• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DOLLIA E PARE

December 26, 2012 by dgreca

Nuk e kisha menduar kurrë që dollinë e parë të Festës së Pavarësisë do ta ngrija në një qytet tjetër veç Vlorës. E kisha menduar gjatë e gjerë këtë punë prej vitesh, qysh kur shkova herën e fundit në vitin 2006. Vlora më befasoi me bukurinë e saj, nostalgjikët e detit me vargjet e tyre e mbajnë atë kudo me vete, dhe që nga Riviera dukej edhe më e qartë. Bëra një betim në heshtje me veten time.

Kur të vjen në derë përsëri ky rast – thashë mendueshëm – duke kujtuar vitet e kaluara në plazhet e saj. 100 vjet më pas ku i dihet se çfarë bëhet? Kush do të rrojë do ta shikojë. Shijojë. Por me Vlorën më lidh edhe një fije tjetër sa e largët, aq dhe e afërt : origjina e farefisit të nënës. Kanë lindur gati të gjithë aty dhe më pas braktisën pa shumë dëshirë vendlindjen për të ardhur në një qytet tjetër me natyrë të ashpër, por tepër kuruese. Pas diplomimit që për koinçidencë ishte viti 1990, vera e nxehtë e atij viti, shkuam me xhaxha Vasilin, të ftuar në dasmë tek miqtë tanë. Rruga e gjatë me tren nuk u ndie fare, sepse bisedat dhe pejsazhet na mbërthyen fort si para një ekrani televizori që nuk të lejon të largohesh pa përfunduar emisioni. Meqë jetova në Tiranë për 4 vjet, me të afërmit takohesha në fillim rrallë, e më pas shumë rrallë. Takoheshim vetëm në gëzime familjare, festa kombëtare ose gjatë pushimeve të verës. Kishim gjithë kohë që të bisedonim shtruar, por edhe t’ia merrnim një herë këngës labçe, si parapërgatitje për ditët e dasmës.

Eja nipçe, eja t’ia marrim një here – më thoshte gjithmonë në gëzime.

Unë disi me ndrojtje i afrohesha tavolinës ku uleshin burrat dhe disi i strukur i bashkohesha zërit të korit të burrave. Është një repertor që e njohin në të gjithë Shqipërinë, që nga këgët qytetare e deri tek ato me iso. Tek këndonim shpesh i drejtoja sytë tek ata që të dëgjoja sesi këndonin, kush ia merrte dhe kush ia priste. Përpiqesha që atij kori të fuqishëm zërash, t’ia bashkoja edhe timin, herë duke e mbajtur ison, herë duke heshtur që të mësoja mirë zërat e atyre që ia thoshin këngës.

Nuk është e lehtë t’ia dalësh mbanë nëse nuk e ke në gjak – më pëshpëriti në vesh gjyshi im.

Do ta mësoj edhe unë ngadalë – Iu përgjigja. Ta shikosh, këtu do të jemi, kur të mblidhemi radhës tjetër, do ta këndoj si ju.

Ai vinte buzën në gas dhe tundte kokën sikur donte të më thoshte: Do kohë kjo punë, nipçe. Nuk është e thjeshtë. Duhen festa të shumta që ta mësosh këngën. E vërtet deshte shumë kohë. Por mua nuk më nxinte vendi, pasi doja më çdo kusht që të mësoja të këndoja. Si është puna e njeritu, kur është i ri ngutet të kapë gjithçka që është pronë e të rriturve, pa e marrë parasysh gjithë atë mund dhe përvojë të tyre, kur është i moshuar përsëri ngutet, t’i bëjë bisht viteve që poi ikin. Një lloj vrapi me kah të kundërt. Të gjithë në jetë e provojmë këtë ndjenjë, por sa prej nesh vënë mend?

Kënga që më mbante të mbërthyer më shumë pas burrave që këndonin dhe pinin ndonjë gotë raki, ishte Nënë portokalle…E kisha dëgjuar shpesh në

 

 

gëzime, por nuk e di përse më dukej e pabesueshme që ta mësoja. Kur xhaxhai ia fillonte këngës ndiqja zërin e tij, më pas shkoja tek ai që në refren bënte një zë tjetër.

Ke kohë ta mësosh edhe atë zë – m’u drejtua, por tani mëso zërin e parë. Më kujtohet se dikur fëmijë shkova edhe në Pallatin e kulturës për disa prova e më pas në Shtëpinë e pionierit, në hyrje të qytetit. Të bëhesha këngëtar i mirë, ditë pas dite, po shndërrohej në ëndrrën time që mbeti pezull dhe kurrë nuk u realizua. Nuk më vjen keq sot që jeta mori një drejtim tjetër, ndërsa kënga mbeti miku im më i mirë e kudo që shkojmë e kemi të pandarë, bile dhe në dhe’ të huaj, tek të afërmit në Greqi e më tej në Itali.

Morëm autobusin dhe u nisëm drejt Selenicës, qyteza e famshme asokohe që ishte krenaria jonë. Shumë prej të afërmeve nuk i njihja, nuk i kisha takuar kurrë. Por siç i thonë, gjaku yt nuk të gënjen. Po të shkosh në dy ose tre ditë në fshatrat e Labërisë shijon perlat e krijimtarisë më të fuiqshme të një populli që krahas pushkës së varur gjithmonë në supe, do të ndiesh edhe butësinë e shpirtit të përjetësuar në këngë. Në mbrëmje filloi dita e radhës së dasmës dhe në oborrin e shtëpisë, nën hijen e pemëve të gjelbëruara dhe me fruta diku të bëra, diku jo, vera është bamirësja më e mirë e njeriut, nja dhjetë ose pesëmbëdhjetë dasmorë ngritëm dolli pafund. Rakia që po shijonim, ia kalonte të gjitha atyre të tjerave që kishim shijuar deri në atë kohë kudo që kishim shkuar, ishte raki manafere të cilën e pinim me pak meze para. Hyrje-daljet tek oborri bëheshin më të dendura, pasi vinin për të uruar edhe nga lagjet e përtejme. Më pas filloi kënga dhe vallja labe. Nuk ka spektakël më të madhërishëm në botë, sesa folklori i një populli që gëzon në ditët më të lumtura të jetës së tij. Por ne të brezit të ri sikur na tërhiqte edhe një muzikë disi ndryshe, prandaj në pauzat e mundshme, futnim ndonjë kasetë me muzikë të lehtë dhe në këmbë për të kërcyer. Këngët e idhujve tanë mbushnin hapësirën përreth që mesa dukej ishte dorëzuar krejtësisht para zërit të tyre dhe atyre njerëzve të mirë lebër që këngën nuk e ndanin për asnjë çast nga jeta e tyre, njëlloj sikur të thoshe se kishin lindur me këngë në gojë.

E po shtypeni atë butonin se majft kërcyet – vinte ndonjë ankesë nga burrat. Kemi dhe ne qefin tonë. Ejani t’ia marrim një kënge së bashku, more djema se këto të shkreta të mbajnë gjallë – ia priti më i moshuari. Pa këto këngë as kuvendi nuk do t’ju ketë lezet. Ulëm zërin e magnetofonit dhe u afruam që t’i bashkonim zërat. Nuk kishte nevojë për urdhëra kategorikë, gjë që as që nuk vihej në dyshim, sepse ishte një përqasje me dëshirë, ishte një fuqi tërheqëse e cila të shkulte dhe të afronte me burrat e këngës dhe të tryezës. Këtë gjë do ta mësoja shumë shpejt ditën e dytë kur dasma hyri në delirin e saj.

Disa ditë para festës sonë të madhe, ishte data 25 nëntor, rruga mori një drejtim tjetër, jo për në Vlorë, por për në Prishtinë. Por përsëri në tokën tonë ishim, mes miqsh që mendonin se këtë përvjetor do ta tundnim. Le ta dëgjonte edhe një herë bota zërin e shqiptarëve pas shumë peripecive të mbrapshta historike.

E se ka kohë deri më datën 28 – i jepja kurajo vetes. Kurajoja është një forcë

 

 

 

e brendshme që buron nga dëshira jonë për t’u përballur me të gjitha sfidat. Shpërthen sapo ke arritur të kuptosh se asgjë nuk mund të të ndalë, bile dhe vetë vdekja. Një eufori që nuk e pranon komandën, Prapakthehu, apo qindra mëdyshje që deri në atë çast ta kishin mërzitur shpirtin dhe ta kishin lodhur kokën, me imagjinata të stërholluara që sillen rrotull me të panjohurat e veta.

Nga udhëtimi në udhëtim – pohova aty për aty. Disi e lodhshme, por gjithësesi kënaqësitë janë shenjat e dukshme që shprehen në fytyrë dhe tek vijnë në radhë, i ngjajnë një ditari në faqet e të cilit dendësia e vijave të një aparati sizmograf nuk janë njëlloj.

Tek kalonim nëpër Rrugën e Kombit u dëgjua një zile telefoni që mesa dëgjohej në makinë, na ftonte të qëndronim në një vend për një kafe. Po ku vallë?

Ju presim pas urës – ishte komunikimi i fundit që arrita të kapja dhe zëri u tret si një jehonë që tashmë e kishte ringjallur kërkshërinë në mendjen time. Vazhduam edhe pak rrugën dhe tek ura, përmatanë, në krahun e majtë bëri shenjë një makinë benz me targa të Kukësit. Poshtë urës lumi i pashqetësuar nga koha, përshkonte edhe ai rrugën e vet. Ashtu si njeriu edhe lumi e ka një jetë që nga dalja e deri tek porta e hapur e detit, ku cikli merr fund.

Një pamje sugjestionuese u hap para nesh sapo zbritëm nga makina, pasi lokali ngrihej buzë rrugës, mbi liqenin e Kukësit. Pasi u përshëndetëm me dy djem vendalinj, por që ishin studentë në Tiranë, djelli dhe pasqyrimi i ujit, na e spostoi disi vëmendjen tonë. Përreth një lumë ndryshe na i shtoi emocionet, ai i flamurëve kuqezi që e ndizte më tepër atmosferën. Sipër kokës sonë mbi një kodër gjendej qyteti mikpritës, edhe pse për pak kohë.

I bëjmë më pas fotografitë – tha njëri prej tyre, më parë të bëjmë adetin. Zumë vend në një tarracë të mbuluar me pamje nga liqeni nga ku nuk ngopeshim së hedhuri sytë në panoramën vezulluese të natyrës.

Mirë se na erdhët – shtuan në një zë të dy studentët.

Mirë se ju gjetëm – u përgjigjëm dhe faleminderit për këtë ndalesë që i kalonte kufijtë e realitetit.

E porosita një raki të mirë të zonës që kamarieri ma solli me një lloj krenarie legjitime, pasi e dinte sesa e mirë ishte.

Epo gëzuar Festën tonë të Pavarësisë përjetësisht dhe gjithmonë ju dëgjofsha zërin e mirë. Gjetiu duhej të ngrihej dollia e parë e festës shqiptare, por jeta shpesh të befason me ngjarjet e saj që nëse janë të tilla çdo ditë, ta fshin ëndrrën kalimtare të mbetur diku në kujtesë dhe të dhuron ëndrra të papritura që plotësojnë më së miri pritshmërinë. Sheshi i Flamurit dhe flamujtë që valëviteshin teksa bënim fotografi u bë një dhe rrëshqiste i vetëm para syve të mi. Pasi makina hyri përsëri në rrugë, të tjera imazhe u fokusuan në sytë tanë, malet përreth, majat e të cilave ishin zbardhur nga bora e parë.

Arjan Th. Kallço

Tiranë-Kukës-Prishtinë, 25 Nëntor 2012

Filed Under: Kulture Tagged With: Dollia e pare, tregim. Arjan Kallco

Provokacionet greke ndaj Shqipërisë, gusht 1949

December 26, 2012 by dgreca

Nga: Profesor Neki Babamusta, Londër/

 “Kush ja prek shqiponjës folenë, /

i lebetitur do marrë dhenë!…”- Neki Babamusta /

 Ngjarje reale, sipas dëshmisë së ish-rojes kufitare nga Kavaja, z. Faje Çela /

Pas çlirimit të Shqipërisë, veçanërisht në verën e vitit 1949 Junta ushtarake greke organizoi sulme ndaj njësive kufitare të Shqipërisë. Këto sulme barbare shoqëroheshin me vrasje, me rrëmbime njerëzish, me plaçkitje dhe grabitje bagëtish.

Nga mesi i gushtit v. 1949, një njësi e postës kufitare greke, në një mesnatë me shi, arriti të futet në një kapanon të rojeve tona kufitare. Si kriminelë dhe të pabesë, vrasin në gjumë disa nga rojet shqiptare, duke ua prerë kokën me thikë.

Pas 7 ditësh, 7 kufitarë shqiptarë, trima nga malësia, pa ua treguar eprorëve, lidhën besë për hakmarrje. Të armatosur dhe me bomba, të shtatë kufitarët eleminojnë dy roje të postës greke dhe futen në kapanonin e fjetjes. Hapin zjarr të befasishëm, duke lënë të vrarë tërë kufitarët grek në kapanon.

Ushtria greke i shtoi operacionet provokuese ndaj Shqipërisë. Nga fundi gushtit i v. 1949, formacione kufitarësh grek, rifilluan sulmin në agim. Alarmi për mbrojtje të territorit shqiptar, ngriti në gadishmëri për kundërsulm njësitë tona kufitare. Një kompani me ushtar grek arriti të futet në brendësi të territorit shqiptar, me mendimin se do përparonin me ndihmën e kalit të Trojes.

Njësitë shqiptare kufitare në jug të Shqipërisë iu përgjigjën kundërsulmit. Kufitari trim nga Kavaja, mitraljer, Faje Çela, nuhati situatën. Me qetësi, zuri pozicion mbrojtës pas një guri të madh. Duke mos u zbuluar nga ushtarët grek, priti deri sa ato u afruan në distancën 40-50 metra. Hapi zjarr të pandërprerë, duke lënë të vrarë shumicën e kompanisë. Të tjerët ua mbathën këmbëve. Grekën tërhoqën të vrarët në brëndësi të tokës shqiptare në mesnatë.

Shqipëria dhe Greqia janë dy vende që historikisht nuk i duan luftrat. Në momente të caktuara historike, populli shqiptar i ka manifestuar popullit grek ndenja miqësie, si në kohën e Ali Pashë Tepelenës (1800-1821), po ashtu edhe në kohën e Luftës çlirimtare kundër fashizmit (1940-1944).

Dy batelionat shqiptare në pranverën e vitit 1940 u gjendën pranë popullit grek, kur Musolini sulmoi Greqinë. Forcat shqiptare me patriotin e madh të kombit tonë, Spiro Moisiu, u rradhitën në anën e popullit grek. Po ashtu qindra forca shqiptare të Çamërisë u bashkuan me partizanët grek kundër fashistëve dhe nazistëve gjatë luftës së dytë botërore. Kjo është e vërteta historike që nuk mund të shtrembërohet duke na bërë diktate si ta rishkruajmë historinë.

Kombi shqiptar me 67,000 km katrore u coptua me forcën e armëve, me gjak e tmerr nga Fuqitë e Mëdha. Historikisht dihet se kufiri jugor i Shqipërisë është Preveza, siç theksoi dhe kryeministri z. Sali Berisha me 28 nëntor 2012. Çamërisë s’ia ndërron dot emrin që e ka të rrënjosur ndër shekuj në truallin e saj shekullor. Po ashtu edhe Athinës nuk ia ndërron dot emrin si vend më i lashtë dhe kryeqendra historike e lavdishme e popullit grek.

Në rezolutën e datës 10.12.2012 drejtuar parlamentit shqiptar nga z. Shpëtim Idrizi, drejtuesi i Partisë për Drejtësi dhe Unitet, kërkohet që parlamenti t’i njohi shqiptarëve të Çamërisë këto të drejta: të drejtën e pronës, të shpërblimit të pronës, mundësia e kthimi tek varrezat e të parëve në Çamëri, të hiqet ligji absurd i luftës, ku Greqi ka shpallur që nga vitit 1949 se Greqia është në gjendje lufte me Shqipërinë.

Klanet e egra nacionaliste greke, duke përfshirë edhe ato të tipit nazist “Agimi i Artë”, as populli liridashës grek nuk i don. Këta nacionalistë grek, jo vetëm që përndjekin dhe keqtrajtojnë shqiptarët në Greqi, por hedhin parrudha nacionliste për aneksimin e zonave shqiptare të jugut, si Korçë, Gjirokastër, Sarandë, Himarë, etj. Le të mos i fryjmë urrejtjet mes dy popujve shqiptaro-grek! Me dorën e miqësisë së sinqertë janë të fituar të dy popujt, duke jetuar secili i lirë në trojet e veta stërgjyshore.

Regjistrimi i popullatë s shqiptare (censusi) i v. 2012-të vërtetoi se minoriteti grek nuk e kalon shifrën 0.87%. Ky fakt rrëzon pretendimin e klaneve shoveniste greke se në Shqipërinë e jugut jetonë disa qindra mijë banorë grek, duke e quajtur çdo të krishterë shqiptar, grek. Në realitet pakicat minoritare duke përfshirë edhe ato greke gjithmonë kanë gëzuar të drejta të plota në Shqipëri, edhe në kohën e diktaturës komuniste. Pakicat minoritare duhet të shërbejnë si ura miqësie midis popujve dhe jo të bëhen shërbëtorë dhe spiunë besnikë dhe atyre që i komandojnë dhe paguajnë.

Lëvizja e Lirë – një e drejtë ligjitime dhe humane

Sot, në kohën e demokracisë lëvizja e lirë e njerëzve është një normë legjitime. Njerëzit kanë të drejtë të lëvizin brenda territorit aty ku i sigurohet jeta më e mirë. Që nga viti 1994 janë shpërngulur nga zonat e veriut dhe janë vendosur edhe në rrethinat e Sarandës mbi 60 familje shqiptare. Ata janë vendosur në toka të ish-fermës shtetërore. Me mundin dhe djersën e tyre banorët e ardhur nga veriu, ngritën fshatin e tyre Shëndëlli me 400 banorë. Si njerëz të punës kanë ngritur shtëpi të reja dhe kanë formuar plantacione me agrume. Njëkohësisht shumë nga fëmijët e këtyre banorëve janë në emigracion. Ky është një shembull domethënës që duhet ta ndjekin me qindra familja të tjera shqiptare në trojet shtetërore kudo në brezin kufitar të jugut. Kjo siguron ruajtjen e tërësisë tokësore të trojeve shqiptare. Kjo lëvizje në jug të Shqipërisë i ndërpren rrugën asimilimit të rracës shqiptare duke përforcuar identitein shqiptar.

Në vend të urrejtes, na duhet paqe mes popujve

Shqiptarët sot jetojnë të ndarë në pesë shtete, si në Shqipëri-Kosovë, Greqi, Maqedoni, Serbi dhe në Mal të Zi. Shqiptarë kudo që jetojnë në trojet e tyre nuk shfaqin fobi ndaj popujve të tjerë.

Që me 1991 problemi i shqiptarëve të Çamërisë ka qenë detyrë kryesore e forcave demokratike në Shqipëri. Me 1995 ish-presidenti i Shqipërisë, z. Sali Berisha e ngriti problemin e çështjes çame ish-presidentit grek z. Stefanopullos, i cili akuzoi padrejtësisht shqiptarët e Çamërisë si jo luftëtarë me forcat greke kundra pushtesve gjerman. Këtë akuzë të tij e hodhi poshtë edhe gjykata e Janinës po në 1995.

Me rastin e 100 vjetorit të Shqipërisë kryeministri z. Sali Berisha kërkoi që pas zgjedhjeve të 23 qershorit 2013-tës të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen të pajisen me pashaporta shqiptare. Kjo është një e drejtë ndërkombëtare, ndërkohë kur maqedonasit, grekët dhe serbët u mohojnë shqiptarëve pashaportën shqiptare. Sa herë që përmenden kufinjtë e Shqipërisë dhe dhënia e pashaportave ngjallen reagime negative nga shtetet ballkanike dhe disa titullarë të Evropës. Në një kohë kur shqiptarët në Maqedoni burgosen, vriten, interrnohen, u griset flamuri shqiptar, në krahinat shqiptare nën Serbi dhe Mal të Zi u mohohen shqiptareve të drejtat më elementare të gjuhës dhe flamurit, si dhe burgosje. Ndërsa shqiptarëve camë u mohohet e drejta për të shkuar në vendin e tyre, në Çamëri. Propoganda shovensite ballkanike bën plane kundër kombit shqiptar për aneksimin e tij.

Akademikët maqedonas të Shkupit i quajnë shqiptarët ‘kafshë’ në një kohë kur në Maqedoni pjesa më e madhe e territorit maqedonas është shqiptar, duke përfshirë edhe 40% të popullsisë. Deputetja e PP (Partisë Punëtore) në Parlamentin Evrpian, grekja Marieta Grannacoy akuzon shqiptarët për shovenizëm (Shqipëri të Madhe) sa herë që përmendet kufiri jugor, Preveza-Greqi.

Fatkeqësisht, prapa ish-prokurores së Hagës, Karla Del Ponte, qëndrojnë dhe disa klane në Evropë, që natyrisht nuk ia duan të mirën Shqipërisë. Thëniet monstruoze të Karal Del Ponte shtrembërojnë historinë dhe lavdinëe kombit shqiptar për hir të prapagandës anti-shqiptare. Historianet grek bëjnë plane për zhdukjen e Ballkanit dhe mes Greqise dhe Serbisë të ketë një kufi të vetëm. Këto propaganda dhe shpifje nxisin tensione siç po ndodh dhe në Mitrovicë ku qeveria serbe do të hedhi poshtë pakon e Ahtisarit. Shqiptarët e Maqedonisë nënshkruan marrëveshje të Ohrit në 13 gusht 2001 në hir të paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Kjo marrëveshje është detyrim në rradhë të parë për qeverinë e Maqedonisë që të mos asimiloi dhe zhduki rracën shqiptare nga trojet e tyre.

Politika shqiptare për çështjen e platformës kombëtare duhet të jetë e bashkuar. Kosova me Shqipërinë do të bashkohet kur t’i vijë momenti i duhur. Shqipëria nuk kërkon ndryshim kufijsh, por integrim në Evropë. Kjo është një e drejtë që e meriton populli shqiptar. Ashtu siç jeta që është e përkohshme, edhe pushtetet dhe partitë janë kalimtare. Por kombi mbetet. Për këtë qëllim madhor partitë politike shqiptare kudo që ndodhen duhet të kenë një platformë të përbashkët kombëtare.

 

Filed Under: Histori Tagged With: nga grekerit, Prof Neki Babamusta, provokacionet e 2 gushtit

MONUMENTET E NATYRËS DHE ATRAKSIONE NATYRORE TË VLORËS

December 25, 2012 by dgreca

Ndër monumentet e natyrës janë 16 rrape shekullor,11 shpella,1 ujëvarë,1 deltë detare,1 burim i kripur,2 tarraca detare,2 mbihipje aktive,1 kanion,1lagunë,1 gji,1 falezë,1bokërrimë,1 dunë rëre,1 valë burim i madh/

Nga Gëzim Llojdia/

1. /

Prralli i Verbasit përbënë një objekt natyral. Prralli i Verbasit përbënë një objekt natyral që nuk gjendet në listën e monumenteve natyror të rrethit të Vlorës. Prralli i Verbasit përbënë një objekt natyral, që gjendet në fshatin Verbas të rrethit të Vlorës . Rreth 26 km rrugë nga qyteti i Vlorës drejt zonës së Smokthinës për tu ngjitur në Verbas. Prralli njihet në krejt zonën e Labërisë si një dru i cili formon gjethe në majë të cilave janë shpues,pra gjemba. Bimët janë organizma të gjallë, thuhet në një studim. Prralli i Verbasit është një monument natyre. E përbënë këtë fakt që pozicioni I tij nuk është drejt qiellit por gjysmë i shtrirë. Ky dru ka ecur gjithë jetën e tij shtrirë duke shikuar jo nga lartësia por nga perëndimi. Në kushtet ku ndodhet aktualisht pranë tij është një lapidar me një pllakë me mera. Poshtë është veshur nga fasada e një murri rrethor ndërsa sipër tij është kurora kurora e tij diku në 3-4m. Trupi i bimës ka një përthyerje të vogël. Shkon deri 30-50 cm trashësi. Bima është ruajtur dhe nuk është dëmtuar edhe gjatë ndryshimeve . Lartësia nga toka në pozicion e shtrirë i kalon të 1 m.

E paraqitur në një pozicionim të këtillë ky monument mbete i veçantë madje është një atraksion i rrallë në zonën e Smokthinës .Vet ,Verbasi është pjesë e katundeve të kësaj zone. Tek dokumenti për emërtimet shqipe , toponimet shqiptare të kryera gjatë regjimit të Zogut këtë zonë e gjejmë me këto toponime:(( 42-Smokthinë –Zhgabaj ,41-Ramicë Ramaj , 38-Mesaplik Mesaplik, 37-Matogjinë ,Matogjini, 32-Bashaj –Bashaj.)

Fjala vetë Mesaplik sipas E. Çabej vjen nga fisi i mesapëve që erdhën në këtë trevë nga jugu epirot. Zona e Mesaplikut është njohur për shumë monumente si gjurmë të kulturës së hershme. Përmendtë vendbanimi Cerjes, vend-fortifikim në luginë të Shushicës ,gjurmë të kësaj kalaje gjenden edhe sot,mozaiku i Mesaplikut ,Kaçorrit,ura e Bogdanit. Monumente të tjera natyrore janë përfshirë guri me qiell në fshatin Vranisht,katund që ka shtrirje në rrëzë të Malit përkarshi përtej lumit Shushicë

2.
Prof .Dr Nasip Mecaj ne enciklopedinë e Kurvleshit sjell këto të dhëna:Morfologjia karstike ka përhapje të vogël, ndonëse kushtet natyrore dhe përbërja litologjike e terrenit është tepër e favorshme për zhvillimin e tyre. Ndikim negativ në zhvillimin e tipit të relievit karstik ka luajtur shkalla e lartë e materialeve të patretshme dhe kushtet jo të përshtatshme topografike (pjerrësia e lartë e shpatit) etj. Disa forma karstike sipërfaqësore i vërejmë gjatë kurrizit të malit. Dukuria e tretjes në sipërfaqe është shumë e ngadaltë, për të mos thënë se ky proces ka përfunduar për shkak të izolimit të tyre me material të patretshëm. Më tepër kemi të bëjmë me një karst nëntokësor, sesa sipërfaqësor. Shpati perëndimor në pjesën më të madhe është i pyllëzuar, duke përbërë sektorin më të dendur me pyje të krejt vargut malor. Katet bimore kanë një shpërndarje graduale në drejtim vertikal, duke zëvendësuar njëri-tjetrin. Sipërfaqen më të madhe e ka brezi i dushkut. Sipër tij vjen brezi i pishës dhe i bredhit, që arrin deri në 1600 m mbi nivelin e detit. Rrobulli ka një areal të vogël përhapjeje. Mbi halorët shtrihen kullotat verore, të pasura me një bimësi barishtore të shumëllojshme, shumica e të cilave janë bimë mjekësore, ku dominojnë çaj i malit, trëndafili i egër, tërfili, trëndelina etj.

3.

Ndër monumentet e natyrës janë 16 rrape shekullor,11 shpella,1 ujëvarë,1 deltë detare,1 burim i kripur,2 tarraca detare,2 mbihipje aktive,1 kanion,1lagunë,1 gji,1 falezë,1bokërrimë,1 dunë rëre,1 valë burim i madh.

Këto objekt natyral në rrethin e Vlorës përbëjnë atraksione. Në Llogora gjendet Pisha Flamur. Në disa katunde gjenden rrepe shekullore që kanë nga një epitete të cilat lidhen me ngjarje të veçanta. Objekte të kësaj natyre kanë edhe një dukuri mistike që i rrethon. Nuk mund të quhen shpërthime gjene tipike por janë produkt i veprimit të forcave natyrore për një kohë shumë të gjatë. Është edhe një fakt tjetër,që ky objekt natyror nuk gjendet i listuar në monumentet e natyrës të rrethit të Vlorës. Lista e monumenteve natyrore të rrethit Vlorë në të shumtën përbëhet nga rrapet madhështor.

Në këtë listë gjenden rrapet e Pilurit, Kudhësit, Palasës , Rrapi i Xhamisë, Çezmës,i lqet e Zarelit rreth gjysmë ha, në Kuç si edhe të Buronjave të cilat përbëjnë një ndër zonat më të bukura si dhe të Izvorit, Tragjasit, Drashovicës,Velcës, Gurës në Smokthinë. Mbetet e “shënuar” pisha Flamur në qafë të Llogarasë . Në afërsi të pikës së Qafë Llogorasë takohen drurë me forma kurorash mjaft interesante ndikuar edhe nga korrentet e erërave. Një element natyror i veçantë dhe tepër karakteristik i dhe karthet e Tërbacit. Mirëpo një pyetje ngrihet vetiu. A ekzistojnë aktualisht këto objekte monumente të natyrës në rrethin e Vlorës? Rrojnë apo janë zhdukur? Ka edhe një enigmë tjetër ? A i njohin komunat dhe banorët këto objekte të listuara si objekte të cilat mbrohen nga shteti si monumente të rralla të natyrës tonë?Kjo listë do të ishte më e madhe dhe do të përmbante edhe visare që janë zhdukur nga natyra jonë e virgjër. Kumtoj faktin, që specialistët e Universitetit të Gjenevës gjatë listimit të florës dhe faunës në Orikum, gjetën dhe konfirmuan faktin e një bime ende të rrallë, që rritet në këneta dhe laguna ,ndërsa është zhdukur në të gjithë pellgun Mesdheut pas tharjeve të kënetave. Kjo bimë e rrallë u gjend në pjesën jugperëndimore të lagunës së Orikut, e cila kur çel në stinën e lulëzimit dhe buisjes shfaq një ngjyrë të kuqërremtë të hatashme që e mbulon me gjakun e saj të ndezur buzët e lagunës . Momentalisht nuk gjendet në asnjë almanak biologjie dhe as e listuar në florën e kësaj zone.

Lista e monumenteve te natyrës rrethi i Vlorës e cila është ndërtuar në vitin 2003, por që kërkon të ketë ndryshime për dy arsye një pjesë e tyre mund ,mos u gjendet as nishani dhe e dyta për të vendosur në të objekte të tjera të natyrës tonë .
1.Qiparisi i Kambanores se Kishës se Vunoit
2.Lisat e Pilurit
3.Rrapi i Kosmarit Kudhes
4.Rrapi i Palases
5.Rrapi i Shkollës nr.1
6.Rrapi i Xhamisë
7.Rrapi i Çesmes (Mifol)
8.Ilqet i Zarelit me (0,5 ha)
9.Rrapi i Kroit te Madh
10.Rrapi Laze
11.Mbihipja e Çikes
12.Mbihipja aktive e Dukatit
13.Shkeputje e re aktive e Llogorasë
14.Tarraca detare e Kusbabait
15.Tarraca detare e ish-shtëpisë se pushimit te punëtoreve
16.Gjiri dhe shpellat e Grames
17.Bariera Koralore e grykes se Diallit
18.Falezat e Sazanit
19.Shpella e Shëngjergjit ose e Bletës
20.Shpella e Ramices
21.Shpella e Velçes
22.Shpellat e Boderit (Smokthine)
23.Shpella e Haxhi Alise (Iliriane)
24.Shpella e shkruar
25.Shpella e Bilbilenjeve
26.Shpella e Porto Palermos
27.Shpellae Pirateve (Dhërmi)
28.Shpella e Odisese (Surianit)
29.Shpella e Duk Gjonit
30.Kanioni i Gjipese
31.Bokerimat e Vunoit
32.Rrethi i Plakes (Brataj)
33.Ujevara e Ramices
34.Dunat e Nartes
35.Delta e Perroit te Palases
36.Burim i kripur i Bashajt
37.Vali i Vranishtit (burim i madh)
38.Laguna Limopuo
39.Rrepet e Buronjave Kuç
40.Pisha Flamur- Llogara
41.Rrapi Mesaplikut
42.Karthi i Terbaçit
43.Rrapi i Dukatit
44.Rrepet e Izvorit
45.Rrapi i Tragjasit te Vjeter
46.Rrapi i Shenvarvares (Velçe)
47.Rrapi i Gurrave Smokthine
48.Rrapi i Madh ne Bashaj
49.Rrepet e Drashovices
50.Ullinjte e Trubullit ne Karbunare
51.Pylli i Zvernecit

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Gezim Llojdia, monumentet e natyre, ne Vlore

Papa Benedikti XVI Mesazhi i Krishtlindjes dhe Bekimi Urbi et Orbi

December 25, 2012 by dgreca

“Veritas de terra orta est!” – “ E vërteta mbiu nga toka!”(Ps.85,12)./

Të dashur vëllezër e motra të Romës e të mbarë Botës, gëzuar Krishtlindjen, ju e familjeve tuaja!/
Urimin tim të Krishtlindjes sivjet po e shpreh me këto fjalë, shkëputur nga një Psalm: “E vërteta mbiu nga toka”. Në tekstin e Psalmit, në të vërtetë, e gjejmë në të ardhmen: “E vërteta do të mbijë nga toka”: është kumt, premtim, i shoqëruar me shprehje të tjera që, së bashku, tingëllojnë kështu: “Dashuria dhe e vërteta do të takohen,/ drejtësia e paqja do të merren ngrykë./ E vërteta do të mbijë nga toka/ e drejtësia do të duket nga qielli./ Sepse Zoti do të japë të mirat e veta/ e toka, frytin e vet;/ para tij do të ecë drejtësia:/ hapat e tij do të tregojnë udhën” (Ps. 85,11-14).
Sot ky premtim profetik u përmbush! Në Jezusin, lindur në Betlehem nga Maria Virgjër, dashuria e vërtetësia u takuan përnjëmend, drejtësia e paqja u morën ngrykë, e vërteta mbiu nga toka e drejtësia shikoi nga qielli. Shën Agostini e shpjegon kështu, shkurtimisht: “Ç’është e vërteta? Biri i Hyjit. Ç’është toka? Korpi. Pyet prej nga lindi Krishti, e do të shikosh pse e vërteta mbiu nga toka… e vërteta lindi nga Maria Virgjër” (En. Ps.84,13). E në një fjalim, mbajtur me rastin e Krishtlindjes, pohon: “Me këtë festë, që vjen vit për vit, kremtojmë ditën në të cilën përmbushet premtimi: ‘E vërteta mbiu nga toka e drejtësia shikoi nga qielli”. E Vërteta, që është në gjirin e Atit, mbiu nga toka, sepse ishte edhe në gjirin e një nëne. E vërteta, që mban mbarë botën, mbiu nga toka, që të mbahej nga duart e një gruaje. … E Vërteta, të cilës nuk i mjafton qielli, lindi nga toka, për t’u prehur mbi një grazhd. Për dobi të kujt një Hyj aq i lartë, u bë kaq i përvuajtur? Sigurisht jo për dobinë e vet, por për tonën, në se besojmë” (Sermones 185,1).
“Në se besojmë”. Ja pushteti i fesë! Hyji bëri gjithçka, bëri të pamundurën: u mishërua. Gjithëpushteti i tij i dashurisë realizoi atë, që mendja e njeriut nuk mund ta kuptojë: Pafundësia u bë ferishte, hyri në gjirin e njerëzimit. E megjithatë, po ky Zot, nuk mund të hyjë në zemrën time, nëse unë vetë nuk ia hap portën. Porta fidei! Porta e fesë! Mund të frikësohemi përballë gjithëpushtetit tonë, kthyer përmbys. Ky pushtet i njeriut për t’ia mbyllur portën Zotit, mund të të tmerrojë. Por ja edhe realiteti, që e davarit këtë mendim të errët; shpresa, që e mund frikën: e vërteta mbiu! Zoti lindi! “Toka e dha frytin e vet” (Ps 67,7). Po, është një tokë e mirë, një tokë e shëndoshë, e lirë nga çdo egoizëm e çdo mbyllje. Është në botë, një tokë, që Zoti e përgatiti për të ardhur e për të banuar ndër ne. Një banesë për praninë e tij në botë! Prandaj është edhe shpresa në botë, shpresa e besueshme, edhe në çastet më të vështira. E vërteta mbiu, duke sjellë me vete dashurinë, drejtësinë, paqen.
Po! Paqja mbiftë për popullin sirian, plagosur thellë e përçarë nga një konflikt, që nuk i kursen as të pambrojturit e shkakton viktima edhe ndërmjet të pafajshmëve. Edhe një herë bëj thirrje t’i jepet fund gjakderdhjes, të krijohen lehtësira për t’i ndihmuar refugjatët e të shpërngulurit e, përmes dialogut, të gjindet rrugëdalja politike nga konflikti.
Paqja mbiftë nga Toka, ku lindi Shëlbuesi, e Ai u dhuroftë izraelitëve e palestinezëve guximin për t’u dhënë fund viteve të pafundme të luftërave e të përçarjeve e për të rifilluar vendosmërisht udhën e bisedimeve.
Në viset e Afrikës Veriore, që po kalojnë nëpër një periudhë të thellë tranzicioni, në kërkim të një ardhmërie të re – posaçërisht në Egjipt, tokë e dashur dhe e bekuar nga fëmijëria e Jezusit – qytetarët ndërtofshin së bashku shoqëri të bazura mbi drejtësinë, respektin, lirinë e dinjitetin e çdo njeriu.
Paqja mbiftë në Kontinentin e pafundmë aziatik. Krishti Fëmijë i shikoftë mirësisht popujt e shumtë, që jetojnë në këto troje e, në mënyrë të veçantë, ata që besojnë në Të. Mbreti i paqes i sjelltë sytë e tij kah Drejtuesit e rinj të Republikës Popullore kineze, përballë detyrës, që i pret. Uroj ta vlerësojnë ndihmën e feve, duke i respektuar, në mënyrë që të mund të japin ndihmesën e tyre për ndërtimin e një shoqërie solidare, në dobi të këtij populli fisnik e të mbarë botës.
Lindja e Krishtit ndihmoftë për kthimin e paqes në Mali e të harmonisë në Nigeri, ku atentate mizore terroriste vijojnë të shkaktojnë viktima, posaçërisht ndër të krishterët. Shëlbuesi i ndihmoftë e i ngushëlloftë refugjatët e Lindjes së Republikës Demokratike të Kongos e i dhuroftë paqen Kenias, ku atentate gjakatare goditën popullsinë civile e vendet e kultit.
Krishti Fëmijë i bekoftë besimtarët e shumtë, që e kremtojnë në Amerikën Latine. Bëftë të lulëzojnë virtytet e tyre njerëzore e kristiane, i ndihmoftë ata, që detyrohen të largohen nga familjet e nga toka e tyre, i forcoftë qeveritë në impenjimin për zhvillimin e në luftën kundër kriminalitetit.
Të dashur vëllezër e motra! Dashuria e vërtetësia, drejtësia e paqja u takuan, u mishëruan në njeriun e lindur në Betlehem nga Maria. Ky njeri është Biri i Zotit, është Hyu, që u duk në histori. Lindja e Tij është filiz i jetës së re për mbarë njerëzimin. Uroj që çdo truall të bëhet tokë e mirë, që e mirëpret dhe e mugullon dashurinë, drejtësinë e paqen.
Gëzuar Krishtlindjen të gjithëve! (Kortezi Radio Vaticani)

Filed Under: Editorial Tagged With: Papa benedikti XV, urim per Krishtlindjet

VATRANËT NË “ALBANIAN EXELLENCE”

December 24, 2012 by dgreca

Vatranët e përfshirë në “100 histori suksesi  në 100 vjetorin e Pavarësisë” / Në prag të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë,Qendra kulturore Albania Excellence ne Tirane përgatiti një studim mbi 100 shqiptarët më të suksesshëm të viteve të fundit në gjithë fushat e dijes kudo në botë. Drejtuesja e projektit është Flora Nikolla, një nga gazetaret më të njohura të Shqipërisë.Ajo dhe bordi i qendrës vendosën lidhje me qindra shqiptarë që kanë shënuar histori suksesi në jetën e tyre të emigrimit. Studimi është botuar në një libër me titull “100 histori suksesi në 100 vjetorin e shtetit shqiptar”. Drejtuesja e projektit, gazetarja Flora Nikolla është shprehur për mediat se “Ky studim me 100 shqiptarët e suksesshëm nisi me synimin që të ruajë dhe të ngrejë lart vlerat njerëzore të shqiptarëve dhe të ndikojë sadopak në kthimin e tyre në Shqipëri apo rivendosjen e kontakteve me publikun e vet kulturor dhe shkencor”.     Me këtë rast u intervistuan qindra shqiptarë dhe u zgjodhën më të susksesshmit. Fituesit në prag të 100 vjetorit u mblodhën në Tiranë dhe ceremonia u trasmetua publikisht nga Televizioni Shtetëror. Fituesit patën nderin që të priteshin edhe nga Kryeministri Sali Berisha. Për secilin nga ata ishte përgatitur  si dhuratë libri me intervistat e 100 fituesëve dhe trofeu fitues. Me 26 dhjetor fituesit ishin ftuar në Prishtinë nga zv/kryeministri i Kosovës, Behget Pacolli,i cili sponsorizoi aktivitetin. Vatranët që u kualifikuan për arritjet në fushat ku kontribuojnë janë: 1- Dr. Skënder Murtezani 2- Dr. Indrit Reso 3-  Menaxheri dhe Kërkuesi Shkencor, Pashko Camaj 4- Kryetarja e degës së Vatrës në Washington, Merita Bajraktari McCormack 5- Kryetari i degës së Vatrës në Michigan, Alfons Grishaj 6. Novruz Nazarko, 7- Editori i gazetës ”Dielli” Dalip Greca

Filed Under: Kulture Tagged With: Albanian Exellence, alfons Grishaj, dalip greca, Indrit Reso, Merita MB McCormack, Pashko camaj, Skender Murtezani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5646
  • 5647
  • 5648
  • 5649
  • 5650
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT