• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MBREMJA E MREKULLUESHME NE NATEN E NDERRIMIT TE VITEVE NE MAESTROS

January 1, 2013 by dgreca

LUSHNJARËT E NEW YORKUT MBLODHËN PËR VITIN E RI SHQIPËRINE ETNIKE NË MAESTRO’S/

Përpara dy muajësh nisi një organizim si një bashkim i disa familje lushnjarësh për ta kaluar së toku natën e Vitit të Ri në një nga lokalet e Nju Jorkut. Ime shoqe, Xhemilja, sic duket për të shpëtuar nga telashet e gatimit të Vitit të Ri, ma tha si ide. E kundërshtova nga që ky vit që shkoi ka qenë shumë i ngarkuar me darka e veprimtari të tjera, duke u ndjerë i lodhur, dhe i thashë se nuk do ta ndihmoja dot. Por ajo gjeti shoqe të tjera, të cilat iu bashkuan; Nazo Veliu, Mjafturie Daci, Ola Vata, Violeta Likollari, Olsa, Tamara, Monda Musabelliu dhe nga një grupimiI vogël familjesh, loja u zgjerua. Hyra në lojë edhe unë, edhe Veizi, edhe dr. Prenjo, edhe miku im Bashkim Musabelliu, edhe Ladi Vata. Numri i kërkesave po rritej përditë, shkoi numri 100, më pas 150, më pas 170 dhe nëse nuk do t’i kishim kthyer njerëzit mbrapsh në tri ditët e fundit numri do të kishte kaluar 200, por salla e Kristaltë sic quhet ajo që kishim rezervuar ne në Maestros, nuk merrte më shumë.

Kështu u mblodhëm natën e Vitit të Ri. Veiz Belliu na propozoi si DJ, Bendis Mani, të birin e artistëve të njohur Pirro dhe Pavlina Mani, pedagog në një shkollë arti në NY, por që përvec pikturës, ka për zemër dhe muzikën.

Salla e Kristaltë ishte qendisur si për Vit të Ri, gjithcka llamburinte, gjithcka shkëlqente, gjithandej balona, dhe zbukurime.Pjesmarrësit ishin nga të gjitha trevat, edhe pse lushnjarët ishin mazhorancë; por aty kishte që nga Mitrovica e deri në Camëri, nga Plava e Gucia deri në Gjirokastër, pas lsuhnjërave në shumicë ishin tiranësit, vlonjatët, shkodranët, permetaret,fierakët, beratasit dhe skraparllinjët, miqët e mi të mirë Kuksianë,dibranët, elbasansit; e gjithë Shqipëria ishte bashkë dhe u ndjesë si një familje e madhe.Kishim vizitorë nga Shqipëria, kishin ardhë aty edhe nga Kanadaja, edhe nga Michigani kishin udhëtuar për të qenë pjesë e familjes tonë të madhe. Në raste të tilla gëzimesh, kryefamiljari i thotë dy fjalë para feste, ne ksihim zgjedhur mjekun e nderuar dr. Prenjo Imeraj, që të uronte mysafirët. Dr. Prenjo, një nacionalist i njohur, i lindur në Vlorë, por që jetën e kaloi në Lushnjë si mjek, në fjalën e tij përshëndetse uroi mysafirët, organizatorët, dhe u ndal gjatë në Lushnjën tonë, përshkroi historinë e saj, që nga Beteja e Savrës, tek mikpritja Luhnjare, që me kurajo qytetare mbajti dhe familjet e Parisë Shqiptare, të degdisur në kampet e internimit të ndërtuar nga diktatura në hapësirat e Myzeqesë,ai vecoi familjet Kupi, Miraka, Previzi, Dine, Ndreu,por diktatura nuk kurseu as bijët e Myzeqesë, si familja e nderuar Coku, që nuk u përkul as pse u dnëshkua me 75 vite burg… ai foli për Lushnjën si djep të kulturës, ku u përkundën talentete Kombëtare, si artistet e mëdha Vace Zela, Margarita Xhepa,poetët e shkrimtarëet e mëdhenj Vath Korreshi, Faslli Haliti, Visar Zhiti, shkrimtari i ndjerë Halil Jacellari e shumë të tjerë.

Pasi i përshëndeti dhe pjesmarrësit nga trevat e tjera shqiptare, dr. Prenjo Imeraj, me një gotë vere uroi të gjithë pjesmarërsit:GEZUAR!

Drejtuesja e darkës, bija e Camërisë, Nazo Veliu, kërkoi një duartrokitje për organizatoret, gratë që e bënë të mundhsme këtë mbrëmje të mrekullueshme.Ajo kërkoi që me këngën”Një Komb, Një Flamur” të  niste festa.  Bendisi na e bashkoi Shqipërinë me muzikën që përcolli. Vallja nuk pushoi deri në orën 2 pas mesante. Dy orë para ardhjes të Vitit të Ri, ishte surpriza për të vegjlit, Babagjyshi i Vitit të Vjetër, shfaqet në sallë, një amerikan nga Queensi, ka pranuar ftesën e bashkorganizatores, Monda Musabelliu, që të bëhej pjesë e kësaj mbrëmjeje. Famijët të hareshëm vrapuan që ta prisnin dhe më pas të bënin forografi me të. Dea Elezaj, vajza e talentuar e Dedë dhe Arjana Elezaj, e bëri sallën për Vete duke interpretuar këngë të Eli Farës. Atmosfera e ndezur e ka “detyruar” Adem Belliun(qe kishte ardhe me gjithe familjen), president e TV Kultura Shqiptare, qe te shkoj te marre kamerat dhe ta filmoje darken.Menyar e persosur e organizimit nga nje grup grashe pa pervoje ne kete drejtim, ishet shume domnethense edhe median, por edhe per shoqatat. Grupi i kamarjerëve, ku shumica ishin shqiptarë, u treguan të palodhur dhe u bënë njësh me familjet tona, madje në fund hynë edhe në valle. Në orën 12 të natës, u prit me hare Viti I Ri 2013. Sonila, vajza e Halit dhe Mjafturie Daci, intepretoi ardhjen e  Vitit 2013-të. Të gjithë në valle uronin njëri, tjetrin, përqafoheshin.

Ishte një mbërmje e jashtzakosnshme, plot emocione e ngarkuar me mbresa. Të gjithë, pa përjashtim ndjeheshin të gëzuar që ishte krijuar një atmosferë aq familajre, sa dukej si aty ishte vetëm një familje. Ushqim i klasit të parë, pije  pa kufizim. Asnjë mbetje qejfi, asgjë nuk stonoi, të gjittë u kënaqën. Një mrekulli e vërtetë.Vonë u ndamë duke uruar: U mbledhshim sërish në të njëjtën atmosferë miqësore, familjare, gjithëshqiptare! GËZUAR!

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: dalip greca, lushnjaret e Nju Jorkut, mbremja e Vittit te Ri

Refleksione per te drejtat Shqiptare

December 31, 2012 by dgreca

Analize Psikologjike/

Nga Prof. Dr. Hazbi Shehu/

Për vendlindjen shqiptari derdh gjak.  Gjaku nuk lahet me ujë. Kanë kaluar mijëra vjet dhe shqiptari mbeti shqiptar. Fqinjët grabitqar të ndihmuar nga fuqitë e mëdha i copëtuan trojet Shqiptare, në konferencen e Londrës, por jo zemrat dhe ndërgjegjen e tyre. Drejtuesit, jo njerzorë të kishave Serbe dhe Greke, të verbuar nga etja për grabitjen e trojeve Shqiptare thurrën intriga teologjike kundër shqiptarëve. Ata shrytëzuan dobësitë e drejtuesve të disa feve shqiptare dhe arritën të drejtojnë ideologjinë fetare në Shqipëri. Vendi ynë ka njerëz të zgjuar, me shkollën fetare përkatëse, të ndershëm dhe që e njohin mirë ideologjinë fetare, si rrjedhojë Shqiptarët duhet të drejtojnë ideologjinë fetare dhe fetë në trojet Shqiptare. Drejtuesit ekstremistë Grekë dhe Serbë me në krye ata të kishave i quajnë Shqiptarët nacionalista për të fshehur kthetrat e tyre në shekuj. Na quajnë nacionalista, sepse ne kërkojmë të jetojmë të lirë në trojet tona. Eshtë vërtetuar me fakte, jo vetëm nga historianët shqiptarë, por dhe nga studiuesit e huaj, se trojet tona dhe shqiptarët kanë qenë viktimë e të tjerëve.

Dëshira e përhershme e Shqiptarëve ka qenë dhe mbetet bashkimi i trojeve tona të tyre. Për të kryer këte proçes, duhet gjetur kyçi, për të hapur dhe drejtuar zemrat e Shqiptarëve. Duhet të behemi të ndërgjegjshëm, se ky qëllim madhor arrihet, duke bashkuar lëvizjet e brendshme me faktorin e jashtëm. Për të realizuar këtë dëshirë, duhet të marrim shembull nga atdhetarët dhe patriotët e mëdhenj Shqiptarë si: Skënderbeu dhe Ismail Qemali. Të dy kishin arritur gradat më të larta në Perandorinë Osmane. Gjaku Shqiptar ngrinte kokë herë pas here në damarët e tyre. Ata e kishin në qendër të vëmendjes krijimin e shtetit Shqiptar, por prisnin te piqeshin kushtet. Konkretisht kur u bënë të njohur në Europë dhe në botë, si luftëtar dhe diplomatë të mëdhenj; braktisën postet e larta dhe të mirat personale. Ata i thërriste vëndlindja dhe gjaku shqiptar. Skënderbeu u lidh me fuqitë e mëdha të Europës dhe duke luftuar sulltanin krijoi shtetin e pavarur shqiptar. Të njejtën rrugë ndoqi dhe Ismail Bej Qemali. Ai forcoi lëvizjen e brendshme të atdhetarëve dhe patriotëve shqiptarë dhe krijoi lidhjen me lëvizjen e jashtme. Në sajë të bashkëveprimit të lëvizjeve të brendshme me ato të jashtme ai ngriti flamurin dhe shpalli pavarësinë e trojeve shqiptare.

Ç’do kohë ka kushtet e saj specifike. Sot ne nuk mund të dalim direkt, të kërkojmë ndryshimin e kufijve me forcë. Për të realizuar dëshirat e të gjithë shqiptarëve në trojet e veta, duhen ndjekur rrugë të arsyeshme, llogjike dhe bindëse si për shqiptarët dhe përfaqësuesit e shteteve të Europës:

Lëvizja e brëndshme (që në fakt ka filluar), duhet të behet e ndërgjegjshme dhe bindëse për të gjith shqiptarët në trojet e veta. Shqiptarët kanë mbetur shqiptarë dhe gjaku nuk bëhet ujë.

Rrugë e bukur, tërheqëse, fuqishme dhe më e lehtë për tu realizuar është lidhja ekonomike e shqiptarëve në trojet e tyre. Tregtarët, bizesmenët, etj; të krijojnë marrëdheniet dhe lidhjet për përfitime tyre personale ekonomike, por që njëkohësisht do të jenë dhe në shërbim të Kombit.

Përhapja e studimit të gjuhës Shqipe me të gjitha format e mundshme (abetare, libra, revista, etj), në të gjitha trojet Shqiptare. Shembull i bukur, tërheqës, për dashurinë dhe përhapjen e gjuhës shqipe, janë shqiptarët e Tetovës në Maqedoni.

Të krijohen shkëmbime kulturore të kengëve dhe valleve shqiptare, me anë të krijimit të grupeve fokloristike, me vajtje dhe ardhje në të gjitha trojet shqiptare.

Të forcohet lidhja dhe bashkëpunimi i gazetarëve, shkrimtarëve, shkencëtarëve, etj, në të gjitha trojet tona shqiptare.

Të gjithë drejtuesit e feve shqiptare, në të gjitha trojet shiptare të marrin drejtimin e ideologjisë fetare. Këta drejtues kanë kryer shkollat e feve përkatëse. Ata janë të zgjuar të ndershëm, studjues dhe shumë të aftë për të dhenë dhe drejtuar ideologjinë fetare në trojet tona shqiptare. Të marrin shembull nga feja e bektashinjve që qendrën drejtuese botrore të kësaj feje e ka në Shqipëri

Përse fetarët Grekë dhe Serbë nuk pranojnë të drejtohen nga drejtues fetar të shteteve te tjerë, si p.sh. Shqiptar, etj?! Përse ne shqiptarët duhet të pranojmë që në krye të feve tona të kemi drejtues të huaj?!

Ngritja në një nivel më të lartë të shoqatave për çeshtjet e trojeve tona shqiptare dhe forcimi I lidhjeve të tyre.

Perforcimin e lëvizjeve të brëndshme në trojet shqiptare dhe bashkëveprimin me forcat (lëvizjet) e jashtme një rol të veçantë dhe të rendësishëm kanë e duhet të luajnë deputetët e zgjedhur nga populli dhe qeveritarët që drejtojnë dhe qeverisin. Deri tani roli i tyre në përfaqësimin e Kombit është shumë i dobët. Nëse këta e quajnë veten përfaqësues të vërtetë të popullit, të marrin shembull nga të parët tonë dhe të punojne e të sakrifikojnë, për tu berë të denjë të vazhdimit të rrugës të atdhetarëve dhe patriotëve tone te parë. Kjo do të realizohet ne se ata e quajnë veten atdhetarë dhe patriotë. Pavarësisht nga roli i tyre i rëndësishëm ne takim me përfaqësuesit e Europës, për bashkëveprimin e lëvizjeve të brëndshme me faktorin e jashtëm; asnjëherë nuk duhet harruar forca e fuqishme e popullit, që i zgjodhi ata.

Një impuls për realizimin e faktorëve ose kërkesave të paraqitura më sipër do të ishte bashkimi i Shqipërisë me Kosovën. Ky do të qe një hap i madh dhe i fuqishëm, që do të ndihmonte jo vetëm në zgjidhjen e problemeve politike dhe ekonomike për të dy shtetet tona, por do të krijonte kushte të favorshme në zgjidhjen e drejtë dhe të shpejtë të çeshtjeve shqiptare në trojet etnike, që kanë mbetur pezull në shekuj.

Për realizimin e të drejtave tona shqiptare te mohuara deri tani ne duhet të ndjekim rrugën e arsyeshme, llogjike, bindëse dhe të pranueshme në kushtet e sotme. Të gjitha pikat ose kërkesat e paraqitura më sipër shprehin platformën tonë të punës, për të realizuar qëllimin tonë kryesor, për të fituar liritë e të gjith shqiptarëve ne trojet e tyre. Kjo platformë është në përputhje të plotë me kartën e të drejtave dhe lirive të njeriut të përpiluar dhe aprovuar nga kombet e bashkuara.

Është e drejta e shqiptarëve të Kombit tonë që në të gjitha trojet shqiptare:

Të studjojmë dhe të përhapim gjuhën tonë Shqipe.

Të zhvillojmë marrëdheniet dhe lidhjet ekonomike, tregtare, etj.

Të zhvillojmë marrëdheniet kulturore, fokloristike në trojet shqiptare

Të forcohet dhe të zhvillohet në një nivel më të lartë bashkëveprimi e gazetarëve, shkrimtarëve, shkencëtareve, etj.

Drejtimi i ideologjisë fetare të kryhet dhe zhvillohet nga drejtuesit fetarë shqiptarë.

Të zhvillohet dhe të forcohet bashkëveprimi i të gjitha shoqatave, për te drejtat dhe liritë e shqiptareve në trojet përkatëse.

Të zhvillohen dhe të forcohen lëvizjet e brëndshme ne trojet shqiptare per te drejtat dhe lirite e tyre.

Ti kërkojmë deputetëve të zgjedhur nga populli dhe qeverise te jenë ne krye të bashkëveprimit të lëvizjeve të brendëshme me faktorin e jashtëm.

Kryesore është që të gjithë shqiptarët, në të gjitha trojet tona dhe kudo që jetojnë, të pranojnë platformën, që shpreh rrugën e zgjidhjes së problemeve shqiptare me anë të arsyes, llogjikës dhe bindjes për kohën e sotme.

Kur lëvizjet e brëndshme në të gjitha territoret ose trojet tona shqiptare dhe kudo që jetojnë, shqiptarët të arrijnë sa më parë pjekurinë e kërkuar, atëhere dhe faktori i jashtëm do të bindet dhe do të pranojë kërkesat e drejta shqiptare. Përfaqësuesit e Europës, duke analizuar pëmbajtjen e kësaj platforme, që shpreh pjekuri politike jo vetëm që do të na japin të drejtë dhe do të na përkrahin, por me siguri do të na përgëzojnë për këtë platformë llogjike dhe të drejtë që shpreh aspiratat shekullore të popullit Shqiptar të shumëvuajtur.

New York, Dhjetor, 2012

Filed Under: Opinion Tagged With: Prof. de. Hazbi Shehu

Letër e hapur: Presidentes së Republikes së Kosovës, Atifete Jahjaga

December 31, 2012 by dgreca

Para pak ditesh mësuam për dekorimin që u bëtë disa institucioneve dhe përsonave në diasporën shqiptare të Amerikës.

U indinjuam së tepërmi, kur në asnjë rast nuk përmendej komuniteti katolik, sidomos ai i Detroitit, i cili ka qënë ndër komunitetet më vital në ndihmën për Pavarësisnë e Kosovës dhe ndërtimin e Shqipërisë pasdiktatoriale. Komuniteti katolik i  shqiptarëve të Detroitit ka merituar dhe meriton shumë më shumë se një dekoratë, edhe pse asnjëherë s’i ka kërkuar as s’i kërkon dekoratat, sepse kurrë s’i ka menduar ato.

Ka qënë ky komunitet, dhe në veçanti ai i Shën Palit, prej ku kanë filluar levizjet e para në ndihmë të vëllezërve kosovarë, kur makineria serbe i shtypte dhe i vriste dita ditës, duke u marrë lirinë dhe të drejtën e tyre njerëzore. Pikërisht këtu filluan ndihmat e para për Luftën e shejtë të UCK-së. Pikërisht këtu u diskutuan takimet me përsonalitete të politikës amerikane deri te Presidenti Klinton, për ta vënë në dijeni në lidhje me masakrat e vazhdueshme që bënte Serbia kundër shqiptarëve të Kosovës dhe, pikërisht nga këtu u  nxit Qeveria Amerikane të ndërhynte deri në përzënjen përfundimtare të  bishës serbe nga Kosova. Nuk e kuptojmë  pse “ harrohet” ky komunitet? Kujt ia zënë diellin veprimtaria patriotike e këtij komuniteti, ndër më të fuqishmit në diasporen shqiptare në gjithë botën!

 

Po u dërgojmë shkurtimisht vetëm  një historik të shkurtër të Kishës Katolike të Shen Palit:

Kisha Katolike e Shen Palit  ne Detroit u inagurua me 28 Qershor te vitit 1981.

Ne inaugurimin e saj moren pjese afro 6000 vete ne tri ditet qe vazhdoi festa.

Qe ne hapat e para u be mbeshtetsja kryesore e te drejtave te shqiptareve te Kosoves, duke u vu ne balle te demostratave ne disa  shtete kryesore te Amerikes, sidomos ne Washington dhe ne New York.

Perveçese Kishe, kjo u kthye qe ne fillim ne nje Qender te vertete kombetare, ku linden shume inisiativa per  çlirimin e Shqiperise nga komunizmi dhe  çlirimin e Kosoves nga serbet.

Me ne krye kleriket e kesaj Qendre fetare dhe atdhetare dhe veprimtarine patriotike te shume anetareve te saj, u priten dhe percollen te gjitha personalitetetet me te larta te Kosoves dhe Shqiperise, u drejtuan demostratat dhe protestat e pafundme ne ndihme te studenteve shqiptare te Prishtines, te minatorve te Trepçes, te reprezaljeve serbe kunder popullsise se paarmatosur dhe te pafajshme.

Qe ketu nisen tubimet e para ne mbrojtje te tyre dhe u organizuan te gjitha ndihmat( me shume se nje million dollare) per Ushtrine Çlirimtare te Kosoves, e cila shume shpejt u be faktor nderkombetar per te ardhur te Pavaresia.

Ne kete qender u festua per here te pare, ne menyre te organizuar festa e Pavaresise me 28 Nentor 1984 dhe Kryengritja e Malesise se Madhe ( 6 Prilli 1911 ), duke u perkujtuar vit per vit deri me sot.

Po ne kete qender u prit dhe festua data e Pavaresise se Kosoves me 18 shkurt te vitit 2008 dhe per çdo vit  perkujtohet kjo ngjarje, per te cilen Komuniteti Katolik i Shen Palit ka nje merite te veçante dhe te padiskutueshme.

Ketu nuk u fut asnjehere flamuri komunist me yll dhe, per mosfutjen e tij u be  zhurme e madhe, prej mbeshtetesve te komunizmit shqiptar, qe drejtohej nga ambasada  shqiptare ne  Amerike e para vitit 1990.

Me  fillimin e levizjes demokratike u vu plotesishte ne ndihme te saj dhe te forcave te reja , duke i pritur, percjellur e ndihmuar  kesaj levizje, ( Partine Demokratike dhe drejtuesit e saj).

Ndihmoi Shqiperine ne ndertimin e  institucioneve fetare me shuma te medha,  si dhe Institucionet fetare te Kosoves sa here iu kerkua.

Ne vitin1991 Ekrem Bardha dhe Donika, Kisha Katolike dhe te tjere me dy avione ushtarake me ndihma (rreth 2 milione $$$) keto shkuan ne Shqiperi dhe Kosove…

Ndihmoi vazhdimisht per Pavaresine e Kosoves, me demostrata si dhe me grumbullimin e fondeve te nevojshme per Luften. Priti e percolli te  gjithe udheheqesit e Kosoves, nga Rugova e deri te Thaci.

Kjo qender ka qene dhe eshte nje nga me te rendesishmet ne komunitetin shqiptar, jo vetem ne Michigan, por edhe ne gjithe Ameriken e diasporen.

Ka nje biblioteke qe mba gjalle gjuhen shqipe, kater klasa te gjuhes shqipe dhe nje salle me afro njemije vende per takime te ndryshme.

Ne mjediset e jashtme te saj, mban monumentin e  Gjergj Kastriotit –Skenderbeut dhe ate te Nene Terezes si dhe mjedise sportive.

Ka pritur disa personalitete te politikes  amerikane si kongresmenë  e senatorë, te cilat jane edhe miq te Shqiperise  e shqiptareve, duke i ndihmuar e perkrahur ne  punen e tyre dhe, duke i bindur e nxitur per diskutimin e çeshtjes se shqiptareve ne Kongres dhe Senat. Njohja e hollesishme e tyre me problemet e shqiptareve te Kosoves solli vendimin per nderhyrjen ushtarake te forcave te NATO-s

Kisha Katolike e Shen Palit boton buletinin e saj te perjavshem ne gjuhen shqipe “ Drita”, e cila ndihmon te rinjet te mos harrojne  gjuhen e paradhesve te tyre dhe te mbajne gjalle shqiptarizmin ne diasporë.

 

Adresa e saj e sotme eshte:

Kisha Katolike Shqiptare “ Shen Pali”

525 Auburn Road, Rochester Hills

Michigan, 48306

Tel:  1810-573-8799

 

Ne Librin e Miqeve te Kishes se Shen Palit gjinden keto shenime te personaliteteve qe kane pasë rastin ta vizitojnë;

* “ Komuniteti shqiptar i Detroitit ka ne mesin e tij, personalitete shqiptare qe kane ndikim te posaçem ne Shtepine e Bardhe” .

Dr. Ibrahim Rugova, Ish President i Kosoves

Shkurt 1993

“ Kisha e Shen Palit dhe Dom Anton Kçira rrezatojne drite ne Komunitetin shqiptar te Detroitit ”.

Azem Hajdari, Heroi i Demokracise Shqiptare

Nendor, 1997

* “ Mbeta shume i kenaqur nga shqiptaret e Detroitit”.

Pjeter Arbnori, ish Kryetar i paralamentit Shqiptar

Shkurt 1993

* “ Drita e ketij komuniteti reflektohet ne te gjitha skajet e shqiptarise. Protestat e vazhdueshem per Lirine e Kosoves, jane nje merite e veçante”.

Adem  Demaçi,

Qershor 1992

* “ Shqiptaret neDetroiti dhane nje mbeshtetje te madhe demokratizimit te jetes ne Shqiperi”.

William Rajerson, ish ambassador i SHBA ne Shqiperi,

Qershor 1995

* “ Komuniteti shqiptar i Detroitit, nje komunitet patriotik, per t’u marre shembull ne gjithe diasporen.”

Fatmir Mediu, kryetar i Partise Republikane Shqiptare

Nendor 2000

* “ Ne komunitetin shqiptar te Detroitit perjetova emocione te veçanta, sidomos, ne perkujtimin e Dites se Flamurit.”

Arian Starova, Nen kryetar i Bashkimit Liberal dhe ish Minister i Jashtem i Shqiperise

Nendor 2000

* “ Shpreh nderin dhe respektin me te madh per shqiptaret e Michiganit, per patriotizmin dhe ndjenjat atdhetare qe kane.”

Ridvan Bode, Sekretar i Pergjithshem i PDSH-se,

Nendor 2000

* “ Kam kenaqesi te veçante qe kete pervjetor te pavarsise e festoj ketu ne Detroit, ne vendin ku Azemi e kishte vizituar tri vjet me pare.”

Fatmira Hajdari

Nendor 2000

“Nese doni te karikoni baterite me patriotizem, shkoni ne Kishen e Shen Palit, ne Detroit.”

Prof.Dr. Nusret Pllana

Shtator 2012

* “ Mesa pashe une keto dite, shqiptaret neDetroitkane  nje organizim kompakt dhe intelektual, qe duhet ti vleresoj e te mbeshtetet edhe shteti shqiptar”.

 

Ismail Kadare,

Nendor, 2004

  • Kishen e Shen Palit e kane vizituar edhe presidentet Rexhep Meidani, ne vitin 1999, Alfred Moisiu ne vitin 2003, Bamir Topi ne vitin 2010, te cilet jane shprehur me superlativa per kete komunitet, duke vene ne pah vlerat patriotike, atdhetare dhe bujarine  per te ndihmuar shqiptaret ne te gjitha trojet e tyre.

 

Me respekt:

 

Ekrem Bardha, Konsull Nderi i Shqiperise ne Michigan

Dom Ndue Gjergji, Famullitar i Kishes “ Zoja Pajtore”

Don Fran Kola, Famullitar i Kishes se Shen Palit

Alfons Grishaj, Kryetar i Deges se Vatres

Ndue Ivanaj, kryetar i Lidhje se Intelektualve

Pashko Gjokaj, Kryetar i Shoqates “ Malesia e Madhe”

Mikel Demaj, Kryetar i Shoqates “ Kosova”

Julian Çefa, Kryetar i Shoqates se Ndihmes

Nikolle Vneshta, Kryetar i Shoqates “ Kastrati”

Marash Nucullaj, Liga Shqiptaro-Amerikane

Fran Gjoka, Qendra  Kulturore

 

Filed Under: Opinion Tagged With: leter e hapur, presidentes Jahjaga

PRESIDENTI NISHANI E MBYLL VITIN 2012 ME DEKORIME

December 31, 2012 by dgreca

Presidenti Nishani dekoron personalitete të shquara të artit, kulturës dhe sportit shqiptar;/

 Urdheri “Nder i Kombit” per LORO BORICIN, dhe PROKOP MIMEN-pas vdekjes, “Mjeshtër i Madh” per Mihallaq Luarasin, Kolec Topalli, Rikard Ljarja, Fatos Kongoli, Justina Aliaj, Alush Shima, Visar Zhiti/

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në mbyllje të vitit 2012, kur Shqipëria dhe shqiptarët kremtuan madhërishëm 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, nderoi lart veprën e shquar dhe kontributin e disa personaliteteve të artit, kulturës dhe sportit shqiptar.

Ceremonia zyrtare e rastit u organizua në kuadër të një takimi me përfaqësues të shumtë të artit, kulturës dhe sportit, ku Presidenti Nishani, në vigjilje të datës së ndërrimit të viteve, shprehu urimet më të mira e të përzemërta për të pranishmit në veprimtari, gjithashtu dhe mirënjohjen për punën dhe veprimtarinë e gjithsecilit prej tyre në shërbim të kombit, të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti i Republikës u ndal në kontributet dhe veprimtarinë e këtyre personaliteve duke shprehur vlerësimin më të lartë, njëkohësisht dhe mirënjohjen për modelin e shkëlqyer të punës me përkushtim dhe vetmohim për ecjen përpara, për zhvillimin dhe trashëgimin e vlerave më të mira të artit, kulturës dhe sportit shqiptar.

Duke i konsideruar viganë të kombit shqiptar dhe elitën reale të kombit dhe vendit, Presidenti Nishani theksoi se arritjet dhe vepra e këtyre personaliteteve i përket të gjithë kombit.

“Ju, krahasuar me të gjithë qytetarët e tjerë të këtij vendi dhe me të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, keni një veçori, e cila ka të bëjë me veprën tuaj, me kontributin tuaj. Arritjet dhe vepra juaj nuk ju përkasin vetëm ju, ato i përkasin gjithë kombit, ato i përkasin gjithë shqiptarëve, por, fatmirësisht i përkasin të gjithë kohërave dhe atyre që vijnë, prandaj ato janë një pasuri e madhe kombëtare. Ndaj, unë jam shumë i privilegjuar që, në emër të të gjithë qytetarëve shqiptarë, të përcjell të gjithë ndjesitë, respektin e të gjithë shqiptarëve kudo ku jetojnë, mundësinë për t’ju thënë faleminderit! Falemnderit është një fjalë e vetme, një shprehje e sinqertë, por që mbart në vetëvete një respekt shumë të madh, që jo çdokush ka mundësinë ta thotë këtu, përballë jush, por ja që unë pata fatin në emër të të gjithë atyre që dëshirojnë t’ua thonë, t’jua përcjellin. Për këtë jam krenar”, u shpreh Presidenti Nishani.

Kreu i Shtetit duke sjellë në vëmendje vitin 2012, si vitin e 100-vjetorit të Pavarësisë, nënvizoi se vlerësimi dhe nderimi i disa përfaqësuesve të spikatur të botës së artit dhe të kulturës për kontributet e tyre në këtë përvjetor është modest krahasuar me veprën e tyre.

Në këtë kontekst, Presidenti Nishani propozoi që nderimi i njerëzve të artit, kulturës dhe sportit të kthehet në një traditë të përvitshme festive.

“Le të nisim një traditë që në çdo fundvit së bashku me urimet për festat, le të ndajmë edhe këtë vlerësim e këtë mirënjohje për përfaqësues të botës së artit e kulturës shqiptare. Besoj që është një mundësi modeste, por një mundësi reale për të shprehur vlerësimin, falenderimin, mirënjohjen dhe mbi të gjitha, për t’i rikujtuar njëri-tjetrit të gjithë shoqërisë, të gjithë aktorëve të shoqërisë, çdo qytetari se sa i rëndësishëm është kontributi i këtyre njerëzve, se sa të mëdha janë vlerat që përmes jush i transmetojmë ndër kohë, ndër vite, ndër shekuj historisë sonë. Veprat tuaja janë pjesë e kësaj historie. Bashkë me urimin dhe vlerësimin për punën dhe kontributet tuaja, më lejoni të përfitoj nga rasti që në këto ditë të pritjes së ardhjes së Vitit të Ri të uroj për secilin prej jush, në radhë të parë një jetë të gjatë, një jetë të lumtur! Të uroj për secilën nga familjet tuaja shumë gëzime, paqe dhe mbarësi! Të uroj gjithsesi sa më shumë vepra, sa më shumë kontribute!”, vlerësoi Presidenti i Republikës.

Në vijim, pas leximit të dekretit presidencial nga Sekretari i Përgjithshëm, Bardh Spahia, në një atmosferë solemne, të ngrohtë e miqësore, Kryetari i Shtetit nderoi këto figura të shquara për sportdashësit dhe spektatorët shqiptarë:

Loro Boriçi (pas vdekjes) me Urdhrin “Nder i Kombit”, me motivacionin: “Me përkushtim të rrallë, duke e konsideruar sportin si një mision jetik për t’i shërbyer Shqipërisë me talentin e tij të rrallë, ai ishte dhe mbetet ikona e futbollit shqiptar.”

Prokop Mima (pas vdekjes) me Urdhrin “Nderi i Kombit”, me motivacionin: “Njëri nga themeluesit e Teatrit Kombëtar, i cili vuri talentin, kulturën e diksionin e tij të përsosur në shërbim të artit skenik dhe të teatrit shqiptar duke simbolizuar shprehjen e një mjeshtrie interpretuese të pashoqe.”

Zotin Mihallaq Luarasi me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Mjeshtrit të palodhur i teatrit, i cili nuk u tërhoq as përballë dhunës së diktaturës duke e përdorur artin skenik si tribunën prej nga duhet të ushtojnë të vërteta dhe vlera universale”.

Zotin Kolec Topalli me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Në saje të vullnetit për t’i shërbyer me përkushtim studimit të gjuhës sonë, i ka çuar më tej dhe i ka ngritur edhe më lart studimet në fushën e gjuhësisë, me thjeshtësinë dhe vetëdijen e një shkencëtari të mirëfilltë.”

Zotin Rikard Ljarja me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Me larminë e interpretimeve të tij të përkryera, sidomos në kinematografi, ai është shndërruar në njërin nga aktorët më të adhuruar e mbresëlënës të filmit shqiptar dhe skenave teatrore.”

Zotin Fatos Kongoli me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Shkrimtarit që trajton me mjeshtri anë të ndryshme të jetës sonë shoqërore. Veprat e tij me nivel të lartë letrar, të përkthyera edhe në gjuhë të huaja, kanë pasuruar botën e krijimtarisë letrare shqiptare.”

Zonjën Justina Alia me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Aktores dhe këngëtares së talentuar, e cila në saje të pasionit dhe forcës shpërthyese interpretuese shkëlqeu në skenën artistike shqiptare si një meteor i shndritshëm.”

Zotin Alush Shima me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Mjeshtrit virtuoz të penelit dhe shpërthimit të ngjyrave të gjalla, i cili rindërtoi në kanavacë realitetin e tij pamor duke i shpalosur mbarë botës një Shqipëri krejt ndryshe nga ajo e realizmit socialist.”

Zotin Visar Zhiti me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Poetit, prozatorit dhe publicistit, i cili me sinqeritetin e rrëfimit dhe me forcën e shprehjes artistike shquhet për dhuntinë e fjalës, duke u bërë një nga përfaqësuesit më të shquar të letërsisë shqiptare brenda dhe jashtë vendit.”

Pas marrjes së dekoratës personalitetet e nderuara shprehën mirënjohjen për Kryetarin e Shtetit shqiptar për këtë gjest, që sipas tyre është shenjë vlerësimi dhe vëmendjeje e shtetit ndaj kulturës dhe sportit shqiptar.

Nipi i Loro Boriçit, Lorenc Radovani: Faleminderit zoti President! Ndihem thellësisht i privilegjuar që ndër nipat e Loros, më takoi mua që të merrja këtë çmim. Shpresoj dhe mendoj që me figurën e tij, me punën e tij deri në vetëmohim, ai i dhuroi emocione të mëdha popullit shqiptar në një sport shumë të dashur që është futbolli dhe në një kohë shumë të vështirë që ishte regjimi i kaluar. Ndoshta ishte i vetmi argëtim. Besoj gjithashtu që, përveç kësaj, ai e ka përfaqësuar Shqipërinë edhe jashtë kufijve të saj, duke e nderuar gjithmonë e duke qenë vërtet një “Nder i Kombit”. Ju faleminderit!

Vajza e Prokop Mimës, Ajkana: Më lejoni t’ju falenderoj ju, President i Republikës, për vlerësimin që i bëhet babait dhe familjes sime. Urime të gjithëve dhe një vit të mbarë!

Mihallaq Luarasi: Faleminderit të gjithëve që keni ardhur këtu. Ju përshëndes! Ju uroj një vit të ri të mbarë!

Kolec Topalli: Më lejoni të falenderoj Presidentin e Republikës për nderin që më bën dhe besoj se ky vlerësim i punës sime 40-vjeçare do të jetë dhe një premtim për të përfunduar vepra të tjera për të mirën e kombit shqiptar. Faleminderit!

Rikard Ljarja: Falenderoj Presidentin e Republikës! Falenderoj edhe kolegët prezentë sot në këtë ceremoni dhe të gjithë kolegët, me të cilët ne kemi punuar një jetë të tërë. Ju faleminderit!

Fatos Kongoli: Falenderoj me gjithë zemër Presidentin e Republikës për këtë dekoratë të lartë që më dha në këtë vit të 100-vjetorit të Pavarësisë dhe në prag të vitit të ri! Faleminderit shumë!

Justina Alia: Kur isha e vogël merrja distinktivë, ju e dini, ka qenë koha e tyre, dhe ngjitesha me vrap për t’ia çuar nënës e babait. Sot është krejt ndryshe. Atdheu sot më ka vënë një vello mbi krye, të respektit dhe të dashurisë. Këtë titull, unë do të vrapoj si atëherë fëmijë 10- vjeçar, për t’ia çuar fëmijëve të mi. I nderuar qofshi zoti President! Ashtu siç na nderoni, Zoti ju nderoftë edhe më shumë!

Alush Shima: Falenderoj zotin President të Republikës, të gjithë të pranishmit që ndodhen në sallë për këtë nder të veçantë që më krijoi mundësinë dhe mora këtë titull. Ju faleminderit të gjithëve që jeni prezentë!

Visar Zhiti: E pranoj me kënaqësi këtë dekorim, e konsideroj si institucionalizim, mbështetje dhe lartësim të asaj që më mungonte. Duke pranuar këtë dekoratë, mendoj se kemi pranuar një Shqipëri tjetër, më të mirë, më të bukur, të lirë dhe demokratike. E ndiej veten produkt i saj. Jeta ime dhe ajo që arrij i takojnë kësaj kohe! Me mirënjohje, faleminderit dhe njëherë!

 

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: dekorime, Presidenti Bujar Nishani

FAN S. NOLI DHE KOMUNIZMI

December 30, 2012 by dgreca

Noli dhe  shtypi  shqiptar  në vitet 30-40/ Letërkëmbim arkivash/ Noli  dhe idetë tij prej  patrioti demokrat/

Nga Agim Xh. Dëshnica/

 Më 6 janar 1882, lindi në Ibrik Tepe të Turqisë Fan S. Noli. Ky shkrim dokumentar synon të paraqes vetëm një pjesë nga jeta e larmishme e këtij patrioti të madh demokrat.

Në botimet zyrtare të Qeverisë së Mbretit Zog, “Shqipënija më 1937”, me rastin e kremtimeve të 25 Vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, në kreun për historinë e kultures, shkruhet: “me të janë lidhur emnat më të bukur e më të mallëngjyer të shkrimtarëve t’onë të kaluar. Çdo alfabet pati një serë të gjatë asi shkrimtarësh, po mbi të gjithë vetëm katër shkëlqejnë si yje të pa shoqë, Naimi, Fishta, Konica e Noli,” Në albume të përkryer me fotografi pa retush, krahas figurave të shquara të kombit, ndrinte dhe portreti i hijshëm i Fan S. Nolit. Po atë vit Faik Konica do të thoshte: ”At Noli do të mbetet në historinë e Shqipërisë si burri që arriu i pari me hir të vullnetit dhe hollësisë së tij, të flasi gjuhën shqip në meshë. Dita që meshoi për të parën herë, është ogur i bardhë n’udhë të përparimit t’onë. Dhe as e harrojmë, as mund të lëmë të tjerët të harrojnë.”

Në vitet e Luftës së Dytë Botërore në një varg lajmesh, ndihet shqetësimi i madh i Nolit për fatin e Atdheut përballë fashizmit dhe komunizmit. Ai është  i gatshëm të bashkëpunojë me të gjithë ata që janë ngritur dhe përpiqen për shpëtimin e popullit shqiptar nga çdo rrezik. Për mungesë hapësire japim vetëm pak njoftime që nisin nga viti 1939 deri më 1968.

Dielli, 7 dhjetor 1939.  Nën titullin  „Flamuri ynë”, shënohet.“ „U  ngrit  më 28 nëntor 1912 – u robërua prap më 12 prill 1939… Fjala e Peshkop Nolit i shton shpresat e popullit për çlirimin e Shqipërisë“…Lufta që po bëjnë aleatët në Evropë, ka për qëllim mbajtjen e qeverimit demokratik edhe shpëtimin e kombeve të vegjël nga robëria e fuqive lakmonjës. Shqiptarët duhet të punojnë për lirinë e tyre kombëtare, se liria nuk fitohet pa sakrifica.“

Dielli 27 mars 1943. Pas marrjes së letrës nga Tajar Zavalani F. S Noli shkruan kryeartikullin: „Origjina, shvillimi, dhe e pritmja e Bashkimit të Shenjtë“:…Atëhere  puna mbeti  t’i flisja Faik Konitzës  dhe t’a fitonja për idenë e Bashkimit të Shenjtë. Konitza kundërshtoj me rreptësi Bashkimin e Shenjtë me Zogun në krye… Luftova disa dit’ e net me radhë që t’i mbushnja mendjen që s’kish tjatër më e mirë se kjo. Më në funt Konitza u bint. U bint dhe qendroj në fjalën e tij gjer në orën e vdekjes.“

Dielli 11 gusht 1943: „Lufta në Shqipëri nukë pushoj kur shkelnë italianët  Shqipërinë  të Premten e Zezë. Populli shqiptar  nukë  dha armët atë ditë të zezë; i fsheu a i hodhi mi sup dhe mori malet.“ Po në këtë datë njoftohen emrat e komandantëve antifashistë: „Kapiten Hysni Lepenica, Myslim Peza, Dr. Safet Butka, Kolonel Bajraktari, Baba Mustafa, Kristo Peshtani dhe Karagjozi etj.„

Dielli 18 shtator 1943: „Mbreti  Zog kërkon hyrjen e Shqipërisë në rrethin e Kombeve të Bashkuara.“

 Dielli 25 shtator 1943: Balli i Çlirimit Kombëtar dhe Zogu kërkojnë si dhe tërë patriotët e vërtetë bahkimin e gjithë Shqipërisë.

 Dielli 2 tetor 1943: „Fjalë e Imzot Nolit në radio ka bërë përshtypje të madhe në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë.“

 

Noli  dhe idetë tij prej  patrioti demokrat

 

Ashtu si më parë edhe pas vitit 1946, Fan S Noli nuk ka pasur asnjë iluzion për sistemin komunist, si në Shqipëri ashtu dhe në botë. Mjafton të lexohen letrat e dërguara Konicës, ku zhvlerson librat “Kapitali”e “Manifesti Komunist.” Manifesti i vërtetë i Nolit, është krijimi i ndritur, Hymni  Flamurit. Për idetë që mbart kjo poezi optimiste mjaftojnë vetëm dy strofa:

 O Flamur gjak, o Flamur shkabë,

 O vënt e vatr’ o nën’ e babë,

 Lagur me lot, djegur me flagë,

 Flamur i kuq, Flamur i zi !

 

 Flamur që lint Shën Kastandinin,

 Pajton Islamn’ e Krishtërimin ,

 Çpall midis  feve vllazërimin,

 Flamur bujar për Njerëzi.

 

Më 1944 me urdhër të E. Hoxhës, pas torturash shtazarake, do të vritej patrioti demokrat, ish kryetari i Shoqërisë Bashkmi Zai Fundo, teksa luftonte krahas nacionalistëve shqiptarë për lirinë e Kosovës. Për këtë akt barbar Noli u shpreh: “Ç’i mbetet Shqipërisë, po i prishëm njerëz të mëdhenj, si Fundoja?”

Në 18 tetor 1951, Noli bënte të ditur: „Unë nuk jam dhe nuk kam qenë kurrë një anëtar i një organizate komuniste. Unë asnjëherë në jetën time nuk kam bërë një predikim komunist ose prokomunist ose antiamerikan. Përkundrazi unë kam lartësuar udhën demokratike Amerikane të jetës dhe theksova faktin historik se Shqipëria i detyrohet për indenpendencën e saj krye krye Amerikës e në mënyrë të veçantë Presidentit Uillson. Kurrrë kisha ime, as unë nuk jemi nën juridiksionin e ndonjë Synodhe  ose Patriarkati të huaj, komunist ose tjatër. Si Kishë Orthodokse Shqiptare në Amerikë, të cilin e kryesoj, kjo është në pikpamjen administrative indipendente. Unë nuk kam të bëjë as me emërimet as me dorëheqjet e peshkopëve ose të arkipeshkopëve në kishat orthodokse të Shqipërisë. Kështu që, unë nuk jam përgjegjës në asnjë mënyrë për dorëheqjen e Kryepeshkopit Kisi dhe emërimin e pasardhësit të tij, Kryepeshkopit Vodica.

Në librin origjinal „Album-II 1966“ Boston të Nolit, fshehur prej syve të lexuesve në kohën e diktaturës, në parathënien e ish kryeredaktorit të Diellit, Qerim Panariti del në shesh e vërteta rreth poezisë satirike‚ “Sulltani dhe Kabineti“, botuar në gazetën Dielli më 1961, kundër diktatorit Hoxha dhe qeverisë së tij, e komentuar krejt ndryshe nga analistët komunistë: Po në këtë parathënie shkruhet edhe për ngjarjen aq shumë të përfolur, e mbërritjes së një legate apo grupi diplomatësh sovjetikë në Tiranë, pa dijeninë e kryeministrit Noli dhe ministrit të jashtëm e shpërdoruar nga historianët komunistë, si një fakt simpatie ndaj BS: „Kundërshtarët  e Nolit“-shkruan Panariti– „s’kanë hequr dorë as sot që t’i ngjitin vulën e kuqe; s’kanë hequr dorë as sot, kur Noli s’është më me neve që të mpronjë veten. Po të kishin kundërshtarët e Nolit vetëm një çerek derhemi mënt në kokë dhe pakëz fisnikëri, do ta merrnin me mënt, që dhe sikur të deshte Noli të lidhte relacione diplomatike me Bashkimin Sovjetik , kushtet politike në Shqipëri në Dhjetor 1924, ishin aq të mërzitura sa Noli pothuajse po pregatitej t’i linte shëndet Shqipërisë përgjithëmonë.“ Këtë problem e ka trajtuar edhe Prof. Robert C. Austin. Pas shqyrtimit të mjaft dokumenteve  arkivore, ai arrin në përfundimin, se në një kohë, kur midis  shteteve  europiane dhe Bashkimit Sovjetik ishin vendosur lidhje diplomatike, gjithashtu dhe qeveritë shqiptare, kishin zhvilluar bisedime për lidhje të njëjta, pa pritur e pa dijeninë e Nolit më 16 dhjetor 1924 një delegacion diplomatësh sovjetikë mbërriti në Tiranë. “Ministria e Jashtme”,- shkruan Prof. Austin– “njoftonte më 17 dhjetor Nolin se vizat i kishte dhënë konsulli në Vjenë…Më 18 dhjetor u njoftuan Përfaqësitë Diplomatike se, për shkak të situatës ndërkombëtare, delegacionit sovjetik prej tetë vetësh i ishte kërkuar të largohej dhe i gjithë grupi ishte nisur për në Itali po atë mbremje… “

At Artur Liolin në shkrimin Noli dhe komunizmi“ sqaron: “Pasi Noli mësoi mbi egërsitë e regjimit komunist në Shqipëri, ai u distancua, gjë që duket qartë, kur ai nuk pranoi të kthehej asnjëherë në Shqipëri, as për të marrë titujt e ofruar nga Qeveria Komuniste- pa tjetër për qëllime të errta komprometuese–dhe as për hulumtime shkencore, as për të hyrë në çështje të mjegualluara fetare.Në fund , si mund ta ftonte senati i shtetit të Masaçusetsit Nolin për të dhënë bekimin e hapjes së sesioneve të vitit 1963, nëse Noli do të ishte një „komunist?“ Apo si mund ta ftonte Nolin „komunist“  presidenti Lindon Xhonson posaçërisht në Shtëpinë e Bardhë në korrik 1964  për të bekuar në Uashington dhe për të dhënë fjalimin me rastin e 400 vjetorit të Shekspirit? Argumentet  ndryshe nuk pinë ujë.“

 

 

 

Letërkëmbim arkivash

 

Seria e letrave zyrtare me Qeverinë Komuniste për çështje të rëndësishme kombëtare gjatë vitit 1946,  na bën me dije për shqetësimin e madh të Nolit për Atdheun. Në fund të atij viti, ndihet zëmërimi i tij ndaj sjelljes së delegatëve që dërgonte E. Hoxha për bisedime me porosi të rrepta. Pas kritikave dhe lajmeve të hidhura që arrinin nga Shqipëria, më 1947 “bekimet” e marrëdhëniet diplomatike të Nolit kanë marr fund. Vatra patriotike do të cilësohej:“organizatë reaksionre që kaloi në mbrojtje të politikës antishqiptare të qeverisë Amerikane. Në vitin 1960 pjesa patriote u largua prej saj dhe krijoi organizatën “Shqpëria e Lirë.”(?!) Pra, një shtrëmbërim ky, kur dihet se kjo organizatë, u krijua me nxitjen e ndihmën e qeverisë  komuniste. si kundërshtare e Vatrës Një dokument domethënës, botuar në gazetën Dielli, janar-mars 2003, flet qartë për sa u tha më lart:

 

RPSH

Ministia e P. të Jashtme                      V.F.L.P.

  N. 353-19  Res. Pers.                        Tiranë 1947

 

                                      Promemorie

 Shokut Thedhor Heba

Nga informatat e sigurta që kemi, na rezulton se ndër Shqiptarët e Amerikës, të cilët e kanë simpatizuar lëvizjen t’onë nacional-çlirimtare po shënohet një ftohtësi ndaj Pushtetit Popullor, dhe është frikë që kjo ftohtësi me kohë të marrë proporcione të gjera…Ki parasysh se ka edhe disa reaksionarë, që me propagandën e tyre, po mundohen t’a ushqejnë ftohtësinë në rradhët e shqiptarëve ndaj nesh…

 Do të marrç kontakt me të gjithë ata që kanë një farë influence dhe do të jeç në lidhje të vazhdueshme me krerët e Shoqërisë Vatra dhe Organizatës Shqipëria e Lirë. Po fshehurazi besimin duhet t’a mbështetësh vetëm ndër  krerët  e “Shqipërisë së Lirë”..“Vatra“ dhe „Dielli“  kanë një histori dhe të kaluar të shkëlqyer dhe lidhen tepër ngushtë me traditat kombëtare. Prandaj është zor që ato të vazhdojnë të përkrahin regjimin t’onë tek i cili çmojnë vetëm luftën e çlirimit po nuk pranojnë ideologjinë dhe sistemin e tij.   

 Shokut Dr. John T. Nasse,*) do t’i dorëzosh të hollat**) dhe do t’i rrëfesh, vetëm sa për të marrë njoftim të përmbajtjes së saja, letrën që i drejtohet atij dhe i bashkangjitet kësaj Promemorie.”

                                                                  P. Ministri i P. të J   

                                                                       Hysni Kapo d.v)

P.S –*) Dr. J T Nase, përkrahës i regjimit  komunist  në Shqipëri. Kryetar i  Shoqërisë Shqipëria e Lirë me gazeten, ”Liria.”  **). 5000 dollarë.   

 

 

 /Përkujtimi i Nolit /

 

Me rastin e 100 vjetorit të lindjes, në vitin 1982 Federata Vatra dhe UNESKO, përkujtuan me nderim Fan S. Nolin, në mbledhje të posaçme shkencore, ashtu siç i takonte birit të Kombit Shqiptar.  Asokohe  në Shqipëri u botua një shkrim  fyes ndaj tij, në gazetën Bashkimi, përgatitur nga kalemxhijë me gjasa “nolistë”, nënshkruar nga diktatori  E. Hoxha. Për anëtarët e partisë ky shkrim qe një urdhër, të mos merrej pjesë në Konferencën përkujtimore! Shumë ftesa u anulluan. Salla e Kuvendit e caktuar më parë, u zevendësua me sallën e vogël të Institutit të Lartë të Arteve. Në qendër të presidiumit, ngrihej busti i diktatorit i ndriçuar nga prozhektorët. Lart në këndin e djathtë, fotografia e Nolit e zvogëluar  tej mase me urdhër të sekretarit shkencor të Akademisë së Shkencave, kish humbur në muzg. Për cilin bëhej mbledhja përkujtimore, për Fan Nolin apo Enver Hoxhën? Ata që ishin ulur lart, u njoftuan të zbrisnin poshtë dhe së bashku me dëgjuesit në fund të sallës të afroheshin në  katër radhët e para. Në ato çaste kur hidhje sytë drejt fotografisë në kënd e dëgjoje kumtesat e profesorëve, kishe përshtypjen se Noli, në shenjë proteste, ishte larguar nga salla. Për Nolin në Shqipëri, nuk u ngrit asnjë përmendore. Emri i tij nuk u vendos në asnjë institucion shkencor, madje në asnjë shkollë të mesme. Me anën  e botimeve të cunguara u kuptua se numëri i veprave të Nolit nuk duhej të kapte nivele të larta. Në ndërtesën e Akademisë së Shkencave fotografi të shumta të diktatorit vareshin kudo dhe busti i tij zbardhte në ballë të sallës së mbledhjeve. Befas një punonjës i Akademisë, zbuloi në Qendrën Arkeologjike, ndërmjet arkash të mbuluar nga kartona, letra dhe pluhur, bustin e Skenderbeut, vepër e skulptorit të shquar Odhise Paskali. Të rimkëmbur e mbarti për në Akademi. Kohët ndryshuan, perdja e hekurt u gris, muri i Berlinit u shëmb, shtatoret e tiranëve u rëzuan. Në selinë e Akademisë së Shkencave, fotografitë dhe busti i bardhë i diktatorit u zhdukën. Tashmë çdo vizitor atje merr frymë lirisht tek sodit  Skënderbeun dhe  Fan S Nolin.

 

 

 

 Dielli  në kohën e re/

 

Federata Panshqiptare Vatra me gazetën Dielli në fillim të viteve 90, u shpërngul në Nju Jork. Kryetari  i sotëm i Vatrës është patrioti Dr. Gjon Buçaj. Kjo organizatë atdhetare, me gazetën e historike Dielli, vijon të jap ndihmesën e saj për çështje të ndryshme kombëtare. Vatra dhe Dielli janë burime të pashtershme në shërbim të historisë së vërtetë të Shqipërisë dhe të figurave të shquara të kombit. Në përfundim nga shkrimet përkujtimore  veçojmë: Dielli, Janar –Mars 2005.

Konica për Nolin: „Ç’humbje, që nuk i jepet rasti të organizojë në Shqipëri një universitet popullor. Leshzi me sy të mprehtë, një fizionomi e qeshur , gati të pres një shaka dhe ta kthejë me uzure, mendjehapur, njohës  i gjuhëve romane dhe skandinave. Atë Noli nga kultura dhe karakteri i tij më kujton shpesh kishtarët e Përlindjes Italiane.“

Ernest Koliqi: „Stefan Stilian Noli, një ndër personalitet ma të spikatuna qi shprehi nga gjini i vet kombi shqiptar, paraqitet si nji fytyrë poliedrike, d.m.th. e shumanëshme.“

 Hasan Dosti: „Fan Noli ka qenë një fytyrë qendrore në historinë e vendit tonë. Ky simbolizon sinthezën e virtyteve të racës arbërore.“

Agim Vinça: „Noli nuk qe asnjëherë indiferent karshi dramës tragjike të popullit shqiptar të mbetur padrejtësisht jashtë kufive shtetërorë, pas vitit 1913, edhe pse kishte lindur jashtë atdheut, në një koloni në Turqinë Evropiane , ai do ta shohë Shqipërinë, jo si torzo të vitit 1913-s, por si tërësi etnike. Si krijues, si publicist  edhe shpirtëror, por edhe si burrë shteti, ai e ngriti  zërin kundër dramës tragjike në  Jugosllavi  dhe në Greqi, në regjimet e tyre monarko-fashiste, në vitet 20-30 të këtij shekulli, por edhe më vonë. Kosova dhe Çamëria ishin për të plagë që kullojnë gjak në trupin e kombit.“

Prof. Robert C. Austin: „Zëdhënësi kryesor i një Shqipërie republikane dhe të demokratizuar ishte Peshkop Fan S Noli, i vendosur të ç’rrënjoste trashëgimin 500-vjeçare të sundimit osman. Edhe pse pa dyshim ishte e dukshme për momentin fitorja e përkohëshme e Nolit përfaqësonte mundësinë e fundit për ndryshimin e doktrinës qendrore të politikës së brendëshme dhe të jashtme të Shqipërisë.“

Leka i I: „Lajmi i hidhët i humbjes së patriotit të madh të Monsinjor Nolit na shqetësoi së tepërmi . Shërbimet e mëdha, që ka sjellë Atdheut kanë qenë e mbeten përgjithmonë të çmueshme . Shpirti i Tij u qetësoftë në paqe e qetësi. „ 

Princi Skënder Zog:“Fan S Noli ka qenë një patriot dhe shkrimtar i madh.”

Të “fortët” profesorët e djeshëm, këto shkrime e deklarata nuk dëshirojnë t’i prekin. Dje u digjeshin  duart, sot  u  mpihen.

Rrëfimi i Nolit, vargu i gjatë i dokumeteve dhe i shkrimeve nga autorë të shumtë, hedhin dritën e së vërtetës, për jetën e tij politike në përputhje me fazat e zhvillimit të ngjarjeve historike. Udha e shkelur prej këtij atdhetari të madh, duket qartë tek shkon drejt përëndimit të praruar europian dhe amerikan, për lumturinë e popullit dhe lulëzimin e Atdheut.

Filed Under: Histori, Kulture Tagged With: Agim Xh Dishnica, fan noli, Komunizmi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5637
  • 5638
  • 5639
  • 5640
  • 5641
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT