• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Historia e bujshme e arratisjes së tetë personave

April 1, 2013 by dgreca

Nga Raimonda Moisiu/

Ka ndarë vitet e rinisë me Ymer Dishnicën, Mikel Zavalanin, Safet Butkën, Koci Xoxen e dhjetëra ish-liceistë të Korçës së viteve ‘30 dhe ka përqafuar idealin e tyre për një Shqipëri të lirë. Ishte ndër të parët që u rreshtua në barrikadat e lëvizjes antifashiste, por do të zhgënjehej menjëherë kur ditët e lirisë do të binin në prangat e komunizmit. I ndarë përgjithmonë me miqtë e hershëm, do të merrte rrugën e arratisë për të ikur larg, sa më larg.
Ndërsa jeta e Refat Hysenit ndiqte këtë metamorfozë, duke ndërruar atdheun e dashur me Australinë e kontinentit të skajshëm, prapa do të mbeteshin kujtimet e fëminisë dhe përjetimet nga Kamenica ku kishte lindur dhe ishte burrëruar, të cilën nuk kishte dashur ta ndërronte me asgjë në botë. Më shumë se sfidë mbijetese, arratia për të, sikundër edhe për qindra të tjerë, ishte një lloj proteste ndaj diktaturës që pllakosi Shqipërinë pas Luftës së Dytë Botërore. Refat Hyseni u bë pjesë e atyre intelektualëve që me forcën dhe vitalitetin e tyre demonstruan haptazi të vërtetën se “Atdheu nuk kishte jetë, nuk merrte frymë”, se duhej diçka të ndryshonte për një shtrirje më të gjerë të sferave gjithëpërfshirëse të jetës, për atë ideal që ata kishin luftuar, për një të ardhme të brezave në vazhdim, për të hedhur themelet e një shteti demokratik. Ata duke u ngritur mbi terrorin komunist shprehen entuziazmin e tyre për “botën e ndaluar”, për botën jashtë mureve të Shqipërisë, “këtij shkëmb graniti”, siç e propagandonte ideologjia komuniste.
Nuk ishte thjesht një mospajtim me realitetin e ri që dominoi vendin pas çlirimit nga okupatori, po shumë më tepër nga kaq. Rebelimi i atyre që kishin qenë protagonistë të lëvizjes antifashiste, ish-shokëve të armëve e të idealit të liderëve komunistë, i atyre që u paraprinë zhvillimeve të rindërtimit, u bë opozita e parë që doli kundër rrymës së gënjeshtërt, hipokrite, vrastare. Të kryqëzuar përballë represionit të egër, ata duhej të rrezikonin për t’u arratisur. Për t’u larguar sa më larg mortajës që ripushtoi Shqipërinë pas luftës antifashiste.

Sfida për të mbijetuar
Kur u kthehet çasteve të arratisjes, Refat Hyseni, tashmë 85 vjeç, thotë se kanë qenë momentet më të vështira të jetës së tij. E zgjedhur si rruga e vetme për mbijetesën njerëzore, arratia për të ka qenë një sipërmarrje e jashtëzakonshme. Gjithsesi, shton ai, gjërat shkuan për mbarë e falë zotit gjithçka rrodhi pa shumë sakrifica. E bloi në kokë këtë vendim Refat Hyseni një ditë maji teksa punonte në oborrin e vet, aty në fshatin e lindjes, në Kamenicën e Korçës dhe shikonte drobitjen e nuses së sëmurë që nuk kishte me se ta kuronte. Vendosi spontanisht të ikë ndërsa shikonte nënën që me lot në sy vajtonte në heshtje se nuk kishte çfarë të gatuante për fëmijët e saj. E mblodhi mendjen top për këtë rrugë teksa përjetonte përbuzjen e shokëve të idealit, mënyrën si e flakën papritur e pakujtuar, duke i shkatërruar ëndrrat e së ardhmes. Duhej të ikte, të ikte, ndryshe duhej të zvarritej tërë jetën…
Ai mëngjes maji për të ishte shumë i rëndësishëm. Kishte pjekur në vetvete një vendim të rëndësishëm. Ndaloi për një çast punën, hodhi vështrimin rrotull dhe ja nguliti sytë malit të Kozelit, aty ku pas shpateve të tij ishte një botë tjetër, krejt tjetër nga ajo e njerëzve të tij. Andej duhej kaluar, për të prekur botën e lire, jetën e vërtetë me frymëmarrjen e lirshme…
Mendimin e fshehtë që vinte nga thellësia e shpirtit e diskutoi me vëllain e tij, Abedinin, e më pas me disa prej të afërmve e bashkëfshatarëve të tij. Pastaj me ta filloi të bëjë edhe planin. Me dorën e vet Refat Hyseni do ta përcaktonte gjithë itinerarin nga do të kalonin, duke saktësuar mirë çdo detaj e masë paraprake, çdo shteg e rrugëkalim. Mbi të gjitha duhej ta ruante sekret aventurën e rrezikshme

Ideatori i arratisjes
Refat Hyseni, ishte njeriu që ideoi arratisjen e bujshme. I lindur më 21 shkurt 1923 në Kamenicë të Korçës, bir i një familje atdhetare, do të bëhej i njohur në fillimin e viteve ‘50 për “tradhtinë” e pabesueshme të arratisjes bashkë me shtatë pjesëtarë të fisit të tij. Arsimin e hershëm e kishte kryer në qytetin e Ersekës, ku aty ishte miqësuar e ishte bërë shokë ideali me vëllain e gjeneralit komunist, Petrit Dumes, dëshmorin, Baki Dume. Prej këtej vazhdoi studimet në Shkollën Teknike të Korçës, e cila ishte nën një strehë me liceun francez të asaj kohe. Aty jeta e tij do të merrte një dimension të vrullshëm. Kontakti dhe shoqëria me mjaft nga liceistët me ide përparimtare për kohën si Ymer Dishnica, Enver Hoxha, Mikel Zavalani, Safet Butka, Koçi Xoxe etj., do të krijonin te djaloshi nga Kamenica ndjenjat e një të riu që aspiron shumë për atdheun e vet. Njohja dhe krijimi i familjes me bashkëshorten, Hanijen nga Viçani i Korçës, do ta bënte më të plotë jetën e tij. Strehën e tyre në fillim do ta krijonin në qytetin e Korçës. Po vetëm për pak kohë, pasi shtëpia në të cilën jetonin ishte e dajës së tij Zalo Famës, ish-prefekti i Zogut dhe si e tillë do të shënjestrohej nga forcat partizane, për t’u sekuestruar ndërkohë që banorët e saj do të degdiseshin në fshat. Do ta trondiste disi kjo Refat Hysenin, po si kohë lufte që ishte, do t’i nënshtrohej fatit pa kërkuar shpjegime tek ata që e kishin vënë përballë si nipin e zyrtarit të ish-mbretit. Gjithsesi, ndjenjat e tij atdhetare do t’i shfaqte në vazhdim duke ju bashkangjitur reparteve partizane që luftonin pushtuesin këmba-këmbës. Kështu deri në ditën e çlirimit. Pjesëmarrja në radhët e antifashistëve dhe diploma e shkollës së kryer, do t’i shërbente Refat Hysenit për t’u integruar në Forcat e Mbrojtjes së Atdheut, si ushtarak, në fillim toger e më pas me grada të larta. Si ushtarak do të shërbente në Vlorë, Berat, Tiranë, Kukës për disa vite me radhë, deri sa dikush do t’i zbulonte defektin në biografi, lidhjen familjare me ish-prefektin e Zogut. Do të mjaftonte kaq për t’u shpallur i padëshirueshëm për ushtrinë. Do të mjaftonte kjo që rrjedha e jetës së tij të merrte tjetër trajektore. Fillimisht e ulin në gradë, më vonë e liruan nga ushtria dhe e dërgojnë në fshat. Kjo shuplakë do të pasonte mandej me jetën e vështirë ekonomike, varfërinë në ekstrem, pakënaqësinë ndaj sistemit, diskriminimin klasor deri te përçmimi njerëzor që do ta bënin të vendoste arratinë, largimin një ditë e më parë nga realiteti represiv. Në këtë vendim padyshim kishin ndikimin e vet edhe disa ngjarje të kohës, siç ishin arratisja e shumë njerëzve, grupe-grupe dhe vendosja e tyre në vendet perëndimore.
Këto arratisje të bujshme si ajo e Ekrem Bardhës me familjen nga Kolonja, ajo e grupit të Ditar Kurtesit, “mitit” të arratisjeve, që për shumë se dy dekada, do t’i bënte “zbor” sigurimit shqiptar, duke dalë e hyrë shumë herë në Shqipëri, kishin tronditur nga themelet regjimin komunist. Refat Hyseni, ndër të tjera e kishte “dashuruar” jashtë mase figurën e Ditar Kurtezit, i cili hynte aq shpesh sa e kishin parë të bisedonte e të hante bukë me sharrëxhinjtë e Ballabanovës, Katundit, Treskës, Trebickës, Radovickës etj. Për njeriun e goditur pabesisht pse ishte i afërmi i njërit prej zyrtarëve të ish-mbretit, kishte qenë mbresëlënëse arratisja e grupit të Foto Bashos, ku plotë 85 vetë me mushkat të ngarkuara me sendet e shtëpisë kishin kaluar kufirin shtetëror ditën në diell.
Te këta shembuj Rifat Hyseni gjente forcën dhe sigurinë për vendimin e bujshëm. Rasti i tij do t’i shtohej kësaj historie që bënte fjalë për braktisjen fizikisht nga atdheu, për të mbetur të lidhur shpirtërisht me të tërë jetën…

Arratia, ankthi, shpresa
“Të ikim të shpëtojmë!”. Të parit që do t’ia bënte prezent vendimin e guximshëm, do të ishte vëllai i tij, Abedini, pastaj do të ulej shtruar me kushërinjtë Ahmet e Sali Hyska, Xhemal Ahmeti, Ali Rizai, Estref Aliu dhe në fund kur çdo gjë ishte pjekur do t’ia shpjegonte të shoqes, Hanijes. Megjithëse e sëmurë, ajo nuk i tha jo të dashurit të zemrës, atij që i kishte dhënë besën dhe i kishte falur zemrën. Dhe kështu një ditë maji bashkë me Refatin, Aliun, Rizain, Abedinin dhe Estrefin, marrin mushkat dhe shkojnë në malin e Kozelit, me pretekstin për të bërë dru. Aty përcaktojnë me detaje rrugën se nga do të kalonin kufirin, për në tokën greke. Kur kishin realizuar të gjitha masat, natën e 5 qershorit, duke u gdhirë 6 qershor 1954, të tetë, shtatë burra e një grua, lanë shtëpitë e morën udhën duke u ngjitur në fshehtësi të plotë shpatit të malit. Një sfidë i priste përpara. Prapa kishin lënë Kamenicën e dashur, njerëzit e të afërmit, kujtimet e viteve të shkuara dhe brengat e një jete të trishtuar. Pas kaq vitesh Refat Hyseni kujton me dhimbje çastet e ndarjes me nënën, e cila teksa i përcillte për larg qante nën zë dhe i uronte me fjalët e zemrës “Rruga diell!”. Deri te kufiri shtetëror me territorin e Greqisë u deshën dhjetëra orë rrugëtim nëpër errësirë, natën në shi. Çasti i kalimit të kufirit në zonën midis Nikolicës, Kozelit e Arrëzës së Devollit, ishte triumfi i parë. Aty të tetë bijtë e Kamenicës pushtohen me njëri-tjetrin, derdhin lot ankthi, shprese, malli, lamtumire, dhimbjeje për atë çka lanë pas. Me fytyrën e lotuar e të lodhur, hodhën sytë edhe njëherë andej nga kishin kaluar. Kishin ikur përgjithmonë! Po kjo nuk ishte gjithçka. Momentet e para në tokën e huaj merren në bisedë informative nga njerëzit e sigurimit të vendit fqinj. Prej aty do të nisin të tjera vështirësi…

Përballë mediave greke
Ikëm për të mbijetuar! Kjo ishte përgjigjja e parë e tetë të arratisurve nga Kamenica e Korçës përballë interesimit të mediave të vendit fqinj. Ka mjaftuar një lajm i thjeshtë për mbërritjen e tyre klandestinë aty dhe janë gjendur menjëherë përballë 60 gazetarëve grekë. Rrëfimet për ta vazhduan me orë të tëra. Ja si u përthye kjo ngjarje të nesërmen në gazetat greke…
Gazeta “Athinaiki”e 6 qershorit 1954, në faqen e parë, në rubrikën speciale, njëherazi me fotot e të arratisurve boton shkrimin “Tetë shqiptarët e ikur shpjegojnë arsyet e arratisjes”.
Ndër të tjera, në këtë shkrim nënvizohet “Të arratisurit e 6 qershorit janë tetë veta. Shtatë burra dhe një grua. Përpara gazetarëve grekë e të huaj ata shpjegojnë me detaje gjendjen e vështirë ekonomike, varfërinë, diskriminimin klasor që u bëhej nëpërmjet luftës së klasave, survejimin, internimeve, vrasjeve pa gjyq, shfarosjeve, burgosjeve politike e pa shkak etj.
Gazeta “Imerisia” e datës 8 qershor 1954, bashkë me foton e tyre, do të citonte në faqen e parë: “Shqiptarët e arratisur, të cilët kaluan kufirin duke u gdhirë 6 qershori, u paraqitën dje para televizionit, mediave greke e të huaj, të rrethuar nga 60 gazetarë duke shpjeguar për gjendjen që është në vendin e tyre dhe regjimin komunist. Ata janë: Ahmet Hyska, Refat Hyseni & Hanije Hyseni (bashkëshortët), Abedin Hyseni, Sali Hyska, Ali Riza Mydini, Estref Aliu dhe Xhemal Ahmeti. Të tetë janë me profesionin fermer dhe u dorëzuan në pikën ushtarake kufitare të fshatit Alevista. Gjendja e tyre ishte shumë e mjeruar. Ata u morën në mbrojtje dhe kujdesje nga autoritetet greke”.

Ditët e kampit
Të vështira e befasuese do të vijonin ditët e kampit ku grumbulloheshin të gjithë ata që futeshin ilegalisht në tokën helene. Njeriu që do t’u uronte mirëseardhjen dhe do t’i çonte aty ishte, Tosun Mehmeti, një bashkëfshatar i tyre antikomunist i zjarrtë, i arratisur disa vite më parë. Ai do t’i takonte aty me Abas Ermenjin, Zef Malajn, Luan Gashin, Gani Hamit Vlorën e disa hebrenj, një pjesë e të cilëve kishin mbërritur aty pas arratisjes nga vendi ynë. Ndër vizitorët e parë të huaj që i takoi ishte shefi i Sigurimit për Ballkanin, koloneli anglez, Hilton, i cili siç kujton Refati fliste një shqipe jashtëzakonisht të pastër dhe e njihte shumë mirë gjendjen në Shqipëri. Nën përkujdesjen e tij të tetë do të fillonin procedurat zyrtare të emigrimit.
E kështu, secili prej tyre, sipas statutit të të drejtave ndërkombëtarë për të ikurit nga vendi i origjinës, aplikuan për t’u larguar drejt SHBA-së dhe Australisë. Pesë prej tyre marrin miratimin për në Australi, duke u mbështetur edhe nga njerëzit e tyre që kishin në kontinentin e largët. Ndërkohë tre të tjerë u legalizuan për të emigruar në SHBA. Një jetë tjetër nisi për ta. Po asnjëherë nuk u ndanë shpirtërisht me atdheun e tyre. Me shpresën se një ditë do të riktheheshin në Shqipërinë e rilindur, një pjesë e tyre ndërruan jetë në dhe të huaj.

Epilog i trishtuar
Kaloi një jetë larg, shumë larg tokës mëmë. Një pjesë ndërruan jetë në dhe të huaj. Të tjerët u bënë baballarë, gjyshër e madje edhe stërgjyshër pa e parë asnjëherë fytyrën e vendlindjes. Refati me bashkëshorten Hanije Hyseni aktualisht jetojnë moshën e tretë në Brisban të Australisë. Abedin Hyseni, i vëllai i Refatit krijoi familje jetoi, punoi derisa vdiq, duke lënë pas fëmijë, nipër e mbesa po në Australi. Po kështu edhe Ahmet Hyska, i cili mundi të rikthehej nga Australia vetëm në vitet e demokracisë. Teksa rrëfen për këtë epilog të trishtuar njeriu që ideoi këtë vendim të jashtëzakonshëm në fillimin e viteve ‘50 thotë se Ali Riza Mydini kaloi një jetë të tërë në SHBA, tani jeton në Tiranë, Sali Hyska në Australi ku edhe ndërroi jetë duke lënë pas pinjollët e tij. Po kështu Estref Aliu dhe Xhemal Ahmeti jetuan, punuan derisa vdiqën në SHBA. Ai thotë se së bashku me bashkëshorten kanë ardhur për herë të parë në Shqipëri pas 40 vjetëve. Kanë përjetuar një gëzim të papërmbajtur duke puthur edhe gurët e rrugës së Kamenices së tyre që u kishte munguar një jetë të tërë…
Kjo është historia e tyre. Historia e dhimbshme e njerëzve që merrnin arratinë për një jetë më të mirë, për t’i shpëtuar persekucionit të ferrit komunist…

Liceistët
Për herë të parë për idealet e lirisë ka dëgjuar nga goja e liceistëve të Korçës. Pikërisht në këtë periudhë Refat Hyseni ka qenë në kontakte të përditshme me emra të njohur të shoqërisë shqiptare të cilët do të linin gjurmët e tyre në formimin e tij. Në kujtesën e njeriut që pjesën më të madhe të jetës së tij e ka kaluar në Australinë e largët kanë mbetur emrat e Enver Hoxhës, Ymer Dishnicës, Mikel Zavalanit, Safet Butkës, Koçi Xoxes që në rininë e parë i shpalosën ëndrrën e lirisë. Metamorfoza, thotë Refati qëndron në tradhtinë që Enveri i bëri kësaj kauze të shenjtë.

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: Historia e arratisjes, Raimonda Moisiu

KIM MEHMETI NUK RREZIKON HARMONINË NDËRFETARE

April 1, 2013 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/

Për të mos i gënjyer lexuesit e mi të nderuar, që në fillim më duhet të them se ky shkrim a vështrim i “radhës” është (ri) përsëritje e një të tilli që është botuar shumë kohë më parë në gazetën KOHA. Për hir të kodit gazetaresk, ca paragrafë do t’i vë në parantezë.

Me datë 23 mars 2013, në Bibliotekën Kombëtare të Prishtinës, nën përkujdesjen e nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nga radhët e Lëvizjes VETVENDOSJE, z. Glauk Konjufca, u bë promovimi i librit të Kim Mehmetit “SHKUPI” (i konceptuar si një ese historike). Në e tij të rastit, Kim Mehmeti, pos të tjerash tha: “Absolutisht, matematikisht mund të dëshmohet se islamizmi e ka shpëtuar shqiptarinë (lexo me logjikë dhe mes rreshtash) NË DISA VISE SHQIPTARE”! (autori i librit në asnjë moment nuk anashkaloi rolin dhe kontributin e kishës katolike dhe asaj ortodokse sa i përket ekzistencës së kombit…, ai në asnjë vend të librit të tij, nuk e përdhosi kontributin e rilindësve shqiptarë me përkatësi katolike a ortodokse e tjerë). Në vazhdim të këtij paragrafi unë do të mëtoj që të mos marr tarafe, gjegjësisht të mos bëj “avokatinë” të Kimit e as të ipeshkvit të ipeshkvisë së Kosovës, respektivisht të dioqezës Prizren-Shkup, të nderuarit Don Shan Zefit, i cili me a pa të drejtë iu kundërpërgjigj qëndrimit të Kimit, duke thënë se: “Shqiptarinë nuk e ka shpëtuar islamizmi, por është kisha katolike ajo që ka mbajtur gjallë fijet e shqiptarisë…, gjegjësisht  kisha katolike ka qenë roje e kombit shqiptar e assesi Perandoria Osmane dhe islamizmi i shqiptarëve…, së fundi kontributi i kësaj kishe është i pamohueshëm” (kjo assesi nuk mund të kontestohet qoftë edhe nga fundamentalistët myslimanë). Nëse Kim Mehmeti në librin e tij hetoi fenomenin historik dhe jo thashetheme, atëherë pse ipeshkvi i nderuar Shan Zefi nuk mëtoi ta ushqente fare pak idenë e Kimit, pse gjithë ky luks i tij mostolerance…, pse gjithë kjo “zaptisje” e fjalës së lirë dhe të drejtë…, pse nuk parashtroi kërkesën ndaj ndërtimit të një ideje të përbashkët…, pse gjithë ky mendim i tij i “gabuar”, i shpejtuar dhe i pambështetur në prova historike…, pse librit të Kimit duhet t’ia ngjisim “bishtin e dhelprës…, aq më tepër kur ke parasysh se në përmbajtjen e tij nuk kishte ndonjë gjymtim të theksuar”…, pse këtë libër duhet ta lexojmë mbrapsht dhe me emocione, në instancë të fundit, nuk mund të thuash se ky vështrim i Kimit ishte i ngulitur nga një njohje jo e plotë e kësaj problematike goxha e ndjeshme për rrethanat tona shoqërore.

Paragrafin e dytë të këtij vështrimi a opinioni gazetaresk po i fillojmë duke iu referuar disa opinioneve të kolumnistëve shqiptarë që mëtojnë të (mos) i shtrembërojnë faktet sa i përket tolerancës dhe harmonisë ndërfetare te shqiptarët. Këtë po e bëj që te lexuesit të mos krijoj përshtypjen se edhe unë si artikullshkrues kinse mbështes qëndrimet e tyre. Unë sot e gjithë ditën e Perëndisë nuk dua të besoj se Kim Mehmeti me librin e tij “Shkupi” si dhe ipeshkvi i nderuar Shan Zefi, me reagimin e tij, do të kishin mëtuar të rrezikonin harmoninë dhe tolerancën ndërfetare te shqiptarët. Nuk më jepet të besoj se gjithfarë (“hiper”) analistë a kolumnistë oportunistë nga të gjitha trevat shqiptare që hiqen si ateistë, të tjerët si katolikë, ortodoksë, myslimanë do ta kishin rrënuar kalanë e tolerancës dhe të harmonisë ndërfetare te shqiptarët…, nuk më jepet të besoj se të krishterët do të kundërshtojnë shqiptarët myslimanë pse ata me devotshmëri e praktikojnë islamin tradicional, nuk dua ta marr për të vërtetë se të krishterët do t’i kishin identifikuar myslimanët shqiptarë me gjithfarë rrymash obskurantiste dhe herë-herë do shkonin në skajshmëri duke i krahasuar edhe me fundamentalistë myslimanë!??… dhe, në instancë të fundit, duke dyshuar në kombësinë e tyre, do t’i barazojnë me arabët ose turqit… e të tjerë!? Nuk dua të besoj se kryefjala e qëndrimeve të myslimanëve dhe të krishterëve është urrejtja e tërbuar primitive dhe provinciale. Nuk dua të besoj në ekzistencën e tipave djallëzorë të ashtuquajtur kolumnistë që hiqen për myslimanë radikalë, jotolerantë, të cilët në vijimësi mëtojnë që shqiptarët me përkatësi fetare katolike a edhe ortodokse t’i konceptojnë si “kaurë”, si jobesimtarë e të tjera etiketime të rreme e të paqena, nuk dua të besoj në të qenët “analistë” mëhallësh, qofshin ata të jenë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi e gjetiu që vazhdojnë ta ushqejnë ndasinë fetare te shqiptarët. Në këto “fërkime fesh” a ndasi shqiptarësh, kurrën e kurrës nuk do të jenë protagonistë.

Nëse shqiptarët do të karakterizohen me fenomenin e një kombi që ka tri fe dhe nëse ata shekuj me radhë ndërtuan atë kështjellën e harmonisë ndërfetare (që kombet e tjera nuk e kanë), atëherë nuk duhet lejuar gjithsecilit shqiptar që hiqet për mysliman, katolik a ortodoks të devijojë nga kjo rrugë e ky koncept, nuk duhet lejuar që fenë së cilës i takon ta bëjë më ekskluzive, më përparimtare dhe më tolerante në krahasim me fetë e tjera. Thjeshtë, nga hapësirat e kësaj harmonie nuk mund të përjashtohet asnjë fe. Përkundrazi, nga kjo hapësirë duhet përjashtuar çdo majorizim a edhe ekskluzivitet i cilësdo qoftë fe, dhe për këtë e arsye e të tjera nuk duhet lejuar askujt që një fe ta proklamojë paqësore, parësore e tjetrën fe dytësore. Së fundi, secili që do të mëtojë të bëjë një gjë të tillë, është njësoj sikur ka prekur në themelet e kombit dhe ata që i prekin ato themele, kanë hyrë në radhët e tradhtarëve të kombit!

Sot qarqe të caktuara në Ballkan dhe përtej tij përpiqen që shqiptarët evropianë t’i “paraqesin a t’i konceptojnë si fundamentalistë që shikimin e kanë të drejtuar nga Lindja”!? Qëllimi i tyre përqendrohet në zbehjen e imazhit të shqiptarëve me përkatësi myslimane dhe njëkohësisht në trasimin e rrugës drejt fillimit të një konflikti fetar…, po shqiptarët shekuj më parë u konvertuan në fenë myslimane, ata asnjëherë nuk e ndërruan identitetin kombëtar. Edhe përkundër përpjekjeve të grekëve e serbëve (dhe të tjerëve si ata) për ta zbehur këtë harmoni dhe tolerancë ndërfetare të shqiptarëve, ata mbetën tok. Shqiptarët myslimanë, katolikë, ortodoksë dhe bektashinjtë gjatë gjithë zhvillimit të tyre ideologjik, kulturor dhe shpirtëror ishin bashkë në çdo kryengritje e luftë. Shqiptarët ishin një në punimet e Lidhjes së Parë dhe të Dytë të Prizrenit…, ata udhëtuan bashkë në qytetin e Kongresit të Alfabetit për të hartuar tërësinë e shkronjave të gjuhës shqipe.., ata ishin tok edhe në kohën e vuajtjeve të diktaturës së Enverit diku në Burrel, Spaç…, ata ishin tok edhe në vaktin e diktaturës së kralit, Rankoviqit dhe Titos, diku në “Petrova Rupa” të Goli Otokut, diku në Tivar e gjetiu…, ata ishin bashkë në luftën e Kosovës…, ata ishin tok edhe në rrebeshin e zhvendosjeve biblike të inicuara nga Millosheviçi…, ata u mblodhën tok në kufirin shqiptaro-maqedonas, atje në Bllacën famëkeqe për të qenë dëshmitarë të ndodhive ku nënat e reja kosovare do të lindnin fëmijët myslimanë a katolikë…, ata ishin tok edhe atëherë kur i bënin ballë mallit për liri të Kosovës! Ata edhe sot e kësaj dite janë bashkë falë tolerancës dhe harmonisë së bashkëjetesës së tyre fetare.

E gjithë kjo tolerancë dhe harmoni e lakmueshme sot, nuk është “…. as mit, as shprehje e zbehtë proverbiale e as shprehje frazeologjike e as idil”, po as e vërtetë e vockël historike, përkundrazi “… kjo harmoni fetare është pjellë e një historie dramatike e shqiptarëve”, siç do të thoshte Ismail Kadareja. Po, tekefundit, le të jetë një realitet yni, le ta konceptojmë si një testament politik të trashëgimisë sonë kombëtare. Sot me gjithë faktin se kohë pas kohe hetohen kundërshtime në relacionin laik-besimtar, mysliman-katolik, nuk besoj se do ta parafrazojnë atë shprehjen proverbiale “Për inat të vjehrrës, do fle me mullixhiun dhe delenxhiun”!?? Për historinë e tolerancës dhe të harmonisë fetare ndërshqiptare lakohen me qindra shembuj: dhe një i tillë ka të bëjë me ndërtimin e kishave katolike e ortodokse dhe kur ato rrënoheshin, krerët a autoritetet myslimane dilnin në mbrojtje të tyre…, apo ai shembulli dashamirës dhe fisnikërues i “atij prifti katolik të cilit i qe dashur të këndojë syret e Kuranit për të nderuar një mysliman të vdekur pasi hoxha dhe xhamia ishin shumë larg nga vendndodhja e kësaj vakie”. (Genc Myftiu) A mos vallë këta shembuj flasin pak për këtë “histori dramatike të shqiptarëve”. Nuk besoj që Kimi në librin e tij të kishte mbjellë farën e përçarjes mes shqiptarëve.

P.Sh.

Poeti dhe kritiku nga Kosova, Sabri Hamiti, poezinë e tij “DIMËR I EGËR” e përfundon me vargun: “Përsëritja përsëritet përsëri”. Kjo mua më dha të “drejtën” ta përsëris (pjesërisht) këtë shkrim.

Filed Under: Opinion Tagged With: Fadil Lushi, harmonine fertare, Kim Mehmeti, nuk rrezikon

Nevoja për Klubin e Njerëzve të Drejtë

April 1, 2013 by dgreca

Arjan Th. Kallço/

Kush nuk e kujton kampin e tmerrshëm të Aushvicit që gjatë luftës bëri kërdinë me qëniet njerëzore? Një tragjedi e radhës e mendjeve djallëzore që njeriun e shihnin të ndarë në raca, klasa, kategori apo më keq akoma në skllevër dhe padronë. Thjesht Çnjerëzore! Mendoni për një çast sikur në memorien kolektive të gjitha tragjeditë të harroheshin dhe në vend të kujtesës që të tilla të mos përsëriten, të vendosim diku ndonjë monument me shkrimin: Kujtesa duhet të shndërrohet në indiferencë. Në fakt një e tillë është vendosur diku në stacionin hekurudhor të Milanos, në një nga binarët nga ku niseshin trenat për në kampin shfarosës. Tek ne u bë një tentativë ditët e fundit me një memorial që do të na lërë shijen e hidhur për një kohë të gjatë, sesi pazgjuarsia vazhdon të jetë pardone në jetën e shoqërive të evoluara, sepse vetë njeriu ka evoluar. Do të ishte më mirë që më parë një memorial të vendosej për të kujtuar të gjithë martirët e shukujve të kaluar, më pas për ata të monarkisë zogiste e vetëm pastaj të mendohej për vitet e diktaturës. Një kronologji e tillë besoj se do ta respektonte i gjithë populli, por siç është bërë e modës vitet e fundit, këmbët ngrihen dhe i bien kokës, apo meritat errësohen tërësisht nga pameritat dhe nga sulmet e paskrupullta ndaj gjithçkaje që njerëzit kanë ndërtuar e krijuar. Meritizmi si filozofia më e drejtë e vlerësimit, ia ka lënë vendin nxitimit që edhe ata që nuk meritojnë asgjë, sepse nuk kanë kontribute të kthyeshme apo të matshme në shoqëri, po nguten t’i sajojnë apo t’i blejnë në mënyrë të pandershme.

Përpjekjet për të imponuar vullnete të mbrapshta e dominuan dhe po e dpminojnë skenën botërore dhe shqiptare në një luftë të pamoralshme parimesh. A mund të jemi kaq indiferentë ndaj një historie që fundi bëhet kreu? A mund të bëhen të drejtë ata që ndjekin këto parime? Indiferenca duhet të zaptojë të drejtët apo anasjelltas, të drejtët duhet ta thyejnë atë?

Sot më shumë se kurrë po flitet për racizëm dhe sipas shumë analistëve të gjitha llojet e tij po e sëmurin dhe helmojnë Europën. Racizmi ekziston, sepse ekziston edhe ajo që e mban gjallë atë, indiferenca, interesi personal që shfaqet rëndom tek egoizmi dhe mbyllja në kutinë magjike të paprekshmërisë individuale. Një rast që duhet përmendur flet për një Nobelist hungarez për Paqen i cili i refuzoi me vetëdije të gjitha medaljet që vendi i vet i kishte dhënë në vite. Pse e bëri një akt të paprecedentë ai? – këtë duhet ta shohim nga shumë këndvështrime dhe thellësi mendimi. Në disa vende europiane si Gjermania, Franca, Italia dhe vendet nordike mungesa e tolerancës po fiton terren, kriza ekonomike është faktori i parë, janë politikanët të parët që kapen pas instikteve më të ulta dhe që e trashin zërin në mediat. Një situatë e tillë, kur shkaktarët shndërrohen në viktima, kërkon ndërgjegjësimin, rritjen e vigjilencës, organizmin, mosheshtjen me qëllim që situata të tilla të pakëndshme të mos bëhen fenomene të përsëritshme sa herë që bota bie në prehrin e krizave. Ndoshta gabuan ata filozofë që ngjarjet e shoqërisë i barazuan me ato natyrore, pasi u dhanë dorë interpretime të dëmshme për vetë shoqërinë. Një fenomen natyror mund të ndodhë spontan, por një ngjarje shoqërore e ka gjithmonë një shkak. Prandaj bota ka nevojë që në momente padrejtësish planetare të dëgjojë fjalën dhe mendjen e të drejtëve. Ka edhe një datë të vendosur nga Parlamenti europian që është 6 marsi dhe shumëkush mund të shprehet për një lloj virtyti që duhet ta karakterizojë politikën e çdo vendi. Guximi për ta kryer këtë akt edhe në të shkuarën nuk ka munguar, qofshin burra apo gra, pasi armiqësia lind sa hap e mbyll sytë, ndërsa paqja kërkon kohë, mund dhe sakrifica që mesa duket në qorrsokakun e historisë botërore, askush nuk ka mundur të depërtojë dot dhe që t’i zbulojë shkaqet e vërteta. Indiferenca më e rrezikshme është ta bësh veshin shurdh ndaj të drejtëve, ndaj atyre që i paralajmërojnë tallazet që po fryjnë mbi botën. Kur flasim për armiqësitë duhet të kemi parasysh të gjithë harkun gjithëpërfshirës të tyre, nga ato më banalet e deri tek ato më seriozet, që nëpërkëmbin kombe dhe popuj, duke u mohuar të drejtat e tyre dhe si pasojë e dritëshkurtësisë se mendjeve katile, e paguajnë shumë shtrenjtë mendjelehtësinë e injorancës. Po t’i referohemi pak historisë së luftës së dytë në shekullin e kaluar, ka plot raste kur duke qënë brenda doktrinave dominuese të kohës, shumë njerëz e gjetën forcën që të kryenin akte të drejta humane, si një konsull fashist që në vitin 1943 në Selanik shpëtoi shumë jetë njerëzish, italianë dhe grekë. Ndoshta për ne shqiptarët është një emër i panjohur, por për dy popujt e përmendur thotë dhe thotë shumë: Guelfo Zamboni. Në klubin e të drejtëve hyn edhe një femër në Teheran, Neda, që u përpoq për të drejtat e veta dhe të grave, apo shkrimtari libanez Kasir që kërkoi më shumë se kurrë pavarësinë e vendit nga Siria dhe që e pagoi me jetën e vet. Ka shumë të Drejtë kjo botë, por në vend që të përkrahen dhe të stimulohen, përndiqen dhe pësojnë një fund tragjik nga diktaturat dhe regjimet. Po ju kujtoj edhe historinë e Gjon Plait të dytë, pikërisht në këtë ditë Pashke, i cili rrezikonte shumë në Poloninë e tij të dashur, por disa njerëz me mend në Vatikan, pavarësisht vullneteve të politikës, një mendje të ndritur si ai e preferuan papë dhe jo në gojën e ujkut. Ky është njeriu për të cilin kemi më shumë nevojë – ishte unison i kardinalëve edhe i atyre më skeptikë që shihin tëk Vojtila një njeri të ditur, me kurajë, por pak të njohur në arenën botërore. Dhe mendoj se nuk gabuan në këtë zgjedhje, pasi misionari e përmbushi me devotshmëri detyrën, shpesh duke i vënë në siklet të fuqishmit e botës. Të Drejtë ka dhe duhet të ketë çdo komb që të mos verbohen nga arsyeja çnjerëzore e interesave të një grupi që është gati të shkatërrojë gjithçka që nuk përputhet dhe që shkon ndesh me ta. U duhet dhënë vetëm mundësia dhe përkrahja e duhur. Por faktet tregojnë se asnjë i Drejtë nuk është respektuar ndonjëherë, edhe pse më vonë është pranuar logjika e tij. Një qëndrim i tillë sigurisht është një revolucion dhe sipas mendimit të ish udhëheqësit kinez, Maos, ai nuk ngjason me një darkë mondane. Sa të prirur janë politikanët që të sakrifikojnë interesat e tyre dhe postet për një interes më të madh? Këtu kërkohet një analizë e thellë filozofike, shoqërore dhe pragmatiste. Të gjitha analizat do të shkonin dëm, siç kanë shkuar deri tani edhe tek ne, nëse secili interesaxhi nuk përballet me koshiencën e vet dhe të karrikes. Rusi Vasil Grosman dhe shumë mendje të fuqishme të botës janë dëshmimtarët e pavdekshëm të përpjekjeve njerëzore për një botë të drejtë, por kur në krye të jenë të Drejtët. Kur vetë rusi e kuptoi se zëri i tij do të mbytej apo do të ishte një pikë në oqeanin e armiqësive dhe ligësive me ironi theksoi : Nuk ka kuptim sot e mira! Në vend që të krijojmë parti dhe shoqata fantazma, apo traktate që kërkojnë një faturë të majme, është më mirë që të krijojmë, forcojmë dhe përkrahim Klubin e të drejtëve dhe njerëzve që duhet të jenë anëtarë të saj. Bota do të jetë më e mirë!

Filed Under: Opinion Tagged With: Arjan Kallco, klubi, njerezit e drejte

1 Prill!

April 1, 2013 by dgreca

Tregim nga Pierre-Pandeli Simsia/

Jashtë shiu vazhdonte të binte imët dhe shtruar.
Dhoma e shtëpisë ishte e madhe dhe mezi ngrohej.
Violeta shkoi te stufa, hapi derën e saj dhe futi dy dru të tjera. Vazhdonte të ndjente gëzimin për fejesën e Valbonës.
Nga jashtë, disa pika shiu trokitën në xhamin e dritares, si për ta ftuar të ulej edhe ajo në minderin pranë dritares dhe të zodiste atë peisazh pranvere, që në atë ditë të parë të prillit dita dukej e zymtë.
U ul mbi minder. Vështroi drurët e pemëve të lagura me gjethet e tyre të njoma të porsadala.
“Rrënka shi me erë” – the me vete dhe mendja i shkoi përsëri tek i shoqi, Dhori. “Pse u vonua shumë sot edhe ky i uruar? Shkoi ora 3!”
U çua nga minderi dhe shkoi përsëri te stufa. Në anë të saj kishte lënë tenxheren e gjellës. Hapi kapakun e tenxheres. Fasulet e ziera kishin zënë një cipë të hollë. Nuk po i kujtohej, nëse i kishte hedhur kripë gjellës apo jo. Mori lugën që e kishte lënë mbi një pjatë aty pranë dhe filloi të trazojë gjellën. Një fjollë tymi doli nga dera e stufës dhe i kaloi para fytyrës. Ajo ndjeu erën e druve të djegura. Shkoi përsëri te dritarja dhe u ul mbi minder. Nga dritarja e dhomës ku rrinte dukej avllia dhe porta e shtëpisë, kështu që edhe Dhorin do ta shihte kur të vinte.
I dukej se ai po vonohej më shumë nga ditët e tjera. Mezi po e priste, donte t’ia thoshte edhe atij sa më parë lajmin për fejesën e Valbonës.
” Lavdi o Zot, që ia hape fatin edhe asaj çupe. Çupë e mirë është, sa s’ka ku të vejë, por, ç’ti bësh fatit. Vetëm me fatin nuk hahesh dot. Lavdi o Zot! Si për vajzën time po gëzohem. Epo, vajza jonë është, komshi të vjetër jemi. Kot s’e kanë thënë të parët tanë atë shprehjen: “Njeriu do vejë në ditën dhe fatin e tij” Ja, i erdhi fati edhe asaj çupe. Mendove o Zot edhe për atë, se nuk është e pakët, është 30-të vjeçe. Si harrova ta pyes Ritën, nga është dhëndri? Ndoshta edhe ajo nuk e di, sapo ia tha Manjola dhe erdhi e ma dha mua lajmin e mirë. Manjola…! Po Manjolës, kush i tha? Nga e mori vesh? Apo, shoqe me shoqe. Jo, ç’ne shoqe, ato s’janë moshatare! Manjola vjet sikur i mbushi të njëzetat. Hajt tani edhe Manjolës një fat i mirë, heqtë këmbën zvarë Valbona edhe për të…”
Tringëllima e ziles së portës ia prishi mendimet. Që kur kishte qenë gjallë i vjehri, te trari sipër portës kishte vënë një zile hekuri dhe, sa herë hapej e mbyllej porta, zilja tingëllonte fort, sa edhe në dhomën më të thellë të shtëpisë të ishe e dëgjoje tringëllimën e saj.
Në portë hyri Dhori. Violeta sa e pa u ngrit nga minderi dhe shkoi të hapë derën e dhomës.
Dhori i lagur dhe me fytyrën e skuqur ku i dallohej qartë nervozizmi, po ngjiste shkallët e drunjta.
– Ku je, ç’u bëre? – i tha ajo, duke mbajtur me njërën dorë derën e hapur të dhomës.
Dhori ngjiti edhe shkallën e fundit, iu afrua të shoqes, e pa në sy dhe shtrëngoi dhëmbët. – Rrufjanka! Edepzëska! Kurrë burrë mos u gjendtë për atë! – mërmëriti me zë të ulët dhe hyri në dhomë; iu afrua stufës. Violeta po e shihte e hutuar dhe s’po kuptonte ç’po ndodhte. Hyri edhe ajo në dhomë, duke i shkuar nga pas.
– Ç’ka ndodhur? e pyeti e trembur.
– Opo, është rrufjankë ajo, – tha Dhori, duke hequr xhaketën e lagur. Violeta ia morri nga duart duke e parë në sy, si për t’i thënë, hë, vazhdo, ç’farë të ka ndodhur?
– Unë e kam pjellë dy herë atë. Ç’më pandeh mua ajo, shokun e saj?
Violeta ishte hutuar e tëra dhe s’po kuptonte përse bëhej fjalë.
– Më bjer benevreket; nuk e shikon si jam bërë? Jam lagur i tëri, që u lagtë dhe mos u thaftë kurrë.
E shoqja shkoi te dollapi i rrobave, nxorri një palë benevreke dhe një fanellë. – Shumë qenke lagur sot – i tha, duke ia dhënë rrobat.
– Edepsëzka! – mërmëriti përsëri Dhori.
– Ulu – i tha e shoqja, ndërsa ai po fshinte kokën me peshqir.
– Do ulem, do ulem, – tha dhe u ul në minderin pranë sobës.
– Për kë edepsëzkë po flet?
Dhori nuk foli, zgjati duart pranë sobës për t’u ngrohur.
– Kohë e keqe po bën sot, si dimër. Do ulemi të hamë drekë, apo do thahesh njëherë – e pyeti Violeta.
Edhe bukë do hamë, por të marr një afsh të ngrohtë njëherë.
E shoqja shtroi mbulesën e tavolinës dhe filloi të presë bukën. I hodhi një shikim shkarazi të shoqit me bisht të syrit.
– E di ç’më bëri sot ajo rrufjanka e Taqit? – filloi Dhori të flasë. Violeta lëshoi thikën e bukës mbi tavolinë dhe iu afrua të shoqit; u ul pranë tij.
– Për kë rrufjankë e ke fjalën?
– Për thuthuqkën e Taqit, që kurrë burrë mos u gjendtë për të.
– Kush Taq, Taqi ynë?
– Taqi yt, se unë s’kam të bëj me të. Po edhe ti… hajt ma, ç’farë kushurinj jeni, po nejse…
– Njeriu kur bëhet me tjetrin nuk pyet nëse je gjak apo jo. Po hë, vazhdo, ç’farë të ka ndodhur?
– Vdiq i ndjeri Taq, po ç’farë la prapa, një thuthuqkë, që kurrë burrë mos u gjendtë për të.
– Shshsht, se është gjynah nga Zoti, është edhe çupë. Mos e mallko deri te fati. Është gjynah edhe për të ëmën, Dafinën; ajo e di si po i rrit, grua e ve, pa burrë.
– Si nuk i ka ngjarë fare Dafinës; as nga Taqi nuk ka ngjarë. Ajo tjetra e motra, është më e vogël dhe nuk e njoh mirë, po kjo e madhja, Manjola, mjerrë kujt do t’ia zërë derën…
– Lëri tani mallkimet me fatet e të tjerëve se është gjynah, janë punët e Zotit ato. Më thuaj, ç’farë të ka ndodhur?
– Poo… ishim të dy me Milton. Edhe ai i papunë si unë. Ku të shkojmë, ku mos të shkojmë; i rramë tre katër herë rrugëve të qytetit. Hall të madh e ka zënë edhe atë të shkretin. E bija, Valbona, i ka shkuar 30-të vjeçe. Djali, po edhe ai nuk është i pakët, dy vjetë më i vogël se e motra. Edhe ai tjetri po i shkon 24 vjeç. Atë po më thoshte: Jam në hall të madh Dhori, ngushtë nga shtëpia, ngushtë nga ekonomia. Po ekonomisë, ç’i dhjet t’ëmën; se nuk hëngra tre herë bukë në ditë, do ha njëherë, por fatit të çupës ç’farë ti bëj, që nuk po i del, të iki edhe ajo si gjithë shoqet në rehatin e saj. Çunat të bëjnë ç’të duan, çuna janë ata.
– Për kë Milto e ke fjalën, për Milton e Sofijes? – e pyeti e shoqja e habitur.
– Jo po, të Maries. Një Milto kemi ne këtu. Kush Milto tjetër ka këtu në lagje çupë që po i ikën mosha?
– Uaa! Po ajo… – e ndërpreu të folurën Violeta, duke pritur të vazhdonte bisedën e porsanisur i shoqi.
– Eee, ajo, ajo. Nuk të pyet njeri sot po të kaloi pak mosha, si ka ardhur koha tani. Ma tha vetë me gojën e tij Miltoja: “Mosha e saj tani, besoj se nuk gjen më djem beqarë” Sikur po kërkonte ndihmë edhe nga unë.
Violeta s’po kuptonte ç’po ndodhte, gati sa nuk i tha për fejesën e Valbonës, por e mblodhi veten menjëherë. Po mendonte edhe për Manjolën; pse Dhori po shfrynte gjithë atë duf kundër saj.
– Po Manjolën, ku e takove? – e pyeti, si për t’i kujtuar të vazhdonte bisedën e porsanisur.
– Pamë qiellin që po mbyllej me re të murme e thamë të kthehemi në shtëpi pa na zënë ndonjë shi i madh. Ai na zuri që na zuri. Sikur e hapi njeri me dorë rrubinetën e çesmës, ashtu u hap edhe gryka e qiellit. Sapo u ndava me Milton, nga prapa, dëgjoj një zë femre të më thërriste. Ishte vulhumbura, Manjola e Dafinës, se nuk dua t’ia zë as emrin në gojë. Mezi po merrte frymë, si duket kishte vrapuar.
– Dhoti, Dhori!
– Po ti ku shkon në këtë mot të keq? – Sa mirë që të gjeta; kam dy orë që po të kërkoj. Isha në bashkinë e qytetit, që andej po vij. Të kërkon kryetari i bashkisë… më duket se një vend i mirë pune po të troket në derë. Duhet të shkosh sa më parë, që tani.
– Punë?
– Po, për ty. E pash vetë emrin tënd në listë. Ishit tetë veta, ti ishe i pesti. Ti bëj si të duash, unë po iki tani, se kam ca punë.
Dhori u kthye nga rruga dhe u nis drejt bashkisë.
Kur hyri në derën kryesore, qendroi para sportelit. Filloi të bisedojë me punonjësen e shërbimit.
– Kryetari ka dy ditë që nuk është këtu, ka shkuar me shërbim jashtë qytetit. Për listat që thoni ju, s’kam fare dijeni, megjithatë, prisni një minutë. Ngriti receptorin e telefonit dhe se me kë foli.
Pas pesë minutash nga shkallët Dhori pa të zbriste një grua e re, e bukur.
– Zotëri, më vjen keq që jeni munduar, sidomos në këtë ditë me shi – i tha e porsaardhura. -Tani nuk kemi ndonjë mundësi për t’ju punësuar. Ne e dimë, ju jeni në listën e urgjencës. Kur të na krijohet mundësia, do t’ju njoftojmë vetë.
– Je e sigurtë për këto që po më thua? e pyeti ai.
– Kjo është detyra ime zotëri, megjithatë, kur të vijë kryetari, ju mund të vini përsëri e të flisni me të.
-Të faleminderit shumë zonjë për sqarimin – i tha ai dhe u nis për në shtëpi.
Duke ecur rrugës, Dhori po mendohej të shkonte e të pyeste Manjolën mos ishte ndonjë keqkuptim. U nis drejt shtëpisë së Dafinës.
Kur po ngjiste shkallët, pa Manjolën të dilte nga guzhina ku rrinin zakonisht, dhe hyri në dhomën tjetër. Ajo i hodhi një shikim të shpejtë që u duk sikur po mbante të qeshurën.
Dafina kur e pa Dhorin, iu lut të hynte brenda për të pirë një kafe.
Dhori i ruhej edhe fjalëve të njerëzve, ngaqë Dafina ishte grua e ve, pa burrë, megjithëse ajo i kishte të rralla shoqet për nga karakteri.
Që kur kishte vdekur Taqi, ishte hear e parë që Dhori hynte vetëm në atë shtëpi pa të shoqen. I tha Dafinës arësyen e vajtjes atje. Fytyra e Dafinës menjëherë ndryshoi ngjyrë, herë të trëndafiltë e herë në limonti. Shtrëngoi nofullat dhe thirri të bijën.
Manjola, sapo hyri në dhomë, kur pa Dhorin e trembur dhe të mërzitur dhe rrobat e trupit të lagura, ia dha të qeshurës me të madhe.
– Hë – i tha, – kemi ndonjë të re?
Dhori e kuptoi që ishte tallur me të. Iu drejtua Dafinës: – E shikon ç’më bëri jot bijë?
Dafina u bë më tepër nervoze. Nxehtësinë e brendëshme filloi ta ndjejë në të gjitha pjesët e trupit. Nuk iu durua. I qelloi të bijës me pëllëmbë në fytyrë.
Manjola atë veprim të s’ëmës në sy të Dhorit nuk e priste.
– Mama! Pse vepron kështu? Ç’farë të keqe kam bërë unë sot më tepër se të tjerët. Sot është 1 Prill, të gjithë njerëzit argëtohen sot në këtë ditë.
– Të bëfsha gropën. Burrë për të bërë shaka me ty është ky? Shakaja nuk bëhet me hallet e njerëzve…
– Sa turp! – tha Violeta.
– Posi s’është turp – iu përgjigj ai.
– Jo jo! Më vjen turp nga Dafina – tha përsëri ajo.
– Neve, s’ka pse të na vijë turp; turp duhet t’i vijë asaj, për atë soj malli që ka në derë.
– Turp i ka ardhur asaj nga ty, përderisa i qelloi të bijës me pëllëmbë në sy tënd.
– E mirë, le të mbajmë turpin e çupës së Dafinës ne.
Violeta po rrinte e menduar me sytë ulur përdhe mbi qilim. Ia hodhi përsëri sytë të shoqit dhe e pyeti: – Domethënë, nuk është fejuar Valbona?
– Moj grua, dëgjon ti ç’po llomotis unë deri tani? Pse, për të martuar Valbonën shkova unë në bashki? Valbonën, si vajzë e mirë që është e ndihmoftë Zoti për ndonjë fat të mirë. Ne po të na jepet mundësia do ta ndihmojmë.
– Nuk është puna tek mundësia, por…
– Ç’farë por, se mos i kam unë mbyllur çunat në dhomë dhe, hajt, të marr një e t’ia jap Valbonës?
Violeta nuk foli, uli përsëri sytë përdhe.
Dhorit i pëlqenin shumë fasulet, sidomos në atë ditë me shi. Për t’i shijuar edhe më mirë, po i shoqëronte me ullinj e me qepë.
– Po ti, pse s’po ha? – e pyeti të shoqen, kur pa pjatën e saj që pothuajse s’e kishte filluar fare. – Apo ke ngrënë?
– Jo jo! Nuk kam ngrënë, ty po të prisja, por…
– Mos e mba mendjen aty tani. Ja edhe mua më zbritën nervat sapo e bisedova me ty, megjithatë, e kam një lëmsh të mbledhur nga brenda.
– Nuk e di ç’paskam sot – tha ajo. Mori një copë bukë, e futi në gojë dhe filloi ta përtypë. Edhe asaj i ishte mbledhur një lëmsh nga brenda; nuk po e mbante vendi të rinte në shtëpi. E shihte të shoqin tek hante dhe i dukej se po vonohej më shumë nga ditët e tjera në të ngrënë.
Dhori mori kafshatën e fundit të bukës bashkë me dy kokrat e ullinjve dhe i futi në gojë.
– Të hedh edhe pak gjellë? – e pyeti ajo.
– Jo, jo. U kënaqa shumë. Hahen këto të uruara fasule. – U çua nga tavolina dhe eci drejt sobës.
Edhe Violeta u ngrit dhe filloi të mbledhë pjatat. Tek e shihte të shoqen, Dhori ndjeu dënesë që i kishte folur aq ashpër me ato fjalë për Manjolën.
– Do që ta bëj tani kafen ta pijmë, apo do presësh pak? – e pyeti Violeta.
– Pse, ç’farë do bësh ti?
– Më duhet të shkoj deri tek Rita. Nuk vonohem, as pesë minuta.
– Pse, ç’i ka ndodhur Ritës?
– Jo, po…
– Mirë, shko dhe kur të kthehesh e pijmë kafen. Dëgjo – i tha ai, sapo e shoqja preku dorezën e derës për ta hapur. – Mos i thuaj gjë Ritës për ç’farë të thash, se ju gratë i keni qejf këto gjëra.
– Pse muhabete për të bërë janë këto – tha Violeta dhe doli jashtë dhomës.
Violeta po ecte me hapa të shpejtuar në rrugicë, sa që, kush e ka parë, do ketë menduar se diçka do ti ketë ndodhur. U gjend përpara portës së shtëpisë së Ritës.
– Ç’farë po më thua moj! – i tha Rita e shqetësuar, duke e parë Violetën në sy. – Nuk është e vërtetë që është fejuar Valbona? E zeza unë, shkova dhe i thash edhe Nadires, vazhdoi Rita të flasë, duke prekur faqet me duar.
– Pse edhe asaj i the ti? Po ç’të duhet ty që flet lart e poshtë?
– Ç’të duhet, thotë! Edhe Nadirja ashtu si ne u gëzua; qau edhe ajo e shkreta nga gëzimi.
Violeta po e dëgjonte dhe nuk po fliste, vetëm mblodhi pak buzët.
– Je e sigurtë që nuk është fejuar Valbona? e – pyeti përsëri Rita si për t’u bindur.
– Edhe më pyet? Unë për këtë erdha tani. Kishin qenë bashkë sot, Miltoja dhe im shoq. I kishte qarë edhe hallin e tij i shkreti për moshën e të bijës që po i kalon.
– Kur kishin biseduar, sot?
– Sot sot!
– Po shejtanit, Manjolës, kush i tha?
– Ty kush të tha, Manjola?
– Manjola, kush tjetër!
– Nuk di ç’të them, këto gjëra janë me zarar. E mira është të shkosh te Dafina, bisedoje edhe njëherë me Manjolën. Është mëkat edhe për Valbonën. Është çupë në moshë dhe i del nami kot së koti dhe mos harro, Manjola është pak çapkëne.
– Moj po… le të jetë sa të dojë çapkëne ajo; këto çapkënllëqe nuk i shkojnë tek mua.
– Unë për këtë erdha tani tek ty. Ika, se kam edhe Dhorin vetëm në shtëpi.
Kur Violeta u largua, Rita po rinte e menduar te pragu i portës. Gjaku i kishte hipur në kokë.
” Jo, jo! Do iki që tani” – tha me vete dhe eci drejt shtëpisë së Dafinës.
Trokiti në derë. Doli Manjola. – Hajde Rita, po mamaja nuk është këtu.
– Ti me kë je aty? – e pyeti Rita, që mezi po merrte frymë.
– Vetëm jam.
– Pse, ku ka shkuar jot ëmë?
Manjola psherëtiu, e pa në sy, u mendua pak pastaj tha: – Ka shkuar…, por, do vonohet ca.
– E po mirë – tha Rita, – unë për ty kam ardhur, por edhe për Dafinën.
Manjola shtrembëroi buzët si për t’i thënë se s’po e kuptonte. – Mua, ja këtu më ke.
– E po thashë, t’i them edhe Dafinës, të marim edhe Violetën dhe Nadiren e të shkojmë te Vangja, ta urojmë për fejesën e çupës, Valbonës.
Manjola kur dëgjoi këto fjalë, sa nuk ia plasi të qeshurës me të madhe, megjithëse për këtë kishte bërë fjalë me të ëmën. Kafshoi buzën e poshtëme dhe i tha: – Rita, nuk e kuptoj si e more seriozisht atë që të thashë. Unë mendova se sot është 1 Prill, megjithatë, faji është imi, që merem me plakat për të bërë shaka. Njëherë në vit është kjo ditë. Edhe ti, gjinkallë je, shkove dhe e hape në gjithë lagjen.
Ritës nuk iu durua. – Shaka për të bërë është ajo që bëre ti? Ti je vetë çupë beqare; e kupton që i del nami tjetrës? Më thua edhe gjinkallë.
Fytyra e Ritës kishte marrë një shtrembërim të theksuar. Manjola, duke e parë Ritën me atë pamje të fytyrës, sa edhe buza e poshtëme po i dridhej, iu kujtua, çfarë Rita kishte treguar njëherë për veten e saj. Kur kishte qenë e vogël ishte goditur në buzën e poshtëme dhe plaga i kishte lënë një shenjë të përjetshme. Buza e Ritës anonte pak nga ana e djathtë, sa edhe gratë e lagjes i kishin vënë nofkën, buzështrembëra. Ndërsa kur po fliste me Manjolën, buza po i dridhej më tepër. Manjola mundohej ta mbante të qeshurën, duke vënë dorën përpara gojës dhe kafshonte buzën me dhëmbë.
Rita e kuptoi që ajo nuk po shqetësohej fare për atë që kishte bërë.
– Dëgjo Manjola – i tha: Ti ndoshta kërkon të tallesh, se po e shoh, qe s’je fare e shqetësuar, por dua të them, se kjo punë ka vajtur shumë e madhe. Do të rëndojë shumë ty. Valbonës, mos i dil përpara syve, ndërsa të vëllezërit e saj, sidomos ai i vogli, ishte bërë xhind. Unë që andej po vij tani; nuk luajnë nga e tyrja ata. Donin të vinin këtu tek ty, por Miltoja nuk i la.
Manjola kur dëgjoi ato fjalë u zverdh menjëherë dhe zemra filloi t’i rrahë me shpejtësi. Gjunjët po i dridheshin, i dukej se do rrëzohej përdhe. Qeshja e mëparshme që i rinte varur në cepin e buzëve i iku menjëherë. Balli i shkëlqeu nga djersët. U përtyp, megjithëse pështyma në gojë i ishte tharë: Pastaj e pyeti: – Vërtet?
– Pse, po tallem unë? – tha Rita me njëfarë krenarie.
– Kush u tha atyre?
– Unë shkova, nuk po më mbante vendi nga gëzimi. Doja t’i uroja sa më parë.
– E shikon? Kot nuk them unë që ti je gjinkallë.- foli prap Manjola e frikësuar.
– Moj po… lëre gjinkallën ti! Ka vajtur shumë e madhe kjo punë.
Tani Manjola po e shihte Ritën, sikur ajo të ishte shpëtimtarja e saj. Po mendohej, si mund të dilte nga ai qorrsokak ku vetë kishte hyrë.
– Po vetë Valbona, çfar thoshte? – e pyeti pasi u mendua ca.
– Valbona? Ajo po i thoshte…
– Dëgjo Rita!- e ndërpreu Manjola. – Meqenëse ti që andej po vjen, të lutem shumë, mund të shkosh përsëri atje.
– Përse duhet të shkoj?
Manjola nuk foli. Vetëm po mendonte. U pendua shumë për atë shaka të tepruar që kishte bërë. Fytyra e Ritës, që para pak çasteve e kishte bërë të qeshte, tani po i dukej e frikshme. Mendonte se vetëm nga Rita varej zgjidhja e asaj ngatërese.
– Rita! Të lutem shumë! Ti duhet të shkosh menjëherë atje.
Rita lëvizi kokën në shenjë mohuese.
– Të lutem shumë Rita. Duhet ta bësh për mua. Mos u shpejto, vetëm më dëgjo. – Nuk mundi dot të fliste. Sytë menjëherë iu mbushën me lot dhe filluan t’i ridhnin në faqe. Ishte buza e Manjolës ajo, që po dridhej në ato çaste.
Rita që po e shihte në atë gjendje, iu dhimbs shumë dhe mendoi ta ndryshojë drejtimin e lojës.
– Çfarë ke? Pse qan?
Manjola nuk iu përgjigj. Ngriti dorën e majtë dhe fshiu lotët.
– E ja, se po shkoj te shtëpia e Valbonës. E ç’farë duhet t’i them, se ishte një shaka e jotja për 1 Prill?
Manjola përsëri nuk foli. Në ato çaste trishtimi që po kalonte, menjëherë iu kujtua edhe Dhori.
– Manjola! kur do t’i heqësh këto prapsira ti nga mendtë e kokës? Vërtet ke qenë vajzë e praptë e vogël, por tani në këtë moshë nuk të shkojnë më prapsitë. Ti po më thua se ishte një shaka, por moshës tënde tani nuk i shkojnë këto shaka, ashtu siç nuk më shkojnë edhe mua që po të gënjej ty në këtë ditë.
Manjola, nga ato fjalë të papritura që dëgjoi, nuk po u besonte veshëve.
– Si the? Nuk janë të vërteta të gjitha këto që po më thua?
Rita buzëqeshi, duke tundur kokën.
– Rita, të lutem, më thuaj; nuk janë të vërteta këto që më the? Nuk po vjen nga shtëpia e Valbonës ti tani?
– Si s’janë të vërteta? Janë aq shumë të vërteta, sa ç’është e vërtetë që Valbona është fejuar, ose të them më mirë që Valbonën e fejove ti sot më 1 prill.
Manjola u çlirua nga ai makth, buzëqeshi, fshiu lotët dhe tha: – Të martë dreqi buzën e shtrembër ty, se më ngrive gjakun.
– E po, kjo buza ime e shtrembër, e shpëtoi gjuhën tënde të shkurtër që po përpëlitej brenda gojës tënde të tharë.
Manjola iu afrua, e përqafoi dhe i tha: – Hajde, ulu tani të të bëj një kafe.
– Do ta pi – tha Rita, – por jo tani. Do vij më vonë me Violetën dhe Nadiren, kur të jetë edhe Dafina në shtëpi.

 

Filed Under: Kulture, Sofra Poetike Tagged With: 1 prilli, Pierre {andeli Simsia, Tregim

Nje vite nga mungesa e gjeniut shkencarit shqiptar Ardian Greca

March 31, 2013 by dgreca

Nga Lek Gjoka/

Ne jete njeriu vjen ta jetoje jeten,ti jape njerezimit por shpesh here dhe jeta tregohet e padrejte me disa.Njeri nga ato qe jeta u tregua e tille eshte edhe Prof. Asc. Dr. Ardian Greca nje nga kokat e ndritura te shkences shqiptare te informatikes qe la nje emer te madh ne bote e ne shqiptaret e Amerikes krenohemi me te. Keto dite mbushet nje vit qe ai iku ne amshim por vepra,kujtimi i miqve dhe i familjes jeton dhe do te jetoje. Kush ishte shqiptari qe beri emer ne NTTJ kompania me e madhe e informatikes ne Japoni? Kush ishte ky Profesor i Universitetit Georgia Southern University qe me zbulimet e tij shkencore la nje veper te pavdekshe ne SHBA dhe ne boten e informatikes? Kush ishte ku shkencar i madh shqiptar qe ne Shqiperi nuk iu dha kurre asgje por qe flamurin shqiptar kuq e zi e kishte medalionin me te shtrenjte te jetes qe nuk e hoqi asnjehere nga zemra ? Prof. Asc. Dr. Ardian Greca ka lindur ne qytetin e Elbasanit me 25 Shtator 1968 nga prinder mesues te nderuar qe brumosen ne ndienjat e tij dashurine per dijen,shkencen dhe Atdheun. Arsimin e mesem e mbaroi ne Politeknikumin 7 Nentori ne Tirane per elektronike ku ishte studenti me i mire nje gjeni qe natyra ia dhuroi Shqiperise.Me pas mbaron po me rezultate te shkelqyera Universitetin e Tiranes ne degen inxhieneri elektronike.Endrrat dhe deshirat e tij per kete shkenca ne vitin 1991 kur komunizmi po pergaditej te shtrohej ne shtratin e vdekjes sikur ia lodhen disi ndienjen e gjeniut duke e caktuar elektricist ne Teatrin Kombetar.Merzia u mundua ti trokiste ne deren e shpirtit por Ardiani u tregua shume i forte ku te njejten qendrese te Tiranes e perballoi edhe me semundjen e rende qe per shume vite po luftonte me te por nuk e gjunjezonte dot.Me pas caktohet ne Drejtorine e Doganave te Tiranes qe fale aftesise se tij intelektuale arrinte te risillte ne jete me dhjetera kompjutera te vjeter ne Kontrollin e Larte te Shtetit dhe ne Ministrine e Finacave ku shoket dhe miqte e pagezuan edhe me emrin Ardian “kompjuteri”. Duke pare qe Shqiperia eshte nje enderr e vrare e cdo gjeniu me 1996 troket ne Japoni vendin qe cdo shkencari te botes endrrat i behen realitet.Aty gjeti nje ngrohtesi te pa imagjinuar.Pas kater vitesh studimesh u diplomua me vleresimin “A” vleresimi me i larte ne bote nga Keshilli Graduejt i Universitetit te Yamagates me titullin “Doktor i Shkencave” Puna e tij kerkimore filloi te fitonte pike ne arenen shkencore te kohes.Prof. Asc. Dr. Ardian Greca krijimet e tija iu botuan ne revisten IEEE, ku shume shpejt u be edhe pjese e kolegjiumit te redaktoreve per vleresimin e punimeve te studiuseve nga vendet e ndryshme te botes qe i pergadisnin per botim. Referimin e tij te pare e beri ne Simpoziumin e Australise ku merrnin pjese mjaft studius nga bota .Referati i tij u vleresua mjaft nga auditori dhe menjehere pati oferta per bashkepunim.Madje pothuajse te gjithe e kishin marre per studius Amerikan dhe u cuditen pa mase kur Ardiani me plot shpirtin iu tha se ishte dhe do te jete gjithmone shqiptar. Pas Australise erdhen me radhe Simpoziumet shkencore ne Kine,Kore,Gjermani etj.Pas diplomimit menjehre filloi pune ne  NTT te Japonise ne Laboratorin e Kerkimeve Shkencore ne fushen e teknologjise se komunikimit dhe te fibrave optike.Gjithmone dallohej per perkushtim ne pune dhe ne simpoziumin shkencor ne Nagoja u vleresua aq shume saqe drejtoi i kesaj qendre nder me te medhajat ne bote kur mori vesh lajmin e largimit te Ardianit e thirri ne zyre. -Ardian nuk jam aspak dakort me vendimin tend te largimit sepse je nje njeri i madh qe i duhesh shkences dhe ketu i ke te gjitha mundesite ,madje te japin cfare te duash,pasaporte japoneze ,shtepi, ndertoje jeten tende familjare ketu , e di se e do me gjithe shpirt Shqiperine por ketu ke te ardhem. Ardiani me zemer te thyer ia kthen se ishte kenaqesi qe kishte mbeshtjeten e tij dhe te gjithe stafit por per probleme familjare qe te qendronte me afer prinderve dhe motres i duhet te largohet per ne Amerike.Keshtu ne 2001 u largua nga Japonia dhe trokiti ne deren e Universitetit te Savannah ne Georgia  Southem University ne shtetin e Georgia .Stafi i GSU-se e priti mjaft mire shqiptarin qe vinte me ne CV te shkelqyer nga Laberatori Kerkimor shkencor NTT ,Japoni.E  caktuan profesor ne programin shkencor “Jamatra professor” duke i vene ne dispozicion labaratore e mbeshtetje finaciare.Punoi me shume perkushtim.U be pjese e shume forume shkencore te GSU-se. Ne gazeten e ketij universiteti “Eagle Excutive”  sapo u mesua ndarja nga jeta e ketij gjeniu shkruajti”Ass Pr.Dr Ardian Greca sherbeu ne disa forume shkencore gjate ketyre 11 viteve pune prane ketij Universiteti tregoi kulture te larte shkencore dhe perkushtim ndaj punes qe u mor si shembull nga organet drejtuese te GSU.Ai ishte nje nga yjet e ndritshem te ketij Universiteti te Teknologjise se informacionit. Profili i tij ishin kerkimet shkencore ne fushen e tij por hobi i tij si cdo evropian ishte futbolli por edhe basketbolli, si dhe udhetimet neper bote. Shkencari Prof. Asc. Dr. Ardian Greca shkroi  48 artikuj shkencore te mbajtur ne Simpoziomet e ndryshme ne Australi,Kore,Kine,Japoni,Gjermani,Itali, Kanadasi dhe ne SHBA ne Kentaki,Alaska,Orlando Florida,Las Vegas,Havai etj. Semundja e rende dhe  e pasherushme -tha plot respekt Profe.Dr. Jimmy Harris- vertete e nderpreu punen e tij shkencore  por nuk humbi dhe as nuk do te humbasin shkelqimin punimet e tija shkencore .Madje kemi shprehur habi se si nje djal i ri  shqiptar te kishte nje bagazh te tille shkencor.Madje ne fillim e shikuam disi me pak dyshim se e kishte mbrojtur doktaraturen ne Japoni ne NTTJ qendra kerkimore shkencore nje nder me te rendesishme te botes, kishte punuar aty dhe pastaj e kishte braktisur ate enderr boterore te cdo shkencari.Por shume shpejt nga puna e vetpra e tij ndihemi krenare qe kemi punuar perkrah atij shkencari te madh boteror. Prof. Asc  Ardian Greca nuk e hoqi kurre nga mendja Shqiperine ndaj flamuri kuq e zi ishte  i pazevendesueshem per te.Deshironte me gjithe zemer qe te ishte ne Tirane Pedagog ne Universitetin Politeknik ku pat punuar si pedagog i jashtem ne vitet 1991-1996 por jeta u tregua e padrejte per te. Me 3 prill mbushet nje vit nga ndarja nga jeta e ketij shkencari shqiptar ndaj i takon jo vetem Amerikes ku punoi dhe dha nje kontribut te cmuar shkencor ne vitet e fundit te jetes por edhe Shqiperise shkences shqiptare te mos e leje ne harrese kontributin e tij.Vleresimi i qeverise se Shqiperise per bijte e ti mergimtare sigurisht qe duhet te jete me i afert por iu takon shkences shqiptare qe jo vetem te ndihet krenar se nga gjiri i saj doli nje shkencar por ti jap vleresimin e duhur. Sigurisht Ardian Greca edhe ne vitet ne vazhdim do te ndricoje me teper me punen qe la ndaj ne kete pervjetor i themi qe shpirti tu prefte ne Paqen e perjetshme.Ndaj ne shqiptaret e Amerikes te falenderojme per emrin e mire qe na dhe duke ngritur edhe me tej emrin e Shqiperise kombit tone ketu ne Ameriken e endrrave..

Jacksonville Florida Mars 2013

Filed Under: Kronike Tagged With: Dritan Greca, e shkencetarit, Lek Gjoka, nje vit nga mungesa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5518
  • 5519
  • 5520
  • 5521
  • 5522
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT