• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DR.SKËNDER MURTEZANI: JA SI PO I TESTOJMË DHE TRAJTOJMË TË PREKURIT ME KORONAVIRUS

March 22, 2020 by dgreca

  • Bisedë e Kryeredaktorit të Gazetës”Dielli” Dalip Greca me Dr. Skënder Murtezani MD,anëtar i Kryesisë së Vatrës dhe Kryetar i degës së Vatrës në Queens, New York./
  • Deri tani një vatran i degës së Queensit ka rezultuar pozitiv dhe po trajtohet. Priten edhe rezultatet e të testuarëve të tjerë.

-Dr. Murtezani: Brenda një jave do të arrij që t’i bëj në klinikën time të gjitha testet dhe po aty t’i nxjerr rezultatet.

Gazeta Dielli: Përshëndetje dr. Skënder Murtezani.Si po e ndiqni situatën e mbingarkuar nga koronavirusi?

Dr. Skënder Murtezani: Përshëndetje Dalip. Po e ndjek jashtëzakinisht për së afërmi epideminë e përbotshme. Nga njëra anë ndihmoj pacientët, nga ana tjetër mendoj për anën shkencore të ecurisë së virusit, për kategoritë që prek, reagimet e pacientëve, po i ndjek me vëmendje edhe statistikat ditore, për të dalë në përfundime studimore.

Dielli: Në Klinikën Tuaj po kryhen teste për të zbuluar të infektuarit me COVID-19. Si po ecën puna?

Dr. Murtezani: – Po që nga 16 Marsi kur e mbyllëm zyrën për pacientët e regullt, unë vazhova të jem në shërbim të pacientëve të mi për raste urgjente. Në këtë periudhë të pandemisë së  koronavirusit do të ishte e pakuptimtë mos të bëja testin SARS CoV-2.

Dielli: – SARS CoV-2 është i njëjtë me COVID-19?

Dr.Murtezani: Po është i njëjtë ,vetëm se e para është term laboratorik.

Dielli: Cilat janë rezultatet e deritanishme të të testuarëve? Si veprohet me të infektuarit? Mbyllen në shtëpi apo dërgohen në qendra mjekimi?

Dr. Skënderi: Si gjithë pacientët e tjerë në Shtetin e New York-ut, karantinohen, rastet e rënda dërgohen për mjekim të specializuar. Por deri tani nuk kemi të sëmurë të riskuar, që kërkojnë mjekim të atillë.

Dielli: Kemi lexuar në media se administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka aprovuar një test të ri për koronavirusin që mund të nxjerrë rezultatin në 45 minuta. Bëhet fjalë për një të ardhme të afërt apo? 

Dr. Murtezani: Tani për tani unë testet i bëj në klinikën time dhe i dërgoj në laboratorin Queat Diagnostic. Por shumë shpejt, besoj se brenda një jave, do të arrij që t’i bëj në klinikën tone të gjitha testet dhe po aty t’i nxjerr rezultatet. Sa për testin e ri që ka autorizuar administrata amerikane (FDA) jemi në pritje.

Dielli: – Ç’kontigjente testohen në klinikën tuaj? Pacientë që kanë shqetësime apo edhe qytetarë që nuk kanë shqetësime ?

Dr. Murtezani: -Testojmë vetëm pacientët me shqetësime, me simptoma të ngjashme me ato të gripit.

Dielli: Qarku i  Queens-it, ku ju jetoni dhe keni klinikën , të premten ishte zona më e infektuar e shtetit të New York-ut, përse ndodh kjo?

Dr. Skënderi: Sot psh është Brooklyn-i me më shumë raste, pastaj vjen Queens-i, NYC, Bronx, Staten Island, por mendoj se radhitja ndryshon në vartësi të numrit të testimeve të kryera. Sipas disa formulave statistikore mendohet se numri i të prekurve nga Coronavirusi duhet të jetë 100-500 herë më i madh se sa paraqitetet.

Dielli: Ju jeni kryetar i degës së Vatrës së Queensit a keni komunikuar me vatranët e degës? A janë vetëdijësuar ata? Si është gjendja e tyre shëndetsore? 

Dr. Murtezani: Po si jo! Jemi në kontakte. Unë herët publikova shenjat dhe mënyrat se si të mbrohen nga COVID-19. Mendoj se të gjithë janë të edukuar dhe të vetdijësuar për sëmundjen dhe janë njohur me metodat e parandalimit dhe mbrojtjes. I kam publikuar edhe në Facebook-un e degës.

Dielli: A ka të infektuar nga radhet e vatranëve të Queens-it?

Dr. Murtezani: Për fat të keq kemi një rast të vetëm për tani, por fatmirsisht është në gjendje të mirë shëndetsore dhe në kontroll të plotë.Jam optimist se do ta kalojë gjëndjen.

Dielli: Po në përgjithësi si janë rezultatet e të testuarëve të tjerë në klinika juaj?

Dr. Murtezani: Janë tre raste deri tani por ende jemi në pritje të daljes së rezultateve të 100 testeve nga 147 të testuar.

Të tre pacientët që kanë dalë negativë janë në gjendje të mirë shëndetësore, kanë qenë me mjekim të arsyshëm, që kur janë testuar dhe janë në vëzhgim e të izoluar.

Dielli: Sa është koha e pritjes të rezultateve pas testimit?

Dr. Murtezani: Rezultatet e testimi dalin për pesë ditë.

Dielli: Si është një ditë e betejës kundër Koronavirusit për dr. Skënderin?

Dr. Murtezani: Besoj si e çdo mjeku tjetër internist. Ditët e një internist në SHBA në këto ditë kërkojnë qetësinë ,urtësinë dhe përkushtimin për të trajtuar pacientët, por më së shumti për të parandaluar infektimin e qytetarëve me koronavirusin. Shkurt:Janë të lodhshme, të mbingarkuara dhe kërkojnë përkushtim maksimal.

Dielli: Çfarë këshillash do t’u përcillnit bashkatdhetarëve dhe lexuesëve të gazetës DIELLI?

           Dr. Murtezani: Për të gjithë bashkatdhetarët kudo që janë nuk do t’u thosha ndonjë gjë të re, por do të përsërisja çfarë kam thënë e shkruar: Pastroni rezidencat me mjetet dezinfektuese.Kush nuk i di mund të shkojë në faqen e Facbooku të degës Queens dhe i gjeni aty-: fb Vatra-Queens NY.Po ashtu do t’u thosha: Lani duart duke qenë në shtëpi , para se të dilni, si dhe sapo të ktheheni në shtëpi. Lani duart pas takimeve apo kontaktit me objekte të ndryshme. Ndiqni hap pas hapi pamfletin e përkthyer në shqip që e gjeni në fb e degës së Queensit.

Dielli: A mund t’i përsërisni sinajlet e sëmundjes dr. Skënderi!

Dr. Murtezani: Patjetër: Po të keni një nga simptomat : temperaturë mbi 99.6 ‘, kruarje fyti, ethe, rrjedhje hundësh, izolohuni për 2 javë! Forconi aftësitë e mbrojtjes së trupit me këto ilaçe:

1.ALA Alpha lipoic Acid 600mg dy herë në ditë!

 2.Eldeberry 

3. Vitamin C- 1000 gram në dite… 

Dielli: -Tjetër mesazh, keni doktor?

Dr. Murtezani: I lus t’i marrin me seriozitetin më të madh urdhërat e guvernatorit Cuomo dhe kryebashkiakut Bill Debiaso. Natyrisht, do t’i porosisja dhe të mos stresohen e të mos kenë frikë. Paniku është aleat i sëmundjeve!

Dielli: Faleminderit dr. Skënder Murtezani!

Dr. Murtezani: Faleminderit Diellit!

Filed Under: Histori Tagged With: Dr. Skender Murtezani, Koronavirusi

COVID-19 NË SHIFRAT MË TË FUNDIT

March 22, 2020 by dgreca

-BOTA : 335,403 PACIENTË TË INFEKRUAR, 14,611 TË VDEKUR, VETËM DITËN E FUNDIT HUMBËN JETËN 1598 PACIENTË.

  • U VETËIZOLUAN: KANCELARJA MERKEL, PLACIDO DOMINGO, SENATORI RAND PAUL, SENATORËT MIKE LEE ,MITT ROMNEY…
  • SHBA shënoi 8149 raste të reja, ndërkohë që numri i të vdekurve arriti shifrën 414, -epiqendra është Nju Jorku me 114 të vdekur, një e treta e shifrës për SHBA.

Nga Dalip Greca

Dita e sotme shënoi një betejë dëshpruse me Coronovirusin në mbarë botën. Senatori republikan Rand Paul i CT. ka rezultuar pozitiv për koronavirusin, duke u bërë anëtar i tretë i Kongresit dhe senatori i parë që konfirmon infeksionin. Senatori Mike Lee dhe senatori Mitt Romney, të dy republikanët në Utah, njoftuan të Dielën se do të vetë-karantinoheshin për shkak të kontaktit të tyre të fundit me senatorin Paul, ndërkohë që më shumë se 80 milion amerikan janë urdhëruar të qëndrojnë të mbyllur në shtëpitë e tyre.

Në Gjermani, kancelarja Angela Merkel është vendosur nën karantinë pasi një mjek që administroi një vaksinë ndaj saj të Premten rezultoi pozitive për koronavirusin.

Guvernatori i Ohio-s, Mike DeWine dhe Guvernatori i Luizianës John Bel Edvard, të Dielën u bënë liderët e fundit të shteteve që njoftuan urdhrat e qëndrimit në shtëpi në mbarë vendin, të cilat hyjnë në fuqi natën e së hënës. Urdhri i Ohajos parashikon një zgjatje kohore deri më 6 Prill, ndërsa në Luiziana ndalimi në shtëpi zgjat deri në 12 Prill.

Numri i të vdekurve nga shteti i Nju Jorkut ka arritur në 114, duke tejkaluar shtetin Uashingtonit dhe duke përbërë një të tretën e të gjitha vdekjeve në Sh.B.A.

Italia raportoi 651 vdekje të reja dhe pa rritjen më të ulët të rasteve, që kur filloi shpërthimi i coronovirusit.

Spanja do të zgjasë bllokimin e saj mbarëkombëtar për 15 ditë, ndërsa qeveria britanike u ka kërkuar 1.5 milion anglezëve me probleme serioze shëndetësore të vetë-karantinohen për 12 javët e ardhshme.

Koreja e Veriut tha se Presidenti Trump ofroi ndihmë në luftën kundër koronavirusit, ndërsa Libani urdhëroi ushtrinë për t’i mbajtur njerëzit brenda.

Shqipëria regjistroi të vdekurin e tretë, ndërsa Kosova të parin.

Ndër njerzit e shquar u raportua se edhe këngëtari i operës Plácido Domingo u testua pozitiv.

Lajm i mirë ishte mjekimi i ofruar nga Japonia, ndërkohë që administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka miratuar një test të ri për koronavirusin që mund të nxjerrë rezultatin në 45 minuta. Edhe ky ëshët një lajm shumë pozitiv pasi duhet kohë për të siguruar rezultatet e testeve me metodat e deritanishme.

Po cilat janë shifrat e ditës së sotme?

Kina raportoi 0 raste të reja për të dielën, Italia që ka të infektuar 59,138 pacientë, dhe shifrën më të lartë të viktimave me 5,476 vdekje, raportoi për 651 raste të reja,të shëruarit 7,024,  rreth 46,638 janë të infektuar të izoluar dhe rreth 3 mijë janë në gjendje kritike.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës renditen në vend të tretë ndër vendet e infektuara me 32,356 raste. Për ditën e  Djelë SHBA shënoi 8149 raste të reja, ndërkohë që numri i të vdekurve arriti shifrën 414, krahasuar me një ditë më parë u shënuan 114 vdekje plus. Rastet e të shëruarëve janë në shifra të ulta, vetëm 178, ndërkohë që rastet kritike janë në shifrat 795 pacientë që janë në mjekim intensive.

Spanja renditet e katërta për shkallën e infeksionit me 28,603 persona pacientë të infektuar, ku vetëm në ditën e  sotme u raportuan 3107 pacientë pozitiv. Numri I ët dvekurve regjsitroi shifrën 1765 persona, vetëm të djelën u raportuan 375 të vdekur , të dytët pas Italisë, rreth 1785 persona janë në mjekim intensive dhe të cilësuar në gjendje kritike.

Gjermania me Kancelaren Merkel të infektuar dhe të izoluar në karantinë, ka regjistruar 24852 të infektuar me COVID-19, ndërsa shifra e të vdekurve është 94.

Ndër vendet problematike paraqitet edhe Irani 21638 të infektuar, sot shënoi 1,028 raste të reja, ndërkohë që numri i të vdekurëve ka shkuar në 1,685, ku 129 janë raste të ditës së fundit.

Të infektuar ka thuajse nga të gjithë kontinentet. Numri i përgjithshëm i raportuar për të gjithë botën ishte 335,403 të infektuar, ndërkohë që vetëm ditën e  fundit u shtuan 30,367 pacientë të rinj të infektuar, ndërsa raportohet për 14,611 të vdekur; vetëm ditën e fundit u raportuan 1,598 të vdekur, ndërkohë që 97,636 janë të shëruarit, në gjendje kritike janë 10,640.

Filed Under: Analiza Tagged With: COVID-19, dalip greca, shifrat

ÇELSIN E NGADALËSIMIT TË COVID-19 E KEMI TË GJITHË NË DORË

March 22, 2020 by dgreca

Shkruan: Ali LUSHNJA, Doktor i Shkencave Mjekësore, Jacksonville, Florida*/

Të nderuar bashkatdhetarë;

 Me përgjegjësinë a një doktori dhe specialist në fushën e sëmundjeve infektive do të dëshiroja të jap kontributin tim në ndërgjegjësimin rreth situatës së krijuar sëfundmi me pandeminë e shkaktur nga COVID-19.

Siç dihet, Coronavirusi-19 është një virus i grupit të Coronavirusëve. Ky është një virus i ri (novel), virulent dhe me përhapje të shpejtë. Prandaj është shumë e rëndësishme të zbatohen shpejt dhe në kohë udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Qendrës së Kontrollit të Sëmundjeve ( Center for Disease Control, CDC ), për të mbrojtur veten, familjen dhe shoqërinë.

Si për çdo sëmundje infektive, edhe për COVID-19, është e rëndësishme që, për të mos u infektuar dhe për të parandaluar përhapjen në masë, të ndërpriten rrugët e transmetimit, pra të ndërpriten hallkat e zinxhirit që bëjnë të mundur transmetimin e infeksionit . Virusi COVID-19 , nga studimet e fundit, ka të panjohura, por si çdo virus ka shume praktika të njohura që e bëjnë të pa mundur përhapjen e tij. Këto praktika të njohura dhe të thjeshta janë ndalimi i rrugëve të transmetimit të tij, të cilat do të duhet t’i zbatojmë me rigorozitet, në çdo kohë dhe me shpejtësi. 

Duke ditur se në 100 njerëz të infektuar me COVID-19, 80 prej tyre janë mbartës, në përgjithësi pa shenja klinike si temperatura, kollë dhe pa vështirësi të frymëmarjes; 20 të tjerë, i kanë këto shenja klinike nga format më të lehta deri të rënda dhe shenja të tjera si: dhimbje koke, kollë, vëshirësi të lartë në frymarrje si dhe simptoma të ngjashme me virozat e tjera; djersë, të vjella, skuqje të syve, teshtitje, dhimbje të muskujve, etj. Mënyra parësore në përcaktimin e ketij virusi të rrezikshëm bëhet nëpërmjet testit të COVID-19 . Të gjithë këta 100 njerëz, me ose pa shenja klinike transmetojnë COVID-19 nëpërmjet: kollitjes, teshtitjes, kontakteve  në afërsi 1-2 metra, duarve të tyre dhe sendeve që ata apo ato kanë prekur . Duke ditur burimin e infeksionit, rrugët e transmetimit të tij dhe marrja e masave sa më të shpejta  për të ndërprerë rrugët e  transmetimit të COVID-19 e bëjnë të mundur ngadalësimi dhe përhapjen e tij . 

Rrugët e ndërprerjes janë të thjeshta: 

Larja e shpeshtë e  duarve me ujë e sapun për mbi 20 -30 sekonda.

Përdorimi i lëndëve dezifektantë të duarëve.

Mos prekja e fytyrës me duar të palara. Vetëm pasi duart të jenë të pastra mund të preken sytë, hunda dhe buzët dhe duart të lahen përsëri.

Të shmangen kontaktet me njerëzit, këshillohet distancimi shoqëror duke qendruar 1 – 2 metra larg njeri-tjetrit, përdorimi i maskave dhe dorashkave me një përdorim, dhe kur i heq të hidhen në koshin e plehrave me kapak .

Shmangia e lëvizjeve të panevojshme dhe ambjenteve të mbyllura dhe me shumë njerëz.  

Ndjekja me përpikmëri e udhëzimeve të zyrave lokale të shëndetit publik. 

Për mendimin tim, vetëkarantinimi, apo izolimi në shtëpi, është një masë shumë e nevojshme dhe e detyrueshme që duhet marrë në këtë Pandemi botërore dhe që secili duhet të ndërgjegjësohet se shëndeti juaj është shëndet i  shoqërisë dhe shëndeti i shoqërisë është shëndeti juaj . Është një betejë që duhet të merret shumë seriozisht dhe me qetësi, duke i vënë rëndësi dhe shëndetit mendor pasi izolimi për një kohë të gjatë në këto rrethana shkakton ankth dhe depression. Gjithashtu, izolimi në shtëpi për një kohë të gjatë sjell ndryshime në stilin e jetës; shumë individë e kalojnë kohën  në shtëpi në mënyrë interaktive dhe i përkushtohen qetësimit dhe forcimit të lidhjeve me të dashurit e familjes së tyre, por ka  dhe të tjerë, që për arsye të ndryshme mund të vuajnë nga ankthi, stresi etj. Në këto situata është e rëndësishme të ruhet shpresa për të ardhmen, se këto izolime do jenë të përkohëshme dhe se jeta do t’i kthehet normalitetit përsëri.

Të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se përparimi i shkencës mjekësore do të bëj të mundur shumë shpejt zgjidhjen e këtij problemi. Ndërkaq secili nga ne ka një çelës të Sukseseshëm në duart e tij: 

NGADALËSIMIN E PËRHAPJES SË COVID-19 duke qëndruar në shtëpi, të bëjmë distancimin social, të zbatojmë rregullat higjeno-sanitare dhe besimi se vaksina dhe medikamentet do të bëjnë të mundur izolimin dhe mposhtjen e këtij virusi . 

Të gjithë së bashku do ta fitojmë ketë bëtejë ndaj COVID-19 !

Doktor i Shkencave Mjekësore Ali Lushnja-Jacksonville, Florida.

03 / 22 / 2020 . *Autori eshte anetar I Keshillit te Vatres

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Çelsi I Cocid-19, Dr. Ali Lushnja

NUK KA ASGJË MË TË SHENJTË SE SA MBROJTJA E JETËS SË QYTETARËVE TANË

March 22, 2020 by dgreca

Shkruan: Dr. Vjosa Osmani /

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës/

Sot, Kosova u zgjua me dhembje për humbjen e jetës së një qytetari tonë nga virusi Covid 19. Ndjenjat tona sot janë me familjarët e tij e me qytetarët e vendit, të cilët po e përjetojnë ankthin e krijuar nga pandemia.

Në këtë kohë kur bota e qytetëruar po tregon solidaritet të jashtëzakonshëm ndaj njëri-tjetrit dhe kur qeveritë si dhe pushtet e opozitë anekënd botës janë bashkuar në betejën globale kundër pandemisë më të rrezikshme që nga Lufta e Dytë Botërore, është koha që të gjithë përfaqësuesit politikë të bashkohen me mantelbardhët tanë në betejën e tyre për shpëtimin e jetëve të qytetarëve.

Ne nuk mund të lejojmë që në këtë kohë tmerri të triumfojë virusi i përçarjes dhe jo forca e bashkimit ndaj së keqes. E sotmja është kohë e solidarizimit të plotë, jo e ndarjeve; është kohë e betejës ndaj virusit vdekjeprurës, prandaj heshtat tona duhet t’i drejtojmë kundër pandemisë dhe jo kundër njëri-tjetrit. Duhet që betejat politike t’i shmangim menjëherë dhe në vend të tyre, ashtu sikur jemi betuar ne që morëm besim qytetar, të punojmë për përmirësimin e jetës së njerëzve tanë. Në këtë kohë të rëndë pandemie, kjo nënkupton mbrojtjen e jetës së qytetarëve tanë dhe përkrahjen e pakusht të profesionistëve tanë, të cilët po e bëjnë të pamundurën për menaxhimin e kësaj situate të rëndë.

Kosovës i duhet sot jo vetëm solidaritet qytetar, por edhe solidaritet politik. Është koha të tregojmë jo vetëm përgjegjësi institucionale, por mbi të gjitha përgjegjësi morale. Është koha të punojmë bashkë sot, që e nesërmja të mos na mallkojë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Dr.Vjosa Osmani, Mbrojtja e shenjte

NE ROME U NDA NGA JETA SHKRIMTARI BEXHET JAÇELLARI

March 22, 2020 by dgreca

NGA MINELLA DANI*/

Një telefonatë, mbasditen e datës 17 të muajit mars, nga Amerika. Me zë të dridhur, miku im Naim Staravecka, më pyet: Është e vërtetë ajo që thuhet për Bexhetin? Deshte që t’i transmetoja familjes ngushëllimet e tij nëse ishte lajm i saktë. Kishin qenë të dy anëtar të Këshillit Bashkiak të Lushnjes, veç shoqërisë së vazhdueshme në prani edhe të vëllait , Halilit që së bashku para 10 vitesh e përcollëm në banesën e fundit në Lushnje.  Pyetjen e tij e mora si pohim të largimit nga kjo jetë e mikut tonë të përbashkët. Nuk dija në ishte e vërtetë, por ndjeva një dhimbje të papërshkrueshme. Kisha arsye ta besoja.

Vitet e fundit në Romë, si pensionistë, e konsumonim bashkërisht kafen e mëngjesit e zgjateshim në biseda gjer në orët e vona. Temë e preferuar e tij ishin shkrimet e poezitë, bisedat me njerëz të letrave, për mua jo shumë të dëshiruara dhe e devijoja bisedën për ngjarje pa vlerë të jetës së përditshme. Ishte ritual i zakonshëm dhe e kërkonim njeri tjetrin, deri në largimin tim për në Tiranë. Kohë mbas kohe nevoja më çonte në Itali, e kërkonim njeri tjetrin, ishte si të thuash një gëzim i përbashkët. Herën e fundit kur isha atje, për pak ditë, ndodhi çudia. I dërgoja mesazhe e i bëja telefon, asnjë përgjigje! U ktheva pa mundur ta takoj. Kaluan ditë e rifilluan mesazhet e shkurtëra. Nuk e pyeta për heshtjen e  atyre ditëve, ndërkohë që e kishim mundësinë të ishim ballpërballë. Më dukej e tepërt. U habita kur në një rast, si nevojë e atij sqarimi të vonuar, më shkruante se në kohën e qëndrimit tim të fundit në Romë, ai ndodhej i shtruar në spital. Nuk doja të  “shqetësoja”- më shkruante- si të refuzonte një kafe. Operohej nga mëlçia, operacion që zgjati katër orë. Me fjalë të pakta më shkruante: Mjekët e Umberto Primo, në dalje nga spitali, më vunë në dijeni se kisha edhe katër muaj jetë. Dy muaj kaluan, për kohën e mbetur nuk ndihem i merakosur. Kam vetëm dhimbjen e fëmijve që e vuajnë shumë e përpiqen të bëjnë të pamundurën. I lutem të mos merren me mjekë të tjerë, e vajza të mos këmbëngulë të më marrë në Amerikë, por ata kërkuan e gjetën mjekun e ardhur nga Franca, i cili më vizitoi e u shpreh çuditërisht: Ti mund edhe të vdesësh, por vetëm nga rrufeja; me këtë organizëm mund të kalosh të paktën edhe pesë vite të tjerë. Besoj se do ta kaloj – më thoshte me optimizëm të shtirë- e më dërgonte fotografi personale. Bashkëbisedimet u bënë më të shpeshta e gradualisht më reale. Sapo të shërohem do vazhdoj të ribëj jetën si njëzetvjeçar. Nuk donte të dëgjonte nga të tjerë “ më vjen keq”, “qofshin të shkuara” e shprehje si këto. Porosi e tij për të shoqen, Behijen që i shërbente tek koka me përkushtim, ishte të mos lejonte njeri të hynte në dhomë. Edhe djemtë e bashkëshortet e tyre privoheshin, pavarësisht se ata vetëm tek ai e kishin vëmendjen çdo ditë e çdo orë.  Shkëmbimi i masazheve vazhdonte sikur s”kish ndodhur asgjë:

-Ciao, Mirëmëngjes Bexhet. Ke të fala nga Tahsimi. 

– Mirëmëngjes. Bëji edhe ti shumë të fala prej meje. Me numrin që më ke dërguar nuk lidhem dot, më thonë ky numër nuk ekziston. 

– Bellissime donne këto që më ke dërguar  dhe unë i përgjigjesha  me të njëjtën recetë.

  • Grazie profesore, shumë të bukura këto foto.
  • Të fala nga Lushnja. Sapo u ktheva. Natën e mirë. Të fala çunave…

Kështu vazhdonim çdo ditë. Një klip dhe mesazh i gjatë i tij. Ajo që dinte dhe mundohej ta fshihte më parë, tani e shkruante hapur.  Kur kuptonte se i kisha lexuar i fshinte e s’mund t’i riprodhoj.

I shkrova ashtu si munda:  Po më çudit. Dy ditë më parë, një mik i djemve, në Lushnje, më pyeti a kisha folur me çunat e tu kohët e fundit. I tregova ato që dija, duke vazhduar me humorin e përshkrimeve tua, duke menduar se janë rrëzuar hipotezat e para dhe se ti kishe filuar të bëje itinerarin e zakonshëm. Të telefonova se mu duk i dyshimtë qëndrimi yt optimist kur ai më tha se  bëje kimioterapi. Shumë vetëve u ka bërë mirë, por besimi, optimizmi që ty s’të mungon, janë më të rëndësishëm. Bëra mirë që të telefonova se krijoj ide më të qartë. Ata me të cilët rri të bëjnë shumë të fala dhe thonë se ti nuk vdes kurrë. Ashtu qoftë!  Edhe unë atë të uroj. Veçse në vërsën tonë- thot Noli- nuk priten lajme të mira. Shkova sot në Kolonjë për të përcjellë në amëshim ish drejtorin tim Nexhip Beqirin, nëse e ke njohur, më i ri se unë. Duhet ta shohim gotën gjysëm plot. Unë të përqafoj me mall e shpresoj të dëgjoj lajme të mira herën tjetër. Të fala Behijes, Ninit, Andit e Klodit, mos harro Irmën e Gëzimin.

16.02. – Më dërgo numrat e djemve se i kam humbur. A domani.  – Mesazh i gjatë, por i fshirë.   Unë –  Sot lozëm shumë. Ti fitove, unë humba: s’mendoja se mund të më rridhnin lotë në këtë moshë. Ciao! Fli tani, mos bëj si çupëlinë. Nesër ditë e re, mendime të tjera. Fundja edhe këto janë pjesë të jetës.

– Më thërret Zenel Kashami për një kafe e s’mund  ta refuzoj. (Nuk më le të largohem) – Do të bëhesh mirë. Jam në Lushnje, kam vëllan sëmurë. Ciao!  Bexheti: Zoti e shpëtoftë profesorin. Më vjen shumë keq, jo pse është vëllai yt por është vërtet shumë i mirë si ju të gjithë. Kujdes vere maskën kur del se gripi kinez ka mbërritu edhe në  Shqipëri, pavarësisht se atje e fshehin si gjithë poshtërsitë e tjera.

Ditën tjetër: Mirëmëngjes Minella. Si u bë profesori?  27.02 : Po kthehem në Tiranë. Mendoj se e  hodhi. Shpresojmë. – Ndershmërisht më gëzove. Unë do shërohem e do filoj jetën nga e  para. Le  të thotë Shopenhaueri se e vetmja gjë që nuk duhet të bëjë një mëndje inteligjente është të mos dojë ta përsërisë jetën pa ndryshuar asgjë nga e kaluara. Unë mendoj se ka të drejtë Niçja: Secili duhet të jetojë në mënyrë të tillë që të dëshirojë ta përsërisë jetën ashtu si e ka jetuar.   – Mirëdita Bexhet.

Më dërgon një foto. Unë: Po qe e fundit kjo foto, kot ankohesh. Uroj të jetë ashtu. Fotua është bindëse, por mos ia dërgo ndonjerës. Natën e mirë.   – Natën e mirë gjum me ëndrra të bukura.   Unë: Buona sera. Attenzione alla salute.   Ai: Grazie! Ditën tjetër : Bexhet si je?  Asnjë përgjigje! 15.03. Mirëmëngjes Bexhet. Heshtje.

17.03 Bexheti ka ndërruar jetë. 

Momenti dhe vendi ku u shua, kohë izolimi e larg qytetit ku u rrit , atje ku si baba i përkushtuar edukoi e  rriti katër fëmijë, ku punoi me ndershmëri si inxhinjer, drejtor i ujësjellsit e punë nga më të ndryshmet, nuk na japin mundësinë t’i hedhim një grusht dhe. Askush nuk ka mundësi t’i recitojë ndonjë nga poezitë e shumta që shkruante, askush nuk mund të përmend aktivitetin e tij si gazetar, shkrimtar e poet, por të gjithë ne që e kemi njohur e jo vetëm, ndihemi të trishtuar.

Nuk më lejoi ta dërgoja në shtyp librin e fundit me poezi.  Edhe shumë shkrime të tjera, ndonëse të vlerësuara nga autoritete të letrave, nuk deshi t’i botonte.  Lamtumirë, mik i dashur. Ne të deshëm e do të kujtojmë përherë ashtu siç ishe me të mirat e këqiat njerëzore.

                     Ngushëllime, familjes e gjithë të afërmëve!

  • Shkrimi u shkrua nga Minella Dani, me kërkesë të editorit të gazetës”Dielli”. Ngushëllojmë familjen Jaçellari, bashkshorten, djemte, dhe vajzen, Irma Jaçellari Idrizi, bashkshortin e saj Gëzimin dhe fëmijët!

Pushofte ne Paqe shpirti i Bexhetit!

* Shkrimtarit Bexhet Jaçellari i është akorduar titulli qytetar nderi i qytetit të Lushnjes për kontributin e çmuar në fushën e artit.

Filed Under: ESSE Tagged With: Minella Dani, nderroi jete

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 676
  • 677
  • 678
  • 679
  • 680
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Çamëria… heshtja që vret”
  • SHQIPTARËT DHE PROJEKTI EVROPIAN PËR MAQEDONINË E VERIUT A MUND TË DEGRADOJË NË NJË NARRATIVË ILUZORE?
  • Brigitte Bardot: “seks bomba bionde” që revolucionarizoi kinemanë franceze
  • “Leksikoni i së drejtës publike – Nocione dhe institute të së drejtës publike”
  • Lugina e Preshevës dhe e drejta e munguar për shtetësi dhe votë në Kosovë
  • Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”
  • Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren
  • Yllka Lezo për median europiane: Shqiptarët kërkojnë drejtësi të paanshme në Hagë
  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT