• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DY PILOTËVE AMERIKANË QË RANË PËR LIRINË E KOMBIT SHQIPTAR U DËMTOHET MEMORIALI NË PRIZREN

May 28, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Po dëmtohen dhe po shkatërrohen memoriale të merituara dhe po ngrihen memoriale të rremë, anë e mbanë trojeve shqiptare.  Nuk ka të ndalur shembja, prishja dhe dëmtimi i monumenteve në trojet shqiptare.  Duke filluar nga shembja e Teatrit Kombëtar në Tiranë nga autoritetet shqiptare, qoftë zhdukja e gjurmëve të shtëpisë së Nënë Terezës në Shkup dhe sot në rrjetët sociale  qarkullojnë fotografi të monumentit të dëmtuar në Prizren — kushtuar dy heronjëve amerikanë, David A. Gibbs dhe Kevin L. Roichert,  që dhanë jetën për lirinë e Kombit shqiptar në operacionet e para të luftës së NATO-s — të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara – kundër forcave terroriste serbe të Millosheviçit me 5 Maj, 1999.

Është interesant fakti se ky dëmtim i rëndë që i është bërë monumentit të ushtarëve amerikanë në Prizren i është njoftuar publikut – fillimisht, jo nga media por nga artisti– prizrenasi Z. Arbnor Morina, i cili siç duket ka hedhur në qarkullim edhe fotot e para të monumentit të dëmtuar rëndë në Prizren – siç mund të shikoni më poshtë nga fotot e Z. Morina.  Të pakën deri më tani, pra pothuaj 20 orë pas dëmtimit të monumentit, nuk shoh asnjë media me rëndësi në trojet shqiptare të ketë raportuar për këtë sulm ndaj historisë së re të Kombit shqiptar dhe të luftës për çlirimin e Kosovës. 

Por sipas një lajme të fundit, kryetari i bashkis së prizrenit, Z. Mytafer Haskuka shprehet në lidhje me njoftimet në rrjetët sociale për demëtimin e Monumentit në Prizren të kenë ndodhur për “arsye atmosferike” Ai shkruan: “Disa portale dhe në rrjete sociale sot janë shpërndarë dezinformata lidhur me dëmtimin e memorialit të dy ushtarëve amerikanë, David A. Gibbs dhe Kevin L. Roichert, të cilët dhanë jetën gjatë luftës më 5 maj 1999, derisa ishin duke fluturuar me aeroplanët e NATO-s për misionin paqësor. E vërteta e dëmtimit të këtij memoriali është se ka ndodhur për shkak të kushteve atmosferike, dhe jo për shkak të dëmtimeve të qëllimshme prej ndonjë personi. Kjo është dëshmuar edhe pas verifikimit në terren nga zyrtarët komunalë”, thotë Z. Haskuka.

Për fat të keq, shembja dhe sulmet kundër monumenteve historike e të merituara në trojet shqiptare, nuk kanë të ndalur, ndërkohë që me miratimin e autoriteteve shqiptare — po ndërtohen monumente që kanë për qëllime shtrembërimin e historisë dhe mohimin e identitetit të shqiptarëve, në trojet e tyre.  Ku është zemërimi i shqiptarëve dhe i përfaqësuesve të tyre!!!???   E kam fjalën për monumentet turke, greke dhe sllave që janë ndërtuar vitet e fundit në Shqipëri, por edhe për përpjekjet sllave për të përvetësuar historinë e lashtë arbërore në trojet shqiptare në Mal të Zi dhe Kosovë, po pa përjashtuar edhe trojet e tjrea shqiptar. Sidoqoftë, ky është një problem dhe përgjegjësi e autoriteteve aktuale shqiptare, kudo në trojet kombëtare, por sidomos atyreve në Tiranë dhe në Prishtinë, të cilët duhej të ishin mbrojtësit dhe kultivuesit e kësaj histori kombëtare.  Po të ishte e mbara, janë këto autoritete që sot duhet të reagojnë dhe të marrin masat e nevojshme për ruajtjen dhe mbështetjen e historisë kombëtare, përfshirë monumentet që janë pjesë e kësaj historie, siç është monumenti në Prizren kushtuar dy pilotëve amerikanë.  Dëmtimi i këtij monumenti është bërë nga njerëz djallëzorë që dinë se ç’bejnë pasi e kanë prishur monumentin në Prizren me qëllim për të shënuar 6-vjetorin e ndërtimit të tij dhe me dëmtimin e tij sikurë kanë shënuar Ditën e Përkujtimore të Veteranëve të Shteteve të Bashkuara.   Dje ishte shembja e Teatrit Kombëtar në Tiranë, pastaj fshirja e gjurmëve të shtëpisë së Nënë Teresë në Shkup dhe sot ja, “kryeqyteti” i shqiptarëve, Prizreni.  Nuk mund të mos ndodhte ndryshe.

Është interesant fakti se ky dëmtim i rëndë që i është bërë monumentit të ushtarëve amerikanë në Prizren i është njoftuar publikut – fillimisht, jo nga media por nga artisti– prizrenasi Z. Arbnor Morina, i cili siç duket ka hedhur në qarkullim edhe fotot e para të monumentit të dëmtuar rëndë në Prizren – siç mund të shikoni më poshtë nga fotot e Z. Morina.  Të pakën deri më tani, pra pothuaj 20 orë pas dëmtimit të monumentit, nuk shoh asnjë media me rëndësi në trojet shqiptare të ketë raportuar për këtë sulm ndaj historisë së re të Kombit shqiptar dhe të luftës për çlirimin e Kosovës. 

Por le ti këthehemi shkurtimisht lajmit të 24-orëve të fundit, në këte seri dëmtimesh të munumenteve në trojet shqiptare – pikërisht — historisë së monumentit, kushtuar dy ushtarëve amerikanë, të dëmtuar keq në Prizren. Monumenti u është dedikuar dy pilotëve, Oficerit David A. Gibbs, 38 vjeç, i lindur në Massillon të shtetit Ohio dhe Oficerit Kevin L. Reichert, 28 vjeç, i lindur në Chetek, të shtetit Wisconsin.  Ata humbën jetën në kulmin e rinisë së tyre për lirinë e Kosovës dhe për paqën në Ballkanin Perëndimor, kur helikopteri i tyre i tipit AH-64 Apache ishte rrëxuar në malet, në afërsi të Tiranës me 5 Maj, 1999.

            See the source imageOficeri David A. Gibbs dhe Oficeri Kevin L. Reichert dhanë jetën për lirinë e shqiptarëve gjatë operacioneve të para të NATO-s kundër forcave serbe në Kosovë

Ishte qeveria e Republikës së Kosovës ajo që ishte kujdesur për ngritjen e këtij memoriali në Prizren, kushtuar dy pilotëve të Ushtrisë amerikane, të cilët bënë sakrificën e fundit duke dhënë jetën për lirinë e Kosovës, gjatë një operacioni në terr natën në territorin shqiptar, në fillim të operacioneve ushtarake të NATO-s në Kosovë, në vitin 1999.  Memoriali ishte një simbol nga populli i Kosovës për të nderuar dhe për të kujtuar ketë sakrificë të tyre, por ishte njëkohësisht, edhe përmendorja si mirënjohje në shënjë falënderimi për bashkpunimin e NATO-s dhe të Shteteve të Bashkuara gjatë dhe pas çlirimit të Kosovës.

Fatkeqsisht, pjesë të këtij memoriali, që ishte ndërtuar për të kujtuar për gjithmonë, ushtarakët dhe ushtaraket e Shteteve të Bashkuara që luftuan pë të sjellur paqë, liri dhe për të ndaluar gjenocidin serb kundër shqitarëve në Kosovë –është sot i dëmtuar dhe i rrëxuar për dhe, pikërisht aty në qytetin e Lidhjes së Prizrenit.  Çfarë simbolike për shqiptarët dhe çfarë mesazhi po dërgon personi ose personat anti-shqiptarë që morën pjesë në ketë akt terrorist!  

Për fat të keq, dikush është i interesuar të shuaj frymëzimet, sado të paka që duken sot për sot, për horizonte të reja në marrëdhëniet midis Kombit shqiptar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.  Ata që heshtin përballë këtyre akteve barbare– sidomos autoritetet shqiptare në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë — ndajnë përgjegjësitë e mëdha me këta terroristë që duan të shlyejnë, jo vetëm historinë dhe identitetin kombëtar të shqiptarëve, por të dëmtojnë rëndë edhe lidhjet dhe miqësinë e “përhershëme të shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara”, siç thoshte dikur Presidenti Ibrahim Rugova. 

Këtë shkrim të pa dëshiruar, po e mbyll me fjalët e artistit nga Prizreni, Z. Arbnor Morina, i cili ka përhapur fillimisht edhe fotot e memorialit të dëmtuar në rrjetët e tij sociale: “Shikoni në çfarë gjendje është memoriali në Prizren, kushtuar këtyre dy ushtarëve amerikanë!  Imagjinoni sikur ta vizitonin këtë memorial familjarët e ushtarëve të rënë!  Për ta parë se për kon e kanë dhanë jetën këta dy”, është shprehur Z. Morina në reagimin e tij rrjetët sociale, kur ka parë monumentin e dëmtuar në Prizren. Vërtetë, “Për kon e kanë dhanë jetën këta dy” ushtarë

Amerikanë!?

Filed Under: Komente Tagged With: Demtohet Memoriali, Frank shkreli

SOLIDARITETI DHE HUMANIZMI I TEQESË SË BABA REXHEPIT QË MAHNITI AMERIKANËT NË MICHIGAN

May 28, 2020 by dgreca

Eliton Pashaj, Dervishi i Teqesë Bektashiane Shqiptare në Michigan, rrëfen për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, xhestin human dhe solidar që Teqeja e Baba Rexhebit bëri për policët dhe zjarrfikësit në qytetin Taylor, Michigan duke gatuar ushqime si shënjë falenderimi e mirënjohjeje për shërbimin dhe sakrificat në luftë ndaj Covid-19.  Me Dervish Eliton Pashaj bashkëbisedoi për DIELLIN gazetari Sokol PAJA.

TEQEJA BEKTASHIANE E BABA REXHEBIT HUMANIZËM E SOLIDARITET NË KOHË PANDEMIE

Bujaria, zëmërgjerësia dhe mirënjohja janë ndër virtytet më të larta të shqiptarit. Në një kohë kur bota përballet me një virus vdekjeprurës global, të shprehësh mirënjohje e falënderim për luftëtarët e vijës së parë është në nderin tonë. Policë, zjarrfikës, mjekë dhe kushdo që sfidon vdekjen në vijën e parë të luftës ndaj të keqes do ta ketë kurdoherë ndihmën e Zotit, bekimin e Zotit dhe mirënjohjen tonë të përjetshme.

Heronjtë e sigurisë dhe shëndetësisë, po rrezikojnë jetën e tyre për të siguruar e shpëtuar jetën tonë. Duke qenë se ne jetojmë, punojmë dhe predikojmë këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si çdo qytetar tjetër me të drejta të plota, në bashkëpunim me bordin e Teqes Baba Rexhebi dhe në veçanti kryetarit të bordit z.Ekrem Bardha, vendosëm që ti dhurojmë Drejtorisë së Policisë dhe qëndrës së Zjarrfikësve të qytetit Taylor ku dhe Teqe-ja Bektashiane ushtron aktivitetin e saj klerikal prej 66 vjetesh, ushqime në shenjë mirënjohjeje për punën e kryer në veçanti ne këtë gjëndje të jashtëzakonshme të covid-19. Bota po përballët me një virus të tmerrshëm. Policët dhe zjarrfikësit janë në vijën e parë të frontit të luftës dhe meritojnë shumë respekt e mirënjohje. Ata kanë qenë në frontin e parë në shërbim të qytetarve dhe fatkeqësish puna e tyre nuk vlëresohet sa duhet por nga vendi ku ne vijmë e dimë mirë çdo të thotë mungesa e shtetit dhe mungesa e rendit publik.

Fillimish kur u drejtuam në zyrën e Drejtorit të Policisë Mr. Blair, John ai u shmang dhe i habitur pyeti: “The Albanian Bektashi Monastery at North line?”  Kjo është vërtetë një suprizë dhe vlerësim, sinqërisht Taylori ka shumë kisha por askush nuk na ka ardhur me një propozim të tillë. Bashkë me shefin e Guzhines së Teqes z.Dhimiter Skordileva ne ju përgatitëm një drekë dhe darkë pasi ata punojnë me dy turne të ndryshme. Përveç ushqimeve Amerikane ne vendosëm në menu edhe ushqime tradicionale shqiptare.

Një falënderim të veçantë për z.Genti Metko për kontributin e dhënë në mbulimin e shpenzimeve të kësaj darke bujare dhe patriotike. Kemi marrë falënderime nga shumë bashkatdhetar këtu në Amerikë dhe nga Shqipëria. Njëkohësish kryetari i degës së Vatrës Mondi Rakaj na ka falënderuar dhe ka shprehur dëshirën që ky projekt të vazhdojë edhe me institucionet e tjera që edhe ne të promovojmë vlerat tona kombëtare por dhe një mirënjohje për atë se çfarë Sh.B.A ka bërë për Shqipërinë dhe çështjen shqiptare.

VLERAT E BEKTASHIZMIT SHQIPTAR 

Në çdo sfidë që ka kaluar shteti shqiptar dhe historia shtetformuese e kombit tonë, padyshim kleri fetar ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Bektashinjtë shqiptarë kanë qenë kurdoherë një vatër e ngrohtë atdhedashurie. Bujaria, mikëpritja dhe atdhedashuria kanë qenë përherë virtyt i lartë i bektashinjve shqiptarë. Teqetë Bektashiane historikisht i janë gjendur pranë komunitetit shqiptar si në kohë të begata ashtu edhe në kohë të vështira.

Dyert shpirtëroe dhe institucionale të këtyre institucioneve klerikale kanë qenë të hapura për çdo njeri pa dallim rrace apo feje. Mikpritja dhe zemërgjerësia është një vlerë që ne shqiptarët e kemi dhe e kultivojmë brez pas brezi, sidomos në kohë të vështira ku sensibilizimi dhe vëllazëria ndërmjet njëri-tjetrit është edhe më e madhe dhe kuptimplote. Shënjë e një dashurie vëllazërore u tregua në bashkimin, solidaritetin dhe mbështetjen që diaspora shqiptare kudo në botë por vëçanëisht në USA tregoi në ndihmë të bashkatdhetarëve tanë të cilët u goditën pabesisht nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri. Edhe pse larg mëmëdheut, mëndja dhe zemra punon përditë për Shqipërinë tonë të dashur nga ku lutemi përditë për vëllezërit e motrat tona atje për ditë më të begata dhe më të shëndetshme. 

VATRA ËSHTË ZEMRA E SHQIPTARISË DHE ATDHEDASHURISË

Nëse ka identitet shqiptar në diasporë në Amerikë kjo i takon ekskluzivisht Vatrës. Sa herë që Amerika ka ndërhyrë fuqishëm në çështjet shqiptare, kjo ka ardhur falë punës së shkëlqyer dhe patriotike që Vatra ka bërë në më shumë se 1 shekull ekzistencë. Vatra është një institucion mbi institucionet e tjera. Ndaj vlerave dhe kontributit të Vatrës në dobi të kombit tonë, secili prej nesh sot duhët të përulet me respekt. Ne si Teqeja Bektashiane patëm rastin të kishim mysafirë të gjithë Delegatët e Vatrës në Ambjentet e saj për kongresin që u bë më 19 Janar 2020. Ishim shumë të lumtur që u bëmë pjesë e këtij Kuvendi të jashtëzakonshëm. Më vjen mirë që si dikur në kohën kur Noli dhe Baba Rexhebi qanin hallet e Shqipërisë në gjirin e Vatrës, dhe ne hodhëm themelet që ky institucion të vazhdojë tu rrezatoi shpresë brezave që po rriten në mërgim, ndonëse larg Shqipërisë fizikisht por të lidhur shpirtërish nën hijën e Vatrës dhe institucioneve të tjera. Vatra i ka të gjitha mundësitë që të vezullojë shpresë ashtu siç bënte dikur në kohën e Nolit dhe Konicës. Të gjithë ne duhet të mësohemi ta pranojmë njëri-tjetrin ashtu siç jemi me gabime dhe të mirat tona dhe duhet të kuptojmë diçka se: “Shqiptari nuk ka mik tjetër veç se Shqiptarin. Sa më të bashkuar aq më shumë do dëgjohet zëri jonë, aq më shumë do të jemi të vlerësuar nga të tjerët dhe do të mund të mbajmë gjallë traditën, kulturën tonë dhe fëmijët tanë do të ndihen krenar dhe nuk do të kërkojnë një kulturë tjetër, por do të ndihen të vlerësuar në gjirin e diasporës shqiptare. Vatra e ka treguar veten se kush ka qenë dhe kush është sidomos me degët e hapura pothuajse në të gjitha shtetet e Amerikës. Na takon ne të gjithë bashkatdhetarëve që ti mblidhemi rrotull Vatrës asaj që Vatra na ka ofruar atdhedashuri, identitet dhe vlera kombëtare.

LITURGJI FETARE NË KOHËN E PANDEMISË GLOBALE

Ne si institucion jemi të mbyllur që në 18 Mars 2020 për arsye të covid-19 dhe jemi munduar që ti porosisim besimtarët që të gjitha obligimet fetare ti bëjnë pranë familjeve të tyre. Duke ruajtur edhe veten edhe shëndetin e të tjerëve, ne si institucion jemi munduar që predikimet javore ti trasmetojmë nëpërmjet kanalit tonë në Youtube “ALBTEQEUSA” por njëkohësisht dhe televizioni shqiptarve të Amerikës na ka dhënë mundësi të trasmetojmë predikimet tona. I shpreh mirënjohje dhe falenderim të veçantë z.Gani Vila për mundësinë që na ka krijuar për të mbërritur vizualisht te besimtarët tanë nëpërmjet medias masive siç është televizioni. Për shkak të virusit vdekjeprurës, si institucion fetar do të vazhdojmë të jemi të mbyllur derisa Governatorja e shtetit Michiganit t’na japin mundësinë e rihapjes dhe kthimit në aktivitet normal fetar. Do tu lutesha të gjithë besimtarëve dhe bashkatdhetarve të vazhdojnë lidhjen shpirtërore me Teqen e Baba Rexhebit dhe të vazhdojnë që ta mbështesin këtë vend të shenjtë të të gjithë shqiptarve në mërgim. Si institucion fetar u garantoj besimtarëve dhe çdo shqiptari se edhe pas kësaj krize globale ne do vazhdojmë të jemi në shërbim të tyre siç ishim dhe më parë duke shtuar te njerëzit dashurinë për Zotin dhe mëmëdheun tonë Shqipërinë. Ju bëj thirrje të gjithë bashkatdhetarëve ti respektojnë ligjet dhe rregullat e vendosura nga shteti dhe Governatorja në mënyrë që ne të demostrojmë qytetari por dhe respekt për këtë vend që me bujari na ka hapur dyert dhe gezojmë të drejta si çdo qytetar amerikan. 

KUSH ISHTE BABA REXHEBI

Baba Rexhebi është themeluesi i Teqesë së parë Bektashie Shqiptare në Taylor, Michigan, Shtetet e Bashkuara. Ai u lind në Gjirokastër më 18 gusht 1901, ishte me prejardhje nga një familje gjirokastrite.. Vendos t’ia kushtojë jetën fesë bektashie që kur ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç. Pasi shërbeu si klerik bektashi në Shqipëri për mbi 20 vite, u detyrua të largohej nga atdheu pas ardhjes në pushtet të komunistëve më 1944. Largimi nga Shqipëria ishte i detyrueshëm pasi regjimi komunist kishte synim zhdukjen me çdo kusht të klerit fetar në Shqipëri dhe ndërtimin e një shteti ateist. Si fillim Baba Rexhebi u zhvendos në Itali dhe më pas në Kairo duke mos u shkëputur për asnjë moment nga përkushtimi i tij fetar. Më 1954 hapi Teqenë e parë bektashie Shqiptaro-Amerikane, në Detroit duke qenë përherë një vatër e ngrohtë besimi dhe atdhedashurie për çdo pjesëtar të komunitetit shqiptar. Baba Rexhepi ndërroi jetë në Detroit më 10 gusht 1995.

Filed Under: Featured Tagged With: Eliton Pashai, Sokol Paja, Teqeja Baba rexhebi

Amerika nuk e përkrah ndarjen

May 28, 2020 by dgreca

(Një bisedë që duhet të na ndihmojë të gjithëve për t’u qetësuar)/

SHKRUAN: MARTIN VULAJ*/

Amerika është një fenomen i veçantë në evoluimin politik të njerëzimit. Baballarët e kombit, në fillet e këtij shteti vendosën për themelimin e një republike kushtetuese në vend të një monarkie. Kjo me qëllimin e vetëm që qytetarit t’i jepej një rol qëndror në shtetin e ri. 

Ndryshe nga demokracitë parlamentare ku pushteti është i përqëndruar te partitë politike dhe udhëheqësit e atyre partive gëzojnë pushtet të konsiderueshëm, në Shtetet e Bashkuara qytetari i zakonshëm as që e di se kush janë udhëheqësit e partive të tyre. 

Amerika, bazuar në këto principe ka arritur të ndërtojë një sistem politik, ku qytetari aktiv ka mundesi qasjeje në të gjitha nivelet e pushtetit. 

Është pikërisht ky sistem i cili i ka mundësuar edhe komunitetit shqiptaro- amerikan të ndikojë dhe lobojë te politikat amerikane për çështjen e Kosovës dhe çështje tjera shqiptare me interes. 

Një shembull të tillë më së miri mund ta shohim nga një iniciativë e aktivistit shumëvjeçar nga Kosova Gjevalin Gegaj.

Gjevalinin e njohin të gjithë për aktivitetin e tij të palodhshëm në promovimin e interesave shqiptare në qarqet amerikane, dhe përveç kësaj, Gjevalini njihet edhe si një Republikan besnik. 

Para pak kohësh ai vendosi kontakte me udhëheqësit e fushatës së presidentit Trump në shtetin e Miçigenit dhe kërkoi nga ta një mundësi për ta prezantuar çështjen e Kosovës.

Në këtë takim, ku kishte pjesëmarrës edhe të shumë organizatave kulturore, fetare, edukative dhe fusha të tjera të shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet, Gjevalini siç ka bërë me dekada, prezantoi hallet që po i brengosin kosovarët këto ditë. 

Miçigen njihet si një shtet i rëndësishëm për zgjedhjet presidenciale, dhe në vitin 2016 presidenti Trump kishte arritur të fitonte vetëm me 10 mijë vota diferencë. Kur përfaqsues të fushatës së zotit Trump mësuan se në Miçigan jetonin rreth 43.500 votues me prejardhje shqiptare, interesi i tyre padyshim se u rrit. Vota shqiptare mund të ishte vendimtare, do të mendonte çdo operativ politik. 

Përfaqësues të komunitetit prezantuan me modesti por me një siguri dhe vetëbesim çështjet që u interesonin dhe lanë një mbresë aq të mire, sa që Gjevalini u ftua të merrte pjesë në një takim me zëvëndës-presidentin Pence pas pak ditësh. Në këtë takim, Gjevalini me modestinë e tij unike, të skalitur ndër dekada të aktivitetit të tij, e njoftoi zotin Pence me Kosovën dhe vuajtjet që kishte kaluar vendlindja e tij ndër luftëra. I tregoi për mbi 13 mijë viktima dhe mijëra gra të dhunuara të cilave edhe sot e kësaj dite nuk u është dhënë drejtësia e merituar. Zoti Pence, i prekur nga kjo histori e trishtë e një populli të vogël, i kërkoi Gjevalinit që t’ia adresonte këto çështje dhe shqetësime të tjera të komunitetit përmes një letre.

Kjo ishte një mundësi e mirë që nuk vjen çdo ditë dhe përfaqsues të komunitetit filluan punën në përgatitjen e letrës sa më parë (ja vlen të theksohet që kjo letër nuk është e njejta nga ajo që ështe proklamuar në mediat kosovare ditëve të fundit). 

Letra që u përgatit nga komuniteti i Miçigenit për zv.presidentin Pence përveç tjerash theksin e vinte edhe te fakti që gjatë procesit të dialogut me Serbinë, ndarja e mundshme e Kosovës të mos vinte në konsideratë në asnjë mënyrë dhe të mos kishte një bosnjëzim të Kosovës. Por pikërisht ato ditë Shtetet e Bashkuara u goditën nga pandemia, dhe komuniteti që kishte përgatitur dhe dërguar letrën e humbi entuziazmin se ajo letër tani do të mund të kishte efektin e dëshiruar.

Zv. Presidenti Pence ishte emëruar për të udhëhequr ekipin që do t’i bënte ballë luftës kundër pandemisë dhe nuk mund të merrej me mend që ai do të kishte kohë për t’u marrë me brengat e shprehura në letrën e komunitetit të Miçigenit. Por Amerika edhe në këtë drejtim është e veçantë dhe e dëshmon edhe një herë se roli i qytetarit është roli qendror në këtë shtet.

Në mes të luftës ndaj pandemisë, Gjevalini merr një telefonatë nga zyrtarë të fushatës së presidentit Trump, dhe njofohet se do t’i caktohej një takim ku ai do të mund të prezantonte dhe diskutonte shqetësimet e paraqitura në letrën e dërguar zotit Pence. 

Takimi përmes telekonferencës (tipike në kohën e pandemisë) u mbajt me Z. Gary Tripmacher nga zyra e Zv. Presidentit Pence, dhe Amanda Ahlers, drejtoreshë për Ballkanin në Këshillin për Siguri Kombëtare (e cila për publikun kosovar njihet edhe si bashkëpunëtore e ambasadorit Grenell, i dërguar special i presidentit Trump për dialogun Kosovë-Sërbi).

Gjatë këtij diskutimi, u trajtuan me kujdes çështjet e ngritura nga komuniteti e ajo që ia vlen të theksohen janë ato pika aq shumë të diskutueshme e shpesh të keqinterpretueshme nga qarqe të ndryshme. 

Zonja Ahlers edhe një here ritheksoi se:

  • “SE NUK KA MARRËVESHJE SEKRETE PËR SHKËMBIM TERRITORESH NDËRMJET KOSOVËS E SERBISË, SIÇ KANË SPEKULUAR DISA”
  • Nuk ka plane për tërheqje të trupave amerikane
  • Nuk do të ketë Bosnjëzim të Kosovë
  • Shtetet e Bashkuara do t’i rrisin ndihmat pas arritjes së një marrëveshjeje Kosovë- Sërbi dhe se nga kjo marrëveshje presin njohje të ndërsjellë ndërmjet dy vendeve
  • Shtetet e Bashkuara do të punojnë me çdo qeveri që del si rezultat i një procesi bazuar në normate kushtetuse

Një bisedë dhe përkushtim i tillë duhet të na qetësojë të gjithëve. Duke pasur parasysh historinë e dy dekadave të fundit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, është e pamendueshme që edhe një shqiptar i vetëm të vinte në dyshim synimet e Shteteve të Bashkuara dhe të kthehej për të gjetur shpëtim nga Evropa. Ishte SHBA që udhëhoqi fushatën e bombardimeve të NATO-s; pasi ia la për 8 vjet procesin e dialogut Europës, ishte SHBA që duke mos duruar dot më tha “kur mjafton, mjafton” dhe e bëri Kosovën të pavarur; ishte SHBA që kundër dëshirave të Europës, krijoi Ushtrinë e Kosovës; dhe është SHBA që po udhëheq nismën për ta mbyllur kapitullin e shtetësisë së Kosovës duke e anëtarësuar në OKB e NATO. Mund të thuhet se SHBA ka bërë më tepër për ta çuar Kosovën në Evropë se vetë Evropa. Në fakt, mund të thuhet se nuk ka pasur asnjë zhvillim vendimtar në Kosovë që nuk ka përfshirë rolin udhëheqës të SHBA-së. 

Por ne nuk duhet të gënjejmë veten duke menduar gjithë këtë kontribut ndaj Kosovës, Shtetet e Bashkuara e kanë dhënë se e meritojmë apo se kushedi sa të mirë jemi. Përkundrazi, kohëve të fundit, fatkeqësisht po dëshmojmë të kundërtën dhe nuk po tregohemi mirënjohës ndaj kësaj miqësie dhe kontributi. Mirëpo na ka buzëqeshur fati dhe na ka bërë një pjesë të vogël të interesave të sigurisë së Shteteve të Bashkuara. E pjesë e kësaj strategjie të SHBA, duket të jetë shkëputja e Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë, nga ajo pjesë e civilizimit ku i kishte paraparë Samuel Huntington në veprën e tij monumentale “Përplasja e Civilizimeve”, dhe një nga një synon ti’ vendos ato nën ombrellën e sigurisë se NATO-s. Kosova mund të pres një proces të përshpejtuar të anëtarsimit në NATO pas marrëveshjes me Serbinë. Ky proces duhet të udhëhiqet nga SHBA-të sepse Evropa e ka dëshmuar se është e paaftë kur është në pyetje Kosova.  Një Kosovë e fortë dhe e konsoliduar është në interesin e sigurisë kombëtare amerikane.

Në një fjalim të mbajtur me studentë të Harvadit para pak ditësh, kryeministri në detyrë Kurti i ofroi Europës një plan paqeje për vendet e ballkanit perendimor. Ai tha se BE duhej të integronte të gjashtë vendet e Ballkanit Perendimor në të njejtën kohë dhe t’u ofronte atyre një mini Plan Marshall për zhvillim ekonomik, i cili do të lehtësonte integrimin e plotë.

Derisa Evropa të jetë e gatshme të ndërmarrë hapa të tillë të guximshëm, ajo do të t’i mbetet një rol minor, krahasuar me SHBA-në që ka vullnetin politik për t’i përfunduar gjërat të cilin e ka provuar sa e sa herë. 

Nuk ka dyshim se “Me Amerikën edhe më Evropën” është orientimi i duhur për Kosovën. Mirëpo, Amerika e ka dëshmuar se është me Kosovën. Evropa, deri tani, ende jo. Amerika nuk na ka dhënë asnjë shkas për ta vënë në dyshim vendosmërinë e saj, ndërkohë që Evropa nuk na ka dhënë arsye që t’i besojmë. 

Çdokujt që do të vazhdonte kërkimin për të gjetur ndonjë synim të fshehtë amerikan pas gjithue kësaj historie, do t’I kujtoja thënien e famshme të Kasiusit nga vepra Jul Qezari e Shekspirit: “Faji, i dashur Brut, nuk ndodhet në yjet tanë, por tek ne”. 

  • Shkrimi u dërgua për Diellin nga autori. Faleminderit!

Filed Under: Analiza Tagged With: JO Ndarje, Martin Vulaj

VATRA NË KOHËN E KORONAVIRUSIT-DEGA NE HARTFORD

May 28, 2020 by dgreca

VATRA NË KOHËN E KORONAVIRUSIT- FLET KRYETARI I DEGËS TË HARTFORDIT CT, PEDAGOGU MILAIM TAHIRI/

Dega e Vatrës në Hartford është krijuar me 13 prill 2014, me nisimin dhe nën organizimin e z. Adriatik Spahiut, sot nënkryetar i Federatës, me praninë e ish kryetarit të Federatës Vatra, Dr. Gjon Buçaj.

Që nga 20 prilli i vitit 2019, kohë kur u organizua Kuvendi zgjedhor i degës në kuadër të Kuvendit të Federatës Pan Shqiptare “VATRA” për vitin 2019, dega drejtohet nga pedagogu Milaim Tahiri. Në Kuvendin zgjedhor të degës me 20 prill, nga i cili doli kryesia e re dhe kryetari i ri, ishin të pranishëm të deleguarit e qendrës, nënkryetari i atëhershëm i Federatës “VATRA” z. Agim Rexhaj dhe anëtari i Këshillit të Vatrës z. Ramadan Gashi.

Pak HISTORI: 

Dega në Hartford është sot e vetmja degë e Vatrës që vepron në Shtetin e Connecticut, por që dikur ka pasë tri degë pararendëse, shumë të fuqishme dhe aktive.

Dega e parë e Vatrës në Shtetin e Connecticut është krijuar në Bridgeport. Dega mbante numrin 24 dhe ka si datë formimi 10 gusht 1913. Kryetar i parë i degës u zgjodh asokohe Zoti Kostë Hotova, një figurë e njohura vatrane, që për urtësi, gjakfohtësi e zgjuarsi, iu besuan disa herë drejtimet e Kuvendeve të Federatës. Z. Kostë Hotova u emërua nga Federata Vatra si i dërguari i saj zyrtar në Ellis Island, NY, porta ku hynin emigrantët në SHBA. Kostë Hotova u emërua në vitin 1917 për të pritur bashkatdhetarët shqiptarë që emigronin dhe kishin nevojë që të orientoheshin ,e dikush duhej t’ju përkthente. Në këtë portë gjigande emigrantësh, nga viti 1892 deri në vitin 1954, zbritën në Tokën e Lirës, mbi 12 milionë emigrantë, ndër ta dhe shumë shqiptarë, emrat e të cilëve ndodhen në muzeun e ishullit. Hotova ka qenë edhe kandidat për kryetar i Federatës VATRA. Arkëtar i parë i degës u zgjodh z. Kol J. Gode, sekretar z. Vangjel Girard dhe pleq u zgjodhën: z. Nastas L.Tolkuçi, Vasil Naum dhe Kosta Xhega.

Dega e dytë e Vatrës në Connecticut ishte ajo me numër 48 në Williamsville-Killingly, Conn, e cila e nisi procesin e formimit me 2 qershor 1915. Pleqësia e parë përbëhej nga: Kryetar Kasem Abedin Cangonji, sekretar Ali Maliq Zvezda, arkëtar Kadri Daut Belortaja, dhe pleq- Muharrem Adil Vashtemia, Mane Bitincka, Beqir Myslim Pojani.

Dega e Tretë e Vatrës në këtë shtet, ajo më me aktivitet deri vonë, ishte dega në Waterbury, e cila u formua të Dielën e 14 Shtatorit 1915. Dega mbante numrin 51 dhe kryetar i parë i saj u zgjodh Hasan Biticka, një figurë e njohur vatrane, që u përzgjodh shumë herë kryetar i Kuvendeve. Më 1925 ai shkoi në Shqipëri dhe u vendos në Korçë nga drejtonte gazetën e dytë të vatrës “Shqiptari i Amerikës”. Bitincka pati një fat tragjik, u vetëvra në rrethana misterioze në Shqipëri. Dielli dhe Vatra e vajtuan dhe e respektuan me nderime vatranin që kishte dhënë aq shumë për Shqipërinë. Arkëtar i parë i degës u caktua Hysen Aliko, sekretar Zenel H. Drizari, (I njohur si Nelo Drizari), i cili më vonë do të bëhej kryetar i degës së Vatrës me nr. 29 në New York, dhe një nga figurat qendrore të Vatrës, dishepull i Faik Konicës, mbrojtës i figurës së Mbretit Zog nga sulmet e kunërshatrëve të Shqipërisë në shtypin amerikan të kohës, Iishte i pari gazetar shqiptar i diplomuar në Columbia University më 1926, krijoi të parën katedër të gjuhës shqipe në Columbia University(1927) ndërsa nga 1936- 1939 ai do të ishte Editor i Diellit të Bostonit,më vonë(1942) ishte promovuesi i Zërit të Amerikës në gjuhën Shqipe. Pleq të parë të kryesisë të degës në Waterbury  u zgjodhën në kohëformimin e degës Zotërinjtë Dhimitri S. Noli, Ali H. Çorrushi, dhe Zenel Çorrushi. Vatranët e Waterbury-t ishin pjesa më aktive e komunitetit të atjeshëm. Ali Demirali me rrethin e tij familjar, vëllezërit Bushka, Sami Kulla dhe shumë të tjerë dhanë gjithçka për vatrën. Ndoshta dega e Hartfordit do të ishte mirë që t’u afrohej pasusve vatranë të atjeshëm dhe të rikrijojë degën.

Dega e sotme e Vatrës në Hartford ka rreth vetes 30 anëtarë, duke pasur në radhët e veta një grup intelektualësh dhe shumë simpatizantë.

Po si është gjendja e sotme e degës, ndërkohë që edhe Hartfordi ashtu si i tërë shteti i Coneccticut u prek nga Koronavirusi?

Ndiqeni bisedën që organizuam me kryetarin e degës pedagogun Milaim Tahiri:

DIELLI: Përshëndetje z. Milaim! Si është gjendja shëndetsore juaja dhe e familjes në këtë kohë Pandemie? A ka njeri nga rrethi juaj familjar e miqësor të prekur  nga COVID-19 ?


MILAIM TAHIRI- Ju falenderoj për interesimin. Unë dhe familja ime jemi mirë. Po ashtu edhe pjesa tjetër e familjes, që jetojnë në Europë janë fare mirë. Me informacionet që kemi edhe familjet e vatranëve dhe të miqëve këtu, në përgjithësi janë mirë. Ka 3-4 familje që janë prekur me Covid 19, mirëpo në përgjithësi e kane kaluar pa komplikime infeksionin.


DIELLI: Si është situata pandemike në Connecticut në përgjithësi, dhe në Hartford, ku ju jetoni?


MILAIM TAHIRI: Shteti Connecticut, gjeografikisht si pjesë e zonës veri- lindore, eshte godituar me fortë se pjesët tjera. Ka rreth 41 mijë e 288 të infektuar(deri ditën e djeshme, e mërkurë 27 Maj) dhe diku rreth 3 mijë e 803 te vdekur deri me tani( 34 ishte numri i viktimave për të mërkurën), rreth 30 mijë e 863 janë mbartësit aktiv të COVID-19, por duke e pasur parasysh numrin e popullsise ( rreth 3.5 million banorë) kemi numer te lartë te vdekjeve për banor. Pas shtetit te New York-it dhe New Jersey, jemi shteti i trete me mbi 1050 vdekje për 1 Milion banorë. Më së keqi eshte Fairfield county qe eshte me afër New Yorkut me diku 15 mijë te infektuar, New Haven me 11 mijë, e pastaj vjen Hartford county me rreth 10 mijë te infektuar, kurse te vdekur rrethi i Hartfordit i ka rreth 1200.

DIELLI: A u izolua Hartfordi? A u morën atje masa strikte kufizuse? 


MILAIM TAHIRI:  Masat u morën, por une mendoj se pak me vonesë. Masat janë deri diku strikte, por nuk mendoj se janë respektuar me seriozitet nga popullata.

DIELLI: Si i keni mbajtë lidhjet me anëtarët e kryesisë së degës, lidhjet me vatranët dhe familjet e tyre?


MILAIM TAHIRI: Natyrisht i kemi mbajtë lidhjet dhe jemi intersuar për vatranët dhe familjet e tyre. Lidhjet me kryesinë dhe anëtaret tjere te Vatres kryesisht i kemi mbajtur përmes telefonëve.

DIELLI: Ka pasë të infektuar nga radhët e vatranëve?


MILAIM TAHIRI: Fatmirsisht jo. Nuk ka pasur te prekur direkt nga anëtarët e degës së Vatrës, por siç êshtë cekur më lart, ka pasur të prekur nga komuniteti i ynë. Me informacionet që kemi, të gjithë te prekurit nga virusi e kaluan sëmundjen pa komplikime të mëdha dhe në përgjithësi me trajtim shtëpiak.

DIELLI: Me qendrën e Federatës, i keni ruajtë lidhjet?

MILAIM TAHIRI:  Me kryesinë e Vatrës i kemi mbajtur lidhjet dhe kemi pasur disa biseda telefonike e shkëmbim mesazhesh.

DIELLI: Cila është gjendja e anëtarësisë në degën tuaj. A e keni ruajtë anëtarësinë e kohës së Kuvendit, ka të larguar apo keni shtuar anëtar të rnj?

MILAIM TAHIRI:  Nuk kemi ndonjë ndryshim të anëtarësisë në degën e Hartfordit krahasuar me giendjën që e kishim para Covid 19, nuk kemi ndryshim të anëtarësisë as pas Kuvendit.
DIELLI: Ishte kënaqësi që biseduam. Faleminderit për bisedën!MILAIM TAHIRI: Kënaqësia ishte imja.Faleminderit prej Jush!

PERGATITI:DALIP GRECA

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, hartford, Miliam Tahiri

ZHVESHUR

May 28, 2020 by dgreca

NGA MUSTAFA XHEPA/

Mesnatë. Dyl Sula, miku im i vjetër, më trokiti fort në derë. Ishim rritur bashkë në të njëjtën rrugicë, në qendrën e qytetit të lashtë, përpara se “Çlirimtarët” të na shembnin shtëpinë shekullore. Ndërtuan pallat për veten e tyre aty, në atë vend. Të zhveshur nga të gjitha na dëbuan te Banesat. Nëna, e shqetësuar, rendi e para. Ato ditë në orët e vona, shtiej me armë te Banesat. Falangat komuniste, vetëm ato kishin armë, gjuanin në ajër, krijonin panik, pasiguri dhe terrorizonin njerëzinë. Banesat, lagjia në rrëzë të kodrave, larg qytetit, vend i caktuar për të dënuarit, deklasuarit dhe të padëshiruarit e sistemit, ishin problemi kryesor për komunistët. Të nesërmen do të zhvillonin zgjedhjet e reja. Të parat pas një gjysmë shekulli, ku do të votohej edhe për të tjerë. Partia e Punës (Komuniste) ishte në hall, duhej mbajtur pushteti me çdo kusht. Të fitohej kohë.
– Çfarë kanë vjedhur me ndihmën e Lindjes, duan ta ligjërojnë me ndihmën e Perëndimit, – thoshte Dyli, heroi i ditëve të para të shpërndarjes së gazetës RD. 
Atë çast po i thoshte nënës. 
– Muçi të vishet shpejt! Do të vijë një i huaj. Duhet ta shoqërojë në votime nesër.  
Në Librazhd arritëm rreth orës dy të mëngjesit. Sportelisti i hotelit, njeri i sigurimit, nuk na la të futeshim brenda. 
– Kam urdhër, – i thoshte përfaqësuesit të opozitës, ky një djalë i ri nga Tirana, që punonte inxhinier pyjesh në zonë. Ishte kandidat për deputet në qytetin e Librazhdit.  
– Kam prenotuar dhomë, e kam paguar, – ngulte këmbë inxhinieri.
– Ore, do dalësh jashtë apo t’i thërras policit, – kërcënonte sportelisti.
Polici i fshehur në kthinën e sportelit doli menjëherë, pa e thërritur kush. Kapi prej krahu inxhinierin dhe e shtyu jashtë. Binte shi dhe frynte një erë e ftohtë, fundmarsi. Errësirë. Inxhinieri kundërshtonte tashmë me zë të lartë. Nuk kaloi shumë. Një hije urdhëroi policin. Na lanë të futeshim brenda. Një dhomë në katin e dytë. Inxhinieri dridhej nga frika, të ftohtit, ose të dyja bashkë.
Rreth orës tetë të mëngjesit, kryetari i opozitës, Sazani, një djalë i ri me trup mesatar, muskuloz, i qeshur, na ftoi të prisnim te zyra e tij, derisa të vinte i huaji. Dera e zyrës në katin e dytë, te një ndërtesë në qendër, ishte e shqyer, dritaret ishin thyer, karriget ishin kthyer përmbys. Sazani qeshte. 
– I kanë bërë ata, – bëri me dorë nga disa ushtarë jashtë, në xhade. 
Qeshën edhe ata, e përshëndetën me grusht. Dukej si një shfaqje e përgatitur për të huajin. Vite më vonë babai do të më tregonte se Sazani i kishte grabitur një copë tokë nga prona jonë në qytetin e Librazhdit, kishte ndërtuar një godinë dykatëshe, e kishte shitur dhe jetonte i lumtur në Amerikë. Po kështu edhe turizmi, ku kalova natën, ishte ndërtuar mbi pronën tonë. Kur babai ishte interesuar në zyrën e privatizimit, i kishin thënë se nuk mund ta ndihmonin, pasi për atë objekt interesohej Eduard Selami. 
– Është mbi tokën time, me ligjin e privatizimit, – mundohej t’i bindte babai.
Shkrimtari i madh antikomunist, Visar Zhiti, do të na kujtonte si prej shenjti.
“… të tjerë ishin ata që u kryqëzuan dhe të tjerë ishin ata që u ringjallën…”.
Profesorin e marksizëm-leninizmit koha e kishte zhveshur nga idealet komuniste. Kur erdhi si kryetar partie në SHBA, ditën e kaloi në zyrën e ambasadorit. Mua bënte sikur nuk më shihte. Në ambasadë punonim dy vetë, ambasadori dhe unë; ambasada ishte një apartament me dy dhoma në katin e dhjetë në një godinë të vjetër.  
Foristrada ngjyrë gri me targë të huaj ndaloi në qendër. Zbritën dy të huaj, një grua me flokë të verdhë, kaçurrelë, rreth të tridhjetave, që e prezantoi veten si gazetare dhe një mesoburrë shpatullgjërë. Në gojë mbante llullë druri, të cilën e thithte herë pas here duke lëshuar rrathë blu mbi kokë. Mjekra e zezë i bashkohej me mustaqet në formë rrethi. Gazetaren do ta shoqëronte Çlirim Rrusha, me të cilin kisha njohje që nga vitet e shkollës. Ata do të vëzhgonin zgjedhjet në qytet, ndërsa të huajin që nuk u prezantua do ta shoqëroja unë në fshatrat përreth. Zonë kufitare, e rrezikshme. Erërat e ndryshimit s’kishin arritur ende.
– Më quajnë Riçard. Kam ardhur nga Jugosllavia pa leje kufiri. Është hera e parë që vij në vendin tuaj, – më tha. Fuoristradën e lamë në të përpjetën e pashtruar, larg qytetit. 
Automobili xhironte në vend. Shiu kishte pushuar, kurse era jo. Bënte ftohtë, si prej mali. Rrugës ndeshëm me ushtarë kufiri, me çizme lëkure dhe automatikë në sup. Shikonin të inatosur. Shikim prej qeni kufiri. Kur po afroheshim te një godinë e vogël, si vatër kulture, na kaloi ngjitur një fshatar i gjatë, me mustaqe të trasha, që mbante një fes të bardhë në kokë. I buzëqeshi të huajit. Ngriti dy gishtat lart, nëformë V-je. Riçardi ia ktheu me gishtin e madh lart.
– Ja një votë për opozitën.
Qeshi. Nuk e kuptova, gëzonte apo bënte ironi. Prania e ushtarëve e kishte trembur. Tani dukej më i qetë, pas përshëndetjes me fashatarin. Dy ushtarë me automatikë na ndaluan të futeshim brenda. 
– Ku do të shkoni? 
– Gazetari i huaj ka ardhur të vëzhgojë votimin.
Bëra të hyja.
– Nuk lejohen të huajt këtu.
Bëri një hap pëpara më i gjati. Ndërkohë një burrë me kasketë kineze, kostum të rrudhosur ngjyrë gri, na buzëqeshi dhe na ftoi brenda. Dhoma ishte e madhe, me dy dritare të pambuluara që e lejonin dritën të futej lirshëm. Tryeza me fletët e votimit, mbuluar me beze të kuqe qëndronte në anë, kurse një burrë fytyrëngrysur shkruante emrat ulur në karrige. Në qoshen tjetër, rrethuar me perde prej cope të trashë ngjyrëblu, ishte vendi ku votohej. Perdja u hap në mes, fshatari që na kishte përshëndetur pak më parë doli duke i buzëqeshur atij me kasketën kineze, tashmë ulur pranë tavolinës. U afrua tek ai, e nderoi me grusht, doli jashtë pa na vënë re. 
– Nuk është e lehtë të kuptosh rezultatin, – tha Riçardi, kur u mbyllën votimet. 
– Këto ditë do të hap Ambasadën Amerikane në Tiranë, hajde të më takosh.
Po shkonte në turizmin e Elbasanit për të ngrënë darkë bashkë me gazetaren dhe Rrushën. Nuk më ftoi dhe as nuk pyeti nëse duhej të më paguante për shërbimin që i kisha bërë. U ndamë në errësirë. S’kishte kaluar shumë kohë kur një koleg shkolle më thotë:
– Ambasada Amerikane po jep bursa specializimi për në SHBA, përse nuk e provon një herë edhe ti?
Ashtu bëra. Mblodha disa artikuj që kisha botuar te gazeta “Fjala e Lirë”, miku im Bujar Hudhri m’i dha. E kishte themeluar vetë gazetën. E hënë, mëngjes. Fugoni taksi ndaloi në anë të ambasadës. Hyrja ruhej me policë, si dikur. U afrova te kolibja. Dhashë emrin e punonjëst që do të takoja. 
– Prit këtu, – urdhëroi polici. 
Prita, ora kalonte. Ai në kolibe, si prej qeni, kurse unë jashtë, me gazetat në dorë. Më në fund u afrua një vajzë e re, e njihja, nga ato të hershmet, prej Blloku. Ajo u step kur më pa. Foli me policin, iku pa më përshëndetur. Bëra të iki, po më vinte zor nga vetja. 
– Prit mos ik! 
Foli me zë urdhërues njeriu qen. Kishte ruajtur dikur “Çlirimtarët”, në Bllok, tani po ruante…
– Më jep pasaportën!
– Nuk kam! Jam vetë pasaportë. Riçardi më ka ftuar.
Zbardhi dhëmbët, kur dëgjoi përsëri emrin e zyrtarit.
– Oh, shefi!
Nga godina e ambasadës doli një djalë i ri, ecte me hap ushtarak, nuk foli kur u afrua, por ma bëri me shenjë ta ndiqja pas. Në paradhomë, ulur pas një tavoline me rimeso, me një shkëlqim të xhamtë, ishte Çlirim Rrusha. Më priti ftohtë. 
– Mund të shkosh, shefi im po të pret, – tha. 
Shefi me llullë në gojë rrinte ulur prapa një tryeze të madhe, këmbë për mbi këmbë. Nuk u ngrit. Ma bëri me dorë të ulesha në karrigen përpara tij. Po zieja nga brenda.
– Welcome my old friend! Why are you here – Mirësevini miku im i vjetër! Përse jeni këtu? – Buzëqeshi, si atë ditë, kur nuk kuptohej nëse ishte gëzim apo ironi. 
Kështu më pyeti edhe oficeri i emigracionit shumë vite më vonë.
– Përse jeni këtu?
– Si Kunta Kinte! Kam dashur të vij me not, – i thashë. 
Oficeri me njgjyrë, u nervozua. 
– Në vendin e lirisë. Na kishin rrethuar me tela atëherë; sot po na djegin.
Nuk më besoi. 
Vura gazetat mbi tavolinën e Riçardit. S’mori mundimin t’i hapë. Sa net isha lodhur të shkruaja ato artikuj, për dritën përtej oqeanit, vendin e tij. Për shpresën e madhe që na mbante gjallë kur ishim në varr.
– Më thanë se po jepni bursa. Kurse mujore në vendin tuaj. Kam dëshirë…, diçka për gjuhën!
Tymosi rrathë gri, filluan të ngjiten si re shiu.
– Të kanë misinformuar. 
Nuk e lashë të mbarojë, u ngrita, mblodha gazetat. Ika pa kthyer kokën prapa. S’na preferonin, e kisha dëgjuar edhe nga të tjerë. Ato shkonin edhe më tej në arsyetim, preferojnë komunistë thoshin. Senatori McCarthy kishte ngritur zërin dikur. 
– Kam këtu në dorë një listë prej 205 … një listë emrash, të cilët i janë bërë të ditur Sekretarit të Shtetit si anëtarë të Partisë Komuniste dhe megjithatë ende punojnë dhe formëzojnë politikat në Departamentin e Shtetit ….
Nuk e kishin besuar senatorin. 
E lashë pa mbaruar fjalën oficerin e emigracionit. Si Riçardin. Mora pasaportën time që kishte lënë mbi tavolinë. Më ndoqi. Më lutej t’ia ktheja. I duhej si dokument që më kishte marrë në pyetje, ndërsa mua të vërtetoja se isha azilanti i zhveshur nga të gjitha, që po i digjej atdheu. Lutej, jo për mua, por për “çekun e rrogës”.

Shkëputur nga libri me tregime “Në sirtar” i autorit Muç Xhepa.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Mustafa Xhepa, Tregim, Zhveshur

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 560
  • 561
  • 562
  • 563
  • 564
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT