• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Tahir Prençi, radisti qe sakrifikoi jetën për të çliruar atdheun nga pushtimi komunist

August 28, 2013 by dgreca

Nga Mexhit Prençi/

Nëntë Malet e Dibrës kanë hyrë në histori si simbol i mençurisë, qëndresës, trimërisë dhe atdhetarisë. Rapsodi këndon: “Nëntë Malet e Dibrës/ male përmbi male,/ nëntë këngë lirie/ derteve dhe halleve./ Nëntë të mprehta shpata,/ nëntë vetëtima,/ nëntë fole shqiponjash,/ nëntë djepe për trima”
Reçi dhe Dardha ishin Mal i Parë i Nëntë Maleve të Dibrës. Krahina më e varfër, por e pasur në bujari, besë dhe krenari. Shtëpia e Trocit, Dodës, Markut, Prençit ishin ndër më të nderuarat, me burra trima e urtakë popullorë, në Reçin e pjerrët e të thyer me këmbët në Drinin e Zi dhe trupin që ngrihej përpjetë rrëpirave e shpateve drejt maleve të larta, dhe majatve të mprehta që dukej sikur preknin qiellin. Troci, i pari i fisit, thotë legjenda kishte prerë kokën e Arapit të Zi të Shkodrës dnë dyluftim dhebash për këtë nderohej dhe respektohej nga të  Nëntë Malet e Dibrës. Në çdo mjedis ku ndodhej Troci, i rezervohej kryet e vendit dhe koka e qengjit në gosti, gëzime a hidhërime. Para Trocit, nuk guxonte kush ta hante kokën. Kështu thoshte legjenda. Realiteti dibran e dëshmon. Nga këto male që ua shkel syrin dielli i mëngjesit nga maja e Korabit, kanë dalë trima idealistë të cilët mbi  gjithçka kanë vënë atdheun dhe lirinë, besën dhe nderin, për të cilat japin edhe jetën. Njëri prej tyre ëshë edhe Tahir Prençi. Fyelli i bariut nga kodrat me lajthi të Çakbardhës, shpati i Mllezës, Malet e Kaptinës dhe Maja e Rrasës, bie edhe sot duke përcjellë melodinë e këngës: “Tahir Prenç nuk ban ma nana/ N’dash për bes’, n’dash për trimni/…Sigurims t’shitoft-o, zana!/ “Pranoj vdekje, jo tradhëti”. Super-radisti sfidoi trysnitë për ta detyruar të bënte lojë të dyfishtë që të vihej në shërbim të komunistëve, për të shtënë në grackë shokët e tij nacionaliste, dhe idealet e tij, për ta poshtëruar dhe zhveshur nga morali i lartë i atdhetarit dhe luftëtarit të lirisë. Tahir Prençi lindi më 1921. Fëmija i tretë i Sulejmanit që njihej si trim i çartur në këto anë. U rrit me këngët e trimërisë dhe vallet burrërore, me ajrin e pastër të bjeshkëve dhe maleve, me ujët e ftohtë të krojeve, me legjendat e lashta dhe me historitë e bëmat e luftëtarëve reçianë në luftrat e përgjakura kundër shkjaut, të udhëhequra nga Prijsi legjendar Elez Isufi. Pas masakrës genocidiste të Serbisë në Bardhaj, trimat e Reçedardhës me babanë e Tahirit, Sulejmanin që u printe, zbritën nga foletë e thyre nëpër malet dhe u turrën si stihi mbi serbët, të cilët të tmerruar ia mbathën në panik, e, kur pushka u ngecte nëpër shkurre duke ikur, ata pa e kthyer kokën pas thërisnin: “Aman, ore aman, se është dërzhavës”! Dhe të çatratosur u hodhën në Drinin i Zi, gjysmmën e të cilëve i përpinë dallgët me ulurima. Që në moshën 16 vjeçare e martoi i iati. Tahiri lindi dy fëmijë: Rifatin dhe Hiken. Dy fëmijë fatzinj, që provuan që në rini dhunën, burgun interneimin dhe persekutimin komunist. Tridhjetë vjet nën diktaturë. Rifati, 22 vjet burg, burg politik si ai i Burreli që ua kalonte dhe burgjeve naziste.  Gjer më 1939, kur Shqipërinë e pushtoi Italia fashiste, Tahiri punonte në bujqësi. Ishte i zoti i punës. S’ia hante qeni shkopin, thoshin për te. Trup madh si i ati, i bëshëm, i forte e i shëndetshëm. Por edhe i fjalës dhe i besës. Me shokë e miq të mirë.
Pas ditës së Zezë të Shtatë Prillit kur fashistët pushtues rekrutonin të rinjt për t’i shkolluar e vënë në shërbim të tyre, që në kontigjentin e parë u thirr edhe Tahiri. Oficeri italian sapo e pa, seç foli në gjuhën e tij pastaj tundi kokën, përkthyesi e shqipëroi: “Do shkosh në Itali”. Kështu malësori i Reçit u nis për studime ushtarake trevjeçare për në Romë. Atje u specializua për radio-ndërlidhje. Ishte ndër studentët më të shkëlqyer. I rrallë. Rekordmen në alfabetin mors. Mjeshtër si mundës. Me vullnet dhe guxim të paparë. Kthehet në Shqipëri si oficer. Shërben në Maqedoni për pak kohë…Fashizmin e urrente aq sa donte atdheun dhe lirinë. Urrejtja dhe dashuria ushqenin  njera tjetrën.Urrejtja për pushtuesit italianë, rriste dashurinë për atdheun. Dashuria për atdheun dhe lirinë, rriste urrejtje për pushtuesit fashistë. Ziente përbrenda…. lidhet me forcat antifashiste. Fillimisht me Ramadan Kaloshin. Radhitet në brigadat partizane duke menduar se ato luftonin për liri e për atdhe. U tmerrua kur pa sesi eleminoheshin djemt e rinj të familjeve të ballistëve, zogistëve dhe të klasave të pasura. Komandantët partizanë injorant bënin ligjin. Shkonte pika e djalit për dhjam qeni. Shpirti i Tahirit u lëndua. Brenda tij ngriti krye ndjenja e drejtësisë, idealit, lirisë dhe demokracisë. Para syve të tij u pushkatua 15 vjeçari Salë Bodi. U arrestuan heronjt e luftës Hasan e Halit Prifti. Në këto rrethana tragjike dhe fatale,Tahiri takoi dhe kuvendoi me burrat e mendjes dhe të shpatës Hasan Spata dhe Ymer Doda, burra të nderuar të Çidhnës dhe Reçit… Në një moment ai u drejtohet atyre: “Vëllezër, kjo nuk është Shqipëri e lirë. Prushin e shpupurit serbi. Ejani, të largohemi nga Shqipëria që të luftojmë për për çlirimin e saj nga pushtimi komunist.”… Nesër do të jetë vonë!”. …Më 1945 arratiset me një grup zogistësh për në Greqi. Prej andej në Gjermani. Në Mynih. U njoh me gjeneral Abaz Kupin, kolonel  Xhemal Laçin etj. Laçi ka dëshmuar se Tahiri shërbeu në Gjermaninë perëndimorë gjer më 1950. Ai thotë se ishte i guximshëm, i rrallë, i zgjuar, profesionist i klasit të parë si radist. Aftësia e tij si radist vlerësohej e jashtëzakonshme. Maturia e gjakftohtësia, si virtyte të dibranit, bënin që mos t’i fliste kurrë goja para mendjes. Emri i tij do hynte në faqet e shtypit në vitet e Luftës së Ftohtë. Dhe në zyrat sekrete. Kundërshtarët do ta thërrisnin “Tigri dibran”. Tashmë Tahiri ishte pjekur dhe përgaditur për t’u hedhur në luftë kundër komunistëve-terriristë të Enver Hoxhës. Me thirrjen që bëri Abaz Kupi më 1950, bëhet më aktiv, punon më shumë, merr zemër e guxim më të madh, për të nisur betejën për mobilizimin e popullit në luftën më të vështirë për çlirim nga pushtimi komunist. Më 1952 vjen në Shqipëri bashkë me një grup nacionalistësh antikomunistë. Vendosen në zonën e Bulqizës. Ishte bashkë me Zenel Shehun. Në këtë zonë kryenin vepremtarinë e tyre patriotike. Në bisedë me Zenelin, në shtëpinë ku ishin strehuar shpesh Tahiti i tregonte disa parandjenja të këqija. Në mendje i faniteshin skena të tmerrshmë të kurdisura nga dora e tradhëtisë. Ai i besonte ato, se besonte te Zoti. Dhe në të vërtetë ashtu ndodhi. Me sinjalet e KGB, Sigurimi famëkeq i Shtetit të tiranit Enver Hoxha, kishte ngritur kurthe për t’i kapur nacionalistët që vepronin në këtë zonë…. Koloneli anglez Kim Filbi i kishte tradhëtuar. Ishte lidhur edhe me Moskën. Bënte lojë të dyfishtë… I vënë në shërbim të zbulimit sovjetik jepte informacine për të gjitha vendet e Lindjes për të neutralizuar, kapur dhe asgjësuar, nacionalistët që përpiqeshin të organizoheshin në forma të ndryshme në luftë kundër komunizmit dhe pushtetit të tyre. Nga libri “Fronti i heshtur” shkëpusim: “Sipas planit Kim Filbi , ky kolonel anglez në shërbim të sovjetikëve, u dha atyre me saktësi  vendndodhjen e nacionalistëve shqiptarë të cilët filluan të binin një nga një në grackat e Sigurimit të Shtetit”. Në duart e zeza gjakatare dhe të pista të tyre ra edhe super-radisti Tahir Prençi. Në dokumentin e Drejtorisë Juridike të Ministrisë së Rendit nr. 93/1, dt. 24.09.1992, midis të tjerash thuhet: “Në çastin e kapjes Tahir Prençit i janë gjetur: një sasi floriri, dollarë amerikanë dhe materiale propagandistike nga ato të Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”. Gjatë qëndrimit në burg mbi të janë përdorur tortura nga më të rëndat dhe forma të ndryshme dhune për ta detyruar ta bënin për vete, që me tërë aftësitë e tij si profesionist si super-radist i paimitueshëm, ta vinin në shërbim të Sigurimit të Shtetit që të bënte lojën e tyre; por Tahiri nuk  tradhëtoi kurrë, as shokët, as veten, as atdheun, as idealet. Përballoi të gjitha llojet e dhunës. Nuk u ligështua. Nuk u nënshtrua. Nuk u dorëzua. Perkundrazi gjithnjë mendonte si të delte nga kjo skëterrë e zezë dhe të fluturonte drejt lirisë. Askush s’e di mirëfilli si u arratis prej dhomave të izolimit të Drejtorisë së Punëve të Brendëshme të Tiranës, por dihet  se më 26 tetor 1952 ai nuk ishte më në atë Ferr. Thuhet që pas disa ditësh vritet nga Forcat e Ndjekjes. Po enigma mbetet enigmë. Edhe sot e kësaj dite, askush nuk përgjigjet.  Askush nuk flet se ku gjendet varri i tij. I biri, Rifati, bëri çmos të mësojë të vërtetën. S’la gur pa lëvizur, s’la zyrë pa trokitur për të gjetur varrin e babait të dashur. Edhe nëpër Evropë ka shkuar. Edhe në Amerikë… për të marrë një sinjal, një fjalë, për enigmën e zhdukjes së të jatit. Por siç thotë kënga, dëgjohet veç fishkëllima e erës dhe zëri i qyqes ku-ku, ku-ku….
Ka dhimbje i biri që kërko të dijë varrin e të jatit!…Ka dhimbje dhe trishtim e bija…E shkreta grua vdiç me brengë në shpirt pa e mësuar të vërtetën. Është një e drejtë njerëzore që të birit t’ia tregojnë vendin ku e kanë masakruar dhe groposur, që t’i zhvarrosë eshtrat e të jatit, për t’i rivarrosur me ndere siç e meriton çdo prindër, e jo më prindri i nderuar siç ishte Tahir Prenci. Ndoshta një ditë do të gjendet varri dhe eshtrat e birit të Reçit të Dibrës dhe Shqipërisë Tahir Prençi; super-radistit të shkëlqyer, nacionalistit të vërtetë, shqiptarit të kulluar dhe trim, që sakrifikoi jetën në luftë për çlirimin e Shqipërisë nga komunistë …
Shteti demokratik e ka për detyrë të zbulojë se ku janë eshtrat e tij, dhe t’ia rivarrosë me ndere ashtu siç nderohen figurat e shquara të kombit.

 

Filed Under: Featured Tagged With: radisti, tahir Prenci

Sadri Mehaj i Hotit

August 28, 2013 by dgreca

Nga Esad Gjonbalaj/
(Kryetar i Fondacionit Plavë-Guci, New York – SHBA)/

Veprimtari kombëtar 47-vjeçar, Sadri Xhema Mehaj, dënohet me mbi 3 vjet burg nga rregjimi shovinist komunist i Malit të Zi si një ndër organizatorët e grupit atdhetar ilegal “Besa” në Plavë-Guci në shtator 1982 dhe pas emigrimit në SHBA (1986) shquhet për aktivitet patriotik në rradhët e Shoqatës Demokratike të New Yorkut (1990), Lidhjen Demokratike të Kosovës (1991-2001), antar i Fondacionit “Vendlindja Thërret” (1998), në prill 1999 luftëtar i Batalionit “Atlantiku” – që iu bashkue UÇK për çlirimin e Kosovës. Prej vitesh është antar i Fondacionit Plavë-Guci në New York. Ka marrë pjesë në çdo demonstratë që organizohej nga shqiptarët në New York, Washington e deri në Dayton Ohio. Bashkë me vllaznit e tij ka ndihmue financiarisht për Kosovën, kanë investue edhe në vendlindje, etj. Këto shenime i ka shkruar një nga miqtë e shkollës, të emigrimit, të veprimtarisë kombëtare shqiptare, Esad Gjonbalaj.
Ditët e fëmijërisë janë ditët ma të ëmbla të jetës. Unë u linda në Vuthaj, ku edhe përfundova katër vitet e shkollës fillore të fshatit tonë, që ishte paralele e ndarë e shkollës  fillore  “Xhafer Nikoçaj” të Gucisë. Si të rinj krenoheshim me vendlindjen në çdo aspeket të jetës, kurse të moshuarit na tregonin për heroizmin, trimërinë dhe krenarinë e të parëve tanë, fillimisht të Vuthjanve dhe të tjerëve nga treva e jonë e Plavë-Gucisë. Flitej për trimëritë e Hotjanve dhe nga bisedat e të moshuarëve që në fëmijëri e mësova thënien “Nima e Zotit e Pushka e Hotit”, por pa e ditë në esencë se çka në të vërtetë përmbante në vetvehte kjo thënie. Unë mburreja me atë se çka flitej për Hotjanët. Vitet kaluan, por edhe ne rriteshim me kohën. Ne vitin shkollor 1977-1978 unë isha në klasën e pestë në Guci. Edhe pse jo shumë larg nga Vuthajt për ne ishte një ambient i ri dhe një kalitje e re e gjeneratës tonë. Rastësia e bëri të veten që në një ambient të ri për mua të ulem në bankë me një moshatar timin ende të panjohur, por që njoftimi me të do të ishte edhe zbulim dhe njohuri më në hollësi i thënies të cekur ma lart “Nima e Zotit e Pushka e Hotit”. Unë mësova se shoku im quhej Sadri Xhema Mehaj që me kohën do të shoqëroheshim  e bëhem shokë të afërm por edhe besnikë, sepse Sadriu ishte i kalitur në besnikërinë dhe trimërinë e familjeve Hotjane. Unë dhe Sadria bisedonim sëbashku dhe shtjellonim tema të ndryshme nga jeta jonë. Sadriu më impresiononte, edhe pse ishim të rinj, për atdhedashurinë dhe qëndrimin e tij të qartë kombëtar dhe krenarinë që ndiente thellë në shpirt për Hotin dhe të parët e tij. Është e rëndësishme të thuhet se me kalimin e kohës miqësia jonë do të thellohej deri në atë masë sa edhe ato pak mundësi të vogla që kishim për të blerë edhe kafshatën e ndanim sëbashku. Me një modesti e them se Sadriu ishte paksa në një gjendje jo të mirë ekonomike, por që në asnjë mënyrë nuk ishte pretekst për ndryshimin e qëndrimit të tij si fisnik. Vitet do kalojnë por dhe gjenerata jonë po arsimohej dhe paralelisht edhe vetëdija jonë kombëtare po kalitej dhe fuqizohej. Demonstratat e 81-shit ishin bazament i vetëdijësimit të popullit Shqiptar, por edhe heqje e perdes së politikës antishqiptare të qarqeve serbo-sllave. Në këtë periudhë pas 81-shit në Plavë dhe Guci filloi të zhvillohej një fushatë e disiplinimit të shqiptarëve nga UDB-ja dhe bashkëpuntorët e tyre shqipfolës. Familje shqiptare diskriminoheshin dhe diferencoheshin si të papërshtatshëm për socializmin vetëqeverisës Jugosllav. Sadri Mehaj i Hotit të trimërisë don të vejë në jetë shprehjen misterioze të rinisë time të hershme “Nima e Zotit e Pushka e Hotit” të thënë 100 vjet ma parë nga Hotjanët në Luftën e Nokshiqit. Ai i bashkangjitet iniciativës së Tahir Prelvukajt dhe shokëve të tjerë për të themeluar organizatën për kryengritje të armatosur kundër rregjimit dhe bashkëpunëtorëve të tij me emrin “Besa”. Sadriun si shok të shkollës e mbaj mend si një djalë energjik me qëndrime të qarta dhe gjithnjë në gjendje për t’iu dalë në ndihmë shokëve në rast nevoje. Jeta kalojë dhe ne u rritëm, por qëndrimet e Sadriut u dëshmuan me sakrificën e tij personale në të mirë të Çështjes Kombëtare Shqiptare. Sot, Sadri Xhema Mehaj e kemi antarë të kryesisë të Fondacionit Plavë-Guci me seli në Neë York dhe aktivist i zellshëm i shoqatës tonë duke kontribuar shumë në mbarëvajtjen sa më të mirë të aktiviteteve të Fondacionit Plavë- Guci. Unë gjithënjë e kam ndjerë veten të privilegjuar të bashkëveproj me Sadriun dhe i nderuar që njihem me të që nga ditët e fëmijërisë.
 

Filed Under: Histori Tagged With: Esat gjonbalaj, Sadri Mehaj i Hotit

Darwin-i kundër hyjnive

August 28, 2013 by dgreca

Nga Luan Rama/

Debati rreth Darwin-it dhe Zotit, Darwin-it dhe Gjenezës, Kataklizmës, krijimit të botës dhe njeriut, etj, për më shumë se 150 vjet nuk ka rreshtur së kundërvëni midis tyre «darvinizmin» si shkencë materialiste dhe fenë, e cila në themel të saj ka krijimin e botës dhe të njeriut nga Perëndia. Ky debat duket se mund të jetë akoma më i ashpër, veçanërisht këtë vit që është dhe 150 vjetori i shpalljes së teorisë së tij Teoria e Evolucionit, tekst shkencor që në mënyrë llogjike do të kthehej në një filozofi të re të perceptimit të botës. Në shkurt të vitit 2009, po ashtu do të festohet 200 vjetori i lindjes së Darwin-it, i cili nuk ishte thjesht formuluesi i teorisë së evolucionit të specieve, dhe si rrjedhojë dhe të njeriut, por ai ishte njeriu që u vu në qëndër të një prej revolucioneve më të mëdha shkencore dhe filozofike të të gjitha kohrave.

Njëqind e pesëdhjetë vjet më parë, para Asamblesë Shkencore të Londrës, ai bëri të njohur teorinë e tij, çka tronditi thellë vizionin e deriatëhershëm mbi natyrën, njeriun dhe …. Zotin. Shpejt emri i Charles Darwin-it, (1809-1882), u bë i njohur, edhe pse ishin të pakët ata njerëz që e njihnin atë njeri. Cili ishte ai? Si ndodhi që ai zbuloi një nga mekanizmat më vitalë dhe më të qënësishëm të zhvillimit dhe të evolucionit të botës? Ishte ai një até apo çfarë? Ku bazohej teoria e tij dhe çfarë i solli ajo njerëzimit modern? Përse kjo teori nuk është zbehur edhe me zhvillimin e jashtëzakonshëm të shkencës gjatë shekullit XX dhe këtij fillim mijëvjeçari? Dhe së fundi, çfarë do t’i shtohet si diçka e re kësaj teorie, bazat e së cilës deri tani nuk kanë ndryshuar dhe siç duket nuk do të ndryshojnë?

Charles Darwin (Çarls Darvini) ka lindur në vitin 1809, në një familje në gjëndje të mirë, por mjaft humaniste. Gjyshi i tij, Erasme Darwin, ishte një «deist», autor i një libri të quajtur Zoonomia, që ashtu si ateisti Lamarc, në kohë të tij, edhe ai «deist», mendonte se «evolucioni ishte zhvilluar drejt perfeksionit dhe se apogjeu i këtij ishte njeriu» Por atëherë Charles adoleshent nuk ishte i interesuar rreth evolucionit. I ati, Robert Darwin, ishte një njeri me shpirt të lirë që kujdesej shumë për të varfërit e vëndit ku ata jetonin. Në rini të tij Darwin-i studioi për mjeksi në Edimburg, por gjatë studimeve, seancat e kirugjisë i sillnin të vjella dhe dukej ai ishte i ndjeshëm për ta përballuar këtë anë të mjeksisë. Meqë familja e tyre ishte mjaft e lidhur me Kishën anglikane, i ati e regjistroi në «Christ’s College» për të studjuar teologji në Kembrixh. Por pikërisht aty, ai ra në kontakt me botanistin anglez John Hensow, i cili ishte njëkohësisht dhe gjeolog. Ishte pikërisht ai që do t’i hapte dritaret e para të shkencës.

Vite më vonë, kur kapiteni anglez, i anijes «Beage», Fitz Roy, i cili do të ndërmerrte një udhëtim shkencor rreth botës, kërkonte dikë për ta shoqëruar, Darwin-i shkoi menjëherë pranë tij. Kjo anije do të merrej me hartimin e një kartografie të zonës së Amerikës Latine. Gjatë pesë vjetëve, Darwin-i do të përjetonte një nga periudhat më të lumtura e më frutdhënëse të jetës së tij. Plot 5 vjet midis peripecish të shumta, duke zbuluar botra të reja nga Brazili në Falkland, përgjatë bregut kilian, në ishujt Galapagos, në Tahiti, Tasmani, në Kepin e Shpresës së Mirë, në Shën Helena e përsëri në Brazil, duke iu afruar ishujve Açores në mes të oqeanit Paqësor dhe duke u kthyer në Angli. Gjatë këtyre udhëtimeve të jashtëzakonëshme, Darwin-i zbuloi fosile mamiferësh gjigandë, çka dëshmonte për ndryshime të mëdha klimatike që kishin ndodhur në rruzullin tokësor, në epoka të mëparshme. Ai analizoi në vënd impaktin e tërmeteve në formacionet gjeologjike, shpjegoi formimin e bazamenteve të koraleve, zbuloi fosile të shumta dhe mori shumë shënime rreth faunës, florës, ndryshimeve midis specieve dhe perfeksionimit të llojeve gjatë seleksionit natyral. Madje siç shkruan ai në kujtimet e tij, një ditë, një skllav, i kishte treguar për histori të çuditshme që kishin ndodhur dhe ndodhnin në thellësitë e pyjeve tropikale. Dhe Darwin-i ishte një njeri kurioz… Një nga zbulimet e tjera të tij, veçanërisht në ishujt Galapagos, ishin breshkat gjigande apo zvarranikë gjigandë me struktura që u përkisnin kohrave të dinosaurëve, specie që jetojnë ende dhe sot.

Kur u kthye në Londër, botimet e tij u bënë të njohura dhe koleksionet e tij u panë si gjëra shumë të çmuara për botanistët, natyralistët dhe gjeologët. Në vitin 1836, ai ende mendonte se llojet janë të krijuara e të fiksuara njëherësh sipas llojeve të tyre dhe se ato mund të zhdukeshin vetëm si pasojë e transformimit të mjedisit apo ndryshimeve të mëdha. Por një vit më vonë, ai ndryshoi pikëpamje dhe më 1839 u pranua në Akademinë Mbretërore të Shkencave. Ai filloi të punojë me ngulm për formulimin e tezës së tij me ide të panjohura deri në atë kohë. Më 1853 ai u nderua me medaljen mbretërore të Royal Society. Por një ngjarje interesante që lidhet në këtë periudhë me Darwin-in, ishte dhe ajo e tre indigjenëve, që ata morrën në Tokën e Zjarrit dhe përmes anijes “Beagle” i sollën në Londër, ku u integruan në një tjetër sistem shoqëror, duke venë në dukje efektin social në transformimin njerëzor.

 

Një surprizë e çuditshme

 

Darwin-i kishte kohë që po përpunonte teorinë e tij të re. Tashmë ai ishte në mes të udhës së formulimit të veprës së tij më madhore, kur papritur, nga miku i tij Alfred Russel Wallace, i erdhi një letër e çuditshme. Në atë kohë, ky biolog ishte në arqipelagun Moluk (Indonezia e sotme), kur papritur ishte sëmurë dhe ishte gozhduar në shtrat për një kohë të gjatë. Në ethe e sipër, ai kishte zbuluar një teori të re që gjer atëherë nuk ishte përmëndur nga asnjë shkencëtar: teorinë e seleksionimit natyror. Brënda tre ditëve, në disa faqe ai shkroi teorinë e tij dhe ua dërgoi kolegëve të tij në Londër, midis të cilëve dhe Darwin-it. Darwin-i u habit që argumentet e tij përputheshin në këtë pikë me formulimet e Wallace, ndërkohë që Nga ana e tij, konkluzionet e para, Darwin-i i kishte bërë të njohura në një rreth të kufizuar miqsh. Meqë kishte një përkim idesh, dhe duke qënë se Darwin-i e kishte teorinë e tij më të gjërë dhe më të argumentuar, si xhentëllmen që ishte, ai vendosi që këtë «kujtesë» të Wallace, botimet e mëparshme si dhe formulimet e fundit të tij, t’i diskutoheshin në një rreth të gjërë akademikësh. Dhe ashtu do të bëhesh, edhe pse Wallace ishte një biolog i ri, 14 vjeç më i ri se Darwin-i, dhe jo me atë pasuri zbulimesh e vëzhgimesh shkencore. Ky kolegj i dha prioritet Darwin-it, meqë teoria e tij ishte shumë më e hershme dhe më e argumentuar shkencërisht në bazë të vëzhgimeve të tij shkencore, veçanërisht të atyre të bëra me anijen «Beagle».

 

Teoria e evolucionit

 

Në vitin 1859, pas deklarimit të teorisë së tij Teoria e Evolucionit, brënda një kohe të shkurtër ai shkroi kryeveprën e tij origjina e llojeve (Mbi origjinën e llojeve përmes seleksionimit natyral, – On the Origine of Species by Means of Natural Selection, që është dhe titulli i plotë). Ai zbuloi kompleksitetin e llojeve për ekzitencë, pra seleksionimin natyral drejt perfomancës dhe këtë jo vetëm tek bimët por edhe tek qëniet. Kjo ishte «lufta për jetën», siç do ta cilësonte atë kohë filozofi Maltus. Kjo teori e luftës brënda llojit, arrin deri në atë fazë zhvillimi, saqë njëri grup performant nuk arrin më të kryqëzohet me grupin tjetër që më parë i përkiste, duke krijuar kështu një lloj të ri brënda species, që është më i fortë, më rezistent, më i përsosur. «Seleksionimi natyror, – shkruante Darwin-i, – kërkon në çdo çast dhe në të gjithë botën variacionet e tij më të mira brënda llojit; ai largon ato që janë të padobishëm dhe ruan të dobishmit; ky seleksionim bëhet në heshtje dhe me këmbëngulje, kudo e gjithnjë, sapo i paraqitet rasti për të përmirësuar kështu të gjitha qëniet e organizuara relativisht në kushtet e ekzistencës organike dhe inorganike.»

Debati i madh rreth teorisë së Darwin-it u bë në Oksford, në vitin 1860, dhe ky ka qënë një nga ngjarjet më të mëdha shkencore të asaj epoke, që analistët dhe filozofët i referohen gjithnjë. Vetë Darwin-i nuk asistoi në këtë debat rreth veprës së tij, meqë atë ditë ai ishte shumë sëmurë. Debati u zhvillua mes mikut të tij, natyralistit Thomas Huxley, mbrojtës i teorisë darviniane, dhe peshkopit të Oksfordit, që njihej si një radikal i madh. Pas debateve të ashpra, kur peshkopi i tha midis të pranishmëve se “çdo të thoshte atëherë po ta pyesnin nëse ai rridhte nga majmuni”, Huxley i ishte përgjigjur: «Mendoj se nuk është turp për një njeri që ka patur stërgjysh një majmun. Nëse do të kishte turp, kjo do të ishte më tepër ndaj një njeriu, i cili në çështje shkencore, të huaja për të, ndërhyn duke kërkuar të errësojë përmes paragjykimesh fetare.»

Në fakt, Kisha angleze, por edhe më shumë ajo skoceze, sundohej nga një rrymë mendimi evolucionist dhe nuk iu kundërvu hapur Darwin-it, edhe pse teza e Kishës ishte gjithnjë krijimi i njeriut dhe i botës nga Zoti. Madje dhe kur Darwin-i vdiq, atij iu bë një nga varrimet më madhështore nga Kisha anglikane. Ai u varros në varrezat e Westminster, disa hapa larg varrit të Njutonit, atje ku ishte dhe kryeqëndra e kishës anglikane. Atë ditë, ku kishin ardhur nga akademitë e gjithë Evropës, arkivoli mbahej nga miku i tij Wallace dhe shkencëtari tjetër Hooker. Pra, në këtë paradoks të madh, Darwin-i ishte bërë një lloj heroi kombëtar, i cili tashmë kurorëzohej nga kisha. Vetëm peshkopët e mbledhur në Këln e dënuan menjëherë teorinë e Darwin-it. Në Romë, Papa Pie IX, foli atëherë për «broçkullat e darvinizmit» por megjithatë Vatikani nuk e dënoi atë zyrtarisht, meqë, sigurisht, evolucioni i botës dhe i specieve egzistonte realisht dhe argumentohej nga fakte të pakundërshtueshme. Natyrisht, kryevepra tjetër e Darwin-it që ishte Prejardhja e njeriut, botuar më 1871, (The descent of Man and Selection in relation to sex), ishte vepra më e diskutuar e tij nga rreth fetare dhe radikale jo vetëm në të gjallë të tij, por edhe më vonë dhe deri në ditët tona. Në Prejardhjen e njeriut Darwin-i shkruan se «objekti i vetëm i kësaj vepre është të konsiderojë së pari që njeriu, si çdo lloj specie, rrjedh nga një lloj tjetër i mëparshëm; së dyti, mbi mënyrën e zhvillimit të tij dhe së treti, për vlerën e ndryshimeve që ekzistojnë midis asaj që quhet racë njerëzore.»

Që në të gjallë të tij, Darwin-in do ta shoqëronin shumë fyerje e karikatura që botoheshin në revistat e kohës, ku Darwin-i kishte një fytyrë majmuni dhe shpesh kacavirej nëpër pemë, çka krijonte të qeshura tek çdo lexues. Pas vdekjes së Darwin-it në vitin 1882, interpretime të shumta u bënë rreth «darvinizmit social», pra interpretimin e teorisë darviniane në fushën sociale, me problematikën e madhe të saj, që do të përfshinte  gjer dhe revolucionet e para të fillimit të shekullit XX. Si vallë funksiononte seleksionimi natyror? Vallë a funksionojnë të njëjtat ligje?…

 

Në vazhdën e zbulimeve të mëdha

 

Zbulimi i Darwin-it, ashtu si dhe zbulimet e mëvonshme shkencore që i dhanë zhvillimit një interpretim të ri, nuk u bë në një terren djerrë, por në vazhdë të një udhe të pasur me ngjarje shkencore e zbulime të mëdha. Nuk është fjala vetëm për lëmin filozofik dhe zbulimet shkencore të kohës së Antikitetit dhe Mesjetës, por në veçanti të kohës së Copernic-ut, Galile-ut, Giordano Bruno-s, etj. Zbulimet e mëdha shkencore kishin sjellë në atë kohë ndarjen e shkencës nga feja. Tepër të rëndësishme ishin dhe veprat e Decarte-it dhe Newton-it, studimet e Copernic-ut, i cili ishte i pari që mendoi për «heliocentrizmin», (ndërtimin e sistemit diellor dhe diellin si qëndër të botrave), pra që Toka nuk është në qëndër të botës dhe se ajo rrotullohet rreth diellit. Por evolucioni i vërtetë kishte ardhur me Galile-un kur në vitin 1609, ai zbuloi teleskopin për të vëzhguar qiellin, planetet, duke zbuluar shkencërisht hipotezën e Copernic-ut (i vdekur në vitin 1543). Më 1600, Giordano Bruno digjej si heretik në sheshin Campi dei Fiori, në Romë, i akuzuar nga Vatikani se ishte partizan i heliocentrizmit. Bruno në fakt, kishte qënë një prift domenikan që mbronte idenë se duhej të kishte dhe botra të tjera. Por sigurisht, nën influencën e shekullit të Lumières, (filozofëve dhe shkencëtarëve të mëdhenj fracezë të atij shekulli), shkenca do të shkëputej tërësisht nga feja në shekullin e XIX me filozofë si Fojerbah, Marx, Freud e shumë të tjerë. Frojdi botoi veprën e tij të famshme Moisiu dhe monoteizmi, etj.

Edhe pse në enciklikën Humani generis, të vitit 1950, ku Papa Pie XII shpjegoi se nuk ka opozitë midis evolucionit dhe doktrinës së besimit të njeriut, edhe pse më 1966, Gjon Pali II, foli në Akademinë pontifikale të shkencave se «Njohuri të reja na çojnë që të mos e konsiderojmë teorinë e evolucionit si një hipotezë», përsëri, Kisha flet për teori të ndryshme evolucioni, ku disa janë materialiste dhe jo kompatibël me doktrinën katolike dhe të tjera që janë jo kontradiktore me doktrinën. Ky nuancim, është sot një pozicionim delikat i Kishës, kur zhvillimet e shumta shkencore, veçanërisht gjenetika, kanë sjellë deshifrime të habitshme rreth llojit njerëzor, ndërtimit të tij shkencor, etj. Lufta e hapur sot është në fushën e etikës shkencore, lidhur me embrionet, ku feja lufton dhe e dënon përdorimin e shkencës që mund të shpërfytyrojnë llojin njerëzor.

 

Kreacionizmi kundër darvinizmit

 

Që prej një shekulli, fondamentalistët amerikanë kanë kërkuar e vazhdojnë të kërkojnë ndalimin e mësimit nëpër shkolla të Teorisë së Evolucionit të Darwin-it. Në fakt kjo luftë është hapur që në fundin e shekullit XIX, kur James Woodrow, një nga përkrahësit e flaktë të darvinizmit, u përpoq të bashkonte pikëpamjet e Kishës me ato të Darwin-it, u akuzua për herezi dhe u përjashtua nga Kisha anglikane. Dihet që debati më themelor është mbi Gjenezën, librin e Moisiut, që siç thuhet nga Kisha, është shkruar nën frymëzimin dhe diktimin e drejtpërdrejtë të Zotit. «Neo-kreacionistët», (Young-earth creationists, apo të cilësuar shkurtimisht YEC), praktikojnë një lexim litral të 11 kapitujve të librit të Gjenezës, duke afirmuar se krijimi i botës është bërë brënda 6 ditëve. Kryepeshkopi James Ussler jep si datë të krijimit të botës vitin 4004 p.e.s;. të tjerë pohojnë për dhjetë mijë vjet më parë dhe disa të tjerë, njëzet mijë vjet. Pra gjithçka, të gjitha speciet, njeriu dhe kafshët janë krijuar «ex-nihilo», nga hiçi. Për kreacionistët, «evolucioni është veçse një mit». Sipas tyre, Bibla tregon qartë dhe me bindje, se si u shfaq jeta në tokë: Adami, Eva, arka e Noe-s, etj… Por çdo të thoshte në të kundërtën sot kozmologu i famshëm Hubert Reeves, kur ai pohon se krijimi i planetit tonë është bërë në 4,5 miliard vjet? Edhe Shën Agustini në fillimet e kristianizmit e kishte kuptuar se krijimi i botës nuk mund të bëhej brënda gjashtë ditëve, duke shtuar se kjo deklarohej kështu sepse mundësitë imagjinative dhe intelektuale të njerëzve të asaj kohe ishin të kufizuara.

Që të kuptosh thelbin e debatit të kreacionistëve, duhet tu referohesh padyshim dhe dy vargjeve të para të librit të Gjenezës: «Në fillim Zoti krijoi qiellin dhe tokën”, (1), dhe pastaj, “Por toka ishte bosh dhe e vagët, errësirat mbulonin humbëtirat, një erë e Zotit vërtitej mbi ujra” (2)… Kur pyet sot ideologë të Klerit, disa prej tyre thonë se sigurisht, nuk janë dashur gjashtë ditë për krijimin e universit, por është dashur një kohë më e gjatë, etj. Sigurisht, fusha më e ndjeshme krahas genetikës është dhe paleontologjia, prejardhja e njeriut, origjina e krijimit njerëzor, prejardhja e tij, ku ende në studimet paleontologjike, shfrytëzohen disa boshllëqe për të hedhur poshtë teorinë e Darwin-it. Po cili është njeriu i parë? “Neandertal man” i familjes së Homonidëve? Cro-Magnon? Eshtë «homo sapiens”? Eshtë Lucie skeleti i kësaj gruaje që mbahet si njeriu më i vjetër, apo janë specie të tjera të gjetura së fundi në Afrikë dhe Azi?…

Më 1925, në shtetin e Tenesse të Amerikës u aprovua një ligj, i cili ndalonte të mësohej në shkolla çdo «teori që mohonte natyrën hyjnore të krijimit njerëzor, siç shkruhet në Bibël». Po kështu dhe në shtetet e tjera amerikane, si në Karolinën e jugut, në Alabama, Texas, Georgie, Florida, Oklahoma, ku darvinizmi cilësohej «subversiv» dhe në shërbim të të «kuqve». Ky ligj qëndroi në Amerikë për një kohë të gjatë, deri sa në vitin 1968, Gjykata Supreme e Amerikës e anulloi këtë ligj. Më 1984, “Natinal Academy of Science” e Amerikës, krijoi një Komitet Special mbi «kreacionizmin». Tre vjet më vonë, një gjykatë amerikane anulloi vendimin për ndalimin e ligjit të 1968, që u lejonte profesorëve tu mësonin nxënësve teorinë e evolucionit. Sipas një ankete të CBS, të zhvilluar në vitin 2004, 55% e amerikanëve besojnë ende se Zoti e ka krijuar njeriun kështu siç është sot. Edhe krerë të judaizmit, si Moshe Feinstein, i kanë bërë një luftë të madhe Darwin-it, duke ndaluar librat e tij në shkollat hebraike, edhe pse rabinë të tjerë të mëdhenj, si ai i Palestinës, Abraham Isaao Ha-Kohen Cook, (i vdekur në 1935), pohonte se «teoria e evolucionit të Darwin-it përkon me teorinë e «kabbale»-s të hebrenjve në librin e Shenjtë. Më 1999, në shtetin e Kansas, nga dhjetë anëtarë të Komitetit Shtetëror për Arësimin, gjashtë vendosën me maxhorancë për të zhdukur nga programet dhe tekstet shkollore çdo referencë rreth Darwin-it dhe teorisë evolucioniste të tij. Ne këtë fillim mijëvjeçari, «kreacionistë» të rinj kanë shpallur luftën kundër Darwin-it në emër të Zotit, dhe kjo në emër të një aleance fetare kundër darvinizmit. Në këtë kuadër ishte së fundi dhe botimi i Atlasit të krijimit, një botim lluksoz i financuar nga radikalë të fuqishëm dhe lobet kreacioniste të Amerikës. Shumë site internet janë krijuar rreth këtij Atlasi të hartuar nga një studjues turk i quajtur Harun Jahja, i cili e akuzon Darwin-in si atin shpirtëror të Hitlerit, Stalinit dhe të terrorizmit bashkëkohor, meqë Darwin-i e konceptonte konfliktin si një koncept natyror dhe njerëzor njëkohësisht. Pra sipas këtij studiuesi, Darwin-i na qënka një «justifikues i luftrave shfarosëse në emër të seleksionimit» dhe në këtë kuadër, ai thërret të treja fetë monoteiste të bashkohen në një kryqëzatë kundër Darwin-it. Por ai harron se t’i kundërvihesh sot Darwin-it, do të thotë t’i kundërvihesh shkencës, thelbit të saj. Sot në betejën e «kreacionistëve» kundër Darwin-it janë angazhuar çuditërisht dhe genetistë të njohur amerikanë të cilët çuditërisht sot pohojnë se «Të gjitha llojet e qënieve janë krijuar nga aktet direkte të krijimit hyjnor». Pra duket qartë pesha e madhe që ka sot feja jo vetëm mbi shoqërinë por dhe mbi shkencën dhe zhvillimet shkencore.

 

Darwin-i dhe shpjegimi simbolik i botës

 

Shumë studjues fetarë, duke parë se argumentet darviniane të seleksionimit natyror dhe origjinës së specieve janë të parefuzueshme dhe se pasazhe të librit të shenjtë bien ndesh me historinë e njerëzimit, pohojnë se Bibla nuk i duhet kundërvënë as Darwin-it dhe as të rejave historike të zbuluara së fundi, por Libri i Shenjtë duhet lexuar në mënyrë “simbolike”. Kjo mënyrë e re vështrimi, kërkon të largojë nga ndeshja mes tyre evolucionin shkencor me frymën e shenjtë të krijimit.

Para pak kohësh, në Londër, historiani Georges Smith njoftoi botën shkencore se kishte zbuluar një pllakë të vjetër të kryeqytetit të Perandorisë Asiriane, Ninive, një tregim mbi «Kataklizmën», që datonte shumë kohë më parë se datimi biblik rreth kataklizmës dhe gjenezës. Ky zbulim shkencor e hidhte poshtë me argumente, tezën e formuluar prej dy mijë vjetësh, (por edhe më parë, sipas Testamentit të vjetër), të krijimit të botës drejtpërdrejt nga Zoti. Sigurisht, arkeologët dhe historianët vazhduan të verifikojnë tezat e ndryshme biblike, përmes krahasimit të fakteve dhe gjetjeve të ndryshme, punë që vazhdon edhe sot. Po kështu ndodh dhe kur krahason fragmente të Epopesë së Gilgameshit, të kësaj poeme madhështore me 300 strofa, gjetur gjatë zbulimeve arkeologjike në Ninive. Miti i super të mënçurit ka qënë që në mijëvjeçarin e tretë p.e.s. Kjo histori relaton kataklizmën e shkaktuar nga Perëndia “për të dënuar njeriun që ishte bërë shumë i zhurmshëm”. “Çdo farë të jetës, – këndohet në këtë sagë poetike, – unë e vura në një anije dhe mbylla portën. Sapo agoi, re të zeza filluan të mblidhen. Era dhe kataklizma shkatërruan gjithçka. Kur erdhi dita e shtatë, deti u qetësua, po kështu dhe uragani e kataklizma. Dhe gjithë njerëzimi ishte transformuar në baltë.”

Para dy vjetësh, arkeologu Eilat Mazar, zbuloi në Jeruzalem rrënojat e pallatit të Davidit të shekullit X p.e.s., të Davidit fitues mbi Goliatin gjigand, që ishte mbreti i dytë i Izraelit. Po kështu, është provuar tashmë se tekste, (pjesë), të Dhjetë Urdhërave, (Porosive), gjënden gati fjalë për fjalë në tekste para epokës së Moisiut, të viteve 1200 p.e.s., pra ngjashmëri me tekste të mbretit babilonas Hammurabi, (rreth vitit 1750 p.e.s.), ndërkohë që Bibla thotë se Moisiu i mori porositë nga Mali i Sionit drejtpërdrejtë nga Zoti, tradita mesopotamike bën të njohur se ligjet mbretërore u janë diktuar njerëzve nga Dielli, zoti i Drejtësisë, nga maja e një mali. Po kështu një ngjashmëri e dukshme janë dhe fragmente të ndryshme midis dy kodeve të vjetra. Në Eksodin e Biblës, thuhet se «nëse një dem godet me brirë një burrë apo një grua, i cili vdes, atëherë demi vritet dhe nuk i hahet mishi. Pronari i tij konsiderohet i pafajshëm.» Ndërsa në kodin e Hammurabi-së, në pikën 250, shkruhet: “Nëse një dem, duke kaluar në rrugë godet me brirë dikë, i cili vdes, pronari i tij nuk detyrohet të shpaguaj». Në shekullin e VI p.e.s. shumë hebrenj ishin robër në Mesopotami dhe kuptohet se ata e njihnin kodin e Hammurabi-t, i cili ishte shumë më i vjetër se kodi i tyre, Bibla hebraike. Kuptohet që Bibla e sotme, ajo që i është transmetuar njerëzimit, ka huazuar e integruar brënda saj shumë tregime më të vjetra sesa Bibla Hebraike apo Bibla Kristiane (jo vetëm ringjallja e Krishtit p.sh. të kujton ringjalljen e Osiris të Egjiptit të lashtë, por edhe ngjarje historike, siç është dhe ajo e Arkës së Noe-s, për të cilën dëshmon dhe burimi i parë hebraik i kohës së Krishtit, Flavius Josef-it, etj. Por sidoqoftë, tregimet e ndryshme biblike dhe teoria e evolucionit e shpjegojnë botën, njeriun dhe historinë njerëzore nga kënde diametralisht të kundërta. E megjithatë, ato mund të bashkëjetojnë pa shpallur luftra dhe kryqëzata.

Darwin-i ishte një shkencëtar që i shërbeu jo ideologjive, por shkencës dhe kuptimit të botës, ashtu si dhe Bibla, (hebraike dhe kristiane), apo Kurani, janë tekste që edhe pse e shpjegojnë botën në një mënyrë të kundërt nga Darwin-i, përsëri ato i kanë dhënë njerëzimit një referencë që me sa duket, ai e ka patur të domosdoshme. Jo më kot shkrimtari francez André Malraux, i njohur me letërsinë revolucionare të viteve 30 të shekullit XX (La Condition humaine), etj, deklaroi në fund të jetës së tij se “Njerëzimit të shekullit të ardhshëm do t’i duhet të integrojë mitet”. Eshtë fjala për mitet që i kemi harruar…

 

 

 

Filed Under: Sociale Tagged With: Darvini, kunder Hyjnive, Luan Rama

NJE BARONESHE GJERMANE NE VLORE ME 28 NENROR 1912

August 28, 2013 by dgreca

KUSH ISHTE BARONESHA GJERMANE QË NDIHMOI PAVARËSINË E SHQIPËRISË/

Marie Amelie von Godin Baronesha Gjermane që ndihmoi pavarësinë e Shqipërisë dhe mori pjesë në shpalljen e saj, me 28 Nëntor 1912/

Ne Foto:    Marie Amelie von Godin/

Shkruan:Mr.sc.Nue Oroshi

Baronesha Gjermane Marie Amelie von Godin deri më tani nuk është e njohur fare në  botimet në gjuhën shqipe. Derisa shumë studius tanë shqiptarë  janë marrë me një shkrimtare tjetër atë Angleze Mary Edith Durham, nën hijen e harresës është mbetur baronesha gjermane Marie Amelie Von Godin. E ndjejë veten vërtet të priviligjuar që jam studiuesi i parë shqiptar që po e bëj një studim për miken e madhe të popullit shqiptar, për miken tonë, e cila nga sirtarët e shtëpisë së Ekrem bey Vlorës e mori Flamurin Shqiptar dhe jua dha Atdhetarëve Shqiptarë që pikërisht në këtë ditë, me datën 28 Nëntor 1912, të valojë në Vlorë. Baronesha Gjermane asnjëherë deri në vdekje nuk u ndal së punuari për kulturën, gjuhën dhe historinë e popullit shqiptar. Ajo për rreth tri dekada rresht 1908-1938 e vizitoi Shqipërinë dhe qëndroi për çdo vit rreth gjashtë muaj në Shqipëri. Albanologu Robert Elsie për Baroneshën Godin do të deklaronte: ka qenë njëra ndër autorët më të  rëndësishëm në fushën e Albanologjisë, edhe pse shkrimet e saja pjesërisht kanë mbetur të pazbuluara. Është turp që asnjë studiues ende nuk është marrë me biografinë e saj. Fjalori nuk ishte i pari,  por fjalori i parë që ia ka kaluar fjalorëve të tjerë që ishin dalur deri me tani.

Baronesha Marie Amelie Julie Anna Freiin von Godin ka lindur me 7 Mars 1882 në Munih dhe ka vdekur në vitin 1956 ku nganjëherë është quajtur edhe Amalia Maria. Ajo ka qenë një shkrimtare nga Bavaria, veprimtare për të drejtat e grave, përkthyese si dhe studiuese e kultures  shqiptare.

Marie Amelie Freiin von Godin  si vajzë e mbretërorit të Bavarisë dhe Këshilltarit për Drejtësi Bernhard Freiherr von Godin, si dhe gruas së tij Julie e lindur Eichethal nga Munihu. Me dashuri të madhe ajo e filloi jetën në vendlindjen e saj në Bavari. Ajo ka qen një tip shumë interesante, dhe, nuk ka treguar shumë interese për vyrtytet femërore, ajo gjithashtu ka pasur dëshirë që të studion në Zürich, ku në atë kohë kanë studiuar femrat. Por prindërit e saj Julie e lindur Eichthal si dhe babai sekretar i Drejtësisë Bernhard Karl Gottfried Freiherr Godin, nuk ja lejuan një gjë të tillë. Godin e vazhdoi jetën në shtëpi ku filloi edhe të shkruaj shkrimet e para. Qysh në vitin 1902 filloi ajo të shkruaj për gazetat Kölnische Volkszeitung dhe Tägliche Runschau.

Përkundër lëvizjeve dhe qëndrimeve të shpeshta jashtë vendit ajo kishte një vendbanim të përhershëm në Rindermarkt 3 në Munih. Së bashku me tre vëllezërit dhe motrat e saj ka marrur fillimisht mësimet  në shtëpinë e prindërve të saj,  si dhe ka vizituar një shkollë fetare Sacre Coeur në Riedenberg si dhe në Austri në qytetin e quajtur Vorarlberg ka vazhduar në shkollime ku ka studiuar për gjuhë të huaja dhe Art. Pas shumë vizitave që ka bërë janë parë edhe shumë vizatime dhe skica të saj.

Në rininë e saj ajo kishte vendosur që të udhëtonte së bashku me vëllain e saj Reinhard, ku dhe ata të dy kanë udhëtuar në Triestë, dhe me anije kanë shkuar në Athinë, Stamboll dhe Jeruzalem. Në vitin 1906 në bordin e një anije që udhëtonte për Konstantinopol ajo për herë të parë takon një shqiptar, Avdi Bej Delvinën, i cili e ftoi atë të vizitonte Shqipërinë. Në vitin 1908 ajo më në fundi erdhi në Shqipëri ku edhe u takua me Ekrem bej Vlorën.

Nga të gjitha vendet që i ka vizituar ajo në atë moshë të re,  më së shumti është fascionuar nga Shqipëria,  që në këtë periudhë ende ishte pjesë e Perandorisë Osmane. Ku ajo në vazhdimësi në një periudhë kohore prej tridhjetë vitesh do të udhëtonte dhe qëndronte në Shqipëri  meçrast gjatë ardhjes së Princit Gjerman Wilhelm Von Wied ajo sherbeu si këshilltare, përkthyese dhe shoqëruse e tij.

Gjithashtu, në këtë periudhë kohore ajo në Durrës ndimoi shumë të sëmurë dhe të varfër të cilët ishin prekur nga sëmundjet e ndryshme.

Por më von ajo ishte e impresionuar nga një politikan i mëvonshëm i Shqipërisë me emrin Ekrem Bey Vlora 1885-1964, që më heret ka qenë luftëtar për mbrojtjen e Shqipërisë. Për shkaqe religjioze  që të dy që në fillim ishin tërhequr nga martesa. Por deri në vdekjen e saj ata kanë qenë shumë ngushtë të lidhur dhe në kontakt të afërt, ku kanë punuar në një projekt të përbashkët për Historinë e Shqiperisë (Projekt i pakompletuar), si dhe në një projekt tjetër të Fjalorit Gjermanisht-Shqip, ku pjesa e parë e këtij fjalori është shtypur nga shtëpia botuese Harrassowitz në Leipzig në vitin 1930.

Kujtimet e Marie Amelie von Godin me rastin e Shpalljes së Pavarësisë se Shqipërisë më 28 nëntor 1912

Marie Amelie von Godin pati fatin që të ishte aty në Vlorë me 28 Nëntor 1912,  kur u shpall Pavarësia e Shqipërisë. Madje në kujtimet e saja ajo sqaron shumë mirë, se si flamurin që  e mbante Ekrem Bey Vlora ja kishte dhënë politikanëve shqiptarë, dhe ky flamur valoi me 28 Nëntor 1912 në Vlorë.  Në disa shënime të ndryshme që janë botuar në Gjermani thuhej, se Marie Amelie von Godin ka ndihmuar shumë edhe luftëtarët shqiptarë që luftonin kundër Përendorisë Osmane. Vlora një fole e vogël që mezi ka 5000 banorë, brënda natës popullsia e saj është dyfishuar. Gjatë kësaj kohe Ekrem Bey Vlora katër javë para se të mbërrinte xhaxhai i tij,  e udhëhiqte një grup ushtarësh për mbrojtjen e Labërisë për të mos ra nën pushtimet Greke. Dhe pas thirrjes për Pavarësinë e Shqipërisë ai vetë nuk ishte prezent -shkrun Amelie von Godin, e cila kishte disa javë që qëndronte si mysafire në shtëpinë e tij në Vlorë, e cila i kishte ndjekur ngjarjet me vëmendje dhe në mënyrë direkte nga syri i saj. Dy ditë të tëra e kemi pritur mbërritjen e tij, ka shkruar ajo në kujtimet e saj: Për një Shqipëri të Pavarur, ka ardhur ai natën kur të gjithë flinin. Mëngjesin tjetër, me 28 Nëntor, unë nuk do ta harroj. Unë jam quar normal në mëngjes, kur një burrë më thërret me zë nga koridori: Aty e takoj Hudei Effendi nga Vlora. I cili më tha, e dijmë zonja Baroneshë, që Ekrem Bey e ka një flamur Shqiptar ma jepni mua ju lutem, që ai flamur sonte do të valoi, dhe ne do të jemi të pavarur, ku do ta shpallim Pavarësinë e Shqipërisë. Unë e solla flamurin, flamurin e parë shqiptar që Ekrem Bey Vlora që prej tetë vitesh, edhe gjatë udhëtimeve që bënte nëpër Shqipëri e mbante afër vetes, persëri në një kohë kur kjo ishte rrebtesisht e ndaluar mbajtja e flamurit, si dhe përdorimi i gjuhës shqipe, ku kjo përbënte rrezik për t’u burgosur ose internuar.

Dhe më pas vazhdonte ajo:

Në atë ditë unë kam qenë e mbushur me plotë gëzim, sepse isha e bindur që Ismail Qemal Beu këtë hap nuk e ka marrë pa e ditur dhe peshuar mirë humbjen e Turqisë nga Evropa, që në bazë të përshkrimeve të mia del, se ky burrë nuk ka mundur atë ta bëj vetëm për çështje avantureske, që ta shkatërroi vendin e tij, por kjo gjë të prodhoi diçka të mirë për Shqipërinë.

Në të njëjtën ditë në hyrjen  e shtëpisë së Xhemil Bej Vlorës flamuri shqiptar vërtet valonte. Në ballkon ku dritaret ishin të hapura ka qenë Ismail Qemali, së bashku me deputetët e Shqipërisë që kanë ardhur së bashku me ta, Avdi dhe Murat Bey Toptani, Sali Efendi Gjuka, Mithat Bey Frashëri, Dom Nikollë Kaqorri, Riza bey Gjakova dhe shumë të tjerë.

Në kopsht kanë qenë krye për krye, shqiptarët që ishin mbledhur, ku në mes të Toskëve aty ishin edhe Gegët më plisat e tyre tradicionalë, që rrinin aty të qetë. Të gjithë plisbardhët aty mbanin armët në krahë. Kur flamuri u ngrit aty, ishin të lumtura edhe gratë që ishin brënda. Një burrë i vjetër afër derës së shtëpisë më ka thirurr me një zë të lart dhe të plotë “Pasiqë unë këtë ditë e pashë, unë dua që tani të vdes”. Sepse kjo ngjarje e cila ndodhi vetëm para disa qastesh është paguar shumë shtrejt me gjakun e shumë gjeneratave, dhe ka pasur shumë viktima. Kur flamuri valonte, të gjithë së bashku e kanë kënduar këngën, Për mëmedheun, dhe për flamurin Shqiptar, dhe më pas kanë folur më radhë Ismail Qemali, Dom Nikollë Kaqorri dhe Murat Bey Toptani.

Baronesha Marie Amelie von Godin për Dom Nikollë Kaqorrin dhe Pater Anton Harapin

Baronesha Godin në shkrimet e saj jep vlerësime edhe për atdhetarët shqiptarë. Në një shkrim për don Nikollë Kaqorrin ajo do të shkruante “Nikollë Kaqorri ishte një burrrë që nuk tërhiqej nga rruga e tij, vetëm ai kishte gjithmonë karakterin e fortë e kurajon për të kundërshtuar Ismail Qemalin dhe mund të themi me plot gojën se në përbërjen e Qeverisë Provizore, ai ishte përfaqësuesi i së Drejtës.  Jam i sigurt se ky burrë megjithëse në fushën fetare është besimtar, pranon tolerancë për hirë të Shqipërisë  sepse ndryshe nuk do të mendohesh për një përparim të kënaqshëm të atdheut të vet. Çdo veprim i tij është i logjikshëm dhe asnjëherë nuk shkelë në derrasë të kalbur, e nuk i ikën balta nga këmbët”.

Është shumë interesant vlerësimi që bën Baronesha Godin për Patër Anton Harapin, ku fjalët e patër Anton Harapit të thëna para Gjykatës Komuniste ajo do ti boton në Kopertinën e Romanit Historik që kryekput do t’ja kushton Patër Anaton Harapit. “Pushteti dhe forca janë të shkurtëra dhe kalimtare -thoshte Pater Anton Harapi kundërshtar i Enver Hoxhës. Unë kam qenë dhe jam kundërshtari i juaj.

Me qenë i lirë, gjithnjë isha angazhuar përsëri kundër jush, i kisha tubuar të tjerët që tju dëbojmë juve. Çka ju nevoiten dëshmitarët. Çka unë e kam bërë nuk e mohoj dhe nuk kam nevojë për mbrojtës.Unë e di se si ky proces do të përfundoi. Unë nuk kam frikë vdekjën dhe nuk pres ndonjë gjë tjetër nga ju. Turp dhe turp për mua do ishte mëshira e juaj, ç’nderim dhe turp është për mua hiri juaj. Unë nuk do të mbijetojë shëmbjen e Shqipërisë.  Shqipërinë time të dashur, siq unë e kam planifikuar, siq unë e kam mbjellë dashurinë për atdheun. Ju jeni të korruptuar dhe të mashtruar përmes një mësimi të qmendur, që sot jeni  plotësisht në shërbim të botës Sllave, që po ja bëni varrin atdheut tuaj. Për këtë qmenduri tuajën që jeni duke e bërë në shërbim të sllavizmit unë jam duke lotuar me lotë të përgjakur. (Pjesë nga procesi Gjygjësor kundër Pater Anton Harapit)

Këto ishin fjalët përfundimtare të një njeriu dhe burri që jetën e tij ia kishte falur Shqipërisë, që si  moto e kishte ta drejton Shqipërinë në një ardhmëri  të lumtur, përfundon Baronesha Godin.Ajo gjithashtu në  romanin  historik për veprën dhe jetën e Patër Anton Harapit,  që në fillim thotë, se Patër Anton Harapi është pasardhësi i shkrimtarit të madh shqiptar Atë Gjergj Fishta. Ajo shkruan, se të gjithë e njohin Patër Anton Harapin  prej Sarandës e deri në Shëngjin, prej Durrësit e deri në Pejë,  ai ishte dy vite qeveritar Shtetëror i Qeverisë Shqiptare, derisa dha dorëheqje me ardhjen e komunistëve në pushtet. Ky Roman është botuar në vitin 1963 nga shtëpia botuse Steyer Verlag, shtatë vite pasiqë kishte ndërruar jetë Baronesha Marie Amelie von Godin, dhe ka gjithsejt 207 faqe.

Veprat e Botuara dhe studimet e Baroneshës Godin për Shqiptarët

Baronesha Marie Amelie  von Godin përveç shkrimeve e studimeve që shkruante dhe botonte në Gjermani mbi qështjen shqiptare ajo mirrej edhe  me mbrojtjen dhe të drejtat e grave në Gjermani si dhe njekosisht ishte edhe Antare e Shoqatës së Shkrimtarëve të Bavarisë. Ndër veprat e saja mbi Shqipërinë janë edhe këto botime të saj:1. Aus dem Land der Knechtschaft. Albanische Novellen. Wien:Josef Roller 1913.- 465 s,2.

2. Aus dem neuen Albanien. Politische und Kulturhistorische Skizzen. Wien: Josef  Roller, 1914.-126 s.,

3. Befreiung Roman aus dem modernen Albanien Regensburg Habel 1920.- 544 s,

4.Die Bessa der Jakub Schara. Albanische Erzählung. Jena W. Gensch, 1921.-17 s. 5.

5.Wörterbuch der albanischen und deutschen Sprache., Teil I. Leipzig: Harrassowitz 1930-IV und 419mS. (Deutsch-Albanisch).,

6.Auf Apostelfpfaden durch das schöne Albanien, Werl.Franziskus Druck, 1936 (Franziskanische Weltmission. Berichte und Erzählungen 5). -48 s.,

7.Der Tolle Nureddin. Roman aus Albanien. Köln: Bachern, 1936 167 s.,

8. Das Opfer- Roman aus Albanien. Paderbon Verlag der Bonifacius Druckere, 1937.- 188 s.,

9.Gjoka und die Rebellen., Geschichtlicher Roman aus dem Albanien,

10.Der Überfall. Ein Roman aus Albanien. Rothenburg a.N: Pfeiler Verlag, 1955.- 143 s,

11.Di Drei Kolaj Gefährliche Wege im aufstandischen Albanien Würzburg: Arena Verlag 1961.- 140 s. ( 2. Aufl.),

12.Vergessen, Roman aus der jüngsten Geschichte Albaniens. St. Augustin über Siegburg Verlag, 1963. – 207 s.

Në Prill të vitit 1930, Marie Amelie von Godin viziton Franqeskanët në Shkodër. Franqekanët e Shkodrës kërkuan nga Baronesha Godin që të përkthehet në Gjuhën Gjermane Kanuni i Lekë Dukagjinit. Së bashku me Franqeskanët dhe Ekrem Bey Vlorën me muaj të tërë në Shkodër kanë punuar për përkthimin e të Drejtës Zakonore Shqiptare Kanunin e Lek Dukagjinit. Këto pjesë të përkthyera të Kanunit të Lek Dukagjinit në Gjuhën Gjermane do të botohen në Revista Shkencore që botoheshin në Gjermani për qështje të Drejtësisë, siç ishte revista “Zeitschrift für Vergleichende Rechtswissenschaft”  që botohej në Shtutgart.

Me datën 22 Shkurt 1956 Baronesha Gjermane Marie Amalie von Godin është gjetur e vdekur në banesën e saj në Munih të Gjermanis. Baronesha Marie Amelie von Godin përveç kontributit që dha në përgaditjen e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ajo një jetë të tërë ia kushtoi kulturës shqiptare. Deri më tani janë zbuluar 12 vepra të shkruara për Shqipërinë, dhe njëkosisht të botuara nëpër Shtëpitë Botuse Prestigjioze të Kohës në Gjermani, Austri dhe Suedi. Ka botuar gjithashtu me qindra artikuj shkencorë dhe informativë për Shqipërinë dhe shqiptarët, për traditat, doket e zakonet, dhe mikpritjen bujare shqiptare. Vërtet a ishte rastësi shkuarja e Marie Amelie von Godin apo ajo ishte e dërguara e Politikës Gjermane, për të përgaditur Pavarësinë e Shqipërisë, pasiqë që nga viti 1908-1912 plotë katër vite qëndroi dhe punoi me luftëtarët shqiptarë, si dhe me udhëheqësit politikë Shqiptarë, e pikërisht këto vite ishin vitet e Kryengritjeve të mëdha Shqiptare për Pavarësinë e Shqipërisë,  kësaj pyetje nuk mundemi t’i përgjigjemi momentalisht derisa të kemi te kompletuar të gjitha librat, studimet por edhe shumë gjëra tjera interesante që ende kanë mbetur në dorshkrim të Baroneshës Gjermane Marie Amelie von Godin, e cila një jetë të tërë ia kushtoi përkrahjes së Kombit Shqiptar. Por koha është që me emrin e saj të emërohet një rrugë në Vlorë apo Tiranë, ndërsa Institucionet Shkencore Shqiptare të mbledhin, veprën e saj ta përkthejnë dhe ta botojnë edhe në gjuhën Shqipe, në mënyrë që të kemi mundësinë ta njohim të plotë veprën e baroneshës Gjermane Marie Amelie von Godin që ndimoi Pavarësinë e Shqipërisë, dhe ishte zëri më i devotshëm në Evropë për mbrojtjen e qështjes Shqiptare.

 

Filed Under: Featured, Histori Tagged With: Baronesha, Marie Amelie von Godm Vlore 1912, Nue Oroshi

NDIHMO DHE TI!

August 27, 2013 by dgreca

Nje euro per nji hap!/

Familja Bejta ne Austri, bene te ditur se vajza e tyre Kosovarja, me daten 3. Shtator 2012 ka pesuar aksident komunikacioni, me c’rast ka lenduar boshtin kurrizor, gjegjesisht unazat C6, C7 si pasoje e se ciles eshte bere e palevizshme. 
Per sherimin e deritanishem, familja ka shpenzuar shume para, prandaj per sherimin e metejme ne nje institut special ne Austri, per tretman 3 mujor nevojiten rreth 44.000 Euro, te cilat familja nuk mund te i perballoj. Prandaj lusim te gjithe njerezit e mire human, institucionet dhe firmat qe te na ndihmojne. Cdo ndihme e juaja eshte jetike dhe shpresojme qe zoti do tua shperblej per gjestin tuaj human.
Mbesim me shprese.

Ndihmat mund te i derdhni ne xhirollogarine:

Name:         Kosovare Bejta

Konto Nr.   34942 (ose IBAN: AT143502700000034942)

BLZ:    35027 (ose BIC: RVSAAT2S027)

Raiffeisen Bank Huettau

 Me respekt dhe falenderim

Familja Bejta

Filed Under: Komunitet Tagged With: Ndihmo dhe ti, nje hap-1 Euro

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5233
  • 5234
  • 5235
  • 5236
  • 5237
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT