• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHOQATA PRONESI ME DREJTESI AKUZON BANKEN BOTERORE PER UJDI ME QEVERINE

May 25, 2013 by dgreca

DEKLARA E PLOTE E SHOQATËS “PRONËSI ME DREJTËSI “PËR PËRGJIGJEN E BANKËS BOTËRORE/

Ne Foto: Znj. Kseniya Lovovsky, drejtuese aktuale e Bankës Botërore në Shqipëri./

Në vijim të Apelit që Shoqatat “Pronësi me Drejtësi” dhe “Bregdeti” i kanë drejtuar me 31 mars 2013 institucioneve ndërkombëtare, ndër të tjerë dhe z. Philippe Le Houerou, zv. President i B.Botërore për Europën, shoqatat kanë marrë më 21 maj 2013 përgjigjen e Bankës Botërore nënshkruar nga znj. Kseniya Lovovsky, drejtuese aktuale e Bankës Botërore në Shqipëri. Meqenëse problemi i pronës ka rëndësi parimore dhe kombëtare dhe  Banka Botërore është një ndër “këshilltarët” kryesorë të Qeverisë për këtë çështje, mendojmë që përgjigjen për znj. Lovovsky dhe z. Philippe Le Houerou, ta publikojmë jo vetëm në faqen internet të shoqatës (defendingproperty.com) por edhe përmes gazetave.

Në përgjigjen e dt 21 Maj znj. Lovovski i referohet shqetësimit të shoqatave mbi politikat e Qeverisë Shqiptare dhe të Raportit të Bankës Botërore 62519 AL, si dhe përgjigjes së Bankës Botërore të 23 Janarit 2013 (shif: defendingproperty.com/shqip/letra-te-shoqates/ ). Në lidhje me propozimin legjislativ (projekt-ligjin e shoqatave) lidhur me çështjet e pronësisë dhe të kthimit të pronës në Shqipëri, znj. Lovovski sqaron se, ndryshe nga sa supozojnë shoqatat, Banka Botërore nuk ka mundësi, në kuadrin e mandatit të saj të ndërhyjë në ligjet e ndonjë Shteti. Banka botërore pret që shoqatat të punojnë në kuadrin e procesit legjislativ dhe të struktuarave egzistuese për të kontribuar në zhvillime legjislative të drejta.

Kjo përgjigje që në sipërfaqe duket e drejtë dhe parimore në thelb maskon qëndrimin abuziv të Bankës Botërore ndaj problemit të pronës dhe ankesave tona që në fillimet e veprimtarisë saj në Shqipëri. Problemi me znj. Lovovski dhe me të gjithë drejtuesit e mëparshëm të Bankës Botërore në Tiranë nuk është mungesa e kompetencës për të këshilluar në fushën ligjore, por ujdia e tyre me drejtuesit e politikës  shqiptare të cilët këto 22 vite “demokraci” kanë zbatuar dhe vazhdojnë të zbatojnë me konsekuencë strategjinë e Katovicës. Ne mendojmë se Znj. Lovovski dhe Banka Botërore po abuzojnë me tolerancën tonë dhe të popullit shqiptar në përgjithësi. Ne kërkojmë nga Banka Botërore korrigjimin e rekomandimeve të gabuara , koordinim me instanca të tjera ndërkombëtare si për shembull me Këshillin e Evropës dhe Gjykatën e Strasburgut dhe respektim, në rekomandimet që Banka Botërore i jep Shqipërisë, të vendimeve të Strasburgut mbi pronat (grupi i rasteve Driza dhe Puto dhe vendimi pilot i korrikut 2012)!

Abuzimi i Bankës Botërore qëndron pikërisht në mospranimin e problemit bazë që është detyrimi i shtetit demokratik për të kthyer tek i zoti pronën e grabitur nga diktatura, konform legjislacionit dhe angazhimeve ndërkombëtare të marra nga shteti shqiptar që në fillim të viteve ’90. Abuzimi tjetër qëndron në mospranimin nga ana e Bankës Botërore se lëmshi i krijuar qëllimisht në çështjet e pronësisë zgjidhet duke respektuar prioritetin e të drejtave të pronarëve të shpronësuar nga diktatura komuniste (=kthim i pronave) dhe duke kompensuar me vlerë të plotë pronarët për rastet kur prona përdoret për nevoja publike. Fatkeqësisht pas 1991 politika shqiptare, ka zbatuar platformën e Katovicës.  Me parulla populiste herë të majta e herë të djathta, në ekonomi dhe në politikë është ricikluar një klan i përzgjedhur nga regjimi i mëparshëm, i cili ka përvetësuar pronat që duhet t’i ishin kthyer të zotërve.

Ne kemi kërkuar dhe do vazhdojmë të kërkojmë që vjedhja e pronave e organizuar nga politikanët pas vitit 1991, të mos vazhdojë të financohet nga Banka Botërore. Problemi i pronës  zgjidhet thjesht e pa faturë financiare konform parimeve morale dhe kushtetuese demokratike nëse do të zbatohej neni 181 i Kushtetutës tonë. Ne jemi të bindur se kjo realizohet me projekt-ligjin që kemi propozuar. Ky projektligj njëkohësisht trajton e zgjidh dhe pasojat e shkaktuara gjatë periudhës “demokratike”22 vjeçare. Ne i kemi kërkuar Bankës Botërore të na ndihmojë në këtë drejtim, duke kërkuar ekspertizë ligjore e kushtetuese pranë Komisionit të Venecias të Këshillit të Evropës, për projektligjin e shoqatës. Sipas përgjigjes së znj. Lovovsky, Banka Botërore nuk mund të “ndërhyjë” në këtë drejtim ndërkohë që ajo nuk hezitoi të ndërhyjë për të shembur shtëpitë e pronarëve autoktonë në trojet turistike të Jalës, thjesht për të plotësuar interesat e klaneve që grabisin trojet turistike.

Ky qëndrim selektiv dhe tendencioz bën që ne ta akuzojmë Bankën Botërore për keqmenaxhim ose, për të përdorur gjuhën diplomatike, keqkëshillim në proçesin e kalimit të Shqipërisë nga diktatura në demokraci. Këtë e dëshmon dhe situata
katastrofike e ekonomisë shqiptare. Ekonomia është në gjendje alarmante pasi borxhi publik ka kaluar kufirin maksimal. Në këtë fallcitet demokratik të nisur para 22 vjetësh, problemi më madhor është problemi i pronës dhe në këtë problem Banka Botërore ka luajtur rol kryesor. Kjo sepse çdo pronë qe nuk kthehet përbën faturë financiare. Kjo sepse moszgjidhja e problemit të pronësisë është pengesë madhore për investime serioze dhe zhvillim të mirëfilltë të ekonomisë shqiptare. Projektligji ynë e zgjidh shumë mirë këtë situatë por Banka Botërore me këtë përgjigje justifikohet me anën procedurale dhe  e anashkalon thelbin e problemit.

Përgjigja e fundit e Bankës Botërore është episodi i fundit i një seri shkëmbimesh  publikuar në faqen internet të shoqatës (www.defendingproperty.com). Në një seri letrash, shoqatat, në mënyrë të përsëritur kanë sinjalizuar dhe kundërshtuar qëndrimin negativ të Bankës Botërore ndaj pronarëve autoktonë.

Shkurtimisht i rikujtojmë Bankës Botërore se: Anarkia aktuale e titujve të pronësisë është situata më e rëndë që ka njohur populli shqiptar që nga mesjeta përfshi edhe periudhën e pushtimit otoman, atë të pushtimit fashist italian në 1939 dhe më tej atij nazist gjerman. Asnjë nga këta pushtues nuk i ka mohuar popullit shqiptar të drejtën mbi pronën e trashëguar. Kjo shpjegon ndër të tjera se megjithë pushtimet e njëpasnjëshme shqiptarët ruajtën identitetin e tyre. Po, prona e trashëguar është identitet kombëtar dhe ABC e demokracisë. Shteti para 1944 i ka administruar pronat në mënyrën më moderne europiane, që është model edhe për sot. Diktatori Enver Hoxha i shtetëzoi pronat, por i ruajti dokumentat e shpronësimeve dhe nese hapen regjistrat e shtetëzimeve dhe miratohet projektligji që ju propozojmë problemi i pronës zgjidhet më së miri. Ndërkohë Raporti i B.Botërore që është adaptuar plotësisht në Planin e Veprimit të Qeverisë mohon identitetin dhe origjinën e pronës. Heshtja e Bankës Botèrore ndaj kërkesave tona është një thyerje e rëndë morale dhe një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut. Për këtë situatë tragjike që prej vitit 1991 ka shkaktuar mijëra të vrarë dhe konflikte sociale, që rriten çdo ditë, përgjegjësi historike dhe morale mbajnë drejtuesit e politikës shqiptare dhe kryesisht ata të PD dhe PS por edhe Banka Botërore, që me heshtje po mbështet anarkinë dhe korrupsionin aktual me pronat.Ne asnjëherë nuk do të pajtohemi me qëndrimet e gabuara të Bankës Botërore dhe politikanëve të papërgjegjshëm e të pangopur, që duke na mohuar pronën e trashëguar mohojnë identitetin tonë kombëtar. Ne shpresojmë akoma në (mirë)kuptimin nga ana e Bankës Botërore të këtij problemi. Mbështetja përmes rrjeteve sociale e mbarë shqiptarëve dhe pronarëve, veçanërisht e rinisë patriotike e emigracionit shqiptar si dhe e shtypit shqiptar e të huaj është esenciale.

Për kryesinë e Shoqatës Kombëtare të të Shpronësuarve “Pronësi me Drejtësi”

Rrapo Hajredin Danushi

Filed Under: Opinion Tagged With: akuzon Banken Boterore, deklarate, Shoqata pronesi me Drejtesi

VETEVENDOSJA VIZITOI SHTËPINË E VATRËS

May 24, 2013 by dgreca

Mbrëmjen e së premtes të 24 Majit delegacioni i Lëvizjës Vetëvendosja që po bënë një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vizitoi Shtëpinë e Vatrës. Për arsye trafiku lideri i Vetëvendosjes, kryetari i Komisionit të Politikës së Jashtme në Kuvendin e Kosovës, Albin Kurti nuk mundi që të ishte i pranishëm. Ai kishte udhëtuar me linjën e aeroportit të Newark-ut, NJ, ndërsa të tjerët kishin zbritë në JFK Aeroport. Pjesa tjetër e  delegacionit të  Lëvizjes së Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti, nënkryetar i parë, Visar Ymeri, deputet dhe kryetar i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës, Florin Krasniqi, deputet i kësaj lëvizjeje dhe Boiken Abazi, koordinator i sekretariateve në Lëvizje, u pritën nga Kryetari i Vatrës dr. Gjon Bucaj dhe pjestarë të Bordit të Vatrës.

Kryetari i Vatrës dr. Gjon Bucaj u uroi mysafirëve mirëseardhjen në Shtëpinë e Vatrës dhe u shpalosi historinë dhe qëndrimet e Federatës Panshqiptare të Amerikës, duke u përqëndruar në luftën 101 vjecare të Vatrës për cështjen Kombëtare. Kryetari i Vatrës prezantoi veprimtaritë shumëvjecare të Vatrës për cështjen Kombëtare në tërësi, dhe asaj të  Kosovës në vecanti, pjesmarrjen në demonstrata, përkrahja e madhe që iu dha ish presidentit të ndjerë të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova etj. Më pas dr. Gjon Bucaj prezantoi veprimtaritë e Vatrës gjatë viteve të fundit duke u ndalur edhe në 100 vjetorin e themelimit të Vatrës si dhe në festimet e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, organizimin e Kuvendit të Vatrës etj. Duke folur për luftën e Vatrës për Cështjen Kombëtare kryetari i Vatrës tregoi pozicionin e vatranëve duke shfaqur idenë se nuk mund të luftohet në mënyrë folklorike për Bashkimin Kombëtar, por me platformë Kombëtare, duke shkuar gradualisht nga bashkimi shpirtëror, kulturor, sportiv, deri tek ai faktik.

Miqtë e Vetëvendosjes prezantuan radhazi qëllimin e  vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, axhendën e takimeve, duke theksuar se në Nju Jork takimet nisën me Vatrën Kombëtare, Federatën që i rezistoi stuhive të më shumë se një shekulli. Kjo nënkupton vlerësimin e Vetëvendosjes për Federatën Vatra, me të cilën thanë ata mbi të gjitha ne na bashkon lufta shekullore për cështjen Kombëtare. Mysafirët shpalosën luftën e Vetëvendosjes kundër korrupsionit, si dhe vendosmërinë e tyer për ët realizuar bashkimin kombëtar. Ata thanë se e vlerësonin minoritetin në Kosovë, por nuk mund të pajtohen me ndërkombëtarët, apo tendencën serbe për të kaluar në minoritet shqiptarët. Qëllimi i serbëve me marrveshjen e nënshkruar synojnë që gjithëcka në veri të konsiderohet serbe, ndërsa në pjesën tjetër të Kosovës, gjithcka si e përbashkët.

Në takim nga ana e vatranëve folën përvec kryetarit Bucaj edhe zotërinjët Agim Rexhaj, Musli Mulosmanaj, dr. Skënder Murtezani, Zef Balaj e të tjerë. Të pransihëm nga vatranët në këtë takim ishin edhe: Nazo Veliu, Marjan Cubi, Agim Alicka, Mithat Gashi dhe editori i Diellit Dalip Greca.

Mysafirët vizituan mjediset e arkivit dhe të bibliotekës së Vatrës, bënë fotografi dhe lanë shënim në librin e vizitorëve.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: delegacioni i vetevendosjes, vizitoi shtepine e Vatres

PAPAGAJTE E POLITIKES- NJË KONTRIBUT SERIOZ NË PUBLICISTIKËN SHQIPTARE*

May 24, 2013 by dgreca

-refleksione për librin “Papagajtë e politikës” të Prof. Dr. Ago NEZHA, Mjeshtër i Madh-

Nga Albert R. HABAZAJ**/

Nëqoftëse mund të shprehemi metaforikisht që publicistika letrare shqiptare është Qytet Shkrimor i problemeve politiko – sociale të kohës, me penë të mprehtë dhe gjuhë figurative në Republikën e Letrave, libri “Papagajt e politikës” i gazetarit dhe shkrimtarit të njohur Ago Nezha është një vilë e këtij qyeti, apo thënë më ndryshe,  një pallat me pesë kate në Qytetit Shkrimor të Publicistikës Letrare Shqiptare. Kati i parë emërtohet Inflacioni i vlerave, kati i dytë Dilema e partive, i treti Korrupsioni elektoral, kati i katërt Dialogu qytetar dhe kati i sipërm Krenaria e simboleve. 185 shkrime në 5 kapituj vijnë në librin “Papagajt e politikës” si një kontribut madhor për publicistikën bashkëkohore shqiptare, shkruar nga prof. dr. Ago Nezha, Mjeshtër i Madh.

E quaj nder e detyrim  që për këtë libër të madh, të shprehem në trajtë sa më lakonike, sepse gjithshka e ka shkruar Profesori si një mjeshtër i fjalës së bukur, të pastër dhe të rëndë shqipe në 462 faqe libër: “Personalitet i Shquar i Qarkut të Vlorës”, “Personalitet i Shquar i Labërisë”, Prof. Ago Nezha është për gati 12 vjet, qysh nga 30 nëntori 2001 kryetar i Shoqatës Kombëtare Atdhetare – Kulturore “Labëria”, ndër më të shquarat në Shqipëri për veprimari kulturore atdhetare, saqë mund të themi që edukimin atdhetar e kulturor të brezave e bën shumë herë më mirë se vetë Babashteti. Prof. Nezha është kryetar i kësaj shoqate emërmadhe, ku Kryetar Nderi është akademiku Rexhep Qosja dhe anëtarë Nderi Dritëroi ynë i madh dhe shkencëtari Rexhep Mejdani.

“Papagajt e politikës”, si një prurje e fuqishme e gazetarisë së sotme ndërshqiptare më kujton kontributet e spikatura të Branko Merxhanit, Krist Malokit, Ismet Totos, të Konicës e Nolit, të Halim Xhelos etj., që shkëlqyen në vitet ’20 –’30 të shek. XX dhe që plotësojnë brilantisht antologjinë e mendimit shqiptar. “Papagajt e politikës” është një titull sa  metaforik, aq dhe fatkeqësisht i dhembshëm për banorët e Vendit të Shqipes, siç na quanin të huajt.

Politikë do të thotë arti i të drejtuarit të shtetit; është me burim nga greqishtja –politiké. Papagalli vjen nga burim zoologjik dhe është zog i vendeve të nxehta me sqep të verdhë, të gjatë e të kthyer poshtë me pupla shumë ngjyrëshe, që ka aftësi të shqiptojë fjalë, duke imituar njeriun. Kemi papagall të gjelbër, të kuq. Kemi dëgjuar për papagall që mëson përmendësh, në mënyrë mekanike, që përsërit si papagall, kur thonë…

Me librin që kemi në dorë Prof. Ago Nezha na thotë se s’ka vetëm zogj që imitojnë njeriun, por ka edhe njerëz që imitojnë majmunin politikisht, moralisht, kombëtarisht. Është  fjala për atë lloj specjeje me vetëdije segmentare , të kornizuar në vision, që flet a përsërit në mënyrë mekanike fjalët e një tjetri, pa u thelluar në ato që thotë, si papagall, por që në këtë rast shkakton dëme sociale të pallogaritshme.

Në këtë libër, që unë e klasifikoj publicistikë letrare, me një parathënie emblematike të filozofit dhe sociologut të shquar Prof. Dr. Servet Pëllumbi, redaktuar me përgjegjësi profesionale nga gazetari dhe shkrimtari i njohur Albert Zholi,  ndjej hovin përparimtar dhe demokratik, me të cilin autori Ago Nezha i jep një shtysë pozitive dhe impulse të fuqishme gazetarisë bashkëkohore shqiptare. Ndjej e shijoj në këtë libër një formë të ndërgjegjes sociale dhe të kulturës shpirtërore të një individi, që nëpërmjet  shkrimeve të botuara nuk përfaqëson  më vetëm Ago Nezhën, Dukatin, Nivicën, Vlorën, Labërinë, por më shumë se kaq. Ai përfaqëson zërin shqetësues të intelektualit progresist shqiptar dhe, si pjesë e së tërës, plotëson ndërgjegjen kulturore të komunitetit shqiptar për të shpëtuar nga inflacioni i vlerave nëpër baticat dhe zbaticat e jetës shqiptare, për të respektuar hierarkinë e vlerave; për të kombëtarizuar qytetarisht partitë e paqarta në platformë që gufosin  me fasada boshe meritokracie, nga kopeja e servilëve e dallkaukëve që bëhen ura të korrupsionit elektoral; që nëpërmjet dialogut qytetar dhe etikës së komunikimit të ndjejmë dhe t’i shërbejmë krenarisë kombëtare. Shpesh herë shkrimet e Prof. Agos më duket se kanë ngjyer penën e artit në gurrën kombëtare ku ka pirë ujë të kulluar edhe Çajupi ynë i pashok në satirën e tij realiste, si pikënisje, kuptohet në një trajtë të re, sidomos me fejtonin e njohur “Klubi i Selanikut” (1909), i vetëdijshëm për realitetin e zymtë të jetës në atdhe.

Sentencat e profesorit artikulojnë një elokuencë të shprehuri filozofik dhe shpërndajnë një bërthamë mendimi jetësor të vërtetë e moral, që ngrihen në nivelin e artë të fjalëve të urta, ardhur nga shekujt e mijravjeçarët e anonimatit gurgullues popullor. “Në demokraci jemi të një mendimi, që të mos jemi të një mendimi” e të tjera perla mendimi si kjo thënie e prof. Ago Nezhës e bëjnë më të kthjellët dimensionin filozofik të personalitetit krijues të publicistit të njohur, poetit dhe shkrimtarit të palodhur. Guximi qytetar,  mprehtësia profesionale dhe përgjegjësia kombëtare janë tre piketa rajivëzuese të profilit të autorit, i cili me fjalëformimet e reja që peshojnë e pasurojnë fjalorin e gjuhës shqipe, e stolisin hijshëm semantikën e leksikut shqiptar, jep një kontribut serioz në publicistikën shqiptare.

Duke e pasqyruar jetën mbi bazën konkrete përmes fakteve, veprimeve, perzonazheve politikë, dukurive, ngjarjeve reale e konkrete sociale, duke patur si objekt pasqyrimi pikërisht tipiken faktike e konkrete sociale, në kuptimin e gjendjes ekzistuese mbi bazën e arsyetimit, të krahasimit, të përzgjedhjes së fakteve dhe të tipave socialë vertikalisht sipërorë, libri “Papagajt e politikës” ngrihet në nivelin më lartë përfaqësues të publicistikës së sotme letrare të angazhuar.

* ) Referim në promovimin e librit “Papagajt e politikës” të autorit Ago Nezha, mbajtur në universitetin “Pavarësia”, Vlorë, ditën e premte, 17 maj 2013, ora 11.00

**) Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “ Ismail Qemali”, Vlorë

Filed Under: Kulture Tagged With: Ago Nezha, Albert Habazaj, Papagajte e politikes

DISA NDRYSHIME QE PRITET TE BEHEN NE LIGJIN E EMIGRACIONIT TE SHBA

May 24, 2013 by dgreca

Gazeta “Dielli”, me e vjetra e Botes shqiptare ne botim-  ne sherbim te komunitetit/

Nga Ardian Gjoka – Avokat Emigracioni/

Me daten 21 May, 2013, komisioni i ligjeve te Senatit te Shteteve te Bashkuara te Amerikes(SHBA) kaloi per votim ne Senat projektligjin per disa ndryshime ne ligjin e emigracionit.  Shpresohet qe Senati ta hedhe ne votim ne fillim te muajit Qershor. Ne qofte se ky projektligj miratohet nga Senati atehere qe te behet ligj duhet te miratohet dhe nga Dhoma e Perfaqesuesve dhe te firmoset nga Presidenti.

Ky projektligj parashikon ndryshime te medha ne lidhje me legalizimin e personava qe nuk kane dokumenta dhe ne menyren e emigracionit  ne SHBA ne te ardhmen. Keta jane disa nga ndryshimet:

Legalizimi i Personave qe Nuk Kane Dokumenta Te Rregullta:

Personat te cilet kane hyre para dates 31 Dhjetor, 2011 dhe qe nuk kane dokumenta te rregullta mund te marrin dukument emigrimi te perkohshem 6 vjecar, i cili eshte i rinovueshem. Personat te cilet jane detyruar te largohen nga SHBA,  ne menyre vullnetare ose ne baze te vendimit te gjykates, ose ata persona qe kane hyre  perseri ilegalisht mbas dates 31 Dhjetor te vitit 2011, mund  te kerkojne falje dhe te kualifikohen per document provizor emigrimi nese  provojne  njeren nga keto kritere:

Jane bashkeshort ose femije e/i shtetasit Amerikan ose personit me Green Card;

Jane prind i femijes i cili eshte shtetas Amerikan ose ka Green Card;

Ka qene nen moshen 16 vjec kur ka hyre ne SHBA dhe ka mbaruar shkollen e mesme ne  SHBA; ose

Ka qene nen 16 vjec kur ka hyre ne SHBA dhe  ka qendruar ne SHBA te pakten  tre vjet ne gjashte vitet e fundit.

Personat qe jane aktualisht ne gjyqe ose kane kundrejt tyre vendime per largim nga SHBA, kane te drejte te applikojne per kete dokument provizor emigrimi, dhe te kerkojne mbylljen e ceshtjes se deportimit ose prishjen e vendimit te deportimit qe mund te jete marre ndaj tyre me pare.

Cdo person permi 21 vjec dhe qe do te applikoje per dokument provizor emigrimi duhet te paguaje nje gjobe prej $1,000.00 sebashku me pagesen per hedhjen e kesaj kerkese e cila do te percaktohet me vone nga zyra e emigracionit.

Personat te cilet e marrin dokumentin provizor te emigrimit kane te drejte te  punojne dhe te udhetojne jashte  SHBA per nje periudhe  me pak se 180 dite.

Bashkimet familjare:

Bashkeshortet dhe femijet nen 21 vjec te personit me Green Card  konsiderohen njesoj sikur bashkeshortet dhe femijet e shtetasve Amerikane dhe mund te bashkohen me familjen pa pritur kohe te gjate.

Eliminohen bashkimet familjare mes shtetasit Amerikan dhe vellezerve dhe motrave te tij.

Eliminohen bashkimet familjare mes shtetasit Amerikan dhe  femijeve te tij te martuar qe jane 31 vjec dhe me te vjeter.

Personat te cilet mund te humbin te drejten e bashkimit familjar pas miratimit te ketij projektligji, duhet qe te veprojne shpejte dhe te hedhin kerkesat per bashkim familjar perpara se ky ligj hyn ne fuqi.

Pritet te shkurtohet koha per bashkimet familjare  si rrezultat i rritjes se numrit te vizave qe do te jepen per te gjitha llojet e bashkimit familjar.

Viza per Familjaret E Shtetasve Amerikane dhe Personave me Green Card.

Femijet e pamartur te shtetasve Amerikane dhe te personave me Green Card  ose femijet e martuar te shtetasve Amerikane  te cilet jane nen 31 vjec dhe qe kane kerkesen per bashkim familjar te miratuar kane te drejte te marrin ne ambasade vize V e cila i lejon ato qe te punojne gjate kohes qe jane ne Amerike.

Vellezerit dhe motrat e shtetasit Amerikane, ose femijet e martuar permbi 31 vjec te shtetasit Amerikan, kane te drejte te marrin vize V  me te cilen mund te qendrojne ne SHBA jo me shume se 60 dite ne vit. Keta persona nuk jane te lejuar qe te punojne gjate vizites se tyre ne SHBA.

 

 Shtetesia Amerikane per Personat e Moshuar

 

Personat qe jane me te vjeter se 65vjec dhe qe kane jetuar ne SHBA te pakten per 5 vite pasi  ka marre Green Carten nuk e kane te nevojshme te japin testin e gjuhes angleze dhe te historise se SHBA.

Ndersa keta persona me pak te moshuar perjashtohen vetem nga testi i gjuhes angleze nese plotesojne keto kushte:

Jane me te vjeter se 60 vjec dhe qe kane jetuar per 10 vjet ne SHBA pasi kane marre Green Carten.

Jane me te vjeter se 55 vjec dhe qe kane jetuar per 15 vjet ne SHBA pasi kane marre Green Carten.

Jane me te vjeter se 50 vjec dhe qe kane jetuar per 20 vjet ne SHBA pasi kane marre Green Carten.

Keta jane disa nga ndryshimet qe priten te miratohen nga Kongresi i SHBA.  Per informacine  me te hollesishme ne lidhje me ndryshimet qe priten ti behen ligjit te emigracionit me kete projektligj si dhe  per te diskutuar ceshtje specifike  personale mund te kontaktoni zyren e avokatit Ardian Gjoka, Gjoka Law Firm, PLLC,  nepermjet telefonit (904) 728-8749, e-mail ag@ag-legal.com  ose mund te caktoni takim nepermjet websitit  www.ag-legal.com . Konsulta e pare eshte falas.

 

 

 

Filed Under: Emigracion Tagged With: Adrian Gjoka, e emigracionit, ndryshime ne ligjet

HISTORIA E CA NDRYSHIMEVE

May 24, 2013 by dgreca

Nga Faik Konica/

“Kur vajta me 1913 ne Shqiperi per te shikuar per s’afermi punet, zbulova me hidherim se shumica e madhe e popullit jo vetem qe nuk i shihte me sy te mire idealet t’ona te nje Shteti te perparuar, po s’pelqente as ndihmen qe po na jipej nga rastet dhe nga bamiresit e fuqive te’Evropes. Eshte per cudi dhe gje fare e vertete, se shumica e madhe e popullit te Shqiperise e priti dhuraten e dhene me moskenaqesi, me thartesira dhe me sy te zgurdulluara nga prapamejtime: qe u duk pak me vone nga kryengritjet qe u bene njera-pas tjatres. Duke qene punet ashtu, u kuptua shpejt se qe te mbetej Shqiperia si nje Shtet me vete dhe populli te mbahej me zor i bashkuar qe te hynte ne udhen e disiplines, te punes dhe perparimit, e vetmja fuqi e duhur ish dora e hekurt po shpetimtare e nje diktaturi. Kujtuam nje kohe se diktatorin e gjetem ne personin e Esad Pashe Toptanit. Dhe Esadi kishte me te vertete disa zotesira per te qeverisur, po mosha e tij e shkuar nuk i premtonte ta ndryshoja mendjen e tij pas ndryshimeve te reja qe u bene ne Shqiperi, dhe ashtu fundi ish qe u larguan te gjithe dhe e lane te vetem. Me 1913, u poqa per heren e pare ne Tirane me Ahmet Bej Zogun (qe te perdorim titujt sic perdoreshin dhe zyrtarisht asi kohe). Vura re menjehere fisnikerine te bashkuar me force karakteri qe cfaqej nga sjellja edhe nga fjalet e djalit. U interesova dhe pyeta. Dhe nga sa degjova s’me mbeti asnje dyshim se fati e kish shenuar per te lojtur nje rol me rendesi ne Shqiperin e re. Ne pjekjet qe pata me vone me Mbretin Karol te Rumanise, me Kryeministrin rumun Tito Majersko, me Princin Wilhelm te Wied-it, dhe diplomatet austriake dhe italiane, u permenda emrin dhe posibilitetet e ketij te riu. Mbaj mend nje bisedim qe pata me Turhan Pashane ne Durres pasi plasi kryengritja e Shijakut dhe u rrezua Esadi. I tregoja Turhanit nevojen qe te perdoret Zogu per te zgjidhur krizen. -“Ahmed Beu eshte teper i ri “, m’u pergjigj Turhan Pashai”. -“Vertet” thash’une “Po William Pitt-i u be kryeminister i Inglise kur qe njezet e tre vjetsh, dhe ka qene nje nga me te mbedhenjte kryeministra t’atij vendi”. -“Si fjaloseni keshtu”, me thote Turhan Pashai, – “Mund te barabitim me Pitt-in nje te ri te panjohur?” -“Nuk bej barabitje” u pergjigja une, – desha vetem, me kete shembell, ku ju permend se atje ku ndodhet zotesia, versa s’munt te jete dhe s’duhet te jete pengim”. Me kete menyre, vazhdova se perhapuri mendimin se do t’ish mire, ne dojim te kishim nje Shqiperi te bashkuar dhe te lire, ta perkrahnjim Zogun te merrte nje dite fuqine, se ay kish pervec zotesise dhe kater te mira qe i mungojin Esadit: kuptimin e ndodhjes se re ne Shqiperi pas ndarjes nga Turqia, ndjenjen e kombesise, te mos beret ndryshime ne mes Toskesh e Gegesh, dhe me ne funt deshiren per ta pare Shqiperine ne shkalle Shteti t’organizuar. Noli u bashkua ploterisht me mua ne besimin qe Shqiperia s’munt te qendroje me kembe pa nje diktatori, dhe qe Zogu duket njeriu i duhur per kete rol. Gjurmat e ketyre mendimeve munt t’i gjeni ne shtyllat e “Diellit” ne kohen e luftes dhe pastaj, ku Zogu lavdohet si nje hero, si nje idealist, si nje udheheqes qe munt te barabitet me Anglo-Saksonet, e tjera. Disa nga keto lavdata jane te shenuara nga Fan Noli vete. Kjo politike vazhdoj gjer me 1921 dhe pertej. Me 1922, Fan Noli zuri te lidhet me grupin e Gurakuqit, dhe menjehere mendja e tij e ceket hyri ne nje udhe te ndryshme. Fan Noli filloj te na jape lajme jo te pelqyera per Zogun: qe ky ish bashkuar me reaksionaret, qe ish armik i nje Shqiperie sic e duam ne, qe ka humbur tere influencen, qe s’ka asnje zotesi, qe ushtria anon me “liberalet”, qe duhet ta ftohim popullin ca me teper nga Zogu, e tjera. Une me shoket e Vatres, sic e desh logjika, sic e desh disiplina e grupit t’one, pasqyruam te “Dielli” politiken e re te perfaqesonjesit t’one ne Shqiperi, perfaqesonjes i cili kohet e fundit nuk ish tjater gje, vec se fonografi i Gurakuqit, gjer sa me ne funt dolli sheshit dhe komitaxhi duke shkelur tere programin t’one dhe gjithe idealet tona. Fundi qe nje ckaterrim dhe nje maskarallek pa emer. C’munt te bejim? Dy udhe qene te hapura per ne: vazhdimi i perkrahjes se maskarallekut gjer sa te behej gjak dhe te prishej Shqiperia, – ose te kthyerit ne politiken e pare te Vatres, e cila ka qene te venet perpara te Zogut si kryetar i duhur i Shqiperise. Zume udhen e dyte. Le ta shkurtojme tani ne tre fjale ato qe thame: 1) Fan Noli, une, me Vatren dhe me shoket, qe me 1914 gjer me 1922, kush me shume dhe kush me pake kemi mprojtur mendimin se Shqipera, qe te shtrohet, qe te stabilizohe, e te hyje ne udhen e reformave te qyteterimit, ka nevoje per nje dore te hekurt dhe si ajo dore eshte Ahmed Zogu. 2) Fan Noli, nen influencen e Gurakuqit, dhe me vone nen influencen e frymes bolshevike, u bint dhe na bindi se Shqiperia munt te qendroj ne kembe pa Zogun dhe kunder Zogut. Ngjarjet i dhane pergenjeshtrimin me te plote, dhe Shqiperia u shpu nje qime afer varrit. 3) Une me shumicen e shokeve u kthyhem ahere (ndonese me cape te ngadaleshme se na vinte keq te ckeputeshim fare nga Fan Noli) te programi i vjeter i permbledhur me siper nene numrin 1, kurse Fan Noli u fut thelle e me thelle ne rebelione kundra Shtetit e n’intriga revolucionare. Munt ta vazhdojme bisedimin ne nje numer t’aferm. Po i kemi hedhur ketu mjaft ushqim per mejtim djemurise se kthjellet (se sa per mejhanexhite, maqedhonasit dhe te tjere vagabonde qe tallen fshehtazi me Shqiperine, s’bejme kabull as t’i degjojme) s’di ose harron, por duhet se ketej e tutje ta marre ner sy se Presidenti Zogu nuk eshte heroi i ri i Vatres, por ka qene hero i vjeter i kesaj organizate, i neveritur me 1922-24 nga intrigat e Gurakuqit dhe nen influencen e bolshevismes. Dhe ne qofte se esht e zonja te mejtoje duke thelluar, djemuria e kthjellt le ta gjykoje kush u kthye nga udha-Fan Noli apo une?

(Arkiv-  Gazeta “Dielli”, 6 maj 1926)

Filed Under: Histori Tagged With: Esad Pashe Toptani, Faik Konica, Historia e ca ndryshimeve, Luigj Gurakuqi, noli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5431
  • 5432
  • 5433
  • 5434
  • 5435
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT