• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rubrika e Diellit- KU ISHTE OMBALI I LASHTË

October 20, 2013 by dgreca

Nga Nelson ÇABEJ/

Një nga qytetet e lashta të Epirit që përmënd Ptolemeu është Ompali që Ptolemeu e shkruan Όμφάλιον (Omphalion) 1 dhe e lokalizon në koordinatat me gjatësi 450 40’ dhe gjerësi 380 40’. Ky qytet duket se ka qënë qendra kryesore e fisit të ompalëve, të cilët Stefan Bizantini i përmënd krahas fisit të parauejve, që gjithashtu jetonin në luginën e rrjedhjes së sipërme të Vjosës (“te parauejtë dhe ompalejtë fisnikë… që banojnë pranë lumit Vjosa”)2 .

Në vitin 1835 studiuesi britanik W.M. Leake shprehu hamëndjen se Ompalioni i lashtë duhet të gjëndet në themelet e Përmetit. Ai mendonte se kështjella e ndërtuar sipër qytetit të Përmetit nga Ali Pasha Tepelena, ishte ngritur mbi akropolin e qytetit të lashtë, ndonëse ndërtuesi italian i kështjellës i kishte thënë se gjatë ndërtimit të kështjellës nuk kishte parë gjurmë të ndonjë vëndbanimi të lashtë3. N. Hammond e ka lokalizuar Ompalionin në Labovën e Kriqit pranë Gjirokastrës.

Kërkimet arkeologjike ende nuk e kanë gjetur fillin e Ariadnës që shpie te Ompalioni i lashtë, që, pas gjithë gjasash, ndodhet diku në luginën e Vjosës, në afërsi të Përmetit. Një mundësi e pashfrytëzuar për këtë qëllim do të ishte  kerkimi i provave gjuhësore që mund të ndihmojnë për vërtetimin e hipotezës së studiuesit  britanik, d.m.th. kërkimi i gjurmëve të vëndemrit Ompalion në rajonin rreth Përmetit.

Ptolemeu dhe Stefan Bizantini na kanë dhënë përkatësisht emrin e qytetit  Omphalion dhe emrin e fisit omphaleis.

Këtu eshtë e nevojshme të bëjmë një parantezë. Kombinimi ph (φ) i greqishtes së lashtë ka dalë nga indoevropianishtja -bh-. Ndryshe nga greqishtja e lashtë, në ilirisht dhe shqip -bh indoeuropiane ka dhënë -b. Kështu, mund të merret me mënd se rrënja indoeuropiane *nobh- nga e cila ka dalë greqishtja omphalos (ὀμφαλός) ‘kërthizë’, në ilirisht do të ketë dhënë emrin *ombalos ‘kërthizë’ dhe emrin e qytetit *Ombalion. Ka arsye të besohet se forma Omphalion (Όμφάλιον), që del në burimet e lashta greke përfaqëson një helenizim/letrarizim të emrit origjinal të qytetit, që mund të jetë stimuluar edhe nga miti rreth fushës Omphalion (kërthiza e botës) në Kretë, ku Rhea lindi Zeusin. Përsa i takon mbaresës -ion duhet thënë se ajo është karakteristike për ilirishten, siç mund të provohet nga emrat e shumë qyteteve ilire dhe epirote si Damastion, Pelion, Kodrion dhe Krisondiona në Ilirinë e jugut, Dalmion, Oiminikaion dhe Epetion në Dalmaci, Merion në Dardani, Parsion, Rittion, Serbition dhe Potobion në Panoni, Thronion, Passaron dhe Kodrion në Epir, etj. Studiuesi  britanik Arthur B. Cook mendon se rrënja e vëndemrit mund të jetë *ompha, që, sipas tij, do të thotë  “zë orakullar”4 nga e cila, nëpërmjet etimologjizimit popullor, ka dalë Omphalion.

A ruhet ndonjë gjurmë e emrit të qytetit Ombalion në afërsi të Përmetit? Përgjithësisht, emrat e qyteteve, maleve dhe lumenjve, ndryshe nga emrat e fshatrave dhe mikrotoponimeve të tjera, janë të qëndrueshëm dhe i rezistojne kohës, duke evoluar, por edhe kur jeta në qytet për arsye të ndryshme shuhet dhe qyteti braktiset duhet pritur që emri i qytetit të lashtë të mos humbasë por mbartet në ndonjë vëndbanimi, mal, a vënd tjetër në afërsi.

Nga kjo pikëpamje, në  këtë zonë mund të shqyrtohen dy vëndemra, të cilët mund të kenë dalë nga emri i qytetit të zhdukur *Ombalion. Së pari, emri i fshatit Bual, që gjëndet në afërsi të drejtpërdrejtë të Përmetit. Nga ana gjuhësore kjo mundësi është e përligjur fare mirë (humbja zanores ballore o- të patheksuar dhe e mbaresës –ion dhe diftongizimi a-së në -ua-, përmes ndryshimit në -o-). Një mundësi e dytë është që vëndemri *Ombalion të ketë evoluar për të dhënë emrin e malit të Dhëmbelit, në rëzën e të cilit shtrihet Përmeti. Kjo do të mund të ndodhte në qoftë se theksi në vëndemrin Ombal do të binte në zanoren ballore o-. Në një rast të tillë evolucioni i vëndemrit mund të përfytyrohet si vijon: Ombalion > Ambal > Ëmbel > Dhëmbel, ku forma e fundit, Dhëmbel mund të jetë rezultat i një etimologjizimi popullor (Volksetymologie), që synon t’i japë një kuptim vëndemrit – një dukuri jo e rrallë në  evolucionin e vëndemrave në Shqipëri dhe në Europë.

Referimet

1. Claudii Ptolemaei, Geographia, Leipzig, 1843, Libri III, 14, 7.

2. Stephani Byzantii Ethnicorvm quae svpersvnt. Red A. Meineke, Berlin, G. Reimer, 1849. f. 503: “σὺν δὲ Παραυαίους καὶ ἀμύμονας Όμφαλιῆας… δὲ ἀπὸ τοῦ παρὰ τὸν Αὺον ποταμὸν οἰκεῖσϑαι”.

3. Leake, W.M. (1835). Travels in Northern Greece. I, London, J. Rodëell, Neë Bond Street, f. 392.

4. Cook, A.B. (1904). The European sky-God. Folk-Lore XV, 369-426.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: i lashte, Ku ishte omballi, Nelson Cabej, rubrika e Diellit

97 vjet më parë, kur Vatra stërviste vullnetarët shqiptarë

October 20, 2013 by dgreca

INTERVISTË ME FAN NOLIN DHE KRISTO DAKON/

Shkruan: ILIR IKONOMI/Studiues*

Në vitin 1916, në paradat me rastin e 4 Korrikut, në qytetet e verilindjes amerikane u panë të parakalonin dhjetra njerëz me uniformë ushtarake nën emblemën Shoqëritë Shqiptare të Stërvitjes. Këta ishin kryesisht të rinj të fuqishëm, të pamartuar, të cilët stërviteshin ushtarakisht për një qëllim që shumë amerikanë vështirë se e përfytyronin: Të ishin gati për të ndihmuar vendin e tyre pasi të kishte marrë fund lufta botërore.

Gjatë kësaj lufte, që kishte filluar më 1914, Shqipëria ishte pllakosur nga fatkeqësi të panumërta. E shkelur nga ushtritë e disa shteteve, ajo ishte bërë shesh betejash. Sipas shqiptarëve të Bostonit, vështirë të gjeje ndonjë fshat në Shqipëri që të mos ishte prekur nga lufta. Njerëzit kudo vuanin nga uria. Në vitin 1915, me kërkesë të shqiptarëve të Amerikës, autoritetet federale amerikane lejuan që shqiptarët të cilët vinin në Amerikë të klasifikoheshin si refugjatë e jo si emigrantë, siç ishin trajtuar deri atëherë në Ishullin Ellis të Nju Jorkut, pranë Statujës së Lirisë.

Sipas gazetës The Boston Globe Sunday të datës 9 korrik 1916, pas Luftës Ballkanike, në Shtetet e Bashkuara kishin ardhur jo më pak se 60 mijë shqiptarë dhe rreth 15 mijë prej tyre ishin vendosur në shtetet e Anglisë së Re (siç quhet verilindja amerikane), ku punonin kryesisht në fabrikat e tekstilit dhe në ferma.

*(Te plote do ta lexoni ne numrin special shumfaqesh te Diellit te printuar)

Filed Under: Histori Tagged With: 97 vjet me pare, Ilir Ikonomi, kur Vatra sterviste, vullnetaret shqiptare

Histori: Çfarë ka ndodhur më 20 tetor?

October 20, 2013 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/

1781 – Monarkia austriake e Habsburgëve miraton të ashtuquajturën “Patenta e Tolerancës” e cila zgjeroi, por jo shumë, liritë fetare të të krishterëve jo-katolikë që jetonin në territorin e perandorisë, duke përfshirë luteranët, kalvinistët, dhe ortodoksët grekë. Sipas “Patentës së Tolerancës”, besimtarët tani lejoheshin ligjërisht për të ushtruar privatisht fenë e tyre, por në kisha klandestine.

1803 – Senati i Shteteve të Bashkuara ratifikon Blerjen e Luizianës, duke i paguar Francës rreth 234 milionë dollarë (me vlerën sotme të dollarit). Franca e kishte kontrolluar këtë zonë të gjërë nga viti 1699 deri më 1762, kur ia dha Spanjës, aleate e saj. Më 1800, nën Napoleon Bonapartin, Franca e mori përsëri territorin me shpresë për të krijuar një perandori në Amerikën e Veriut. Por revoltat në Haiti dhe një luftë e pashmangshme me Britaninë e detyruan Francën t’i braktisë këto plane dhe t’ia shesë të gjithë territorin Shteteve të Bashkuara, edhe pse qeveria amerikane kishte menduar fillimisht vetëm për të kërkuar blerjen e Nju Orleansin dhe tokave rreth tij.

1818 – Britania dhe Shtetet e Bashkuara nënshkruajnë konventën që përcaktoi vijën kufitare midis Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara. Dy vendet ranë gjithashtu dakord për zotërim të përbashkët të territorit të Oregonit për 10 vjet; dhe pastaj e vazhduan këtë zotërim edhe 10 vjet të tjera deri më 1838. Pas kësaj, çështja se kush e zotëronte Oregonin u bë gjithnjë e më e diskutueshme, sidomos kur filloi migrimi masiv amerikan në vitet 1840. Disa politikanë amerikanë filluan të kërkonin konfiskimin e Oregonit, dhe në vitin 1844, demokrati James K. Polk kandidoi me sukses për president me platformën “Oregonin ose luftë”. Por as presidenti Polk dhe as qeveria britanike nuk donin një luftë të tretë anglo-amerikane, dhe më 15 qershor 1846 i dhanë fund këtij problemi me kompromisin, që njihet në histori si Traktati i Oregonit.

1900 –

“Vdiq Naimi, po ç’të gjeti,

O moj Shqipëri e mjerë!

Vdiq Naimi, po kush mbeti?

Si Naimi s’ka të tjerë.”

Me këto vargje, Çajupi qau kur mësoi se vdiq Naim Frashëri; gjithkush sikur humbi një pjesë nga vetja; dhe Poeti qante për gjithë. Pa Naimin si poet pak mund të thuhet se ndjenja e zgjimit kombëtar do të kishte arritur deri tek shqiptari më i thjeshtë – nga fshatari i robtuar deri tek “nizami” që luftonte pa ditur pse në dhera të huaj ndërsa vend për vete s’kishte. Por nuk ishte vetëm Naimi; ai ishte 1/3, sepse Vëllezërit Frashëri i ngjajnë trinisë, pa njërën prej të cilave njeriu a kombi nuk mund të qëndrojë në këmbë e as të jetojë – Abdyli luftëtar (Trupi); Samiu dijetar (Mendja); Naimi poet (Shpirti); së bashku ndihmuan a sollën rilindjen; u dhanë shqiptarëve kyçin për të rigjetur veten duke përdorur forcën, mendjen dhe ndjenjën – së bashku a në harmoni.Naim Frashëri (nga Çajupi)

“Vdiq Naimi, vdiq Naimi,

moj e mjera Shqipëri!

Mendjelarti, zemërtrimi,

vjershëtori si ai!

Vdiq Naimi, po vajtoni

shqipëtarka, shqipëtarë!

Naimnë kur ta kujtoni,

mos pushoni duke qarë!

………..

Vdiq Naimi, që këndoi

trimërinë, Skënderbenë,

vdiq Naimi, që lëvdoi

dhe nderoi memëdhenë!

Vdiq Naimi, po ç’të gjeti,

o moj Shqipëri e mjerë!

Vdiq Naimi, po kush mbeti?

Si Naimi s’ka të tjerë….”

Naim Frashëri lindi në vitin 1846 në Frashër të Përmetit. Në vendlindje ai mori edhe mësimet e para. Më 1865 familja u shpërngul në Janinë, ku bashkë me vëllanë më të vogël Samiun, mbaroi gjimnazin grek “Zosimea”. Më vonë punoi pak muaj në Stamboll, si nëpunës në zyrën e shtypit, por iu shfaq tuberkulozi dhe u kthye në vendlindje për klimë më të mirë. Në fillim ishte nëpunës në Berat e më pas doganier në Sarandë (1872-1877). Në këtë periudhë Naim Frashëri shkroi edhe pozitë e para në shqip. Nën ndikimin e ngjarjeve historike, sidomos të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit – njëri nga udhëheqësit e së cilës ishte Abdyli, vëllai i tij më i madh, dhe nën ndikim e veprimtarisë kulturore patriotike të Shoqërisë së Stambollit, në krye të së cilës ishte Samiu – Naim Frashëri iu kushtua tërësisht letërsisë shqipe. Në Stamboll, Naimi ishte ndër botuesit kryesorë të revistës “Drita”, më pas “Dituria” (1885), ku ai botoi edhe shumë prozë e vjersha të tij, prej të cilave:

Pellazgët-shqiptarët

(Naim Frasheri)

Ishte një ditë/Që pellasgjitë/Posi një dritë/Mbuluan dhenë/Duall ng’ Asia/Si mizëria/Dhe me ania/E hodhë denë.

Pas pakë herë,/Duke përzjerë /Ca me të tjerë,/Bënë elinët, /Dhe duke ndarë /Syresh një farë,/Si ka të ngjarë,/Bëri llatinët.

Edhe të tjerët/E më të ndjerët,/Të papërzjerët,/Pellasgjinj mbenë/Maqedhoninjtë/E ilirinjtë/E mollosinjtë,/Gjith’ ata qenë.

Dhe ata janë/Prindërtë tanë,/Pastaj na thanë/Na shqipëtarë/Mundim të themi/Ne ata jemi,/Atë gjak kemi,/Si dhe shtyparë.

Thot’ Herodoti,/Në Tomor zoti/Shtëpi qëmoti/Kishte Dhodhonë/Eshtë m’e vjetër/Ngaha çdo tjetër,/Shumë më tepër,/Kjo gjuha jonë.

Ne kurdoherë/Burra të ndjerë/Edhe të vlerë/Jemi treguar;/Me grekërinë/Dhe me Persinë,/Me gjith’ Asinë/Kemi lëftuar.

Me Lekën vamë,/Muntmë Daranë,/Datën i dhamë/Gjithë Asisë /Burr’ u dëftyem,/Të gjith’ i thyem,/Përmbys e kthyem/Fron’ e Persisë.

Të tërë dhenë,/Den’ e sterenë,/Sa kombe qenë/Në këmb i vumë/Dhe mbretëruam/Kudo që shkuam,/Tekdo lëftuam,/Vëndin e zumë.

Me Pirron vamë/Romës i ramë,/Llatint’ i vramë/E i tmeruam;/Me Skënderbenë/Tyrqve sa qenë/U dhamë dhenë/Dhe i dëbuam.

Kush i goditi/Posi petriti/E i cfiliti/Tyrqit, barbarët?/Bota s’kuxonte/Që t’u qëndronte,/Po kush lëftonte?/Ne shqipëtarët.

Pastaj u ndruam,/Se s’kupëtuam/Dhe nuk e çquam/Të mirën tënë/Gjaknë për botë/E derthmë kotë,/Njeri ç’të thotë?/Nuk ishte thënë!

Mbajtmë Tyrqinë,/Ngjallmë Greqinë,/Ndihm’ Italinë./Po Shqipërinë?/Pse s’u munduam?/Për kë lëftuam?/Neve ç’fituam?/Ç’kemi taninë?

1947 – Komisioni mbi aktivitetin anti-amerikan fillon hetimin rreth infiltrimit komunist në Hollivud, duke rezultuar në një listë të zezë që pengoi disa aktorë, regjisorë e skenaristë të njohur për të punuar në industrinë e filmit për vite me rradhë.

1968 – Ish-zonja e parë Jacqueline Kennedy martohet me manjatin grek të anijeve Aristotle Onassis.

2011 – Lufta civile në Libi: Forcat rebele të Këshillit Kombëtar Kalimtar kapin diktatorin e rrëzuar libian Muammar Gaddafi në qytetin Sirte dhe e vrasin menjëherë.

Mendim i ditës “Gjithçka që kam mësuar për jetën mund të përmblidhet në dy fjale: Ajo vazhdon”.Robert Frost

 

Filed Under: Histori Tagged With: Astrit Lulushi, cfare ka ndodhe me 20 tetor, Histori

Kryeministër apo kryepolic i shtetit !

October 19, 2013 by dgreca

Opinion nga BEQIR SINA/Tiranë/

TIRANE : Ky lloj zhvillimi në administratën e porsardhur për mendimin tim mbasi ndodhem në Shqipëri, ka qenë spektakli – politik, më i madh i Qeverisë Rama. Në çdo vend të botës me ardhjen në pushtet të një qeverie të re, ka ndryshime në administrate,por në asnjë vend të botës nuk ndodh si po ndodh në Shqipëri.

Dhe në çdo vend të botës ka një fare kriteri, për t’a  përcaktuar ndryshimin – por vetëm në Shqipëri nuk ka asnjë lloj kriteri. Madje duke e krahasuar këtë edhe me shtete të brishta për rreth vendit tonë si Maqedonia, Mali I Zi, dhe më e fundit Kosova nuk ndodh si po ndodh në Shqipëri.

Qeveria re ende nuk e ka filluar punën e saj – me problemet dhe me hallet e popullit, por e ka nisur me të ashtuquajturën, “Kapjen e Shtetit”, fillimisht duke nisur me policinë e shetit, dhe duke vepruar si një “kryepolic” shteti. Edi Rama, mbasi ka hequr dhe shkarkuar 12 drejtorë policie, brënda një nate, pa asnjë lloj motivacioni në mënyrën më radikale – duke mos lenë as edhe një syresh prej tyre, qoftë edhe ndonjerin prej tyre që ndoshta dhe ka punuar mirë për 8 vjet a me shumë, Mbasi, ka pasur nga të larguarit edhe disa nga ata drejtor policie me kualifikim ndërkombëtar në SHBA, Angli, Holland dhe vende të tjera europiane.

Tani kan mbetur dhe janë në rradhë për t’u spastruar, dhe po presin largimin edhe disa drejtorët e nën/drejtorët, e ministrive të cilët kan mbetur “ngriva-shkriva” po na heqin sot apo po na heqin nesër. Sot, u konfirmua se ka qenë Enti Rregullator i Energjisë, i cili emëroi administratorin e ri të operatorit të sistemit të shpërndarjes së energjisë CEZ

Ngaqë,  kuptohej se detyra për të drejtuar këtë shoqëri “problematike”, do të kishte nji lëvizje të këtill – por mënyra spektakolare e zhvillimit të “përzgjedhjes” së një ish nëpunësit të Bashkisë së Tiranës, në kohën e Edi Ramës si kryetar Bashkie, pra zoti Arben Seferit, në mesin e “tre” kandidaturave në garën e shpallur nga Enti për këtë post, vjen vetëm “erë” e qelbur, e një propogande të vjetëruar, ashtu si thuhet tashmë nga kryeministri Edi Rama, se “do të ketë për çdo kanditatur punësimi 100 persona në çdo ministri, për të përzgjedhur tre kandidatura ku njëra prej tyre del fituese”.

Lind pyetja përse kjo praktikë nëse zbatohet?!  nuk ka një farë transparence dhe përse nuk u ndoq qysh në fillim kjo lloj praktike ? duke i paraprirë reformave – për të cilat edhe votuan shqiptarët me 23 qershor.  Sepse, kështu si e ka nisur kryeministri i vendit veçse po e nadn shtetin në dyshë: “Në disa të “Nënës dhe disa të Njejrrkës”-“ O me ne ose kundra nesh” dhe e thënë ma shqip,kjo është Lufta e Klasave në demokracin shqiptare”.

Në këto rrethana këto janë akte të pastërta spatrimi dhe “për të shpëlarë” trurin e ndërkombëtarëve që vëzhgojnë Shqipërinë, ashtu si dhe veprojë Enever Hoxha për 45 vjet. E thënë më drejtë si në kohën e komunizimit kur komunistët erdhën në pushtet mbas LDB dhe e nisën duke spastruar një e nga një të gjithë ish administratën e atëhershme e cila ishte e përbërë nga intelektualët më të zotët e asaj kohe e asaj kohe, madje duke i paditur ata më pas dhe hedhur në gjyqe të sajuara deri sa edhe i pushkatoj pa gjyqe…Dhe më pas  duke i zvendësuar ata me partisan të pashkollë dhe dallkauk, që e çuan Shqipërinë, në diktaturë totale , skamje dhe mjerim ndaj popullit të vetë.

Shqipëria, e cila kaloi diktaturën me të egër në botë dhe është  i vetmi vend ish komunist që ende udhëhiqet nga ish bijët e nomenklatures, pra me ata që edhe po të mos kishn ndodhur këto ndryshime që ndodhën, sepse edhe po të kishte qenë Enver Hoxha gjallë, sot, po Edi Rama, Samir Tahiri, Ditmir Bushati, Erjon Veliaj, Harito, Spiropali, Gjosha,Kodheli,Beqja e të tjerë do të ishin në ato karrike ku janë, do të ishte një qeveri që me kuadro partie si e  ka sot Shqipëria.

Me marrjen e pushtetit në këtë mënyrë, me 84 deputet( ku me hire dhe ku me pa-hirë, ku me para dhe ku me ideologji) dhe me një grup tjetër që ka mbetur gjoja  në “opozitë” dhe me zorë prêt  t’i thërrasë Rama, por ngaqë hë për hë, nuk i duhen më, se ka aq shumë sa nuk po i a delë me këta që ka “Partia Pushtet Shtet”, është duke u  iinstaluar  në Shqipëri në çdo dikaster. Sipas parimeve demokratike në të gjithë botën dhe si funksionon demokracia kudo dihet se :” Pushteti duhet të jetë i partisë që fiton zgjedhjet po shteti duhet të jetë i të gjithëve” . Dhe jo shtetin e ndan në dyshë: “Në disa të “Nënës dhe disa të Njejrrkës”-“ O me ne ose kundra nesh” dhe e thënë ma shqip, të bësh Luftën e Klasave edhe brenda sojit”.

Pas zgjedhjeve të lira e demokratike ka thënë filozofi francez Joseph De Maistre :” Çdo popull ka atë qeveri që e meriton” dhe Presidenti amerikan Abraham Lincoln ka thënë se :” Vota është më e fuqishme se plumbi ! me plumb mund të vrasësh armikun tëndë, kurse me votë mund të vrasësh të ardhmen e fëmijëve të tu!.  Dhe kështu në bazë të principeve të demokracisë :”Partia që fiton vetëm e drejton shtetin për aq kohë sa populli i saj i jep votën populli, po në asnjë mënyrë ajo nuk  duhet t’a “Kapi shtetin” si  e ka kapur Edi Rama, kryeministri I Shqipërisë..

 

Në Shqipëri, Partia që vjen në pushtet ( demokratët  kur erdhën në pushtet  iu deshën më shumë se dy vjet për të larguar administratën, dhe një pjesë e socialistëve mbeten në administrate, deri sa erdhën më 23 qershor  socialistët të cilët  brenda muajit bëjnë perjashtim – sepse i radikalozojnë gjërat, duke  dëbuar të gjithë punonjësit e administratës dhe i zëvendësuar ata  fillimisht  gjoja me ekspertë të diplomuar në perendim . Pra a thua se ata të mëparëshmit  nuk ishin shkolluar në SHBA, Paris, Romë, Londër e tjerë, dhe janë duke I zvendësuar shpejt e shpejt këto ditë  në çdo dikaster me anëtarë të partisë, pastaj me kalimin e kohës, me miq e të njohur, me njerëz që lidhen me interesa e me ata që paguajnë.

Në një vend si Shqipëria, ku papunësia është e madhe dhe ekonomia është shumë larg vendeve perendimore,  shteti tani ktheht në një punëdhënës i madh e ku “partia – shetet dhe pushtet” nuk e mban dot pushtetin pa pushtuar e përvetësuar tërësisht shtetin dhe pa kënaqur sado pak ata militantë partie që ia dhanë edhe fitoren.

Mirëpo, të çudit fakti se ashtu si 23 vjetë më parë në Shqipëri,  diplomatët e huaj dhe ndërkombëtarët, Uashingtoni dhe Brukseli, nuk janë shprehur haptas kundër kësaj dukurie shqiptare të trashëguar nga mentaliteti komunist i marrjes së pushtetit, dhe njerëzit me të drejt pyesin “Po perendimi dhe Amerika nuk e sheh se çfarë po ndodh në Shqipëri,!” .

Meqenëse kryeministri i vendit, Edi Rama duket se nuk e ka kuptuar ende se ka marrë 84 deputet dhe 1 milion vota të cilat ai me atë cinizmin që ka në gene, dhe asaj arrogancës që e ka në karakter, i “quan 1 milion shuplaka” për Berishën votat që mori nga sovrani, të cilat nesër nëse nuk punon si ai ka premtuar këtij populli ngopur dhe i  lodhur dhe i shkatërruar nga politika, i a kthehen atij në 3 milion – jo më “shuplaka por në hunjë, gurë dhe baltë”

Sepse tani ti je në krye të një shteti që aspiron dhe ëndëron Europën dhe nuk je më në krye të shtetit nuk je njësoj si në krye të kryeqytetit – Nuk je ashtu sikur Rama kryebashkëiak, që dilte  me “sopatë në dorë të spastrojë Lanën dhe qendrën e Tiranësn nga kioskat”. Kryeministri Rama, duhet të kuptojë se fuqia e 84 votave është e rrezikshme në radhë të parë për qeverisjen e tij, sepse bota perendimore “ I frikësohet kësaj më shumë” se çdo gjëje tjetër pavarësisht se në heshtje nuk e pranon. Kur dihet se sot as në Gjermani, SHBA, Angli e tjerë, “nuk asnjë qeveri në botë sot, të vijë në pushtet me një maxhorancë të till”, pavarësisht, se ajo nuk është reale, sepse dihen mënyrat se si i morën 84 deputet

Njerëzit shumë shpejt në Shqipëri janë të zhgënjyer, sepse po shohin se :”Korrupsioni po vazhdonë edhe dhe me administratën e që ka formuar qeveria Rama, por e keqia më e madhe është se shumë qytetarë këtu, ndonëse e kuptojnë të drejtën e tyre në parim, dhe e shohin se çfarë po ndodh  janë “ngriva shkriva” nga frika sepse ndonjë pjestar i familjes së tyre, nesër i komunikojnë para se të hyjë në zyrë, të dorozojë çelsat dhe të largohet nga puna. Pra kudo është future frika  se mos humbin vendet e punës dhe “bukën e gojës”, duke “e kapur shetin”.

Filed Under: Opinion Tagged With: apo kryepolic, Beqir Sina, Kryeminister

NENE TEREZA-DHJETË VJETË LUMTURIM

October 19, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Dhjetë vjetë më parë, pikërisht më 19 tetor 2003, Papa Gjon Pali i dytë njoftoi botën për vendimin që kishte marrë për të shpallur lumturimin – hapi i parë drejtë shënjtërimit — të Nënë Terezës,  bijës së kombit shqiptar, Gonxhe Bojaxhiut dhe nënës së botës, për punën dhe veprat e saj në shërbim të më të varfërve të botës.   Duke përfshirë Nënë Terezën në  rreshtin e të  bekuarve  për lumturim, Papa Gjon Pali i dytë pat thënë me atë rast se, “edhe në ditët e sotëme Perëndia frymëzon modele të reja shënjtërimi për radikalizmin e tyre, siç është Nënë Tereza e Kalkutës.”  Ish-udhëheqsi i Kishës Katolike dhe mik i ngushtë i Nënë Terezës dhe i kombit shqipta, tha 10-vjetë më parë, ndërsa shpalli lumturimin e Nënë Terezës se, “në personin e saj shohim një urgjencë që na shtynë të vendosim veten tonë në shërbim të tjerve, sidomos të atyre që janë më të varfërit dhe më të harruarit”, e shoqërisë.

Nënë Tereza, për dashurinë e saj në veprim dhe në jetë të pa kushtëzuar për më të varfërit dhe më të harruarit e kësaj bote, mori lëvdata dhe çmime nga më të dalluarat e kësaj bote, përfshirë edhe Çmimin prestigjoz më të lartë botëror Nobel për Paqë.   Gjatë jetës së saj dhe pas amshimit, për Nënë Terezën është shkruar dhe shkruhet  gjtihnjë aq shumë sa që është vështirë të shënohet diçka e re.  Por fjalët e saja, fjalimet dhe prononcimet e pasqyruara gjatë viteve dhe dekadave të fundit në median botërore dhe në qindra libra e botime të lloj lllojshme  dhe dokumentarë, ato mbeten gjithnjë aktuale, të freskëta dhe të përhershme.  Është me vend dhe tepër e nevojshme që përballë kërkesave të jetës moderne, materializmit, qejfit e defrimit, të ndalohemi, nga kohë në kohë, dhe të përqëndrohemi mbi mesazhet domethënse që na ofrojnë përvjetorët siç është 10-vjetori i lumturimit të Nënë Terezës dhe fjalëve të saj, e të cilat duket se rezonojnë për të gjithë brezat.

Një ndër këto mesazhe që është gjithnjë aktual, është mesazhi i Nënë Terezës mbi rëndësinë e familjes – që sot duket në krizë kudo — dhe për rolin e saj në shoqëri — mesazh ky që ajo i drejtoi Konferencës së 4-të të Grave, organizuar nga Kombet e Bashkuara më 1955, në Pekin.  “Në vend të vdekjes dhe mjerimit” u tha Nënë Tereza grave të botës, “le të sjellim në botë paqë, gëzim e kënaqësi duke iu lutur Perëndisë për dhuratën e paqës dhe për dhuratën për të dashur dhe për të pranuar njëri tjetrin si vëllezër e motëra, si bijë e bija të Perendisë.  Ne e dimë se vendi më i mirë dhe atmosfera më e përshtatshme ku fëmijtë mund të mësojnë se si të dashurojnë njëri tjetrin është pikërisht familja, ku ata shohin prindërit e tyre duke dashur njëri tjetrin dhe duke iu lutur Perendisë.  Kur familjet shkatërrohen dhe nuk janë të bashkuara, shumë fëmij rriten duke mos ditur të dashurojnë të tjerët”.  Nënë Tereza vazhdoi duke thënë se, “një vend ku shumë familje janë shktatërruar në këtë mënyrë, do të ketë shumë probleme.”

“Por kur familjet janë të forta dhe të bashkuara”, përfundoi  Nënë Tereza mesazhin e saj drejtuar grave të botës në vitin 1995 në Pekin, “Fëmijtë shohin dashurinë e veçantë të Perëndisë në çfaqjen e dashurisë midis prindërve të tyre, dhe si të tillë rriten që të ndërtojnë dhe të zhvillojnë vendin e tyre në një shoqëri më të mirë dhe më të dashur për të gjithë.  Fëmija, tha ajo, “Është dhurata më e çmueshme që na ka falë Perëndia dhe si i tillë ai ka nevojë për të dy prindërit.”

Në të vërtetë, Nënë Tereza i kushtoi gjithë jetën dhe veprimtarinë e saj mbrojtjes së jetës së njeriut kudo në këtë botë.  Ajo fliste me një pasion pothuaj të papërmbajtur në mbështetje të jetës së njeriut kudo e kurdo që i jepej rasti e mundësia, në konferenca ndërkombëtare dhe në takime me udhëheqsit dhe personalitetet më të dalluara të kësaj bote.  Në një deklaratë që ajo i dërgoi Konferencës Ndërkombëtare mbi Popullësinë dhe Zhvillimin në vitin 1994 në Kajro, Nënë Tereza tha se, “Secili prej nesh është këtu sot sepse na ka dashur Zoti i cili na ka krijuar dhe prindërit që na kanë pranuar.”   Këjo është arsyeja, shtoi ajo, se pse është aq trishtues fakti se në aq shumë vende të botës, jeta e njeriut po shkatërrohet me qëllim nga luftërat, nga dhuna dhe nga aborti.  Perëndia na ka krijuar të gjithëve me të drejta të barabarta dhe për gjëra më të rëndësishme dhe më madhështore.”  Askush, tha ajo, as ndonjë vendim konference ndërkombëtare dhe asnjë qeveri nuk ka të drejtë të shuaj jetë njerzish, përveç Zotit, autorit që ka krijuar jetën. “Sa bukur do të ishte sikurë fondet që përdoren për të vrarë njerëz do të përdoreshin për t’i ushqyer, për t’i strehuar dhe për t’i edukuar ata”,ka thënë Nënë Tereza në mesazhin e saj Konferencës Ndërkombëtare mb Popullsinë dhe Zhvillimin më 1994 në Kajro.

Në fillim të shtatorit, në Katedralën Nënë Tereza në Prishtinë u mbajtë një ceremoni madhështore ku u shënua 10-vjetori i lumturimit të Nënë Terezës dhe  njëherazi edhe 1700-vjetori i ediktit të Milanos, sipas të cilit qytetarët e Perandorisë romake fituan të drejtën e ushtrimit të fesë së krishterë.  Përveç udhëheqsve të ndryshëm fetarë,  në ceremoni morën gjithashtu pjesë edhe udhëheqsit më të lartë politikë të Republikës së Kosovës.  Presidentja e Kosovës Zonja Atifete Jahjaga tha me atë rast se — 1700-vjetori i Ediktit të Milanos dhe shëmbëlltyrës së autorit të tij, Konstantinit të Madh me origjinë ilire — “përputhet me 10-vjetorin e lumturimit të Nënë Terezës, duke e vlerësuar këtë si një gjest shumë simbolik, por njëherit edhe përmbajtësor të kontributit që ka dhënë Kosova, si vazhdimësi e Dardanisë së shënjtë antike, në mirëkuptimin dhe në tolerancën ndërmjet besimeve dhe ndërmjet popujve”.   Presidentja e Republikës së Kosovës, përfundoi fjalën e saj duke thënë se,  “Shënimi i manifestimit të Ediktit të Milanos të punës së Kostantinit të Madh, që ishte nga këto treva, më së miri sublimohet në shëmbëlltyrën e Nënës Tereze, misionares që gjithë jetën ia kushtoi të varfërve, duke përhapur dorën e mirësisë e të dashurisë, duke forcuar besimin në njerëz dhe duke u shkrirë në bindjen se njeriu bartë vlerat më të mëdha humane brenda shpirtit të vet dhe se dashuria e mirësia si dhunti dhe si angazhim janë të paskajshme dhe janë të pashterrshme”.

Edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Zoti Hashim Thaçi mori pjesë në këtë manifestim të përvjetorësh të dyfishtë dhe në fjalën e rastit ai përshëndeti të pranishmit duke i lidhur këto dy përvjetore të rëndësishme për kombin shqiptar, me ç’rast tha se, “Kryqi që e kishte frymëzuar perandorin Konstantin dhe feja e thellë në Zotin, janë elemente që kanë formuar edhe jetën dhe veprën e së lumës sonë Nënë Terezës.  Zoti është pasuri, dashuri për çdo njeri pa dallim feje dhe kombi”, tha kryeminsitri Thaçi.  “Nëna Terezë dhe vepra e saj”, vazhdoi  udhëheqsi i Kosovës, “kanë dëshmuar shpresën dhe dashurinë me tërë qenien e saj.  Atë e kanë kuptuar të gjithë dhe e kanë njohur dhe e kanë quajtur me emrin e ëmbël dhe të bukur, Nënë….Vlerat shpirtërore dhe humaniste të Nënës Terezë janë sintezë e vlerave më të mira të civilizimit shqiptar”, u shpreh  kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në 10-vjetorin e lumturimit të Nënës Terezë.

Me veprat e saja, Nënë Tereza, nëna jonë dhe nëna e botës, ka tejkaluar kufijt njerëzor dhe andaj 10-vjetë më parë, Papa Gjon Pali i dytë e radhiti atë midis të lumturëve, duke e vendosur përtej njerëzores, me shënjtërit dhe shënjëtëreshat e Kishës Katolike.

Ne shqiptarët kudo, me të drejtë mburremi shumë  me Nënën tonë Tereze, bijë të një gjaku.  Me krenari e themi, përfshirë edhe udhëheqsit  e tanishëm më të lartë të kombit shqiptar, se Nëna Tereze, është simbol dhe bartëse e vlerave më të mira e më të bukura të kombit shqiptar.  Por ama në këtë 10-vjetor të Lumturimit të Nënë Terezës – megjithë adhurimet dhe krenarinë që tregojmë në sipërfaqe për  ‘të – duke marrë parasyshë gjëndjen politike dhe shoqërore në të gjtiha trevat shqiptare -unë nuk mund të durohem pa iu bashkuar cinizmit dhe skepticizmit të të ndjerit Profesor Peter Priftit, i cili disa vjetë më parë është shprehur për librin e Genc Lekës mbi Nënë Terezën duke bërë pyetjen: “A mos ishte lindja e Nënë Terezës në rrethin tonë një gabim, një devijim gjenetik ndofta, apo një sinjal hyjnor, një paralajmërim paraparak për një të ardhme madhështore për kombin shqiptar?   Kur shoh gjendjen në Shqipërinë e sotme, mendoj të parën; por më pëlqen të besoj të dytën”, qe shprehur Profesor Peter Prifti dhe vazhdoi:  “Pyes veten, kemi të drejtë si shqiptarë të mburremi me motrën tonë të bekuar?   Mendoj se Nënë Tereza nuk nderohet me levdata, me konferenca shkencore, me shërbime përkujtimore, as edhe me lutje e pelegrinazhe te varri i saj.  Sa kohë që neve nuk bëjmë ndryshim, asnjë përmirësim në marrëdhëniet tona shoqërore e politike, atëhere përsa na përket neve si shqiptarë, ajo jetoi kotë në këtë botë.   Atëherë do jetë më mirë të mbyllim gojën dhe të mos guxojmë kurrsesi të themi se jemi njerëz të një gjaku e të një gjuhe me Nënë Terezën”, përfundon profesori i nderuar, i ndjeri Peter Prifti.

Filed Under: Kulture Tagged With: 10 vjet lumturim, Nena Tereze

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5127
  • 5128
  • 5129
  • 5130
  • 5131
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT