• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Zgjedhjet e 30 Qershorit- Në një klimë ngërçi dhe polarizimi politik

September 5, 2019 by dgreca

OSBE/ODIHR nxjerr raportin përfundimtar të vëzhgimit mbi zgjedhjet e 30 qershorit në Shqipëri /*

OSBE/ODIHR deklaroi në raportin përfundimtar se zgjedhjet vendore të 30 qershorit në Shqipëri u mbajtën pa marrë shumë në konsideratë interesin e elektoratit.

Opozita vendosi të mos marrë pjesë, kurse qeveria u tregua e vendosur për t’i mbajtur zgjedhjet pa opozitën, thekson raporti.

“Në një klimë ngërçi dhe polarizimi politik, votuesit nuk e patën mundësinë të zgjidhnin mes disa opsioneve politike” – thuhet në raport.

Misioni i ODIHR-it për Vëzhgimit të Zgjedhjeve vlerësoi me këtë raport përfundimtar përputhjen e zgjedhjeve shqiptare me angazhimet e OSBE-së, detyrime dhe standarde të tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike dhe me legjislacionin kombëtar.

Në gjysmat e bashkive kandidatët garuan pa kundërshtarë, ndërsa vëzhguesit morën pretendime të besueshme nga qytetarët për presione nga të dyja palët.

“Përplasjet politike çuan në pasiguri juridike dhe shumë vendime të administratës zgjedhore u morën duke pasur si objektiv mbajtjen e zgjedhjeve” – thuhet në raportin e ODIHR-it.

Vëzhguesit thanë se shumë rekomandime të mëparshme të ODIHR-it mbeten të paadresuara, duke përfshirë edhe depolitizimin e komisioneve zgjedhore, transparencën e financimit të fushatës dhe efiçencën e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve zgjedhore.

“Ekuilibri politik i parashikuar me ligj brenda administratës zgjedhore nuk u arrit për shkak të refuzimit të partive kryesore opozitare për të emëruar komisionerët e tyre dhe interpretimit më pas të KQZ-së se vetëm ato parti që marrin pjesë në zgjedhje mund të përfaqësohen në administratën zgjedhore. Përbërja e paekuilibruar politikisht e administratës zgjedhore, thirrjet e partive opozitare ndaj zgjedhësve për të bojkotuar zgjedhjet dhe interpretimet kontradiktore të vlefshmërisë së dekreteve të Presidentit që anulonte zgjedhjet e 30 qershorit cenuan besimin e publikut te procesi” – theksoi raporti i ODIHR-it.

Vëzhguesit pohuan se gjuha e përdorur nga kundërshtarët politikë në tubime dhe në media ishte shpesh e ndezur dhe e mbushur me akuza dhe kundërakuza.

“Qytetarët, sidomos ata që punonin për administratën publike, u përballën me presione direkte dhe indirekte për të shfaqur preferencat e tyre politike” – theksoi raporti.

Vëzhguesit pohuan se fushata zgjedhore ishte e padukshme; përveç afishimeve për edukimin e zgjedhësve, ODIHR-it vuri re një numër të vogël posterash dhe shenjash të tjera që tregonin për zgjedhje të afërta.

“Shumë kandidatë i shprehën Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve së ODIHR-it vështirësinë për motivimin e zgjedhësve për të marrë pjesë në votim. Aktivitetet e kufizuara të fushatës mbetën në hije për shkak të zhvillimeve në shkallë vendi që i thelluan edhe më tej ndarjet e hershme politike. Debatet mbi një numër të madh temash politike u dominuan nga çështja e mospjesëmarrjes në zgjedhje të partive kryesore opozitare dhe nga diskutimet rreth datës së zgjedhjeve” – raporton ODIHR.

Raporti thotë se votimi më 30 qershor u krye pas një sërë njoftimesh nga shumica e bashkive të drejtuara nga opozita se zgjedhjet nuk do të zhvilloheshin.

“Disa kryetarë bashkish u përpoqën të përdorin kompetencat e tyre për të mos lejuar përdorimin e ndërtesave publike si qendra votimi. Në një numër të vogël qendrash votimi pati dëmtime nga zjarrvënia para ditës së zgjedhjeve” – theksoi ODIHR-i.

Sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, dita e zgjedhjeve qe përgjithësisht paqësore, megjithë disa raste të izoluara tensionesh dhe përplasjesh në një numër të vogël komunitetesh.

“Pjesëmarrja në votim varionte nga një bashki në tjetrën, ndërkohë që në shkallë vendi, KQZ-ja deklaroi se ajo arriti 21.6 përqind” – thotë raporti.

OSBE/ODIHR pati rreth 250 vëzhgues në zgjedhjet vendore të 30 qershorit në Shqipëri, dhe raporti pritej me shumë interes nga publiku dhe partitë politike.

  • Kortezi-Zeri i Amerikes

Filed Under: Politike Tagged With: Zgjedhjet e 30 Qershorit- Ngerc-Polarizim Politik

A ishin të ligjshme zgjedhjet e 30 Qershorit?

September 5, 2019 by dgreca

                  DEBAT NË DISTANCË ME ZOTIN MATTHEWS  PALMER/

Opinion nga Asllan Bushati/

I nderuar Zoti Palmer. Unë shtetasi amerikan (por edhe shqiptar Asllan Bushati), kam publikuar më 30 qershor të këtij  viti, në faqen time ne fb dhe në disa organe te shtypit te shkruar shqiptar shkrimin me titull:”Shkëlqesisë (më mirë lartmadhërisë) së tij Metthews Palmer”. Shpresoj se do ta keni parë, por edhe në se jo, (me qenëse tashmë  jeni emruar si përfaqësues special i DASH-së për Ballkanin perendimor), si vazhdim i shkrimit dëshiroj të debatoj me Ju publikisht për disa problem.

Tashmë që u bë  publik raporti zyrtar i OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet e 30 qershorit në Shqipëri, dëshiroj tju bëj disa pyetje?

Zhillimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit  në Shqipëri, pa opozitën a vazhdoni ti konsideroni  akoma si një gjë normale apo jonormale?

Mos publikimin e Dekretit të Presidentit të Shqipërisë  për zgjedhjet lokale në faqen zyrtare a vazhdoni ta konsideroni  normale dhe të ligjëshme apo të pa ligjëshëm?

Gjykimin e Dekreteve të Presidentit nga KQZ-ja dhe Kolegji Zgjedhor (kur me Kushtetutë  e ka vetëm Gjykata Kushtetuese), a mendoni se ishte e ligjëshme dhe  e pranueshme për një shtet ligjor që aspiron ti bashkangjitet BE-së?

Mos respektimi i parimeve themelore demokratike, dhunimi i institucioneve, friksimi i administratës, rikëthimi në sistemin një partiak nga Qeveria e Edi Ramës: a kanë qenë e janë shqetësuese  për Ju apo vazhdoni të mendoni se stabiliteti falls  që teatron qeveria është më i rëndësishëm se demokracia funksionale që synon opozita  ne Shqiperi?

SHBA-ja në radhë të parë, por edhe BE-ja, kanë investuar shumë mjete monetare dhe mundim për bërjen funksionale të reformës në drejtësi  në Shqipëri .( Madje dukshëm ka patur synim për ta bërë atë  shembull  edhe për disa vende të ngjashme me të). Por tani që atje Gjykata Kushtetuese , Gjykata e Lartë,  organet e drejtësisë dhe të prokurorisë mungojnë e nuk funksionojnë për një kohë të gjatë duke shkaktuar një kaos të vërtetë ligjor e institucional, e konsideroni normale  apo anormale dhe Ju e vartësit tuaj në Ambasadën Amerikane në Tiranë dhe  a ndjeni ndopak përgjegjesi për këtë?

Raporti  OSBE-ODIHR-it hodhi dyshime të rënda mbi vetingun që është elementi më thelbsor i reformës në drejtësi, duke aluduar se gjyqtarët e prokurorët vepruan nën tutelën e vetingut e trysninë e Qeverisë Rama. Madje disa shkojnë edhe më larg duke e kunsideruar reformën ne drejtësi si “pushtimi Rama i drejtësisë”. Ju pajtoheni apo e kundërshtoni këtë qëndrim të OSBE-së?

Kryeministri i Shqipërise Edi Rama pas publikimit të raportit të OSBS-së deklaroi se “përpjekja për të ngritur një furtunë në gotë mbi Raportin e OSBE/ODHIR-it është e kotë, e gabuar dhe e dëmshme për vendin,e në radhë të parë për opozitën joparlamentare! Raporti ka çertifikuar zgjedhjet si krejt legjitime e ka dhënë rekomandime në shërbim të reformës që na duhet!”. Ju  Zoti Palmer e konsideroni se është normale dhe e qënësishme kjo deklaratë?

Ne gjykimin tim, OSBE-ODIHR, i rrëzoi zgjedhjet e 30 qershorit në Shqipëri,( në një kohë që Ju kishit deklaruar se do ti njihni ato edhe pa pjesmarrjen e opozitës).  Në këtë situatë të re pas zgjedhore Ju do të vazhdoni ti njihni ato, apo jeni në një linjë me OSBE-në?

Në se pajtoheni me OSBE-në a do të keni kurajon ti ftoni shqiptarët të dalin në zgjedhjet vendore më 13 tetor sic është paraparë në Dekretin e Presidentit?. Kaq pyetje kisha?

Shqiptarët, kanë qenë, janë e do të jenë më dashamirët  e amerikanëve në botë , sepse kanë arsye thelbësore  e të qënësishme për një gjë të tillë.Individë të ndryshëm (në të dy vendet ) mund të lozin ndonjë rol  në lartësimin apo ngadalësimin e mardhënieve, por ai është i përkohshëm. Miqësia midis popullit amerikan e shqiptar është e përjetëshme. Ajo nuk lidhet me gjëra të vogla si për shembull ku jetoj unë dhe ku jetoni ju, apo nëse unë jam dhëndër  në Korcë e ju në Beograd.

Filed Under: Analiza Tagged With: Asllani Bushati-Debat-Palmer

PEDAGOGU, VEPRIMTARI DHE ATDHETARI I DEVOTSHËM QË MBETET I PËRJETËSUAR

September 5, 2019 by dgreca

NË VEND TË HOMAZHIT PËR VETERANIN E ARSIMI SHQIP, VEPRIMTARIN MIKEL VESELI (1940-2019) /

Shkruan: Mikel GOJANI /

Këtë fillimshtator, në Ceneriket të SHBA-ve, u shua nga jeta, pedagogu shumëvjeçar, veprimtari dhe atdhetari , Mikel Veseli, duke lënë një zbrazëtirë të pakompensueshme për familjen e tij, për të afërmit, miqtë, komunitetin e diasporës  shqiptare në Amerikë etj.

 “Kur vdes mësuesi, shkollën e kaplon heshtja”, shprehet një rilindës yni. Mësuesit janë gjithmonë si yjet, ata ndriçojnë  atëherë kur është më se e nevojshme. Të tillë ishin mësuesit shqiptarë, të cilët me misionin e tyre prej iluministësh ndriçuan në ato periudha dhe rrethana, kur pushtuesit  synonin që t’i  pllakosnin rrezet e dritës, ndërsa përmes arsimit mësuesit përpiqeshin që ta davarisnin errësirën dhe të ndritnin mendjen e popullit tonë. I tillë ishte edhe mësuesi Mikel Veseli, i cili me punën e tij të gjatë në arsim, për dekada me radhë edukoi breza të tërë shkollaresh, si në shkollën e vendlindjes në Budisalc, po ashtu edhe në shkollën e Zllakuqanit.

Mikel Veseli u lind në vitin 1940 në Budisalc  nga babai Gjoni dhe nëna Marqe. Rrjedh nga një familje tradicionale, bujare, përparimtare  dhe atdhetare. Rrethanat e kohës familjes se tij i sollën vështirësi për jetës, por asnjëherë nuk u gjunjëzuan dhe as nuk u nënshtruan. U lind e kohën kur prindërit e tij me skamje, por me vullnet të fortë e me punë krahu mbanin familjen. Tani familja drejtoi shikimin kah ardhmëria babai dhe dy vëllezërit e mëdhenj, Lleshi dhe Zefi, punonin për të mbajtur familjen duke shkolluar dy vëllezërit e tyre Mikelin dhe Miroshin.

Mikeli Veseli, shkollën fillore e kreu në vendlindje,  në fshatin Budisalc, të komunës së Klinës,  më pastaj ka kryer shkollën normale. Pas kryerjes së normales, në vitin 1962 filloi punën si mësues në shkollën fillore ish – “Boro Millatoviq”,  tash “Atë Shtjefën Gjeçovi” në Zllakuqan të Klinës, ku për një kohë punët dhe detyrat e punës  të  zëvendësdrejtorit të  kësaj shkolle. Në këtë shkollë punoi deri në vitin 1982, duke vazhduar punën e mësuesisë në shkollën fillore “Liria” të vendlindjes, pra në Budisalc, ku punoi deri në vitin 1988. Në këtë vit migroi në Amerikë, përkatësisht në Cenericet, ku jetoi deri në fundin e jetës së tij.

Gjatë këtyre viteve të jetës së tij në Amerikë, përpos mbajtjes së familjes, ishte i orientuar për të kontribuar edhe në angazhimet që zhvillonte komuniteti i diasporës shqiptare në Amerikë  për të ndihmuar në çlirimin e Kosovës dhe të popullit të saj nga okupatori. Angazhimin e tij kryesisht e zhvilloi në kuadër të LDK-së, por edhe në kuadër të institucioneve dhe asociacioneve tjera që kanë  vepruar  dhe veprojnë ë në Amerikë.

E digjte malli për vendlindjen dhe atdheun e tij. Edhe pse jetonte në këtë vend të largët të Amerikës, shpirtin gjithherë e dërgonte atje, në vendlindje, në atdheun e tij, të cilin aq shumë e deshi deri në frymën e fundit të jetës, duke punuar dhe angazhuar pa kursyer asgjë nga vetja.  

Pra, mësuesi dhe veprimtari, Mikel Veseli, kishte atribute të larta të një njeriu, sepse rridhte prej një familje me tradita fisnike. Këto atribute  ai i sublimoi edhe në orientimin  e tij pedagogjik, në punën me nxënës mbëltoi dituri dhe  virtyte, duke i dhënë kuptimin e mirëfilltë një profesioni fisnik siç është natyra e arsimit. Gjatë punës në arsim, rezultohet se mësuesi  Mikel Veseli rrezatonte vlera njerëzore, profesionale, pedagogjike dhe kombëtare. Këtë e dëshmojnë, të   gjithë ata nxënës që patën rastin dhe nderin që të kenë për mësues një korife të arsimit siç ishte Mikel Veseli.

Për nga dukja dhe tiparet  e tij krijohej përshtypja sikur mësuesi Mikel kishte ardhur në këtë botë me të gjitha komponentët që  e shquajnë   figurën  e një mësuesi. Pamja  e tij të nxiste kureshtjen që ta vështrojë dhe jo vetëm  ta vështrojë, por të mbërthente në mendime prej të cilave vështirë që mund të largoheshe pa e dhënë një përkufizim për figurën e tij.   Si i ri, isha kureshtar të ndalesha   te figura e tij, të fiziku i përmasave mesatare të këtij personaliteti të veçantë.

Në fillimvitet e ’80 (80-82), pata fatin që ta kem koleg në shkollën fillore të Zllakuqanit. Në këtë shkollë ai kishte punuar qysh në fundvitet e 60 dhe ishte formësuar si një pedagog që shquhej dhe dallohej me metodën e tij tepër të veçantë prej një edukatori. Kishte një takt tepër të veçantë me nxënësit. Ishte i afërt dhe shumë komunikativ edhe me kolegët dhe prindërit. Për karakterin dhe angazhimin e tij prej një pedagogu të vyer, pata mësuar edhe nga ish-kolegët e tij, të cilët kishin punuar edhe më herët më mësuesin Mikel. Ata flisnin me admirimin më të madh dhe shprehnin respektin më të thellë. Nxori gjenerata të tëra brezash shkollarësh, që më vonë u bën shumë të zotë në profesione të ndryshme, doktorë, juristë, ekonomistë, inxhinierë etj. Edhe sot pas kaq shumë vitesh ata i janë mirënjohës për kontributin dhe gjithçka çfarë  ky pedagog kishte dhënë për t’u ndihmuar në rrugën e jetës. Për  ish-nxënësit e tij, mësuesi Mikel ishte shndërruar shembull frymëzuesi dhe udhërrëfyes për ngarendje në rrugën e dijes dhe të diturisë. Nga ndejat e shumta me të, në biseda e gjata që kishim dhe me punën dhe angazhimin e tij tepër të zellshëm në misionin që i kishte përcaktuar vetes, kisha fituar bindjen  pozitive rreth personalitetit të këtij njeriu dhe mësuesi të dalluar. 

Mësues Mikel ishte  një burrë që karakterizohej me  një qëndrim serioz . Nuk ishte i rastësishëm serioziteti i tij, jo një seriozitet prej autokrati, por prej një njeriu që  vendosmëria i shkonte edhe në harmoni me profesionin që ushtronte. Ishte tepër njerëzor dhe të krijonte relacione afrie, sa që në mënyrë të pahetueshme njeriu krijonte raporte miqësore me të.

Mësuesi Mikel, ishte i gatshëm që të gjejë gjuhën e afër të komunikimit si me gjeneratat e vjetra, po ashtu edhe me brezin e ri.

Më kujtohen raste të ndryshme në ndeja dhe kuvende ku fjala e mësuesit Mikel peshohej me respekt nga të pranishmit. Për shëmbëlltyrën   dhe rolin e mësuesit ka mendime të shumta. Figura e mësuesit gjatë historisë se njerëzimit është çmuar që nga njerëzit e thjeshtë e deri të perandorët.

Kështu që, Mikel Veseli, me punën e tij në arsim, gjatë gjithë jetës, ndikoi që shume gjenerata të lartësohen ne nivelin më të lartë të dijes dhe të jenë në shërbim të popullit dhe të vendit të tyre.

Për një kohë u përball me sëmundjen që e kaploi, por kurrë nuk u ligështua, kurrë nuk u dorëzua, kurrë nuk lëshove asnjë psherëtimë. Prandaj të gjithë të dashurit e tij u mësuan me besimin dhe durimin e tij.  Mësuesi Mikel ishte një pishtar i jetës e jo i vdekjes. Pranë tij ishte vetëm dashuria për jetën e Njeriun, dashuria e pakufi  për familjen, arsimin, atdheun dhe kombin.
Shuarja e tij fizike erdhi pas disa momenteve të rënda që i përjetoi në familje, pra pas humbjes së vajzës, Besa, vëllezërve Lleshit dhe Zefit, vdekje këto që i shkaktuan dhimbje të mëdha dhe tepër tronditës. Askush nuk do të mund të besonte në vdekjen në moshë fare të re të vajzës së tij, apo në vdekjen e dy vëllezërve që i mori gjatë këtij viti. Ishin këto vdekje shumë të përafërta të vajzës dhe vëllezërve, që vdekja e pamëshirshme i mori, duke lënë dhimbjet për ta, por edhe kujtimet të pashlyeshme për brezat e familjes.

Pra, në këtë fillimshtator, kur edhe  gjethet e  pemëve kanë filluar të veniten, bashkë me to u shua, fizikisht, por jo edhe shpirtërisht,  miku ynë, pedagogu dhe veprimtari, Mikel Veseli, i cili iku në botën e amshuar, duke i lënë të pavdekshme kujtimet dhe veprat e tij të shumta dhe të rëndësishme, të cilat do të jenë të përjetësuara.

Mikel Veseli, ky mësues, veprimtar dhe atdhetar i shquar, për të gjallë të tij vetes i siguroi pavdekësinë.

Shpirti i tij që rrezatonte dritë u mishëroftë në qenien tonë.

U prehtë i qetë në botën e amshuar!

Klinë (Kosovë), 5 shtator 2019

Filed Under: ESSE Tagged With: Mkikel Gojani-Hoamzh- Mikel Veseli

Ambasadori rus dhuroi xhamadanin e tij të artë

September 4, 2019 by dgreca

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

(In Memoriam: Kisha e Madhe ose Kathedralja e shën Shtjefnit në Shkodër në 161-vjetorin e ndërtimit të saj)/


Nga Klajd Kapinova/

“Së këndejmi, shikuar nga aspekti politiko-juridik, Kisha e krishterë është bartëse e institucioneve dhe normave shtetërore romake, zbatimi i të cilave nënkuptohet në sintagmën – unitas et libertas, gjegjësisht uniteti dhe liria – në të cilën shprehet funksionimi i pragmatizmit politik të Perandorisë Romake ndaj popujve të nënshtruar dhe kulturave të ndryshme. Sepse ky unitet dhe liria në të, janë korelativ i fuqisë shpirtërore përmes së cilës ruhet identiteti dhe entiteti i bartësve të një kulture. Kjo është dëshmuar me plotëkuptimin e fjalës në krijimtarinë intelektuale, politike e kulturore, filozofike e shkencore, në art, letërsi, muzikë dhe veprimtaritë tjera shpirtërore të njeriut të botës së krishterë.” – Akademik Zef Mirdita, Kroaci

Dihet mirëfillti, se Krishtërimi depërtoi në vendin tonë, që në shekullin e parë të përhapjes së tij. Për këtë, historiani e albanologu i shquar i mesjetës së Ballkanit, kroati dr. Milan Shuflaj, shkruan: “Fillimi i krishterimit ndër këto vise (të Shqipërisë, shënim i K.K.) bën pjesë në historinë e shek. I të këtij besimi” (M. Sufflay, “Serbët dhe shqiptarët“, 1926, f.121).

Nga vetë përhapja e hershme e kësaj feje në Shqipëri, kuptohet, që kjo ka lënë gjurmët e veta të pashlyeshme në gjuhën dhe historinë e këtij vendi dhe populli stoic e martir. Midis të tjerave, kjo mund të vëhet edhe në rrafshin e terminologjisë kishtare, që rezulton mjaft i pasur dhe përbën një nga shtresat më të vjetra të leksikut të gjuhës shqipe, sidomos ajo pjesë e pasur e terminologjisë, që rrjedh prej greqishtes së vjetër e të latinishtës..


Shtatë prill 1858 dhe viti 2000…

Për qytetarët shkodranë dita e 7 prillit e vitit 1858, është një nga ditët, që ka mbetur e gdhendur thellë e ngulitur në kujtesën e Historisë së Lavdishme të Shkodrës Martire dhe për shumë besimtarë të rrethinave e krahinave të ndryshme të vendit tonë.

Brezat, kujtimet, dorëshkrimet dhe hulumtimet e herë pas hershme, shpesh kanë shprehur me mall mendimin sinjifikativ: “Eh sa ka parë e shikon kjo kisha jonë Kathedrale e shën Shtjefnit!?”.

Dhe ky realitet, është i njohur edhe sot mbas 14 dekadave, kur famulitarët pasardhës të katedralës së Shkodrës shtojnë me pasion mundin dhe djersën e tyre me përkushtimi të veçantë për realizimin me sukses të ruatjes së madhështisë dhe krenarisë së kësaj Kathedrale të mirënjohur në botën kristiane në Ballkan.

Rreziqet e mbarsura me ngjarje dramatike deri në ditët tona e kanë mbajtur krenarë e të papërkulur krenarinë e kishës së madhe të Shkodrës… 

Po cila është historia e ndërtimit të kishës kathedrale të Shkodrës? 

Historia e ndërtimit të kësaj kishe historike të rëndësishme për banorët e devotshëm shkodranë, ka një të veçantë të saj, mbasi kjo dëshirë e ekzistencës së këtij objekti të kultit në fillim me të njëjtin emër kishte qënë ngritur nga banorët e hershëm në brendësitë Kështjellës së njohur legjendare “Rozafa” e cila, më pas u kthye nga okupuesit islam turq me dhunë për dy javë ne xhami…

Vetë fjala aq e njohur në “Kisha e Madhe”, siç e thërrasin ende sot të gjithë, kishte si synim të rëndësishëm që në gjirin e saj të jenë të pranishëm sa më shumë besimtarë të përkushtuar me lutje të përshpirtme.

Këtu mendoj, se duhet shpjeguar edhe shkaku i vonesës së ndërtimit objektit të kultit kristian, mbasi thuhej se piketat e vendosura gjatë ditës prisheshin natën, mbasi popullit i dukej e vogël.

Prandaj mbasi zunë vend këto piketa, atëherë mund të themi se filloi ndërtimi i rregullt i saj. Nga arkitektët ndërtues ishte menduar që kisha të kishte mbi 7500 vende për besimtarët qytetarë etj.

Nga burimet arkivore të Arqipeshkëvisë së Shkodrës dhe nga studimi serioz i përpiluar me kujdes nga studiuesi i shquar shkodran, mësuesi Gjush Sheldija mësohet se Dita e vendosjes së gurit të parë u kthye në një ditë feste, veçanërisht për popullin e Shkodrës.

Kuadri ka qenë i vendosur tek lteri, shkruan studiuesi Lec Zadeja (“Kultura dhe Jeta”, Nr.1, 1993, Shkodër, f.20) i madh dhe që u ripunua me rastin e 100-vjetorit të Kishës së Madhe Kathedrale të shën Shtjefnit nga mjeshtërit e pikturës prof. Simon Rrota, pater Leon Kabashi, dom Injac Dema, dom Ndoc Nogaj, etj.

Ajo kishte këto dimensione 8 metër gjatësi dhe i lartë 3.5 m. Pas një lodhje të mundimshme bashkautorët mundën të realizojnë me sukses objeksionin e tyre kryesor të kultit kristian.

Sikurse mësohet nga burimet e kohës, del se leja për ndërtimin e kishës në fjalë, ishte kërkuar më parë prej Qeverisë turke, që daton kërkesën e bërë në vitin 1834, kur në Stamboll u dërgua një lutje për ndërtimin e nevojshëm të kishës për besimtarët e krishterë.

Gjithashtu, duke parë indiferentizmin dhe vonesën e qëllimshme të Qeverisë Islame të Turqisë, mësohet se kërkesat me shkrim u përsëritën edhe në vitet 1842 për të arritë në vitin 1849, kur më në fund u dha leja për fillimin e ndërtimit të saj. 

Më të vjetrit e qytetit të lashtë të Shkodrës, kanë ruajtur në shenimet e tyre kujtime për këtë evenimet të qytetit.

Kështu, si u vendos kryqi (ku sot është ndërtuar Lteri nga dom Ndoc Nogaj mjeshtër duarartë shkodranë)dhe u ngulën piketat, Avdi Pasha, Valiu i Shkodrës, lexoi formanin (dekretin) e Sulltanit.

Më pas e bekua me një ceremoni fetare guri i parë dhe u hodhën themelet, që ngritën më pas objektin madhështor, më të rëndësishëm kristian.

Gurin e bekoi imzot Topich. Në ceremoninë fetare të rastit morën pjesë famullitari i qytetit, me ndihmësat e tij: të ftuar ishin dhe hafiz Daut Efendi Boriqi, Trupi Diplomatik i akredituar në Shqipëri, me përfaqësitë e konsullatave që kishte në qytetin e Shkodrës asokohe, ipeshkëvi të dioqezëve të ndryshme, klerikë, seminaritë, autoritete të tjera të vendit dhe shumë besimtarë e qytetarë jo të krishterë të pranishëm.

Si detaj i rëndësishëm është se arkëtari i financës së qarkut shprazi në themel 700 lira turke florini, të cilat ishin të vendosura në një pjesë të mbuluar me shami mëndafshi, dhuratë kjo e Sulltanit asokohe të Turqisë. 

Nëpërmes ipeshkvit të vendit, papa Piu i IX, dërgoi për ndihmë me rastin e fillimit të punimeve për kishën e Shkodrës mbi 1000 skuda.

Ambasadori rus dhuroi xhamadanin e tij të artë

Duke njohur shumë mire historinë e mbijetesës martire të popullit shqiptar dhe rezistencën e tij antiosmane dhe për të ruajtur fenë e të parëve të krishterë, Ambasadori rus, duke shprehur dëshirën për praninë e tij, shprehu gatitshmërinë për ta marrë në mbrojtje nga ana e tij kishën kathedrale, si dhe në shenjë bujarie hodhi në themel xhamadanin e stolisur me ar.

Sipas zakonit të stërlashtë, në themel u bë prerja e dashit, ndërsa për punëtorë dhe gostinë e tyre u prenë 30 pendë qe.

Dhe menjëherë puna filloi me vrull dhe dashuri të veçantë. Falë bujarisë si gjest fisnik, nuk u kursye asgjë nga populli zemërgjërë i qytetit ashtu dhe nga rrethinat e tij.

Kështu, sipas mundësisë dhe zemrës bujare, kush me të holla apo stolina të ndryshme (kryesisht gratë), materiale ndërtimi falas, si gurë gëlqere, zhavor, etj., që nga Taraboshi e deri tek Zalli i Kirit, bënë që jovetëm punimet të mos ndërpriten, por ato të vijojnë më me intensitet.

Për ndekjen e punimeve ishte caktuar një komision miks të kryesuar nga specialistë të kohës dhe përfaqësues të banorëve të Shkodrës. Inxhinieri që i realizoi punimet ishte austriaku, po ashtu nga Austria erdhën të gjithë elementët e konstrukcionit metalik i kapriateve të tavanit.

Tregohet, gjatë punimeve se dy herë rresht ishte shembur trajta e formës së gungës. Edhe për ndërtimin e tavanit prej dërrase, sikurse shihet edhe sot është dora e mendja e mjeshtrit të njohur shqiptar shkodranit të njohur Kolë Idromeno.

Mirëpo fatkeqësitë natyrore, siç ishte termeti i 1 qershorit të vitit 1905, shkaktoi shumë dëmtime serioze.

Po të hysh brenda dhe të shikosh me kujdes do të përshkosh këto dimensione hapsinore të Kishës së Madhe që janë gjatësia 75.5 metra, gjërësia 40 m. dhe lartësia deri në tavan 23.3 metra.

Për të rujuar normalisht punimet janë derdhur shumë të ndryshme të hollash. Kështu kur këto të ardhura financiare po mbaronin, një komision i ngritur dhe i përbërë nga qytetarë të njohur të qytetit të Shkodrës (gjithsej 35 vetë) mundi të mbledhë prej popullit shumën prej 1750 napolona floriri. 

Për më tepër përmes një kërkese, iu kërkue ndihmë edhe oborrit perandorrak austro – hungarez Franc Jozefit, për mbështetjen e punimeve të ndërtimit të obektit dhe si moment i përshtatshëm asokohe u gjet ceremonia e ditës së martesës së tij.

Dhe bujaria e gjestit të tij fisnik nuk mungoi, duke dhuruar në këtë ditë të rëndësishme të jetës së tij shumën prej 150 napolona floriri…

Kurse gjatë vitit 1998 atdhetari dhe bamirësi i njohur shqiptaro – amerikan Z. Kolë Preka Cacaj dhuroi për ndërtimin e kampanjilit të njohur të kishës kathedrale të shën Shtjefnit me lartësi 48 metra shumën me vlerë 110.000 dollarë amerikanë, duke qënë kësisoj kontributi më i madh i dhënë nga një individ me mallin e zhuritur për atdheun…

Shuma totale, që ka dhuruar ky bujar nga Triepshi i Malësisë është 160 mijë dollarë amerikanë, pa përfshirë këtu drekën në një restorant luksoz “Argenti”, në hyrje të Shkodrës më ditën e fillimit të punimeve të Simpoziumit Ndërkombëtar “Krishtërimi ndër shqiptarë” që u mbajt në Tiranë më 1999.

Duke u kthyer edhe një herë në momentet historike të kohës kur ndërtohej objekti i kultit kristijan për besimtarët katolik, është me rëndësi të evidentohet se punimet deri në përfundimin e saj zgjatën 9 vjet deri më 15 prill 1858 por pa kumbanare.

Për realizimin e saj u hap përsëri një fushatë financiare, duke trokitur tek zemra bujare shkodrane, ku edhe kësaj here popullsia i nda në tre kategori: ku secili mund të kontribonte sipas pasurisë që kishin.

Pjesa e sipërme e kishës e cila ishte e mbuluar me plumb, ishte sjellë prej Venedikut dhe paguar prej familjes Parruca dhe vëllezërit Mark e Pjetër Pema, të cilët shpenzuan 750 napolona floriri.

Edhe për ndërtimin e kumbanares punoi inxhinieri i talentuar e i palodhur Arsen Idromeno, që ishte I biri I piktorit te shquar shkodran Kolë Idromeno… Punimet inxhinierike të konstruksionit zgjatën 5 vjet.

Në vitin 1890, u vendosën tri kumbonet e para, kurse më vonë dy të tjerat.

Përurimi dhe riti i bekimit është bërë me ceremoni festive nga imzot Pjetër Gjura, që daton me 19 mars të vitit 1923.

Për herë të pare, tingëllimi kumbues i kumonëve u dëgjua me 19 mars, kurse tingëllimi i fundit i tyre po me datën 19 mars, por tashmë në një epokë të errët siç ishte e mbeti ajo e sistemit ateist antifetar të rregjimit komunisto – otoman të Enver Hoxhës.

Nipi i hoxhës, Dulla i Gjirokatrës: “Të djegim me zjarr kishat…

Kështu, në analet e errëta të histories, ka mbetur 19 marsi i vitit 1967…

Një muaj pas “fjalimit” të 6 shkurtit 1967, të diktatorit ateisto – komunist – otoman Enver Hoxha, u shpreh hapur dhe qartë: “Të djegim me zjarr kishat…”.

Dhe me të vërtetë, vetëm kështu mund të realizohej ai qëllim i diktatorit, që do të quhej “Revolucion kultural”, përmes së cilës do të kryente veprën më të shëmtuaren dhe më të ndyrën ndaj popullit të vet dhe kulturës shqiptare.

Kështu në Shqipërinë e Gjergj Kastriotit, apo të shenjtërve të Krishterimit, që nga Iliria, Kastriotit legjendar si mbrojtës i krishtërimit e popujve europianë, Atdheu i shën Nënë Terezës, do të shpallej me Kushtetutë (1974) si “Shtet pa Fe”…

Gjatë asaj kohe të zymtë në shtetin e madh burg, do të shkatërrohen njeri mbas tjetrit veprat e artit të shekullit XIII, ku mendohet se është kurorëzuar Heroi kombëtar Gjergj Kastrioti, në Vau të Dejës, kësaj kishe plot vlera iu vu dinamiti dhe së bashku me afreskët e saj u holl në erë, duke e kthyer në pluhur e gërmallë…

Dhe historia do të flasë, sepse është regjistruese e mirë…

Të gjitha kumbonat u punuan me kujdes të veçantë në Itali nga Francesco de Poli dhe kushtuan 28609 napolona floriri për të realizuar punimin dhe shkrirjen.

E para peshonte 608,300 kg., e dyta 436,500 kg., e treta 307 kg., e katërta 245 kg., dhe e pesta 175 kg.

Secila kumbonë kishte nga një emër të veçantë. Pas djegies së kumbanarës, që ndodhi aty rreth vitit 1912, me kujdesin e veçantë të imzot Pjetër Gjurës u bë e mundur që të vendosën përsëri kumbonat e reja (mbasi tre të parat pësuan dëmtim).

Dhe bujaria shkodrane u shpreh me madhështinë e saj karakteristike. Kështu për të parën kumbonë ndihmuan familja Kolë Kakarriqi me 1400 lira, për të dytën familja e Pashko Ashikut dhe Balto Çoba me kontribut prej 500 lira, për të tretën dhuruan Lazer Ristulli e Nush Topalli, për të katërten Dr. Gjon Saraçi dhe e Kel Palit, kurse për të pestën Lin Luka (i vogli) e Rrok Daberdaku, që dhuruan nga 5 napolona flori.

Po kështu – shkruan studiuesi i njohur Lec Zadeja, kanë kontribuar edhe Cina e Ejell Çobës dhuroi 37 napolona flori, ndërsa nga besimtarët të ndryshëm katolikë u grumbulluan mbi 1200 lireta e 750 korona.

Sahatet i dhuruan me fisnikëri familja Kaculini, duke i sjellur nga Austria.

Disa detaje të veçanta

Kështu mund të përmendim edhe faktin se deri në vitin 1922, Kisha ka qënë shtruar me dërrasa, ndërsa më vonë filloi shtrimi me pëllaka.

Bankat e para u sollën në vitin 1923 nga Italia prej z. Simon Kromiqi.

Siç dihet, vepra më e madhe e kultit kristian në qytetin më veriperëndimor të Shqipërisë, përveç Lterit të madh që ka mbetur i pandryshuar edhe (nga viti 1858) në vitin 1953, ka pasur edhe Lterë të tjera, ku, priftërinjtë celebronin meshen shenjte.

Kështu Lteri i Shejtes Trini, ka qënë paguar prej Nush Gjon Kovaçi, ai i Konakut të Shenjtë u dhurua nga Gaspër Markiçi, të shën Marisë Madalenë e dhuroi Ejëll Çoba, të shën Lorencit e fali si dhuratë Gjon Muzhani, të shna Ndout Kolë Çoba, të shën Kollit, Kolë Serreçi, ndërsa Lterin e Zemrës së Krishtit u ndërtua me ndihmat e mbledhura në popull si dhe me stolitë e ndryshme që dhanë gratë shkodrane.

Dy ujëbekoret, me material mermeri i dhuroi familja Pema.

Në të gjithë Lteret, ishin vendosur trupore të Shenjtorëve të ndryshëm, dhuratë këto të qytetarëve të familjeve fisnike bujare shkodrane…

Gjatë Luftës Ballkanike, në kishën kathedrale u strehuan shumë familje shkodrane, e asokohe për shumë kohë nuk u krye asnjë ceremoni fetare.

Ata u zhvilluan në Kappelë e në oborr të zyrës së famullisë. Qendra e Arqipeshkëvisë (Rezidenca Ipeshkvore e Arkidioqezit të Shkodrës, shenimi im K.K.) u vendos me 6 maj 1871 dhe është vepër e arkitektit Pjetër Marubi. Ajo më përpara ka funksionuar në rrugën Sakak-Nemce, pastaj në Shtëpinë e Misionit Shetitës (në afërsi të Gjukatës së rrethit të Shkodrës sot).

Kthimi i kishës kathedrale në pallat sporti…

Është e vështirë të përshkruash ato vite që si kam jetuar, por që më vonë deri më sot i kam mësuar nga të moshuarit e qytetit.

Sikurse flasin edhe burimet historike, kundër Klerit Katolik Shqiptar të shkolluar në universitetet më të famshme të Europës, nisi kalvari i anatemimeve dhe eleminimit fizik, burgje, litar, plumb, për të vetmin “faj”, se ishin të krishterë, që me stoicizëm kundërshtonin rregjimin ateist të komunistëve.

Dhe kështu filloi njëluftë e hapur dhe e ashpër ndaj çdo gjëje që kishte simbolin e Kryqit dhe kulturës Perëndimore…

Pas mbylljes së kishave, për më tepër mësohet se një pjesë e tyre iu nënshtruan dinamitit, tritolit, dhe kthimin në “vatra” kulture dhe “monomente” sporti.

Studiuesi Lec Zadeja shkruan: “Por pa shkue pak muej, gjoja me kërkesën e nji grupi sportistesh të rrethit, filluen punimet për kthimin e kishës në pallat sporti.

Kështu në vitin 1968, krahas rrëzimit të kumbanarës, filluen në stil të gjanë punimet brenda kishës.

E këto vazhduen me ritme të shpejta për të ardhë tek vitit 1969, kur do të bahej përutimi i pallatit të sportit, me sallë të lojnave me dorë, të ngritjes së peshave, të mundjes, tue u shfrytëzue edhe për koncerte, takime të zgjedhësve me deputetë gjatë fushave elektorale, etj.”

Një fat fatal të tillë do të kishin edhe kishat dhe kuvendet e tjera në Shkodër e në të gjithë Shqipërinë, ku ekzistonin qendrat e kultit kristian.

Ndërsa të gjithë materialet e tjera të kishave u grumbulluan në “Muzeun ateist”, për t’u parë në formë të detyruar nga nxënësit e shkollave dhe populli. Ajo qëndroi e hapur 5 vjet, shëtiti e bredhi në fshatra, malësi, zona industriale.

Të gjitë këto shërbyen për ngritjen e një muzeu lokal ateist (ku, sot është restorant Chicago, shënimi im K.K.), ku ishin të vendosur dokumenta, foto, materiale të ndryshme, të ekspozueme, kryesisht nga Shkodra, dhe u përurue me 9 qershor 1973.

Muzeu përmbante 6 sektorë dhe secili kishte pamje dhe pikësynimet e veçanta.

Në hyrje të tij kushdo të vizitonte këtë, lexonte citatin e gjermanit Karl Marks: “Feja është Opium për Popullin”.

Është me interes të theksohet, se “Muzeu Ateist” qëndroi i hapur, për aq kohë sa qëndruan të mbyllura kishat në Shqipëri.

Në te u zhvilluan me dhjetra sesione “shkencore”, ku shumë servillë dhe “ndihmës besnik të PPSH, (punonin me histerizëm), për edukimin komunist të punonjësve dhe nxënësve të cikleve të ndryshme të shkollave…”, derdhen me afsh të zjarrtë dhumin e madh të urrejtjes ndaj Krishtërimit dhe prelatëve martirë të saj, të cilët njëri pas tjetrit nisin burgosen me dhe pa gjyq, të varen, pushkatohen dhe kalben në burgjet e hatashme komuniste dhe antiklerikale në Shqipëri.

 Asokohe barra më e rëndë e Gjenocidit Komunist 1944-1990, ra në veçanti mbi ajkën e ndritur të Klerit Katolik Shqiptar, që ishte më i konsoliduari në kulturë organizim hierarkik kishtar dhe më atdhetari në vepra konkrete qysh me agimin e Krishterimit në Shqipëri.

U shkruan libra, artikuj të ndryshëm perves, në gazetat antishqiptare si Ze(h)ri i Popullit, Bashkimi, Puna, revista Hosteni, Shqipëria e Re, etj., libra si: “Veprimtaria reaksionare e Klerit Katolik Shqiptar” 1944-1967, shkruar nga Ragip Beqaj në tre vëllimdhe shoqëruar me “vlerësime” fyese, përmes një parathënie që mban nënshkrimin e prof.dr. Jup Kastratit dhe të shumë komunistë dhe antikatolikë të tjerë të tërbuar manjak, ku, arritën që të mbrojnë “Doktoratura” dhe nivelin e lartë të “shkencës” titullin bastardh për ta “Profesor”, kundër vëllezërve të gjakut të tyre.

Për shumë dekada vazhdoi propaganda antikatolike, ku, u mbushën me qindra e mijëra fletë rrufe, u shkruan artikuj, libra dhe broshura pervese, të cilat sot janë si njolla me e zezë e turpit të paskrupullt të tyre.

Dhe nuk janë pak, por një mal i tërë me gënjeshtra dhe mashtrime mediatike, që për brezat që do të vijnë do të ketë shumë mund e punë për t’i dlirë dhe për të nxjerrë në pah dufin patetik të urrejtjes, që kishin e kanë edhe sot shumë syresh, që pa të drejtë morale mbajnë dhe mburren me titujt bastardh të tyre.

Mbas dimnit vjen pranvera Dielli mbas shiut agon

7 mars 1991. Mbi ndërtesën e pallatit të sportit rreth orës 10 paradreke, disa qytetarë shkodranë vendosën me dashuni kryqin.

Klerikët e qytetit të Shkodrës, kanë marrë në dorë çelësat e Kishës së Madhe, që pas 50 vjetëve tashmë shkëmoi gjumin e gjatë letargjik, ku e pllakosi ateizmi këtë tempull lutjesh të shenjtë për besimtarët katolikë.

Po në këtë ditë festive të rihapjes së kishës kathedrale, përmes një ceremonie të thjeshtë, kleriku i nderuar pader Aleks Baqli, në prani të një numëri të madh besimtarësh shkodranë dhe nga rrethinat bëri bekimin e kishës, të dhunuar egërsisht nga sistemi komunist, duke e kthyer se forcë në sallë sportive shumësportësh.

Dhe gëzime të tjera do të shoqërojnë kishës kathedrale, siç ishte dita e paharruar e 25 prillit të vitit 1993, kur Ati i Shenjtë polaku papa Gjon Pali II (sot Shën Papa Pali II – Carol Woytila), në prani të shumë përsonaliteteve shqiptare dhe nga bota shuguroi katër ipeshkëvinjë të rinjë shqiptarë: Imzot Frano Illinë (1918-1997), imzot Zef Simonin (1928-2009), Imzot Robert Ashtën (1918-1998) imzot Rrok Mirditën (1939-2015).

Ish i burgosuri politik në Shqipëri, për shumë kohë, Shkëlqësia e Tij imzot Zef Simoni, drejtuesi i revistës popullore shkodrane: “Kumbona e së Diellës” (themeluar nga Eminenca e Tij Kardinal Mikel Koliqi, 1942), ku, unë kam qenë redaktor i saj, në librin e tij autobiografik: “Ngjarje në Tokë” (1998), e përshkruan kështu këtë epizodë të rëndësishme të kishës martire katolike shqiptare, që po i buzëqeshte ringjallja pas serisë së madhe të kalvareve të përgjakshme: “Me këtë rast ishte lajmërue kleri, 31 persona, me asistue në meshën që do të celebrohej, në Kishën Kathedrale prej këtyne dy meshtarëve. Në homelinë Mons. Celli, tha fjalë shumë të bukura tue e lidhë ditën e parë të pranverës me pranverën e re të Ringjalljes së fesë.

Para e mbas bani një mbledhje me tanë klerin në një dhomë në Pallatin e Arqipeshkëvisë, që ende nuk kishte nisë rindërtimin e tij.” (Zef Simoni Ipeshkëv, “Ngjarje në Tokë:, Shkodër, 1998, f. 246).

Së fundi, Kurja Arqipeshkvnore Metropolitane e Shkodrës në përgjigjen e kërkesës së dy klerikëve të meshtarëve dom Ndoc Nogaj dhe dom Nikollë Mazreku njofton se miraton ndërtimin edhe një herë të Lterit të ri në kishën Kathedrale, kushtuar “Zojës së Shkodrës” (Nana e Këshillit t’Mirë), sipas idesë së arkitektit të ndjerit mjeshtër Kolë Idromeno.

Dhe punimet filluan dhe pas disa viteve përfunduan me sukses, duke dhuruar për Kishën Kathedrale këtë dhuratë të Nanes Hyjnore dhe të popullit të Shkodrës që gëzon sot të gjithë. E historia e Kishës Kathedrale është e hapur dhe do të pasurohet me ngjarjet që do ta pasojnë qytetin dëshmitare e së cilës do të jetë edhe ajo…

Një mesazh nga profesori shqiptaro amerikan Prifti

I ndruari zoti Klajd Kapinova! Ky është një shkrim/studim, që vë në dukje të vërteta të krishterimit, që duhet t’i dijë çdo shqiptar. Studimi deshmon për një punë kërkimore serioze, por që ia vleu mundimit, sepse dha fruta. Studimi shquan dhe për një sërë shprehjesh të goditura, si nga ana gjuhësore, ashtu dhe për të vërtetat shkencore, që pasqyrojnë.

Me pak fjalë, është një studim, që ka zgjeruar njohuritë e mia për historinë e krishterimit në botën shqiptare. Mendoj, se ai meriton përhapje të gjerë, në forumet e publicitetit të diasporës sonë, që të përfitojnë edhe të tjerë, ashtu siç përfitova unë.

Prof. Peter Prifti

San Diego, California

Filed Under: Histori Tagged With: Klajd Kapinova- Kisha e madhe-katedralja e Shen Shtjefnit

..botë rreth

September 4, 2019 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Çdo gjë është e mundshme, nëse ecet drejt. Por njeriu shkon në të kundërtën e rrugës. Kështu, shumë gjëra bëhen më të largëta, gjithnjë e më të pa-arritshne. Dhe Zoti a Natyra qëndrojnë si të ishin komedianë përpara një publiku që ka frikë qeshë.
Botë e hutuar. Çdo gjë sikur është krijuar që njeriu të humbasë mendjen dhe të tërhiqet deri në fundin e tij. Nëse Toka është e rrumbullakët, çka është, atëherë edhe jeta në ‘të duhet të jetë e tillë, rreth, cikël, dhe jo një vijë me fillim e mbarim. Kjo çështje mbetet mister, siç ka qenë dikur forma e Tokës.
Shumë kultura antike besonin se Toka ishte e sheshtë. Ideja për një Tokë sferike u shfaq nga Pitagora (shek. VI p.e.r.). Megjithëse shumica e periudhës para-sokratike (shek. 5 p.e.s) ruajti modelin e Tokës së sheshtë.
Në fillim të shekullit të katërt p.e.s. Platoni shkroi për një Tokë sferike, ndërsa më 330 pes, nxënësi i tij, Aristoteli dha prova për formën sferike të Tokës, duke u mbështetur mbi baza empirike.
Në shekullin, Claudio Ptolemeu (100-168) botoi Gjeografinë e botës, ku toka paraqitej në formë rrethi. Më parë ai kishte botuar Megisten, në greqishten e vjetër (koine) “megiste”, “më e madhja””, emër që qëndron prapa latinishtes Almagest, përkthyer nga arabishtja “al-majisti” në shekullin XI.
Ptolemeu në shkrimet e tij përmend (për herë të parë në histori) edhe emrin e fisit ilir, Albanoi, diku në Shqipërinë e mesme. Disa thonë se pikërisht kjo faqe e librit, sot mungon.
Një përkthim në frëngjisht në dy vëllime i Gjeografisë u botua në vitin 1813 dhe 1816 nga Nicholas Halma, me komente të hollësishme historike në një parathënie prej 69-faqesh. Librat janë në dispozicion të plotë në bibliotekën kombëtare franceze Gallica.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi-..botë rreth

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 895
  • 896
  • 897
  • 898
  • 899
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT