-Në Kosovë përkujtohen në 20 vjetorin e vrasjes vëllezërit Yll, Agron e Mehmet Bytyqi, shqiptarë të ardhur nga Amerika për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës/
-Lavdi heroizmit të vellezërve Bytyqi dhe gjithë heronjve të kombit tonë/
PRISHTINË, 9 Korrik 2019-Gazeta DIELLI/ Në Kosovë, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli kanë përkujtuar sot 20 vjetorin e vrasjes së vëllezërve Yll, Agron e Mehmet Bytyqi, shqiptarë të ardhur nga Amerika për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata u vranë pasi ishin arrestuar nga autoritet e Serbisë.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi: U bënë 20 vjet nga vrasja e vëllezërve Bytyqi dhe përgjegjësit e këtij krimi vazhdojnë të jenë të lirë në Beograd, duke udhëhequr institucione dhe duke u dekoruar nga shteti serb. Drejtësia ndërkombëtare ka dështuar në ndëshkimin e krimeve serbe në Kosovë: të vrasësve të mbi 13 mijë civilëve shqiptarë, ndëshkimin e kriminelëve serbë që dhunuan mbi 20 mijë gra shqiptare, që vranë mbi 1300 fëmijë dhe kryen rreth 400 masakra anekënd Kosovës. Kriminelët serbë që i kryen këto krime, që bënë spastrim etnik, duke i larguar prej shtëpive të tyre mbi 1 milion shqiptarë, që kryen gjenocid mbi popullsinë e Kosovës, vazhdojnë të sillen lirshëm dhe janë tërësisht të amnistuar nga drejtësia ndërkombëtare. Kosova, qytetarët tanë, kërkojnë drejtësi. Heshtja ndërkombëtare përballë këtyre krimeve nuk është në shërbim të drejtësisë dhe paqes, por në shërbim të kriminelëve!
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj: Në 20-vjetorin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, Agronit, Yllit dhe Mehmetit, kujtojmë sakrificën e tyre të pashembullt për lirinë e Atdheut. Ata erdhën nga ShBA-ja për t’iu bashkuar rreshtit të mbrojtësve të kësaj toke dhe thelbi i rënies së tyre shpalosë dimensionin e vërtetë të luftës sonë çlirimtare. Ekzekutimi i tyre pa gjyq dhe drejtësia e munguar e mbanë fajtor edhe sot shtetin serb për mosndëshkimin e krimit. Duke u përkulur para veprës kulmore të tre Heronjve të Kosovës, Qeveria e vendit zotohet se nuk do të ndalet së vepruari për vendosjen e drejtësisë.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli: Ylli, Agroni dhe Mehmeti, tre vëllezërit Bytyqi, lanë jetën e qetë në Amerikë dhe dëgjuan thirrjen e atdheut për çlirim. Sot bëhen 20 vjet nga dita kur ata u vranë pabesisht nga kriminelët e regjimit të atëhershëm serb. Drejtësia për këta trima dhe për mijëra viktima të gjenocidit serb në Kosovë kurrë nuk do të mund të shmanget. Ajo ka për t’u vendosur gjithsesi. Lavdi heroizmit të vellezërve Bytyqi dhe gjithë heronjve të kombit tonë.