• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

50 vjetori i fjalimit “Kam një ëndërr”

August 24, 2013 by dgreca

*“I have a dream that all men are created equal.”-“Unë kam një ëndërr, që të gjithë njerëzit të jenë të barabartë.”/
*Historianët e kanë cilësuar Marshimin e Uashingtonit si një protestë paqësore dhe frymëzuese, e cila ndryshoi Amerikën/

Dhjetra-mijëra vetë u mblodhën sot në Uashington për të përkujtuar 50 vjetorin e fjalimit historik të të përndershmit Marti Luther King Jr “”I Have a Dream”, “Unë kam një ëndërr”.
Në vitin 1963 afrikano-amerikanët ishin mobilizuar në përpjekje për të kapërcyer diskrimimin racor që kufizonte votimin e zezakëve në pjesë të Shteteve të Bashkuara, bllokonte qasjen e tyre në vende të mira pune dhe i kishte zhytur në varfëri.
Dr. Kingu e mbajti fjalimin para një turme prej më tepër se 250 mijë njerëzve, që tregoi rritjen e peshës politike të lëvizjes paqësore që gradualisht solli si rezultat ligje të reja për mbrojtjen e të drejtave civile të afrikano-amerikanëve dhe grupeve të tjera.
Sot, gjysmë shekulli më pas, Prokurori i Përgjithshëm Eric Holder tha para njerëzve të mbledhur në Uashington se falë pionierëve të të drejtave civile, ai është i pari afrikano-amerikan që drejton Departamentin e Drejtësisë. Ai tha gjithashtu se mbetet akoma shumë për të bërë në mbrojtje të së drejtës së votës për zezakët dhe për të garantuar të drejta të plota civile për grupe të tjera si hispanikët dhe homoseksualët.
Veterani i të drejtave civile Jesse Jackson tha se 50 vjet pas fjalimi të Martin Luther Kingut “ne jemi të lirë por jo të barabartë” dhe i inkurajoi të pranishmit të mos hiqnin dorë nga ëndrra, të vazhdonin të besonin dhe ta mbanin të gjallë shpresën.
Marshimi i drejtuar nga udhëheqësi i të Drejtave Civile më 28 gusht 1963 ua ndryshoi jetën amerikanëve.
50 vjet më parë, i përndershmi Marti Luther King Jr. udhëhoqi një marshim, që ja ndryshoi jetën amerikanëve. Më 28 gusht të vitit 1963, zoti King mbajti në Uashington fjalimin e tij të famshëm “I Have a Dream”, “Unë kam një ëndërr”, para një turme prej më tepër se 250 mijë njerëzve, që u bë një ngjarje madhore në historinë amerikane. Në vazhdim ju njohim me ndikimin e saj:
Një çerek milionë banorë nga i gjithë vendi marshuan për të drejta të barabarta dhe për punë. Kjo demonstratë u mbajt në një periudhë me trazira të mëdha raciale, ndërsa kërkohej t’i jepej fund ligjeve shumëvjeçare që diskriminonin afrikano-amerikanët. I përndershmi  Jesse Jackson thotë se Martin Luther King pati një vision të qartë për simbolikën e marshimit.
“Ëndërra kishte të bënte me ngritjen peshë të shpirtit tonë dhe kjo u arrit me shumë sukses: përparimi drejt lirisë.”
Ata që morën pjesë në miting thonë se atmosfera ishte shumë festive. Shumë historianë janë të një mendimi, se marshimi në fakt ishte një deklaratë e fuqishme, se diskriminimi racial duhet të marrë fund.
“Për herë të parë në historinë tonë ne mundëm të bashkohemi dhe të flasim me një zë dhe për mua kjo është gjëja më e fuqishme që ka ndodhur ndonjëherë”.
“I have a dream that all men are created equal.”
“Unë kam një ëndërr, që të gjithë njerëzit të jenë të barabartë.”
Doktor King e shfrytëzoi mitingun për të shprehur atë që do të bëhej fjalimi i tij më i famshëm.
“I have a dream that all men are created equal.”
King vuri në qendër të vëmendjes luftën e afrikano-amerikanëve për eliminimin e
“Kemi ardhur në një pikë, që ta kujtojmë Amerikën për urgjencën e kësaj çështjeje”.
Momentet më mbresëlënëse të fjalimit ishin kur zoti King foli për aspiratat e tij personale për vendin.
“Unë kam një ëndërr, që katër fëmijët e mi do të jetojnë një ditë në një vend, ku nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës, por nga karakteri i tyre. Sot unë kam një ëndërr.”
Kongresmeni John Lewis, i cili foli gjithashtu në marshim, thotë se fjalët e Kingut ishin të fuqishme.
“Shkallët prej mermeri të monumentit të Linkolnit u transformuan në një katedër kishe moderne dhe më kujtohet kur thonte: unë ëndërroj sot për një endërr që i ka rrënjët thellë në ëndërrën amerikane.”
Dick Miles ishte mes shumë të bardhëve që morën pjesë në marshim.
“Askush nga ne nuk priste një fjalim aq dramatik. Ai fjalim na preku të gjithëve deri në zemër”.
Marshimi në Uashington përfundoi me thirrjen e Martin Luther Kingut që liria duhet të mbizotërojë.
“Më në fund jemi të lirë, zoti ynë i plotfuqishëm, më në fund ne jemi të lirë.”
John Lewis kujton se, ndërsa njerëzit u nisën për në marshim, udhëheqësit e të drejtave civile u takuan në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin John Kennedy.
“Atë pasdite  Presidenti Kennedy na ftoi në Shtëpinë e Bardhë. Ai u soll si një baba krenar. Na përgëzoi të gjithëve.”
“Ky marshim do të mbahet mend si një nga më të mëdhenjtë, në mos demonstrimi më i madh i lirisë dhe i dinjitetit njerëzor në Shtetet e Bashkuara.”
Historianët e kanë cilësuar Marshimin e Uashingtonit si një protestë paqësore dhe frymëzuese, e cila ndryshoi Amerikën(VOA)

Filed Under: Histori Tagged With: 50 vjet, I have a dream

,,Një qytet që duhet të flasë …shqip!”

August 24, 2013 by dgreca

..Por Shitoret e Tiranes dhe shume qyteteve te Shqiperise kane harruar te flasin shqip…

Vëzhgim nga Namik Selmani/

Rendja drejt Evropës së afërt dhe drejt Amerikës së largët jo thjesht si kureshti, po edhe si barazi qytetërimesh, fort na i ka ndryshuar kahjet tona sociale. E duam s’duam edhe do të pranojmë disa prej riteve që qytetërimi perëndimor na i ka “diktuar” me e pa dëshirën tonë. Pak a shumë njëlloj sikur të themi se Ekonomia e tregut përcakton se çfarë do të mbjellësh e çfarë do tregtosh. Na duhet që përdorim reklamat që nuk i kishim më parë, të provojmë pijet e forta ose atë të përzierat që djemtë tanë para se t’i përdorin në lokalet shqiptare të vendit tonë, i kanë përdorur në Evropë. E kemi parë në gjellët tona. Na kanë dhënë një lloj etike ndryshe nga ajo që kemi pasyr në marrëdhëniet  mes njëri- tjetrit në rrugë, në familje, në lokal, në familje, në isntitucione. Pa folur për ndikimin e jashtëzakonshëm që ka  dhënë teknika e Internetit e kompjuterit të celularëve, etj. E nëse në këtë vërshim të Evropës shumë gjëra edhe mund të falen madje, edhe të bëhen ashtu si nuk janë bërë më parë në këtë vend duke shtuar në më të mirën e mundshme zakonet tona me ato të Evropës, nuk mund të falet aspak ajo që shohim sot në rrugët tona, në dyqanet tona pa folur edhe për mjediset zyrtare duke nisur që nga shkollat që po bëhet me gjuhën tonë kombëtare. Nuk duam të lëshojmë këtu sa e sa nene që përdorin kombet e tjera shumë të të kulturuar se në, shumë më afër zbatimit të ligjeve se sa ne. Ligjvëvënësit e këtyre 22 viteve thonë se ne jemi shteti që kemi shumë ligje të mira. Një gjë është e thjeshtë Ajo, gjuha jonë në këto rrugë, në vetrina dyqanesh është goditur si asnjë herë tjetër. Nuk dua që ta shohim problemin si nostalgji për ata rilindas  që punuan u gjakosën e sakrifikuan që në tokën e tyre të mësohej shqip të flitej shqip, të shkruhej shqip. Madje duket pak i dalë mode Petro Nini Luarasi që kishte shkruar që moti: “Mblidhmani gjakun tim se do iu duhet fëmijëve të së ardhmes për të shkruar shqipen” Por po të ishin gjallë nuk e dimë se si do ta gjykonin që ende në pjesën më të kulturuar të Tiranës, që quhet “ BLLOK” në pjesën më të pasur të Tiranës ku shkruhet me të gjithë gjuhët e botës anglisht, frëngjisht, italisht. Vetëm jo Shqip.

Le të marrim njërën prej tyre TABACCO SHOP. Në gjuhë respektive duhe të ketë cigare prodhime duhani brenda tij dhe pije të ndryshme. A nuk ka një emërtim respektiv në gjuhën shqipe për këtë lloj dyqani? Një dyqan dyshekesh ka emrin Vorld Flex. Të gjithë klubet e kanë ”harruar”  shqipen dhe shkruajnë Club. Të gjithë kafenetë e kanë “harruar” emrin shqip dhe e shkruajnë “Cafee” Jo më pak këto “lajthitje” gjuhësore i sheh edhe  te rruga që të dërgon te 21 Dhjetori përballë shkollës “Sabaudin Gabrani” tek Rruga e Durrësit, te “Rruga e Kavajës” etj. Po në një shkalllë më të ulët këtë e sheh edhe te qytete të tjera të Shqipërisë sidomos në qendrat turistike të vendit tonë. Natyrisht atje ka më pak lokale e më pak banorë dhe jo se ka më shumë rregull të tillë që është shkelur me  të dy këmbët kudo. Kudo. Brenda këtij absurdi me plot kuptimin e fjalës në rrugën “Myslim Shyri” ndeshim në një fakt të tillë. Në dy dyqane që shisnin rroba të gatshme ishin shkruar  si tabelë dyqani “Chic ëoman” dhe Vita Boutique”

Po këtu mund të rreshtojmë të tjerë emërtime  “Madison Aveny”, “Favorii Shop”, “Evona nyense” etj, etj. Se si lexohen këto nga një njeri i thjeshtë nuk ka koment.

Edhe dyqanet e pakta të bulmetit, të bukës apo të gazetave me emra shqiptarë rrinë si të drojtur, si jetiëe përballë kësaj lukunie gjuhësore. Një emër si “Kësulkuqe” në barakën e  gazetave të ngroh vetëm në të dhjetat e sekondës se pastaj vazhdojnë sa e sa emërtime me fjalë  të huaja.

Duket se gjuhët e huaja na “kanë pushtuar” edhe mjediset tona. Një sy i thjeshtë qytetari pale i një pushtetari qendror apo i një bashkie të caktuar  që shumë herë për të mos thënë se çdo natë pinë kafe në mjediset e ish Bllokut dhe nuk shohin se çfarë emërtimesh ka në hyrje të këtyre lokaleve.!!!!! Le të marrim një prej tyre Tabacco Shop Pas  këtyre fjalëve shumë të hidhura për një shtet, për identitetin tonë kombëtar, për ligjin tonë që nuk funksionin në të gjithë qelizat e tij e për të folur edhe për moralin shumë të ulët kombëtar, do të pyesnim pak edhe Akademinë e Shkencavë të shtetit shqiptar: “A nuk është edhe ky problem një nga ato që duhet të ngrejë Akademi përpara shtetit, përpara shoqërisë për të realizuar në praktikën e përditshme vënien në jetë të nenit të Kushtetutës sonë që thotë  “Në Republikën e Shqipërisë gjuha zyrtare është gjuha shqipe”?.  Nuk do të ishte e jashtëzakonshme, madje do të ishte shumë normale që edhe vetë Presidenti i Republikës ose stafi i tij të tërhiqte vemendje për këtë fenomen që lidhet drejtpërsëdrejti  me identitetin kombëtar. Jo më pak përgjegjësi morale dhe zyrtare ka edhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve që duhet të kujdeset për mjediset e kulturuara të qyteteve tona. Ne jemi konsumatorë të tregjeve që na kanë zënë rrugët, sytë, na kanë boshatisur shpesh edhe xhepat përtej zbrazëtisë së tyre, po nuk duhet të konsumojmë këtë “mall” që është jasht standartit tonë kombtëtar

Çdo individ qoftë tregtar, qoftë shef, qoftë diplomat mund të bëjë ç’të dojë në shtëpinë e tij , po në mjediset publike, duhet të respektojë ligjet publike që shoqëria e një vendi të caktuar i ka nxjerrë me ligjet e aq më tepër që nuk kundërshtohen në parim për zbatimin e tyre. A i ka shkuar ndonjëherë në mendje Policisë Bashkiake të një qyteti të caktuar, një këshilli bashkiak duke nisur që nga kryeqyteti, që të bëjë edhe kontrolle të tilla ashtu si bëjnë edhe për tatimet, për mjediset e paligjshme që zënë lokalet me vendosjen e karrikeve, të luleve në tortuare para dyqaneve të tyre????? Jo më pak i dëmshëm edhe edhe në planin pedagogjik. Me gjithë mangësitë që ka sot mësimdhënia e gjuhës antare në të gjithë nivelet për shumë e shumë arsye, ajo punë e mirë që bëhet shkërmoqet krejt kur nxënësi i shkollës 9-vjeçare apo edhe i shkollës së mesme  sapo lë pragun e shkollës përballet me “vrasjen “  e gjuhës së tyre amtare në çdo qoshe në çdo rrugë, në mjedise të ndryshme, duke nisur që në dalje të portës së shkollës. Si do vepronin në Francë po që se rrugët e Parisit do të “pushtoheshin“ nga fjalët e një gjuhe të huaj spanjolle, angleze, pse jo dhe shqiptare????. Me sa dimë ende nuk është e qartë se si mund të ndëshkoheshin për këtë “ faj” . Po kur mendon se në ato qindra e mijëra libra që dalin gati çdo ditë në tregun shkronjor, në shkresat  që dalin nga zyrat e shtetit të të gjithë sektorëve që ka shteti që nga komuna më e largët  deri te kryeministria, gjuha është e goditur në të gjithë rregullat gramtikore të leksikut, të morfologjisë të sintaksës, atëherë, vetëm atëherë, mund të qetësohesh për pak sekonda për këtë faj kolektiv dhe institucional që ia kemi bërë vetes

Për fat të keq, edhe këtu forca e shoqërisë civile është e topitur, e butë, gati e padukshme fare. Ne shqetësohemi me të drejtë për fatin e  romëve, të bujqve, të shoferëve taksistë, për të pastrehët, për të papunët, po nuk flasim për këtë pasuri që po na humbet në sytë tanë.  Edhe shtypi por edhe televizionet pak e trajtojnë në rubrikat e tyre të përditshme as tek “Zëri i Popullit“ (rubrikë televizive) me inervista të rastësishme në rrugë.  Nuk është e vështirë që të gjesh një ekip gjuhtarësh që të ndryshojnë gjendjen. PO duhet dëshirë, duhet pak shqiptarizëm. Ndoshta duhet një bashkëpunim edhe ndërshtetëror me shtetin e Kosovës ku në të dy shtetet gjuha shqipe është gjuhë zyrtare Mes kësaj tollovie që është edhe një test i kulturës sonë kombëtare që po shkelet me 10 këmbë, ne duhet të thërrasim, të shqetësohemi që “një qytet duhet që në mjediset e tij të flasë shqip”

Gusht, 2013

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: harruan te flasin shqip, namik Selmani, nje qytet qe duhet, shitoret, te flase shqip

Rexhep Qosja, ky nihilist, që i prinë anarkisë morale

August 24, 2013 by dgreca

Qosja me shkrimet e tij krijon kushte për krijimin e anarkisë morale dhe që është mjeti i vetëm që e kanë njerëzit të cilëve u mungon logjika në kohë të caktuar./

 Nga Fahri Xharra/

Nihilizmi rrjedh nga fjala latine “nihil”, që do të thotë asgjë, ajo që nuk ekziston. Nihilizmi është qëndrim mohues ndaj botës e ndaj ekzistencës së njerëzimit, qëllimit, vlerës apo të vërtetës së kuptueshme.Nihilizmi pasqyrohet duke i mohuar vlerat e çdo strukture sociale, shtetit e ligjit, normave të vlerës dhe principeve të moralit. Këto orientime mund të çojnë kah dhuna dhe terrorizmi kundër një sistemi të vendosur edhe të rezulton në rezistencën dhe qëndrimin pasiv ndaj çdo gjëje pa kurrfarë alternative në mendje. Kur Demosteni (371-322 p.e.s.) e citon se “çka ai dëshiron të besojë duhet të jetë ajo që të tjerët të besojnë”, ai e parashtron natyrën e marrëdhënies së dijes.

Nihilizmi mund të kuptohet në rrugë të ndryshme, si: nihilzmi politik, ai etik apo moral, nihilizmi ekzistencial dhe nihilizmi kombëtar.

Çka mohon nihilisti? Qëllimet e jetës në përgjithësi, principet e moralit, rendin moral në përgjithësi, si dhe ndjenjat kombëtare. Shumë afër nihilizmit është edhe absurdizmi, që thotë se përpjekjet e njerëzimit për të gjetur mendimin e pandarë (inherent) do të dështojnë.

Zhan-Zhak Ruso shkruante: “Nëse duhet të flas me logjikë, atëherë më duhen për t`i përdorur edhe arsyetimet logjike”. Por, sa është i mbështetur në logjikën e arsyetimit qëndrimi nihilist i Rexhep Qosjes në kushtet aktuale? Logjika e kundërshtimit dhe e mohimit të së vërtetës pa prova, pa fakte, pa realitet, është alibia e paracaktuar e qëndrimeve nihiliste të skajshme të tij për të çuar mendjen e të gjithëve në anarki.

Kurse, për të realizuar qëllimet e tij të errëta, të pabindshme dhe të paarsyeshme, me shkrimet e tij krijon kushte për krijimin e anarkisë morale dhe që është mjeti i vetëm që e kanë njerëzit të cilëve u mungon logjika në kohë të caktuar.

Sipas koncepteve të njohura gjithmonë, në themel të bashkëveprimeve të shumëfishta në shoqëri qëndrojnë interesat. Interesat mund të jenë politike, të fuqisë në pushtet, ekonomike, morale e shpirtërore e, në rastin konkret tonin, më shumë se kurrë interesat gjithëkombëtare. Në rastin e Qosjes, normat morale përjashtohen nga rregullat e përgjithshme, duke vepruar me metodologjinë nihiliste të të menduarit dhe me metodologjinë absurdiste të të vepruarit. Rexhep Qosja nihilizmin dhe absurdizmin i përdor me qëllime dhe me interesa të caktuara, të cilat nuk mund t`i realizojë me mjete e forma të tjera të ndershme dhe të pranueshme për ne.

Të nihilosh margaritarët e kombit, Kadarenë, Nënën Tereze, Skënderbeun, të nihilosh çdo gjë të mbarë të këtij populli, nuk mund të quhet ndryshe vetëm se një idiotizëm i paramenduar me qëllime afatgjate antikombëtare të Qosjes.

Në shkrimet e fundit, dhe si duket qe një kohë të gjatë, në porosi të Qosjes vërehet se mungon argumenti logjik i bazuar në fakte e të dhëna konkrete. Kur bota na i nderon diamantet e kombit, Qosja i lëshon vavuzelet e tij në të katër anët, me fyerje, me përçarje dhe me shprehje absurde. Po, ç`na pengon, ty dhe neve, nderimi që Evropa i bën Ismail Kadaresë?

Kur shqiptarët mendojnë dhe thonë se Perëndimi është antishqiptar (e që s`është e vërtetë), është detyrë e njerëzve të penës të përmirësojnë mendësinë e popujve vendimmarrës në politikat shtetërore, rajonale, bile edhe kontinentale. Kur Spanja konservatore, me tradita të larta të krishtera, pa asnjë paragjykim i jep çmimin e saj një shqiptari, Kadaresë, atëherë Qosja ngrihet dhe shpalos krekosjen e tij prej kacagjeli të joshkëputjes nga trashëgimia e tij turko-aziatike.

A ka të drejtë Qosja që inatin e tij e shtrin deri te Mbretëria spanjolle për vlerësimin e saj botëror të kulturës shqiptare? I huaji, i civilizuari, ta nderon kulturën me një lartësi të madhe para një elite të kulturës botërore, kurse Qosja krekoset duke mohuar edhe vetveten. Kjo është një sjellje si pasojë e një mungese të kulturës së tij ndaj Perëndimit, i cili po na afron me dëshmi konkrete, e ne reagojmë pakuptimshëm deri në absurditet.

Kush je dhe kë përfaqëson me gjithë këtë egërsi dhe pse? Pse bie ne nivelin e “kurrkushave” duke mohuar “faktin që robëria turke e ka cenuar rëndë zhvillimin natyror të popullit tonë”? Pse për qëllimet tua nihiliste e mohon “që shqiptarët, duke u shkëputur prej Evropës, u vonuan apo humbën krejt në zhvillimin e tyre material, ekonomik, kulturor, qytetërues”? Pse e mohon që ajo kohë “na e humbi identitetin shpirtëror dhe kulturor”? E, tani, mundohesh të na bindësh neve dhe botën për identitete të copëtuara dhe të izoluara shqiptare.

Të gjithë jemi me mendimin e Rilindësve se për ne shqiptarët s`ka formulim tjetër përveç atij që feja s`mund të shërbejë dot si një faktor lidhjeje kombëtare dhe duhet të kemi kujdes që ajo të mos marrë peshë të madhe më tepër se sa duhet në jetën tonë publike, e aq më pak në atë politike e intelektuale. Por, ti e bën të kundërtën!

Dikush, që në Prishtinë e ka shijuar me gojën plot kupën e mjaltit të sistemit, nuk guxon të anatemojë të tjerët dhe të shkatërrojë ndërgjegjen e popullit me kaosin dhe me papërgjegjësinë në shkrimet e tij. Kombi ynë ka nevojë për mendje të larta, për figura të mëdha që merren me probleme madhore kombëtare, e jo me politikën ditore të matrapazëve në të dy anët e kufirit.

Si mund të përmirësohet imazhi ynë në sytë e botës? Si t`iu përgjigjemi Jeremiqëve, të cilët, në takimet shtetërore në botën arabe-myslimane mundohen që neve të na paraqesin si jomyslimanë të denjë dhe miq të SHBA-ve dhe të Perëndimit, ndërsa në anën tjetër gjatë takimeve me perëndimorët mundohen të na paraqesin si fundamentalistë, terroristë islamikë, që janë kundër civilizimit të krishterë dhe atij perëndimor.

Çka duhet të bëjmë që të ndahet shapi prej sheqerit? A jemi fundamentalistë antiperëndimorë, apo jemi miq të SHBA-ve dhe të Evropës? Si guxon të heshtësh me gjithë atë “potencial mendor” që ke, para faktit që Jeremiqët e paraqesin veten si viktima si ato të natës së kristaltë, kur dihet se shqiptarët janë i vetmi popull që nuk i ka vrarë e as dorëzuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore?

Kush je ti Rexhep Qosja? “Letërsia shqipe me të vërtetë nuk ka shumë tragjedi të shkruara”, por ka aktorë të tragjedisë kombëtare që nuk dinë të veprojnë ndryshe, pos me shkrimet e tyre.

 

22.04.2011

Filed Under: Opinion Tagged With: Fahri Xharar, ky nihilist, rexhep qosja

Siri, forcat amerikane dislokohen në afërsi të Sirisë

August 24, 2013 by dgreca

Washington, 24 gusht (E plotësuar) – Pentagoni po dislokon trupa ushtarake në afërsi të Sirisë, ka pohuar sekretari amerikan i Mbrojtjes, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara janë duke marrë në konsideratë mundësitë për ndërhyrje ajrore kundër regjimit të Bashar Al-Asadit.  
Hagel nuk dha detaje te tjera, por raportet ne media pohojnë se prania e marinës amerikane të luftës në lindje të Mesdheut është shtuar ndjeshëm. 
Sulmi i pretenduar me armë kimike ndaj civilëve, në mesin e të cilëve edhe shumë fëmijë, ka shkaktuar zemërim të madh në Shtëpinë e Bardhë, por edhe në kryeqytetet e fuqive të mëdha botërore. Për hetimin e përdorimit të helmit kimik në Bagdad tashmë ka arritur edhe ekipi i OKB-së, or ai ende nuk po lejohet të vizitojë vendin e ngjarjes. Madje, edhe Rusia, një aleate e Asadit iu bashkua apeleve te drejtuara Damaskut që të bashkëpunojë me ekspertët e OKB-së dhe t’i lejojë të hetojnë dyshimet mbi përdorimin e armëve kimike në rrethinat e kryeqytetit. Moska shtoi gjithashtu se nga kundërshtarë të regjimit pretendohet të garantojnë kalim të sigurt për misionin e OKB-së.

 NDOSHTA – SIRIA SI RASTI I KOSOVES PER NDERHYRJE HUMANITARE

Pas dyshimeve se në Siri forcat qeveritare mund të kenë përdorur armë kimike kundër popullsisë civile, administrata amerikane është duke peshuar opsionet e reagimit, ndërsa këshilltarët e sigurisë kombëtare të presidentit Obama po studiojnë modelin e sulmeve ajrore të NATO-së, ashtu si në Kosovë, pa një mandat paraprak të Kombeve të Bashkuara. Kështu shkruan sot e përditshmja The New York Times, për të shtuar se Rusia me gjasë do të vinte veto ndaj çdo veprimi ushtarak në Këshillin e Sigurimit, ndërsa presidenti amerikan po përballet me dilemën nëse mund të anashkalojë Kombet Bashkuara.“Nëse SHBA-ja sulmon një vend tjetër pa një mandat të OKB-së dhe pa prova të qarta, pyetjet që shtrohen janë se a e mbështet një gjë të tillë ligji ndërkombëtar dhe a kemi një koalicion që kjo të realizohet”, tha Obama të premten për rrjetin televiziv CNN, në komentin e tij të parë publik pas sulmit vdekjeprurës të mërkurën, transmeton RTK.
Kosova është një precedent i qartë për Obamën, shkruan gazeta njujorkeze, sepse ashtu si në Siri, atje u vranë civilë, ndërsa Rusia kishte lidhje të gjata me qeveritarët (Serbinë) që akuzoheshin për abuzimet.
“Në vitin 1999, presidenti Bill Clinton përdori miratimin e NATO-së dhe logjikën e mbrojtjes së një popullsie të pambrojtur për të arsyetuar sulmet ajrore 78 ditëshe,” shkruan The New York Times.
Zyrtarë të administratës i kanë thënë gazetës se precedenti i Kosovës (i ndërhyrjes së ngjashme ushtarake) ishte një nga shumë çështjet që po diskutohej në takimet e vazhdueshme të Shtëpisë së Bardhë, kur është fjala për krizën në Siri.
Clinton e dinte se nuk kishte asnjë shpresë të sigurohej një rezolutë nga Këshilli i Sigurimit që autorizonte përdorimin e forcës (në Kosovë). Rusia ishte një mbështetës i moçëm i Millosheviqit dhe ishte e vendosur të vinte veton e saj në Këshillin e Sigurimit për të bllokuar ndërhyrjen, shkruan gazeta njujorkeze.
“NATO ndërmori sulmet ajrore para se Millosheviqi të pranonte kërkesat e NATO-s”, shkruan ndër të tjera gazeta amerikane duke evokuar luftën e Kosovës si një shembull i mundshëm i reagimit të bashkësisë ndërkombëtare.

Filed Under: Kronike Tagged With: dislokohen ne afersi, Forcat amerikane

Një nuse shqiptare rrëmbehet në Nju Jork

August 24, 2013 by dgreca

Nga Pellumb KULLA*/

Tëmën bre!, duhej pa tjetër të vinja gjer në Amerikë që të mësonja se sa ndryshojnë zakonet nga të katër anët e vendit tonë të vockël. Po çudia më e madhe është se ca krahina jo vetëm që i ruajnë duke ua treguar nipkave të lindur në Amerikë se ç’lloj zakonesh ndiqnin një herë e një kohë, po edhe i ndjekin këto zakone akoma. I venë në jetë si në fshat edhe këtu, në mes të Menhettenit! Paçka se në vend të oborrit të fshatit, tani kanë tri metro trotuar, në vend të qenit, kanë një alarm e në vend të kalit venë e marrën nusen me limuzinë!
Ca ditë të shkuara, një të diel, e kishnja parkuar limuzinën, – demek, kalën e nuses, – para një billdingu. Në një nga apartamentet, në kat të tetëmbëdhjetë, ca gra këndonin këngë popullore për çupën që po e nxirrnin nuse pe shtëpisë së babajt. Rrugica ishte e ngushtë, siç janë të ngushta e të kufizuara tërë rrugicat e Menhettenit, që kanë veç një drejtim kalimi. 
Një makinë policie kaloi bri meje dhe oficeri pa me një farë dyshimi se si kishnja parkuar, po nuku tha gjë. Para 40 e ca vjetësh në fshat, ma ha mendja, parkime nuku kish dhe asnjëri nuku ta shihte kalën me dyshim.
Në këto mendime më thanë të ngjitsha lart, ce më kërkonin. Vajçë pas atij që kish erdhur të më merrte. 
Ishte një goxha ndërtesë me roje me uniformë. Një njeri tjatër, po me uniformë, na shoqërovi deri te ashensori dhe hyri tok me ne gjer në kat të tetëmbedhjetë, ku na la të dalëm për të vajtur në apartamentin ku qe nusja, ku ish rritur që foshnjë e gjer sa pat mbaruar universitetet radhë. Hajde apartament, hajde! Lluks o lluks, të të ikte mendja, kur të qaj babanë! Ishte familje e kamur, e ardhur n’Amerikë që para tridhjetë e kusur vjetësh, që kur Titua pat hequr gardhet e kufinjve. Më pritnë me shumë respekt, megjithë rrëmujën që sillnin tërë ata njerëz të ndodhur aty e me tërë zhurmën që bëhej. Në një qoshe të korridorit ndodhej një pjano e madhe, kurse dëpër mure kish piktura, vënë në ca korniza të rënda, ngjyrë floriri. Para se të hynim në atë sallon ku rrinin burrat, nusja na kalovi përpara. çupë, po çupë ore! T’i rrëmbenje kokën bre, e të iknje me vrap. T’i thoshe të Madhit Zot: e po mja’o Zot! Mjaft, veru kyçnë martesave tashi, ce nuse si kjo, në donjë planet tjatër ndofta, por mbi këtë rruzull, nuku vjen më! E gjatë, si selvi e stolisur. Vinte, sidozot, një pëllëmbë mbi mua: me një celular që e shtërngonte mes supit dhe veshit e me një hartë në dorë, i shpjegonte donjë shoqes së saj, se ku ishnë drejtimet e hotelit, ku do shtrohej darka. Ajo më pa mua, kapellën time pe limuzinisti, më njohu se kush ishnja dhe kërkovi ndjesë në telefon. Më dha dorën e më tha: 
– Unë jam nusja! Tash ti je pjesë e kujtimeve në këtë ditë të lumtun për mue! 
-Të trashëgohesh! E mbushç shtëpinë me djem! – ia bëra. 
Nga dhoma e grave krisi kënga që thosh pak a shumë , – se tani s’i mbaj mend fjalë për fjalë e rimë për rimë, që thosh: – “kali që po të merr tynë, të sjelltë të shohç babanë, kali që po të merr tynë, të sjelltë të shohç mamanë, kali që të merr tynë, të sjelltë të shohç gjyshnë… ” 
Nga lista e këngës mora vesh, se i zoti i shtëpisë, veç nuses, kish edhe gjashtë fëmijë të tjerë, për të cilët duhej të vinte kali, që në këtë rast, ishte limuzina dhe unë përfaqësuesi i saj. Qënkej dashur të ngjitsha lart unë, që gratë të merrnin këngën e kalit.
Më qirasnë me ëmbëlsirë, darovita dhe u derdha tatëpjetë kateve, se do nxirrnin nusen..
Njerëzit filluan të zbrisnin. Në sallon poshtë. dëgjoshin gratë që kishnë zbritur dyke kënduarë, po para se të shfaqshin ato, dolli dhëndri i qeshur, i qeshur sa të thoshe ti, se nuku nevojitej më djellë në Menhetten! Ay u fut në limuzinët dhe u afrua afër dritares të shëkonte. Duallë gratë që këndonin. Të tëra i kishnë sytë me lot dhe, – si duket nga mallëngjimi, – nuk e vazhdonin dot më këngën e kalit, që do ta kthente nusen të shihte të vetët, dyke filluar nga gjyshi. Si nuku e shpunë dot këngën gjer në fund, gratë nisnë të fshinin lotët, por mendjen e kishnë nga porta, pe ku do dilte nusja. 
Vetura e policisë po vinte gjene prapa meje. 
– Tëmën!, – thashë me vete, – këta hajvanët duan të ma kripin, të më zenë më 
donjë faj!
Por oficerat vetëm një vështrim hodhnë nga unë, se u bënë më shumë kurreshtarë me dasmën. Ec, e shëko prapa ata.
Po dilte nusja. Unë nuku kishnja parë donjë zakon të tillë. Theatro o theatro, kur të qaj tërë! Ishin dy vëllezër të dhëndrit, që duallë nga dera me kurriz e seç tërhiqnin me zor, të thoshe ti donjë sëndyq, a baulle të rëndë. Tëmën, ç’tërheqën këta-o?! Kur shoh unë: nusen! Tërheqkëshin nusen, ore! Këtë radhë ajo nusja e lumtur e katit të tetëmbëdhjetë, qante, përpëlitej e u kundërshtonte atyre që donin ta merrnin gati zvarrë. Demek, ajo nuku donte të dilte nga dera e babajt, por nuku kish ç’të bënte, ce po e rrëmbenin! Ata ishnë djem të fuqishmë dhe e tërhiqnin pa pikë mëshire. Tashi edhe ajo xhanëm, bënte sëkur u kundërshtonte, por ama, për të qarë qante vërtet! Dhëndri prapa meje qe rehatuar në limuzinë dhe vështronte me buzët vesh më vesh, në gaz! Ce të mos qeshte ay!..
Te dera, prapa nuses, duallë dhe prindët. Babaj e mbante veten, por nënës i vinin lotët lumë. Qanin gjyshi me gjyshen, qanin motrat e vëllezërit, por asnjë nuk e ndihmonte çupën. Veç njëri nga vëllezërit e veckël, u hodh në ndihmë të motrës që luftonte me ata që po e rrëmbenin. Por nusja la të qarët, i këputi të vëllajt një pëllëmbë dhe ay shkovi i bindur të qante në grupin e familjarëve të tjerë, që ishnë të prekur jo pe atij rrëmbimi theatror, por ngaqë çupa njëherë e përgjithmonë po u ikte vërtet pe rrethit të ngrohtë familjar. Njësoj-o siç qajmë të tërë, kur nxjerrëm për herë të fundit nga shtëpia, çupat, motrat, kushërirat.
Përleshja u bë më e fortë, kur njerëzit e dhëndrit deshnë ta hipnin nusen në limuzinë, nga dera që unë paçë lënë hapur. Aty nusja m’u duk se nuk desh të hipte vërtet. Të qarat u shtuanë edhe më.
Në atë çast, – ja kur mos kem babanë në gënjej, – u dëgjuanë dy të shtëna kobureje dhe të tërë ngrimë. Ngriu nusja, ngrinë ata që po e tërhiqnin pe krahësh. Aty para hundëve të limuzinës, shohëm dy polica që po vrapojnë drejt nesh. Në duar kanë koburet, që akoma nxjerrën tym pe grykave. Ne nuk e kishmë vënë re fare që makina e policisë që pat kaluar aty përpara, pat qëndruar ca metro më tej. Kush e kish mëndjen te policat! Ata patnë soditur daljen e nuses dhe kur panë që ajo përpëlitej në krahët e dy meshkujve, çapëlyenë sytë e dhanë alarmën: “Friizë! Friiiizë!”
Pushuanë të qarat. Policat u drejtuan revolet atyre që po rrëmbenin nusen dhe u thanë të mos lëvizin. Vëllezërit e dhëndrit, dyke qeshur, i ngritnë duart lart. Qeshnin ata, po nuk qeshnin hiç policat! Njëri polic ruante me grykën e kobures, tjetri i urdhërovi djemtë të mbështetshin me të dy duart mbi limuzinë dhe i kontrollovi për armë, pa u vënë veshin shpegimeve që u vinin nga dasmorët që i rrethonin nga të katër anët. 
-Rrëmbim personi, – thanë dy policët.- I organizuar! 
Njëri nga ata mbeti me kobure ngrehur të mbante dasmorët, kurse tjetri i hoqi mënjanë dy njerëzit e dhëndrit dhe nusen. 
-Ti, – më tha mua polici që ruante, – merr dokumentet dhe shko me të tjerët. _ 
Asnjeri tjatër mos afrohet! -ulërinte krushqisë. Apo nuk oshëtijnë rrugët e Menhettenit!
Dasmorët zbardhnin dhëmbët. Asnjëri nga të nuses nuk qante më. “Hej o bela”, – thashë unë me vete, – “edhe kjo na duhej tani. Do ta kaloj në burg natën sonte!”
Mora dokumentet dhe u bashkova edhe unë me grupnë. Po ta quanin vërtet rrëmbim e po të mos bindshin policat, unë duhet ta hanja mirë se kishnja mjetin, mjetnë e rrëmbimit!. Gjobë po e po, por tashi si vajtnë punët, gjobën ta puthnja!
Nusja dyke qeshur me një kërkëllimë të butë, po shpegonte tërë historinë. Ajo u foli për zakonin e dikurshmë të fshatit të tyre, u tha se ajo po e zbatonte edhe këtu nën grataçielat e Menhettenit, për t’u bërë qefnë gjyshërve pleq dhe shpresonte se dasma nuku do kish tronditur rendin publik. Policët, një i zi e një i bardhë, e shëkonin me mosbesim. I pyetnë dhe ata dy të tjerët dhe ata thanë po të njëjtën gjë. Më panë mua dokumentet, u tregova që punonja për një firmë të njohur limuzinash dhe u thashë që unë aty nuk hynja hiç, se unë isha thjesht i paguarë. 
-Tërë shoferët që angazhohen për rrëmbime, paguhen, – tha polici i zi. 
Në atë kohë dyke u rënë sirenave, erdhën dhe tri makina të tjera të policisë, me
një vargan me polica, që sakaq duallë nga veturat dhe u bashkuanë me ne. Zallamahi e madhe, ore. U zu trafiku e mizëri e kalimtarëve na rrethoi anembanë. Policat llafosshin me njëri tjetrin vështronin nga dasmorët dhe dalëngadalë po bindshin. 
-Je më shumë se tetëmbëdhjetë vjeçe? – e pyeti nusen njëri pe tyre, sa për 
formë, se tani ishnë sqaruarë të tëra. 
– Ohu! – tha nusja. – Faleminderit që dyshoni për këtë! Unë jam avokate  dhe… dhe bile punoj në një agjenci për të drejtat e njeriut!
Policat u shkrehnë fare. Njëri foli me qendrën në radio dhe ua tregovi meselenë me buzë në gaz. 
– Vazhdoni! – tha duke mbyllur radion.- Shumë interesant. Paçi jetë të lumtur! 
Mua më dhanë dokumentet e unë psherëtiva i çliruarë. Nusja ua zgjati gjene
duart të dy krushqëve që aty më parë po e “rrëmbenin” dhe ata nisën ta tërheqin me zorr që nga mesi i policave. Vajza zu të shtirej prapë sikur kundërshtonte, sikur u kërkonte ndihmë popullit të Nju Jorkut dhe kur iu afrua limuzinës, ajo u këthye edhe një here, ashtu si demek duke qarë dhe çapkënçe ua shkeli synë policave, që rrinin duarkryq dhe dyke parë çupën shqiptare, dukshin sikur u lëshonte goja lëng. 
-Kot paska qënë martesa jonë, – thoshin me vete policat më të vjetër. 
-E ç’shpresa mbetnë më për ne, – dukej sëkur thoshin policat beqarë. 
E nuku flisnin asnjë llaf, por mendonin me vete se me çupa të tilla të bukura,
fshatrave të Shqipërisë, domosdo do t’u shkrepte dërmend një zakon si ky i rrëmbimit. 
Ajo, nusja që po dilte sot nga Menhetteni, ia vlente të bënje marrëzinë e ta
rrëmbenje!… Kur mos kem babanë, edhe gjyqet e Amerikës të nxirrnin me siguri të pafajshmë!…(Marre nga Libri i Pellumb Kulles- Rrefenja nga Amerika)

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: nje nuse shqiptare, pellumb Kulla, rrefenja, rrembehet ne New York

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5242
  • 5243
  • 5244
  • 5245
  • 5246
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT