim
qesh një dekolte
(çel një orkide)
Josh një kops-zbërthyer
(tulipan-shpërthyer)
Flirt, që nuk njeh cak
Trendy…s’ësht’ mëkat.

Dhe unë, prapa teje
tjerr (ç’)mendimin tim
dehur tek një shtrat
përpëlit…rënkim.

*
Ndezur bota zjarresh
digjet prapa krahësh
në flakë mëkatesh…

*
Ja! Nga lot fëmijësh
rrebeshe qiellore
rrëgjojnë, pastrojnë
ndotjet njerëzore.

Pendimi ngjyros ditët
me qiej të blujtë
për sytë e mi
të tutë
të gjithkujt. . .

AJO…

S’di pse dita
vuri nën hapat e mia
atë rruginë
ku bari s’kish mundur te mbijë…

Përpara meje ajo…
një shapkë mbante mbi kokë
Me dorën tjetër gërricte kofshën
tërhiqte bizhamen
zvarritur përtokë…

Mes nesh 
ajri ngriu
Ngjethmishjet në lëkurë 
më mpinë
Ankthe të akullta
më goditën në kocka…

Ndërsa ajo
asnjë cudi  vari në qerpikë
Ngecur në ta
dy rezervuarë të mjegullt
humbëtira të hirta
të ujta, të qelqta
të paqta…
S’ja gjej vështrimin kërkund
vetëdijen, askund…

Nën placentën e tejdukëshme
kërcëlliten ganxha të egërta
përtej bote
atje
tek një qoshe muri
mbetur ca flokë stërpikur me gjak…

Ajo 
mbulonte
kokën me shapkë…

Më njohu…ndopak?!

PULSI IM…

Është pulsi im ai
anë ‘arrzës’ tënde që lëviz
sa herë kapërdin
një lot, shkaktuar meje
një fjalë, përtypur teje…

Është pulsi im aty
në atë butësi
qeton faqja ime
gërricmat e mjekrës rritur
ditëve ikur
mërzitur
duke pritur…

Ai është pulsi im
që ndjej në përqafim
tek mat me gjak
hovet e frymëjetës
vibrimet e ndjenjës…

Aty, tek pulsi im
yti është, e di!
Puliten qerpikët e mi
ngatërrohen lotët
me erëmim
mungese e ndjese…

Dy buzë që dehin
ndizen a ndezin
me afsh, një dëshirë
lëkurë e mish
një trup i shkrirë…

Është pulsi im ai
dhe ti, e di!

I kam vënë…vulë
në…vjolë…

 

Jam…! Ç’jam…?

Një gjethe?
Qe bleroj faqesh-pranvere,
akorduar telash-flladi-ere?
Që mbarsem 
me të gjitha të verdhat e Van Gogh,
deri tek ajo
e verdha e pisët…
…e vdes,
e shkelur dhunshëm,
murosur
ngricës e baltës,
me të vetmin vegim lumturie
te fluturimit
të… rënies!

Jam..!
Një degë?
Që mbetem lakuriq 
prej sqepash e kthetrash
sorrash dimri!
E ndjej një “krra”,
jo prej grabitqari,
por, prej shpirti e trupi
që thyhet,
cahet…!

… Në fund të fundit,
jam…
një fluturim!
C’jam?!
…një rënie!

* * *

FUSTANI PREJ AJRI

Ajo
veshi fustanin prej ajri
mesnatës së vonë.
Derdhej në shtrat, purpurimë
me butësine e një mjellme

Dy buzë 
vizatonin dekoltenë
dhe gishtat që zgjidhnin
fjongo prej hëne.

Valëzonte fustani prej ajri
nën tingujt magjikë të frymës
U drodhën yjet tek shuheshin
 në castin e natës së fundit…

***

 

ND’AR’JE

Ja!
Ia ngritëm murin ndjenjës
Mëkatin lamë jashtë
dhe veten…
Duro tani!
Ti,
që ajri i tejngopur
t’a thërmon mushkërinë
Unë,
që boshin e krijuar
nga lotët e zbrazur
m’a mbush plaga e djega e mallit

Ja!
Jemi në majë.
Atje
ku na mori ëndrra
dhe era
që më sjell
më ndjell
për qiell…

Në t’u prefshin krahët që t’i dhashë
me pikën e lotit të mbështjell
rrokullisu në ortek trishtimi
në prehrin e Hënës
do të bjerë…

Unë
po pres dhe pak
sa, rëra në klepsidër
jetën të mat
dhe perëndimin
të më shpuzë kujtimin…

Ç’lëmshe bëka loti?!
Të tutë
i fshehe pas shpine
i ndjej!
Të mitë
ujitin buzën e tharë
s’të gënjej!

Prit!
Po një fjalë?!
Më uro,
të fundmin zë
në shpirt t’a lë!

– Të dashtë tjetërkush,
si unë!
– Dhe ty,
sa unë…!

Rëra në klepsidër mbaroi
ramë në hone
tutje
për në skaje shekujsh
që dashuria e fshehtë
s’njeh!

PULSI IM…

Është pulsi im ai
anë ‘arrzës’ tënde që lëviz
sa herë kapërdin
një lot, shkaktuar meje
një fjalë, përtypur teje…

Është pulsi im aty
në atë butësi
qeton faqja ime
gërricmat e mjekrës rritur
ditëve ikur
mërzitur
duke pritur…

Ai është pulsi im
që ndjej në përqafim
tek mat me gjak
hovet e frymëjetës
vibrimet e ndjenjës…

Aty, tek pulsi im
yti është, e di!
Puliten qerpikët e mi
ngatërrohen lotët
me erëmim
mungese e ndjese…

Dy buzë që dehin
ndizen a ndezin
me afsh, një dëshirë
lëkurë e mish
një trup i shkrirë…

Është pulsi im ai
dhe ti, e di!

I kam vënë…vulë
në…vjolë…!

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Bersava, Lumturi Ymeri, sofra poetike e Diellit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5123
  • 5124
  • 5125
  • 5126
  • 5127
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT