• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVË-30 VJET FALJE DHE PAJTIM MES SHQIPTARËVE

May 1, 2020 by dgreca

-Aksionit për pajtimin e gjaqeve në Kosovë, filluar në 1 Maj 1990, i printe profesori Anton Çetta, i cili në 20 vjetorin e Kuvendit të Pajtimit te Verrat e Llukës është dekoruar me “Medaljen e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm  Dr. Ibrahim Rugova”

-Në muzeun “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova” në Prishtinë ruhet një fotografi krejt e veçantë, e Anton Çettës me Presidentin Rugova, e cila e vetme i ka shpëtuar djegies nga zjarri i vënë në atë shtëpi nga forcat serbe pata 21 viteve, në pranverën 1999/

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 1 Maj  2020/ Para  30 viteve, në 1 Maj 1990,  te Verrat e Llukës në rrethinën e Deçanit gjysëm milioni  shqiptarë u tubuan në Kuvendin e Pajtimit drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Verrat e Llukës, ku u mbajtën Kuvendet e Besëlidhjes shqiptare dhe të pajtimit të gjaqeve, janë vendi i vlerave universale kombëtare, i cili në rrethanat më të vështira ka bashkuar shqiptarët në rrugëtim për lirinë dhe pavarësinë, është theksuar gjatë viteve në përkujtim të ngjarjes historike.

Aksionit për pajtimin e gjaqeve në Kosovë i printe profesori Anton Çetta, i cili në 20 vjetorin e Kuvendit të Pajtimit te Verrat e Llukës është dekoruar nga Presidenti i Kosovës me “Medaljen e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm  Dr. Ibrahim Rugova”  për kontribut të veçantë dhënë gjatë gjithë jetës së tij për paqen, zhvillimin e demokracisë dhe kultivimin e vlerave humane.

Tubimi i njohur te Verrat e Llukës, në Deçan, i mbajtur më 1 Maj 1990, ku morën pjesë mbi 500 mijë njerëz, ishte nisma e parë e madhe për pajtimin e gjaqeve dhe ngatërresave midis shqiptarëve…Kjo nismë më vonë u shndërrua në lëvizje të rëndësishmë mbarëkombëtare.

Në muzeun “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova” në Prishtinë ruhet një fotografi krejt e veçantë, e Anton Çettës me Presidentin Rugova, e cila e vetme i ka shpëtuar djegies nga zjarri i vënë në atë shtëpi nga forcat serbe para 21 viteve – në pranverën 1999.

 Në 4 Maj 2017 Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, ka aprovuar kërkesën e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Pejës për përfshirjen e hapësirës Verrat e Llukës, në Fshatin Llukë të Epërme të Komunës së Deçanit, në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme.

Me atë rast, Ministria deklaroi se, mbrojtja e përkohshme pranohet me arsye se Verrat e Llukës karakterizohen për vlerat historike, shoqërore dhe shpirtërore, si vendndodhje historike në kuadër të kategorisë Peizazhe Kulturore.

Në këtë vend janë zhvilluar shumë ngjarje historike, që nga viti 1900 deri në vitin 1910 aty u mblodhën shqiptarët për të luftuar kundër pushtuesit osman.

Po ashtu, ky vend njihet për Kuvendin e Verrave të Llukës, Besëlidhjen e Madhe Shqiptare të Verrave të Llukës, ndërsa historiku i Verrave të Llukës kulmoi në 1 Maj 1990, ku mbi 500 mijë shqiptarë, nga të gjitha hapësirat etnike, u tubuan aty për t’u jetësuar iniciativa e rinisë shqiptare, e pasuar nga intelektualët të prirë nga Anton Çetta dhe Zekrija Cana, për Pajtimin e Gjaqeve, lëvizje kjo e cila ndikoi në bashkimin e shqiptarëve dhe lëvizjen e mëvonshme për liri, pavarësi dhe demokraci.

Me këtë akt institucionet e Kosovës shtet nga 17 Shkurti historik 2008 i shpalljes së Pavarësisë, tregojnë e vijojnë kujdesin e shtuar ndaj trashëgimisë kulturore të Kosovës, të cilën e marrin në mbrojtje, e promovojnë dhe ua përcjellin brezave si vlerë e shtetit të Kosovës. 

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Pajtimi I Gjaqeve

Shefqet Dibrani: LUSHNJEN SI E PASHË (2)

May 1, 2020 by dgreca

(Kujtime – Kukës, 13-20 dhjetor 1994)/

Shkruan: Shefqet DIBRANI/

Ditën e mërkurë, më 12 dhjetor 1994, me anijen që u nis nga porti detar në Bari të Itali, zbarkuam në portin e Durrësit. Aty na pritnin Visar Zhiti, i shoqëruar nga poeti lushnjar Ilir Levonja, ky i fundit një çun i ri, i gjatë, i pashëm dhe mjaftë entuziast, me një fjalë te Iliri ishte gërshetuar një harmoni e këtyre virtyteve në mënyrë më të mirë që kishte ditur për t’ia dhuruar natyra. Visar Zhiti, mu shfaq me një pamje engjëllore, edhe me te në Portin e Durrësit u takuam për të parën herë. Folëm si dy miq që njiheshin prej kohësh, por që nuk ishin takuar më parë.

(Legjenda: Ilir Levonja, foto nga profili i tij në Facebook)

Pasi i kaluam procedurat kufitar dhe plotësuam formularët e nevojshëm për hyrje në Shqipëri, ne u ndamë aty, me Visar Zhitin, për tu takuar në Kukës, ndërsa me Ilirin në Lushnje, pasi ai e mori për sipër të organizonte në Lushnje promovimin e librit tim të parë, i cili gjatë atij viti kishte dalë nga shtypi. Ndoshta më bënë sytë, por nëse dikush flatronte, plot entuziazëm, atë ditë ishte Ilir Levonja, i cili sakaq mori rrugën e tij për Lushnje.

Unë vija në Shqipëri me mision. Destinacioni i vetëm ishte Kukës. Atje, më 14 dhjetor 1994, mbahej përvjetori i vdekjes së poetit kuksian Agim Spahiu. Me të cilin më lidhte një miqësi e papërsëritshme. Ne kishim një letërkëmbim të rrallë dhe të begatë, letra këto të cilat janë botuar në 15 vjetorin e vdekjes, në një libër të veçantë, (qoftë si strukturë e qoftë si përmbajtje), me titull: “LETRAT E AGIMIT”, Prishtinë 2008.

Gjatë atyre viteve të fundit të jetës së Agim Spahiut, ne kishim biseduar me te, për t’ia botuar poezinë e zgjedhur në Kosovë. Ishte ëndërr e Agim Spahiut. Iu përveshëm punës, ai përzgjodhi poezitë e veta, e bashkërisht i kemi zgjedhur redaktorët, recensentët dhe botuesin, por fati i tij tragjik qëlloi të ishte më i shpejtë. Botimin e librit në Kosovë nuk e priti, që për fatin e tij të shkretë, vetëm dy javë pas vdekjes së tij u materializua. Në janar 1994, në Prishtinë u organizua promovimi i librit me poezi të zgjedhur “NJERIU MBI PIKËLLIMË”, e në mbrëmjen e asaj nate u dha një reportazh kulturor në televizion i cili në kuadër të atij bashkëpunimi që ekzistonte u transmetua edhe në RTSH, duke marrë lajmi dhen.

(Legjenda: Visar Zhiti, fotograf; autori)

Ishin këto lidhje dhe kjo miqësi, pse unë isha i ftuar special në Kukës. E udhëtimi im drejt Kukësit ishte i renduar nga dhembja për humbjen e mikut. Ceremonia e aktivitetit në Kukës shkoi mirë me gjithë nuancat e dhembjes dhe mungesës njerëzore. Erdhën miq dhe të njohur nga Tirana, në mesin e tyre, Visar Zhiti, Agim Isaku, Preç Zogaj, ndërsa nga Televizioni Shqiptar (TVSH), poeti dhe gazetari Vasil Tabaku, i cili bëri një reportazh për aktivitetin e ndodhur në Pallatin e Kulturës “Hasan Prishtina” në Kukës.

Nga ajo njohje, me Vasil Tabakun u bëmë miq, miqësi kjo që vazhdoi deri në vdekjen e tij, në muajin shkurt të këtij viti, ku papritmas, ngutshëm dhe paplanifikuar, vdekja e mori edhe Vasilin e mirë, i cili iku me shumë mall dhe me shumë dëshira të parealizuara.

(Legjenda: Me Agim Spahiun, Kukës, dhjetor 1992)

Kukësi, për ne ishte një javë e ngarkuar. Patëm vizita familjare dhe falënderime të shumta, mirënjohje e urime të pafundme, por në anën tjetër ajo gjendje na kishte rënduar javën e cila u bë e gjatë! Kthimi në Tiranë ishte i mirëpritur. Të nesërmen, më 21 dhjetor 1994, ne duhej të ishim në Lushnje, në aktivitetin që kishte organizuar Dega e Lidhjes së Shkrimtarëve në bashkëpunim me Bibliotekën e Qytetit ku do të bëhej prezantimi i librit tim me poezi “LARG PIKON HËNA”, dhe do të zhvillohej një diskutim krijues.

Filed Under: ESSE Tagged With: Kukes-Lushnje, Shefqet Dibrani

THIRRJE AMBASADËS AMERIKANE NË TIRANË: MOS DERDHNI FONDE TË TJERA PËR TË SHPËTUAR NJË KAUZË TË DËSHTUAR

April 30, 2020 by dgreca

  “DON’T THROW GOOD MONEY AFTER BAD”/

  Nga Frank Shkreli/E vërteta është se e kam të vështirë të kritikoj Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, qoftë atë në Tiranë qoftë atë në Prishtinë.  Më vjen keq sepse si pjesëtar i komunitetit shqiptaro-amerikan, për 50-vjet tani, por edhe si një shqiptaro-amerikan që kam patur privilegjin dhe nderin të punoj nga afër me shumë diplomatë amerikanë të akredituar në trojet shqiptare për disa dekada dhe për të cilët ruaj gjithnjë kujtime shumë të mira dhe respekt.  Kishim pritur për pothuaj një shekull – që Kombi amerikan, më në fund, të zyrtarizonte lidhjet historikisht mike me Kombin shqiptar, të ndërprera për një kohë të gjatë nga regjimi diktatorial komunist i Enver Hoxhës.  Falë nderës Zotit, sot kemi dy ambasada amerikane në trojet shqiptare: një në Tiranë e tjetra në Prishtinë — në Kosovën e çliruar, falë, kryesisht, ndërhyrjes ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj perëndimorë.  Për këto lidhje midis dy kombeve tona, unë si shqiptaro-amerikan dhe ne si komunitet këtu në Shtetet e Bashkuara, besoj se jemi shumë krenarë për punën e dy ambasadave tona në Tiranë dhe Prishtinë dhe në përgjithësi, gjatë tri dekadave të fundit kemi mbështetur veprimtaritë e tyre në të gjitha fushat, ose në ndonjë rast të pakëndëshëm edhe kemi heshtur për ndonjë gjë, për hir të rrethanave të mbrendshme politike në Shqipëri dhe në Kosovë. 

Por, kjo nuk do të thotë se ne si taksapagues amerikanë, me origjinë shqiptare, nuk kemi të drejtë të bëjmë vërejtje e madje edhe të kritikojmë mënyrat se si shpenzohen fondet e miratuara nga Kongresi amerikan, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën.  Shtetet e Bashkuara, nepërmjet ambasadës së tyre në Tiranë, për disa vite tani, kanë mbështetur fuqimisht me fonde dhe me ekspertiza të ashtuquajturën “Reformë në Drejtësi”, e cila sipas disa ekspertëve ka dështuar tanimë dhe sipas të tjerëve, në minimum, është e vonuar dhe nuk po zbatohet, megjithë derdhjen e fondeve të mëdha në këtë fushë nga ana e Shteteve të Bashkuara.  Nuk kam asnjë dyshim se qëllimet e ambasadës amerikane në Tiranë, historikisht, kanë qenë dhe janë qëllim-mira dhe pa hile.  Por, ama sot në fillim të vitit 2020, pas shumë vjet përpjekjesh, duhet të pranohet se megjithë masat serioze të ambasadës amerikane për reformën në drejtësi në Shqipëri, ato përpjekje, sot për sot janë, fatkeqësisht, të deshtuara.  Jo se ambasada amerikane nuk ka bërë mjaft në këtë drejtim, por për arsye se kjo klasë politike, duke filluar nga kryeministri e poshtë, nuk e do këtë reformë dhe as nuk do e zbatojnë edhe po të arrihet në letër.

Prandaj u habita kur pashë një njoftim në faqen fejsbuk të Ambasadës amerikane në Tiranë sipas të cilit, në bazë të një Memorandumi të nenshkruar të mërkurën midis USAID dhe Këshillit të Lartë të Gjyqësorit Shqiptar, është arrijtur një marrëveshje, “për të ofruar ndihmën teknike të nevojshme”, me qëllim për të zgjidhur problemin e Gjykatës së Lartë e cila sipas njoftimit të ambasadës na paska aktualisht pothuajse 35,000 dosje të prapambetura, për tu shqyrtuar.  Në njoftim thuhet gjithashtu se, “Sipas kësaj marrëveshjeje, një ekip i veçantë juristësh të zotë shqiptarë do të punësohen për të ndihmuar gjykatën që të veprojë me më shumë efikasitet dhe të mundësojë që gjykatësit të marrin vendime më shpejt.”  More, vërtetë ka njerëz që besojnë se pas historisë së dështimeve të deritanishme në reformën e drejtësisë në Shqipëri, tani do të identifikohet, “Një ekip i veçantë juristësh të zotë shqiptarë”, që do ta zbërthejnë njëherë e mirë sekretin e problemeve në sistemin juridik shqiptar, përfshirë dhe 35.000 dosjet e prapambetura dhe që nga puna e tyre të gjithë do të mbeten të kënaqur?  Beson njeri?  Ku ishin deri tani këta “juristë të zotë”?  Mos janë edhe këta pjesë e atyre juristëve të “zotë” që e kanë sjellur sistemin e drejtësisë në Shqipëri në këtë katastrofë, në të cilin gjëndet tani!  Keni ndonjë barometër të besueshëm për të matur pikëpamjet e shqiptarëve ndaj përpjekjeve për “reformën në drejtësi”, dhe ndaj juristëve të “zotë” shqiptarë në përgjithësi, megjithëse jam i sigurt se në radhët e tyre ka edhe të ndërshëm dhe profesionistë?

Vërtetë pret ambasada amerikane në Tiranë se me këtë Memorandum të nënshkruar të mërkurën midis USAID dhe Këshillit të Lartë të Gjyqësorit Shqiptar, dhe me gjithë fondet amerikane që do të derdhën përsëri “për reformën shqiptare në drejtësi”, megjithëse shuma nuk përmendet në njoftim — numri i këtyre 35.000 çeshtjeve të prapambetura, do të zvogëlohet sa më shpejt që të jetë e mundur, siç thuhet në njoftim!?

Është një thënje amerikane, “throwing good money after bad”, që në thelb i referohet një situate kur dikush shpenzon fonde shtesë, në përpjekje për të shpëtuar një plan të mëparshëm të dështuar.  Si një taksapagues amerikan, më duket se kjo nismë nuk duhej të ndodhte në këtë rast.  E kuptoj se në të kaluarën janë harxhuar shumë fonde qeveritare amerikane dhe shumë kohë është kaluar nga eskpertë amerikanë gjatë viteve në Tiranë dhe se është shumë e vështirë të pranohet se të gjitha ato shpenzime e mundime gjatë viteve kanë shkuar kot.  Por shpenzimi i fondeve të tjera shtesë, siç propozohet me Memorandumin e lartë- përmendur, mund të jetë një aventurë tjetër e rrezikshme, jo vetëm e pa dobishme për objektivin e caktuar, por mund të jetë katastrofike për systemin e drejtësisë.  Pas 30-vjetë përvojë në Shqipërinë post-komuniste, duhet të jeni të vetdijshëm se dollarët në vetvete nuk do të zgjidhin problemet në Shqipëri dhe aq më pak problemet në sistemin juridik të atij vendi.  Po të kishte qenë një firmë private amerikane që do të kishte derdhur aq shumë fonde dhe investime pa sukses në fusha të ndryshme, sa ka derdhur qeveria amerikane në Shqipëri gjatë 30-viteve të marrëdhënieve dy-palëshe– dhe jo vetëm qeveria amerikane – një firmë e tillë do të kishte falimentuar me kohë. 

Kur flasim për vlera të përbashkëta, shqiptarët mund të jenë pro-amerikanë, por jo kjo klasë politike, megjithëse, sa për sy e faqe, ata shprehen se janë më pro-amerikanët në botë dhe u pëlqen të dalin në fotografi me zyrtarë të lartë amerikanë. Pretednimet e tyre pro-amerikane janë një hipokrizi e shekullit!  Të jesh pro-amerikan do të thotë të ndajsh të njëjtat vlera me Amerikën, përfshir sensin e drejtësisë dhe respektin për njerzit, të drejtat e tyre themelore, trajtimin e barabart dhe mirëqenjen e tyre.  Janë pra një serë idesh e parimesh dhe vizionesh që përbëjnë vlerat e përbashkëta.  Nëqoftse do të merret seriozisht kjo klasë politike shqiptare, ajo duhet të bëjë më shumë në mbështetje të këtyre vlerave të përbashkëta dhe jo vetëm të flasin për to.

Shumë prej këtyre politikanëve shqiptarë, nuk kanë asgjë të bëjnë me Amerikën, as me vlerat amerikane, fatkeqësisht.  Kam drojë se kjo klasë politike e ka përcaktuar tanimë veten se në ç’drejtim do ta çojë Shqipërinë duke e vrarë të ardhmen e brezave, ndonëse në përgjithësi, animet politike autoritare të udhëheqjes janë kundër vullnetit të popullit të saj, një pjesë e të cilit po voton me kembë duke u larguar nga vendi për në perëndim, për arsye të gjëndjes së krijuar ekonomike dhe politike – përfshir mungesën e një reforme të sistemit juridik.  Kryeministri i vendit shpreh haptas admirimin e tij për udhëheqsit autokratë të rajonit dhe për sistemet politike të kontrolluara prej tyre.  A është kjo një politikë që duhet të mbështetet me fondet e taksa paguesve amerikanë?  Së fundmi, qeveria e kryeministrit Rama i ka kërkuar KE-së që Shqipëria të tërhiqet nga Konventa e të Drejtave të Njeriut, sikur vetëm Shqipëria po përballet me pandeminë.  Është modeli i drejtësisë autoritare dhe jo ai i bazuar në sistemin amerikan, që kjo klasë politike po ndërton në Shqipëri.  Jo vlerat amerikane, të ndarjes së pushteteve, përfshir sistemin juridik dhe qeverisjen demokratike, “të popullit, nga populli dhe për popullin”.  Është e qartë se këta nuk kanë dashur as nuk duan reformë në drejtësi dhe as antarësim në Bashkimin Evropian.  Kjo marrveshje midis USAID dhe Këshillit të Lartë të Gjyqësorit Shqiptar më duket si një shpenzim i kotë.

Si një shtetas amerikan, i them këto fjalë në frymën e mesazhit që kishte ndarë me kolegët e tij ish-Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry në Munich në vitin 2104:

”Jemi krenarë”, ka thënë ai se -”Ne përpiqemi që të përsosim sistemin tonë në mënyrë të hapur e transparente, me përgjegjësi për ta reformuar, për ta ndrequr ku e kur është e nevojshme dhe për ta përforcuar atë kur duhet.”  Kështuqë, ka thënë ai, ne i bashkohemi këtij dialogu me ju këtu në Munih, “duke ditur dhe duke pranuar të metat tona, por pranimi i mangësive tona nuk do të thotë se ne nuk do themi gjërat ashtu siç i shohim në vende të tjera, duke u bazuar në pikëpamjet dhe vlerat tona”.

Prandaj, është më mirë të pranohet pra se përpjekjet, sado të drejta dhe të nevojshme që janë për një reformë rrënjësore në drejtësinë shqiptare, kanë dështuar!  Jo për arsye të mungesës së vullnetit të ambasadës dhe ndihmës amerikane për reformën në drejtësi, por në saje të mos vullnetit të klasës politike e cila mbron me çdo kusht interesat e veta dhe të oligarkëve të tyre mbështetës, në kurriz të interesave dhe të drejtave dhe lirive të popullit.  Si një shtetas krenar dhe taksapagues amerikan protestoj që të vazhdohet në këtë mënyrë — që taksat e mia të përdoren për aventura dhe kauza të dështuara, për të mbajtur në pushtet një klasë politike të dështuar dhe moralisht të korruptuar e cila në thelb nuk ndanë asnjë vlerë njerëzore, morale, politike, as drejtësie me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtë e them me plot bindje por edhe me dhimbje në zemër për bashkatadhetarët e mi sepse shoh, që siç është shprehur John Kerry, 6-vjet më parë në konferencën e Munichut në lidhje me influencat e oligarkëve, sidomos në Ballkan, se 6-vjet më vonë, asgjë nuk ka ndryshuar në Shqipëri as në Kosovë. 

“Aspiratat e qytetarëve po shtypen dhe po shkelen nga interesat e oligarkëve të korruptuar, interesa këto të cilat përdorin paratë për t’i mbyllur gojën opozitës politike dhe kundërshtarëve, për të blerë politikanët dhe entet mediatike dhe për të dobësuar pavarësinë e gjykatave ndërkohë që përdorin trysni duke abuzuar me të drejtat e organizatave jo-qeveritare për të ekzistuar dhe për të vepruar në ambientin e tyre”, ka thenë Xhon Kerri.  Kjo kritikë e Zotit Kerri ndaj disa vendeve ku oligarkët, sidomos në Ballkan, kanë uzurpuar jetën politike dhe ekonomike, e ku ata në shumë raste kontrollojnë dhe përdorin median për manipulimin e politikanëve dhe të zgjedhjeve — është një referencë e qartë se në këtë mes bota perëndimore nuk ndanë me këta politikanë dhe oligarkë pasurinë e përbashkët të vlerave universale, për të cilat u fol në Konferencën e Munihut.  Oligarkët dhe interesat e tyre i kanë zënë frymën shoqërisë dhe zhvillimit të saj demokratik dhe kanë helmuar e korruptuar klasën politike dhe median, për interes të tyre.

Prandaj është më mirë, që përsa i përket reformës së dështuar në drejtësi — dhe para se të derdhen fonde të tjera amerikane si në pus pa fund — të fillohet nga e para ose të hiqet dorë fare nga një përpjekje e tillë sado e dobishme dhe sado e nevojshme që të duket të jetë kjo nismë fisnike, por e gabuar.  Për ndryshe, si përfundim, rrezikohet që populli shqiptar të humbas besueshmërinë tek ambasada dhe shpresën tek Shtetet e Bashkuara, ashtu si shumica e shqiptarëve e kanë humbur me kohë shpresën tek kjo klasë politike shqiptare, në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe gjithë spektrit politik shqiptar, pa dallim.  Mbaj mend një këshillë nga një redaktor i vjetër kur kisha filluar punën tek Zëri i Amerikës në fillim të 1970-ave — natyrisht në kontekstin e gazetarisë radiofonike të asaj kohe — i cili më pat thënë se do bëjsh gabime në karierën tënde, por kujdes e mos humb besueshmërinë tek dëgjuesit, sepse nëqoftse humb besueshmërinë tek dëgjuesit, ke humbur çdo gjë dhe të shkon mundi kot.

Frank Shkreli

U.S. Embassy-Tirana

6 hrs · 

?? | Gjykata e Lartë ka aktualisht pothuajse 35,000 dosje të prapambetura. Për të zgjidhur këtë problem, USAID dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor Shqiptar nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi më 29 prill, për të ofruar ndihmën teknike të nevojshme. Sipas kësaj marrëveshjeje, një ekip i veçantë juristësh të zotë shqiptarë do të punësohen për të ndihmuar gjykatën që të veprojë me më shumë efikasitet dhe të mundësojë që gjykatësit të marrin vendime më shpejt. Ashtu siç Shtetet e Bashkuara mbështetën fuqimisht miratimin e reformave gjyqësore, ashtu ne mbështesim fuqimisht zbatimin e plotë dhe në kohë të këtyre reformave. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Ne presim të shohim numrin e prapambetur të këyre çështjeve që zvogëlohet sa më shpejt që të jetë e mundur.

?? | The High Court currently has a backlog of almost 35,000 cases. To address this problem, USAID and the Albanian High Judicial Council (HJC) signed a Memorandum of Understanding (MOU) on April 29 to provide necessary technical assistance. Under the MOU, a special team of bright Albanian lawyers will be hired to assist the court to operate more efficiently and allow judges to make decisions more quickly. Just as the United States strongly supported the adoption of judicial reforms, we strongly support the full, timely implementation of these reforms. Justice delayed is justice denied. We look forward to seeing the backlog of cases reduced as quickly as possible

Filed Under: Politike Tagged With: Ambasades amerikane, Frank shkreli, thirrje, Tirane

DO TË NDODH PËR HERË TË PARË NË 116 VJET HISTORI…

April 30, 2020 by dgreca

Përgatiti: Dalip GRECA

 – Metroja e Pagjumë e New York-ut do të pushojë…Ky projekt zbatohet për herë të parë në historinë 116-vjeçare të metros, ku i gjithë sistemi do të ndërpresë shërbimin 24-orësh, çfarë më parë ka ndodhur vetëm në raste të ngjarjeve madhore, grevave të punojësve apo gjatë katastrofave natyrore.

 -SHBA synon të prodhojë vaksinën deri në Janar 2021…

  • Goditen teoritë konspirative: Agjencitë e inteligjencës amerikane thonë se koronavirusi i ri nuk është bërë nga njeriu, dhe as është diçka e modifikuar gjenetikisht…

                Prej kohësh Metroja, që s’fle kurrë e New York-ut ka qenë problematike si nga të pastrehët ashtu edhe nga brejtësit që gëlonin në çdo stacion të saj.Pandemia e koronavirusit e bëri më alarmante gjendjen e saj.Të pastrehët(homelessët), kanë preferuar “komoditetin” e metros, fjetjen nëpër vagona apo në hapsirat e Metros se sa të pranojnë të strehohen nëpër homeless shelters (strehimoret e të pastrehëve). Sipas statistikave janë rreth 2 mijë të tillë që kanë gjetë si strehëz metron. Situata e tanishme është alarmante. Kulmi arriti me denoncimin e një punonjësje të Metros, e cila denoncoi në rrjetet sociale dhe media defektimin e një homlessi para syve të saj.

        Por duket se kësaj situate i ka ardhë fundi. Guvernatori Cuomo ka deklaruar se i gjithë sistemi tranzit në NYC do të ndalet për t’u dezinfektuar çdo 24 orë.

           Guvernatori Andreë Cuomo njoftoi projektin e tij për të ndaluar pothuajse të gjithë trafikun e metrosë gjatë natës së vonë, në mënyrë që trenat të pastrohen e dezinfektohen. Metroja është kthyer në një nga vatrat e rerzikshme të inefktimit prej COVID-19 gjatë pandemisë. Shumë prej punonjësve janë prekur nga infeksioni dhe fatkeqsisht një pjesë kanë humbur jetën. 

Për punëtorët thelbësorë, të cilët duhet të udhëtojnë ndërmjet orëve 1 dhe 5 të mëngjesit, MTA do të sigurojë automjete falas.

            … Më në fund sistemi i Metrosë që nuk fle kurrë do të ndalet në orare të reduktuar për t’iu nënshtruar pastrimit dhe dezinfektimit rrënjësor. Ky njoftim u dha ditën e Enjte me 30 prill, prej Guvernatori Cuomo. Sipas tij sistemi i metrosë do të mbyllet çdo ditë në mes orës 1 dhe 5 të mëngjesit, duke filluar nga 6 maj në mënyrë që trenat të mund të pastrohen me dezinfektues me qëllim për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Të gjithë pasagjerëve do t’u kërkohet që të boshatisin trenat dhe metron gjatë atyre orëve, dhe policët do të detyrojnë që të largojnë njerëzit që flenë nëpër trena, homlessët.

Guvernatori nuk bëri të ditur se në sa muaj do të shtrihet mbyllja e metrosë, sa do të zgjatet, por ky projekt zbatohet për herë të parë në historinë 116-vjeçare të metrosë, ku i gjithë sistemi do të ndërpresë shërbimin 24-orësh, çfarë më parë ka ndodhur vetëm në raste të ngjarjeve madhore, grevave të punojësve, gjatë sulmeve terroriste të 11 shtatorit, apo gjatë katastrofave natyrore.

Cuomo tha se ky plan i mbylljes së metros, do t’i mundësojë Autoritetit të Transportit Metropolitan të kryejë pastrime të përditshme “agresive”.

Në fakt MTA në fillim të marsit nisi përpjekjet e pastrimit duke dezinfektuar trenat dhe autobusët çdo 72 orë dhe duke pastruar stacionet e metros, por guvernatori tha se kjo nuk ishte e mjaftueshme.

Po ashtu edhe autobusët do të pastrohen çdo 24 orë. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me linjat Metro-Northit, tha Cuomo.

MTA gjatë dy muajve të fundit ka testuar materiale pastruese dhe ka siguruar furnizime të reja që shkatërrojnë viruset, përfshirë dhe përdorimin e dritave ultravioletë.

Kryetari i bashkisë Bill de Blasio në fillim të kësaj jave propozoi mbylljen e 10 stacioneve të metrosë nga mesnata në 5 të mëngjesit në mënyrë që të pastrohen ato dhe të largoheshin të pastrehët.Por njoftimi i guvernatorit Cuomo shkon më larg se kaq: Të  472 stacionet e metrosë dhe 21 stacionet hekurudhore të Staten Island do të mbyllen, duke filluar nga ora 1 në 5 të mëngjesit, kohë kur mesatarisht udhëtojnë afërsisht 10,000 udhëtarë dhe e përdorin sistemin rreth 2 mijë të pastrehë.

NYPD do të ketë për detyrë të ndihmojë MTA për të realizuar zbrazjen e trenave dhe të metros. Policia do t’i largojë dhe të pastrehët, të cilët do të dërgohen në strehimore ose spitale, nëse nuk pranojnë, do të largohen që aty.

Konferencës së guvernatorit iu bashkëngjit përmes vidios edhe kryetari i bashkisë Bill De Blasio, i cili tha se realiteti i sotshëm i Metros është i paparanushëm, ndërsa ndryshimi është i domosdoshëm.

SITUATA E PANDEMISË NË BOTË, 24 ORËT E FUNDIT 

Bota gjatë ditës së sotme, e Enjte 30 Prill, regjistroi 5 mijë e 800 të vdekur, duke e çuar numrin e përgjithshëm të jetëve të humbura në 233 mijë e 966, ndërkohë që u regjistruan 81 mijë e 879 të infektuar gjatë 24 orëve të fundit, duke e ngritur shifrën e përgjithshme 3 milion 305 mijë e 806.

U raportua se Italia ka pasur një numër të madh të shëruarish dhe vendi ka nisë hapjen. Numri i pacientëve që janë shëruar nga virusi është 75.945, një rekord i lartë ky për ish qendrën europiane të virusit. Agjensia italiane raportoi 4,693 rikuperime që nga e Mërkura të Enjten.

Shteti apenin pati gjatë ditës së Enjte vetëm 285 të vdekur. Edhe Spanja regjistroi më pak të infektuar, 2 mijë e 740, dhe 268 të vdekur. Britania e Madhe u ngjit sipër Francës në renditjen e raportimeve të Universitetit John Hopkins. Atje u shënuan më shumë se 6 mijë të infektuar të rinj(numri i përgjithshëm i të infektuarve 171 mijë e 2530, ndërkohë që u raportuan 674 të vdekur(numri i përgjithshëm i viktimave 26 mijë e 771). Franca regjistroi vetëm 758 të infektuar të rinj dhe 289 viktima ditore.

       Kishte dy lajme të rëndësishme në 24 orët e fundit që lidhen me koronavirusin. 

        Lajmi i parë: ka të bëjë me vaksinën. Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) ka njoftuar përmes faqes së saj se 102 vaksina të mundshme për të luftuar Covid-19 janë në zhvillim në të gjithë botën. Tetë nga vaksinat e mundshme janë miratuar për provat klinike. Nga grupet e aprovuara për studime klinike te njerëzit, katër janë nga Kina, një është nga Anglia, një është nga Amerika dhe një tjetër është një grup i kombinuar amerikan dhe evropian. Gjatë ditës së sotme, e Enjte 30 prill, Dr Anthony Fauci tha se SHBA ka mundësi që ta realizojë prodhimin e vaksinës kundër koronavirusit deri në Janar 2021(më parë Dr. Fauci kishte thënë se duhen 12-18 muaj). Programi i administratës të Presidentit Trump për të përshpejtuar zhvillimin e një vaksine të mundshme të koronavirusit, të quajtur “Operation Warp Speed”, ka si qëllim të prodhojë qindra miliona doza deri në janar – kjo është e mundshme tha dr. Fauci, i cili pohoi se dhe vetë është pjesë e ekipit të përfshirë në atë projekt.

             Lajmi i dytë ka të bëjë me vendorigjinën dhe mënyrën e prodhimit të virusit.

          Duket se lajmi ka goditur ‘teoritë e konspiracionit” se COVID-19 është prodhim laboratori. Agjencitë e inteligjencës amerikane kanë arritur në përfundimin se koronavirusi i ri nuk është bërë nga njeriu, ose nuk është modifikim gjenetik. Por,ato thanë se janë akoma duke e hulumtuar origjinën e virusit, raportoi BBC.

Zëri i Amerikës raportoi sot se: “Komuniteti i inteligjencës do të vazhdojë të shqyrtojë me rreptësi informacionin dhe të dhënat në zhvillim për të përcaktuar nëse shpërthimi filloi përmes kontaktit me kafshë të infektuara apo nëse ishte rezultat i një aksidenti në një laborator të Wuhanit,”…

TABLOJA E BETEJËS KUNDËR COVID-19 NË SHBA

Shtete e Bashkuara po luftojnë në dy fronte: Testime dhe përgatitje për gjurmime, dhe në frontin e rihapjes së ekonomisë, pa harruar mjekimin dhe prodhimin e vaksinës.

Gjatë ditës së Enjte u raportuan 30 mijë e 835 të infektuar të rinj(Shifra e përgjithshme e të infektuarëve 1 milion 95 mijë e 19), ndërsa numri i të vdekurve ditor 2 mijë e 201(nga 2 mijë e 390, që ishte të Mërkurën), numri i përgjithshëm i viktimave 63 mijë e 856. Numri i të testuarve u ngjit në shifrat 6 milion 332 mijë e 995, duke i dhënë përparsi në ditët e ardhshme.

Gjatë të Enjtes shteti i New Jersey-it shënon më shumë viktima se New Yorku, duke raportua 458 të vdekur nga 306 që regjistroi New Yorku. Numri i të infektuarëve në New York shkoi në 310 mijë e 839( 4 mijë 681 të infektuar të rinj gjatë ditës së Enjte), ndërsa New Jersey me 2 mijë e 388 të infektuarit e rinj, vazhdon të mbajë vendin e dytë ndër shtete me 118 mijë e 652 të infektuar. Të dy shtetet po e rrisin numrin e të testuarëve, New Yorku ka testuar deri tani 900 mijë e 636 persona, ndërsa New Jersey 246 mijë e 934.

Massachusetts shënoi gjatë ditës së Enjte 1 mijë e 940 të infektuar të rinj dhe 157 të vdekur (numri i përgjithshëm i viktimave 3 mijë e 562), ndërsa numri i përgjithshëm i të infektuarëve 62 mijë e 205. Ilinoisi raportoi 2 mijë e 563 të infektuar të rinj(numri i përgjithshëm 52 mijë e 918), ndërsa numri i të vdekurëve të enjten u raportua 140(numri i përgjithshëm i viktimave 2 mijë e 355). California mbanë vendin e pestë ndër shtete për numrin e të infektuarëve me 49 mijë e 844(Gjatë së enjtes u raportuan 1 mijë e 279 të infektuar), numri i viktimave shkoi në 2 mijë e 14(90 të vdekur gjatë së enjtes). Pannsylvania regjistroi 2 mijë e 271 të infektuar gjatë së enjtes(numri i përgjithshëm 47 mijë e 379), ndërkohë që numri i të vdekurëve të enjten u raportua 187(numri i përgjithshëm i viktimave 2 mijë e 541). Michigani ka ulë numrin e të infektuarëve ditor, kishte vetëm 980 gjatë ditës së Enjte, ndërsa numri i viktimave, me gjithë 119 të vdekurit e së enjtes ka shkuar në 3 mijë 789.  Shifrat ditorë të vdekjeve në shtetet e tjerë gjatë së enjtes ishin: Florida 50, Teksasi 33, Louisiana 60, Connectticut 89, Georgia 34, Maryland 62, Ohio 38, Indiana 49, Virginia 30, North Carolina 25, Minnesota 24 etj.

New York, 30 prill 2020

Filed Under: Opinion Tagged With: Dalip Greca-ndalet Metroja, Ndalet metroja

Kosova, zhvillime drejt një qeverie të re…

April 30, 2020 by dgreca

-Presidenti Thaçi dekreton Avdullah Hotin si kandidat për kryeministër për të formuar Qeverinë e re të Kosovës/

-Lëvizjes Vetëvendosje në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës kërkoi masë të përkohshme/
-Lidhja Demokratike e Kosovës kërkonr seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të shtunën e 2 Majit/

-Në 25 Mars 2020, Kuvendi i Kosovës votoi mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës të kryeministrit Albin Kurti/
PRISHTINË, 30 Prill 2020-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot e ka dekretuar të propozuarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hotin, si kandidat për kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Presidenti Thaçi pas konsultimeve me partitë parlamentare gjatë javës së kaluar, ku shumica absolute e tyre u shprehën për shmangien e zgjedhjeve dhe krijimin e Qeverisë së re, sipas rezultateve të zgjedhjeve së 6 tetorit, ka marrë konfirmimin zyrtar të kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, se kjo parti ka shumicën e votave në Kuvendin e Republikës së Kosovës për ta formuar Qeverinë e re. 
“Sot kam marrë një letër nga kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Isa Mustafa, përmes së cilës ai konfirmon që i plotëson të gjitha kriteret mbizotëruese për krijimin e Qeverisë së re, duke përfshirë edhe atë të sigurimit të shumicës parlamentare për Qeverinë e re. Në përputhje me këtë letër, sapo kam dekretuar z. Avdullah Hoti si të nominuar për kryeministër të ri të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.
I pari i vendit theksoi se në ditët në vijim një Qeveri e re mund të votohet sërish në Kuvendin e Kosovës, në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe me rendin demokratik të vendit, duke marrë një legjitimitet të qartë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Presidenti Thaçi u shpreh i bindur se në politikën kosovare do të mbizotërojë arsyeja, maturia dhe pjekuria politike, duke shtuar se askush nuk duhet të pretendojë që me metoda të tjera jodemokratike mund ta marrë ose ta mbajë pushtetin.
“Të gjithë ne, si zyrtarë dhe si politikanë të Kosovës, duhet t’i respektojmë këto procedura. Duhet të pajtohemi me faktin që pushteti fitohet dhe humbet në respektim të plotë të Kushtetutës së Kosovës dhe të rendit demokratik”, ka përfunduar presidenti Thaçi.
Menjëherë pas këtij zhvillimi nga Partia e Kryeministrit në detyrë Albin Kurti u njoftua: 
“Lëvizja Vetëvendosje dorëzoi sot në Gjykatën Kushtetuese dekretin e presidentit që qartazi shkel kushtetutën për t’i bërë të bindurit e tij qeveri të ardhshme. Ne nuk do të ndalemi së mbrojtur kushtetutën dhe kushtetutshmërinë, demokracinë dhe Republikën e Kosovës.”
Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje bënë të ditur se Gjykatës Kushtetuese të Kosovës i kanë bërë kërkesë për masë të përkohshme dhe u kanë bërë thirrje deputetëve që të mos marrin asnjë veprim pa ndonjë vendim të Kushtetueses.
Po në orët e fundit u njoftua se Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar në Kuvend kërkesën me 61 nënshkrime për seancë të jashtëzakonshme për të shtunën e 2 Majit, në ora 13:00, ku pikë e rendit të ditës do të jetë zgjedhja e Qeverisë së re Kosovës. 
Kuvendi i Kosovës ka 120 deputetë dhe Qeveria e re mund të zgjedhet me votat e së paku një më shumë se gjysma e depuetëve.

Në 25 Mars 2020, Kuvendi i Kosovës pas shumë debateve e replikave në seancën plenare, më shumë se një orë para mesnate, votoi me 82 vota pro, 32 kundër e 1 abstenim mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës të kryeministrit Albin Kurti. Mocioni ishte kërkesë me nënshkrimet e 44 deputetëve, propozuar nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës – partner i koalicionit qeverisës.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës pasditen e 3 Shkurt 2020 u votua me 66 vota pro e 10 abstenime Qeveria e Republikës së Kosovës e kryeministrit Albin Kurti – liderit të Lëvizjes Vetëvendosje në bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, derisa opozita kishte braktisur sallën.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Qeveria e re

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 611
  • 612
  • 613
  • 614
  • 615
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit
  • KOLONJËN E BËJNË EMËRMADHE RILINDASIT E SAJ TË SHQUAR
  • Kosovo Between Political Noise and the Need for Civic Clarity
  • TË FALËSH, TË MOS HARROJSH!
  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT