• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Thaçi kërkon mandatarin, Kurti thotë se do t’i drejtohet Kushtetueses

April 22, 2020 by dgreca

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një konference për gazetarë, ka paralajmëruar dërgimin në Gjykatën Kushtetuese për aktgjykim veprimin dhe vendimin e presidentit Hashim Thaçi, me të cilin synohet që mandati për formimin e qeverisë së re, t’i ofrohet asaj partie politike që dëshmon se ka shumicën në kuvend.

Duke anashkaluar partinë fituese të zgjedhjeve për formimin e qeverisë, në këtë rast Lëvizjen Vetëvendosje, kryetari i këtij subjekti politik, Albin Kurti, i cili është edhe kryeministër në detyrë, tha se presidenti shkeli rendin kushtetues, kështu që lënda do të përfundojë në Gjykatë Kushtetuese.

“Vullnetin e shprehur me votë nga qytetarët po përpiqet që ta mbyll (v.j. presidenti Thaçi) me një dekret anti-kushtetues, ku do të përjashtojë partinë e parë fituese të zgjedhjeve. Nga roli unifikues dhe kompetencat që ja parashtron Kushtetuta, presidenti sot doli në ilegalitet. Andaj formalizmi i deklarimeve të sotme do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese pa dyshim”, tha Kurti.

Kurti tha se pas votimit në kuvend të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, më 25 mars, zgjedhjet janë opsioni i vetëm dhe jo formimi i qeverisë pa partinë fituese. Ai përsëriti se koha për organizimin e zgjedhjeve është pas përfundimit të pandemisë së koronavirusit.

“Duke u munduar të na rrëzojë ne ai po e rrëzon vetveten”, tha Kurti, duke iu referuar veprimeve të presidentit Thaçi dhe synimeve të tij për formimin e qeverisë së re pas mocionit të mosbesimit.

Zotimet e tij për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese Kurti i bëri në ditën kur mori letër nga presidenti Thaçi, përmes së cilës ai i bëri me dije se nuk e kishte shfrytëzuar mundësinë kushtetuese për formimin e qeverisë së re. Nisur nga ky interpretim, Thaçi mblodhi në një takim partitë politike dhe kërkoi mendimin e tyre nëse janë për zgjedhje apo për qeveri të re.

Në bazë të deklarimeve të të gjitha partive të pranishme ne takim, vetëm Lëvizja Vetëvendosje ishte në favor të organizimit të zgjedhjeve pas përfundimit të pandemisë së koronavirusit, kurse partitë tjera në favor të formimit të qeverisë së re. 

Mbi bazën e këtyre deklarimeve, Thaçi tha se do t’ia japë mandatin për forimin e qeverisë partisë që garanton shumicën në kuvend.

Gjatë diskutimeve, Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se nuk e ka refuzuar kërkesën për të propozuar mandatarin për qeverinë e re, përkundër faktit se deri më tani nuk e ka dorëzuar emrin e mandatarit.

Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje ka thënë se presidenti Thaçi është duke bërë shkelje kushtetuese me thirrjen e partive të tjera për t’u konsultuar për të formuar qeverinë e re.

“Presidenti i Republikës mund të konsultohet vetëm më partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në kuvend, qoftë shumicë absolute apo relative. Pra, ky format sot është jokushtetues. Këtë e thotë edhe Kushtetuta e Republikës se Kosovës, e thotë edhe akt gjykimi I Gjykatës Kushtetuese”, tha Haxhiu.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa deklaroi se partia e tij është e gatshme të ndërmarrë iniciativë për të formuar shumicë parlamentare, pasi sipas tij, në kohën e pandemisë së koronavirusit, nuk mund të kërkohet të mbahen zgjedhje të reja.

Ai tha se Kosova ka nevojë për një qeveri me mandat të plotë.

“Unë mund të them në emër të LDK-së, se ne vlerësojmë që në këto momente nuk duhet të shkojmë në zgjedhje dhe se duhet të bëjmë përpjekje të themelojmë një qeveri, që mund të qeverisë vendin në mënyrë normale. Qeveria në detyrë nuk i përgjigjet kërkesave që shtrohen para saj për arsye se kuvendi ka shprehur vullnetin me 82 vota me mocion (mosbesimi). Vendit i duhet një qeveri me mandat të plotë”, tha Mustafa.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se ky subjekt do të jetë në opozitë kështu që nuk pranon ftesa, siç ka thënë ai, as nga ata që shkojnë dhe e as nga ata që do të vijnë.

“Ne do presim që kur të krijohen kushtet dhe rrethanat, të kemi një momentum të ri, ku pastaj në situatën e re, kemi edhe zgjedhje të cilat janë të jashtëzakonshme”, tha Veseli. 

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj u shpreh kundër mbajtjes se zgjedhjeve të reja, por tha se përkrahë formimin e qeverisë se re.

“AAK-ja nuk është për shpërbërje të kuvendit dhe shkuarje në zgjedhje për faktin që, pasi nuk kemi qeveri dhe jemi në kohë krize, sikurse të shpërbënim edhe parlamentin do ta linim vendin pa një institucion mjaft të rëndësishëm”, është shprehur Haradinaj.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, që vjen nga LDK-ja, është shprehur kundër idesë së presidentit Thaçi për çështjen e mandatarit.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani deklaroi se Thaçi nuk mund të flasë në emër të deputetëve dhe as në emër të qytetarëve.

Takimi me liderët politikë, pason letrën që Thaçi i dërgoi liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti përmes së cilës e ka njoftuar atë se pas mungesës së përgjigjes në lidhje me caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë, në bazë të autorizimeve kushtetuese, presidenti do t’i fillojë bisedimet me liderët e partive tjera politike.

“Me keqardhje konstatoj se me veprimet tuaja nuk e keni shfrytëzuar të drejtën e propozimit të kandidatit të ri për ta formuar qeverinë, në pajtim me vendimin e KQZ-së për certifikim të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, thuhet në letrën e Thaçit drejtuar Kurtit.

Ai e ka informuar Kurtin se do të veprojë në bazë të kompetencave që i garantohen me Kushtetutë dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014.

“Më duhet t’ju rikujtoj që në pajtim me mandatin kushtetues është përgjegjësi e imja që ta ruaj stabilitetin e vendit dhe ta garantoj funksionimin demokratik të institucioneve”, ka shkruar Thaçi. 

Kështu, sipas tij, “në përputhje me nenin 95 të Kushtetutës dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. K0103/14 do të bëj konsultim të përbashkët me të gjithë liderët e subjekteve politike parlamentare për hapat e mëtejmë”.

Këtë vendim, Thaçi ka shkruar se e ka marrë pasi që Kurti dhe Vetëvendosje nuk i janë përgjigjur atij pavarësisht tri thirrjeve të bëra më 2, 10 dhe 15 prill.

Thirrjeve të presidentit Thaçi për caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti u është përgjigjur me letra që sipas tij, e argumentonin se nuk mund të ketë qeveri të re.

Në ditën kur Thaçi paralajmëroi kalimin e mandatit për formimin e qeverisë te një subjekt tjetër, duke mos e pritur më tutje Vetëvendosjen, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë filluar takimet në kuadër të përpjekjeve për arritjen e koalicionit të ardhshëm qeverisës. Liderët e të dy partive, Isa Mustafa (LDK) dhe Ramush Haradinaj (AAK) kanë zhvilluar një takim në të cilin, sipas informacioneve që u dhanë më pas, është diskutuar vetëm për lidhjen e koalicionit, por jo edhe për ndarjen e pozitave.

Besnik Tahiri, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha gjatë një konference për gazetarë se takimi kishte si qëllim trajtimin e çështjes së koalicionit. Por, ai tha se fillimisht pritet vendimi i presidentit Hashim Thaçi në lidhje me mandatin kushtetues që duhet t’ia ofrojë eventualisht, LDK-së për formimin e qeverisë.

Takimi i liderit të LDK-së, Isa Mustafa me AAK-në ishte i pari në vazhdën e krijimit eventual të një koalicioni qeverisës. Takime të ngjashme priten edhe me Nismën Socialdemokrate, Aleancën Kosova e Re, Listën Serbe si dhe komunitetet tjera joshumicë, pasi që për formimin e qeverisë, Mustafës do t’i nevojiten të paktën 61 vota në kuvend.Pergatiti per Evropa e Lire:Zijadin Gashi

Filed Under: Analiza Tagged With: Zijadin gashi

KOSOVA NUK KA PËRPARIM ME GARDËN E VJETËR POLITIKE

April 22, 2020 by dgreca

Nga Nikë Gashaj/

Sikurse është e njohur në kohën e hapjes së pandemisë së rrezikshme për shëndetin dhe jetën e njerzëve në mbarë botë dhe në Kosovë me Covid-19, Lidhja Demokratike e Kosovës në krye me Isa Mustafën bëni nismën e mocionit të mosbesimit të Qeverisë së Kurtit edhe pse ajo ishte në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje dhe pjesë e Qeverisë. Pas 50 ditëve pune të Qeverisë, LDK-së i ra pishman marrëveshjes për qeverisje. Andaj, me nismën  e LDK-së dhe me përkrahjen e Partisë Demokratike të Kosovës, Aliancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të NISMËS Socialdemokratike, më 25 mars 2020, Kuvendi i Kosovës e rrëzoi qeverinë e Kosovës, me 82 vota pro, 32 kundër dhe 1 abstinim.

        Sipas Kushtetutës së Kosovës deputetët janë përfaqësues të popullit dhe nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues. Pra deputeti përcaktohet dhe voton sipas bindjeve të veta. Mirëpo, me këtë rast, me përjashtim të 2-3 deputetëve, të tjerët votuan sipas “demokracisë” në kohë të Enver Hoxhës: “Parti Enver, jemi gati përdo herë”. Qëllimi i rrëzimit të Qeverisë së Kurtit ishte lufta për pushtet të gardës së vjetër politike e cila ka dështuar më se 20 vjetë në pushtet, si në politikën e brendëshme, ashtu dhe në politikën e jashtëme të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar. Ajo është e gatshme  për ta marr pushtetin në mënyrë jolegjitime, përpa zgjedhje të reja të parakohëshme parlamentare. Po ashtu supozohet se garda e vjetër polike është e gatshme të bëj çmos për sendërtimin e interesave të saja vetiake, parciale, egoiste, në mënyrë të ligjshme apo të pa ligjshme, edhe në dëm të interesave të përgjithshme të vendit, si dhe në dëm të ruajtjes së sovranitetit dhe integritetit shtetëror të Kosovës.                               

                                  Prapaskenat politike në dëm të Kosovës

Duke ditur prapaskenat politike në dëm të Kosovës, me rastin e nismës së mocionit për rrëzimin e qeverisë, Gjermania dh Franca i kërkuan LDK-së të tërheq mocionin për rrëzimin e Qeverisë, të njëjtën gjë e bënë dhe një grup parlamentarësh të Zvicrës, mirëpo LDK-së nuk e pranoj kërkesën e tyre. Megjithë se fare mirë dihet, se Gjermania dhe Franca e kanë rolin kryesor në integrimet në Bashkësinë Evropiane, ndërsa Kosova bar në mënyrë deklarative është përcaktuar për integrime në Bashkësinë Europiane. Po ashtu Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, pati shprehur qendrim shumë kritik ndaj nismës së LDK-së për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës. Ajo pati thënë se mocioni i LDK-së do të jetë katastrofë për Kosovën dhe mbarë rajonin. Prandaj, mocioni dhe rrëzimi i Qeverisë paraqet një papërgjegjësi të madhe politike të LDK-së,  por dhe të gjithë atyre që votuan pro, rrëzimit të një qeverie demokratike, legjitime dhe reformiste.  Përfundimisht, ajo mund të quhet edhe politikë antikombëtare. Por dhe më shumë, rrëzimi i qeverisë së Kosovës, në kohën kur tërë bota ballafaqohet me një luftë të ashpër për mbrojtjen e shëndetit publik, për jetën e njerzëve nga pandemia e rrezikshme nga koronavirusi Covid -19, garda e vjetër politike e Kosovës, para botet po na tyrpëron si popull shqiptarë në përgjithësi. 

Në lidhje me atë, parashtrohet pyetja: sikurse presidenti shumë i nderuar historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, të gjallej e të çohej nga varri, çka kishte me thënë për partinë aktuale LDK-së. Me siguri kishte me thënë se kjo nuk është partia tij! Andaj, nuk dij pse Vjosa Osmani, një intelekuale e shquar dhe parimore, akoma gjindet në strukura të tilla kuadovike të një parti të tillë, e nuk formon një parti tjetër të saj, me një rreth intelektualësh të mirëfillë, me njohje të larta profesionale dhe shqiptarë të vërtetë. Jam i bindur se vetëm në atë mënyrë mund t’i kontribonte më së miri interesave të vendit dhe interesave të përgjithshme të qytetarëve të Kosovës.

        Pas rrëzimit të Qeverisë, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në pajtim me Kushtetutën duhet të bëj shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës dhe të vendosi për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të  parakohëshme parlamentare, kur të krijohen kushtet, pas kalimit të pandemisë nga korana virusi Covid-19. dhe në bazë të rezultateve të atyre zgjedhjeve të bëhet formimi i Qeverisë së re. Mirëpo, sikur duket Presidenti i vendit nuk dëshiron me veprua sipas Kushtetutës, por mandatin për formimin e Qeverisë së re don me ia ofrua LDK-së, për çka ajo e bëni dhe rrëzimin e Qeverisë së Kurtit. Për formimin e Qeverisë së re LDK-së është dakordua me AAK, NISMËN Socialdemokrate dhe Listën Serbe. Natyrisht, se për këtë çështje  kushtetuese duhet të vëndosi Gjykata Kushtetuese e Kosovës.       

        Qeveria e Kurtit në detyrë, respektivisht Ministria e Shëndetësisë në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, dhe në kordinim me ministritë  të tjera, si dhe në bashkëpunim me kryetarët e komunave përmes Asociacionit të komunave kanë marrë vendim për ndërmarrjen e masave  të domosdoshme për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19, për të mbrojtur shëndetin publik në Kosovë. Ndër të tjera janë dhe masa të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve. Në pyetje është shëndeti i qytetarëve, respektivisht jeta e tyre. Masat janë marrë dhe në bazë të përvojave të shtetëve të tjera, si dhe në bazë të rekomandimit të Organizatës Botërore të Shëndetësis. 

            Komisioni Evropian  kritikon rrëzimin e qeverisë së Kurtit

Zëdhënësja e Komisionit Evropian për çështje të zgjerimit, Ana Pisonero, ka thënë se rrëzimi i qeverisë e shpie Kosovën në një situatë të vështirë politike në kohën e përballjes me koronavirusin. Ajo bëni thirrje që liderët politikë të veprojnë me përgjegjësi në interesin e popullit. Më tutje theksoi:“Ajo çfarë i duhet Kosovës është stabilitet dhe përpjekje për të luftuar koronavirusin dhe mbrojtje të shëndetit të qytetarëve. Hapat tjerë pas votës së mosbesimit duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.

                 Bashkimi Evropian  i përkrah masat e Qeverisë Kurti kundra

                                    epidemisë nga korona virusi Covid -19.

        Shefja e Zyres së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Nataliya Apostolova e ka përgëzuar ministrin e shëndetësisë, Arben Vitia dhe Qeverinë Kurti për masat që kanë ndërmarrë për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19. Ajo më tutje ka thënë se Bashkimi Evropian do ta mbështesë Kosovën për tejkalimin e situatës së vështirë që e ka shkaktuar epidemia e koronavirusit.        

                                    Fjala e kryeministrit, Albin Kurtit

 Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një Konferencë për medie kërkoj mbështetjen e qytetarëve për të parandaluar përhapjen e epidemisë të konaverusit në Kosovë. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Institutit kombëtar të Shëndetit Publik, që të mbajnë pastërtinë, të qëndrojnë në distancë me njëri-tjetrin dhe të mos dalin nga shtëpia pa nevojë të madhe. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sërish u është drejtuar qytetarëve me një videomesazh që të qendrojnë në shtëpi sepse ajo është shpëtimi. Po ashtu theksoj, se dhe Diasporës i ka bërë thirrje dhe mërgimtarët po ndihmojnë, bizneset po ndihmojnë. Por për ta fituar këtë betejë duhet të ndihmojnë gjithsecili duke respektuar masat. Sepse luftimi i pandemisë nuk mund të bëhet pa solidaritet. Nëse lëvizjet e qytetarëve janë minimale, suksest janë maksimale.   

                 Deputetë të Parlamentit Evropian në përkrahje të Kurtit

        Disa deputetë dhe ish-deputetë të Parlamentit Europian i kanë dërguar letër kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit. Anëtarët e PE, Tanja Fajon nga Sllovenia, Tonio Picula nga Kroacia, Andreas Schieder nga Austria, Evin Incir nga Suedia, Viola von Cramon –Taubadel nga Gjermania dhe Knut Fleckenstein, ish –antar i PE nga Gjermania, janë shpehur të shqetësuar për situatën politike në Kosovë pas mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë. Ata kanë thënë se pasi të kalojë kriza e coronavirusit, zgjedhjet e reja mund të jenë rruga e duhur për të ecur përpara në përputhje  me kushtetutën e Kosovës.

        Deputetët kanë inkurajuar Kurtin që të vazhdoj luftën kundër çdo keqpërdorimi të krizës së coronavirusit. Kjo mund të jap vetëm argumente shtesë atyre që janë duke punuar kundër Kosovës, nënvizuan ata.       

            Garda e vjetër politike e Kosovës kundra masave të Qeverisë për

                    mbrojtjen e shëndetit publik nga pandemia Covid-19

        Për befasi, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe partitë politike opozitare dhe LDK, i kundërshtojnë masat e Qeverisë, të ministrisë të shëndetësisë dhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, për parandalimin dhe luftën e smundjes ngjitëse COVID-19, për ta mbrojtur  shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Kjo paraqet një presidencë në botën bashkëkohore. Ata po thonë se masat e tilla nukë janë kushtetuese. Nga ajo rrjedh, se sipas tyre qytetarët nuk duhet me i respektua masat e Qeverisë dhe ministrisë së Shëndetësisë, por duhet me dalë me sa më shumë me lëvizë, edhe nëse infektohen, edhe pse të vdesin, nuk ka gajle, se ata ashtu mbrojnë Kushtetutën e vendit. 

        Jam i mëndimit se masat e lartpërmendura të qeverisë për mbrojtjen e shëndetësisë publike, e kanë mbështetjen në Konventën Evropiane për Mbrojtjen të Drejtave të Njeriut, Neni.15. Andaj, është e njohur se të drejtat ndërkombëtare kanë primat mbi legjislacionin kombëtar dhe drejtpërsëdrejti zbatohen, e që është e përcaktuar dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Neni, 22.

         Në anën tjetër, shtetet tjera të botës të goditura me pandemi, nuk po bëjnë  vërtetimin e kushtetutshmerisë, megjithëse disa e kanë shpallur dhe disa nukë e kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, sepse jeta e njerëzëve është në rëndë të parë. Për shembull, Mali i Zi, nuk e ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, por në anën tjetër ka marr vendime dhe masa shumë rigoroze për lëvizjen e qytetarëve dhe askujt nuk i bjen ndërmend për vlerësimin e kushtetutshmerisë, por të gjitha forcat progresive janë të bashkuara në luftë kundra armikut të përbashët në mënyrë të disciplinuar për mbrojtjen e shëndetësisë  dhe të jetës së qytetarëve. 

        Komuna e Tuzit për 3 javë ka qenë në karantinë, në mënyrë totalisht e izoluar, që ka paraqit vështirësi të madhe për banorë të Malësisë. Mirëpo, ata maksimalisht i kanë zbatua vëndimet dhe masat e marruna nga institucionet shtetërore dhe atyre të shëndetësisë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit COVID-19. Në këtë mënyrë qytetarët e Tuzit/Malësisë, kanë treguar një disciplinë dhe përgjegjësi të duhur, për çka qeveria dhe Instituti për Shëndetësi Publike, në veçanti iu janë falenderua dhe i kanë lëvdua si shembull pozitivë në Mal të Zi, për respektimin e masave të mbrojtjes të shëndetësis publike nga pandemia Covid-19.

Prandaj, tëra vendet në botë u përshtaten gjëndjes objektive të mbrojtjes të shëndetsisë publike, nga një rrezik që ka përfshi tërë globin botëror. Andaj, në praktikë në tërë botë, faktikisht, vetë coronavirusi Covid -19, e ka shpall gjendjen e jashtëzakonshme. Ndërsa organet shtetërore e kanë për detyrë në mënyrë maksimale me u organizua, me marrë vendime dhe masa për mbrojtjen e shëndetit publik, respektivisht  të shëndetit dhe të jetës së qytetarëve. Tëra bisedat tjera janë iracionale. Mirëpo, kjo nuk vlen për gardën e vjetër politike të Kosovës. Ajo mund të quhet mjerim dhe fatkeqësi! Por ka gjasa se edhe zoti, ka çuar duar prej tyre!

  37  Intelektualë e akademikë botërorë e përkrahin Kurtin dhe popullin e Kosovës

          Pas rrëzimit së qeverisë së Kosovës, një grup prej 37 intelektualësh dhe akademikësh nga vende të ndryshme të botës, janë solidarizuar me Albin Kurtin dhe popullin e Kosovës. Në letrën e tyre të publikuar, ndër të tjerat thuhet”: Një akt paprecedent ndolli në Parlamentin e Kosovës. Përderisa vendi – sikurse shumë vende tjera – është goditur nga pandemia, qeveria e re e Kosovës, e cila mori pushtetin vetëm në fillim të shkurtit, po menaxhonte situatën mirë. Kishte ndërmarrë masa të ashpra parandaluese, përderisa popullatën po e mbante të qetë dhe pa panik. 

        Përhapja e virusit është mbajtur më efektshëm sesa në vendet fqinje, pjesërisht për fat të fatkeqësisë së izolimit të Kosovës, që aktualisht është vendi i vetëm në Evropë me regjim vizash për zonën Schengen. Edhe pse qeveria e re gëzon mbështetje nga shumica e votuesëve, ajo ka shqetësua interesat e elitave të vjetëra, që kanë qeverisur Kosovën për 20 vjet. Meqë kjo qeveri kundërshton privatizimin dhe politikat neoliberale sikurse edhe korrupsionin e ngulitur, një aleancë joformale kundër saj u arrit mes gardës së vjetër politike dhe korporatave private lokale. 

        Kjo aleancë “e panatyrshme” gjeti për mentor Richad Grenellin, diplomati i pazakontë trupian, në kërkimin e sukseseve të lehta të politikës së jashtme që mund të krijojnë përfitime shtesë për fushën e tanishme të Trumpit dhe qëndrimin politik. Tehnikat e famshme të Grenellit për përdredhje të krahut u përdorën për të shtyrë qeverinë e Kosovës të pranonte një marrëveshje të padrejtë dhe të rrezikshme me Serbinë, e cila përfshin ndryshime në kufijtë e tanishëm dhe në këtë mënyrë shpërnguljet e njerëzve.

        Sipas shumë analistëve të Ballkanit, ndryshime të tilla kufitare do të përfshijnë shkëmbime të popullsisë – dhe me të, edhe shumë vuajtje. Kjo marrëveshje nuk u pranua nga Albin Kurti, kryeministri i ri majtist i Kosovës. Por presioni i Grenellit, bashkë me taktikat e Hashim Thaçit, presidenti i gardës së vjetër, rezultuan me prishjen e qeverisë së koalicionit. Si rrjedhojë, qeveria Kurti tani është vetëm “qeveri në detyrë”.  Do të duhej të jetë në detyrë deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja që mund të mbahen pas pandemisë. Situata në Republikën e Kosovës me pandeminë është nën kontroll dhe e menaxhueshme. Kosova është një nga vendet që ka ndërmarr masa të hershme në luftimin e përhapjes së virusit, e madje duke shpallur edhe gjendjen e emergjencës për shëndetin publik.

        Qeveria, jo vetëm që ka nën kontroll të gjitha shkathtësitë dhe kapacitetet për të ofruar shëndetësi dhe siguri, por i ka zhvilluar ato aq suksesshëm sa që nuk është parë e nevojshme të shpallet ndonjë gjendje tjetër. Përkundër kësaj, për shkak se Kosova është një prej vendeve më të varfa në Evropë, ajo ende ka nevojë për solidaritetet ndërkombëtar dhe mbështetje për t’u ballafaquar me COVID -19.”

               51 Intelektualë shqiptarë e përkrahin Abin Kurtin

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, merr përkrajen, e 51 intelektualësh shqiptarë nga mbarë hapësia shqiptare dhe më gjerë, Europa dhe SHBA. Ata e miratuan një Rezolutë të përkrajes së Kurtit, më 7 prill 2020., ku ndër të tjerat thuhet: “Ne të nënshkruarit intelektualë shqiptarë, kërkojmë në radhë të parë nga subjektet politike të Republikës së Kosovës, ta lënë qeverinë në detyrë të Albin Kurtit, që ajo të mund t’i kryejë detyrat e saja shtetërore në mënyrë sa më efikase të mundshme….  dhe të përmbahen dhe të presin të paktën deri sa të krijohen kushtet për të organizuar zgjedhje të reja”. Gjithashtu, në Rezolutë u dejtohen: “qeverive të shtetëve të Bashkimit Evropian, të Shtetëve të Bashkuara të Amerikës, të Republikës së Turqisë, të Britanisë së Madhe, të Kanadës, të Australisë, të Zelandës së Re, si dhe të gjitha qeverivet të shteteve të botës, ta përkrahin qeverinë në detyrë të Republikës së Kosovës, jo vetëm moralisht dhe diplomatikisht, por edhe ekonomikisht”. 

              15 shoqata të diasporës nga Gjermania, letër Angela Merkel

                            për gjendjen politike  mes pandemisë në Kosovë

Pesëmbëdhjet shoqata nga diaspora i janë drejtuar kancelares gjermane, Angela Merkel për gjëndjen aktuale politike në Kosovë, mes pandemisë me COVID -19.

Këto shoqata në letrën e tyre i shkruajnë Merkelit për gjendjen e vështirë të Kosovës me përballimin e pandemisë koronavirus, por dhe me krizën politike dhe njëheri i kërkojnë mbështetje nga kancelarja Merkel. Më tutje, ato thonë:”Ndërkohë që qeveria në detyrë është duke veprua në ngadalësimin e shpërthimit të pandemisë, gjë të cilën e tregoi duke veprua në ngadalsimin e shpërthimit të pandemisë, gjë të cilën e tregoi duke veprua herët dhe rreptsisht, duke ndjekur të gjitha udhëzimet e OBSH-së, nga ana tjetër, pjesë të elitës politike janë bërë së bashku për të shprehur dyshimet e tyre për qeverinë”. Sipas këtyre shoqatave në letrën dërguar Merkelit, thonë se”druan” se zanafilla e kësaj mosmarrëveshjeje është diskutimi midis Presidentit të Kosovës dhe Serbisë për një zgjidhje me bazë etnike, duke bërë shkëmbimin tokash midis Kosovës dhe Serbisë”. Prandaj ju bëjmë thirrje: Bashkimi Evropian duhet të veprojë edhe një herë në mënyrë aktive në Ballkanin Perëdimor dhe të mbështes ato forca politike në Kosovë, të cilat ruajnë dhe mbrojnë parimet tona demokratike, por gjithashtu sigurojnë stabilitet afatgjatë

dhe zhvillim të  qëndrueshëm në rajon. Negociatat duhen të menaxhohen nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bisedimet të tilla duhen të zhvillohen nga forca demokratike të ligjshme, që pasqyrojnë vullnetin e votuesve”.

Më tutje, kanë nënvizua disa parime, sikurse janë: 1. Gjatë dialogut, deri sa të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë, Gjermania, si pjesë e trojkës dhe, veçanarisht me presidencën e Këshillit, së bashku me Shtetet e Bashkuara, duhet t’i këkojnë Serbisë që të përfundojë fushatën kundër shtetit të Kosovës. Kjo kërkesë do të mundësoj përparimin e dialogut. 2. Për më tepër, të dyja palët e përfshira duhet të njohin kufirin  ekzistues midis Kosovës dhe Serbisë. Ndryshimet e kufijve të çdo lloji,  çojnë në mënyrë të pashmangshme në paqendrueshmëri në rajon dhe nuk krijojnë një zgjedhje të përhershme dhe paqësore. Zhvendosja e kufijve përgjatë vijave etnike do të kishin pasoja të paparashikueshme në Evropën Juglindore. Një zgjidhje e tillë mund të shërbejë si një precedent për aktorët e tjerë dhe të rrezikojnë më tej stabilitetin në Ballkanin Perëdimor. 3. Bisedimet nuk duhet të çojnë në krijimin e një statusi të ri etnik ose ekstraterritorial brenda Kosovës. Shembulli i Bosnje-Hercegovinës na tregon se si një marrëveshje paqeje, pa marrë parasysh veçoritë dhe të veçantat lokale, do të thotë që njësitë etnike të krijuara bllokojnë pajtimin dhe të ardhmën e njëra-tjetrës.

4. Lufta e zhvilluar nga policia dhe ushtria serbe rezultoi me 13,000 vdekje. Pjesa dërrmuese e tyre ishin civilë. Mbi një milion njerëz janë shpërngulur dhe 20,000 gra u bënë viktima të dhunimeve seksuale. Njësit ushtarake vendosën në shënjestër fshatrat, rrethet e tëra, shkollat, si dhe objektet fetare e spitale, në të cilat hodhën zjarrë dhe i dogjën ato. Deri me sot rezultojnë 1500 pesona të zhdukur. Gjithashtu, deri më sot, Sebia ka refuzua të kërkojë një falje zyrtare dhe të marrë përgjegjësi për krimet e luftës.  Për ta mundësuar pajtimin, Serbia duhet të kërkojë falje për viktimat e luftës dhe tek të afërmit e tyre dhe gjithashtu ti dëmshpërblejë ato. Ata të cilët kanë qenë të përfshirë në krimet e luftës duhet të japin përgjegjësi duke dalë përpara drejtësisë. 5. Rezultat i këtyre negociatave duhet të jetë njohja e Kosovës nga Serbia.Vetëm në këtë mënyrë bëhet i mudur sigurimi i stabilitetit dhe mundësohet perspektiva e ardhshme për të dy vendet në rrugën e tyre drejt BE-së. 

        Më në fund në letër, thuhet, se parimet e lartëpermedura mund të arrihen vetëm përmes një dialogu të ndershëm midis politikanëve legjitim. Aktualisht demokracia në Kosovë është më e brishtë se kurrë, na duhen fjalë të qarta dhe gjithashtu mbështetja e partnerëve tanë është e domosdoshme. 

          Përgjigjje e Zyres së kancelares Angela Merkel  shoqatave të diasporës 

                      për  gjendjen politike mes pandemisë në Kosovë 

Zyra e kancelares gjermane Angela Merkel në letrën që ua ka kthyer shoqatave të diasporës, siguron se Gjermania dhe kancelarja Merkel vazhdojnë të jenë të përkushtuara për të ndihmuar Kosovën, si në përballjen e krizës aktuale ashtu edhe për rifillimin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në përgjigje i bëhet apel klasës politike në Kosovë për unitet në përballje të kësaj pandemie dhe theksohet rëndësia që”gjithë akterët e përfshirë ta orientojnë gjithë energjinë e tyre në përballje me këtë situatë të kësaj krize të re, e cila u shkaktua përmes Covid-19”. Në përgjigjen e Zyres së kancelares Merkel sigurohet se Gjermania është e përkushtuar për një bashkëpunim konkret me Bashkimin Evropian, si dhe të mbështetjes së fuqishme e Gjermanisë dhe Merkel për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës e Serbisë, i cili duhet të rifillojë pas emërimit të Përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak, vazhdimin e të cilit e vlerëson si thelbësor për zhvillimin e Kosovës. Gjithashtu, thuhet se Gjermania dhe Bashkimi Evropian mbështesin Kosovën në luftë kundër pandemisë.

Përfundim: jam i bindur se qytetarët kosovës janë mjaftë vigjilent për ta kuptuar krizën politike të kuadrave të  kosovës, respektisht të gardës së vjetër politike, të cilët për më se 20 vite ua shtinë duart në xhepa qytetarve, dhe ua muarën  çka patën; të atye që në  kurrizë të popullit u bën miliarderë; të atyre që dështuan në politikën e brendshme  dhe  të jashtme të Kosovës; të atyre që nuk kanë parime të fjalës, as të besës; të atyre që nuk kanë kompetenca të duhura profesionale; të atyre që janë mbartës të dukurive të korrupcionit, krimit dhe despotizmit; të atyre që janë kundra masave të qeverisë, ministrisë së shëndetësisë, Institutit kombëtar të Shëndetit Publik, për mbrojtjen e shëndetsisë dhe të jetës së qytetarëve, e shkaktuar nga pandemia me koronavirus Covid-19; të atyre për të cilët ka indici që duan me e qit në shitje edhe një pjesë të tokave të Kosovës, respektivisht me ia dhënë Serbisë. Andaj, jam i mëndimit, se për ecjen përpara, për përparimin dhe progresin e Kosovës, respektivisht për shpëtimin e vendit është i domosdoshëm largimi i gardës së vjetër nga skena politike.

        Prandaj, është e preferueshme që qytetarët e Kosovës, sa më parë, në zgjedhet e lira dhe demokratike, me  e dërgua gardën e vjetër politike në vëndin e merituar, në “Muzeun Historik” për të pushuar dhe me ju falenderua për të “mirat” e tyre. Ajo do të ishte fitore e madhe për popullin dhe shtetin e Kosovës.

       ( Autori është politolog)

Filed Under: Analiza Tagged With: kosova

Kryetarja Osmani priti në takim përfaqësuesit e KOSTT

April 22, 2020 by dgreca

Kryeparlamentarja Osmani: Votimi i marrëveshjes së re të kyçjes KOSTT – ENTSO-E jetik për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të energjisë në vend/

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani, priti sot në takim përfaqësuesit e KOSTT, me rastin e zhvillimeve te fundit në lidhje me votimin e marrëveshjes së re të kyçjes KOSTT – ENTSO-E. Në takim ishin prezentë Ilir Shala, kryeshef ekzekutiv i KOSTT, Kadri Kadriu, zv.kryeshef ekzekutiv dhe Visar Hoxha, menaxher i Zyrës Ligjore/sekretar i Kompanisë, si dhe anëtarë të kabinetit të kryetares.

Me këtë rast, kryetarja Osmani përgëzoi përfaqësuesit e KOSTT për arritjen e jashtëzakonshme dhe për punën profesionale të bërë në këtë drejtim.

Kryetarja Osmani tha se votimi pozitiv për marrëveshjen e re të kyçjes në mes të KOSTT dhe ENTSO-E nga ana e Operatorëve te Sistemeve të Transmisionit të Evropës (që operojnë brenda asociacionit ENTSO-E), është një hap historik për vendin, e sidomos një zhvillim tejet pozitiv për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të energjisë.

“Arritja e kësaj marrëveshjeje do të ndikojë dukshëm në përmirësimin e shërbimeve energjetike në vend, do t’i hap rrugë investimeve të reja në këtë fushë si dhe do të kontribuojë në bashkëpunimin energjetik rajonal. Mirënjohje e veçantë shkon për aleatët ndërkombëtarë, për mbështetjen e tyre të vazhdueshme, e në veçanti Qeverisë Gjermane dhe KfW, për investimet e rëndësishme në avancimin e rrjetit të transmisionit”, theksoi në mes tjerash Osmani.  

Nga ana e përfaqësuesve të KOSTT u vlerësua bashkëpunimi korrekt dhe profesional me Kuvendin e Kosovës, që njëherësh është edhe aksionar kryesor i KOSTT-it. U rikonfirmua rëndësia e madhe e marrëveshjes së re për arritjen e pavarësisë energjetike, si dhe u theksua rëndësia e mbështetjes së aleatëve ndërkombëtarë në përmbylljen e suksesshme të këtij procesi.

Në takim, palët trajtuan dhe çështjen e vështirësive me të cilat po ballafaqohet sektori energjetik gjatë periudhës së pandemisë, adresimin e obligimeve dhe çështjeve financiare, si dhe u diskutua mbi implikimet dhe sfidat që rrjedhin nga mungesa e bordit të drejtorëve të KOSTT, në operimin dhe menaxhimin e kompanisë.

Palët u dakorduan për koordinim të vazhdueshëm për hapat të cilat do të ndërmerren në vijim, ndërsa kryetarja Osmani konfirmoi gatishmërinë e Kuvendit për mbështetje të vazhdueshme në të gjitha proceset vijuese.​

Filed Under: Kronike Tagged With: Kryeparlamentarja Osmani

Kadare si inerci e një politike largpamëse

April 22, 2020 by dgreca

shkruar nga Shpend Sollaku Noé/

Kur Enver Hoxha, në një nga takimet e shumta me intelektualë afër të të majtës, i këshillonte Viktor Eftimiut që, përveç Kadaresë, të kish parasysh edhe Dritëro Agollin si një majë të realizmit socialist që duhej përhapur në botë, krijuesit apo lexuesit e sotëm ose nuk kishin lindur, ose ishin fëmijë, ose adoleshentë,  ose lexues fanatikë të “Zëri i Popullit”. 

Që Hoxha qe një diktator gjakatar i pashoq tashmë edhe ithtarët e tij e pranojnë, duke ia justifikuar në mënyrë të pacipë gjakderdhjet. Ata që diktatorin e kanë quajtur idiot e të dështuar në largpamje, sidoqoftë, nisen prej urrejtjes klasore, por i mohojnë atij të paktën largpamësinë e përcjelljes në të nesërmen e zgjatur të figurës së tij edhe në letërsi e arte.

Dhe nuk ka përcjellës më të mëdhenj të lavdisë së tij se këta dy autorë të përmendur më sipër. 

Këtu do të merrem me Kadarenë vetëm sepse nuk kam aq kohë të lirë sot sa ta konsumoj për dy personazhë. Me Dritëroin do të merrem herë tjetër.

Glorifikimi i diktatorit- ky është problemi kryesor që Ismaili ka ndeshur pas ‘90, nga shqiptarët por edhe nga komisionet e çmimeve që janë shumë skrupoloze ndaj autorëve që kanë përkrahur diktaturat. Nëse Kadareja e ka përkrahur apo jo diktaturën shqiptare nuk besoj të ketë më dyshime. Mjafton të kujtosh ndër të tjera poemat “Shqiponjat flururojne lart”, “Përse mendohen këto male” dhe sidomos “Vitet ‘60”. Në prozë më e spikatura si përkrahje e diktatorit është pa dyshim “Dimri i vetmisë së madhe” apo në formën e mëvonshme të “Dimri i madh”. Pa harruar se , në përgjithësi, e tërë vepra e tij duhet parë sipas principeve kryesore të realizmit socialist, përfshi këtu edhe romane të tipit “Këshjtella”, “Kronikë në gur” “Dasma” etj. , aq të rënduar prej tendenciozitetit klasor. Nga pikëpamja sasiore temat e tilla politiko- letrare zënë vendin kryesor në krijimtarinë e shkrimtarit tonë të shumëpërfolur. 

Qëllimi i këtyre shënimeve të shkurtra nuk është recensionimi i veprës së tij, por thelbi i diskutimeve të sotme rreth krijimtarisë së këtij autori.

Çfarë qëndrimi kanë mbajtur botuesit shqiptarë në lidhje me veprën e tij? 

Hudhri që zotëron kopirajtin e Kadaresë ka konfirmuar tendencën e pranimit total të kësaj krijimtarie. Arësye tregtare? Edhe. Sikur të kish pastruar prej frymës socialiste krijimtarinë e autorit kryesor që boton, do të kish qenë një plus i madh për këtë botues. Mund të kish mbajtur shumë prej tyre, ku , të paktën jo aq drejtpërdrejt, Kadareja shfaqet si autor i diktaturës. Do të mjaftonte “Prilli i thyer” apo edhe vepra te tjera në prozë dhe pastrimi i poezisë kadarejane nga ajo pjesë flagrante ku himnizohet diktatori apo partia. Por ky botues, me sa kam kuptuar, preferon ta paraqese totalisht Kadarenë. Arësyet i di ai më mirë. Ne vetëm mund të supozojmë: shes biftekun, por për këtë më duhet të pranoj edhe plëncin e palarë, edhe mushkritë e infektuara…. Ose: nostalgjikët janë ende të shumtë. Ata kanë mbetur tek e djeshmja e Shqipërisë – fanar i komunizmit botëror dhe Enveri – klasiku i fundit i marksizëm leninizmit… 

Nuk di që Hudhri të jetë shprehur ndonjëherë hapur rreth kritereve të seleksionimit të veprës kadarejane të realizmit socialist. 

Sipas supozimit tim të dytë, ai, si tregtar librash, nuk e ka menduar keq. Pasi ata që sot e pranojnë symbyllur Kadarenë nuk janë pak. Kësaj lukunie lexuesish nuk i intereson faqja letrare e medaljes, por vetëm ajo politike. Kadareja është për ta dëshmia e gjallë se në diktaturë mund të lulëzonte art i madh. Këta janë edhe ithtarët më të zjarrtë të I.K-së. Zakonisht kjo kategori përmledh lexuesit që nuk kanë lexuar më pas ‘90-ës. Atyre u mjafton informacioni i marrë në shkollat e nivelit të ulët, nga mësues të nivelit të ulët, të diplomuar me gjela deti, thasë me arra apo raki Skrapari.  Këta lloj  ithtarësh janë edhe më të rrezikshmit, pasi më injorantët e kohës së tollonit. 

Një rreth më i zgjeruar rreth ndjekësve të kategorisë së mësipërme është masa e pseudolexuesve, dmth e atyre që nuk kanë hapur më asnjë libër qysh prej dekadash. Ata i kanë krijuar opinionet vetëm me të dëgjuar apo nga ç’thonë të tjerët nëpër sociale. Ky lloj rrethi është edhe më i rrezikshmi, duke qenë se në të përfshihen edhe më injorantët dhe më nostalgjikët e periudhës së vetëshpallur komuniste. Me këta lloj njerëzish as që ia vlen të diskutosh, pasi të tërheqin me njëmijë kthetra në pusin e errët të urrejtjes histerike ndaj atyre që e mendojnë ndryshe. 

Filli i kyq që i bashkon të gjitha rrymat prokadarejane është një i vetëm: Pas Ismailit askush tjetër nuk meriton vëmendje. Ai mbetet më i madhi, të tjerët nuk ekzistojnë. Teza kryesore me të cilën i kundërvihen kritikuesve të tij është: e bëjnë për xhelozi, sepse ai i errëson.

  Ehi, para se të flisni. Lexoni njëherë të tjerët, pasi nuk mund të bëhen krahasime pa të paktën dy përbërës. Dhe mbushjani mendjen vetes: Ismail Kadareja i sotëm është vetëm inerci e një politike largpamëse të Enver Hoxhës. Librat e tij të sotëm edhe në vlerë stilistike kanë humbur shumë prej shkëlqimit të dikurshëm. Niveli i tij i sotëm është pak më shumë se ai mediokër – si refleks i zbehtë i lavdisë së dikurshme politiko-letrare. 

Filed Under: ESSE Tagged With: Kadare, Politika largpamse, Shpend Sollaku

NE BOSTON, NDAHET NGA JETA FREDERIK GJERASI, PËRKTHYESI I DELEGACIONIT SHQIPTAR NË MBLEDHJEN E 81 PARTIVE

April 22, 2020 by dgreca

  • Në vitin 1974 Frederik Gjerasi u përjashtua nga partia për pikëpamje liberale dhe u transferua në kooperativën bujqësore të Mollasit në Elbasan.

Nga Fuat Memelli/


Pas një sëmundje të rëndë, të dielën më 19 prill, ndrroi jetë në Boston, në moshën 86 vjeçare, Frederik Gjerasi, një nga figurat e shquara të intelektualëve shqiptarë. Ndarja e tij nga jeta, la në pikëllim bashkëshorten Doloresa, djemtë Agronin dhe Pirron, nipërit dhe mbesën, vëllezrit, motrat, të afërmit si dhe shokët e miqtë e tij të shumtë.

Lindi më 10 shtator të vitit 1933 në Elbasan, në një familje patriote e arsimdashëse. Ai kaloi vite të fëmijërisë në Shmil të Elbasanit ku i ati ishte mësuesi i parë i fshatit dhe krahinës. Frederiku mbaroi me medalje Shkollën e Mesme Pedagogjike të Elbasanit dhe më pas studjoi për ekonomi politike në Universitetin “Shevçenko” të Kievit dhe në Universitetin “Lomonosov” të Moskës ku  u diplomua në vitin1957. Gjatë viteve studentore ai punoi si spiker në Radio “Moska” dhe më pas në disa prej dokumentarëve të Kinostudios ‘Shqipëria e Re’ në vitet ’60. E folura dhe diksioni i tij i veçantë e kumbues, do të kujtohen gjithmonë me nostalgji nga dëgjuesit e kohës.
Mbas kthimit në Atdhe, Frederiku shërbeu me përkushtim në detyra të rëndësishme të jetës sociale e politike të atyre viteve. si në aparatin e Komitetit Qëndror, shef katedre në Shkollën e Partisë,etj. 

Ai ishte përkthyes i delegacionit shqiptar kryesuar nga Enver Hoxha në mbledhjen e 81 partive komuniste në Moskë në nëntor të vitit 1960, ku Shqipëria u shkëput nga kampi socialist – një nga momentet kyçe të historisë shqiptare të pasluftes. Frederiku është autor i librit “Drama Shqiptaro-Ruse” botuar në vitin 2016 në të cilin ai përcjell me vërtetësi përjetimet e tij personale prej protagonisti me dritëhijet dhe ulje-ngritjet e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Frederiku punoi si pedagog i jashtëm në Fakultetin Ekonomik të Tiranës duke merituar titullin “Docent” për librat e tij në fushën e ekonomisë politike. Në vitin 1974, pas debateve me Fiqrete Shehun për një botim të tij, u përjashtua nga partia për pikëpamje liberale dhe u transferua në kooperativën bujqësore të Mollasit në Elbasan. Aty punoi ekonomist për mëse 8 vjet, duke fituar respektin dhe dashurinë e njerëzve të thjeshtë të fshatit. Më pas punoi në Institutin e Metalurgjisë dhe së fundi në Institutin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan,si shef i katedrës së filozofisë deri në vitin 1991 kur u shkëput përfundimisht nga kariera profesionale. 

Në periudhën e pluralizmit, nuk u përfshi në asnjërën nga partitë politike. Siç shprehet ai në libër, “më ishte neveritur nënshtrimi ndaj gjykimit kolektiv në organizatat e partisë, doja të jetoja i lirë”. Në plan të parë tani dilte familja, farefisi, shokët që vërtet e deshën në kohë të vështira.
Që prej vitit 2004 jetoi me gruan dhe djemtë e tij në Amerikë, ku mori pjesë aktive në veprimtaritë e shqiptarëve, ndiqte nga afër televizionin shqiptar, si dhe lexonte rregullisht shtypin e huaj në bibliotekën e Bostonit. Zërin e tij të ëmbël e dëgjuan edhe shqiptarët e Bostonit në një mbrëmje poetike, ku ai recitoi plot pasion poezi të Migjenit dhe të Kadaresë. Një gëzim të veçantë ndjeu ai kur djali i tij Agroni, para dy vjetësh hapi në Boston Qendrën Kulturore për të Moshuarit “Vatra”, e para qendër shqiptare e këtij lloji në Amerikë, një strehë e ngrohtë për pensionistët shqiptarë.

Të shumta ishin ngushëllimet kur morën vesh ndarjen e Frederikut nga jeta. 

Artan Simeqi, një nga miqtë e familjes, ndër të tjera shkruante,”Frederik Gjerasi ishte nga ata persona për të cilët nuk mund të thuhen vetëm pak fjalë. Ai besonte në idetë e tij, ide për të cilat edhe u dënua. Gëzimin dhe optimizmin për jetën, nuk e humbi deri ditën e fundit. Do ta mbajmë mend qëndrimin e tij dinjitoz, mirësinë e tij, dashurinë për familjen, për miqtë dhe shokët”. 

Kujtime të bukura ka shkruar për të jatin, djali i tij Agron Gjerasi. Ato përbëjnë një shkrim më vete, por po shkëputim vetëm disa nga cilësitë e tij të permendura në këtë shkrim, ”Familja, shëndeti dhe mbarëvajtja e saj, ishin të parat në listën e prioriteteve të tij. Kishte një shpirt bujar dhe I pëlqente më shumë të jepte se të merrte. Pëlqente barazinë mes njerëzve dhe këtij ideali i kushtoi jetën. Kishte dëshirë të pinte një gotë të vogël dhe të këndonte me shokët. Ishin të lindur pasioni dhe talenti I tij për spiker.Vlerësonte njëlloj si shoqërinë intelektuale, ashtu edhe atë me njerëzit e thjeshtë. Dinte të mbante veten edhe në ditët më të vështira”.

Frederikut i qëlloi të ndahet nga jeta në kohë të vështirë të Covid-19 dhe nuk iu bënë dot nderimet që meritonte. Shokët dhe miqtë e tij, nuk mundën t’i vendosin një buqetë apo kurorë me lule, por buqeta dhe kurora më e bukur është emri që la pas në kujtesën e njerëzve. 

Ai u përcoll në banesën e fundit nga familjarët e tij si dhe kancelari i kishës së Shën Gjergjit, At Artur Liolini.  Lamtumirë Frederik Gjerasi! Të qoftë dheu i lehtë!

Filed Under: Histori Tagged With: Frederik Gjerasi, Fuat Memelli, u nda aga Jeta

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 627
  • 628
  • 629
  • 630
  • 631
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT