Nga SERGIO ROMANO/ Corriere della Sera-Perktheu -Eugjen Merlika/
Jo gjithmonë lajmet na vërtetojnë bindjen se Evropa dhe bota po përshkojnë një nga krizat më të këqija të dhjetëvjeçarëve të fundit. Ka edhe çaste kur njerëzit që kanë përgjegjësitë më të mëdha sillen me arsye dhe gjërat duket se shkojnë për së mbari.
Na kishin thënë se Kina po punonte për një plan ambicioz (Rruga e re e Mëndafshit) për të zotëruar ndërmarrjet tona e portet tanë. Por duket se në javët e fundit qeveria e Pekinit ka vendosur t’i pakësojë investimet jashtë shtetit (14 miliard dollarë në 2018) e t’i limojë shumë projektet për ndërtimin e infrastrukturave në Vendet në zhvillim. Duhet të shmangim faktin që Kina të bëhet shumë vërshuese. Por ajo i njeh më mirë se të tjerët caqet e fuqisë dhe të pasurisë së saj.
Ishim mësuar t’i quanim Vendet e Vishegradit (Republika Çeke, Polonia, Sllovakia, Hungaria) një “kundër-Evropë”, të rrezikëshme veçanërisht për tërheqjen që ushtron mbi qeverinë austriake dhe sovranistët italianë. Por zgjedhja në kryesinë e Sllovakisë të një zonje evropeiste dhe liberale, Suzana Caputova, tregon se jo e gjithë Evropa qëndër-lindore është mosbesuese. E dinim se gjigandët e informatikës kërkojnë të shmangen nga rregullat financiare t’Evropës, krijojnë parajsa fiskale në Vendet ku vendosen dhe përdorin privatësinë tonë si një të mirë tregtare. Por në Financial Times lexoj se Mark Zuckerberg, pronari i Facebook-ut, e njeh rëndësinë e rregullave. Në një bisedë të fundit ka pranuar se ka lëndë në rrjet – sfera vetiake, përmbajtja e fushatave zgjedhore dhe ruajtja e të dhënave – në të cilët rregullat publike janë të domosdoshme.
Kishim frikë se Rexhep Taip Erdogan, mbas grushtit të Shtetit të dështuar të korrikut 2016, po zbërthente copë mbas cope Turqinë demokratike dhe laike që kish krijuar Mustafa Qemal Ataturku mbas fundit të sulltanatit. Nuk besoj se ka hequr dorë nga projekti autoritar dhe kam përshtypjen që mund të besojë ende mbi miratimin e Turqisë anadolliane, në të cilën një shoqëri e kushtuar Islamit i është mirënjohëse për rritjen ekonomike të viteve të shkuara. Por humbja e dy qyteteve më të mëdha të Vendit (Ankara dhe Stambolli) tregon se trashëgimia e reformuesit të madh nuk ka humbur krejtësisht.
Gjatë fushatës për kryesinë e Brazilit Jair Bolsonaro nuk ka fshehur mallin e tij për regjimin ushtarak: një njëzetvjeçar i filluar më 1964 në të cilin gjeneralët dhe admiralët lejonin qënien e një të vetme partie e qeverisnin me polici të vrazhda shtypëse (“gorillat”). Por një veteran i asaj periudhe, gjenerali Ernest Geisel, ka thënë ditët e shkuara se ishin kohë të tjera e se ushtarakët shërbejnë për të bërë luftën, nëse është e nevojshme, e jo të qeverisin Vendin. Jo gjithshka po shkon shtrembër. Kishte të drejtë një politikan i moshuar kur tha: “Bota nuk shkon as djathtas dhe as majtas, vjen rrotull”.
*****
Corriere della sera
E përktheu Eugjen Merlika
Shënim i përkthyesit
Më tërhoqi vërejtjen ky shkrim optimist në morinë e atyre të zymtë që mbushin çdo ditë gazetat e kohës që po kalojmë, si pasojë e ndryshimeve, herë herë të vrullshme të botës sonë. Barazpesha që priren të lëkunden, koncepte të politikës ndërkombëtare, me të cilët jemi rritur e po plakemi, të kthyera në tabu mendore që rrezikojnë zbehjen, dalje në skenë e “teorive” për ndryshueshmërinë pa kritere logjike të gjithshkaje njerëzimi ka sendërtuar deri tani, sulme pa parim të vlerave tradicionale shumë shekullore, krijojnë një çoroditje në shumicën e publikut.
Publiçisti i njohur, ish ambasadori italian në BRSS në vitet tetëdhjetë, me stilin e tij të thukët merr në shqyrtim pesë shfaqje të ndryshme të politikës ndërkombëtare, duke i parë ato në kahun e tyre pozitiv e shpresëdhënës. Besoj se edhe politika, aq e përfolur shqiptare, mund të gjejë në këtë shkrim motive përsijatjeje e përvoje të vlefshme për t’u mbajtur parasysh në veprimtarinë e saj aq të diskutueshme sa i takon vlerave, parimeve e metodave të punës.
Dy prej këtyre ngjarjeve mund të paraqesin një interes për problematikat e jetës sonë politike: zgjedhja e Suzana Kaputovës në krye të shtetit sllovak dhe zgjedhjet e fundit vendore në Turqi me përfundimet e tyre në Ankara dhe Stamboll. Besoj se ka mjaft çfarë të mësohet prej tyre.