• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Skuthat e “Dum Babës”

August 14, 2019 by dgreca

Skuthat e “Dum Babës” /

Nga Rafael Floqi/

Shpesh në luftën politike të pa skrupull shqiptare, përmendet Lëvizja e Haxhi Qamilit e vitit 1914, si simbol i diçkaje te vjetër, apo simbol i tradhtisë kombëtare. Lëvizje që komunizmi kërkonte dhe me studimet e veta e bëri si lëvizje fshatare …. nuk ishte as më shumë as më pak një Pugaçov shqiptar. Madje dhe në zhargonin e kryeministrit tonë, kripto-katolik” Edi Rama ka zënë kaq shumë vend figura e Haxhi Qamilit sa dhe një muaj, më parë ai i quante të gjithë “ Haxhi Qamilë, madje kur Rama zhvilloi një takim elektoral në Tropojë dhe Kukës, ku prezantoi kandidatët për kryebashkiakë para zgjedhjeve lokale e quajti Presidentin Meta, Haxhi Qamil.  

 “Meta ka marrë përsipër pjesën e dhunës institucionale. Ka marrë përsipër molotovët institucionalë. Ka marrë përsipër t’i gjuajë me molotov Amerikës, Europës. Haxhi Qamili kur mori kot atëherë i çuan fjalë ata i thanë sikur po e tepron se po preken interesat e Francës. Reagoi Amerika dhe Italia, tha unë nuk kam anuluar zgjedhjet në Amerikë. Njësoj si Haxhi Qamili, i cili tha sa të kem Shijakun dhe Kavajën nuk pyes Amerikën. Është ky vend që nxjerr Haxhi Qamilë”.

Si rrallë here, kësaj herë rashë dakord vetëm me fjalinë e fundit të Ramës. “ Një vend që nxjerr “Haxhi Qamilë”. Thonë se çdo krahasim çalon, por krahasimi i politikanëve tanë, i Ramës i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, por edhe i disa përfaqësuesve të PD-së në Memorialin e viktimave të Grushtit të shtetit të 15 Qershorit në Turqi, ngjason me shumë me ngritjen e flamurit të Perandorisë Osmane nga Haxhi Qamili apo mulla Qazim Beqari shpalosi parullën “Duam Babën”. Më 3 qershor 1914 në një mbledhje në Kavajë, ndër kërkesat kërkonin largimin e Princ Vidit të sjellë nga Fuqitë e Mëdha. Kryengritësit myslimanë kërkuan ribashkimin e Shqipërisë me shtetin osman ose së paku të qeverisej nga një sundues osman, rivendosjen e Sheriatit, heqjen e flamurit shqiptar dhe rivendosjen e flamurit osman.

A kërkon këtë Rama apo Veliaj?  Nuk e besoj. Apo kërkon vëlla Edi të shantazhojë BE-në, SHBA-në  me hijen e vëlla Tajipit? Mundet. Apo dhe diçka për tej, apo më të errët, alla mafioze me linja avionësh ? Se di. Pse nisi pikërisht tani Linja ajrore shqiptare?  

Çfarë i duhet Shqipërisë të futet në politikën e brendshme të Turqisë? Të pyesim vëlla Edin?

Habi. “Heronjtë e Erdoganit”, ata që dhanë jetën në mbrojtje të tij, kur u bë tentativa e grushtit të shtetit, qenkan nderuar me një përmendore! Ku në një rrugë, nga më të bukurat e Kryeqytetit! Ngjarja ka ndodhur me 15 Korrik, pra një muaj më parë. Një terr informativ e kishte mbuluar këtë manifestim madhështor, në mes të ditës, bash në zemër të Tiranës. Mund te shihni  videon që ka shpërndarë Ambasada Turke. Turma me flamuj shqiptarë dhe turq, marshojnë drejt Kodrave të Liqenit. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës duket në video që përshëndet aktivitetin. Në sfond të tij lexohet “Fitorja e Demokracisë së 15 Korrikut -Tiranë, Shqipëri”. Në fytyrë i lexohet shqetësimi, sikleti dhe padurimi për tu larguar…Ishte një nga detyrat më të vështira që ka kryer prej marrjes së detyrës….Por pse media bashkiake me 47 punonjës nuk u gjend aty. Asnjë televizion për be, asnjë portal, asnjë gazetë. Asnjë status në FB. Bëhet fjalë për mediat shqiptare sigurisht. Ndërsa media kryesore turke, televizioni shtetëror turk TRT dha një kronikë për këtë ngjarje… Kryeministri ishte larguar në rezidencën verore të Erdoganit në Marmara dhe ne e shijuan kronikën me verë të mirë te tij me vëllain e madh, Tajip. Dhe kjo ndodhi pasi vëlla Edi me ministrin e Brendshëm turk Süleyman Soylu ishin marrë vesh, siç raportonte Anatolli Ajans :  “Në takimin e mbyllur për mediat mes dy delegacioneve të kryesuara nga kryeministri Rama dhe ministri Soylu u diskutua rreth Organizatës Terroriste FETO, luftës kundër krimit të organizuar dhe çështjeve të migracionit”, Në takimin midis delegacioneve i pranishëm ishte edhe ambasadori Yörük dhe kreu i Zyrës për luftën kundër krimit të organizuar (KOM) pranë Ministrisë turke të Punëve të Brendshme, Resul Holoğlu. 

Shqipërisë nuk i duhet as Feto dhe as Erdogani.  Kemi shumë respekt për Shtetin Turk, Qeverinë Turke, Popullin Turk si shtet, qeveri dhe popull mik, por miqësia miqësi, respekti respekt por secili i di vetë punët e veta në shpi të vet! Dhe ky është debat politik dhe 100% laik! Grushti i dështuar gylenist i shtetit i 15 Korrikut dhe reagimi i drejtë ndaj tij nuk është një ngjarje fetare por një çështje krejtësisht e politikës së brendshme turke pa asnjë lidhje me Shqipërinë! Simpatitë personale të Ramës nuk kanë asnjë vlerë dhe asnjë kuptim në lidhje me 15 Korrikun e Turqisë! Janë thjesht simpati dhe tifozllëk personal që s’duhet të ndikojë në qëndrimet ndërshtetërore!

Nëse kritikët e kanë shndërruar në një anekdotë qesharake maninë e Erion Velisë për tu shfaqur kudo duke mbjellë një pemë, por fshihet kur firmos për kulla në Tiranë, kësaj here është kujdesur që fytyra e tij të mos fiksohet askund si e lidhur më këtë ngjarje. Pse?

Justifikimi i Veliajt për këtë ngjarje kërkon të mbulojë të pëgërat me plehra.

 Veliaj theksoi se “ s’ka ndodhur asnjë hata apo tradhti…. Unë do të thosha t’i lëmë të vdekurit të qetë dhe kush do që t’i respektojë me një qiri, me një lule apo me një lutje, t’i lëmë gjithashtu të qetë. Tirana zemërmadhe ka vend për të gjithë”. Vërtet, po pse nuk qe vetë prezent?

Por harron ai se u desh disa vjet vetëm për të marrë një leje për të ndërtuar një statujë të Dede Gjo Lulit me kontributet e diasporës së Amerikës në Tiranë. Në kryeqytet ku nuk mungojnë as vepra avangardiste borxh si “Reja”, apo kërpudhat e bërë synet të oborrit të Kryeministrisë, nuk ka një monument për Nënë Terezën, dhe një që ishte e degdisën në Qafë Thanë. Sipas këtij mendimi të Veliajt pse të mos i ndërtojmë një statujë edhe Erdogulit  (Na mbytën telenovelat Turke, në kanalet televizive shqiptare dhe kosovare”)  pse jo, edhe për Sulltan Muratin apo Mehmetin, apo dhe për Haxhi Qamilin.  

“Nganjëherë e di si më duket, sikur e vetmja gjë që kemi mësuar nga historia, është që s’kemi mësuar asnjë gjë nga historia. T’ju jap një rast? Haxhi Qamili. Duam babën, duam të shkojmë atje ku ishim 500-vjet. Zot, a nuk është për t’u habitur se si përsëritet historia, që ka njerëz që thonë prapë – Duam babën. Por tani jo ai ‘baba në Stamboll’, dhe ai që e thoshte këtë gjatë fushatës  ishte po Veliaj. Dhe kësaj here pas veprimit prej skuthash të vendosjes të memorialit, tani po e kuptoj fiksimin e Rilindasve me këtë figurë të errët të historisë shqiptare.  Nuk ka asnjë dyshim që Haxhi Qamili është personazhi më komik dhe më grotesk i këtyre 100 viteve të shtetit shqiptar. Thanas Floqi, një patriot shqiptar dhe i afërm i imi që e pa për herë të parë në Elbasan, i terrorizuar nga imazhi tij, ka dhënë përshkrimin më interesant të këtij personazhi: “Haxhi Qamili nga trupi asht mesatar e nga mosha përgjysëm burrë. Asht vesh me uniformë gjenerali; me uniformën e Fadil Pashë Toptanit të cilën duket se ia kanë dhanë shokët si dhuratë. Në krye ka vu një kallpak oficerësh të Turqis edhe nga mesi i tija varet shpata që ka ka rrëmbye pashës nacionalist (Aqif pashës). E vetmja gjë që prish armoniën e kësaj veshje ushtarake janë kofsharët e bardhë (brekushet) qi kanë zanë vendin e pantallonavet. Pas veti mban gjithnji dy këshilltarë ose adjutantë. Reshit Gjata prej Krrabës së Elbasanit dhe Haxhi Qiri nga Borizanë e Krujës…”.    

S’ka ndodhur asnjë hata apo tradhti. U shpreh Veliaj. Vërtet ….

“Debati mbi memorialin nuk është debat që ka lidhje me fenë por vetëm me politikën.”, Të jesh kundër cënimit të sovranitetit & identitetit kombëtar nga disa neotomanë shqiptarë të PS dhe PD me monumente absurde dhe ofenduese si me qenë krahinë turke dhe shpalljeve antikombëtare se “jemi vëllezër me Turqinë” qenka islamofobi? Që kur qenka shpall erdoganizmi fe dhe Erdogani koka e islamit për Shqipërinë? Apo pse e larguan kryetarin e mëparshëm të komunitetit islam si Fetoist. 

Ç’ lidhje ka feja këtu? Ky është debat krejtësisht dhe pastërtisht thjesht politik që lidhet me çështje thellësisht politike!  Me idhullin që ka Rama për autokratin Erdogan, apo më tepër me lidhjet okulte të Ramës me Erdoganin. Vëllai i madh Tajip të vetmen gjë që ndërton në Shqipëri është një xhami që ka kaq vjet që s’po sendërtohet dhe ende dhe besimtarët për Bajram vazhdojnë të falen në shesh. Dhe do të vazhdojë të jetë kështu ndoshta, gjersa Shqipëria, ashtu si Kosova skuthësisht të dorëzojë fshehtas ndonjë kokë gulenisti që ende ka mbetur.  

Natyrisht, Turqia ka interesa në Ballkan. Investimet dhe tregtia turke janë rritur në të gjithë rajonin. Murat Uğur Ekinci, një analist i Ballkanit në SETA – një qendër mendimi afër qeverisë turke – tha se statistikat zyrtare tregojnë një rritje të jashtëzakonshme në tregtinë e Turqisë me Ballkanin Perëndimor, nga 435 milion dollarë (364 milion €) në 2002 në 3 miliardë dollarë (2.5 €) miliardë) në vitin 2016.  Pavarësisht rritjes, Ballkani perëndimor përbën vetëm një pjesë të tregtisë së Turqisë. Për shembull, vëllimi i saj i tregtisë me BE është rreth 145 miliardë euro. Natyrisht Ballkani është tërheqës për bizneset turke sepse si Turqia ashtu edhe vendet e rajonit janë përpjekur të përafrojnë rregulloret me ato të BE-së, si kandidatë për anëtarësim. Lidhjet e ngushta kulturore, historike dhe fetare e bëjnë Turqinë një partner natyror për vendet e Ballkanit Perëndimor me një popullsi të konsiderueshme muslimane, të tilla si Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria dhe Kosova. Më befasuese ka qenë një marrëdhënie e lulëzuar tregtare dhe politike me Serbinë, ku dikur ndjenja anti-turke ishte e përhapur. Por kush e njeh historinë e Shqipërisë e kupton pse.

Nga ana e tyre, vendet me lidhje të ngushta me Turqinë insistojnë se këto nuk ndikojnë në dëshirën e tyre për të shkuar drejt BE. Aktivitetet e politikës së jashtme turke, projektet sociale, kulturore dhe mediatike, si dhe investimet ekonomike, të gjitha janë rritur me shpejtësi në rajon në dekadën e fundit. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka kohë që ka kërkuar të forcojë lidhjet me ish-tokat e Perandorisë osmane në Ballkan, duke e vendosur Ankaranë në konkurrencë me Rusinë dhe BE-në në rajon. Raporti pretendon se Ballkani Perëndimor nuk është një përparësi për politikën e jashtme turke – e cila përqendrohet më shumë në marrëdhëniet me Evropën dhe zhvillimet në konfliktin sirian.

Si konkluzion them se e dua Turqinë, si vend mik, madje, dhe muajin tim të mjaltit e kam kaluar atje, por siç thoshte Naimi, për Shqipërinë “dielli lind nga perëndon”. Asokohe, kur po vizitoja një nga shitoret e relikteve turistike në Antalia, shitësi i dyqanit, më pyeti: 

-Nga je? 

-Shqiptar i thashë, arnaut”.

-Vëlla”, më tha turku. 

-Jo, vëlla i thashë, por komshi. Komshi i mirë i thashë”

 Dhe pasi bleva një sy palloi blu për fat, ika duke recituar prej Dritëroit “Poçarin”.   

Filed Under: Politike Tagged With: Rafael Floqi-Skuthat-Dum Babes

KUR BOTA NA BEFASON DHE GJËRAT SHKOJNË PËR SË MBARI

August 13, 2019 by dgreca

Nga SERGIO ROMANO/ Corriere della Sera-Perktheu -Eugjen Merlika/

            Jo gjithmonë lajmet na vërtetojnë bindjen se Evropa dhe bota po përshkojnë një nga krizat më të këqija të dhjetëvjeçarëve të fundit. Ka edhe çaste kur njerëzit që kanë përgjegjësitë më të mëdha sillen me arsye dhe gjërat duket se shkojnë për së mbari.

            Na kishin thënë se Kina po punonte për një plan ambicioz (Rruga e re e Mëndafshit) për të zotëruar ndërmarrjet tona e portet tanë. Por duket se në javët e fundit qeveria e Pekinit ka vendosur t’i pakësojë investimet jashtë shtetit (14 miliard dollarë në 2018) e t’i limojë shumë projektet për ndërtimin e infrastrukturave në Vendet në zhvillim. Duhet të shmangim faktin që Kina të bëhet shumë vërshuese. Por ajo i njeh më mirë se të tjerët caqet e fuqisë dhe të pasurisë së saj.

            Ishim mësuar t’i quanim Vendet e Vishegradit (Republika Çeke, Polonia, Sllovakia, Hungaria) një “kundër-Evropë”, të rrezikëshme veçanërisht për tërheqjen që ushtron mbi qeverinë austriake dhe sovranistët italianë. Por zgjedhja në kryesinë e Sllovakisë të një zonje evropeiste dhe liberale, Suzana Caputova, tregon se jo e gjithë Evropa qëndër-lindore është mosbesuese. E dinim se gjigandët e informatikës kërkojnë të shmangen nga rregullat financiare t’Evropës, krijojnë parajsa fiskale në Vendet ku vendosen dhe përdorin privatësinë tonë si një të mirë tregtare. Por në Financial Times lexoj se Mark Zuckerberg, pronari i Facebook-ut, e njeh rëndësinë e rregullave. Në një bisedë të fundit ka pranuar se ka lëndë në rrjet – sfera vetiake, përmbajtja e fushatave zgjedhore dhe ruajtja e të dhënave – në të cilët rregullat publike janë të domosdoshme.

            Kishim frikë se Rexhep Taip Erdogan, mbas grushtit të Shtetit të dështuar të korrikut 2016, po zbërthente copë mbas cope Turqinë demokratike dhe laike që kish krijuar Mustafa Qemal Ataturku mbas fundit të sulltanatit. Nuk besoj se ka hequr dorë nga projekti autoritar dhe kam përshtypjen që mund të besojë ende mbi miratimin e Turqisë anadolliane, në të cilën një shoqëri e kushtuar Islamit i është mirënjohëse për rritjen ekonomike të viteve të shkuara. Por humbja e dy qyteteve më të mëdha të Vendit (Ankara dhe Stambolli) tregon se trashëgimia e reformuesit të madh nuk ka humbur krejtësisht.

            Gjatë fushatës për kryesinë e Brazilit Jair Bolsonaro nuk ka fshehur mallin e tij për regjimin ushtarak: një njëzetvjeçar i filluar më 1964 në të cilin gjeneralët dhe admiralët lejonin qënien e një të vetme partie e qeverisnin me polici të vrazhda shtypëse (“gorillat”). Por një veteran i asaj periudhe, gjenerali Ernest Geisel, ka thënë ditët e shkuara se ishin kohë të tjera e se ushtarakët shërbejnë për të bërë luftën, nëse është e nevojshme, e jo të qeverisin Vendin. Jo gjithshka po shkon shtrembër. Kishte të drejtë një politikan i moshuar kur tha: “Bota nuk shkon as djathtas dhe as majtas, vjen rrotull”.

*****

            Corriere della sera                          

 E përktheu Eugjen Merlika

            Shënim i përkthyesit

            Më tërhoqi vërejtjen ky shkrim optimist në morinë e atyre të zymtë që mbushin çdo ditë gazetat e kohës që po kalojmë, si pasojë e ndryshimeve, herë herë të vrullshme të botës sonë. Barazpesha që priren të lëkunden, koncepte të politikës ndërkombëtare, me të cilët jemi rritur e po plakemi, të kthyera në tabu mendore që rrezikojnë zbehjen, dalje në skenë e “teorive” për ndryshueshmërinë pa kritere logjike të gjithshkaje njerëzimi ka sendërtuar deri tani, sulme pa parim të vlerave tradicionale shumë shekullore, krijojnë një çoroditje në shumicën e publikut.

            Publiçisti i njohur, ish ambasadori italian në BRSS në vitet tetëdhjetë, me stilin e tij të thukët merr në shqyrtim pesë shfaqje të ndryshme të politikës ndërkombëtare, duke i parë ato në kahun e tyre pozitiv e shpresëdhënës. Besoj se edhe politika, aq e përfolur shqiptare, mund të gjejë në këtë shkrim motive përsijatjeje e përvoje të vlefshme për t’u mbajtur parasysh në veprimtarinë e saj aq të diskutueshme sa i takon vlerave, parimeve e metodave të punës.

            Dy prej këtyre ngjarjeve mund të paraqesin një interes për problematikat e jetës sonë politike: zgjedhja e Suzana Kaputovës në krye të shtetit sllovak dhe zgjedhjet e fundit vendore në Turqi me përfundimet e tyre në Ankara dhe Stamboll. Besoj se ka mjaft çfarë të mësohet prej tyre.

Filed Under: Analiza Tagged With: Kur Bota Befasonte-Sergio Romano-Eugjen Merlika

USHTRIA E KOSOVËS, EMËRIME E GRADIME

August 13, 2019 by dgreca

-Presidenti Hashim Thaçi dekretoi emërimin dhe gradimin e gjeneralëve të Ushtrisë së Kosovës/

PRISHTINË, 13 Gusht 2019-Gazeta DIELLI/ Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës dërgoi sot këtë komunikatë:
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në mbështetje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ligjit për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, më datë 1 Gusht 2019, ka bërë emërimin dhe gradimin e gjeneralëve të FSK-së, si më poshtë:
Gjeneral brigade Enver Cikaqi, gradohet në gradën Gjeneralmajor i FSK-së dhe emërohet Zëvendëskomandant i  FSK-së;
Gjeneralmajor Bashkim Jashari emërohet Inspektor gjeneral në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes;
Gjeneralmajor Gëzim Hazrolli emërohet  Drejtor i Drejtorisë së Inteligjencës në Ministrinë e Mbrojtjes;
Gjeneral brigade Nazmi Brahimaj emërohet Drejtor i Drejtorisë së Burimeve Njerëzore në Ministrinë e Mbrojtjes;  
Gjeneral brigade Fadil Hadërgjonaj emërohet Komandant i Komandës së Forcave Tokësore të FSK-së;
Gjeneral brigade Xhevahir Geci emërohet Komandant i Komandës së Gardës Kombëtare të FSK-së;
Gjeneral brigade Naim Haziri emërohet Komandant i Komandës së Logjistikës së FSK-së;
Gjeneral brigade Irfete Spahiu emërohet Komandant i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes së FSK-së; dhe
Kolonel Jeton Dreshaj gradohet në gradën Gjeneral brigade i FSK-së dhe emërohet Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së.
Dekretimi dhe emërimi i gjeneralëve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë së Kosovës – FSK, ka hyrë në fuqi dje,  më 12 Gusht 2019./b.j/-
*Per me Hume foto Shih ne Facebook-Gazeta Dielli


Filed Under: Kronike, LETERSI Tagged With: Bell Jashari- Ushtria e Kosoves-Presidenti Thaçi

Veseli i përgjigjet QUNIT-it -Ne jemi përkrah aleatëve, por BE ta ndalë Serbinë

August 13, 2019 by dgreca

-Mirëpresim përpjekjet e SHBA-së, BE-së, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë për zhvillimin e Dialogut/

-Kërkojmë nga BE që ta parandalojë financimin e strukturave paralele në Kosovë nga Qeveria e Serbisë, të ndalojë projektet kolonizuese serbe përmes ndërtimit të lagjeve në Veri…/

PRISHTINË, 13 Gusht 2019-Gazeta DIELLI/ Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli, i është përgjigjur letrës së lëshuar sot nga QUINT-i, duke rikonfirmuar qëndrimin e PDK-së e cila do të jetë përkrahë aleatëve perëndimorë të Kosovës

Nëpërmjet një shkrimi të publikuar në faqen e tij në Facebook, Veseli ka thënë se në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, qytetarët e Kosovës do të zgjedhin ndërmjet atyre që janë përkrahë aleatëve perëndimorë që ndihmuan për lirinë dhe pavarësinë e vendit, apo për ata që i trajtojnë aleatët perëndimorë si armiq dhe përpiqen që Kosova të mbijetojë e vetme.

Shkrimi i plotë i Kadri Veselit:

Kosova arriti pavarësinë e saj duke pasur në krah një aleancë të fortë me Perëndimin.

Një nga temat mbi të cilat qytetarët do të duhet të vendosin në këto zgjedhje është nëse Kosova dëshiron t’i vazhdojë marrëdhëniet e saj të veçanta me aleatët tanë ndërkombëtarë, apo t’i trajtojë ata si armiq dhe të përpiqet që të mbijetojë e vetme.

Ne duhet t’i mbrojmë interesat e Kosovës, por nuk do të jemi në gjendje ta bëjmë këtë pa partnerët tanë strategjikë. Prandaj, mirëpresim përpjekjet e SHBA-së, BE-së, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë për zhvillimin e Dialogut.

Megjithatë, ne kërkojmë nga BE që ta parandalojë financimin e strukturave paralele në Kosovë nga Qeveria e Serbisë, të ndalojë projektet kolonizuese serbe përmes ndërtimit të lagjeve në Veri, të lejohet rindërtimi i shtëpive të djegura atje ku shqiptarët jetonin para vitit 2001, si dhe të dënohen kriminelët dhe përdhunuesit serbë për krimet e kryera ndaj shqiptarëve të pafajshëm gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Filed Under: Komente Tagged With: Kadri Veseli-Pergjigje Quinit

Ktheni kryet edhe nga të përndjekurit politikë

August 13, 2019 by dgreca

Nga Reshat Kripa/ Një zhurmë e madhe po bëhet këto ditë rreth ngritjes së një memoriali nga ana e Ambasadës Turke në Tiranë  në kodrat e liqenit artificial të kryeqytetit. kushtuar të rënëve në grushtin e shtetit kundër diktaturës së presidentit Erdogan. Çuditërisht në këtë memorial përfshihen vetëm të rënët që i përkasin pushtetit të Erdoganit dhe jo ata që u ngritën kundër diktaturës së tij..

            Kush e lejoi ambasadën turke të ngrejë një menorial të tillë? Kjo është e qartë  duke parë disa pesrsonaliteteve të vendit tonë që u bënë pjesëmarrës në ceremoninë e përurimit të saj. Kush ishin ata? Në rradhë të parë nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Ardian Mazniku. Ishte gjithashtu edhe një personalitet tjetër i njohur, të cilit nuk dua t’ia përmend emrin, si përfaqësues i shoqërisë civile, që deklaroi:

            “Ky memorial është ngritur për të nderuar njerëz, të cilët dhanë jetën për vendin e tyre. Ata u ngritën për të mbrojtu lirinë dher prosperitetin e vendit të tyre dhe ky rast duhet të shërbejë si shembull se si duhen nderuar të gjithë ata njerëz të cilët sakrifikojnë për vendin e tyre.”

            Me gjithe respektin që kam për këtë zotni, dua t’i them se mbrojtësit e diktaturës ergodaniane nuk ranë për lirinë e Turqisë, se lirinë Turqisë është pikërisht presidenti Erdogan që po ia rezikon. Kështu që ata ranë për të mbrojtur një sistem diktatorial që po vendoset në Turqi. Në rast se këta ekzemplarë paskan rënë për lirinë e vendit të tyre, atëhere le të ngrehim memorial edhe për grushtet e shtetit të zhvilluara në shumë vende të botës si në Greqi, grupi i kolonelëve, në Sudan dhe në shumë vende të tjera.

            Ajo që më deziluzionoi më tepër ashte deklarata e kryetarit të Bashkisë Tiranë, zotit Erion Veliaj, që deklaroi:

            “Në atë teritor ka mbi 50 pika, ku janë kujtuar raste të ndryshme dhe secili ka mundësi të reapektohet. Unë do të thosha që t’i lemë të vdekurit të qetë dhe kushdo që t’i repektojë me një qiri, me një lule apo me një lutje, t’i lemë gjithashtu të qetë. Tirana zemërmadhe ka vend për të gjithë.”

            Atëhere po të jetë se Tirana paska vend për të gjithë, zoti Veliaj, le të ngremë memorial edhe për diktatorët e botës mbarë që kanë sunduar  vendet e ndryshme. Le të ngremë memorial edhe për kuilingët e njohur të botës mbarë.

            Duke menduar të gjitha këto që shkrova më sipër më del para syve vendimi i Këshillit të Ministravee të Republikës së Shqipërisë me numër 42, datë 14.01.2009 për propozimin e  projektligjit “Për Simbolet e Përkujtimit të Viktimave dhe të Krimeve të Komunizmit në Shqipëri”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkangjitet këtij vendimi. 

            Ndërsa në relacionin përkatës thuhet:

            Projektligji përcakton ngritjen e një obelisku, përmes të cilit do të përkujtohen viktimat dhe krimet e komunizmit dhe, si i tillë, do të ndihmojë brezat, e tanishëm dhe të ardhshëm, të kujtojnë dramën që i shkaktoi komunizmi Shqipërisë dhe shqiptarëve. Për të realizuar këtë mision kaq të rëndësishëm, obelisku duhet të vendoset në njerin nga sheshet kryesore të Tiranës, si një zgjidhje arkitekturore e një niveli të lartë internacional. Në bazë të këtij ligji,Këshilli i Ministrave ka hapësirën e mjaftueshme ligjore, për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme për ngritjen e obeliskut.”

            Mbështetur në këtë vendim dhe këtë relacion, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi projektligjin “Për Simbolet e Përkujtimit të Viktimave dhe Krimeve të Komunizmit në Shqipëri”, ku në nenin 5 të tij thuhet:

            “Këshilli i Ministarve të nxjerrë aktin e nevojshëm nënligjor, për ngritjen e “Obeliskut Të Viktimave dhe Krimeve të Komunizmit”.

                  Çuditërisht, kanë kaluar gati njëmbëdhjetë vjet nga miratimi i vendimit në fjalë,  dhe asnjë nga kryeministrat dhe kryetarët e Bashkisë së Tiranës nuk është interesuar për zbatimin e tij. Si ka mundësi që, pa u menduar fare, miratohet ngritja e një memoriali për nje grusht shteti të nje vendi të huaj që nuk ka asnjë lidhje me vendin tonë dhe nuk ngrihet memoriali i të përrndjekurv politikë, i caktuar me një vendim të Kuvendit të Shqipërisë? Mos vallë kjo është pasojë e prapaskenave të marëveshjes së fshehtë Rama-Erdogan?.A mos vallë kjo është një paralajmërim për mbylljen e disa shkollave turke në Shqipëri që nuk i përkasin rrymës së kryeministrit aktual turk? 

            Përse ky hezitim i pajustifikuar për problemet e të përndjekurve politikë? Qysh në tetor 2006 është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë rezoluta “Për Dënimin e Krimeve të Kryera nga Regjimi Komunist në Shqipëri”, në miratimin e së cilës deputetët socialistë, me urdhër të kryetarit të tyre, Edi Rama, dolën nga salla. Zbatimi i kësaj resolute do të ishte një zgjidhje përfundimtare e problemeve të të përndjekurve politikë. Por kjo nuk ndodhi. Nga të shtatëmbëdhjetë pikat e saj pothuajse nuk është zbatuar asnjë. Le t’i argumentojmë:

            Nuk është dënuar diktatori Enver Hoxha si ideatori, frymëzuesi,drejtuesi dhe ekzekutuesi  i sistemit më të egër diktatorial komunist në Europën Lindore.

            Nuk është bërë rishikimi i datave simbol të sistemit komunist që shënojnë instalimin e diktaturës  komuniste.

            Nuk janë bërë publike të gjitha dokumentat që dëshmojnë krimet e regjimit komunist përfshirë edhe dosjet e krijuara në ish-institucionet e përndjekjes dhe dënimeve politike si Sigurimi i Shtetit, Prokuroritë, Gjykatat, dhe Komitetet e Dëbim-Internimeve.

            Nuk janë hapur dosjet e ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë,të administratës publike lokale dhe qëndrore,  si dhe të mediave kombëtare audio-vizive apo të shklruara.

            Nuk është hartuar një strategji kombëtare për të gjithë detyrimet ligjore lidhur me statusin e të përndjekuve politikë për integrimin, arsimimin punësimin, strehimin,  dhe dëmshpërblimin e tyre në një kohë sa më të shpejtë si dhe akordimin e një fondi  për gjetjen e të zhdukurve dhe të vrarëve me apo pa gjyq për arsye politike.

            Nuk është bërë rishikimi i librave shkollorë, hapja e muzeumeve dhe kthimi në muze i burgjeve dhe kampeve të tmerrshme si dhe ngritja e memorialeve në nderim të shqiptarëve që u vranë për kundërvënie ndaj regjimit totalitar.

            Nuk është organizuar konferenca kombëtare me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të të persekutuarve, akademikëve, historianëve, dhe ekspertëve të OJQ-ve, për krimet e kryera nga diktatura komuniste. 

            Të gjitha këto ishin parashikuar të realizoheshin por, megjithëse kanë kaluar trembëdhejtë vjet, askush nuk është kujtuar për zbatimin e tyre. Për të qënë më realist theksoj se janë zbatuar pothuajse plotësisht arsimimi dhe strehimi i tyre, megjithëse për strehimin u hartua nje ligj, sipas të cilët, të përndjekurit politikë fitonin të drejtën e strehimit falas, kurse tani, çuditërisht, atyre u zbritet vlefta e shtëpisë nga ligji i dëmshpërblimit të tyre, i cili ka kaluar për zbatim në kalendat greke dhe nuk dihet se kur do të përfundojë. 

            Sot në Shqipëri numërohen mbe 4000 të vrarë dhe të humbur që nuk kanë një varr për të vendosur një tufë lule apo të derdhin një pikë lot. Shtypi dhe media përditë shkruajnë për të zhdukurit në Kosovë por nuk kujtohen për të rënët në Shqipëri. Deri kur do të vazhdojë kjo gjendje?

            Ka mbi dymbëdhetë vjet që është krijuar shoqata e shpalljes së kampit famëkeq të Spaçit në muze por, megjithë përpjekjet e saj, ende nuk ëshrë bërë asgjë.

            Lidhur me konferencën kombëtare për krimet e kryera nga diktatura komuniste vazhdon heshtja sikur të moa ekzistonte fare si një pikë e rezolutës në fjalë. Në vendin tonë po organizohen konferenca nga të gjitha llojet, deri edhe ato nga shoqatat gej dhe për këtë konferencë as që kujtohet njeri. Përse?

            Këto ishin çështjet që më dolën parasysh këto ditë kur diskutohet ngritja e një memoriali absurd për një çështje që nuk i takon fare vendit tonë.  Si një ish-i dënuar politikë nga regjimi komunist, u drejtohem shoqatave të të përndjekurve politikë që ta ngenë zërin deri në kupë të qiellit për zbatimin e të gjitha detyrimeve që janë ligjëruar për shtresën tonë, deri në zgjidhjen përfundimtare të tyre. Përndryshe nesër do të jetë shumë vonë.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Reshat Kripa-Ktheni site-Te Perndjekurit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 914
  • 915
  • 916
  • 917
  • 918
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT