• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

20 VJET-Përkujtohen vëllezërit Yll, Agron e Mehmet Bytyqi

July 9, 2019 by dgreca

-Në Kosovë përkujtohen në 20 vjetorin e vrasjes vëllezërit Yll, Agron e Mehmet Bytyqi, shqiptarë të ardhur nga Amerika për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës/

-Lavdi heroizmit të vellezërve Bytyqi dhe gjithë heronjve të kombit tonë/

PRISHTINË, 9 Korrik 2019-Gazeta DIELLI/ Në Kosovë, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli kanë përkujtuar sot 20 vjetorin e vrasjes së vëllezërve Yll, Agron e Mehmet Bytyqi, shqiptarë të ardhur nga Amerika për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata u vranë pasi ishin arrestuar nga autoritet e Serbisë.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi: U bënë 20 vjet nga vrasja e vëllezërve Bytyqi dhe përgjegjësit e këtij krimi vazhdojnë të jenë të lirë në Beograd, duke udhëhequr institucione dhe duke u dekoruar nga shteti serb. Drejtësia ndërkombëtare ka dështuar në ndëshkimin e krimeve serbe në Kosovë: të vrasësve të mbi 13 mijë civilëve shqiptarë, ndëshkimin e kriminelëve serbë që dhunuan mbi 20 mijë gra shqiptare, që vranë mbi 1300 fëmijë dhe kryen rreth 400 masakra anekënd Kosovës. Kriminelët serbë që i kryen këto krime, që bënë spastrim etnik, duke i larguar prej shtëpive të tyre mbi 1 milion shqiptarë, që kryen gjenocid mbi popullsinë e Kosovës, vazhdojnë të sillen lirshëm dhe janë tërësisht të amnistuar nga drejtësia ndërkombëtare. Kosova, qytetarët tanë, kërkojnë drejtësi. Heshtja ndërkombëtare përballë këtyre krimeve nuk është në shërbim të drejtësisë dhe paqes, por në shërbim të kriminelëve! 

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj: Në 20-vjetorin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, Agronit, Yllit dhe Mehmetit, kujtojmë sakrificën e tyre të pashembullt për lirinë e Atdheut. Ata erdhën nga ShBA-ja për t’iu bashkuar rreshtit të mbrojtësve të kësaj toke dhe thelbi i rënies së tyre shpalosë dimensionin e vërtetë të luftës sonë çlirimtare. Ekzekutimi i tyre pa gjyq dhe drejtësia e munguar e mbanë fajtor edhe sot shtetin serb për mosndëshkimin e krimit. Duke u përkulur para veprës kulmore të tre Heronjve të Kosovës, Qeveria e vendit zotohet se nuk do të ndalet së vepruari për vendosjen e drejtësisë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli: Ylli, Agroni dhe Mehmeti, tre vëllezërit Bytyqi, lanë jetën e qetë në Amerikë dhe dëgjuan thirrjen e atdheut për çlirim. Sot bëhen 20 vjet nga dita kur ata u vranë pabesisht nga kriminelët e regjimit të atëhershëm serb. Drejtësia për këta trima dhe për mijëra viktima të gjenocidit serb në Kosovë kurrë nuk do të mund të shmanget. Ajo ka për t’u vendosur gjithsesi. Lavdi heroizmit të vellezërve Bytyqi dhe gjithë heronjve të kombit tonë.

Filed Under: Histori Tagged With: BehlulJashari-Perkujtohet 20 vjet-Velelzerit Bytyci

Platforma politike për ringjalljen e PSHDK-së

July 9, 2019 by dgreca

Nga Nue Oroshi /

Hyrje/Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës e themeluar më,4 nëntor 1990 tash ka kaluar 28 vjetorin e themelimit dhe të eksistimit si Parti Politike në Kosovë. Gjatë këtyre 28 viteve ajo pati ngritjet dhe rëniet e saj, ngritjet e saj ishin shumë të mëdha në periudhën e pushtimit të Kosovës, ku çdo shqiptar në Kosovë e ndiente vetën shqiptar Evropian, me kuptimin e fjalës shqiptar. Pas përfundimit të luftës së Kosovës edhe PSHDK si çdo parti politike e Kosovës pati vështirësitë e veta organizative dhe eksistuese, vështirësi të cilat krijoheshin prej dy qështjeve kryesore. E para ishte turri dhe lakmia për pushtet e udhëheqësve të PSHDK-së ndërsa e dyta ishte loja politike që i bënin Partitë e mëdha Politike të Kosovës, ku para zgjedhjeve bënin koalicione më PSHDK, e shfrytzonin sa për ti hedhur hi syve Partive të Djathta Evropiane ndërsa në anën tjetër pas zgjedhjeve e nënçmonin e torturonin dhe e sakatonin me metoda shumë të ulta politike. Në këtë torturë politike nuk ishte pa faji edhe lidershipi i PSHDK-së nëpër vite të cilët në vend që të shikonin interesin e ecjës përpara të Kosovës, ata i shikonin interesat e ngushta politike duke e dëmtuar elektoratin e PSHDK-së e me këtë duke e dëmtuar edhe orjentimin Evropian të Kosovës, karshi partive të djathta politike.Ecjakjët 28 vjeçare të PSHDK-së u rënduan sidomos viteve të fundit ku kjo parti ka mbetur e papërfillshme në skenën politike të Kosovës. Nuk dihet sot e kësaj dite a është PSHDK pozitë apo opozitë se para zgjedhjeve ishte në koalicion me Partitë që sot e kanë pushtetin, e pas zgjedhjeve lihet, harrohet,nënçmohet dhe bëhet shaka te paparashikushme me liderët e saj dhe udhëheqësit e PSHDK-së.

Kjo nuk ka qenë asnjëherë në traditën e Demokristianeve që ta pranoj nënçmimin, poshtrimin dhe idiotizimin që po ja bëjnë sot kësaj partie shqiptare partitë e mëdha të Kosovës të cilët gojën e kanë plot Evropë e kokën plot Azi, këto parti e kanë humbur orjentimin politik dhe nuk është e rastësishme izolimi politik që po i bënë Evropa politikës së Kosovës, sepse e ka kuptuar me kohë së pjesa me e madhe e politikaneve të Kosovës më shumë e duan babën sesa shkabën, e kjo nuk do koment fare kur në mes të Kosovës vjen Erdogan sulltani dhe i merr njerëzit sikurse të ishte në shtëpi të vetën, me plotë të drejtë e them se shkrimi që kam bërë me herët Kosova një shtet pa zot shtëpie ku kullosin turq e shkie doli plotësisht i saktë.

Si duhet ringjallur PSHDK

Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës duhet që ta bëjë një projekt-program për bashkëpunimin me Partitë simotra në Evropë dhe Amerikë. Ajo fillimisht duhet të kërkoj përkrahje politike nga CDU në Gjermani për një platformë politike të ecjës përpara. Kjo platofrmë duhet të bazohet në disa shtylla kryesore.Pranimi i PSHDK-së në Partitë popullore të Europës, pregatitje e investimeve të shteteve Evropiane dhe Amerikane në Kosovë përmes Platformës së udhëheqjës së Shtetit nga PSHDK dhe partitë tjera politike të Kosovës, me sjelljën e investitorve serioz Evropian në Kosovë, bashkëpunimi me profesionistë të Qeverive Evropiane të cilët kanë përvojën politike të udhëheqjës së shtetit në sfera të ndryshme shteterore siç janë ekonomia, zhvillimi i vendit,ringritja e cilësisë në sferën e arsimit, mjeksisë dhe shumë sfera të tjera që japin fryt dhe sukses në një të ardhme të afërt.

Pengimi i rrymave ekstremistë islamike përmes përkrahjes së politikës Amerikane dhe Evropiane duke e forcuar Shërbimin Inteligjentë të Kosovës përmes këshillave dhe profesionalizmin që kanë shtetet e zhvilluara si dhe duke e përgaditur kuadrot për çështje të sigurisë në shtetet Evropiane dhe në Amerikë. Para së gjithash duhet të përgatitur edhe një grup ekspertësh për analiza politike ku duhet paraprakisht të ndërtohet një platformë e përgjithshme shtetërore për ndërtimin e disa vijave kombëtare që nuk guxojnë të prekën.Në këtë platformë duhet të hynë edhe diskreditimi i politikanëve të Kosovës pavarësisht partive politike se ku janë dhe ku veprojnë që e mbajnë vijën e ekstermizmit islamik dhe i hapin fushëveprim aziatizimit të Kosovës. 

Shtrirja dhe riorganizimi në mbarë Kosovën

PSHDK duhet të bëjë një riorganizim ndryshe nga ai që është bërë deri më tani.Ajo duhet të përhap degët e saj në gjithë Kosovën,duke përfshirë në brendësinë e saj intelektualë dhe intelektuale në mbarë qytetët e Kosovës të cilët nuk janë të korruptuar e nuk janë pjesë e krimit dhe korrupsionit të organizuarë tash e dy dekada në Kosovë.Kryesia e PSHDK-së si dhe Këshilli i Përgjithëm i saj duhet të zgjedh antarë të saj nga e gjithë Kosova. Një rol të rëndësishëm në PSHDK duhet ta luajnë edhe të rinjët dhe të rejat që janë shkolluar në  Evropë dhe Amerikë.Ata duhet të jenë pjesë e një platforme politike mbrenda PSHDK-së e cila do ta nxirrte Kosovën nga ky hendek i thellë politik që e ka kapluar.Intelektualët shqiptarë në Kosovë pa dallim feje apo krahine duhet ta shohin PSHDK-në si një parti e qëndrës se djathtë politike dhe t´iu bashkohën asaj.Ata duhet ta kuptojnë një fakt se për të hyrë Kosova në Europë duhet të bëhet edhe politikë Evropiane.Duhet me fakte dhe argumente ti tregojmë Evropës se jemi pjesë e saj dhe jo vëtëm me fjalë.Shpeshherë gjatë aktivitetit tim 13 vjeçarë mbrenda CDU-së më ka rastisur të bisedoj me shumë Deputet të Bundestagut,si dhe Deputet të Republikave Gjermane si dhe funksionar të ndryshëm në shtetin Gjerman ku shpeshherë ma bënin pyetjen se pse nuk eksiston një Parti e Qendres së Djathtë në Kosovë  siç është CDU në Gjermani.Apo si është e mundur që një Parti siç është PSHDK në Kosovë të mos mundet ta kalon as pragun zgjedhor e në anën tjetër te thuhet se ne dëshirojmë të hymë në Evropë. Këtyre pyetjeve të kolegeve të mij mbrenda CDU edhe sot e asaj dite nuk kam mundur t´iu kthej përgjigje.

Përfundimi

Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës duhet të shikohet nga elektorati i Kosovës si dhe nga intelektualët shqiptarë si një parti e vlerave Evropiane.Ajo duhet të forcohet me intelektualë shqiptarë të të dyja besimeve fetare dhe me një punë të përbashkët që do ta bëjnë këta intelektualë ti shtrinë deget e saj në gjithë Kosovën.Të thuash se dëshirojmë të hymë në Evropë dhe në anën tjetër mos ti përkrahim vlerat e mirëfillta Evropiane kjo është një vetvrasje politike që i bëhet  çështjes shqiptare në përgjithësi si dhe shtetit të Kosovës në veçanti.

Filed Under: Analiza Tagged With: Nue Oroshi-Platforma- Ringjalja e PDK-Kosove

Unifikimi diplomatik Tiranë – Prishtinë po shqetëson edhe Rusinë

July 9, 2019 by dgreca

Ne Foto: Mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë. Foto nga arkivi./

Nga Arton Konushevci-RFL/

Kosova dhe Shqipëria kanë ndërmarrë hapat fillestarë drejt unifikimit të misioneve diplomatike e konsullore. Të dy qeveritë kanë nënshkruar një marrëveshje të përbashkët e cila përcakton ngritjen e “Grupit Ndër-Ministror për Përfaqësim të Përbashkët Ndërkombëtar” dhe “Këshillin e Përbashkët për Planifikim Strategjik”.

Me këtë marrëveshje, sipas zyrtarëve të të dyja vendeve, përcaktohen prioritetet afatgjata strategjike dhe bashkërendimi i qëndrimeve politike në arenën ndërkombëtare. Njëkohësisht përcaktohet edhe marrja e detyrimeve konkrete në përfaqësim të ndërsjellë në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në organizata ndërkombëtare.

Jetlir Zyberaj, këshilltar i Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behxhet Pacolli, tha për Radion Evropa e Lirë, se kjo marrëveshje ka për qëllim shfrytëzimin e plotë të mundësive të bashkëpunimit në fushën e politikës së jashtme.

“Synimi është ngritja dhe zhvillimi i mekanizmave të përbashkët të veprimit politik, diplomatik dhe konsullor për t’i dhënë një shtytje angazhimit të ndërsjellë në politikën e jashtme dhe për të fuqizuar rolin e diplomacive tona në arenën ndërkombëtare”, tha Zyberaj.

Ai tha se me marrëveshjen e nënshkruar përfitimet do të jenë të dyanshme.

“Marrë para sysh faktin se Kosova në vazhdim ka një oponencë të fuqishme në Republikën e Serbisë, e mbështetur nga Rusia dhe vendet tjera mosnjohëse të Kosovës, me anë të kësaj marrëveshjeje kemi bërë hapa konkret që të ndihmojmë njëra-tjetrën në avancimin e pozicionit tonë në arenën ndërkombëtare”, tha Zyberaj.

Sipas zotimit të shprehur nga të dy qeveritë, asaj në Prishtinë dhe asaj në Tiranë, nga pikëpamja diplomatike marrëveshja inicion fillimin e punës teknike për ngritjen e “Fondit të Përbashkët për Menaxhimin, Ngritjen dhe Zhvillimin e Ambasadave, Misioneve dhe Konsullatave” me qëllim të krijimit të hapësirave për përdorim të përbashkët nga Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë.

Po ashtu marrëveshja parasheh edhe shkëmbimin e personelit diplomatik të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë në përfaqësitë e njëra-tjetrës, anekënd globit. Me marrëveshje parashihet që në Akademitë Diplomatike përkatëse të fillojnë punën për krijimin e një programi trajnimi të përbashkët, si dhe pikëpamja e diplomacisë kulturore.

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë Gent Cakaj, në një konferencë të përbashkët për media me ministrin e Jashtëm të Republikës së Kosovës të mbajtur më 2 korrik, tha se kjo marrëveshje hap një kapitull krejtësisht të ri të bashkëpunimit në fushën e politikës së jashtme midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.

“Ky zhvillim shënon rritje të pranisë tonë diplomacisë, avancim të kapaciteteve tona të përbashkëta dhe gjithsesi një përafrim më të madh midis Kosovës e Shqipërisë”, ka deklaruar Cakaj.

Ish-ambasadori i Kosovës në Austri dhe në Australi, Sabri Kiçmari, thotë për Radion Evropa e Lirë se marrëveshjet e tilla janë normale dhe u shërbejnë shteteve përkatëse. Ai tha se ky veprim është normal dhe një nisme e tillë ndihmon në zhvillimin e mëtejme të politikës së jashtme.

“Natyrisht, që diplomacia ndërkombëtare e ka të qartë se fjala është për një bashkëpunim ndërshtetëror midis dy vendeve, sigurisht duke ruajtur premisat e qarta dhe prerogativat e qarta shtetërore të të dy vendeve. Nuk është fjala për ‘Shqipëri të Madhe’ e as ‘të vogël’, por është fjala për bashkëpunim në fushën e politikës së jashtme në mes të dy vendeve që janë vende vëllazërore mes tyre dhe është praktikë normale ndërkombëtare dhe e quaj një gjë të përparuar”, tha Kiçmari.

Por, ndaj nismës për unifikimin diplomatik e konsullor të Kosovës e Shqipërisë kanë reaguar Serbia dhe Rusia. Të dy këto vende që njihen edhe si kundërshtare të fuqishme të pavarësisë së Kosovës, marrëveshjen e kanë cilësuar si hap drejt realizimit të synimeve për, siç thuhet, “Shqipërinë e Madhe”.

Në një deklaratë të Ministrisë ruse të Punëve të Jashtme, thuhet se hapa të tillë në Prishtinë dhe Tiranë shkaktojnë shqetësim serioz.

“Hapat provokues të Tiranës dhe Prishtinës, të cilat janë në harmoni me zbatimin e konceptit të ‘Shqipërisë së Madhe’, paraqesin shqetësim serioz. Ne konsiderojmë se marrëveshje Kosovë – Shqipëri për unifikimin e misioneve diplomatike në vende të treta, e nënshkruar më 2 korrik të këtij viti, është në këtë kontekst”, theksohet në reagimin e Moskës.

“Ne tërheqim vërejtjen se veprimet provokuese të Prishtinës dhe Tiranës nuk janë të rastësishme. Për disa vjet rresht, prej atje janë dëgjuar deklarata rreth integrimit ‘de facto’. Kjo linjë e udhëheqjes në Shqipëri dhe në Kosovë bie ndesh me Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, minon dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës me ndërmjetësimin e BE-së dhe kërcënon stabilitetin në Ballkan”, theksohet në reagimin rus.

“Ne dëshirojmë të theksojmë se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian preferojnë të mos reagojnë ndaj lëvizjeve të tilla shkatërruese, duke inkurajuar në të vërtetë mendimin e ‘Shqipërisë së Madhe’ që është e dëmshme për rajonin”, thuhet në deklaratën e Moskës zyrtare.

Edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq e ka cilësuar marrëveshjen për bashkëpunim në politikën e jashtme të Prishtinës dhe Tiranës si përpjekje për krijimin e një “Shqipërie të Madhe”. Kryediplomati serb ka pyetur se çka do të ndodhte nëse Serbia do të nënshkruante një marrëveshje të ngjashme me Republikën Serbe. Sipas tij, edhe Serbia dhe Republika Serbe mund të veprojnë njësoj sikurse Prishtina dhe Tirana, kur bëhet fjalë për politikën e jashtme.

Nisur nga këto reagime, ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behxhet Pacolli ka thënë se “Serbia apo dikush tjetër nuk duhet të shqetësohet kur dy vende fqinje kanë bashkëpunim të fortë dhe të ngushtë, por kur një fqinj tjetër e bashkon politikën e tij të jashtme me akterë tjerë të palëve të treta, të cilët nuk kanë vend në rajonin tonë. Atëherë ky është shqetësim për stabilitetin tonë rajonal, jo për bashkëpunimin”, ka shkruar Pacolli në Twitter.

Ndryshe, nisma për unifikimin e misioneve, apo disa misioneve diplomatike e konsullore ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë daton që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.(Evropa e Lire)

Filed Under: Analiza Tagged With: Anton Konushevci-Unifikimi-Sherbimit Diplomatik-Tirane-Prishtine

Haradinaj kërkon vendosjen e drejtësisë për rastin e vëllezërve Bytyqi

July 9, 2019 by dgreca

Në 20-vjetorin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, Agronit, Yllit dhe Mehmetit, kujtojmë sakrificën e tyre të pashembullt për lirinë e Atdheut. Ata erdhën nga ShBA-ja për t’iu bashkuar rreshtit të mbrojtësve të kësaj toke dhe thelbi i rënies së tyre shpalosë dimensionin e vërtetë të luftës sonë çlirimtare. Ekzekutimi i tyre pa gjyq dhe drejtësia e munguar e mbanë fajtor edhe sot shtetin serb për mosndëshkimin e krimit. Duke u përkulur para veprës kulmore të tre Heronjve të Kosovës, Qeveria e vendit zotohet se nuk do të ndalet së vepruari për vendosjen e drejtësisë.- RH

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se qeveria që drejton, nuk do të ndalet së vepruari për vendosjen e drejtësisë, për rastin e vrasjes së tre vëllezërve Bytyqi, 20 vjet më parë.

Agron, Yll dhe Mehmet Bytyçi kanë luftuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ata janë vrarë në vitin 1999, pasi paraprakisht janë arrestuar nga autoritetet serbe për shkak të, siç është thënë, hyrjes së paligjshme në Serbi.

“Në 20-vjetorin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, Agronit, Yllit dhe Mehmetit, kujtojmë sakrificën e tyre të pashembullt për lirinë e Atdheut. Ata erdhën nga ShBA-ja për t’iu bashkuar rreshtit të mbrojtësve të kësaj toke dhe thelbi i rënies së tyre shpalosë dimensionin e vërtetë të luftës sonë çlirimtare. Ekzekutimi i tyre pa gjyq dhe drejtësia e munguar e mbanë fajtor edhe sot shtetin serb për mosndëshkimin e krimit”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Çështja e vëllezërve Bytyqi, ka dominuar gjithmonë bisedimet ndërmjet zyrtarëve serbë dhe atyre nga Shtetet e Bashkuara, të cilët kanë kërkuar zbardhjen e këtij rasti dhe dënimin e vrasësve. Për vrasjen e tyre kanë qenë të akuzuar dy policë serbë, Sreten Popoviq dhe Millosh Stojanoviq, por ata janë liruar nga Gjykata e Lartë në Beograd për shkak të, siç është thënë, mungesës së provave.

Kongresisti amerikan Eliot Engel, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, gjatë vizitës në Beograd, javën e kaluar, tha se “rasti Bytyçi është dashur të zgjidhet kohë më parë”.

“Është një tragjedi e tmerrshme, të gjithë janë vrarë. Ka qenë vrasje e paramenduar dhe mendoj se autoritetet serbe duhet ta zgjidhin sa më parë. Zoti Vuçiq e di shqetësimin tim në lidhje me rastin e vëllezërve Bytyçi. Kemi folur detajisht për këtë në Uashington dhe tani në Beograd”, tha Engel.

Filed Under: Kronike Tagged With: Haradinaj-Velelzrit Bytyqi- Drejtesi

NJË MBRËMJE ME FAMILJEN MICOTAQIS

July 9, 2019 by dgreca

Marrë nga libri “Rrëfimet e komshiut”…/

Nga  Abdurrahim Ashiku-Athine/

Kisha ditë që nuk e kisha takuar. Më mungonte humori dhe e qeshura e tij, një e qeshur sikur rrjedh nga kroje të thella ujëkristal.

Kishte arsye. Kësaj radhe ishte lidhur pas të vëllait që nuk bënte hap pa të, pa iu ngjit përdore si ngjitet fëmija pas prindit. Athina e kishte befasuar me rrugët, lëvizjet, trafikun, zhurmën. I mësuar në ngushtësinë e shtëpisë së vogël private diku andej nga kodrat e Rrashbullit, me klasën ku jepte mësim dhe grupin muzikor që i jepte gjellë bukës së mësuesit dhe ndonjë tra shtëpisë ende në ndërtim, Athina i dukej e pakapshme, madje e frikshme.

U përqafuam me të dhe me vëllanë, mbasi me të isha njohur në Golem të Kavajës verën e kaluar. Pritëm dritën jeshile të semaforit për të kaluar Patisionin e për tu shtruar në atë mjedis të vjetër lokalesh që mban në vetvete Fokion Negri.

U ulëm dhe porositëm kafenë e zakonshme.

Tek gjerbnim amalgamën e kafenjtë në një cep buzësh kapa fijen e njohur të buzëqeshjes, fije që i shfaqej sa herë kishte ndonjë të re nga “Fronti i kamerierit”, siç thoshim me shaka.

– Mbrëmë kisha mysafir në tavolinë Micotaqin…

– Kë? Micotaqin? Atë të madhin?

– Jo vetëm atë, por edhe me të shoqen, Marikën edhe të bijën, Dorën, edhe djalin, Qirjakon…

– Dhe…?

– Edhe duzinën e rojeve që rrethoi lokalin.

– Kaq?

– Ishim lajmëruar, sigurisht se do të vinte dikush i madh por se kush, pronari nuk ma tha. Ai, për çdo gjë ka besim të plotë tek unë dhe shërbimet e veçanta mi jep vetëm mua. Bëra gati si zakonisht tavolinën duke  u kujdesur deri në hollësi. Kur behu në hyrje të lokalit ndjeva njerëzit të luanin vendit, madje të ngrihen në këmbë. Nuk munguan edhe disa përplasje duarsh në shenjë respekti apo tifozëri partiake. Ju e dini se në lokalin tonë vijnë nga të gjitha partitë dh nga të gjitha shkallët e pasurisë.

Në krahun e djathtë, sapo kaloi portën mori Dorën, kurse në të majtën Qirjakon.

Pasi u rehatuan u urova mirëseardhjen dhe i ftova për porosinë.

Më dëgjoi, më mati nga koka tek këmbët, më pa në sy dhe me atë zërin e tij bubullues më pyeti:

– Kritikos ise?

– Ohi!- i përgjigjem prerë duke ngritur kokën lart. – Ime Alvanos!

Priste, ndaj edhe pyeti, ti them se jam Kritikos, Kretas sepse nga Kreta i ka rrënjët megjithëse kretasit asnjëherë nuk ia kanë dhënë votën, as atij kur bëhej e ribëhej kryeministër, dhe as sot partisë së tij “Demokracia e Re”. Përgjigja ime, e prerë, e befasoi.

Të them të drejtën, asnjëherë, në asnjë rast, edhe atëherë kur isha ilegal, nuk e kam mohuar  se jam shqiptar. Pse ta mohoj?

Pashë në ato të dhjeta të sekondave se si kërciti kolltuku, si notoi shikimi sa tek e bija tek i biri. Pashë se si buzët ia përshkoi një fill i hollë qeshje. Nuk e mora vesh natyrën e atij filli derisa nga goja e hapur nuk do të dilte një zë i fortë, bubullues…

– Ho, ho, ho! – qeshi ai sa u drodh lokali

– Ha, ha, ha! – qeshi e shoqja

– Ha, ha, ha! – qeshi e bija.

– Ha, ha, ha! – qeshi i biri

Ishte një shpërthim gazi që nuk e kisha dëgjuar e ndjerë ndonjëherë, një bubullimë si pas flakës së rrufesë në qiell me shi, një gaz që vazhdoi për minuta e i dha lokalit tjetër ngjyrë.

Porositën, dhe ndërsa drejtohesha tek kuzhina për të lënë porosinë, ndjeva mbi sup një dorë të rëndë. Kthehem dhe përpara më del fytyra dyngjyrëshe e shoqëruesit.

– Pse qeshi kryeministri? – Më pyeti paksa me arrogancë.

– Më pyeti në se jam nga Kreta, Kritikos.

– Dhe ti si iu përgjigje?

– I thashë se jam nga Shqipëria, Alvanos.

E pashë si ia përshkoi fytyrën një qeshje që nuk mungoi të bëhej e zëshme.

E pashë se si bisedën ua tregoi rojeve të tjera të cilët u shkrinë në gaz.

Kur qesh shefi, qeshin të gjithë.

– Kaq? – i them

– Kaq. Çfarë do tjetër?

– Lanë ndonjë bakshish kur ikën?

– Hëëë!- mërmëriti dhe vazhdoi:

– Të pasurit i mbajnë xhepat qepur me pe dore…

Kohë të reja…

Athinë, 22 mars 2011

Filed Under: ESSE Tagged With: Abdurrahim Ashiku-Micotaqis- Athine

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 954
  • 955
  • 956
  • 957
  • 958
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT