• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TREGIM PËR GERI DEMIN DHE DJEMTË E TJERË SHQIPTAR TË ASTORIAS NE NEW YORK

December 15, 2012 by dgreca

NGA KRISTAQ PAPA-Astoria , NY /

Pasditen e katër nëndorit, Geri Demi, vendosi të mos dilte nga shtëpia -sidoqë s’do të ndodhi ndonjë gjë e madhe ,përsëri më mirë s’po dal, edhe i lodhur jam, justifikoi vendimin e tij dhe pa e zgjatur shumë u fut në dush. Televizorin e la hapur, kështu i qe bëre zakon ,bile në këtë rast e ngriti volumin e zërit më shumë , sikur donte të thyente monotoninë që krijonte mungesa e prindërve të tij dhe e motrës së vetme që e donte shumë .Rastisi që ata ta kishin pronotuar këtë fundjavë të gjatë që pa u publikuar  akoma koha kur do të arrinte në NY tornado” Sandy”. Si doli që andej ,mori një birrë në frigorifer dhe u rehatua në vendin e tij të zakonshëm përball televizorit. Jashtë vazhdonte një shi që mund ta quaje të zakonshëm ,po i shoqëruar me erë. Nuk bëri asnjë ndërrim kanalesh të T V, se ishte i bindur që në të gjithë trasmetohej e njëjta gjë, informacione nga pika të ndryshme të qyteteve të rrezikuara nga Tornadoja që pritej të vinte. I erdhi për të qeshur nga pozicionimi i reporterëve  në pellgje ujë, në rrugë apo pranë ndonjë dege lisi të rrëzuar nga era .Shkëmbeu një sms me motrën dhe ajo i tha se edhe atë natë do të flinin në Florida, në pritje të rregullimit të motit dhe të rihapjes së areoporteve të N Y. Vazhdonin njoftimet për mbylljen e të gjitha shkollave publike e private për ditën e nesërme,të gjithë stacionet e trenit qytetës e ndërqytetës të të gjitha linjave;  të autobuzeve dhe të të gjitha llojeve të transportit publik,bile arrinin deri atje sa të këshillonin edhe qytetarët që pa pasur një nevojë emergjente shumë të madhe të eleminonin të gjitha lëvizjet edhe me automjetet e tyre. Ndërkohë, era qe bërë shumë më e fuqishme ,aq sa edhe xhamat e dritareve, edhe pse të dubluar, dhe që ishin në pozicion jo shumë të ekspozuar në drejtim të  sajë , filluan të kërcisnin. Pa koshiencë, u afrua te dritarja e pasi shmangu perden, përqëndroi shikimin jashtë. Blirët e rrugës edhe pse të vegjël e me kurorë jo shumë të madhe ,forca e erës i detyronte të përkuleshin aq shumë, sa gjethet e mbetura,  puthnin tokën e trungu kryesor  ngelej për minuta të tëra i harkuar, e fortë shumë qenka, i doli me zë mendimi Gerit.

Zilja  e celularit doli mbi zërin e gazetarit në T V. Zilaj e telefonit tingelloi fort. Kapi telefonin dhe  qetësoi Xhaxhi Milin që e merrte nga Shqipëria, duke i thënë se në lagjen e tyre nuk po  ndodh asgjë, është një natë e zakonshme dimri dhe kaq. Në sekond  iu kujtua se atje tani ishte ora gati 3 e mëngjesit.Sa të ndjeshëm jemi ne shqiptarët!

Flini xhaxhi Mili ,flini se ne jemi shumë mirë ,të fala teta Liljanës ,Klodit e Eneas ,nesër do ju marr unë,  po rrini pa merak se ne jemi mirë!

-Ashtu qoftë – I tha xhaxhai- po këtej po thonë, që aty po bëhet nami; nejse natën e mirë, – e  mbylli telefonin xhaxhai. U përqëndrua përsëri në ekran. Kamerat në pozicione fikse jepnin atë pjesë rruge që mund të filmonin dhe komentatorët komentonin se ato tani ishin si një lum i rrëmbyshëm dhe kjo dukej.  Shtëpitë në buzë të oqeanit, të kredhura në errësirë të plotë, qenë mbushur  me ujë e muret e tyre dy  apo tre kate të lartë  mundoheshin të përballonin forcën e dallgëve dhjetrametra të larta.

Ndërroi stacionin dhe i parakaluan po të njëjtat pamje, pemë  e shtylla elektrike të  thyera , makina të zëna nga shtylla apo trungje pemësh,të tjera të  zhvendosura e të përplasura kokë më kokë me njëra tjetrën. Geri filloi të besonte se diçka e rëndë kishte ndodhur dhe vazhdonte të ndodhte akoma  në ato momente.

Jepej njoftimi në tërë stacionet e TV-ve se tani tornado po prek tokën në pjesën jugore të Nju Xhersit . U bëhej thirrje banoreve, se edhe nëse nuk janë të lajmëruara familjet që janë me banim në zonat e ulëta, të afërta me bregun e oqeanit dhe që kanë mundësi që të lëviznin ,të largoheshin sa më shpejt që të ishte e mundur. U mundua të bënte dy tre telefonata me shokët në Nju Xheresi e në zonat e Kuinsit ,s’qe mundur. S’kishte sinjal. Pas disa orësh ,kur era pushoi e moti u qetësua, e ndau mendjen se më mirë do të ishte të shtrihej, mbase do ta zinte gjumi e nesër do të mësonte më shumë për atë që kish ndodhur e do të shikonte si ç’vendim do të merrte dhe si do të vepronte. Nuk e zgjati ,ora po afronte 12 ,fiku dritën dhe u shtri duke u kthyr në anën nga dritarja që e fuste gjithnjë në meditime. Gjendja gjysëm zgjuar e gjysëm në gjumë ja kthente shpesh xhamin e dritares me rrëkeza ujë, herë si ekran  tv ku rridhte një lumë e herë si një rrugë e gjatë.

 

PARALELE: DJEMTË E ASTORIAS DHE PERMBYTJET NË SHKODËR

 

… Nuk kishte gjum atë natë stuhijë. Ndërroi drejtim dhe vështronte tavanin ,po nuk i pëlqeu grija e errët e tij, që përftohej nga ndriçimi i rrugës dhe u rikthye përsëri nga dritarja .Atje vazhdonte të rridhte lumi i tejfryrë po me ujë të pastër. Gjë e mirë do t’i thosh  e ëma ,mos të jetë i trubull, do të theksonte ajo ,po i pastër mirë është, fat, mbarësi. Në këtë gjendje përgjumje iu  bë se ishte në Shkodër.Ishte mbi urën e Bunës së tejfryrë dhe qe kthyer nga e famshja Kala e Rozafës….dhe iu kujtua situata e dikurshme e përmbytjeve në Shkodër.

Qe mbërthyer para televizorit për të parë lajmet nga Shqipëria. Kronika e çoi në Velipojë, ku dikur kish bërë plazh ,në ekran portreti i  Luigjit ,buza e dridhur, duart e  rrshkura,  shikimi i tretur te stalla, që i dukej vetëm kulmi i çatisë e deklarata befasuese ….-S’kishim ca me ba ….s’patëm asnjë mundësi …ç’munt të bajsh për 10 minuta …..e pasi thith me gjithë forcën e gjoksit cigaren e ndezur ….-u tret në pakogjë kohë, mundi dhe djersa e  djemëve në mëgrim për shtatë vjet , e fundosi në ujë bashkë me 100 dosa ….po ..ani ..robt taman e kryt shëndosh…E pas tij një nënë me katër fëmijë të gjithë poshtë shtatë-tetë vjetësh –s’munda të shpëtoi asgjë nuk e prisnim ashtu si na erdh, krejt papritur –e duke hapur krahët e pushtuar fëmijët- veç këta  shpëtova- dhe gëzimi i zë vend në fytyrën e saj …

Kjo është dorë e zgjatur për ndihmë, i kujtova  vetes porosinë e profetit                                   Duhet të bëjmë diçka për këta njerëz ,të jemi pranë tyre, me zemër, me fjalë po dhe me ç ‘të mundemi, këta janë vëllezërit tanë në vështirësi që zgjasin dorën për ndihmë. Shkoi tek kompjuteri dhe shkroi me një frymë. Vërshimi i lumenjëve Drin dhe Bunë si rezultat i shirave e hapjes së portave  të digave për të mbrojtur   hidrocentralet ka përmbytur mijra familje në gjithë fushën e Shkodrës dhe të Lezhës. Ne duhet tu vijmë në ndihmë bashkëkombasve tanë me ç’të mundemi!

Ne, një grup djemësh shqipëtar të Astorias, do t’i dërgojmë ato në Shqipëri. Për ç’do informacion merrni në telefon nr…. ,dhe pa hezitim vuri numrin e telefonit të tij.Ne do të vijmë t’i marim matrialet e grumbulluara me mjetet tona, ose i dorëzoni ato  në adresën..dhe përsëri vendosi adresën e tij .Klikoi print dhe shumfishoi disa kopje.Boll janë këto, mendoi. Kështu e bëra mirë! Duhet t‘i japim fund diskutimeve për orë të tëra, për ato që bëjnë të tjerët e vetë të vegjetojmë. Duhet të bëjmë atë që mundemi ,duhet të fillojmë të bëjmë diçka e më parë se për këdo, këtë ja kemi borxh atdheut të të parëve tanë. Sapo arriti te lokali i zonës së tij, ku punonte  Kristaq Foto , vendosi kopjen e parë në derën e xhamtë, para se të porosiste kafen. E bëra fakt të kryer ,tani s’ka më hezitim e aq më pak kthim prapa. Me kafen në dorë  u ul në tavolinën  e fundit. Kafja dihesh që frkuentohej nga shumë djem të lagjes dhe ata nuk vonuan të vinin.E lexuan dhe u ulën në tavolinën e Gerit. Tani zgjidheni vetë kush do të vijë me mua të vendosim  njoftimet e tjera në Bronx,në Rixhvud  dhe qendrat e tjera ku jetojnë e mblidhen shqipëtarët.Dhe u nisën me një frymë .Jo një makinë, po dy Pa entusiazëm dhe solidaritet tek ata që takoi ,mori urime ,për atë që kishte nisë të bënte. Dhe punët rrodhën me një shpejtësi marramendëse . Të nesërmen telefonata nga pjesë të ndryshme të Nju Jorkut.  Befasia telefonata nga te gjitha anet. Dhe pyetja ime-po ju si e morët vesh? Përgjigja -nga TV “ Kultura Shqiptare” që dha me titra njoftimin e bëri thirrje për solidaritet.

-Nana,t’kam marrë në telefon për t’thanë se djëmtë po i bajnë gati e do t’i sjellin vetë tek ju mos t’mundohesh hiç me ardh’. Jemi shumë shqipëtarë këtu e ne jemi duke i lajmëruar të gjithë, se ju mbetet hatri.

– Po ti rrofsh more birë e tu baft dita njëmijë,-uroi nëna duke e mbyllur bisedën. Pas një jave u kuptua se duhej një ambient më i madh se shtëpia jonë dhe e gjeti Bujari;  Biznesmeni nga  që ishte nga viset shqiptare të Krajës, mbetur në kufijtë shtetror të Malit të Zi. Ai mori përsipër me shpenzimet e veta trasportin e gjithë ngarkesës për në Shqipëri.Të gjithë patën një kërkesë të vetme; ndihmat të shkojnë tek ata që kanë nevojë, tek më të varfërit, te më të prekurit.

Në Shqipëri  i pritën dhe i shpërndau Imami dhe personeli i xhamisë së Tabakëve. Dhe vërtet ato shkuan atje tek vëllezërit që kishin nevojë për ndihmë…….

DJEMTË SHQIPTARË TË ASTORIAS, NDIHMA PËR TË PËRMBYTURIT NGA “SAND-I”

 

….Duhet të fle, i foli vetes me zë Geri, nesër duhet të ngrihem e të shkoj në …..po dora pa urdhërin e tij e kish marrë pultin dhe e kish hapur tv … Geri s’u besonte syve. Iu duk se ekrani pat fokusuar një tabllo gjigande sureale … një rrugë makinash e mbuluar me rërë dhe mbi të kish mbirë një urë këmbësorësh druri me shkallë e në majë të sajë një makinë e kuqe, poshtë në këmbët e urës përplasur trarë,dërrasa,skafe të vegjël e të mëdhenj dhe makina të shumta,qe afruar edhe një cati e shkëputur nga shtëpia, që i kish shërbyer; në krah të djathtë, flakë që pasi kishin përpirë e kthyer në hi,   dhjetra shtëpi po fikeshin dalngadalë duke lënë pas vetes ndojë gjuhëz të vogël flake dhe tym,tym të zi …                                                                                                                                    U ul i dërrmuar në kolltuk dhe lexonte titrat, që jepnin lajme të kobshme dhe nuk donte ta besonte se tornadua e sapo kaluar kish marrë edhe shumë jetë njerëzish,kish ndarë fëmijën nga dora e prindit…kish paralizuar krenarinë e botës së qytetruar, simbolin e zhvillimit, Nju Jorkun. U çua dhe lëvizi  për nga dera. Pastaj i foli me zë asaj pjese të vetes që kish bërë këtë veprim prit ..prit është akoma herët për të dalë, tani po zbardh e për të shkuar atje ku do ti, duhet të jetë ditë dhe pale do të mund të shkosh. Iu bind gjithë qenja e tij këtij urdhëri, apo kësaj llogjike dhe u kthye përsëri. U afrua më shumë tv, bile iu duk se ai e kish fajin për ato që jepte,jo ato s’kishin ndodhur atje në realitet, ato ishin thjesht tabllo inegzistente të kësaj kutie të shëmtuar….

Filluan të trasmetohen pamjet e filmuar nga një kamer e vendosur me siguri në ndonjë helikopter..Mbetur vetëm muret rrethuse të shtëpive të djegura të vështruar nga sipër dukej si një varrezë e stërmadhe ..varrezë shtëpish…dhe në trup i shkuan morrnica ….U çua më i vendosur se kurrë e për të mos u kthyer më i tha  vetes me zëplotë, tani duhet të shkoj. Mori për siguri veç xhupit edhe mushamanë e gjatë –se të mbron nga shiu dhe era  ,mbathi çizmet e gjata të dëborës,fiku TV dhe doli nga dera …Ktheu kokën mbrapa edhe pa derën ku do ish e ëma po të ish kthyer dhe buzëqeshi me porosinë  që do t’i jepte, atë të përherëshmen.

-Hap sytë të keqen mami…nuk di pse instiktivisht u mbështoll më shumë në xhup edhe pse nuk dukej të ish shumë ftohtë. Mbase nga që e dinte që e ëma nuk ishte aty, por iu duke se edhe atje mijra km larg ku ishte ajo e shikonte dhe  me atë veprim, ja plotësoi porosinë që i dha.I hipi makinës dhe iku. Në atë mëngjes të sapo ardhur, ai eci në të gjitha rrugët deri sa i dilte trungu i parë i rrëzuar e ai s’mund të ecte më,në rrugën tjetër deri sa ta prisnin rrugën dunat e rërës së sjellë dhe dërrasat, që  e bënin të pakalueshme. U soll vërdallë, po të gjitha rrugët të bllokuara. I bëri telefon Indritit mos dinte ai ndonjë rrugë të dytë për në Bixh, s’mori informacion.Iu lut që të takoheshin tek Kiçua aty nga ora 10.

U kthye përsëri në shtëpi dhe hapi  TV.  Guvernator,Senatorë, Kongresmenë e kryetarë bashkish kishin filluar konf erencat e shtypit. Pa numërat e telefonave për informacion dhe për donacione, e ku kërkoheshin e vullnetarë. Ishte në fund të fundit shumë më e thjeshtë se Shkodra.

– Na duhen njerëz që të kenë makinat e tyre e me donacionet e tyre. Ne nuk keme asnjë strukturë të ngritur;  kemi nevojë për vullnetarë, kemi njerëz të bllokuar në shtëpia që jetojnë të vetmuar e që nuk mund të dalin. Dritat janë ndërprerë. Ujë i pishëm është bërë i papërdorshëm. Na duhet ujë, ushqime…

-Nesër,i thosh Gerit, zonja matan’ telefonit, nevojat e ngutëshme do të jenë për ujë, njerëz e mjete.

– Faleminderit …dhe u dëgjua sinjali i ndërprerjes së bisedës. Geri hodhi në letër numra telefoni, adresa rrugë të mundëshme për të kaluar dhe pa e pritur orën 10, ia mbathi tek Kiçua.Porositi kafen dhe mori pyetjen e Kiços.

– Erdhi Luli?

–  Jo- u përgjegj Geri,ishte i pamundur udhetimi, qëndruan në Florida .Mbase vijnë sonte. Për nja 4-5 ditë po –tha Kiçua gjithë Kompetencë,-janë mbyllur  aeroportet e Nju Jorkut e të Nju Xhersit.  Fati i tyre le të bëjnë pushim ata, kështu qënka e thënë, ne vuajmë këtej ata bëjnë qejf andej,bëri shaka .

Me kafen’ në dorë, Geri shkoi në tavolinën e tij të zakonshme. Erdhën Indriti, Beni, Ergersi. Është më e thjeshtë se ç’e menduam, u tha Geri shokëve. Duan ushqime, ujë, njerëz dhe mjete. Kështu që ne e kemi të  lehtë. Nuk do bëjmë njoftim për të mbledhur të holla, do të mbetemi tek mundësitë tona dhe tek ata që i kemi shokë. Të tjerët le t’i njoftojmë që mund t’i blejnë dhe po të kenë dëshirë t’i shpien vetë. Kështu bëhemi më shumë dhe zgjerohet rrethi i kontribuesëve.

Kur ma tregonte ngjarjen, Geri Demit i shkelqenin syte :Të nesërmen në mëngjes mbushem me të hollat tona makinën  me ujë të pishëm dhe me dy makina u nisëm për në destinacion. Dhe ndihmuam sa mundëm. Ishim të tjerë kur u kthyem. Tek sytë e secilit prej shokëve të mi shikoje atë që ai kish parë, atë katastrofë të paimagjinushme që kish ndodhur,po shihje edhe atë forcë të jashtëzakonshme solidarizimi atë besim të madh ,se normaliteti do te kthehej shpejt …

I kishte mbetur në mendje një detaj:  Pasi i dorzoi ujin së moshuaës 90 e ca vjeçare, iu bind lutjes së saj, që tek shtylla e lartë, pranë derës së rrënuar tw shtëpisë, të vendoste flamurin Amerikan. Shenjë krenarie amerikane…

Nëntor,  Astoria  Nju Jork.

Filed Under: Reportazh Tagged With: djemte e Astorias, Kristaq papa, NY, per Geri Demin, Tregim

SOFRA POETIKE E DIELLIT

December 15, 2012 by dgreca

TOKA DO TE JETOJE!
-21 dhjetor 2012-

NGA LEK GJOKA/

 

Dikush ka frike/
Dikush ka tmerr/ Toka eshte tu ike/
Toka do jete terr/

 

Bota do permbyset/
Oqeani do zemerohet/
Jeta do te vyshket/
Dielli do te ftohet/

 

Kush e pa kete enderr/
Mos u tremb Njeri/
Jeta s’te shikon venger/

Ne kete shekull te ri/

 

Ndonje kalendari/
I mbarohen fletet/
Por ai s’eshte i pari/
Qe rren dhe vetveten/

 

Token ketu e gjeten/
Dielli eshte ai/
Vitet rrotullohen/
Ngrohet perseri/

 

Ketu do jete Jeta/
Puthja dashuria/

Do te vij dhe vdekja/
Se nderrohet breznia/

 

Do te kete termite/
Zjarre a vullkane/
Do kete dhimbje jete/
Se do vijne suname/

 

Per bota asnjehere/
Nuk permbyset ne leter/
Le te fryj sa te doje ere/
Sot a vitin tjeter/

 

Jeta do te vazhdoje/
Dhimbja , dashuria/
Toka do te jetoje/
Bashke me te Njerezia/

 

*Dhjetor 2012
Jacksonville FLorida

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Lek Gjoka, poezi, Toka do te jetoje

PASTRAGJEDIA E SHKOLLES FILLORE NE NEWTOWN

December 15, 2012 by dgreca

Njëzet e një fëmijë dhe shtatë të rriturit u vranë në shkollën fillore të premten – flamuri në gjysmë shtize dhe mesha e lutje në gjithë Shtetet e Bashkuara/

Newtown – Connecticut : Të shtënat e djeshme me armë në një shkollë fillore në Kënektikat, e incidenti i dytë më i rëndë në historinë e Shteteve të Bashkuara, është më i fundit gjatë mandatit të parë të Presidentit Barak Obama.  
Të shtënat në një qendër tregtare në Tuson të Arizonës në vitin 2011, të shtënat në një kinema në Aurora të Kolorados në korrik dhe tani të shtënat në një shkollë fillore në Newtown të Connecticut.
        Pas secilës nga këto tragjedi, Presidenti Obama ka ngushëlluar familjet e të vrarëve dhe ka shkuar në qytetet përkatëse për t’u takuar me banorët dhe për të mbështetur të mbijetuarit.
        Disa orë pasi mori lajmin për të shtënat në Shkollën Fillore në Newtown të Connecticut, Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barck Obama shkoi në konferencën e shtypit të Shtëpisë së Bardhë për të bërë një deklaratë plot emocione. Mbi tre katër here Presidenti Obama u pa të fshijë nga dalë lotët në faqe, duke thënë se vendi ka “kaluar shumë tragjedi të këtij lloji”. Obam u ndal tre herë dhe dukej që nuk i mbante dotë  lotët, por vazhdoi dhe theksoi se vendi duhet të gjejë patjetër një mënyrë për t’i dhënë fund akteve të tilla të dhunëshme.

 “Si vend ne kemi kaluar shumë ngjarje të tilla, nëse është një shkollë fillore në Newtown,apo një qendër tregtare në Oregon, apo një tempull në Wiskonsin. Apo një kinema në Aurora, apo një rrugë në Çikago, këto lagje janë lagjet tona dhe këta fëmijë janë fëmijët tanë. Ne duhet të bashkohemi dhe të marrim masa të forta për të parandaluar tragjedi të tilla në të ardhmen, pavarësisht nga politikat”.

         Që kur Presidenti Obama u zgjodh pesidenti në vitin 2008, kanë ndodhur të paktën 10 incidente të shtënash në masë, duke përfshirë edhe ato që i përmendi në fjalën e tij.Masakra në Kënektikat ishte e dyta më e rëndë në një shkollë pas incidentit ngjashëm në Virxhinia Tek në vitin 2007, ku u vranë 32 njerëz dhe u plagosën 17.

 

Lanza familje : Dy vëllezërit Adam dhe Rayen janë bijtë e Peter Lanza, 54 vjeç vjeç, dhe Nancy (Champion) Lanza 51 vjeç.

 

 

 

Policia thotë njeriu që la të vrarë 28 njerëz, përfshirë 20 fëmijë, në një shkollë të ciklit të ultë të Konektikatit i ka rrënjët e familjes në Haverhill në pjesën Jugore New Hampshire.

  Policia e identifikoi vrasësin si Adam Lanza, 20 vjeç, i cili thanë ata është i vetmi person që ka hapur zjarrë duke marë jetën e 27 personave mes tyre 20 fëmijë në shkollën fillore në Sandy Hook Newtown, Connecticut, një komunitet vital me 27.000 njerëz i cili gjendet rreth 60 kilometra në verilindje të qytetit të Nju Jorkut. Disa raporte sugjerojnë se ai mund të ketë qenë vetë një ish-student i shkollës fillore në Sandy Hook Newtown, .

 Të paktën një prej mësuesve të shkollës fillore në Sandy Hook Newtown, është prindi vrarësit i cili ka vrarë edhe nënën e tij Nancy Lanza, e cila sipas policisë ishte një mësues zëvendësues në shkollën ku dje ndodhi tragjedia. Por emri i saj nuk paraqitet në një listë të personelit të ditës. Dhe hetuesit thanë se nuk ishin në gjendje të krijojnë një lidhje deri tani në mes të saj dhe shkollës.

 Vëllai i tij më i madh, Ryan Lanza, është marrë në paraburgim në New Jersey për t’u marrë në pyetje. Më parë, një burim i policisë e patë identifikuar gabimisht Ryan si vrasës. Ryan Lanza kishte qenë jashtëzakonisht bashkëpunues me policinë, dhe nuk ishte nën arrest, ose në arrest, por hetuesit janë ende në kërkim të matreialeve në kompjuterat e tij dhe të dhënat e telefonit. Ryan Lanza tha hetuesit rezulton se ai nuk kishte qenë në kontakt me vëllain e tij prej për vitit 2010.

 

Dy vëllezërit janë bijtë e Peter Lanza, 54 vjeç vjeç, dhe Nancy (Champion) Lanza 51 vjeç. Prindërit u martuan në Kingston, New Hampshire, në vitin 1981, sipas regjitrit themelor të qytetit. Adam Lanza  lindi në Kingston në vitin 1992.

 

Megjithëse Peter Lanza jetonte në Amesbury, kur ai u martua me gruan e tij – fëmijët jetonin në Kingston. Deri sa në vitin 2008 ata u divorcuan dhe  Peter Lanza që dikur jetonte në Haverhill kaloi në Connecticut.
Peter dhe Nancy Lanza kishin paraqitur kërkesën për divorc në vitin 2008, sipas të dhënave të gjykatës. Peter Lanza, aktualisht jetonte në Stamford, Connecticut, dhe ai thuhet se punon si një drejtor taksave për kompaninë General Electric.

 

Nancy Lanza është motra e një zyrtari të lartë të Policisë në Kingston Policisë James Champion. Natën e kaluar, ka pasur raporte që FBI ishte duke i verefikuar nëse në Kingston dikush ka folur me James Champion, por kjo nuk është konfirmuar.

 

Mirëpo, policia thotë se “Nuk është e qartë kur Nency Lanzas dhe dy djemtë e saj u shpërngulën në Connecticut, edhe pse të dhënat tregojnë se at pronën e tyre në New Hampshire e shitën në vitin 1998.

 

Adam Lanza është përshkruar nga familja dhe shokët e tij  si një student i nderi, i cili jetonte në një lagje pasanikësh me nënën e tij,

 Policia është duke examinuar një raport mjekësor ku thuhet se 20-vjeçari mund të ketë vuajtur nga një çrregullim të personalitetit, tha një nga zyrtarët e zbatimit të ligjit. Por, duhet pranuar se të paktën deri më tani, autoritetet nuk kanë folur publikisht për ndonjë motiv të mundshme.

 Një gjyshja e të dyshuarit – i cili është edhe nëna e Nancy Lanza – ishte shumë i shqetësuar për të folur, kur ploicia ka arritur të kontaktojë  me telefon në shtëpinë e saj në Brooksville, Florida

 

“Unë thjesht nuk e di, dhe unë nuk mund të bëjë një koment të drejtë tani,” tha Dorothy Hanson, 78 vjeç, me një zë të dridhur teksa ajo filloi të qajë. Ajo tha se ajo nuk kishte dëgjuar asgjë zyrtare në lidhje me vajzën e saj dhe nipat. Ajo nuk pranoi të komentojë më tej dhe e mbylli telefonin.

 

Policia thotë se Adami Lanza sipas hetimeve ka shkuar vetë në shkollë këtë mëngjes memakinën e nënës së tij, kur hyri në shkollë dhe vrau 20 fëmijë dhe shtatë të rriturit, mes tyre tre mësues para se të kryente vetëvrasje. Nëna e tij Nancy Lanza 51 vjeçe u gjet i vdekur në shtëpi në Konektikat, duke e çuar në 28 numrin e të vrarëve nga kjo tragjedi.

 

 

Në 31 vjet 61 vrasje masive nga të shtënat me armë zjarri

 

Megjithëse , dje policia tha se dyshonte që ishin dy persona hetimet tregojnë se ai ka qenë një person i armatosur, i cili hapi zjarr të pakuptimtë në një varg vrasjesh në mesin e nxënësve dhe mësuesve të një Shkolle Fillore në Connecticut të premten, ku  27 njerëz, shumica e tyre fëmijë gjetën vdekjen si pasojë e palgëve të marra bga armët.Tragjedia  e së premtes së zezë, dje në mëngjes në   Connecticut nga të shtënat me armë zjarrin është e gjashtë ku i merr jetën një numëri të madh njerëzish në Shtetet e Bashkuara  sipas të dhënave nga instituti Mother Jones.

Dhe këto janë regjistruar vetëm në 30 vitet e fundit, 61 ka qenë numëri i tragjedive nga  të shtënat masive me armë zjarri në të gjithë vendin, në të cilin të paktën mbi 200 njerëz njerëz janë vrarë. Njëmbëdhjetë e prej këtyreincidenteve, sipas të Mother Jones, në SHBA kan ndodhur në shkolla.

Tragjedia e së premtes në Shkollën Fillore Sandy Hook është i dyta për nga numëri të vrarëve në një shkollë në Shtetet e Bashkuara, kur të shtënat vdekjeprurëse në shkollë në historinë e vendit, pas asaj që ndodhi pesë vjet më parë në Virginia Tech  në të cilin 32 njerëz u vranë nga një person i armatosur në vitin 2007, sipas Mother Jones.

 

 

Deklaratë nga Sekretarja amerikane e Arsimit Arne Duncan:

   “Vrasjet në Shkolla nga të shtënat me armë zjarri  janë gjithmonë të pakuptueshme dhe tragjedi të tmerrshme. Por fjalët nuk gjenden për të përshkruar sulmin shpirtcopëtues dhe të egër në  shkollën fillore Sandy Hook – Connecticut. Si prind i fëmijëve të mi në shkollë fillore, unë nuk mund të imagjinojë ankthin dhe humbjet e pësuara sot nga komuniteti Newtown.

    “Zemrat dhe lutjet tona shkojnë shumë larg nesh për çdo prind, fëmijë, mësues, anëtar i stafit, dhe administrator në shkollën fillore Sandy Hook dhe të komunitetit përreth. Dhe në sajë lutjeve tona  për çdo prindë, a mësues, anëtar i personelit, janë ngushëllimet tona të sinqerta, për fëmijët tanë për t’i mbrojtura nga e keqja, shpesh në rrezik për veten e tyre. Ne do të bëjmë gjithçka me Zotin përpra për të ndihmuar dhe mbështetur nëshërimin e të lënduarve dhe në shërimin e e zemrave të anëtarve të famijeve që pësuan tragjedinë në Newtown. ”

 

Mësueset u vranë duke mbrojtur fëmijët

Tre mësuese u vranë në shkollën fillore të Sandy Hook, duke u përpjekur të shpëtoni fëmijët nga vrasësi i cili ishte dhe djali i një prej kolegeve të tyre, mësuese në kopsht.

Autoritetet kanë identifikuar 8 të rriturit që mbetën të vdekur të premten, Dawn Hochsprung-drejtoreshë e shkollës, 47 vjeçe, psikologen e shkollës Mary Sherlach 56 vjeçe dhe 27 vjeçaren Victoria Soto-mësuese.

Dailymail tregon se Soto sakrifikoi veten e saj duke u vendosur përballë fëmijëve, për ti mbrojtur nga plumbat

Mirë po të gjithë ndoshta e keni parë fotografinë që ka bërë xhiron e botës. Ajo është e Diane Day e cila shkoi e para tek shkolla për të mësuar aftin e motrës së saj që kishte mbetur e vrarë teksa vuri trupin e saj përpra plumbave për të shpëtuar fëmijët treguan nxnësit e saj mbas tragjedisë .

 

Si i gjithë shtypi amerikan dhe ai botërorë edhe gazeta kombëtare Bota sot,  vazhdonë të shpalosi detaje në lidhje me të shtënatpremten në mëngjes e në masë në Shkollën Sandy Hook fillore në Newtown, Connecticut, tregime që lidhen edhe për stafin e shkollës dhe mësuesit të cilët u vranë për të mbrojtur me trupin e tyre heroikisht nxënësit.

Një mësues thuhet se ka ndihmuar dy fëmijë të shmangej plumbave duke tërhequr ata në një klasë, gazeta njujorkeze Wall Street Journal ka zbuluar  një histori të shquar nga mësueseja e vrarë e orës së terapisë në shkollën Sandy Hook .

Pasi ajo mbylli derën me çelës, mësuesia e shkollës vendosi trupin e saj mbrapa derës për të mbajtur atë të mbyllur, thanë hetuesit. Më pas rezulton se mësuesia është e qëllua nga dra ashtu si dy koleget e tjera të saj në këmbë dhe në krah.”Ato ishinheroinat e kësaj tragjedie shkruan ,” WSJ.

 

 

Të gjitha Kishat shërbime fetare për njëzet e një fëmijë dhe shtatë të rriturit u vranë në shkollën fillore të premten.

 

Ndërsa tragjedia ndodhi, Mark Moore, rektori i Kishës Episkopale Shën Gjonit hapi dyert e tij për njerëzit në orë pas të shtënave dhe Peshkopi i Dioqezës Kishës Episkopale të Connecticut u kërkoi të gjitha kishave të saj për të bërë të njëjtën gjë, të mbajnë mesha dhe lutje për viktimat.

 

“Ne do të mbajmë meshë dhe lutje për viktimat, familjet e tyre dhe tërë ata që janë të prekur nga të shtënat në mendimet dhe lutjet tona për shërim dhe forcën,” shkruan në një letër të përbashkët të tre peshkopët, Rev Ian Douglas, Laura Ahrens, dhe James Curry. “Ne lutemi që ata që kanë vdekur do të qendrojnë në krahët e Perëndisë tonë të dashur dhe ata të cilit janë tani me zemracoptuar me dhimbje për ata që nuk janë më në mesin tonë nga kjo tragjedi.”

 

Manifestime të veçanata  heshtura në shwenjë nderimi u mbajtën në Katedarel Shën Rose dhe në Kishën e Bashkuar Metodiste në Newtown, i cili është gjithashtu shumë afër nga shkolla. Një meshë e madhe është planifikuar për nesrë në Adath Izraelit .

 Brian Wallace, një zëdhënës i Dioqezës Katolike të Bridgeport, tha se Kisha Saint Rose ka dërguar priftërinjët e saj në shtëpitë e atyre që janë prindërit e fëmijëve të vrarë për të përpjekur të bërë atë që ata mund të bëjnë dheimbjen e lehtësuar për njerëzit zemërcoptuar. Dhe kjo do të prekë jetën e shumë qytetarëve në Newtown, tha ai, dhe Famullisë së Kishës Shën Rose, e cila ka 3.000 anëtarë.

 Ai tha se hapja e kishave është një mënyrë për të ndihmuar.Një lutje e komunitetit me  shërbim fetar është planifikuar për sot në mbrëmje në orën 07:00 në Kishën e Parë  në Stratford.

 Dhe të dielën,Komuniteti do të mblidhet në Kishën Jeta Botërore në Shelton ku do të mbahet një roje në orën 10:30 para orës 11 kur do të nisi shërbimin e saj për paraditen.(kortezi Bota-Beqir Sina)

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Beqir Sina, CT, ne shkollen fillore, pastragjedia

ZAKONI I SKLLAVERISE….

December 15, 2012 by dgreca

Vetëm të larkmët duhet të dinë një gjë: skllevët që përmentmë, spiunë të mbetur nga regjimet e shkuara të Shqipërisë, s’kanë të bëjnë fare me VATREN. Vërtet lehin, lëpijnë, futin hundën në çdo deriçkë, – po as një në dhjetë s’ësht’ anëtar i Federatës që kam nderin të kryesoj. Dhe në qofshin shtat’ a tetë gjithsej, jan’ asish që hyjnë të pavënë re nga dera kur e gjejnë të hapur, po dalin me elegancë nga penxheria kur zbulohen prej kujdestarëve të shtëpisë…

SHKROI: Faik KONICA, 

Skllavëria, si çdo pësim tjatër, pasi rëndon ca kohë në kurriz, bëhet më në funt një zakon i pëlqyer, dhe ata që e mbajnë mi xverk e durojnë me gëzim. Veçan atyreve që lindin skllav, u është skllavëria si një natyr’ e dytë dhe ata jo vetëm s’marin vesh çdo me thënë liri, po ndiejnë një farë urrejtje për mprojtësit e lirisë dhe ushqejnë respektin më të thellë për tiranët ekspertë të shkopit dhe të zinxhirit.
Këto që thomi s’janë theori të thata. Kemi fakte historike që i provojnë. Dini të gjithë se që më 1861 e gjer më 1865, u-bë n’Amerikë një luftë civile e madhe në mes të Shteteve të Veriut e të Shteteve të Jugës. Veriu, me Lincolnin si President, i qojti gjithë skllevët të lirë. Juga nuk pëlqeu këtë veprim. Juga deshi t’a mbajë skllavërinë si një institutë legale, dhe u-nda nga Veriu duke u-prokllamuar një republikë më vete me Jefferson Davis-in si President. Fundin e di çdo njeri: Juga u-munt, Amerika u bashkua përsëri, dhe skllaveria u-çduk për gjithënjë. Lincoln-i u-vra në mbarim të luftës. Davis-i rojti gjer më 1889, si njeri prevat, -dhe bukuria është se çngjau kur vdiq ky njeri që kish derdhur aqë gjak për të mprojtur skllaverinë: ngjau kjo gjë e çuditshme, që dymij ish-skllev vazhduan duke qarë qivurin e Davis-it! Shikoni forcën e zakonit: skllavi i çliruar kish zemrën dhe dashurinë të lidhur me armikun e çlirimit.
Kur qenka ashtu natyra e njeriut, a është çudi që një shumicë Shqipëtarësh të kenë në shpirt të tyre adhurimin e zgjedhës? Bij, nipër, stërnipër skllevësh, skllev vetë, fjala liri nuk është për ta veç se një gjë misterioze dhe e rezikshme, e cila duhet ose lëftuar ose pritur me të ftohtë. Çudia është se kemi dhe n’Amerike një shumicë nga këta skllev qesharakë dhe të poshtër. Të lirë nga krahët, truri i tyre është i lidhur me zinxhirë. Dhe është bukuri të vazhdojë njeriu sielljet e kësaj kopeje. Posa u tepëron pakë kohë nga puna, ata nukë dalin të marrin erën e paqme që të qërojnë mëlçit’ e tyre nga mikrobi i oftikës, – po venë si gjërpërinj nga “konak” në “konak” dhe nga dyqan në dyqan dyke bërë propagandë kundër Fushatës. – “Ç’ësht’ ajo parti liberale?” thonë skllevët. “Ne kemi një guvernë, dhe duhet t’a mprojmë. Ato që bën guverna janë të mira. Populli në Shqipëri ësht’ i kënaqur. Mos dëgjoni çpifjet, se paratë do t’ju venë humbur”. Dhe fjalët e tyre gjejnë përkrahje nga një turm’ e errët spiunësh dhe larosh, – pseudotregëtarë gjysmë t’egër që janë në të dhënë faliment e sipër, batakçinj t’ardhur në mes të Shqipëtarëve s’dihet nga ku dhe me ç’porosi, varangjelistë të paqytetëruar me kurrizin “den-baba-den” të zbutur nga shkopi, kumarxhinj, dembelë, etj. Kjo turme, e palarë në gjithë kuptimet e fjalës, ka disa qëllime të fshehta, – dhe një qëllim sheshit, që është: të mos bëhet Shqipëria një Shtet modern i shtënë në themele të shëndosha, po të mbetet një vent i turbull dhe i dobët, i lehtë për të përmbysur kur lakmia e fqive të gjejë rastin.
Vetëm të larkmët duhet të dinë një gjë: skllevët që përmentmë, spiunë të mbetur nga regjimet e shkuara të Shqipërisë, s’kanë të bëjnë fare me VATREN. Vërtet lehin, lëpijnë, futin hundën në çdo deriçkë, – po as një në dhjetë s’ësht’ anëtar i Federatës që kam nderin të kryesoj. Dhe në qofshin shtat’ a tetë gjithsej, jan’ asish që hyjnë të pavënë re nga dera kur e gjejnë të hapur, po dalin me elegancë nga penxheria kur zbulohen prej kujdestarëve të shtëpisë.
Puna është sheshit. VATRA ka lëftuar dhe lëfton për një Shqipëri moderne, serioze dhe të nderuar. Partia liberale që u-organizua në Shqipëri, do t’mundohet të fitojë shumicën në zgjedhjet, që të vërë në veprim idealet e VATRES. Ju pëlqen ky mendim? Përkraheni me sa ju mundet Partine Liberale duke mos u vënë veshin larove, të cilët pa fjalë do të bëjnë zanatin e tyre.

Botuar më 1923

Filed Under: Editorial Tagged With: Faik Konica, Zakoni i Skllaverise

REZOLUTA CAME

December 15, 2012 by dgreca

Idrizi: Rezoluta çame, akt i fqinjësisë së mirë. Politika ia ka borxh Çamërisë/

 TIRANË- Në mbledhjen Këshillit Kombëtar të PDIU-së, kreu i kësaj force politike Shpëtim Idrizi prezantoi strategjinë e rezolutës çame, që sic beson Idrizi, do të votohet në Parlamentin e Shqipërisë.
“Sot jemi më të vendosur se kurrë ta cojmë amanetin tonë në vend. Sot para gjithë kombit e botës ky amanet ka marrë formën e rezolutës parlamentare. Aty janë porositë për tu kthyer në tokën e të parëve, për të parë varret, për pronat. Ky tekst është sot publik në dritën e diellit, sot kemi detyrë ta mbrojmë. Ne bazohemi mbi konventat evropiane të të drejtave të njeriut, bazohemi tek vlerat që kane ndërtuar botën demokratike”, tha Idrizi.
Sipas tij me votimin e kësaj rezolute, politika shqiptare do lajë borxhin që i ka Çamërisë. “Ata që s’thonë asnjë fjalë të mira të paktën ta dëgjojnë rezolutën. Është akt bashkimi dhe jo ndarje. Është një platformë e studiuar mirë është dokumenti më i rëndësishëm, që i vë kapak çështjes çame, kësaj plage të hapur të cështjes sonë kombëtare. Përkujdesja dhe shërimi i kësaj plage është aksion kombëtar, interesi i të gjithëve. Ne i kemi hyrë këtij aksioni”, komentoi Idrizi.
Kjo rezolutë sic tha Idrizi është ndër të tjera një akt që kërkon fqinjësinë e mirë dhe bashkëjetesën me ta në paqe.
“Fqinjësi e mirë do të thotë reciproritet dhe ne këtë po kërkojmë, do të thotë të njohësh të drejtat reciproke, të ulësh dhe të bisedosh, të heqësh ligjin e luftës, të nderosh të vrarët në të dyja anërt… Nëse jemi fqinjë ne duhet të merremi vesh, është akt i fqinjësisë së mirë, i ftojmë të jetojmë bashkë. Është akt kujtese, sepse partitë e mëdha e kanë harruar çështjen çame, është akt bashkimi e konsensusi, duam ta firmosin të gjithë, myslimanë, krishterë e ortodoksë, të majtë e të djathtë, është akt drejtësie evropiane mbështetemi vetëm mbi ligjet evropiane, akt patriotizmi për të gjithë se atdheu është dhe kujtimi i të parëve, ne i respektojmë ata”, shtoi Idrizi.
Ndër të tjera Idrizi deklaroi se po krijohet një front kombëtar që do firmosë një peticion pro rezolutës. Ky front, shtoi ai duhet ti kundërvihet frontit antikombëtar, atyre që janë kundër kësaj rezolute. Idrizi tha se deri më tani peticionin pro rezolutës e kanë firmosur aktivisti i shquar kombëtar Sami Repishti dhe ish-presidenti shqiptar Alfred Moisiu.(kortezi Balkanweb)

Filed Under: Opinion Tagged With: rezoluta came, Shpetim Idrizi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5660
  • 5661
  • 5662
  • 5663
  • 5664
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IRONIA DHE STILI NË DEBATET MES NOLIT DHE KONICËS 
  • MËRGIM XHEVAT KORҪA, IN MEMORIAM
  • Ardita Statovci, pedagoge pranë “Washington Conservatory of Music”: “Muzika është gjuhë universale që të mundëson ta prezantosh një copëz të identitetit e kulturës së vendit tënd në çdo anë të botës”
  • Përkujtojmë sot në përvjetorin e ndarjes nga jeta Fan Stilian Nolin, një figurë themelore të historisë dhe kulturës shqiptare
  • Festohet bukur 7-8 Marsi në Fialdelfia nga shoqata “Bijtë e shqipes”
  • Përtej mitit: identiteti si vetëdije shoqërore
  • Harmonia fetare në imazhin e një pulle postare
  • Mirash Ivanaj, 12 mars 1891-22 shtator 1953
  • Ramazani, tradita shqiptare e mikpritjes dhe harmonia ndërfetare
  • “Ajatollahu, fati i çdo sundimtari gjakatar”!
  • Departamenti i Shtetit ka publikuar një rregull përfundimtar për të ndryshuar Programin e Vizave të Imigrantëve të Diversitetit (“Programi DV”) që hyn në fuqi më 10 prill 2026
  • 50-VJET SHQIPËRIA PRITI!
  • Gjon Buzuku, nga cikli “Humanistë të hershëm shqiptarë shek XV-XVIII”
  • DIELLEZIM VLERASH PATRIOTIKE NE KUJTIM TE FAMILJES JASHARI NE FIRENCE ITALI
  • Zef Kolombi, mjeshtri i penelit dhe ngjyrave, një dritë e pashuar e artit shqiptar

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT