• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GJENERALI NË KURTH

November 8, 2012 by dgreca

Tregim nga ngjarje e dokumentuar/
Nga Vullnet MATO/
Gjeneral Telini nxori nga xhepi i xhaketës ushtarake një grusht monedha argjendi dhe i vërviti mbi kokat e turmës së fëmijëve kureshtar të grumbulluar rreth tij. Ata u turrën si pulat e uritura mbi kokrrat e misrit, duke shtyrë njeri – tjetrin me sharje fjalësh të rëndomta, kush të rrëmbente më shumë.
– Senjor, Ambrucio, më thoni në ç’gjuhë flasin?- pyeti sakaq gjeneral Telini përkthyesin e tij, një italian që zotëronte mirë tre gjuhë ballkanike.
-Flasin shqip, zoti gjeneral, – iu përgjigj përkthyesi.
-Okej, ky fshat këtu është tokë shqiptare, shënojeni në hartë!- urdhëroi sekretarin e tij, kapitenin Frenk de Limperani dhe ndihmësin major Bonacini, bashkë me tre komisionarët e tjerë.
-Jo, në asnjë mënyrë, – kërceu nënkoloneli grek, Boçaris duke tundur përveç dorës edhe barkun voluminoz nga brofja përpjetë, – Ky është fshat grek prej shekujsh, ja, dëgjoni atje tej si brohorasin burrat e fshatit! “Zito Eladha!”…
-Atëherë, si është e mundur, bijtë e tyre ta flasin shqip gjuhën e nënës?- iu kthye gjeneral Telini, duke nënqeshur me qesëndi.
Nënkoloneli Boçaris shfry u bulçitë me zemërim.
– Dëgjoni këtu gjeneral, Telini, ju jeni shumë i mençur dhe po aq trim, sa aty në Korçë, krejt i vetëm i flakët përjashta pesëdhjetë andartët grekë që u futën brenda ndërtesës ku punonte komisioni. Edhe këtu gjithashtu po i shpërfillni thirrjet e gjithë këtyre burrave fshatarë që brohorasin për Greqinë e lashtë… Por duhet të dini, se dinakëria jonë ka qenë e do të jetë gjithmonë, shumë herë më e fuqishme se trimëria juaj dhe e gjithë shqiptarëve që po merrni në mbrojtje…
Gjenerali e kundroi nënkolonelin ma habi dhe njëherësh me përçmim, për atë presion kërcënues të hapur që bëri.
– Ju, nënkolonel Boçaris, mund ëndërroni të bëni gjithçka, nga dinakëritë e njohura greke, qysh nga Kali i Trojës. Por unë ndodhem këtu i caktuar nga Lidhja e Kombeve, si kryetar i komisionit ndërkombëtar, të vendos drejtësi në kufijtë e Ballkanit. Jo të gatuaj lakra turli për të ngrënë burrat që brohorasin të paguar për interesat tuaja nacionaliste.
Sakaq prefekti Follorinës, avokat Modhi, heshti i zënë ngusht, kurse majori shqiptar Bajram Fevziu dhe prefekti i Gjirokastrës Dhimitër Berati, luhatën kryet në shenjë miratimi duke, bërë shënimet përkatëse në hartat e pastra.
Të gjithë ata ushtarakë të lartë të komisionit, ngjanin si turmë liliputësh, përpara gjeneralit shtatlartë dhe burrë me autoritet superior, në veprimet e tij të drejta e të paanshme. Por dhe me pamjen e fytyrës, prej dyzetepesëvjeçari me mustaqe të shkurtra dhe me vetulla të trasha mbi sytë largpamës me vërtitje vrojtuese.
Pas përcaktimit të vijes kufitare në territorin Peshkëpi dhe Radat, të Leskovikut, ku grekët rrëzuan njërën nga piramidat e sapongritura, komisioni vijoi në kodrat që zgjateshin nga Rrëza e Zezë deri në Libohovë. Dhe pas afro një muaji saktësimesh territoriale buzë kufirit lindor, automjetet e tyre dolën në Kakavi, ku ata ndjeheshin tepër të lodhur.
Dielli i gushtit kishte nxehur së tepërmi të gjithë tokën kufitare. Por në mbrëmje, pasi zbriti nga xhipi i tij, gjeneral Telini ndjeu se ishte më tepër i nxehur e i djersitur nga pengesat dhe sharrënajat pa fund të palës greke, sidomos të vetë nënkolonelit Boçaris që kishte dalë në armiqësi të hapur me të.
– Senjor Gjeneral, ju sot jeni mjaft i rraskapitur dhe duhet patjetër të flini shpejt për t’u qetësuar! – e këshilloi mjeku i ekipit italian, major Kortini.
Gjenerali e kundroi një grimë ngultas pastaj i tha duke miratuar me kokë:
-Po, senjor dottore, keni të drejtë, duhet të pushojmë, se nesër
segmenti i territorit shqiptar të Çamërisë ka për të na marrë shpirtin me pretendimet patologjike të grekut Boçaris, që nuk na la një ditë të punojmë të qetë.
Ata u drejtuan për t’u akomoduar në hotelin kryesor të Janinës, duke ngjitur shkallët krejt të hepuar nga lodhja.
Nënkoloneli Boçaris kishte nuhatur qysh herët se Gjenerali, me observime gjuhësore dhe me provat e gjithanshme që përdorte, do ta linte patjetër brenda kufirit shqiptar Çamërinë veriore, përpjetë rrjedhës së lumit Kalama, ku pothuajse të gjithë flisnin shqip qysh nga lashtësia. Ai lajmëroi urgjent qarqet qeveritare bashkë me krerët e Komitetit të “Vorio-Epirit”, të cilët gjatë gjithë natës u mblodhën në Janinë për të diskutuar situatën. Në debatet e ndezura, fanatikët gjaknxehtë, u ndalën te dilema, nëse duhej lënë të ikte Çamëria, që shtrihej deri te gjiri i Prevezës, apo t’i linin shtetit shqiptar Korfuzin me ujdhesat jonike…
Afër mëngjesit nënkolonel Boçaris i ra tavolinën me një grusht tejet nervoz.
-As njëra, as tjetra, do ta zgjidh vetë, – u tha ai përfundimisht, i ngazëllyer nga ideja e fiksuar në trurin e tij.
Në mëngjesin e 27 gushtit u njoftua lëvizja e autokolonës së komisionit kufitar drejt Kakavisë, ku do të fillohej nga puna. Renditja e përcaktuar u pëlqye nga të gjithë. I pari do të ecte automjeti i përfaqësisë greke, i dyti “shevroleti” shqiptar dhe i treti “xhipi” i gjeneral Telinit, për ta pasur kësisoj udhëtimin të siguruar nga udhërrëfyesit e truallit ku kishin bujtur.
Pasi pinë dhe kafen e mëngjesit në hollin e hotelit luksoz, të çlodhur tashmë nga nata, ata u nisën të gjithë njëherësh drejt Kakavisë. Dukej sikur kilometrat përpiheshin shpejt nga rrotat e ftohura gjatë natës. Vetëm kur ndodhi në afërsi të vendbanimit Delvinaq, që automjeti i palës greke “u prish” dhe u ndal në cep të rrugës për të ndrequr defektin. Atëherë doli në krye të kolonës, grupi përfaqësisë shqiptare.
Majorit Bajram Fevziu i trokiti në mendje një fije dyshimi. Megjithatë, si njohës i asaj rruge, ai filloi ecjen vendosmërisht i ndjekur nga xhipi i gjeneral Telinit. Por, kur kishin mbetur edhe tetë kilometra për të arritur Kakavijën, pikërisht pasi “shevroleti” i shqiptarit Fevziu kaloi një kthesë të fortë shkëmbore, ndodhi e papritura. Nga një lartësi e madhe, “sharrtarët” grekë rrëzuan një kope trungjesh ahu, me të cilët bllokuan krejt xhadenë.
I pari doli për të hapur rrugën shoferi Farneti dhe përkthyesi Ambrucio. Por befas “sharrtarët” lëshuan nga lart një breshëri të tmerrshme zjarri, që i rrëzoi të dy përtokë pa frymë. Breshëria e zjarrit vazhdoi pa ndërprerje mbi kabinën metalike të xhipin që filloi të bëhej shoshë nga plumbat dum-dum. Ende pa arritur të hidhte hapin e parë jashtë derës, u përmbys i vdekur major Bonacini dhe pas tij doktori Kortini.
-Ah, kurthi yt i poshtër, o i mallkuari Boçaris! – mërmëriti me vete Gjeneral Telini, duke dalë nga dera e prapme me revolverin e tij në dorë. Ai lëshoi një varg plumbash drejt vrasësve, në dukje sharrëtarë që kishin uniforma ushtarake pa kapele. Për pak sekonda breshëria nga lart u duk sikur heshti. Por pasi arma e tij e vetme, i volli të gjithë plumbat, pa shkuar pesëdhjetë metra më tej, u shtri pa frymë edhe vetë gjenerali trim Telini. Pastaj “sharrtarët” zbritën tinëz si hajdutë dhe shkrehën disa plumba të tjerë, për të prishur kokat e të vrarëve. Kur panë se viktimat nuk njiheshin më kush ishin, ata u zhdukën në thellësi të pyllit.
Kishin kaluar pak minuta, derisa arriti në “Trojën e përgjakur” Agamemnoni dinak Boçaris, duke nënqeshur lehtas dhe duke pëshpëritur me vete: “Të thashë o gjenerali latin, dinakëria greke është shumë herë më e fuqishme se trimëria juaj dhe e këtyre qeleshebardhëve që po kthehen tani mbrapsht të shohin gjëmën”
Tragjedia e paparë dhe e paimagjinuar, i bëri komisionarët shqiptarë të përkulin kryet me dhimbje mbi të vrarët e komisionit italian, dhe mbi gjeneralin martir, që humbi aty jetën për drejtësi.Major Fevziu, duke shtrënguar dhëmbët në heshtjen e vet mortore, kundroi për disa çaste grekun Boçaris që mundohej me lëvizje alarmuese të kota, për të mposhtur ngazëllimin që i hovte përbrenda dhe mendoi me trishtim, se kjo ishte edhe vetë gjëma e kufirit shqiptar, të përdhosur në shekuj nga fqinjët e pabesë.
Pas lajmërimeve të vonuara, për shkak të prishjes së linjave telefonike, alarmi i madh i kësaj tragjedie të llahtarshme ballkanike, arriti pasdite deri te kryeministri italian. Qeveria italiane, tepër e tronditur nga ky provokacion i rëndë, shpalli një ultimatum të rreptë prej shtatë pikash. Të zbuloheshin menjëherë fajtorët dhe të dënoheshin me vdekje. Përveç nderimeve shtetërore që duhet t’i bëheshin gjeneralit, Greqia ta paguante kokën e Enriko Telinit me një dëmshpërblim prej pesëdhjetë milionë franga ari.
Por çuditërisht, qeveria greke e bëri veshin krejt të shurdhër dhe heshti në mënyrë mospërfillëse, si në të gjitha rastet e incidenteve kufitare.
Atëherë, për të detyruar zbatimin e menjëhershëm të atij ultimatumi, në mëngjesin e po asaj dite, pas një bombardimi të furishëm nga ajri, një skuadrilje anijesh luftarake italiane që patrullonte përgjatë Kanalit të Otrontos, pushtoi menjëherë Korfuzin dhe ujdhesat përqark tij.
Vetëm këto veprime të rrepta luftarake, e shkundën nga vendi qeverinë tinëzare greke, e cila lëshoi deklaratën e turpshme: “Ajo egërsi e tmerrshme ndaj Telinit, pa dyshim, u takon shqiptarëve!”
Mirpo praktika e tyre tradicionale “hidh gurin e fshih dorën” nuk piu ujë në këtë rast të kobshëm. Sepse për të zbuluar fajtorët e vërtetë, Konferenca e Ambasadorëve, që u mblodh urgjentisht, dërgoi me aeroplan të posaçëm, një komision me në krye kolonelin japonez Shiboja.
Hetuesit ndërkombëtar arritën në vendngjarje, te kthesa e Zhepës ku ende dalloheshin njollat e gjakut të gjeneralit, duke pasur ndërmend të kryenin vrojtime të gjata e të hollësishme. Por kryehetuesi japonez Shiboja, pasi u mendua një grimë, vendosi të bëjë një provë të tipit “Telini” Ai nxori nga këllëfi revolverin e tij dhe shtiu tri herë në ajër. Befas dolën nga pylli ushtarët e njësisë greke të vendosur prej vitesh aty afër dhe rrethuan komisionin, duke mos pasur dijeni për ardhjen e tij.
– Stop! Hetimi mbaroi! – thirri japonezi i zgjuar, – vrasësit u zbuluan! Kur tri të shtënat e dobëta të revolverit, u dëgjuan prej tyre menjëherë, nuk është e mundur kurrsesi, gjithë ato breshëri pushkësh që vranë gjeneralin të mos arrinin në veshët e gjithë këtyre ushtarëve kufitarë të instaluar këtu ndanë pyllit!…
Pas këtij veprimi dhe kontrollit të ushtarëve nga ana e asfalisë greke, prefekti i ri i Gjirokastrës Kolë Tromara që asistoi aty, zbuloi edhe provën tjetër, orën prej floriri të Gjeneral Telinit, të njohur nga të gjithë në dorën e njërit prej ushtarëve grekë.
Atëherë qeveria Greke pranoi plotësisht fajësinë e krimit dhe përmbushi detyrimet deri në një. Duke pushkatuar edhe 24 ushtarët e paguar nga Komiteti i Vorioepirit, që u paraqitën pa kapele si sharrëtarë, për të vrarë komisionin kufitar italian. Kësisoj u mbulua me humus pylli edhe dinakërinë e të pabesit Boçaris.
Megjithatë, gjaku i gjeneralin legjendar Enriko Telini, vizoi të gjithë gjatësinë e vijës së kuqe kufitare, të shtyrë padrejtësisht shumë thellë brenda tokës shqiptare, duke lënë Çamërinë të përgjakej nga dora e zervistëve grekë, me krimet dhe dëbimet njerëzore që pasuan në vitet e ardhshëm.

 

Filed Under: Histori, Kulture Tagged With: Gjenerali ne Kurth, Telini, Vullnet Mato

TE PUSHKATUARIT E TE DENUARIT E NAFTES DHE GAZIT

November 8, 2012 by dgreca

Refleksione Psikologjike të Inteligjences nën Diktaturë/Kujtime dhe analizë psikologjike/

Nga Prof. Dr. Hazbi Shehu -New York (Ne fotografi Koco Plaku i pushkatuar)/

Në fillim të vitit 1974 u dënua Ing. Gjeolog Nuredin Skrapari, nga sektori i naftës me 15 vjet burg, për axhitacion e propagandë. Nga mbarimi i këtij viti, një grup i përbërë prej Ing. Gjeologësh, drejtues të Institutit Gjeologjik të Kërkimeve për Naftë e Gaz etj; u dënuan si sabotatorë dhe armiq. Konkretisht ata ishin: K. Plaku, M. Gjikopulli, me pushkatim; B. Alia (drejtor i Institutit), P. Murataj, Th. Nasto, Dh. Stefa, L. Nashi (drejtor i përgjithshëm), etj, me 23 deri 25 vjet. Disa muaj më vonë, K. Rama u dënua me 15 vjet burg me të njëjtin motivacion si sabotator dhe armik; sepse nuk ishte dakord me planifikimin e metrazhit të puseve të kërkimit për naftë të miratuar nga udhëheqja e partisë; ndërsa shokët e grupit të tij u përjashtuan nga instituti dhe i dërguan punëtorë. Në vitin 1986 u sajua një grup tjetër sabotatorësh dhe armiqsh, përsëri në Institutin Gjeologjik. Ky grup përbëhej nga P. Xhaxhka (drejtor i Institutit), E. Veizi (N/drejtor), Ing. Gjeolog M. Arapi, Ing. Gjeofizik P. Sadushi, etj dhe u dënuan me 23 deri 25 vjet burg.

Këtu po paraqes disa nga faktet e jetuara, sepse kam punuar gjithë jetën në këtë Institut; nga themelimi e deri në mbylljen e tij (1965-2005). Këta kolegë, përveç izolimit nga familja, shoqëria dhe puna i nënshtroheshin dhe torturave trupore dhe mendore në burg. Me ardhjen e demokracisë, inxhinierët e pafajshëm dolën nga burgu. Tani ata ishin të lirë, por të shkatërruar fizikisht dhe moralisht. Sot shumica e tyre nuk ndodhen në mes të të gjallëve. Në burg ata ndjenin një vuajtje edhe më të tmerrshme se ajo e goditjeve fizike: kujtimi i familjeve, sidomos i fëmijëve të vegjël të lënë në mëshirën e fatit, gërryente dhe e rëndonte shumë ndërgjegjen e brëndshme të tyre. Askush nuk guxonte t’i ndihmonte këto familje, sepse do të quheshin armiq. Çfarë faj kishin fëmijët e vegjël në lulëzim, të mbeteshin rrugëve, pa ushqim, pa shkollë dhe pa të ardhme. Ngacmimi i ndjenjave shpirtërore, si rrjedhojë i vuajtjeve famijare, e kryesisht i fëmijëve mund ta transformojë trurin nga gjendja normale në fazën e c’mendurisë. Frazat e përdorura nga hetuesit “Pranoni fajet tuaja, që familjet të mos preken”, ishin shumë më të forta, më therrëse dhe më ngacmuese sesa goditjet me shkop mbi trupin e tyre. Dashuria e djalit për një vajzë ose vice-versa edhe mund të shuhet një dite; ndërsa dashuria e prindërve për fëmijët nuk vdes. Vetëm kur të pushojë së rrahuri zemra e prindërit, atëhere nuk do të dëgjohen më fjalët e ëmbla për fëmijët. Sikur të besohej tek një jetë pas vdekjes me siguri ajo dashuri do t’i ringjallte prindërit.

Edhe kur kolegët e mi që ndodheshin në burg firmosnin fajet e pa kryera; thëniet e hetuesve “Tani familjet tuaja jetojnë në kushte normale” e ngacmonin më shumë trurin e tyre. Kjo vinte sepse ata nuk u besonin fjalëve të hetuesve. Të gjithë intelektualët Ing. që u burgosën, nuk kaluan në vetvrasje, si gjatë kohës në burg, as kur dolën nga  burgu. Kjo tregon për forcën e tyre shpirtërore të lartë dhe optimiste. Ata luftuan të bashkuar në burg, me shpresën, për të fituar mbi padrejtësitë. Si rrjedhojë fituan të drejtat, për të jetuar të lirë në demokraci.

Kolegu im Ing. Tomi Kristo, megjithëse i lirë në shoqëri, vuante shpirtërisht. Atë e detyroi regjimi diktatorial që duke shfrytëzuar gjendjen psikike të tij momentale, të firmoste një material të përpunuar nga hetuesia për të dënuar kolegët. Kjo ishte në kundërshtim me ndërgjegjen e Tomit. Menjëherë pas këtij veprimi ai filloi të diskutonte me ndërgjegjen e tij “Pse e bëra?! A jam unë njeri me të vërtetë?!” Llogjika në gjëndje normale i thoshte “Nuk ke qenë në gjendje të mirë mendore; në atë çast nuk ekzistoje si njeri i vërtetë?!” Gradualisht, ndërgjegja e pastër e ndershmërisë, godiste me gjithë fuqinë e saj, trurin e Tomit. Në kushte kur truri i punonte normalisht, ai vendosi që para se ti dorëzohej fundit fatal, të kryente detyrat e tij njerëzore. Nisur nga ndërgjegja e lartë dhe e paarritshme, i kërkoi të fejuarës ta fali duke i thenë “E dashur, të dua dhe do të dua përgjithmonë, sepse ti je pastërtia e ndërgjegjes më të lartë. Je bukuria e një jete të vërtetë, të ndershme, të cilën unë nuk e meritoj. Po të kërkoj të më dënosh si njeri jo i denjë për ty. Ti je trëndafili më i bukur që unë zgjodha në kopshtin e luleve, por detyrohem ta prish fejesën tonë. Këtë e bëj sepse nuk dua dhe nuk më pëlqen që djalli të bashkëjetojë me një ëngjëll si ti. Lamtumirë dhe të uroj fat në jetë!” Ajo duke qarë i thotë “Tomi çfarë po thua!? Unë vetëm me ty e kam lidhur jetën.” Por Tomi e përqafoi dhe u largua.

Pranverat do të vijnë njera pas tjetrës dhe lulet do të çelin, por njerëz si Tomi Kristo, për mos thenë nuk ka, rrallë do të vijnë. Goditjet e ndërgjegjes, si rrjedhojë e vuajtjeve shpirtërore shkaktojnë sëmundje të rrezikshme, që nga ndonjëherë të çojnë dhe në vetëvrasje. Rastin e firmosjes nga Tomi të materialit për të dënuar kolegët unë e shpjegoj me gjendjen jo normale mendore momentale të tij.

Unë i dënoj vetvrasjet, se ato shprehin dobësi, humbjen e optimizmit për jetën. Jetën ta ka dhenë tjetër kush dhe ti je i detyruar të jetosh; pavarësisht nga vështirësitë. Vetëvrasjen e kolegut dhe mikut tim Tomi Kristo e konsideroj therrori, sepse shpreh gjendjen shpirtërore dhe ndershmërinë e një njeriu të vërtetë, ideal.

 

 

 

 

Inxhinierët gjeolog të Institutit Gjeologjik të Naftës u burgosën si sabotatorë dhe armiq. A qëndrojnë këto akuza?!

Sabotimi në projektimin e puseve për kërkimin dhe zbulimin e vendburimeve të naftës dhe gazit nga kolegët e mi të burgosur ishte i pamundur sepse:

1) Në grupin për projektimin e puseve zgjidheshin specialistët më të aftë në profesion dhe me përvojë. Ky grup punonte për një kohë të gjatë në mbledhjen dhe përgatitjen e materialit gjeologo-gjeofizik. Pas një studimi të thellë dhe diskutimi në grupin e punës nxirreshin konkluzionet për perspektivën e rajonit. Kur rajoni konsiderohej perspektivë; zgjidhej vendi i përshtatshëm për projektimin e pusit dhe thellësia përkatëse. Ky konkuzion i grupit do të diskutohej në kabinetin e projektimit. Nëse kabineti e aprovonte propozimin e grupit të punës; atëhere materiali kalonte për diskutim dhe aprovim në Këshillin Shkencor të Institutit. Pas aprovimit nga Këshilli Shkencor, materiali dërgohej për diskututim në K/shkencor të Ministrisë. Kur materiali aprovohej nga Ministria fillonte shpimi i pusit. Pra, dhe sikur K. Plaku, M. Gjikopulli, etj, të projektonin puse me qëllim sabotimi, nuk do ta lejonin specialistët e tjerë të Kabinetit, K/shkencor të Institutit, dhe të Ministrisë. Pra sabotimi ka qenë i pamundur. Këtë e kuptonte dhe udhëheqja e lartë e partisë; prandaj ata që ta besonte populli, dënuan jo vetëm autorët por dhe drejtuesit e Institutit dhe të Ministrisë si grup armiqësor.

2) Jo vetëm unë, por të gjithë punonjësit e Institutit Gjeologjik e dinë mirë se ata nuk ishin armiq. L. Nashi, B. Alia, P. Murataj, Th. Nasto, etj ishin komunista dhe familjet e tyre të lidhura me partinë që në fillim. Nga qëndrimi i tyre në punë dhe shoqëri dukej qartë vendosmëria në mbrojtje të regjimit komunist.

3) Ishin njerëz të kulturuar dhe të edukuar.

4) Ata ishin jo vetëm specialistë të aftë, por dhe të apasionuar pas profesionit të gjeologut dhe gjeofizikut. Si mundet një njeri i dashuruar me profesionin e tij, ta denegrojë, ta poshtërojë zanatin e vetë?!

5) Unë kam qënë bashkautor me ta në punë, në terren, në përpunimin e materialit dhe në projektimin e puseve. Ata diskutonin me llogjikë të fortë prej specialisti, duke analizuar të gjithë faktorët pozitivë dhe negativë të materialit për projektimin e puseve.

6) Ata punuan me devotshmëri dhe ndershmëri në detyrën për projektimin e puseve që lidheshin me djersën e popullit.

7) Ata janë bashkautorë në zbulimet e vendburimeve të naftës dhe gazit që po shfrytëzohen sot.

8) Të gjithë punonjësit e Institutit Gjeologjik, por dhe ata që kanë punuar në sektorin e naftës, janë të bindur se inxhinierët e burgosur kanë punuar me pasion dhe ndershmëri dhe nuk kanë sabotuar.

Shënim: Qeveria Shqiptare po vendos shitjen e nëntokës për vendburimet e naftës dhe të gazit. Këta që drejtojnë sot nuk kanë punuar asnjë ditë në sektorin e naftës.  Ata duhet të zbatojnë Kushtetutën e Shqipërisë.  Zbulimi i vendburimeve të naftës dhe gazit ka kërkuar djersë dhe gjak nga inxhinierët dhe shkencëtarët e Institutit Gjeologjik. Megjithate as këta autorë të zbulimit të vendburimeve të naftës, shkencëtarë apo inxhinierë, që mbetën dhe të varfër; nuk kanë të drejtë t’i shesin burimet e naftës të kësaj nëntoke. Nëntoka dhe gjithë toka Shqiptare i përket vetëm Kombit dhe popullit Shqiptar.

Unë që po shkruaj, jam autor i zbulimit të disa vendburimeve të naftës e gazit: si V.B. Marinëz-Bubullimë-Kolonjë, Cakran, etj. Megjithate më vjen turp të mendoj për të shitur burimet nëntoksore të naftës, të Kombit tonë.

Ata që firmosin për të shitur pasurinë e Kombit dhe të popullit Shqiptar do të përgjigjen para tij një ditë.

Me respekt

Prof. Dr. Hazbi Shehu                                                           Tetor, 2012

Filed Under: Histori Tagged With: Hazbi shehu, pushkatimet ne nafte

Reperi i shquar Marty Magz nis xhirimet e videoklipit të ri ‘Droppin Heat’ në Detroit

November 8, 2012 by dgreca

Marty Magz ka deklaruar se po nis xhirimet për një videoklip të këngë së tij të re titulluar “Droppin Heat”, një bashkëpunim me artistin e talentuar shqiptar Niko. Marty Magz dhe Niko kanë punuar më parë së bashku për hititn “They Don’t Want it” në 2011.

Videoklipi do xhirohet të shtunën me 8 nëntor 2012 në Detroit, Miçigan nga drejotri i famshëm në muzikën amerikane, Jynx. Jynx njihet si një nga drejtorët më të mirë për videoklipe në industrinë e muzikës hip hop dhe ka bashkëpunuar me artistë të mëdhenj të amerikan si Kanye West, Big Sean, etj.

“Jam tepër i kënaqur për një bashkëpunimin me Niko Ulaj, anëtari i grupit tonë të përbashkët‘Mob Type’ krijuar vite më parë. Ky bashkëpunim risjell kujtime të mira. Kënga‘Droping Heat’ është mjaft e veçantë dhe jam i sigurtë që regjizori Jynx do shkrijë talentin dhe krijimarinë e tij. Besoj se ai është personi i duhur për ta bërë videon të paharrueshme dhe të paparë,” tha Marty Magz.

Marty preku suksesin në muzikë me hitin “Make it happen” në 2010 dhe kaloi majat e hip hopit amerikan me superhitin “Not Adding Up” (2012), një bashkëpunim me reperin e famshëm Gem Belushi. Marty është shfaqur në revistat dhe mediat më të njohura të muzikës hip hop, në shfaqjet më prestigjioze të MTV dhe në radion e reperit legjenda Eminem ‘Radio Shade 45’ në New York (www.mobtype.com).

“Kënga’Make it Happen’ ishte ëmbëlsira në karrierën time, ndërsa ‘Not adding up’ ft. Gem Belushi ishte shpërthimi i suksesit tim. Ndjehem shumë i nderuar të jem ftuar disa herë në radion e reperit të njohur Eminem, dhe kam respekt të veçantë për stafin, në veçanti Miss Mimi dhe Dj Black që përkrahin jashtëzakonisht lëvizjen underground të hip hopit dhe janë një zë i fuqishëm për artistët,”shton Marty Magz.

Marty Magz shpreson që videoklipi i ri të zaptojë zemrat e fansave të tij që e kanë ndjekur karrierën e tij që në vitet e grupit‘Mob Type’ në 2006. Marty Magz është me origjinë shqiptare dhe tani është pjesë e ‘Eagles Up’ Entertainmen (www.eugang.com).(E Babamusta)

Filed Under: Kulture Tagged With: Ermira Babamusta, Marty Magz, reperi i shquar

BESIMI PER TE NDJEK ENDERREN AMERIKANE

November 7, 2012 by dgreca

Nga Barak Obama*/

Faleminderit. Faleminderit. Faleminderit shumë. Sonte, më shumë se 200 vite pasi një ish-koloni fitoi të drejtën të përcaktonte fatin e vet për të përsosur bashkimin tonë, ajo po ecën përpara. Po ecën përpara prej jush. Po përparon, sepse ju riafirmuat shpirtin që fiton mbi luftën dhe depresionin. Shpirtin që ka dhënë zemër për të dalë nga thellësitë e dëshpërimit në lartësitë e shpresës. Besimin se ndërkohë që secili prej nesh ndjek ëndrrën e vet amerikane, ne jemi një familje amerikane dhe do të kemi ngritjet dhe uljet tona si një komb dhe si një popull i vetëm. Sonte në këto zgjedhje, ju populli amerikan na kujtuat se megjithëse rruga jonë ka qenë e vështirë, udhëtimi ynë ka qenë i gjatë, ne jemi ngritur, ne kemi luftuar për t’u rikthyer dhe në zemrat tona e dimë se për Shtetet e Bashkuara të Amerikës më e mira nuk ka ndodhur ende. Dua të falënderoj të gjithë amerikanët që morën pjesë në këto zgjedhje. Ata që votuan për herë të parë apo ata të cilëve iu desh të prisnin në radhë për një kohë të gjatë; meqë ra fjala, duhet ta rregullojmë këtë gjë. Ata që janë endur rrugëve për një punë apo ata që iu janë përgjigjur telefonatave. Ata që mbanin stemën “Obama” apo ata që mbanin stemën “Romney”: zëri juaj u dëgjua dhe ju sollët një ndryshim. Sapo fola me guvernatorin Romni (Romney) dhe e urova si atë edhe anëtarin e Kongresit Rajan (Ryan) për fushatën në të cilën luftuan fuqishëm. Mund të kemi bërë luftë të ashpër, por kjo për shkak se e duam vendin tonë dhe na intereson aq shumë e ardhmja e tij. Që nga Xhorxhi (George) dhe Linora (Lenore), deri te djali i tyre Mit (Mitt) – familja Romni ka zgjedhur t’i shërbejë Amerikës përmes punës së tyre në administratën publike dhe këtë trashëgimi e nderojmë dhe përgëzojmë sonte. Në javët që vijnë, pres me padurim gjithashtu të ulem me guvernatorin Romni për të parë se ku mund të punojmë bashkë për ta çuar këtë vend përpara. Dua të falënderoj mikun dhe partnerin tim të katër viteve të fundit, “luftëtarin e gëzuar” të Amerikës, zëvendëspresidentin më të mirë që do të donim: Xho Baidenin (Joe Biden). Dhe nuk do të isha burri që jam sot pa gruan që pranoi të martohej me mua 20 vite më parë; më lejoni ta them këtë publikisht, Mishel nuk të kam dashur kurrë më shumë se sot. Nuk kam qenë kurrë më krenar se sa të shoh Amerikën gjithashtu të bjerë në dashuri me ty si gruaja e parë e vendit tonë. Sasha dhe Malia, përpara syve tanë po rriteni e po bëheni vajza të zgjuara e të bukura, po ashtu si mamaja juaj. Dhe jam kaq shumë krenar për ju; por do ju thosha tani për tani një qen ndoshta mjafton. Për skuadrën më të mirë të fushatës dhe vullnetarët më të mirë në historinë e politikës, më të mirët, më të mirët e të gjitha kohëve. Disa prej jush ishit të rinj këtë herë dhe disa prej jush kanë qenë me mua që në fillim, por të gjithë jeni pjesë e familjes, pavarësisht se çfarë bëni e ku do të shkoni tani, do të mbani me vete kujtimin e historisë që bëmë së bashku dhe do të keni vlerësimin e përjetshëm të një Presidenti mirënjohës. Faleminderit që keni besuar gjatë gjithë kohës, përmes çdo kodre, përmes çdo lugine, më keni ngritur gjatë gjithë rrugës dhe gjithmonë do t’ju jem mirënjohës për gjithçka keni bërë dhe për gjithë punën marramendëse që keni bërë. E di që fushatat zgjedhore mund të duken ndonjëherë të vogla, edhe të kota ndoshta, e kjo i ushqen mirë cinikët që na thonë se politika nuk është asgjë më shumë se sa konkurrencë egosh, apo fusha e interesave të veçanta. Por, nëse ju jepet mundësia të flisni me njerëzit që erdhën në tubimet tona dhe u ngjeshën në turmë përgjatë litarit rrethues të palestrës së ndonjë shkolle të mesme, apo të shikoni njerëz që punojnë deri vonë në një zyrë fushate në konte të vogla larg shtëpisë së tyre, do të zbuloni diçka tjetër. Do të dëgjoni vendosmërinë në zërin e një organizatori të ri në terren, i cili po punon shumë për të mbaruar universitetin e dëshiron të sigurohet se çdo fëmijë do ta ketë këtë mundësi. Do të dëgjoni krenarinë në zërin e një vullnetareje, e cili shkon derë më derë, sepse vëllain e saj e hoqën nga puna kur fabrika e makinave në zonën e saj shtoi një turn tjetër. Do të dëgjoni patriotizmin e thellë në zërin e bashkëshortes së një ushtaraku, e cila po punon me telefonatat deri natën vonë për të siguruar se cilitdo që lufton për këtë vend nuk do t’i duhet të luftojë më për të gjetur një punë apo një çati për të futur kokën kur të kthehet në atdhe. Kjo është arsyeja përse e bëjmë këtë, kështu mund të jetë politika, prandaj kanë rëndësi zgjedhjet. Nuk është gjë e vogël, është e madhe, është e rëndësishme. Demokracia në një komb prej 300 milionë njerëzish mund të jetë e zhurmshme dhe e rrëmujshme dhe e ndërlikuar. Ne kemi mendimet tona, secili prej nesh ka besime thellë brenda vetes dhe kur kalojmë kohë të vështira, kur ndërmarrin vendime të mëdha si një vend i vetëm, domosdoshmërisht që kjo nxit pasion, nxit e shkakton debat. Kjo gjë nuk do të ndryshojë pas natës së sotme e nuk duhet të ndryshojë. Këto debate që bëjmë janë shenjë e lirisë sonë dhe nuk mund ta harrojmë kurrë se ndërsa flasim, njerëzit në vende të largëta po rrezikojnë jetët e tyre pikërisht tani për të pasur një mundësi debatimi për çështjet e rëndësishme, një mundësi të hedhin votën e tyre ashtu siç bëmë ne sot. Por, pavarësisht gjithë ndryshimeve mes nesh, shumica jonë ka shpresa të përbashkëta për të ardhmen e Amerikës, ne duam që fëmijët tanë të rriten në një vend ku mund të pranohen në shkollat më të mira dhe të mësohen nga mësuesit më të mirë. Për një vend, i cili jeton me meritën e trashëgimisë së tij si udhëheqës global në teknologji dhe zbulim dhe risi. Me të gjitha punët e reja dhe bizneset që pasojnë. Duam që fëmijët tanë të jetojnë në një Amerikë jo të zhytur në borxhe, e cila nuk dobësohet nga pabarazia. Që nuk dobësohet nga fuqia shkatërruese e një planeti në ngrohje. Ne duam të lëmë pas një vend të sigurtë, të respektuar, të çmuar në gjithë botën. Një komb që mbrohet nga ushtria më e fortë në tokë dhe nga trupat më të mira që ka njohur ndonjëherë bota. Por, gjithashtu edhe një vend që kapërcen me besim këtë kohë lufte, e i cili do të formojë një paqe të ngritur mbi lirinë dhe dinjitetin e cilësdo qenieje njerëzore. Ne kemi besim për një Amerikë bujare. Një Amerikë tolerante, të hapur për ëndrrat e vajzës së një emigranti, e cila studion në shkollat tona dhe betohet përpara flamurit tonë. Për të riun nga pjesa jugore e Çikagos, i cili shikon jetë përtej qoshes së rrugës. Për fëmijën e punonjësit të mobiljeve në Karolinën e Veriut, i cili dëshiron të bëhet doktor apo shkencëtar dhe inxhinier apo sipërmarrës, diplomat apo edhe President. Kjo është e ardhmja për të cilën shpresojmë, vizioni i përbashkët që kemi. Pikërisht atje duhet të shkojmë. Përpara. Pikërisht atje duhet të shkojmë. Por edhe do të kemi mosmarrëveshje, ndonjëherë të ashpra, për mënyrën se si mund t’i arrijmë këto – siç ka ndodhur për më shumë se dy shekuj, përparimi do të vijë edhe me hope, nuk është gjithmonë vijë e drejtë, rruga nuk është gjithmonë e lëmuar. Por në vetvete pranimi se kemi shpresa dhe ëndrra të përbashkëta nuk do të mbyllë gjithë vendnumërotë, nuk do të zgjidhë gjithë problemet tona ose të zëvendësojë gjithë punën e lodhshme për të arritur në pajtim apo për të bërë gjithë kompromiset e vështira me qëllim për ta çuar vendin përpara. Megjithatë, kjo lidhje e përbashkët është pika ku duhet t’ia nisim. Ekonomia jonë po rimëkëmbet. Po përfundon një dhjetëvjeçar lufte. Fushata e gjatë tani përfundoi. Dhe pavarësisht nëse e fitova votën tuaj apo jo, ju kam dëgjuar, kam mësuar prej jush dhe ju më keni bërë President më të mirë; me historitë dhe përpjekjet tuaja kthehem në Shtëpinë e Bardhë më i vendosur dhe më i frymëzuar për punën që na pret për të ardhmen përpara nesh. Sonte ju votuat për veprim, jo për politikë si zakonisht. Na zgjodhët që të përqendrohemi në punët tuaja, jo tonat. Dhe në javët dhe muajt e ardhshëm pres me padurim të takohem dhe punoj me drejtuesit e të dyja partive për t’u përballur me sfidat që mund t’i zgjidhim vetëm bashkë; të ulim deficitin, të reformojmë kodin tonë të taksave, të rregullojmë sistemin e emigracionit, të çlirojmë veten nga nafta e huaj. Kemi akoma më shumë punë për të bërë! Por kjo nuk do të thotë se ju e mbaruat punën tuaj. Roli i qytetarit në demokracinë tonë nuk mbaron me votën tuaj. Amerika nuk ka pasur kurrë të bëjë me çështjen se çfarë mund të bëhet për ne, por me atë se ç’mund të bëhet nga ne, puna e vështirë, shkurajuese, por e domosdoshme e vetëqeverisjes. Ky është parimi mbi të cilin u themeluam. Ky vend ka më shumë pasuri se çdo komb, por nuk na bën kjo të pasur. Kemi ushtrinë më të fuqishme në histori, por nuk na bën kjo të fortë. Universiteti ynë, kultura jonë, janë zilia e botës, por pikërisht kjo bën që bota të vijë në brigjet tona. Ajo që e bën të veçantë Amerikën janë lidhjet që mbajnë të bashkuar vendin më të shumëllojshëm në botë, besimi se ndajmë një fat, se ky vend funksionon vetëm kur presim të kemi detyrime ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj brezave të ardhshëm, në mënyrë që liria për të cilën kanë luftuar dhe dhënë jetën kaq shumë amerikanë të shoqërohet me përgjegjësi, ashtu si edhe me të drejta dhe mes tyre janë dashuria dhe bamirësia dhe detyra dhe patriotizmi. Kjo e bën Amerikën të mrekullueshme. Jam plot shpresë sonte sepse kam parë të funksionojë shpirti në Amerikë. E kam parë në biznesin familjar, pronarët e të cilit janë gati të heqin rrogën e tyre përpara se të shkurtojnë nga puna fqinjët e tyre dhe te punëtorët që janë gati të shkurtojnë orët e tyre më mirë se sa të shikojnë kolegun të humbasë punën. E kam parë tek ushtarët që regjistrohen përsëri në shërbim, pasi kanë humbur një gjymtyrë dhe te Marinsat (SEALS) që mësynin shkallëve në errësirë dhe rrezik sepse e dinin që kishin një shok pas tyre, i cili u ruante shpinën. E kam parë në brigjet e Nju Xhersit dhe Nju Jorkut, ku drejtuesit e të gjitha partive dhe niveleve të qeverisjes i kanë lënë mënjanë ndryshimet mes tyre për të ndihmuar komunitetin të marrë veten nga shkatërrimi i një stuhie të tmerrshme. E pashë edhe atë ditë në Mentor të Ohajos, ku një baba tregoi historinë e vajzës së tij 8-vjeçare, beteja e gjatë e së cilës me leuçeminë thuajse u kushtoi familjes së tyre gjithçka kishin po të mos kishte ndodhur miratimi i reformës së sigurimeve shëndetësore pak muaj përpara se kompania e sigurimeve të ndalonte mbulimin financiar të mjekimit të saj. Pata mundësinë jo vetëm të flisja me të atin e saj, por edhe të takoja vajzën e tij të mrekullueshme. Dhe kur ai foli me turmën, të dëgjoje historinë e atij babai, të gjithë prindërit në dhomë u përlotën, sepse e dinim që ajo vajzë e vogël mund të kishte qenë vajza e gjithsecilit prej nesh. Dhe e di se çdo amerikan dëshiron të ketë të ardhme po aq të ndritshme. Këta jemi ne. Ky është vendi të cilin jam krenar ta udhëheq si Presidenti juaj. Dhe sonte, pavarësisht gjithë vështirësive që kemi kaluar, pavarësisht shkurajimeve të Uashingtonit, nuk kam qenë kurrë më shumë i mbushur me shpresë për të ardhmen tonë. Nuk kam qenë kurrë me më shumë shpresë për Amerikën tonë. Dhe ju kërkoj ta mbani atë shpresë. Nuk po flas për optimizëm të verbër, për atë lloj shprese, e cila shpërfill pafundësinë e punëve që na presin apo pengesat përgjatë rrugës. Nuk po flas për idealizmin e dëshiruar që na lejon vetëm të ulemi në anë apo t’i bëjmë bisht luftës. Gjithmonë kam besuar se shpresa është ajo gjëja kokëfortë brenda nesh që këmbëngul, me gjithë provat e shumta për të kundërtën, se diçka më e mirë na pret përsa kohë kemi kurajën ta kërkojmë, të punojmë për të, të luftojmë për të. Amerikë, besoj se mund të arrijmë më shumë mbi përparimin që kemi bërë dhe të luftojmë për vende të reja pune dhe mundësi të reja dhe siguri të re për klasën e mesme. Besoj se mund ta mbajmë premtimin e themelimit tonë, idenë se nëse je gati të punosh fort, nuk ka rëndësi se kush je apo nga vjen apo ç’pamje ke apo çfarë dëshiron. Nuk ka rëndësi nëse je amerikan i zi apo i bardhë, amerikano-hispanik apo aziatik apo vendas, i ri apo i moshuar, i pasur apo i varfër, i aftë apo me paaftësi fizike, homoseksual apo heteroseksual. Mund t’ia dalësh këtu në Amerikë nëse je i gatshëm ta provosh. Besoj se mund ta kapim së bashku këtë të ardhme, sepse nuk jemi aq të përçarë sa na tregon politika. Nuk jemi aq cinikë sa na konsiderojnë. Arrijmë përtej shumës së ambicieve tona të marra së bashku dhe mbetemi diçka më shumë se sa një koleksion shtetesh të kuq e shtetesh blu, jemi dhe do të jemi përherë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe së bashku me ndihmën tuaj dhe hirin e Perëndisë do të vazhdojmë të udhëtojmë përpara dhe t’i kujtojmë botës se ç’do të thotë të jetosh në vendin më të mrekullueshëm mbi tokë. Faleminderit Amerikë. Zoti na bekoftë. Zoti i bekoftë këto Shtete të Bashkuara.

*Fjalimi i Obames pas fitores

Filed Under: Editorial Tagged With: Barak Obama, endrra amerikane, presidenti

OBAMA FITUES: BASHKEPUNIM I NGUSHTE ME REPUBLIKANET

November 7, 2012 by dgreca

 

 

Presidenti Obama, fituesi i zgjedhjeve të 6 nëntorit / Presidenti u shpreh me ton të vendosur për të bashkëpunuar me republikanët gjatë katër viteve të ardhshme/

Presidenti Barack Obama doli fitimtar nga zgjedhjet e djeshme presidenciale përkundrejt rivalit të tij republikan Mitt Romney, duke i dhënë fund kështu një fushate të gjatë dhe negative. Presidenti Obama shënoi fitoren në shtetet e pavendosura dhe pas numërimit të 84 përqind të votave ai kryeson me më pak se 1 përqind 49.6 ndaj 48. 9 të kandidatit republikan Mitt Romney. Por votat elektorale, nga ana tjetër i dhanpë atij një fitore të thellë, ai siguroi 303, nga 270 të nevojshme. Duke folur mbrëmë, para përkrahësve të tij në Çikago, Presidenti përshëndeti zotin Romney dhe duke shprehur optimizëm për 4 vjetët e ardhshëm:

“Unë besoj se ne mund të mbajmë gjallë premtimin e themeluesve të vendit tonë, ideja se me punë, pa patur rëndësi se kush je dhe nga vjen, se si dukesh, ose se me kë je në dashuri, nuk ka rëndësi nëse je zezak apo i bardhë, hispanik, aziatik apo indiano-amerikan, i ri apo i moshuar, i aftë apo i paaftë, homoseksual apo jo, ju mund të keni sukses në Amerikë, nëse jeni të gatshëm të përpiqeni.

Presidenti u shpreh me një ton të vendosur për të bashkëpunuar gjatë katër vjetëve të ardhshme:

“Unë besoj se ne mund të punojmë për të ardhmen së bashku sepse ne nuk jemi aq të ndarë siç sugjerojnë politikat tona. Ne vazhdojmë të jemi më shumë se sa një grumbull shtetesh blu dhe të kuqe. Ne jemi dhe do të mbetemi për gjithmonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Së bashku me ndihmën tuaj dhe me mirësinë e Zotit ne do të vazhdojmë udhëtimin tonë dhe do t’i kujtojmë botës arsyet që ne jetojmë në vendin më të madh të botës”.

Presidenti Obama arriti rizgjedhjen ndaj ish guvernatorit Mitt Romney megjithë ekonominë e dobët amerikane, papunësinë e lartë, borxhin masiv të qeverisë federale dhe bllokimin politik të Washingtonit. Ekonomia ishte çështja më shqetësuese për votuesit, që u pyetën ndërsa dilnin nga qendrat e votimit dhe megjithë gjendjen e vështirë ekonomike, zoti Obama humbi vetëm dy shtete, që fitoi në vitin 2008, Indianën dhe Karolinën e Veriut. Ndërsa rezultati i zgjedhjeve të djeshme nuk solli asnjë ndryshim për sa i përket balancës së pushtetit në Washington, presidenti Obama u zotua të punojë me udhëheqësit e të dyja partive për të ndihmuar vendin të rimëkëmbet plotësisht nga recesioni më i rëndë që prej depresionit të Madh. Në Florida, një shtet që zoti Obama e fitoi para 4 vjetësh, nuk është shpallur ende fituesi.

Zoti Obama e mbajti fjalimin e fitores rreth 2 orë pasi u shpall fitues dhe më pak se një orë pasi zoti Romney ofroi humbjen me anë të një fjalimi plot kortezi.(Kortezi VOA)

Filed Under: Politike Tagged With: bashkepunim me republikanet, Obama

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5710
  • 5711
  • 5712
  • 5713
  • 5714
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT