• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

U ngute Zonja Ambasadore!

March 2, 2020 by dgreca

STARS AND STRIPES FOR EVER!/

Nga Frank Shkreli/

U ngute Zonja Ambasadore! Ne shqiptaro-amerikanët, kemi pritur për 50-vjet për valvitjen e Flamurit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri dhe në çdo kënd të trojeve shqiptare.   Ke vetëm disa javë në detyrë, por mos u habit fare se, ndoshta nuk e keni venë re ende, por flamur amerikan valvitet gjith andej dhe kudo në Shqipëri, në Kosovë dhe gjetkë.

Lotët e para të mia kur kam vizituar Shqipërinë me delegacionin e parë të Departamentit Amerikan Shtetit në mars/prill, 1991, ishte pikërisht momenti kur për herë të parë vendosëm flamurin amerikan në makinën tonë diplomatike me të cilën udhëtuam anë e mbanë Shqipërisë, në atë kohë.

Nuk qava nga mjerimi në të cilin e kishte sjellë komunizmi Shqipërinë e para-ardhësve të mi, por qava se më në fund Flamuri i vendit tim, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po valvitej i lirë në tokën e të parëve të mi.

Ju lutem mos e diskurajoni përdorimin e flamurit amerikan në trojet shqiptare, madje edhe në manifestime të tilla, paqësore.  Flamuri amerikan vetëm të mira i ka sjellur atij kombi. Shqiptarët e dinë këtë, pa marrë parasyshë keq qeverisjen e tyre për këto 30 vjetë, nga udhëheqës që pretendojnë dhe kanë pretenduar se kanë mbështetjen e SHBA-ve dhe të ambasadorëve të saj të akredituar në Tiranë.

Të kisha qenë në vendin tuaj, unë nuk do të kisha bërë ndonjë koment për valvitjen e Flamurit Amerikan. Nuk i kontrollon dot me shqiptarët.  Megjithë hallet e tyre të shumta , ata atje e kanë shpresën: Tek ky Flamur. Unë do isha shumë më i kënaqur për valvitjen e Flamurit të Shteteve të Bashkuara me atë entuziazëm që valvitet gjithmonë në Shqipëri. Kjo pas 50-vjet komunizëm, kur atëherë, vetëm të përmendje emrin e Amerikës, regjimi komunist të fuste në birucë.

Duke e njohur deri diku atë histori, unë do isha shumë më i pakënaqur në qoftë se flamuri i vendit tim të adaptuar, Amerikës tonë të dashur që na ka dhënë strehim mijëra shqiptaro-amerikanëve si unë, se sa të shikonim në manifestime të tilla, djegien ose shkeljen e Flamurit të tonë të dashur, ashtu siç ndodhë shpesh në shumë vende të tjera të botës.

Zonja ambsadore të uroj punë të mbarë në detyrën e re! Me mirëkuptim,

STARS AND STRIPES FOR EVER!

Nga një shqiptaro-amerikan,

Frank Shkreli

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

Thaçi dhe Vuçiç u takuan në Shtëpinë e Bardhë

March 2, 2020 by dgreca

Washington 2 Mars 2020- Siç kishte raportuar më herët Zeri i Amerikës, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u takuan të hënën në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e ambasadoritRichard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Trump për bisedimet Kosovë Serbi dhe këshilltarit për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien.

Presidenti Thaçi shkroi në facebook se “Kosova është e bekuar me mbështetjen e Amerikës dhe Presidentit Trump. Tani jam rrugës për në Kosovë. Pres që menjëherë, të mërkurën apo të enjten, të më mundësohet raportimi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për t’i njoftuar deputetët dhe qytetarët e Kosovës për takimet në Uashington dhe më specifikisht për takimin e sotëm. Duke qëndruar të bashkuara institucionet, partitë politike dhe qytetarët, Kosova do të jetë edhe më e fortë. SHBA është shpresa dhe besimi ynë. Jemi mirënjohës përjetë!”, shkroi ai.

Në një bisedë të shkurtër me Zërin e Amerikës, presidenti Thaçi tha se takimi u mbajt “duke dëshmuar vullnetin e mirë, pa ndonjë të veçantë nga takimi, vullnetin dhe simbolikën e fqinjësisë së mirë dhe domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshje përfundimtare që nënkupton paqen dhe stabilitetin për Kosovën, Serbinë por edhe tërë Ballkanin Perëndimor. Është jashtëzakonisht inkurajues roli udhëheqës që po dëshmon ambasadori Grenell dhe lidershipi i presidenti Trump në këtë drejtim”.

Presidenti Thaçi tha se takimi e ka mesazhin e veçantë sepse Shtetet e Bashkuara “po rikthehen në pozicionin që e ka pasur atë të përcaktimit të agjendave paqësore dhe të perspektivës euro – atlantike për tërë Ballkanin Perëndimor”.

Ai tha se rëndësia e takimit të sontëm është e pakrahasueshme me të gjitha takimet që kanë ndodhur kudo në botë mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, për vet faktin se është zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë dhe me ndërmjetësimin amerikan.

Të dy presidentët ndodheshin në Shtetet e Bashkuara në vizita të ndara gjatë të cilave zyrtarët amerikanë kanë kërkuar që të dyja palët të ndërmarrin verime që sigurojnë rifillimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Zyrtarët amerikanë po i kërkojnë Kosovës që të heqë tarifat e vendosura në nëntor të vitit 2018 ndaj mallrave serbe, ndërsa Beogradit i kanë kërkuar t’i jap fund fushatës për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Presidenti Thaçi tha se Kosova duhet të krijojë rrethana lehtësuese për komunitetin ndërkombëtar dhe për vetveten dhe shfaqi besimin se institucionet e Kosovës do të marrin vendime të përgjegjshme.

“Kokëfortësia e çon Kosovën vetëm prapa dhe e stagnon zhvillimin e Kosovës, ndërsa vendimet e mençura, kohezive e të koordinuara me Shtetet e Bashkuara janë ato që e çojmë vendin përpara”.

Brenda më pak se një muaji Shtetet e Bashkuara siguruan dy marrëveshje ndërmjet palëve për vendosjen e linjës ajrore, asaj hekurudhore dhe ndërtimin e autostradave ndërmjet të dyja vendeve.(kortezi-Zeri i Amerikes)

Filed Under: Politike Tagged With: takimi ne Washington, Thaci, Vucic

Protesta e 2 Marsit në Shqipëri, Meta “në mbrojtje të Kushtetutës”

March 2, 2020 by dgreca

Mijëra qytetarë ishin mbledhur në qendër të Tiranës të hënën me 2 Mars 2020, të thirrur nga presidenti i Republikës Ilir Meta, për të shprehur pakënaqësitë e tyre dhe siç u tha, për mbrojtjen e Kushtetutës së Shqipërisë.

Në tubimin e thirrur nga presidenti që zgjati rreth dy orë, u bashkua edhe opozita e Shqipërisë, si dhe artistë e figura publike të vendit. Meta tha se i ka mbledhur qytetarët në rrugë pasi i ka provuar të gjitha rrugët institucionale, por siç tha ai, sistemi i drejtësisë “është i kapur për fyti”.

“Presidenti i popullit kuq e zi ulet në gjunjë vetëm para flamurit dhe popullit kuq e zi, para popullit të shqiponjave. Këtë ta dëgjojnë mirë puçistët vendas dhe organizatat mafioze ndërkombëtare që kërkojnë të shkatërrojnë sovranitetin tuaj”, tha presidenti.

Presidenti Meta në podiumin e vendosur përballë protestuesve firmosi dekretin që ai e quan “kundër grushtit të shtetit”. Ky dekret ka të bëjë me kthimin e ligjit për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, i miratuar disa ditë më parë në Kuvendin e Shqipërisë në të cilin thuhet se ata nuk kanë nevojë të betohen para presidentit për të marrë detyrën.

Ai tha se qeveria në krye me Edi Ramën ka afat deri me 15 mars të anulojë këtë ligj, në të kundërtën ai do të nënshkruajë shpërpërjen e Kuvendit dhe rrëzimin e qeverisë.

Në anën tjetër, kryeministri Edi Rama në një paraqitje të shkurtë para gazetarëve ka thënë se presidenti i Republikës nuk ka kompetenca për të firmosur dekrete të tilla. Ndër tjerash, ai shtoi se presidenti mund të nënshkruajë dekret “për t’i shpallur luftë Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, por Kuvendi nuk do të miratojë një gjë të tillë.

Në rrjetin social Facebook, menjëherë pas protestës, Rama ka publikuar konkluzionet e raportit të progresit, i cili sipas tij riforcon qëndrimin se Shqipëria i ka përmbyshur detyrat dhe meriton hapjen e negociateve. Sipas Ramës, hapen apo jo negociatat, kjo është çështje politikave dhe u takon vendeve anëtare.

Edhe ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim ka reaguar pas protestës. Asaj i kishte rënë në sy kur një moment Ilir Meta mbajti në dorë flamurin amerikan duke thënë se SHBA-të janë partneri kryesor i vendit.

“U habita kur pashë flamurin amerikan në manifestimin e sotëm. Për të shmangur çdo ngatërresë, duam t’ju qartësojmë se përderisa SHBA mbështet të drejtën e tubimeve paqësore, ne nuk kemi asnjë lidhje me manifestimin e sotëm”, shkroi ambasadorja Kim në rrjetin social Twitter.

Presidenti Ilir Meta akuzon qeverinë e Partisë Socialiste të kryeministrit Edi Rama për shkeljen e Kushtetutës së vendit dhe thotë se ai i ka tejkaluar fuqitë e saj.

Kjo protestë dhe tensionimi politik në vend vijnë në ditën kur Komisioni Evropian ka dhënë rekomandimin pozitiv që Shqipëria të nisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Mijëra protestuesit që ishin mbledhur në kryeqytet, u shpërndanë të qetë.

Presidenti Meta, ish-drejtuesi i partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, për më shumë se një vit ka qenë një kundërshtar i zëshëm i qeverisë. Ky acarim politik e institucional mes tij dhe kryeministrit të vendit u shpërfaq në kohën kur Meta nuk kishte dekretuar të emëruarin për ministër të Jashtëm të Shqipërisë, zotin Gent Cakaj.

Socialistët, të cilët mbizotërojnë në parlament, kanë filluar procedurat hetimore kundër Metës dhe presin të arrijnë shkarkimin e tij. Ky process është i pari në Shqipërinë post-komuniste, që buron nga përpjekja e Metës për të anuluar zgjedhjet komunale të vitit të kaluar, të cilat u bojkotuan nga opozita.

Shqipëria është anëtare e NATO-s që nga viti 2009. Asaj i është dhënë statusi i kandidatit për Bashkimin Evropian në vitin 2014 prej asaj kohe është duke pritur vendimin e vendeve anëtare të BE-së për të nisur negociatat për anëtarësim.(Sipas Radios Europa e Lire)

Filed Under: Featured Tagged With: 2 Mars, Presidenti Meta, Protesta

Ne shqiptarët do jemi Ekrem Bardha vetëm kur do punojmë fort si ai

March 2, 2020 by dgreca

Ndriçim Kullaj/

Faik Konica, në librin e tij “Shqipëria-kopshti shkëmbor i Europës Juglindore”, e shikonte kështu shkakun se përse shqiptarët nuk janë të aftë ta begatojnë ekonomikisht vendin e tyre:Ndërsa popujt e tjerë i kanë përqendruar energjitë e tyre për të nxjerrë para, për të grumbulluar sende të bukura, ose për të kaluar kohën këndshëm me rrugë të ndryshme, këta njerëz të thjeshtë e të ashpër kanë pasur vetëm një qëllim në jetë dhe e kanë arritur disa herë me çmimin e vdekjes së njerëzve të familjes së tyre: të jenë individualisht të lirë kundër ardhësve. Ky është një program i marrë, që injoron gjërat më të holla të jetës dhe vetëkënaqësinë që rrjedh nga bindja ndaj rregullave të arsyeshme. 

Në qoftë se ka qenë kështu kur shqiptarët ishin të pushtuar, cili është shkaku që shqiptarët nuk i përqendruan energjitë për të begatuar vendin e tyre, kur u krijua shteti shqiptar? Shkaku duhet kërkuar te ajo veti e keqe e karakterit të shqiptarit që përmend Mid’ hat Frashëri, kotësia, të cilën ai e quan si burimin e të gjitha të këqijave për shqiptarët. Nëse ka ndonjë mit që ka qenë produkt i kotësisë së shqiptarëve dhe që i ka dëmtuar më shumë ata, ky është miti se meqenëse toka shqiptare ka pasuri të shumta nëntokësore, dhe shqiptarët flenë mbi flori, atëherë ata do të jetojnë në pasuri me të ardhurat e fituara nga nxjerrja e këtyre pasurive nëntokësore. Pasuritë nëntokësore do t’ i nxirrnin sigurisht të huajt të cilët do t’ i ndanin fitimet me shqiptarët. Disa shqiptarë sigurisht që duhet të punonin me të huajt për nxjerrjen e këtyre pasurive, por me paga shumë të mira. Kjo mendësi i la shqiptarët në gjendje vegjetimi, duke mos punuar mbi tokë, ku, gjithashtu, kishin pasuri të mëdha, toka bujqësore, bregdet, pyje, lumenj. Fan Noli e quante për detyrë që t’ ua hiqte bashkatdhetarëve të tij këto ide të gabuara. Prandaj, ai, në një fjalim të mbajtur në parlament, në 1923, iu tërhiqte vëmendjen shqiptarëve që të mos vegjetonin me shpresën e të ardhurave nga pasuritë nëntokësore, por t’ i viheshin punës për të shfrytëzuar pasuritë mbitokësore:

      Shqipëria ka pasurinë që duket, e cila është përmbi tokë dhe pasurinë që s´duket, nën tokë. Uroj me gjithë zemër që pasuria nën tokë të jetë më e madhe se sa e kujtojmë, po është marrëzi të kryqëzojmë duart e të presim të gjitha të mirat nga kjo pasuri problematike e të lemë të pazhvilluar pasurinë parimtare, e cila sikundër na sigurojnë të gjithë ekspertët e huaj, është e mjaftë për të ushqyer dhjetë herë më tepër ndenjës(banor) se sa ka Shqipëria sot

Këto fjalë që Noli u drejtonte shqiptarëve dhe reagimi i shqiptarëve ndaj tij, ngjajnë shumë me bisedën e Edith Durhamit me malësorët dy dekada para këtij fjalimi të Nolit,   ku Durhami u quajt gënjeshtare nga malësorët kur iu tha se prosperimi ekonomik i një vendi arrihej duke paguar taksa njerëzit me paratë që i kishin fituar duke punuar shumë. Në qoftë se Fan Noli mendonte se mjaftonte që dikush t’iu thoshte me zë të lartë  shqiptarëve, që të hiqnin dorë nga ëndrrat me sy hapur se do të jetonin në begati, pa punuar, me të ardhurat e marra nga shfrytëzimi i pasurive nëntokësore prej të huajve dhe t’i viheshin punës së rëndë për të begatuar vendin, pasi shqiptarët do të zgjoheshin nga ky ëndërrim me sy hapur, ai e kishte shumë gabim, siç e tregoi koha. Sepse shqiptarëve nuk iu pëlqente që të dëgjonin fjalë të tilla që prishnin iluzionet e tyre. Nuk donin ta pranonin se begatimi ekonomik vinte me punë të vështirë. Shumica e shqiptarëve të asaj kohe, ashtu si shqiptarët e sotëm, me punë kuptonin, ose që të gjenin një vend pune shtetëror, ose që të hapnin një dyqan ku të rrinin në karrige duke e kaluar pjesën më të madhe të kohës duke bërë muhabet me të njohurit që hynin e dilnin në dyqan për të vrarë kohën. Mid’hat Frashëri, shkruan për këtë prirje të shqiptarëve në 1923:

      Me mijëra njerëz në vendin tonë thonë se janë tregtarë, tyxharë. Po në të vërtetë janë njerëz pa punë. Hyni në dyqan të tyre, ç’ të shihni? “Tregtari” ynë është shtruar këmbëkryq, me cigar në dorë dhe finxhan’ e kafesë përpara; dimërit ka një mangallë dhe rreth shpuzës bën muhabet me miq. Brënda vlefta e plaçkës “sermajaja” s’kapërcen dy mexhitka: dy okë kripë, njëqint dërhem piper, tri tërkuzë, dy mendile të kuqe, katër qelqe llambe. Dhe me këto plaçkurina fiton dhjetë franga në muaj- në mos dhe në mot-po gënjen veten, të shoqen dhe fëmijët: jam tregtar  

Nëse Mid’hat Frashëri do të shihte qytetet e sotme shqiptare, të mbushur pëllëmbë e dyqane, të cilët kanë një xhiro të vogël ditore, do të thoshte se gjendja nuk ka ndryshuar. Çifti britanik Jan e Cora Gordon, që e vizitoi Shqipërinë nga Tirana, në Jug e në Veri, në 1925, do të vinte re të njëjtën gjë në qytetin e Elbasanit:

Elbasani është pa ekzagjerim një farë dyqani. Me dhjetë mijë banorë që ka qyteti, atje ka pothuajse një mijë dyqane, kështu pra duke zbritur nëpunësit e qeverisë, gratë dhe fëmijët e shumtë në numër, duket sikur çdo person në Elbasan mban një dyqan ose diçka të ngjashme. Mbajtja e dyqaneve nuk ishte barrë ose mundim, në përgjithësi. Përmasa mesatare e një dyqani është afërsisht 3 m i gjatë dhe 2 m i gjerë (afro 6 m²), por me një qira vjetore prej gjashtë stërlina dhe dhjetë shilinga, në kushtet e një konkurrencë të madhe, është problem të arrish që dyqani të mbajë të zotin. 

Elbasani ka ndryshuar që nga ajo kohë vetëm në atë që dyqanet janë rritur në raport me rritjen e popullsisë. Dhe të huajt që vizitojnë Elbasanin sot kanë të njëjtën përshtypje si çifti anglez Gordon. Jo më i paktë se numri i dyqaneve, është numri i kafeneve, në të gjitha qytetet e Shqipërisë, duke përfshirë edhe Elbasanin. Shumicën e dyqaneve dhe të kafeneve i kanë dhënë pronarët me qira dhe vetë jetojnë duke e kaluar kohën nëpër kafenetë e tjera. Edhe ata që kanë tokë bujqësore, mendimin e parë e kanë të gjejnë ndonjë mundësi për ta dhënë me qira, jo ta punojnë vetë. Ky është koncepti i vjetër turk i “iradit” për të cilin Mid’hat Frashëri fliste   gjithmonë.

 Historikisht shqiptari është mjaftuar me pak të ardhura financiare, kur ka qenë fjala që ato t’ i fitojë me punë të rëndë nga prona e tij. Sigurisht që shqiptarit i ka pëlqyer të ketë shumë të ardhura financiare, të ketë luks, por me kusht që këto t’ i fitonte lehtë, me anë të plaçkitjes në luftë, ose me anë të hajdutërisë dhe të cubërisë. Edhe sot shumica e shqiptarëve e pëlqejnë pasurimin dhe jetesën luksoze, por jo të siguruar me punë të rëndë, por me veprimtari kriminale, si trafiqet e drogës e të qenieve njerëzore, apo korrupsioni në postet publike. Shqiptari të cilit i duhet të jetojë me punën e vet, mjaftohet në shumicën e rasteve me të ardhura sa për të siguruar minimumin e jetesës.

Mid’hat Frashëri, në 1926, në studimin e tij “Për të formuar karakterin”, thotë se shqiptarët për nga karakteri nuk e pëlqejnë punën e rëndë:

      Por te njeriu dhe sidomos te shqiptari, fle dhe një e metë tjatër: arbëreshit nuk i pëlqen shumë puna e dorës, lodhja e krahut. Jo vetëm që e shikon si një fatkeqësi lodhjen, por e ka për turp punimin. Sot mbase nëntëdhjetë e nëntë përqint e djemve katundarë që frekuentojnë shkollën, janë të bindur se, ay që nxë të shkruajë e të këndojë, më nuk duhet të punojë me krahë. Mësuesi duhet të ketë kujdes që të zhduknjë këtë ide të dëmshme. Duhet të bindnjë nxënësit, se puna është jo vetëm një nevojë, por edhe një detyrë, që s’ ka njeri të përjashtohet prej këtij ligji, që asnjë punë dore, as të mihurit tokën, as të ngarët qetë, as të goditurit mur, as të mbajturët gurë, nuk është turp. 

Shqiptarët që shkuan në emigracion pas vitit 1990 bënë punë të rënda vetëm kur nuk kishin alternativë tjetër dhe pastaj kur i investonin paratë e grumbulluara në Shqipëri, në vend që të hapnin një biznes ku të punonin vetë, sipas profesionit që kishin mësuar në vendin ku kishin qenë emigrantë, ata blinin dyqane dhe lokale për t’ i dhënë me qera, si dyqane, kafene, restorante dhe për të nxjerrë të ardhura në formë “iradi”, siç thotë Mid’ hat Frashëri më lart. Shkurt, shqiptarët, sapo u jepet  mundësia më e parë, heqin dorë nga puna e rëndë, megjithëse nga ajo mund të nxjerrin shumë më tepër të ardhura dhe kërkojnë të jetojnë duke vegjetuar me të ardhurat e qerave.

Është shumë i vogël numri i shqiptarëve të cilët kanë shkuar në emigracion dhe kanë punuar fort, për të ndërtuar biznesin e tyre, me të ardhura të mira dhe pastaj kanë ardhur në Shqipëri jo për të vegjetuar por për të krijuar një biznes që të jetë veprimtari prodhuese. I tillë është rasti i Ekrem Bardhës, i cili pasi vuri pasuri me punë të mundimshme në Amerikë, erdhi në Shqipëri dhe duke punuar fort ndërtoi një platancion të madh me vreshta së bashku me kantinën për prodhimin e verës. Në kujtimet e tij ka një fragment që ndoshta duhet të përfshihet në tekstet shkollore shqiptare për t’ u mësuar fëmijëve dhe të rinjve etikën e punës. Eqrem Bardha shkruan sesi e nisi punën me një restorant McDonalds në Amerikë për t’ i bërë pastaj 18 të tillë:

Për të vendosur rregullin m’ u desh të punoja shtatë ditë në javë nga pesëmbëdhjetë orë ditën. Prej punonjësve të tjerë të lokalit studentët nuk druheshin, ndërsa kur shihnin pronarin në sallë, tregoheshin më të përmbajtur. Më shumë me mirësjellje se sa me urdhra arrita të mënjanoja lodrat e tyre brenda lokalit, shpërdorimet si dhe prishjen e rregullave të mirësjelljes. Si rezultat klientela filloi të shtohej dhe restoranti të frekuentohej më shumë. Megjithatë e ndjeja se kjo nuk ishte e mjaftueshme. Duhej përmirësuar edhe mjedisi i brendshëm, pajisjet, vendosja e tyre. Shpenzova edhe treqind mijë dollarë të tjerë brenda vitit për ristrukturimin dhe zbukurimin e restorantit brenda dhe jashtë, derisa i dhashë formën që dëshiroja. Gjatë një viti humba nga sytë e shoqërisë, nuk dukesha as në xhami, as në kishë, as në Teqen Bektashiane, ku më parë shkoja shpesh të bisedoja me Baba Rexhebin. Jo se nuk kisha dëshirë, por se nuk më mjaftonte koha. Pas një pune 14-15 orëshe në restorant, shkoja në shtëpi që të pushoja sadopak, të mblidhja veten, se të nesërmen do të kisha përsëri një ditë të lodhshme përpara .

Këtu nuk ishte fjala për një emigrant që hapte një restorant, siç ka ndodhur shumë shpesh me shqiptarët në Amerikë, por për një nismë shumë të veçantë, të një shqiptari që me kurajë të madhe i hynte sfidës për të fituar   me punë   besimin e një kompanie me shtrirje globale që kishte një zinxhir ndërkombëtar restorantesh, derisa arriti të kishte një segment prej 18 restorantesh brenda këtij zinxhiri me shtrirje botërore. Dhe ky njeri i mësuar me punë të vështira, pas hapjes së Shqipërisë erdhi këtu për të investuar dhe punuar ashtu siç e kishte zakon, pavarësisht se tani ishte bërë një bos, pra me duart e tij, duke bërë mrekulli siç e tregojnë vreshtat që ngriti nga hiçi në Marikaj pranë Tiranës, dhe kantina e verërave atje. Ai është një biznesmen që ka një veprimtari prodhuese në Shqipëri, që është pikërisht lloji i biznesit për të cilin ka nevojë ekonomia shqiptare. Ai nuk ishte një biznesmen që vinte në Shqipëri nga Amerika për të fituar si të mundte, por edhe një idealist shqiptar që donte t’ u tregonte bashkatdhetarëve një model sesi një biznesmen që vjen nga jashtë vendit në atdheun e tij, siç mund të jetë rasti me shumë shqiptarë që jetojnë në emigracion, mund të krijojë një biznes prodhues, të suksesshëm dhe fitimprurës.   Ne shqiptarët jemi Ekrem Bardha kur punojmë fort, për veten tonë në radhë të parë, por edhe me idealizëm, pa individualizmin destruktiv karakteristik për ne. Mund të ketë edhe raste të tjerë si Ekrem Bardha, por unë zgjodha atë për ta paraqitur si shembull edhe për faktin se kam lexuar librin e tij interesant me kujtime të cilin e kam cituar më lart. Pastaj Ekrem Bardha meriton të sillet si shembull se ai i ka edukuar dhe fëmijët e tij me dashurinë për Shqipërinë, ndonëse ata nuk kanë lindur në Shqipëri. Dhe në sajë të këtij edukimi fëmijët e tij janë shumë të lidhur me Shqipërinë, madje edhe punojnë këtu me projekte të rëndësishme si vajza e tij zonja Donika Bardha.

Ekrem Bardha me biznesin e tij, me vreshtat e tij të gjelbëruara, kuroi me sa mundi edhe një plagë të sotme shqiptare që është shkatërrimi i mjedisit, duke dashur t’ u japë një mësim shqiptarëve se mjedisi duhet mbrojtur si një pasuri kombëtare. Sepse Individualizmi destruktiv i shqiptarëve shfaqet edhe me mungesën e hezitimit që kanë për të bërë shkatërrime të mëdha të natyrës, kur është fjala për të nxjerrë të ardhura financiare të çastit. Ata nuk pyesin se kështu bëjnë një dëm të madh, jo vetëm ndaj komunitetit, por edhe ndaj vetvetes. Kështu sot barinjtë iu venë zjarrin kullotave për t’ i bërë pjellore për një apo dy vjet, pa u shqetësuar se kështu djegin edhe pyje të tërë dhe shkaktojnë rrëshqitje të dheut, duke u shkatërruar shpesh edhe vetë shtëpitë e tyre. Ata marrin zhavorr në shtretërit e lumenjve pa menduar se kështu prishin një mbrojtje natyrore të tokës dhe sjellin si pasojë vërshime të lumenjve dhe erozion të tokës ku kanë parcelat bujqësore dhe truallit ku kanë ndërtuar shtëpitë. Shqiptarët presin lëndë drusore në pyje pa pyetur për dëmin që bëjnë duke shkatërruar pyjet, e me këtë shkaktojnë rrëshqitje të dheut, duke humbur kullotat e tokat bujqësore. Por edhe kjo nuk është një gjë e re në sjelljen e shqiptarit. Në vitet ‘20, At Anton Harapi ankohej se:

      Malcori e katundari nuk e ban mall landën e bimën; e pret, e than, e qet fare, të thuesh për argtim, a për nevojë qi s’ janë nevojë. Për me xjerrë nji tra në mal a në pyllë, aj çon dam njizet tjerë; do me ba nji barrë dru, e than krejt nji bri mali: bariu i ep zjarrmin bjeshkës, e sillet e shikjon me knaqe, si të kish mujtë nji luftë; për me ba nji koshiq thekën, për me xjerrë kullosën e dhetë a pesëmdhet dhenvet, aj nuk ka dert pse zharritet e dermohet nji bjeshkë a nji pyll anë m’ anë. 

Kjo gjë nuk ndodhte vetëm në Shqipërinë e Veriut, por edhe në atë të Jugut dhe në Shqipërinë e Mesme dhe ndodh edhe sot e kësaj dite, në të gjithë Shqipërinë. E për ta vendosur në Shqipërinë e sotme këtë tablo të shkatërrimit të të natyrës që na paraqit At Anton Harapi, nuk na duhet të heqim ndonjë gjë prej përshkrimit të tij, por vetëm të shtojë gjëra të tjera, si furrat e gëlqeres dhe guroret, të ngritura në mënyrë abuzive në kundërshtim me rregullat e ruajtjes së mjedisit, e që shkaktojnë dëme të mëdha.

Një tjetër shprehje e individualizmit vetëshkatërrues të shqiptarëve dhe kotësisë që ndikonte në veprimet e tyre ekonomike, duke u sjellë dëme të mëdha, ishte depozitimi masiv i parasë që bënë shqiptarët sidomos në vitet 1995-1997 në firmat piramidale, me shpresën se do t’ i rrisnin disa herë paratë e depozituara. Pavarësisht se e kuptonin se në fund skema do të dështonte dhe shumë vetë do të dilnin të humbur, secili mendonte se ai vetë do të dilte i fituar. Kotësia nxiste dëshirën për të nxjerrë të ardhura të mëdha pa punuar. Por në fund humbën të gjithë, përveç atyre që i drejtonin këto skema dhe atyre që kishin lidhje me pushtetin.

Kur shtrohet pyetja “Kush jemi ne shqiptarët?” sa i përket ekonomisë dhe punës , përgjigjia nuk është shumë e favorshme për ne. Ne shqiptarët kemi talent për biznes, por nuk na pëlqen shumë puna e rëndë, megjithëse në emigracion kur jemi të detyruar të punojmë fort, tregojmë se dimë ta bëjmë edhe këtë shumë mirë. Ne shqiptarët sidoqoftë vuajmë pasojat e një kulture të gabuar të punës dhe akoma nuk kemi fituar kulturën e duhur të biznesit.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Ekrem bardha

KOSOVA SOT DHE ULJA NË BISEDIME ME ARMIKUN

March 2, 2020 by dgreca

Nga MA.Agim Aliçkaj*/

I dashur Ambasador Kosnett,/

Jam krenar që jam shqiptaro-amerikan se e dua atdheun tim Kosovën dhe e adhuroj këtë të ri ku jetoj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shqiptarët, kudo ku jetojnë, sinqerisht dhe me gjithë zemër, e duan Amerikën si asnjë komb tjetër mbi tokë. Pa Amerikën nuk mund të ketë bisedime me Serbinë, as zgjidhje të konfliktit shqiptaro-serb dhe as të ardhme për popullin shqiptar. Është mjaft zemërdhënëse kur sheh Amerikën tërërisht të angazhuar përsëri për të gjetur një zgjidhje të drejtë dhe përfundimtare të këtij problemi të madh.

 Faleminderit zoti Ambasador për punën tuaj të madhe dhe mundësinë për të folur me ju lidhur me këtë situatë.

E kuptoj që takimi i sotëm është më shumë për investimet e jashtme në Kosovë, mirëpo pa qëndrueshmërinë politike, nuk do të jetë e lehtë. Si e thatë edhe ju vetë, as Amerika nuk mund të detyrojë biznemenët të investojnë në një vend të caktuar. Janë të pavarur në vendimet që marrin për biznesin.

Shqiptarët janë pasardhës të ilirëve, populli më i lashtë në Ballkan. Pas rënies së Perandorisë Otomane, në 1912, Shqipëria shpalli pavarësinë e saj e cila përfshiu më pak se 40% të trojeve shqiptare. Pjesë të mëdha të territorit shqiptar iu dhanë nga Fuqitë e Mëdha Europiane, të ndikuara nga Rusia, fqinjve grykës, agresivë, shtypës, hegjemonikë, e armiqësorë sllavë e ortodoksë: Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë.

Për më shumë se një shekull, populli shqiptar nën pushtim ka vuajtur dhe është bërë pre e shtypjes sistematike, të planifikuar me kujdes, diskriminimit, shfarosjes, shpërnguljes dhe asmilimit. Qindra mijëra civilë të paarmatosur shqiptarë dhe familjet e tyre u vranë ose u detyruan me dhunë që të shpërnguleshin në Turqi. Qeveritë serbe në koordinim me kishën ortodokse zbatuan një program të detajuar në pamfletin e përgatitur nga Vaso Cubrilovic me titullin “Dëbimi i shqiptarëve”.

Shqiptarët e kanë provuar që janë një komb paqedashës, tolerant, joagresiv, gjatë gjithë historisë së tyre të lavdishme por të vështirë. Do të doja të përmendja një shembull, gjatë Holokaustit, shqiptarët i bënë ballë Gjermanisë Naziste dhe ia dolën të shpëtojnë që të gjithë hebrenjtë që jetonin apo kishin mbërritur në trojet shqiptare. Jam shumë krenar që i ndjeri babai im, Arif Aliçkaj, ishte pjesë e këtij akti fisnik. Kjo është shpalosur në dy libra, rezultat i punës së madhe të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, të udhëhequr nga ish-kongresisti Joseph DioGuardi dhe gruaja e tij, Shirley Cloyes DioGuardi.

Dy dekada më parë, shteti terrorist komunist i Serbisë, filloi dhe humbi katër luftra mizore, në zemër të Evropës. Përveç diktatorit Millosheviq dhe pak kriminelë të tjerë të luftës, ajo nuk u ndëshkua kurrë për krimet e kryera kundër njerëzimit. Pretendon se tani është bërë demokratike, por ende sundohet nga anëtarë të regjimit të tij vrasës. Synimet e tyre dashakeqëse për të shkatërruar Kosovën dhe të gjithë popullin shqiptar nuk kanë ndryshuar, vetëm sa janë transformuar në metoda të reja veprimi. Serbia po punon hapur kundër interesave të Kosovës, duke nxitur pakicën serbe kundër vendit të tyre Kosovës, ndërkohë që në mënyrë të vazhdueshme shtypin pakicën shqiptare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Ndërkohë, duke përdorur gënjeshtra dhe propagandë të përditshme e paraqet veten si një “viktimë e pafajshme”. Për shkak të mungesës së pjesëmarrjes aktive amerikane për disa vjet, Europa është munduar ta marrë me të mirë Serbinë, duke u përpjekur që ta nxjerrë jashtë sferës së ndikimit të Rusisë, në kurriz të popullin shqiptar. Ne besojmë fuqimisht se Serbia, nëse nuk mbahet nën kontroll, do të jetë gjithmonë një “kalë Troje”, brenda Evropës, për të promovuar interesat hegjemonike ruse në Ballkan.

Gjatë 12 viteve të pavarësisë së kufizuar, Kosova nuk ka fituar asgjë nga bisedimet me Serbinë. Vetëm ka humbur. Bisedimet për pavarësinë përfunduan me planin e Presidentit Ahtissari. Kosova bëri lëshime maksimale. Pakica serbe mori të drejta e privilegje maksimale si asnjë pakicë tjetër në botë. Pavarësia u njoh nga Amerika, shumica e vendeve evropiane dhe shumë vende të botës. Një dobësim i mëtejshëm i pavarësisë, integritetit territorial, sovranitetit është i papranueshëm. Nuk do të sillte as zgjidhje të drejtë e as përfundimtare të problemit dhe do të ishte kundër interesave të Kosovës, Amerikës, Europës, madje edhe vetë Serbisë. Serbia nuk arrin ta kuptojë se është e verbuar nga urrejtja për shqiptarët .

Qeveria e re e shpresës e zgjedhur nga populli i Kosovës, në zgjedhje të lira dhe demokratike, nuk mund të vazhdojë në të njëjtën rrugë negative. Tarifat ndaj mallrave serbe të vendosura nga Prishtina në nëntor 2018 ishin të nevojshme dhe shumë të justifikuara. Për Kosovën ato ishin të njëjta si sanksionet e Amerikës ndaj Iranit dhe Koresë së Veriut. Jo në të njëjtën shkallë por nuk ka ndonjë ndryshim mes Iranit dhe Serbisë. Diktaturat dhe regjimet armiqësore kuptojnë vetëm gjuhën e forcës dhe presionin e vërtetë ndërkombëtar. Ne e kemi të vështirë ta kuptojmë se pse duhen hequr sanksionet që të kënaqim Serbinë dhe t’i lutemi asaj që të bisedojmë diçka që do të sillte vetëm shkatërrim të mëtejshëm të Kosovës. Përfaqësuesit serbë janë duke e thënë hapur se edhe nëse u plotësohen kushtet, ata nuk do ta njohin kurrë pavarësinë e Kosovës. Në këto rrethana, çfarë kuptimi ka të bisedojmë më armikun? Amerika është përfshirë tashmë dhe po kërkon nga Kosova që të heqë pa kushte tarifën. Qeveria e Kosovës nuk ka rrugëdalje tjetër përveçse të pranoi këshillën e mikut të vetëm të vërtetë, SHBA-së. Populli i Kosovës mund ta pranojë vetëm nga dashuria, respekti, dhe besimi te Amerika. Në këtë kuadër, do të doja t’ju drejtoja pyetjet e mëposhtme:

1) Në vijë me deklaratat tuaja dhe të tjera zyrtare nga SHBA për mbështetje të plotë të pavarësisë së Kosovës, jemi kureshtarë, çfarë plani ka SHBA për të bindur Serbinë që ta pranojë?

2) Sa të shqetësuar duhet të jemi për mundësinë që pas këtyre bisedimeve Kosova të përfundojë një shtet i dështuar, jofunksional?

3) A është e shqetësuar Amerika për armatimet e rënda moderne që Rusia po i jep Serbisë?

4) A do të negociohet edhe për të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre të lashta brenda kufijve të Serbisë, në të njëjtën mënyrë si për të drejtat e pakices serbe në Kosovë?

Faleminderit edhe njëherë, zoti Ambasador.

Zoti i bekoftë kombin amerikan dhe kombin shqiptar!

*Fjala e mbajtur në takimin me ambasadorin amerikan në Kosovë Philip S. Kosnett. Autori është Anëtar i Bordit Ekzekutiv të Ligës Shqiptaro Amerikane dhe Këshillit të Vatrës

Filed Under: Featured Tagged With: .Agim Aliçka, Bisedimet me armikun

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 703
  • 704
  • 705
  • 706
  • 707
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KOSOVA, NJË SHEMBULL DEMOKRACIE– Mbështetja e popullit është çelësi për fitoren e zgjedhjeve
  • FRANK SHKRELI, ZËRI I NDËRGJEGJES SHQIPTARE NË MBROJTJE TË DEMOKRACISË
  • Albanian Soul, Electric Heart – Rozita Fishta’s Music Explorations
  • Ukraina si poligon i armëve të vjetruara globale: Donacionet ushtarake, gjeopolitika e Fuqive të Mëdha dhe perspektiva e paqes së qëndrueshme
  • AT GJERGJ FISHTA, 85 VJETORI I KALIMIT NË AMSHIM
  • Me veprën dhe personalitetin e Martin Segonit plotësohet panteoni humanist shqiptar me një figurë nga më të hershmet
  • Bashkimi kombëtar fillon me bashkimin e Kosovës me shtetin amë
  • PRESIDENTI WILSON NË FILATELINË SHQIPTARE
  • “Çamëria… heshtja që vret”
  • SHQIPTARËT DHE PROJEKTI EVROPIAN PËR MAQEDONINË E VERIUT A MUND TË DEGRADOJË NË NJË NARRATIVË ILUZORE?
  • Brigitte Bardot: “seks bomba bionde” që revolucionarizoi kinemanë franceze
  • “Leksikoni i së drejtës publike – Nocione dhe institute të së drejtës publike”
  • Lugina e Preshevës dhe e drejta e munguar për shtetësi dhe votë në Kosovë
  • Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”
  • Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT