• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FATAKEQSISHT LAJMI ËSHTË I VËRTETË: DETROITI KA FALIMENTUAR!

July 19, 2013 by dgreca

Një ndër qytetet më të mëdha amerikane, Detroit, ka paraqitur deklaratën e falimentimit. Përmes kësaj mase, ky qytet siguron mbrojtje nga kreditorët.
Një kompani menaxhere e kontraktuar nga shteti i Miçiganit ku ndodhet Detroiti, paraqiti dokumentacionin dje në një gjykatë federale.
Me këtë hap, Detroiti bëhet qyteti më i madh amerikan në historinë e Shteteve të Bashkuara që deklaron falimentimin. Guvernatori i Miçiganit, Rick Snyder duhet ta nënshkruajë vendimin.
Detroiti ballafaqohej me barrën një deficiti buxhetor prej mbi 300 milionë dollarësh dhe një borxh afat-gjatë prej afro 14 miliardë dollarësh.
Deklarimi i falimentimit vë në pikëpyetje pensionet e ardhshme si dhe sigurimet shëndetësore të punonjësve të sektorit qeveritar në Detroit. Rreth 10 mijë vetë punojnë për administratën bashkiake të Detroitit.

E ardhmja e qytetit pas deklarimit për falimentim

Nëpërmjet aplikimit për falimentim, qyteti i Detroitit të shtetit të Michigan-it në SHBA po fiton ca kohë për të rregulluar financat, por po heq dorë gjithashtu nga kontrolli financiar i qeverisjes, dhe po ia dorëzon pushtetin një gjykatësi federal.
Profesori juridik Peter Henning nga Universiteti Wayne State në Michigan tha se gjykatësi, dhe jo zyrtarët e zgjedhur të qytetit, do të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen e qytetit.
Detroit quhet qyteti i motorrëve, shtëpia e industrisë amerikanë të makinave. Por ndërkohë që amerikanët filluan të pëlqenin makinat e importuara nga vende si Japonia apo Gjermania gjatë 30 viteve të fundit, gjendja në Detroit filloi të përkeqësohej. Popullsia e qytetit ka rënë gjatë dekadave të fundit dhe shumë nga lagjet e tij u prishën dhe u braktisën.
Ndërsa influenca e qytetit si një qendër industriale ra gjatë gjysëm shekullit të fundit, bashkiakët e Detroitit keqmenaxhuan qeverinë lokale dhe një nga kryebashkiakët u burgos për shkak të një skandali seksi.(Kortezi:VOA)

Filed Under: Kronike Tagged With: Detroiti, ka aflimentuar

Lili Cingu, vallëzim përkëtej dhe matanë Oqeanit

July 19, 2013 by dgreca

Një ndër legjendat e valles shqiptare, Lili Cingu, solistja e parë e Ansamblit të Këngëve dhe valleve të Shqipërisë, mbajtësja e Gjerdanit të Artë të Dizhonit, e mërguar për “kapriçio shqiptare” dhe e nderuar nga Parlamenti Kanadez, vallëzon përkëtej  dhe matanë oqeanit. Andej- me partenrin e kahershëm Rexhep Çeliku,- këndej me vajzat dhe djemtë e mërgimtarëve në Kanada e New York, në Tiranë do të çojë përmes një spektakli gjithë jetën dhe biografinë e saj artistike, me të ftuar trashëgimtarë të familjeve, që kërcejnë nëpër skena… Kishte dhe një ëndërr Lili; hapjen e shkollës së kulturës shqiptare në New York…

Nga Dalip Greca*

Në epilogun e mbrëmjes të së dielës të 9 nëntorit, në Festivalin e 13-të Shqiptar në New York, në gjysëmerrësirën e skenës të ndriçuar nga një fashë e hollë drite, u shfaq si një shtojzavalle, e veshur në të bardha, Lili Cingu, mjeshtrja jonë e valleve, një ndër legjendat shqiptare të Dizhonit. Nën ritmin e muzikës kërcimi solo i saj u shoqërua nga duartrokitjet e gjata të më shumë se 2800 shqiptarëve që mbushnin sallën. Ndërsa pas shfaqjeve ishin të shumtë ata që i uronin:Të lumtë Lili, paske mbetur po ajo e dikurshmja, e re në skenë, plot energji!

E takova Lilin së bashku me Gjergj Dedvukajn, në mjediset e “New Yorker-Hotel”-it, pas një vizite në redaksinë e Illyria-s. Biseda fillimisht u përqëndrua rreth mbresave të saj rreth Festivalit shqiptar të New York-ut. E ndjen veten kreanre që ishte pjesë e atij festivali, ku u manifestua kultura shqiptare, pasuria jonë folklorike, bukuria e veshjeve popullore, shpirti krijues i bijëve të mërgimtarëve, dashuria e tyre për kulturën. Ardhja e kryebashkiakut Michael Bloomberg në tubimin kulturor të shqiptarëve ishte vërtetë një vlerësim i merituar për komunitetin shqiptar, thotë Lili.

Prania e Lilit në festival, nuk ishte e rastësishme. Ajo prej kohësh bashkëpunon me komunitetin e New York-ut,  përgatit grupin e valleve pranë ansamblit me shumë emër “Bashkimi Kombëtar” të të apasionuarit  Gjergj Dedvukaj. Që në korrik ajo ka bashkëpunuar me këtë grup dhe ndjehet e kënaqur që ka gjetur këtu në zemër të New York-ut, djem dhe vajza aq pasionant për vallet e bukura shqiptare.

-Ende i kam mbresat e pashlyeshme nga Festivali gjithshqiptar i zhvilluar në Tuz të Malit të Zi,  “Rapsha 203”, – thotë Lili, e cila përgatiti grupin e valleve për atë manifestim gjithshqiptar. Duartrokitjet që mori ky grup në Tuz ishin emocionuese dhe shumë vlerësuese. Kjo tregon se diaspora jonë është për t’u lëvduar për këmbënguljen që tregon në ruajtjen e traditave, këngëve, valleve, gjuhës kombëtare. E pashë këtë në Rapsha 2003, por e pashë më mirë edhe në Festivalin e 13-të Shqiptar të New York-ut. Nuk mund të lë pa përmendur kontributin e madh që jep  grupi “Bashkimi Kombëtar” dhe Gjergj Dedvukaj që e drejton atë. U bë  kohë  që unë bashkëpunoj me këtë grup. Isha edhe këtë radhë koreografe dhe kam ndjerë kënaqësi për këtë bashkëpunim të frytshëm. Nuk edi nëse diaspora jonë ia çmon si duhet kontributin që Gjergji së bashku me djemtë e vajzat e grupit i japin kësaj diaspore, por unë e kam ndjerë këtë, sidomos në Shqipëri dhe në Mal të Zi, ku ky kontribuut shihet si një vlerë kombëtare dhe i entuziazmon shumë ata matanë oqeanit. Nuk e di nëse arrihet që të vlerësohet drejt mësimi i këngës dhe valles shqipe tek ata breza që kanë lindur këtu dhe me plot pasion arrijnë të kapin ritmin e valles apo melodinë e këngës. Kjo është vërtetë një punë e mrekullueshme, një investim që nuk ka të çmuar. Emërtimi simbolik ”Bashkimi Kombëtar” për mua përmbledh në vetevete një emërtesë emocionale që ta drithëron shpirtin. Paraqitja e këtij grupi në Rapshë ngjalli emocione të fuqishme.Si tani kam parasyshë paraqitjen e grupit në Vitoje, parakalimin e tij me ato veshjet e bukura, ishte me të vërtetë diçka e jashtëzakonshme, shpirtërisht tronditëse. Ju i patë dhe vetë në skenën e Festivalit të 13-të se si gërshetoheshin brezat dhe se si përcillej kënga dhe vallja nga ata fëmijët e vegjël, që bënin të dridhej salla, e deri tek moshat e rritura, tek Veseli, që është bashkudhëtar me të 13-të festivalet e shqiptarëve këtu në New York. A nuk qe diçka mahnitëse?, i mbyll me një fjali pyetëse mbresat e saj nga “Rapsha 2003”, Lili.

Ajo nuk është ndarë shpirtërisht pavarësisht ikjes së saj në ”vitin e mbrapshtë” 1997.

Asnjëherë nuk e ka parë veten të larguar nga vendlindja, Shqipëria. Ka jetuar përherë me mirënjohjen për vendin që e lindi, ku dhe bëri aq emër. Pyetjes time se çfarë mendon për ikjen e artistëve nga Shqipëria, që ende lëngon në tranzicionin e dhimbshëm, ajo i përgjigjet:

– Nuk e di se si e konceptojnë të tjerët largimin, por artistët e kanë të veçantë përjetimin e dyfishtë të vetes me atdheun dhe vendin e ri ku emigrojnë.Për mua është normale që artistët të emigrojnë. E them këtë sepse gjendja ekonomike e justifikon ikjen. Nuk mund t’i thuash artistit rri aty nëse e do vendin, e do atdheun. Edhe ai është njeri, edhe ai ka punuar një jetë dhe nuk ka siguruar asgjë në aspektin financiar, si pjesa më e madhe e popullit. Mund të keshë shkëlqyer si artist, por shpërblimi dihet se i ç’përmasave ka qenë, thjeshtë sa për mbijetesë. E rëndësishme është që ta duash atdheun, ta respektosh, ta përfaqësosh në një farë mënyre edhe atje ku jeton, në emigracion. Për mua është e rëndësishme që në Kanada e kam përfaqësuar vendin tim. Me vallet tona, me kostumet tona kombëtare kemi bërë njerëzit që të kthejnë sytë nga ne e të interesohen për vendin tonë. Është e njëjta gjë që kemi bërë dikur, kur ansambli ynë i këngëve dhe valleve pëfaqësonte vendin jashtë shtetit. Ansambi ishte si të thuash një dëshmi jashtë izolimit se brenda atyre mureve, nën rrethim jetonte një popull me shpirt e dhunti artisti.

Lili tregon se nuk ka patur plane të emigrojë. Emigrimi i saj ka ndodhur në vitin e trazirave, në vitin 1997, ku anija shqiptare rrezikohej të mbytej në detin e zemrimit të shqiptarëve shoq me shoq. Pyetjes time se përse vendosët që të emigronit?-ajo i përgjigjet ende e pavendosur: Nuk e di. Qe një vendim i momentit, jo i paramenduar. Ma kanë bërë këtë pyetje shumë gazetarë. Më duket se dhe atyre u kam thënë se ishte një kaprico e rastit, e momentit. Isha në një turne në Toronto dhe menjëherë kam marrë vendimin që të mos kthehesha. Them se qe një vendim i çastit, nuk  them se ky vendim është i mirë, as i keq.E ndjej veten me fat që u integrova shpejt në komunitetin shqiptaro- kanadez. Komuniteti fillimisht u habit me moskthimin tim, por menjëherë ai më bëri pjesë të vetën. Unë qëndrova për t’iu përkushtuar artit të popullit tim. Menjëherë i hyra punës. Koncertet erdhën njëri pas tjetrit. U mirëprita dhe u duartrokita. Nuk e kisha mirëpritur aq shpejt suksesin, por vullneti dhe pasioni më nxorën në breg. Suksesi im nuk erdhi vetëm në komunitetin shqiptar të Torontos por edhe në komunitetet e tjera. E kam ndjerë veten krenare, kur sapo prezantohesha se isha nga Shqipëria, më thoshin o, nga Nënë Tereza. Ne shqiptarët jemi me fat se jemi të përfaqësuar aq lart në opinion botëror me një figurë të tillë të përmasave të paarritshme. Pasioni im dhe vullneti që bashkëshoqëroi atë më hapën dyert në Kanada. Them si isha jo thjesht e vlerësuar, por dhe pak e “përkëdhelur” nga emigracioni kanadez, që më krijojë hapësirë që do ta kishte zili çdo artist. E dëshmon këtë jo thjesht një diplomë vlerësimi nga Parlamenti Kanadez, të cilën unë e kam të koleksinuar në vlerësimet e mia, por mbi të gjitha, trajtimi i ngrohtë dhe pakufi, prania ime në festat kanadeze, në ditët e shënuara të komuniiteteve të tjera dhe padyshim, në festat tona kombëtare, si në ditën e shenjtë të Flamurit dhe në të tjera gëzime të bashkëkombasve.

Përvojën 30 vjeçare koreografike, Liliana ua përcjell edhe të vegjëlve, fëmijëve të lindur në Kanada dhe Amerikë ose brezave që vazhdojnë të emigrojnë në këtë anë të kontinentit. Edhe kur të vdes ndoshta do të jem duke kërcyer, duke lëvizuar duart, thekson ajo…E kam thënë njëherë në një intervistë se po të organizoheshin spektaklet e misseve në kohën tonë, padyshim që unë jo vetëm do të konkuroja, por edhe do të fitoja. Një gazetare shkroi:Liana:Sikur të isha miss! Arti të mban të ri, pra nuk ndjen plakje. Unë e ndjej veten krenare që kam gjetur edhe në Amerikë një brez të rejash dhe të rinjësh të dashuruar me vallen. Dhe ndjehem shumë e lehtësuar, shumë e lumturuar kur ata më “kopjojnë” çdo lëvizje që u mësoj. Më mrekullojnë rastet kur familjet tregohen aq të gatshme për t’i sjellë fëmijët  e tyre në grup, që të mësojnë vallet tona të bukura që kanë magjepsur gjithkënd në botë. Më mrekulloi fakti që në grupin “Bashkimi Kombëtar” pashë tri motra aq të pasionuara pas trashëgimisë tonë popullore; familja e Tom Gjergjit sjell në grup tri vajzat dhe djalin; shikoj dy motrat, Dianën dhe Tinën, që me aq pasion përpiqen të interpretojnë me kërkesa profesioniste; apo rapsodi, Vasel Dedvukaj, që për 13 vjet nuk ndahet nga skena. Ka shumë nga ata që edhe pse jetojnë larg vendit ku zhvillohen provat tregohen plot vullnet dhe asnjëherë nuk nxjerrin probleme. Ju i patë vetë në skenën e festivalit të 13-të se si këndonin e kërcenin të gjithë sikur të ishin profesionistë. Në çaste të tilla unë thosha me vete:ne si popull dimë të kërcejmë dhe të këndojmë të gjithë!

Lili zbulon planet për të ardhmen. Ajo tregon se së bashku me valltaret e këtij grupi vitin e ardhshëm do ët jetë në Festivalin Kombëtar në Shqipëri që do të zhvillohet në Gjirokastër. Tashmë “Bashkimi Kombëtar” është i njohur në Shqipëri. Shoqëria ëshët mirëpritur në Shqipëri dhe është vlerësuar nga publiku. Nuk është më sekret, thotë Lili, se vitin e ardhshëm ky grup dhe unë në përbërje të tij do të paraqitemi me kërkesa jo vetëm paraqitjeje, por edhe konkurentë për çmim.

Në verë Lili ka qenë në Tiranë dhe ka kontaktuar personalitetet e lartë  të kulturës, përfshirë dhe minsitren e kulturës, të cilën e ka njoftuar për objektivin e “Bashkimit Kombëtar” të valltarëve që ajo po përgatit. Do të jepen shfaqje edhe jashtë New York-ut.Jo vetëm kaq, por tani bëhet fjalë edhe për një shkollë për artin shqiptar. Shpresojmë që ajo të ngrihet së shpejti dhe të përfshijë të gjitha llojet e artit shqiptar, përfshirë dhe vallet; këngët, instrumentat etj. Doemos se pritet edhe një mbështetje nga biznesi, pse jo dhe nga shteti shqiptar, i cili duhet ta ndjejë peshën e nëj komuniteti të organizuar në SHBA, veçanërisht këtu në New York.

Toronto- New York, Lili e sheh veten herë atje e herë këtu, ku e ndjen veten më mirë Lili? Çfarë ëshët vallja për Lilin? Jo në kuptimin klasik, kuptimor? Thjesht shpirtëror…

– Për mua vallja është mbijetesë, për mua vallja ëshët gjithçka; më duket se kam lindur njëherësh me vallen, ndoshta dhe do të vdes së bashku me vallen. Vallja është drithërimi, është diçka që qëndron me mua dhe nuk ndahemi dot nga njera-tjetra.

– Kur u takuat me vallen…Kur e kuptuat se ishit të dashuruar me vallen?

– Që në moshën 3 vjeç, kur unë arrita të ecja lirisht, pra të ecja e të ruaja ekuilibrin, kur e pashë veten në këmbë dhe të rriturit hapnin radion, kur trasmetohej muzikë, siç më thonë ata, unë filloja e kërceja. Madje edhe kur prindërit shkonin në koncerte të ndryshme, unë mbetesha në këmbë duke kërcyer.Them se vallja ka qenë brenda meje, unë vetëm e kultivova atë, e përsosa me vullnetin tim dhe të profesorëve të mi, – thotë Lili.

Në skenë ajo është ngjitur në Pallatin e Pionierëve, ku kanë shkëndijuar thuajse të gjithë talentet e brezit të saj. Atëhere Lili nuk ishte më shumë se 6 vjeçe. Ndërsa emri i saj u publikua në afishet e kryeqytetit, këtu e 30 vjet të shkuara. Më pas emri i saj do të ishte pranë të mëdhenjëve të skenës koreografike: Besim Zekthi e Rexhep Çeliku.

Ka qenë nxënëse e mjeshtrit Gëzim Kaceli dhe e mjeshtrit të madh të valles shqiptare, Panajot Kanaçi, që i ka dhënë shqiptarëve aq shumë në këtë fushë.

-Kam qenë me fat që pata besimin e mjeshtrit Kanaci dhe jam ndjerë e sigurtë në ajër, ngaqë kam qenë në duart e sigurta të Besim Zekthit dhe të Rexhep Çelikut.

Në memorien e Lilit kanë mbetur shumë aktivitete, por mbi të gjitha, emocionet më të mëdha i mbart turneu i Francës, i ruajtur dhe në kujtesën e gjithë shqiptarëve si “Gjerdani i Artë” i Dizhonit, ku ansambli ynë u bë “heroi” i turneut  të vitit 1970. Ishin 44 shtete në atë festival botëror. Grupi i shqipeve gati fluturone.

– Mbaj mend se gazetat pariziene shkruanin me shkronja të mëdha në faqet e para; “Po fluturojnë shqipet”, ”Po vjen stuhia shqiptare”, ”Toka tundet nën këmbët e tyre”. Ndër 10 mijë spektatorët unë e pashë veten të emocionuar kur më vunë në gjoks gjerdanin e artë, – tregon Lili.

Në vitin 1986 ajo ka marrë titullin ”Artiste e Merituar” dhe pyetjes time ”nëse ndjehet e vlerësuar nga shoqëria shqiptare, deri në lartësinë e atij titulli” ajo i përgjigjet:” Ndoshta nuk mund të them se ndjehem e përkëdhelur. Për aq sa i kam dhënë vendit më takonte më shumë. Ndoshta diçka do të ndreqet, kohë ka”.

– Mos vallë ky mosvlerësim ka qenë shkak i qëndrimit tuaj në Kanada pas atij turneu në Toronto në vitin 1997?-e shtyj më tej bisedën.

-Them se ky shkak ka patur ndikimin e vet në atë vendim të çastit që ndryshoi pjesën e mbetur të jetës sime. Me atë pension aq të vogël sa më doli për 30 vjet në skenë, nuk mund ta ndjeja veten komode në Tiranë. Kisha punuar 30 vjet, isha ngjitur në skenë në vitin 1967, e mbylla karreirën zyrtare shtetërore në vitin 1997, ndërkohë që edhe 6 vjet këndej e pandarë me vallen dhe skenën përbëjnë një përvojë që unë nuk mund ta mbajë brenda vetes. Pra gjithmonë kam diçka për t’i përcjellë brezit pasues. Kam vendosur që vitin e ardhshëm të gjithë këtë përvojë ta përcjell në një recital në Tiranë, atje ku nisi karriera ime. Shpresoj se do të jetë diçka e veçantë, që të rezonojë emocione. Padyshim që nuk do të jem ajo që isha para 30 vjetësh, se atëherë isha më energjike, kisha tjetër pamje, por gjithsesi ende kam shumë për të dhënë në skenë. Sa herë shkoj në Tiranë nuk më mungojnë ofertat për të dhënë koncerte, shenjë kjo që tregon që edhe të tjerët ende presin prej meje. Pastaj dhe stafet që po merern me këtë do të dinë të dhurojnë të papritura.

Liljana Cingu si emigrante e përjeton jetën dyfish: si artiste dhe si njeri. Po ç’të veçanta ka në këto përjetime? Për të marrë një përgjigje i drejtova pyetjen:

– Çfarë i mungon Lilit njeri dhe Lilit artiste në emigracion?

– Si çdo emigranti, – thotë ajo, –  edhe mua më mungojnë shumë gjëra, vendlindja nuk mund të zëvendësohet, atje ku janë gjurmët e jetës time, fëmijëria, të afërmit, emocionet e mbetura në vendet e dashura…Unë jam artiste dhe nuk më mungon njohja dhe takimet, qoftë me ata që na kanë adhuruar në skenë, qoftë me të njohurit. Unë sa herë shkoj në Tiranë përtërihem; nuk ka hap që të mos më shoqërojnë përshëndetjet, të njohur e të panjohur. Nuk mund ta fsheh: nostalgjia është ndjenjë që më ka ngacmuar shumë për vendlindjen. Shpesh edhe kam qarë. Artisti është një masë e pafund emocionesh.

– Tani që po afron Dita e Flamurit, 28 Nëntori, ajo është e shumëkërkuar. Që me datë 23 nëntor i duhet t’u përgjigjet ftesave në Kanada; madje ka dhe komunitete të huaja që duan ta kenë në festat e tyre, ka ftesa nga New York-u, Toronto e gjithandej. Do të përpiqem të shkoj atje ku mundësia është më e madhe. Lili vlerëson shumë median e New York-ut, veçanërisht Illyria-n që, siç thotë ajo, është shumë e orientuar dhe shumë kombëtare; njeriu që e lexon këtë gazetë orientohet menjëherë; mëson se ç’ndodh këtu e ç’ndodh në hapësirën shqiptare; në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi. Shqiptarët e Amerikës janë shumë më të organizuar se ata të Kanadasë. Megjithatë edhe atje kohët e fundit ka një lëvizje pozitive, ka televizion, ka një gazetë, pra ka një orientim…

Ja kështu, përmes bisedës, ne u sollëm copëza nga jeta e artistes, një ndër legjendat e valles shqiptare, Lili Cingu, solistja e parë e Ansamblit të Këngëve dhe valleve të Shqipërisë, mbajtësja e Gjerdanit të Artë të Dizhonit, e mërguar për “kapriçio shqiptare” dhe e nderuar nga Parlamenti Kanadez, e cila vallëzon ende përkëtej  dhe matanë oqeanit. Andej me partenrin e kahershëm Rexhep Çeliku, këndej me vajzat dhe djemtë e mërgimtarëve në Kanada e New York, ndërkohë që për vitin e ardhshëm do të jetë me “Bashkimin Kombëtar” në Gjirokastër;  në Tiranë do të çojë përmes një spektakli gjithë jetën dhe biografinë e saj artistike, me të ftuar trashëgimtarë të familjeveve, që kërcejnë nëpër skena… Ka dhe një ëndërr Lili; hapjen e shkollës së Kulturës shqiptare në New York…Një jetë që ia vlen të regjistrohet në shtyllat e gazetës.( Kjo interviste u botua per te paren here ne Gazeten Illyria ne New York dhe do te jete pjese e librit”Histori shqiptare nga Amerika”, qe eshte ne process redaktimi)

 

Filed Under: Kulture Tagged With: dalip greca, kendej e matane, Lili Cingu, Oqeanit

Uashington, konferencë për projektin TAP

July 19, 2013 by dgreca

Për Shqipërinë, ky projekt parashikohet të jetë një ndër investimet më të mëdha të huaja deri tani, me vlerë prej rreth 1 miliard euro.

Nga Ilir Ikonomi /Zeri i Amerikes/

Përfaqësues diplomatikë të vendeve që do të përfitojnë nga projekti TAP, gasjellësi që do të furnizojë Evropën me gazin azerbajxhanas, thanë në Uashington se ky projekt i hap një të ardhme të rëndësishme sigurisë energjitike dhe zhvillimit. Ata i bënë komentet në një konferencë për shtyp:Përfaqësues diplomatikë të Shqipërisë, Greqisë, Italisë dhe Azerbajxhanit në Uashington thanë se shpresojnë që projekti TAP të vihet në jetë sa më shpejt në këtë rajon të uritur për zhvillim.

Për Shqipërinë, ky projekt parashikohet të jetë një ndër investimet më të mëdha të huaja deri tani, me vlerë prej rreth 1 miliard euro.
Ambasadori i Shqipërisë, Gilbert Galanxhi tha se sot për sot Shqipëria varet nga trillet e natyrës për nevojat e saj energjitike:
“Nëse bie shi ose borë, ne kemi energji, përndryshe nuk kemi. Prandaj ky projekt është shumë i rëndësishëm për diversikimin e burimeve të energjisë, sepse tani ne kemi një mjet të sigurtë për zhvillimin e ekonomisë në Shqipëri,” tha zoti Galanxhi.
Gjatë fazës së ndërtimit, TAP-i do të hapë vende pune në Shqipëri dhe do të ndihmojë në zhvillimin e infrastrukturës.
Zoti Galanxhi tha se për këtë arsye projekti gjeti miratim të përgjithshëm në Shqipëri, pa dallime partiake:
“Duhet të theksoj sot se qeveria shqiptare i dha mbështetje të plotë politike projektit. Jo vetëm qeveria por edhe opozita e asaj kohe, e cila do të jetë shumicë qeverisëse në shtator. Pra, marrëveshja e nënshkruar mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë, dhe më pas marrëveshja e nënshkruar me TAP-in, u miratua njëzëri në parlament.”
Gazsjellësi Transadriatik, ose Korridori Jugor i Gazit, vendos një lidhje të drejtpërdrejtë mes tregut azerbajxhanas dhe atij evropian të gazit. Më 28 qershor të këtij viti, konsorciumi Shah Deniz zgjodhi TAP-in për furnizimin e klientëve në Greqi, Itali dhe Evropën Juglindore.
Për sa i përket Shqipërisë, ajo shpreson të ketë përfitim të ndjeshëm, sepse gazjellësi do të përshkojë territorin e saj, duke filluar nga Bilishti në kufirin me Greqinë dhe duke kaluar në veri të Fierit me një shtrirje prej 209 kilometrash deri në Adriatik, në zonën e Semanit, për të përfunduar në Itali.
Projekti TAP i jep një shtytje përpara aspiratave për integrim evropian të Shqipërisë, e cila shpreson që brenda këtij viti të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ndërkaq, furnizimi i vendit me gaz i përket fazës së dytë të projektit, sepse Shqipërisë i duhet fillimisht të zhvillojë tregun e saj të gazit.
Në kushtet e vështirësive me të cilat përballen vendet e Evropës juglindore, sidomos Greqia, projekti TAP është parë si nxitës i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik, prandaj miratimi i tij është bërë me shpejtësi dhe nuk ka hasur pengesa në asnjërin prej vendeve të interesuara. Secili prej këtyre vendeve shikon përfitime.
“Për Greqinë, TAP-i do të jetë katalizator për të krijuar vende të reja pune, për të shtuar të ardhurat dhe begatinë. Ky projekt është gjithnjë e më i rëndësishëm, në kushtet e gjendjes së vështirë financiare të vendi,” tha Kristos Panagopulos, ambasador i Greqisë në Uashington.
Edhe Italia e ka pritur me entusiazëm projektin, i cili do të hyjë në territorin e saj përmes Detit Adriatik.
“Ky projekt forcon pozitën e Italisë si pikë nevralgjike për energjinë në Bashkimin Evropian. Për këtë arsye qeveria italiane është mjaft e angazhuar për të ndjekur nga afër të gjitha fazat e zbatimit,” u shpreh Lorenzo Galanti këshilltar i ambasadës së Italisë.
Italia është tregu i tretë më i madh i gazit në Evropë dhe sot për sot varet shumë nga Afrika e Veriut për furnizimin me energji.
TAP-i ka mbështetjen si të Bashkimit Evropian ashtu edhe të Shteteve të Bashkuara.
Ndërtimi i Gazjellësit është planifikuar të fillojë në vitin 2014 dhe pritet të zgjasë katër vjet.

Filed Under: Featured Tagged With: Galanxhi, Ilir Ikonomi, Ne Washington, TAP

HISTORIA PELLAZGO-ILIRE DUHET PARË ME SY PROMOVIMI, JO PËRFITIMI

July 19, 2013 by dgreca

NGA ARTUR VREKAJ /

Në qytetin e Helenit kishte qetësi edhe pse fluksi i turistëve është më i madh gjatë verës. Si edhe mesdita e lodhur e 5 korrikut 2013 nga vapa. Përshëndeta një grup norvegjezësh që ndiqnin me vëmëndje një cicerone që u shpjegonte detajet e ndërtimit të Amfiteatrit të Butrintit përpara skenës që ishte shndërruar në pellg të me ujë të qelbët. Si nuk jut ha dora dikujt të vinte një pompë fill pas ditës me shi apo të bënin një drenazh?

U ndjeva keq që shihja këta të huaj që çuditeshin për këtë moskujdesje të autoriteteve shqiptare që e kanë nën mbikqyrje, sepse ne mburremi që e kemi Park Kombëtar me histori të lashtë pellazge sa edhe ardhja e mërgimtarëve me Helenin në krye, në periudhën dhjetëvjeçare të Luftës së Trojës.

Tek Amfiteatri, sheshi ose skena ishte mbushur me ujë të llumur nga erërat që hidhnin rërë më shumë nga ambjenti rreth e rreth. Aty më tej ishin hedhur pa sistemim një pirg dërrasash për të ngritur dysheme për një veprimtari që do fillonte këto ditë.

Edhe më tej, në themele dhomash kuadratike kishte ujë të pistë. Parë me syrin e një të huaji këto pamje linin mbresa jo të mira. Parë me syrin e një historiani të Antikitetit alarmi është ende në veprim. A dëgjon kush? Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Instituti i Monumenteve, Albanologët, Presidenti, Qeveria, Bashkia e Sarandës a Ksamilit a kushdo që mund të kujtohet se Butrinti është vlerë kombëtare sa edhe botërore!

Ujë të pijshëm nuk kishte përveçse në një frigorifer brenda Parkut. Por nuk kishte ujë për tu freskuar në vendpushime që u ishin grisur rrjetat e maskimit që përdoreshin për hije mbi çati. Koshat e plehrave ishin prej druri, por të vjetër, e të dobët. Edhe shenjat e rrugëve në qytetin e Helenit nuk ishin të qarta, me shkëlqim, po me ca shigjeta të vogla në dërrasa druri. Dhomat e tualetit nuk funksiononin, sepse nuk kishte ujë edhe pse Liqeni i Butrintit akoma nuk ishte tharë.

Pyeta rojen e hyrjes dhe u ndjeva më keq kur më tha se e paguanin 150 dollarë në muaj edhe këto kish dy muaj pa i marrë! U bëftë më mirë,- i thashë! Si mund të ruash me qytetari një pasuri kombëtare dhe botërore kur nuk paguhesh në kohë?

Hajde zullum, hajde! Shteti, institucionet, tenderat për firma e sigurimiit të objektit etj…Turp! Dhe duket sheshit.

Ne shqiptarët kemi histori po i trëmbim të huajt me mënyrën se si kujdesemi për vendet me histori siç është edhe qyteti i Helenit! Heleni dhe Çezari bënë me shumë për këtë qytet-kështjellë aq sa gjurmët janë aty të përjetshme. Ky qytet është Troja e Parë e Shqipërisë! Është toka e atdhedashurisë. Këtu filloi mbretërimi i Ri i shënjtëruar me ritet e Dodonës që ishte kryeqendra fetare e vendasve në tokën e Mollosëve që e kishte zili edhe Athina!

Vërtet duhen para për ta mirëmbajtur Parkun Kombëtar të Butrintit, por edhe njerëzit që janë në administrim të tij duhet të kuptojnë se të kujdesesh për qytetin e Helenit është më shumë promovim i historisë pellazgo-ilire se sa biznes për ruajtje dhe mirëmbajtje. Duket se shqiptarët shohin paranë ose fitimin edhe para vlerave historike të antikitetit.

Po askush nuk e vret mendjen të sjellë më shumë veprimtari në Butrint. Të sjellë shëtitje me skaf në Liqenin e Butrintit. Po edhe një çift i ri mund të vijë e të bëjë një video a foto ditën e dasmës, ashtu sikundër pozonin Heleni dhe Andromaka. Pra, ka mundësi po duhen gjetur njerëzit që e kanë pasion historinë e antikitetit tonë.Të shfaqen filma të rinj tek Amfiteatri. Të sjellë ekspozita edhe nga jashtë! Të ketë një kafene brenda parkut. Të ketë gjithçka të mirë që të gjenerojë dhe kontribute financiare për ta mirëmbajtur e zbuluar më shumë se çfarë fsheh akoma ky qytet?

Akoma më shumë të ketë promovime edhe në botën akademike perëndimore apo edhe në auditorët e universiteteve më me zë për të promovuar këtë thesar të histories dhe kulturës sonë kombëtare.

Kujt nga shqiptarëve i ka rënë rasti të vejë në Bermuda mbetet pa mend! Vërtet! Dhe mendo Bermuda nuk i afrohet kurrë Butrintit për nga historia! Atje në atë territor ishujsh ka një kulturë perëndimore që të ngjit ta vizitosh edhe kalanë që nuk ka bërë luftë. Ka një Muze Kombëtar që është dinjitoz për nga paraqitja, por jo me aq pasuri muzeale sa ka Butrinti! Ka një terren të pastër e të mirëmbajtur, sepse në Bermuda ankorohen vetëm me dy anije të mëdha me mbi 7 mijë turistë për çdo javë. Plus mijërat që vijnë me pushime.

Duhet vërtet edhe njëfarë asistence teknike nëse u mungon shqiptarëve se si duhet të administrojnë vlera të tilla. Të shkëmbejnë edhe experience me botën, pse jo?

Të rritësh interesin për ta vizituar Butrintin duhet të mendosh se ke të bësh me një vlerë që do të rishfaqet përditë. Sepse është edhe vlerë botërore dhe për më shumë tregime të vërteta të historisë dhe kulturës që ne bartim sot në Shqipëri apo edhe krijojmë në vazhdimësi duke parë edhe aspektin e historisë së rrënjëve tona pellazge. Por, duke u treguar të zhvatur dhe indiferentë edhe bota akademike apo turistët e thjeshtë do të na lënë mënjanë.

Unë do të shkoj prapë në Butrint. Se jam shqiptar. Por ndihem keq, kur bota vende-vende, nuk ka më shumë thesare se ne për nga historia, por di si ti ruajë e mirëmbajë dhe tregojë me kulturë edhe atë pak histori që ka.

Një Park Kombëtar si Butrinti, i mirëmbajtur do të sjellë patjetër edhe një qytetërim më të mirë të zonës duke e pasuruar me shërbime cilësore. Pra, edhe jeta e banorëve do të jetë më e begatë. Po kujt t’ja rithuash këtë?

 

Filed Under: Histori, Kulture Tagged With: historia, pellazgo-ilire

Historia shqiptare, Histori qe ”vret” ?!- Ajo çka është e jona ,le të mbetet e jona!

July 19, 2013 by dgreca

“Historia jonë e përmbysur , e përvetsuar dhe e mëshefur qëndron ende krenare nën dhe e mbi dhe. Vetëm prej nesh duhet që ta duam dhe ta kërkojmë, Ajo është aty dhe këtu ,por asaj duhet t`ia japim gjuhën që të flet shqip.” (F.Xh.)/

SHKRUAN FAHRI XHARRA/GJAKOVE/

“Grekët mbas vitit1912 e shkatruan komplet Selanikun ,ndertesat dhe trashegimninë e shekullit 17 -18,ne bashkpunim me te huajt ,,per te ndertuar nje Selanik te ri me kishat dhe objektet qe ju interesonin ,,,keta pra ishin dhe vazhdojne te jenë ,”,,,nga Mark Mazower  (prof in Columbia University) ne librin Salonica City of Ghosts”. Pse?  Ata janë shumë të ndjeshëm në të” vërtetën” e tyre. Çdo gjë duhet të jetë sipas tyre.Po ,nëse nuk është atëherë duhet shkatërruar ,humbur gjurmët dhe shkruar e ndërtuar sipas shijës dhe të”vërtetës “ së  tyre.Dhe bota fillonte gjithmonë me ata.Të pamëshirëshëm në zhbërjen fakteve dhe të pamëshirëshëm në “ puzell-in” e tyre të sajimeve , të shtrembërimeve dhe të përvetësimeve .

Johan Tunman, (1774, Leipzig) shkruante: ” Asnjë popull tjetër i botës në të cilën ne jetojmë, nuk është aq i panjohur për evropianët e perëndimit për sa i përket prejardhjes, historisë dhe gjuhës, sa shqiptarët. E megjithatë, ata janë popull kryesorë, të lashtë e të rëndësishëm, që çdo historian do të dëshironte t’i njihte: historia e tyre do të plotësonte zbrazëti të mëdha në historinë e vjetër e të re të Evropës. Por… ata sot nuk luajnë më ndonjë rol të veçantë. Ata janë të nënshtruar, ata janë fatkeq dhe historiani shpesh është po aq i padrejtë, sa dhe njeriu i zakonshëm; ai nuk i përfill ata që nuk i ka prirë fati. “    (Johan Tunman, 1774, Leipzig, “Kërkime në historinë e popujve të Evropës Lindore”.)

“Kur një popull nuk i mbronë më lirinë dhe drejtat e tij ai bëhet i pjekur për riskallavërim”,thuhej këto ditë në një shoqatë të rinjsh në Francë.  E na sot , a po e çmojmë dha  a po e ruajmë lirinë tonë? a po lejojmë që të na ndërhyhet në rrjedhat tona? Nëse i huaji na shkruan historinë ,sado pak  që e ndërron . dhe sa do pak na e futë vetëm majën ; a pat suvereniteti arsimor . Të tjerat vijnë më vonë, heshtas dhe sigurtë.“Sikur druri që i ka rrënjët në tokë, e njëjtë është edhe me shpirtin e njeriut. Rrënjët e forta na mbajnë për tokë  kurse njohuria për  origjinën tonë na jep një mbështetje të forte, nëpërmjet së cilës ne mund të shkojmë shumë larg në jetë tonë të kaluar dhe përgatitjen tonë për të ardhmën.Profesori Pott-i mendon se shqiptarët janë ilirët, dhe se kjo është përgjigjja më e mirë për emrin e Pellazg. Ai thotë se ilirët nuk ishin as gotikë, as sllavë, finik apo turq, e asgjë tjetër, në fakt, veçse autoktonë.

Ku ishim te Selaniku i vitit 1912, ajo ishte vetëm një vazhdimësi greke e asaj që e kanë bëre jo me vite por me shekuj e mileniume.Pausanias (Παυσανίας ) ishte një udhëpërshkrues dhe gjeograf  “grek” i shek.të II-të prK  , që ishte bashkëkohanik i  Hadrianit , Antonius Pius-it dhe Marcus Aurelius-it. Mbeti historikisht i pavdekshëm me “Përshkrimin  e Greqisë (Ἑλλάδος περιήγησις) një punë e mirë që mbeti kruciale bë mes të literatures klasike dhe arkelogjisë moderne.( (Akujärvi, Johanna 2005, Researcher, Traveller, Narrator: Studies in Pausanias’ Periegesis Stockholm). Pausanias shkruante: “Burri i parë që ka lindur në botë ka qënë Pellazgu, një burrë i dalluar për përmasat dhe bukurinë e figurës së tij që i kalonte të gjithë të vdekshmit e tjerë për kualitetet e shpirtit. Pellazgu ishte i pari që u mësoi njerëzve që të ndërtonin shtëpi dhe të mbroheshin nga të ftohtit, ai u mësoi njerëzve që të bënin rroba nga lëkura e deles. Pellazgu ka lindur nga dheu për të qënë filluesi i gjenit të vdekshëm”. (Pausania lib.VIII. 1.4). Sa kohë na është mëshefur kjo? Sa kohë nuk kemi guxuar ta themi këte?

Historia jonë e përmbysur , e përvetsuar dhe e mëshefur qëndron ende krenare nën dhe e mbi dhe. Vetëm prej nesh duhet që ta duam dhe ta kërkojmë, Ajo është aty dhe këtu ,por asaj duhet t`ia japim gjuhën që të flet shqip.; “…Si një dhuratë të bukur, toka krijoi së pari njeriun, dhe Arkadia krijoi “ Pellasgët Hyjnorë ”, shumë ma përpara se të krijohej Hana.” Pindari, “Carmina Selecta”. E tepruar . Jo aspak edhe  shumë e vërtetë. Por, historisë duhet dhënë gjuhën që ajo të flet shqip.

Ne ishim të nënshtruar, ne ishim  fatkeq  ne ishim të pa fuqishëm ,dhe historianët ( serbët ,grekët  e tani edhe turqit dhe dashamirët e tyre; dashamirët e falsifikimit të qëëllimshëm) shpesh ishin  dhe ende po janë aq të  padrejtë, sa  terësia e jonë historike  po copëtohet në copëza të pa përfillëshme. Po sot ,ku jemi sot? A i bindemi fakteve historike për ne ,apo prap i nënshtrohemi diktatit të të tjerëve  për shkruerjen e historisë sonë ?

Është për t`u vajtuar guximi i pafytyrë i historiogarfisë  së huaj në këmbëngulësinë e saj në një përvetësim të një historijeje të gjatë mijëra vjeqare; e vaji duhet të jetë edhe më i madh që historiografia shqiptare heshtë dhe nuk gjen mjete as materiale e as morale  që me fakte e dhe dokumnete t‘i kundërvihet asaj. Bota i beson vetëm librit ; e ne atë nuk e kemi se jemi zhytur në thellësinë e një vetngulfatjeje  nga e cila po e kemi vështirë të dalim. Është i pafytyrë guximi i ndërhyerjeve “estetike” dhe “etike” në historinë tonë.

Çështja shqiptare është një çështje kombëtare. Për ta shikuar në raport me të kaluarën, të tashmen dhe ardhmen duhet të mbledhësh të dhënat aktuale të shtrirjes së tij.

Nuk do mend se populli shqiptar është një nga popujt më të vjetër të botës dhe të ballkanit. Ne e njohim atë si pellazgë, si etruskë, si ilir dhe si shqiptarë. Bartësit e këtij substrati identifikohen shumë herët, me popullsinë parailire, që në burimet historike njihet me popullsinë pellazge . Rrënja e jonë e vjetër është pellazge.

Ne e kemi bërë shprehi ti konsiderojmë pellazgët si pjellë „të mbirë nga dheu, hyjnorë, pjellëbardhë, rrënjës në trevat e Mesdheut dhe më gjërë“. Pellazgët, në periudhat më të vjetra të historisë dhe të parahistorisë, si stërgjyshërit e shqiptarëve të sotëm, kanë jetuar në pjesën më të madhe të botës, duke zhvilluar një qytetërim shumë të rëndësishëm. Edhe popullsia parahelene, autoktone e Greqisë, ishin pellazgët. Ku sundonte raca e bardhë pellazge, flitej pellazgishtja. „Studius të pellazgëve, mbështetur në shkrimet e autorëve të antikitetit, theksojnë, se emërtimi “pellazg”del nga fjala “pjellarg” domethënë “pjellë-bardhë”. Shqiptari ka plotësisht të drejtë të ndihet kryelartë që është trashëgimtar i denjë i genit dhe i gjuhës së pellazgëve pjellëbardhë, i stërgjyshërve të tij më të lashtë“. Ata janë stërnipërit më autentikë të pellazgëve, të dardanëve dhe ilirëve të vjetër. Pellazgët-iliro-shqiptarët e ruajtën me mija vjet të papërlyer gjenin e vet me bukuri të virtytshme.

“ Nuk është për t’u çuditur që pushtuesi otoman ndalonte çfarëdolloj gërmimesh në tokën shqiptare, që mund t’i kujtonin popullit lavdinë e tij të dikurshme” thoshte George Fred Williams më 1914(“Shqiptarët”) A jemi të lehtë? Jemi në qendër të vrojtimit ; lëvizjet tona të mira apo të pamira shenohen dhe mbesin në bllokun e shënimeve të shënuesve ; shënime këto që shërbejnë për cilësimin e kombit tonë. Në sirtarët e kombeve e kemi vendin tonë;më e rëndësishme është se çka të tjerët mendojnë për ne dhe se ku  ata na rendisin neve se sa që na i këndojmë hymne vetës pa e dijtur se ku jemi për të tjerët. Prap po e ceku që jemi në qendër të vrojtimit dhe se çdo heshtje e jona shkon në të mirë të trekëndëshit të njohur.Por edhe mohimi i vetvetës , mohimi i historisë ,kacafyetjet mohuese ,shtrembërimet që ia bëjmë vetës  shkojnë shumë mirë dhe qetas palosen në “defteret” e  trekëndëshit dhe  pasojat janë tejet të rrezikshme për ne.

“Shqipja ka qenë gjuha e vërtetë e Homerit, se grekët e kanë huazuar nga rapsodet Pellazge eposin e tyre të shquar… Shqipja ka qenë gjuha amtare e Aleksandrit të pushtimeve të mëdha dhe e Pirros së Epirit, një prej gjeneralëve më të mëdhenj të historisë…Është tragjedi tej çdo përfytyrimi, që kjo racë e madhe dhe shumë e lashtë të katandiset në këtë gjendje, e cila meriton të quhet skandali i qytetërimit Europian. …Është e kotë të kërkohet për perënditë e Greqisë në etimologjinë e gjuhës së saj. Në gjuhën Shqipe këto janë shumë të qarta dhe domethëniet e tyre shumë të drejta.” –

Përderisa ne ia dham Romës ata që ia dhamë; përderisa Bizanti u udhëhoqë nga ne, e  Turqia e sundoi kohën me ndihmën e njerzëve tanë;  ne prap mbetëm “kjo racë e madhe dhe shumë e lashtë që katandiset në këtë gjendje, e cila meriton të quhet skandali i qytetërimit Europian”. Ne nuk jemi apatikë, koatikë ,difuzë;ne nuk jemi të zbritur nga drunjtë por botës i dhamë civilizimin më të herëshëm; ditëm të udhëheqim me Perandoritë e kohës, ditëm të udhëheqim me Papatin e kohës; ditëm të ndertojmë Taxh-Mahallin e kohës, ditëm të kemi Karl Gëgën , Gjon Gazullin , Mehmet Ali Pashën e Egjyptit, Hoxha Tahsinin; e shumë e shumë të tjerë të cilët rrezatuan për vendet e huaja  e kurrsesi në vendin e tyre.Kjo më jep mundësinë të bëjë një lidhje të ngjajshmërisë natyrore me Luleshtrydhën( Dredhëzen) . E dini pse ? Luleshtrydhja është  e vetmja pemë që farën e ka jashtë trupit të saj ,kurse na i vetmi komb që njerzit e vyejshëm i kemi pasur gjithmon jashtë  trungut t` tonë kombëtar.

Derisa me shekuj kanë shkruar se ne jemi askushi ,barinj të zbritur nga malet e pa emëruara ; dhe se  gjurmët tona arkeologjike janë të pagjetëshme posi ato të arinjve apo të ujqërve  të ngordhur nëpër male;tani nuk guxohet të harrohet dhe të mohohet që na kemi qenë kërthinëza e civilizimit të herëshëm europian.. Librat shkruhen , ato lexohen ,letra i duron edhe rrenat  më të pakuptimta që të shkruhet mbi te. Librat përkthehen në gjuhët e Europës dhe i lënë gjurmët e saja në kujtësën e Europianit ; ato e bëjnë historinë

Ajo çka është e jona ,le të mbetet e jona.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: ajo qe eshte jona, histori qe vret, historia shqiptare, te mbetet jona

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5325
  • 5326
  • 5327
  • 5328
  • 5329
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT