• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BASHKËQEVERISJA NUK ËSHTË ZGJIDHJE E PROBLEMEVE TË SHQIPTARËVE NĒ MAL TĒ ZI

December 21, 2012 by dgreca

Nga Xheladin Zeneli/

Në zgjedhjet e fundit parlamentare në Mal të Zi të datës 14 Tetor të këtij viti, subjektet shqiptare që fituan nga një mandat ishin, Koalicioni “Për Bashkim” (i cili përbëhet nga Forca e Re Demokratike, Iniciativa Qytetare – Tuz dhe Lëvizja Perspektiva) dhe “Koalicioni Shqiptar” (i cili përbëhet nga Lidhja Demokratike, Partia Demokratike dhe Alternativa Shqiptare).

Pak ditë pas zgjedhjeve, me 30 Tetor 2012 dy Kualicionet shqiptare,bashkë me Partinë Boshnjake dhe Iniciativën Kroate ,në kuadër të partive të pakicave,nënshkruan Marrëveshjen për formimin e shumicës parlamentare me Kualicionin “Mali i Zi Europian” të Millo Gjukanoviqit, çka do të thotë se arritën marrëveshjen për qeverisje të përbashkët në mandatin e ardhshëm.

Në disa mandate të mëparshëme, partner i qeverisë nga rradhët e partive politike shqiptare ishte Unioni Demokratik i Shqiptarëve.

Me këtë rast,sikurse n’a imponohet pyetja se a është bashkëqeverisja domosdoshmërisht,zgjidhje e problemeve të shqiptarëve në Mal të Zi ?  Mendoi se në këto rrethana politike,pjesëmarrja e shqiptarëve në Qeveri, mund të mos luaj rolin e duhur  në raport me avancimin e mirëfilltë të pozitës së shqiptarëve në Mal të Zi,për disa arsy:

 

1. Nga përvoja e së kaluarës, mund  të nxjerrim konkludime se bashkëpunimi  (kualicioni) disavjeçar i partisë në pushtet (PDS) me subjektin politik shqiptar (UDSH) nuk ka dhanë rezulltatet e pritura në aspektin e përmirësimit të pozitës së shqiptarëve, por përkundrazi, pikërisht gjatë kësaj periudhe bashkëpunimi,janë aprovuar disa ligje që degradojnë dukshëm statusin e shqiptarēve nē Mal të Zi. Nga ky këndvështrim, lind pyetja se përse supozohet se një kualicion tjetër i shqiptarëve me qeverinë,do të jetë në interes të shqiptarëve dhe do të ndryshonte diçka pozitivisht në aspektin e statusit të tyre!?

2. Në mandatin e tanishëm të  bashkëqeverisjes në mes të partisë në pushtet dhe dy kualicioneve shqiptare, më shumë përfiton partia në pushtet, duke ngritur imazhin e vet para faktorit të jashtëm dhe atij të  brendshëm , si Qeveri gjithëpërfshirëse, pra si Qeveri e cila në përbërjen e vet ka edhe popujt pakicë, respektivisht përfaqësuesit e partive dominuese shqiptare;

3. Me pjesëmarrjen e shqiptarëve në bashkëqeverisje,zhduket zëri i tyre kundërshtar (opozitar) me rastin e kërkesave dhe të drejtave të tyre.Në të vērtetë,përfitimi i disa posteve në qeveri,nuk është gjë tjetër veç shkëmbim për heshtje lidhur me gjendjen dhe problemet reale  të shqiptarëve në Mal të Zi;

4. Në shumicën e rasteve,postet që iu ndahen shqiptarëve kanë karakter formal dhe si të tilla nuk kanë fuqi vendim-marrëse sidomos për çështjet që kanë të bëjnë me pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi.Si gjithëherë,në këtë shtet politika udhëhiqet nga qendra dhe vendimet merrën vetëm nga pozita e mbrojtjes së interesit të partisë në pushtet ; dhe

5.  Ishin vetë këto subjekte politike shqiptare që deri deri sa ishin në opozitë,kohë pas kohe kritikonin partinë pjesëmarrëse të atëhershme në pushtet( UDSH-në) për bashkëqeverisje me PDS-në e Gjukanoviqit.Në fakt,ato disa herë kërkuan tërheqjen e UDSH-së nga pushteti qendror.Pjesëmarrja e kualicioneve fituese shqiptare në mandatin e tanishëm të Qeverisë së Malit tē Zi, është kundër parimeve dhe qëndrimeve të tyre të mëparshme, pra si e tillë është  joparimore dhe kontradiktore.

 

Sa janë efektive marrëveshjet politike me Qeverinë?

Gatishmëria e  kualicioneve  fituese shqiptare ,të dalë nga zgjedhjet e 14 Tetorit të këtij viti ,për t’u bashkangjitur kualicionit qeveritar,dëshmoi përsëri se subjektet politike shqiptare, në përgjithësi, si prioritet të tyre kryesor kanë ate që të jenë pjesë e qeverisjes qendrore në Podgoricë.

Është me rëndësi të potencohet që kësaj rradhe, partia fituese në nivel qendror në Mal të Zi ( PDS-i) mund të kishte formuar shumicën parlamentare edhe pa ndihmën e partive (kualicioneve) shqiptare. Prandaj,kualicionet shqiptare sikurse u ngutën të bëjnë negociata me partinë në pushtet,duke mos patur fuqi negocuese. Kjo ndikoi që Platforma për veprim të përbashkët politik që u nënshkrua me këte rast në mes të

partive(kualicioneve) të pakicave dhe PDS -it të Gjukanoviqit, në përbërjen e fjalorit të vet të kenë një gjuhë të përgjithësuar dhe ofron shumë pak në aspektin konkret të realizimit të kërkesave të shqiptarëve. Për shembull,kërkesa për statusin e Komunës së Tuzit-Malësisë, me presion të Partisë Boshnjake,fillimisht u hoq nga Platforma e përbashkët politike dhe u zëvëndsua me termin “decentralizim”,fjalë që nënkupton bartjen e kompetencave nga pushteti qendror (në këte rast, nga Podgorica) deri te komunat lokale dhe ngritja e shkallës qeverisëse të tyre dhe një terminologji e tillë, domosdoshmërisht nuk nënkupton realizimin e Komunës së Tuzit.

Më vonë, në Aneks marrëveshjen mbi veprimin e përbashkët politik në mes  Qeverisë se re të Malit të Zi dhe partisë Forca e Re Demokratike (të cilën kjo e fundit e bën publike me 3 Dhjetor 2012), në kontekstin e Komunës së Tuzit,thuhet se “është vërtetuar që së bashku do të bëhen përpjekje në përshpejtimin e procesit të themelimit të Komunës së Tuzit-Malësisë”. Pra, problemi është ku thuhet se “do të bëhën  përpjekje…”. A nuk është bërë përpjekje tash në 20 vitet e fundit që të realizohet Komuna e Malësisë, por pa rezulltate?Pra,gjuha e përdorur në Aneks Platformë nuk e obligon palën tjetër (PSD-në) që medeomos dhe seriozisht të merret me realizimin e çështjes së Komunës.

Përkujtojmë lexuesit se në vitin 1997,gjithashtu u arrit një marrëveshje e ngjajshme në mes të faktorit të atëhershëm politik shqiptar dhe Qeverisë malazeze e cila u quajt  ” Marrëveshja mbi parimet minimale për zhvillimin e infastrukturës demokratike në Mal të Zi”, me përbërje prej pesë pikash ku në mes të tjerash pika 1(c) bën fjalë për organizimin teritorial të Malit të Zi në kuptimin e themelimit të komunave të reja dhe “decentralizimin e pushtetit”, përsëri pa përmendur konkretisht me emër Komunën e Malësisë!? Që nga ajo kohë disa vendbanime me popullsi sllave themeluan Komunat e veta kurse Malësia që nga viti 2006 është Komunë e ashtuquajtur urbane e Podgoricës,çka do të thotë entitet me të drejta dhe ingjerenca të cunguara.

Nga përvoja e së kaluarës politike mund të nxirrën mësime se fjalori i paqartë dhe jo konkret me rastin e përpilimit dhe nënshkrimit të marrëveshjeve dhe dokumenteve të tjera politike me palën qeveritare,len hapësirë për manipulime dhe keq-interpretime të ndryshme.  Gjithashtu, me rastin e nënshkrimeve të dokumenteve të ndryshme me Qeverinë e Malit të Zi, duke përfshirë edhe Marrëveshjen për formimin e shumicës parlamentare, do të ishte e udhës që të bëhen në prezencën e palës së tretë,mundësisht asaj ndërkombëtare me qëllim të përfitimit të garancisë së implementimit të tyre.

Megjithate,në arenën politike, katër vitet e ardhshme do të jenë sprovë e aftësisë së dy kualicioneve shqiptare si subjekte të reja bashkëqeverisëse,në aspektin e ballafaqimit me sfidat e përmirësimit të pozitës së  shqiptarëve në Mal të Zi.

New York

21 Dhjetor 2012

Filed Under: Featured Tagged With: bashkeqeverisja, ne Mal te zi, xheladin Zeneli

MESAZH FUNDVITI I KRYETARIT TË VATRËS

December 21, 2012 by dgreca

NGA Dr. GJON BUCAJ/

Të dashtun Vatranë,

Përzemërsisht ju uroj festat e fundvitit, me shëndet dhe gëzime në familjet tueja, në farfis dhe në rrethin e miqve e të dashamirëve, për shumë mot!

Festat fetare, si Bajrami që kremtuem para pak kohe dhe Krishtlindjet që festojmë në këto ditë, sjellin gëzim, paqë e lumtuni, dashuni për Zotin e për kombin, harmoni me njenitjetrin dhe solidarizim e kujdes për nevojtarët.

Viti i ri asht festë e mbarë botës, kohë gëzimi e argëtimi për të gjithë. Asht koha kur këthejmë mendjen mbrapa, bajmë bilancin e sukseseve dhe mungesave të vitit në mbarim; këqyrim perpara drejt detyrave që na presin në vitin e ri, të përkushtuem për t’i përballue me besim në suksesin e arritjeve të reja.

Për kombin shqiptar viti 2012 asht viti i manifestimeve të mëdha të festës madhështore të 100 vjetorit të pavarësisë, që u zhvilluen kudo jetojnë shqiptarë, në të gjitha trojet etnike dhe në diasporë, me kremtimet kulmore në Vlorë e Tiranë.

Për Vatrën 2012-a asht viti i kremtimit madhështor të 100 vjetorit të saj, i përkujtimit me nderim të themeluesëve dhe figuravet tjera që ia kushtuen jetën rilindjes kombëtare, fitores dhe ruejtjes së pavarësisë. Asht i dhimshëm fati i disave nga këta patriotë që u këthyen për t’i shërbye kombit në atdhe, por gjetën vdekjen nën regjimin e okupimit nga ideologjija e huej. Ata ende presin drejtësi.

Në Konferencën Shkencore që nisi me lutje fetare e përshëndetje nga krenët e klerit të besimevet tona, historianë e publicistë nga trojet shqiptare dhe nga diaspora, ligjëruen mbi rrethana e figura të periudhës së pavarësisë dhe mbi kontributin e Vatrës për pavarësinë dhe për miqësinë me Amerikën.

Lutjet dhe përshëndetjet e krenëve të klerit, përshëndetjet e Kryeministrit Berisha, të Ambasadorit Amerikan Arvizu, të Zavendëskryeministres Teuta Arifi, të Ministrit Ibrahim Makolli dhe të Princit Leka ishin vëlerësim gjithëkombëtar i Vatrës dhe i kremtimit të 100 vjetorit të themelimit të saj.

Pjesëmarrja në darkë nga të gjitha trojet dhe nga diaspora shqiptare e Europës dhe e Amerikës, zyrtarë shqiptarë dhe amerikanë, përfaqësuesët ma të lartë të klerit, delegacione e udhëheqës shoqatash dhe institucionesh, me praninë dhe me përshëndetjet e tyne i dhanë solemnitet të madh kremtimit. U prit me entuzjazëm leximi i mesazhevet uruese nga Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, Kryetarja e Parlamentit të Shqipnisë Jozefina Topalli, e Akademikut Mark Krasniqi, Ipeshkvit Arbresh të Lungros në Kalabri, Ercole Lupinaci dhe e Kryetarit të nderit të të Vatrës, z. Agim Karagjozi, sjellë nga i biri, Zuhdiu.

Pjesëmarrja në Konferencën Shkencore me ligjeratë e zotit Alexander Arvizu, Ambasador i Amerikës në Tiranë, dhe prania e tij në darkën solemne, dëshmoi vëlerat historike shqiptaro-amerikane të Vatrës.

Do të mbetet historike prania e prijsëve ma të lartë klerikë të besimevet tona, në frymën kombëtare të trashigueme nga Rilindësat, si dishmi e harmonisë së shqiptarëvet me besime të ndryshme, shtyllë mbështetëse në themelin e kombit tonë.

Ky që shkoi, për Vatrën asht edhe viti i shtimit të degëve. Përveç dy degëve të maparshme, në Washington me kryetare zonja Merita Bajraktari-McCormack dhe në Michigan me kryetar z. Alfons Grishaj, këtë vit u themeluen edhe tri degë tjera me radhë, në zonën West Palm Beach të shtetit Florida, kryetar z. Kolec Ndoja nga Pompano, në Hudson Valley në New York, kryetar z. Elmi Berisha dhe në Jacksonville, Florida, me kryetar z. Adriatik Spahiu. Parashihet të hapen edhe degë tjera në disa qytete të Amerikës ku ka shumë shqiptarë të interesuem për t’i shërbye çashtjes kombëtare me anë të Vatrës.

Mund të themi se viti 2012 ishte vit suksesesh për Vatrën. Entuzjazmi i frymëzuem prej kremtimit të 100 vjetroit, themelimi i degëve të reja, promovime librash me vëlerë kombëtare, vizitat në vende historike në vendlindje në përkujtim të disa figurave kombëtare, si dhe fryma e 100 vjetorit të pavarësisë, janë shenja që tregojnë moralin e lartë të Vatranëvet, të cilët kanë dhanë nji kontribut të jasshtëzakonshëm për realizimin e sukseseve.

Me këtë entuzjazëm dhe moral të lartë do të përballojmë detyrat e reja që na presin në vitin e ri 2013. Krijimi i degëve tjera, shtimi i antarëve të Vatrës, përpjekjet për të afrue rreth sa ma shumë antarë të tij, me nnji vemendje të posaçme për të rijt që ushqehen me idealizëm kombëtar, mbajtja e gazetës “Dielli” dhe synimi për t’a nxjerrë ma shpesh, gatishmënija për t’u gjtë prezent me qendrimet e Vatrës në dobi të Kombit ku dhe kurëdo që paraqitet nevoja, janë disa nga sfidat që na presin. Por kryesisht ky do të jetë viti i Kuvendit të Përgjithshëm të Vatrës.

Mbasi nuk u realizue Kuvendi në vitin e 100 vjetorit të Vatrës, do të synojmë përvjetorin e parë të shkullit të dytë. Mendoj se fundi i prillit do të ishte koha ma e përshtatshme. Pergatitjet do të jenë jo të lehta, pse duhet të kemi edhe degë tjera funksionuese, do të përshtatet kohëve të reja pjesa e rregullimit administrativ të Kanunores, pa luejtë pikat parimore, do të formulohet misioni i saj me vizion të gjanë dhe nji platformë kombëtare.

Në krye të platformës duhet të jetë Bashkimi Kombëtar dhe përkrahja e parezerva e çashtje çame. Shqiptarët janë në rrugë të mbarë për t’u bashkue, integrimi ndërshqiptar asht në rritje, abetarja unike në Shqipni e Kosovë asht nji fillim shumë shpresëdhanës, por duhet të unifikohet e të hyjë në përdorim në të gjitha shkollat shqipe, në trojet shqiptare dhe në diasporë. Duhet unifikue edhe tekstet tjera, të historisë kombëtare në rend të parë. Krijimi i institucioneve të përbashëta kulturore e sportive dhe ekonomike. Duhet të arrihet, në këtë mënyrë, bashkimi shpirtnor sa ma i fortë, që të jemi de facto të bashkuem kur të integrohemi në Europë. Gjatë kremtimit të 100 vjetorit të pavarësisë patriotizmi asht rritë dhe duhet kultivue në mënyrë të vazhdueshme por dhe me kujdes pët të evitue teprina (eksese). Asht realistik dhe shumë i qëlluem trumbetimi i bashkimit të shqiptarëvet në Europë.

Vatra duhet të vazhdojë thirrjet që shoqnia shqiptare në përgjithësi, jo vetëm në Shqipni, duhet të shkëputet nga trashigimia e së kaluemes komuniste Disa shenja inkurajuese shifen me largimin e disa prokurorëve por dhe duhet të bahen përpjekje ma të mëdha në këtë drejtim. Denimi i krimeve të komunizmit, aplikimi i ligjit të lustracionit, përpjekje për mëkamjen e shtresës së ish të përsekutuemëvet, vëlersimi objektiv i figuravet kombëtare që komunizmi i ka përndjekë, vra e masakrue ata që i ka nxanë dhe etiketue me epitetet ma të pa drejta dhe të pameritueme.

Dhe nji herë, Gëzue Festat të gjithëvet! Atyne që kanë humbë të dashtunit e tyne këtë vit, pritshi gëzime tash a mbas.

Filed Under: Editorial Tagged With: dr. Gjon Bucaj, i kryetarit, mesazh fundviti, te Vatres

SHKRUAR MË 21 DHJETOR 2012, NË DITËN E PARË TË EGOS GLOBALE

December 21, 2012 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/

I shkruaj këto radhë në këtë ditë, duke qenë absolutisht i bindur se forumet përkatëse të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, herët a vonë, ndoshta shumë shpejt, do ta shpallin 21 dhjetorin Ditën Ndërkombëtare të Dalldisë, me një fjalë, Ditën e Egos Globale, pra të unit global.

Është kjo dita e parë kur ne ndihemi të kërcënuar globalisht, të rrezikuar globalisht, të dalldisur globalisht, të prekur globalisht nga e njëjta mandatë. Është dita e parë kur ndihemi globalisht të njëjtë, të barabartë përballë së panjohurës. Dhe e pranojmë globalisht se ajo, e panjohura, do të ekzistojë gjithmonë.

Egoja globale, sot më shumë se kurrë, ndihet e individualizuar në shkallë kolektiviteti planetar. Falë internetit, materializmi konsumist i shndërruar në fanatizëm dogmatik përjeton kulmin e tij të parë.

Pikënyja e delirit global është kalendari i fisit meksikan Maya, përfundimi i të cilit është përkthyer si fundi i botës nga logjika arbitrare e trurit tonë kolektiv.

Autorja amerikane Anya Schiffrin ka shkuar dje në provincën e Jukatanit, Meksikë, dikur pjesë e perandorisë Mayane. “Ndonëse rusët dhe kinezët po dridhen nga fundi i botës i nesërm, këtu në Jukatan nuk ia vërshëllen njeri” interpretimit fatalist të kalendarit Maya.” As në kryeqytetin meksikan ku njerëzit mendojnë vetëm se çfarë do të bëjë qeveria e re e Partisë Institucionale Revolucionare, e kthyer në pushtet pas 12 vjetësh, çfarë do të bëjë presidenti i ri Nieto, i betuar në detyrë më 1 dhjetor 2012.

Presidenti i ri është i njohur në Meksikë për dy gjëra – se është martuar me një aktore yll të filmave soap opera dhe se nuk mban mend tre tituj librash që t’i ketë lexuar në jetën e tij. I pyetur për Biblën ai gjithashtu nuk mban mend asnjë fjalë, asnjë fjali. Megjithatë, shkruan Schiffrin, ai ka sjellë nga bota e zhvilluar grupe elitash meksikane, të ngarkuar për të kryer reforma shndërruese në gjithë jetën e vendit. Pra, shkruan ajo, qeveria është në ditët e saj më të ëmbëla të muajit të mjaltit, ndërsa përkrahësit e saj e kanë mendjen tek kapitulli i ri në jetën politike dhe aspak tek keqinterpretimet e kalendarit.

Në formë gazmoreje, vendasit tregojnë se investuesit italianë, duke pritur një fund bote si në kohën e Nuhut, kanë ndërtuar vila në majat më të larta të maleve më të larta. Vetë meksikanët i shikojnë veçoritë e vendit të tyre si mundësi zhvillimi, si mundësi të lulëzimit të turizmit, si mundësi të rritjes së investimeve të huaja.

Për të shmangur panikun, sipas gazetës, La Verdad (E vërteta), qeveria po ndërmerr patrullime në pesë zonat Mayane. Duke përfituar nga fama e kësaj zone, e kulmuar nga thashethemi për fundin e botës, kërkesat e turistëve të huaj këto ditë janë marramendëse, saqë vetë qeveria po merret me organizimin e spektakleve me kërcime karakteristike vendëse, me leksione, ceremoni të mbjelljes së pemëve, panaire, ku janë në qenë astrofizikanët, improvizimet e ritualeve Mayane etj..

Aktivistja kontraverse guatemalase, shkrimtare dhe laureate e çmimit Nobel Rigoberta Menchu, shkruan Schiffrin, zbarkoi këtu këto dotë dhe i bëri thirrje botës të kuptojë potencialet e kulturës Maya për të ndihmuar ndërtimin e harmonisë globale.
Në fakt, atmosfera që krijoi keqinterpretimi i kalendarit Maya, së paku shënoi shkallën e lartë të globalizimit të arritur në kohën tonë. Ku çdo thashethem përshkon planetin brenda sekondës. Tregoi edhe për një egoizëm të globalizuar dhe të shfrenuar në trajtën, siç përmenda, të materializmit konsumist të skajshëm. Le të kujtojmë se pothuaj të gjithë të intervistuarit nga mediat këto ditë nëpër rrugë, nëpër shtëpi, nëpër lokale, nëpër vendet e punës, thonë se do ta kalojnë sa më çakërqejf ndërkohën ku përfshihet 21 dhjetori 2012.

Atmosfera që rrethoi 21 dhjetorin 2012 ishte ndërkaq një provë për besimtarët e vërtetë. Librat e shenjtë e thonë qartë dhe shkoqur se Apokalipsi (Kijameti), Fundi i Botës do të vijë pa pritur e pa kujtuar, nuk do të jetë gradual, do të jetë i menjëhershëm, ndërsa kohën se kur ndodh nuk e di askush tjetër përveç Zotit.

Në provë u vu edhe shkalla e dijës njerëzore. Ata që janë të përditësuar me arritjet e shkencës, e dinë se, duke gjetur edhe në rrethana të tilla në shërbim të njerëzimit, do të gjente mënyrën dhe nuk do t’ia fshihte njerëzimit shenjat e zbuluara prej saj, çfarëdo të ishin ato.

U vërtetua, mendoj, se Njerëzimi ende është foshnjë. Një foshnjë që e llaston vetveten, në pritje për ta llastuar dikush tjetër. Një kërkim që e çon drejt kureshtjeve fatale

Për të qenë pjesë e globalitetit, edhe unë kam pranuar, në mënyrën time, që të identifikohem me përjetimet e bashkëplanetësve të mi. Kam kërkuar dhe gjetur strehë tek një koleg. Kam përkthyer kështu poezinë “Një këngë për fundin e botës” të nobelistit polakoamerikan Ceslav Milosh.
–
NJË KËNGË PËR FUNDIN E BOTËS
Nga CZESLAW MILOSZ (1911-2004)

Në ditën kur bota mbaron
Një bletë i vjen rrotull një tërfili,
Një peshkatar hedh një rrjetë të ndritshme.
Delfinë të lumtur hidhen në det,
Me ajrin e shiut harabelët e rinj po luajnë
Dhe gjarpëri ka lëkurë të artë si gjithmonë.

Në ditën kur bota mbaron
Gratë ecin nëpër fushat nën çadrat e tyre,
Një pijanec e merr gjumi buzë një lëndine,
Shitësit e perimeve bërtasin në rrugë
Dhe një varkë të verdhë vjen afër ishullit,
Zëri i një violinë zgjatet në ajër
Dhe na çon në një natë xixëlluese.

Dhe ata që pritën rrufe dhe bubullima
Janë të zhgënjyer.
Dhe ata që pritën shenja dhe trumpeta kryeengjëjsh
Nuk besojnë se po ndodh tani.
Për sa kohë që dielli dhe hëna janë lart,
Për aq kohë sa bletët punëtore vizitojnë një trëndafil,
Për aq kohë sa foshnjat lindin të trëndafilta
Askush nuk beson se kjo po ndodh tani.

Vetëm një plak i moçëm flokëbardhë, i cili duket të jetë një profet
E prapë nuk është një profet, sepse ai është shumë shumë i zënë,
Tek po përsërit ndërsa lidh domatet e tij në kopsht:
Nuk do të ketë tjetër fund të botës,
Nuk do të ketë fund tjetër të botës.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: me 21 dhjetor, shkruar, Skender Bucpapaj

Debat i ashpër në Kuvend për platformën e Serbisë

December 20, 2012 by dgreca

Seanca e fundit për këtë vit e Kuvendit të Kosovës është shndërruar në një debat të ashpër në mes të partisë në pushtet dhe opozitës, lidhur me të ashtuquajturën platformë e Serbisë për Kosovën, me theks të veçantë për veriun.
Përfaqësuesit e opozitës, veç tjerash kanë kritikuar qeverinë për mos reagime më të fuqishme karshi kësaj çështjeje.
Deputeti Skënder Hyseni, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se kryeministri nuk ka pse të flasë në emër të Evropës, apo të brengoset nëse platforma serbe është anti-evropiane, por duhet të brengoset dhe të flasë në emër të Kosovës.
“Derisa nga Beogradi ka presione dhe Bashkimi Evropian tërhiqet edhe nga përdorimi, përkatësisht qëndrimi i mbrojtjes të integritetit territorial të Kosovës, nga Prishtina nuk ka presione dhe rrjedhimisht të gjitha nismat që Beogradi i ndërmerr në Bruksel, e marrin dritën e gjelbër, zhvillohen, e marrin të drejtën e diskutimit dhe shkojnë tutje, ndërkaq, Prishtina reagon në mënyre retroaktive”, tha Hyseni.
Nga ana tjetër, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka theksuar se platforma e serbe për Kosovën, nuk do të gjejë zbatim dhe do të mbetet vetëm një ëndërr e parealizuar e Beogradit.
Kreu i ekzekutivit deklaroi po ashtu se në asnjë rrethanë, nuk do të ketë as autonomi, as ndarje, të Kosovës, por siç deklaroi ai, projektet e tilla do të mbeten në sirtarët e Beogradit.
“E them me zotimin me të plotë para juve, deputetë të nderuar, dhe gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, se dhe ky plan do të jetë i pa realizueshëm në Republikën e Kosovës. Nuk është plan i ri, është vazhdimësi e planeve të vjetra të Beogradit në raport me Kosovën. Por, në të njëjtën kohë ky plan është një hap prapa nga ana e Serbisë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi Thaçi.
Ai shtoi se plani i Kosovës është shumë i qartë, që sipas tij është respektimi i plotë i Kushtetutës së Kosovës, ligjeve të Kosovës si dhe dokumenti i presidentit Ahtisari.
“Plani ynë është vazhdimi i punës për konsolidimin dhe forcomini e shtetit të Kosovës. Njohje edhe me të zgjeruar ndërkombëtare për vendin tonë dhe integrimin edhe me të shpejt e me të fuqishëm të vendit tonë në të gjitha institucionet relevante ndërkombëtare, duke përfshirë NATO-n dhe Bashkimin Evropian”, tha Thaçi.
Kurse, Visar Ymeri, shef i Grupit Parlamentar të subjektit politik Vetëvendosje, tha se i gjithë dialogu i nisur me Qeverinë e Serbisë është i gabuar dhe nuk do t’i sjellë asnjë të mirë Kosovës.
“Normalizimi i marrëdhënieve me Nikolliqin, sot nuk e bën atë më të mirë, përkundrazi do t’ia rris atij apetitet për shkak së është dëshmuar deri tash se në secilin proces negociator sa më i mirë të jesh me Serbinë, dhe sa më shumë që ta ledhatosh Serbinë, aq më e keqe dhe me egër bëhet ajo ndaj nesh. Kjo po dëshmohet edhe tash dhe këtë ledhatim po ia bëni edhe ju si qeveri”, tha Ymeri.
Nga ana tjetër, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti nga LDK-ja, ka kërkuar nga përfaqësuesit e Kosovës në bisedimet politike me Serbinë se para se të ndodh takimi i radhës, ndërmjet palëve të bisedohet në kuvend për atë se për çka do të flitet në takimet në Bruksel.

“Në ketë gjendje të re që po krijohet me kushtëzimet që i jep Serbia dhe i çon si tekste në Bruksel dhe i bën publike, Republika e Kosovës nuk e di si
bisedon për ta para se të kërkojë që ta t’i tërheqin forcat jo legjitime, forcat shtetërore të Serbisë në veri të Mitrovicë
”, u shpreh Hamiti.
Siç është prezantuar nëpër mediat serbe, e ashtuquajtura platformë e Beogradit për Kosovën e cila do të prezantohej nga presidenti dhe miratohej nga Kuvendi, mes tjerash do ta bënte të qartë se Serbia nuk do ta njeh shtetin e Kosovës, por do të kërkonte një lloj statusi autonom për komunat veriore të banuara me serb, sipas modelit të Republikës Serbe në Bosnje.(kortezi: Arton Konushevci)

Filed Under: Politike Tagged With: Debat, Kuvendi i kosoves, platforma e Serbise

PRONAT CAME DHE LIGJI GREK I LUFTES

December 20, 2012 by dgreca

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka zbardhur ligjin e luftës së vendosur nga Greqia në vitin 1940 ndaj Shqipërisë dhe Italisë. Ligji i shumëdiskutuar që është ende në fuqi nga shteti helen, dhe thelbi i tij është shpallja e shteteve armike dhe shtetasve armikë të Greqisë. Po ashtu, në nenet e veçanta specifikohen dhe kategoritë e personave fizikë dhe juridikë që do të konsiderohen si armiq të vendit dhe ndaj tyre do të aplikohen sanksione të rënda, si konfiskim i të drejtës së çdo pasurie të paluajtshme apo të luajtshme, konfiskimi i parave, bonove të investimeve, të drejta pronësie mbi çdo pasuri, qoftë dhe atyre intelektuale. Ligji i luftës është hartuar nga ministri i Drejtësisë së vitit 1940, Ajis Tabakopullos dhe ai i Financave, Apostolidhis. Ligji i forcës që shpall si vend armik dhe Shqipërinë dhe Greqinë, është dekretuar më 10 nëntor të vitit 1940 nga Mbreti i Greqisë, Jeorjios B’. Hartuesit e ligjit janë treguar të kujdesshëm të përjashtojnë si armiq edhe grekët që kanë marrë nënshtetësi në Shqipëri, duke i quajtur ata si ortodoksë. Gjithashtu në nenin 10 të ligjit u jepet e drejta personave të tretë që të përdorin pasuritë e paluajtshme të shtetasve të shpallur si armiq me ligjin e forcës, duke ndaluar në mënyrë kategorike pronarët të përdorin pasuritë e tyre. Në këto pasuri futen tokat bujqësore, trojet, objektet, fabrikat, punishtet, llogaritë bankare etj.

Ligji i forcës Nr.2636/1940

Rreth akteve ligjore të armiqve dhe sekuestrimit të pasurisë armike Jeorjios B’ Mbret i Grekëve Mbi bazën e propozimit të Këshillit tonë të Ministrave, vendosëm dhe urdhërojmë:

Kapitulli A’

Neni 1

Armiq 1.

Armiq sipas kuptimit të këtij neni, konsiderohen: a. Shtetet, kryetarët e këtyre shteteve dhe personat juridike të juridiksionit shtetëror të tyre, të cilat përcaktohen secili në veçanti si armik nëpërmjet dekreteve mbretërore të botuara me propozim të kryetarit të qeverisë, të ministrit të Punëve të Jashtme, ministrit të Financave, sipas kuptimit të këtij ligji. b. Persona fizikë, të cilët kanë shtetësinë e shteteve armike, sipas rastit a), ose ata që kanë banesë, ose banim të përhershëm në to. c. Personat juridikë të juridiksionit privat dhe çdo bashkim personash ose pasurish, përderisa kanë qendrën drejtuese të tyre në shtetet armike, sipas rastit, ose janë nën influencën ligjore, ose ekonomike të armiqve, sipas këtij neni.

2. Nuk janë armiq, sipas kuptimit të këtij ligji, personat fizikë, të cilat kanë fituar nënshtetësinë e shtetit armik, por janë me kombësi greke dhe banojnë në shtete të huaja, ose shtet aleat.

3. Në rast se ekzistojnë dyshime në lidhje me karakterizimin si armik të cilitdo personi ose bashkimi, sipas paragrafit 1, vendoset pas mendimit të komitetit, sipas nenit 19, të ministrave të Financave dhe të Ekonomisë Kombëtare, me vendim të përbashkët të tyre.

Pasuritë armike

Neni 6

Sekuestrimi Pasuritë armike në Greqi me hyrjen në fuqi të këtij ligji ndalohen dhe është i pavlefshëm disponimi i këtyre pasurive tek armiqtë, ose në shkelje të dispozitave të këtij ligji.

Neni 7

Pasuri armike në Greqi

1. Si pasuri armike në Greqi konsiderohen elementet pasurore të mëposhtme, përderisa u takojnë ligjërisht ose ekonomikisht armiqve, sipas kuptimit të nenit 1: – Elemente të patundshme dhe të tundshme të ndodhura në Greqi. – Letra me vlerë dhe tituj të tjerë të çdo lloji të ndodhura në Greqi, obligacione të shtetit grek, të firmave, të organizmave me selinë administrative të tyre, ose qendrën e tyre në Greqi, akoma edhe titujt përkatës të ndodhur jashtë shtetit. – Para dhe lloje të tjera pagese të ndodhura në Greqi. – Aksione të firmave, të cilat kanë selinë administrative të tyre ose qendrën e shfrytëzimit në Greqi, pavarësisht nga fakti nëse këto aksione janë të mishëruara në letra me vlerë, ose jo, dhe në qoftë se këto mishërime ndodhen në Greqi, ose jashtë shtetit. – Kërkesa ndaj debitorit me banesë, ose me banim të përhershëm në Greqi, ose kërkesa të prejardhura nga shkëmbimet e firmës tregtare në Greqi. – Të drejta të pasurisë industriale dhe intelektuale, të cilat mbrohen në Greqi. – Të drejta mbi elementet pasurore të përshkruara në pikat a-f. – Të drejta nga marrëveshjet rreth elementeve pasurore të pikave a-f. – Çdo element tjetër pasuror i ndodhur në Greqi. 2. Përjashtohen nga dispozita e paragrafit të mësipërm elementet pasurore, të cilat u përkasin shtetasve grekë me banesë ose banim në shtete armike.

 

Filed Under: Histori Tagged With: I Luftes, Ligji Grek, Pronat Came

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5651
  • 5652
  • 5653
  • 5654
  • 5655
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”
  • Festat e fundvitit u mbyllën me këngë e valle shqiptare nga Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, New York
  • Pjeter Logoreci: “Jeta dhe vepra e Aleksandër Moisiut asht nji shëmbëlltyrë pune, kulture, vullneti e karakteri”
  • “Metamorfoza”
  • Trifon Xhagjika (20 prill 1932 – 23 dhjetor 1963)
  • POETIKA E MUNGESËS DHE KUJTESËS APO ËNDRRA SI METAFORË E IDENTITETIT LIRIK
  • Umberto Eco për librin si nevojë, jo si konsum, për bibliotekën si kabinet i mjekësisë së shpirtit
  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT